20.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Rreziku i pastrimit të parave, rriten transfertat e dyshimta

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Vitet e fundit kanë shënuar një rritje të dukshme të raportimeve për transferta të dyshimta parash jashtë kufijve dhe anasjelltas. Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë, në vitin e shkuar, kompanitë e transfertave kanë raportuar në total 209 raste të dyshimta, rreth tre herë më shumë se në vitin 2015. Fluks i lartë raportimesh raportohet edhe për gjysmën e parë të këtij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka referuar në Prokurori të paktën 178 raste të dyshimta në gjysmën e parë të vitit. Po ky institucion bën me dije se është vendosur masë bllokimi për 31 prej tyre me një vlerë prej 3.8 milionë euro. Rritja e rrezikut të pastrimit të parave u konfirmua edhe nga Instituti i Baselit në Zvicër, i cili vetëm pak muaj më parë publikoi raportin për 2017. Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 85-të mes 147 shteteve me një pikëzim prej 5.75, duke shënuar përkeqësim në raport me vitin e kaluar, pasi ishte 5.04.

Takspaguesit 1.4 milionë dollarë për 134 fluturime të Ramës me charter

 

Shpenzimet e luksit qeveritar, e sidomos shpenzimet e personalizuara për kryeministrin Rama kapin shifra marramendëse.
Ndonëse ekonomia është në krizë, papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash, shpenzimet e luksit të kryeministrit dhe ministrave nuk ndalen asnjëherë. Nëse këto shifra do të shkonin për shërbime për qytetarët, qindra kilometra rrugë do të ishin ndërtuar, shumë shkolla të reja, qendra shëndetësore do të ishin ndërtuar.
Ish-kryeministri Berisha ka zbardhur disa shifra të frikshme dje, sipas të cilave në katër vitet e mandatit të parë, Rama ka shpenzuar 1.4 milionë dollarë për 134 fluturime me charter privat. Kujtojmë këtu që këto fluturime kanë të bëjnë vetëm me biletat e avionit të kryeministrit, ndërkohë që shifra të tilla marramendëse kanë shpenzuar pothuajse respektivisht të gjithë ministrat e kabinetit.
Rama bën shpenzime marramendëse në fluturimet jashtë vendit. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se Rama ka shpenzuar 1.4 milionë dollarë në 132 fluturime me charter privat gjatë mandatit të parë si Kryeministër. Berisha risjell në vëmendje shkarkimin e Sekretarit të Shtetit për Shëndetësinë, Tom Price nga Presidenti Trump, pasi kishte shpenzuar 400 mijë dollarë për udhëtime në detyrë me charter privat në vendin e tij.
“Noriega ka shpenzuar për 132 fluturime jashtë vendit, me charter privat, 1.4 milionë dollarë!
Të dashur miq, këto ditë, Presidenti Donald Trump shkarkoi Sekretarin e Shtetit për Shëndeteësinë, Tom Price, sepse kishte shpenzuar 400 mijë dollarë për udhëtime në detyrë me charter privat në vendin e tij. Kjo sepse ai, duhet të udhëtonte me fluturimet tregtare dhe jo të përdorte me pushtetin për të shpërdoruar paratë e takspaguesve amerikanë. Kurse Noriega në Shqipëri, këto katër vite ka fluturuar me charter privat 132 herë jashtë shteti, duke shpenzuar 1.394.000 dollarë. Kaq nuk shpenzonte as Noriega i narko-republikës së Panamasë!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor, jam punonjës në Kryeministri. Desha të ju informoj se kryeministri si rregull udhëton vetëm me charter dhe rrallë shumë me linja të zakonshme dhe se në 132 fluturime me charter janë paguar nga buxheti i shtetit 1394000 dollarë, shumë kjo më e madhe se sa e të gjithë liderëve të rajonit të marrë së bashku, ju lutem anonim. me respekt…”

Qeveria, 14 milionë dollarë për orendi dhe zyra luksi

Vetëm për gjysmën e parë të vitit, duke marrë parasysh që ishte edhe vit zgjedhor dhe pushteti u angazhua në blerjen e votave dhe ishte prezent në Shqipëri, sërish shpenzimet për bileta avioni kapin vlera marramendëse. 2 milionë dollarë të shpenzuara në gjashtë muaj. Por nuk janë vetëm shpenzimet e biletave të avionit. Një skandal më vete për shpenzime pa fre lidhet edhe me ato për rikonstruksionin e zyrave. Në një denoncimn të kreut të PD, Basha pak ditë më parë rezulton se në gjysmën e parë të vitit u shpenzuan plot 14 milionë dollarë për blerje orendish e rikonstruksion zyrash.
“Vetëm për gjysmën e parë të vitit, qeveria shpenzoi: Për bileta/udhëtime rreth 2 milionë dollarë. Për Orendi/rikonstruksion zyrash: rreth 14 milionë dollarë”, denoncoi kreu i PD, Basha dy ditë më parë. Po të shohësh katër vitet e qeverisjes socialiste, vetëm shpenzimet e Ramës tregojnë për një babëzi të shfrenuar në luks e udhëtime. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që është dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015 shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016, kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro, aq sa thuajse është dhe kostoja e rritjes së pensioneve në masën 80% siç ka premtuar opozita.
Për vitin 2017, Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e Kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash.
Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore. Shpenzimet luksoze të qeverisë u faktuan në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga i cili për vitin 2015 dolën një numër i pafund shkeljesh që kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive. Dëmi në total për atë vit që i shkaktohej buxhetit, sipas KLSH, shkonte në 919 milionë euro ose gati 15% e tij.

Amaneti i Elsie: Më varrosni në Shqipëri

Robert Elsie, albanolog i njohur, që punonte prej dekadash për Gjuhën dhe Letërsinë shqipe dhe përhapjen e saj në botë, sapo është ndarë nga jeta. Ajo që të bën përshtypje është fakti se Elsie, ka lënë amanet të varroset pikërisht në vendin në të cilin nuk i jetohej. Ndoshta, në Shqipëri vetëm i vdekur mund të jetohet i qetë

– Cila është marrëdhënia juaj me shqipen, ditët e para, takimi juaj i parë me gjuhën tonë? Çfarë ndodhi? Si e njohët këtë gjuhë që sot ju bën të bëni libra kaq të mëdhenj?
Mbase është histori e gjatë, por e rastësishme. Mbarova studimet në Gjermani, në Universitetin e Bonit. S’kisha lidhje me gjuhën shqipe, pasi atje studiova gjuhësinë krahasuese dhe gjuhën kelte, pra gjuhën e Irlandës, Uellsit, Skocisë dhe kur mbarova studimet profesori im, gjuhëtar, mori një ftesë nga Akademia e Shkencave për të vizituar Shqipërinë, pasi ai vetë kishte studiuar në Vjenë me një shqiptar, konkretisht me Aleks Budën. Aleks Buda e ftoi profesorin tim në Shqipëri. Në atë kohë, Shqipëria ishte një vend i mbyllur, i panjohur dhe ftesa nuk ishte vetëm për të, por edhe për studentët e tij. Dhe kështu, jemi nisur për në Shqipëri një grup prej 20 studentësh në vitin 1978. Ishte një gjë e rrallë për ne të hynim në Shqipëri, pasi Shqipëria në atë kohë ishte si Koreja e Veriut sot, domethënë zor të depërtoje.

– Si qe të hyje në këtë vend më ’78?
Për mua ishte shumë interesante. Madje kam qeshur me vete se më dukej vetja sikur isha në një film hollivudian dhe nuk e mora shumë seriozisht anën politike, as tabelat, propagandat.

– Ju mendonit se po bëhej shaka, nuk ju dukej e vërtetë?
Jo, por thjesht nuk e mora seriozisht, më tepër më ngjante si film. Por ishte shumë interesante.

– Ju kujtohet diçka që ju ngacmoi atëherë apo diçka që ju çuditi?
Kishte shumë gjëra, ishte një vend absurd, gjithë vendi ishte absurd, por njerëzit e merrnin seriozisht. Nuk e di se deri në çfarë mase i merrnin seriozisht vetë njerëzit, por gjithsesi e kuptonin që jetonin në një realitet tjetër.

– Ju qëllonte që të takonit shqiptarë që midis tyre flisnin për këtë gjë?
Jo haptazi, jo. Më vonë ky takim që nisi më 1978 u bë takim i përvitshëm midis Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave dhe vinim çdo vit në Shqipëri për 2 javë. Gjatë takimeve dhe udhëtimeve, fillova të interesohesha për shqipen. Nuk e dija fare gjuhën veç fillova, në atë kohë, madje edhe në Gjermani, fillova të mësoja gjuhën më seriozisht.

– Ku e mësonit shqipen në Gjermani?
Ishte e vështirë pasi nuk kishte fjalor, kishte doracakë, libra mësimorë. Mbaj mend që gjeta një fjalor frëngjisht-shqip dhe nga ana tjetër shqip-gjermanisht, ndërsa në anglisht nuk kishte fare. E vështirë ishte.

– Kur thatë me vete që tani e di shumë mirë shqipen?
Pas shumë viteve. Ndërkohë shkoja çdo vit në Prishtinë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe për të mësuar gjuhën. Aty ishte, nga njëra anë më kollaj sepse mund të bisedoja lirisht me njerëzit pasi kosovarët flisnin më lirisht.

– Sa e ndryshme ishte Kosova e atyre viteve me Shqipërinë?
Shumë, shumë.

– Ju ku ndiheshit më mirë?
Në Kosovë, pasi ishte më perëndimore, më normale. Në Shqipëri nuk kisha mundësi të flisja lirisht me njerëzit. Unë flisja me zyrtarët, të cilët ishin shumë të dashur, mikpritës, por prapë ishte njëfarë frike, që të pengonte të flisje lirisht.

– Po tani flitet lirisht në Shqipëri?
Po, qartë. Tani nuk ka problem, njerëzit flasin, madje nuk pushojnë së foluri fare. I thonë të gjitha, nuk mbajnë sekrete.

– Shqipëria e Hoxhës krahasuar me Shqipërinë e Berishës që takoni tani, çfarë kanë të ngjashme dhe çfarë kanë të ndryshme?
Unë mendoj se ka disa gjëra të kontinuitetit që nuk kanë ndryshuar, që janë të çuditshme jo vetëm nga koha e Hoxhës, por edhe nga koha e Zogut, gjëra që vijnë nga koha osmane, ajo e Zogut, e Hoxhës e deri te e sotshmja. Një nga këto gjëra është korrupsioni burokratik. Kjo është një nga gjërat që gjithmonë ka qenë kështu. Tjetra është paaftësia administrative e vendit. Nuk është diçka që varet vetëm nga partia, është më tepër qëndrimi i popullit. Pra, që të marrësh diçka që do, duhet të njohësh dikë në ministri, të pish kafe me të, pastaj të pish prapë kafe javën tjetër me të, edhe një herë të tretë, e më pas, ai të lidh me personin që ty të intereson. Dmth është njësoj si në kohën osmane, nuk është si një shtet normal.

-Edhe tani që flasim kështu është si në kohën osmane?
Po, po.

-Po në Kosovë, është e ngjashme kjo gjë?
Nuk di, nuk kam patur këto probleme në Kosovë. Natyrisht që Kosova e para 20 viteve është e ndryshme nga Kosova sot, por mua më duket se njerëzit janë njësoj, shqiptarët aty apo këtu, me pak ndryshime, në thelb njësoj janë.

-Ç’lloj emocioni keni kur takoni njerëz të tillë që janë diku dhe flasin një shqipe që po shuhet?
Bukur është, por më trishton që kjo gjuhë po zhduket aty dhe nuk bëhet asgjë për ta ruajtur. Dhe jo vetëm aty, ka edhe zona të tjera ku shqipja dhe dialektet po zhduken.

-Çfarë gjuhe është kjo shqipja jonë profesor?
Një gjuhë shumë e përzier. Ka elemente shumë të vjetra, por ka shumë ndikim nga gjuhët e tjera. Ka shumë ndikim nga latinishtja, sllavishtja, turqishtja, pak nga greqishtja, pak nga italishtja. Pra, është një lëmsh. Për të punuar në fushën e gjuhësisë historike krahasimtare, shqipja është një tmerr, sepse nuk zbulohen dot shtresat e ndryshme të shqipes, pasi janë si një lëmsh. Shumë interesante.

-Si ishte të takoje Fishtën, profesor?
T’ju them të drejtën ishte një punë shumë e vështirë. Gjuha e tij është e vështirë, pasi unë nuk isha mësuar me dialektin e tij dhe kur fillova gjeta shumë vështirësi, pasi çdo fjalë më është dashur ta kërkoj në fjalor, por në fund, u habita, pasi doli një punë shumë e mirë. Tani u bënë 4-5 vjet që e kam përkthyer dhe kur e lexoj edhe sot Lahutën e Malcisë në anglisht më pëlqen shumë. E di që është një përkthim me cilësi të lartë.

-Ju ndodh ndonjëherë të dëgjoni një njeri që reciton Fishtën dhe ndiheni mirë për punën e madhe që keni bërë për një vepër të madhe?
Po, po, dhe jam shumë krenar për përkthimin që kam bërë me Fishtën. Më duket se nga të gjithë librat është një nga librat më themelor të të gjitha botimeve të mia. Ishte një mundim, t’ju them të drejtën, pasi më është dashur një vit e gjysëm për të përkthyer 17 mijë vargje dhe kam luftuar me çdo varg.

-Do t’i rekomandonit shqiptarëve që ende nuk e kanë lexuar pse duhet ta lexojnë Fishtën?
Për mua është një vepër shumë interesante, nëse e kuptojnë gjuhën. Tani nuk e di, ndoshta të rinjtë që nuk e dinë gegnishten do e kenë të vështirë për ta kuptuar, është njësoj si tek ne kur lexojnë Shekspirin dhe nxënësit e kanë të vështirë, pasi nuk e kuptojnë gjuhën, por prapë them se duhet ta lexojnë. Ndoshta mund të lexojnë edhe përkthimin tim në anglisht. (qesh)

-Megjithatë Lahuta e Fishtës erdhi vonë në letërsinë tonë…
T’ju tregoj diçka. Kur udhëtoja me avion, në fillim të viteve ’90, në atë kohë, normalisht nuk kishte shumë udhëtarë që lëviznin drejt Shqipërisë dhe dikush prapa meje tha: “A ka ndonjë ndryshim orari?” dhe një person tjetër prapa tij tha “Po, po, 150 vjet prapa”.

-Ky është ndryshimi i orarit të këtij vendi, i cili gjërat i ka bërë me vonesë përfshirë edhe Lahutën e Malcisë, përfshirë edhe Pavarësimin, përfshirë edhe komunizmin, përfshirë edhe rrëzimin e tij, edhe tranzicionin.
Dhe hyrjen e Evropë.

-Po vonon ende apo jo?
Po, po, por është diçka që bëhet. Unë kam përshtypje se shqiptarët janë të ngadalshëm nga njëra anë, por janë shumë të shpejtë në anën tjetër. Kam qeshur një herë kur dikush më tha “Ne jemi më të shpejtë se bullgarët. Bullgarët janë të ngadalshëm, ndërsa ne Shqipërinë e ndërtojmë 5 herë në një kohë që bullgarët e ndërtojnë një herë Bullgarinë, por është e vërtetë edhe që e rrëzojmë 5 herë më shpejtë”.

-Po shqipja e Ismail Kadaresë si është profesor?
Kjo për mua është shqipja më e bukur. Unë kënaqem kur lexoj Kadarenë thjesht nga pikëpamja e gjuhës, të lexoj se si i ndërton fjalitë, fjalët që përdor. Është i veçantë dhe që ka ndikuar shumë në ecurinë e gjuhës së shkruar.

-Ju ka ndodhur më pas të ndeshni një shqipe dhe të thoni është kaq e bukur sa shqipja e Kadaresë?
Po kam dëgjuar, por besoj se ai është kryesor në çuarjen e shqipes përpara.

-Ju do veçonit një poet shqiptar që ju vetë e lexoni jo vetëm për ta përkthyer, por edhe për kënaqësi, që ju kënaq, që ju pëlqen?
Ka shumë, por jo një poet i caktuar. Për shembull më pëlqen Lasgush Poradeci.

-Lasgushi na pëlqen të gjithëve. Ju besoj e keni përkthyer atë apo jo?
Po, por është shumë i vështirë për t’u përkthyer, nuk është kollaj. Kam përkthyer pak nga veprat e tij. Jam përpjekur të përkthej disa, por nuk më dolën mirë dhe kështu i lashë.

-Cilat poezi i keni përkthyer Lasgushit?
Dimri, Mëngjesi është një poezi tjetër, një poezi për Shën Naumin. Kam përkthyes disa që më kanë prekur, por përkthimi varet shumë nga gjuha dhe Lasgushi është i lidhur shumë me gjuhën dhe për këtë nuk përkthehet kollaj. Kurse Migjeni është krejt tjetër, ai është narrativ, ai të tregon diçka, ai ka një histori, çdo poezi e tij është një tregim.

-Po prozën shqiptare, e keni përkthyer? Keni marrë tregime të shkurtra apo pjesë të mira të autorëve? Si e keni sjellë prozën shqiptare në anglisht?
Është diçka e rastësishme, unë kam bërë më pak prozë shqiptare, nuk kam përkthyer shumë, ndoshta kam përkthyer dy romane, por jo shumë, pasi është një mundim. Nëse një autor ka nevojë për një vit për të shkruar një libër, përkthyesi ka nevojë për një vit për ta përkthyer dhe unë nuk kam një vit për të përkthyer një vepër që mbase as nuk shitet jashtë. Tregu anglishtfolës nuk është shumë i interesuar për letërsitë e vendeve të vogla apo letërsinë në përkthim, nuk ka shumë treg për këtë për fat të keq.

-Si është biblioteka juaj profesor?
Shumë e madhe. Kohët e fundit kam ndërruar shtëpi dhe e kisha problem bibliotekën time, kam mbledhur shumë libra në vitet ’80-’90. Çdo herë që vija në Shqipëri merrja me vete një çantë të madhe me vete. Edhe në Kosovë të njëjtën gjë. Kështu që kam një bibliotekë të madhe edhe për Letërsinë shqiptare, por edhe për Albanologjinë në përgjithësi. Unë nuk e di sa libra janë, por di nga transportimi i bibliotekës tek shtëpia e re, që pesha e tyre është 2 ton e gjysmë. Është pesha e një elefanti.

-Shqipja jonë peshon sa një elefant në bibliotekën tuaj?
Dhe sinqerisht nuk kam më vend për libra, nuk i flak dot dhe nuk di tani ç’të bëj me këto libra. Më tmerrojnë librat kur futem në bibliotekën time dhe mbase bëra gabim që i mblodha të gjitha këto.

-Sa vjen e merrni më pak libra nga Shqipëria tani?
Po, tani jam shumë përzgjedhës, jam shumë i kujdesshëm. Një bibliotekë e madhe është një përgjegjësi e madhe.

Intervistoi: Rudina Xhunga

Shuhet albanologu Robert Elsie

Albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, ka vdekur. Elsie është emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillimshekullit 21.
I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën.
Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë, ku dhe do të mësonte edhe të folmen në gegnisht të shqipes, përmes njohjeve me kosovarët. I dekoruar nga Presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë.
Po ashtu, ai kishte përkthyer letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli.
Ndërkohë, ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie kishte përpiluar edhe leksikë dhe fjalor të shqipes, si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Gjithashtu, ai kishte qenë përkthyes gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në Hagë, ku kishte përkthyer drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë.

Marek Hamsik, rekord dhe spektakël

116 herë Marek Hamsik. Rekordi që dukej si një magji e pathyeshme tashmë është realitet, është një ëndërr e realizuar. Duke filluar nga data 1 tetor 2017 princi në përrallën e Napolit nuk është më Diego Armando Maradona. Argjentinasi legjendar është lënë pas pikërisht nga sllovaku Hamsik. Arritja e kapitenit sot 30-vjeçar dukej e paimagjinueshme, 10 vjet më parë kur ai veshi për herë të parë fanellën e kaltër duke u vënë në dispozicion të Edy Rejas për sezonin e parë në Serinë A. Shkëlqeu që në fillim duke vërtetuar se drejtuesit e kaltër kishin patur një intuitë të shkëlqyer e duke treguar se ishte i destinuar për t’u ngjitur lart.
Në sezonin e tij të 11 për jugorët e Napolit Marek Hamsik theu një rreth vicioz që mbante emrin Maradona. Me golin e tij të 116 tashmë është kthyer në ikonën e re të Napolit. Dikur fëmijët e këtij qyteti quheshin Armando tashmë duket se do të stilohen si Hamsik. Në të vërtetë jo vetëm Hamsik, por edhe skuadra e Napolit ka prenotuar mbiemra të mrekullueshëm, shkatërrues dhe të papërmbajtshëm që tashmë i sheh të gjithë rivalët e Serisë A nga lart poshtë. Skuadra e Sarrit vjen me shifra të frikshme që bëjnë të rikshkruhen statistikat. Me Napolin që është kthyer në ekipin e parë në historinë e Serisë A që fiton 7 ndeshje radhazi në fillim të sezonit me rreth 25 gola të shënuar. Mesfushori Hamsik shprehet:
“7 fitore në 7 ndeshje është diçka e jashtëzakonshme, rruga është ende shumë e gjatë, por ne do ta provojmë dhe kemi besim. Kundër Cagliarit luajtëm shumë mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Kjo është skuadra më e fortë dhe më e bukur me të cilën kam luajtur”, u shpreh ai. Tetori do të jetë një muaj domethënës për Napolin, ndërkohë që Hamsik, i duhet edhe fitorja në kampionat për t’u reshtuar përgjithnjë në krah të djathtë të Diego Armando Maradonës.
Vazhdon momenti negativ i Milanit, që u thye 2-0 në shtëpi nga Roma dhe largohet nga zona e lartë e klasifikimit. Me pjesën e parë të sfidës që u dominua nga frika për të mos humbur, skuadra e Montelës ngriti ritmin e lojës, por në momentin më të mirë e pa veten në disavantazh. Në të 72-ën, Edin Dzeko theu Donnarumman. Goditje e rëndë psikologjike për kuqezinjtë, që nuk kishin as kohën për të provuar të riktheheshin në lojë.
Pesë minuta më pas, Florenzi mbylli virtualisht ndeshjen, ndërsa Milani e mbylli me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Çalhanoglu. Humbja e tretë në shtatë javë, me stolin e Montelës që tashmë është në rrezik.

Ndalet Juventusi

Pritja e Etrit Berishës i siguroi Atalantës një pikë të artë në betejën e këtij sezoni në Serie A. Numri 1 i portës bergamaske ndali lojtarin më në formë të momentit, Paulo Dybala vetëm pak minuta përpara fundit nga pika e bardhë duke u kthyer në kryefjalë të mediave pranë ekipit zikaltër. Vetë portieri i kombëtares shqiptare e komenton si një lëvizje të menduar atë ndërhyrje në intervistën dhënë për mediat e vendit fqinj. “E vendosa nga do të hidhesha në momentin që po bëhesha gati. Edhe pse e kam studiuar sesi ai i godet penalltitë, ishte shumë e vështirë, por prita deri në fund dhe mundova ta mbyllja hapësirën me topin”, thekson Berisha.
Në vijim ai komenton edhe ecurinë e ndeshjes duke theksuar se në rastin e golit të parë ishte në mëdyshje nëse duhej ta priste apo ta grushtonte topin”. Berisha ndalet më tej edhe te çështja e sistemit VAR, duke shtuar se ky sistem kërkon kohë dhe lojtarët duan kohë të mësohen, por edhe vetë mënyra e funksionimit duhet të jetë më e shpejtë për të mos harxhuar kohë. Me paraqitjet e këtij sezoni, Berisha është bërë një nga pikat e referimit në skuadrën e Gasperinit që po mahnit në Europë, por edhe në Serie A nuk e ka ulur rendimentin, pavarësisht disa largimeve të rëndësishme në merkaton e verës.
Etrit Berisha i shkaktoi Juventusin ndalesën e parë në Serinë A. Portieri shqiptar neutralizoi penalltinë e Paulo Dybala gjashtë minuta përpara fundit të ndeshjes dhe i dhuroi Atalantës një pikë pas barazimit 2-2 me kampionët e Italisë. 11-metërshi i pritur nga Berisha ishte vetëm i fundit nga episodet e një dueli të jashtëzakonshëm, i akorduar nga gjyqtari Damato pas konsultimit me teknologjinë në fushë.
Një provë force e Atalantës, që rikuperoi disavantazhin me dy gola, pasi Bernardeschi dhe Gonzalo Higuain në harkun e tri minutave shfrytëzuan pasiguritë e mbrojtjes vendase. Atalanta u kthye në lojë me rrjetën e Caldaras në të 31-ën, pas gabimit të Buffon, por episodi që ndryshoi rrjedhën e lojës ishte ai i minutës së 58-të, kur me ndihmën e teknologjisë në fushë, arbitri anuloi golin e Mandzukiç. Asisti u shfrytëzua nga zikaltërit, që barazuan rezultatin me Cristanten, i shërbyer në mënyrë perfekte nga kapiteni Alejandro Gomez.

Dëmtohet Riberi, do mungojë gjatë

Një ndalesë e gjatë parashikohet për sulmuesin francez të Bayern Mynih, Franc Ribery që u pa të shoqërohej jashtë fushe me ndihmën e stafit pas atij dëmtimi që pësoi gjatë takimit me Hertën e Berlinit. Ribery kishte shumë dhembje për t’u ekzaminuar nga stafi mjekësor i bavarezëve, sepse siç u konfirmua më pas ka dëmtuar jo pak, por pikërisht ligamentin e gjurit.
Për trajnerin e përkohshëm të gjermanëve Willy Sagnol, që mori detyrën e re pas shkarkimit të Ancelottit vetëm disa ditë më parë, dëmtimi i 34-vjeçarit në debutimin e tij si trajner në stolin e bavarezëve i vështirësoi gjërat. Bavarezët kryesonin në pjesën e parë me golin e shënuar nga Humels, shpresat e të cilëve, u rritën në pjesën e dytë kur Lewandowski shënoi golin e dytë në minutën e 49, por gjithçka u zbeh me barazimin e Ondrej Duda dhe Salomon Kalou që e mbyllën takimin në barazimin 2-2. Duhet të tregoheshim më eficentë u shpreh më pas Sagnol, ish-legjenda e Bayern Mynih. Me gjithë shpresën që mbarte ky takim, sërish bavarezët janë të bllokuar, duke qenë se kanë një diferencë prej 5 pikësh me kryesuesit e Borusias së Dortmundit. Dëmtimi i Ribery, presupozohet të jetë i rëndë ndaj dhe parashikohet ta lërë atë jashtë fushe për disa javë radhazi.

Si po kapet vettingu, kërkohet ndërhyrje

 

Edmond SPAHO

Më lejoni fillimisht të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time të thellë për punën Tuaj në drejtim të forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe më lejoni të ndaj me Ju shqetësimin mbi mënyrën e nisjes së zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Organet e reja të vettingut i paraqitën Kuvendit të Shqipërisë propozimin për miratimin e strukturave të tyre, duke argumentuar nevojën për staf administrativ dhe mbështetës, me një numër total punonjësish për të tre organet prej 185. Në këtë numër përfshihen 21 anëtarët e tre organeve të vettingut, 42 këshilltarët e Njësisë së Shërbimeve Ligjore, 12 përkthyesit, si dhe stafi mbështetës dhe administrativ. Numri i personelit ishte vlerësuar si i domosdoshëm për funksionimin autonom dhe eficient të organeve të vettingut, prej vetë këtyre organeve në relacionet shoqëruese që i kishin përcjellë Kuvendit, duke ruajtur një raport të drejtë midis stafit që do të përfshihet drejtpërdrejtë në procesin e rivlerësimit, me numrin e stafit mbështetës dhe administrativ, sipas raportit të ndjekur edhe nga vetë struktura e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Mazhoranca në Komisionin parlamentar të Ligjeve, pa dakortësinë e vetë organeve të reja të vettingut, vendosi të shkurtonte me rreth 40 për qind numrin e punonjësve, duke miratuar për të tre organet gjithsej 110 punonjës. Kjo strukturë e re, e hartuar nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, edhe pse nuk gjeti dakortësinë e vetë organeve kushtetuese të vettingut, u miratua po me votat e mazhorancës në seancën plenare të datës 28 shtator 2017. Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, por theksuan se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 për qind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cënim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve. Kuvendi, nëpërmjet këtij vendimi, i ka diktuar mënyrën e organizimit organeve të pavarura, duke mos pranuar kërkesën e tyre për personel të mjaftueshëm për realizimin e detyrës. Një veprim i tillë, bie ndesh jo vetëm me nenin 18 të Ligjit nr. 84/2016, për shkak se struktura që po miratohet nuk është propozim i vetë organeve të rivlerësmit (siç ligji e kërkon), por nga ana tjetër, kjo bie ndesh edhe me pikën 6 të nenit 179/b të Kushtetutës dhe pikën 14 të nenit C të Aneksit të Kushtetutës, ku thesohet se: “Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë të pavarur dhe të paanshëm”, si dhe “Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë kanë buxhet, administratë dhe mjedise të mjaftueshme për të kryer funksionet e tyre si dhe për ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë, sipas ligjit”.

Kuvendi detyrim kushtetues ndaj organeve të pavarura

Nga këto parashikime kushtetuese dhe ligjore, arrihet të evidentohen dy elementë themelorë që duhet të mbaheshin në konsideratë nga Kuvendi:
Së pari, Kushtetuta dhe ligji i siguron institucioneve të rivlerësimit personelin e nevojshëm për të përmbushur detyrat. Për pasojë, Kuvendi është i detyruar nga Kushtetuta dhe Ligji, që të sigurojë stafin e nevojshëm për organet e rivlerësimit. Çdo ndryshim në strukturat e propozuara nga organet e rivlerësimit, duhet të bëhet në bashkëpunim dhe dakortësi të plotë me vetë këto organe të pavarura.
Së dyti, edhe pse struktura miratohet nga Kuvendi, propozimi për këtë strukturë duhet të vijë nga vetë organet e rivlerësimit. Propozimi i akteve nga vetë organet e rivlerësimit, nuk është aspekt formal i parashikuar nga ligji, por lidhet me dy aspekte të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pavarësinë organizative të organeve të rivlerësimit, si dhe vlerësimin e tyre të pavarur mbi nevojat që kanë për personel me qëllim ushtrimin e funksionit. Kuvendi, është përfshirë në këtë proces, me qëllim që të verifikojë nëse organet e rivlerësimit kanë ose jo mjaftueshëm personel për realizimin e detyrës funksionale, dhe kurrësesi për të mos pranuar kërkesën e organeve të pavarura për burime njerëzore.
Qëndrimi ynë është se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mbështesë veprimtarinë e organeve të rivlerësimit, duke i mundësuar atyre të gjithë mbështetjen me burime njerëzore dhe financiare që kërkohet. Ajo që mund të bëjë Kuvendi është që në diskutim dhe dakortësi me organet e pavarura, të bëjë një shpërndarje të drejtë të burimeve njerëzore të kërkuara, duke vendosur theksin tek efikasiteti i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Si kërkon të shtrijë kthetrat qeveria tek Vetingu

Në strukturën e miratuar vetëm me votat e shumicës në Kuvend, rezulton se është ulur numri i punonjëve të Njësisë së Shërbimeve Ligjore, krahas uljes së numrit të punonjësve të tjerë mbështetës të organeve të rivlerësimit. Për ilustrim, Kolegjit të Apelimit, nga 14 këshilltarë të kërkuar në përbërjen e Njësisë së Shërbimeve Ligjore, është miratuar të ketë vetëm 10 këshilltarë E njëjta situatë është edhe për Komisionerin Publik, ku rezulton se nga 12 këshilltarë të kërkuar, i janë miratuar vetëm 6 këshilltarë. Ky ndryshim, prek thelbin e procesit të rivlerësimit dhe i pamundëson këtyre strukturave përmbushjen e detyrave sipas Kushtetutës dhe Ligjit. Në vlerësimin tonë, veçanërisht “Njësia e Shërbimit Ligjor”, duhet të ketë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të udhëhequr, nën drejtimin dhe kontrollin e anëtarëve të organeve të rivlerësimit, të gjithë procesin e vlerësimit të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Organet e rivlerësimit nuk mund të marrin të mirëqena informacionet dhe relacionet e përgatitura nga organet e treta nën ndikimin e qeverisë.
Mungesa e mbështetjes me burimet e mjaftueshme njerëzore do të sillte vënien përpara faktit të kryer të organeve të Vettingut, nëpërmjet informacioneve të përgatitura nga institucionet e treta nën varësinë apo ndikimin e qeverisë, të cilat do të ishin të pamundura të verifikoheshin nëse ka mungesa të burimeve të nevojshme njerëzore. Gjithashtu, mungesa e burimeve të mjaftueshme njerëzore do të sillte zgjatjen e paarsyeshme të procesit të rivlerësimit, i cili siç shprehet edhe Komisioni i Venecias (paragrafi 98 i Opinionit të Ndërmjetëm) krijon tensione të jashtëzakonshme brenda gjyqësorit, destabilizon punën e tij, rrit mosbesimin publik tek gjyqësori, devijon vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin.

Varësi nga Ministria për Europën

Qëndrimi i Kryeministrit në seancë plenare, duke i trajtuar këto institucioni njëlloj me ministritë në varësinë e tij, duke i diktuar strukturën dhe numrin e stafit mbështetës, është i papranueshëm, dhe provë e qartë se qeveria nuk synon realizimin e procesit të vettingut në mënyrë të pavarur dhe se nuk i trajton organet e Vettingut si organe të pavarura kushtetuese, ku qeveria nuk mund të diktojë as mënyrën e funksionimit dhe as mënyrën e organizimit. Po aq i papranueshëm është edhe qëndrimi i Kryeministrit në seancë plenare, sipas të cilit, organet e vettingut nuk kanë nevojë për përkthyes, sepse do të ndihmohen në punën e tyre nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila do t’ia përkthejë materialet. Ky pohim i Kryeministrit në seancë plenare, provon tendencën e tij për ndërhyrjen e qeverisë në veprimtarinë e organeve të pavarura të vettingut, çka rrezikon seriozisht të gjithë procesin. Edhe qëndrimi i mazhorancës se për momentin do t’i vendosë organeve të vettingut këtë staf të reduktuar, dhe më pas duke vlerësuar punën e tyre, mund të pranojë kërkesën për shtesa në burime njerëzore, është tregues i qartë i tendencës për t’i vënë këto organe të pavarura nën kontroll dhe shantazh nga ana e qeverisë. Shantazhim është edhe trajtimi jo serioz i kërkesave të organeve të Vettingut, si dhe tendenca nga Kryeministri dhe përfaqësuesit e tij, për t’i trajtuar kërkesat e tyre si shpenzime luksi dhe të panevojshme, duke i denigruar titullarët e këtyre institucioneve në publik.
Ndryshimi i strukturave të propozuara nga vetë organet e Vettingut, duke i diktuar atyre 40 për qind më pak staf, si dhe këto qëndrime të Kryeministrit në seancë plenare, janë tërësisht të papranueshme, dhe provë e qartë e mungesës së vullnetit të mazhorancës për suksesin e procesit të rivlerësimit, duke sabotuar që në nisje këtë proces. Sabotimi i procesit të vettingut, rrezikon seriozisht funksionimin e të gjitha organeve të reja të sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe dy organet e rëndësishme SPAK dhe BKH.
Në përfundim, duke ju falenderuar dhe vlerësuar për rolin tuaj aktiv gjatë fazës së miratimit të Reformës në Drejtësisë, më lejoni të kërkoj nga ana Juaj qëndrim aktiv edhe gjatë fazës së zbatimit, duke mbajtur nën kontroll veprimet tendencioze të qeverisë për të ndërhyrë dhe diktuar procesin e vettingut. Mosreagimi i partnerëve ndërkombëtarë mbi ndërhyrjen e mazhorancës në organizimin e organeve të Vettingut, u përdor nga Kryeministri në seancë plenare si një mbështetje ndaj veprimeve të tij. Për pasojë, çdo mungesë vëmendje apo reagimi nga ana juaj, duke lejuar ndërhyrjen e qeverisë në procesin e Vettingut, në çdo drejtim, do të cenonte rëndë jo vetëm rezultatet e procesit, por edhe besimin e qytetarëve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në organet e reja të sistemit të drejtësisë që priten të krijohen nga ky proces jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.

Isco udhëheq Realin drejt fitores ndaj Espanyol

Isco i sjell pak buzëqeshje Realit në Primera Divizion, me Los Blancos që mundën 2-0 Espanjolin në “Santiago Bernabeu” duke marrë fitoren e dytë radhazi dhe duke u ngjitur disi në klasifikim. Dy gola të 25-vjeçarit i dhanë 3 pikët ekipit të Zidane në një ndeshje që nuk ishte dhe aq e thjeshtë për kampionët e Spanjës. Reali madje pati nevojë për plot 30 minuta për të gjetur golin, me Iscon që u shërbye nga Ronaldo për epërsinë.
Espanyol nuk kishte ardhur në Madrid për shëtitje dhe në pjesën e dytë vuri në vështirësi në disa momente madrilenët, por pa gjetur dot golin e barazimit. Përballë Realit duhet të shfrytëzosh rastet që paraqiten pasi Los Blancos janë të aftë të ndëshkojnë në çdo moment dhe kështu ndodhi pasi në të 71-tën sërish Isco dërgoi topin në rrjetë duke i vënë vulën 3 pikëve për Realin.
Një fitore që ruan diferencën me Barcelonën kryesuese, e cila gjithsesi pas 7 javësh mbetet sërish e konsiderushme, plot 7 pikë.

Fitore e detyruar ndaj Shqipërisë

Italia i mbyll kualifikueset e Grupit G në Botërorin 2018 në emergjencë të plotë dëmtimesh. Megjithatë, trajneri Giampiero Ventura nuk e fsheh atë që është objekti i skuadrës së tij. Të kaltërit synojnë fitore përballë Maqedonisë dhe Shqipërisë, për t’u kualifikuar të paktën në fazën play off. “Do të jetë katastrofë nëse nuk shkojmë në Botërorin 2018 në Rusi. Tavecchio dhe Malagò kanë të drejtë kur thonë se do të ishte e rëndë nëse nuk kualifikohemi. Nuk mendoj për fazën play off. Jemi të përqendruar vetëm te dy ndeshjet e radhës, më pas do të bëjmë vlerësimet tona, në bazë të kudërshtarit që mund të kemi përballë”, u shpreh Ventura.
Dëmtimet e Verrattit, De Rossit dhe Pellegrinit kanë bërë që “të kaltërit” të humbasin mesfushën, ndërsa peshon edhe mungesa e Belottit, pavarësisht se në sulm Ventura beson që ka kualitetin e duhur.
“Dëmtimet e lojtarëve janë situata që ndodhin. Së fundmi Verratti dhe De Rossi ishin titullarë në mesfushë, ndërsa Pellegrini alternativë e parë. Të tre janë futbollistë të rëndësishëm që do të na mungojnë, zgjedhjet në këtë repart i kemi të detyruara, por besoj se ata që do të luajnë do të tregojnë kualitetin. Ndërsa në sulm, megjithë dëmtimin e Belottit, kemi lojtarë që mund të luajnë si Immobile, Eder dhe Gabbiadini. Nuk ka rëndësi moduli i lojës, sepse idetë mbeten të njëjtat, çështja është se kemi vetëm 48 orë në dispozicion për t’u përgatitur ndërmjet ndeshjeve”, tha trajneri i Italisë.
Tashmë është zyrtare: më 9 tetor në “Loro Boriçi”, Italia do të luajë pa dy yjet e skuadrës, Marco Verrattin dhe Andrea Belottin. Pas fantazistit të Paris Saint Germain që vuan një dëmtim muskulor, edhe sulmuesi i Torinos nuk do të jetë për “të kaltërit” në sfidat e fundit kualifikuese të Botërorit 2018. Belotti u largua nga fusha me barrelë, në ndeshjen ku Torino barazoi këtë të diel në shtëpi me Veronën. Sulmuesi u dëmtua në gjurin e djathtë dhe në fytyrën e tij dukej qartë dhembja dhe zhgënjimi. Pas kontrolleve të specializuara mjekësore, u përjashtua rreziku i këputjes së ligamentit, megjithatë 23-vjeçari nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Ventura për duelet me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Belotti u largua nga grumbullimi i përfaqësueses italiane dhe u kthye në klubin e Torinos, ku do të vazhdojë periudhën e rehabilitimit, edhe pse ende nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për gradën e dëmtimit dhe kohën që sulmuesi duhet të qëndrojë larg fushave.
Verratti dhe Belotti u zëvendësuan në skuadër nga mesfushori i Cagliarit, Nicolò Barella dhe sulmuesi i Chievos, Roberto Inglese, ndërsa në dyshim te Italia është edhe kapiteni i Romës, Daniele de Rossi. Mesfushori vuan prej një kisti në meniskun e gjurit, problem me të cilin bashkëjeton prej vitesh. Sipas stafit mjekësor të përfaqësueses italiane, De Rossit i nevojitet rreth një javë pushim. Kjo periudhë bën që sipas gjasave edhe 34-vjeçari të largohet nga grumbullimi, ndërsa zëvendësuesi i tij pritet të jetë Roberto Gagliardini i Interit.