Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të pritet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti amerikan Michael Pence, njoftojnë zyrtarët në Prishtinë.
Zoti Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin e saj ekonomik dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike, njoftoi zyra e Presidentit të Kosovës në faqen e saj online.
Presidenti Thaçi do të kërkojë edhe përfshirjen e SHBA në fazën e fundit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, si garanci për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon, tha zyra e tij.
Sot, Presidenti i Kosovës u prit në Vatikan nga Papa Françesku. Sipas zyrës së Presidentit të Kosovës, në bisedimet me Papën do të flitej për krijimin e Komisionit mbi të Vërtetën dhe Pajtimin dhe mbi procesin e normalizimit Kosovë-Serbi.
Thaçi do të niset drejt Shtëpisë së Bardhë për t’u takuar me Pence
Kriza e thellë e së majtës në Europë
“Il Giornale”
Edhe zotat (e vetëshpallur) rrëzohen. Nuk flasim vetëm për udhëheqës politikë, por edhe për partitë e tyre.
Progresiste, natyrisht. Një katastrofë e vërtetë në vitin 2017. Është e vërtetë se ka një valë populiste në dhe rritje tani në çdo vend evropian, nga partitë e ekstremit të djathtë, por është po aq e vërtetë se ajo që del nga zgjedhjet me kocka të thyera, është gjithmonë e majta.
Rezultati i zgjedhjeve në Gjermani ishte vetëm konfirmimi më i fundit. Social Demokratët (SPD) kanë rënë në 20.5 për qind, rezultati më i keq i historisë së tyre (që deri tani ishte 23 për qindëshi i vitit 2009). “Një disfatë e rëndë”, siç u pranua nga udhëheqësi Martin Schulz. “Do të shkojmë në opozitë. Votuesit kanë folur qartë, nuk duan një koalicion të ri të madh”.
Ai ka të drejtë, por mbi të gjitha ata nuk duan të majtën në qeveri. Angela Merkel mbetet Kancelare, e ngarkuar me krijimin e një qeverie të re koalicioni, por Unioni i saj CDU-CSU ka marrë rezultatin më të keq që nga viti 1949. Ajo që është shpërblyer, është e djathta ekstreme, e cila në Gjermani, si kudo në Europë, e ka shumë të kollajtë të luajë kundër qeverive që përpiqen të hapin dyert për imigracionin.
Edhe Britania e Madhe, e cila shkoi në votime qershorin e kaluar, nuk e ka shpërblyer të majtën, duke konfirmuar qeverinë e partisë konservatore të Theresa Mayt. Laburistët e Jeremy Corbyn mbetën me gisht në gojë: shpresonin që duke vënë bast gjithçka, për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian, do të ktheheshin në rrugën e duhur.
Një diskutim më vete meriton Franca, ku për herë të parë në Republikën e Pestë, një president i larguar (socialisti François Hollande) ka hequr dorë nga mandati i dytë. Jo për shkak se ishte lodhur nga politika, por për të shanseve të ulëta (disa sondazhe i dhanë vendin e katërt prapa Marine Le Pen, Emmanuel Macron dhe François Fillon). Për më tepër, qeveria e tij ishte e mbushur me kriza, që nga menaxhimi i emergjencës terroriste tek politika e taksave, e deri te reforma e punës, e cila ka shkaktuar protesta të dhunshme. Rezultati? Një rënie e pashembullt e popullaritetit, që gjithashtu ka prekur rezultatin e zgjedhjeve për Eliseun. Partia Socialiste u mori një goditje të rëndë, me një rekord negativ historik: 6.3 përqind. Në vetëm pesë vie, socialistët kaluan nga presidenca, tek pothuaj zhdukja totale (ata morën pak më shumë se 2 milionë vota).
Por ky ka qenë një vit i zi pak a shumë kudo, për të majtën. Edhe në Holandë, ku votuesit shprehën vullnetin e tyre në mars, në zgjedhjet e fituara nga Mark Rutte i qendrës së djathtë (liberal konservator, i cili kreu një fushatë për të shkëputur vota nga Partinë e Lirisë e Geert Vilders, i cili kishte zgjuar politikën me luftën e tij kundër imigrimit, sidomos islamik). Por ajo që pagoi faturën, edhe këtu, ishte e majta. Partia e Punës (socialdemokratë) ka rënë nga 24.8 në 5.7 përqind, duke humbur 29 vende në parlament.
Për ta mbyllur me Spanjën, e cila votoi në vitin 2016, por në të vërtetë shtroi rrugën për humbjet e krahut të majtë evropian. Partia Socialiste është gozhduar në pak më shumë se 22 për qind, e mposhtur nga Partia Popullore e Mariano Rajoy. Morën fund kështu kohët e lavdishme të Zapateros.
Shkurt, në të gjithë Evropën fryn një erë e qendrës së djathtë, por nuk mund të thuhet se ajo ëstë triumfuese. Partitë nacionaliste dhe ekstremiste të së djathtës, në fakt, po rriten. Por lajmi i vërtetë është se partitë tradicionale të majtës po shemben përdhe.
Drejtori i Përgjithshëm i policisë përgjon diplomatët, Rama nis në Amerikë përgjuesin
Kryetari i PD, Basha ka denoncuar në parlament një skandal të rëndë duke akuzuar direkt Drejtorin e Përgjithshëm të policisë, Çako për përgjime të diplomatëve të huaj dhe kundërshtarëve politikë të Ramës. Basha ka denoncuar edhe një skandal tjetër atë të nisjes drejt Amerikës sot të njeriut që ka pasur kufjet e përgjimit të diplomatëve. “Njeriu i kufjeve të përgjimit është nisur sot drejt SHBA nga Rama për ti shpëtuar arrestimit që ishte bërë gati nga Prokuroria”, tha Basha.
Mbesa e dëshmorit të 2 Prillit-Ruçit: Je njolla më e zezë e këtij Parlamenti
Fjalën e parë në Parlament, Izmira Ulqinaku, deputete e Shkodrës nuk e nisi me përshëndetjen e kryetarit të parlamentit. Duke u prezantuar si mbesa një prej dëshmorëve të protestës së 2 prillit në vitin 1991 në Shkodër ajo e quajti Gramoz Ruçin, njollën më të zezë të parlamentit pluralist shqiptar.
“Etika ma do që fjalën ta filloj siç do ishte më normalja, duke përshëndetur edhe kryetarin e Kuvendit por historia e familjes time nuk ma lejon. Jam mbesa e një prej dëshmorëve të 2 Prillit të vitit 1991. Nuk e kisha menduar se do të flisja ndonjëherë në parlamentin shqiptar, pas 27 viteve pluralizëm dhe kryetar i saj të ishte Gramoz Ruçi, protagonisti i ngjarjes. Vendosja e ish ministrit të Brendshëm të diktaturës komuniste përbën një prej njollave më të zeza të parlamentit pluralist shqiptar.
Zoti kryeministër, kur në kabinetin qeveritar përfshitë dy shkodranët Mesi e Bushati i kam mirëpritur me shpresën se edhe pse i përkasin krahut tjetër politik, mund të kenë një qasje më të mirë me Shkodrën ndryshe nga ajo që kanë ndodhur katër vitet e fundit në qeverisjen tuaj. Por, vendosja e zotit Ruçi në krye të Kuvendit jo vetëm është një karshillëk ndaj të gjithë të persekutuarve dhe atyre që vuajtën diktaturën komuniste, por mbi të gjitha është një përdhosje e qytetarisë shkodrane e cila u persekutua nga ai regjim”, tha Ulqinaku.
Kur deputetja e Shkodrës, Izmira Ulqinaku i ka përmendur Gramoz Ruçit protestat e vitit 1991, ky i fundit i është përgjigjur me ironi. “S’ke faj se në 91, ti nuk kishte lindur akoma. Në 92 ishe një vjeçe. Gramoz Ruçi në 92 ka qenë në mes të Piacë në Shkodër, në mes të gjyqit. Dhe nuk është faji jot, që nuk e ndiqje dot marrëdhënien e Ruçit me shkodranët. Se unë shkova me duar në xhepa dhe më kanë përshëndetur të gjithë votuesit e tu”, u shpreh Ruçi. Pasi deputetja e PD-së kërkoi fjalën për të replikuar me kreun e kuvendit ky i fundit nuk e lejoi.
Shefi i policisë në Tiranë i dënuar me 10 vite burg në Itali
Ishte dënuar me 10 vite burg në Itali, por në Shqipëri është emëruar në strukturat më të larta të policisë. Ky është Dritan Xhindoli, i cili është vënë në pranga para një jave, por lajmi u bë i ditur vetëm dje. Xhindoli akuzohet nga autoritetet italiane për kryerjen e veprave penale si “vjedhje dhe falsifikim dokumentesh”. Ai është dënuar me 10 vite burg nga gjykata e Bolonjës, në Itali, por nga viti 2014 urdhëri për arrestimin e tij është mbajtur i fshehtë.
Xhindoli ka mbajtur një sërë postesh drejtuese në Policinë e Shtetit. Nga viti 2014-2015 ai ka qenë shef në Sektorin e Krimeve. Ndërsa së fundmi, specialist në drejtorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Xhindoli tashmë do të kryejë dënimin për kryerjen e veprave penale.
Policia mbajti të fshehtë arrestimin
Arrestimi i oficerit të Krimeve të Rënda, Dritan Xhindoli e ka përfshirë policinë në një skandal edhe më të madh. Përveç mbajtjes së fshehtë të dënimit të Xhindolit në Itali me 10 vite burg, policia ka mbajtur të fshehtë edhe arrestimin e tij.
Dritan Xhindoli, i cili ka mbajtur kohët e fundit detyrën e oficerit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar një javë më parë në Durrës për shkak të dënimit me 10 vite burg nga gjykata e Bolonjës, por ky arrestim është mbajtur i fshehtë nga policia dhe vetë Ministria e Brendshme e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Dritan Xhindoli është i dënuar me 10 vite burg në Itali për akuzat e ‘mashtrimit’ dhe ‘falsifikimit të dokumenteve’, por ka bërë një karrierë të suksesshme në Policinë e Shtetit në 4 vitet e fundit, duke nisur nga oficer në zv/drejtor i Kufirit të Policisë në Vlorë e deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Si u mbajt i fshehur ky skandal i madh dhe si arriti Xhindoli të merrte së fundmi postin më të lartë të karrierës së tij? Kjo është një pyetje për të cilën SHKB thotë se po heton dhe ka vënë nën hetim zyrtarët por pa thënë asgjë lidhur me: Kush janë këta zyrtarë që po hetohen(?!)
Ajo që dimë me siguri është se ndonëse vendimi është marrë nga autoritetet italiane tre vjet më parë, shpallja e Xhindolit në kërkim zyrtarisht është bërë më 9 qershor të vitit 2017, atëherë kur Xhindoli sapo ishte emëruar zv.drejtor i Kufirit të Vlorës.
Pikërisht në këtë moment, autoritetet italiane i kanë kërkuar llogari autoriteteve tona lidhur me faktin që një i shpallur në kërkim nga drejtësia emërohej në një post kaq të rëndësishëm.
Në këto kushte, fill pas kërkesës zyrtare të 9 qershorit të vitit 2017, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar nisi punën për arrestimin e Xhindolit i cili është vënë në pranga vetëm një javë më parë ndërsa dy ditë para se të arrestohej, dha edhe dorëheqjen nga policia.
Xhindoli hetonte disa banda
Si shef i sektorit të Krimeve të Rënda e më pas si Specialist në Drejtorinë e Krimeve të Rënda, Xhindoli është zyrtari që është marrë me dosjen e bandës famëkeqe të Julian Sinanajt, bandës së tritolit, 7 anëtarët e së cilës kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal duke porositur vrasje jo vetëm ndaj rivalëve, por duke terrorizuar edhe qytetarët shqiptarë përmes shpërthimeve me tritol. E njëjta bandë, shpërtheu edhe banesën e ish-deputetit Ardian Kollozi.
Tanimë, Julian Sinanaj është dënuar me 30 vite burg. Gjithashtu, trupi gjykues dha dënimin maksimal, burgim të përjetshëm edhe për Anton Mëhillaj, i cili konsiderohet si “kreu” i bandës, ndërsa Genis Mëhillaj u dënua me 10 vite burg.
Krimet e Rënda i dënuan pjesëtarët e tjerë të bandës me përkatësisht 8 vjet Ndriçim Gjokonajn, 19 vjet Marjon Mitron, 8 vjet burg Albin Mexhajn dhe 5 vjet burg biznesmenin Ilir Karçini.
Banorët e Shkozës: Na shkatërrun jetën jo shtëpitë
“Shitet dera”… Një mbishkrim me shkumës të bardhë njofton shitjen e një porte hekuri ngjyrë gri në Shkozë të Tiranës. Po aty dëgjon zhurma punëtorësh dhe familjarësh që çmontojnë çfarë të munden nga shtëpia modeste njëkatëshe ku kanë investuar të gjithë paratë e fituara me djersë e mund ndër vite. Nuk duan të flasin. Janë të lodhur mendërisht për të rrëfyer stresin e këtyre ditëve. Edhe pse nuk kanë marrë asnjë lajmërim zyrtar se banesa do të shembet, ata po bëjnë gjithçka gati. Duan të kenë sa më pak dëme financiare nga kjo gjëmë që i ka zënë.
Pak metra më poshtë, në rrugën “Muharrem Zalli”, në çatinë e godinës trekatëshe të familjes Mema, disa ustallarë po heqin tjegullat e çatisë. Përpara derës qëndron një kamionçinë që do të largojë që andej orenditë. Ilir Mema është kryefamiljari i shtëpisë, të cilit rrathët e zinj poshtë syve i kanë lënë gjurmë të pagjumësisë e pasigurisë shumëorëshe.
“Familjen e kam lëvizur në një shtëpi me qera. Vetë fjeta mbrëmë këtu, se dyert e dritaret nuk i kam hequr akoma. Kisha frikë mos hajdutët përfitojnë nga kjo situatë dhe vijnë e na vjedhin”, shprehet ai për Citizens Channel.
Iliri na tregon se as ai, si shumë banorë të tjerë, nuk është njoftuar ende zyrtarisht për të lënë banesën. “Këtë shtëpi e pata blerë në vitin 1993. Në atë kohë kishte dy kate. Me kalimin e viteve i shtova dhe një papafingo. Ndërsa tani do e shoh kur ta shembin”, thotë i pikëlluar.
Dëmet ekonomike nuk janë të vetmet që po përballet ai dhe familja e tij. Disa ditë më parë, Anila, bashkëshortja, ishte e para që u përball me policët. Teksa bashkëshorti ishte në punë dhe fëmijët në shkollë, asaj iu dha urdhër që kishte pak orë në dispozicion për të bërë gati plaçkat dhe të boshatiste shtëpinë. Bota iu shemb mbi kokë, përpara se punonjësit e inspektoriatit t’i rrënojnë shtëpinë. Ulëriti, qau, kërkoi ndihmë. Në ato momente mbërrin dhe i biri 14-vjeçar nga shkolla. Kur sheh të ëmën në atë gjendje, tenton t’i vijë në ndihmë por një polic civil e ka kap nga krahu dhe e fut në furgon policie. Anila humb ndjenjat, ndërsa i biri përfundon në qeli paraburgimi për 6 orë.
“Që nga ajo ditë nuk e çoj më në shkollë, se është ende me trauma. Mbase tani kemi halle të tjera dhe nuk kuptojmë gjë, por ajo ngjarje ka për t’i lënë pasoja fëmijës tim”, thotë Iliri mes psherëtimave. Pastaj largohet, duke na kërkuar ndjesë sepse e presin punë plot gjatë këtyre orëve dhe ditëve.
Duke zbritur më poshtë, shohim shtëpinë e parë të shembur, pranë urës së Shkozës. Aty u shënua dhe incidenti i parë i kësaj fushate që do të shembë të gjitha ndërtesat në njollat e kuqe ku do të kalojë plani i ri urbanistik i Unazës së Madhe. Shtëpia u bë e njohur pas videos së xhiruar nga vetë banorët, ku shihej dhe dëgjohej e qara ulëritëse e një fëmijë 10-vjeç të cilit po i shoqëronin prindërit në polici, pas kundërshtive për lirimin e shtëpisë. Sot, aty kanë mbetur vetëm rrënojat.
Orët e para të këtij mëngjesi në këtë zonë kanë një qetësi aspak të rehatshme. Rrugës sheh rrënoja, policë që janë në gatishmëri dhe njerëz të lodhur që tashmë e kanë humbur shpresën dhe që s’dinë nga t’ja mbajnë.
Ende nuk dihet si do të shkojë fati i këtyre 153 familjeve që një ditë shtatori përjetuan mbi supe zallamahinë dhe problemet e sistemit të ndërtimeve me leje e pa leje në vend, një gangrenë që zgjat prej 27 vitesh.
Ata s’dinë ende nëse do të marrin mbrapsht ndonjë shumë parash apo do të kthehen në pikën zero, nga ku ja nisën dekada më parë.
Pse policia mbajti të fshehtë sulmin me antitank në 6 gusht
Ngjarje e datës 18 shtator në tregun Agro-Ushqimor të qytetit të Elbasanit, ku u godit nga një automjet i blinduar makina e nëndrejtorit të Policisë së këtij rrethi, e ka zanafillën më herët. “ABC News”, ka siguruar në mënyrë ekskluzive, foton e një makine të djegur në qytetin e Elbasanit, e cila sipas policisë dyshohet se u përdor mbrëmjen e 6 gushtit për të qëlluar me antitank, drejt banesës së familjes Çapja. Siç duket edhe nga fotoja, makina nuk është shkrumbuar plotësisht, duke lënë gjurmë brenda në kabinë, të cilat janë të vlefshme për ekspertët e Policisë Shkencore.
Automjeti luksoz, një BMW X3, sipas efektivëve blu, ishte vjedhur në qytetin e Durrësit në fillim të gushtit, teksa rezulton pronë e një drejtuesi lokal të atij qytetit. Fillimisht, automjetit iu ndryshohen targat në unazën lindore të qytetit dhe më pas atentatorët përshkojnë të gjithë gjatësinë e saj, deri kur mbërrijnë tek objektivi.
Fatmirësisht, predha e antitankut, një armatim i rëndë lufte nuk ka shpërthyer. Ai u gjet nga Policia në oborrin e shtëpisë dhe u çmontua nga forcat xheniere. Vetëm pak çaste pas ngjarjes, automjeti i vjedhur në Durrës u gjet i djegur afër Spitalit Psikiatrit “Sadik Dinçi”, rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.
E gjithë kjo histori e denjë për filmat hollivudian u mbajt e fshehtë nga organet e rendit. Blutë e Elbasanit nuk dhënë asnjë njoftim në komunikatën e përditshme, siç ndodh rëndom për ngjarje me arrestime të drejtuesve të automjeteve në gjendje të dehur, apo motoçikletë pa dokumenta.
Menjëherë për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria urdhëroi që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio, Sokol Sanxhaktari, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri. Ky i fundit u prangos në tregun Agro-Ushqimor, pasi lëvizte gjatë gjithë kohës me eskortë, ndërsa për dy të tjerët Policia nuk jep asnjë të dhënë. Në momentin e prangosjes, Xhaferri kishte në përdorim një automjet tip “Range Rover”, ndërsa pas tij qëndronte një “Audi A8” i blinduar.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer këtë përgjigje në organin e akuzës. “Nga ana e Sektorit të Forcës së Posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës së specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”.
Aktualisht, pas hekurave për ngjarjen e 18 shtatorit qëndroi, Ledio Zabeli dhe roja i objektit të tregut, Valmir Dedja. Ndërsa ndaj Kelmend Xhaferri, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi qëndrim me arrest shtëpie. Pritet që dosja të delegohet në vazhdim Prokurorisë së Elbasanit, pasi nuk ka elementë që të gjykohet nga Krimet e Rënda.