23.5 C
Tirana
E hënë, 1 Shtator, 2025

NASA, ekspozitë për ndryshimet e vazhdueshme që përjeton Toka

Muzeu Kombëtar “Smithsonian” për Historinë e Natyrës çeli në tetor ekspozitën e agjencisë hapësinore NASA për informimin për Tokën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andrei Dziarkach, ekspozita u jep vizitorëve një pamje nga afër të forcave që i japin formë planetit tonë.

Një ekran i madh, me përmasa 10×3 metra është në epiqendër të ekspozitës së re në Muzeun Kombëtar “Smithsonian” për Historinë e Natyrës, në Uashington.

Ekspozita titullohet “Qendra e NASA-s për Informimin për Tokën”. Punonjësit e NASA-s që përgatitën këtë ekspozitë thonë se paraqitja vizuale është një ndër mënyrat më të mira për të mësuar për ndryshimet që pëson Toka.

“Paraqitja vizuale mund të sjellë një botëkuptim më të madh të pamjeve nga hapësira. Prandaj po e përdorim këtë mjet”, thotë Karen St. Germain, nga Divizioni i Shkencave të Tokës, në NASA.

Ekrani pasqyron ndryshimet që përjeton Toka. Në ekran shfaqen sasi të jashtëzakonshme të dhënash – si p.sh. ku është i përqëndruar në sasi më të mëdha dioksidi i karbonit, si dhe dinamikat e ndotjes nga zhurmat dhe drita në planet. Njëzetepesë satelitë dhe sensorë të shumtë në tokë kanë mbledhur informacionin që NASA po e bën të disponueshëm për publikun.

“Mbledhim të dhëna në kohë reale, shohim tendencat afatgjata. Shohim p.sh. grafikun që tregon nivelin e dioksidit të karbonit në atmosferë gjatë 64 viteve të fundit. Është ndër të dhënat më interesante shkencore”, thotë Kirk Johnson, nga Muzeu Kombëtar “Smithsonian” për Historinë e Natyrës.

Informacioni vizual mahnit jo vetëm vizitorët, por edhe shkencëtarët me eksperiencë, të cilët janë mësuar me të dhëna të shumta.

“Një ndër paraqitjet vizuale më të preferuara për mua është ajo që tregon të gjitha rrymat e oqeaneve, me ngjyra sipas temperaturës. Ne jemi një planet oqeanik. Oqeanet ruajnë energjinë më të madhe që vjen nga dielli dhe këto rryma e zhvendosin këtë nxehtësi dalëngadalë në mbarë planetin. Kjo mundëson jetën në Tokë”, thotë zonja St. Germain.

Administratori i NASA-s, Bill Nelson, i cili udhëtoi në vitin 1986 me anijen hapësinore Columbia, thotë se projekte të tilla kanë vlerë të jashtëzakonshme edukative dhe ndoshta mund t’i frymëzojnë vizitorët që të kujdesen më shumë për planetin.

“Çdo person në planetin Tokë mund të bëhet bashkëkujdestar për ruajtjen e këtij krijimi të bukur, shumëngjyrësh, që qëndron në mesin e asgjësë – planetin Tokë”, thotë zoti Nelson.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në vitin 2028./rel

Xhanluka Zambrota thumbon Milanin: Kuqezinjtë, pa lojtarë me sens përkatësie

Në “Radio Serie A”, Xhanluka Zambrota foli për Milanin, klubin për të cilin luajti nga vera e vitit 2008 deri në vitin 2012, me 85 paraqitje, 2 gola, një skudeto dhe një Superkupë italiane.

Ish-mbrojtësi, në deklaratën e tij, theksoi: “Ambrozini, Maldini, Gatuzo, Nesta, Sedorf, Pirlo. Me pak fjalë, të gjithë lojtarët që të bëjnë edhe më përgjegjës kur mban veshur atë fanellë. Të bëjnë të kuptosh historinë e ngjyrave kuqezi. Sot ndoshta kjo, nëse e mendoj pak, mungon.

Në kuptimin që ka lojtarë të rëndësishëm, por ndoshta ata vijnë të rinj në ditët e sotme, në një skuadër të madhe dhe ndoshta nuk janë gati të kuptojnë përgjegjësinë që kanë kur mbajnë të veshur fanellën e Milani.

Lojtarët duhet t’i bëjnë edhe njerëzit të kuptojnë historinë, çfarë ka bërë ai ekip, çfarë fitoi, cilat janë vlerat. Me pak fjalë, është e rëndësishme t’i ndërgjegjësojnë të gjithë”.

Çaji që duhet të konsumoni për ulje

Duket se ekziston një lloj i veçantë çaji i cili ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe parandalimin e këtij problemi. Quhet çaji hisbikus dhe ju ndihmon të keni shëndet të plotë duke rregulluar presionin e gjakut.

Sfida e hipertensionit për shëndetin

Presioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni, është një shqetësim i përhapur shëndetësor që mund të çojë në probleme serioze kardiovaskulare nëse nuk kontrollohet si duhet. Ndryshimet e stilit të jetesës, duke përfshirë zgjedhjet dietike të ushqimit spo pijeve, luajnë një rol vendimtar në menaxhimin dhe parandalimin e hipertensionit. 

Zgjidhja natyrale hisbikus

Çaji Hibiskus, i bërë nga petalet e thara të bimës hibiskus, ka fituar vëmendjen për vetitë e tij të mundshme për uljen e presionit të gjakut. Studimet sugjerojnë se konsumimi i rregullt i çajit hibiskus mund të kontribuojë në një uljen e niveleve të presionit të gjakut.

Si ndikon ky çaj tek tensioni?

Çfarë e bën çajin e hibiskusit të çmuar në luftën me hipertensionin? Çaji është i pasur me antocianina, antioksidantë që i japin lules së hibiskut ngjyrën e saj të kuqe të gjallë. Këto komponime mund të kontribuojnë në zgjerimin e enëve të gjakut, duke nxitur rrjedhjen më të mirë të gjakut dhe duke ndihmuar në rregullimin e presionit të gjakut./AgroWeb.org

“1 milion euro më pak për SPAK nga buxheti”, Basha: Rama saboton reformën në drejtësi, mandati i tij prodhim i bandave

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përsëritur në emisionin “Log” se kryeministri Edi Rama është në konflikt interesi me Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion. Basha tha se Rama publikisht i thurr lavde SPAK-ut, por në mbledhje të ngushta e godet me të njëjtat terma që e ka goditur dhe në publik para ca kohësh dhe këtë shqetësim ia ka thënë edhe një nga zyrtarët më të lartë të partnerëve strategjikë.

Ai më tej tha se këtë tregon edhe vendimi i fundit në të cilin i ka hequr 1 milionë euro SPAK-ut në buxhetin e vitit 2025. Sipas tij, dosja e Çyrbes vërtetoi që vet mandati i Ramës është prodhim i bandave kriminale në Durrës.

Basha shprehu dhe njëherë mbështetje për SPAK-un, ndërsa tha se bashkëpunimi midis atyre që e ndajnë hallin e përbashkët është rreziku që duhet të shmanget.

“Fakti që për herë të parë në 34 vite zyrtarë të lartë dhe politikanë të lartë po përfundojnë para togave të zëza dhe pas hekurave, padiskutim është një dëshmi e parë, por jo e mjaftueshme e sukesesit të reformës në drejtësi, e në veçanti të këtij komponenti që është SPAK. Por siç e shoh këtë me optimizëm dhe i kam dhënë dhe vazhdoj t’i jap mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar, ashtu shoh dhe një rrezik në rritje që bashkëpunimi midis atyre që e ndajnë hallin e përbashkët të godtitjes së pandëshkueshmërisë, është sot dhe rreziku më i madh jo për togat e zeza, jo për SPAK-un, por për qytetarët shqiptarë. Nëse Shqipëria do të arrijë më herët, jo më vonë destinin e vet Europian, që do të thotë një vend me barazi para ligjit, me konkurrencë, me meritokraci, ku çdo qytetarë të ketë mundësinë të përfitojë nga begatia natyrore e vendit sipas aftësive dhe talentit të vet dhe jo Shqipëria të punojë për një grusht politikanësh, një grusht kriminelësh, një grusht oligarkësh. Kjo përcaktohet nga disa hapa esencial. Më esenciali midis tyre është nëse drejtësia do të vazhdojë të kontrollohet siç është kontrolluar në këto 34 vite nga politika, apo do të fillojë të veprojë e pavarur dhe në bazë të ligjit.

Sot ka dalë lajmi që njeriu që ka muaj që i thurr lavde SPAK, por që në fakt unë kam informacion nga partnerët strategjikë që e godet në mbledhje të ngushta, me të njëjtat terma që e ka goditur dhe në publik para ca kohësh. Një nga zyrtarët më të lartë të partnerëve strategjikë ia ka shprehur si shqetësim duke e etiketuar të ashtuquajturën “Republikë të Prokurorëve”, ky njeri sipas raportimeve të medias i ka hequr jo pak por 1 milion euro nga buxheti tashmë thatanik SPAK-ut. Si mund të besohet një njeri që nga njëra anë bën sikur e lavdëron dhe në rastin më të parë përpiqet ta anatemojë me partnerët strategjikë dhe i shkurton fondet?! Zoti Rama është në konflikt interesi me SPAK-un dhe prova më e fundit e kësaj siç e thamë, janë përgjimet e dosjes Çyrbja që vërtetojnë që vet mandati i tij është prodhim i bandave kriminale në Durrës” – tha Basha.

Basha: Investimi i Ramës është te Berisha, PD s’duhet të merrej me kauza personale

Basha, në studion e emisionin “Log”, ndër të tjera tha se Partia Demokratike nuk është në duart e Sali Berishës, por të Edi Ramës.

Ai tha se nuk kanë ndërmend të lejojë Ramën “të ketë luksin të grabisë mandatin e katërt, pa dhënë llogari për mandatin e 3, 2 për ekonominë, për lidhjet me krimin”.

“PD nuk e mori Berisha, e mori Rama me duart e Berishës. Berisha u përdor nga Edi Rama dhe vendosi ekuivokun të cilin e keni parë të shpallet në sloganin e PS. Jo pak i ngjashëm me atë të fushatës së 2021. Në zgjedhjet e ardhshme, është o Edi Rama o Sali Berisha. Ky është luksi që investoi Edi Rama dhe me të cilin u ka rob Berisha.
Nuk kemi ndërmend të lejojmë Edi Ramën të ketë luksin të grabisë mandatin e katërt, pa dhënë llogari për mandatin e 3, 2 për ekonominë, për lidhjet me krimin. Madje edhe për mandatin e tij personal është prodhim i bandave kriminale të Durrësit.
Jemi këtu për të siguruar shqiptarët të kenë një alternativë që shpalos një program të vërtetë që e nxjerr Shqipërinë nga ky udhëkryq.
Fokusi i PD duhej të ishte ecja përpara dhe jo ngecja në një luftë të brendshme. Fatkeqësisht investimi Ramës pati sukses. Beteja për të përçarë opozitën ka shenjën e gishtave të Edi Ramës, jo vetëm atë si person, por oligarkët, mediat e kontrolluara nga ai dhe krimi”, tha Basha.

McGonigal/ Basha: Rama korruptoi zyrtarin e lartë amerikan për të më goditur mua, akt i paprecedentë që nuk amnistohet

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Log” në News24, ka folur për çështjen McGonigal dhe implikimet e kryeministrit Edi Rama. Basha theksoi se hetimet dhe raportimet e medias amerikane kanë hedhur dritë mbi rolin e Ramës në korrupsionin e ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së për zyrën e New York-ut, Charles McGonigal.

Sipas Bashës, të dhënat dhe dëshmitë e publikuara deri më tani, si nga procesi gjyqësor ashtu edhe nga gazetaria investigative, e tregojnë qartë se Edi Rama ka pasur si objektiv të korruptonte McGonigal për të sulmuar rivalin e tij politikë, Lulzim Bashën, i cili në atë kohë ishte dhe kandidat për kryeministër.

Ai gjithashtu tha se nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha e përdor historinë sa herë që i nevojitet sipas tekave të tij.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Si çështja gjyqsore ashtu dhe raportimi profesional i medias amerikane, e ka bërë të qartë për të gjithë ata që nuk dinë apo nuk duan të lexojnë anglisht, e kanë bërë dhe me fotografi që targeti i zotit Rama në korruptimin e ish-drejtorit të kundërzbulimit për zyrën e New York, Charles McGonigal, ishte në fjalët e dëshmive të publikuara qoftë dhe nga procesi gjyqësor, qoftë dhe nga gazetaria investigative, rivali i tij për kryeministër Lulzim Basha. Ndërsa Sali Berisha e përshtat historinë sa herë që i nevojitet sipas tekave të tij, por fakti është që zoti Rama është kapur në flagrancë, jo për herë të parë por kësaj radhe duke përdorur diçka që askush tjetër se ka menduar duke korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hesap të luftës së brendshme politike, në raport me mua atëherë si kryetar i Partisë Demokratike dhe kandidati për kryeministër.

Gaba: Arrestimi i Veliajt si fiku që mund të bjerë nga momenti në moment, ka kthyer abuzimin në normalitet

Përmes një interviste në Ora News, analisti Gentian Gaba tha se kemi parë jo shumë larg, pasi kemi parë një aferë si ajo e 5D që mbërthen gjithë bashkinë, dhe Veliaj tha se janë ngrenë kumbulla pas shpinën së tij.

Ai shtoi se lajmi për arrestimin e tij është si një fik që mund të bjerë nga momenti në moment, pasi aferat në bashki tashmë kanë prekur majat.

Gaba: Kemi parë jo shumë larg, pasi kemi parë një aferë si ajo e 5D që mbërthen gjithë bashkinë, dhe Veliaj tha se janë ngrenë kumbulla pas shpinën së tij, por zullumi ishte aq i trashtë për tu justifikuar. Është investuar prej një dekade në pastrimin e parave dhe Veliaj nuk di se çfarë ndodh në zyrën e tij.

Lajmi për arrestimin e tij është si një fik që mund të bjerë nga momenti në moment. Paligjshmëria në qeverisje dhe bashki ka prekur majën. Nëse shohim lajmin se marrët një masë nga SPAK nuk përbën me lajm, sepse abuzimi është kthyer në normalitet.

Komisioni Xhafaj dhe Komisioni i Venecias/ Kulisat e mundshme të një marrveshjeje për të ndryshuar reformën në drejtësi dhe goditur SPAK

Nga Desada Metaj

Sali Berisha ka ripërsëritur mbrëmë propozimin e tij sipas të cilit “Partia Demokratike ka në plan angazhimin e Komisionit të Venecias për rishqyrtim tërësor të reformës në drejtësi”. Si ish-kryeministër dhe president, Berisha e di ndoshta më mirë se shumë juristë se për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias nevojiten këto 3 mekanizma: Presidenti i Republikës, Qeveria dhe Kuvendi si autoritete politike (Gjykata Kushtetuese e ka këtë të drejtë në kuadër të cështjeve gjyqësore konkrete të saj) . Më saktë, këtë të drejtë e kanë krerët e këtyre institucioneve, në asnjërin prej të cilëve në fakt Berisha nuk ka kompetencë për të ushtruar vullnetin dhe t’i nisë kërkesë Komisionit të Venecias.

Përballë këtij realiteti pyetja që shtrohet është: sa i vërtetë është kryetari i PD-së për opsionin e ndryshimit të reformës në drejtësi? A është kjo thjesht dëshirë dhe kërkesë në kontekstin politik apo ka një marrëveshje të heshtur me mazhorancën për ta çuar reformën drejt një ristrukturimi?

Përgjigjet gjenden në realitetin politik të ushqyer nga kryeministri. Edi Rama prej muajsh ka inkurajuar ngritjen e komisionit drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që pavarësisht emërtimit, qartas nuk i ka fshehur ambiciet për të “futur duart” tek reforma në drejtësi. Megjithatë, pakënaqësitë e dukshme të zotit Xhafaj ndaj reformës dhe kryesisht SPAK-ut, deri më tani ai i ka shpërfillur qëndrimet e ndërkombëtarëve që kanë qenë të prerë dhe i kanë treguar vijën e kuqe të paprekshmërisë së reformës.

Madje, zotin Xhafaj nuk e ka penguar në punën e tij as refuzimi thuajse “on block” i institucioneve të drejtësisë për të dërguar përfaqësues në komisionin e drejtuar prej tij. Në këto kushte, qëllimi i Berishës dhe Xhafajt përputhen në pikën e nevojës së ndryshimit të reformës. Edhe pse të dy janë politikanë me eksperiencë dhe njohës të mirë të ligjeve, as Berisha dhe as Xhafaj deri më sot nuk kanë artikuluar asnjë vërejtje konkrete për reformën në drejtësi, duke u përqendruar tek terminologjia e përgjithshme.

LEXO  Përfundimi i gjyqit “Sky ECC” në Belgjikë/ Kërkohet arrestimi i 58 personave, mes tyre edhe shqiptarë

Ndonëse çdokush e ka kuptuar se shqetësimi i vërtetë i tyre është SPAK dhe aktet e fundit të Prokurorisë së Posaçme që ka goditur në qelizë politikën e niveleve të larta.

Ndaj dhe përpjekjet e të gjitha formave për të prekur reformën duken të sinkronizuara në kohë dhe qëllim, edhe pse kundërshtarët e vjetër me këtë rast i lënë pas shpine inatet e vjetra për t’u bashkuar në një qëllim madhor. Duke projektuar Komisionin Xhafaj apo Komisionin e Venecias si vendet ku reforma (lexo SPAK) mund të pësojë ndryshime për të zbehur goditjet e ligjit mbi politikën.

Kjo duket qartas qëllimi i përbashkët i PS-së dhe PD-së në këto momente, ku Komisioni Xhafaj dhe kërkesa e PD-së u takuan së fundmi dje në parlament dhe ndoshta së shpejti në Komisionin e Venecias./Vna.al

 

Inflacioni ‘ngec’ në 1.9% aq sa ishte dhe në shtator, por shtrenjtimi i ushqimeve nuk ndalon! Çmimet e zarzavateve edhe më të kripura sesa vjet

Inflacioni në muajin tetor qëndroi në nivelin 1.9% aq sa ishte edhe në muajin shtator. Këto janë vlerat më të ulta të regjistruara për inflacionin që prej qershorit të vitit 2021.

Ndikimi i grupeve kryesore në këtë inflacion 1.9% thotë INSTAT është dhënë nga shtrenjtimi i ushqimeve me 1% ndjekur nga shtrenjtimi i energjisë elektrike me +0,23 pikë përqindje. Në rritje gjatë muajit të shkuar ishin të gjitha grupet me përjashtim të transportit, çmimet e të cilit kanë rënë me -0.33%.

Ndërsa në raport me tetorin e vitit të kaluar INSTAT thotë se shtrenjtimin më të madh e ka pasur “Argëtimi dhe kulturë” me 5%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,6 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,5 % dhe “Ushqime e pije joalkoolike” me 3,1 %. Brenda grupit të ushqimeve zarzavatet patën rritjen më të fortë të çmimit me 8,3%, krahasuar me vjet,  pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4%, “mish” me 3,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,2 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1,8 %, etj.

Ligji i buxhetit duhet të trajtohet në një sesion të posaçëm parlamentar

Nga Ervis Iljazaj

Partia Demokratike ka braktisur mosbindjen civile dhe është kthyer në parlament. Kjo nuk është hera e parë që PD nis një strategji politike dhe e lë atë në mes. Në fakt, mund të ketë dy mundësi se përse PD është kthyer në parlament. E para, mund të jetë dështimi i mosbindjes civile, duke qenë dhe populli nuk e ndoqi këtë rrugë, dhe diskutimet për buxhetin shërbejnë si një alibi për ta braktisur atë strategji.
E dyta, ndonjë marrëveshje e radhës me mazhorancën, ashtu sikurse ndodhi dhe herën e parë ku opozita pas një periudhe protestash në parlament votoi disa ligje në bashkëpunim me mazhorancën.

Por përtej arsyes se përsëri Partia Demokratike vendosi t’i rikthehej debatit parlamentar, është lajm i mirë fakti që gjendet aty për të diskutuar ligjin e buxhetit. Ligji i buxhetit jo vetëm kërkon që të gjitha forcat politike të marrin pjesë në debat, por kërkon dhe procedurat më të konsoliduara për miratimin e tij. Procedurat nuk mund të jenë pak a shumë si një procedurë e zakonshme sikundër aprovohen ligjet e tjera.

Ndërkohë ky ligj, që ka të bëjë me paratë tona duhet të konceptohet dhe konsiderohet si ligj i jashtëzakonshëm. Nuk ka ligj më të rëndësishëm, mbase pas atij zgjedhor, se sa ligji i buxhetit për një qeveri.

Me anë të tij, shpenzohen paratë e qytetarëve, paraqitet vizioni i një qeverie apo paraqiten alternativat e qeverisjes të një opozite. Në këtë kuptim, ky ligj meriton të gjithë vëmendjen procedurale dhe politike të duhur. Gjë e cila, deri më tani nuk ka ndodhur.

Shumë nga vendet demokratike, momentin e aprovimit të ligjit buxhetor e konsiderojnë një sesion të posaçëm parlamentar, i cili zgjat me muaj të tërë. Në këtë sesion ka procedura parlamentare të veçanta dhe jo si një proces ligjor i zakonshëm, ashtu sikurse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.

Kështu që, momenti i aprovimit të këtij ligji nuk mund të trajtohet si një moment çfarëdo parlamentar. Por, si një moment kyç i gjithë politikës, rreth të cilit duhet të pasqyrohen të gjitha alternativat politike dhe ekonomike të vendit.

Kështu siç e trajtojmë sot këtë ligj, nuk është aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit.
Edhe pse ligji i buxheti është kompetencë ekskluzive e qeverisë, nuk do të thotë aspak që ai të jetë një moment përjashtues ndaj grupeve të interesit apo palëve të tjera politike.

Por, duhet të shërbejë si një debat gjithëpërfshirës nëpërmjet procedurave që e mundësojnë një gjë të tillë.
Kudo në vendet demokratike, sa herë që afrohet momenti i ligjit të buxhetit të shtetit, shërben si një moment publik për të debatuar, diskutuar dhe rrahur ide apo ideologji të ndryshme rreth tij. Sepse, nuk ka moment më të mirë për të shpalosur çdo vizon të mundshëm për qeverisjen dhe garën e këtyre vizioneve, që mundëson ligji i buxhetit të shtetit. Edhe pse në thelb duket një ligj teknik, që thjesht vendos se si do të shpenzohet paratë e qytetarëve, në fakt, është një ligj i cili ka funksion thelbësor për një shoqëri demokratike.

Dhe për të arritur të gjithë rëndësinë dhe funksionet që ka, duhet me patjetër të rikonceptohet si një moment i tillë nëpërmjet procedurave që e mundësojnë këtë.

Për fat të keq, në Shqipëri, ligji i buxhetit vazhdon ende të konceptohet thjesht si ca para të cilat duhen shpenzuar aty-këtu, në mënyrë matematike dhe kaq. Ndërkohë që ligji i buxhetit është më shumë se kaq. Është ligji më politik që ekziston me gjithë kuptimin që ka kjo fjalë./Liberale.al