22.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Tri propozime për rilançimin e BE-së

Flavio Mondello

Vala e pesimizmit mbi të ardhmen e Bashkimit Europian, që i detyrohet presionit preokupues të të ashtuquajturave forca populiste euroskeptike, në mos antikomunitare, duket se po fiton energji në vijim të suksesit të europeistëve në zgjedhjet në Francë, në Holandë, në Austri dhe pas pak ditësh, edhe në Gjermani. Tri janë propozimet në tavolinë që duhet të rinovojnë rrugëtimin integrues komunitar:
– krijimin e një Europe të integruar me shumë shpejtësi të propozuar nga Kancelarja Merkel;
– një aksion autonom i Europës në fushën e “mbrojtjes dhe të sigurisë europiane”, megjithëse në kontekstin më të gjerë NATO–OKB;
– krijimin e një Ministrie Thesari europiane të propozuar nga Presidenti francez Macron.

Europa me shumë shpejtësi
Në “Deklaratën e Romës” e niveleve më të larta institucionale të 27 vendeve anëtare (përjashto Mbretërinë e Bashkuar) me rastin e përvjetorit të 60-të të Traktatit të Romës është rimarrë propozimi i fundit i Merkel për një Europë të integruar me shpejtësi të ndryshme, por gjithsesi pa i bërë një referim specifik asaj që është saktësuar gjerësisht lidhur me këtë në Traktatin e Lisbonës të 2007, ratifikuar nga parlamentet kombëtare, nga referendumet popullore dhe që nga ana e tyre rimerrnin atë që ishte dakordësuar me Traktatin e Amsterdamit të 1997. Kështu, në Romë është vendosur të procedohet me veprime të përbashkëta me ritme e me intensitete të ndryshme dhe gjithmonë në linjë me traktatet. Deri më sot, mundësitë me shpejtësi të përshpejtuara, që janë treguar gjithmonë në traktate me shprehjen “bashkëpunime të përforcuara”, janë zbatuar vetëm në 3 raste: divorc midis bashkëshortësh me shtetësi të ndryshme, patentë europiane e Tobin Tax, edhe pse kërkesa për t’u aplikuar ritme të përshpejtuara dhe intensitet më të madh aksioneve komunitare duhet të vijnë në mënyrë taksative nga të paktën 9 shtete anëtare.
Motivacioni i kërkesës së autorizimit për një bashkëpunim të përforcuar duhet të tregojë se në instancë të fundit objektivi i konsideruar nuk mund të arrihet brenda një afati të arsyeshëm nga Bashkimi Europian në tërësinë e tij dhe kështu që për të penguar një ngadalësim të procesit të brendshëm të integrimit pranohen gatishmëritë e shteteve anëtare për të proceduar me shpejtësi të përshpejtuar. Aktet komunitare të marra në kuadër të një bashkëpunimi të përforcuar detyrojnë natyrisht vetëm shtetet anëtare pjesëmarrës. Sapo Kancelarja Merkel ka lançuar kohët e fundit idenë e mundësisë së shpejtësive të ndryshme për ta përshpejtuar procesin e integrimit europian duke ua hequr vonesave të shumta vendimmarrëse, në media ka nisur një debat i zjarrtë dhe i preokupuar mbi mundësinë e krijimit me këtë formulë të dy zonave euro për vende të të ashtuquajturit klas të parë dhe të dytë. Diskutime të kota, sepse traktatet e mundësojnë tashmë zbatimin e shpejtësive të ndryshme në kompetencë të plotë të Bashkimit Europian, përjashto atë monetare të zonës euro dhe 5 rastet e tjera për të cilat shteteve anëtare nuk u lejohet më një kompetencë kombëtare.
Një mundësi tjetër me intensitet të ndryshëm e aksionit komunitar gjerësisht të detajuar, përveçse në nene specifike të Traktatit të Lisbonës, edhe në një Protokoll Ad Hoc, ka të bëjë me një bashkëpunim të strukturuar të lejuar në mënyrë permanente ekskluzivisht midis shteteve anëtare në gjendje që të ofrojnë njësi efikase luftimi të krizave ekstrakomunitare dhe për luftën kundër terrorizmit jashtë ose brenda Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për vende të vetëdijshëm se një fazë e re në zhvillimin e parashikuar të politikës europiane të mbrojtjes dhe të sigurisë presupozon përpjekje të vendosura në zhvillimin e kontributeve kombëtare dhe pjesëmarrje, kur është rasti, në forca shumëkombëshe përveçse në programet kryesore europiane të pajimit.
Ky impenjim më i madh sjell edhe pjesëmarrjen në aktivitetin e Agjencisë europiane të Mbrojtjes, që veç të tjerash është në gjendje të vlerësojë respektimin e impenjimeve të marra nga pjesëmarrësit për të optimizuar kapacitetet e tyre luftarake. Kjo agjenci, e parashikuar nga Traktati i Lisbonës për Bashkimin Europian, ka detyrën që të vërë në zbatim masa të nevojshme për të forcuar bazën industriale dhe teknologjike të sektorit të mbrojtjes. Në Deklaratën e Romës, Bashkimi Europian është deklaruar i gatshëm, që të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe të kontribuojë në krijimin e një industrie të mbrojtjes më kompetitive dhe më të integruar. Aktualisht, nuk flitet akoma për të krijuar një ushtri europiane.
Duhet saktësuar se për momentin nuk është vënë në veprim “Bashkëpunimi i Përhershëm i Strukturuar”, edhe pse nga shtetet anëtare është marrë përsipër impenjimi për ta bërë më të fortë Europën në skenën botërore edhe në bashkëpunim dhe në komplementaritet me NATO-n dhe duke vepruar në gjirin e Kombeve të Bashkuara. Bëhet fjalë për të kaluar nga qëllimet tek fjalët nën shtytjen e paktit të rikonfirmuar institucional franko–gjerman të nisur nga De Gaulle e Adenauer midis dy vendeve iniciatorë të procesit të parë komunitar europian: Komunitetit europian të Qymyrit dhe Çelikut që për të garantuar paqen menaxhonte në mënyrë të përbashkët prodhimin e tregtinë e lëndës së parë për luftën. Franca, që sot në Bashkimin Europian është e vetmja që ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe që disponon bombë atomike, mund të marrë inciativat e nevojshme për të garantuar një politikë të përbashkët europiane të mbrojtjes dhe të sigurisë.

Aksioni i Europës në fushën e mbrojtjes e të sigurisë
Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë europiane për Çështjet e Jashtme dhe të Sigurisë, u ka paraqitur në qershor të 2016 krerëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian një aksion të përbashkët në formën e “Strategjisë globale të politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes” që është vlerësuar nga Këshilli Europian i 28 qershorit 2016 dhe i konsideruar bazë e vlefshme për thellimin dhe konkretizimin sa më të shpejtë të mundshëm. Diskutimi lidhur me këtë çështje merr sot vlerën parësore të një kthese në procesin e integrimit pas zgjedhjeve të fundit pozitive në Austri, Holandë e Francë, atyre të parashikueshme në Gjermani dhe akoma më shumë pas rezultatit negativ të Brexit e përballë një Bashkimi Europian të shtrënguar midis presioneve amerikane e ruse jo veçanërisht të favorshme për procesin aktual komunitar europian. Pikënisja e kësaj strategjie globale është konstatimi se asnjë nga vendet europiane nuk ka forcën dhe resurset për të përballuar i vetëm kërcënimet e shumta të vazhdueshme brenda dhe jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Shtohet vetëdija se kjo tërësi vendesh nuk e përdor plotësisht potencialin e saj dhe se po shprehet në një “pushtet civil” ekskluziv, ndërkohë që soft dhe hard power duhet të ecin dora-dorës.
Projekti europian, që ka çuar në një periudhë të paprecedent paqeje, demokracie dhe begatie pas shkatërrimeve të luftës, ka rrezikuar të vihet në diskutim. Në Lindje siguria europiane është kërcënuar, ndërsa terrorizmi dhe dhuna gëlojnë në Afrikën Veriore e në Lindje të Mesme, si edhe në pjesë të Europës. Zhvillimi ekonomik po i dorëzohet demografisë në pjesë të Afrikës; tensione në siguri po rriten në Azi, ndërsa ndryshimet klimaterike po shkaktojnë shkatërrime të mëtejshme. Është në një botë kontestimesh të forta që sot Europa duhet të impenjohet me një ndjenjë të madhe përgjegjësie të ndarë në mënyrë komunitare, duke kaluar nga vizioni në aksionin për ta bërë të besueshëm Bashkimin Europian nëpërmjet unitetit të saj, konsistencës të politikave të saj dhe aderimit në vlerat e saj. Impenjimi i ri i fortë komunitar, i shprehur nga strategjia globale e politikës së jashtme, të sigurisë e të mbrojtjes kërkon tashmë investime të forta dhe urgjente në të gjitha shprehjet e saj jo vetëm për të vepruar në mënyrë të pavarur, por edhe për të kontribuar në ndërmarrjen e veprimeve në bashkëpunim me NATO-n.
Është me vend të sqarohet se evolucioni i politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë të Bashkimit Europian është konfirmuar nga vetëdija se, ndërsa mbrojtja dhe shpenzimet lidhur me të mbesin midis prerogativave kombëtare, asnjë shtet anëtar nuk mund ta përballojë i vetëm mbrojtjen dhe sigurinë që kërkon në fakt një përpjekje të koncertuar në nivel komunitar me vetëdijen se një bashkëpunim i thelluar në fushën e mbrojtjes gjeneron ndërveprueshmëri, efikasitet, rendiment dhe besim. Vetë Traktati i Lisbonës nxit në fakt afrimin e instrumenteve mbrojtës të vendeve anëtare të disponueshëm që t’i rrisin kapacitetet e tyre në sektor për të qenë në gjendje të ofrojnë, me titull kombëtar, njësi luftarake që synojnë misione parandalimi konfliktesh dhe ruajtje apo rivendosje të paqes dhe për operacione stabilizimi në përfundim të konflikteve.
Këto misione janë konfiguruar në planin taktik si “Grupe taktike” me rreth 1500 njësi ushtarake me elementë mbështetës, përfshi transport e logjistikë, të afta që të veprojnë brenda një afati prej 5 deri 30 ditësh, sidomos për t’ju përgjigjur kërkesave të Kombeve të Bashkuara dhe të mbështetshëm për një periudhë fillestare 30 ditore, që mund të shtyhet të paktën deri 120 ditë. Këto grupe taktike janë operative nga 2005, por që të përdoren në mënyrë efikase dhe të vrullshme duhet të kalojnë akoma ngërçe të shumta burokratike e politike dhe duhet të rishqyrtohen procedurat vendimmarrëse kombëtare, përveç disa mangësive të konstatuara në kuadrin e “mekanizmit komunitar të zhvillimit të kapaciteteve”.
Propozimi i paraqitur krerëve të shteteve e të qeverive në kuadër të strategjisë globale të politikës së jashtme e të sigurisë, nën shtytjen e mirëkuptimit të rinovuar franko–gjerman, duhet të përballojë tani temën e një Shtabi të Përgjithshëm të vetëm komunitar që menaxhon tërësinë e ndërhyrjeve të politikës së jashtme e të mbrojtjes së përbashkët. Në këtë rast është i dobishëm Brexit, pasi Mbretëria e Bashkuar ishte fuqimisht kundër pozicionit të përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, përveçse të Presidentit të Komisionit Europian Juncker. Veç kësaj, është tashmë bindje e zakonshme që investimet dhe optimizimi i përdorimit të resurseve kombëtare në këtë fushë nëpërmjet një bashkëpunimi të thellë komunitar mund të mundësojnë zhvillimin dhe ruajtjen e kapacitetit të mbrojtjes e të gjithë Bashkimit Europian. Një impenjim i ri i këtij të fundit është qysh tani ai i asistimit të shteteve anëtare nëpërmjet një kontributi më të madh komunitar, në linjë me traktatet, me sigurinë dhe mbrojtjen e Europës, pasi një përshtatje reciproke e planeve kombëtare të mbrojtjes dhe të zhvillimit të kapaciteteve mund të favorizojë konvergjencën strategjike midis shteteve anëtare. Fondet e Bashkimit Europian për mbështetjen e kërkimit dhe të teknologjisë, bashkë me bashkëpunimin ndërkombëtar, janë parakushte thelbësore për një industri të fortë europiane të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Krijimi i një Ministrie Thesari europiane
Presidenti i ri francez Macron ka theksuar vullnetin, të shprehur edhe gjatë fushatës presidenciale, për të krijuar në Bashkim një “Thesar europian” të mbajtur nga një Ministri Thesari europiane për të përshpejtuar kompletimin e Bashkimit Ekonomik e Monetar dhe për ta bërë në gjendje që të gjenerojë një rigjallërim më të shpejtë ekonomik dhe punësim nëpërmjet një konvergjence efektive të ekonomive të eurozonës. Kjo iniciativë franceze përforcon propozimin e hedhur qysh në vjeshtën e 2015 nga presidentët e 5 institucioneve kryesore të Bashkimit Europian: Komisionit Europian, Këshillit Europian, Bankës Qendrore Europiane, Eurogrupit, Parlamentit Europian. Propozim aktualisht akoma në fazë diskutimi pranë këshillit të krerëve të shteteve e të qeverive. Presidenti Macron dëshiron tani t’i djegë etapat duke e kaluar debatin në selinë e Këshillit Europian: nxitja e tij futet në kërkesën e përgjithshme për një qeverisje më të mirë ekonomike të zonës euro sesa ajo aktuale. Në fakt, është pranuar se masat e jashtëzakonshme të adoptuara me ngut nga Bashkimi Europian kanë qenë të diktuara nga nevoja e reagimit të shpejtë ndaj krizës më të keqe ekonomike dhe financiare të 70 viteve të fundit.
Këto masa duhet t’ua lënë tani vendin zgjidhjeve më shumë të barabarta dhe me legjitimitet real demokratik, pasi me më shumë se 10 milionë të papunë në zonën euro është e nevojshme të bëhet shumë më mirë dhe më tepër për të përmirësuar politikat ekonomike, për të imponuar solidaritet komunitar dhe për të vepruar në mënyrë të tillë që të gjithë dhe jo vetëm disa shtete anëtare të sigurojnë përfitime të ngjashme nga pakti i euros dhe se të gjithë t’i ndajnë rreziqet nëpërmjet një mekanizmi stabilizimi të bilancit të të gjithë zonës euro: është Bashkimi Bankar që duhet t’i korrespondojë një rrjeti financiar të instancës së fundit. Përgjithësisht është pranuar se ekzistenca e divergjencave të forta midis vendeve të euros krijojnë brishtësi për të gjithë Bashkimin Europian dhe se ka nevojë për një tentativë koordinimi të konsiderueshëm të politikave ekonomike.
Për këtë arsye, 5 presidentët kanë konsideruar të nevojshme që t’u kërkojnë shteteve anëtare të përqendrohen ndaj reformave parësore ekzistenciale për shtimin e rritjes potenciale, të favorizojnë krijimin e vendeve të punës dhe të shfrytëzojnë potencialitetet e ofruara nga tregu unik. Bëhet fjalë për të ndjekur 4 përparime prioritare: drejt një bashkimi ekonomik të vërtetë; drejt një bashkimi financiar, që rrit ndarjen e rreziqeve edhe me sektorin privat; drejt një bashkimi bilanci, që garanton si mbështetshmërinë, ashtu edhe stabilizimin e bilancit e të gjithë Bashkimit Europian; drejt një bashkimi politik që u garanton baza të qëndrueshme tri bashkimeve të mësipërme.
Natyrisht që është theksuar bindja se shtetet anëtare, që nuk kanë kompletuar akoma reformat strukturore dhe që nuk disponojnë një kompetitivitet efektiv, duhet të përshpejtojnë një proces të tyrin korrigjues për të mundësuar fleksibilitet më të madh ekonomive përkatëse. Për të arritur rezultatin e një politike monetare të përbashkët me një konvergjencë të duhur të politikave ekonomike është nënvizuar me forcë nevoja e kalimit nga një sistem normash dhe orientimesh të imponuara qeverive nga institucionet komunitare për përpunimin e politikave ekonomike kombëtare në një sistem ndarjeje të sovranitetit në kuadër të institucioneve të përbashkëta. Natyrisht që një gjë e tillë kërkon që shtetet anëtare të jenë të gatshëm të pranojnë në masë rritjeje vendime të përbashkëta politike ekonomike dhe bilanci kombëtar.
Kështu, 5 presidentët mendojnë se një bashkim i vërtetë i bilanceve në brendësi të një Bashkimi Ekonomik e Monetar nuk mund të mos presupozojë intensifikimin e një procesi vendimmarrës të “përbashkët” mbi vendimet më të rëndësishme të bilancit të eurozonës, të cilave duhet t’u sigurohet një kontroll efikas demokratik dhe një verifikim i rreptë i legjitimitetit të procesit. Kurse mbi fiskalitetin dhe mbi caktimin e shpenzimeve publike do të vazhdojë të mbizotërojë autonomia e shteteve anëtare në funksion të preferencave dhe të zgjedhjeve politike kombëtare. Sipas propozimit të 5 presidentëve, selia e këtij vendimi kolektiv është një “Thesar europian i zonës euro” përgjegjës kështu, në nivel komunitar, përpara një Parlamenti europian ad hoc, që për Presidentin Macron, tashmë dakord me propozimin e gjermanit Schauble, duhet ta kufizojë përbërjen e tij në parlamentarët europianë të eurozonës.
Presidenti i Komisionit Europian Juncker kishte sugjeruar emërimin e një Ministri Thesari europian me cilësinë e zëvendëspresidentit të Komisionit Europian siç është përfaqësuesi i lartë për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë. Kurse ministri Schauble kishte kërkuar që posti i ministrit të Thesarit europian t’i besohej një autoriteti kontrolli të tretë të llogarive publike komunitare. Me mbështetjen tashmë të siguruar nga Franca, Gjermania dhe Italia, Juncker kishte propozuar edhe që Thesari europian të mbështetej mbi disponueshmërinë e rëndësishme financiare të Mekanizmit europian të Stabilitetit (MES), i quajtur Fondi europian i Shpëtimit të Shteteve.
MES-i është një ent financiar ndërkombëtar, i pajisur me personalitet juridik të plotë, që ka marrë formën e organizatës ndërqeveritare sipas modelit të FMN-së; është i ngritur nga një traktat ndërkombëtar i hyrë në fuqi në shtator të 2012 dhe globalisht është institucioni më i madh financiar ndërkombëtar me një kapital prej 700 miliardë eurosh të krijuar prej 80 miliardëve të derdhura nga shtetet anëtare të zonës euros, ndërsa pjesa tjetër është marrë në tregun e kapitaleve me emetime obligacionesh. Kapaciteti efektiv i tij i huave për të ndihmuar vendet euro në vështirësi është i barabartë me 500 miliardë euro.
Sipas propozimit të ministrit gjerman të Financave Schauble do të duhet të zhvillohet Mekanizmi europian i Stabilitetit për t’i dhënë substancën e një Fondi Monetar europian, pa u dashur që t’i drejtohet një reforme, të Traktatit të Bashkimit Europian, aktualisht e pamundur, që duhet të vendoset dhe të ratifikohet në unanimitet. Pasi e ka diskutuar me Presidentin Macron dhe me parlamentarë të ndryshëm, Shauble ka pranuar propozimin e Presidentit francez për të krijuar një Parlament të eurozonës, që mund të marrë një tagër “konsultativ” ndaj Mekanizmit europian të Stabilitetit. Ministri i Thesarit europian nuk do të errësojë rolin qendror të eurogrupit të përbërë nga ministrat e Financave të vendeve të euros, që mblidhen me titull formal dhe sipas nevojës për të diskutuar, promovuar dhe përfaqësuar interesat e zonës euro në prani të Komisionit Europian dhe të Bankës Qendrore Europiane.
Në periudhë afatshkurtër, ky rol mund të kërkojë një forcim të presidencës (e fiksuar në një periudhë prej 2 vitesh e gjysmë) dhe të mjeteve në dispozicion të tij. Më në perspektivë, 5 presidentët kanë propozuar një presidencë me kohë të plotë të pajisur me një mandat shumë të detajuar për të mundësuar, me mbështetjen e të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian, një rol akoma edhe më të kthjellët në përfaqësimin e interesave të monedhës unike si në brendësi të eurozonës, ashtu edhe jashtë saj.

 

Flavio Mondello ka qenë për disa dekada përfaqësues i Confindustria italiane pranë Bashkimit Europian në Bruksel

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Skandali Tahiri-Vodafone për zhvatjen e policëve

 

“Boldnews.al” ishte e para që denoncoi publikisht skandalin e Vodafone me pseudoofertat e aplikuara mbi efektivët e Policisë së Shtetit, që disponojnë numra me 069 41…. Të pandikuar nga reklamat dhe sponsorizimet e Vodafone, “Boldnews.al” zbardhi disa të vërteta që diheshin nga të gjithë, por që nuk publikoheshin.
Investigimi i “Boldnews.al” është zgjeruar edhe nga një tjetër media, “Tematv.al”, e cila ka siguruar edhe marrëveshjen e fshehtë mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kompanisë Vodafone, për të zhvatur uniformat blu.
Skandal në Ministrinë e Brendshme, ku implikohet Vodafone dhe ish-ministri Saimir Tahiri. Me firmën e ish-ministrit të Brendshëm dhe me ndihmën e AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), kompania Vodafone u ka marrë për dy vjet rresht punonjësve të Policisë së Shtetit nga 60 milionë lekë në muaj fatura telefonike. Përpara këtyre veprimeve, policët komunikonin falas për problemet e punës. Media publikon dokumentet që vërtetojnë zhvatjen e policëve, po ashtu sjell reagimet e Policisë së Shtetit, Sindikatës së Policisë, kompanisë Vodafone dhe Ministrisë së Brendshme, të cilat nxjerrin në shesh makinacionin e përdorur.
Një celular në dorë është kusht për çdo polic që po jeton në periudhën moderniste, por paratë do t’i paguajë nga xhepi. Kjo është “dhurata” që Saimir Tahiri u la 10 mijë efektivëve të Policisë së Shtetit, në kulmin e karrierës së tij, kur në dhjetorin e vitit 2015 nënshkroi një kontratë me kompaninë celulare Vodafone. Aty parashikohej që çdo efektiv policie, që disponin një numër që fillon me 06941 duhet të pajisej me këtë paketë minimaliste, ndërsa më herët policët flisnin falas. Tashmë po mbushen 2 vjet nga kjo situatë e rënduar, por ditët e fundit duket se kupa është mbushur. Kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, tregon se ç’po ndodh këto ditë mes policëve.
Fishta shprehet edhe për kontratën e re të Tahirit dhe ç’parashikon ajo. Ky është Ardi Veliu, drejtori i ri i Policisë së Tiranës dhe ky në krahun e djathtë është Dhimitraq Ziu, nëndrejtori. Të dy ndodhen te vendi ku u vra gjykatësja Fildez Hafizi dhe flasin me celular, por shpenzimet e tyre mbulohen nga shteti, sipas një VKM-je. Nga ana tjetër, mijëra oficerë apo agjentë të thjeshtë paguajnë nga xhepi, minimumi 6 mijë lekë çdo muaj.
Për shkak se policët po ankohen se po paguajnë deri në 10 mijë lekë në muaj, drejtori Veliu ka dhënë një urdhër verbal, që policët e Tiranës t’i mbyllin këta numra Vodafone dhe të gjejnë rrugë më pak të kushtueshme. Por si ka funksionuar më parë?
I ndodhur në këto kushte, Fishta u është drejtuar disa institucioneve si Avokati i Popullit, Dhomës së Avokatisë, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë Vodafone. Nga këta, duket se më korrekt është treguar Haki Çako.
Televizioni “Tema” u interesua pranë Policisë së Shtetit. Zëdhënësi i saj, Genti Mullai u shpreh se deri vitin e kaluar, policia kishte kontratë me kompaninë Vodafone, por Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i kishte vënë kusht Vodafonit që të hiqej shërbimi i bisedave falas dhe u gjet një gjuhë e përbashkët për paketën më të lirë në treg, atë të 600 lekëshit. Edhe kompania Vodafone iu përgjigj interesimit të televizionit tonë, duke u shprehur se “Barazimi i tarifave për thirrjet telefonike brenda dhe jashtë rrjetit është rezultat i një detyrimi rregullator që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur mbi të gjithë operatorët celularë duke filluar nga data 1 janar 2016 me synim rritjen e konkurrencës efektive në treg. Po sipas AKEP, edhe thirrjet që kryhen midis punonjësve brenda të njëjtit institucion/ kompani/ organizatë (përsa kohë që kanë numra nga i njëjti operator celular) konsiderohen si thirrje brenda rrjetit Vodafone dhe si të tilla ato nuk mund të jenë falas, por duhet të tarifohen njësoj sikur të kryheshin drejt një pajtimtari jashtë rrjetit Vodafone”.
Vetë AKEP është treguar i gatshëm të prononcohet zyrtarisht në një moment të dytë, pasi të njihet me përmbajtjen e kërkesës nga ana e medias dhe në momentin më të parë, televizioni do të informojë shikuesit e saj, për këtë reagim. Ministria e Brendshme, gjithashtu u shpreh zyrtarisht se fillimisht policia pranoi ofertën 600 lekëshe me 2000 minuta, 300 sms dhe 4 giga internet dhe asnjë nga policët nuk e kishte me detyrim, por me zgjedhje. E deri në zbardhjen e plotë të kësaj kontrate që u merr 60 milionë lekë në muaj 10 mijë policëve të Shqipërisë, ku ai i Pukës bie fjala, as që ka ndërmend të lundrojë në internet për të qenë në trend me zhvillimet nga fronti i Instagramit.

 

Shqipëria po zbrazet, ikje dhe rënie e lindjeve

Blerina HOXHA

As periudha otomane, as dy Luftërat Botërore dhe as 50 vitet e regjimit komunist nuk i sollën kaq dëme popullsisë së vendit sa tranzicioni i pas viteve 1990, i cili po vijon të përkeqësohet si në treguesit shifrorë, edhe në ata të vitalitetit, pasi shqiptarët po tkurren më shpejt se parashikimet.
Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.
Të gjitha këto ndikime kanë zhbalancuar forcën e punës, ku mosha deri në 45 vjeç ka pësuar rënie të shpejtë. Në një anketim që “Shteti web” bëri në vitin 2015 për trendet e punësimit gjeti se rreth 45% e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes OSHEE (punëdhënësi më i madh në vend) ishin mbi 50 vjeç.
Pas një dekade, kur 50-vjeçarët e sotshëm do të dalin në pension, forca e punës do të pësojë tkurrje të madhe duke bërë, që ekonomia e vendit të mos ketë përparësi në këtë drejtim. Këto zhvillime do të diktojnë shumë shpejt tendencat e konsumit dhe shpenzimeve publike. Shitjet me pakicë do të duhet të orientohen për shërbimet e moshave të vjetra, që nga ushqimet, veshjet dhe akomodimi, teksa shpenzimet e qeverisë nevojitet të zhvendosen nga shkollat tek qendrat e kujdesit social për të moshuarit.
Por teksa shifrat mbi gjendjen e popullsisë po na përplasin në fytyrë një realitet të hidhur, qeveritë ndër vite i kanë injoruar këto zhvillime. Por pikërisht tani kur është koha për të vepruar, reforma e thellë institucionale në qeverinë “Rama 2” ka shkrirë tërësisht Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale që po merrej me disa nga këto problematika. Një ligj për të moshuarit nuk dihet në cilët sirtarë ka ngelur dhe gjithashtu arsimi profesional, një strukturë e vlefshme për integrimin e të rinjve me tregun e punë, është pezull.
Emira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet e demografisë, thotë se politikëbërësit duhen të marrin masa para se të jetë vonë. Ajo thotë se duhen të ndërmerren politika për lehtësimin e kushteve dhe kostove për arsimin parashkollor, në mënyrë që të nxiten lindjet dhe gjithashtu këshillon që të vihen në veprim politikat për moshën e tretë, në mënyrë që produktiviteti i tyre në shoqëri të mundësohet edhe pas daljes në pension.
Galanxhi, tashmë në pension, për shumë vite, ka drejtuar sektorin e demografisë në INSTAT dhe ajo thotë se anketat kanë gjetur se gratë shqiptare kanë dashur të kenë fëmijë më shumë se sa kanë lindur. Ky është një tregues që familjet shqiptare po frenohen të kenë fëmijët që duan, për shkak të gjendjes ekonomike. Ekspertja këshillon që qeveria duhet të ndërmarrë politika për të zbutur fertilitetin, për të mbushur pikërisht këtë hendek.
Ekonomisti Koço Broka thotë se zhvillimet demografike në vendin tonë janë jashtëzakonisht të mëdha.
Ai vë në dukje se nga regjistrimi i parë i popullsisë në vendin tonë në vitin 1923, popullsia u rrit nga 814 mijë banorë, në 3,2 milionë banorë në vitin 1990, me të gjithë implikimet e veta, të cilat asnjëherë nuk janë marrë realisht në konsideratë, duke përqendruar vëmendjen thjesht dhe vetëm në sistemin ekonomik shoqëror dhe rolin e qeverive. Broka thotë se më 1 janar 2017, popullsia sipas INSTAT ishte 2,876 mijë banorë dhe është pakësuar me 409 mijë banorë gjatë 27 vjetëve. Në vitet 1923-1945, megjithëse në tërësi lejohej emigrimi, popullsia në vendin tonë është shtuar me mbi 200 mijë vetë ose mbi 37.8%, kurse pas vitit 1990 ajo është pakësuar.
Broka vë në dukje se forcat politike akuzojnë njëra-tjetrën se në periudhën e tyre janë larguar më shumë emigrantë apo azilantë, por nuk kanë thënë asnjë fjalë pse pas viteve 1990, emigracioni ka qenë galopant? Ai shpjegoi se, llogaritjet në lidhje me ecurinë e popullsisë për 25 vitet e ardhshme duhen marrë me rezerva për saktësinë e tyre. Koeficienti i fertilitetit është shumë i ulët dhe popullsia e vendit tonë do të ulet në mënyrë të pashmangshme për shkak të këtij faktori, pavarësisht nga ecuria e emigracionit.

Lindjet, përkeqësim më shumë se parashikimet

Në vitin 2016 lindën 32 mijë bebe në të gjithë vendin, ndërsa pritshmëritë zyrtare të shprehura në projeksionin për ecurinë e popullsisë në periudhën 2011-2031, ishin që lindjet po atë vit të arrinin në rreth 34 mijë e pesëqind bebe. Rënia e numrit të lindjeve reale me 8% nga skenari i mesëm i parashikimeve lajmëron se popullsia e vendit po futet në binarët e skenarit pesimist. Gjithashtu, numri i lindjeve ka pësuar një rënie të fortë që nga Censusi i fundit. Në vitin 2011 lindën 34,285 bebe, ndërsa më 2016-n lindën 32,1 mijë bebe ose 8% më pak.
Në vitin 1990, kur ekonomia shqiptare preku ekonominë e tregut pas 45 vitesh izolim, numri i lindjeve ishte mbi 82 mijë bebe në një vit. Por pas 27 vitesh me ngjarje eksodi masiv të shqiptarëve jashtë vendit, lindjet pësuan rënie drastike me 61.3% më 2015.
Duke parë trendin historik të lindjeve që nga vitet 1991 shihet një lidhje e qartë me migracionin. Bebet ranë sistematikisht në vitet 1990–1994, të ndikuara nga vala e parë e emigracionit. Deri në vitin 1996, ishin larguar nga vendi mbi 600 mijë shqiptarë.
Viti i mbrapshtë 1997 shënoi eksodin e dytë më të madh të shqiptarëve me mbi 100 mijë të larguar nga vendi në një vit, hemorragji që do të vijonte edhe në vitet e mëvonshme, duke i ndikuar negativisht lindjet deri në vitin 2009.
Më pas, thuajse për pesë vite rresht, pati një stabilizim të emigracionit dhe gjithashtu lindjet ndaluan rënien dhe nisën të rriten deri në vitin 2015. Por fenomeni i pakësimit të bebeve është rikthyer frikshëm në dy vitet e fundit. Në vitin 2016 lindën 3% më pak bebe. Që nga viti 1960, indeksi sintetik i fekondimit (numri i lindjeve për një grua) ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ky indeks në vitin 1960 ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një grua të grupmoshës riprodhuese, ndërkohë që në vitin 2014, ky indeks është ulur në 1.78 fëmijë për një grua dhe më 2016 është 1.54 fëmijë për grua, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo do të thotë se për çdo 100 gra kanë lindur 154 fëmijë vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, gratë lindën mesatarisht 27 vjeç, krahasuar me moshën mesatare të burrave 32,5 vjeç. Koeficientët specifikë të lindshmërisë, sipas gjinisë për 2016-n, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë. Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, i publikuar nga INSTAT. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Gjatë periudhës 2007–2016, KBR luhatet ndërmjet vlerave 0,76 dhe 0,85. Mesatarja e këtij treguesi gjatë kësaj periudhe është rreth 0,79. Kjo do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 20% larg zëvendësimit të vetvetes.
Pas vitit 2013, ritmet e rënies konsiderohen të shpejta nga demografët. Për lindjet djem kemi një rënie 4%, ndërkohë për lindjet vajza, tkurrja është 2%.

Ku duhet ndërhyrë

Ekspertja Galanxhi thotë se te gratë shqiptare, dëshira për riprodhim është më e madhe në raport me fëmijët që ato kanë. Ajo tha se disa vende të Europës janë duke marrë masa për të stimuluar lindshmërinë. Në Itali, së fundmi, janë bërë disa ndryshime që u japin nënave një vit leje, të cilën kanë të drejtë ta marrin derisa fëmija të bëhet 12 vjeç. Përveç lejes së lindjes pesëmujore, nënat e reja dhe baballarët e rinj në Itali mund të përdorin lejen 12-mujore gjatë kohës që fëmija rritet, si për shembull në rastet kur ai është sëmurë. Galanxhi thotë se kushtet ekonomike janë një faktor themelor që e pengon lindshmërinë. Qeveria jonë, momentalisht, thotë ajo, duhet të ndërhyjë për të përmirësuar shërbimin dhe oraret në arsimin publik fillor.
Oraret e fëmijëve në shkolla duhet të jenë të njëjta me ato të nënave në punë, përndryshe krijohen kufizime ekonomike në familjet e reja, pasi nënat në shumë raste kanë më tepër leverdi të rrisin fëmijën në shtëpi se sa të punësojnë një person tjetër. Gjithashtu, Galanxhi thotë se duhet të vijojë solidariteti i brezave ku gjyshërit dhe të afërmit e tjerë të ndihmojnë në rritjen e nipërve dhe mbesave.
Ajo sugjeron të ndërhyhet edhe në përmirësimin e kopshteve duke reduktuar numrin e fëmijëve. Sipas saj, kjo masë do të ndihmojë që fëmijët të mos sëmuren dhe nënat e reja të mos pengohen për tregun e punës dhe ta kenë më të lehtë të planifikojnë një fëmijë të dytë. Shërbimi publik i kopshteve dhe çerdheve nuk u përshtatet orareve të punonjësve në sektorin privat, si me ditët e pushimit në fundjavë dhe në festat zyrtare, duke u kthyer në një pengesë për familjet e reja që punojnë me rroga poshtë mesatares.

Emigrimi, po ikin të rinjtë

Demografia Majlinda Nesturi, nga INSTAT, ka komentuar më parë për “Monitor” se, një ndër faktorët kryesorë të rënies së lindjeve këtë vit, lidhet me emigrimin.
Në vitin 2015, një valë emigracioni prej 67 mijë personash u regjistruan si azilantë në vendet e BE-së, një nivel rekord i viteve të fundit. Qendra kërkimore “Pew Research”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE-së në vitin 2015, tregoi se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç, moshë e cila realizon 90% të riprodhimit.
Karakteristikë themelore e valës së emigracionit këtë herë ishte ikja e familjeve, ndryshe nga vendet aziatike ku emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm. Azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje.

Divorcet po ndikojnë lindjet

Divorcet kanë shënuar një rritje të shpejtë sidomos tre vitet e fundit, por fenomeni ka kulmuar vitin e kaluar. Në vitin 2016 për 100 martesa pati 31.2 divorce; një vit më parë, më 2015, kishte 21 divorce për 100 martesa, sipas raportit të INSTAT, “Burra, gra në Shqipëri”, publikuar në qershor 2017.
Viti 2016 shënoi koeficientin më të lartë të divorceve nga viti 1990. Nuk ka një studim për grupmoshën e divorceve, por trendi i lartë ndikon për keq te lindshmëria – shpjegon demografia Galanxhi.
Në vetvete, numri i martesave është gjithashtu me rënie, një raport i drejtë ky për rënien e të rinjve në grupmoshën për martesë. Në vitin 2016, numri i martesave shënoi rënie me 11.7% nga viti 2011, teksa numri i divorceve është rritur me 53% që nga viti 2016. Burimet nga gjykata kanë pohuar se shkaqet kryesore të divorceve janë kushtet ekonomike, dhuna dhe emigracioni.
Sot, mesatarisht, një burrë martohet në moshën 30.4 vjeç dhe një grua në moshën 25.1 vjeç. Mosha mesatare në martesë, si për meshkujt edhe për femrat nuk ka ndryshuar shumë gjatë viteve. Në tre vitet e fundit, vihet re rritje e lehtë e moshës në martesë për të dyja gjinitë.

Trupa e nxënësve, në tkurrje drastike

Numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjeçar gjatë vitit të kaluar shënoi rënien vjetore më të madhe që nga viti 1991, duke dhënë sinjale alarmi se forca e re e punës në Shqipëri do të vihet në vështirësi në dekadën në vijim. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i nxënësve që ndoqën arsimin 9-vjeçar në vitin 2015-2016 ra me 5.4% në raport me vitin 2014-2015, rënia më e fortë në 26 vitet e fundit. Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar u ndoq nga më shumë se 343 mijë nxënës më 2016, nga më shumë se 363 mijë nxënës që ishin në vitin 2015.
Projeksionet arsimore tregojnë se numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në arsimin e mesëm (Klasa 10) do të zbresë nga 60,139 (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) te 39,612 (për ata të lindur në vitin 2005). Ministria e Mirëqenies Sociale, në një raport strategji për arsimin profesional 2014-2020, referon se për shkak të zhvillimeve demografike, shkollat profesionale do të përballen me rënie të numrit në masën 55% midis viteve 2013 dhe 2020. Në vitin arsimor 2016-2017 u regjistruan në shkollat profesionale 20981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016.
Pjesa e popullsisë në moshë pune parashikohet të rritet deri në vitin 2020, duke u ndjekur nga një rënie më pas. Kështu, një numër më i vogël njerëzish do të duhet të mbulojë grupe gjithnjë e më të mëdha të moshuarish, duke paraqitur kështu një numër sfidash në arsim, tregun e punës dhe në politikat sociale.

Emigracioni, plaga nuk po mbyllet

Numri i azilkërkuesve, për herë të parë nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian, në tremujorin e parë të vitit 2017, ishte 5440 persona. Në vitin 2016, kërkesat për azil nga Shqipëria kanë qenë rreth 28 mijë persona, ndërsa në vitin 2015 ishin 67 mijë kërkesa për azil. Ritmi i ikjes së shqiptarëve nga vendi vijon të mbetet më i larti në Europë.
Në projeksionet afatgjata të popullsisë, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen është përkeqësuar vitet e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste.
Rritja e numrit të emigrantëve në tre vitet e fundit pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri.
Bizneset, në fakt, kanë filluar të ndiejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.
Anketimet që ka bërë Banka Botërore, INSTAT dhe organizata të tjera qeveritare, tregojnë se, arsyeja themelore e emigrimit të shtetasve shqiptarë është ajo ekonomike. Organizatat e profilizuara të fushës analizojnë se, emigracioni si fenomen masiv ndodh pas rënies së sistemeve politike, si në vitet 1990 ose pas krizave ekonomike, si ajo e vitit 1997. Por faktor kryesor i hemorragjisë sistematike është besimi i pamjaftueshëm i qytetarëve te qeveritë vendase se kushtet ekonomike do të përmirësohen në të ardhmen.
Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT.
Por ekspertët shpjegojnë se gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Banka Botërore ka referuar se standardi i jetesës për të arritur vendet e BE-së do të zgjatet edhe më shumë, nëse vendi nuk rritet me ritmet 4%. Papunësia ndër të rinj në Shqipëri është mbi 28% aktualisht. Ndërsa niveli i pagave mesatare është shumë poshtë vendeve të BE-së. Mungesa e perspektivës shihet themelore.
Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ulja e migracionit mund të ndihmojë në rritjen e prodhimit. “Nëse migracioni neto do të reduktohet në zero, rritja reale e PBB do të përshpejtojë me 0.2 pikë përqindjeje”.
Banka Botërore, nga ana tjetër, ka konfirmuar se, Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (kjo është diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve).

Cambiasso, tërhiqet nga futbolli

Estaban Cambiasso, një ndër kolonat e Interit të Mourinhos që më 2010-tën fitoi gjithçka, i ka dhënë fund futbollit të luajtur në moshën 37-vjeçare, për t’iu përkushtuar tërësisht profesionit të trajnerit. Në fund të fundit trajner ai ishte edhe kur luante me zikaltërit, sepse me shumë karizmë dhe pak fjalë ishte një lider i vërtetë në fushë dhe me klasin e tij dirigjonte çdo aksion sulmues të Interit. Para pak ditësh, Cambiasso kaloi me sukses provimet duke marrë licencën e trajnerit në Covercianno dhe që nga ky momenti ai mund të drejtojë të gjitha skuadrat e sektorit të të rinjve në Itali deri në Serinë C. Pasi i përfundoi kontrata me Olympiacosin dhe meqenëse ende nuk kishte gjetur një skuadër të re për të vijuar karrierën, argjentinasi vendosi t’i japë fund karrierës, me Cambiasson që ka menduar se ky është momenti i duhur për të thënë stop. Një zgjedhje logjike kjo e mesfushorit. Me inteligjencën e tij taktike dhe mënyrën sesi e koncepton futbollin, ai ka të gjitha premisat për t’u bërë një trajner i madh.
Cambiasso është futbollisti i tretë argjentinas që ka fituar më shumë trofe gjatë karrierës së tij, plot 24, vetëm Messi me 31 dhe Di Stefano me 26 kanë bërë më mirë se ai. I rritur te Argentinos Jrs dhe më pas te skuadra B e Realit të Madridit, Cambiasso u afirmua si futbollist te Indipendiente dhe River Plate me të cilët fitoi edhe një titull të Clausuras në Argjentinë. Më 2002 ai u rikthye te Reali i Madridit duke fituar 4 trofe me Los Blancos.
Më 2004-tën karriera e tij mori një tjetër rrjedhë, pasi falë intuitës së Marco Brancës, Cambiasso u transferua tek Interi me parametër zero. Në 10 vite te zikaltërit ai u shndërrua në një lider të mesfushës, ndërsa ishte një nga heronjtë e tripletës së famshme të fituar në vitin 2010. Me përkëdheli te Interi gjithmonë do ta quajnë El Cuchu Cambiasso, pasi fansat zikaltër një si ai nuk do ta harrojnë kurrë. 2 etapat e fundit në karrierën e 37-vjeçarit ishin Leicester në Angli dhe Olympiacos në Greqi. Për Cambiasson tashmë fillon një jetë e re, ajo e trajnerit me ëndrrën se do të jetë do të jetë i ulur në stolin e Interit.

Milani për fitore

Vincenzo Montella nuk mund të kërkonte më shumë nga Fassone dhe Mirabelli, të cilët i vunë teknikut maksimumin në dispozicion. Por për të parë një Milan në lartësinë e skuadrave më prestigjioze europiane duhet ende kohë: “Skuadrat e nivelit ndërkombëtar me buxhet të limituar tentojnë 3 ose 4 transferime që të arrijnë të kompletojnë formacionin që i përgjigjet objektivave të kubit. Mund edhe të kemi gabuar diku ose do të na duhet të bëjmë edhe lëvizje të tjera, gjithsesi duhet të theksoj se jam falënderues për gjithçka u arrit”.
Trajneri i Milanit gjatë konferencës për shtyp komenton edhe kritikat lidhur me investimet shumë të mëdha që u bënë gjatë kësaj merkatoje nga drejtuesit e rinj kinezë. “Me sa më kanë shpjeguar Milani ka investuar në sistemin italian disa qindra milionë euro dhe të paktën për këtë, si dhe për faktin se është bërë maksimumi në një kohë fare të shkurtër, mendoj se shoqëria e meriton një falënderim. Personalisht mendoj se merkatoja e Milanit meriton notën 10”, tha Montella.
Pas një starti shumë pozitiv, tani mbërrin ora e së vërtetës për Milanin e Montellës, me sfidën e parë të vështirë në kampionat, ajo e së dielës në “Olimpico” përballë Lazios. Këtë e di më mirë nga të gjithë tekniku Vincenzo Montella.
“Kjo është ndeshja e 7 radhazi. Kam shpresa dhe ambicie për këtë takim. Lazio është një skuadër solide që di të luajë në shumë mënyra ndaj dhe ne duhet të dimë të përshtatemi, pasi ende nuk e kemi testuar realisht nivelin tonë”, tha ai.
Për Montellën kjo do të jetë edhe një përballje me Simone Inzaghin, që sikundër ai ka fituar një ndeshje të Superkupës së Italisë përballë Juventusit. “Kjo është një ndeshje e rëndësishme dhe ne ndoshta jemi të vetmit në Itali që i kemi hequr pak nga suksesi Juventusit përgjatë këtyre viteve të fundit. Simone po tregohet pragmatist, është përshtatur dhe ka fituar dashurinë e lojtarëve. Kam shumë respekt për të. Biglia do të luajë titullar dhe për të nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi është stërvitur pak me skuadrën, por jam i bindur se do të dalë shumë mirë. Pritshmëritë janë të mëdha për të, pasi është një futbollist shumë inteligjent me një taktikë të shkëlqyer”, përfundoi Montella.
Të shtunën në mbrëmje ishte parashikuar të zhvillohej një prej sfidave më të bukura të Serie A mes Sampdorias dhe Romës, por gjatë orëve të fundit të së premtes është marrë një vendim ekstrem, shtyrja e këtij dueli. Shkak është bërë moti i keq që ka përfshirë krahinën e Ligurias dhe qytetin e Xhenovës. Sipas meteorologëve, situata do të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes dhe pas një takimi të zhvilluar në prefekturë, u vendos shtyrja e këtij takimi për një datë tjetër. Kjo nuk është hera e parë që shirat dhe moti i keq shkaktojnë anulimin apo ndërprerjen e ndeshjeve në stadiumin “Marassi”. Në katër vitet e fundit, janë shtyrë 5 ndeshje. Në datën 11 shtator të vitit të shkuar, arbitri ndërpreu ndeshjen Genoa-Fiorentina në minutën e 28 për shkak të terrenit të vështirë. Më 13 shtator 2015 takimi Sampdoria-Bologna u shty ashtu si edhe sfidat Sampdoria-Genoa dhe Sampdoria-Inter.

Manchester City turpëron Liverpoolin

Superndeshja e javës së katërt të Premier League mes Man. City dhe Liverpool foli me gjuhën e skuadrës së Pep Guardiolës. Në “Etihad Stadium”, vendasit e mbyllën ndeshjen me një fitore të thellë 5-0. Jurgen Klopp hodhi në fushë një skuadër sulmuese, duke e vendosur disa herë në vështirësi me Salah, Mane dhe brazilianin Firminho ekipin e “Citizens”, por për shkak të një pakujdesie në mbrojtje, Aguero u shkëput pas shpinës së kundërshtarëve duke e transformuar në gol asistin e De Bruyne.
Liverpool e mori goditjen më të rëndë në të 37-ën, kur Mane e la skuadrën me 10 lojtarë. Kaq mjaftoi që City të fitonte më shumë besim dhe pasi fitoi terren, gjeti edhe golin e dytë në minutën e fundit të pjesës së parë.
Pas rikthimit të skuadrave në fushën e lojës, Aguero i dhuroi një gol të sigurt brazilianit Gabriel Jesus. Në të 77-ën ishte radha e Sane që pas një kombinimi me Mandy gjeti edhe golin e katërt. Sërish Sane në minutën e parë shtesë gjeti edhe golin e pestë duke e turpëuar Liverpoolin me një nga humbjet më të thella të dekadës së fundit. Një sukses i merituar për skuadrën e Manchester City që ngjitet në kuotën e 10 pikëve pas 4 javëve të para.

Atletico pranë akordit për Diego Costan

 

Merkatoja e verës sapo është mbyllur, por bisedimet mes Atleticos së Madridit dhe Chelsea-t për Diego Costën vazhdojnë. Sipas raportimeve të fundit të mediave angleze, Los Colchoneros dhe Blutë e Londrës janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për rikthimin e sulmuesit të kombëtares spanjolle në La Liga. Sigurisht që kjo do të ndodhë në merkaton e janarit, kur Atleticos t’i hiqet pezullimi i marrë nga FIFA për merkaton në hyrje. Por ashtu siç bënë me Sevillan për Vitolon, të cilin e huazuan më pas te Las Palmas, Atletico kërkon t’i përshpejtojë procedurat, për të transferuar Diego Costën në Primera Division. Sulmuesi i kombëtares spanjolle është nxjerrë jashtë skuadre nga Chelsea dhe Costa dëshiron t’i bashkohet sa më shpejt Atleticos, për t’u përshtatur me shokët e tij të skuadrës dhe për të qenë gati për të luajtur sërish me Los Colchoneros në muajin janar. Për kartonin e Diego Costës, klubi madrilen do të derdhë në arkat e Chelsea-t, 32 milionë paund, rreth 35 milionë euro, ndërsa 28-vjeçari me origjinë braziliane do të përfitojë 10 milionë euro në sezon nga kontrata që do të firmosë me skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone.

Freiburg ndal në barazim Dortmundin

Ndalesa e parë për Borusian e Dortmundit në Bundesligë erdhi përballë Freiburg, pas një ndeshje që nëse do të shihje thjesht statistikat pa i kushtuar rëndësi rezultatit do të krijohej përshtypja e një fitoreje të thellë për verdhezinjtë, por ekipit nga Vestfalia nuk i mjaftoi as 80 për qind e kontrollit të topit dhe as 25 goditje drejt portës për të fituar në “Schwarzwald Stadion”. Në një ndeshje të dominuar ekipi i Bosz nuk arriti të shfrytëzojë madje as superioritetin numerik pas daljes me të kuq të Ravet, që në minutën e 27-të për një faull brutal në mesfushë.
Pas dy fitoreve radhazi në dy javët e para të kampionatit, ky ishte frenimi i parë për verdhezinjtë, që gjithsesi të paktën mund të ngushëllohen me faktin se ende nuk kanë pësuar gol në Bundesligë dhe pse në këtë përballje më rëndësi do të kishte patur fitorja, që sjell pikët sesa mospësimi i golit.

Levante ndal Realin

Levante ndal Realin e Madridit. Në javën e tretë të kampionatit spanjoll, Los Blancos nuk mundën dot të shkonin më shumë sesa një barazimi 1-1 përballë Levantes. Reali vinte në këtë takim me mungesa të rëndësishme, siç ishin ato të Cristiano Ronaldos, Luca Modriç dhe Raphel Varane. Tekniku Zidane erdhi në këtë takim me disa eksperimente përsa i përket formacionit. Në minutën e 12 Levante shtang portën e Realit teksa arrin të kalojë në avantazh në minutën e 12 të takimit, falë sulmuesit Ivi, i cili arrin t’i shmanget mbulimit të Dani Carvahal dhe e ndal topin në fundin e rrjetës. Pas këtij momenti i menjëhershëm reagimi i vendasve, të cilët shtojnë presingun për të gjetur golin e barazimit. Misioni përmbushet në minutën e 36, falë Lucas Vasquez.
Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1. Fillimi i fraksionit të dytë të lojës sheh sërish Realin më kërkues. Në të 61 goditja me kokë e topit nga ana e Gareth Bale përfundon mbi traun e portës. Më pas ishte Asensio ai që tentoi të sillte festë në “Santiago Bernabeu” në min e 70 dhe 82, por të dy tentativat e spanjollit nuk rezultojnë të suksesshme. Situata përkeqësohet për Los Blancos, me Marcelon që ndëshkohet me karton të kuq në të 88. Minutat shtesë sjellin përpjekjet e fundit nga ana e kampionëve të Spanjës, por sërish fati nuk është me ta. E djathta e Toni Kross në minutën e tretë shtesë përplaset në shtyllë. Kështu Reali i Madridit regjistron një tjetër barazim në kampionat, pas atij kundër Valencias.

PD braktis Parlamentin pas zgjedhjes së Ruçit në krye të Parlamentit, bashkohen me protestuesit

PD braktisi Parlamentin menjëherë pas zgjedhjes së Ruçit në krye të këtij institucioni me votat e PS dhe aletaëve të saj. Kryetari i opozitës, Basha dhe grupi i deputetëve të PD menjëherë pas votimit i’u bashkuan protestuesve përpara Parlamentit. Basha ju drejtua protestuesve duke deklaruar se Rama provokoi shqiptarët me vendosjen e Ruçit në krye të Parlamentit. Ai deklaroi se lufta me të keqen nuk do të ndalet për asnjë moment.