Qindra të përndjekur kanë bllokuar hyrjen e Parlamentit në protestë kundër zgjedhjes së ministrit të Sigurimit të Shtetit në krye të Parlamentit. Protestuesit kanë paralajmëruar se rikthimi i simboleve të diktaturës është një paralajmërim për ngritjen e një sistemi autoritar. Kryetari i të Përndjekurve Politikë, Çika tha se jemi përpara faktit se kjo mazhorancë po kërkon të rikthejë diktaturën.
Në “Olimpico” nuk do më presin mirë
Lucas Biglia do të rikthehet në stadiumin “Olimpico” pas një telenovele të gjatë verore që përfundoi me një fund të lumtur për të, por jo për tifozët e Lazios. Mesfushori i Milanit, që gjatë sezonit të shkuar mbajti edhe shiritin e kapitenit te bardhekaltërit, kërkoi një destinacion të ri në një klub më ambicioz dhe tashmë synon të nisë gjithçka nga e para. Në prag të sfidës kundër bardhekaltërve, argjentinasi e pranon se tifozët nuk do t’i rezervojnë një pritje të ngrohtë në Romë, por ai shton se do të jetë përherë i lidhur me Lazion, klub që e ndihmoi të bëhej një nga mesfushorët më të mirë të Serie A.
“Jam shumë i lumtur që do të rikthehem në Romë pasi do të takoj ish-shokët e skuadrës me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera. Me Piolin dhe Inzaghin nxora në pah aftësitë e mia. Lazio është një skuadër shumë e fortë dhe këtë e pamë në Superkupë. Është një skuadër që punon mirë në grup dhe me lojtarë shumë cilësorë. Leiva pasardhësi im? Ai është një lojtar i madh, por nuk do të jetë një duel mes meje dhe tij, sepse në fushë do të zbresin Milani dhe Lazio”.
Në vijim, argjentinasi flet edhe për objektivin e Milanit, duke mos preferuar të bëjë parashikime të parakohshme. “Ky është një Milan me shumë cilësi, por duhet të punojmë shumë për të bashkuar të gjitha pjesët. Nuk mund të flitet për titull pas dy javëve të para, por objektivi jonë më realist është kualifikimi në Champions League. Juventus mbetet ende skuadra më e fortë e Serie A”, përfundoi Biglia.
Gjithçka ishte e kryer, por mungonte vetëm zyrtarizimi. Trabzonspor bëri të ditur në “Twitter” gjetjen e akordit me klubin kuqezi për transferimin e sulmuesit argjentinas në Turqi. 32-vjeçari do t’i nënshtrohet menjëherë vizitave mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën, teksa Milani do të përfitojë 7 milionë euro nga ky operacion.
Diego Simeone komentoi sesionin e fundit të merkatos të Atleticos së Madrid-it, ku klubi spanjoll vuajti shumë edhe bllokimin e saj, të vendosur nga UEFA. Trajneri argjentinas deklaroi se më mirë që nuk bëri asnjë blerje dhe mbajti në ekip Griezmann, Saul e Koke, të cilët janë lojtarë të jashtëzakonshëm. 47-vjeçari u shpreh se është i lumtur nga kjo merkato e verës, pavarësisht penalitetit.
Debuton me gol
Nisi me një gol dhe një asist të pavullnetshëm që u kthye në një pasim për gol për Cavanin aventura e Kylian Mbappe te Paris Saint Germain. Blerja e dytë më e shtrenjtë e historisë së futbollit shkëlqeu në debutim me klubin kryeqytetas. Një meritë të madhe për këtë e ka prania në skuadër e Neymar Jr., me të cilin Mbappe u kuptua në mënyrë fantastike në fitoren 1-5 të formacionit të Unai Emery në transfertën ndaj Metz. I kënaqur me paraqitjen e tij, 18-vjeçari francez thuri elozhe për yllin brazilian.
“Është e thjeshtë të luash me të. Kemi zhvilluar vetëm 2 seanca stërvitore së bashku, por për t’u kuptuar me një futbollist si Neymar është realisht shumë e lehtë. Ai të transformon, e vetmja që duhet të bësh është të përshtatesh dhe Neymar të shndërron në një futbollist më të mirë”.
Me suksesin e thellë ndaj Metz, Paris Saint Germain siguroi fitoren e 5-të në po kaq takime të Ligue 1, gjatë këtij sezoni teksa kryeson kampionatin francez me pikë të plota 15. Megjithatë sipas Mbappe pavarësisht startit të shkëlqyer që i ka bërë sezonit, skuadra parisiene duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të vazhdojë të luajë me këtë ritëm.
“Arritëm një fitore të rëndësishme, unë shënova një gol, ndërsa skuadra luajti mirë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të jem i kënaqur. Ishte shumë pozitive të vazhdonim rrugën e fitoreve sidomos pas pauzës së kombëtareve. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë në çdo kompeticion ku luajmë. Duhet të vazhdojmë kështu sepse sezoni sapo ka filluar”.
PSG fiton thellë 5-1 në transfertën e Metz në një ndeshje pa shumë histori, ku mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu u aktivizua që nga minuta e parë duke përballuar me sukses në pjesën më të madhe të takimit lojtarin më të shtrenjtë të botës, Neymar. 25-vjeçari shqiptar që debutoi me kuqezinjtë në transfertën e Maqedonisë, u bë protagonist që në minutën e 13 duke ndalur brazilianin, ndërsa 3 minuta më vonë Neymar kreu një faull ndaj tij. Ishte Draxler që në fundin e pjesës së parë u ndëshkua me të verdhë për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër ndaj shqiptarit, i cili tentoi gjithashtu në të 63-ën për të gjetur katërkëndëshin, por pa sukses. Golin e parë të takimit e shënoi Edinson Cavani në minutën e 31 teksa mori një asist nga Neymar, ndërsa Emmanuel Riviere barazoi shifrat në pjesën e parë të takimit. Dalja me të kuq e Benoit Assou-Ekotto e komplikoi situatën për skuadrën vendase që pësoi golin e dytë. Ishte debutuesi Kylian Mbappe ai që e nisi me gol aventurën parisiene.
Neymar thelloi avantazhin e skuadrës kryeqytetase, ndërsa Edinson Cavani shtoi një tjetër gol në minutën e 75. Një tjetër brazilian, por këtë herë Lucas Moura sigloi edhe rrjetën e pestë për ekipin e PSG që konfirmohet në formë të shkëlqyer në këtë fillim kampionati.
Perisiç rinovon me Interin deri më 2022
Pasi refuzoi të gjitha ofertat që i erdhën gjatë merkatos së verës nga Manchester United për kartonin e tij, Interi blindon Ivan Perisiç me një kontratë të re. Marrëveshja ishte arritur prej kohësh, por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizmi. Kroati ka hedhur firmën mbi kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me klubin zikaltër deri në vitin 2022. Trajneri Luciano Spalletti e konsideron Perisiç-in një futbollist shumë të rëndësishëm për skemat e tij dhe ishte pikërisht trajneri italian ai që vendosi veton që 28-vjeçari të mos largohej me drejtuesit e Interit që refuzuan plot 50 milionë euro nga United, për sulmuesin e krahut edhe pse Jose Mourinho e dëshironte me çdo kusht në “Old Trafford”.
Në pamundësi për të firmosur me një lojtar të madh në këtë merkato, Spalletti mund ta gjejë te Perisiç top-player që kërkonte, sepse kroati tashmë është sërish i lumtur, synon të shpërthejë përfundimisht me ngjyrat zikaltër. Nga kontrata e re me Interin, Perisiç do të përfitojë një pagë të përafërt me kapitenin Icardi, sipas asaj që raportojnë mediat italiane në xhepat e kroatit do të përfundojnë 4,5 milionë euro plus bonuset. Për numrin 44 ky është sezoni i tretë me Interin, me Perisiç që deri tani ka zhvilluar në total 81 paraqitje duke realizuar dhe 21 gola. Menjëherë pas firmës mbi kontratën e re Perisiç deklaroi se kjo është një ditë speciale për të. “Jam i emocionuar dhe shumë i kënaqur pas stresit që përjetova gjatë kësaj vere, tani mendoj vetëm për Interin. Spalleti më pëlqen si trajner dhe ma ka bërë të qartë që me të mund të përmirësohem shumë më tepër”, theksoi sulmuesi kroat.
Mungoi Mavraj, Hamburgu u mposht nga Liepzig
Hamburgu vuan mungesën e Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes ndaj Liepzigut në ndeshjen hapëse të javës së tretë të Bundesligës. Pa futbollistin e kombëtares shqiptare në fushë, për arsye pezullimi, vendasit u ndëshkuan me dy gola në pjesën e dytë, pa mundur të ndryshojnë fatin e ndeshjes, që u mbyll me fitoren 2-0 të Liepzigut.
Pas një pjese të parë disi më të ekuilibruar, ku munguan golat, por jo rastet, kryesisht në portën e Hamburgut, vjen goli i parë i sfidës i shënuar në minutën e 67-të nga Keita. Goditje perfekte nga distanca e 22-vjeçarit, që nuk i dha asnjë shans reagimi portierit Mathenia.
Vetëm shtatë minuta më vonë, ndërkohë që Hamburgu e kishte mbyllur kundërshtarin në portën e tij, sulmuesi i kombëtares gjermane Tim Werner shpërthen me forcë një slallom nga gjysmëfusha e Leipzigut dhe pasi shmang dy mbrojtës shënon të dytin për miqtë. Leipzigu pati të tjera raste për ta thelluar rezultatin, me Hamburgun që u ul me këmbë në tokë pas pikëve të plota që mori në dy ndeshjet e para.
Emini: I lumtur për rikthimin te Shkëndija
Në fund fitoi ai. Largimi i tij nga Kukësi, me kampionët e Shqipërisë që pretendonin se ishte ende nën kontratë me ta, u kthye në një nga telenovelat e kësaj vere, por betejën ligjore në FIFA e fitoi pikërisht Izair Emini dhe jo Kukësi. Tashmë sulmuesi tetovar është gati për të mbajtur sërish veshur fanellën e skuadrës së vendilindjes së tij Shkëndijës, diçka që 31-vjeçari e dëshironte me çdo kusht, me Eminin që pret me padurim debutimin, i cili mund të vijë këtë fundjavë në ndeshjen ndaj Pobedas.
Në një sezon e gjysmë me Kukësin, Emini fitoi gjithçka që mund të fitohet në Shqipëri, ndërsa shënoi 20 gola në të gjithë kompeticionet me skuadrën verilindore. Por objektivi i radhës për sulmuesin është të fitojë një tjetër titull kampion me Shkëndijën. Së bashku me Hasanin, Cuculin dhe trajnerin Qatip Osmani, Emini ishte një nga protagonistët e titullit të vetëm kampion të fituar nga Shkëndija në Maqedoni në sezonin 2010-2011. 31-vjeçari beson se ky është viti i duhur që kuqezinjtë të fitojnë sërish kampionatin. Ndaj Pobedës këtë të dielë, Emini shpreson të debutojë dhe pse të shënojë, për të kënaqur publikun tetovar.
Salihi i jep tjetër fitore Neustadtit
Hamdi Salihi udhëhoqi Wiener Neustadt drejt fitores së shtatë në Ligën e Parë të Austrisë, duke ruajtur diferencën prej katër pikësh me Hartbergun e vendit të dytë. Sulmuesi shkodran realizoi të dy golat e sfidës ndaj Liefering, që nuk mundi të bënte asgjë veçse të dorëzohej përfundimisht me rezultatin 2-0.
Në minutën e 10-të ish-futbollisti i kombëtares shqiptare përfitoi nga një gabim i mbrojtjes duke goditur saktë thuajse nga vija e 16 metrave, me topin që përfundoi në trekëndësh. Po në pjesën e parë, pikërisht në minutën e 23-të, Salihi i pengua në mënyrë të parregullt në zonë, duke fituar një 11-metërsh që e shndërroi vetë në gol.
Ky rezultat i arritur në gjysmën e pjesës së parë mbeti në fuqi deri në fund të takimit. Për Salihin ky ishte goli i tetë në nëntë ndeshje të Ligës së parë të Austrisë, si dhe rasti i tretë që 33-vjeçari realizon 2-golësh.
Paloka nënkryetar i Parlamentit, Spaho kryetar i grupit
Edmond Spaho do të jetë kryetar i grupit të ri parlamentar të PD-së, ndërsa Edi Paloka do të jetë nënkryetar. Partia Demokratike vendosi gjithashtu që të propozojë Edi Palokën për postin e nënkryetarit të Parlamentit.
Zëdhënësja grupit parlamentar – Grida Duma;
Sekretar i grupit parlamentar – Ervin Salianji;
Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj- nënkryetarë të grupit të PD;
Oerd Bylykbashi- Nënkryetar grupi për reformat dhe komisionet “ad hoc”;
Bardh Spahia – Kryetar te Komisioni i Shëndetësisë;
Albana Vokshi – Kryetare te Komisioni i Medias;
Genc Pollo – Kryetar te Komisioni i Integrimit;
Florion Mima- N/kryetar te Veprimtaria Prodhuese;
Eduard Halimi – N/kryetar te Komisioni i Ligjeve;
Flamur Noka- N/kryetar te Komisioni i Sigurisë;
Jorida Tabaku – N/kryetare te Komisioni i Ekonomisë;
Tritan Shehu – N/kryetar te Komisioni i Jashtëm;
Hahn: Duhet një qeveri e përgjegjshme

Eurokomisioneri Johannes Hahn ka përcjellë një mesazh për shqiptarët në kuadër të aktivitetit të organizuar dje në Tiranë për mbylljen e shkollës verore europiane të Këshillit të Integrimit në BE. Komisioneri i BE thekson se të bëhesh anëtar i Bashkimit Europian është zgjedhje politike dhe sociale dhe për të arritur këtë duhet punë dhe reforma të vazhdueshme. Hahn theksoi se për të mundësuar integrimin europian të vendit duhet dialog ndërmjet të gjitha palëve të shoqërisë. Sakaq, ai përcolli mesazhin se Shqipëria duhet të ketë një qeveri të përgjegjshme.
Mesazhi i Hahn
Të dashur miq,
Këtu nga Brukseli do të doja t’ju përshëndesja dhe t’ju uroja për një javë të suksesshme shkollës verore europiane të Këshillit të Integrimit në BE.
Të bëhesh anëtar i Bashkimit Europian është një zgjedhje fondamentale politike dhe sociale. Është një çështje identiteti, si dëshironi modelin në jetën dhe shoqëria tuaj. Zgjedhja për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian është ajo që ju shqiptarët e keni patur për dekada.
Sidoqoftë, kthimi i aspiratave politike në ndryshime konkrete dhe në cilësi të përmirësuar jetese, paqe, dinjitet dhe prosperitet është gjithmonë shumë komplekse dhe kërkuese.
Kjo arrihet përmes punës së palodhur, reforma të vazhdueshme, si dhe dialog ndërmjet të gjitha palëve të shoqërisë. Kjo është detyra juaj. Përgatitja për të luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit.
Duhet të gjeni zgjidhje, duhet të keni sigurinë, përgjegjshmërinë e qeverisjes, jo vetëm për të sjellë Shqipërinë më afër ndaj standardeve europiane, por ta bëni BE një realitet për çdo qytetar në vendin tuaj.
Vendosmëria dhe ekspertiza juaj do të jetë shumë e nevojshme pas një viti intensiv reformash dhe zgjedhjesh. Ju do të keni një qeveri të re dhe Parlament të ri dhe në ditët në vijim.
Presim me padurim për këtë dhe mundësitë para nesh. Faleminderit që aplikuat dhe morët pjesë në shkollën verore europiane dhe urime Këshillit për punën e tyre të çmuar dhe angazhimin e tyre. Ju keni një shans unik për të qenë pjesë e ndryshimit transformues në vendin tuaj.