Jurgen Klopp nuk e konsideron dëshirën e artikuluar të Philippe Kutinjos për të shkuar tek Barcelona si diçka të pafalshme, madje ai thekson se situata është shumë e qetë e normale. Klopp deklaroi se braziliani Kutinjo ndihet mjaft mirë tek Liverpooli, si dhe shpjegoi arsyet e lënies jashtë të tij në ndeshjen me Manchester City-n. Në të vërtetë çështja Kutinjo u duk se komprometoi disi mbarëvajtjen e sezonit të Liverpoolit dhe spekulimet flisnin për një marrëdhënie të thyer mes tij dhe trajnerit gjerman, edhe pse oferta e Barcelonës ishte plot 114 milionë paund. Klopp u takua me 25-vjeçarin në seancën e parë stërvitore për lojtarin që pas dëmtimit të pësuar në muajin gusht, ku duhet thënë se numri 10 shkëlqeu dhe më pas menaxheri Klopp deklaroi se diskutimi i tyre ishte mjaft pozitiv, çka premton për një mbarëvajtje shumë të mirë.
“Mendoj se të gjithë bashkë e menaxhuam mjaft mirë situatën. Nuk është hera e parë që gjatë një merkatoje të ndodhin gjëra të tilla. Debatet ndonjëherë rezultojnë shumë konstruktive, kështu siç ishte në rastin tonë. Asgjë për të cilën është folur nuk është pafalshme, ndaj ne vijojmë të kemi një klimë shumë pozitive në grup. Nuk e di me saktësi për sa kohë ai do të vijojë të luajë me këtë klub, por për sa kohë të qëndrojë çdo gjë do të jetë e qetë”, u shpreh Klopp.
Kutinjo, i cili u aktivizua dy herë me kombëtaren braziliane për ndeshjet kualifikuese në Botëror, tashmë vijon me stërvitjen intensive dhe me shumë probabilitet do të rikthehet të veshë fanellën e kuqe gjatë javës së ardhshme për takimin e Champions League përballë Sevillas.
“U thashë djemve në dhomat e zhveshjes të mirëprisnin dy lojtarë të rinj në grup: Alex Oxlade-Chamberlain dhe Kutinjon. Siç mund ta kuptoni ata e mirëpritën shakanë. Philipp e dashuron futbollin ashtu si dhe këtë klub, ndaj mes nesh nuk ka asnjë problem. Gjithsesi, më duhej të merrja një vendim dhe me 7 ndeshje në tre javët e ardhshme mendoj se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’u stërvitur aq sa duhej, prandaj vendosa ta lë jashtë për ndeshjen me City-n në mënyrë që t’i përdorë ato 4-5 ditë për t’u stërvitur siç duhet. Kështu ai do të jetë i gatshëm për pjesën tjetër të sezonit. Kutinjo pranoi dhe biseda jonë ishte mjaft produktive”, përfundoi trajneri i Liverpoolit.
Manchester City dhe Liverpool përplasin brirët në ndeshjen e drekës të kësaj të shtune në orën 13:30 në “Etihad Stadium”, pas një starti të njëjtë të sezonit, ku të dyja skuadrat kanë shënuar nga dy fitore dhe një barazim në tri takimet e para të kampionatit.
Cityzens vijnë në këtë takim përballë një rivali direkt pas fitores in-enxtremis në fushën e Bournemouth, ku golin e 1-2 e realizoi Sterling në minutën e 7-të shtesë. 22-vjeçari në fakt do të mungojë ndaj ish-skuadrës së tij sepse u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pak pasi kishte shënuar, ndërkohë një tjetër mungesë e rëndësishme për Pep Guardiolën është Vincent Kompany, që vazhdon të jetë i dëmtuar. Në dyshim për arsye fizike është edhe Gundogan.
“Të kuqtë” udhëtojnë me moral të lartë drejt Manchesterit, pasi shkatërruan 4-0 në “Anfield” Arsenalin. Jurgen Klopp ka lënë jashtë skuadrës për arsye fizike Kutinjon, ndonëse braziliani u grumbullua me Brazilin dhe u aktivizua si zëvendësues në dy eliminatoret me Ekuadorin dhe Kolumbinë. Clyne dhe Lallana janë dy vazhdojnë të kenë probleme fizike, ndërsa të gjithë futbollistët e tjerë janë 100% të gatshëm ndaj City-t. Elementët që kanë dhe loja që aplikojnë të dyja skuadrat sugjerojnë një përballje me ritëm të shfrenuar përgjatë këtij 90-minutëshi, ku spektakli është i garantuar.
Çdo gjë normale
Dëshmia e gjallë e Dashit, atentatorit për vrasjen e diktatorit
Silvi BARDHI
Dashamir Hyseni Kovaçi rikthehet në Shqipëri pas 27 vitesh. Pas më pak se tre dekadash takohemi sërish. Takimi ynë i parë ishte pak ditë pas lirimit të tij nga burgu në vitin 1991. Isha 9 vjeçe. Ai hyri në familjen tonë, i buzëqeshur, i pashëm, me plot mall e krenari. Dashi, në sajë të afërsisë së gjakut me nënën time, gjeti ngrohtësinë e munguar të njerëzve me të cilët u rrit e thuri ëndrra, por që regjimi komunist ua shoi si dritën e diellit pas eklipsit, me persekutimin, burgosjen dhe varfërinë.
Dashamiri është djali i poetit Bajram Hysen Kovaçit, antikomunist nga Dibra i dënuar nga regjimi me 25 vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë. Djali i Ifete Kovaçit dhe vëlla i Teuta dhe Arben Kovaçit, të cilët u internuan në fshatin e thellë dhe të izoluar të Tiranës, Vrap.
Një familje e shkatërruar psikologjikisht, fizikisht dhe moralisht për shkak të bindjeve kundër regjimit. Dashi ishte talent në pikturë, ëndërr e cila nuk u realizuar kurrë. Talent i shkëlqyer në pikturë, më i miri, por që sot për të mbetet vetëm kujtim i një të shkuare të trishtë.
Plani për vrasjen e Enver Hoxhës
Dashi, siç e quajmë ne në familje, vuajti 16 vite në burgun e Spaçit, i dënuar pak vite më vonë, pas arrestimit dhe burgosjes së të atit Bajram Kovaçi, poet dhe personalitet i respektuar.
Dashi, djali i madh i familjes Kovaçi, kuptoi në vegjëlinë e tij se sistemi komunist po vriste me vetëdije familjen, ekonominë dhe të ardhmen e tij.
Ndaj më rrëfen sot pas 27 vitesh, arsyen e arrestimit.
Planifikoi të vriste Enver Hoxhën, më 29 nëntor të vitit 1973. U përgatit fizikisht, ka ushtruar për rreth tre vjet rresht duke menduar gjithçka, me të vetmin synim, eliminimin e diktatorit. Planin nuk e ndau me askënd, pasi si një familje e persekutuar me babanë të dënuar nga regjimi, ishte i rrethuar nga informatorë të regjimit.
Do të vendoste dinamit në blloqet e betonit ku do të qëndronte diktatori gjatë paradave. Madje edhe një plan B. Do të tentonte të vetëvritej bashkë me diktatorin. Por fatkeqësisht plani i tij dështoi në çastet e fundit nga agjentët e Sigurimit.
Më 22 shkurt të vitit 1974, Dashi u arrestua me akuzën e tentimit të vrasjes së Enver Hoxhës.
Vuajti 16 vite me radhë, dhunën fizike, rrahjet, torturat në ngrica e temperatura të larta, tentim-vrasjet në galeritë e minierave, kurthet e “miqve” spiunë brenda burgut, mohimin me detyrim të familjes, arsimimit dhe përbuzjes së rrethit të njerëzve.
Torturat
“Një prej torturave ishte prehja e një shkopi, të cilën na e vendosnin në fyt”, tregon Dashi, “e prehnin aq fort sa me të mund të vdisje në vend. E vendosnin në kraharor dhe e lidhnin shtrënguar me majën drejtuar drejt fytit, sa nuk kishe mundësi të ulje kokën, pasi vdekjen e kishe të sigurt. Na drejtonin kokën nga dielli përvëlues i verës. Shumë tortura. Një tjetër rast, më kërkonin që të arratisesha. Shoku im i burgut e kërkonte me ngulm. Unë i thoja, nuk arratisem, sepse kam nënën, motrën, vëllain në internim. Çfarë do të ndodhë me ta? Nuk mund të largohesha. Më pas nuk e di si më bindi dhe përballë meje kisha një kodrinë. Mendova se zona ishte e pastër. Nuk shihja njeri. Pasi eca pak drejt kodrinës, pashë një shkëlqim helmete dhe aty kuptova se ishte kurth për të më vrarë. Shkëlqimi i diellit mbi helmetë më shpëtoi jetën për të disatën herë brenda burgut”, më rrëfen me qetësi.
“Kam vizituar Shtëpinë e Gjetheve, më thotë. Kam parë emrin tim dhe të babait tim në shumë emra të të përnjekurve politikë. Kam vënë re edhe një Piramidë, e cila ilustronte qeverinë e asaj kohe. Vura re se piramida në majë të saj kishte Enver Hoxhën, si drejtues i shtetit në atë kohë. Enver Hoxha nuk duhej të ilustrohet edhe sot në majë të asaj piramide, atje në Shtëpinë e Gjetheve, Piramida e tij duhet të jetë e përmbysur”, rrëfen i indinjuar.
Kujtimet në vegjëli me Dashin
Mbaj mend takimin tonë të parë. Isha 9 vjeç dhe ende nuk kisha kuptuar se ç’po ndodhte me sistemin komunist. Në familjen tonë nuk u mbajt kurrë busti i bardhë prej gëlqereje i diktatorit, asnjë foto e tij, asnjë libër me kopertinë të kuqe, asnjë shenjë që identifikonte politikën e kohës, përveç orendive shtëpiake, të cilat ngjasonin në çdo familje, me kurime modeste nga duart e arta të babait tim.
Kjo derë ishte e hapur për njeriun, i cili simbolizoi në sytë e mi, si fëmijë, sakrificën, durimin, vuajtjen dhe mençurinë.
Dashi doli nga ajo derë e burgut që i mori jetën, rininë, familjen dhe të ardhmen, me njohuri të shkëlqyera në 9 gjuhë të huaja.
U rikthye i buzëqeshur, madje edhe sot buzëqeshja e tij nuk ka humbur.
E habitshme, por e vërteta është kjo. Sot Dashi është rikthyer në Shqipëri, pas një qëndrimi të gjatë mbi dy dekada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me dëshirën për të jetuar dhe kontribuar në atdhe më rrëfeu një tjetër pasion të fshehur të tij, natyrën. Dhe mbi këtë rrëfim unë e përlotur pata kënaqësi të bisedonim gjatë…
Te Groseto presin me ankth “yllin europian” Vilfor Hysa
Vilfor Hysa i ka dhënë lamtumirën Shqipërisë. Pas një karriere të gjatë me skuadra të ndryshme në Superiore apo të parën si Tirana, Teuta, Laçi, Flamurtari, Vllaznia, Kastrioti e Kukësi, sulmuesi shtatshkurtër që luante prej më shumë se 10 vitesh në futbollin tonë, ka vendosur që të provojë fatin e tij në Itali.
27-vjeçari nuk do e fillojë karrierën atje nga elita, siç ka ndodhur me emra të tjerë që janë transferuar përtej Adriatikut. Përkundrazi, zgjedhja e tij është paksa e çuditshme pasi ka vendosur të zbresë te Groseto, në Eccelenca, që është kategoria e 5 italiane. Fillimisht ai mendohej se do të shkonte te L’Akuila, por së fundmi zgjodhi Groseton.
Në mediat italiane, e shohin futbollistin si një element që do të bëjë menjëherë diferencën, edhe për faktin se vjen pas eksperiencave të shumta në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, si dhe nga pjesëmarrja në Ligën e Europës në klubet ku ka luajtur. Problemi i vetëm është dokumentacioni i tij. Sipas klubit, do të duhet rreth një muaj e gjysmë për ta parë në fushën e lojës, për shkak të vonesave të procedurave.
Por te Groseto janë të gatshëm të presin. “Kemi bërë një investim të rëndësishëm, tani presim një përgjigje të fortë nga të gjithë”, tha presidenti i skuadrës, Simone Ceri. Ndërsa Hysa ka bërë të qartë se do të synojë me këtë klub të bëjë gjëra të rëndësishme. “Ky duket si një qytet i denjë për Serinë B apo A”, tha sulmuesi shqiptar.
Agon Mehmeti bashkohet me Oxford
Një shqiptar në Ligën e Parë angleze. Bëhet fjalë për sulmuesin 27-vjeçar, Agon Mehmeti. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare ka nënshkruar me skuadrën e Oxford United pas eksperiencës së dështuar me turqit e Genclerbirligi. Ai ishte një lojtar i lirë dhe në këtë mënyrë, ekipi anglez ka arritur ta federojë dhe ta prezantojë si blerjen më të fundit. Mehmeti u kërkua nga trajneri Pep Clotet me të cilin ka bashkëpunuar edhe në vitin 2010 në radhët e suedezëve të Malmoes.
Sulmuesi shqiptar ka një eksperiencë të madhe me disa klube europiane dhe në 229 ndeshje të luajtura ai numëron 54 gola. “Jam shumë i lumtur që arrita marrëveshjen me këtë klub. E njoh trajnerin prej shumë vitesh dhe ky ishte një vendim shumë i lehtë për mua”. Mehmeti ka lindur në Podujevë, por karrierën e ka nisur në radhët e Malmos, ndërsa me kombëtaren shqiptare numëron tri ndeshje në vitin 2013. Përveç karrierës në Suedi ai ka luajtur edhe me Palermon, Novaran, Olhanensen dhe Stabaek.
Milani i pangopur në merkato
Milani ka qenë klubi më aktiv në merkaton e verës në Itali, duke shpenzuar shumë për të afruar thuajse një formacion të plotë. Por drejtori sportiv i kuqezinjve, Masimiliano Mirabeli, ka zbuluar se ka dy pengje për marrëveshje që nuk arriti t’i finalizonte.
“Një lojtar që e kërkuam dhe në fund nuk erdhi? Përveç Aubamejang, nuk mund të them emrin tjetër. Do ta tregoj pas disa vitesh”, tha ai duke ruajtur kështu misterin rreth këtij transferimi që nuk u konkretizua, përveç atij të sulmuesit të Borusia Dortmund.
Më pas, ai ka vlerësuar maksimalisht yllin e ri që po shpërthen në radhët e kësaj skuadre, 19-vjeçarin Patrik Kutrone. “Ai po kalon një moment të shkëlqyer, shpresojmë që të kemi për shumë kohë probleme të tilla bollëku në repartin e avancuar. Sa vlen aktualisht? Shumë, është një lojtar i datëlindjes 1998, një lojtar i rëndësishëm dhe do të kalojë shumë vite te Milani”, tha Mirabeli.
Formacioni më i paguar i Serisë A
Është normale që kur shpenzon më shumë dhe lufton për të pasur në skuadër edhe lojtarët më të mirë, ata duhen paguar më shumë se të tjerët. Dhe për këtë arsye, kuptohet se pse Juventusi i “përkëdhel” me miliona kampionët e saj, të cilët fitojnë të paktën në Itali prej 6 sezonesh radhazi.
Ndërkohë, edhe Milani është ngritur sivjet në këtë aspekt, me “diamante” si Xhanluixhi Donaruma, Leonardo Bonuçi dhe Andrea Konti, respektivisht me 6 milionë, 7.5 milionë dhe 3 milionë euro në vit, për portierin më të paguar, një prej qendërmbrojtësve dhe mbrojtësit të krahut të djathtë më të paguar në Serinë A.
Kjo 11-she, e më të paguarve për çdo rol, në një formacion 4-3-3 të stiluar nga studimi i pagave të lojtarëve, e bën Juventusin dominues, me plot 7 futbollistë pjesë e tij.
Ata janë Xhorxho Kielini, në qendër të mbrojtjes, me 3.5 milionë euro, Aleks Sandro me 2.8 milionë në korsinë e majtë, Miralem Pjaniç në mesfushë me 4.5 milionë; Sami Khedira sërish në mesfushë me 4 milionë euro.
Por edhe i gjithë sulmi përbëhet nga tre juventinë: Paulo Dibala me 7 milionë euro, Gonzalo Higuain me 7.5 dhe Duglas Kosta i ardhur sivjet nga Bajerni i Mynihut, me 6 milionë euro vjetor.
Ai që del jashtë dyshes Juventus-Milan është mesfushori belg, Razha Naingolan. Ylli i Romës është më i paguari në kryeqytet me 4.2 milionë euro vjetore.
Por një skuadër ka nevojë edhe për një trajner, prandaj është normale që më i paguari të jetë edhe ai, i cili ka më të paguarit në grupin që stërvit përherë. Bëhet fjalë për Masimiliano Alegrin, strategu i Juventusit, i cili sivjet ka startuar sezonin e tretë në krye të torinezëve.
CR7 fle 5 herë nga 90 minuta
Kristiano Ronaldo është një nga ata sportistë që kujdesen shumë për gjendjen e tyre fizike, duke u përpjekur që të jenë gjithmonë në maksimumin e potencialit të tyre. Stërvitjet e vazhdueshme me regjim të portugezit janë një gjë që e dinë të gjithë, por jo se ai ka ndryshuar komplet edhe ritmin e tij të gjumit dhe ka punësuar një nga ata që quhen “trajnerë gjumi”.
Trajneri i tij, Nik Litëllheils, ka treguar se si metoda që po aplikon, e ndihmon yllin e Real Madrid të jetë gjithmonë në maksimum. Rregulli numër 1 është që Ronaldo fle 5 herë në ditë, në secilin rast nga 90 minuta.
Litëllheils mendon se të flesh 8 orë radhazi nuk është aspak e natyrshme dhe të shkakton mungesë produktiviteti nga ora 1 deri në 3 të pasdites. Këto janë orare në të cilat futbollisti mund të jetë në fushë me skuadrën e tij dhe nëse nuk është në formë, do të ishte një problem i madh.
Ndaj ai ka vendosur këtë regjim të ri të lojtarit, i cili i ka kërkuar vetë që ta këshillojë si të marrë maksimumin nga rutina e përditshme në mënyrë që trupi të jetë gjithmonë në formë.
Sipas asaj që Litëllheills ka treguar për “The Indipendent”, Ronaldo aplikon rregullat e mëposhtme.
Pesë seanca gjumi nga 90 minuta secila gjatë ditës.
Ai fle çdo herë me çarçafë të rinj.
Shtrihet për të fjetur në pozicionin fetal, me gjunjët në anë.
Një orë e gjysmë para se të shtrihet të flejë, Ronaldo nuk sheh asnjë ekran, qoftë ai celulari, televizori, kompjuteri apo tableti.
“Ai ishte i interesuar për atë që po mundohesha të bëja pasi si atlet ka investuar gjithmonë te vetja. Nga ajo që kam mësuar nga puna me të, Ronaldo nuk është aspak i interesuar në dieta, nuk i intereson të kopjojë të tjerët, e vetmja gjë për të cilën shqetësohet është: a punon për të?”, tha Litëllheils.
Ronaldo jashtëtokësor
Trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane, në një intervistë për “Bein Sports”, ka folur mbi të ardhmen e tij, marrëdhënien me presidentin Florentino Perez dhe yjet e skuadrës që drejton. Mbi hapat e para në karrierën me ekipin e parë të Realit, Zizu u shpreh: “Marrëveshja me Florentino Perez ishte diçka shumë e shpejtë. Unë po përgatisja një ndeshje të ekipit tonë B, kur Perez më telefonoi dhe më propozoi që të merrja drejtimin e skuadrës së parë. Kjo është mënyra se si Florentino i merr vendimet. Planet e tij janë gjithmonë shumë të qarta. Ai e di se ku shkon dhe se çfarë kërkon”.
Për sa i përket stilit të lojës së aplikuar nga formacioni i drejtuar prej tij, ish-kampioni i botës tha: “Unë kërkoj që lojtarët e mi të luajnë sa më mirë. E di që kam një organikë me futbollistë të jashtëzakonshëm. Mënyra më e mirë për të mos vrapuar dhe për të mos u lodhur, është që të mbajmë topin. Gjithmonë përpiqemi të ruajmë zotërimin e tij më shumë se rivali, qoftë edhe sikur të kemi përballë një skuadër si Barcelona”.
Raporti me Kristiano Ronaldon ishte një nga temat interesante të intervistës së Zizusë, i cili nuk ngurroi të shpjegonte se si e bindi për të qëndruar në stol: “Kristiano është një djalosh shumë inteligjent, ai e njeh mirë veten, ndaj ishte e lehtë ta bindja kur duhej të pushonte. Kam futbollistë që mund të besojnë tek unë dhe mendoj se po e bëjnë. Ronaldo është një shembull për të gjithë ekipin dhe ai është më i miri”.
Kur erdhi biseda te virtytet dhe defektet, tekniku francez nuk u rezervua duke rrëfyer se: “Jam një person që duron shumë, por gjithashtu edhe të bërtas. Zakonisht i them në sy ato që mendoj”. Për sa i përket të ardhmes në stolin e kampionëve të Europës, ai u përgjigj shkurtimisht duke deklaruar: “Jam trajneri aktual i skuadrës, nuk mund ta di edhe për sa kohë”.
Pyetja e fundit e intervistës kishte të bënte me jetën dhe karrierën e Zinedine Zidanit nëse nuk do të ishte bërë futbollist e rrjedhimisht trajner i suksesshëm. Edhe këtu Zizu habit ashtu siç bënte në fushën e lojës duke deklaruar se: “Nëse nuk do të kisha ecur në futboll, do të kisha punuar si shofer transporti”.
Në lidhje me “tenorët” që janë edhe baza e sukseseve të tij, Zidan sqaroi: “Ramos është një lider, Ronaldo një jashtëtokësor dhe Benzema një talent i pastër”.
Francezi insiston se Ronaldo është nga një tjetër planet. Ronaldo këtë sezon është favorit për ta fituar Topin e Artë të pestë në karrierë, duke u barazuar kështu me Leo Messin.
Reali dhe Barça, ndeshje në Azi?!
Real Madrid-Barcelona mund të luhet në Azi. Tingëllon si diçka utopike, por drejtuesit e La Liga janë duke shqyrtuar mundësinë që këto dy klube të zhvillojnë disa takime të kampionatit spanjoll në vende si Chicago, New York ose me larg akoma në Pekin. Një ide të tillë në vitin 2008 e kishin propozuar dhe drejtuesit e Premier League, por në atë kohë ky propozim hasi reagime të ashpra nga ana e tifozëve, politikës dhe mediave. Është vetë presidenti i La Liga, Javier Tebas ai i cili e konfirmon një fakt të tillë. Sipas tij projekti është ende në fazat fillestare dhe po studiohet me shumë kujdes dhe ka për qëllim rritjen e të ardhurave për kampionatin spanjoll në nivele ndërkombëtare.
Charlie Stilinato, President i Relevent Sports, një promotor i organizimit të eventeve më të rëndësishme sportive gjithashtu konfirmoi se jemi në fazat e para të negociatave, me disa kampionate europiane, për të zhvilluar ndeshje jashtë vendit. Stilinato nuk preferoi të jepte emra, pasi sipas tij janë biseda konfidenciale. Për të parë “El Clasicon” që u zhvillua gjatë verës në turneun International Champions Cup, në Miami të pranishëm në stadium ishin 66.000 mijë spektatorë. Pikërisht prej këtij momenti ka lindur edhe ideja që Reali i Madridit dhe Barcelona disa takime t’i zhvillojnë jashtë Spanjës, pse jo ekziston edhe mundësia që edhe përballja mes dy klubeve të luhet në një prej vendeve si Chicago, New York ose Pekin.
Monaco, largimi i Mbappe sjell 4 lojtarë të rinj
Largimi i Kylian Mbappe te PSG dhe arkëtimi i jashtëzakonshëm që klubi i Monacos do të përfitojë nga transferimi i tij, ka bërë që drejtuesit e klubit monegask të lëvizin menjëherë fuqimisht në merkato duke afruar plot katër lojtarë të rinj, Stevan Jovetiç, Rachid Ghezzal, Adama Diakhaby dhe Keita Balde, të cilën u prezantuan zyrtarisht me skuadrën e tyre të re.
Senegalezi Keita Balde firmosi një kontratë pesë vjeçare me Monacon duke ardhur nga Lazio, ndërsa Jovetiç u largua nga Interi duke firmosur për katër vjet me monegaskët. Ghezzal u ble nga rivalët e Lyon pas një marrëveshjeje të mbyllur deri në vitin 2021, ndërsa Diakhaby u transferua nga klubi i Rennes. Zv.presidenti i klubit, Vadim Vasilyev gjatë konferencës për shtyp deklaroi se mund të nevojitet pak kohë që futbollistët të përshtaten nën urdhrat e trajnerit Leonardo Jardim, ndërsa Jovetiç theksoi se zgjodhi Monaco-n për të luajtur në Uefa Champions League.
Ndërkohë Arsenali ka arritur marrëveshjen me Monaco-n për marrjen e Thomas Lemar. “Topçinjtë” bënë të pamundurën gjatë verës për të blerë 21-vjeçarin, i cili në fund vendosi të qëndrojë në Principatë. Megjithatë “Daily Star” raporton se skuadrat kanë gjetur akordin për transferimin në Londër të Lamar, në janar të vitit 2018, ku mesfushori do të firmosë për 5 vjet.