Sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të shpeshtë duke kërcënuar në shumë raste privatësinë apo mbarëvajtjen e shërbimeve që ofrohen online. Shqipëria nuk është imune nga këto sulme dhe është detyra e institucioneve shtetërore që të garantojnë këtë. Por çfarë sigurie ofron realisht Shqipëria?
Në indeksin global të sulmeve kibernetike renditemi në vendin e 89 me një numër pikësh prej 0.314, pas nesh vjen Serbia me vendin e 90 dhe një nivel pikësh prej 0.311. Në total u morën në vlerësim të dhënat për 165 shtete të botës.
Në vendin e parë për nga siguria renditet Singapori, një ndër vendet më të zhvilluara në aspektin e teknologjisë. Ky shtet ka siguruar pikë në nivelin 0.925. Supozohet që vlera 1 garanton mbrojtje totale dhe sa më e ulët shifra pas tij aq më e ulët siguria.
Në vend të dytë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një nivel pikësh prej 0.919.
Më pak i sigurt ndaj sulmeve kibernetike është shteti i Guinesë Ekuatoriale në vendin e 165 dhe me një nivel pikësh zero, kurse mbi të është Jemeni me 0.007.
Raporti për indeksin e sigurisë kibernetike është një botim i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit pjesë e të cilit janë shumica e vendeve të botës. Indeksi rrotullohet rreth Axhendës së Sigurisë Globale të këtij Unioni dhe pesë shtyllave (ligjore, teknike organizative, ndërtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi).
Më 2016 rreth një për qind e gjithë e-mail-eve që u sulmuan me viruse që është niveli më i lartë i viteve të fundit.
Sulmet nga sistemet prekën në mënyrë të dukshme bizneset dhe konsumatorët, me fushata masive promovuese apo e-mail-e virale. Personat që fshihen pas këtyre sulmeve kërkojnë gjithmonë e më shumë nga viktimat me një mesatare që arriti në 1000 dollarë më 2016 nga rreth 300 dollarë që ishte një vit më parë.
Në maj 2017 një sulm kibernetik masiv shkaktoi shkëputje të kompanive dhe spitaleve në 150 vende, duke shfaqur hapur nevojën për më shumë bashkëpunim mes shteteve.
Të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike
Kina lë në baltë Korenë e Veriut
Kina thotë se do të mbështesë Kombet e Bashkuara në marrjen e masave të mëtejshme kundër Koresë së Veriut në përgjigje të provës së fundit bërthamore.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e reja në gadishullin korean”, tha të enjten ministri i Jashtëm, Wang Yi gjatë një konference shtypi në Pekin, “Këshilli i Sigurimit duhet të përgjigjet më tej dhe të marrë masat e nevojshme” për të zgjidhur krizën.
Por zoti Wang theksoi gjithashtu se, “sanksionet dhe presioni” duhet të bëhen krah për krah me “dialogun dhe negociatat” me Phenianin. Kina është aleati më i madh diplomatik dhe ekonomik i Koresë së Veriut dhe pretendon se sanksionet më të forta kundër Phenianit nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur tensionet në gadishullin korean.
Të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan, Donald Trump tha: “do të shohim se çfarë do të ndodhë”, kur u pyet nëse ai do të miratojë veprime ushtarake kundër Koresë së Veriut, duke shtuar se, “kjo nuk është zgjedhja e parë”. Presidenti Trump foli pas një bisede telefonike me Presidentin e Kinës, Xi Jinping.
I pyetur nga “Zëri i Amerikës” për çfarë bisedoi me udhëheqësin kinez lidhur me Korenë e Veriut, zoti Trump u përgjigj se, “Presidenti Xi kërkon të bëjë diçka për Korenë e Veriut”, por nuk është e qartë “nëse ai do të jetë në gjendje apo jo”.
Trump e cilësoi bisedën e tij me Presidentin Xi “si shumë, shumë miqësore”, duke shtuar se, “ishte një telefonatë shumë e mirë dhe zgjati shumë”.
Qëndrimi i Rusisë
Rusia është duke mbështetur gjithnjë e më shumë një strategji të kontrollit të armëve, për ta pranuar Korenë e Veriut si një shtet bërthamor, duke mos u pajtuar me Shtetet e Bashkuara dhe deri në njëfarë pike edhe me Kinën, që mbështesin vendosjen e sanksioneve për ta detyruar Phenianin të ulet në bisedime për çarmatim bërthamor.
Ndërsa u takua me presidentin koreanojugor në Vladivostok, presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje përsëri të enjten për dialog në zgjidhjen e krizës bërthamore me Korenë e Veriut dhe tha se nxitja e histerisë ushtarake rreth krizës së Koresë së Veriut ishte kundërproduktive dhe mund të shkaktojë një katastrofë globale. Ai tha gjithashtu se nuk është e mundur të zgjidhet kriza e Koresë së Veriut vetëm me sanksione dhe presion.
Duke u bërë jehonë komenteve të udhëheqësit rus, Alexander Nikitin, kreu i një institucioni akademik që drejtohet nga Ministria e Jashtme ruse, tha në një forum ndërkombëtar të mbrojtjes në Seul të enjten, se ka ardhur koha të ndalim kërkesën për një “çmilitarizim bërthamor të menjëhershëm për Korenë e Veriut dhe të ndjekim bisedime realiste të kontrollit të verifikueshëm të armëve”.
“Sanksionet, kufizimi i furnizimeve ushqimore dhe karburantit, nuk janë një metodë që do ta sjellë Korenë e Veriut në tryezën e bisedimeve”, tha zoti Nikitin që drejton Qendrën për Sigurinë Euro-Atlantike në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Akademiku rus sugjeroi trajtimin e Koresë së Veriut njësoj si Indinë dhe Pakistanin, dy vende ndaj të cilave u anashkaluan sanksionet nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, edhe pse ato testuan hapur armë bërthamore dhe refuzuan të nënshkruanin Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Sipas këtij traktati, vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca dhe Kina janë të lejuara të kenë armë bërthamore.
Kërkesa për sanksione të reja
Shtetet e Bashkuara kanë qarkulluar tek vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, një projektrezolutë për sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, duke kërkuar votimin e saj të hënën.
Projektrezoluta, që arriti të sigurohej nga “Zëri i Amerikës”, bën thirrje për embargo të naftës, benzinës dhe gazit të lëngshëm ndaj Koresë së Veriut.
Pheniani importon gati të gjithë naftën dhe gazin nga Kina dhe pa të, ekspertët thonë se ekonomia do të bllokohej shumë shpejt.
Projektrezoluta synon gjithashtu të ndërpresë eksportet e tekstileve të Koresë së Veriut që i sjellin vendit qindra miliona dollarë të ardhura në vit.
Ajo kërkon gjithashtu të forcojë kufizimet mbi mundësitë e Koresë së Veriut për të dërguar qytetarët e saj për të punuar në vende të huaja, që zakonisht iu kërkohet të dërgojnë pagat e tyre tek qeveria e Phenianit.
Presidenti rus, Vladimir Putin është bashkuar me Kinën në kundërshtimin e sanksioneve për Veriun, duke këmbëngulur se negociatat janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen. Të dy vendet kanë bërë thirrje për një kompromis që kërkon që Pheniani të heqë dorë nga programi i armëve, në këmbim të dhënies fund të manovrave të përbashkëta ushtarake vjetore mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
SHBA-Koreja e Jugut përfundojnë instalimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat
Ndërkohë, në Korenë e Jugut përfundoi të enjten instalimi i një sistemi të debatueshëm të mbrojtjes nga raketat, sistem i prodhimit amerikan, që synon mbrojtjen nga një goditje e mundshme nga Koreja e Veriut. Një autokolonë kamionësh transportoi katër raketahedhës që përbëjnë Sistemin e Mbrojtjes Ajrore në Lartësi (THAAD) në një fushë të vjetër golfi në qytetin jugor të Seongjut, ku do t’u shtohen dy raketahedhësve që tashmë janë operacionalë. Autokolona, e shoqëruar nga 8,000 policë, u desh të kalonte përmes një turme prej 400 demonstruesish, të cilët kishin organizuar një protestë duke u ulur në rrugën që të çonte për në vendin e vendosjes së sistemit të mbrojtjes nga raketat.
Banorët dhe aktivistët kanë ngritur shqetësime lidhur me zërat për rreziqe shëndetësore për shkak të radarëve të fuqishëm të sistemit dhe mundësisë që qyteti të bëhet një objekt i sulmeve nga Koreja e Veriut.
Kina dhe Rusia gjithashtu e kundërshtojnë vendosjen e sistemit THAAD në Korenë e Jugut, duke përmendur shqetësimet e tyre të sigurisë kombëtare. Pekini paraqiti një protestë zyrtare në Seul të enjten mbi komponentët shtesë të sistemit THAAD.
Dollari në pikën më të ulët nga viti 2004
Për të gjithë ata që duan të blejnë një produkt në dollarë apo të udhëtojnë në SHBA ka një lajm të mirë dhe e kundërta është për të gjithë ata që duan të kthejnë dollarët në lekë. Monedha amerikane ka arritur gjatë ditës së djeshme, jo vetëm në nivelin më të ulët të këtij viti, por edhe që nga tetori i 2014-s.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një dollar u këmbye dje me 110.67 lekë, me një rënie prej 0.69 lekë në raport me ditën e mëparshme.
Monedha e gjelbër është shumë më e lirë në raport me fillimin e këtij viti, kur ai këmbehej me gati 130 lekë. Dje, për të blerë 100 dollarë duhen rreth 11 mijë lekë, ndërsa në janar për të blerë të njëjtën sasi dollarësh ishin në nevojshme rreth 13 mijë lekë. Pra, kursimi është gati 2,000 lekë për 100 dollarë.
Rënia e dollarit i bën importet e produkteve që blihen me këtë monedhë më të lirë. Kursimi është veçanërisht i lartë për naftën, që blihet me dollarë dhe ku tregtuesit mund të amortizojnë rritjen e çmimeve në bursa përmes zhvlerësimit të monedhës së gjelbër. Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 20% e importeve blihen në dollarë.
Edhe për blerjet online ka më shumë leverdi të kryhen në dollarë apo dhe gjithë tregtarët që punojnë me Turqinë për blerjen e veshjeve e mallrave të ndryshme.
Në të kundërt, euro është forcuar gjatë ditës së djeshme në tregun e brendshëm, duke u ngjitur sërish në 133.29 lekë, pas rënies që shënoi në ditët e para të javës. Arsyeja kryesore e forcimit të euros lidhet me ecurinë e saj në bursat ndërkombëtare ku euro arriti dje në 1.21 USD, në nivelet më të larta që nga janari i vitit 2015. Pavarësisht nervozizmit të tregjeve për nivelin e lartë të euros, sërish ajo ka vijuar të mbetet e fortë. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, gjatë ditës së djeshme sinjalizoi se mund të kishte plane në tetor për të hequr dorë nga stimujt mujorë prej 160 miliardë eurosh, pavarësisht euros së fortë, çka e mbajti lart monedhën e përbashkët.
Ndonëse në bursa euro është e fortë, në tregun vendas ajo vijon të jetë e nënvlerësuar. Në Shqipëri, në janar 2015, kur euro është në të njëjtat nivele me dollarin si dje, ajo arriti për disa ditë edhe mbi 140 lekë, ndërsa dje ajo kuotohej me më pak se 134 lekë.
Si u organizua kryengritja antikomuniste e Postribës
Shtatorin e 71 viteve më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend. Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore.
Në malet e veriut, ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit etj., në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj., po kështu në Shllak etj.
Në Postribë situata ishte në shpërthim. Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjerë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj.
Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë.
Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Në mbledhje morën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Më datën 07.09.1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës.
Dëshmia e Hamza Kazazit
“Qysh më ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri”, thotë i biri i Jup Kazazit. Sipas tij, është e dokumentuar se Koçi Xoxe e Enver Hoxha kërkonin kapjen me çdo kusht të Jup Kazazit, sepse po organizonte një kryengritje të armatosur. Ai dhe 4 vëllezërit e tij ishin dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, edhe pse vetëm 2 prej tyre ishin marrë me politikë. Dhe mes largimit nga Shqipëria e rezistencës, ata zgjodhën këtë të dytën. “Terrori ishte i tmerrshëm. Janë pushkatuar katundarë që u kanë dhënë vetëm një gotë qumësht kryengritësve. Megjithatë, është bërë i mundur komunikimi dhe ishte vendosur që kryengritja të zhvillohet në Shkodër, Mirditë. Madje, krerët e Dibrës po përgatisnin kryengritjen në Dibër e Kosovë. Ishin lidhur edhe me Pukën, madje pjesërisht dhe në Jug. Për fat të keq, prej terrorit të madh ishte jashtëzakonisht i vështirë komunikimi dhe nuk u arrit të organizohej një kryengritje e përgjithshme dhe Postriba, me në krye bajraktarin dhe patriotë të tjerë, pa dallim principesh politike u bënë të gjithë bashkë. Njerëz të thjeshtë të Postribës e Shkodrës u çuan me armë për të luftuar”, tregon Hamza Kazazi, i cili numëron mes njerëzve të tij 9 të vrarë dhe 9 të burgosur, me nga 5-22 vite burg. “Persekutimi ishte i tmerrshëm. Nëna ime, grua e re me dy fëmijë, punoi punëtore krahu nëpër ferma e ndërtim. Gjithë rrethi im, gjithë Kazazët, vajzat e reja kanë punuar në punët më të rënda. Kurse unë kam punuar vetëm në fermë. Time më erdhën ta merrnin teksa dergjej me ethe në shtrat. Do ta merrnin me gjithë dyshek, por i shpëtoi internimit me një raport të doktor Shirokës”, thotë ai, teksa kërkon që të gjitha këto të vërteta të thuhen. “Faktet dhe dokumentet nuk na mungojnë”, thotë ai.
Lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore
Lëvizja e Postribës është lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste diktatoriale, prandaj me shumë dëshirë dhe të bindur morën pjesë në këtë lëvizje që ka vlera të mëdha në planin lokal, kombëtar, politik dhe gjeopolitik. Marrëveshja e Jaltës, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqëror. I gjithë kombi shqiptar pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyen nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50 vite një prej diktaturave më të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.
Prandaj lëvizja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar. Sami Repishti për këtë ngjarje është shprehur: “Ushtarakisht lëvizja e 9 shtatorit 1946 ka kenë një akt i guximshëm i papërgatitun. Lëvizja dëshmonte një politikë kriminale që po zbatohej”. Rasim Gjyrezi, Riza Dani dhe Dulo Kali, Paulin Pali për nacionalistët, ishin pjesë shumë e rëndësishme e lëvizjes krahas grupeve të tjera. Këto nacionalistë dhe qytetarë patën vetëdijen dhe e parashikuan se komunizmi në Shqipëri, do të sillte vetëm varfëri dhe krim, prandaj u lidhën me shumë sinqeritet me këtë lëvizje, për të ndikuar sadopak për pengimin e vendosjes të pushtetit komunist dhe diktaturës sllavo-komuniste. Lëvizja nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. Shqipëria ishe “përcaktuar” të vuante diktaturën 50-vjeçare, falë edhe qeverisjes diktatoriale të Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij. Prandaj Lëvizja e Postribës duhet të marrë vlerat e saj si në planin politik, historik dhe gjeopolitik. Kryengritja e nacionalistëve, elitës së qytetit të Shkodrës dhe e fshatrave përreth, ishte shkëndija e parë për rezistencën antikomuniste jo vetëm tek ne, por në të gjithë Evropën.
Gjeopolitika në rajon ka pas dhe ka një rëndësi të madhe. Fitorja e forcave aleate e vuri Shqipërinë në krahun e fituesve, gjë që u shfrytëzua në formën më kriminale nga regjimi i Enver Hoxhës, duke vrarë elitën dhe shkatërruar vendin në planin ekonomik, shoqëror dhe shpirtëror. Sipas marrëveshjes së Jaltës, Shqipëria ra nën thundrën komuniste 50-vjeçare, dhe Kosova u la si pjesë e ish-Jugosllavisë. Pikërisht faktori i jashtëm dhe tradhtia që i bëri klika e Enver Hoxhës Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët, duke e shitur Kosovën tek ish-Jugosllavia titiste, e “parashkruan” në njëfarë mënyre fatin e kryengritjes së Postribës dhe të shumë të dënuarve dhe të pushkatuarve në burgjet ish-komuniste.
Historia e Postribës
Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjeten e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazes 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Por shumë shpejt ashtu si gjithë shqiptarët, por pastriborët më parë se të tjerët e kuptuan mashtrimin e madh komunist, natyrën e tyre antinjerëzore, antidemokratike, antifetare, antiperëndimore dhe iu kundërvunë asaj.
Ikje masive edhe nga Kosova?
Pamjet duket se u ngjasojnë atyre të fillimvitit 2015. Në mbrëmjen e së mërkurës, në stacion gjendej edhe Sali Aliaj, ish-taksist, nga Mitrovica. Me disa valixhe në duar, së bashku me gruan dhe dy fëmijët, tha për Radion Evropa e Lirë se ia ka mësyrë Gjermanisë, përmes Serbisë.
“Pa viza, pa asgjë… në dorë të Zotit, ku të mundemi do të shkojmë diku të punojmë, se këtu nuk ka perspektivë, nuk ka punë, asgjë. Do të shkoj zorit e lloçit, veç të dalë diku në punë e ta fitoj bukën”, ta zoti Alija.
Përfaqësues të agjencive, të cilat mbajnë relacione të rregullta udhëtimi me autobus Kosovë-Serbi, tregojnë se në ditët e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të udhëtuar në drejtim të Beogradit.
Përparim Pushkolli, menaxher i shitjes së biletave në agjencinë “Adio Turs”, tha për Radion Evropa e Lirë se, kohëve të fundit është shtuar numri i udhëtarëve drejt Serbisë.
“Nuk e di se ku ata po shkojnë, por këto dy-tri ditët e fundit është e vërtetë që ka një fluks nga stacioni i autobusëve në Prishtinë. Kryesisht të rinj që po dalin”, tha Pushkolli, duke shtuar se nuk e di saktë cili është destinacioni i fundit i udhëtarëve të tyre.
“Ky fluks, e kam fjalën për të mërkurën dhe të martën, ngase më herët nuk ka pasur. Po i shfrytëzojnë autobusët tanë deri në Beograd, mandej çka bëjnë nuk e di”, tha Pushkolli.
Megjithatë, të dhënat zyrtare flasin se nuk bëhet fjalë për, siç thuhet, ikje në masë, siç ka pasur në muajt e parë të vitit 2015. Atëbotë, qytetarët e Kosovës shfrytëzonin qytetin Suboticë të Serbisë, i cili gjendet afër kufirit me Hungarinë.
Çdo ditë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë për në Beograd, nisen nga pesë autobusë në linjën e rregullt. Përfaqësues zyrtarë të stacionit të autobusëve në Prishtinë hedhin poshtë pohimet se ka fluks ikjesh.
Sheqir Abazi, koordinator i ndërrimit tha për Radion Evropa e Lirë, se nga stacioni i autobusëve aktualisht janë duke operuar linjat e rregullta dhe nuk ka kërkesa për linja të reja.
“Nuk ka fluks të njerëzve që shkojnë jashtë vendit. Kemi pesë nisje gjatë 24 orëve që operojnë në drejtimin Prishtinë–Beograd. Prej tyre, dy nisje paradite dhe tri pasdite. Të mërkurën në ndërrimin e tretë kam punuar unë. Janë dhënë 40 bileta si çdo herë që jepen për relacionin Prishtinë-Beograd”, tha Abazi.
Edhe në qendrën për menaxhimin e stacionit të autobusëve në Beograd, thonë se nuk ka numër të shtuar autobusësh, përveç pesë linjave të rregullta që qarkullojnë në relacionin Prishtinë–Beograd. Sipas të dhënave nga kjo qendër, në vitin 2015, numri i autobusëve në këtë linjë sillej nga 10 deri në 12 në ditë.
Mbrëmjen e së mërkurës kishte më shumë njerëz se zakonisht, por disa prej tyre thoshin se kishin dalë të shtyrë nga kureshtja për të parë nëse ka ikje.
Edhe autoritetet e rendit kanë hedhur poshtë pohimet për diçka të tillë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se, “janë ndërmarrë veprime për verifikim të informacioneve dhe bazuar në punën operative të zyrtarëve policorë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe autoritetet tjera, është konstatuar se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve dhe nuk ka vend për shqetësime të tilla”.
Tillerson: Riorganizim në Departamentin e Shtetit

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson është zotuar të kryejë një riorganizim madhor të Departamentit amerikan të Shtetit. Të mërkurën, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Ed Royce, ishte i pranishëm në një takim që u mbajt në Departamentin e Shtetit, ndërsa një numër ish-ambasadorësh dhe udhëheqësish biznesi dorëzuan një raport me rekomandime për reformimin e Departamentit të Shtetit. Ky grup dypartiak ekspertësh thotë se është e nevojshme për ta fuqizuar Departamentin e Shtetit, në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe të shpejta të sfidave dhe kërcënimeve globale. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Ed Royce, tha se ai e ka shprehur qartë mendimin e tij se nuk i mbështet shkurtimet e thella në Departamentin e Shtetit dhe në Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, të propozuara nga administrata Trump.
“Kur administrata njoftoi 30 për qind shkurtime, unë shpreha shqetësim dhe thashë se ne duhet t’i mbështesim dhe jo t’i ndërpresim programet e antiterrorizmit, të zbatimit të ligjit dhe ato humanitare, përballë shtimit të rreziqeve sot”, tha zoti Royce.
Ed Royce i kërkoi sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, që të veprojë me shpejtësi për të plotësuar vendet bosh të zyrtarëve të lartë, si në Departamentin e Shtetit, edhe në ambasadat amerikane në vende të ndryshme të botës.
“Punonjësit e Departamentit kanë nevojë për një zinxhir komande të efektshëm, me qëllim që të zbatojë politikat e administratës dhe detyrat kryesore të sigurisë kombëtare”, tha zoti Royce.
Një grup dypartiak ish-ambasadorësh ishin dakord me këtë qasje, duke thënë se raporti i tyre argumenton se është e nevojshme që Departamenti i Shtetit të fuqizohet, duke pakësuar numrin e sektorëve dhe zyrave dhe për ta bërë të detyrueshëm trajnimin e punonjësve të nivelit të mesëm.
“Ne nuk mund të përballojmë të kemi një Departament Shteti të dobët, me mungesë fondesh, të drejtuar jo mirë, të patrajnuar siç duhet dhe me shumë burokraci. Ne duhet ta fuqizojmë dhe përmirësojmë atë, në mënyrë që të japë më tepër rezultate”, tha ish-ambasadori Crocker.
Një ish-zyrtar i lartë për financat në Departamentin e Shtetit tha se, kostoja e sigurisë diplomatike është rritur së tepërmi që nga koha e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.
Haradinaj kërkon votën e deputetëve
Mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Ramush Haradinaj do të përballet të shtunën me votimin në Kuvendin e Kosovës për kabinetin qeverisës, i cili sipas Kushtetutës, do të marrë besimin për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme.
Seanca është caktuar për pasdite, nga ora 16:00. Zgjedhja e qeverisë kërkon mbështetjen prej të paktën 61 deputetëve.
Ndonëse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar mbajtjen e seancës për votimin e qeverisë së re të Kosovës, për ditën e shtunë, Haradinaj, ende nuk i ka emrat e atyre që do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.
Të paktën, kështu ka deklaruar vetë zoti Haradinaj, i cili ka thënë se ende nuk i ka emrat e ministrave, të cilët do t’i drejtonin dikasteret në qeverinë e tij.
“Jemi duke i bërë përgatitjet për seancë, për nesër (e shtunë). Seanca mund të jetë pasdite. Besoj që jemi në rregull me përgatitjet. Është traditë – unë e kam bërë këtë edhe në vitin 2004 – që kur e thërret seancën, në këtë rast grupi parlamentar, seancën për qeverinë, për programin qeverisës, që me kërkesën së bashku të dorëzohet edhe një program. Por, ky nuk është program i PAN-it, sepse ai bëhet pas një kohe dhe i prezantohet Parlamentit, shoqërisë dhe të gjithëve, por vetëm qëllimet qeverisëse, si dhe lista e kabinetit. Jam duke e plotësuar, por kam vështirësi, sepse nuk m’i kanë sjellë ende krejt emrat”, tha Haradinaj.
Në qeverinë e re, pritet që dikasteret të drejtohen nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe komunitetet e tjera pakicë.
Partia Demokratike e Kosovës, kryesia e së cilës ka mbajtur mbledhje të premten, ka paralajmëruar se në mbrëmje, i dorëzoi zotit Haradinaj emrat e ministrave nga kjo parti.
Lideri i kësaj partie, Kadri Veseli ka thënë se emrat do të publikohen shumë shpejt.
“Do të jenë njerëz që kanë kapacitete morale dhe intelektuale dhe në të njëjtën kohë nuk kanë asnjë pengesë ligjore apo etike që të jenë ministra”, tha Veseli.
Në anën tjetër, Lista Serbe, një ditë më parë ka theksuar se lidhur me pjesëmarrjen në qeverinë e Kosovës do të konsultohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, si dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.
Por, i mandatuari për krijimin e qeverisë së re të vendit, Haradinaj, ka theksuar se në vend tashmë është krijuar një traditë e bashkëpunimit me serbët e Kosovës dhe pret që kjo traditë të vazhdojë edhe me Listën Serbe.
“Kjo traditë është e mirë në Kosovë. Çdo qeveri e formuar ka bashkëpunuar me të zgjedhurit e serbëve. Edhe unë jam i hapur të bashkëpunoj me Listën Serbe, pra, me të zgjedhurit e komunitetit serb, sikurse edhe me komunitetet e tjera. Është një komunikim korrekt, por nuk mund të flas për ndonjë epilog tani”, tha Haradinaj.
Sidoqoftë, krijimit të qeverisë së re, i është hapur rruga pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit në seancën e ditës së enjte. Kjo seancë ishte vazhdimi i shtatë i seancës, e cila kishte nisur më 3 gusht. Deri ditën e enjte, koalicioni PAN-nuk kishte arritur të siguronte votat e nevojshme për zgjedhjen e Kadri Veselit në postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe nënkryetarëve të tij, në mënyrë që ta përfundonte procesin e konstituimit të legjislativit.
Berisha-Falenski: Duhet opozitë e fortë ndaj një mazhorance të kapur
Ish-Kryeministri Berisha priti dje në një takim këshilltarin e lartë për Politikën e Jashtme në Grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestag, zotin Hans-Joachim Falenski dhe zotin Valter Gloss përfaqësues për Shqipërinë i fondacionit Konrad Adenahuer.
Zoti Berisha dhe këshilltari i lartë gjerman Falenski diskutuan gjerësisht mbi situatën në vend. Zoti Falenski shprehu vendosmërinë e tij dhe të CDU për një ndihmë të gjithanshme ndaj Partisë Demokratike, që ajo të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të japë ndihmesën në procesin e integrimit të vendit në BE.
Zoti Berisha i shprehu zotit Falenski falënderimet për grupin parlamentar dhe CDU për interesin e madh që tregon për PD dhe Shqipërinë, ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë PD dhe do të vazhdojë të japë me modelin e saj të suksesshëm në politikëbërjen gjermane.
“Përballë një mazhorance të kapur nga krimi dhe korrupsioni është e nevojshme një opozitë e fortë dhe për këtë ndihma e grupit parlamentar të CDU dhe fondacionit Konrad Adenauer do të jetë mjaft e vlefshme”, tha zoti Berisha.
Larg Messit Neymar një gjigant në fushë
Legjenda e Brazilit dhe futbollit botëror, Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele, shprehet se ndihet krenar për ngritjen në majën e futbollit botëror të talentit brazilian Neymar. Kur flet për 25-vjeçarin, Pele shfaqet mjaft pasionant pasi duket se rrëmbehet edhe nga kujtimet e së shkuarës. Neymar i evokon Pele-së rininë e tij, karrierën e shkëlqyer që nga ngritja me Santosin e më pas me Brazilin. Gjatë një interviste që 76-vjeçari dha në Barcelonë u shpreh se njerëzit e pyesin për Neymar gjatë gjithë kohës.
“Të gjithë duan të dinë si ndihem unë kur e krahasojnë atë me mua. Ajo që mund të them është se ndihem krenar për këtë futbollist të ri. Im bir ka qenë trajner i të rinjve tek Santos dhe unë e njoh atë e të atin e tij prej shumë vitesh. Jam shumë krenar që ai është një produkt i Santos dhe shpresoj shumë që të jetë po aq fatlum sa dhe unë në karrierën e tij si futbollist”, shprehet Pele.
Në të vërtetë janë të shumtë lojtarët që përgjatë viteve i kanë cilësuar si Peleja i ri, por asnjë prej tyre nuk ka arritur të ngjitet deri në piedestalin e brazilianit. Pele e drejtoi Brazilin në tri fitore të Kupës së Botës, si dhe numëron një rekord prej 1281 golash në karrierë.
“Më kujtohet një episod me tim bir kur ishte trajner i të rinjve tek Santos, më thotë se kishte një fëmijë mjaft të talentuar, por unë nuk e prisja kurrë që të ishte i këtyre niveleve”, shton Pele.
Edhe Neymar si Pele ishte ylli i Santosit, por tek Barcelona gjërat ndryshuan, braziliani ishte pjesë e trekëndëshit me Lionel Messin dhe Luis Suarez. Gjatë prezantimit tek Barça më 2013, Neymar deklaroi për mediat katalanase se ndodhej atje për të ndihmuar Messin, ndërsa sot pas largimit tek PSG ai e cilësoi Messin si atletin më madhështor që ka parë në jetën e tij, ndërkohë që tashmë për të është koha e sfidave të reja në karrierë.
“Tani ai përballet me një përgjegjësi shumë më të madhe. Njerëzit kanë filluar të krahasojnë Neymar me Messin dhe për mua padyshim që ai është lojtari më i mirë në pozicionin e vet. Nuk ka dyshime se e presin vetëm suksese në të ardhmen edhe pse ka gjëra që duhet ende t’i përmirësojë. Sot edhe pse me stile të ndryshme, Cristiano Ronaldo, Messi dhe Neymar janë lojtarët më të mirë në botë”, vijon Pele.
Gjatë 9 viteve të fundit “Topi i Artë” është fituar ose nga Messi respektivisht 5 herë, ose nga Ronaldo katër herë, ndërkohë që pritet që në muajin dhjetor portugezi të fitojë të pestin.
“Tani është momenti që Neymar të shfaqë gjithë talentin e tij. Mendoj se kalimi tek Parisi ishte vendimi më i mirë për Neymar. Aty do të ketë mundësinë të shfaqet siç është, një gjigant pa hijen e askujt. Besoj se ai do të jetë ndër lojtarët më të mirë në Kupën e Botës Rusi 2018”, përfundon Pele.
Katër parti: Kjo është demokraci e rreme
Më lejoni që në emër të partive tradicionale shqiptare që besojnë në filozofinë politike të konservatorizmit modern, të ftoj çdo shqiptar që mendon se ka ardhur momenti të respektojmë të vërtetën e së shkuarës si kusht për të ardhmen tonë, të marrë pjesë të shtunën, ora 11 në Spaç në një takim simbol të antikomunizmit, në ditën që shënon kryengritjen e parë kundër komunizmit në Shqipëri dhe në Europë.
Ne sot jemi njëlloj si dje, pushtetin e kanë të njëjtit njerëz ose bijtë e tyre, ata që ishin dje, të njëjtën filozofi drejtimi, atë të Marksit, festojmë datën e çlirimit të vendi tjetër ashtu si në socializëm, festojmë ditën e dëshmorëve, atë të komunizmit, sot në shkolla mësohet e njëjta histori politike me atë të diktaturës, e gënjeshtërt, sot shtiren se janë pro besimit fetar, dje po ata ndaluan predikimin e tij, pasurinë kombëtare dje e drejtonin në emër të shtetit, sot në emër të biznesit, fjalën e lirë dje nuk e lejonin, sot e kontrollojnë tërësisht, zgjedhjet dje detyronin votimin, sot kontrollojnë numërimin, mungesa e lirisë dje është zëvendësuar nga iluzioni i lirisë sot.
Sot jemi më të qartë se kurrë se, regjimi diktatorial nuk është shkatërruar, por vetëm është shndërruar në një demokraci të rreme me vese despotike, prandaj duhet ndryshuar sistemi mental i klasës drejtuese politike.
Ne besojmë se me ndryshimin e sistemit shoqëror duhet të ndryshojë sistemi i referimit nga dhuna tek liria. Ne besojmë se sistemi i vlerave në liri krijon një truall të përbashkët për njerëzit që mendojnë ndryshe.
Ne do të formësojmë një platformë dekomunistizimi të shoqërisë shqiptare, të cilës do t’i japim jetë nëpërmjet mekanizmit politik të partive tona mbështetur në besimin tuaj dhe në moralin tonë.
Ftoj të na bashkëngjitet çdo familje që ende mban mbi shpinë dhembjen e internimeve, të burgimeve, të pushkatimeve, të mungesës së një varri për të afërmit e tyre.
Ejani me ne të lutemi së bashku në monumentin e vuajtjeve të njerëzve tanë, por edhe për të treguar që ekzistojmë.
Unioni i shoqatave të ish-të përndjekurve politikë
Partia e të Drejtave të Mohuara
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia e Bashkimit Liberal Demokrat
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat