Ish-Kryeministri ka shprehur refuzimin e parë ndaj Parlamentit të ri duke refuzuar drejtimin e seancës së parë të tij. Besnik Baraj, deputet i Partisë Socialiste do të drejtojë seancën e parë të kostituimit të Parlamentit të ri të dalë pas zgjedhjeve të qershorit.
Baraj konfirmoi se ishte njoftuar nga sekretaria e Kuvendit se, do të jetë ai që do të drejtojë dy seancat e kësaj të shtune.
Kjo pasi siç mësohet ish-Kryeminisyri Sali Berisha, siç kishte bërë në vitin 2013, ka refuzuar ta drejtojë këtë seancë edhe pse është deputeti më i madh në moshë.
Po kështu mësohet se edhe dy deputetë e tjerë, Halim Kosova dhe Tritan Shehu kanë refuzuar ta drejtojnë seancën duke u bërë kështu në bllok si opozitë.
Këtë të shtunë është parashkuar që Kuvendi i Shqipërisë të mblidhet 2 herë.
Në orën 10:00, seanca parlamentare do të zgjedhë Këshillin e Verifikimit të Mandateve, i cili do të mbarojë shqyrtimin e dokumentacionit të deputetëve brenda ditës, ndërsa në orën 18:00 seanca do të mblidhet për betimin e deputetëve.
Votimi i Ruçit- Në seancën e pasdites, ora 18:00, do të zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit, ku deri tani ka vetëm një propozim dhe ai është Gramoz Ruçi.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet pa debat. Opozita e djathtë do ta niste këtë sesion me protestë në shenjë refuzimi për emrin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të emërimit si ministër i Brendshëm të Fatmir Xhafajt.
Berisha refuzon drejtimin e hapjes së Parlamentit
Droga drejt Italisë, Rama urdhëron policinë të lejojë skafet të kalojnë
Një ushtarak shprehet se, policët kanë urdhër nga lart që të lënë skafet me drogë të kalojnë dhe vetëm kur të kapen nga Italia, të sjellin informacion. Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje një mesazh të dërguar në adresë të tij në Facebook nga një ushtarak ku shkruhet se, policët kanë urdhër të lënë skafet me drogë që të kalojnë dhe vetëm kur të kapen nga Italia, të sjellin informacion.
“Urdhri i Noriegës: ‘Lerini skafet të kalojnë!’ Ushtaraku dixhital përgënjeshtron Noriegën dhe Haki Drogën: Policët, në radarët e QNOD i shohin live gjurmët e skafeve, por urdhri nga sipër fare është i prerë: të mbyllin gojën dhe sytë, skafet të kalojnë! Prej vitesh sabotohet nga qeveria, e cila prishi kontratën për vendosjen e kamerave me infrarouge, që bëjnë të mundur kapjen jo vetëm të gjurmëve, por të skafeve live. Me gjithë kërkesat e përsëritura për vendosjen e tyre qeveria nuk jep fondet për to sepse qeveria drejton vetë trafikun”, shkruan Berisha duke publikuar të plotë mesazhin e ushtarakut.
“Përshëndetje Doktor. Po ju shkruaj këtë mesazh për të sqaruar opinionin lidhur me të vërtetën e gjurmëve të Çakos. E vërtetë, Çakoja kërkon vetëm gjurmët, me urgjencë nga serveri vetëm kur skafet kapen nga Italia. Të mjerët policë të kufirit kanë urdhër të prerë të mos hapin gojë kur këto gjurmë janë LIVE në QNOD e shohin njëri-tjetrin në sy e thonë se nuk u duket interesante gjurma, për të mos thënë mbyllin sytë gjer në zhdukjen e saj.
Për të bërë lojën e gjurmës, Çakoja së bashku me Ramën kanë bllokuar me qeverinë kërkesën që ushtarakët kanë bërë prej kohësh për pajisjen e qendrës me kamera infra të kuqe dhe radarë më të rinj. Ky sistem dhe këta radarë tashmë 10-vjeçarë janë ngritur për anije e varka me skaf metalik e jo për gomonet e mirinformuara të Çakos, të cilat gjithsesi ngecin me gjurmët e tyre në rrjetën e radarëve. Ndoshta me kamera policët e Çakos s’do të kërkojnë më gjurmët pas disa ditësh, por me siguri do të na dalë ndonjë fytyrë ‘me uniformë’ duke ngarkuar e shkarkuar e s’do të ikin dot në drejtim të paditur”, shkruan ushtaraku.
Dy ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako denoncoi mosfunksionimin e radarëve, gjë që sipas tij pengonte punën e policisë, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e përgënjeshtroi këtë fakt. Çako u mundua të largojë përgjegjësinë për trafikun e drogës drejt Italisë, duke fajësuar radarët, por kjo akuzë u rrëzuan nga Ministria e Mbrojtjes.
Mëngjesin e të mërkurës u kap në Itali një jaht me 4 tonë drogë nga Shqipëria. Jahti u identifikua gjatë natës duke u gdhirë data 6 shtator 2017. Sistemi i mbikëqyrjes së Financës italiane, që patrullon në ujërat e Adriatikut zbuloi një mjet lundrues të dyshimtë që po udhëtonte drejt brigjeve pulieze. Mjeti lundronte mjaft ngaldalë që shtonte dyshimin rreth një mbingarkese në bord.
Guarda di Finanza italiane ka aktivizuar menjëherë trupat ajro-detare të impenjuara në operacionin “TRITON 2017”, të cilët janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues. Sapo kanë nuhatur financën italiane, trafikantët kanë shtuar shpejtësinë duke mos iu ndalur urdhrit stop të autoriteteve italiane.
Mjeti lundrues është ndaluar pas disa minutash në ujërat e Komunës së Viestes në provincën e Foxhias. Mjeti lundrues është një motor-jaht në ngjyrë të bardhë e i gjatë 17 metra. Në bordin e tij janë sekuestruar 4 tonë marijuanë e konfeksionuar në 185 pako të mëdha. Sipas Financës italiane “vlera e dogës do të sillte një përfitim prej 40 milionë eurosh”. Në pranga kanë përfunduar 3 shqiptarë.
Italia: Kapëm 28 ton drogë nga Shqipëria brenda 9 muajsh
Nga janari i 2017 e deri më sot në rajonin e Puglias janë sekuestruar rreth 28 tonë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria përmes detit kundrejt 22 tonë marijuanë të sekuestruar përgjatë gjithë vitit 2016.
Shifrat u bënë me dije gjatë konferencës së sotme për shtyp nga Policia Financiare italiane.
Operacionet më të rëndësishme më 2017 janë ekzekutuar në provincën e Foxhias, ku gjatë orëve të fundit u sekuestruan rreth 4 tonë marijuanë e u arrestuan 3 skafistë shqiptarë.
Deri tani janë arrestuar 35 skafistë dhe 20 bashkëpunëtor të grupeve kriminale.
Sekuestrimet me te bujshme
Disa nga sekuestrimet më të bujshme të drogës së trafikuar përmes detit nga Shqipëria drejt Italisë, në ujërat e provinëcës së Foxhas janë;
– 13 mars 2017. Roja bregdtare e Financa italiane sekuestron në ujërat e Garganos një gomone me 814,60 kg marijuanë e arreston 2 skafistë shqiptarë.
– 1 prill 2017 Policia Financiare italiane sekuestron në ujërat e Garganos gomonen me 591 kg mariajunë dhe arreston 2 skafistë shqiptarë.
– 15 maj 2017 Policia Financiare sekuestron në ujërat e Garganos gomonen me 1710 kg marijuanë dhe arreston 2 skafistë shqiptarë.
– 17 maj 2017 Policia Financiare italiane sekuestron në brigjet e plazhit San Menaio – Valle Calenella, në territorin e Garganos, një goomone të braktisur dhe 2204 kg marijuanë.
– 3 gusht 2017 Policia Financiare italiane sekuestron në gjirin e Vieste, gomonen me 2262 kg marijuanë e arreston 2 skafistë shqiptarë.
– 6 shtator 2017 në ujërat e Garganos policia Finaniare italiane sekuestron 3992 kg marijuanë dhe arreston 3 skafistë shqiptar.
Demiraj: Si e fikën radarin për gomonen e drogës gjatë operacionit
Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka denoncuar skandalin e fikjes së radarëve të ushtrisë me urdhër nga lart për gomonet dhe trafikantët e drogës. Demiraj ka denoncuar një rast konkret kur është informuar për një gomone droge dhe aparati i ministrisë është vënë në lëvizje, mirëpo gjithçka është sabotuar pasi radarët janë fikur. “Sinjali i radarit u fik në mes të operacionit të policisë. Fikja dyshojmë se ishte e qëllimshme”, u shpreh Demiraj.
Dy ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako denoncoi mosfunksionimin e radarëve, gjë që sipas tij pengonte punën e policisë, por menjëherë ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, e cila e përgënjeshtroi këtë fakt.
Një ushtarak u shpreh dje se policët kanë urdhër nga lart që të lënë skafet me drogë të kalojnë dhe vetëm kur të kapen nga Italia, të sjellin informacion. Ushtaraku iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, i cili e publikoi mesazhin në Facebook.
Policia italiane: 4 tonelatat e drogës vlejnë 40 milionë euro
Autoritetet italiane thonë se vlera e lëndës narkotike të sekuestruar në jaht arrin në 40 milionë euro. Autoritetet italiane thonë se hetimet dhe investigimet vijojnë me policinë shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza në Durrës. Sasia prej 3 tonë e 992 kilogramë marijuanë është sekuestruar në një jaht në orët e para të mëngjesit të 6 shtatorit.
Droga ishte paketuar në 185 pako, ndërsa jahti ishte i gjatë 17 m. Në ekuipazhin e jahtit u arrestuan tre shtetas shqiptarë F.M., E.V., dhe E.M. Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane në zonën e Viestes.
Gjatë konferencës për shtyp, financa italiane ka dhënë më shumë detaje mbi operacionin e sekuestrimit të rreth 4 tonë drogë e të arrestimit të 3 shqiptarëve. Analizat laboratorike të marijuanës kanë vërtetuar se sasia e drogës së sekuestruar është e një cilësie mjaft të mirë.
Edhe pse sasia e sekuestruar është vlerësuar të ketë një vlerë rreth 40 milionë euro, cilësia e lartë e saj mund të sillte për organizatat e trafikantëve një përfitim prej 100 milionë eurosh. Prokurorja Francesca Pirrelli në konferencën për shtyp ka deklaruar se, “po hetohet mbi pronarin e jahtit të sekuestruar, i cili rezulton me kalime të ndryshme pronësie mes Shqipërisë e Malit të Zi”.
Sasia e drogës ishte e konfeksionuar në pako me ngjyra të ndryshme që sipas financiarëve italianë ka të bëjë me klientët e klaneve të ndryshme që do të merrnin në dorëzim lëndën narkotike. Për autoritetet italiane kjo sasi e madhe droge e sekuestruar është një tregues se ky është një biznes jo në nivel province, por shumë më i gjerë.
Autoritetet italiane thonë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të këtij grupi kriminal trafikantësh. Sipas autoriteteve italiane që nga fillimi i 2017 janë sekuestruar 28 tonë lëndë narkotike.
Kapet drogë në fshatin e Tahirit në Tepelenë
Disa thasë me drogë janë kapur nga policia në fshatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Një 83-vjeçar, banues në fshatin Gusmar të Tepelenës, u procedua në gjendje të lirë pasi në njërën nga shtëpitë iu gjetën disa thasë me kanabis. Pesha totale e lëndës ishte 57 kg. I moshuari do të përballet me drejtësinë për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Policia tha se e la në gjendje të lirë, për shkak të moshës.
Policia bëri të ditur se, 123 kg lëndë narkotike kanabis sativa u sekuestruan në dy operacione antidrogë në Tepelenë. Gjatë operacionit të parë, u kontrollua banesa e shtetasit Seit Bejko në fshatin Dukaj të Tepelenës, pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas kishte drogë. Gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e tij 66 kg kanabis sativa, ndërsa 58-vjeçari Seit Bejko u vu në pranga.
R.POLISI
“Le Figaro”, Parisi i detyruar të kërkojë rivendosje vizash me Shqipërinë
Mediat franceze shkruajnë se autoritetet e këtij vendi po shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së vizave për shtetasit shqiptarë. Kërkesa vjen pas abuzimit me lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Ata janë të parët me mbi 7 mijë kërkesa për azil në Francë, që prej fillimit të vitit, duke tejkaluar edhe vendet në krizë.
Pas Holandës, edhe autoritetet franceze po shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët. Mediat franceze shkruajnë se zyrtarët në Paris janë të alarmuar nga shifrat e larta të qytetarëve shqiptarë, që abuzojnë të drejtën për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen dhe e shfrytëzojnë për të kërkuar azil në Francë.
Për të vënë nën kontroll situatën, “Le Figaro” shkruan se Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë, të njëjtat dispozita si për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: “mundësinë e rivendosjes së vizave me ato vende të origjinës që abuzojnë me të drejtën e lëvizjes së lirë”.
Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme franceze, shqiptarët renditen të parët për numrin e kërkesave për azil në Francë, me 7256 aplikime të regjistruara për periudhën janar-gusht të këtij viti. Kërkesat për azil nga shqiptarët në Francë janë rritur me gati 180%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët është edhe më i lartë se afganët, që jetojnë në një vend prej vitesh të destabilizuar. Afganët renditen të dytët pas shqiptarëve me 3566 kërkesa.
Pasojë vende të tjera në krizë, si Haiti, Sudani e Siria.
“Le Figaro” thekson se këtë verë, 3 avionë rikthyen nga Franca në Shqipëri, shtetasit shqiptarë, të cilëve iu refuzua kërkesa për azil. Situata është aq shqetësuese saqë ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb organizon çdo javë videokonferenca me drejtuesit e rajoneve, kryesisht atyre të lindjes së Francës, që kanë probleme me kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët.
Shtetasit shqiptarë përfituan në vitin 2010 të drejtën për të lëvizur të lirë pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Ata mund të qëndrojnë jo më shumë se 3 muaj në vendet europiane. Por shumë prej tyre abuzuan me këtë të drejtë, për të kërkuar azil politik, pavarësisht se kërkesat e tyre ishin ekonomike, për të punuar dhe për një jetë më të mirë në vendet europiane.
Por azili politik u refuzohet, pasi Brukseli e konsideron Shqipërinë një vend të sigurtë origjine, ku nuk shkelen të drejtat e njeriut, për më tepër që bëhet fjalë për një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
I biri i ministrit të diktaturës drejtor për Fondet e BE!
I biri i ministrit të diktaturës do të jetë përgjegjës për Fondet e Ballkanit Perëndimor të BE të dhëna për Shqipërinë. Ky është emërimi i fundit i klikës puniste dhe një tallje me vetë Bashkimin Europian për atë që përfaqëson ky pinjoll i diktaturës.
Pas përzgjedhjes së Gramoz Ruçit për kreun e Parlamentit dhe emërimit ministra të fëmijëve të kupolës së diktaturës komuniste Bushati, Gegëprifti, Klosi etj., Rama bën “rilindjen” e radhës të Byrosë Politike të KQ të PPSH. Djali i ish-ministrit të Mbrojtjes së diktaturës Prokop Murra, Gjergji Murra emërohet drejtor i Fondit të Ballkanit Perëndimor me qendër në Tiranë. Lajmin e bëri publik ish-Kryeministri Berisha në një postim në profilin e tij në Facebook.
Ja statusi i plotë i Berishës:
“Një neobllokmen tjetër lartësohet në detyrë!
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. Sb
I nderuar Dr. Berisha. Ka tre vjet që gërthasin në media, filloi Fondi i Ballkanit Perëndimor me qendër në Tiranë, ndërkohë që vetëm sot u deklarua fillimi i punës në ministerialin e Bledit. Drejtor i kësaj zyre në Tiranë një pinjoll i regjimit komunist, Gjergj Murra. Për Edvin Kristaq Ramën kriter themelor është origjina nga blloku i baballarëve të tij”.
Romeo Kara paditet sërish për shpifje nga Shkëlzen Berisha
Me përfundimin e luftës politike të orkestruar nga Kryeministri Rama gjatë fushatës elektorale ndaj juristit Shkëlzen Berisha me keqpërdorimin e një individi të quajtur Romeo Kara, ky i fundit ka besuar me shumë gjasë se edhe telashet ligjore që kanë prodhuar shpifjet e tij publike për çështjen e privatizimit të CEZ do të përfundonin.
Por për Romeo Kara-n nuk qe e thënë. Ndërsa Romeo Kara duke shkelur procedurat ligjore ka arritur të marrë dje një vendim për pushimin e padisë së ngritur nga Shkëlzen Berisha në adresë të tij, ja ku vjen edhe lajmi tjetër i keq për të. I njohur me vendimin e gjykatësit për mbylljen e çështjes gjyqësore që po shqyrtonte padinë për shpifje të ngritur nga Shkëlzen Berisha, ky i fundit nuk ka hezituar aspak për të ridepozituar të njëjtën padi, në ngarkim të Romeo Kara-s dhe me të njëjtat argumente si në rastin e parë.
Është e qartë se edhe gjyqtari i çështjes së padisë për shpifje ndaj Romeo Kara-s ka qenë nën presion të fortë politik për të dhënë një vendim në kundërshtim me procedurat ligjore. Për këtë do të mjaftonte fakti që gjyqtari nuk është ndaluar aspak në shqyrtimin e çështjes në themel, por ka marrë një vendim të nxituar vetëm duke u mjaftuar me faktin se avokati i palës i juristit Shkëlzen Berisha është paraqitur me 20 minuta vonesë dhe kjo për arsye se ai është njoftuar verbalisht për të qenë i pranishëm në seancën gjyqësore. Sigurisht nuk është e vështirë të kuptohet se prej kujt është orkestruar ky presion politik, në kohën që sot e gjithë ditën ka një njeri që i kërcënon gjyqtarët me kamzhikun e Vettingut në dorë dhe ai është Edi Rama.
Vlen të theksohet gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që Romeo Kara përballet me drejtësinë. Prej kohësh, duke qenë se Romeo Kara njihet si një njeri i dhunshëm, gjykata ka lëshuar një urdhër mbrojtje për të motrën e tij. Ky vendim mendoni pak, e ndalon rreptësisht Romeo Kara-n t’i afrohet më shumë se 50 metra motrës së tij. Do të mjaftonte edhe ky fakt që gjyqtari i çështjes ta merrte më seriozisht padinë e bërë për shpifje në adresë të një individi të rrezikshëm për shoqërinë, por mes ligjit dhe presionin politik edhe një herë fitoi ky i fundit. Por kjo veç për pak kohë, koha që i është nevojitur studios ligjore që mbron interesat e juristit Shkëlzen Berisha për të depozituar të njëjtën padi dhe me të njëjtat argumente ligjore në adresë të Romeo Kara-s.
Vetë juristi Shkëlzen Berisha ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se beteja e tij ligjore për të vënë në vend nderin e tij personal përballë shpifjeve të Romeo Kara-s nuk mbyllet me kaq.
“Avokati me të cilin përfaqësohem në gjyqin me urithin e Ramës për shkak të një keqkuptimi të lindur nga njoftimi verbal është paraqitur në seancën e sotme 20 min me vonesë. Për këtë arsye gjykatësi e ka parë të udhës të mbyllë çështjen pa u futur aspak në themelin e saj. Urithi i Ramës shpreson se do të shpëtojë nga përgjegjësia penale me procedurë, por po sot është depozituar padia e re, për të njëjtën shpifje, për të njëjtën vepër penale, me të njëjtat argumente. Procesi i ri do të jetë njëlloj me të parin dhe do i japë dënimin ligjor shpifësit, të cilin nuk ka procedurë që mund ta shpëtojë”, deklaron juristi Shkëlzen Berisha.
Bashkia Kamëz, 60 investime me fondet e saj, asnjë lekë nga qeveria “Rama”
Bashkia Kamëz prioritet të saj ka kryerjen e sa më shumë investimeve në favor të komunitetit. Këto investime po kryhen me fondet e saj, duke ndeshur në veton qeveritare prej vitit 2013. Qeveria “Rama” nuk ka financuar asnjë nga 150 projektet që flenë në sirtarët e ministrive. Këtë vit në Kamëz dhe Paskuqan po kryhen mbi 60 investime me fondet e Bashkisë dhe për këtë kryebashkiaku Xhelal Mziu ka qenë i përkushtuar maksimalisht për të ndjekur nga afër personalisht ecurinë e tyre. Këtë verë Xhelal Mziu ka qenë thuajse çdo ditë në terren, duke parë nga afër ecurinë e punimeve të investimeve dhe cilësinë e tyre.
Veç punimeve që po kryhen në infrastrukturën rrugore dhe KUN, nuk ka munguar as financimi i atyre sportive, si palestra në Bathore dhe stadiumi i Kamzës, tashmë që edhe ekipi i qytetit gjendet në Superligë, në elitën e futbollit shqiptar. Kryebashkiaku Mziu thuajse çdo ditë ka parë nga afër punimet e kryera në stadium dhe së fundmi ishte edhe i shoqëruar nga përgjegjësi i Licencimit të Stadiumeve pranë FSHF-së, Eduart Gjini. Po i jepet dhe dora e fundit investimit për të pritur ndeshjen e parë të Kamzës në Superligë. Ndërkaq, palestra në Bathore do të jetë palestra më e mirë në Shqipëri. Ka përfunduar pothuajse parketi, i cili është totalisht i ri dhe shumë cilësor, me të gjithë parametrat dhe ajo do të jetë gati për sezonin sportiv që do të nisë.
Kryefjalë e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, në 3 mandate ka qenë dhe është urbanizimi, sistemim-asfaltimi i të gjitha lagjeve të qytetit të Kamzës, si dhe Paskuqanit. Nga njëra lagje në tjetrën, të Kamzës dhe Paskuqanit, kryebashkiaku Xhelal Mziu inspekton punimet që po kryhen: në rrugët e Laknasit. Ka përfunduar investimi në rrugën “Peshkopia”, një rrugë e re me standarde bashkëkohore.
Kryebashkiaku Mziu ka ndjekur nga afër punimet e rrugës “Kingstoni”, në lagjen 4 Kamëz, si dhe një nga investimet që po shkon drejt përfundimit në lagjen 1 në Bathore, ndërtimi i rrugës “Elez Isufi”, projekt që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës urbane në lagjen 1 Bathore, pa harruar as inspektimin në rrugën “Abdi Bej Toptani” në Kamëz. Veç investimeve të sipërpërmendura në Kamëz, z. Mziu ka inspektuar nga afër edhe të tjera investime, por pa lënë sigurisht pas dore as Paskuqanin që dy vitet e fundit ka qenë prioritet i Bashkisë Kamëz.
Në Paskuqan kryebashkiaku Xhelal Mziu inspektoi punimet që po kryhen në rrugën “Leka i Madh” në lagjen Paskuqan 1 që kufizohet me rrugën “Lidhja e Prizrenit” dhe bën lidhjen e disa segmenteve të tjera rrugore, si dhe është inspektuar nisja e punimeve në rrugën “Ismail Qemali”, investim që do të ketë impakt të madh social tek banorët e kësaj lagje. Segmenti në të cilin po investohet është grup rrugësh siç janë, rruga “Isuf Xhelili” dhe rruga “Ejell Deda”. Në të tria rrugët e reja që po investon bashkia në Paskuqan, punimet po ecin me ritme të shpejta.
Mziu ka ndjekur nga afër asfaltimin e rrugës “Bule Naipi” në Paskuqan, ku fillimisht ka qenë i pranishëm gjatë aksionit të lirimit të hapësirave për ndërtimin e kësaj rruge, ashtu si edhe gjatë fazave të ndryshme të punimeve, duke i ndjekur nga afër. Zoti Mziu ka inspektuar përfundimin e punimeve të rrugës “Dile Marku”, në Paskuqan 2, e sigurisht është interesuar edhe për një nga investimet më të mëdha të Bashkisë, rrugës “Demokracia” në Paskuqan prej 7 km, për asfaltimin përfundimtar të saj.
Miliona euro dëme nga zjarret, 700 mijë euro kushtuan vetëm helikopterët
Vatrat e zjarrit në të gjithë Shqipërinë për çdo ditë, i kushtuan shtetit miliona euro. Vetëm helikopteri i një kompanie private që u përshtat për të fikur zjarret gjatë stinës së verës është paguar nga shteti me 2500 euro/ora.
Minimalist kompania është paguar 700 mijë euro, ndërkohë që me rreth 900 mijë euro, shteti shqiptar mund të blinte një helikopter të posaçëm për fikjen e zjarreve. Emisioni investigativ “Fiks Fare” iu drejtua edhe Ministrisë së Brendshme lidhur me masat e marra dhe menaxhimin e situatës së vështirë në të cilën u gjend e gjithë Shqipëria. Në përgjigjen zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme në të gjithë Shqipërinë kanë rezultuar 900 vatra zjarri.
Më shumë se gjysma e tyre i është lënë në dorë Shërbimit Zjarrfikës dhe pse theksohet se kapacitetet teknike kanë qenë jo të mjaftueshme. Të shumta kanë qenë ndërhyrjet me helikopterë, rreth 280 raste. Meqë ministria dhe Emergjencat Civile nuk disponojnë një të tillë, helikopterët janë marrë me qira. Shërbim, i cili ka kushtuar 2500 euro/ora.
Me një përllogaritje të vogël, në 280 raste sikur minimalisht 1 orë për rast të jetë përdorur helikopteri, në total kapet shifra e 700.000 eurove. Ndërkohë një helikopter për fikjen e zjarrit kushton minimumi rreth 935,000 dollarë. Në përgjigjen zyrtare të ministrisë nuk saktësohet kostoja totale e dëmeve, pasi raporti pritet të dalë nga Ministria e Mjedisit dhe bashkitë.
Zjarret e kësaj vere kanë prekur në mënyrë masive zonat e mbrojtura dhe të trashëgimisë kulturore si Ardenica, Lura, Syri i Kaltër, Apollonia etj. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme pas kësaj situate është përgatitur akti normativ për rialokimin e fondeve nga buxheti i shtetit, për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret e kësaj vere.
Gjirokastër, zjarr i madh në Parkun Arkeologjik të Antigonesë
Një zjarr i madh ka përfshirë ditën e djeshme Parkun Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se era e fortë po favorizon përhapjen në mënyrë të shpejtë të zjarrit. Zjarrfikëset dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes, të cilat po mundohen për shuarjen e flakëve.
Po ashtu, një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Rrerez të Patosit. Forcat zjarrfikëse të Patosit të ndihmuara edhe nga Reparti i Lushnjës po punojnë me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve. Deri tani zjarri ka djegur 100 ha me ullinj.
Mësohet se dy efektivë zjarrëfikës janë ndjerë keq për shkak të tymit dhe janë dërguar me ambulancë në repartin zjarrfikës. Por gjendja e tyre shëndetësore është e mirë ndaj nuk ishte i nevojshëm dërgimi i tyre në spital.
Goditet me thikë pronari i biznesit, dy të plagosur
Dy persona kanë mbetur të plagosur gjatë një sherri me thikë të ndodhur në Kavajë pasditen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në një “Fast Food” pranë gjimnazit “Aleksandër Moisiu”, ku është goditur me thikë N.T., 41 vjeç, pronari i biznesit dhe F.P., rreth 44 vjeç. Të dy kanë marrë lëndime serioze dhe janë transportuar në spital.
Dje, rreth orës 17:50, në numrin e Emergjencave 112, një telefonatë ka dhënë alarmin për një konflikt me mjete prerëse midis dy personave pranë gjimnazit “Aleksandër Moisiu”. Në vendngjarje, kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca.
Nga verifikimet paraprake të policisë ka rezultuar se fillimisht, N.T., 41 vjeç është sulmuar me mjet prerës në lokalin e tij “Fast Food” nga F.P., rreth 44 vjeç, i cili dyshohet të jetë me probleme mendore. 41-vjeçari ka reaguar.
Biznesmeni u dërgua në Spitalin e Durrësit për ekzaminime të specializuara pasi nga konstatimet e para ka një goditje në pjesën e barkut me mjet prerës, ndërsa F.P., është dërguar në Spitalin e Kavajës pasi ka një të çarë në pjesën e kokës.
Ndërkohë, janë shoqëruar në ambientet e Policisë Kavajë, personat e pranishëm në vendngjarje dhe po punohet për sqarimin e motiveve dhe shkaqeve të ngjarjes. Nuk jepen detaje nga Policia për zanafillën e konfliktit.
Zotimi i Tillerson: Riorganizim madhor dhe ndryshime në Departamentin e Shtetit

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson është zotuar të kryejë një riorganizim madhor të Departamentit amerikan të Shtetit. Të mërkurën, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Ed Royce, ishte i pranishëm në një takim që u mbajt në Departamentin e Shtetit, ndërsa një numër ish ambasadorësh dhe udhëheqësish biznesi dorëzuan një raport me rekomandime për reformimin e Departamentit të Shtetit. Ky grup dypartiak ekspertësh thotë se është e nevojshme për ta fuqizuar Departamentin e Shtetit, në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe të shpejta të sfidave dhe kërcënimeve globale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Ed Royce, tha se ai e ka shprehur qartë mendimin e tij se nuk i mbështet shkurtimet e thella në Departamentin e Shtetit dhe në Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, të propozuara nga administrata Trump.
“Kur administrata njoftoi 30 për qind shkurtime, unë shpreha shqetësim dhe thashë se ne duhet t’i mbështesim, dhe jo t’i ndërpresim programet e anti terrorizmit, të zbatimit të ligjit dhe ato humanitare, përballë shtimit të rreziqeve sot,” tha zoti Royce.
Ed Royce i kërkoi Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, që të veprojë me shpejtësi për të plotësuar vendet bosh të zyrtarëve të lartë, si në Departamentin e Shtetit, edhe në ambasadat amerikane në vende të ndryshme të botës.
“Punonjësit e Departamentit kanë nevojë për një zinxhir komande të efektshëm, me qëllim që të zbatojë politikat e adminsitratës dhe detyrat kryesore të sigurisë kombëtare,”- tha zoti Royce.
Një grup dy partiak ish ambasadorsëh ishin dakord me këtë qasje, duke thënë se raporti i tyre argumenton se është e nevojshme që Departamenti i Shtetit të fuqizohet, duke pakësuar numrin e sektorëve dhe zyrave dhe për ta bërë të detyrueshëm trajnimin e punonjësve të nivelit të mesëm.
“Ne nuk mund të përballojmë të kemi një Departament Shteti të dobët. me mungesë fondesh, të drejtuar jo mirë, të patrajnuar siç duhet dhe me shumë burokraci. Ne duhet ta fuqizojmë dhe përmirësojmë atë, në mënyrë që të japë më tepër rezultate.” – tha ish ambasadori Crocker.
Një ish zyrtar i lartë për financat në Departamentin e Shtetit tha se kosto e sigurisë diplomatike është rritur së tepërmi që nga koha e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.
“Ne tani shpenzojmë më shumë për sigurinë e Departamentit të Shtetit, se sa për funksionimin e tij. Për këtë çështje duhet të diskutojmë,”- tha ish zyrtari.
Të gjithë ekspertët ishin të një mendimi, se diplomacia është më e rëndësishme se asnjëherë tjetër, për të mbrojtur amerikanët brenda vendit dhe për t’i mbajtur jashtë rrezikut trupat amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara.
Nesër, dita e Kryengritjes së Postribës jo e Gramozit
Kastriot DERVISHI
Duke u zbardhur 9 shtatori 1946, rreth 250 luftëtarë antikomunistë u grumbulluan në fushën e Shtojit dhe 200 të tjerë në Renc. Nga Postriba, lëvizja e tyre u drejtua nga Shkodra, duke sulmuar verilindjen dhe juglindjen e qytetit. Beteja kryesore u zhvillua te kazermat e Shkodrës, në të cilën u vra një ushtarak komunist dhe u plagos një tjetër. Për shkak të forcave më të pakta, forcat antikomuniste nuk mundën të hyjnë në qytet.
Kryengritja u zhvillua këtë moment sepse po zhvillohej në Paris Konferenca e Paqes (29 korrik–15 tetor 1946). Dy fuqitë botërore, Britani e Madhe dhe SHBA deklaruan këtu se nuk do ta njihnin regjimin komunist të E.Hoxhës. Faktori i brendshëm antikomunist, me ato pak forca që kishte, mendoi se ishte koha të ndërmerrej një lëvizje kundër regjimit. Regjimi shtypi lëvizjen dhe pak javë më vonë preu marrëdhëniet me misionet britanike dhe amerikane në Tiranë, duke organizuar me porosi të Beogradit incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe duke inskenuar “sabotazhin” kënetor të Maliqit.
Një prej veprimeve më burracake të regjimit ishte persekutimi vijues i një krahine, si dhe djegia e shtëpive të banimit.
Për të mos u zgjatur në një analizë të thellë, duhet nënvizuar fakti se kryengritja e Postribës, synonte të arrinte të njëjtën gjë që shqiptarët arritën në dhjetor 1990. Nëse do të arrihej më parë, sigurisht kostoja e rëndë 50-vjeçare nuk do të rëndonte kaq shumë mbi shqiptarët. Respekt për guximtarët dhe martirët e vitit 1946 që e kërkuan ndryshimin shumë më përpara se kur ai erdhi.
Skeda e kryengritjes në pak rreshta
Organizimi ushtarak:
– Hyrja në qytetin e Shkodrës, çlirimi i burgut, marrja e postë-telegrafës, depove të armëve e të jepte sinjalin se Shqipëria nuk e donte komunizmin.
Rrethanat politike:
– Kriza e regjimit komunist në raport me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
– Ditët ku po zhvillohej Konferenca e Paqes në Paris.
Përfaqëson:
– Qëndresën antikomuniste ndaj regjimit komunist.
– Përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e rendit kapitalist.
Bilanci i të dhënave:
– U arrestuan rreth 200 persona;
– U pushkatuan pa gjyq 33 persona;
– U dogjën nga regjimi pas ngjarjes: 33 shtëpi;
– U arratisën: 69 persona;
– U zhvilluan 5 procese të mëdha gjyqësore e disa të tjera më të vogla apo dënime individuale, duke përfshirë edhe implikime.
– Në hetuesi u torturua deri në vdekje me hekur të skuqur në kockë avokati Muzafer Pipa nga Vaskë Koleci.
– Jup Kazazit të vetëvrarë iu shëtit kufoma në popull.
– Të pushkatuarit e procesit kryesor gjyqësor ishin: Cin Serreqi, Bilbil Hajni, Gjergj Volaj, Dulo Kali, Xhelal Hardolli.
Dokumenti bashkëlidhur tregon njërin prej telegrameve të datës 9 shtator 1946 që i dërgohet qendrës, në të cilin bëhet fjalë ndër të tjera edhe për largimin e banorëve nga Postriba për t’i shpëtuar hakmarrjes së shtetit ndaj popullsisë civile, si dhe përmendet fakti i djegies së shtëpive nga i ashtuquajturi “pushtet popullor”.
Sami Repishti denoncoi edhe një herë krimet e komunizmit dhe terrorin që u ushtrua, jo vetëm ndaj pjesëmarrësve në kryengritje, por edhe ndaj njerëzve të pafajshëm. Jo pa dhimbje ai përmendi torturat çnjerëzore të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, që nga djegiet me hekur të nxehtë, varrosjet për së gjalli, futja në gropat septike, varje e rrahje, për të cilat, sipas Repishtit, ishte i interesuar të zbatoheshin deri në fund vetë Enver Hoxha.
Qysh në ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri.
Regjimi detyroi shpërnguljen e 90% të banorëve, si dhe u dogji shtëpitë
Rrethi i Shkodrës kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore. Më datën 09.09.1946 filloi kryengritja. Asaj i parapriu aksioni i prerjes së telave të ndërlidhjes Shkodër-Tiranë, nga Hamza Trieshti me shokë. Ishte vendosur që grumbullimi i kryengritësve të bëhej në orën 02 të 9 shtatorit në Stom Golem, ku do të bëhej organizimi dhe përgatitja për fillimin e sulmit, sapo të fillonte të zbardhte drita. Kryengritësit synonin që me veprime të shpejta, të koordinuara me forcat e zonave të tjera të Gurit të Zi, të fshatit Oblik, të ndihmuar nga forcat brenda qytetit të krijonin një situatë të pasigurtë për forcat qeveritare. Kryengritës nga Oblika e Anës së Malit dhe Guri i Zi, nuk arritën të kalonin urat. Qyteti nuk ndihmoi kryengritësit, përveç ndonjë përjashtimi, sepse qytetarët nuk arritën të merrnin armët që ishin premtuar deri në orën 24 të natës, mungonte informacioni dhe organizimi. Sulmi u përqendrua në tri drejtime: kundër kazermave të ushtrisë në Rus, kundër burgjeve politike dhe një pjesë tjetër do të sulmonte Degën e Punëve të Brendshme që të paralizonte veprimet e këtij organi.
Sulmi filloi, sipas dëshmive të Abdullah Sahitit, dënuar me burgim të përjetshëm në orët e para të mëngjesit. Me tri të shtëna pushke, nisi sulmin mbi kazermat e ushtrisë në Rus. Luftimet në këto kazerma u zhvilluan të ashpra deri në ndeshje trup me trup, sepse një pjesë e kryengritësve nuk kishte armë. Luftimet zgjatën rreth një orë e gjysmë. Nëpër lagjet e qytetit, patriotë si Qazim Rroji, u përpoqën të ngrinin popullin në kryengritje, por organizimi jo i mirë bëri që përkrahja e tij të ishte e vaktë. Deri në atë moment ishin vrarë rreth 12 kryengritës dhe plagosur me dhjetëra të tjerë, por një pjesë e kryengritësve, kishin arritur të depërtonin deri në lagjen Rus, te Doganët e Reja.
Forcat qeveritare, duke pasur epërsi numerike dhe armatimi, në mbështetje edhe nga forcat e reja të ardhur nga Tirana, arritën që nga pozicioni mbrojtës të kalojnë në sulm. Udhëheqësit e kryengritjes Osman Haxhia, Idriz Tahiri, Jakub Dani, etj., qenë shembuj burrërie. Kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin. Tërheqja qe e organizuar dhe e thellë. Gjatë tërheqjes mbeti i vrarë Elez Bazi, Nuz Salja. Osman Hyseni plagoset rëndë, lidhet pas një makine dhe tërhiqet zvarrë deri te Ura e Mesit.
Në fshatin Krebaj, të bregut të Bunës, bie heroikisht me armë në dorë Rasim Gjyrezi. Filloi terrori i egër komunist. 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi të djegura me çfarë kishin brenda. Në çdo fshat kishte të paktën një të pushkatuar, 10 shtëpi të djegura, çdo burrë i aftë për pushkë arrestohej. Me dhjetëra qenë të pushkatuarit me gjyq. Çdo ditë para popullit vriteshin e torturoheshin me dhjetëra kryengritës. Repartet ndëshkimore komuniste, kalonin nga fshati në fshat dhe pushkatimet, burgosjet, internimet, djegiet, plaçkitjet, torturat s’kishin të mbaruar.