29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Antistalinizëm evropian në Shqipërinë staliniste?!

Nga Nebil ÇIKA

Kjo nuk është një foto e para vitit 1990 e as në ndonjë cep të humbur të Shqipërisë, kjo foto është bërë më 23 gusht 2017, Ditën evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit, në një nga zonat më të populluara të Tiranës, te mbikalimi në Unazën e Re në vazhdimin e Rrugës së Kavajës drejt Kombinatit. Është një tabelë sinjalizuese e vendosur atje nga Ministria e Transporteve apo Bashkia e Tiranës, nuk e di mirë kush e ka kompetencë, vetëm pak muaj më parë. Është pronë shtetërore dhe po ta prishësh përfundon në burg. Për ata që nuk e dinë, 21 Dhjetori që shënohet në tabelë është ditëlindja e autorit më të madh të krimeve kundër njerëzimit ndoshta në historinë botërore, diktatorit të ish–Bashkimit Sovjetik, Josif Visarionoviç Stalin. Nuk e di kush e ka marrë vendimin për vendosjen e kësaj tabele me këtë simbol të krimeve komuniste, por di me siguri që në Tiranë e Shqipëri nuk ka ndonjë objekt, rrugë apo institucion me këtë emër që ta sinjalizojë tabela në fjalë, gjë që besoj se qeveritarët, shtetarët e politikanët duhet ta dinë shumë më mirë se ne. Në këto kushte lind pyetja: Përse qeveria shqiptare apo Bashkia e Tiranës rikthejnë ditëlindjen e kriminelit më të madh të njerëzimit në një nga kryqëzimet më të rëndësishme të vendit 27 vjet pas rënies de jure të komunizmit stalinist shqiptar?! Unë nuk shoh ndonjë arsye tjetër përveç atyre ideologjike, pra nostalgji dhe rikthim i simboleve komuniste nga qeveria Rama dhe Bashkia Tiranë. Por nuk është vetëm kjo. Gjëja e parë që bëri Erion Veliaj sa mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës ishte ngritja e një monumenti kushtuar 21 Dhjetorit, ditëlindjes së Stalinit në Sheshin “Ataturk”, pikërisht në sheshin që mbante këtë emër në kohën e diktaturës staliniste të Enver Hoxhës. Pra, siç shihet rehabilitimi i figurës së Stalinit nuk është një rastësi, por projekt i rilindjes socialiste Rama-Veliaj. Ma ha mendja që autorët e këtyre “haleve” janë të qartë për atë çka bëjnë, por duhet thënë se edhe reagimi i opozitës dhe shoqërisë për këto fenomene gjithnjë e në rritje ka qenë pothuaj inekzistent. Gjithnjë kam theksuar mungesën e ideologjisë tek PD-ja dhe fakti që Stalini promovohet publikisht nën hundën e saj është prova më e mirë për këtë.
Po sot, si për ironi, si pjesë e një ceremonie zyrtare në Muzeun Historik Kombëtar, Ditës evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit të organizuar nga Muzeu dhe Autoriteti i hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, një aktivitet që organizohet për herë të parë në Shqipëri. Korrekt dhe risi nga ana formale pasi për herë të parë pranohet standardi i BE-së në barazimin e trajtimin e krimeve naziste dhe ato komuniste, por më shumë se hipokrizi po të kemi parasysh kushtet e Shqipërisë dhe raportin e shtetit, politikës dhe shoqërisë me diktaturën komuniste dhe krimet e saj. Dua të theksoj që edhe në BE u deshën shumë vite debate e diskutime për të mbërritur në një përfundim e rezolutë që e barazon trajtimin e krimeve naziste e komuniste për shkak të kundërshtimit të së majtës evropiane. Duhet theksuar se në të kundërtën me atë që ndodh në Shqipëri ishin vendet ish-komuniste anëtare të BE-së, sidomos ato baltike dhe të Evropës Qendrore e Lindore që këmbëngulën dhe realizuan e miratuan këtë rezolutë. Zgjodhën në mënyrë domethënëse 23 shtatorin ditën kur në vitin 1939 u firmos marrëveshja nazeto–sovjetike Molotov-Ribentrop që e ndante Evropën midis BS dhe Gjermanisë. Kjo ishte një marrëveshje që u respektua nga komunistët në të gjithë Evropën, si edhe ata shqiptarë, të cilët nuk u angazhuan, madje bashkëpunuan, në asnjë aksion antifashist apo antinazist deri në prishjen e marrëveshjes në vitin 1942. Është fakt që shumica e viktimave të krimeve komuniste në Shqipëri ishin edhe antifashiste, ndërkohë që shumë drejtues të lartë të kubizmit ishin fashistë apo bashkëpunëtorë të tyre.
Por le të rrimë tek problemi jonë më i madh. Tabelat, emrat e rrugëve dhe monumentet me emrat dhe ditëlindjet e autorëve të krimeve komuniste janë vetëm pjesa më e dukshme e asaj që po ndodh në raport me diktaturën në Shqipëri. Ne jemi i vetmi vend ish-komunist evropian që nuk kemi dënuar ligjërisht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre. Për shkak të kësaj ata dhe pinjollët e tyre politikë e gjenetikë, jo vetëm dominojnë emrat e vende publike, por janë pjesë e politikës, Parlamentit, qeverisë, drejtësisë, administratës shtetërore, rretheve akademike, mediave etj. Shumica e viktimave të komunizmit të pushkatuar, vdekur në burgje apo në kampet e internimit janë ende pa një vend varri pasi nuk ka ligj që të detyrojë vrasësit apo arkivat të tregojnë se ku i kanë varrosur xhelatët ato. Vendet e tjera ish-komuniste evropiane jo vetëm që i kanë dënuar ato, por shumica e tyre kanë miratuar ligje të ashpra për ta që mohojnë krimet e komunizmit. Në Shqipëri autorët e krimeve deklarojnë publikisht dhe me mburrje në media e libra se janë autorë të krimeve dhe politika e drejtësia rri e bën sehir, një pjesë e saj edhe me admirim.
Në këtë raport me të kaluarën komuniste Shqipëria vazhdon të jetë ende një vend stalinist. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është sjellja hipokrite dhe standardi i dyfishtë që përfaqësuesit e BE-së që merren me Shqipërinë. Në konferencën përkujtimore foli edhe ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, e cila çuditërisht tha se Shqipëria ka bërë përparime në raport me krimet e komunizmit. Unë besoj se ambasadorja dhe kushdo i huaj tjetër që merret me Shqipërinë e di pak a shumë realitetin. Sigurisht që diplomacia ka rregullat e saj të komunikimit, por mendoj se kur bëhet fjalë për krime kundër njerëzimit siç janë këto të komunizmit diplomacia duket e pavend. Mirë të tjerat po tabelën apo monumentin me ditëlindjen e Stalinit në mes të Tiranës nuk i shohin këta diplomatë? A mund të ndodhë një gjë e tillë në Gjermani, Poloni, Hungari etj.? Nuk guxojnë as ta mendojnë.
Si përfundim theksoj se ky raport me të kaluarën kriminale komuniste është edhe diferenca më e madhe që kemi ne me popujt e kombet e qytetëruar evropiane. Mërzitemi e reagojmë kur ata na thonë se nuk jeni të denjë për të qenë pjesë e BE-së, por mesa duket kanë të drejtë. Vërtet besojmë se mund të jemi pjesë e qytetërimit euroatlantik duke adhuruar Stalinin, Enverin dhe kriminelët e tjerë komunistë dhe duke demonstruar këtë zyrtarisht e publikisht?!

Çmimet Oskar të Tiranës ose … shpallja e ministrave të qeverisë së re

“Monitor”

Të dielën e shkuar, pas një fjalimi të gjatë, kryeministri i ri, edhe i vjetër njëkohësisht, bëri të ditur emrat e qeverisë me një timonier, për të cilën spekulimet nuk pushuan gjatë gjithë beharit të nxehtë. Me një efekt surprizë, edhe për vetë ministrat që do të orientojnë politikat qeverisëse për katër vitet e ardhshme dhe një vëmendje maksimale, njoftimi i emrave të tyre ishte i denjë për një shfaqje të ndarjes së çmimeve Oskar. Detaji i vogël që i kish shpëtuar (apo ish bërë me qëllim mbetet për t’u zbuluar) ishte fakti i fokusimit të kamerës tek fytyra e ministrit para se spikeri të deklamonte emrin fatlum. Ashtu sikurse dhe në filmat limonadë, ku pasqyrohet jeta e zbukuruar dhe me fund të lumtur, u la të nënkuptohej se “show” dhe jo thelbi, do të vijojë të mbizotërojë edhe në qeverisjen e katër viteve të ardhshme.
Në katër vitet e kaluara u kënaqëm me fasadat e bukura të qyteteve, por harruam të rregullonim çatinë që pikonte nga të gjitha anët dhe rrezikonte që të nxirrte edhe bojën e fasadës që me shirat e parë. Harruam rrugët që të çojnë drejt zonave të banuara apo turistike, harruam kanalizimet, mungesa e të cilave çon në përmbytje masive sa herë të bie shi. U gëzuam dhe u mburrëm me shifrat e larta të investimeve të huaja, por nuk pamë që ato nuk po sillnin vlerë të shtuar të lartë në ekonomi dhe as vende të reja pune. Serbia dhe Maqedonia u treguan më realiste e të fokusuara dhe sot kryesojnë në botë për vendet e punës së hapura në raport me popullsinë, që vijnë nga Investimet e Huaja Direkte.
U gëzuam me turistët e huaj, nga e gjithë Europa dhe bota, që këtë vit, si asnjëherë tjetër, erdhën në vendin e bukur (nga natyra) të shqiponjave, por patëm vështirësi për t’u ofruar atyre edhe shërbimet më elementare. Operatorët turistikë, që kanë investuar vetë me sa kanë mundur vitet e fundit, shprehen vazhdimisht të indinjuar se si Shqipëria nuk ka arritur ende të zgjidhë as çështjet më minimale, si infrastruktura, kanalizimet, sidomos të ujërave të zeza apo dhe energjinë. Këto mangësi janë të pakonceptueshme për çdo lloj turisti që vjen në Shqipëri, siç e treguan këtë vit edhe ata më besnikët, vëllezërit shtetas nga Kosova, që po largohen në heshtje.
Të vetëkënaqur (mediat e huaja vijojnë t’u thurin lavde Shqipërisë), askush në strukturën qeverisëse nuk duket se po dëgjon heshtjen që flet shumë. Përkundrazi, në skenarin e filmit të ardhshëm të qeverisë, është në plan favorizimi i hoteleve me 5 yje (nuk dimë të ketë ndonjë të tillë realisht në Shqipëri, veç po ia dha me zor qeveria), të cilët janë larg modelit real të Shqipërisë, që në kompleksitetin e problematikave që ka nuk mund të ketë avantazh konkurrues turizmin elitar. Jashtë vëmendjes duket se po lihen të gjitha hotelet e tjera, që përbëjnë pjesën më të madhe të kapaciteteve aktuale.
Ishin ata heronjtë e kësaj vere, që mirëpritën turistë nga e gjithë Europa dhe që ofruan një model të ri (për Shqipërinë, por në botë është gjerësisht i përhapur) atë të shërbimeve të gjitha të përfshira, në disa raste edhe me humbje, për shkak të mosfunksionimit të industrive mbështetëse. Një hap i parë, shumë më i vlefshëm se përjashtimi nga taksat i hoteleve me 5 yje, do të ishte nxitja e zinxhirit të lidhur me turizmin, që do t’i jepte vlerë të shtuar edhe shumë sektorëve të tjerë, duke filluar nga bujqësia, industria përpunuese deri tek argëtimi. Por, në skenarin aktual është kaluar direkt në fundin e lumtur, atë të hoteleve luksoze në një vend që është ndër më të varfrit e Europës.
Në filmin shqiptar, të gjithë janë shumë të kënaqur. Kanë një kryeministër të thjeshtë, të veshur me tuta, që shtrohet për dreka e darka me ata dhe që ua dëgjon mendimet. Por realiteti po shpërfaqet shumë më ndryshe dhe krahas halleve që të gjithë i dimë, një problem i mprehtë dhe kompleks, po del gjithnjë e më shumë në pah: Tranzicioni i tejzgjatur, zhgënjimi i njerëzve nga qeverisjet e të gjitha ngjyrave dhe vetë cikli zhvillimor (në linjë me atë globale) po sjellin një shkërmoqje të rëndë e dramatike të demografisë së popullatës në vend.
Siç dëshmohet në një trajtim të thelluar në brendësi të revistës, popullsia e vendit po tkurret me ritme më të shpejta se përtej çdo parashikimi pesimist, duke reflektuar uljen e lindshmërisë dhe rigjallërimin e ciklit të emigracionit, sidomos tek moshat e reja, çka pritet të kthejë përmbys piramidën e popullsisë (të moshuarit do të jenë më të shumtë në numër se të rinjtë).
Ky përshpejtim pritet të sjellë shumë shpejt (ndoshta brenda një dekade) probleme në të gjithë ciklin e zhvillimit të vendit, duke filluar nga sistemi i pensioneve, zëvendësimi i forcës së aftë për punë, shtimin e të moshuarve, me kosto të rënda sociale dhe ndikim të dukshëm në produktivitetin e ekonomisë së vendit. Nuk është aspak turp, të pranohet që ekziston një problem i tillë, që e ka kaluar gjithë bota, por turp është ta injorosh atë.
Për sa kohë që mbyllen sytë përpara një çështjeje kaq të rëndësishme dhe madhore nuk mund të presësh zgjidhje e strategji që do të tentonin të ndalnin e ndoshta dhe të kthenin mbrapsht këtë cikël. Shpresojmë që dikush, qoftë edhe jo timonier, të ketë guximin të shohë realitetin e të bërtasë Tokëëë… me kohë, para se anija të përplaset në shkëmb, se përndryshe në shfaqen e radhës të Oskarit, ata që do të duartrokasin do të jenë shumë të paktë!

 

Incenerator për djegien e plehrave edhe në Shijak

Rreth 300 banorë në lagjen e Keceve në Shijak protestuan dje kundër ndërtimit të një incerenatori për djegien e mbetjeve spitalore dhe të kafshëve të infektuara.
Banorët e Shijakut shprehen se askush nuk i ka pyetur ato për këtë projekt, i cili do të ndosë ajrin dhe do të ketë pasoja për shëndetin e banorëve.

Çfarë dihet deri më tani për ndërtimin e këtij inceneratori?

Kompania që ka fituar të drejtën për të ndërtuar dhe menaxhuar inceneratorin e mbetjeve spitalore dhe atyre të kafshëve në Shijak është “Jamarbër Group” shpk.
Kompania është themeluar në mars të 2017-ës dhe nuk ka eksperienca të mëparshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
Sipas relacionit joteknik për marrje leje për zhvillim aktiviteti, të hartuar në mars 2017 dhe të dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit, kompania do të ndërtojë një qendër grumbullimi dhe djegie me një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë.
Metoda që do të përdoret për asgjësimin e mbetjeve është metoda e presionit me avull të mbetjeve spitalore ku përfshihen përveç mjeteve të punës si bisturitë, shiringat, instrumente të mprehta dhe pjesët e trupit dhe organet e rezervat e gjakut të pacientëve, mbetjet nga kafshët e infektuara, si dhe medikamente e kimikate që përmbajnë substanca të rrezikshme.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Durrës, kompania “Jamarbër Group” ka zhvilluar dy dëgjesa me publikun, të dyja në datën 09.06.2017, përkatësisht në orën 10:00 dhe 11:00. Por për asnjërën prej takimeve nuk janë publikuar dokumentet shoqëruese, siç e parashikon Ligji për Njoftimin dhe Konsultimin Publik.
Zhvillimi i këtyre dëgjesa mohohet nga banorët e Shijakut. Ata pretendojnë se kompania kishte rënë dakord të zhvillonte një dëgjesë dje, por ajo nuk është zhvilluar ende.
Banorët po ashtu pretendojnë se kompania ka nisur procesin e grumbullimit dhe i djeg mbetjet gjatë natës duke lëshuar të gjithë tymin në ajër.
Në videon e “Report TV” jepen disa pamje nga kushtet në të cilat funksionon qendra e grumbullimit dhe djegies së mbetjeve.

60 milionë euro emigrojnë në 4 muaj

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

 

Paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare ka vijuar të rritet edhe në korrik për të katërtin muaj radhazi, duke reflektuar tendencën që konstatohet çdo herë që zhvillohen zgjedhjet.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, paraja jashtë bankave në fund të muajit korrik arriti në 253 miliardë lekë ose rreth 1.8 miliardë euro. Në krahasim me muajin mars, kur dhe filloi tendenca rritëse, ky tregues është shtuar me 3.4% ose 8.5 miliardë lekë (rreth 62 milionë euro).
Megjithatë, në raport me zgjedhjet e kaluara, rritja e parasë jashtë bankave ka qenë më e moderuar. Megjithatë, këtu mund të ketë ndikuar edhe fakti që këtë vit ka pasur një përdorim të lartë të valutës që hyn nga burime informale, që nuk reflektohet në statistikat zyrtare.
Për shembull, në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill-maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë.
Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë. Nëse indeksojmë interesin e depozitave në banka me inflacionin e muajit, interesi real është në negativ me -1%.
Banka e Shqipërisë ka njoftuar së fundmi për rigjallërimin e fenomenit të huadhënies informale. Ka një lidhje empirike ndërmjet rritjes së parasë që qarkullon jashtë bankave dhe fenomenit të fajdeve. Edhe në vitin 2015, kur financimet me kontrata huaje nga noterët u rritën jashtë normales, pati një rritje jo të zakontë të qarkullimit të parasë jashtë kanaleve bankave.

Betonizimi i bregdetit me fshatrat turistikë

Sektori i turizmit ende i pamaturuar shihet si një burim potencial për rritjen ekonomike në të ardhmen, por modeli në të cilin po zhvillohet nuk po i jep vlerën e shtuar që i takon sektorit.
Vërshimi i fshatrave turistike i destinuar për shitje, në vend të resorteve me kapacitete të mëdha akomodimi, nuk i jep sektorit vlerë të shtuar të lartë dhe nuk i nxit dukshëm industritë mbështetëse.
Teksa, kompania “Balfin Group” është në përfundim të punimeve të fshatit turistik “Green Coast”, kompania e ndërtimit “Edil Al”, ka njoftuar projektet për ndërtimin e tri fshatrave të rinj turistikë në jug të vendit.
Kompania “Edil Al” ka publikuar në webfaqen zyrtare se ka në plan të nisë vitin që vjen punimet për ndërtimin e një fshati turistik në zonën ndërmjet Palasës dhe Dhërmiut të quajtur “Palasa Bay Resort”. Projekti do të shtrihet në rreth 14 hektarë tokë dhe sipërfaqja e ndërtimit do të jetë në 44.000 metër katrorë, ku në pjesën jugore të saj shtrihet deti. Janë projektuar 160 njësi vilash dhe një hotel.
“Edil Al” ka në plan të përfundojë brenda 2019-ës një kompleks rezidencial me vila në Gjirin e Jalës, 55 kilometra nga Vlora. Fshati i Jalës u dizajnua nga studio italiane “OIKOS Progetti” dhe parashikon ndërtimin në një sipërfaqeje toke prej 45 mijë metrash katrorë, ku 4100 metër janë për vila dhe hotelin në 2200 metër katrorë.
“Edil Al” gjithashtu ka njoftuar se do të zhvillojë një projekt të ngjashëm në Ksamil. Ky projekt do të dizajnohet në bashkëpunim me studion arkitektonike greke “ORIO & Partners”. “Arameras BEACH resort” parashikohet të vendoset në një sipërfaqe 29 hektarë, ku sipërfaqja e ndërtimit është 112.940 metër katrorë.
Më herët këtë vit kompania “Edil Al” prezantoi projektin për ndërtimin e një fshati turistik të kombinuar me hotel dhe resort në Gjirin e Lalëzit, i pagëzuar me emrin “San Pietro Resort”. Projekti synon që në gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², do të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe, nga të cilat 98.600 metër katrorë do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort me 5 yje. Resorti është duke u zhvilluar në partneritet me kompaninë spanjolle “Melia Group”, e njohur për menaxhimin e resorteve me shërbime luksi. Investimi do të përfshijë 88 milionë euro, ndërsa pritet të jetë në operim brenda tri viteve bëjnë me dije burimet e kompanisë dhe do të ofrojë ofertat all inclusive.

Modeli i fshatrave

Bregu i Jugut të vendit po zhvillohet me modelin e Gjirit të Lalëzit. Në mes të një pylli të bukur, i pacenuar nga vala e ndërtimeve që zaptoi Durrësin fill pas viteve 1990, Gjiri i Lalëzit aktualisht është “zaptuar” nga fshatrat turistikë.
Banesat shfrytëzohen nga poseduesit maksimumi 10 ditë në vit, duke punësuar vetëm dy-tre punonjës sigurie për ruajtjen e tyre. Ndërtimet e fshatrave turistikë përgjatë gjithë bregut të Lalëzit, kanë dëmtuar kurorën e pishave të gjelbra. Banorët e Ishmit nuk po shohin përfitime nga popullimi i bregut. Zona është kthyer hermetike me vila luksoze, të cilave nuk u afrohesh dot. Të rrethuara me gardh mbrojtës dhe me roje të armatosura, përveçse kanë shtuar kuriozitetin për jetën matanë, nuk kanë sjellë asnjë përfitim për zonat përqark. Fshatrat turistikë të Lalëzit nuk i kanë rritur dukshëm kërkesën për prodhimet e tyre dhe as e ka nxitur bujqësinë në zonë. As kërkesë të dukshme për punësim nuk ka pasur.
“Lura 1”, “Lura 2”, “Peshkatari”, Val Mare, “New Born”, “Perla”, janë vetëm disa nga fshatrat turistikë në Gjirin e Lalëzit, teksa ky model (më i rafinuar) po përhapet me shpejtësi në Jug.

 

Ahmetaj fsheh donacionin për PS

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka mashtruar me deklaratën e pasurisë, duke konsumuar disa vepra penale njëherësh, si deklarim të rremë të pasurive, fshehje të transaksioneve bankare dhe mbase edhe pastrim parash. Ahmetaj, i cili do të jetë pjesë e qeverisë së re, si ministër i një superdikasteri ku përfshihen financat, ekonomia dhe puna, në datën 31.05.2013, në numrin e llogarisë 000112879 ka kaluar 875.000 lekë ose rreth 8 mijë USD, për fushatën e Partisë Socialiste. Por, një shumë e tillë nuk figuron në deklaratën e pasurisë së tij, për vitin 2013, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Financimi i fushatës nga ministri del në pah vetëm në raportin e audituesve të pavarur, të kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të kontrolluar shpenzimet dhe burimin e financimit të fushatës së Partisë Socialiste. Ligji nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, neni katër, pika 1, neni “h”, parashikon që subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të interesave private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë: çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 (treqind mijë) lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit. Ligji është i qartë, duke detyruar çdo zyrtar që të deklarojë çdo shpenzim mbi 300 mijë lekë, si dhe justifikimin e burimit të shumës së deklaruar me dokumentacion ligjor.
Neni 257/a i Kodit Penal parashikon që mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Referuar deklaratës së pasurisë për vitin 2013 dhe raportit të audituesve për financuesit e fushatës së PS, Ahmetaj duhet të jetë objekt hetimi nga organet ligjzbatuese.

Ahmetaj dhe deklarata e tij e pasurisë

Paga dhe shpërblime bruto si anëtar i Parlamentit janar-shtator 2013 në vlerën 1 049 508 lekë.
Paga si ministër i Ekonomisë për periudhën shtator-dhjetor 2013 në vlerën 508 004 lekë.
Pjesëmarrje në komisione 34 200 lekë.
Pagesa të marra për shpenzime telefoni dhe karburanti 449 500 lekë.
Pagesa të marra për dieta ditore dhe akomodim 206 936 lekë.
Paga dhe shpërblime bruto të zonjës Albina Mancka deklarohen në vlerën 5 061 031 lekë.
Zonja Albina Mancka përfiton të ardhura nga dhënia me qira e zyrave në vlerën 10 800 euro.
Zonja Albina Mancka përfiton të ardhura nga dhënia me qira e ambienteve në vlerën 12 000 euro.
Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi të pashlyer 439 euro, disbursuar më 05.01.2012, afat shlyerje 2 vjet, principal 10 000 euro.
Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi të pashlyer 31 381 euro, marrë më 24.08.2006 me principal 100 000 euro.
Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi të pashlyer 10 243 euro, marrë më 16.11.2009 me principal 24 111 euro.
Detyrime të paguara në vlerën -3 539 euro për një kredi bankare të aktivizuar më 05.01.2012.
Detyrime të paguara në vlerën -11 297 euro për një kredi bankare të aktivizuar më 24.08.2006.
Detyrime të paguara në vlerën -3 827 euro për një kredi bankare të aktivizuar më 16.11.2009.
Zonja Albina Mancka ka shlyer leasing për blerje makine në vlerën -3 172 euro.

Biznesi 100 mijë euro i ministrit të Financave me obligacionet

Ministri i Financave ka gjetur një biznes të mirë për të shtuar të ardhurat e tij. Ai ka investuar një shumë prej 100 mijë euro për blerjen e obligacioneve gjatë kohës që ka qenë në krye të Ministrisë së Financave. Nga njëra anë, ai direkt vendoste kuotat e fitimit të obligacioneve si ministër Financash në bashkëpunim me bankën dhe nga ana tjetër, ai i investonte paratë e tij në këtë biznes, rregullat e të cilit i përcaktonte po vetë.
Duke qenë edhe ministër i Financave, Ahmetaj është në një konflikt të pastër interesi me këtë biznes. Kjo për arsyen e thjeshtë se ai ka investuar në obligacionet ose Bonot e Thesarit, i cili është një borxh që bankat ja marrin qytetarëve dhe më pas ja shesin qeverisë. Pra, Ahmetaj ka investuar 100 mijë euro në obligacione, duke ja shitur bankave dhe më pas si ministër i Financave ja ka blerë bankës paratë që ai ka investuar po vetë me përqindje shumë herë më të lartë.
Gjatë kohës që Ahmetaj ka qenë ministër i Financave ka pasur edhe një rritje të borxhit publik të brendshëm, gjë që do të thotë se qeveria merrte para borxh tek bankat, të cilat nga ana e tyre e blinin borxhin nga investuesit e qytetarëve në obligacione apo Bono Thesari. Një prej këtyre investitorëve ka qenë edhe Ahmetaj. A është kjo e kundraligjshme? Ajo që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një investim, i cili është në konflikt të hapur interesi. Pyetja tjetër është ajo e shumës së 100 mijë eurove. Ku i gjeti ministri i Financave shuma të tilla për të investuar? Kuptohet se pasuria e tij është rritur shumë gjatë viteve të fundit në qeverisje si ministër i Financave dhe ish-ministër Ekonomie, ku aferat korruptive janë publikuar dhe janë ndër më skandalozet në këto dy ministri. Mjafton të kujtohet skema e pistë me koncesionet që drejtohej nga Ahmetaj tek Ministria e Ekonomisë dhe vizitat me vëllain e Kryeministrit tek partnerët kinezë për të dhënë me koncesion zonën e lirë ekonomike të Spitallës.

Çfarë janë obligacionet

Bonot e Thesarit dhe obligacionet janë instrumente të borxhit qeveritar afatgjatë dhe afatshkurtër dhe janë të garantuara nga qeveria shqiptare.
Sigurojnë kthim fiks (nëse investoni paratë tuaja deri në maturitetin e duhur) dhe janë instrumente likuide.
Në një treg të paqëndrueshëm ku interesat rriten, ekziston risku. Investimi në letra me vlerë nuk është si investimi në depozitat me afat. Ka mundësi që ju të humbisni pjesë të shumës së principalit nëse nuk mbani letrat me vlerë deri në maturitetin e tyre.
Banka ofron shërbime për ruajtjen e investimeve tuaja në Bono Thesari dhe obligacione.
Ato mund të blihen dhe shiten nga ora 09:00-14:00 me të njëjtën datë valutë për aq kohë sa do të kryeni transaksione në regjistrin e Bankës.
Bonot e Thesarit shiten me zbritje dhe fitimi në maturitet bëhet i ditur më përpara.
Obligacionet kanë kupona. Kuponat e tyre kanë norma interesi fikse ose të ndryshueshme.
Pagesat e kuponave të obligacioneve bëhen çdo 6 muaj.

Arlind RAMA

KE: Shqiptarët më të varfër se serbët, maqedonasit e Mali i Zi

Nëse Shqipërisë në vetvete do t’i duhen shumë vite për të arritur standardet europiane, rajonit të veriut i duhen shumë më tepër.
Duke raportuar të dhënat e detajuara për rajonet, INSTAT thotë se PBB-ja për frymë e shqiptarëve ishte sa 29.6 për qind e PBB-së së mesatares të BE në vitin 2015, por rajoni i veriut (Dibra, Durrësi, Kukësi, Lezha dhe Shkodra) i pati të ardhurat për frymë sa 24.1 për qind e mesatares së BE-së.
Në këtë mënyrë qytetet e veriut kanë një hendek më të madh në raportin e konvergjencës (rritja me ritme më të shpejta se mesatarja e Europës në mënyrë që të arrihen standardet europiane) e për pasojë do t’i duhen më shumë vite për të mbuluar hendekun e nivelit të jetesës jo vetëm me BE, por edhe me pjesën tjetër.
Me pozicion inferior në raport me të ardhurat kombëtare paraqitet edhe rajoni i jugut të vendit me qarqet e Beratit, Fierit, Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës. Produkti i Brendshëm Bruto për frymë në rajonin e jugut ishte sa 27.3 për qind e të ardhurave mesatare të BE më 2015.
Rajoni i Shqipërisë së Mesme me qarqet e Elbasanit dhe Tiranës paraqitet në një pozicion më të mirë, ku mesatarja e të ardhurave për frymë ishte sa 35.5 për qind e mesatares së vendeve të BE-së më 2015.
Ndërsa sipas Komisionit Europian të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012.
Integrimi në BE ka komponentin e tij më të rëndësishëm ekonominë. Në këtë drejtim, për Shqipërinë, shifrat nuk sjellin pamje optimiste. Veçanërisht në dy drejtime krahasuar me vendet e rajonit dhe mesataret e BE, Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Të ardhurat për frymë dhe treguesit e eksporteve tregojnë se në rrugën tonë drejt BE ne nuk kemi ecur, por thjesht kemi qëndruar në vend.
Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë.
Rritjen më të madhe e shënuan Maqedonia dhe Turqia duke u zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 pikë përqindje të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me BE-në. Për herë të parë Shqipërisë ia kaloi edhe Bosnja, shteti me probleme të mëdha etnike dhe burokratike.
Në vlerë absolute, të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të FMN. Me këtë nivel, Shqipëria renditet e 106-a në botë nga 190 shtete, për të cilat raportohen të dhënat e prodhimit të brendshëm nominal për frymë. Më mirë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor paraqitet Mali i Zi rreth 6,600 dollarë (84), Serbia rreth 5,400 USD (vendi 92).

Kampi i shfarosjes së fëmijëve në diktaturë

– Zoti Agim Musta, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më ka bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?
Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe zhvarrosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tejmase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.

– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar dhe shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja e kampit në këtë fushë të minuar?
Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.

– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?
Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i Sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

– Zoti Musta, të qëndrojnë edhe pak në problemet që hasën edhe shqiptarët e Kosovës. Shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit jugosllav. Mund të na thoni diçka lidhur me këtë gjë, pasi është një histori ku thuhet se diktatura në Shqipëri ishte e mirë për kosovarët dhe e keqe për shqiptarët?
Dihet se shumë kosovarë kanë vuajtur nëpër burgjet e Shqipërisë. Shumë djem të rinj kosovarë kanë vuajtur në kampet e përqendrimit dhe në burgjet në Shqipëri. Shumë djem kosovarë të mirarsimuar, të etur për të mësuar gjuhën shqipe, erdhën në Shqipëri për të mësuar kulturën shqiptare. Komunistët kishin disa shtëpi sekrete sigurimi. Një në Shijak dhe një në Krujë. Aty bëhej filtrimi i tyre. Një pjesë shumë e vogël e tyre merreshin dhe bëheshin agjentë të Sigurimit, ndërsa të tjerët internoheshin e burgoseshin vetëm pse nuk pranonin të bëheshin agjentë të Sigurimit. Unë kam pasur disa kosovarë në burg. Shumë prej tyre janë ekzekutuar.

– Do të kalojmë në një pjesë tjetër të librit tuaj, atë ku luftëtarët e lirisë quhen “Desantët apo diversantët”. Në insertin që unë kam përgatitur flitet për një gjyq dhe pamjet janë marrë nga një film i vitit 1952, në të cilin ishin të ftuar edhe gazetarë nga blloku lindor. Çfarë mund të na thoni për këtë ngjarje?
Janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe unë dua të faktoj një gënjeshtër të madhe që ka shkruar Ramiz Alia në librin e tij. Ai thotë se Zenel Shehu bashkëpunoi me komunistët dhe se ata e kishin falur. Ky është mashtrimi më i madh që ata kanë thënë, pasi Zenel Shehu është ekzekutuar nga komunistët. Gazetarët që ishin aty ishin të tërë komunistë. Vetëm një gazetar polak i gazetës “Tribuna” dallonte nga të tjerët. Kur u kthye në Poloni, ai ka thënë se, “gjyqet që bëhen në Shqipëri janë kostume të zeza të qepura me pe të bardhë”. Ato gjyqe ishin komplet të manipuluara. Aranit Çela, i cili sot bredh bulevardeve dhe ndërron kostumet angleze, u ka marrë lekët dhe florinjtë diversantëve. Është mbi 90 vjeç dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Bëri dy vjet burg kur erdhi demokracia dhe mori qindra milionë lekë si dëmshpërblim.

– Zoti Musta, të kalojmë në një pikë tjetër të librit tuaj. Është një fakt i pamohueshëm se, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, rezistenca e armatosur në Shqipëri vazhdoi deri nga vitet ’60.
Lufta ndaj diversantëve mbaroi më 1954. Madje vetë Alan Dalles, që ishte kryetari i CIA-s, tha se të ndalohej çdo veprimtari. Mjafton që ne fituam një eksperiencë për luftën e tretë. Nuk rrëzoheshin regjimet komuniste me tri veta, me dhjetë veta. Gënjeshtra e madhe qëndron edhe sot. Përpara disa ditëve një ish-oficer i Sigurimit shkroi në një nga gazetat shqiptare se diversantët kanë vrarë me mijëra njerëz. Kjo është gënjeshtër e madhe. Në pak raste që ka ndodhur kjo gjë, ka ndodhur për shkak vetëmbrojtjeje, pasi ka qenë duke luftuar.

– Zoti Musta, si nisi ardhja e desantëve për të përmbysur udhëheqjen nëpërmjet grupeve guerile? Si u organizua ajo?
Shumë udhëheqës të botës thanë në atë kohë se ata u kujtuan për Shqipërinë në kohën kur Stalini bëri diversion në Greqi për të marrë pushtetin. Grupi i parë që ka ardhur këtu ishte ai i Hetem Çakut më 1949, i cili përbëhej nga katër veta. U dërguan këtu nga Italia. Ata ishin Hetem Çaku, Kasem Zhupa, Zyber Lika dhe Lumadh Lutfiu. Këta i nisi zbulimi italian, pasi do të ndodhnin ngjarjet në gushtin e 1949-s, në rast se Greqia do të avanconte në brendësi të territorit shqiptar. Gjatë veprimtarisë Zyber Lika u vra, ndërsa dy anëtarët e tjerë të grupit u dorëzuan. Kasem Xhuma pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin dhe u la i lirë. Po me urdhër të Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm në atë kohë atë e kanë vrarë brenda burgut. Kjo është një shkelje flagrante e ligjshmërisë. Më pas u krijua grupi i Maltës. Ai udhëhiqej nga Dejvid Smaili, i cili kishte qenë më parë në Shqipëri. Ai ka pasur kontradikta të mëdha me Enver Hoxhën, madje thoshte se Enveri donte ta vriste mbrapa krahëve. Ky grup u zhvendos në Gjermani më 1949. Në kampet e Gjermanisë u mblodhëm 179 veta. Këta persona janë kapur nga forcat ruse dhe janë internuar në Siberi dhe në vende të tjera të Lindjes.

– Të qëndrojmë pak te libri juaj. Ju u jeni referuar studiuesve anglezë dhe amerikanë dhe thoni se dështimi i kësaj organizate për të marrë pushtetin erdhi nga tradhtia e një oficeri, Kim Filbi. Sa e vërtetë është kjo?
Kjo është e vërtetë. Kim Filbi ishte caktuar nga zbulimi anglez për të marrë pjesë në organizatën e diversantëve. Në fillim ishte në Stamboll, më 1945. Erdhi në kontakt me të arratisur shqiptarë për të marrë informacione. Kim Filbi ishte agjent sovjetik që nga viti 1932. Kur u dyshua, ai u arratis. Informacionet që ai merrte nuk i dërgonte në Shqipëri, por ia dërgonte qendrës komuniste në Rusi. Zbulimi rus pastaj ua dërgonte njerëzve të tij në Shqipëri, që ishin në poste të larta. Në Ministrinë e Brendshme ishin 40 këshilltarë të zbulimit rus. Ata përcaktonin planin e veprimit që do të bënin shqiptarët. Helmimin e Mit’hat Frashërit e bënë agjentët rusë nëpërmjet vrimës së çelësit. Nga vrima e çelësit ata futën gaz helmues. Në këto mënyra ata kanë zhdukur shumë persona.

– Zoti Musta, të qëndrojmë prapë këtu. Ju i quani këta persona “trima të dëshpërimit”, pse i keni emëruar me një term të tillë?
Ata e dinin se si ishte gjendja në Shqipëri. Ata më kanë thënë se atyre u vinin materialet me informacione se çfarë ndodhte këtu. Populli këtu ishte i frikësuar. Madje, një anglez ka thënë se “shqiptarët nuk janë këta që janë sot (referuar kohës së komunizmit), por janë njerëz të besës”. Ai thotë se besa e shqiptarëve është kthyer në tradhti. Dhe këtë ai ia dedikon sistemit komunist, që i tjetërsoi shqiptarët. Ali Branica, që u përmend në insert, ka qenë kapiten në gardën e Zogut. Mbas përfundimit të luftës ai u kthye në shtëpinë e tij. Kur ai u kthye në shtëpi, gruaja i tha që të dorëzohej te komunistët, përndryshe do ta denonconte vetë ajo. Këtë veprim do ta bënte pasi në të kundërt do t’i shkatërronin të gjithë familjen. Dhe ashtu ndodhi: i shkatërruan të gjithë fisin, prandaj ata krijuan atë që quhet “grupi i rezistencës”. Shumë anëtarë të sistemit komunist u bashkuan me këta me qëllim marrjen e informacionit. Anëtarë të tillë si Kadri Hazbiu, i cili bënte rolin e doktorit. Të infiltruarit morën informacione për të gjitha familjet shqiptare se cilat do të pranonin diversantë dhe cilët jo. Ata i merrnin kryefamiljarët dhe i internonin. Më 1954 u shkatërruan të gjitha familjet diversante të Shqipërisë. Por kanë ardhur edhe grupe të tjera në rrugë tokësore nga Greqia dhe Jugosllavia.

Intervistoi: Nebil ÇIKA

Të shtunën Haradinaj në krye të qeverisë së Kosovës

Parlamenti i Kosovës zgjodhi me 62 vota pro dhe 52 kundër kryetarin e Parlamentit, duke përmbyllur seancën konstituive, e cila filloi më 3 gusht, por u zvarrit për shkak të mungesës së votave të koalicionit fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën.
Mbledhja e djeshme konkretizon marrëveshjen e këtij koalicioni me Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli pas së cilës “u krijua shumica parlamentare për konstituimin e Parlamentit dhe institucioneve të tjera”.
Të mërkurën ata negociuan me përfaqësuesit e Listës serbe, të cilët ngulën këmbë që të kenë tri ministri përfshirë edhe atë të Bujqësisë, që fillimisht ishte ndarë për Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli.
Të hënën ishte arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe Aleancën Kosova e Re.
Marrëveshja u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat thanë se një qeveri e tillë nuk do të mund të ketë jetë të gjatë dhe se e njëjta do të jetë e varur nga Beogradi.
Kjo është hera e dytë që zoti Veseli zgjidhet në krye të Parlamentit. Herën e parë ai u zgjodh në këtë post në dhjetor të vitit 2014, pas një krize politike që pasoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të atij viti.
Kadri Veseli, i njohur me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga zoti Veseli.
“Kosova nuk ka kohë për të humbur, kurse institucionet e reja duhet të shpejtojnë me reformat, integrimet evropiane dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kadri Veseli në fjalimin e parë para deputetëve.
Fjalimi i tij, është bojkotuar nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Veseli tha se u takon këtyre institucioneve t’i përmbyllin shumë çështje të hapura, që kërkojnë vendime e përgjigje, duke përfshi edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai kërkoi reforma në arsim, shëndetësi, qëndrime unike për formimin e ushtrisë së Kosovës, dialogun me Serbinë dhe reformat evropiane.
Seanca e djeshme ishte vazhdimësi e seancës konstituive të 3 gushtit, e cila gjashtë herë u ndërpre, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Zgjedhjen e Veselit nuk e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Nga momenti i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, koalicioni PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e qeverisë së re dhe ai është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas procedurave, Haradinaj duhet të marrë bekimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e qeverisë.

 

Qeveria mund të votohet të shtunën
Pak pasi u ul në karrigen e kryetarit të Parlamentit, zoti Veseli, paralajmëroi se Parlamenti mund të mblidhet sërish të shtunën për të votuar qeverinë e Kosovës.
Sipas Kushtetutës koalicioni duhet të emërojë kandidatin për kryeministër, që në këtë rast është kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas procedurave, mandatin për formimin e qeverisë atij i jepet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Nga momenti i mandatimit, kandidati për kryeministër duhet që brenda 15 ditësh të paraqesë kabinetin qeveritar.

Rusi-Bjellorusi, 100 mijë trupa në stërvitje

Ministrat gjermanë dhe francezë të Mbrojtjes kanë kritikuar manovrën e fundit ushtarake të Rusisë me Bjellorusinë, ku kanë thënë se Moska dëshiron të tregojë fuqinë ushtarake në kufijtë e BE-së dhe NATO-s.
“Është shumë me rëndësi që në këtë kontekst ne të riafirmojmë prezencën tonë, në këtë strategji që Rusia po e përdor për të na frikësuar”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes franceze, Florence Parly.
Nën rregullat e OSBE-së, që ndryshe njihen si dokumenti i Vjenës, shtetet që kryejnë manova ushtarake me më shumë se 13.000 ushtarë, duhet të njoftojnë paraprakisht vendet e tjera, e po ashtu të jenë të hapura për mbikëqyrësit.
Rusia dhe Bjellorusia kanë thënë se këto manovra ushtarake, të ashtuquajtura Zapad apo “Ushtrimet e Perëndimit”, përfshijnë rreth 12.700 ushtarë dhe do të mbahen në Bjellorusi dhe në disa pjesë perëndimore të Rusisë.
Në anën tjetër, zyrtarë të Perëndimit dhe ekspertë thonë se numri i vërtetë i pjesëmarrjes së ushtarëve mund të arrijë në 100 mijë trupa.
NATO ka thënë se do të dërgojë tre vëzhgues në Bjellorusi dhe Rusi për të monitoruar manovrat ushtarake dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje të dyja vendeve të lejojnë monitorimin e kufijve në prova.
Rusia mban provat në Zapad, çdo katër vite, në tri pjesë të ndryshme të vendit.