Një shpërthim me eksploziv ka tronditur qytetin verior mëngjesin e djeshëm. Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në banesën e një ish-efektivi policie. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër në pallatin 2-katësh, tek dera e jashtme e banesës së 58-vjeçarit Rrok Pepaj, ish-efektiv policie. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por dëme materiale, ndërsa janë tronditur familja Pepaj dhe banorët e tjerë të pallatit 2-katësh.
Eksplozivi ka dëmtuar derën e jashtme dhe tavanin e korridorit të banesës së ish-policit 58-vjeçar, i cili, sipas policisë, është me precedent penalë. Pas njoftimit ka mbërritur policia, duke nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve. Ndërkohë që është marrë në pyetje edhe pronari i banesës që iu vendos eksplozivi për dyshimet dhe konfliktet që mund të ketë pasur.
Policia tha se, mësoi për ngjarjen rreth orës 04:00 me anë të një telefonate në sallën e komandimit. Apartamenti ndodhej në një pallat dy katësh. “Tek dera e jashtme e baneses shtetasit Rr.P, 58 vjeç, ka patur një shpërthim i dyshuar lëndë plasëse. Për pasojë është dëmtuar lehte dera e jashtme dhe tavani i korridorit të baneses tij”, informon policia. Policia thotë se po kryhen veprimet me grup hetimor, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor thotë se të gjitha pistat janë të hapura përfshi dhe ajo e mundësisë se mund të jetë shkaktuar nga ai vetë për të siguruar më pas azil në një shtet të Bashkimit Europian.
Kush është Rrok Pepaj? Rrok Pepaj në 2005 u arrestua si pjesë e një grupi të mirorganizuar të trafikut të lëndëve plasëse në Ballkan. Në atë kohë u arrestuan katër shkodranë dhe dy malazezë. Në këtë operacion u sekuestruan gjashtë bomba me celular të ardhura nga Mali i Zi. Për këtë akuzë, Pepaj u dënua me 5 vite burg.
Rrok Pepaj ka qenë i dënuar me 5 vite burg, pasi ka qenë njëri nga 4 personat e arrestuar në 2005 për transport eksplozivi nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë. Në 2005, Rrok Pepaj u arrestua së bashku me Sandër Lekë Gjinaj, Mirash Lazër Dushku, Altian Nuro Saloviq dhe në bashkëpunim me policinë malazeze është ndaluar korrieri i eksplozivit C4, Branko Raiçeviq nga Podgorica.
Ata u kapën me disa bomba me telekomandë të përgatitura në Beograd, ndërsa u futën në Shqipëri përmes Malit të Zi. Në 2010 ai ka dalë nga burgu, ndërsa nuk dihet nëse shpërthimi i sotëm ka lidhje me arrestimin në 2005 apo ngjarje të tjera më pas. Policia duke nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve, ndërkohë që është marrë në pyetje edhe 58-vjeçari, por nuk bëhet e ditur se çfarë ka deklaruar ai para uniformave blu.
Deri tani nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur qytetin verior. Banorët e lagjes “Skënderbeg” janë zgjuar të tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm. Disa prtej tyre u shprehën se sapo kanë dëgjuar shpërthimin kanë dalë në dritare për të parë se çfarë kishte ndodhur. Mjaft prej tyre thanë se ndjehen të pasigurtë në banesat e tyre për shkak të rritjes së kriminalitetit.
Rikthehet tritoli, shpërthim në banesën e një ish-polici
Kalon në Portin e Durrësit me pistoletë, kapet në Bari
Një italian ishte nisur nga Shqipëria, ku kishte kaluar pushimet, drejt vendlindjes me pistoletë dhe fishekë fshehur në makinë, u kap në Portin e Barit. Italiani udhëtonte me një makinë ku kishte fshehur nën levën e marsheve, një pistoletë dhe pesë fishekë, po u zbulua gjatë kontrolleve në Portin e Barit, nga punonjësit e Agjensisë së Doganave.
Burri, një shtetas italian me banim në Bari, ishte duke u kthyer nga Shqipëria, thanë mediat italiane. Në makinën e tij, ushtarakët dhe agjentët zbuluan një pistoletë me kalibër 9 që ishte prodhuar në Jugosllavi, fishekë por edhe 6.6 kg duhan i fortë, që burri po e fuste ilegalisht në Itali.
Terrorizoi fshatin duke kanosur e qëlluar me armë
Një i ri është vënë në pranga në Mirditë, pasi ka kanosur me armë një fqinj të tij dhe ka qëlluar me armë, duke terrorizuar të gjithë banorët e fshatit Fan. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës bëjnë të ditur se mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00 janë njoftuar se në fshatin Fan në Mirditë ka të shtëna me armë zjarri.
Në vendngjarje kanë mbërritur patrullat e policisë që kanë konstatuar se për motive të dobëta, Pashk Marku, 25 vjeç, banues në fshatin Fan në Mirditë, ka kanosur me armë zjarri automatik shtetasin M. P., 53 vjeç, fqinj me autorin.
Por pas kësaj duket se 25-vjeçari ka tentuar që të largohet jashtë Shqipërisë në drejtim të Greqisë. Por ai është kapur në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, në tentativë për të kaluar jashtë kufijve të territorit të Shqipërisë. Pas arrestimit ndaj tij janë ngritur akuzat e ‘prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit’ dhe ‘kanosja’. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Lezhës për hetime të mëtejshme.
Basha: Dënimi i krimeve të komunizmit mision i pambaruar
27 vjet nga rënia e regjimit komunist dhe Shqipëria ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit, duke mbetur i vetmi vend në Europën Juglindore që mban ende në ndërgjegjen e tij plagën e hapur të barbarisë dhe monstruozitetit të regjimit diktatorial që përjetoi.
27 vjet nga rrëzimi i diktaturës dhe Shqipëria mbetet gjithashtu i vetmi vend që sot drejtohet nga pinjollët e atij regjimi famëkeq, nga një kryeministër, babai i të cilit firmosi varjen e poetëve të rinj, e nga ministra që po ashtu etërit e tyre janë autorët e vrasjeve të frikshme barbare të shqiptarëve të pafajshëm që kundërshtuan dhe bënë rezistencë ndaj atij regjimi.
Shoqëria shqiptare mbetet ende e paçliruar nga traumat, torturat, tronditjet e pësuara nga regjimi më i egër totalitar në Europë ashtu siç mbetet edhe nën akuzë për mos dënimin e vrasësve dhe kriminelëve komunistë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi dje me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata shqiptarë që vuajtën, u torturuan barbarisht, u masakruan bashkë me familjet e tyre nën regjimin hoxhist, regjimin më të egër totalitar që ka njohur Europa.
Basha reagoi dje në Ditën Europiane në Kujtim të Viktimave të Komunizmit, ndërsa solli në vëmendje faktin e rëndë se ende sot Shqipëria pavarësisht se është ndër vendet që përjetoi regjimin më të egër totalitar ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit, autorët e këtyre krimeve si dhe lejimin e rikthimit të një pjese të konsiderueshme të kastës së komunistëve sërish në pushtet.
Postimi i Bashës
Gati 100 milionë persona gjetën vdekjen nga komunizmi, të vrarë direkt për qëllime politike ose të vdekur si pasojë e mjerimit që komunizmi solli për miliona njerëz.
Në librin e errët të komunizmit, Shqipëria zë një vend të veçantë për nga egërsia kriminale e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kundër popullit të tyre. Dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën nga dhuna e regjimit komunist shqiptar, të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje. Qindra mijë u burgosën politikisht dhe u internuan në kampe. Një popull i tërë u izolua për afro gjysëm shekulli në karantinën më mizore të mjerimit, shtypjes dhe trushpëlarjes në Europë.
Sot, në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë plotësisht vrasësit dhe kriminelët komunistë, që nuk reflektoi seriozisht kundër ideologjisë, frymës dhe mentalitetit komunist e nuk i preu asnjëherë rrugën kthimit të komunistëve në pushtet.
Është e dhimbshme që ne nuk kemi ende një monument të vërtetë për viktimat e komunizmit, dhe nuk kemi ende një histori të vërtetë të krimeve të komunizmit. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike. Ky është mision i pambaruar, por i palëkundër i Partisë Demokratike.
Vendet e Europës Juglindore dhe dënimi i krimeve të komunizmit
Katër shtetet anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar për mohimin e krimeve të kryera nga regjimet totalitare, e cila përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste: – Në Republikën Çeke Kodi Penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, e vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist apo komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit. – Në Poloni mohimi publik dhe kunderfaktual për krime naziste, krimeve të komunizmit dhe krimeve të tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimeve të luftës është një vepër penale. – Në Hungari refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare është një vepër penale. – Në Lituani, lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimet e kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik) apo Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”.
Heshtja që rivret 59 mijë viktimat e torturuara nga regjimi hoxhist
Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Po sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit. Janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva. Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare. Topografia e terrorit komunist do të titullohet harta ku do të jenë të evidentuara të gjitha kampet e punës së detyruara, po ashtu burgjet në të gjitha trevat e Shqipërisë. ISKK tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet e kampet e punës së detyruar nëpër gjithë territorin e Shqipërisë për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet ‘topografia e terrorit komunist’, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memorialë e pllaka përkujtimore. Instituti vijon të përkrahë e nxitë studimet shkencore rreth krimeve të komunizmit me doktorantë të huaj e shqiptarë pranë Universiteteve të Europës e Amerikës, duke u afruar atyre dokumentet dhe literaturën e nevojshme dhe konsulencën shkencore në këtë drejtim.
Pas milionave ‘të hedhura’…edhe Europa ka të drejtë!
Nevila XHINDI
Ëndrra “Europë” prej kohësh përpëlitet të na japë një mësim, për njëmijë e një arsye që po e zhbëjnë përditë ëndrrën dhe punën e shqiptarëve drejt Europës dhe Europës për shqiptarët!
E ndjeva të përmend njërën prej tyre…financimin europian!
Taksapaguesit europianë, të revoltuar nga pasiguria e jetës, prodhuar nga krimi i organizuar i drejtuar nga shqiptarët, u kërkojnë shpesh llogari qeverive të tyre për Shqipërinë “që prodhuan” paratë e tyre europiane në 27 vite!
Ku shkuan? Si u ndanë? Kush dhe sa përfitoi? Përse shqiptarët janë ende problem?
Në raportet zyrtare të BE-së thuhet se nga mbështetja financiare për një Shqipëri drejt Europës, përfituan institucionet shqiptare dhe shoqëria shqiptare, progres i ngadaltë dhe Shqipëria është ende në tranzicion e me demokraci të brishtë: ka korrupsion, renditet si Kolumbia europiane për hashash, ka krim të organizuar…
Qindra miliona euro të injektuara në 27 vite në shoqërinë shqiptare, si grante, si asistencë teknike dhe si kredi të buta. Qindra e mijëra shqiptarë të trajnuar, miliona euro projekte për rritjen e kapaciteteve dhe cilësinë e burimeve njerëzore, për cilësinë e institucioneve, projekte ndërgjegjësimi, kualifikimi për stafet e administratës publike, stafet e universiteteve si qendra edukimi të së ardhmes, stafe doganash, Policia e Shtetit. Miliona euro për zhvillim rajonal, infranstrukturë, ekonomi, bujqësi…
Por europianët përjetojnë realitet tjetër nga shqiptarët: krim-drogë-prostitucion!
Shtohen emigrantët, shtohen kërkesat për azil, shtohen kërkesat për bashkim familjar, aplikimet për punë…ikin studentët, ikin të rinjtë e papunë, ikin familje shqiptare…ikin të ditur, të paditur, me profesion e pa profesion. Rrugëve të Europës…ikin!
E ndërsa europianët kërkojnë llogari për milionat europiane të “hedhura” në Shqipërinë që duhej të ishte “bërë” tashmë dhe u bëjnë presion qeverive të tyre, e kështu presion ne shqiptarëve se do na i heqin vizat, ne shqiptarët në vend që të kërkojmë llogari qeverisë sonë që nuk ndalon dot krimin, korrupsionin, drogën e që i shtyn njerëzit e papunë drejt Europës, ne e përjetojmë si padrejtësi heqjen e vizave. Po, po, sepse për shumë prej nesh Europë do të thotë të jemi të lirë të lëvizim drejt saj, pa u ndjerë përgjegjës për asgjë!
A dimë ne shqiptarët t’i kërkojmë llogari qeverisë sonë për milionat europiane të eurove, dedikuar për ta bërë Shqipërinë…t’i bëjmë presion qeverisë sonë për të luftuar korrupsionin, krimin e drogën? apo dijmë veç të hedhim në kuti votën e shitur për pesë lek?
Europa e ka zgjidhur! Dhe në emër të taksapaguesve të saj i bën “presion” një qeverie të papërgjegjshme si e jona, që mendjen e ka tek timoni e tepsia, që është kthyer në fole të ngrohtë për krimin e organizuar, që flet e flet, i fton të rinjtë kuvendeve me platforma mavi dhe nuk bën asnjë përpjekje për të ardhmen e punësimin e tyre.
Ky presion nuk e lë pa vëmendje edhe opozitën shqiptare që të reagojë, që të jetë e fortë, të japë e të jetë shpresë, besim dhe t’u ofrojë shqiptarëve alternativa për jetën europiane!
Europa ka zgjedhur të mos heshtë, të na bëjë “presion” ne shqiptarëve, për më shumë përgjegjshmëri dhe kërkesë llogarie ndaj qeverisë.
Fundja të drejtë ka, pas milionave “të hedhura” që ne shqiptarët të ishim e mira e vetes dhe e të tjerëve!
Duan të na bëjnë qytetarë me barkun plot, por shqiptarë me kokën bosh!
Kim MEHMETI
Në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të mbahen në Maqedoni, do të bëhet edhe më i dukshëm projekti me koncept ‘qytetarë’ i LSDM-së, e që ka për qëllim nxjerrjen jashtë loje të partive shqiptare! Edhe atë, ose duke kandiduar shqiptarët e saj për kryetar e për anëtarë të këshillave komunal, ose duke ua imponuar partive shqiptare kandidatët që do i përkrahë me votuesit e saj shqiptarë.
Shkurt, shqiptarët e Maqedonisë janë duke shkuar rrugës drejtë së kaluarës socialiste, kur beteja politike brendashqiptare zhvillohej mes shqiptarëve ‘të mirë’ që i donte sunduesi dhe shqiptarëve të ‘pandershëm’, që i luftonte regjimi. Andaj, nuk do jetë befasuese nëse në këto zgjedhje vendore – edhe mes partiakëve të së njëjtës parti shqiptare – të nis beteja mes atyre që kanë përkrahjen e LSDM-së dhe atyre që nuk janë të përshtatshëm për partitë maqedonase. Kështu që këto zgjedhje vendore do të mund ta thellojnë hendekun mes shqiptarëve të ‘përparuar’ të partive maqedonase, të cilët për dallim nga të ‘prapambeturit’, nuk do merren me çështje ‘nacionalromantike’, që nuk të sjellin as bukë as ujë, por me rritjen e standardit jetësorë. Me çka edhe do mund të bëhemi popull me barkun plot, por me kokën bosh. Të atillë siç na kanë dashur të gjithë sunduesit.
Të merremi vesh: e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë është integrimi i tyre në shtetin ku jetojnë, por duke u integruar në të ashtu si edhe bashkëqytetarët e tyre maqedonas – jo si ‘qytetarë’, por si shqiptarë. Dhe duke e kuptuar se është e pamundur të integrohesh si qytetarë në një Maqedoni, që interes të vetmin shtetëror ka afirmimin e etnitetit maqedonas. Me çka del se këtë shtet e përbëjnë ‘qytetarët’ që jetojnë në të dhe populli maqedonas, të cilit i takon ai. Dhe se bëhet fjalë për shtet që investon që jo maqedonasit të bëhen ‘qytetarë’, por në ndërkohë, duke pasur qëllim parësor vetëm forcimin e boshtit kurrizor etnik maqedonas.
Po pra, zgjedhjet e ardhshme vendore, do e dëshmojnë pjekurinë politike të neve shqiptarëve të këtij shteti dhe do shihet qartë ajo që është dashur ta shihnim qëmoti: se Maqedonia është shtet i ndërtuar mbrapshtë, edhe atë jo vetëm shkaku i marrëdhënieve etnike, por pse atë e ka drejtuar dhe është duke e sunduar ‘nëntoka politike’ dhe koalicioni i ‘krimit shumetnik. E ky “shtetsundim’ ka një të veçantë: pushtetmbajtësit maqedonas i kontrollojnë edhe banditët e kriminelët shqiptarë, të strehuar edhe nëpër partitë tona, ndërkaq partitë shqiptare nuk kanë kontroll as mbi vetveten.
Në këto zgjedhje vendore pra, do të bëhet edhe më e ashpër lufta mes shqiptarëve të partive maqedonase dhe atyre që e kundërshtojnë konceptin ‘qytetarë’ të LSDM-së. Kështu që ata, që deri dje e kritikonin regjimin DPMNE-BDI, e që shumë qarqe shqiptare i quanin shërbëtorë të LSDM-së maqedonase, tani do i njollosin si shërbëtorë të VMRO-DPMNE-së’. Por në ndërkohë do ndodh edhe diçka e mirë: do shihet qartë se kush cilës partie maqedonase i ka shërbyer dhe është duke i shkërbyer, njësoj siç do shihet qartë se edhe LSDM-ja është duke qeverisur sipas logjikës se, burrështetasi i korruptuar maqedonas e dëmton shtetin, por krimineli shqiptar që i lufton shqiptarët ‘e padëgjueshëm’ është i përdorshëm për pushtetin. Pra, do shihet qartë se kur jemi në pyetje ne shqiptarët, edhe LSDM-ja gjithmonë e ka përdorur dhe do e përdorë metodën e njohur: nxiti të merren me vetveten dhe ta luftojnë njëri-tjetrin!
Por ku ta dish, mbase ne shqiptarët e Maqedonisë jemi dhënë së tepërmi pas ‘ngrënies e pijes’ andaj edhe nuk e shohim as atë që duket qartë: se antishqiptarinë e VMRO-DPMNE-së, më së miri e ka materializuar LSDM-ja maqedonase, duke u treguar parti me koncept ‘qytetarë’ dhe kinse proshqiptare, e duke qenë në thelb thuajse po aq albanofobe sa edhe DPMNE-ja! Gjë që dëshmon se partitë maqedonase i ka sjellë në pushtet, o antishqiptaria e sinqertë, që ua ka garantuar votën nacionaliste maqedonase, o proshqiptaria e rrejshme, që ua ka sjellë edhe votën e shqiptarëve! Pra, sunduesit maqedonas kanë pasur krah vetes, ose vasalët e ndonjë partie shqiptare, ose shqiptarët ‘mendjehapur’, që janë anëtarësuar në të dhe e kanë përkrahur konceptin ‘qytetarë’ të LSDM-së?! Dhe duhet qenë i drejtë: për këtë nuk janë fajtore partitë maqedonase, por ato shqiptare, që nuk u treguan të afta ta mbrojnë shqiptarin nga regjimi, por nëpërmjet ‘muskulozëve e komandantëve’ të vet, e mbronin sunduesin nga shqiptarët. Me çka shqiptarët filluan më shumë t’u besojnë partive maqedonase, se sa atyre shqiptare dhe, që i çoi partitë maqedonase të besojnë se ata që mund t’i kontrollojnë shqiptarët e Maqedonisë janë ose vasalët partiak mirë të paguar, ose muskulozët e ‘komandantët’ e mëhallës, që mund t’i dhunojnë e kërcënojnë votuesit, por për të cilët nuk do vlejë ligji.
Ditmir gjinkalla në bunkerin e diplomacisë!
Nga Enver Bytyçi
Gjinkalla u bë këto ditë personazh në gojën e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. U duk se ky insekt ka lindur më 25 qershor, ditën e zgjedhjeve politike në vendin tonë. Shefi ynë i diplomacisë së gjinkallave e lidh raportin e Policisë dhe Prokurorisë së Holandës, ku propozohet anulimi i lëvizjes së lirë për shqiptarët, me “shpifjet” ose “zhurmën” e gjinkallave të 25 qershorit. Pra, zoti Bushati e krahason opozitën shqiptare me gjinkallat, sepse sipas tij, nuk ka asgjë të vërtetë sa i përket asaj që është njoftuar në media për çfarë përmban raporti holandez, ku propozohet anulimi i lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë!
Por ambasadorja e Holandës në Tiranë pranoi se, humbësit e 25 qershorit ose opozita në Shqipëri nuk kanë të bëjnë me raportin holandez. Se ky raport nuk është sajesë e opozitës, por është një realitet të trishtë, se raporti është i saktë dhe zbulon të dhëna të tmerrshme për imazhin e diplomacisë shqiptare dhe të vetë Shqipërisë. Jo pak, por 5800 shqiptarë në këto vitet e fundit kanë hyrë në dyert e policisë holandeze për hetim në pjesëmarrje në vepra kriminale e penale. Sikur në Holandë të jetonin një milion shqiptarë, përsëri shifra prej 5800 prej tyre qoftë dhe si të dyshuar si kriminelë është mjaft e lartë dhe alarmuese. Jo më që në këtë vend nuk jetojnë më shumë se 20 mijë shqiptarë, çka i bie se më shumë se një e katërta prej tyre e “kanë parë birucën me sy”!
Po pse pikërisht në vitet e fundit?! Sepse qeveria jonë zbatoi politikën e kanabizimit, kokainizimit dhe kriminalizimit të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, si mjet për t’u pasuruar dhe për të përjetësuar pushtetin. Sepse kjo qeverisje nuk e sheh të ardhmen e shqiptarëve në Europë, por në bunker. Sepse politika e kriminalizimit sjell izolimin e shqiptarëve dhe izolimi është mjeti më i mirë për ushtrimin e dhunshëm të një pushteti jolegjitim.
Nuk po ndalem në pjesët e tjera të raportit që nxin Shqipërinë dhe na penalizon ne të gjithëve në imazhin tonë, në dinjitetin dhe integritetin tonë. Ne jemi një shoqëri e pafuqishme që t’i dëshmojmë Holandës, Europës dhe botës se integriteti dhe dinjiteti i shqiptarëve nuk është i njëjtë me atë të kreut të diplomacisë shqiptare, se gjinkalla nuk gjendet te opozita, por te bunkeri i diplomacisë sonë diku aty “te Brryli”! Që godina e Ministrisë së Jashtme është shndërruar në një bunker, ku zhurmojnë gjinkallat jo vetëm në mot me temperatura të larta, por edhe në kohë ngricash, këtë e dëshmon dështimi i suksesshëm i kësaj diplomacie në të gjitha iniciativat rajonale, europiane dhe ndërkombëtare. Se politika dhe diplomacia jonë janë shndërruar në diplomaci e politikë gjinkallash, këtë e dëshmojnë të gjitha shfaqjet komike në veprimtaritë ndërkombëtare të përfaqësuesve të ekzekutivit shqiptar!
Se gjinkallat e bunkerëve tanë të qeverisjes kanë marrë dhenë në Europë e më gjerë, e thotë raporti holandez, kur përmend që bandat shqiptare merren me trafik kokaine e kanabisi, me larje hesapesh dhe me pastrim parash. Pra, fundi i procesit të krimit është pastrimi i parave. Shqiptarët duhet të kërkojnë të dijnë se cila pjesë e parave që pastrohet i përket gjinkallës dhe gjinkallave që bërtasin për gjinkalla?! Kjo është çështja. A ka lidhje kjo veprimtari kriminale me kryegjinkallën dhe njerëzit e tij përrreth?!
Nëse jo, pse u ndalua kryegjinkalla nga policia holandeze para disa javësh?!
Ndërkohë në Holandë janë regjistruar se ku qëndrojnë, ku akomodohen, me kë shoqërohen gjinkallat e pushtetit dhe për këtë arsye ka dyshime të bazuara se paratë e pista të trafikut të kokainës dhe kanabisit, të cilat pastrohen në këtë vend, janë para të kryegjinkallës dhe gjinkallës në krye të diplomacisë së gjinkallave, në bunkerin e gjinkallave në Tiranë. Por kjo pjesë e realitetit të dhimbshëm nuk i intereson Ditmir Gjinkallës, sepse mbetet me gisht në gojë!
Sot Skënderbeu-Dinamo, përkrahje dhe nga Kosova
Vijon me ritme të larta shitja e biletave për takimin mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit. Deri dje në mbrëmje, kanë “avulluar” në total 8000 bileta. Kanë mbaruar që të gjitha biletat për tribunat kryesore dhe ato përballë, ndërsa ditën e sotme do të dalin në treg ato të tribunës G.
Stadiumi “Elbasan Arena” ka një kapacitet prej 12500 vendesh të ulura, ndërsa pritet një stadium i mbushur në të gjithë kapacitetin. Interesimi vijon të jetë i madh dhe pritet që në një kohë rekord, siç nuk ka ndodhur as në takimet e Kombëtares shqiptare të gjitha biletat të mbarojnë sot në mbrëmje.
Burime për gazetën bëjnë me dije se fluksi është mjaft i lartë, ndërsa vetëm në pikën e shitjes në Korçë ende ka sportdashës të interesuar që duhet të presin në radhë të gjatë për të marrë biletën. Nga ana tjetër, të njëjtat burime bëjnë me dije se prezent në stadium nuk do të jenë vetëm tifozë nga e gjithë Shqipëria, por edhe vendet shqipfolëse.
Pritet që të mbërrijnë edhe tifozë nga Kosova për të mbështetur ekipin bardhekuq në këtë takim. Të konfirmuar tashmë janë ultrasit e Mitrovicës, ata të Trepça ’89, të cilët do të dërgojnë delegacionin e tyre. Ata do të qëndrojnë pranë “Ujqërve të Dëborës”, ndërsa dihet që prej vitesh tifozeritë kanë bashkëpunim mes tyre.
“Bild” hedh bombën
Thomas Tuchel mund të jetë trajneri i ri Chelsea. Lajmin e bujshëm e jep gazeta gjermane “Bild”, ku në një artikull të saj, shkruan se tekniku aktual i “Bluve të Londrës” Antonio Conte do të shkarkohet nga detyra. Numri një i klubit londinez, Roman Abramovich, ka urdhëruar drejtoreshën e përgjithshme të Chelesa, Marina Granovskaia të nisë kontaktet me pasuesin e mundshëm të italianit, gjermanin Thomas Tuchel. Shkak për këtë vendim të papritur, mendohet të jetë, humbja në finalen e Super Kupës së Anglisë kundër Arsenalit, disfata në javën e parë në kampionat ndaj Burnley si dhe loja e dobët ndaj Tottenham në javën e dytë, pavarësisht fitores, Abramovich ka ngelur i pakënaqur nga loja jo e mirë.
Çështja Diego Costa është një tjetër motiv. “Bild” raporton se mesazhi i dërguar nga ana e Contes në celularin e sulmuesit nuk është pritur mirë. Gjithashtu dhe pretendimet e pafundme të 47-vjeçarit përsa i përket merkatos. Të gjithë këto faktorë, kanë bërë që e ardhmja e italianit në krye të stolit të Chelsea të jetë në dilemë, pavarësisht se pak muaj më parë, tekniku rinovoi kontratën e tij. Krahas kandidaturës së Tuchel, një tjetër emër që përflitet se mund të marrë në patronazh kampionët e Anglisë është ai i Luis Enrique. Debat mes Conte dhe drejtuesve të klubit britanik nisën që pas fitimit të kampionatit. Krisja mes palëve duket se nuk është lënë sheshuar dhe tani duket më e ndezur se kurrë, me Antonio Conten që rrezikon seriozisht të shkarkohet nga detyra.
Ndërkohë, “Mirror” jep një lajm të bujshëm. Antonio Konte dëshiron Xhemi Vardinë te Çelsi. Morata nuk u mjafton kampionëve të Anglisë dhe pas largimit të Diego Kostës, trajneri italian kërkon një sulmues që e njeh shumë mirë kampionatin anglez. E kush më mirë se Xhemi Vardi, bomberi i “dhelprave” të Leiçesterit, i cili është edhe pjesë e kombëtares angleze. Vardi ishte shumë pranë Arsenalit verën e shkuar, por ai refuzoi që të largohej nga skuadra kampione.
Por në “Stamford Bridge”, ai do të gjente ish-shokun e skuadrës, Kante dhe me shumë mundësi edhe Drinkuotërin, të cilin Konte e kërkon për të zëvendësuar Matiçin. Ndërkohë që për Kostën, në garë veç Atletikos kanë hyrë edhe Monako dhe Marseja.
Chelsea ofron 30 milionë euro për Drinkëater. “Blutë e Londrës” duket se janë shumë pranë akordit me Leicester City, për transferimin e mesfushorit 27-vjeçar. Kjo është oferta e dytë e bërë brenda pak javësh nga ana e kampionëve të Anglisë. Duket se “Dhelprat” janë të gatshëm ta pranojnë propozimin, ndërkohë vetë Danny Drinkëater nuk ka nguruar ta shprehë hapur dëshirën e tij për t’iu bashkuar skuadrës së Chelsea-t.
Hasi u mbyll gojën kritikëve
Dy muaj të vështirë, ndoshta më delikatët e karrierës së tij si trajner, por tashmë ka ardhur momenti për të festuar dhe për t’u mbyllur gojën kritikëve të tij që në Greqi kanë qenë të shumtë. Në ndeshjen e parë miqësore tifozët e Olympiacos i rezervuan një pritje armiqësore me atë banderolë “Kosova është Serbi”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre që në stolin e Olympiacos ulej një trajner shqiptar, por Besnik Hasi nuk e humbi asnjëherë durimin dhe u përgjigj me një kualifikim të merituar në fazën e grupeve të Champions League pas një sezoni të dështuar të kamionëve të Greqisë në Europë.
Presidenti Evangelos Marinakis ishte njeriu që e mbrojti edhe në momentet më të vështira dhe Hasi gjen rastin ta falënderojë pas suksesit 1-0 në fushën e Rijekas. “Ishin dy muaj shumë të vështirë, ku kemi punuar shumë. Shumë urime për lojtarët që nuk u dorëzuan. Falënderoj edhe presidentin që më ka mbështetur në çdo hap, duke më sjellë lojtarët që i kam kërkuar. Ai na ka ndihmuar shumë në këtë kualifikim”, u shpreh Hasi pas ndeshjes.
Besnik Hasi rikthen në grupet e UEFA Champions League skuadrën e Olympiacos pas një sezoni të dobët në Europë, ndërsa Elseid Hysaj ndihmon Napolin për të siguruar një tjetër fitore në përballjen e dyfishtë me Nice. Trajneri shqiptar i skuadrës nga Pireu u emërua në krye të Olympiacosit gjatë kësaj vere me objektivin e vetëm, kualifikimin në fazën e grupeve dhe ai e arriti këtë objektiv, pasi mposhti edhe në sfidën e dytë kampionët e Kroacisë, Rijekan. Mjaftoi një gol i Marko Marin në minutën e 25 për të vendosur diktatin në stadiumin kroat dhe për t’i siguruar skuadrës së Hasit një biletë për në fazën e grupeve.
Kualifikimi është një hap i madh për trajnerin shqiptar që një gjë të tillë e arriti edhe dy sezone më parë me Legian e Varshavës. Tashmë, Hasi do të kërkojë të hedhë një tjetër hap, atë të kalimit në fazën tjetër të UEFA Champions League edhe pse për të dhe skuadrën nga Pireu do të jetë një mision i vështirë. Ndërkohë, në transfertën e Nice, Napoli fitoi 2-0 me gola të Callejon dhe Insigne, duke e mbyllur çështjen e kualifikimit përfundimisht, pasi francezët pësuan të njëjtën disfatë me ndeshjen e parë të luajtur në “San Paolo”. Elseid HYsaj u aktivizua titullar në këtë përballje, duke zhvilluar një tjetër 90 minutësh pozitiv. Nuk ka festë për Sokol Cikalleshin, i cili nuk ishte i pranishëm as në stolin e Istambul gjatë barazimit 2-2 në Sevilla, ku skuadra turke nuk arriti të bënte mrekullinë dhe e lejoi ekipin andaluzian të siguronte kualifikimin në fazën e grupeve.