32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Lojërat në Ballkan dhe Ballkani si lodër

 

“Me tërheqjen e diplomatëve të saj nga Shkupi, Serbia i ka acaruar shumë raportet me vendin fqinj Maqedoninë dhe ka shkaktuar një krizë të thellë mes këtyre dy vendeve ballkanike”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke iu referuar shkrimit të agjensisë së lajmeve DPA. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se, “shkaku i tërheqjes është veprimi shumë agresiv i shërbimeve kundër organeve dhe institucioneve të Serbisë”, por ai nuk ka bërë të ditura detajet e këtij veprimi. Media maqedonase spekulon për shkaqet e tërheqjes së diplomatëve serbë nga Shkupi dhe ato i lidh me mundësinë e mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në UNESKO, thuhet në këtë informacion.
“Vuçoqi nuk ka saktësuar se për çfarë bëhet fjalë”, shkruan gazetar austriake “Standard”, e cila citon agjensinë e lajmeve APA. Edhe mediat austriake dyshojnë se shkaku u mosmarrëveshjeve dhe krizës së fundit është mundësia që Maqedonia të mbështetë anëtarësimn e Kosovës në UNESKO.
“Në ish-mbretërinë jugosllave të kombeve dhe kombësive gjendet shumë lehtë ndonjë teori konspiracioni për prishjen e raporteve dhe për grindje”, shkruan “Die Presse”. “Është fakt që raportet mes këtyre dy vendeve janë prishur pas ndërrimit të pushtetit në Shkup në maj të këtij viti. Serbia ishte vënë qartë në anën e Gruevskit, i cili është në shënjestër të ligjit dhe gjykatave, në kohën e tendosjeve dhe konfliktit mes Gruevskit dhe kryeministrit të ri Zoran Zaev.”
“Die Presse” rikujton edhe rastin e “turpshëm”, kur një “diplomat serb” ishte vendosur në “krye të ndërhyrjes së përgjakshme në Parlamentin e Maqedonisë”, në fund të prillit.
“Duket se Serbinë e pengon jo vetëm vullneti i fortë i udhëheqjes së re maqedonase për anëtarësim në NATO, por edhe raportet e saj me Shqipërisë dhe Kosovën, si dhe kursi i matur i Shkupit ndaj Bullgarisë. Maqedonia e ka njohur Kosovën në kohën e Gruevskit në vitin 2008. Por Serbinë tani e pengon edhe mundësia e anëtarësimit të Kosovës në UNESKO”, shkruan gazeta.
“Vatra e re e krizave në të ardhmen mund të jetë Ballkani”, shkruan gazeta gjermane “Handelsblatt”, në një kronikë të përgatitur nga tre gazetarë. “Përderisa BE dhe NATO po përpiqen të afrojnë edhe më shumë Malin e Zi dhe Serbinë, në Evropën Juglindore po zhvillohet lufta për dominim, mes SHBA, Rusisë, Turqisë dhe Arabisë Saudite”.
Gazeta citon edhe shefin e diplomacisë austriake, Sebastian Kurz, i cili thotë se influenca turke dhe arabe nuk duhet të shikohet duarkryq. Ai mendon se ky rajon duhet të integrohet më shpejtë në BE dhe duhet të mbështetet angazhimi për reforma dhe luftë kundër grupeve ekstremiste.
“Ballkani ka qenë shpesh një top në lojërat mes forcave të mëdha”, paralajmëron gazeta, duke shtuar se edhe tani po zhvillohet garë mes disa vendeve, si Turqia, Rusia, Arabia Saudite dhe vende të tjera, për shtimin e influencës atje.

Mësimdhënia sekrete e Platonit

Nga filozofët klasik më të mëdhenj, nxënësi më i njohur i Sokratit dhe ndoshta më i devotshmi ndaj mësimdhënieve të tij, me dhunti të shumta, Platoni, rezultoi objekt studimi, por edhe kritikë të ashpër për pasardhësit e tij. Shumë u mbështetën në mësimdhëniet e tij për të futur teori të reja dhe sisteme filozofike që shumë i përdorën, zakonisht duke i përzier, që t’u shërbenin për përfitime vetiake. Sido që të jetë, Platoni ka qenë dhe mbetet një nga filozofët më të rëndësishëm të Greqisë klasike dhe nuk do të pushoi asnjëherë së studiuari nga adhuruesit e filozofisë dhe jo vetëm. Por, edhe pse janë shkruajtur shumë për veprat dhe mësimdhëniet e tij, ekziston një pjesë që nuk duket se i intereson shumë filologëve modern dhe kërkuesve. Brenda veprës të Platonit fshihen shumë dije të thella brendësore që nuk dallohen në sy të parë. Dhe megjithatë, Esoterizmi është elementi mbizotërues në veprën e filozofit të madh, i cili njohu të gjitha qendrat më të rëndësishme të dijes që ekzistonin në periudhën e tij, brenda dhe jashtë hapësirës greke.

Për njeriun

Për sa i përket përbërjes së njeriut si qenie, esoterizmi përmend se njeriu përbëhet nga dy elementë bazor: Shpirtin (e pavdekshëm) dhe personalitetin. Brenda ciklit të rimishërimeve, ajo që mbetet e pandryshueshme, e pashpërbërshme, e përjetshme është Shpirti, i cili mishërohet çdo herë në një trup të shpërbëshëm që ka karakteristika të veçanta, të cilat përbëjnë personalitetin e çdo individi. Personaliteti përbëhet nga katër mbartës themelor: trupin fizik, energjia që i jep jetë këtij trupi- që në esoterizëm quhet prana-botën tonë ndjesore dhe mendjen egoiste, i cili mendohet dhe e drejton njeriun në bazë të dëshirave dhe qëllimeve të tija personale. Këto 4 mbartës lidhen me 4 elementët krijues të botës: Tokë, Ujë, Ajër, dhe Zjarr sipas radhës.
Shpirti nga ana tjetër është ai që bën pjesë tek esenca hyjnore, është pika e shenjtë e njeriut dhe pikërisht për këtë arsye përbën një urë e cila bashkon njeriun me Perënditë. Përbëhet nga mendja e pastër dhe altruiste Manasi në sanskritisht, “nga mbartësi parandjesor Budi dhe nga shkëndia hyjnore e Vullnetit ose Atma, që është qenia e vërtet e njeriut, shkaku i të gjithë të tjerëve, INDIVIDI”.
Të gjithë këta mbartës të njeriut do të mund të kategorizoheshin edhe me një mënyrë tjetër në tre vende: Trup, Psikikë, Mendje ose Shpirt, dhe psikia përbërëse e urës midis Trupit dhe Shpirtit. Këtë ndarje e gjemë në mënyrë shumë të qartë tek Platoni ku thotë “Νουν μεν εν ψυχή, ψυχή δε εν σώματι ξυνιστάς το παν ξυνετεκταίντο” që do të thotë “Pasi vuri mendje tek shpirti dhe shpirt tek trupi (Krijuesi) ndërtoi gjithçka që ekziston”. Për të njëjtën gjë na flet Platoni, kur i referohet shpirtit dhe pjesëve të tij. Ai mendon se shpirti përbëhet fillimisht nga dy pjesë, një të vdekshëm dhe një të pavdekshëm. Pjesa e tij e pavdekshme është që burgoset brenda trupit të vdekshëm – i cili është mishërimi i Shpirtit brenda botës materiale – ndërsa ai i vdekshmi është mbartësi ndjesor dhe mendor i personalitetit. Pjesën e vdekshme ndanë Perënditë në dy të tjerë, një superior dhe një inferior dhe midis tyre vendosën “frenat”, që është mendja që arsyeton, që është intelekti fizik i njeriut. Platoni e quan pjesën inferiore dëshirori dhe e lidh me instiktet si dhe dëshirat e ulta, pjesën superiore e quan zemërori që përfshin emocionet tona të ndryshme, të cilat ndikojnë mbi gjendjen tonë emocionale. E para bazohet tek qejfi dhe përmban fantazitë dhe dëshirat, ndërsa e dyta bazohet afër kokës.
Përsa i përket pjesës së pavdekshme të shpirtit, sipas filozofit të madh quhet logjiku. Që të ekzistoi harmoni dhe drejtësi tek njeriu, duhet që kjo pjesë e pavdekshme të kontrollojë dhe të mbizotërojë mbi të gjitha të tjerat. Sipas esoterizmit, që njeriu të zhvillohet dhe të përmirësohet vazhdimisht është i detyruar që të veprojë dhe të jetojë duke u mbështetur mbi pjesën e tij Shpirtërore dhe duke kontrolluar personalitetin e tij.

Për Qytetin. Për Botën.

Këtë trepjeshmëri të Shpirtit shtjellon Platoni në veprën e tij “Republika” dhe e lidh me drejtësinë, si për sa i përket njeriut, ashtu edhe përsa i përket republikës, me caktimin e qytetarëve në tre kasta. Kjo ndarje nuk bëhet në bazë të trashëgimisë, as sipas statusit ekonomik të qytetarëve, por bëhet në bazë të zhvillimit brendësor të secilit dhe aftësisë së tij për të përdorur logjikën, duke kontrolluar personalitetin dhe pjesët inferiore të psikikës.
Këto tre kastat e qytetarëve karakterizohen nga një virtyt, gjithmonë në përputhje me pjesën e shpirtit që dominon. Kështu pra, tek ata që mbizotëron logjika – si rrjedhim janë më të zhvilluarit nga ana brendësore dhe kontrollojnë më mirë elementët e mëposhtëm të personalitetit – karakterizohen nga virtyti i diturisë dhe bëjnë pjesë tek kasta e Klerikëve. Janë ata të cilët, pasi e kanë zbatuar drejtësinë tek vetja e tyre, mund ta ushtrojnë në qytet dhe të udhëheqin drejtësisht të tjerët.
Më pas vijnë Rojtarët, ku dominon pjesa e zëmërorit tek psikika dhe karakterizohet nga virtyti i trimërisë. Janë rojtarët e qytetit, që, nëpërmjet stërvitjes së duhur mund të përdorin pjesën e zëmërorit të psikikës, duke kultivuar pjesët më të pastra dhe të larta të ndjenjave, ndërkohë që kanë kontrolluar dëshirorin inferior.
Dhe së fundmi kemi njerëzit që kontrollohen nga dëshirori dhe karakterizohen nga virtyti i modestisë. Janë bujqërit dhe artizanët e qytetit. Ndarja që bën Platoni, për arsye se bëhet në bazë të karakteristikave natyrale dhe jo në bazë të ndarjes klasore apo ekonomike nuk përmban asnjë llojë rracizmi. Të gjithë janë të dobishëm brenda Republikës së tij dhe të gjithë janë të nevojshëm. Por, që republika të funksionojë drejtësisht dhe të jetë burim i zhvillimit për qytetarët e saj, secili prej tyre duhet të ketë vendin që i takon dhe të kontribojë në përputhje me mundësitë dhe aftësitë e tij tek të gjithë të tjerët, gjithmonë me synimin e të mirës së përbashkët.
Ky është revolucioni që sjell Platoni në të dhënat e epokës me rezultat pranimin e kritikave të ashpra dhe dyshimeve të shumta. Por duke studiuar dikush sidomos këtë vepër, “Republikën”, vetëdijësohet për kuptimin e saj në mënyrë shumë natyrale dhe kupton se të gjitha këto bazohen në të vërteta shumë të thella, të cilat filozofi i zotëroi nga qëndrat e mistereve të epokës së tij tek të cilat ishte initacionuar.

Për Botën.

Të dhënat më të shumta për botën dhe krijimin e saj i takojmë tek Timeo. Edhe pse bëhet fjalë për një nga dialogët e Platonit, tek kjo vepër shprehet shumë pastër një Mësimdhënie Sekrete. “Nuk është rastësore që Platoni vendos një Pitagorian, Timeo, që ta rrëfejë, pasi Pitagorianët shprehnin në lashtësi dijet më të thella të filozofisë brendësore. Pastaj shumë studiues mendojnë se tek Timeo përmbahen dije pitagoriane të pastra, të cilat i kishte në zotërim Platoni”.
Timeo e fillon me një nga pyetjet më të rëndësishme dhe filozofike të të gjitha kohërave dhe të të gjithave sistemeve filozofike: “Çfarë është qenia? Çfarë është ajo që ekziston gjithnjë, por nuk lind asnjëherë dhe çfarë është ajo që gjithnjë lind, por asnjëherë nuk ekziston?” Është pytja e përjetshme filozofike për “atë që është” dhe “ajo që ekziston”, bota e krijuar dhe ajo e pakrijuar, e shfaqura dhe e pashfaqura.
Që tek Republika, me anë të mitit të shpellës, Platoni ndan të shfaqurën, botën e ndryshueshme materiale të iluzionit, Eterin, nga bota e vërtet dhe e pandryshueshme e Arketipeve, botës së Ideve, ajo që ngelet e Njëjtë. Atje banojnë 4 Arketipe: Mirësia, Drejtësia, Bukuria, e Vërteta, që mishërohen në botën materiale si Feja, Politika, Arti dhe Shkenca.
Përsa i përket Krijimit fillestar, Platoni nëpërmjet gojës së Timeo thotë se në fillim ishte kaosi, Por Krijuesi vendosi rregull në atë kaos dhe formoi universin, pasi vuri mendje tek shpirti dhe shpirt tek trupi, duke përdorur analogjinë, të cilën e shtjellon matematikisht gjatë veprës.
Në vazhdim përmend 4 elementët, Tokë, Ujë, Ajër, Zjarr nga të cilat, duke u bashkuar sëbashku nëpërmjet një anlogjie harmonike, Perëndia formoi botën e dukshme e të shfaqur. Nga këto katër elementët krijoi edhe njeriun me 4 mbartësit e tij të personalitetit të cilat përment Esoterizmi.
Shpirti i botës u krijua përpara se të krijohej trupi i tij dhe u vendos fillimisht në qendër. Më pas u zgjerua në mënyrë që të mbulonte të gjithë botën nga jashtë. “Këtu, në përputhje me analogjinë e strukturës së njeriut sipas Esoterizmit, mund të themi se Platoni i referohet Aurës së Botës, diçka e paaritshme për trurin njerëzor”.
Në vazhdim, lidh 4 elementët me 4 στερεά, të përbërë nga trekëndësha, të cilët kontraktohen në krijimin e botës. Lidh pra Zjarrin me Piramidën-me katër faqe, Ajrin me tetë faqe, Ujin me njëzet faqe, dhe tokën me kubin. Me anë të kombinimit të këtyre figurave gjeometrike. Perëndia krijon botën. Por ekziston edhe një στερεό i pestë që lidhet me elementin e pestë, Eterin. Është pesëkëndëshi me 12 faqe, i cili përmbahet në format e botës së padukshme, tek ekzistenca e të cilave përfundonë logjikisht, nëpërmjet arsyetimeve matematike, aritmetike dhe gjeometrike. Tek e njëjta vepër. por edhe tek të tjerat filozofi na flet për Atlantisin. duke na dhënë të dhëna të hollësishme për strukturën e saj dhe të njerëzve gjithashtu, diçka të cilën Esoterizmi e përmend shpesh herë dhe gjerësisht. Bëhet fjalë për një fazë të zhvillimit njerëzor që quhet rraca e katërt dhe banonte në një kontinent që ndodhej në oqeanin e sotëm Atlantik.
Janë kaq të shumta mësimdhëniet brendësore që gjejmë në veprat e Platonit, për të cilat do të ishte e pamundur të shpreheshin në këto pak rreshta. Lexuesi do të mund të endej më shumë në këto mësimdhënie, duke studiuar vetë filozofin dhe duke kërkuar burimet e fshehta të veprave të tij, duke i krahasuar ato me të vërtetat filozofike të Esoterizmit. Do të zbulojë se nuk bëhet fjalë thjesht për një tjetër filozof klasik, por për një personalitet shumë të zhvilluar, një njeri të ndriçuar, një Initacionant i Vërtet.

Kush ishte Platoni

Platoni ishte një filozof i Greqisë antike dhe ka jetuar në Athinë prej 427 p.e.s. deri 347 p.e.s., ai vlen si një ndër filozofët më të rëndësishëm të historisë, student i Sokratit, autor i disa dialogjeve filozofike dhe themelues i Akademisë në Athinë ku studioi edhe Aristoteli. Kjo Akademi qëndroi nëntë shekuj me rradhë.
Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles, por më vonë e quajtën Platoni, sepse kishte gjoks dhe ballë të gjerë. Aristoteli na tregon se dikur gjatë rinisë, Platoni erdhi në kontakt me doktrinat e Kratilus, një nxënës i Heraklitit, i cili së bashku me mendimtarë të tjerë para-Sokratik si Pitagora dhe Parmenidi, i dhanë themelet metafizike dhe epistimologjike kërkimore. Por kur u takua me Sokratin filloi të thellonte më tej njohuritë drejt temës filozofike të virtytit.
E njohu Sokratin kur ishte 20 vjeç dhe qëndroi pranë tij deri në vdekjen e mësuesit të madh. (399 para erës sonë). Vdekja e padrejtë e tij ishte një nxitje për të marrë rolin e reformatorit social të demokracisë athinase. Pas ekzekutimit të Sokratit kërkoi strehim për pak kohë në Megara, pranë shokut të klasës së tij, Euklidit. Më vonë u kthye në Athinë, ku për 10 vjet i’u përkushtua shkrimit të veprave filozofike që mbajnë vulën e filozofisë Sokratike. Pastaj udhëtoi për në Egjipt dhe Cyrene, ku u shoqërua me matematicienin Theodor dhe në fund në Taranto (Itali), ku pati mundësinë të takohej me Pitagorianët, nga mendimi filozofik i të cilëve u ndikua vendimtarisht. Më vonë shkoi në Siçili, në oborrin e mbretit Dionisi i Sirakuzës, ku u njoh me vëllain e gruas së mbretit, Dionin, miqësia e ngushtë e të cilëve shkaktoi dyshimet e mbretit për komplot, kjo pra ishte dhe një nga arsyet e ndjekjes se tij nga Siçilia. Në Egina rrezikoi të shitej si skllav, por e bleu Cireni, mik i Anikerit, kështu dhe shpëtoi. Më vonë u kthye në Athinë. Themeloi një shkollë filozofike, Akademinë, e cila ndodhej rreth një milje jashtë mureve dhe mbante emrin e heroit Attic, Akadimo, (387 para erës sonë). Shkolla e famshme funksionoi për rreth një mijëvjeçar, derisa e mbylli perandori Justinian më 529 p.e.s. Për të tretën herë, Platoni vizitoi oborrin e Sirakuzëve më 361 p.e.s, me qëllim pajtimin e Dionit me Dionisin. Por situata ishte aq serioze sa që kësaj rradhe rrezikoi akoma dhe jeta e tij. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Arxitës dhe Pitagorës, shpëtoi pa pësuar asgjë. Por të njëjtin fat nuk pati edhe Dioni, i cili u vra më 353 p.e.s. Kështu Platoni humbi njeriun mbi të cilin kishte bazuar shpresat për realizimin e ideve të tij politike. Qysh atëherë dhe deri në fund të jetës së tij i’u përkushtua mësimdhënies dhe shkrimeve me karakter filozofik.

Veprat e tij

Tipar kryesor i filozofisë së tij është konsiderimi i njohurisë si kujtim. Sipas Platonit, shpirti i njeriut para se të binte në botën e gjërave jetoi në një botë ideale, botën e ideve. Atje njohu thelbin e vërtetë të gjërave. Gjërat që janë ndjerë nga njeriu në dimensionin e botës materiale janë vetëm imitime, ‘hije” idhuj të botës reale. Prandaj njeriu nuk zbulon, por kujton të vërtetat që dikur njohu në botën e ideve. Të gjithë kanë brenda vetes dijen e të vërtetën dhe ajo ç’ka duhet të bëjnë është thjesht t’i risjellin në mend. Në fund të fundit etimologjia e së vërtetës do të thotë situata sipas së cilës gjërat nuk janë harruar, janë të njohura, të dukshme, (pra, “realitetin”). Filozofia platonike është gjithashtu ideokratike. Prezanton domethënë teorinë e ideve, që janë tipat e përgjithshëm dhe shekullorë të gjërave. Janë gjërat thelbësore që perceptohen nga logjika dhe jo nga ndjenjat. Të ndjeshmet i konsideron idhuj të ideve. Kështu identifikon dy botë: të ndjeshmen që ndryshon vazhdimisht dhe ndodhet në rrjedhë të pandalshme kundër Heraklitit dhe atë të mendimit, e cila mbetet e pandryshueshme, idetë e së cilës strehohen në tokë qiellore. Këta janë tipat e lashtë të kësaj bote të dukshme, modelet dhe shembujt e përjetshëm. Në shpirt dallon tri pjesë, logjistikën, spiritualen dhe të dëshirueshmen. Prandaj dhe njeh tre virtyte: diturinë, guximin dhe urtësinë, secila prej tyre korrespondon në një pjesë të shpirtit. Të tre këto virtyte i paralelizon me tre telat e lirës, të lartmen, të mesmen dhe nitin. Por të treja së bashku duhet të zhvillohen në harmoni, me qëllim që logjistika të qeveris si hynji, spiritualja ta dëgjojë si ndihmëse dhe të dyja së bashku të drejtojnë të dëshirueshmen që të mos operojë të bëhet parim, pasi është pjesa më e ulët e shpirtit. Dhe nga zhvillimi harmonik i tri virtyteve përbëhet drejtësia që është harmonia e tri virtyteve të tjera. Sepse qyteti është reflektimi i njeriut, dhe tek ai dallon tri gjini, parlamentaren, luftaraken dhe financiaren. Të cilat janë respektive me tri pjesë të shpirtit. Ashtu si tek njeriu edhe në qytet duhet të ketë drejtësi, domethënë harmonia që arrihet në qytet, kur secila prej gjinive kryen punën e vet pa synuar të bëjë të të tjerëve. Platoni shkroi 36 vepra gjithsej, përveç “Apologjisë” dhe dialogje. Në shkrimet e Platonit vërehet imitimi i mësimdhënies së Sokratit, i cili didaktonte dialogje. Vetëm tri dialogje, “Simpoziumi”, “Shteti dhe Ligjet” mbajnë tituj nga përmbajtja e tyre. Në të gjitha dialogjet diskutimin e kryeson Sokrati. Në dialogjet më të vjetra ruan imazhin e Sokratit të vërtetë, ndërsa tek më të rejat fshihet vetë nxënësi. Ndikimi i tij ishte jashtëzakonisht i madh.

Rikthimi i xhelatëve në qeveri

Rama ka deklaruar se ai do të vendosë në krye të Parlamentit, Gramoz Ruçin. Ruçi identifikohet si simboli i diktaturës. Ai ishte ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës dhe Sigurimit famëkeq të Shtetit ku qindra të rinj u vranë në telat me gjemba në kufi. Ai ishte po ashtu ministër i Brendshëm dhe i akuzuari kryesor për maskarën e 2 Prillit ’91 në qytetin e Shkodrës, ku u vranë katër martirët e demokracisë në protestën që kundërshtonte manipulimin e zgjedhjeve të fundmarsit të atij viti.
Rama ka vendosur të provokojë shoqërinë 27 vjet pas rënies së diktaturës me emra xhelatësh në qeveri. Një tjetër emër simbol i regjimit kriminal është ai që pritet të jetë ministër i Brendshëm. Ai vjen nga qelitë e krimeve dhe tortuarave të diktaturës dhe ky është Fatmir Xhafa. Sipas projektit të Ramës, ministria e Brendshme pritet të bashkohet me minisrinë e Drejtësisë. Mediat afër qeverisë kanë paralajmëruar se të dyja këto ministri do ti drejtojë Fatmir Xhafa.
Pra, edhe ministria e Brendshme të cilën ai e njeh nga torturat ndaj të rinjve krutanë në kohën e diktaturës edhe ministria e Drejtësisë me të cilën ai ndan përvojen e hetuesisë ku hetonte armiqtë e diktaturës do ti besohen këtij xhelati. Nga e diela do të kemi një qeveri xhelatësh që do të shpallet nga i biri i Kristaqit që firmoste varjen në litar të poetit Havzi Nela, në një kohë që këtë vendim nuk e ka firmosur as diktatori i fundit, Ramiz Alia.
Errësira për këtë qeveri do të nisë që në orët e para dhe mund të jetë një rast unikal jo vetëm për rikthimin e xhelatëve të diktaturës në qeveri, por edh epër faktin tjetër se në krye të ministrisë së Brendshme dhe asaj që do të administrojë Drejtësinë do të jetë vëllai i një baroni droge, për të cilin ëhstë kërkuar edhe ekstradim nga vende të Bashkimit Europian, ndërsa kohët e fundit është përfshirë në një serial vrasjesh në Vlorë për kontrollin e trafikut të drogës.

Asnjë surprizë, të njëjtët ministra

Gazetari Sokol Balla shprehet se javën e ardhshme, me publikimin e emrave të ministrave të rinj, do të nisë hakmarrja e Edi Ramës dhe ‘Rilindjes’. Në opinionin e publikuar në “Albanian Free Press”, Balla thekson se kriteri kryesor që do të ndikojë në përzgjedhjen e ministrave të rinj do të jetë besnikëria ndaj ‘Rilindjes’, një toponim politik që ka bashkuar kundërshtarët e Ramës në talljet dhe kritikat ndaj qeverisë.
“Sepse ky mandat i dytë qeverisës i të majtës nuk është i PS. Ky është mandati i Ramës, ose më saktë i Rilindjes. Kritikët ironikë e sarkastikë, të dukshëm e të padukshëm, brenda apo jashtë PS, brenda apo jashtë koalicionit, brenda apo jashtë vendit, bashkoheshin në talljet dhe kritikat e tyre në një toponim politik: Rilindja. Javës tjetër, me zyrtarizimin e qeverisë së re, zyrtarizohet dhe hakmarrja e Edi Ramës dhe e Rilindjes… Sepse ky do të jetë kriteri politik i fshehtë, por vendimtar i pjesëmarrjes në kabinetin e ri qeveritar të autorit të “Rilindjes”. As performanca elektorale, as ajo politike. Ndërsa të tjerët… si tek “Lulëkuqet mbi mure”: “Ngrohuni në diell!”,- shkruan Balla.
Gazetari jep edhe parashikimin e tij se si do të duket qeveria e re, ku sipas tij, përveç Fatmir Xhafës dhe Gramoz Ruçit që janë konfirmuar tashmë në krye të Ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit, Lindita Nikolla është deputetja që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara nga Rama për të qenë pjesë e kabinetit të dytë. Në të njëjtat pozita favorizuese, Balla sheh gjithashtu Damian Gjiknurin, por nuk mendon njësoj për Saimir Tahirin apo Ilir Beqajn.
Ministrat e rinj sipas gazetarit:
Gramoz Ruçi: Kryetar Kuvendi.
Fatmir Xhafaj: Ministër i Brendshëm.
Lindita Nikolla: Ministre e Arsimit dhe Kulturës; ose Ministre e Jashtme.
Ditmir Bushati: Ministër i Jashtëm; ose Ministër i Integrimit.
Mimi Kodheli: Ministre e Jashtme; ose jashtë qeverisë.
Arben Ahmetaj: Ministër i Financave.
Damian Gjiknuri: Ministër i Transporteve.
Eglantina Gjermeni: Ministre e Bujqësisë dhe Mjedisit.
Milva Ekonomi: Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit.
Taulant Balla: Kryetar i Grupit Parlamentar; ose Ministër i Mbrojtjes.
Pandeli Majko: Kryetar i Komisionit të Ligjeve; ose Ministër i Mbrojtjes.
Blendi Klosi: Organizimi i PS.
Ilir Beqaj: Kryetar i Komisionit të Ligjeve; ose Ministër i Bujqësisë dhe Mjedisit.
Saimir Tahiri: Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Sokol Balla sheh pjesë të qeverisë edhe Ogerta Manastirliun dhe Olta Xhaçkën, të cilat përfliten prej kohësh për postet e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Vrasja e të rinjve korçarë dhe kolonjarë në kufi më 23 gusht 1990

Kastriot Dervishi

Në orët e para të mëngjesit të datës 23 gusht 1990, të rinjtë nga Korça largohen nga hoteli (në Ersekë) ku qëndronin dhe bashkë me shokët e tjerë nga Erseka i drejtohen kufirit me Greqinë në postën kufitare të Rehovës. Grupi i të rinjve qëllohet nga njësiti i postës kufitare. Si përfundim,
U vranë:
Petrit Bashkim Ajdini nga Korça, 26 vjeç
Artur Xhevahir Kërcelli nga Korça, 25 vjeç
Niko Stefan Joti nga Erseka, 24 vjeç
Safet Irfan Rrapo nga Erseka, 31 vjeç
U arrestua Avni Sami Rumi, 27 vjeç nga Kolonja, i cili u dënua me 4 vjet burgim. Realizoi arratisjen vetëm Pandush Thanas Nica, 29 vjeç nga Korça. Kufoma e Safet Rrapos u gjet më vonë, pasi kishte marrë edhe dëmtimet e rënies nga shkëmbi. Si rrallë herë, trupat e pajetë të të rinjve iu kthyen familjeve. Ceremonia e varrimit në Korçë ndaj dy të rinjve u kthye në një demonstratë të fuqishme antikomuniste. Për këtë arsye u ndaluan 12 persona, të cilët janë dënuar.
Ky shkrim u kushtohet kujtimeve të këtyre të rinjve të humbën jetën në moshë të re në mënyrë tragjike, pikërisht atëherë kur mendonin se Shqipëria po ndryshonte. Fotografitë janë të ngjarjes së 23 gushtit 1990.

Berisha-Dakos: Si të mori peng Shullazi, donte të të hidhte nga kati 15

Ish-Kryeministri Berisha i ka kujtuar dje kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako se, si Shullazi e ka marrë peng dhe donte ta hidhte nga kati i 15-të i një pallati. Berisha postoi para dy ditësh në Facebook denoncimin e një qytetari për ndërtimin e pallateve pa leje të qeveritarëve në Qerret, por sipas qytetarit dixhital, banorëve u bëhet presion, pasi u thuhet se ato po bëhen nga Vangjush Dako dhe Lulzim Berisha. Dje, reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke thënë se: “Qerreti nuk është nën administrimin e bashkisë që drejton, por bën pjesë tek e Kavajës, ndërsa qytetari dixhital është vetë Berisha”.
Ish-Kryeministri Berisha i ka kthyer përgjigje ditën e djeshme Dakos në një postim në Facebook, duke i shkruajtur se jetën e ke prej qytetarit dixhital, kur ai me guxim denoncoi marrjen tënde peng nga Shullazi dhe tmerri që të krijuan me provat që bënë për të të hedhur nga kati i 15 i një pallati.
“Përgjigje Dakos! Përshëndetje Gjush!
Së pari, dënoj qëndrimin tënd shpërfillës ndaj qytetarit dixhital, për të cilin kurrë nuk duhet të ankohesh, sepse ti jetën e ke prej qytetarit dixhital, kur ai me guxim denoncoi marrjen tënde peng nga Shullazi dhe tmerri që të krijuan me provat që bënë për të të hedhur nga kati i 15 i një pallati. Në atë kohë ishte jo Rama, por qytetari dixhital që denoncoi dhe të shpëtoi, dhe ti nuk kundërshtove as dhe një presje të vetme nga ai status. Por si mos mirënjohës që je, dhe tani që ke marrë Lul Berishën si menaxher të aferave të tua, sulmon qytetarin dixhital.
Së dyti, e vlerësoj përgjigjen tuaj, në të cilën ti, duke u përpjekur të mohosh akuzat e qytetarit dixhital, faktikisht i pranon pothuaj plotësisht ato. Unë i botoj mesazhet e qytetarëve dixhital siç vijnë, nuk marr kurrë përsipër vërtetësinë e tyre, por kësaj radhe qytetari dixhital përveç mesazhit me fjalë ka dërguar dhe fotografinë e shtatë pallateve në rërë e pa leje në Qerret. Pallatet në thes nuk mund të futen, ato flasin më shumë se sa 1 milion fjalë! Pretendimi juaj se qytetari dixhital qenkam unë nuk të mbron, por të akuzon, sepse është thjesht refreni bajat i Ramës “fajin e ka Saliu”!
Së treti Gjush, vërtet Qerreti është në Kavajë dhe nuk është as në Durrës dhe as në Surrel dhe se ti shumicën e krimeve urbanistike, mjedisore e ke kryer në Durrës, por përsëri kjo nuk të mbron nga akuza e qytetarit dixhital pasi dihet mirë se për mafien nuk ekzistojnë kufinj adminstrativë, krahinor madje as dhe shtetëror apo kombëtar.
Mafia si zot njeh vetëm fitimin. Kështu që me këtë argument ti vetëm sa çon ujë në mullirin e qytetarit dixhital!
Ndaj dhe pa dëshirë të falënderoj, sepse faktikisht, si të thuash me argumentin që përdor, pranon se nuk je dorë jashtë në këtë aferë!
Së fundi, unë personalisht nuk di se të kujt janë pallatet e ndërtuara në rërë që ka dërguar me foto qytetari dixhital, por di me dokumenta, të cilat dhe i kam botuar, se ndërtimi i tyre ka filluar së paku 3-4 muaj para zgjedhjeve.
Qytetari dixhital mund të jetë ose jo i saktë për pronësinë ndaj dhe unë u bëj thirrje Prokurorisë dhe autoriteteve vendore të Kavajës të ndërhyjnë me urgjencë për të zbardhur këtë aferë, në të cilën përveç shkeljeve të të gjitha ligjeve të ndërtimit, urbanistikës dhe mjedisit, kemi të bëjmë me larje të miliona euro para të pista!
Këtu më poshtë keni të plotë statusin e botuar sot nga Gjushi si përgjigje ndaj akuzave të bëra në statusin e djeshëm të qytetarit dixhital!!”, shkruan Berisha.
“Sali! Që ti mos ta dish ku bie Qerreti unë s’e besoj dot, sepse përveçse ti i di mirë edhe gjërat që bën sikur s’i di, në Qerret ke edhe shtëpinë verore të Lulzimit tënd. Pra, Qerreti bie në Kavajë Sali jo në Durrës, kështu që thuaji atij qytetarit dixhital, dmth vetes tënde, që me Dakon e ke kot se Dakos nuk i’a ha qeni shkopin (siç e di edhe ti që bën sikur s’e di Sal) dhe pushime të mbara në Vilën e Lalzit, aty po je në Durrësin e Dakos”, shkruante Dako.

Atentat biznesmenit Gjoka, 15 plumba makinës së blinduar

Makina e blindur e biznesmenit Dashamir Gjoka është qëlluar dje me breshëri kallashnikovi. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 14:00 në hyrje të Shijakut, ku vetë Gjoka drejtonte makinën. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se, të paktën 15 plumba janë zbrazur mbi makinën e biznesmenit. Burimet thanë se, makina e Gjokës është qëlluar nga një tjetër makinë që po ecte paralel me të. Mësohet se një person ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte Gjoka dhe familja e tij, por fatmirësisht si pasojë e të shtënave nuk ka pasur të plagosur.
Automjeti me të cilin udhëtonte familja Gjoka është i blinduar dhe kjo ka qenë arsyeja se si përfunduan të palënduar personat që ndodheshin në makinë. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Shijakut, konkretisht pak metra larg Bashkisë së qytetit. Sipas policisë, dyshohet që të këtë qëlluar vetëm një person, i cili ishte kamufluar afër vendit të ngjarjes. Të njëjtat butime sqarojnë se në këtë atentat është përdorur armë automatike kallashnikov.
Autori ka qëlluar të paktën 15 plumba në drejtim të makinës se blinduar. Nga të dhënat paraprake dyshohet që ngjarja të ketë motive hakmarrje, duke marrë shkas nga e kaluara kriminale e Gjokës. Sipas policisë, Dashamir Gjoka në vendin tonë njihet si biznesmen për shkak të aktiviteteve të shumta tregtare, ndërsa në Itali, njihet si kreu i një organizate kriminale që shfrytëzonte femrat për prostitucion si dhe për trafik të lëndëve narkotike.
Prej vitesh, Gjoka banor i fshatit Sallmone Shijak, aty ku dhe ka ngritur bizneset e tij, mbetet nën hetim nga Prokuroria, por edhe nga sektori i antimafias për shkak të pasurisve të patundshme të pajustifikuara. Organi i akuzës vazhdimisht ka ngritur dyshime se Gjoka ka krijuar asete pasurore me financime që rrjedhin nga aktiviteti kriminal në trafikun e drogës në Itali dhe shfrytëzim të prostitucionit. Këto dyshime janë ngritur në bazë të akteve të siguruara nga ana e autoriteteve italiane, të cilët pohojnë se i pandehuri Gjoka ka siguruar shuma të konsiderueshme nga aktiviteti kriminal vepra penale të kryera gjatë viteve 2002-2003.
Nëpërmjet këtyre të ardhurave të paligjshme, Gjoka ka investuar në prona të paluajtshme në Shqipëri, duke ndërtuar kompleksin tregtar dhe një godinë shërbimi 2-katëshe, si dhe me terrene sportive. Prokuroria e Durrësit vazhdimisht gjatë hetimit ka konstatuar se ai i ka investuar në ndërtimin e këtyre dy objekteve me qëllim fshehjen e mbulimit të të ardhurave të paligjshme të këtyre parave. Që prej shtatorit të 2015, Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar disa here sekuestron preventive të bizneseve të Gjokës si dhe të 15.300 m2 katror truall, në kuadër të hetimit pasuror që ka nisur për zbatimin e ligjit “Antimafia”.
Në muajn mars atij iu sekuestrua pasuria, por më pas Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë duke i rikthyer pronat Dashamir Gjokës. Organi i akuzës kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, vlera totale e të cilave vlerësohet në mbi 200 milionë lekë të reja.

Një i dënuar në Itali arrestohet në Shijak

Ditën e djeshme është bërë arrestimi i shtetasit Rudin Çalliku në Shijak, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Ai u ndalua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, pasi Gjykata e Venezia Itali me Vendimin Nr. 116/2002REG.Gl,datë 12.11.2004 e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj dhe 15 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” parashikuar në neni 3.4, 575 dhe Ligjit Nr.75, datë 20.02.1958 të Kodit Penal italian. Maksimumi i dënimit është 24 vjet burg.

Rudin Çalliku është një emër i njohur për drejtësinë italiane. Mbi 44-vjeçarin rëndojnë një sërë akuzash si armëmbajtje pa leje, vjedhje, shfrytëzim prostitucioni, trafik droge, vrasje në tentative si dhe krimet kundër pasurisë dhe skllavërim dhe dhunë seksuale. Çalliku për bizneset e tij zgjodhi veriun e Italisë, Vicenzan.

Rudin Çalliku për herë të parë u arrestua në vitin 1994 në moshën 21-vjeçare nga agjentët e Bericia, pasi akuzohej për vjedhje. Rudin Çalliku më vonë krijon një rrjet prostitucioni dhe u bë “koka” e rrjetit, ku dallohej për një njeri pa mëshirë. Në vitin 2000, ai ka ushtruar dhunë të tmerrshme ndaj një femre, të cilës i ka prerë ligamentet e këmbës, raportojnë mediat italiane.

Ai u arrestua në vitin 2001 nga Policia e Trevisos për shfrytëzim prostitucioni, skllavërimin ‘dhe dhunës seksuale, ku Gjykata tha masën arrest shtëpie. Më vonëm Çalliku nis dhe trafikun e drogësm duke u bërë kështu një person i rrezikshëm për shtetin italian.

Çalliku zhduket nga radarët e hetuesve të Vicencës dhe nga drejtësia italiane. Ai kthehet në Shqipëri dhe më pas arrestohet në 30 janar 2014 nga Policia e Shijakut, pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana në 26 qershor të vitit  2012. Çalliku kërkohej nga autoritetet italiane të drejtësisë, pasi Gjykata e Genovas kishte nisur hetimet ndaj tij që në vitin 2002 për veprat penale të trafikut të drogës, tentativës së vrasjes dhe pjesëmarrjes në organizata kriminale.

Riaktivizohen vatrat e zjarrit në veri, rrezikohet fshati Orosh në Mirditë

Zjarret janë aktivizuar sërish gjatë ditës së djeshme për shkak të erës së fortë në 6 vatra. Fshati Orosh në Mirditë me shtëpi, shkollë, kishë etj., ka qenë i rrezikuar deri dje në mbrëmje, ndërkohë që një situatë e vështirë është krijuar edhe në Shkodër. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 6 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Qarku Lezhë 

Ka pasur një shfaqje të re zjarri në vendin e quajtur “Grykë Orosh” në fshatin Orosh, Bashkia Mirditë. Zjarri i favorizuar nga era e fortë ka rrezikuar banesat, shkollën 9-vjeçare, kishën e fshatit dhe pyllin me pisha. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pyll pishe.

Qarku Shkodër

Ka rënë zjarr në pyllin me pisha në fshatin Karmë të Bashkisë Vau Dejës. Shërbimi vendor i MZSH Vau Dejë ka dërguar në vendngjarje forca zjarrfikëse, ndërsa Drejtoria Pyjore ka dërguar forca të saj. Në vendngjarje kanë shkuar 30 forca ushtarake.

Një vatër zjarri nuk u arrit të izolohej për shkak të terrenenit tepër të thyer. Gjatë gjithë natës, forcat e pyjores kanë mbajtur në monitorim vatrat e zjarrit në të gjithë territorin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha. Sot, forcat dhe mjetet po punojnë për të izoluar plotësisht vatrën e zjarrit të fshehura.

Ka vazhduar puna për të izoluar vatrat e zjarrit në fshatin Velipojë, Njësia Administrative Velipojë, Bashkia Shkodër. Zjarri i rënë në terren të thyer në pyllin me bredh dhe pishë në fshatin Bogë, Njësia Administrative Shkrel, Bashkia Malësia e Madhe është riaktivizuar dhe ka marrë përmasa të mëdha. Shërbimi vendor i MZSH Malësia e Madhe dhe punonjës të pyjores të Drejtorisë së Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (DAKZM) nuk kanë mundur të veprojnë për shkak të terrenit të thyer.

Qarku Korçë

Shërbimi vendor i MZSH Korçë, punonjës të bashkisë dhe punonjës të pyjores, kanë punuar për të shuar vatrat e fshehura të zjarrit në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” ndërmjet kufirit ndarës të Njësisë Administrative Lekas dhe Voskopojë, të Bashkisë Korçë. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pyll pishe.

Qarku Berat

Në qarkun Berat ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte në fshatin Otllak, Njësia Administrative Otllak, Bashkia Berat. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 2 ha me shkurre dhe 80 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.