30.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Zgjedhjet në Elbasan, fitorja që u vendos para votimit

Nga Zaho Toska/ shteg.org

Një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, Elbasani nuk ngjante me një qytet që priste një garë vendimtare. Pedonalja ishte e mbushur me qytetarë që pinin kafe, tifozë që diskutonin futboll dhe pak vëmendje për politikat. Por nën këtë qetësi, fshihej një siguri që përmendej në çdo tavolinë: Sara Mila, kandidatja e Partisë Socialiste, do të dilte më e votuara. Dhe ashtu ndodhi.

Zgjedhjet në Elbasan u zhvilluan në një atmosferë që, në pamje të parë, ngjante me përditshmërinë e zakonshme të qytetit. Prania e figurave politike si Arlind Qori dhe dyshimet për ndërhyrje të krimit të organizuar në procesin elektoral, e bënin situatën më të ndërlikuar dhe të tensionuar. Raportimet në terren tregonin për përpjekje të qarta për të ndikuar votën në favor të kandidatësh të caktuar.

Në Elbasan, akuzat për presion mbi votuesit dhe përfshirjen e emrave të njohur të botës së krimit u bënë pjesë e narrativës së zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë mbanin shënime, por pamundësia për të ndaluar fenomene si blerja e votës dhe intimidimi u la vend komenteve ironike nga banorët e qytetit.

Heshtja  që vret

Qendra e Elbasanit bosh
Credits: shteg.org – Qendra e Elbasanit bosh

Mbrëmjen e 10 majit, anëtarë të Lëvizjes Bashkë, pinin kafe të qetë në një nga lokalet në qendër të Elbasanit. Por ajo që flitej më shumë në qytet nuk kishte të bënte me fushata apo premtime politike.

“Është thënë që Sara do marrë mbi 25 mijë vota. Edhe Edi Rama i ka kërkuar Suel Çelës të punojë për të”, thoshin qytetarë që preferonin të mos identifikoheshin. Të tjerë, edhe nëse kundërshtues të PS-së, e pranonin faktin si të pashmangshëm.

Emri i Suel Çelës, i përfolur në media për lidhje me grupet e strukturuara kriminale, përmendej rregullisht si pjesë e mekanizmit që po garantonte fitoren e Milës.

Sara Mila është një nëpunëse e thjeshtë e Shërbimit Social Shtetëror që arriti të bëhet një surprizë e madhe në politikën shqiptare, duke u bërë kandidatja më e votuar e Partisë Socialiste në lista të hapura në gjithë Shqipërinë. Ajo debutoi në politikë në tetor të vitit të kaluar dhe shpejt fitoi mbështetje të madhe, veçanërisht në qarkun e Elbasanit, duke kaluar nga një profil modest administrativ në një figurë të rëndësishme politike. Përpara kësaj, Mila kishte ndërtuar karrierën e saj në sektorin publik, ku u emërua drejtoreshë sektori në Shërbimin Social Shtetëror në vitin 2022.

Përtej punës në administratë, Sara Mila ka një lidhje familjare me botën e biznesit, si vajza e një biznesmeni dhe bashkëshorte e pronarit të një fabrike alumini në Tiranë.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka pretenduar se fitorja e Sara Milës në zgjedhje nuk është rezultat i mbështetjes qytetare apo angazhimit të saj në administratë, por i ndikimit të paligjshëm. Sipas Berishës, ajo ka përfituar nga mbështetja e Suel Çelës, një figurë e njohur për lidhjet me krimin e organizuar në Elbasan dhe aktualisht i shpallur në kërkim për disa vepra penale.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e kësaj mbështetjeje. “Porosia e Edi Ramës për Suel Çelën është që të bëjë vota për Sara Milen, aty do e tregojë forcën e vërtetë”, – akuzoi Berisha gjatë fushatës elektorale.

Një punonjës i administratës lokale tregoi se si grupe të caktuara kishin tentuar ta bindin për të votuar për vajzën e re.

“Më thirrën dhe mua, më thanë duhet të votosh Sarën dhe të bësh fushatë për të. U thashë se kam fis nga deputetët e PD-ës. Nëse është kështu, nuk ka asnjë problem. Më dhanë dorën dhe nuk më thanë gjë. Nuk bezdis kështu Sueli, është burrë. Nuk ka bezdisur askënd në Elbasan, të jemi realistë”.

Në kuadër të zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se do të ketë hetues dhe prokurorë në terren për të monitoruar procesin zgjedhor, me fokus të veçantë në zona të konsideruara me risk, si Elbasani. Pavarësisht kësaj mase parandaluese, raportimet nga terreni tregojnë një tjetër realitet.

Shit-blerja e votës në Elbasan kishte marrë trajta groteske. Në mbrëmje, Elbasani ishte ende i qetë. Nuk kishte makina me xhama të zinj, nuk kishte grupe njerëzish të dyshimtë që të krijonin ndjesinë e intimidimit. Por kishte njerëz që pa frikë deklaronin shitjen e votës së tyre.

“Votën time e shes për 50 mijë lekë. Dhe trupin po ashtu”, tha pa ndrojtje një grua rreth të 40-tave.

Tërmeti i votave në Elbasan

Edi Rama dhe Sara Mila
Credits: Faqja zyrtare në Facebook e Sara Miles – Edi Rama dhe Sara Mila

Zgjedhjet në Elbasan nisën me kaos të zakonshëm teknik, vonesa dhe paqartësi në disa qendra votimi, por pas fasadës së qetësisë, atmosfera mbeti e ngarkuar dhe me tension në rritje. Në disa shkolla u raportuan probleme me pajisjet elektronike, ndërsa në “Hamit Muslli” një grua u kap duke fotografuar votën – një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit zgjedhor.

Majlinda, një zonjë gjatë momentit të votimit, kishte nxjerrë telefonin dhe kishte fotografuar votën.

“Dëgjova blicin dhe e ndalëm menjëherë. E shpallëm votën të pavlefshme dhe e referuam në polici”, më tha kreu i komisionit të kësaj qendre votimi.

Gruaja, pjesë e komunitetit rom, pretendoi se fotoja i nevojitej që të mos harronte për kë kishte votuar.

Raste të tjera tregonin mospërgatitje ose indiferencë. Një grua hyri për të votuar me vajzën, të cilën e la brenda duke parë “Baby Shark” në iPad. “Tani që i ra sëmundja Saliut, u shua fare partia”, komentoi një kamarier me sarkazëm, duke nënvizuar rënien e PD-së në qytet.

Në Peqin, dominimi i PS-së ishte edhe më i qartë. Në një qendër votimi, një komisioner e pranoi hapur: “Unë jam me PSD. E kupto ti…”. Kandidati i PD-së, Mustafa Pashja, akuzoi më pas se përfaqësues të Bashkisë ndodheshin pranë qendrave për të ushtruar presion.

Edhe Belshi u përfshi në të njëjtën atmosferë qetësie, ndonëse ndihmëse, me komisionerë që ofronin byrekë dhe biskota për gazetarët. Në të gjitha zonat e qarkut, tendenca ishte e njëjtë: fitore e qartë për Partinë Socialiste dhe dominim i pashqetësuar i kandidaturës së Sarës.

Rezultatet konfirmuan thashethemet dhe parashikimet e qytetarëve: Sara Mila u rendit si më e votuara në Elbasan me mbi 17 mijë vota. Një fitore që nuk u ndërtua më 11 maj, por shumë më herët – në takime të mbyllura, në heshtjen e institucioneve lokale dhe në mosbesimin e qytetarëve te ndryshimi.

Elbasani nuk pati dhunë, nuk pati trazira, nuk pati skandale në sy të publikut. Por pikërisht ajo qetësi e ftohtë, ajo mungesë shprese për garë të vërtetë, ishte shenja më e qartë e kontrollit të plotë mbi një proces që, ndonëse ligjërisht korrekt, u përjetua si formalitet. Në një qytet ku gjithçka dihet përpara se të ndodhë, zëri i votuesit ishte më shumë një jehonë se një vendim real.

A reflekton vota e diasporës mendimin e emigrantëve?

Nga Gjergj Erebara

Vite më parë, forca të ndryshme opozitare kërkuan me ngulm krijimin e sistemit të votimit me postë, gjë që do të sillte në skenën politike shqiptare votat e emigrantëve, të cilët, supozohej, do të votonin të çliruar nga skemat abuzive të partisë së radhës në pushtet. Ndërsa votat e emigrantëve vijojnë të numërohen, fakti është që rezultati i deritanishëm flet për një fitore edhe më të madhe të Partisë Socialiste në pushtet mes votuesve nga emigracioni se sa kjo parti realizoi, përmes metodave “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare” brenda vendit. PS ka siguruar deri tani 52% të votave brenda dhe 57% jashtë. Tendenca pritet të jetë akoma më shumë vota për PS-në në kutitë që presin të numërohen.

Numra të përzgjedhur

Situata është shumë më komplekse nga sa duket në plan të parë. Gjëja kryesore për t’u pasur parasysh është aritmetika e thjeshtë. Regjistri Civil, vendi ku gjenden emrat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, përmban 4.6 milionë emra ndërsa Censi i fundit i popullsisë dhe banesave gjeti në vend 2.4 milionë banorë. Kjo sugjeron se 2.2 milionë qytetarë jetojnë jashtë vendit dhe nga këta, hamendësimi është që rreth 1.7 duhet të jenë maxhorenë me të drejtë vote. Përballë kësaj shifre që përbën trupën potenciale votuese, rreth 250 mijë ose 15% u regjistruan dhe rreth 200 mijë ose 12% votuan.

Merret me mend lehtë se qeveria, për shkak se ka shumë më shumë burime ekonomike dhe, siç thonë vëzhguesit ndërkombëtarë, abuzimet e saj me burimet shtetërore ishin “të gjithëpërhapura”, e pati më të lehtë që të cysë më shumë nga mbështetësit e vet mes shqiptarëve të emigrim që të merrnin pjesë në votime. Opozita, me më pak burime, rrjedhimisht mori rezultat më të dobët.

E drejtë aktive dhe e drejtë pasive

Ndryshimi i padukshëm, por jashtëzakonisht i rëndësishëm që ka ndodhur me dhënies së të drejtës së votimimit për emigrantët është transformimi i të drejtës së votës nga një e drejtë pasive, siç ka qenë deri më sot, në një e drejtë aktive. Fjalia e parë e raporteve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve në kapitullin Regjistrimi i votuesve është që, në Shqipëri “e drejta e votës është pasive”. Kjo do të thotë që nuk kërkohet nga qytetarët asnjë veprim për të pasur të drejtën e votës. Mjafton të jesh qytetar shqiptar dhe automatikisht ke të drejtë të votosh. Në vende të ndryshme, fjala vjen, në Shtetet e Bashkuara, nuk është kështu. Qytetari nuk e fiton automatikisht të drejtën e votës, ai duhet të regjistrohet. Prej këtu lindin makineritë elektorale të cilat synojnë të cysin, lehtësojnë, ndërmjetësojnë, apo drejtpërsëdrejti, paguajnë, që mbështetësit e tyre potencialë të regjistrohen për të votuar.

Vendet ku e drejta e votës është aktive, siç po bëhet në rastin e emigrantëve, të cilët duhet të kryejnë një procedurë regjistrimi për të marrë votën me postë dhe për ta postuar mbrapsht, janë vendet ku politika kushton. Në Shtetet e Bashkuara, organizata të shumta, teorikisht jopartizane, por faktikisht mbështetëse të Demokratëve, punojnë në kuadër të sloganit Get out the vote për të regjistruar sa më shumë qytetarë në zgjedhje. Vlerësimi i përafërt është se vetëm pak më shumë se gjysma e qytetarëve amerikanë janë të regjistruar në zgjedhje dhe votojnë. Sondazhet e panumërta sugjerojnë se ata të paregjistruarit kanë prirje të jenë mbështetës të Demokratëve dhe politikave të tyre sociale kështu që është interes i Demokratëve që të kenë sa më shumë të regjistruar. Në anën tjetër, Republikanët kanë grupet e tyre nominalisht jopartiake të tilla si True the vote dhe që pretendojnë se regjistri i votuesve po abuzohet duke vendosur në të joshtetas. Këta nxisin procedura shtesë dhe kontrolle shtesë për të regjistruarit e rinj në zgjedhje.

Mungojnë 85% e zgjedhësve

Nuk është e vështirë që të marrësh me mend se pse 85% e votuesve potencialë që supozohet se jetojnë në emigrim dhe kanë të drejtë vote në Shqipëri nuk u regjistruan dhe gjithashtu, nuk është e vështirë që të gjykosh se si ndodhi që këta 250 mijë, u regjistruan.

Disa nga emigrantët kanë ikur dekada më parë dhe ndoshta nuk kanë më interes për ngjarjet në Shqipëri ndërsa të tjerë munden të mos kenë dokumente shqiptare të vlefshme dhe mundet ta shohin si të paarsysshme të bezdisen me procedurat. Një pjesë padyshim që nuk e ka pasur të mundur për shkak të kohës së shkurtër.

Sido që të jetë, partia që pati më shumë burime në zgjedhje nuk e pati të vështirë që të rekrutojë më shumë mbështetës nga emigrimi. Situata mund të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk dihet se si do të funksionojë në rastin e zgjedhjeve vendore por ajo që është e qartë është që, me sistemin e të drejtës së votës si e drejtë aktive, politika e mbështetur te paratë e bollshme, në rastin e Shqipërisë, të grabitura nga buxheti i shtetit, ka gjasa do të jetë faktor i rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve dhe votat e emigrantëve do t’i marrë ajo parti që do të ketë më shumë para.

Politika identitare pati sukses

Ana tjetër e votës së emigrimit është një Shqipëri e ekstremeve. Një kuti nga emigrantët e Beratit tronditi kur rezultati ishte 95% për socialistët, por edhe në anën tjetër, në Shqipërinë e veriut rezultati ishte gjithashtu ekstrem. PD fitoi Kukësin me 62% të votave të emigrimit, ku kutia e parë e numëruar ishte mbi 80%.

Ajo që bie në sy është që, partitë e vogla të marra sëbashku patën performancë shumë më të mirë mes emigrantëve se sa patën brenda vendit. Nisma Shqipëria Bëhet mori 7.9% të votave të emigrantëve dhe 3.5% të shqiptarëve brenda vendit. Dhe Lëvizja Bashkë pati thuajse dyfish normë më të lartë fitoreje jashtë se sa brenda.

Është gjithsesi një parti e vogël, e cila në numra të përgjithshëm nuk ka rëndësi, ajo që jep një informacion shqetësues për politikën e votës së emigrantëve. Aleanca Kombëtare Shqiptare, një parti nacionaliste e drejtuar nga Elena Kocaqi, mori 0.19% të votave të shqiptarëve brenda vendit dhe 0.54% të votave mes emigrantëve. Edhe fakti që Nisma Shqipëria Bëhet, e cila gjithashtu mbështeti një pjesë të fushatës së saj te politika e nacionalizmit folklorik pati rezultat shumë më të mirë jashtë vendit sugjeron se në fakt, ajo që merret me mend lehtë shfaqet edhe në kutinë e votimit. Emigrantët, të gjendur kulturalisht mes dy botëve, bien pre e politikave identitare më lehtë se sa popullsia brenda vendit.

Votues “televizivë”

Elementi i fundit që duhet të kihet parasysh kur gjykohet rezultati i votës së emigrantëve është fakti që njeriu është produkt i mjedisit informativ në të cilin ekziston. Mjedisi informativ është një koncept që përfshin çdo gjë, nga informacioni që njeriu merr në shkollë apo në universitet te informacioni që shkëmben në kafene, në rrjetet sociale, apo informacioni që merr nga televizionet, gazetat apo librat.

Hamendësimi i përgjithshëm është që, për shqiptarët brenda vendit dhe shqiptarët jashtë, ky mjedis informativ aktualisht është i kufizuar te televizionet dhe te prania e televizioneve në rrjetet sociale, ndërsa mjetet e tjera të komunikimit masiv si media e shkruar apo librat fizikë janë pothuajse zhdukur.

Është gjithashtu e qartë që, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, kur konkluzioni i zakonshëm ishte që media ishte e ndikuar politikisht por secila palë kishte median e vet për të bërë propagandë, në zgjedhjet e fundit, përfshirë zgjedhjet vendore 2023 dhe zgjedhjet 2025, konkluzioni i vëzhguesve ndërkombëtarë është ai që vëzhguesit vendës e dinë prej kohësh: media është jo thjeshtë e njëanshme, dhe jo thjeshtë që mbështet qeverinë. Ajo ka pushuar së qenit media dhe është transformuar në përcjellëse të materialeve të prodhuara nga zyra e propagandës së qeverisë. Në këto kushte, votuesi jashtë vendit, ashtu si edhe votuesi brenda vendit, jeton në një regjim informativ të saturuar nga propaganda qeveritare, e cila nuk e fsheh se përdor burimet administrative, siç është rasti i Agjencisë për Media e Informim, për të prodhuar “lajmet” që supozohet se duhet të informojnë një qytetar në mënyrë të saktë mbi ofertat e larmishme politike para se të votojë.

Në këto kushte, për sa kohë mjedisi informativ nuk ndryshon, vota e emigrantëve, ashtu si edhe vota e qytetarëve brenda vendit, do të jetë vota e një qytetari të painformuar, një votues televiziv./birn

Përqindja e votave të marra nga partitë
Subbjekti Brenda Jashtë
PD 34.27 25.97
Lëvizja Bashkë 1.44 2.41
Lëvizja Atdheu 0.14 0.14
Partia Koalicioni Euroatlantik 1.39 0.71
PS 52.14 57.43
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 3.51 7.85
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare 0.19 0.54
Partia Aleanca Demokracia e Re 0.07 0.05
Koalicioni Djathtas për Zhvillim 0.39 0.28
Partia Mundësia 3.06 3.35
PSD 3.38 1.27

Fitim Zekthi: Rënia e PD-së njëlloj si rënia e August Andre-së

Nga Fitim Zekthi

August Andre, një inxhinier suedez, kishte kohë që ishte fiksuar të ishte personi i parë që do të shkonte në Polin e Veriut. Ai merrej me shitjet dhe ishte ekspert i shitjeve në zyrën që punonte dhe nuk kishte ndonjë dije dhe aftësi të madhe mbi udhëtimet në vende të tilla si Poli i Veriut dhe as mbi mundësitë që ekzistonin në atë kohë që një ekspeditë të dilte me sukses. Ishte vetëm fiksimi i tij për të qenë i pari që do ta bënte. Ai e kishte bindur publikun që do ta kryente këtë udhëtim kollaj dhe të gjithë do të bindeshin kur të kthehej triumfator.
Në vitin 1897, Andre, u nis së bashku me dy të tjerë me balonën me hidrogjen, ‘Eagle’, për në Polin e Veriut. Pas dy ditësh balona e tyre e tundur dhe shkundur nga erërat ra në akull. Andre dhe dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit morën ç’të mundin, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ata ecën dhe u përpoqën mbi masën gjigante të akullit të mbërrinin në tokë. Pas gjashtë javësh tmerr u mbaroi gjithçka. U ushqyen me midhje apo me kallamarë, por edhe me një ari të bardhë që arritën ta vrasin me armë. Pas një tmerri gati tre mujor, vdiqën.

Kjo është një ngjarje që është përdorur nga psikologët dhe sociologët për të treguar se ka raste kur njerëzit janë aq të bindur se mund të bëjnë diçka, sa ata e humbin krejtësisht arsyen dhe shkojnë të sigurt drejt shkatërrimit. Kjo ndodh sidomos kur ata kanë vlerësim shumë të lartë për veten, por kjo mund të ndodhë edhe kur ata duan me çdo kusht të shpëtojnë fytyrën. Ndodh që njeriu hyn në një rrugë ose gjendet në një situatë e cila e shtyn atë me forcë drejt veprimeve krejtësisht të paarsyeshme. Vetë njeriu e di fundin e keq dhe të turpshëm të rrugës në të cilën hyn, por ai nuk ka mundësi të veprojë ndryshe.

Ditarët, e zbuluara më vonë, të August Andre tregonin se ai e kuptoi që nuk ishte i aftë dhe nuk kishte mjetet e duhura për ta kryer atë udhëtim në Polin e Veriut, por ai e kishte bindur opinionin publik se kishte aftësi ta bënte shumë kollaj këtë udhëtim.
Regjisori i famshëm Ruben Ostlund e ka marrë këtë ngjarje dhe e ka trajtuar në mënyra të tjera për të treguar këtë anë vetëshkatërrimtare të njeriut kur ai hyn në një rrugë i shtyrë nga rrethana të tilla si ruajtja e profilit të “të fortit” e “triumfatorit”, e atij që ka “të drejtë”, e atij që nuk ka pengesë që e ndal. Gjithashtu është trajtuar, në mjaft raste, edhe lidhja e fortë që kanë rrethana të tilla si të mësipërmet me një gjendje fajësie apo krimi, duke të shtyrë të bësh krime të tjera dhe duke vijuar më pas në këtë rrugë deri sa “të nisesh për në Polin e Veriut”.

Kjo është saktësisht ajo që ndodhi me ish kryeministrin Berisha, me lëvizjen e tij politike të Foltores që prej shtatorit të vitit 2021.

Ish kryeministri ishte nisur si August Andre për në Polin e Veriut. Ai bindi bazën e PD-së se do t’ia dilte thuajse kollaj. Ai i tha asaj atëbotë se se do të zhvillonte protestat më të fuqishme, se do të trondiste pushtetin e qeverisë Rama, se do ta rrëzonte atë, se do të ndërtonte një opozitë të fuqishme, se do të mundte qeverinë socialiste.

Ishte qe qartë që në fillim se lëvizja e Berishës ishte e parsyeshme, ishte kundër kohës dhe kundër hirtorisë. Ishte e qartë se kjo lëvizje do të kishte një jetë të sajën derisa të përplasej me kokë pas murit, siç do të kishte një jetë të sajën rruga e August Andre-së derisa balona e tij të përplasej me akullin në Polin e Veriut. Në faqe të dheut gjërat e paarsyeshme nuk kanë dhënë dhe nuk japin kurrë rezultat të mirë. Kurrë në faqe të dheut gjërat e kundër kohës dhe kundër historisë nuk kanë dhënë e nuk mund të japin rezultat të mirë. Lëvizja e Berishës ishte e parsyeshme sepse ai kishte tetë vite që ishte larguar nga drejtimi i PD-së duke thënë që “mon depart est sans retour”, ikja ime është pa kthim. Ai kishte thënë që Basha ishte aq i mirë sa Ramës do i duheshin tre jetë të krahasohej me të. Dhe në një moment të caktuar tha do të rikthehem sepse Basha është peng, ka shitur opozitën. Këtu sigurisht që arsyeja nuk ka forcë të japë shpjegime. Lëvizja ishte kundër kohës dhe kundër historisë sepse dikush që është dorëhequr tetë vite më parë pasi ka humbur zgjedhjet si kryeministër me rezultat shumë të thellë (humbi edhe Shkodrën dhe fitoi vetëm në Kukës) nuk mund të rikthehet dhe të thotë se vetëm unë e mund kryeministrin Rama.

Gjithashtu dikush që ka qenë kryetar opozite dhe është bërë president, dikush që ka rënë në opozitë në 1997 dhe më pas bërë kryeministër në 2005, ka rënë përsëri në opozitë (madje i larguar me dorëheqje në 2013) nuk mund të bëhet kryeministër përsëri në 2025. Nuk i njeh historia dhe këto gjëra, koha ka ritmin dhe logjikën e saj. Koha nuk është ciklike, nuk është diçka që nuk ka fund, nuk është diçka në të cilën ne rrotulllohemi pa fund si në një karusel dhe mund të rikthehemi pa ndalur aty ku ishim. Jo koha është lineare, ka fillim dhe fund për këdo, për karrierën, për politikën, për ambicjet, për jetën.

Për t’i rënë shkurt rezultati i 11 majit dihej dhe ishte përfundimi logjik i një rruge të paarsyeshme. Ngjashmëria me atë që ndodhi August Andre-së është e thellë. Tani gjërat nuk mund të jenë më kurrë si kanë qenë. Berisha mund të vijojë, do të vijojë të ndjekë po logjikën e paarsyeshme, kundër kohës dhe kundër historisë që nisi në shtator të 2021-it. Ëshë në të drejtën e tij ta bëjë siç janë në të drejtën e tyre mbështetësit e tij që ta bëjnë. E sigurt është që në zgjedhjet e ardhshme mbështetja do të jetë më e vogël dhe përplasja pas murit më e ashpër. Edhe tani mund të jetë vonë, mund të ketë skaduar koha e një reflektimi të thellë për PD-në në mënyrë që ajo të ribëhet një alternativë. Gjithsesi një mundësi së paku teorike ajo e ka. Dhe kjo mundësi nuk ka të bëjë fare me dorëheqjen e Berishës. Dorëheqja e Berishës tani është një gjë kot. Berisha duhet të bëjë diçka (edhe kjo kundër historisë dhe palogjikshme) të padëgjuar. Duhet të udhëheqë një lëvizje kundër Foltores, kundër filozofisë së tij dhe të krijojë dhe mbështesë një lidership jo populist por popullor, të mbrojë një narrativë jo revolucionare me armiq të brendshëm dhe të jashtëm por qytetare dhe racionale, të nxisë një frymë të djathtë ku modestia dhe maturia janë tiparet bazë dhe jo një frymë arrogance dhe mburravecërie. Kjo është e pamundur por nëse e bën kjo do ta bënte Berishën një politiklan të rrallë. Këtë, paraimisht, e ka në dorë vetë, por duhet të mundë veten. Tani për tani dhe ndoshta për kohët në vijim jemi thjesht tek ao që i ndodhi August Andre-së./liberale.al

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës paralajmëron: Rusia planifikon të lëshojë raketa balistike ndërkontinentale!

Shërbimi i inteligjencës ushtarake i Ukrainës tha sot se Rusia po planifikon të lëshojë një raketë balistike ndërkontinentale me qëllim frikësimin e Ukrainës dhe Perëndimit.

Lëshimi i raketës u urdhërua gjatë matës nga rajoni Sverdlovsk i Rusisë, tha shërbimi i inteligjencës ukrainase në një deklaratë në aplikacionin Telegram.

Sipas inteligjencës ukrainase rrezja e raketës tejkalon 10,000 kilometra, shkruan Reuters.

“Me qëllim që të ushtrojë presion dhe të frikësojë në mënyrë të dukshme Ukrainën, si dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, vendi agresor Rusia synon të kryejë një lëshim, për qëllime “stërvitore dhe luftarake”, të një rakete balistike ndërkontinentale RS-24…”, thuhet në deklaratën e GUR-së.

Për momentin, Rusia nuk ka bërë asnjë koment mbi njoftimin e shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase.

FOTOLAJM/ Papa Leon XIV shkel protokollin, përqafon vëllain e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit

Papa Leo XIV  theu protokollin dhe përqafoi vëllanë e tij Luis gjatë përshëndetjeve me delegacionet në fund të ceremonisë së inaugurimit.

 

Pasi shtrëngoi duart me JD Vance dhe Marco Rubio, vëllai Louis iu afrua Papës duke shkëmbyer përqafime me njëri tjetrin.

Prevosti foli për disa çaste dhe pastaj vazhdoi me përshëndetjet institucionale.

Në fjalën e tij, ndër të tjera Papa tha se “Ukrainës i duhet paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Rreth 200,000 besimtarë morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leonit të XIV i cili u zgjodh pas vdekjes se Papa Fraceskut.

Spektator në ndeshjen historike, Armando Broja lihet jashtë skuadrës për duelin ndaj skuadrës ku u bë i famshëm

Armando Broja duket se ka mbyllur para kohe sezonin e tij me Everton. Kjo duket nga vendimi i sotëm i trajnerit Devid Mojes, i cili ka lënë si spektator sulmuesin e Kombëtares shqiptare për ndeshjen historike ndaj Sauthemptonit.

 

Ndeshja në fjalë është e veçantë pasi do të jetë e fundit që Evertoni luan si pritës në stadiumin “Goodison Park”, pasi do të zhvendoset te një i ri më modern. Për këtë sfidë, Broja nuk është preferuar as në stol nga trajneri i cili ka dhënë kësisoj një mesazh të qartë se nuk përfshihet në planet e klubit për të ardhmen.

Evertoni kishte mundësinë e aktivizimit të klauzolës për blerjen e sulmuesit shqiptar, por vendimet e fundit të Mojes, i cili i ka rezervuar shumë pak minuta, bëjnë që tashmë ky opsion të mos diskutohet më. Kësisoj, Broja do të kthehet në fund të huazimit te Çelsi, për të nisur menjëherë kërkimin për një ekip të ri pasi nuk ka hapësira as te londinezët për të.

Gjermania dhe Britania forcojnë bashkëpunimin ushtarak, planifikojnë të zhvillojnë armë precize me rreze të gjatë veprimi dhe të mbrojnë Evropën

Gjermania dhe Britania e Madhe po thellojnë bashkëpunimin ushtarak. Ato planifikojnë të zhvillojnë armë precize me rreze të gjatë veprimi dhe të mbrojnë Evropën.

 

Bundeswehrigjerman do të bëhet “ushtria më e fortë konvencionale nëEvropë”. Ky qëllim ambicioz u vendos nga kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) në fjalimin e tij të parë në Bundestag. “Ne duhet të jemi në gjendje të mbrohemi në mënyrë që të mos na duhet të mbrohemi”, tha kancelari, duke iu referuar kërcënimit nga Rusia. E gjithë kjo duhet të ndodhë në koordinim të ngushtë me partnerët evropianë. Gjermania tani po i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit ushtarak meBritaninë e Madhe.

Kjo u vendos në vjeshtën e kaluar me një marrëveshje që të dy vendet e shpallën “historike” – Marrëveshja e Trinity House, e emëruar sipas vendit në Londër ku u nënshkrua në tetor nga ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) dhe homologu i tij britanik John Healey (Partia e Punës). Një marrëveshje e ngjashme nuk është nënshkruar kurrë më parë midis këtyre dy vendeve. Healey mbërriti në Berlin të enjten (15 maj 2025) për të detajuar planet e përbashkëta.

Objektiva të përbashkëta strategjike
Fuqia bërthamoreBritania e Madhe, megjithëse nuk është më anëtare e BE-së, mbetet një partnere e fortë ushtarakisht brenda NATO-s, e cila ndan interesa të përbashkëta me Gjermaninë. “Mbretëria e Bashkuar është veçanërisht e angazhuar në zonat gjeografike që janë të rëndësishme për Gjermaninë – në rajonin e Baltikut, në veriun e largët, por edhe pjesërisht në krahun lindor të NATO-s”, thekson Ben Schreer, drejtor i zyrës së Berlinit të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Këtu të dy vendet duan të bashkojnë forcat, për shembull, në mbrojtjen e Atlantikut dheDetit të Veriut. Jo vetëm rrugët e rëndësishme tregtare kalojnë nëpër Detin e Veriut, por edhe tubacionet e gazit dhe kabllot e energjisë elektrike që transportojnë energji nga parqet e mëdha të erës në det të hapur në bregdet.

Pas sulmeve ndaj kabllove nënujore në Detin Baltik, ekspertët e sigurisë kanë frikë nga sulme të ngjashme në Detin e Veriut. Të dy vendet duan t’i përgjigjen këtij kërcënimi me “një kontroll të qartë dhe gjithëpërfshirës të situatës nënujore”, siç thuhet në marrëveshje.

Operacione të përbashkëta me nëndetëse dhe avionë
Operacionet e përbashkëta me nëndetëse dhe avionë patrullimi detar janë gjithashtu pjesë e këtij plani. Avionët patrullues detarë gjermanë të tipit P-8A Poseidon në të ardhmen do të bazohen në Skoci për të monitoruar hapësirën ajrore mbi Atlantikun e Veriut. Bundeswehri i porositi këta avionë kohët e fundit, ndërsa ushtria britanike tashmë po i përdor ato, kështu që ekuipazhet gjermane mund të stërviten atje.

“Këta avionë patrullimi mund të zbulojnë dhe shkatërrojnë nëndetëse edhe në distanca të mëdha”, tha ministri i Mbrojtjes Pistorius pas bisedimeve me homologun e tij britanik. Kështu, të dy vendet po forcojnë së bashku aftësitë e NATO-s për gjueti nëndetësesh në Atlantikun e Veriut dhe Detin e Veriut.

Raketat me rreze të gjatë veprimi
Të dy vendet kanë industri të forta mbrojtëse dhe në këtë fushë ka plane për bashkëpunim më të ngushtë. Për shembull, prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall prodhon transportuesin e blinduar të personelit “Boxer” në fabrikat e tij në Mbretërinë e Bashkuar, nga të cilët ushtria britanike ka porositur 500.

Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes është zhvillimi i përbashkët i armëve precize me një rreze veprimi prej më shumë se 2.000 kilometrash, të cilat mund t’i kenë në dispozicion edhe vendet e tjera evropiane.

Një fushë tjetër bashkëpunimi është zhvillimi i dronëve të armatosur pa pilot. Bundeswehri mbetet prapa në këtë fushë. Këtë vit do të fillojë të blejë dronë luftarakë më të vegjël. Ushtria britanike nga ana tjetër ka shumë vite përvojë operative në këtë fushë, nga e cila Bundeswehri mund të përfitojë.

Sisteme që nuk përshtaten mes tyre
Të dy vendet duan të bashkëpunojnë edhe për avionët luftarakë të ardhshëm – të paktën në një masë të caktuar. Gjermania po zhvillon një sistem të ri së bashku me Francëndhe Spanjën, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po zhvillon një sistem të ndryshëm së bashku me Italinë dhe Japoninë.

“Nga një perspektivë evropiane, ka kuptim të paktën të arrihet ndërveprimi, në mënyrë që të dy sistemet të mund të punojnë së bashku në misionet e ardhshme të përbashkëta”, thotë eksperti Schreer.

Kjo tregon një problem të kahershëm në Evropë: shumë sisteme të ndryshme armësh që nuk janë të përshtatshme me njëra-tjetrën. “Ne kemi nevojë për standarde të përbashkëta dhe një thjeshtëzim të sistemeve në Evropë”, tha kancelari Friedrich Merz menjëherë pas marrjes së detyrës.

Në një kohë kur vendet e NATO-s në Evropë duhet të marrin përsipër një barrë më të madhe mbrojtjeje, bashkëpunimi gjermano-britanik mund të shërbejë si shembull. Është një bazë e mirë për bashkëpunime të tjera, thotë Schreer, siç është ai midis Gjermanisë dhe Francës.

“Pyetja kryesore është se sa është e gatshme dhe e aftë Mbretëria e Bashkuar të kontribuojë në mbrojtjen e Evropës”, ​​thotë ai, duke vënë në dukje se ekziston edhe një dilemë në lidhje me buxhetin britanik të mbrojtjes, ku rritjet e mëtejshme të buxhetit mund të jenë gjithnjë e më të vështira.

Sa para do të shkojnë për Bundeswehrin?
Buxheti për mbrojtjen po vihet në pikëpyetje edhe në Gjermani. Buxheti për vitin 2025 nuk është miratuar ende për shkak të ndryshimit të qeverisë, por diskutimet e nxehta rreth shumave të nevojshme kanë filluar tashmë. Ministri i Jashtëm Johannes Wadepful (CDU) mbështeti të enjten qëllimin e vendosur më parë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump – për të ndarë deri në 5 për qind të vlerës produktit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen në të ardhmen. Por partneri i tij i koalicionit, Partia Socialdemokratike (SPD), e bllokoi menjëherë atë.

Buxheti i mbrojtjes është përgjegjësi e tij, tha ministri i Mbrojtjes Pistorius pas takimit me Healey. Ai përmendi samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor si një pikë referimi.

“Ne të gjithë e dimë se do të kushtojë dukshëm më shumë se 2 përqindëshi aktual që po përmendet.” Por a do të jetë tre për qind apo më shumë nuk dihet. Sekretari britanik i Mbrojtjes Healey theksoi: “Nuk ka të bëjë kjo vetëm me supozime, por duhet të shikojmë mundësitë.”/DW

“Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën zyrtare të asaj kohe”- Refleksionet e studiueses nga SHBA-ja: Mbështeti qeveritë e Ahmet Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për…

Një komb pa histori, nuk mund të ekzistojë! Historia e kombit tonë na dallon nga kombet e tjera, duke përbërë vlera të veçanta të pamohueshme si nacionalitet, duke nxjerrë në pah karakterin këmbëngulës dhe sfidues të shqiptarit, përpjekjet titanike për bashkimin e Shqipërisë, mos copëtimin e saj nga orekset e Fuqive të Mëdha, dhe ndërtimin e shtetit shqiptar me të gjitha institucionet e nevojshme. Ervina Toptani, studiuese dhe njohëse e mirë e ngjarjeve historike të popullit tonë që kanë bërë epokë, në një bashkëbisedim ekskluziv për gazetën “Dielli”, rrëfen rolin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, me personalitetet e saj, së bashku me SHBA-ës, në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare.

 

Personalitete të shquara si brenda dhe jashtë vendit krijuan lobet e tyre për të penguar copëtimin e vendit, e më pas u bashkuan në një shoqëri të vetme, për një qëllim të përbashkët. Gjatë bisedës, Toptani do të flasë edhe për rolin e Zogut në ndërtimin e shtetit shqiptar. Ajo thekson se roli i tij ishte i padiskutueshëm, por mund të kishte bërë edhe me shumë.

 Çdo pjesë e historisë, e shtrirë në kohë të ndryshme, ka rëndësinë e saj të veçantë për ta diskutuar dhe, e marrë si e tërë, përbën në vetvete vlerë historike për kombin. Por, unë do të doja që biseda jonë të niste me nacionalizmin shqiptar dhe rolin e diasporës shqiptare. Cilën periudhë kohore do të veçonit kur nacionalizmi shqiptar arrin majat?

Unë mendoj se diaspora shqiptare ka nisur të zhvillohet e organizohet që prej shekullit të 19-të, sidomos pas gjysmës së dytë të tij. Diaspora e organizuar, besoj nis me italo-shqiptarët e Italisë Jugore, me shkollat e tyre të mendimit dhe veçanërisht me punën e përpjekjet e tyre në favor të idesë kombëtare shqiptare. Njerëz të shkëlqyer si De Rada etj., ishin pionierët e ideve nacionale, prej nga ku u frymëzuan edhe të tjerë patriotë më tej. Nuk mund të lëmë pa përmendur grupet shqiptare të Bukureshtit e të Egjiptit, që dhanë shumë ndihmë, përfshirë këtu dhe kontributin lidhur me shkrimin e gjuhës shqipe. Një tjetër ndër pionierët e shqiptarizmit është edhe Said Sermedin Toptani, veprën e të cilit e vijuan djemtë e tij, Refik e Murad Toptani, edhe me fillimin e shekullit të 20-të.

Në diasporën shqiptare jashtë trojeve kombëtare, zhvillonin aktivitet më së shumti ato personalitete që për arsye të ndryshme nuk kishin marrëdhënie të mira me Portën e Lartë, apo ishin dënuar prej saj. Mbi të gjitha do të veçoja këtu Pashko Vasën, të cilin në një shkrim timin disa kohë më parë, unë e kam quajtur si “Fichten e Shqipërisë”, për sa i ka dhënë ai mendimit kombëtar me përpjekjet e tij për ndërgjegjësimin e kancelarive europiane për Shqipërinë dhe nevojën e formimit të shtetit unitar shqiptar në Ballkan (lidhur me përpjekjet e patriotëve në periudhën e Lidhjes së Prizrenit). Ndërkohë që edhe më shumë rëndësi kishte bashkësia shqiptare e Stambollit me komitetet e saj politike, gjuhësore e kulturore.

Ndër ta mund të përmendim figura si vëllezërit Frashëri, sidomos Sami Frashërin, i cili me veprën e tij madhore, mbi idenë e paanshmërisë kombëtare shqiptare “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, mund të quhet ndër themeluesit e idesë politike shqiptare. Më pas vijnë figurat e tjera të mëdha si Konica e Noli, etj., aktiviteti i të cilëve lidhet me punën konkrete politike për formimin e shtetit shqiptar në vitin 1912. Por, thënë kjo, nacionalistët e kohës do i shihja në dy këndvështrime: ata që jetonin larg vendit amë dhe ata që jetonin brenda territoreve shqiptare. Kjo gjë kishte anë pozitive, sepse u jepte mundësi të gjithëve të kontribuonin për vendin e tyre në dimensione të shumta, edhe duke ditur se kjo gjë solli përplasjen e ideve në disa raste e jo gjithnjë me rezultate të dobishme për çështjen e përgjithshme.

Personalisht mendoj se patriotët me dimensione ndërkombëtare ishin intelektualë të shkëlqyer të kohës, figura të njohura ndërkombëtare, gazetarë, botues, shkrimtarë, etj., që dhanë gjithçka duke u përpjekur të sillnin përvojën e jetës së tyre në botën perëndimore në vendin e të parëve, me sakrifica të shumta e deri edhe në humbje. Por, ndonëse këta burra përfaqësonin mendje gjeniale, aftësira të mëdha e përvoja të gjera, bazuar në kërkesat demokratike të kohës, ose kishin ide të bukura e dëshira të mëdha për përmirësime të shpejta e të forta të jetës së brendshme të popullit e shtetit të ri shqiptar, ata pothuaj nuk e njihnin jetën brenda Shqipërisë, mënyrën e jetesës së përditshme të njerëzve aty, përvojën e eksperiencave të tyre me problemet e ndryshme me të cilat ata përballeshin në kushtet e një politike jo normale. Ndaj edhe fatkeqësisht, përtej dëshirave e përpjekjeve të këtyre figurave, suksesi i tyre në aktivitetet patriotike mund të konsiderohet relativisht modest.

Nga ana tjetër ishin figurat e tjera patriotike shqiptare nga brenda vendit, të cilët edhe pse ndonjëherë nuk zotëronin forcën intelektuale të të parëve, zotëronin njohjen perfekte të territorit e të njerëzve, të mentalitetit popullor, me njohjen e zakoneve e mentalitetit të shqiptarit të kohës. Këta burra kishin edhe njohjen shumë të rëndësishme të jetës së brendshme të perandorisë osmane dhe të institucioneve të saj, që herë pas here arrinin edhe të gjenin mundësinë e bashkërendimit të interesave dhe nevojave shqiptare me ato të Stambollit.

 Në kuadër të përpjekjeve të mëdha të patriotëve dhe personaliteteve të shquara, për ndërtimin dhe organizimin e shtetit shqiptar, a ka një periudhë që do ta veçonit si sukses, por edhe dështim të luftës së tyre për një Shqipëri të bashkuar etnike?

Nuk mund të harrohet suksesi i madh i arritur në gusht të 1912, kur Stambolli më në fund, pas shumë përpjekjesh, njohu idenë kombëtare shqiptare duke pranuar parimin e bashkimit të trojeve shqiptare të 4 vilajeteve, në një entitet të ardhshëm me institucione të brendshme, gjë e cila solli edhe ndërhyrjen e fuqive ballkanike, situatë që solli humbjen osmane në luftën ballkanike dhe copëtimin e trojeve tona. Unë besoj që mos koordinimi i intelektualëve të ardhur nga Europa e SHBA-ës, me personalitetet e brendshme shqiptare, njohës perfekt të jetës dhe popullit tonë, mund të jetë ndër shkaqet kryesore të dështimit të shumë përpjekjeve për ndërtimin e shtetit shqiptar, që solli edhe një sërë lëvizjesh e kryengritjesh që nuk e lanë të përparojë qetësisht shtetin e sapoformuar në Tiranë.

 Ashtu siç e përmendët edhe ju më sipër, nacionalizmi i kaloi kufijtë duke punuar fort për çështjen shqiptare edhe në dhe` tē huaj. Veprimtarët, personalitetet e shquara si Faik Konica dhe Fan Noli, lobuan fort nëpër sallonet e botës, deri në Amerikën e largët për mos copëtimin e Shqipërisë, demokratizimin e vendit, për uljen e analfabetizmit, etj. Kemi krijimin e Vatrës në Boston, më 28 prill të 1912 në Boston, e cila i pati nisur mbledhjet që një vit më parë, ku gjithashtu loboi fort për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës në Kongresin e SHBA. Cili ka qenë roli i Nolit, Konicës, por edhe personaliteteve të tjera, në çështjen shqiptare?

Shoqata “Vatra” është me shumë rëndësi në historinë tonë, pasi ajo u bë qendra në të cilën emigrantët shqiptarë, personalitete të fushave të ndryshme ose jo, nëpërmjet saj mund të kërkonin forma organizimi për të dhënë mbështetjen e tyre për çështjen tonë kombëtare. Mendoj se përtej kontributit që dhanë shumë individë me forcat e tyre, format e organizuara të kontributeve u rritën vetëm pasi u shtua forca dhe prestigji politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në luftën që po zhvillohej në Europë. Sidomos me hyrjen e SHBA-ës në luftën botërore përkrah Antantës, kur anglo-francezët e kuptuan qartë se pa ndihmën e gjithanshme ekonomike, industriale e ushtarake amerikane, ata nuk do të mundnin të fitonin ndaj Gjermanisë, rritet edhe roli i Vatrës, në bashkërendim me politikën zyrtare të Uashingtonit.

Problemi i madh i elitës shqiptare të kohës, si edhe më pas në Luftën e II-të Botërore, ka qenë ndarja ideologjike e saj: me kampin e atyre që besonin se gjeopolitikisht Shqipëria do të përfitonte nëse fitonin luftën austro-gjermanët, kah në të cilin shumë shqiptarë të kohës ndienin edhe një lloj borxhi moral ndaj politikave të Vjenës, pa të cilën zor se do të formësohej Shqipëria si shtet në Ballkan dhe, kampi i dytë, ata që mendonin se fitorja do të anonte në anën e anglo-francezëve, aleatë të rusëve, grekëve dhe serbëve, gjë e cila krijonte edhe dyshime në shumë nga personalitetet e kohës. Kampet kishin edhe kundërshtime të forta herë herë, pasi vështirë se puqeshin bashkë ata që vuajtën për të krijuar shtetin unitar shqiptar me ata që vuajtën politikat e ruso – francezëve në favor të klientëve të tyre serbë e grekë, që kërkonin të zgjeroheshin sa më tepër në kurriz të trojeve shqiptare.

Me hyrjen e Amerikës në konflikt në krah të Antantës, sidomos me publikimin e 14 pikave të famshme të Presidentit Uillson, shqiptarët nisën të mbështesin idetë që vinin nga SHBA-ës e të shpresonin në dashamirësinë e Uashingtonit, rrjedhimisht edhe të mbështeteshin më shumë te patriotët e përtej Atlantikut. Nga ky moment del edhe më në pah roli i rëndësishëm i figurave si vëllezërve Konica dhe Fan Nolit, ndërtuesi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, që tentuan me çdo mënyrë të sillnin ide të reja në vendin tonë, të ndikonin në demokratizimin e jetës së brendshme në Shqipëri e të ideve politike shtetformuese dhe veçanërisht në rikrijimin e shtetit të pavarur gjatë Konferencës së Paqes në Paris, në mes të vështirësive të shumta të politikës së kohës.

Unë mendoj se edhe takimet e Nolit me Presidentin Uillson në Uashington kanë ndikuar në vendimet e mëpasshme të tij për ndalimin e politikave të aleatëve të tjerë të Antantës me zhvillimin e ideve e politikave të tyre personale për copëtimin e Shqipërisë, me kulmin e saj në fillim të 1920, kur Presidenti i SHBA ndikoi të anullohej marrëveshja e arritur për të copëtuar vendin tonë.

 Meqenëse jemi në periudhën e pushtimit osman…! Një dokument i dalë nga arkivat turke tregon se gjatë pushtimit osman u lejua feja e krishterë, përdorimi i gjuhës shqipe, u ngritën shkolla, vendi pati lulëzim ekonomik, etj. Sa do ta mbronit këtë dokument, duke u bazuar në studimet që janë kryer nga historianë, aq sa ju jeni në dijeni? Megjithatë, pavarësisht se Turqia e thotë me zë të lartë, ata do të mbeten pushtues…?

Pushtimi nga një popull i huaj mbetet gjithnjë i tillë, pavarësisht nga emri i përdorur, feja, idetë, interesat, etj. Çështja është gjithnjë nëse mundesh të përballosh atë situatë apo jo, si e përballon, kostot e kërkuara, mundësia për t`ia dalë këtyre kostove, etj. Mendoj se pushtimi osman mund të ndahet në dy ose tre periudha më të mëdha, e lidhur kjo edhe me vetë historinë e tyre të zgjerimit ushtarak dhe krijimit të shtetit. E para, përkon me fillimin e pushtimeve ushtarake, nën princin Osman e, deri afërsisht me mbretërimin e Sulejmanit të Madhërishëm, ose më në përgjithësi në shekullin e XVII-të.

Kjo ishte kohë e pushtimeve të dhunshme osmane, kur perandoria zotëronte fuqinë maksimale për zgjerim; më pas, deri në rrethimin e dytë të Vjenës, në fund të viteve 1600, kemi një epokë stabilizimi të perandorisë, që nuk ka më pushtime të mëdha dhe kur përpjekjet osmane ishin më tepër në drejtim të forcimit të shtetit të tyre; pas kësaj date nis rënia graduale e perandorisë osmane, deri me të “sëmurin e Bosforit”, kur perandoria e vjetër osmane u kthye në një “kufomë” shtetërore, në pritje të vdekjes së ngadaltë.

– Shumë shqiptarë kanë mbajtur funksione të larta drejtuese në Portën e Lartë. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit? Cili ka qenë roli i tyre në Perandorinë Osmane?

Paraardhësit tanë kanë qenë ndër popujt më të preferuar për turqit. Shqiptarët janë popull i aftë për t`u përshtatur shpejt e mirë, siç e kemi treguar edhe 30 vitet e fundit, ku shumica jonë është përshtatur perfekt kudo ku ka shkuar në Europë apo Amerikë. Edhe me osmanët, stergjyshët tonë janë përshtatur mirë, duke ndërruar edhe fenë kur iu kërkohej kjo gjë. Në mënyrë të veçantë do të shtoja diçka mbi karakterin e shqiptarëve, gjë që e kam cilësuar edhe në librin tim të parë, si pjesë e studimit antropologjik të shqiptareve e, si tipar të veçantë tonin. Shqiptarët mbi çdo gjë duan lirinë e tyre. Për lirinë, shqiptarët gjithnjë kanë qenë në gjendje të japin çka kishin më të shtrenjtë, edhe fenë e të parëve.

Duke vepruar kështu, ata mundën të shpëtonin jetën duke i garantuar vazhdimësinë e ekzistencës brezave të ardhshëm, mundën të ruajnë lirinë dhe vazhdimin e veprimtarisë së tyre. Por kjo gjë u dha atyre edhe mundësinë e karrierave te shkëlqyera nën flamujt e perandorisë më të madhe të kohës, të paktën kur Porta e Lartë ishte në ngjitje e sipër. Mos harrojmë se nga barku shqiptar, kanë dalë në histori dhjetëra vezirë e qindra pashallarë për osmanët, duke komanduar perandorinë turke për kohë të gjata. Dhe kjo jo për çështje simpatie, por për meritat e vetë shqiptarëve, që ishin burra të fortë e të mençur, tamam si shqiponjat e maleve të tyre.

Të mos harrojmë se edhe një nga kryeministrat e fundit të perandorisë osmane, ishte bir i familjes Vlora, Ferid pashë Vlora, apo edhe garda personale e sulltanëve të fundit, ishte vetëm me shqiptarë në përbërje të radhëve të tyre. Sa i përket fesë, nuk më habit zbulimi i dokumentit që ju tregoni. Ishte zakon i perandorisë osmane që popujt të kishin një lloj lirie në besimet e tyre fetare, ndonëse atyre jo myslimane u kërkoheshin edhe taksa speciale të natyrës fetare. Unë do të doja që Shqipëria të kish qenë një vend gjithnjë europian e perëndimor, siç po mundohemi të jemi edhe sot. Me sytë drejt Perëndimit e me dëshirë për të bashkëpunuar e bashkëjetuar në këtë kah. Si edhe vetë turqit e sotëm, që duan në çdo rast të shkojnë e të studiojnë në SHBA-ës e Bashkimin Europian. Mjaft të shohësh se sa milionësh është sot komuniteti turk, në vende si Gjermania, Belgjika, Austria etj, dhe kuptohen fare qartë aspiratat e tyre.

– Më 1912 shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe më 4 dhjetor krijohet qeveria e parë, me kryeministër Ismail Qemalin, deri në 22 janar të 1914. Qeveria dështoi, më pas kemi ardhjen dhe largimin e Princ Vidit, që u pasua me krijimin e disa qeverive të tjera. Kjo situatë bëri që Ahmet Zogu të forconte pozitat e tij, duke kaluar nga Ministër i Punëve të Brendshme, në president, e më pas shpallet Mbret, më 1 shtator të 1928. Pra, vendoset Mbretëria Kushtetuese parlamentare e trashëgueshme. Në gjithë zhvillimin e këtyre përpjekjeve për të ndërtuar shtetin shqiptar, kur mendoni se u hodhën bazat e forta për krijimin e shtetit shqiptar?

Historiku i formimit të shtetit të pavarur është i lidhur ngushtë edhe me figurën e Mbretit Ahmet Zogu, përtej rolit të shumë burrave të tjerë të kohës. Qeveria e parë e Ismail bej Qemal Vlores nisi mirë si bashkim i shqiptarëve më në zë të kohës, nën hijen e dy kryeqyteteve të mëdha, si Vjena e Roma. Por kjo risi dështoi shumë shpejt, si prej interesave të ndryshme që lidheshin me shtetet e tjera me interesa të drejtpërdrejta e jo mbi bregdetin Adriatik, apo kufijtë e papërcaktuar të shtetit të ri, ashtu edhe prej politikave deri diku të pakujdesshme të qeverisë së Vlorës, përkundrejt pjesës tjetër të elitës shqiptare të kohës, që sollën në përçarjen e saj, me rezultat dështimin e kësaj përvoje të parë qeveritare. Sipas meje, kjo periudhë është fare pak e studiuar nga autorët tanë ose aspak, ose edhe e studiuar me “syze” ideologjike në epoka të mëvonshme.

Edhe qeveria e Princ Vidit ishte pa të ardhme, e miratuar nga koncerti europian vetëm për të evituar një luftë të mundshme midis Austrisë dhe aleatëve serbë të Moskës në Ballkan, çka do detyronte edhe më të mëdhenjtë të ndërhynin në këto “halle ballkanike”. Princi gjerman, Vilhelm Vid, (Wilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Wied), ishte tërësisht i lidhur me politikat e atyre që e miratuan. I mbështetur realisht vetëm nga Austro-Hungaria e Italia, në emër të interesit madhor gjeopolitik që asnjëra palë të mos e zotëronte direkt bregdetin tonë Adriatik, ai u fundos menjëherë sapo nisën kontradiktat e tyre.

Shto këtu edhe ndikimet e tjera greke e ato turke, dobësitë organike të princit dhe mosnjohjen e territorit e njerëzve në Shqipëri. Përvoja e tij qeverisëse, ndonëse nisi me shumë premtime, përfundoi në 6 muaj. Nisja e Luftës I-rë Botërore, i vuri vulën më pas gjithçkaje dhe Princi u detyrua të kthehej nga kish ardhur, duke lënë gjithsesi një zbrazëti të madhe në vend. Pa i hyre katastrofës së gjithanshme në të cilën u gjend Shqipëria e vogël gjatë luftës, nën pushtimin e disa ushtrive të huaja, vendi i humbi shpresat për shtetin e vet.

Përfundimi i luftës botërore e ktheu vëmendjen në lojën e interesave gjeopolitike të shteteve të kohës, në Europe e Ballkan, çdokush kërkonte të realizonte aspiratat e tij minimale e maksimale, sipas kontributeve reale në luftë. Kështu, edhe Shqipëria e kohës bëri përpjekjet e saj në Paris, por pa shumë sukses. Gjithsesi, gjatë 1920 e pas një kalvari të gjatë u rinjoh ekzistenca e Shqipërisë së pavarur nga të mëdhenjtë, dhe Tirana zyrtare rifilloi jetën e vet politike.

Në vorbullën e interesave, kundërshtive, ideve dhe dëshirave të figurave politike vendase të kohës, mendoj se shkëlqeu Ahmet Zogu i ri. Ai kishte formim ushtarak kryesisht në Stamboll e më pak ne Austri, por gjithsesi i pajisur me zgjuarsi natyrore për të kuptuar dhe zbërthyer lojërat e politikës së ditës në Shqipëri, qoftë edhe për të kuptuar se nga frynte era e interesave të Fuqive të Mëdha. Mbi të gjitha ishte një njeri i dalë nga kultura jonë popullore, që i jepte aftësi të interpretonte dëshirat më intime të njerëzve në atë kohë, aspiratat e politikanëve dhe grupeve të interesit shqiptar. Ai ishte një timonier i mirë në ato kushte të vështira e të turbullta të jetës së brendshme, në kushtet e mungesës totale të shtetit e, kur influencat e ndryshme pothuaj nuk lejonin një jetë normale politike.

Gjatë kryengritjeve të organizuara në fillimet e jetës demokratike, Zogu dëshmoi aftësi të mira komanduese, se ai gëzonte mbështetjen e njerëzve që kërkonin stabilitet, kërkesa më themelore e shumicës së popullit shqiptar në ato momente. Kjo solli që gradualisht Ahmet Zogu të rritet në detyra e përfaqësim politik deri ne kryeministër, president e Mbret. Mendoj se roli i tij në proceset e shtet-formimit është i pamohueshëm në çdo fushë. A mund të bënte më shumë? Sigurisht që po, por duhet marrë parasysh edhe se cila qe pikënisja e aktivitetit të tij dhe, në ato kushte, gjykoj se ishte një punë titanike për të ndërtuar institucione të respektueshme e funksionale në Shqipërinë e kohës.

Në fund, më lejoni të shtoj se dhe vetë interesi i SHBA-ës në këto vite të para të formimit të shtetit shqiptar, erdhi duke u zbehur shpejt. Fillimisht mendohej se Shqipëria ishte e pasur me naftë dhe kompanitë amerikane kishin shumë interes. Por pasi u kuptua se nafta jonë nuk ishte e cilësisë më të lartë, amerikanët ua lanë britanikëve vendin dhe evropianëve, duke u tërhequr edhe ne sensin gjeopolitik nga rajoni. Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën e kohës, duke mbështetur edhe qeveritë e Ahmet Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për nxjerrjen e hidrokarbureve. Por edhe anglezët u tërhoqën shpejt nga Shqipëria në emër të interesave të tyre më të larta mesdhetare e, të aleancës me Romën e Musolinit, duke e lënë Shqipërinë tërësisht në sferën e politikës italiane.

Me takimin e vitit 1926, midis Ministrit te Jashtëm Britanik, A. Chamberlein dhe Musolinit, u vendos që përfundimisht Shqipëria të mbetet në sferën e interesave perandorake italiane, preludi që më pas çoi në traktatet e tjera italo-shqiptare, deri në pushtimin e mëvonshëm të vendit nga fashizmi, pushtim që nuk u kundërshtua vërtet nga Londra, Uashingtoni apo të tjerët më 1939, nën dritën e interesave shumë më të mëdha gjeopolitike në prag Luftës së II-të Botërore. Vetëm me hyrjen e Italisë në luftë përkrah Boshtit, fuqitë perëndimore nisën të mbajnë qëndrimet e tyre kundër Romës. Vlen për t`u theksuar se vendet e vogla, siç ka qenë e mbetet Shqipëria, janë gjithnjë nën ndikimin e vendimeve politike të më të mëdhenjve, në të gjitha kohët.

– Të zhvendosemi më përpara në kohë, kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Ka një debat mes shqiptarëve sa i takon datës historike se kur u çlirua Shqipëria, më 28 apo 29 nëntor 1944. Cila datë duhet festuar si Dita e Çlirimit?

Siç e theksova më lart, unë nuk jam historiane, ndaj besoj se është detyrë e specialistëve të fushës dhënia e shpjegimeve të kësaj natyre për datat historike. Por me sa dimë, ushtarët e fundit gjermane u larguan nga qyteti i Shkodrës me datën 28 nëntor 1944, datë që përkon me ditën tonë kombëtare. Besoj se kjo rastësi është shumë e bukur në çdo rast, pasi është dita e flamurit tonë dhe mendoj se është pa dyshim dita më e rëndësishme e kalendarit tonë kombëtar.

Edhe nëse ka mbetur ndonjë ushtar “diku rrugës”, deri në datën 29, në mos gabohem historia zakonisht iu referohet datave apo qendrave të rëndësishme, qyteteve të mëdha. Por mbi të gjitha, data 28 nëntor është dita jonë e flamurit dhe kjo është arsye e fortë për ne si shqiptarë. Nga ana tjetër, data 29 nëntor ishte festë kombëtare e jugosllavëve, ndaj kjo datë respektohej nga diktatori shqiptar dhe partia e tij. Thënë këto, mendoj se janë specialistët e historisë, që duhet të japin argumentet e duhura historike. Memorie.al

VIDEO/ Vazhdon fundjava e mallkuar me penalltitë e futbollistëve shqiptarë! Asani bëhet i treti që humb gjuajtjen nga pika e bardhë

Kjo fundjavë duket se është e mallkuar për futbollistët shqiptarë sa u përket goditjeve të penalltive. Jasir Asani është bërë sot futbollisti i tretë shqiptar që brenda 24 orësh ka gabuar në gjuajtjen e tij të penalltisë gjatë një ndeshje në kampionat.

 

Të shtunën ishte fillimisht Mirlind Daku ai që gaboi në kampionatin rus, ndërsa më vonë, Kristian Shpendi përsëriti të njëjtën gjë në Serinë B italiane. Jasir Asani kishte mundësinë të thyente këtë mallkim sot, në ndeshjen e Guangju në transfertë ndaj Pohang.

Futbollisti fitoi vetë një penallti të akorduar me VAR dhe të kontestuar gjatë, ndërsa mori përsipër gjuajtjen nga pika e bardhë. Por ashtu si Daku e Shpendi, edhe gjuajtja e tij u neutralizua nga portieri, duke lënë rrjetën të paprekur në pjesën e parë të takimit e duke vazhduar mallkimin e penalltive të kësaj fundjave për lojtarët shqiptarë.

SHIH VIDEON

E rëndë/ Shembet muri rrethues i një banese dhe zë poshtë një të mitur, humb jetën 4-vjeçarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Suk 2 të Roskovecit, ku si pasojë e shembjes së një muri rrethues ka humbur jetën një vajzë e mitur.

 

Mësohet se muri i amortizuar u shemb duke zënë poshtë 4-vjeçaren, e cila edhe pse u transportua në spital nuk ka mundur të mbijetojë.

Raportohet se e mitura ishte duke luajtur, kur  muri u shemb. Ajo u dërgua pa shenja jete në qendrën shëndetësore të Roskovecit.

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 12:40, në fshatin Suk 2, Roskovec, dyshohet se është shembur një mur rrethues në pronësi të shtetasit L. T., dhe për pasojë ka zënë poshtë vajzën e tij të mitur rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.