Deputetët e Kosovës, do të mblidhen sërish sot në përpjekjen e 18-të për të konstituaur Kuvendin.
Vazhdimi i seancës pritet të nisë në orën 10:30. Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka dështuar edhe në tentativë e 17-të, që u mbajt të shtunën.
Kryesuesi, deputetët i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, u propozoi përfaqësuesve partiakë që mbledhjet t’i mbajnë më rrallë, së paku një herë në javë.
Por, propozimin e kundërshtuan përfaqësuesit e partive që deri tash kanë qenë në opozitë, sipas të cilëve me të Vetëvendosja tregon se nuk e ka prioritet konstituimin.
Në mungesë të zgjidhjes, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse partitë nuk arrijnë dakortësinë mes tyre.
Koha.net raporton se në këtë gjykatë ditë më parë e ka deponuar një kërkesë AAK-ja, por pavarësisht procedurës në gjykatë, seanca do të vazhdojë çdo 48 orë.
Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) vijojnë punën në terren për hetimin e krimeve të mundshme zgjedhore të ndodhura në Qarkun e Elbasanit.
Burime zyrtare konfirmojnë se hetimet janë përqendruar si në fazën parazgjedhore, ashtu edhe në ditën e votimit. SPAK dhe BKH po mbledhin prova, dëshmi dhe materiale që mund të dokumentojnë raste të tilla si blerje vote, kërcënime ndaj votuesve, shfrytëzim i paligjshëm i administratës publike nga ana e disa kryebashkiakëve për qëllime elektorale apo përfshirje të disa bizneseve të mëdha si edhe të grupeve të strukturuara kriminale në procesin zgjedhor.
Grupet hetimore janë duke analizuar pamjet filmike, komunikimet elektronike dhe të dhëna të tjera me qëllim zbardhjen e plotë të çdo rasti që mund të përbëjë shkelje të ligjit zgjedhor dhe atij penal.
SPAK ka theksuar se do të ndjekë penalisht çdo individ apo grup që ka tentuar të cënojë integritetin e votës dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik.
Gjatë mëngjesit të fundjavës që lamë pas SPAK dhe BKH zbarkuan në Elbasan, Peqin, Librazhd, dhe disa zona të tjera ishin në fokus të dokumentimit të krimeve të mundshme zgjedhore të ndodhura në këtë rajon, i cili ka qenë në monitorim të rreptë prej disa javësh nga të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit.
39,1% e shqiptarëve vuajnë nga rritja e presionit arterial ose hipertensioni, i cili është dhe shkaktar i sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru në 50% të rasteve.
Sipas ISHP shifrat kanë ardhur në rritje.
Maji njihet si muaji i ndërgjegjësimit për të matur presionin arterial pasi është parë që shumica e njerëzve me hipertension ose nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për faktin që kanë presion të lartë të gjakut, dhe si pasojë janë të patrajtuar, ose janë në trajtim që nuk kontrollon në mënyrë efektive gjendjen e tyre.
Ekspertët thonë se një individ me presion të lart gjaku nuk ka simptoma të dukshme, ndaj matja e PA është e vetmja mënyrë e saktë për të identifikuar hipertensionin.
Referuar të dhënave të ISHP, është parë që në vitin 2023, në Shqipëri 36.6% e personave me HTA/hipertension nuk ishin në dijeni për të dhe 34.7% e njerëzve që merrnin trajtim me medikamente nuk e kontrollonin në mënyrë efektive.
Nëse diagnostikohet mjaft herët, hipertensioni mund të menaxhohet nëpërmjet mbajtjes së një stili jete të shëndetshëm ose nëpërmjet përdorimit të medikamenteve për të kontrolluar hipertensionin në mënyrë efektive.
Në brigjet e arta të Lukovës, ku deti përplaset qetësisht në breg dhe pronat kanë vlerën e arit, një hotel luksoz u ndërtua mbi një pronë të kontestuar që u pasua me një zinxhir skandalesh që përfshijnë korrupsion, falsifikime dhe heshtje institucionale.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania “Building Construction” nisi punimet për hotelin luksoz pa leje ndërtimi ndërsa pronari i saj rezulton me një të shkuar të errët.
Në mars të 2020 në policinë lokale ka pasur disa denoncime por pavarësisht kallëzimit dhe referimit të çështjes nga policia, prokuroria e Vlorës vendosi mbylljen dosjes me argumentin se denoncimi nuk përmbante elementët e veprës penale.
Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë së Posaçme zbuluan se pas vendimit për pushimin e çështjes qëndronin tentativa për të ndikuar te prokurori i rastit me pagesa të paligjshme. Avokatë, prokurorë dhe ndërtues janë përfshirë në një rrjet ndikimi për të garantuar mbylljen e hetimit dhe vijimin e projektit, pavarësisht pretendimeve të qarta për shkelje të ligjit dhe të drejtave pronësore.
Ndërkohë, biznesmeni Mentor Mezini, përfitoi statusin e investitorit strategjik pa asnjë kontroll të figurës, duke ndërtuar në pronat e kontestuara.
Kur drejtësia vret ligjin
Credits: shteg.org – Prado Luxury Hotel
Në mars të vitit 2020, Ashimaq Kokaveshi denoncoi në Komisariatin e Policisë së Himarës fillimin e punime për ndërtimin e një hoteli në tokën e tij. Kokaveshi u tha punonjësve të policisë se kompania “Building Construction” sh.p.k. kishte filluar punën pa lejen përkatëse dhe në një pronë të “vjedhur” që ishte toka e tij.
Sipas kallëzimit të Kokaveshit, punimet kishin përfshirë rreth 200 m2 dhe katër ullinj shekullorë në zotërimin e familjes së tij, të cilët u zhdukën për të hapur vend për një resort me pesë kate, pishinë dhe ambiente rekreative.
Bashkë me të, të njëjtat fakte kallëzuan edhe Vasillaq Gjezo dhe Dhimitër Kokaveshi. Të tre burrat pretendonin se toka e tyre u ishte “rrëmbyer” për t’i hapur rrugë ndërtimin luksoz.
Ashimaqi i tha “shteg.org”, se edhe 1000 metra katrorë të tjerë, po në atë zonë, ishin rrëmbyer nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të pronësisë, dhe se çdo përpjekje e tij për të rifituar pronën kishte dështuar.
Kallëzimi i tre burrave që ngrinin pretendime mbi pronësinë e e tokës ku po ndërtohej hoteli i pagëzuar “Prado Luxury” u referua më 26.03.2020 nga Komisariati i Policisë Himarë në Prokurorinë e Vlorës.
Dokumentet tregojnë se çështja u regjistrua si procedimi penal me numër 669/2020.
Prokurorit të Vlorës i janë dashur vetëm 2 muaj për të vendosur mbi fatin e pronave të banorëve, të cilët thanë se kurrë nuk janë thirrur më për të dëshmuar mbi uzurpimin që iu bë pronës së tyre.
Por, pavarësisht provave të paraqitura, më 28.05.2020, prokurori Erjon Shaqiri vendosi mos-fillimin e procedimit penal, duke e justifikuar me “mungesën e elementëve të veprës penale”.
Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kanë hedhur dritë mbi prapaskenat e vendimit të çuditshëm të prokurorisë.
SPAK njoftoi të shtunën më 4 janar 2025 përfundimin e hetimeve paraprake ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për ushtrim ndikimi në katër çështje penale që lidhen me dosjen e “Toyota Auris”, një hetim pasuror të Suel Çelës, një person i akuzuar për krime të rënda penale.
Pjesë e hetimit, përvec ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, ishin dhe oficerja e policisë gjyqësore Eriona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe biznesmeni Astrit Vladi, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm në katër çështje penale.
Në mesin e këtyre dosjeve flitet edhe për ndërtim e paligjshëm në pronën e Ashimaq Kokaveshi, i cili në vitin 2020 kishte denoncuar kompaninë “Building Construction” për pushtim prone dhe ndërtim pa leje .
Prokurori Aurel Zarka, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, u përfshi në mbylljen e kësaj çështjeje në mënyrë të dyshimtë, ndërsa nga përgjimet e SKY ECC zbulohet se një shumë prej 2,000 deri në 3,000 euro u diskutua si “pagesë” për të garantuar vendimin e mos-fillimit.
Në komunikimet e përgjuara, shtetasit Radovan Çela (avokat), Astrit Vladi dhe Aurel Zarka shfaqen duke diskutuar mënyrat e ndërhyrjes dhe shumën që do të paguhej për të siguruar mbylljen e hetimit.
Avokati Radovan Çela luan një rol kyç. Ai jo vetëm propozon një pagesë prej 2,000 deri në 3,000 euro, por edhe sugjeron mënyrën sesi ajo duhej të shpërndahej për të arritur ndikimin tek prokurori i çështjes.
Çela garanton se falë lidhjeve të tij me funksionarë të sistemit të drejtësisë, çështja do të mbyllej pa pasoja ligjore.
Avokati Çela jo vetëm që garantoi zgjidhjen “pa pasoja”, por mori përsipër edhe organizimin dhe mbikëqyrjen e ndërhyrjes në drejtësi.
“Nuk di si e mbyllën por ne na thanë se çështja nuk shkoi në gjykatë. Unë jam 80-të vjeç dhe nuk i shkoja dot nga mbrapa dyerve të prokurorisë, dhe pas kësaj ai pronari i hotelit erdhi dhe na tha se do të rregullohej me ne” – i tha “shteg.org” Ashimaq Kokaveshi.
Banorët tregojnë se pas mbylljes së hetimeve të prokurorisë së Vlorës, kompania ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e pronës.
Ashimaq Kokaveshi, i zhgënjyer nga reagimi institucional, zgjodhi të mos ndiqte më rrugën gjyqësore, por dhe ai u fut në një marrëveshje të drejtpërdrejtë me investitorin Mentor Mezini. Ai nënshkroi dy kontrata për kompensimin e pronës së tij, për të cilën thotë se ishte uzurpuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
Kontratën e parë Kokaveshi ka nënshkruar me kompaninë “Building Construction”, për sipërfaqen prej 200 m2. Të dytën e ka nënshtruar pjesën tjetër të tokës prej 1000 m2, ku ai thotë se shtrihet hoteli luksoz.
“Me një çmim shumë të ulët kam nënshkruar dy kontrata, por deri më tani nuk kam marrë asnjë qindarkë. Ai pronari i hotelit vjen dhe na takon. Na kanë premtuar se do i kalojnë lekët, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur” – tha Kokaveshi për “shteg.org”.
E ndërsa 80 vjeçari ka pesë vite që pret të kompensohet për pronën e tij, buzë detit të Lukovës, në një nga segmentet më piktoreske dhe të lakmuara të rivierës shqiptare, “Prado Luxury Hotel” është kthyer në një destinacion për turistët e kamur vendas dhe të huaj.
I pozicionuar në një sipërfaqe të gjerë me pamje të hapur drejt Jonit, hoteli përbëhet nga një godinë 5-katëshe moderne, një pishinë panoramike, bar luksoz në hyrje, beach-bar buzë bregut dhe kënd lojërash të gjelbëruar për fëmijë.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se ky nuk është hoteli i vetëm që “Building Construction” dhe pronari i saj, Mentor Mezini ka në zonën e lakmuar të rivierës shqiptare.
Një vit, pasi mbylli çështjen me banorët e Lukovës, që sipas hetimeve nëpërmjet korruptimit të sistemit të drejtësisë, Mentor Mezini përfiton nga shteti statusin e “investitorit strategjik”, përmes projektit “Drymades Beach Resort”. Ky status i siguroi atij lehtësi administrative, përparësi në trajtimin e tokës dhe mbështetje nga struktura shtetërore.
Një “investitor strategjik” me të kaluar kriminale
Credits: Projekti i investimit – Resorti Drymades Beach
Mentor Mezini, deri në nëntor të vitin 2024 ishte një emër i njohur në Shqipëri për aktivitetet e tij në fushën e biznesit, kryesisht në sektorin e turizmit, ndërtimit dhe tregtisë. Ai ishte pronar i disa kompanive të cilat përfshinin “Star Butik Hotel”, një kompleks turistik në Himarë dhe Tiranë, “TBC Distribucion”, që merrej me import-eksport, “Xplorer” dhe “Entire”, të cilat operonin në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë, si dhe “Norman Petroleum”, një kompani që merrej me tregtinë e karburanteve.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme, dhe dosjet që rrodhën në media e identifikonin atë me nofkën “Tor Lushnjari”, me një të shkuar kriminale, po ashtu dhe në marrëdhënie financiare dhe sociale me individë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Emri i Mezinit përmendet në dosjen penale që SPAK po heton ndaj tre vëllezërit Merkaj nga Berati dhe lidhjet e tyre të dyshuara me rrjete kriminale, përfshirë edhe familjen Çopja nga Elbasani.
Por, pavarësisht këtij profili, në korrik të vitit 2024, kompania e tij “Bluebay” sh.p.k. përfitoi nga Komiteti i Investimeve Strategjike statusin “Investitor Strategjik” për ndërtimin e projektit luksoz “Drymades Beach Resort” në Gjilekë të Himarës.
Vendimi, që i garanton përfitime dhe privilegje të veçanta nga shteti, u mor pa asnjë verifikim të figurës së Mezinit, një kërkesë e detyrueshme ligjore, sipas Ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”.
Bazuar në Ligjin Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, ndër kriteret për përfitimin e statusit “investitor strategjik” një ndër pikat kryesore është që investitorët të mos kenë rekorde penale për vepra që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar apo pastrimin e parave.
Në mënyrë të pashpjegueshme, Komiteti i Investimeve nuk ka përfshirë asnjë verifikim të figurës penale të Mezinit në vendimin nr. 5, datë 11.07.2024. AIDA, që sipas ligjit ka detyrimin të bëjë kontrollin e integritetit të investitorit.
Pika 2 e Nenit 14, për procedurat e verifikimit të dokumentacionit, e detyron Agjencinë për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) të bëjë, verifikim të integritetit të aksionarëve dhe përfaqësuesve ligjorë.
Në dokumentacionin e vendimit nuk ka asnjë informacion për verifikimin penal të Mezinit, ndonëse ai ishte tashmë emër i ekspozuar në hetime publike.
Credits: Facebook i Zef Preçit – Zef Preçi
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, e sheh këtë rast si simptomë të një fenomeni më të gjerë dhe alarmues, siç është kapja e shtetit nga krimi i organizuar.
“Përfshirja e individëve me të shkuar kriminale në radhët e investitorëve strategjikë nuk është rastësi, por provë e bashkëjetesës së krimit me politikën”, thotë ai.
Sipas Preçit, skema të tilla shërbejnë për të legjitimuar burime të dyshimta financiare, për të siguruar privilegje fiskale dhe për të ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen politike.
“Kjo kategori sipërmarrësish luan një funksion kompleks: nga njëra anë sigurojnë privilegje fiskale dhe përfitime të tjera që ndihmojnë në legjitimimin e burimeve të tyre financiare – qofshin ato të njohura apo të panjohura – dhe vendosen në një pozitë më të favorshme në tregjet përkatëse (si ndërtimi apo operimi i resorteve); nga ana tjetër, ata shërbejnë si burim i financimeve të paligjshme për partitë politike në pushtet dhe pasurimit të padrejtë të disa politikanëve dhe vendimmarrësve të lartë” – sqaron eksperti i ekonomisë.
Dhe në fakt, ende pa u tharë bojë mbi vendimin për investimin strategjik, në prill 2024, Mezini vendosi të shesë 100% të kuotave të “Bluebay” për një shumë prej 12 milionë eurosh.
Blerësit janë tre kompani shqiptare, “Edil Project”, “Belhaus” sh.p.k. dhe “Hotel Colosseo” të lidhura me familjen e biznesmenit Pjerin Fushaj. Sipas kontratës, pagesa do të kryhet me tre këste, ndërsa ndërmarrja do të transferohet plotësisht te blerësit.
Resorti parashikohet të ndërtohet për një vlerë investimi prej 6.3 milionë eurosh, do të ketë 110 dhoma dhe pritet të punësojë rreth 165 persona. Por kontrasti mes kësaj shume dhe çmimit të shitjes prej 12 milionë eurosh.
Kjo është hera e parë që një projekt i shpallur “strategjik” ndërron pronar brenda pak muajve nga miratimi i statusit, dhe sipas ekspertëve këto manovra mund të kthehet në një instrument për pastrim parash, përfitim të privilegjeve shtetërore dhe për riciklim të kapitalit kriminal në ekonomi.
Agjencia e Investimeve Strategjik nuk iu përgjigj pyetjeve mbi gjetjet e “shteg.org”, po ashtu edhe Mezini refuzoi të komentonte akuzat në lidhje me të shkuarën e tij dhe bashkëpunimin me subjekte që janë nën hetimin e Prokurorisë së Posaçme si të dyshuar për veprimtari të organizuar kriminale.
Ndërsa për ekspertët rasti i “Drymades Beach Resort” është një shembull ku një projekt me emërim zyrtar “strategjik” mund të kthehet në një instrument për pastrim parash, përfitim të privilegjeve shtetërore dhe për riciklim të kapitalit kriminal në ekonomi.
“Vetë përzgjedhja e projekteve të propozuara nga këta sipërmarrës është tregues i qartë i moszbatimit të kuadrit ligjor në fuqi, i mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe i politizimit ekstrem të vendimmarrjeve që kanë pasoja shumë të dëmshme për buxhetin e shtetit, pasuritë publike dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.
“Kjo situatë krijon një sërë pasojash të menjëhershme dhe afatgjata, të cilat përfshijnë aspekte themelore të jetës ekonomike dhe shoqërore të vendit. Disa nga këto pasoja janë: mundësimi i pastrimit të parave në shkallë të gjerë, shpesh në dhjetëra miliona euro; deformimi i konkurrencës në tregje, çka sjell dështimin apo pamundësinë e zhvillimit për bizneset e ligjshme; vënia e institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të krimit të organizuar; dhe përdorimi i fondeve të paligjshme në fushata elektorale, që dëmton rëndë integritetin e procesit zgjedhor” – thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Nga lavdërimi deri te dekorimi dhe shpallja shenjtorë.
Ka shumë shembuj të një qasjeje të tillë të Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësuesve të saj ndaj kriminelëve të dënuar të luftës nga e kaluara e afërt dhe ajo më e largët.
“Kisha e sheh historinë përmes një prizmi etnofiletiste [nacionalist], në të cilën pala serbe paraqitet si viktimë e përhershme”, thotë historiani Vladimir Velkoviq.
Në këtë kontekst, shton ai, mund të interpretohet edhe revizionizmi i luftërave të viteve ’90, por edhe i Luftës së Dytë Botërore.
“Meqenëse luftërat e viteve ‘90 interpretohen si ‘konflikt i pashmangshëm’ ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, atëherë edhe në histori i kthehen lëvizjeve, figurave dhe konflikteve që i paraprinë atyre luftërave. Në të dyja rastet shmanget roli dhe përgjegjësia e figurave kishtare”, thekson Velkoviq.
Kisha Ortodokse Serbe nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me qëndrimin e saj ndaj kriminelëve të luftës nga Lufta e Dytë Botërore dhe luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve ‘90.
Deklarata e mitropolitit të Malit të Zi, Joanikije, i cili e përshkroi komandantin çetnik Pavlle Gjurishiq si “një hero të madh me karakter të pathyeshëm”, është vetëm një nga shumë që kanë shkaktuar reagime të ashpra në publik.
Forcat e Gjurishiqit ishin përgjegjëse për masakra ndaj civilëve myslimanë në veri të Malit të Zi, Sanxhak dhe Bosnjën lindore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u dekorua nga Hitleri me Kryqin e Hekurt për “virtyte ushtarake”.
“Kjo është ajo që quhet ‘anti-antifashizëm’, për të cilin ka shkruar sociologu Todor Kuliq – ku fashizmi nuk përbën problem për shkak të ideologjisë, por vetëm kur viktimat janë serbët”, thotë Branimir Gjuroviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Historiani Velkoviq përmend edhe raste të peshkopëve që janë shpallur shenjtorë, ndonëse kanë bashkëpunuar me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëri prej tyre është Irinej Qiriq, që u shpall shenjtor në vitin 2022 me bekimin e patriarkut Porfirije.
Kisha pretendon se ai shpëtoi 3.000 gra shtatzëna, fëmijë dhe nëna me foshnje nga kampi hungarez i internimit në Sharvar, duke i strehuar në 55 famulli të Vojvodinës. Por, sipas Velkoviqit, kjo fsheh faktin se Qiriq ishte bashkëpunëtor i regjimit hungarez të Miklos Horthyt, i cili e emëroi në vitin 1943 si anëtar të Dhomës së Sipërme të Parlamentit Hungarez – pozitë që e mbajti edhe pas luftës.
Velkoviq thekson se në Mal të Zi ka edhe shembuj më të rëndë. Një prej tyre është Millorad Vukojiçiq, anëtar i lëvizjes çetnike, i cili u dënua dhe u ekzekutua për krime lufte në Mal të Zi. Ai u shpall shenjtor në vitin 2005.
Po atë vit, shenjtor u shpall edhe prifti Sllobodan Shilak, i ekzekutuar më 1943 për krime të rënda ndaj popullatës në Plevle. Familjet e viktimave protestuan, por Kisha e mohoi se ata ishin kriminelë lufte.
“Lavdërimi i krimeve nga Lufta e Dytë Botërore dhe ato nga vitet ’90 është pjesë e një ideologjie që nuk është ndërprerë kurrë”, thotë Gjuroviq.
Historiani Velkoviq thekson se Kisha luajti një rol të rëndësishëm në përgatitjen ideologjike të luftërave që nga fundi i viteve ’80. Gjatë konflikteve, kisha u përfshi në propagandë nacionaliste dhe përfaqësuesit e saj mbështetën publikisht qëllimet ushtarake të regjimit të Sllobodan Milosheviqit.
Një nga shembujt më të komentuar është videoja ku një prift bekon formacionin paramilitar “Shkorpionët” para se të ekzekutonin gjashtë civilë nga Srebrenica në Tërnovo, në korrik 1995.
“Disa peshkopë u identifikuan plotësisht me anën serbe, duke e justifikuar atë, pa marrë parasysh çfarë ka bërë. Ka një video ku peshkopi Vasilije Kaçavenda shkon në Srebrenicë në korrik 1995”, kujton Velkoviq.
Kaçavenda kishte lidhje të ngushta me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin – të dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Hagë. Në një video nga gjyqi i Mlladiqit, shihet komandanti Millenko Zhivanoviq duke e informuar Kaçavendën për “operacionin e Srebrenicës”, ndërsa ky i fundit buzëqesh kur dëgjon se minarja e xhamisë është “rrafshuar”.
Kaçavenda e përshëndeti “gjeneralin trim dhe obiliqët serbë”, duke shtuar: “Po afrohet dita kur shteti serb do të rindërtohet pas betejës së Kosovës.”
Pozita e tij në Kishë nuk u vu kurrë në pikëpyetje. Ai dha dorëheqje në vitin 2013 për arsye shëndetësore, pikërisht kur ndaj tij dolën akuza për pedofili.
Akuza të ngjashme rëndonin edhe mbi peshkopin tjetër, Filaretin, i cili në vitet ’90 pozonte me armë automatike dhe me një kafkë, për të cilën pretendonte se ishte e një fëmije serb të vrarë nga ushtarët kroatë. Ai u largua në vitin 2015, por kisha nuk dha kurrë arsye për shkarkimin e tij.
Para se të largohej, Filareti dekoroi me “Engjëllin e Bardhë të Rendit të Parë” Vojisllav Sheshelin, i dënuar nga Gjykata e Hagës me 10 vjet burg për nxitje të përndjekjeve dhe dëbimit të kroatëve nga Hrtkovci në vitin 1992.
“Zoti ju dha forcën të pastroni njollën nga populli serb. Ne ju ndoqëm dhe ju përgëzojmë për luftën tuaj të guximshme dhe heroike”, i tha Filareti gjatë dorëzimit të dekoratës në vitin 2015.
Sheshel, ideolog i projektit të “Serbisë së Madhe” dhe organizator i njësive paramilitare, mori edhe një dekoratë tjetër nga mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije.
“Po jetojmë në kohë padrejtësish të mëdha që bien mbi popullin serb. Ju, zoti Sheshel, jeni një nga mbrojtësit e së drejtës hyjnore”, i tha Amfilohije në dorëzimin e dekoratës.
Amfilohije, i cili vdiq në vitin 2020, njihej për mbështetjen e hapur ndaj forcave serbe në Kroaci dhe Bosnje gjatë luftërave. Në janar të vitit 1992, ai hapi portat e manastirit të Cetinjës për komandantin famëkeq Zheljko Razhnatoviq – Arkanin dhe njësinë e tij të armatosur.
Sheshel mori dekoratën e tretë më 2022 nga peshkopi Irinej, përfaqësues i Dioqezës së Novogracanicës dhe Amerikës Qendrore dhe Perëndimore.
Po atë vit, u dekorua edhe gjenerali Vladimir Lazareviq, i dënuar në Hagë për krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai mori dekoratë për “kultivimin e dashurisë për njerëzit dhe vlerave ortodokse”, nga peshkopi Pahomije – i akuzuar për pedofili, i cili në vitin 2024 u gradua në mitropolit.
“Sot vijojnë praktikat e mohimit dhe revizionizmit, të cilat udhëhiqen nga institucionet shtetërore, por kanë rrënjët në rolin që pati kisha në luftërat e viteve ’90”, thotë Gjuroviq.
Si pushteti, ashtu edhe kisha e mohojnë gjenocidin ndaj më shumë se 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë dhe krimet e tjera të forcave serbe.
Para se të nisej për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2024, presidenti i Serbisë mori “bekimin” e patriarkut Porfirije për të kundërshtuar Rezolutën për Srebrenicën.
Edhe pas luftës në Kosovë, kisha mbështet politikën shtetërore të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Ish-patriarku Irinej pati thënë se “trashëgimia serbe duhet mbrojtur me të mirë apo me forcë”. Ndërsa patriarku aktual Porfirije deklaroi më 2024 se “Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të jetë pjesë e negociatave apo marrëveshjeve politike për Kosovën”.
Pozita e kishës është pjesë e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2023.
Në të njëjtin vit, kisha u përball me akuza se në objektet e saj në Kosovë ruheshin armë të kontrabanduara – akuza që i mohoi.
Pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në shtator 2023, një grup serbësh të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, u strehua në Manastirin e Banjskës.
Dioqeza e Rashkë–Prizrenit atëherë lëshoi një deklaratë duke shprehur shqetësim për “hyrjen e një grupi të armatosur dhe të maskuar me automjet të blinduar që theu portën e mbyllur të manastirit”.
Kisha refuzoi ofertën e institucioneve të Kosovës për të financuar riparimin e dëmeve në manastir.
Ernest Muçi është rikthyer si protagonist te Beshiktash. Këto të fundit barazuan 1 me 1 në transfertën e Alanjaspor dhe goli i barazimit u asistua pikërisht nga Muçi.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dha pasimin e duhur për Rafa Silvën në minutën e 71-të. Ky i fundit ndau festën me Muçin.
Solskjaer e preferoi me fillimin e pjesës së dytë Muçin. Sulmuesi shqiptar sapo është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe e pati rikthimin e tij në fushë.
Në kampionat ka luajtur 25 ndeshje gjatë këtij edicioni. Katër gola dhe tre asistime numëron për fanellën e Beshiktashit.
Shkaktarët e kolesterolit janë të shumtë e të ndryshëm.
Këtu përfshihet ushqyerja e keqe, mungesa e aktivitetit fizik por edhe stresi.
Kur kolesteroli është i lartë por niveli i triglicerideve është normal, atëherë stresi është përgjegjës për këtë situatë.
Kur niveli i triglicerideve dhe i kolesterolit janë të lartë, atëherë faji i takon sheqernave dhe tiroides.
Nëse kolesteroli është i lartë për shkak të stresit, medikamentet kundër kolesterolit nuk janë efikase dhe sekreti në këtë rast qëndron tek ushqyerja.
Sipas ekspertëve, niveli i shëndetshëm i kolesterolit është si më poshtë:
Kolesteroli i plotë duhet të jetë më pak se 200 mg/dl (miligramë për një decilitër gjaku)
Kolesteroli LDU duhet të jetë më pak se 100 mg/dl
Kolesteroli LDL duhet të jetë 40 mg/dl ose pak më i lartë.
Ekspertët, të cilëve i’u referohet AgroWeb.org thonë se kufizimi i sheqerit por edhe përfshirja e tre ushqimeve të caktuara në regjimin tuaj të përditshëm mund të ulë kolesterolin deri në 40%.
Një Gjysmë Mollë e Kuqe Në Ditë
Molla e kuqe ofron antioksidantët më të mirë. Ajo është gjithashtu e pasur me fibër, flavonoidë dhe ushqyes të tjerë.
Frutat në përgjithësi kanë një ndikim të fortë tek njerëzit që vuajnë nga niveli i lartë i triglicerideve dhe shkaktojnë dhjamosje të mëlçisë.
Për këtë shkak, ekspertët rekomandojnë që të konsumoni vetëm një gjysmë molle të kuqe në ditë kundër kolesterolit.
Treçerek Filxhani Me Copa Panxhari
Fibra tek panxhari është e domosdoshme për mbajtjen nën kontroll të kolesterolit dhe shëndetit të zemrës, pavarësisht nivelit të triglicerideve.
Panxhari përmban shumë fibër dhe ushqyes të rëndësishëm që ndihmojnë zemrën, mëlçinë dhe trurin.
1 Karrotë Mesatare
Karrotat janë të shkëlqyera për zemrën dhe për sistemin tretës.
Ato janë të pasura me fibër, beta karoten, antioksidantë, vitamina dhe minerale.
Karrota e përmasave mesatare përputhet më së miri me gjysmën e mollës dhe copat e panxharit duke ofruar kurën ideale me tre përbërës kundë kolesterolit të lartë./AgroWeb.org
Në një intervistë për gazetaren Denisa Pasholli në A2 CNN politikania Mirela Karabina ngriti shqetësimin për mënyrën se si u administrua procesi zgjedhor i 11 majit dhe rolin që mediat luajtën në këtë kontekst.
Sipas saj, mungesa e prezantimit të kandidatëve të Koalicionit Euroatlantik në mediat kombëtare i mohoi publikut mundësinë për t’u njohur me alternativat reale politike. Ajo theksoi se “mediat që përdorin frekuenca publike kanë një detyrim ligjor dhe moral për t’i shërbyer interesit publik”, ndërsa nuk mund të bëjnë marketing selektiv për kandidatët e pushtetit.
Karabina akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për tjetërsimin e votës përmes, siç shprehet ajo, “pushtetit, krimit, parasë dhe pazareve me PD-në”. Ajo e cilëson mandatin e katërt të Ramës si rezultat të një “pazari të turpshëm për Kodin Zgjedhor mes PS dhe PD”, duke e konsideruar këtë një tradhti ndaj demokratëve dhe një humbje të madhe për shqiptarët.
Në analizën e saj, vota e 11 majit është në kontrast të thellë me realitetin e Shqipërisë: boshatisja masive e vendit, korrupsioni galopant, aferat e inceneratorëve dhe skemat mafioze si ajo e famshmja “5D”.
“Shqipëria meriton më shumë”, përfundon Karabina, duke bërë thirrje për reflektim dhe një model të ri politik që i jep zë qytetarëve të vërtetë dhe aspiratave të tyre.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri socialist Edi Rama triumfoi përsëri, duke forcuar një pushtet të çimentuar tashmë në 3 mandatet e mëparshme. Makineria e tij elektorale duket më e fortë se kurrë, por kufijtë midis shtetit dhe partisë po bëhen gjithnjë e më të paqarta…
Pas 3 mandateve të njëpasnjëshme, Partia Socialiste konfirmoi dominimin e saj në zgjedhjet e së dielës së kaluar, duke marrë 52 për qind të votave. Një rezultat mbi 4 përqind më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2021, që përkthehet në 83 nga 140 vende në parlament, 9 më shumë se shumica aktuale.
Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, mori vetëm 34 për qind të votave, dhe vetëm 50 vende, 9 më pak se në legjislaturën e mëparshme. PD e pagoi rëndë mbështetjen e themeluesit të saj, një figurë sa përçarëse aq edhe me një imazh negativ, aktualisht nën hetim nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) me akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Rikthimi i tij në skenë, i parë si një përpjekje për mbijetesë personale dhe jo për ripërtëritjen e partisë, i thelloi grindjet e brendshme, duke fundosur më tej një opozitë që tashmë ishte në vështirësi. Në një garë të karakterizuar nga një sistem zgjedhor i hartuar enkas për të mbrojtur partitë e mëdha, ishin partitë e reja ato që u përballën me betejën më të vështirë.
Tre prej tyre arritën gjithsesi të kalojnë pragun duke hyrë në parlament, dhe shënuar një pikë kthese modeste por domethënëse, e cila e lë të hapur mundësinë e një opozite të re të besueshme dhe përfaqësuese. Ndër partitë e reja, spikat koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, që mori 3.9 për qind të votave kombëtare, duke fituar një vend.
Po një vend mori lëvizja e së majtë radikale “Bashkë”, e vetmja parti që përfaqëson klasën punëtore shqiptare. Ndërkohë sipërmarrësi dhe deputeti i qendrës së djathtë Agron Shehaj, dikur deputet i PD-së, arriti një rezultat të mirë me lëvizjen e tij Mundësia, me 3.1 për qind të votave dhe 2 vende në parlament.
Një risi e rëndësishme në këto zgjedhje, ishte votimi me postë i diasporës, një hap i rëndësishëm për afro 1.1 milion votues të regjistruar jashtë vendit, nga të cilët afërsisht 200.000 morën pjesë në proces. Ndonëse partitë e reja morën më shumë mbështetje, tendenca nuk ndryshoi shumë nga ato të votuesve në vend.
Ndërsa shfaqja e partive të reja politike përfaqëson një sinjal padyshim pozitiv, evolucioni i tyre në parti të strukturuara, po e ngushton më tej hapësirën e shoqërisë civile. Dhe kjo po sjell një boshllëk në pjesëmarrje dhe përfaqësim, që tani po mbushet vetëm pjesërisht nga disa lëvizje të tjera që vazhdojnë të sfidojnë modelet tradicionale.
Në këtë skenar, Partia Socialiste mban një pushtet pothuajse të pakontestueshëm, ndërsa shoqëria civile duket gjithnjë e më e dobët dhe në periferi të debatit publik. Pjesëmarrja e votuesve ishte 42 për qind, gati 4 për qind më pak se në vitin 2021 dhe duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Por duke pasur parasysh 3.7 milionë votues të regjistruar – nga të cilët gati gjysma, rreth 1.8 milionë, jetojnë jashtë vendit – pjesëmarrja aktuale midis banorëve që jetojnë në Shqipëri arrin ende në 80 për qind. Gjithsesi këto shifra pasqyrojnë një krizë më të thellë të përfshirjes politike, të nxitur nga disa faktorë strukturorë.
Midis këtyre, është vala e vazhdueshme e migrimit, që ka krijuar një boshllëk demografik në rritje. Sipas Eurostat, vetëm në vitin 2023, rreth 75 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian, një nga nivelet më të larta të emigrimit dekadën e fundit.
Krahas eksodit demografik, ka rënë vazhdimisht besimi tek sistemi politik dhe ai zgjedhor. Debati politik, është tradicionalisht dominuar nga disa figura të vjetra – më të spikaturat Rama dhe Berisha – të cilët kanë ndikuar në skenën politike shqiptare që nga rënia e regjimit.
Gjatë fushatës zgjedhore, të dy udhëheqësit monopolizuan mbi 80 për qind të kohës televizive dhe 60 për qind e mbulimit mediatik, duke lënë pak hapësirë për zëra të rinj. Kjo vazhdimësi, së bashku me një fushë loje të pa balancuar dhe hapësirë të reduktuar mediatike, e ka kufizuar rëndë dukshmërinë e forcave alternative politike, duke i lënë shumë votues në errësirë rreth propozimeve të tyre.
Në Shqipëri, pavarësia e medias vazhdon të minohet nga financimi i errët, pronësia e centralizuar dhe ndërhyrja editoriale, faktorë që kanë nxitur një autocensurë të përhapur dhe zbehjen e raportimit të pavarur. Me 83 vende në parlament, vetëm një votë e ndan Partinë Socialiste nga shumica e kualifikuar që do t’i lejonte asaj të rishkruante vetë Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe legjislacionin për reformën në drejtësi.
Pa asnjë kundërpeshë, ajo mund ta vështirësojë më tej konkurrencën politike dhe të dobësojë institucionet demokratike, duke pasur parasysh liritë civile, siç është liria e shprehjes dhe ajo e medias, shënjestra të preferuara prej kohësh të qeverisë Rama.
Në këtë kontekst, drejtësia konfirmohet si një nga frontet më delikate të konfliktit politik. Pas arrestimit për korrupsion të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj – një aleat i ngushtë i Kryeministrit – ishte vetë Rama ai që sulmoi gjyqësorin, duke akuzuar SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut e duke theksuar se s’do t’i toleronte më veprimet e saj.
Reforma në drejtësi, e zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, solli ndryshime rrënjësore në sistemin gjyqësor, duke parashikuar që çdo ndryshim do të kërkonte një shumicë të kualifikuar në Parlament, pikërisht për të siguruar konsensus të gjerë midis forcave politike.
Në zemër të kësaj reforme është SPAK, një strukturë e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila ka kryer hetime ndaj figurave kryesore nga i gjithë spektri politik. Megjithatë, me këtë shumicë të re, Partia Socialiste mund të ndihet e legjitimuar për të zvogëluar rolin e saj.
Përveç kontrollit mbi drejtësinë, Partia Socialiste kontrollon tashmë të gjitha institucionet shtetërore: ajo qeveris 53 nga 61 bashkitë e vendit, dhe menaxhon burimet publike dhe proceset e vendimmarrjes në të gjithë vendin. Një nivel hegjemonie i paparë që nga rënia e regjimit diktatorial.
Fitorja e qartë e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit, nuk mund të shpjegohet vetëm me një opozitë të fragmentuar dhe të pabesueshme. Ajo që e shënon vërtet këtë moment, është mobilizimi dhe disiplina e brendshme e PS-së, e paprecedentë në 30 vitet e fundit.
Një shembull emblematik i makinerisë zgjedhore socialiste, kishte dalë në pah që në vitin 2021, kur një bazë të dhënash u publikua në median shqiptare, e përpiluar nga anëtarë dhe aktivistë të PS-së. Ajo përmbante informacione për 910.000 votuesit në qarkun e Tiranës: jo vetëm të dhëna personale, por edhe detaje mbi vendin e punës, preferencat politike si dhe mbi origjinën e tyre familjare, nevojave dhe dobësive personale.
Rrjedhja e informacionit, nxori në pah shkallën e sistemit të kontrollit të partisë dhe sofistikimin e mjeteve të përdorura për të monitoruar dhe ndikuar elektoratin. Udhëheqja e PS nuk e mohoi, përkundrazi u mburr me efektivitetin e tij, duke e paraqitur atë si një simbol të forcës së saj organizative.
Ky sistem kontrolli, u dëshmua sërish tejet efikas, duke i dhënë Partisë Socialiste rezultatin e saj më të mirë zgjedhor në 20 vitet e fundit. Por çmimi që duhet paguar është larg të qenit i papërfillshëm: duke e konsoliduar kontrollin e tyre mbi aparatin shtetëror dhe duke i zbehur gjithnjë e më shumë kufijtë midis partisë, shtetit dhe administratës publike, socialistët e Edi Ramës po kontribuojnë në nxitjen e ndjenjës se zgjedhjet nuk janë më një instrument i vërtetë ndryshimi.
Nëse deri në vitin 2013 Shqipëria ishte të paktën në gjendje të ruante fasadën e jashtme të demokracisë, duke ruajtur një farë alternimi në pushtet, raundi i fundit i zgjedhjeve rrezikon t’u konfirmojë qytetarëve se kabina e votimit është bërë pak më shumë se një ritual i pakuptimtë, më i dobishëm për legjitimimin e qeverisë ekzistuese, se sa për rrëzimin e saj.
Dhe bashkë me të, rritet në mënyrë të pashmangshme zhgënjimi me të gjithë procesin demokratik. Gjatë fushatës zgjedhore, Pandeli Majko, një deputet veteran i Partisë Socialiste, e kapi me cinizëm frymën e kohës: “Pas zgjedhjeve, opozita e vërtetë e Shqipërisë do të jetë Bashkimi Evropian, jo PD-ja!”.
Një batutë që zbulon se si socialistët kanë qenë në gjendje ta përdorin si armë qasjen “stabilitokratike” të Brukselit, ku stabiliteti ka më shumë rëndësi se demokracia, dhe ku qeveritë e besueshme vlejnë më shumë se ato të kontestueshme.
Një histori e parë tashmë në Ballkanin Perëndimor, ku kryeministri Edi Rama – ashtu si kolegë të tjerë në rajon – ka mësuar tani të mishërojë rolin e një udhëheqësi të besueshëm në sytë e Evropës, madje edhe me koston e reduktimit të konkurrencës së brendshme në një lojë me pjesë të fiksuara.
Nën etiketën e “stabilitetit”, Rama ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme nga institucionet evropiane. Një mbështetje që nuk është dëmtuar as nga skandalet e shumta të korrupsionit në partinë e tij, apo nga alarmet e përsëritura të përfshira në raportet e progresit të Komsionit Evropian, që denoncojnë problemet me korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Diplomacia transaksionale, e ka forcuar më tej pozicionin e tij në skenën ndërkombëtare. Marrëveshja e fundit me Italinë mbi emigrantët – e promovuar si simbol i “vlerave të përbashkëta evropiane” dhe e bekuar nga Komisioni Evropian – është një shembull konkret. Duke ofruar mikpritje në qendrat e emigrantëve, Rama fitoi në këmbim legjitimitet politik, dukshmëri në sallonet evropiane dhe mbështetje financiare, si nga Roma ashtu edhe nga Brukseli.
Në këtë kontekst, ai arriti të krijonte një peizazh politik të ngurtë dypartiak gjatë fushatës zgjedhore, duke e paraqitur veten si opsioni i vetëm i besueshëm kundër një opozite tashmë të diskredituar. Kështu, ai ka lënë një hije çdo zë alternativ, duke i skalitur vetes rolin e një figure të pazëvendësueshme, si në sytë e votuesve shqiptarë, ashtu edhe në atë të udhëheqësve të Brukselit.
Rezultati është një kompromis i rrezikshëm: për sa kohë që Rama vazhdon të ofrojë atë që i nevojitet Brukselit – siç është ndihma në menaxhimin e krizës së migracionit – tendencat autoritare të qeverisë së tij do të lihen pas dore si “çështje të brendshme”.
Një dinamikë shumë e përshtatshme për Edi Ramën, e cila e mbron atë nga përgjegjësia dhe opozita reale në vend, por e rrezikshme për të ardhmen demokratike jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë rajonit./“Balcani Caucaso”
Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat e një operacioni të urdhëruar nga SPAK lidhur me krimet zgjedhore.
Policia bën të ditur se është kryer kontroll fizik dhe në banesat e 5 shtetasve të dyshuar, ku janë sekuestruar fatura, kupona nafte, lista zgjedhësish, DVR, pistoletë manovër dhe 5 telefona celularë.
Mësohet se celularët i janë sekuestruar edhe shtetasve Tak Rroshi, Tauland Hasa, Ogerd Sinella dhe Mirel Sinella. Të gjithë këta dyshohet se janë angazhuar në procesin e blerjes së votave në ndihmë të një prej kandidatëve që garonte në listën e hapur të koalicionit PD-AMSH, i afërm i Ervis Rroshit, ish-kryebashkiakut socialist të Kavajës.
Ervis Rroshi u angazhua në zgjedhjet e 11 majit për të ndihmuar kushëririn e tij Elton Rroshi, madje duke marrë pjesë edhe në takimet publike. Nuk dihet se çfarë provash mund të ketë siguruar SPAK lidhur me hetimet e nisura, por sipas raportimeve, ish-kryebashkiaku Rroshi ishte nën vëzhgim gjatë fushatës. Hetimet nga SPAK po drejtohen nga Prokurori Ervin Kondili, ndërsa ato pritet të shtrihen edhe te persona të tjerë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.
Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.
Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.
Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë”, njoftoi Policia.
Doriana Musai, urbaniste tha se festivali i arkitekturës se ishte një akt i mirëfilltë teatral dhe se fjalimi i Ramës ishte folklor dhe poezi.
Sipas...