Fillon braktisja e LSI. Revolta ka nisur në Tepelenë ku 50 anëtarë të LSI, kanë grisur teserat në mënyrë demonstrative në mes të fshatit Zhapokikë, duke mos qenë më pjesë e këtij subjekti politik. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së sotme, kur një grup të rinjsh janë vetorganizuar në mënyrë vullnetare për të ndërmarrë një akt të tillë, i cili sipas tyre, ndërmerret në kushtet kur kjo forcë politike, ka qëndruar indiferente karshi kërkesave të tyre të hershme për rehabilitimin e rrugës. LSI është shumicë në Këshillin Bashkiak të Memaliajt dhe disa herë banorët e këtij fshati, kanë paraqitur kërkesa të shumta për rregullimin e rrugës për në fshat, çka është kundërshtuar me shumicën e votave në këtë këshill, që dominohet nga LSI.
Njëri prej të rinjve Riza Kanushi, është shprehur për Jugunews.net se braktisja e LSI nga anëtarët e kësaj force politike në fshatin që ka afro 750 votues, është shoqëruar edhe me një apel që kandidatët e LSI për deputetë, mos të afrohen fare në këtë fshat, pasi siç u shprehën, nuk ka vend për parti që shohin interesat e një grushti njerëzish sesa ato të një komuniteti të tërë.
Abandonuesit e rinj të LSI, nuk kanë deklaruar se për kë subjekt politik do të votojnë më 25 qershor, por janë mjaftuar që votë për LSI në këtë fshat të madh, nuk ka.
Fillon braktisja e LSI-së, grisen teserat në Tepelenë
Prezantohet drejtori i ri i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandia në prani të drejtorëve të drejtorive dhe përgjegjësve të sektorëve prezantoi dje drejtuesin e ri të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Fadil Shahini.
Gjatë prezantimit zëvendëskryeministrja Mandia u shpreh se ky emërim është bërë në kuadër të marrëveshjes politike së 18 majit mes palëve politike, në kuadër të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë. Është detyrë e z. Shahini dhe punonjësve të institucionit të zbatojnë me korrektësi detyrimet sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01. 06. 2017,“Pjesëmarrjen e masave dhe monitorimi i veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, si dhe të të kuadrit ligjor në fuqi në lidhje me zgjedhjet.
Zëvendëskryeministrja i shprehu mbështetjen e saj drejtorit të ri të AZHRB si dhe inkurajoi të veprojnë në përputhje me VKM-së dhe të mos ndikohet nga presione të çdo lloji, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e punonjësve të atij institucioni.
Banorët e përmbytur në protestë: PS-ja po ndan lekë për fushatë
Banorët e NënShkodrës u hodhën në protestë dje para Prefekturës, duke akuzuar qeverinë se po i mashtron për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Qindra banorë e nisën protestën me bllokimin e pedonales përpara Prefekturës së Shkodrës, duke mos lejuar kalimin e automjeteve. Bllokimi i rrugës nga protestuesit ka sjellë përplasje mes tyre dhe të Policisë së Shtetit.
Banorët e NënShkodrës kërkojnë dëmshpërblimet e përmbytjeve për vitet 2010-2011, ku vërshimi i ujërave u shkatërroi shtëpitë, të mbjellat dhe gjënë e gjallë. Ato akuzojnë se premtimet e qeverisë nuk po mbahen dhe ditët e fundit për shkak të zgjedhjeve, po ndahen në mënyrë selektive nëpër fshatra, para nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
“Partia Socialiste po ndan lekë në mënyrë të njënashme për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Po ju jepen lekët vetëm atyre që janë me Partinë Socialiste, ndërsa ne të tjerëve na mashtruan”, u shpreh një nga banorët e protestës para Prefekturës së Shkodrës.
Protestat e tyre kanë qenë të vazhdueshme dhe banorët janë të vendosur të mos ndalen, deri në marrjen e qindarkës së fundit, pasi dëmet e shkaktuara asokohe ishin të mëdha dhe pasojat po i vuajnë edhe sot.
Gjendet i vdekur një i dënuar për vrasje
Një 50-vjeçar i dënuar më parë për vrasje është gjetur i vdekur në një hotel në kryeqytet. Ai është nga Fieri dhe është identifikuar si Ardian Laze ka qenë i dënuar për vrasje. Bëhet fjalë përr një vrasje e cila ka ndodhur në Lushnje, në vitin 2005, kur Laze së bashku me shtetasin Dritan Bilbili vranë shtetasin Arben Hoxha, njohur me nofken “Ben Komisari”.
Viktima e asaj kohe shkonte në lokalin e lojërave të fatit të marrë me qira nga Laze dhe nuk paguante paratë. Jo vetëm kaq, por kërcënonte personelin dhe ishte bërë shqetësim. Arben Hoxha, 41 vjeç, shkonte jo rrallë herë për të luajtur në lojërat e fatit, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Lokali “Xheal” ka qenë i marrë me qira nga Ardian Laze, 38 vjeç, ndërsa Dritan Bilbili njihej si administratori i tij.
Dy “menaxherëve” të lokalit të lojërave të fatit duket se jo rrallë herë i ishin ankuar punonjësit e tij se “Ben komisari” nuk pranonte të paguante lekët e lojërave që bënte. Përveçse nuk paguante paratë, i arrestuari ka dëshmuar se, herëpashere, viktima Hoxha ka kërcënuar shumë seriozisht personelin”. Në sherr e sipër ata e kanë vrarë. Bilbili u arrestua, kur ne ate kohe Laze u shpall ne kerkim.
300 kw e parë të energjisë elektrike të paguara nga buxheti për të varfrit
Një platformë e fuqishme për zhvillimin tërësor të bujqësisë parashikon programi i Partisë Demokratike. Subvencion 100 milionë euro në vit për fermerët, nxitje e eksportit të prodhimeve vendase, fund favorizimit klientelist të produkteve të importuara dhe nxitje të konkurrencës së ndershme në treg. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli me gjuhën e fermerëve në takimin elektoral që pati në Lushnjë. “Trau i doganës shqiptare do të mbyllet për prodhimet që konkurrojnë në mënyrë të pandershme djersën e fermerëve shqiptarë. Tarifa proporcionale doganore të barabarta me subvencionet që marrin ata fermerë për prodhimet e tyre do të garantojnë që kurrë më frutat, perimet dhe çdo prodhim tjetër bujqësor shqiptar të mos mbetet pa u shitur, të mos kalbet në tokë, por të sjellë mirëqenie dhe fitim për fermerët shqiptarë. Motoja ime është fare e thjeshtë: Fermerët e mi të parët, fermerët shqiptarë të parët dhe pastaj fermerët e huaj, pasi të kenë shlyer detyrimet proporcionale në doganat shqiptare, që do të kenë një detyrë, jo të majmin një grusht eksportuesish, por t’i japin shqiptarëve dhe fermerëve shqiptarë bujqësinë e zhvilluar dhe djersës së fermerëve shqiptarë në kandarin e tregut të mos u bëjë më kurrë konkurrencë të pandershme me fermerët e huaj. Nuk mjaftohen me eksportet, kanë ndaluar edhe eksportin e mallrave tona, ma treguan vjet në Xarrë, për mandarinat, për portokallet, ma thanë këtu në Lushnjë, në Divjakë, kanë shpikur lloj-lloj tarifash për kamionët që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga vendet e tjera. Ua bëjnë më të shtrenjtë transportin e prodhimeve bujqësore shqiptare, me tarifat që kanë vendosur për naftën, me tarifa që kanë vendosur për transportin, nuk ua vendos qeveria e vendeve të tjera, por qeveria shqiptare, duke rritur artificialisht koston e prodhimeve të fermerëve shqiptarë. Kjo do të marrë fund me Republikën e re. Të gjitha eksportet shqiptare, e në veçanti eksportin e prodhimeve bujqësore shqiptare. Kjo është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së fortë, premtimi i parë dhe platformës më kryesore të Republikës së re, ekonomia e fortë është e vetmja mënyrë për të pasur shtet të fortë”, tha Basha. Ai tha se me ardhjen në pushtet të PD-së do të marrë fund hedhja në kanal e produkteve bujqësore, për shkak të konkurrencës së padrejtë që bëhet me produktet e huaja. “Fermerët vuajnë braktisjen totale, janë të braktisurit e mëdhenj të Republikës së vjetër. Jo vetëm nuk morën subvencione, por konkurrohen dita-ditës me prodhime të importit të fermerëve evropianë që sjellin prodhimet këtu me çmime më të ulëta. Sot në Divjakë, fola me disa prej tyre se sa e shisni qepën. 180 lekë më thanë. Sa e keni koston? 240 lekë kosto, 180 lekë në treg. Djersa e fermerëve të Divjakës përfundon në kanal”. Basha akuzoi Edi Ramën si kryeministër të bankave dhe oligarkëve, duke iu referuar thirrjes së kreut të qeverisë që fermerët të marrin kredi për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Kryedemokrati premtoi 100 mln euro subvencione në vit. Edi Rama nuk solli asnjë lekë për bujqësinë, as për infrastrukturën, as për subvencionet. Tani u thotë fermerëve merrni kredi, pasi ka zhytur thellë e më thellë në gropën e zezë të ekonomisë rurale. Nuk ka qenë asnjë ditë kryeministri i fermerëve dhe tani na del ose si kryeministri i barsaletave, ose si kryeministri i bankave. U thotë fermerëve merrni kredi”. Në ditën e parë të tij si kryeministër, Basha tha se do të zhbëjë sistemin e dështuar të taksave dhe do të anulojë ato që i quajti koncesione korruptive. Basha tha se, fermerët nuk subvencionohen dhe malli i tyre nuk shitet. Basha u shpreh se, Rama jeton mes vizatimeve dhe qypave me baltë dhe kurrë nuk do t’ia dijë për qytetarët. “Përmes ndryshimeve kushtetuese, ju do të keni në dorë të zgjidhni dhe të shkarkoni deputetët tuaj. Do të marrë fund shfaqja e shëmtuar që ka pasur vetëm një qëllim, që t’ju mashtrojë. Rama jeton mes vizatimeve dhe qypave me baltë dhe kurrë nuk deshi t’ia dijë për ju. Ku janë 300 mijë vendet e punës? A është punësuar ndonjëri në këto 4 vite? Sot, ngriti dolli për mua në Vlorë. Nuk është koha për dolli se i ke zhytur peshkatarët në mjerim. Fermerët janë të braktisurit e mëdhenj të Republikës së vjetër. Rama u thotë sot fermerëve merrni kredi, duke dalë si kryeministri i bankave. Kryeministri i ri nuk do të jetë kryeministri i oligarkëve. Unë do të jem kryeministri i fermerëve shqiptarë. 100 milionë euro subvencione për fermerët”, tha Basha.
Investimet më të forta për fëmijët, revolucion në arsim
Lulzim Basha paraqet programin për ekonomi të fortë e të nesërme të sigurtë para qytetarëve të Patosit. Rritja e pensioneve do të nisë brenda vitit 2017. Në një takim me qytetarët e Patosit, lideri demokrat Lulzim Basha theksoi zotimin se do të jetë kryeministri i ekonomisë, punës dhe njerëzve të thjeshtë. Basha tha se Republika e re do të rishikojë buxhetin për të rritur pensionet brenda vitit 2017. “Vit për vit do të rriten pensionet dhe brenda katër viteve Republika e re do të mundësojë pensionin minimal prej 25 mijë lekësh të reja. Për të gjithë pensionistët shqiptarë. Ne do të kemi një paketë që do të përfshijë 300 kw e parë të energjisë elektrike të paguara nga buxheti dhe faturën e ujit për konsum familjar të paguar nga buxheti, plus ndihmën ekonomike, për të gjithë ata në nevojë ekonomike. E nesërmja e sigurtë do të nisë për investimin për fëmijët tanë. Anembanë vendit do të kemi një revolucion të vërtetë në arsim. Nuk do të ketë në asnjë fshat të Shqipërisë, në asnjë lagje të qyteteve tona, ndërtesë më madhështore se shkolla ku shkojnë fëmijët tuaj. Republika e re do të mundësojë drekën e paguar nga buxheti i shtetit, për çdo fëmijë shqiptar, nga kopshti deri në fund të maturës”. Basha vuri theksin tek taksa e sheshtë 9%, të cilën do e sjellë Republika e re, si taksa më e ulët në rajon. Ulja e TVSH-së nga 20% në 15% do të rrisë ekonominë familjare. Për 10 mijë të rinj, të cilët mbarojnë universitetin, tha Basha, Republika e re do i mundësojë stazh të paguar prej 200 mijë lekë të vjetra. “10 mijë të rinj e të reja do të kenë stazhin e paguar nga Republika e re, 200 mijë lekë të vjetra në muaj për 25 milionë euro që i merr Vilma Nushi me shokë dhe që unë do t’i anuloj që në ditën time të parë. Kjo do të ndihmojë në punësimin e rinisë, sepse 75% deri në 90% e të rinjve që ndjekin praktika të tilla, sigurojnë një vend pune”. Lideri demokrat Basha theksoi se, deputetët do të zgjidhen nga populli pa filtra partiakë dhe nëse nuk përfaqësojnë qytetarët siç duhet, do të jenë qytetarët që do i shkarkojnë pa përfunduar mandati i tyre. “Duhet që Republika e re të nisë nga puna dhe këtë do të bëjmë”, tha Basha.
Euro rritet në bursa, bie në Shqipëri

Euro ka shënuar një tjetër nivel të ulët rekord të 9 viteve të fundit gjatë ditës së djeshme. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej me 133.87 lekë gjatë ditës së djeshme, me një rënie prej 133.7 lekëve. Ky është niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2009.
Rënia e euros në tregun e brendshëm nuk shpjegohet me ecurinë e saj në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, euro këmbehej me rreth 1.12 lekë me dollarin, duke qenë afër nivelit më të lartë të gati një viti.
Dobësia e euros në tregun vendas, në momentin kur ajo është e fortë në bursa, ka tërhequr poshtë edhe dollarin, në mënyrë që të ruhen raportet ndërkombëtare të këmbimit (133.87/118.83=1.12). Dollari është këmbyer dje në tregun e brendshëm me 118.83 lekë, duke rënë me 0.22 lekë në raport me një ditë më parë.
Teksa lëvizjet e kursit nuk shpjegohen me tregun ndërkombëtar, ekspertët e tregut thonë se janë faktorët e brendshëm ato që po sjellin këtë forcim të lekut. Konkretisht oferta për valutë, sidomos euro mbetet shumë e lartë në vend. Burimet zyrtare të hyrjes së valutës në vend lidhen me aktivitetin e shtuar të kompanisë TAP, gjallërimin e eksporteve (megjithëse nafta dhe mineralet tregtohen në dollarë). Është e vërtetë që ka shtim të turistëve, por sërish nuk janë në pikun e tyre dhe efekti sezonal i turizmit përgjithësisht ndihet në korrik, ndërsa në gusht presion mbi euron ushtrojnë dhe prurjet e emigrantëve.
Ekspertët e tregut pohojnë se, burimet informale të hyrjes së valutës në vend janë shtuar nga kultivimi masiv i hashashit, që tashmë po përmendet në gjithë raportet ndërkombëtare. Raporti vjetor europian i Drogave të vitit 2017, publikuar së fundmi nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA), theksonte se, “Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”. Në kahun tjetër agjencitë valutore kanë konstatuar një rritje të shpenzimeve për fushatën në euro, ndryshe nga vitet e tjera kur ishin në monedhën vendase.
Një tjetër argument që japin ekspertët e tregut është dhe kërkesa e dobët në vend dhe mungesa e qarkullimit të parasë në ekonomi, e argumentuar kjo me kredinë e dobët të bankave, stepjen e investimeve private në pritje të zgjedhjeve dhe nivelin e ulët të shpenzimeve kapitale.
Ekspertët e tregut presin që euro të vijojë të qëndrojë e dobët në verë edhe për shkak të efekteve sezonale (turizmi dhe remitancat).
Pengmarrja në Lezhë e grave të PS dhe hipokrizia e Ramës me gratë
Armand MAHO
Edi Rama ishte ai që për të futur Arben Ndokën në Parlament, njeriun e akuzuar për trafik prostitucioni dhe i dënuar me shtatë vjet burg në Itali, lejoi shantazhin ndaj dy grave në listat e Lezhës në vitin 2013. Bëhet fjalë për Merjeme Delishin dhe Mirela Nelin, të cilat nuk u lejuan të marrin mandatin e deputetes pas dorëheqjes së Mimi Kodhelit, e cila mori Ministrinë e Mbrojtjes. I dyti në listë ishte Armando Prenga dhe ky i akuzuar për vepra penale të mëparshme dhe gjatë kohës që mbante mandatin e deputetit plagosi një qytetar në këtë qytet. Një listë bandash që do e kish zili çdo kapo mafie në ndonjë qytet siçilian. Sot Edi Rama del qytet më qytet dhe flet për listën e PD dhe mungesën e grave aty, ndërkohë që në listën e kësaj force politike më shumë se 40 për qind janë gra të nderuara. Mesa shihet Ramës s’i ka mbetur më asnjë alternativë tjetër nga mashtrimet e vitit 2013 dhe tashmë merret me listat e kundërshtarit, ndërkohë që në listat e tij janë të gjithë përgjegjësit për situatën në të cilën ndodhet vendi sot.
Tërheqjet
Por çfarë ndodhi? Merjeme Delishi ishte e pesta në listën e Lezhës. Në bazë të ligjit të përfaqësimit gjinor, Delishit i kaloi mandati, megjithëse i treti në radhë ishte Arben Ndoka i famshëm, i cili tashmë është angazhuar seriozisht për fitoren e Lindita Nikollës dhe mikut të tij të armëve Pjerin Ndreut. Më datë 20 dhjetor në vitit 2013, Delishi në seancën e fundit të legjislaturës për vitin 2013 do të bënte betimin si deputete. Madje në një intervistë në media shprehej e kënaqur se do të përfaqësonte qytetin e Lezhës e të tjera si këto. Por çudia ndodhi me hapjen e legjislaturës së Kuvendit të ri, atij të vitit 2014. Në media njoftohet se Delishi dha dorëheqjen nga ky post për shkak të arsyeve shëndetësore. Sipas justifikimit të saj, ajo nuk mund të përballonte seancat e Kuvendit dhe punimet e komisionit për shkak se kryente dializën në spital. Në fakt, Delishi nuk shkeli në asnjë seancë parlamentare dhe në asnjë mbledhje komisioni. Katër ditë më vonë, KQZ në mbledhjen e saj të radhës do ia kalonte mandatin e Kodhelit numrit tetë të listës së PS-së së Lezhës, Mirela Neli. Por kjo e fundit menjëherë dorëzoi në KQZ një letër ku refuzonte të merrte mandatin. Madje për këtë çështje as nuk pranoi të prononcohej në media. Kjo ishte dhe femra e fundit në listën e Lezhës. Gazeta “Panorama” e datës 20 janar shkruante: “Ish-kryetarja e Gjykatës së Qarkut të Lezhës, Merjeme Delishi, theksoi disa ditë më parë për ‘Panorama’ se arsyeja e dorëheqjes vjen vetëm për arsye shëndetësore dhe se nuk ka pasur asnjë presion për të lënë mandatin e deputetes. Ndërkohë, me ‘deputeten në tentativë’ Mirela Neli, ka qenë i pamundur kontakti. ‘Panorama’ tentoi disa herë për t’u lidhur në telefon, por ka qenë e pamundur”.
Akuzat
Por çfarë kishte ndodhur? Në seancën e datës 23 janar deputetja e PD-së, Jozefina Topalli do të hidhte akuza të rënda në lidhje me këtë çështje. E para që do e ngrinte si problem ishte ish-deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila u kërkoi grave në Parlament të protestonin ndaj kësaj maskarade që po u bëhej dy zonjave, ndërkohë që zonja Topalli do të shkonte dhe më tej. “Ajo që po ndodh sot është e rëndë. Kodi i heshtjes është kodi i mafies. Nuk janë të sëmura, por u kanë kërcënuar fëmijët. Nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit”. Rama i pranishëm në sallë e dëgjonte këtë dhe heshtte ose qeshte. Për të bërë avokatin e Ndokës nxori një tjetë gura, Mimi Kodhelin e cila do të shprehej se Delishaj dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, por s’diti të shpjegojë heshtjen dhe dorëheqjen e Mirela Nelit. Pas kësaj, Arben Ndoka do të shkonte i qetë të bënte betimin si deputet i Shqipërisë, mandatin e të cilit do e dorëzonte dy vjet më vonë, pas akuzave që dolën për përfshirjen e tij në rrjetet e prostitucionit në Itali.
Ndoka në Parlament, i duhej Ramës për shantazh dhe trafikun e drogës
Po për çfarë i duhej Arben Ndoka Ramës në Kuvend sa të lejonte të shantazhoheshin dy zonja të spikatura në profesionet e tyre? Në fakt Ndoka nuk do të mbahet mend ndonjëherë të ketë folur për hallet e lezhjanëve, sepse në fakt ai nuk ishte aty për atë punë. Nard Ndoka mbahet mend për goditjen që i bëri deputetit të PD-së, Gent Strazimiri me urdhër të Edi Ramës, madje këtij veprimi iu bashkua dhe Pjerin Ndreu, që me këtë akt siguroi një vend në listat e Qarkut të Lezhës. Gjëja tjetër që mbahet mend Ndoka është e kaluara e tij si trafikant, sa kjo gjë u ngrit si shqetësim dhe nga ambasadori amerikan në Tiranë. E treta është përfshirja e emrit të tij në trafikun e hashashit me magazinat në Rrëshen. Këto janë bëmat dhe vlerat që Ndoka shpalosi në Parlament dhe mesa duket për këto i duhej Edi Ramës aty. Atij nuk i duhej as ish-gjyqtarja Delishaj dhe as ekonomistja Neli, sepse për kontributin e tyre nuk kish nevojë. Atij i duhej Ndoka që të shantazhonte dhe të mblidhte ku ishin dhe ku nuk ishin horrat e Lezhës, për të siguruar rrugët dhe parcelat e hashashit, për t’i bërë shantazh opozitës dhe për të blerë votat në fushatë. Sepse rilindja e Edi Ramës kështu u ndërtua dhe mesa duket në rast se nuk ndëshkohet me votë më 25 qershor nuk do të ndryshojë.
Marrëdhëniet e vështira të Ramës me femrat, jo vetëm në Parlament
Por dhe vetë Rama nuk i ka mirë punët me gratë dhe jo vetëm me ato të opozitës. Për shembull janë ende të freskëta pamjet kur i hakërrehej ministres Kumbaro në Kuvend, e cila largohej për tek vendi i saj duke qarë. Madje dhe me deputeten e Shkodrës, Mimoza Hafizi ka pasur përplasje. Ndërkohë për sa i përket atyre të opozitës incidentet ku Kryeministri kërkon të shfaqë trimërinë e tij janë pa fund. Pre e fjalorit të tij banal kanë rënë thuajse të gjitha gratë e grupit parlamentar të opozitës. Mimoza Hajdarmataj, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Jozefina Topalli, Albina Dedja etj. Rama, i cili shprehet për respekt ndaj grave duket se s’ka një komunikim për t’u pasur zili me to dhe në jetën private. Ndoshta nuk është e rastit t’i kujtojmë numrin e grave që e kanë braktisur për shkak të sjelljes së tij arrogante me to.
Një histori e çuditshme me listën e Lezhës, që vetëm Ramës mund t’i ndodhë
Historia e Ramës me listën e Lezhës është nga më të çuditshmet dhe të pazakontat që mund t’i ndodhë ndonjë Parlamenti në botë. Në vitin 2013 kjo forcë politike mori 28 mijë vota në rang qarku dhe megjithëse lista e dorëzuar kishte jo pak, por 7 kandidatë të PS-së, sërish ajo mbeti pa asnjë. Tri femra dhe tre meshkuj dhanë dorëheqjen. E para Mimi Kodheli për një veprim qesharak të Ramës ku detyroi ministrat të hiqnin dorë nga mandati kur merrnin detyrën. Mimi Kodheli është ministre e Mbrojtjes. E dyta, Merjeme Delishaj dhe e treta, Mirela Neli për shkak të presioneve nuk pranuan të merrnin mandatin që i kaloi Arben Ndoka. I katërti për nga radha, por në listë i dyti Armando Prenga u detyrua të linte mandatin për shkak të dekriminalizimit dhe dënimit të tij. I treti, në listë Arben Ndoka gjithashtu la mandatin për t’i shpëtuar hetimit të dekriminalizimit. Kastriot Piroli, i cili ishte i gjashti në listë dhe ishte dënuar për shpërdorim detyre kur ishte në krye të hipotekave të Kurbinit. Mandati i kaloi më pas Eduard Ndocajt që kandidonte brenda listës së PS, por tashmë është kryetar i Partisë Bashkimi Demokristian. Mandatin tjetër që mbetej, pas mbarimit të listës së kandidatëve e mori LSI si partia e dytë më e madhe e koalicionit. Aktualisht me Parlamentin e vitit 2013, Lezha nuk ka asnjë mandat përfaqësimi nga Partia Socialiste, megjithëse kanë votuar 28 mijë persona për këtë sigël.
Thirrja e Berishës për Partinë Siçiliste: Përgatituni për grevë urie në vjeshtë
Deklarata e kryeministrit Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, se do të largohet nga drejtimi i partisë vetëm në rast se partia e tij nuk del e para në garën elektorale, tregon se ai po e ndjen humbjen në zgjedhjet e 25 qershorit, pasi më herët pati deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse PS nuk fiton zgjedhjet.
Ish-kryeminsitri Sali Berisha, ju ka bërë thirrje socialistëve që të mos habiten nëse javën që vjen Rama të ndryshojë sërish deklaratë duke thënë se do të largohet nga drejtimi i PS-së vetëm në rast se partia e tij do të dalë forcë e tretë.
“Edi Rama përgatitet për kapitullimin final.
Rama më parë ishte zotuar se
– po të humbiste zgjedhjet do të jepte dorëheqjen
– Rama parmbrëmë tek Balla hoqi dorë nga zotimi i mëparshëm dhe deklaroi se
po të dalë PS parti e dytë, do të japë dorëheqjen.
Me këtë, Rama pranoi haptas se nuk sheh fitore në horizont!
Javën e ardhshme ndiqeni pasi Rama do të deklarojë se vetëm po të dalë parti e tretë do të japë dorëheqjen. Prandaj o siçilistë, përgatituni për një grevë të re urie vjeshtën që vjen!”, shkruan ish-kryeministri Berisha në Facebook.
Rama gjen alibinë e dështimit: LSI na mori peng qeverinë
Kryeministri Edi Rama tashmë flet hapur se koalicioni me LSI-në është krijuar në kushte presioni dhe se ka qenë përballë shumë kushteve për të marrë drejtori e ministri.
Nga Vlora, Rama tha se ka ardhur koha që PS të qeverisë e vetme nëse fiton zgjedhjet e 25 qershorit, pasi e vetme pa koalicione administrata shtetërore të jetë e tillë dhe jo e ndarë mes pushtetesh partiake.
“Kjo nuk mund të ndodhë më, t’ju japim mundësinë njerëzve siç e meritojnë. Këtu edhe një ish-polic bëhet drejtor muzeu. Na duhet të krijojmë makinerinë e shtetit e jo të partive. Kjo është histori pengmarrje, ose ta pranoj koalicionin ose kap tepsi më të madhe te partia tjetër. Ky është ankand, ça lidhje ka kjo me demokracinë, shtetin. Dalin thonë përralla në televizion dhe dhëmbët në tepsi kur fiken kamerat. Na ndihmoni të mos mbyllim gojën kur shohim padrejtësira dhe të mos bëjmë dot gjë. Demokracia nuk është anarki dhe pazar. Nëse demokracia funksionon është që shteti të funksionojë siç duhet”, tha Rama.
KE: Shqipëria asnjë strategji për bujqësinë, industrinë dhe turizmin
Shqipëria ka shumë vite që raporton një program vjetor reformash në Komisionin Europian, por ekspertët e KE ende nuk janë qartësuar se si Shqipëria ka ndërmend të zhvillojë ekonominë reale dhe sektorët kryesorë të saj, bujqësinë, industrinë dhe shërbimet. KE vë në dukje se, toka bujqësore në Shqipëri është e copëzuar në ferma të vogla dhe nivelet e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve janë shumë të ulëta. Mungon regjistri gjithpërfshirës i tokës dhe sektori vuan nga niveli shumë i ulët i investimeve një domosdoshmëri për zhvillimin e tij. Autoritetet shqiptare në raport i kanë njohur këto sfida, por shihet se mungojnë vlerësimet edhe në rrafshin teorik për problematika të tilla si çështjet fitosanitare dhe veterinare. Duke pasur parasysh kontributin e rëndësishëm në ekonomi të bujqësisë, në PBB dhe në punësim, konsolidimi i tokës dhe defragmentimi i fermave bujqësore mbetet një prioritet i madh, i cili lejon zhvillimin e sektorit rekomandon Komisioni Europian. Më tej, Komisioni vuri në dukje se në të njëjtën kohë, përpjekjet duhet të bëhen për të sqaruar të drejtat pronësore dhe për të zhvilluar një kadastër të plotë të tokës. Në përgjithësi, sektori industrial është i dobët dhe eksportet janë të përqendruara në disa grupe produktesh me vlerë të shtuar të ulët kryesisht në përpunim. Megjithatë, Komisioni Europian vë në dukje se analiza e qeverisë shqiptare për zhvillimin e industrisë fokusohet vetëm në përpunimin e materialeve që tani nuk përpunohen në vend. Veprimet përgatitore të qeverisë shqiptare në sektorin e industrisë janë vetëm disa studime fizibiliteti, pa një objektiv të qartë se si do të zhvillohet konkurrenca. Gjithashtu studimet për zhvillimet e sektorit të industrisë nuk vlerësojnë rreziqet dhe pasiguritë që vijnë nga ambienti ekonomik i brendshëm dhe huaj, vlerëson KE. Sektori i shërbimeve kontribuon me 70% të vlerës së shtuar bruto dhe ka potencial zhvillimi të mëtejshëm. Sektori i turizmit në veçanti ka potencial të rëndësishëm zhvillimi, por pengohet nga numri i sfidave të lidhura me mungesën e aftësive profesionale, qasja e ulët në shërbimet e turizmit dhe mungesa e një oferte të qëndrueshme të turizmit kulturor dhe natyror, vëren Komisioni Europian. KE vë në dukje se Shqipëria ka theksuar sfidat në sektorin e turizmit, por kultura e ulët e shërbimit, pronësia e paqartë e tokës po e pengojnë zhvillimin e sektorit. Komisioni këshillon se Shqipëria duhet të marrë masa për të mbajtur popullaritetin në rritje të vazhdueshme si një destinacion turistik. Reformat që qeveria shqiptare ka marrë në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk janë të mjaftueshme për Komisionin Europian për të përmirësuar klimën e biznesit. Qartësia e pamjaftueshme e pronësisë së tokës, zbatimi i dobët i kontratave, qasja e dobët në financa dhe ekonomia e madhe informale janë dobësitë kryesore të mjedisit të biznesit, sipas KE. BE bën thirrje se duhet një riorganizim i konsiderueshëm i rregullave të biznesit, duke përfshirë vlerësime më të mira të ndikimit të ligjeve dhe konsultime më të mira me aktorëve.