29.5 C
Tirana
E diel, 27 Korrik, 2025

Ndikimi rus dhe planet e BE për Ballkanin

Në gazetën “TAZ” të Gjermanisë koalicioni midis tre ish-komandatëve të UÇK-së shihet me shumë skepticizëm. Kjo sepse dyshohet që fuksionarët e lartë të këtyre partive janë të përfshirë në krime lufte. “Ende askush nuk e di se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale. Vetëm se një fitore në zgjedhje mund t’u jepte atyre mbështetje”, thuhet në gazetën gjermane. LDK dhe koalicioni me partitë liberale, sipas gazetës, nuk shihet si alternativë nga populli i Kosovës. Kurse Albin Kurtin, autori i artikullit e sheh si një kundërshtar të fortë dhe si një alternativë të koalicionit të tri partive të mëdha. “Si alternativë e vërtetë shihet partia Vetëvendosja e Albin Kurtit”. Në fund “TAZ” paralajmëron se nëse Vetëvendosja fiton, kjo do të ishte një goditje për institucionet ndërkombëtare në Kosovë.

Procesi i Berlinit

Agjencia gjermane e lajmeve, “DPA” diskuton nën titullin “Plani Marshall” shkrimet e gazetës serbe “Novosti” për planet e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. “Nga një fond i caktuar do të mundësohet hapja e kompanive të reja dhe do të financohen projekte të mëdha infrastrukturore, si autostrada Serbi-Kosovë-Shqipëri”, shkruhet në “Novosti”.
“Gjermania ka dhënë shtysën e parë për procesin e Berlinit, në bazë të të cilit janë mbajtur disa takime me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor…  Takimi i radhës do të jetë në korrik në Trieste të Italisë”, shkruan “DPA”. Më tej, numërohen objektivat e këtij procesi. Ato janë bashkëpunimi ekonomik, nga i cili pritet të krijohen vende pune dhe të ndalohet rryma e largimit të të rinjve nga këto vende, si dhe zgjidhja e konflikteve etnike.

Mali i Zi në NATO

Në një nga gazetat më të njohura gjermane “Süddeutsche Zeitung”, flitet për zhvillimet e fundit politike në Ballkan, pasi Mali i Zi ra dakord të anëtarësohet në NATO. “Për integrimin e Malit të Zi në NATO u votua në katër qershor”, shkruan “SZ”. Në të përditshmen zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” dhe gazetën konservative të Gjermanisë “Frankfurter Allgemeine” diskutohen problemet ekonomike që i kanosen Malit të Zi nga Rusia pas anëtarësimit të tij në NATO. Në gazetën zvicerane përmendet bashkëpunimi ekonomik midis Rusisë dhe Malit të Zi. “Vitin e kaluar Rusia ka qenë investuesi më i madh në Malin e Zi”. Kurse në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” theksohet akuza e prokurorit të Përgjithshëm të Malit të Zi se, “dy agjentë rusë kanë përgatitur grusht shteti më 16 tetor të vitit të kaluar, gjatë zgjedhjeve parlamentare”.

Maqedonia kundër Rusisë, drejt NATO-s dhe BE-së

Maqedonia është një nga shtetet ku ka pasur fakte konkrete për ndërhyrjen e Rusisë për të penguar integrimin e vendit në NATO dhe në BE. “Sipas dokumenteve të publikuara në rrjetin investigativ ‘Krik’ mund të vërehet fushata dezinformuese si strategji e Rusisë. Ajo koordinohet me ndihmën e Beogradit dhe në Shkup nga përfaqësuesit e shërbimeve sekrete të Serbisë BIA”. Por sipas të përditshmes gjermane, kryeministri i ri Zoran Zaev, i cili ka orientim të qartë drejt Perëndimit, shpreson si shumë qytetarë të Maqedonisë, që Maqedonia të anëtarësohet sa më parë në Aleancën euroatlantike dhe që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje me Greqinë për emrin.

Tabaku: Ekonomi e fortë, e ardhme e sigurt!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se taksimi progresiv i qeverisë Rama i ka rritur taksat në 1.5 mld USD në fund të katër viteve, ndërsa theksoi se programi ekonomik i Partisë Demokratike propozon vendosjen e taksës së sheshtë 9%, vendosjen e taksës 9% edhe për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat e tjera, 0 taksim mbi dividentin dhe uljen e TVSH-së në 15%. “Taksimi progresiv i qeverisë rilindase i ka rritur taksat në 1.5 mld USD në fund të katër viteve; çdo fëmijë sapo lind, të rinjtë, pensionistët dhe çdo shqiptar paguan 500 USD më shumë taksa. Bizneset paguajë 50% më shumë taksa, korporatat paguajnë 50% më shumë tatim mbi dividentin, 50% më shumë taksa mbi të ardhurat e tjera dhe mbi fitimin. Qytetarët paguajnë nga xhepi i tyre gjithë pjesën tjetër të barrës së taksave dhe tarifave të ngritura duke u rënduar në konsum dhe duke pasur më pak të ardhura. Partia Demokratike, propozon vendosjen e taksës së sheshtë 9%, vendosjen e taksës 9% edhe për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat e tjera. Në qeverisjen e PD ne zotohemi; 0 taksim mbi dividentin dhe uljen e TVSH-së në 15%. Ne premtojmë se do të ulim taksën e qarkullimit me 24 lekë/litër duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimit të naftës në tregun vendas. Për t’i dhuruar shqiptarëve 430 mln euro më shumë në xhepat e tyre dhe që sot ua zhvat shteti! Ne besojmë tek ekonomia e fortë, ne besojmë se liria juaj krijon një të ardhme të sigurt!”, shprehet Tabaku.

Dështimi i Financave me investimet publike

Investimet kapitale kanë qenë padyshim pika më e dobët e qeverisjes, ku përveç uljes së fondeve si rrjedhojë e politikave shtrënguese fiskale, realizimi i planit ka hasur dobësi të theksuara pa vënë në diskutim eficencën e investimeve.
Edhe ky vit ka vijuar në të njëjtat shina edhe pse në sfond janë zgjedhjet e përgjithshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave plani i investimeve kapitale për 4-mujorin rezultoi 8 për qind më i ulët se programi. Muaji prill shfaqi shumë dobësi me një mosrealizim nga plani me 22%.
Investimet janë mjeti kryesor i qeverisë për të stimuluar rritjen ekonomike. Përvoja ka treguar se investimet në rrugë ndikojnë drejtpërsëdrejti rritjen ekonomike. Sidomos në vitet zgjedhore për shkak të ndjeshmërisë që kanë rrugët tek votuesit, investimet në këtë sektor kanë kapërcyer gjithmonë parashikimet, por këtë vit jo vetëm që tejkalim nuk ka po nuk po shpenzohen as fondet në dispozicion.
Sipas të dhënave zyrtare shpenzimet për investimet kapitale arritën 14.4 miliardë lekë nga 15.7 miliardë lekë që ishin planifikuar me një mosrealizim prej 8%. Investimet anemike u shndërruan në një fenomen të viteve të fundit ku sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit vitin e kaluar janë ndërtuar vetëm 29 kilometra rrugë.
Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave në tremujorin e parë janë financuar rreth 10 miliardë lekë të shpërndara në afërsisht 400 zëra dhe projekte, ku dominon përgjithësisht financimi me vlera të vogla.
Projekti më i financuar këtë vit është një zë shpronësimesh, prej 1,3 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë euro që është përdorur si kompensim për ndërtimin e infrastrukturës energjetike. I dyti në radhë për sa i përket financimit vjen projekti i rrugës, Qukës–Qafë Plloqë që ka marrë nga buxheti i shtetit për tre muajt e parë një financim prej 941 milionë lekësh ose 6.8 milionë euro.

Shkarkime dhe ndjekje penale 7 zyrtarëve në dogana dhe arsim

Penalizimet për zyrtarët dhe punonjësit e administratës që përfshihen në fushatë elektorale gjatë orarit zyrtar të punës sa vijnë dhe rriten. Listës së të shkarkuarve dhe të dërguar për ndjekje penale i janë shtuar dje edhe 7 zyrtarë të tjerë. Ata janë zyrtarë të doganave dhe zyrave arsimore në vend. Ministrja e Financave, Helga Vukaj ka kërkuar nga Prokuroria hetim për dy punonjës të doganës së Tiranës dhe asaj të Kakavijës. Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Financave thuhet se, Adriatik Hamza, punonjës i degës doganore Tiranë, si dhe Misto Kano, punonjës i doganës Kakavijë janë përfshirë në fushatë elektorale. Ministria e Financave ka publikuar edhe dy foto ku shfaqen se si punonjësit e doganës mbajnë flamuj të PS. Ministria e Financave ka informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejnë veprimet e nevojshme për hetimin, respektivisht të z. Adriatik Hamza, punonjës i degës doganore Tiranë, si dhe të z. Misto Kano, punonjës i Doganës Kakavijë. Nisur nga informacionet, z. Hamza dhe z. Kano, rezultojnë të jenë përfshirë në mënyrë aktive dhe të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017. Nisur nga ky rast, Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë që të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërkohë Ministria e Financave përshëndet operacionin që çoi në kapjen e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, mbrëmë në Portin e Durrësit. Ministria e Financave inkurajon punonjësit e administratës doganore në punën e tyre dhe vlerëson rolin e madh që ata kanë në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Ministria e Financave ka kërkuar nga Prokuroria hetim për drejtorin rajonal të Tatimeve në Kukës, Albert Halilaj, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në fushatë elektorale. Ministria e Financave në një njoftim për mediat sqaron se, “ka informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin e z. Albert Halilaj, drejtor rajonal i Tatimeve në Kukës. Nisur nga informacionet, z. Halilaj, rezulton të jetë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017”. Nisur nga ky rast, Ministria e Financave thotë se kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë që të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Ministria e Financave përfiton nga rasti t’ju bëjë thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie në aktivitetet partiake. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)”, mbyllet njoftimi i ministrisë.

Kreu i Zyrës Arsimore në Has dhe 3 zyrtarë të tjerë kallëzohen penalisht

Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka kallëzuar në Prokurori kreun e Zyrës Arsimore në Has, Selman Qemanë, pasi mori pjesë në fushatë elektorale. Përmes një njoftimi, Ministria e Arsimit sqaron se kreu i Zyrës Arsimore në Has përfshiu edhe punonjësit në varësi të tij, personel të zyrës arsimore: Specialisti i Burimeve Njerëzore, Erlis Dibra, specialisti i Kurrikulës, Jetmir Qaushi dhe drejtorin e shkollës 9-vjeçare Zahrishtë, Veli Ibraj. Informacioni i është dërguar për dijeni edhe Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë. Ministria e Arsimit dhe Sportit konfirmon gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me organet kompetente duke vlerësuar çdo provë të depozituar të përfshirjes së paligjshme të administratës shtetërore në fushatën zgjedhore në sigurimin e një procesi zgjedhor duke zbatuar detyrimet ligjore.

Hetimet për korrupsion, pezullohet drejtori i Albpetrol-it

Gjykata e Vlorës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka. Vendimi është marrë në datën 2 qershor 2017 dhe firmosur nga gjyqtari Albert Spiro, pas një kërkese të paraqitur nga Prokuroria, e cila po e heton Endri Pukën për shpërdorim detyre me pasoja të rënda financiare.
Ndonëse gjykatësi ka firmosur vendimin për pezullimin e Pukës më datën 2, autoritetet shtetërore kanë injoruar verdiktin e gjykatës dhe Puka ka shkuar në zyrë rregullisht. Endri Puka po hetohet nga organi i akuzës në lidhje me shkeljen e disa kontratave koncesionare në mënyrë arbitrare, duke sjellë barrë për financat shtetërore, por dhe me pasojë ndotjen e mjedisit.
Endri Puka konsiderohet si drejtori i “hambarit të jugut”, drejtues i një prej kompanive më të mëdha publike të vendit, Albpetrol. Puka u vendos në këtë post në vitin 2013 si një sugjerim i deputetit Koço Kokëdhima, por prej afro një viti ai ka besimin direkt të kryeministrit Rama dhe ministrit Gjiknuri dhe punon ngushtësisht vetëm me ta.
Puka dyshohet për një sërë shkeljesh të rënda të kryera javët e fundit gjatë ushtrimit të detyrës. Endri Puka është i angazhuar dhe në fushatën elektorale të PS-së e në mënyrë informale, atij i është besuar zona delikate e Delvinës.

Ulja e TVSH-së në 15%, ul çmimet e mallrave të konsumit

Lulzim Basha paraqet programin ekonomik në Mallakastër. Do të hiqet taksa e naftës, 100 milionë euro në vit për fermerët, 10 mijë stazhe të paguara, pensioni minimal 250 mijë lekë. Statusi i naftëtarit, sipas kërkesave të tyre.
Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik në Mallakastër. Basha u shpreh se programi i tij ekonomik do të hapë vende pune për shqiptarët. Puna e tij do të nisë me uljen e taksave, me TVSH-në dhe me taksën e sheshtë, e cila do të jetë 9%, duke u kthyer në xhepa shqiptarëve, qindra milionë euro. Për të rinjtë, do të ketë 10 mijë stazhe në vit, ndërsa për fermerët 100 milionë euro mbështetje direkte me para në dorë. Familjet në nevojë nuk do të paguajnë faturën e energjisë dhe të ujit të pijshëm, ndërsa pensioni minimal do të shkojë 250 mijë lekë në muaj.
“Do ta nis punën time me uljen e TVSH-së, me taksën e sheshtë 9%, e cila do të çlirojë qindra milionë euro që janë përpirë këto vite nga kuçedra e korruptuar e rilindjes, që janë kthyer për tendera zyrash e makinash luksoze. Këto para, do u kthehen xhepave tuaj. Ulja e TVSH-së, do të thotë, ulja e taksës që ju e paguani çdo ditë kur blini një mall. 400 milionë euro më shumë do të keni në xhepin tuaj. Do të ulim çmimin e naftës me eliminimin e taksës Rama 240 lekë për litër, kjo do të eliminohet që javën time të parë si kryeministër i Republikës së re. Çmimi i energjisë do të jetë më konkurruesi në Ballkan. Vendimi im tjetër, do të jetë 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit shqiptarë, për ju të rinj e të reja që mbaroni shkollën e lartë, 1 vit stash, me 200 mijë lekë në muaj. 100 milionë euro në vit subvencione të drejtpërdrejta për fermerët shqiptarë, pa sekserë, pa NIPT, drejtpërdrejtë për ata që punojnë tokën, që mbarështojnë bagëtitë”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se do të ketë një vlerësim për naftëtarët e zonës duke hartuar një status, duke marrë parasysh kërkesat e tyre legjitime.
Lideri demokrat, Lulzim Basha u takua me banorë të Njësisë 9 në Tiranë, ku theksoi se Republika e re vjen për shqiptarët, për të krijuar shtet me një ekonomi të fortë.
“Pika e parë e këtij plani është ulja e taksave, ulja e TVSH-së nga 20 në 15%, do të kthejë në xhepat tuaja dhe në konsumin e ekonomisë shqiptare, 400 milionë euro në vit. Taksa e sheshtë 9% do të çlirojë miliarda euro të tjera. Plani im fiskal, ulja e taksave, ulja e TVSH-së, do të bëjë që paraja të vërshojë në tregjet tona, të rrisë ekonominë, të krijojë vende pune, të rrisë rrogat. 10 mijë stazhe nga Republika e re për më të mirët që mbarojnë shkollën e lartë. E dini se sa kushton ky program që unë do të vë në lëvizje që në muajin e parë si Kryeministër, për 10 mijë të rinj me 200 mijë lekë të vjetër në muaj, stazh për 12 muaj me radhë? A e dini se sa do i kushtojë Republikës së re? 25 milionë euro në vit”.
Në Farkë, ku shpalosi programin e Republikës së re, Basha tha se prioriteti numër një është ekonomia e familjeve shqiptare, punësimi i të rinjve, mirëqenia e fshatit.
“Ekipi im fitues ka një plan ekonomik me vulat e ekspertëve më të mirë të Europës, këshilltarëve ekonomikë të Anxhela Merkel, që erdhën këtu dhe e çertifikuan publikisht para kamerave si një program realist, ambicioz dhe të zbatueshëm”.
Basha tha se të gjitha familjet në nevojë do të kenë ndihmë ekonomike. Fatura deri 300 klv dhe fatura e ujit për konsum familjar do e marrë përsipër buxheti i Republikës së re, tha Basha. Nga qyteti i Mallakastrës ku hapi fushatën elektorale, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, i cili deklaron se marrëveshja e 18 majit kishte për qëllim të shpëtonte Partinë Demokratike. Sipas kryetarit të opozitës, Republika e vjetër, nënshkroi aktin e kapitullimit të saj, ndërsa sipas tij marrëveshja Ramës iu imponua nga bashkimi i qytetarëve. Me këtë rast, kryetari i opozitës, paralajmëroi shkarkime të tjera në administratë. Duke folur për programin ekonomik, kryetari i opozitës, tha se është realist dhe do të hapë vende pune për shqiptarët. Punën e parë si kryeministër, ai premtoi se do ta nisë me uljen e taksave.

Rishikim statusit të naftëtarit

Në Mallakastër Basha, premtoi heqjen e taksës së naftës, ndërsa tha se do të rishikohet statusi i naftëtarit duke marrë parasysh kërkesat e drejta të tyre. “Sot vijmë tek ju me një betejë të fituar nga bashkimi popullor qytetar për demokraci të vërtetë, me gjysmën e kabinetit të Republikës së vjetër të rrëzuar, me 7 gardianë ministra teknikë, të cilët kanë për detyrë të zbatojnë një Kod të ndryshuar Penal që do të çojë prapa hekurave këdo që guxon të prekë votën dhe vullnetin e qytetarëve. Ankohen se kanë ikur 20 apo 30 drejtorë, do të ikën edhe 300 të tjerë nëse guxojnë të prekin dhe shantazhojnë qytetarët. Koha e zullumqarëve po merr fund, koha e maskarenjve po merr fund, koha e matrapazëve po merr fund, koha e mashtruesve po merr fund, po vjen koha e njerëzve të thjeshtë punëtorë të Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë. Republika e vjetër nënshkroi më 18 maj paktin e kapitullimit të saj. Kapitulloi duke nënshkruar reformën kushtetuese, reformën zgjedhore, votimin elektronik, numërimin elektronik. Kushtet që ne dhe bashkimi qytetar shpallën në çadrën e lirisë. Sot përfaqësuesit e Republikës së vjetër me në krye Ramën po bëjnë gjithçka që ta shesin këtë si një koncesion dashamirës ndaj PD apo ndaj meje duke ngritur gishtat lart, duke folur për kryengritje kundër Republikës së vjetër. Kjo nuk ishte dhuratë, ju e dini fare mirë se çfarë e shtyu Republikën e vjetër të dorëzohej dhe të pranonte kapitullimin. Këtë betejë nuk e fitoi askush tjetër përveç qytetarëve të bashkuar dhe të vendosur. Ky është mësimi i 90 ditëve të lëvizjes më të madhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mallakastra e ka ndjerë në palcë thikën e tradhtisë të premtimeve të Edi Ramës. E ka ndjerë në palcë lojën e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Puna dhe punësimi juaj, ekonomia janë programi im, prioriteti im. Unë nuk vij këtu për shfaqje dhe poza”, tha Basha.

Programi i PD për vende të reja pune

Në një takim me qytetarët në Roskovec, lideri demokrat Lulzim Basha tha se ditën e parë të Republikës së Re, si kryeministër i shqiptarëve, do e nisë me planin ekonomik të çertifikuar nga ekspertët e kancelares Angel Merkel të dërguar posaçërisht pranë Partisë Demokratike. “Unë nuk do të jem kryeministri i oligarkëve, unë nuk do të jem kryeministri i bankave, unë do të jem kryeministri juaj, i qytetarëve të thjeshtë. Do të jem kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit ndaj do ta nis ditën time të parë të punës dhe çdo ditë për realizimin e planit ekonomik të Republikës së Re, hartuar nga ekspertët më të mirë, çertifikuar nga këshilltarët ekonomikë të lokomotivës europiane të ekonomisë, kancelares gjermane Angela Merkel që u dërguan posaçërisht pranë meje dhe Partisë Demokratike për programin tonë ekonomik që siç u shprehën publikisht ata, është realist, ambicioz dhe i zbatueshëm. Do ta nis me uljen e taksave, me uljen e TVSH-së që i merr çdo fëmije, çdo prindi, çdo të riu, 20% për çdo mall dhe shërbim. TVSH-ja do të ulet dhe 400 mln euro më shumë do të rrisin xhiron dhe konsumin, do të rrisin podhimin, do të rrisin kërkesën për më shumë vende pune, investime kapitale, kreditim, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, do të çlirojë qindra milionë euro në ekonomi. Rritja ekonomike do të sigurojë vende pune. Ky është një model europian. Ka funksionuar atje, funskionon edhe këtu. 75 deri në 90% e të rinjve që ndjekin praktika punësimi gjejnë një vend pune pas kësaj praktike. Nuk është karamele elektorale, nuk është as politikë sociale por është politikë e pastër ekonomike për punësimin e të rinjve dhe të rejave”, tha Basha nga Roskoveci.

Kanabisi, 12.9 miliardë euro në vit qarkullojnë në Europë

Qendra Monitoruese europiane për Drogën dhe Varësinë ndaj Drogës publikoi të martën në Bruksel “Raportin mbi Drogën europiane 2017”, duke vlerësuar se ka një rritje të trafikut nga vendet e Ballkanit, mes të cilave dallohet Shqipëria. “Raportet e fundit tregojnë ndryshime në rrugët e trafikimit të kanabisit me rritjen e trafikimit të kanabisit bimor (marijuanës) dhe hashashit nga Ballkani Perëndimor, sidomos Shqipëria”, nënvizon raporti. Dokumenti thekson më tej se, kjo rritje është e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende. Sipas raportit “marijuana dhe hashashi janë dy produktet kryesore të kanabisit të gjetura në tregun europian të drogës, ndërsa vaji i kanabisit është relativisht më i rrallë”.
Të dhënat e Raportit europian për Drogën 2017 i referohen kryesisht informacioneve deri në vitin 2015, ndërkohë që Shqipëria, gjatë vitit të kaluar, njohu një rritje të ndjeshme si të kultivimit edhe të trafikimit të marijuanës. Policia shqiptare tha se, kreu në të gjithë vendin gjatë vitit 2016 rreth 2.000 operacione policore, duke zbuluar 1.700 raste të kultivimit të bimëve narkotike, duke asgjësuar rreth 2.5 milionë bimë narkotike të mbjella në 5211 parcela. Sipas saj, përgjatë vitit 2016 janë identifikuar të përfshirë në vepra penale për narkotikë 482 autorë, nga të cilët 309 janë arrestuar apo ndaluar, 58 ndjekur në gjendje të lirë dhe 115 autorë janë shpallur në kërkim. Gjatë vitit 2016, ‘Guardia di Finanza’ italiane, i përcolli policisë shqiptare 27 raporte monitorimi, ku ishin evidentuar nga vëzhgimi ajror 2086 parcela të mbjella me marijuanë. Policia shqiptare tha se nga këto koordinata janë verifikuar në terren 99.8% e tyre, janë asgjësuar 738.648 bimë narkotike, të cilat përbëjnë 29 % të totalit të bimëve narkotike të asgjësuara”. Por monitorimet nga ajri mbuluan vetëm një pjesë të territorit. Dhe në fakt më pas, dhjetëra tonë marijuanë u bllokuan në operacione të ndryshme si nga policia shqiptare ashtu dhe nga policitë e vendeve fqinje Greqia dhe Italia.
“Raporti mbi Drogën europiane 2017”, vlerëson se, “produktet e kanabisit përbëjnë pjesën më të madhe të tregut të paligjshëm të drogës me pakicë në Europë (38%), me një vlerë të parashikuar prej 9.3 miliardë eurosh. Ka gjasa –thekson dokumenti – se kjo shumë varion nga 8.4 miliardë euro në 12.9 miliardë euro”. Ndërkohë vendet e Ballkanit janë evidentuar edhe si një rrugë e rëndësishme e trafikut të heroinës nga Turqia, e cila kalon përmes kufijve të Bullgarisë, Rumanisë dhe Greqisë në vendet e Europës Qendrore.

Sasitë e sekuestruara

Raporti mbi Drogën europiane 2017 vlerëson se, janë raportuar mbi një milion sekuestrime të drogave të paligjshme çdo vit në Europë. Shumica e këtyre rasteve janë sasi të vogla të kapura përdoruesve, megjithatë, sipas raportit sasia më e madhe e drogave të kapura u përket trafikantëve dhe prodhuesve. Marijuana është droga më e kapur, me mbi 70% të sekuestrimeve në Europë, kokaina renditet e dyta (9%), e ndjekur nga amfetamina (5%), heroina (5%) dhe MDMA (2%). Sipas raportit, në vitin 2015, ishin 732. 000 konfiskime të produkteve të kanabisit, raportuar në Bashkimin Europian, duke përfshirë 404.000 raste të marijuanës e 288 000 të hashashit. Vlerësohet se 135 tonë marijuanë u konfiskua në Europë më 2015, një rënie prej 38% krahasuar me 217 tonë kapur në vitin 2014. Raporti vlerëson se rënie të dukshme u raportuan në Belgjikë, Greqi dhe Itali. Raporti vlerëson se një numër faktorësh mund të jenë pas kësaj rënie të përgjithshme në Europë. “Këto mund të përfshijnë iniciativa për të trajtuar shkallën gjeografike të prodhimit në vende jashtë Bashkimit Europian, të tilla si Shqipëria”, vlerëson raporti.

Vdekjet e mbidozave të drogës në Europë

Raporti nxjerr në pah shqetësimin për numrin në rritje për të tretin vit radhazi të vdekjeve të mbidozave të drogës në Europë. Një numër prej 8 441 vdekjesh nga mbidozat e drogës, kryesisht të lidhura me heroinën dhe të tjera substanca, vlerësohet të kenë ndodhur në Europë në vitin 2015 (28 vendet anëtare të BE, Turqi dhe Norvegji). Kjo sipas raportit shënon një rritje prej 6% nga rreth 7 950 vdekje që u shënuan në 30 vende në vitin 2014. Rritjet janë raportuar pothuajse për të gjitha grupmoshat dhe rreth 1.3 milionë përdorues të opiumit në Europë shihet se janë ndër më të shumtët të pambrojtur.

Droga në Europë një shqetësim gjithnjë e në rritje

“Në kontekstin global thuhet në raport, Europa është një treg i rëndësishëm për furnizimin e drogës, si për ato të prodhuara në vendet e BE-së dhe për drogat e trafikuara nga rajone të tjera të botës. Raporti vlerëson se Amerika e Jugut, Azia Perëndimore dhe Afrika e Veriut janë burime të rëndësishme për drogat e paligjshme që hyjnë në Europë, ndërsa Kina është një vend burim për substanca të reja psikoaktive. Komisioneri Europian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, tha se ndikimi i problemit të drogës vazhdon të jetë një sfidë e rëndësishme për shoqëritë europiane. Mbi 93 milionë europianë kanë provuar një substancë të paligjshëm në jetën e tyre dhe mbidoza e vdekjeve vazhdon të rritet për të tretin vit me radhë. Unë jam veçanërisht i shqetësuar, deklaroi Komisionieri i BE-së që sidomos të rinjtë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të drogës”. Raporti mbi Drogën në Europë 2017 vlerëson se rreth 25 substanca sintetike shumë të fuqishme janë zbuluar në Europë midis viteve 2009 dhe 2016, prej të cilave vetëm masa të vogla janë të nevojshme për të prodhuar mijëra doza, duke paraqitur një kërcënim në rritje për shëndetin. Raporti Vjetor i Drogës europiane jep analizat e nevojshme, udhëzimet dhe mjetet për të trajtuar këto kërcënime, jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por edhe për të ndaluar fitimet e mëdha nga droga.

BE: Të vetmet investime TAP dhe HEC i Devollit nga qeveria e PD

Komisioni Europian ka publikuar dje raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.
Raporti vlerëson ecurinë e Shqipërisë dhe pritshmëritë mbeten pozitive për periudhën 2017-2019, megjithatë ai përmend disa herë faktin që investimet janë të bazuara në burimet bazë natyrore dhe së fundmi po nxiten nga dy projektet e mëdha të energjisë (TAP dhe Devoll- shënim i “Monitor”). Përfundimi i këtyre projekteve dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do të integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.

Raporti

Për Shqipërinë, programi i reformave ekonomike të Shqipërisë (ERP) projekton një përshpejtim të aktivitetit ekonomik të bazuar në zgjerimin e vazhdueshëm të kërkesës së brendshme dhe përmirësimit të eksporteve neto. Investimet private pritet të jenë nxitësi kryesor i rritjes në të ardhmen e afërt, nxitur nga investimet e huaja direkte të planifikuara në sektorin e energjisë. Shpenzimet konsumatore janë forcuar kohët e fundit në kuadrin e normave të interesit në nivele rekord të ulëta dhe një përmirësimi të tregut të punës. Një rritje e vazhdueshme e punësimit dhe pagave pritet të vazhdojë të mbështesë konsumin privat.
Konsumi qeveritar pritet të rritet ndjeshëm, për t’u frenuar në vitin e fundit të periudhës së programit. Pavarësisht rritjes relativisht të fortë të eksporteve, tregtia e përgjithshme e jashtme (eksportet neto) ende pritet të ndikojë negativisht në PBB në vitin 2017 për shkak të dy investimeve të mëdha që kërkojnë importe intensive. Në vitet e mëvonshme, megjithatë, rritja e importit pritet të ngadalësohet, ndërkohë që rritja e eksporteve është parashikuar të mbetet e fuqishme. Si rezultat, eksportet neto pritet të kontribuojnë pozitivisht në rritjen e PBB. E parë nga ana e prodhimit, programi i reformave projekton që gjithë sektorët ekonomikë të kontribuojnë pozitivisht në rritje në periudhën 2017-2019. Kontributet më të mëdha priten të vijnë nga bujqësia, minierat, prodhimi, ndërtimi dhe shitja me shumicë dhe tregtia me pakicë. Normat më të larta të rritjes pritet për minierat, teksa industria do e marrë veten nga çmimet e dobëta të mallrave. Programi ekonomik parashikon që rritja ekonomike do të përshpejtohet nga 3.4% më 2016 në 4.2% më 2019.
Projeksioni i programit për rritjen e PBB është disi më optimist dhe tejkalon parashikimin e dimrit të Komisionit. Sipas programit, konsumi privat pritet të përshpejtohet gradualisht nga 2.3% më 2017 në 3.4% në vitin 2019, i mbështetur nga një rritje e qëndrueshme në punësim, paga dhe huamarrjes familjare. Konsumi publik pritet të rritet në vitin 2017 pas një rënieje në vitin 2016. Vlerësimi për vitin 2016 duket jo realist duke pasur parasysh se shkalla aktuale e rritjes së konsumit publik në tre tremujorët e parë të vitit arriti në 1.4% me bazë vjetore. Rritja në formimin bruto të kapitalit është parashikuar të ngadalësohet (nga 9.9% në vitin 2017 në 2.6% në vitin 2019), si rrjedhojë e përfundimit të planit të zbatimit për dy projekte të mëdha investuese në sektorin e energjisë. Eksportet janë parashikuar të zgjerohen me një normë mesatare vjetore prej afër 6% gjatë periudhës së programit, bazuar në supozimin se çmimi i naftës do të stabilizohet dhe pastaj do të rritet. Eksporti i shërbimeve të turizmit është zgjeruar ndjeshëm në vitin 2016 nga një bazë relativisht e ulët dhe pritet të vazhdojë ecurinë e mirë. Importet janë projektuar të ngadalësohen nga 6.1% në vitin 2017 në 2.3% në vitin 2019. Ashtu si me investimet, rënia në ritmet e importit do të vijë nga përfundimi i projekteve energjetike, të cilat sjellin importe të mëdha të mallrave kapitale.
Madhësia e rënies, megjithatë, mund të jetë më e vogël se ajo e parashikuar në program duke pasur parasysh rritjen e fuqishme në konsumin privat dhe eksporteve. Kjo do të mund të sillte një kontribut negativ të eksporteve neto (-1.5 pikë përqindje), më 2016, neutral në vitin 2017 dhe pozitiv më 2018 (pp +0.7.), duke përbërë një nga rreziqet e programit.
Inflacioni mbetet nën objektiv dhe banka qendrore synon të mbajë politikën monetare në një kurs akomodues. Mesatarja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit u rrit me 1.3% më 2016. Inflacioni vjetor ka qenë më poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% për katër vjet rresht, e cila reflekton mungesën e presioneve të çmimeve rritëse nga një ekonomi e brendshme që ende vepron nën potencial dhe nga mjedisi i jashtëm me dezinflacion. Në këtë kontekst, banka qendrore uli normën e saj bazë të interesit me një pikë e gjysmë përqindjeje në prill dhe maj të vitit 2016, në një nivel të ulët të ri historik prej 1.25%. Banka qendrore pret që inflacioni mesatar të rritet në 2.3% në vitin 2017 dhe për t’u kthyer në objektiv në vitin 2018, teksa rritja ekonomike do të forcohet më tej. Në këtë skenar, banka qendrore synon të ruajë një qëndrim akomodues të politikës monetare, por të mbetet fleksibël sa i përket intensitetit të stimulit monetar. Në mënyrë të veçantë, ajo ka sinjalizuar se nuk do të zvogëlojë stimulin monetar para tremujorit të katërt të 2017. Lehtësimi monetar i kohëve të fundit ka ulur normat e interesit për huamarrësit privatë, duke mbështetur shpenzimet konsumatore dhe investimet private. Normat nominale dhe reale efektive të këmbimit të lekut u rritën me 3.2% dhe 4.1% përkatësisht nga viti në vit në tremujorin e katërt të vitit 2016. Për 2017-2019, programi parashikon një normë konstante nominale të këmbimit kundrejt euros.
Deficiti i llogarisë korente pritet të zgjerohet në vitin 2017, si rezultat i rritjes së fortë në investimet që kërkojnë importe intensive dhe më pas pritet në rënie në dy vitet e ardhshme.
Investimet e huaja direkte pritet të mbeten burimi më i madh për financimin e deficitit të llogarisë korente. Në 10 vitet e fundit, flukset hyrëse neto të investimeve të huaja direkte (IHD) kanë financuar afër dy të tretat e deficitit të llogarisë korente. Flukset neto të IHD janë parashikuar të rriten gradualisht për të mbuluar më shumë se 80% të deficitit të llogarisë korrente nga 2019. Megjithatë, nëse do të ketë sërish rënie në çmimet e mallrave ndërkombëtare, ky do të jetë një rrezik, pasi do të ndihmojë investimet e huaja në industrinë nxjerrëse. Suksesi relativ i Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja në vitet e fundit ka qenë i përqendruar kryesisht në industrinë e patregtueshme të burimeve me bazë natyrore. Tërheqja e IHD-ve në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do të integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më shumë të mira për të gjithë ekonominë. Kjo, megjithatë, do të kërkonte më gjerësisht reforma strukturore për të sjellë përmirësime të konsiderueshme në mjedisin e investimeve. Borxhi i jashtëm bruto qëndroi në 71.8% të PBB-së në fund të vitit 2016, në rënie me 1.5 pikë përqindje nga viti i mëparshëm. Rreth 80% e borxhit të jashtëm është afatgjatë.
Rezervat valutore arritën në 2.9 miliardë lekë euro (26.3% e PBB-së), në fund të vitit 2016 dhe pritet të rritet me më shumë se 20% gjatë tri viteve të ardhshme. Aktualisht, rezervat mbulojnë vlerën e importeve të mallrave dhe shërbimeve për rreth 7 muaj, duke siguruar një mbrojtje adekuate kundër goditjeve negative, përfundon raporti.

Si ndikoi kredia në çmimet e banesave

Rritja e kredisë hipotekare nga bankat që pas vitit 2004 ka ndikuar pozitivisht në shtrenjtimin e apartamenteve, ndërkohë që blerja e apartamenteve ka qenë dhe një investim relativ, krahas atij të blerjes së bonove të thesarit. Një raport i përgatitur nga Erjona Suljoti, nga Banka e Shqipërisë, e cila ka analizuar implikimet e kushteve financiare në tregun e banesave thekson faktin se pavarësisht nivelit të ulët të kredive hipotekare në Shqipëri, zhvillimi i saj ka një efekt të rëndësishëm statistikor në zhvillimin afatgjatë të çmimeve të banesave. Për më tepër, ky studim konfirmon një lidhje statistikisht të rëndësishme negative midis çmimeve të banesave dhe yield-it 12-mujor të bonove të thesarit, në përputhje me hipotezën e ngritur se tregu i letrave me vlerë në vend është një alternativë për investimin e kursimeve.
Ndërkohë, raporti thekson se puna kërkimore për këtë material nxori në pah disa çështje të rëndësishme, që pengojnë zhvillimin e tregut të banesave në Shqipëri. Në një treg të pasurive të paluajtshme me informalitet të lartë, qeveria miraton rregullisht listën e çmimeve të referencës të banesave sipas zonës, duke ndërhyrë në vendosjen e çmimeve. Gjithashtu, tregu i banesave vazhdon të vuajë nga probleme të shumta sa i përket zbatimit të ligjit dhe të drejtave të pronësisë në vend, të cilat pengojnë zhvillimin e natyrshëm të çmimeve, nëpërmjet ndërveprimit të kërkesës dhe ofertës në treg. Problemet ligjore dhe ato institucionale në zgjidhjen e çështjeve të pronësisë dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë të tokës, kanë kontribuar në shtrembërimin e çmimeve të banesave.

Si ka ndryshuar tregu i banesave

Sipas analizës, tregu i banesave ka përjetuar ndryshime të qenësishme. Në mungesë të të dhënave për çmimet e banesave në nivel kombëtar, studimi i bankës bazohet në indeksin e çmimeve të banesave për Tiranën. Të dhënat tregojnë se çmimet e banesave kanë shfaqur rritje të ndjeshme gjatë periudhës 2000-2007. Gjatë kësaj periudhe, çmimet e banesave janë rritur mesatarisht me rreth 15% në vit. Ndërkohë, zhvillimet gjatë periudhës 2008-2013, tregojnë për një ngërç në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çmimet janë luhatur, duke shfaqur edhe tkurrje të herëpashershme mbas vitit 2009. Ndër faktorët e parë që kanë sjellë rritje të kërkesës për ndërtime të reja, që prej fillimit të viteve ’90, kanë qenë: mungesa e hapësirave të mjaftueshme për strehim dhe cilësia e dobët e banesave ekzistuese, ndryshimi i sjelljes së individëve për të jetuar në familje të vogla, si dhe ndryshimi i hartës demografike e nxitur nga faktorë ekonomikë dhe socialë (unece 2000). Krahas këtyre faktorëve, një burim tjetër i rëndësishëm i kërkesës për blerje banesash dhe për rritjen e çmimeve në këtë treg ishte edhe rritja e të ardhurave të disponueshme deri në fillim të vitit 2008. Më pas, me ngadalësimin e të ardhurave, vihet re një stepje e individëve, si për të blerë banesa, ashtu edhe për të kërkuar kredi. Këtij faktori i bashkëngjitet dhe pasiguria për të ardhurat në të ardhmen, ku rritja e papunësisë dhe në tërësi pasiguritë në tregun e punës, janë reflektuar në një tkurrje të kërkesës së individëve për banesa (Unicredit 2011).
Një burim tjetër kryesor i kërkesës për blerje apartamentesh të reja gjatë periudhës së tranzicionit ishte edhe kërkesa nga emigrantët, e cila ka ardhur në rritje deri në fund të vitit 2007. Ndërkohë, me fillimin e krizës, kërkesa nga emigrantët ka pësuar rënie, në përgjigje të përkeqësimit të kushteve të tregut të punës në vendet ku jetojnë. Rënia e transaksioneve në tregun e banesave ka konfirmuar kërkesën e plogësht në përgjithësi për blerjen e banesave dhe veçanërisht rënien e kërkesës nga ky grup. Konsolidimi dhe rritja e fleksibilitetit të sistemit bankar për të kredituar individët dhe firmat e ndërtimit që operojnë në treg, janë faktorë që kanë ndikuar, si në rritjen e kërkesës, ashtu edhe të ofertës në tregun e banesave. Financimi me kredi nga sektori bankar, gjatë periudhës 2002-2007, ka përbërë një burim të  rëndësishëm financimi për individët. Çmimet e larta të banesave bënin të mundur që ata të zotëronin kolateral të mjaftueshëm për të marrë kredi të re dhe për të zgjeruar kërkesën për banesa, përtej aftësive financiare të tyre. Pas vitit 2008, norma e rritjes së portofolit të kredisë për banesa është zvogëluar dukshëm, duke shënuar edhe vlera negative në periudhën 2012-2013.
Një tjetër komponent i kërkesës për banesa në Shqipëri është edhe blerja e saj për qëllime investimi. Përdorimi i banesës për qiradhënie rrit mundësinë e fitimit nga investimi i kursimeve/ i pasurisë në banesa. Qiraja përfaqëson fitimin e pritshëm nga kapitali dhe ai përngjason me fitimin e marrë nga investimet në letrat me vlerë (Stanfield dhe Jazoj 1995). Në këtë kontekst, tregu i aksioneve dhe i letrave me vlerë janë tregje alternative për investimin e kursimeve dhe si të tilla, ecuria e kthimit nga to mund të ndikojë kërkesën për banesa. Në Shqipëri, në mungesë të një tregu aksionesh, bonot e thesarit 12-mujore përfaqësojnë investimin tipik alternativ për fondet. Prandaj yield-i i bonove 12-mujore pritet të ketë një lidhje të zhdrejtë me kërkesën për banesa dhe çmimin për to. Po kështu, yield-i i bonove të thesarit 12-mujore mund të shikohet edhe si një normë referencë e kostos së parasë në ekonomi, duke ndikuar kërkesën për kredi hipotekare dhe vendimmarrjen për blerjen e banesës. Megjithatë, kredia në lekë përfaqëson një pjesë shumë të vogël në totalin e portofolit të kredisë hipotekare. Në këtë këndvështrim, kanali kryesor që yield-i i bonove të thesarit ndikon në çmimet e banesave është nëpërmjet kostos oportune të normës së kthimit nga investimi. Për shkak se kredia hipotekare dominohet nga kredia në euro, norma referencë e përdorur gjerësisht për koston e këtij portofoli është një normë e tregut ndërkombëtar sikurse është euro libori 12-mujor. Në këtë aspekt, interesi i kredisë në euro mund të shikohet si kosto e financimit të blerjes së banesës me kredi bankare.

Kreditë hipotekare në euro përfaqësojnë 75% të portofolit të kredisë

Në Shqipëri, kreditë hipotekare në euro të dhëna për banesa përfaqësojnë 75% të portofolit të kredisë hipotekare. Duke u nisur nga literatura, norma mesatare e interesit të kredisë në euro pritet të jetë një faktor i rëndësishëm në koston që shoqëron marrjen e një kredie nga bankat, si dhe një element që dekurajon ose favorizon shkallën e përdorimit të kredisë në blerjen e banesës. Në varësi të (in)elasticitetit dhe të ciklikalitetit të kërkesës për banesa, kjo kosto mund të transmetohet e plotë tek çmimi i banesës ose të mbahet pjesërisht nga ndërtuesit (maudos et al (2009)). Bazuar në teori, pritet që marrëdhënia midis çmimeve të banesave dhe interesit të kredisë të jetë negative në periudhën afatgjatë.
Kursi i këmbimit është një faktor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Monedha euro në tregun e pasurive të paluajtshme është gjerësisht e përdorur. Në veçanti, kuotimi i banesave në euro është diktuar nga ndërtuesit, të cilët, për t’u mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit, i shesin produktet në euro. Gjithashtu, përzgjedhja e përdorimit të monedhës së fortë lidhet me faktin se, banesa shikohet si një mjet investimi dhe kursimi afatgjatë. Si e tillë, për t’u mbrojtur nga luhatjet e vlerës së monedhës vendase apo nga mundësia e një inflacioni të lartë, agjentët ekonomikë kanë preferuar që kuotimet dhe transaksionet të kryhen në monedhë të huaj. Studimet kanë treguar se, individët shqiptarë e kanë të trashëguar sjelljen e tyre për të mbajtur pasurinë në një monedhë më të fortë sesa monedha vendase.

Tregu i banesave, si ndikohet nga treguesit makro

Dinamika e çmimeve të banesave është e lidhur ngushtë me ecurinë e variablave makroekonomikë, kushtet e tregut të banesave dhe karakteristikat e financimit për blerje banese. Në këto studime janë vlerësuar faktorët kryesorë, të cilët ndikojnë në kërkesën/ofertën për banesa dhe për pasojë çmimet e tyre. Këto studime tregojnë se, nga ana e kërkesës, dinamika e çmimeve të banesave në periudhën afatgjatë përcaktohet kryesisht: nga rritja e të ardhurave të disponueshme të individëve; zhvendosja graduale demografike; karakteristikat e sistemit të taksave në ekonomi; kredia bankare; si edhe, niveli mesatar i normave të interesit. Ndërsa nga ana e ofertës, si tregues që përcaktojnë, në periudhën afatgjatë dinamikën e çmimeve të banesave, përmenden: disponueshmëria dhe kostoja e truallit; kostot e ndërtimit; investimet në përmirësimin e cilësisë së stokut ekzistues të banesave dhe lejet e ndërtimit.
Një nga faktorët e kërkesës, të cilit i është kushtuar një vëmendje e veçantë në literaturë, është ndikimi i kredisë, sidomos asaj hipotekare, në çmimin e banesave. Kredia hipotekare ndikon në çmimet e banesave nëpërmjet të ashtuquajturit “mekanizmi i përshpejtuesit financiar”. Sipas bernanke et al (2000), “mekanizmi i përshpejtuesit financiar” konsiston në mekanizmin e bashkëveprimit të kredisë dhënë nga bankat, me çmimet e banesave. Rritja e kreditimit do të çojë në rritje të kërkesës për banesa. Në përgjigje të kërkesës së shtuar, çmimet e banesave do të rriten dhe ndërkohë vlera e kolateralit të lënë peng për marrjen e kredisë do të rritet, duke mundësuar marrjen e një kredie shtesë për banesa dhe duke nxitur kështu më tej kërkesën për kredi dhe përshpejtuar procesin. Çmimet e larta të banesave do të shkaktonin shfaqjen e efektit  “pasuror”, sipas të cilit pronarët e banesave do të ndihen më të pasur, për shkak të rritjes së çmimeve të banesave të tyre dhe për pasojë do të shpenzonin më shumë. Ndërkohë, disa individë do të preferonin të shfrytëzojnë vlerën e shtuar të kolateralit të tyre për të rritur më tej kërkesën për kredi për konsum. Kjo sjellje do të krijonte mundësinë për marrjen e një kredie të re, e cila mund të përdoret për të rritur më tej konsumin.
Rritja e konsumit dhe e kërkesës agregate do të nxiste aktivitetin ekonomik e për pasojë, do të shoqërohej jo vetëm me shtimin e presioneve inflacioniste për ekonominë, por edhe me pritje për kthim të lartë nga aktivet, të cilat do të sillnin një rritje të mëtejshme të çmimit të banesave të kushtëzuar nga një ofertë e ngurtë për banesa në periudhën afatshkurtër. Periudhat e një boom-i në kredidhënie dhe në çmimet e banesave do të përfundonin nëse, një faktor i jashtëm, do të kthente në të kundërt ndikimin e këtyre dy faktorëve tek njëri-tjetri. Rënia e kërkesës për blerjen e banesës mund të reflektohet në çmimet e tyre dhe më tej në uljen e vlerës së kolateralit që mbulon kredinë. Efekti “pasuror” do të vepronte në kah të kundërt, duke rezultuar në një konsum më të ulur. Aktiviteti ekonomik, në përgjithësi do të ulet nëpërmjet të njëjtave instrumente, që u vunë në lëvizje edhe gjatë periudhës së boom-it ekonomik dhe për pasojë, do të vihet re rritja e presioneve dezinflacioniste. Annett (2005) argumenton se, kostoja e vërtetë e një periudhe me rritje të shpejtë të çmimeve të banesave, nuk është presioni inflacionist që ajo shkakton, por fakti se, plasja e efektit “flluskë” të çmimeve të banesave, do të ngadalësojë ndjeshëm aktivitetin ekonomik dhe do të induktojë presione deflacioniste në ekonomi. Plasja e efektit “flluskë” në çmimet e banesave, e cila shpesh shoqërohet me një destabilitet financiar dhe një ngërç të aktivitetit kreditues të kushtëzuar nga rënia e vlerës së kolateralit, bëhet shumë e kushtueshme në terma të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik të vendit. Shumë prej këtyre mekanizmave u konfirmuan nga zhvillimet e krizës financiare më të fundit (në vitet 2007/2008), si në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Hasi tregon pse e zgjodhi Olympiacos

Besnik Hasi do të prezantohet si trajner i ri i skuadrës së madhe greke, Olympiacos. Trajneri gjakovar, Besnik Hasi është tema kryesore e mediave greke, për shkak se do të marrë drejtimin e skuadrës së madhe Olympiacos. Ai gjatë një interviste për “voetbalkrant.com”, ka treguar pse e zgjodhi Olympiacos si trajner dhe synimet që ka me këtë skuadër. “Pas takimit që bëra me presidentin e skuadrës, më ka dhënë dy arsye pse ai donte të më besonte stolin e Olympiacosit. U ndjeva i lumtur për besimin që kishte tek unë”, tha fillimisht Hasi.
“Unë e di që presioni është i madh, pasi synimet e Olympiacosit janë të larta. Më është bërë e qartë se duhet të fitoj patjetër titullin kampion në Greqi, gjithashtu Kupën e Ligës dhe të shkoj sa më lart të jetë e mundur në Champions. Këtë presion e kam pasur edhe me Anderlechtin dhe ia kam dalë”. Hasi në të kaluarën përveç Anderlehtit ka drejtuar edhe Legia Warsawan, të cilën e kualifikoi pas 20 viteve në Ligën e Kampionëve.

Mbappe: Do të qëndroj tek Monako

Monaco's French forward Kylian Mbappe Lottin celebrates after scoring a goal during the French L1 football match Monaco (ASM) vs Troyes (ESTAC) on February 20, 2016 at the "Louis II Stadium" in Monaco. AFP PHOTO / VALERY HACHE / AFP / VALERY HACHE (Photo credit should read VALERY HACHE/AFP/Getty Images)

Kylain Mbappe ka vendosur të qëndrojë edhe një edicion në Monako. Sulmuesi francez, Kylian Mbappe është lojtari më i kërkuar gjatë afatit kalimtar dhe lojtari me çmimin më të lartë. Francezi ka shkëlqyer sezonin që lamë pas, ku me skuadrën e tij fitoi titullin e Ligue 1 dhe arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Për shërbimet e tij janë interesuar Real Madrid, Manchester United, Arsenal, City dhe Juventus, por ai tashmë ka marrë vendimin përfundimtar. Sipas “Le Parisien”, Mbappe ka vendosur të qëndrojë edhe një vit në Monako, ku mund të luajë rregullisht dhe të fitojë më shumë përvojë. Ai së bashku me klubin kanë vendosur që vitin e ardhshëm të largohet për një skuadër më të madhe.
Ndërkohë, Marcus Rashford ka thënë se do të ishte mirë për Manchester Unitedin nëse transferohet Alvaro Morata. Sulmuesi anglez, Marcus Rashford është një nga lojtarët më të mirë të Manchester Unitedit dhe një nga lojtarët e së ardhmes. Përveç konkurrencës me Rooney-n dhe Ibrahimoviçin, anglezi konkurrent nga sezoni i ardhshëm mund të ketë edhe spanjollin Alvaro Morata.
Por, kjo nuk e shqetëson atë, pasi beson se konkurrenca e bën më të mirë dhe lojtarët që do të ndihmonin Unitedin janë të mirëseardhur. “Morata? Skuadrat e mëdha tërheqin edhe lojtarët më të mirë dhe këtë e bëjmë edhe ne”, tha fillimisht Rashford për “Sky Sports News”. “Çdonjëri që vjen dhe ndihmon skuadrën të fitojë tituj, e që ky është qëllimi ynë, atëherë ai duhet të vijë. Konkurrenca e fortë është e rëndësishme që të jeni të suksesshëm”.