33.5 C
Tirana
E hënë, 21 Korrik, 2025

Fokusi tek ndeshjet

E ardhmja e Gianni de Biasit mbetet dilema e madhe në kombëtaren shqiptare. Trajneri i kuqezinjve në konferencën për shtyp para takimit miqësor me Luksemburgun dhe Izraelit as i pohoi dhe as i mohoi raportimet e mediave italiane rreth ofertave të mundshme nga Kina dhe largimit të tij nga drejtimi i Shqipërisë pas ndeshjes me Izraelin. “Nuk përgjigjem për gjëra që nuk kanë lidhje fare. Sa herë e keni parë emrin tim që do të shkojë nga një anë e pastaj ka përfunduar në anën tjetër. Flasim për ndeshjen me Luksemburgun dhe për atë e Izraelin”, tha De Biasi.
Përballjen me Izraelin De Biasi e sheh si një test shumë të rëndësishëm për eliminatoret, që u shkaktoi një humje shumë të hidhur kuqezinjve nëntorin e kaluar. “Ky është një një test i rëndësishëm për ne ndaj një skuadre që nuk duhet nënvlerësuar. Ata që do të jenë në fushë do të kenë një mundësi për të treguar se mund të luajnë ndaj Izraelit. Gjithsesi, formacioni që do të luajë mund të jetë ose jo ai që do të jetë përballë Izraelit. Humbja nëntorin e kaluar më ka lënë një shije të hidhur. Atë ndeshje e humbëm sa për faj të arbitrit e sa për fajin tonë, pasi ndoshta nuk kemi qenë të fokusuar te objektivi i rëndësishëm. Izraeli është një skuadër e fortë dhe në këto nivele nuk mund të përballesh poshtë mundësive, por duhet të japësh maksimumin. Duhet të jesh në maksimum fizikisht dhe psikologjikisht. Jam i hidhëruar që nuk është Balaj për arsye dëmtimi, por të tjerët janë gati që kanë treguar formën më të mirë”, tha ai.
Nga fjalët e trajnerit kuptohet qartë se marrëdhëniet me Ergys Kaçen i ka normalizuar, ndërkohë që nuk ndryshon qëndrimi ndaj Taulant Xhakës, i lënë jashtë listës, për aq kohë sa futbollisti i Baselit nuk do të bëjë autokritikë për sjelljen e tij.
“Kaçe ka kuptuar që ka gabuar me sjelljen e tij me mua dhe me shokët dhe federatën. Është rritur mendoj shumë psikologjikisht. Ka kuptuar që mund të gabosh dhe nga këto gabime mund të mësosh dhe të kesh një mundësi më shumë. Kaçe më dha një mesazh dhe më tha se kishte gabuar dhe se ishte gati për t’iu bashkuar grupit dhe për të dhënë kontributin e tij, ndërsa Xhaka nuk ka bërë asgjë. Një njeri që ikën nga grumbullimi dhe i braktis shokët e tij më mirë të evitohet. Ai është vetëmënjanuar dhe do të qëndrojë larg për aq kohë sa nuk do të ndryshojë”, tha De Biasi.
Një vit më parë Shqipëria ishte protagoniste në finalet e Europianit, ndërsa në kualifikueset e botërorit Rusi 2018 objektivi maksimal që mund të arrijë është vendi i tretë. De Biasi e ka një shpjegim për këtë ecuri poshtë pritshmërive. “Ajo që ka munguar ndoshta ka qenë sjellja për të qenë protagonistë në vazhdimësi. Për t’i bërë gjithmonë mirë gjërat në jetë duhet të jesh i aftë që të fokusohesh gjithmonë tek objektivi me të njëjtën uri. Mendoj se nuk kemi qenë të aftë për të qëndruar në nivelet më të larta. Është në natyrën njerëzore që kur arrin majën e ke të vështirë ta ruash nivelin për një kohë të gjatë”, tha ai.
Por a është penduar De Biasi që rinovoi kontratën pas Europianit me Shqipërinë? “Nuk jam aspak i penduar që qëndrova pas Europianit. Veprova duke qenë i bindur se kjo skuadër mund të përmirësohej. Kur arrin në fund të jetës pyet veten se sa gjëra mund t’i kishe bërë ndryshe. Por ti e ke jetuar tashmë jetën tënde dhe ke bërë edhe gabime, i ke gjetur dhe ke ecur përpara. Kur mbaron ndeshje të gjithë janë të aftë të bëjnë kritika. Duhet të kuptosh se cilat janë alternativat nëse kampionatet në Europë na kanë furnizuar me lojtarë të rëndësishëm dhe që luajnë në vazhdimësi. Nëse ne kemi futbollistë që kanë vështirësi për të luajtur te skuadrat e tyre, është normale që skuadra të mos rritet në cilësi dhe në eksperiencë. Ky është problemi më i madh. Jemi vend i vogël ku njerëzit flasin shumë”, përfundoi De Biasi.

Prezantohet Jorge Sampaoli: Argjentina një ëndërr për mua

Te Argjentina nis epoka Jorge Sampaoli. 58-vjeçari u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i përfaqësueses albiceleste, me ish-teknikun e Sevillas që ka marrë përsipër detyrën e vështirë për të kualifikuar direkt, La Selecion në Botërorin Rusi 2018 dhe mbi të gjitha për të tentuar fitimin e Kupës së Botës. Një ëndërr e bërë realitet për Jorge Sampaolin, i cili pasi u konfirmua si një trajner fitues me Kilin, ndërsa bëri mirë edhe me Sevillan, tashmë do të drejtojë përfaqësuesen e vendit të tij, duke pasuar në detyrë Edgardo Bauzën, i cili u shkarkua nga drejtimi i Argjentinës pas humbjes 2-0 ndaj Bolivisë.
“Gjithmonë e kam admiruar këtë pozicion. Është një ëndërr e bërë realitet për mua të jem trajneri i Argjentinës. Jam shumë i emocionuar dhe dua të punoj fort dhe me shumë pasion për të arritur gjëra të mëdha”, tha ai.
Momentalisht Argjentina pozicionohet në vendin e 5-të të eliminatoreve në zonën e Amerikës së Jugut, pozicion që të kualifikon në play off. Sampaoli e ka të qartë që kualifikimi direkt në Botërorin e Rusisë nuk do të jetë i thjeshtë për La Selecion, por me një lojtar si Lionel Messi në skuadër ai është i vetëdijshëm se Argjentina mund të mposhtë çdo kundërshtar.
“Fushata kualifikuese në Amerikën e Jugut është shumë e ndërlikuar për vetë faktin se ka shumë skuadra të mira që kanë të njëjtin objektiv si ne, të jenë pjesë e kampionatit botëror. Messi? Unë e dua Leon, jo të vijë këtu te Argjentina. Unë dua që ai të shkëlqejë dhe të shfaqë edhe në kombëtare versionin e tij më të mirë pasi është lojtari më i mirë në botë dhe meriton të ndihet i lumtur edhe kur luan me përfaqësuesen e vendit të tij”, përfundoi Sampaoli.

Murillo: Kam 3 vite kontratë me Interin

Jeison Murillo nuk shqetësohet për të ardhmen e tij. 25-vjeçari i Interit është i qetë përsa i përket lajmeve që flasin për destinacionin e tij të ri. Në një intervistë të dhënë, lojtari kolumbian thekson se ka ende 3 vite kontratë me klubin zikaltër dhe për momentin mendon vetëm të shijojë pushimet me familjen e tij. Klubi i fundit që ka shfaqur interes për Murillo është Zeniti, pasi lojtari pëlqehet nga trajneri ri i skuadrës, Roberto Mançini.

Oferta e re e Milanit për Donarumën

Do të rinovojë Xhixhio Donaruma me Milanin apo jo? Kjo është për momentin telenovela e merkatos të Serisë A, pasi portieri dhe kuqezinjtë duken shpesh afër dhe shpesh larg njëri-tjetrit. Portieri dëshiron të qëndrojë, por kërkon kushtet e duhura, sidomos në aspektin ekonomik, edhe pse është vetëm 18 vjeç.
Dje në Montekarlo është zhvilluar një takim mes tij, menaxherit Raiola dhe dy zyrtarëve të Milanit, Mirabeli e Fasone. Këta të fundit, pasi kanë diskutuar gjatë me pronarët kinezë, kanë bërë propozimin më të fundit ekonomik.
Sipas mediave italiane, Donarumës i është ofruar një kontratë prej rreth 4,5 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur këtu edhe bonuse të tjera që e çojnë këtë shifër deri në 5 milionë euro. Bëhet fjalë për një rrogë shumë të lartë për një adoleshent, e paparë ndonjëherë në Serinë A.
Nga ana tjetër, Milani i ofron edhe mundësinë futbollistit që të ndërpresë në mes marrëveshjen e re, duke i vendosur një klauzolë largimi, por sigurisht ajo nuk do të jetë e ulët. Nuk bëhet e ditur se sa do të jetë kjo klauzolë, por mediat italiane spekulojnë për një shifër që i afrohet 100 milionë eurove.
Donaruma dhe menaxheri i tij kanë kërkuar kohë të mendohen, para se të kthejnë një përgjigje përfundimtare. Gjatë ditës së shkuara, menaxheri i portierit, Raiola, kishte deklaruar se futbollistin e kërkonin 11 klube të ndryshme në Europë.

Franck Kessie, zyrtarisht i Milanit

Mbrojtësi argjentinas, Mateo Musacchio ishte vetëm goditja e parë. Por për të kuptuar se projekti i pronarëve të rinj kinezë për të ndërtuar një Milan shumë të fortë për të ardhmen është serioz kuptohet kur shikon që në vetëm pak ditë klubi kuqezi ka zyrtarizuar një tjetër blerje. Franck Kessie tashmë është një futbollist i Milanit. Mesfushori i talentuar nga Bregu i Fildishtë, pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore firmosi një kontratë deri më 30 qershor të 2019-tës me skuadrën e Montellës.
Kessie u tranferua nga Atalanta te kuqezinjtë në formë huazimi me detyrim blerjeje nga ana e Milanit pas 2 vitesh për 28 milionë euro, plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh, ndërkohë që kur t’i përfundojë periudha e huazimit, futbollisti do të firmosë një marrëveshje afatgjatë me Milanin. Pas disa problemeve që u shfaqën në ditën e parë të vizitave mjekësore, Kessie është mirë fizikisht. 20-vjeçari, i cili rezultoi një nga zbulimet më të bukura të këtij sezoni në Serinë A, duke realizuar dhe 6 gola me fanellën e Atalantës, u prezantua nga drejtori i Përgjithshëm i Milanit, Marco Fassone.
Pas firmës, për “Milan Chanell”, Franck Kessie tha edhe fjalët e para si futbollist i skuadrës kuqezi: “Dua t’i falënderoj të gjithë, menaxherët e mi, skuadrën, jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e një klubi të madh si Milani. Zgjodha kuqezinjtë sepse më pëlqeu projekti i tyre, kam folur edhe me trajnerin Montella, i cili më ka siguruar se te Milani mund të bëhem një kampion i madh. Një nga futbollistët e kësaj skuadre që më ka pëlqyer gjithmonë ka qenë Essien. Kam zgjedhur numrin 19 ashtu si edhe vitin e kaluar”, theksoi në fund Franck Kessie.

Çekiçi: Fitojmë me Francën

Ai është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në kombëtaren e 21-vjeçarëve dhe është gati për të nisur një tjetër fushatë kualifikuese me kuqezinjtë e vegjël pas asaj të edicionit të kaluar. Në miqësoren ndaj Francës dhe eliminatoren ndaj Estonisë sytë e të gjithëve do të jenë të përqendruar te Endri Çekiçi. Mesfushori, i cili e mbylli sezonin me Lokomotivën e Zagrebit është optimist mbi mundësitë që kanë Shpresat që drejtohen nga Alban Bushi për të bërë një figurë të mirë dhe pse jo për të fituar ndaj Francës të hënën.
“Synimi ynë është të hyjmë në fushë, të japim maksimumin dhe të tregojmë që edhe pse Franca është një ekip i madh që ne mundemi, mundemi të luajmë ndaj çdo kundërshtari. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip dhe synimi ynë është ta fitojmë ndeshjen. Unë luaj në pozicionin pas sulmuesit kryesor në kombëtare dhe kjo tregon sesa dëshirë kemi ne për ta fituar një ndeshje, pra ne kërkojmë gjithmonë maksimumin dhe hyjmë në fushë për të fituar. Luajmë pothuajse me 4 sulmues dhe ky është një fakt që nuk kënaqemi asnjëherë me barazimin”, tha Çekiçi.
Nga miqësorja e luksit te eliminatoret që nisin me sfidën ndaj Estonisë. Edhe pse kuqezinjtë e vegjël kanë në grup skuadra me emër të madh si Spanja, Sllovakia e Islanda, Çekiçi nuk i trembet askujt dhe e përcakton qartë objektivin e Shqipërisë së 21-vjeçarëve. “Kur hyjmë në një kompeticion, objektivi ynë i vetëm duhet të jetë maja kështu që në këto eliminatore do të kërkojmë vendin e parë”, tha ai.
Sezonin e fundit mesfushori 20-vjeçar luajti si i huazuar te Lokomotiva e Zagrebit, skuadër me të cilën bëri mirë, por cila do të jetë e ardhmja e Endri Çekiçit, kartoni i të cilit është në pronësi të Dinamos së Zagrebit.
“Ka disa oferta konkrete, por mbetet për t’u parë. Duhet të bisedoj me drejtuesit e Dinamos së Zagrebit dhe me presidentin, mundësitë janë të hapura edhe për një rikthim te kjo skuadër, por edhe për një transferim te një tjetër klub, gjithsesi këtë do ta tregojë vetëm koha”, tha Çekiçi.
Një nga risitë, në listën e Alban Bushit për sfidat ndaj Francës dhe Estonisë, është sulmuesi Valdrin Mustafa, i cili luan me të rinjtë e Kaiserslauternit në Gjermani. I lumtur, por në të njëjtën kohë edhe gati për të dhënë kontributin e tij në kombëtaren e 21-vjeçarëve, 19-vjeçari nuk e fshehu kënaqësinë për këtë grumbullim në fjalët e tij.
“Jam shumë i lumtur që kam marrë ftesën për të qenë pjesë e përfaqësueses së 21-vjeçarëve. Ëndrra ime është të luaj për kombëtaren A, por tani dua të jap maksimumin dhe të tregoj vlerat e mia me Shpresat. Konkurrenca është shumë e madhe. Unë jam i datëlindjes 1998, ndërkohë që pjesa më e madhe e lojtarëve janë të ‘96-tës dhe ‘97-tës dhe unë duhet të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje për të fituar besimin e trajnerit”, tha ai.
Pas një sezoni fantastik me 19-vjeçarët e Kaiserslauternit, Mustafa tani dëshiron të spikasë me ngjyrat kuqezi. “Kam realizuar 20 gola me Kaiserslauternin në këtë sezon, tani dua të jap maksimumin me kombëtaren e 21-vjeçarëve që në të ardhmen të jem pjesë e përfaqësueses së madhe”, përfundoi Mustafa.

Mbappe, 100 milionë!

Monaco's French forward Kylian Mbappe Lottin celebrates after scoring a goal during the French L1 football match Monaco (ASM) vs Troyes (ESTAC) on February 20, 2016 at the "Louis II Stadium" in Monaco. AFP PHOTO / VALERY HACHE / AFP / VALERY HACHE (Photo credit should read VALERY HACHE/AFP/Getty Images)

Rinovimi me trajnerin Arsene Wenger ishte vetëm hapi i parë i drejtuesve të Arsenalit për fillimin e një projekti fitues. “Topçinjtë” e Londrës kanë vendosur që këtë verë të mos kursehen në merkato, pasi dëshirojnë të rikthehen menjëherë në Champions League aty ku do të mungojnë pas plot 20 vitesh, por pse jo të rivalizojnë edhe për titullin në Premier League. Sipas “L’Equipe”, Arsenali me kërkesë të trajnerit Wenger po përgatit goditjen e madhe në merkaton e verës. Sipas të përditshmes franceze, klubi nga Emirates i ka ofruar Monakos plot 100 milionë euro për të marrë shërbimet e talentit Kylian Mbappe. Për 18-vjeçarin interesohet fuqishëm edhe Reali i Madridit me Los Blancos që janë dëshira e parë e lojtarit për të vazhduar karrierën, ndërsa mbetet disi më pas Manchester City.
Por me klubin merengues që po qëndron në vendnumëro, mes Mbappe dhe Realit është futur Arsenali që kërkon të bindë francezin të transferohet në ishull. Wenger sheh te 18-vjeçari një miks të Ronaldo fenomenit dhe Thierry Henry-së dhe mendon se me afrimin në Londër të Mbappe do të blindonte sulmin e Arsenalit për vitet në vazhdim. Wenger në këto vite ka treguar se është një trajner që beson shumë te talentet e reja dhe me kalimin në Emirates, Mbappe nga një i ri me shumë klas mund të shndërrohej në sulmuesin më të mirë në botë. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e lojtarit, por nuk do të ishte aspak çudi që Kylian Mbappen sezonin e ardhshëm ta shihnim duke mbajtur veshur fanellën e Arsenalit.
Në garë për blerjen e talentit Mbappe është edhe Reali i Madridit. Aventura e James Rodriguezit në Real Madrid do të përfundojë pas finales së Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit, shkruan “AS”. Rodriguez do ta mbyllë aventurën te Los Balncos në Cardiff. Pikërisht në këtë vend kolumbiani e kishte nisur aventurën te Real Madridi. Ai më 12 gusht të vitit 2014 luajti në Cardiff ndeshjen e parë me Real Madridin ndaj Sevillas në kuadër të Superkupës së Evropës.
James Rodriguez, i cili ka luajtur vetëm 13 ndeshje si titullar këtë sezon, është mes Manchester Unitedit dhe Interit. Ai ka kontratë me Realin deri në vitin 2020 dhe nga “Santiago Bernabeu” do të largohet për një shifër mes 60-80 milionë eurove.

Griezmann qëndron tek Atletico Madrid

Klubet e interesuara për të duhet ta harrojnë. Antoine Griezmann do të qëndrojë te Atletico e Madridit, me Los Colchoneros që shumë shpejt do t’i rinovojnë kontratën sulmuesit francez, i cili për të qëndruar te skuadra e Diego Simeones ka refuzuar oferta shumë më të mira në aspektin ekonomik. Manchester United, por edhe Reali i Madridit ishin gati të shpenzonin shifra marramendëse për bomberin 26-vjeçar, por tashmë sidomos pas dënimit të marrë nga FIFA me bllokimin e merkatos në hyrje gjatë kësaj vere, shanset që francezi të largohet nga Atletico janë pothuajse zero.
Vetëm 3 muaj më parë, Griezmann rinovoi kontratën e tij me Los Colchoneros deri në vitin 2021, ndërsa në marrëveshjen e re u përfshi edhe një klauzolë largimi që kap shifrën e 100 milionë eurove. United ishte gati t’i shpenzonte këto para për sulmuesin, por Griezmann ka vendosur t’i thotë jo çdo oferte pasi dëshiron të vazhdojë aventurën e tij me klubin bardhekuq. Si shpërblim, Atletico do t’i paraqesë Griezmann-it një kontratë të re me një pagë akoma edhe më të lartë. Tifozët e Atletico së Madridit tashmë mund ta bëjnë gjumin të qetë sepse do të vazhdojnë të shijojnë magjitë e Antoine Griezmann edhe për sezonet në vazhdim.

Dortmund, Bosz në “pole” për stolin

Pas shkarkimit të Thomas Tuchel, te Borussia Dortmund kanë nisur punën për të gjetur pasuesin e tij. Peter Bosz është favoriti për të zëvendësuar 43-vjeçarin në pankinën e verdhezinjve. Sipas asaj që raporton “Bild”, pas “Jo”-së nga Nice për trajnerin Lucien Favre, tashmë tekniku i Ajax-it është kthyer në objektivin parësor të gjermanëve. Peter Bosz është në krye të klubit holandez që prej vitit 2016, ku ka firmosur kontratë 3-vjeçare me nënkampionët e Eredivisie.

Inzaghi, te Lazio deri më 2020

Lazio dhe Simone Inzaghi ende së bashku. Pas ecurisë pozitive të këtij sezoni, që kulmoi me kthimin e skuadrës në Europa League, trajneri i bardhekaltërve rinovoi kontratën edhe për 3 sezonet e ardhshme, duke e mbajtur në kryeqytetin italian deri në vitin 2020. Në marrëveshjen e re ka dhe përmirësim të pagës me 41-vjeçarin që tashmë do të fitojë 1.2 milionë euro në sezon. Së bashku me Inzaghi-n është konfirmuar edhe stafi i tij, me Farris si zëvendëstrajner.