Mbrojtësi i Barcelonës, Lucas Digne, objektiv i Interit në merkato dhe që më parë në Itali ka luajtur me fanellën e Romës, dëshiron të qëndrojë te klubi katalanas. Në një intervistë të dhënë 23-vjeçari sqaron se kur je pjesë e një skuadre si Barcelona, që është më e mira në botë, nuk e mendon aspak largimin. Spanjolli ndihet shumë i kënaqur me sezonin e tij të parë te blaugranat, pasi është aktivizuar në 26 ndeshje dhe synimi i tij është të qëndrojë sa më gjatë në “Camp Nou”.
Thorgan Hazard objektiv i Arsenalit
Arsenali hedh sytë nga Bundesliga, për të përforcuar sulmin gjatë merkatos së verës. Mësohet se “Topçinjtë” kanë shfaqur interes për Thorgan Hazard të Borussia Monchengladbach, që është dhe vëllai i yllit të Chelsea, Eden. Sulmuesi belg është paraqitur shumë mirë me gjermanët dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e trajnerit Arsene Wenger. Megjithatë, Arsenali duhet të konkurrojë me Everton për Hazard, i cili vlerësohet nga Gladbach 18 milionë euro.
Morata i thotë “Po” Milanit
Alvaro Morata ka vendosur të mos presë kandidaturat e Chelsea-t dhe Manchester United. Sulmuesi ka hapur dritën jeshile për Milanin duke i thënë po klubit kuqezi. Është bindur nga biseda me drejtorin sportiv të Milanit, Max Mirabelli, e natyrisht edhe nga oferta prej një page prej 7.5 milionë eurosh neto në sezon.
Futbollisti kishte kërkuar disa ditë të mendohej para se të kthente përgjigje ndaj ofertës që i kishin bërë italianët dhe më në fund, dje u është përgjigjur pozitivisht atyre. Palët kanë një akord paraprak për një pagë prej 7,5 milionë eurosh neto në sezon. Por ky është vetëm hapi i parë. Milani tani duhet të bindë Realin e Madridit për të lënë lojtarin të largohet. Morata është lojtar stoli te madrilenët, por ata nuk kanë ndër mend ta lënë të largohet për një shifër të ulët.
Gjithsesi, jo gjithçka ka përfunduar, pasi tani Milanit i duhet të gjejë mirëkuptimin edhe me Realin e Madridit në nivel klubesh. Në buxhetin e Milanit është parashikuar një shumë prej 60 milionë eurosh për Moratën që do të zërë vendin e sulmuesit titullar në skuadrën e Montellës, duke marrë trashëgiminë e Carlos Bacca. Morata ka gjetur shumë pak hapësira në eksperiencën e tij te Reali i Madridit, ndaj edhe tani preferon që më mirë ta nisë nga një aventurë në kualifikueset e Europa League se sa të rikthehet te Juventusi ku ishte nga 2014 deri më 2016 nën urdhrat e Allegrit.
Nis edukimi i votuesve të rinj, 35 mijë maturantë votojnë për herë të parë
Në Shqipëri, Akademia e Studimeve Politike po zhvillon një seri takimesh me maturantë, që votojnë për herë të parë.
Programi i edukimit të këtyre votuesve të veçantë po mbështetet nga Këshilli i Europës dhe diplomatë perëndimorë, që po diskutojnë me të rinjtë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në demokraci. Akademia e Studimeve Politike zhvilloi dje në Tiranë një takim me nxënës të shkollës së gjuhëve të huaja, që votojnë për herë të parë.
Këtë vit janë mbi 35 mijë maturantë, që votojnë për herë të parë dhe programi i edukimit të votuesve për herë të parë në zgjedhjet e 25 qershorit është shtrirë në të gjithë gjimnazet e Shqipërisë. Në serinë e takimeve me maturantët po marrin pjesë edhe shumë ekspertë të legjislacionit, shoqërisë civile dhe diplomatë të vendeve perëndimore të akredituar në Tiranë.
Ata po diskutojnë me të rinjtë mbi rëndësinë e angazhimit qytetar në demokraci.
“Në Shqipëri qytetarët e rinj duhet të përdorin votën e tyre dhe kjo është gjëja më e mirë që duhet ta bëjnë shumë shpesh. Zvicra është një nga vendet më të vjetra demokratike, ku qytetarët e përdorin shumë shpesh votimin në jetën e tyre të përditshme. Ja pse ne i mbështesim të rinjtë shqiptarë. Ata duhet të mësojnë se çdo votë numërohet dhe se angazhimi i tyre në demokraci është i nevojshëm. Vetëm nëse ju merrni pjesë në votime ju mund të ndikoni në punët e vendit, nëse nuk merrni pjesë ju nuk mund të ndikoni në demokracinë e vendit”, tha Christoph Graf, ambasador i Zvicrës në Shqipëri.
Në këto takime maturantët marrin këshilla praktike dhe ligjore, si dhe shumë informacion mbi rregullat e një procesi votimi për të qenë sa më të qetë gjatë ushtrimit të të drejtës së tyre për të votuar. Kjo është një veprimtari që Akademia e Studimeve Politike e kryen prej 6 vitesh, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, Ministrinë e Arsimit dhe KQZ.
OKB ofron ekspertizë teknike për zgjedhjet
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, priti në një takim Koordinatorin e Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht Përfaqësues i Përhershëm i Programit për Zhvillim (KB), Brian J. Williams. Qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi mes KQZ-së dhe Kombeve të Bashkuara për zgjedhjet parlamentare të datës 25 qershor 2017. Kryetari i KQZ-së, Zguri e njohu Williams me ecurinë e përgatitjeve të procesit zgjedhor dhe hapat që KQZ po ndërmerr për të garantuar zbatimin e ligjit për partitë politike, i cili u ndryshua nga Kuvendi i Shqipërisë disa ditë më parë dhe që parashikon monitorim rigoroz të financimit të partive politike dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore. Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara shprehu gadishmërinë e organizatës që përfaqëson, për të ofruar ekspertizë teknike në fushën e zgjedhjeve.
NATO mirëpret Malin e Zi
Mali i Zi, një shtet i vogël në juglindje të Evropës, nga sot do të ketë ulësen e tij në takimet formale dhe joformale të NATO-s. Nga fillimi i qershorit, ndërkaq, do të jetë edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës Veriatlantike. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se kryeministri malazez, Dushko Markoviq, do t’iu bashkohet për herë të parë aleatëve në takimin e sotëm në Bruksel. “Parlamentet e të 28 aleatëve dhe Parlamenti i Malit të Zi kanë ratifikuar pranimin e këtij vendi në NATO. Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, tha Stoltenberg. NATO i ka dhënë Malit të Zi planin për anëtarësim qysh në vitin 2009, ndërsa më 2015 i ka bërë ftesë për t’iu bashkuar aleancës. Procesi e ka irrituar Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka menduar se mund ta ketë Malin e Zi në sferën e saj të ndikimit. Qëkur Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006, Moska ka kultivuar lidhje të ngushta me republikën ish-jugosllave, ndërsa investitorët dhe turistët rusë kanë derdhur para të majme atje. Nga viti 2015, afërsia e tyre është kthyer në rrëmujë. Mali i Zi ka fajësuar Rusinë për një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, në tetor të vitit të kaluar. Rusia, në anën tjetër, ka ndërprerë investimet në Mal të Zi, ka zvogëluar turizmin atje, ndërsa, së voni, ka ndaluar edhe importin e verës malazeze. “Jemi të përgatitur për çdo veprim të Rusisë, por asgjë nuk do të na pengojë në rrugën që kemi vendosur të marrim”, u tha gazetarëve, ditë më parë, kryeministri malazez, Markoviq. “Ballkani, me shekuj, ka qenë skenë e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes. Si asnjë vend tjetër në rajon, Mali i Zi ka lidhje të fuqishme me Lindjen, por në vitin 2006 (v.j. kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë), kemi marrë një vendim kyç, për të pranuar standardet dhe vlerat perëndimore”, tha Markoviç
Trump: NATO të fokusohet në shpenzime, terrorizëm, imigrim dhe kërcënimin rus
Presidenti amerikan, Donald Trump, sot ka kërkuar nga liderët e 27 vendeve të tjera të NATO-s, që të bëjnë më tepër në luftimin e terrorizmit, ndërsa imigrimin dhe kërcënimin nga Rusia, t’i vendosin lart në agjendën e tyre. “NATO-ja e së ardhmes duhet të përfshijë fokus të madh në terrorizëm dhe imigrim dhe, po ashtu, në kërcënimet nga Rusia dhe kufijtë lindor dhe jugor të NATO-s”, u tha Trump liderëve të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel. Donad Trump, i cili njëherë e kishte karakterizuar NATO-n si “të vjetruar”, po ashtu, e ka përsëritur kërkesën e tij që vendet anëtare të bëjnë “kontribute të tyre të plota dhe komplete” për aleancë, duke i rritur shpenzimet e tyre për mbrojtje. “Kjo nuk është korrekte për njerëzit dhe taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara”, tha Presidenti Trump, dhe ka shtuar se “nëse vendet e NATO-s i bëjnë kontributet e tyre të plota dhe komplete, atëherë NATO-ja do të jetë edhe më e fuqishme se sa është sot, veçanërisht nga kërcënimi i terrorizmit”. Vendet anëtare të NATO-s në të kaluarën patën shprehur përkushtim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 2% të GDP-së së tyre deri në vitin 2024. Aktualisht, vetëm Britania, Estonia, Greqia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë arritur këtë nivel të shpenzimeve. Presidenti Trump nuk e ka përmendur fare Artikullin 5 të marrëveshjes së NATO-s për mbrojtje reciproke, ku theksohet se sulmi kundër një vendi anëtar, paraqet sulm kundër të gjithë anëtarëve. I pyetur për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për Artikullin 5, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se “ai shkon pa u përmendur” dhe se “prania e Trumpit në këtë ngjarje i thekson përkushtimet tona për obligimet e marrëveshjes”.
“Veliera” rikthehet për gjykim në Gjykatën Administrative
Rikthehet për gjykim çështja “Veliera” në Durrës, e cila tashmë do të gjykohet në themel në Gjykatën Administrative. Dje është zhvilluar seanca përgatitore, ku pala paditëse dhe ajo e paditur kanë paraqitur dokumentacionin përkatës. Palët në këtë proces si shoqëria civile, Bashkia Durrës, Ministria e Kulturës dhe firma ndërtuese kanë paraqitur dokumentet me pretendimet përkatëse pranë gjyqtarit Ergys Gashi, i cili pasi të përgatisë dokumentet e gjyqit me tre gjyqtarë do të njoftojë palët për caktimin e seancës së radhës. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Sazan Guri tha se “ne do ta vazhdojmë këtë betejë dhe gjykimi në themel është sukses i qëndresës sonë”. Ndërsa avokatja e shoqërisë civile, Mirela Jorgo u shpreh se, “në rast se kjo çështje nuk zgjidhet në gjykatat tona do t’i drejtohemi Strazburgut”. Ndërkohë nuk u paraqitën në seancën e djeshme Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Shërbimit Arkeologjik, si dhe një kompani ndërtuese, e përfshirë në projektin “Veliera”. Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.
Vonesat në zbatimin e vendimit të gjykatave penalizojnë rëndë arkën e shtetit
Vonesat në zbatimin e vendimeve të gjykatave, sidomos për të larguarit nga puna në administratën publike, janë duke krijuar kosto shtesë në arkën e shtetit. Pamundësitë për të përballuar zhdëmtimin sipas vendimeve që kanë lëshuar gjykatat kanë bërë që për shumë prej tyre të aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa. Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një procesi auditi, ka gjetur se Ministria e Transportit për shkaqe të ndryshme, nuk ka zbatuar në kohë vendimet e gjykatave të formës së prerë. Për vonesat e ndodhura janë llogaritur/indeksuar interesat ditore nga shpallja e vendimit e deri në ekzekutimin e tij në shumën 5,742,816 lekë në 4 raste, nga i cili 3,877,320 lekë për vitin 2014, për vitin 2015 shuma 1,801,156 lekë dhe për vitin 2016 shuma 210,645 lekë, të cilat përbëjnë shpenzime të parikthyeshme për institucionin. KLSH kërkon nga Drejtoria Ekonomike të pasqyrojë të gjitha vendimet e gjykatave të formës së prerë, për të cilat është vënë në dijeni, në mbyllje të pasqyrave financiare vjetore me qëllim jo vetëm paraqitjen e saktë, por dhe për planifikimin real të shlyerjes së tyre. Për këtë qëllim të krijohet/shfrytëzohet baza e të dhënave e të gjitha vendimeve të gjykatave të formës së prerë. Drejtoria Juridike, me marrjen dijeni të vendimeve të gjykatave të indeksuara me interesa ditore deri në ekzekutimin e tyre të kërkojë shlyerjen me përparësi të këtyre detyrimeve nga ana e Drejtorisë Ekonomike si një mënyrë për shmangien e akumulimit në vite të interesave që përbëjnë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Rrotacionet politike, ndër vite kanë shoqëruar edhe me largime masive nga puna në administratë. Të larguarit më vonë i drejtuar gjykatave duke fituar dëmshpërblim në shumicën e rasteve. Për vetëm për vitin 2015, kur ishte edhe fluksi më i madh i vendimeve për larguarit nga puna pas rotacionit në shtator të 2013, ishte rreth 3.5 miliardë lekë.
Krizë konsumi, të ardhurat nga TVSH e brendshme bien 7.3% në prill
Ndonëse të ardhurat buxhetore kanë shënuar ecuri pozitive në katër muajt e parë të vitit, me një rritje prej 6.6% në raport me faktin 2016, të hyrat nga TVSH e brendshme, një tregues direkt i konsumit të ekonomisë nuk kanë qenë kaq të mbara, duke shënuar dhe tendencë negative. Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH e brendshme për 4-mujorin u rritën me vetëm 1.5% në 11.7 miliardë lekë, duke qenë 12% apo 1.5 miliardë lekë më pak se plani. Duke pasur parasysh se rritja ekonomike është mbi 3% dhe inflacioni rreth 2%, performanca e TVSH-së ka qenë minimale. Ndërsa në prill, ecuria ka qenë tepër negative, teksa të ardhurat nga TVSH e brendshme kanë rënë me 7.3% apo me 196 milionë lekë më pak se prilli 2016, apo rreth 23% më pak se plani i muajit prill. Ka qenë TVSH në dogana ajo që ka shpëtuar këtë zë, duke u rritur me 856 milionë lekë dhe duke rezultuar gati 12% më shumë se plani, të ndihmuar nga rritja e çmimeve të mallrave në bursat ndërkombëtare. Në total, performancën më të mirë tatimore për 4-mujorin e ka shënuar tatim fitimi, që ka tejkaluar planin me 3.4 miliardë lekë dhe taksat nacionale me +1.8 miliardë lekë, që kanë mbuluar mosplotësimin e planit me 1.5 miliardë lekë të TVSH-së së brendshme. Në një tjetër tregues të konsumit të dobët, ekspertët e këmbimit valutor kanë konstatuar se një nga arsyet e zhvlerësimit të euros muajt e fundit lidhet me faktin që ka mungesë të likuiditetit në lekë nga bizneset, si rrjedhojë e aktivitetit të dobët ekonomik. Si rrjedhojë, bizneset po konsumojnë rezervat e tyre në valutë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i depozitave në valutë për korporatat jofinanciare ka rënë me 42 milionë lekë në shkurt-mars të këtij viti, tkurrja më e lartë në më shumë se një vit. Kjo është një mënyrë për të mbuluar mungesën e likuiditetit pohojnë ekspertët e tregut, ndërsa forma tjetër është përmes emetimit të borxheve. Rënia e shitjeve të bizneseve, automatikisht sjell dhe më pak të ardhura nga TVSH e brendshme.
Ambasada amerikane publikon kushtet e reja të aplikimit për vizë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, ka shpërndarë një lajm shumë të mirë për të gjithë ata shqiptarë që duan të shkojnë në Amerikë. Në njoftim thuhet se nëse dëshironi të udhëtoni në SHBA për turizëm, atëherë procedura e marrjes së vizës është mjaft e lehtë, dhe nuk është më e nevojshme garancia. Ja njoftimi i plotë i ambasadës: “Po planifikoni pushimet në SHBA? Po aplikoni për vizë? Ju nuk keni nevojë të paraqisni një garanci në intervistën tuaj për vizë turistike! Pasaporta juaj dhe fleta e konfirmimit të formularit DS-160 janë gjithçka na nevojitet në intervistën tuaj. Kini parasysh që vendimet nuk bazohen tek dokumentet; bazuar në intervistën tuaj, oficeri konsullor do të vendosë nëse ju kualifikoheni për vizën. Si zakonisht, do t’u përgjigjem me kënaqësi pyetjeve tuaja mbi vizat sot dhe gjatë javës”.
Gjiganti i veshjeve Hugo Boss çon në gjykatë Drejtorinë shqiptare të Markave dhe Patentave
Shoqëria gjermane e veshjeve “Hugo Boss Trade Mark Management GMBH” ka hapur një proces në Gjykatën Administrative në Tiranë kundrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Markave dhe Patentave, ku palë e tretë është edhe Avokatura e Shtetit. Kompania gjermane i kërkon gjykatës të shfuqizojë regjistrimin e markës me numër AL/T/2015 me aplikant shoqërinë italiane “Andrea Bossi”. Ankesa e Hugo Boss në Gjykatën e Administrative të Apelit u bë më datën 19 maj. Kompania italiane Andrea Bossi ka kërkuar të regjistrojë markën e saj për artikuj veshjesh, këpucësh, kapelesh. Përfaqësuesi i saj në Shqipëri sipas të dhënave nga Drejtoria e Markave dhe Patentave është Ardit Loloçi me adresë “Rruga e Bogdanëve”. Mirëpo gjiganti europian i veshjeve Hugo Boss ka paditur autoritetet shqiptare për regjistrimin e kësaj marke. Marka është një fjalë, simbol, vizatim, apo kombinim i fjalëve, i frazave, simboleve apo vizatimeve që identifikojnë dhe dallojnë burimin e mallrave të një pale nga ato të një pale tjetër. Përkufizimi i markës së shërbimit është i njëjtë me atë të markës tregtare, me përjashtim që ato të identifikojnë dhe dallojnë burimin e shërbimeve dhe jo produktet. Sistemi i regjistrimit ndërkombëtar të markave rregullohet nga dy marrëveshje ndërkombëtare në të cilat Shqipëria ka aderuar si shtet anëtar: Marrëveshja e Madridit për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave. Legjislacioni kombëtar që rregullon regjistrimin ndërkombëtar të markave përbëhet edhe nga: 1. Ligji Nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë industriale” 2. VKM Nr. 1706, datë 29.12.2008 “Për miratimin e rregullores për regjistrimin e markave tregtare dhe të shërbimit” Kreu XV dhe XVI. Kompania Hugo BOSS pretendon se po abuzohet me markën e saj në Shqipëri. Si një grup globalisht aktiv, kompania shet koleksionet e saj në 127 vende në mbarë botën. HUGO BOSS ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme shitjen me pakicë në vitet e fundit. Në fund të vitit 2016 Grupi ka operuar 442 dyqane të shitjes me pakicë në mbarë botën. Përveç kësaj, HUGO BOSS shet koleksionet e tij në dyqane brenda dyqaneve. Grupi ka 7,700 pika shitjeje. Në vitin fiskal 2016, 62% e shitjeve të grupit janë realizuar nga pikat e veta të pakicës. Biznesi me shumicë i kontribuoi 35% shitjeve të grupit.