32.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Pas kaosit disamujor, rumunët bëhen gati ta zgjedhin presidentin

Rumunët dalin në zgjedhje për të zgjedhur më në fund një president të ri, pas disa muajve përplot kaos të paprecedentë politik. Zgjedhjet e mëparshme u anuluan dhe kandidatit kryesor për postin e presidentit iu ndalua pjesëmarrja.

Balotazhi i raundit të dytë përball nacionalistin George Simion me kandidatin centrist, kryetarin e Bukureshtit, Nicusor Dan.

Simion u përfshi në zgjedhje si zëvendësim për Calin Georgescu, të cilit nuk iu lejua të kandidonte pasi fitoi raundin e parë të votimit në nëntor. Autoritetet rumune anuluan rezultatet mes akuzave për ndërhyrje ruse në fushatë zgjedhore.

Para mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Simioni bazoi fushatën e tij mbi suksesin e Georgescut, duke fituar rreth 41 për qind të mbështetjes në raundin e parë të votimit më 4 maj. Dan ishte shumë mbrapa me gati 21 për qind.

Simion ka qenë përpara në shumicën e sondazheve të kryera që atëherë, megjithëse sondazhet më të fundit tregojnë se kandidatët janë shumë pranë njëri-tjetrit.

Sa u përket kompetencave, presidenti emëron kryeministrin, me miratimin e parlamentit, dhe përfaqëson Rumaninë në samitet e NATO-s dhe BE-së. Ai gjithashtu mund të përdorë veton e vendit në BE.

Kush është George Simion?

Simion premton të përmbysë plotësisht politikën rumune, duke mbajtur një qëndrim euroskeptik brenda Bashkimit Evropian dhe duke i dhënë fund mbështetjes për Ukrainën.

“Qëndrimi ynë është… neutralitet, jo përshkallëzim, jo furnizim me armë, dhe përputhje e përsosur me politikën e administratës Trump”, tha ai më 8 maj.

Simion ka theksuar gjithashtu përputhjen ideologjike me “lëvizjen MAGA dhe ka postuar një foto të vetes online me një kapele të kuqe bejsbolli me logon “Trump Save America”.

Kjo dashamirësi politike mund të jetë e ndërsjellë, pasi Uashingtoni kritikoi ashpër vendimin për të anuluar raundin e parë të zgjedhjeve.

Simion ka acaruar gjithashtu fqinjët e Rumanisë. Ai ka lënë të nënkuptohet për pretendime territoriale ndaj Ukrainës dhe thirrje për bashkim me Moldavinë, çka ka bërë që atij t’i ndalohet hyrja në të dyja vendet.

Më 19 maj, një gjykatë moldave pritet ta shqyrtojë sërish ndalimin e tij, i cili pasoi arrestimin e tij në një protestë në kryeqytetin Kisinau, në vitin 2015.

Disa vite më herët, në vitin 2011, ai kishte një përplasje me ligjin në vendin e tij, duke marrë një gjobë dhe ndalim 6-mujor nga hyrja në stadiume futbolli për thirrje raciste në një ndeshje Rumani-Bosnje e Hercegovinë.

Në dhjetor të vitit 2019, ai bashkëthemeloi partinë Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), e cila tani është grupi i dytë më i madh në parlament. Faqja e internetit e partisë thotë se ajo qëndron për besimin e krishterë, taksat e ulëta, vlerat familjare dhe sovranitetin kombëtar.

Në vitin 2023, ish-ministri i Mbrojtjes së Moldavisë, Anatol Salaru, pretendoi se Simion ishte takuar fshehurazi me një agjent të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) në Ukrainë.

Simion i ka mohuar si këtë incident, ashtu edhe pretendimin më të gjerë se është pro-rus. Ai së fundmi humbi një proces gjyqësor ku kishte paditur Salarun për këtë akuzë.

Ai ka thënë gjithashtu se do të emërojë Georgescun kryeministër. Georgescu, 63 vjeç, e ka quajtur 38-vjeçarin Simion “protegun tim të ri”.

Kush është kandidati tjetër?

Nicusor Dan nuk është anëtar i asnjë partie, ai fitoi garën për t’u bërë kryetar i Bashkisë së Bukureshtit si i pavarur dhe tani po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë për presidencën.

55-vjeçari hyri në politikë në vitin 2015, duke premtuar ta luftonte korrupsionin në kryeqytet.

Si matematikan, ai mori doktoraturën nga Universiteti Sorbona në Paris në vitin 1998, përpara se të kthehej për të punuar në Institutin e Matematikës në Rumani.

Ishte në këtë kohë që ai filloi të angazhohej si aktivist për çështje që lidhen me ndërtimet e paligjshme, planifikimin urban dhe mbrojtjen e trashëgimisë.

Pas dy përpjekjeve të dështuara për t’u bërë kryetar bashkie i Bukureshtit, Dan u zgjodh në vitin 2020 dhe më pas u rizgjodh në vitin 2024.

Vendimi i tij për të kandiduar për president shkaktoi habi, duke pasur parasysh që sapo kishte marrë një mandat të dytë në krye të kryeqytetit. Dan e shpjegoi vendimin duke iu referuar krizës politike që po përfshinte Rumaninë.

Dan tha se lufta kundër korrupsionit dhe grupeve të interesit do të ishte një çështje madhore për presidencën e tij.

Sa i përket politikës së jashtme, Dan ka folur për ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që mban një qëndrim pro-BE-së.

Duke folur pas raundit të parë të votimit më 4 maj, Dan tha se raundi i ardhshëm do të ishte “një debat mes një drejtimi pro-perëndimor për Rumaninë dhe një drejtimi anti-perëndimor”.

Ky është një mesazh që deri tani ka gjetur jehonë tek votuesit e arsimuar në qytetet e mëdha, çka e lë atë përballë një sfide të madhe në raundin e dytë.

Ai ka pasur mundësinë t’u drejtohet votuesve gjatë tre debateve televizive këtë javë, në të cilat Simion nuk mori pjesë./rel

Zbardhet oferta e bujshme e Napolit për De Bryjn, ja sa ofrojnë italianët

Napoli i ofron Kevin De Bryjnes një kontratë me vlerë 12 milionë euro, ndërsa shpreson të sigurojë yllin e Mançester Sitit këtë verë. Mesfushori belg zbuloi muajin e kaluar se do të largohet nga “Etihad”, kur kontrata e tij të skadojë në fund të sezonit.

33-vjeçari, i cili në Mançester paguhet me 20 mln paund në sezon, do të jetë i disponueshëm me parametër zero dhe ka tërhequr interes nga një mori klubesh të mëdha në Evropë dhe Arabinë Saudite. Napoli është përfolur si destinacioni i mundshëm për De Bryjnen, të cilit i pëlqen të punojë me Antonio Konten. Atij do t’i ofrohet një kontratë dyvjeçare me vlerë rreth 5.05 milionë £ (6 milionë euro) në sezon, sipas “La Gazzetta dello Sport”, me opsionin për ta rinovuar edhe për një tjetër vit.

Sekreti i një barku të sheshtë? Këto fruta dhe perime ju ndihmojnë më shumë nga ç’mendoni me tretjen

Tretja e mirë është çelësi i një organizmi të shëndetshëm. Ushqyerja me produkte të pasura me fibra, enzima natyrale dhe përbërës anti-inflamatorë mund të përmirësojë ndjeshëm funksionin e sistemit tretës.

Më poshtë janë 10 fruta dhe perime që rekomandohen për një tretje më të lehtë dhe të shëndetshme:

1. Banania

E pasur me fibra të tretshme, banania ndihmon në rregullimin e lëvizjeve të zorrëve dhe qetëson traktin tretës, veçanërisht në rastet e diarreve apo aciditetit.

2. Kosi me fruta natyrale (sidomos me mollë apo dardhë)

Kosi përmban probiotikë natyralë që nxisin rritjen e baktereve të mira në zorrë. Kur kombinohet me fruta si molla apo dardha, efekti tretës shtohet edhe më shumë.

3. Papaja

Papaja përmban enzimen papainë, e cila ndihmon në ndarjen e proteinave dhe lehtëson tretjen. Është gjithashtu një frut anti-inflamator shumë efektiv.

4. Ananasi

I pasur me bromelain, një enzimë natyrale që ndihmon në shpërbërjen e proteinave, ananasi është një frut ideal për pastrimin e sistemit tretës.

5. Avokado

Me përmbajtje të lartë fibrash dhe yndyrash të shëndetshme, avokado ndihmon në rregullimin e tretjes dhe parandalon kapsllëkun.

6. Molla

Mollët janë të pasura me pektinë, një lloj fibre që përmirëson funksionin e zorrëve dhe nxit lëvizshmërinë e tyre.

7. Panxhari

Panxhari ndihmon në pastrimin e mëlçisë dhe stimulon prodhimin e lëngjeve biliare, që janë thelbësore për tretjen e yndyrnave.

8. Xhinxheri

I përdorur prej mijëra vitesh në mjekësinë tradicionale, xhinxheri ndihmon në lehtësimin e fryrjes, ndalon të përzierat dhe përmirëson lëvizjen e ushqimit nëpër traktin tretës.

9. Karrota

Të pasura me fibra dhe antioksidantë, karrotat ndihmojnë në rregullimin e lëvizjes së zorrëve dhe përmirësojnë florën bakteriale të zorrës.

10. Lakra turshi (fermentuar)

Lakra e fermentuar (si lakra turshi) përmban probiotikë natyralë që mbështesin mikrobiomën e zorrëve dhe përmirësojnë ndjeshëm tretjen.

Për një tretje të shëndetshme, kombinoni këto fruta dhe perime me konsum të mjaftueshëm uji dhe një stil jetese aktiv. Evitoni ushqimet e përpunuara dhe yndyrnat e tepërta që ngadalësojnë sistemin tretës.

Risia e zgjedhjeve duket se është përzgjedhja e kandidateve nga krimi i organizuar si një fasadë e vlefshme maskuese

Nga Gjergj Erebara

97 nga 140 deputetë u emëruan nga kryetari.
41 dolën nga gara ku i kishte caktuar kryetari.
1 u zgjodh me votim brenda partisë së vet.
1 u zgjodh si kandidati më i suksesshëm i listës së hapur.
Krimi i organizuar rezultoi forma më e suksesshme e të bërit fushatë, pasuar nga drejtorllëku në shtet.
Në Shqipëri ka 185 mijë të punësuar në sektorin publik të cilët, sipas raportit të vëzhguesve u vunë nën presion për të votuar PS.
Aktualisht tre eksponentë të njohur të krimit të organizuar janë në arrati, njëri i akuzuar se ka bërë korrupsion elektoral, d.m.th., ka siguruar vota për një politikan.
Risia e zgjedhjeve duket se është përzgjedhja e kandidateve nga krimi i organizuar si një fasadë e vlefshme maskuese.

Weber: Qeveria e re gjermane duhet të bëjë një kthesë strategjike në dialogun Kosovë-Serbi

Nga Sandra Cvetkoviq

Qeveria e re e Gjermanisë, e udhëhequr nga Friedrich Merz, duhet të marrë një rol udhëheqës në politikën e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të kontribuojë në zhvillimin e një qasjeje strategjike ndaj rajonit, vlerëson Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Lideri i demokristianëve gjermanë, Merz, bëri betimin në Bundestag më 6 maj, dhe u bë kancelari i dhjetë në historinë e Gjermanisë, pasi siguroi shumicën e nevojshme vetëm në rundin e dytë të votimit.

Sa i përket qasjes së Gjermanisë ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, Weber vlerëson se Berlini, në vend që të rifillonte me themel këtë proces, doli me propozimin franko-gjerman, çka çoi në “shkatërrimin e plotë të dialogut politik” dhe në dy marrëveshje që, sipas tij, nuk ekzistojnë në realitet.

Sipas Weberit, Qeveria e re e Gjermanisë duhet të ndërmarrë një “kthesë strategjike” ndaj Serbisë dhe ndaj politikës së regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që dialogu politik të mos fundoset.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan më 2023, fillimisht ishte e njohur si plani franko-gjerman, dhe u mbështet nga BE-ja dhe vendet perëndimore. Më pas, u dakordua edhe një aneks për zbatimin e marrëveshjes, por në praktikë thuajse asgjë nuk është realizuar.

Weber thotë për REL-in se mbetet për t’u parë nëse Gjermania ka apo po ndërton një strategji të përshtatshme të politikës së jashtme, por se me siguri do të shprehë shqetësime për “aktorët e tretë me ndikim të dëmshëm në Ballkan”.

Radio Evropa e Lirë: Z. Weber, si do ta përshkruanit strategjinë e politikës së jashtme të Qeverisë së kancelarit Merz? Si ndryshon ajo nga politikat e paraardhësve të tij, Olaf Scholz dhe Angela Merkel?

Bodo Weber: Është ende herët për të gjykuar. Me vizitat në Paris dhe Varshavë, që në ditën e parë të mandatit, si dhe me vizitën e përbashkët në Kiev, me homologët nga Franca, Britania dhe Polonia, kancelari Merz dërgoi një sinjal të fortë se Gjermania do të marrë një rol udhëheqës në kuadër të BE-së, në nivel global. Politika e qeverisë së re është përcaktuar që gjatë negociatave të koalicionit, në dritën e sjelljes së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe administratës së tij ndaj Ukrainës dhe BE-së, me theks të veçantë në forcimin e politikës së përbashkët të sigurisë së BE-së, bazuar në bindjen se SHBA-ja është tërhequr nga Evropa si partnere vlerash.

Megjithatë, hapat e parë, si vizita në Ukrainë dhe nisma e përbashkët BE-SHBA për armëpushim, të shoqëruar me deklarata se SHBA-ja mbetet partneri kryesor, rezultuan të pafrytshme, siç u pa kur Trump e braktisi nismën dhe u dorëzua para Vladimir Putinit. Do të shohim se si do të zhvillohet më tej.

Megjithatë, qeveria e re dhe kancelari i ri po theksojnë nevojën për një politikë më vendimtare në planin evropian dhe ndërkombëtar. Pyetja mbetet nëse do të kenë strategjinë e nevojshme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli mendoni se duhet të luajë Gjermania në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?

Bodo Weber: Gjermania duhet të marrë përsëri rolin udhëheqës në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të ndihmojë në krijimin e një politike strategjike për rajonin – diçka që BE-së i ka munguar për më shumë se dy dekada – përfshirë edhe nevojën urgjente për një kthesë ndaj Serbisë dhe një qasje më politike ndaj krizës në Bosnje.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni angazhimin e kësaj qeverie në kuadër të Procesit të Berlinit?

Bodo Weber: Ndryshe nga ardhja e qeverisë së mëparshme të Scholzit, kur nuk ishte e qartë nëse kancelari kishte ndër mend të vazhdonte me Procesin e Berlinit, kësaj here marrëveshja e koalicionit njofton qartësisht vazhdimin e tij. Pra, Berlini mbetet i përkushtuar ndaj këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të qaset Gjermania ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, duke pasur parasysh kontekstin politik në BE dhe zhvillimet në rajon?

Bodo Weber: Aktualisht, kjo është e paqartë – ashtu si e gjithë politika ndaj Ballkanit Perëndimor. CDU/CSU [Unioni Demokristian/Unioni Socialkristian], gjatë kohës në opozitë, ka mbështetur konceptin e anëtarësimit të shkallëzuar, që, sipas meje, është një koncept i dështuar dhe, në fakt, një mënyrë për të refuzuar anëtarësimin e plotë, duke ofruar një status të dorës së dytë. Në negociatat për koalicion, socialdemokratët arritën ta neutralizojnë këtë koncept. Megjithatë, marrëveshja përmend nevojën për reformimin e brendshëm të BE-së, për të pranuar anëtarë të rinj – një kërkesë që ekzistonte edhe më herët, por pa sukses. Problemi kryesor i politikës gjermane është se, për tre dekada, nuk ka dhënë kontribut serioz në debatin strategjik për të ardhmen e BE-së dhe, rrjedhimisht, as për të ardhmen e zgjerimit.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli mund të luajë Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht nën udhëheqjen e kancelarit Merz?

Bodo Weber: Qeveria e re konservatore përballet me trashëgiminë e dialogut politik që nisi kancelarja Merkel, me përkrahjen e deputetëve konservatorë. Nën Scholzin, në vend të një rivendosjeje të thellë të dialogut, pas episodit të rrezikshëm të shkëmbimit të territoreve, Qeveria gjermane ndërmori iniciativën franko-gjermane me një vullnet të pamjaftueshëm politik, dhe duke vazhduar politikën e dështuar të pajtimit ndaj regjimit të Vuçiqit. Rezultati ishte shembja e dialogut, dhe dy marrëveshje që, në fakt, nuk ekzistojnë.

Pyetja është nëse Qeveria e re gjermane do të këmbëngulë në këto marrëveshje të papërmbushura, apo do të ketë guximin të nxisë një rinisje të thellë të dialogut – për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Kjo do të kërkonte një kthesë strategjike të politikës së BE-së ndaj Serbisë, duke mos e trajtuar regjimin e Vuçiqit si partner vlerash. Por, kjo do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e marrëdhënies së CDU-së me “partinë motër” SNS [Partia Progresive Serbe]. Mbetet për t’u parë nëse CDU-ja dhe Merz kanë forcën për këtë. Në të kundërt, dialogu do të thellohet edhe më shumë në krizë, dhe BE-ja do të humbasë më shumë kredibilitet si aktor demokratik, në Kosovë dhe në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Vitin e kaluar, Gjermania dhe Franca e kushtëzuan mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A do ta mbajë Gjermania këtë qëndrim?

Bodo Weber: Ndryshe nga Parisi, Gjermania ka qenë më e butë në kushtëzimin për aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës. Nëse Berlini do të vazhdojë me këtë politikë për Asociacionin – në mungesë të një kuadri strategjik – mbetet për t’u parë, dhe do të varet nga ajo nëse do të ketë kthesë strategjike në politikën ndaj dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të zhvillohet mbështetja bilaterale e Gjermanisë ndaj Kosovës me këtë qeveri – sidomos për sa i përket kushteve politike apo ndihmës për zhvillim?

Bodo Weber: Pres që marrëdhëniet bilaterale të mbeten të qëndrueshme. Me suksesin e socialdemokratëve, që kundërshtuan bashkimin e ministrisë së Zhvillimit me atë të Punëve të Jashtme gjatë negociatave për koalicion, u kufizua automatikisht mundësia për të ulur fondet për ndihmën zhvillimore në përgjithësi – përfshirë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një sinjal i rëndësishëm, veçanërisht në kohën kur USAID-i [Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar] është tërhequr, dhe disa vende të BE-së kanë ulur ndjeshëm ndihmën.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë qasje mund të ketë Gjermania ndaj pranisë në rritje të aktorëve të jashtëm, si Rusia, Kina apo Turqia, në Ballkanin Perëndimor?

Bodo Weber: Gjermania, si deri tani, do të mbetet e shqetësuar nga veprimet e aktorëve të dëmshëm në Ballkan. Por, mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja, nën administratën Trump, do t’u bashkohet këtyre aktorëve që minojnë interesat e sigurisë dhe vlerave të BE-së në rajon. Vetëm përmes një politike vendimtare dhe strategjike të BE-së mund të përballohen me sukses këta aktorë – dhe për këtë nevojitet udhëheqje serioze nga Gjermania.

Beteja për çlirimin e demokracisë sapo ka fillue…!

Nga Ardi Stefa

Edi Rama e mori mandatin e katërt…
PD për të katërtën herë humbi. Kësaj here më thellë se çdo herë tjetër. 300.000 vota më pak nga PS dhe ende nuk janë numëruar votat e Greqisë…

Ne që e kishim parashikuar me kohë këtë realitet dhe i bënim thirrje PD të reformohej, ndryshonte, të promovonte figura të reja, të ndryshonte retorikën, mendësinë, qasjen ndaj elektoratit ishim, pa asnjë diskutim, për Mulin, Banën, Jozin, Belon, djalin e Fahriut dhe “varetë” e tjera, “të shitur te Rama”, “ishim bespremë, mosmirënjohës, pengje, brava, dryna, paterica…”

Për beltundësit nën tingujt e këngës së Berishës ishim budallenjtë, që nuk dinim të nuhasnim situatat.

Për militarët ishim tradhtarët dhe shërbëtorët e Ramës…

Dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë: “Thënia e së vërtetës së hidhur i shërben vetëm diktaturës së Edvin Kristaq Rams, kreut të narkoshtetit e narkodiktaturës, kurse gënjeshtra i shërben demokracisë së kulluar e të pastër qelibar të Sali Berishs.”

Sot, disa ditë pas humbjes, refreni i nisur nga Berisha dhe i amplifikuar nga Muli dhe mulët e tjerë është:
“Kjo ishte masakra më e madhe elektorale në histori. Vullneti i shqiptarëve u tjetërsua në mënyrën më monstruoze. Votat u blenë, u vodhën, u grabitën, u manipuluan. Votat dhe vullneti i lirë i shqiptarëve u masakruan dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi!
Veç meje! Veç nesh!
Prandaj unë/ne NUK iki/ikim, unë/ne NUK ia hap/hapim rrugën reformimit, meritokracisë, qarkullimit të elitave e as rinovimit të partisë!
Unë/ne do ta mbaj/mbajmë partinë fort, duke goditur cilindo, i cili kujton na kujton statutin dhe parimet parimet bazë të demokracisë: “Kush humbet largohet!”
Sepse kush flet kështu, këto fjalë i përdor për llogari të regjimit dhe vetëm e vetëm për të goditur udhëheqjen e përjetshme, udhëheqësin legjendar që na solli demokracinë dhe pluralizmin. Sepse ne nuk kemi humbur. Zgjedhjet na i kanë vjedhur. Vetëm Lulit nuk ia vidhnin, sepse ai i shiste; i tregtonte, ne na i vjedhin…”

Dhe askush nuk do të guxojë të artikulojë e të kërkojë dorëheqjen e madhështorit, as të kërkojë që drejtuesit të mbajnë përgjegjësi politike. Sepse kush guxon apo artikulon këto fjalë, i shërben Edi Ramës, sepse Rama do që Berisha të ikë. Sepse Rama tmerrohet prej Berishës, paçka se e mund gjithmonë.

Pas humbjes madhështore, Berisha thërret protestë në datën 16 maj. Disa qindra demokratë pa kapele me numrin 1, mblidhen në bulevard.
Drejtuesit e PD me në krye Mulin deklarojnë se tani sapo ka fillue beteja finale për përmbysjen e regjimit, i cili u ka vjedhur zgjedhjet.
Muli me fjalorin e tij me gjithsej njëqind fjalë sulmon edhe mediat si të kapura dhe i etiketon me organe gjenitale, pavarësisht se ato media i kanë dhënë aq shumë kohë televizive që të manipulonte elektoratin.
Në sfond dëgjohen thirrjet e disa grave të revoltuara: “E duam Shqipërinë me Sali Berishën!”…

Në mitingun madhështor ku ka më shumë gazetarë e policë se protestues flet para kamerave Jozefina, e cila kujton vitin 2005 kur Sali Berisha u ringrit më i fuqishëm se kurrë. Dhe ajo epokë do të përsëritet, s’ka ku shkon pa u përsëritur, përfundon me lot në sy, si në Këshillin Kombëtar të 2022.

Pastaj përpara kamerave flet mes ngashërimit një burrë në prag të moshës së tretë. Ai do të kujtojë me nostalgji se, kur sapo kishte mbaruar universitetin dhe priste të fillonte punë, Berisha u bë kryeministër, ndërsa tani që është në prag të pensionit lufton që në 2029 Berisha të bëhet përsëri kryeministër. Ai e mbyll fjalimin me thirrjen: “O Sali, o hero, gjithë planeti ty të do!”. Dhe ata që e dëgjojnë kur flet përpara mikrofonit ekzaltohen nga emri i idhulit të tyre.

Pas tij mikrofonin e medias e rrëmben Tritani, i cili betohet e përbetohet se zgjedhjet u vodhën, por nën udhëheqjen e “legjendës” përsëri do të fitojnë dhe ai do të jetë aty, si gjithmonë garant.

Media i drejtohet një kandidati të urtë, i cili edhe pse nuk fitoi, mban me gajret veten dhe ca të tjerë. Kandidatët që nuk fituan nuk janë fare në protestën madhështore.

Tomorri që do i hante socialistët të gjallë deklaron se është bërë vegjetarian dhe të gjithë sallatorët e Shqipërisë janë zhdukur nga qarkullimi në dyqanet e fruta- perimeve.

Gazi, që humbi në mënyrë të madhërishme nuk flet, por qesh nën mjekër e mustaqe.

Pastaj fjalën e merr një 20 vjeçar, petale blu e partisë, i cili gërrthet dhe deklaron se në 2005-ën kur ai lindi, Berisha rilindi si Feniksi nga hiri, prandaj, meqë lindja e tij përkon me rilindjen e Feniks- Sali Berishës, besnikëria e tij do të jetë e përjetshme. Dhe i bën thirrje të mos largohet kurrë nga PD!

Më më në fund flet përpara kamerave udhëheqësi madhështor, me fytyrë të pikëlluar për fatin e zi të mijëra demokratëve, me dhimbje në çdo thinjë.
LaCivita nuk është në krah të tij, sepse mori milionat dhe iku shumë, shumë herë më i pasur dhe duke përqeshur budallenjtë shqiptarë që besuan Fatmirin e republikanëve dhe i dhanë paratë…

Ai betohet se sa të ketë frymë do jetë midis tyre, për dinjitet njerëzor, për votën e lirë, për demokracinë e lirinë. Betohet se nuk tërhiqet kurrë, se s’ka forcë në botë, e jo më parim demokratik, që mundet ta detyrojë të braktisë betejën për demokratizimin e Shqipërisë, të largohet nga Partia Demokratike. Demokracia është e lidhur ngushtë me përjetësinë e tij. Pas tij qameti…
Betohet e stërbetohet se zgjedhjet e vjedhura nuk do të njihen, se masakra zgjedhore do të ndëshkohet; se atë do ta kenë përballë.
Kërcënon, njëlloj si Kina me paralajmërimin e 2265, se Edvin Kristaq Rama nuk do ta gëzojë këtë mandat dhe se ambasadat shumë shpejt do të rrethohen nga demokratët dhe do ta kuptojnë, se ai është Sali Berisha… “o budallenj”…
Se revolucioni vazhdon. Se mosbindja civile do të vazhdojë…
Dhe se ai do të ikë nga drejtimi i partisë vetëm kur ta marrë Zoti…

Ndërkohë…
Partia duhet të vazhdojë të jetë e bunkerizuar dhe uniteti rreth tij i çimentuar. Garant janë Muli dhe nulët e tjerë!

Sekserët e opozitës i shkelin syrin qeverisë dhe i kërkojnë pazare, leje, tendera e koncesione, ashtu siç kanë bërë edhe më parë.

Protesta mbyllet pa u kënduar himni kombëtar!
Demokratët idealistë largohen përsëri pa punë, bukë e shpresë…
Deputetët largohen të kënaqur me makinat 100.000 euro, duke parë në celularët e tyre se çfarë tenderi apo leje për kulla morën…
Partia do të vazhdojë të jetë pronë private, peng i oreskseve të njërit, e mbyllur, e pareformuar, sektare, e destinuar të humbasë gjithmonë…
Dhe diktatura e egër e Edvin Kristaq Rams do të vazhdojë.
Deri në protestën tjetër…

Orjola Pampuri: Falënderoj mbështetësit dhe bashkëpunëtorët për fushatën qytetare dhe pozitive

Në përfundim të një fushate të përkushtuar, e shoqëruar nga qytetaria dhe pozitiviteti, Orjola Pampuri ka shprehur mirënjohjen e saj publike për të gjithë mbështetësit dhe bashkëpunëtorët që e kanë ndjekur dhe mbështetur në këtë rrugëtim politik.

Në një postim në rrjetet sociale, Pampuri theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët ka qenë ndër përvojat më të vlefshme të kësaj fushate. Ajo u ndal veçanërisht te shqetësimet dhe hallet e përditshme të njerëzve, të cilat – sipas saj – janë pasojë e një klase politike që prej 34 vitesh lufton jo për qytetarët, por për interesat personale dhe ruajtjen e pushtetit.

“Falënderoj çdo mbështetës e bashkëpunëtor timin, përgjatë kësaj fushate, tek e cila prevaloi qytetaria dhe pozitiviteti, tek secili prej nesh. Komunikimi me çdo qytetar ishte mundësia më e mirë për t’u njohur me të gjitha hallet tuaja”, shkruan Pampuri.

Ajo nuk nguron të shprehë keqardhjen për drejtimin që ka marrë vendi dhe tregon zhgënjimin e saj për mungesën e përmbushjes personale të shumë aktorëve politikë, të cilët, sipas saj, janë më të interesuar për bizneset dhe privilegjet e tyre sesa për nevojat e qytetarëve.

“Uroj t’ia dilni”, shprehet ajo, duke i inkurajuar qytetarët të mos humbin shpresën për një të ardhme më të mirë. Në fund të mesazhit të saj, Pampuri përcjell një urim të sinqertë për të gjithë: “Uroj më të mirën për ju dhe për këtë vend që meriton më të mirën dhe më shumë”.

Mesazh i qartë, i ndershëm dhe emocional, që ngjall reflektim dhe i fton qytetarët të mos dorëzohen përballë mungesës së vëmendjes institucionale. Orjola Pampuri, përtej politikës, shfaqet si një zë kritik dhe njerëzor, i cili beson ende në fuqinë e qytetarisë dhe ndryshimit.

Postimi i plotë:

Falenderoj cdo mbeshtetes e bashkepunetor timin, pergjate kesaj fushate, tek e cila prevaloi qytetaria dhe pozitiviteti, tek secili prej nesh. Komunikimi me cdo qytetar, ishte mundesia me e mire per tu njohur me te gjitha hallet tuaja, te cilat i keni “dhurate” nga ata politikane qe luftojne prej 34 vitesh per karriget e tyre, per hallet e tyre personale, duke ju lene totalisht ne harrese.

Ndjej keqardhje per te ardhmen e ketij vendi. Uroj t’ia dilni, se sa per ata qe shqyhen per te uzurpuar gjithcka qe nuk eshte e tyre, deri dhe tek vota, nuk e bejne per ju, por per te vijuar me bizneset e tyre, e ju t’ju lene me hallet tuaja, deri ne zgjedhjet e ardhshme per te vijuar me qurravitjet e radhes, mashtrimet e radhes‍♀️; cfare mjerimi personal e shpirteror, cfare mungese e vetpermbushjes personale‍♀️.

Uroj me te miren per ju dhe per kete vend qe meriton me te miren dhe me shume.

Preç Zogaj: Drama e opozitës, një lider që as fiton, as ikën

Nga Preç Zogaj

Patia Demokratike me koalicionin “Shqipëria madhështore” humbi të dielën zgjedhjet për herë të katërt radhazi gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit. Me një rezultat ndër më të ulëtit e historisë së saj, midis 33-34 përqind në shkallë kombëtare, e përkthyer në pësëdhjetë mandate. Nga të cilët vetëm dyzet e dy do t’i përkasin PD-së. Tetë të tjerët janë dhurata për partitë aleate nga pjesa e listave të mbyllura.

Humbësi i madh është kryetari i saj, Sali Berisha.
Të humburit janë demokratët dhe opozitarët që duhet ta shohin pushtetin me dylbitë e vitit 1997 apo të vitit 2017.

E humbur është Shqipëria që nuk do të përjetojë sërish rrotacionin jetëdhënës të pushtetit.
Disfata e opozitës ishte e paralajmëruar. Me rikthimin e tij të sforcuar për arsyet që dihen Berisha do ta bënte Partinë dhe opozitën shumë më të vogël se në zgjedhjet e vitit 2021. Siç ndodhi në fakt. Opozita PD-LSI para katër vitesh ishte më pak se dy përqind larg Partisë Socialiste. Sot i ndan një humnerë elektorale që kap shifrën nëntëmbëdhjetë për qind.

Disfata ishte paralajmëruar nga pesë kompani ndërkombëtare sondazhesh me reputacion në vendet nga vinin. Ato fotografuan fitoren e qartë të PS-së. Kompania amerikane “KMcLaughlin and Associates”, e cila ka gjetur dy herë rezultatin fitues për presidentin Tramp në zgjedhjet e vitit 2016 dhe në zgjedhjet e vitit 2024, parashikoi një fitore me rreth tetëdhjetë mandate të PS-së, pa llogaritur votat e diasporës që nuk ishin pjesë e sondazhit.
Berisha gaboi në të gjitha llogaritë. Gaboi me ligjin zgjedhor deledash të diferencimit të kandidatëve në ca të nënës e ca të njerkës, një turp për PS-në gjithashtu, por që dëmet më të mëdha do t’ja shkaktonte PD-së.

Si të mos mjaftonte ligji, Berisha dyfishoi me diferencimin e kandidatëve në patricë dhe plebej me primaret dhe me listën, ku si një vëlla i madh “shpëtoi” nga konkurimi të preferuarit e tij, pastaj trefishoi kur nuk respektoi në shumë raste as verdiktin e primareve për ata që konkuruan.
PD ka thënë se “lëshoj” për ligjin absurd të mbylljes së listave në kreun e saj për t’i marrë PS-së ligjin për votimin e diasporës. Qesharake. Naive. Ky ligj, ashtu siç është bërë, ishte autogoli i dytë i Berishës. Që po verifikohet si i tillë me numërimin e votave të diasporës ku diferenca në favor të PS-së është me madhe se diferenca brenda vendit, një e dhënë specifike që u heq besueshmëri shtesë pretendimeve të Berishës për manipulimin e zgjedhjeve para të huajve.
PD gaboi me dhuratat elektorale partive aleate.
PD gaboi me qëndrimin ndaj SPAK. Përqindja e votave të saj përkon pak a shumë me minorancën anti-SPAK në vend.

PD gaboi në qëndrimin ndaj integrimit në Europë në një periudhë kur gjeopolitika ka hapur një perspektivë reale për pranimin e vendit me titull të plotë në BE dhe vetë Shqipëria po luan në një seri tjetër në këtë rrafsh, siç u pa edhe dje në Samitin e jashtëzakonshëm të Europës në Tiranë. Në vend që të sillej si të ishte në qeveri për këtë aspiratë kombëtare, aq më shumë kur është ajo që e ka krijues e para narrativën e integrimit në BE, PD u investua në ekspozimin ndërkombëtar të rrobave të palara të shtëpisë. Duke konfonduar një aspiratë kombëtare me konfrontimin politik brenda vendit. Duke bjerrë në imazh për vete brenda dhe jashtë vendit.

E fundit në këtë renditje, por e para nga pesha, Berishës i dolën gabim llogaritë me lëvizjen e tij për rimarrjen dhe Rithemelimin e PD-së. Me sloganin për një PD më të madhe e më të bashkuar, ai shthuri dhe thuri siç di ai një parti që kishte arritur në vitin 2021 një rezultat ndër të lartët e historisë së saj. Bashkë me Metën shthuren një opozitë shumë afër fitores, me vetëm 37 mijë vota më pak se PS. Që po të ishte ruajtur e forcuar do ta kishte parakaluar me kohë PS-në përgjatë mandatit të saj të tretë të karakterizuar nga dalja në dritë e korrupsionit masiv të qeverisë së saj, tashmë jo me fjalë, por përmes hetimeve penale nga SPAK.

Ai i joshi demokratët me futjen në statusin e partisë të fraksionit, të primareve, të dorëheqjes së kryetarit nëse humb zgjedhjet e plot norma të tjera demokratike. Kur erdhi puna për t’u zbatuar, diversiteti dhe fraksioni u katandisën në një garë konformizmi që kush e kush të emërohej deputet pa u votuar; primaret në formalitet për t’u hequr qafe; dorëheqja në rast humbjeje, me sa po shihet, në një normë të tipit “ashtu ishte loja”.

Nuk e përjashtoi hallin e personit Berisha në ekuacionin politik. Por kur vendos të përfshish partinë, duhet të konsiderosh interesat e gjithë të tjerëve, interesat e brezave politikë rreth PD-së. Pa i sakrifikuar ato në altarin e egos dhe hallit vetjak. Përndryshe humb ti, humbin gjithë të tjerët
Drama e PD është se kjo parti nuk është ndalur asnjëherë të analizojë me përgjegjësi politike dhe profesionale shkaqet e brendshme të humbjeve të shumta të njëpasnjëshme, parlamentare dhe vendore. Në një kohë kur, përveç shkaqeve të jashtme në lidhje me manipulimet e llojllojshme të zgjedhjeve nga viti 1996 e këndej, ka patur e ka gjithnjë shkaqe të brendshme përcaktuese të secilës prej humbjeve.

Mungesa e reflektimit është mungësë vullneti për të ndryshuar. I pari dhe i vetmi rast kur një grup themeluesish dhe drejtuesish të PD-së kanë paraqitur me shkrim në Këshillin Kombëtar të PD-së një analizë shteruese që pati marrë emrin Mocion, na çon prapa në kohë në verën e vitit 1992 me rastin e humbjes se thellë të zgjedhjeve vendore të atij viti, as katër muaj pas fitores plebishitare të zgjedhjeve parlamentare. Berishës iu deshën disa humbje të tjera për të pranuar e reflektuar frymën e Mocionit, thelbin politik të përmbajtjes së tij. Që na thotë se vetëm një simbiozë mes dy shpirtrave përlindës të PD-së, ai i një konservatorizmi të moderuar dhe ai i fashës liberaldemokratike, ku i pari ka më shumë numra dhe i dyti ka më shumë mendim dhe feksje rrezatuese deri përtej radhëve, mund ta çojë në fitore PD-në. Kjo simbiozë u vërtetua fitimtare në zgjedhjet e vitit 2005. Asnjëherë tjetër më pas sepse simbioza u zbeh, Partia humbi dora-dorës vlerat e qëndrueshme liberalkonservatore, u bë gjithnjë e më e papëkufizueshme nga pikëpamja ideologjike, një grupim gjithnjë më i ngushtë interesi në orbitën e Berishës. Me fjalë të tjera u ngurtësua në formatimin berishist, shumicë në parti, pakicë në shoqëri.

Pas humbjes së thellë në vitin 2013 Berisha bëri një dorëheqje formale, duke ia lënë zyrën Lulzim Bashës. Ndërkaq ai nuk la asnjë ditë pa treguar me akte dhe gjeste se ishte në majë të partisë si kryetari i kryetarit. Bënte Basha një konferencë shtypi në Parti, ia priste Berisha me një me të madhe në zyrën e tij, në majë të kullës; fliste Basha në Kuvend 15 minuta, ia priste krytari historik me tridhjetë, dyzet e më shumë minuta me lejen e Metës që thoshte si me humor “për doktorin nuk ka minutazh”. Ambasadorët kalonin për kortezi nga zyra e Bashës, por për zgjidhje ngjiteshin te ajo e Berishës. Rasti që u vë vulën gjithë të tjerëve është ai i të dërguarit të Departamentit të Shtetit Hoyt Brian Yee, për zgjidhjen e krizës së “çadrës” në vitin 2017. Zoti Yee arriti me Berishën shkrehjen e çadrës dhe tërheqjen e PD-së nga qëndrimet “e prera” se nuk hyjmë në zgjedhje dhe nuk i votojmë komisionet e reformës zgjedhore me Ramën kryeministër.

Drama e PD-së në fakt është lideri real që as fiton, as largohet.
Dhe breza të tjerë të rinj demokratësh që shohin t’u digjen shanset. Mëkat./liberale.al

5 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar/ Ergys Mërtiri: Rama ilegjitim, ia ka dalë të vrasë qytetarinë

Nga Ergys Mërtiri

Sot behen 5 vjet nga shembja e teatrit dhe, siç e kam parandjere ate dite vendi gjendet i zhytur ne nje apati ku qyterari ka humbur çdo fuqi reagimi.

Deshperimi i asaj dite, por edhe i te tjerave me pas, nuk ka qene me thjesht dhe vetem per Teatrin, por edhe, dhe kryesisht, per realitetin ku jetojme. Teatri ishte ekrani ku u shfaq e gjithe shemtia, degjenerimi, paturpsia, hajdutlleku, poshtersia, brutaliteti, barbaria, e ketij pushteti, por edhe mefshtesia, pamencuria, nenshtrimi, frika, cinizmi, i nje pjese te madhe te shoqerise sone, e paafte te reagoje per tu shkarkuar nga pesha e atyre qe i hipin mbi shpine.

E kam thene shpesh gjate kesaj kohe se rrezimi i Teatrit nuk ishte thjesht rrezimi i nje godine, as vetem simboli i nje shkaterrimi urban e kulturor qe po i ndodh ketij qyteti e as thjesht nje veper flagrante korruptive per te majmur klientet e qeverise, por ishte nje goditje per te gjunjezuar shpirtin reagues dhe qytetarine e kesaj shoqerie.

Teatri u rrezua, jo vetem per arsye perversive te nje pushteti te kalbur e krimbur ne korrupsion e zullume, jo vetem per arsye fiksacionesh psikike te nje njeriu te sunduar nga mllefet, por edhe per te terrorizuar cdo qytetar te ketij vendi. Videoja e shembjes se tij, e ngjashme me ato te rrenimit te objekteve te kultit nga Enver Hoxha, ishte nje spektakel force me synim percjelljen e mesazhit te frikes tek votuesit e ardhshem. Ajo video u filmua nga godina e Ministrise se Brendshme dhe jam i bindur qe ka rrjedhur ne media, te pakten, me dijenine e vete Kryeministrit.

Sot Rama eshte me ilegjitim se kurre, dhe kjo e ben te brishte, pavaresisht se nuk ka nje opozite qe ta rrezoje. Gjithsesi ai ia ka dale te vrase qytetarine duke iu treguar njerezve sesa te vegjel jane. Per kete arsye, me shume se nje homazh per Teatrin, dita e sotme eshte nje homazh per qytetarine.

Ngërç POLITIK në Kosovë/ Kuvendi ende pa drejtues pas 17 herë konstituim

Seanca e 17-të e thirrur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sërish.

Kryetarët e partive politike refuzuan një kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje që seancat të vijojnë të zhvillohen një herë në javë, njësoj siç refuzuan edhe votimin e fshehtë për kryetarin e Parlamentit.

Seanca e radhës do të mbahet më 19 maj.

Dy ditë më parë në proces u përfshi edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila mblodhi në takim kryetarët e forcave të mëdha dhe pakicat shqiptare.

Pas takimeve, Osmani tha se po shpreson të gjendet një rrugëzgjidhje politike, por nëse jo, atëherë Gjykata Kushtetuese do të jetë ajo që do t’i japë drejtim zgjidhjes së situatës.