33.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904

Nga dr. Hasan Bello

Në një memorandum të Eqrem bej Vlorës drejtuar Vjenës nga Stambolli më 14 prill 1904 trajtohej gjerësisht gjendja dhe pozita politike e kombit shqiptar në raport me shtetet fqinjë dhe fuqitë e interesuara. Ai ishte i bindur se e ardhmja e sundimit osman në Shqipëri nuk e kishte të gjatë. Kjo do të shoqërohej me pasoja të rënda për kombin e papërgatitur shqiptar. Sipas tij, atyre i mungonte forca mendore dhe vullneti, mbështetja morale dhe ndoshta fizike e një përkrahje të jashtme, për t`i imponuar fatit të vet një të ardhme më të mirë. Në fund, ai parashtronte disa pika, të cilat lidheshin me të drejtat e kombit shqiptar. Një prej tyre ishte liria për të shkruar dhe lexuar në gjuhën shqipe; që shqiptarëve t`u jepeshin të njëjtat të drejta si të gjithë nënshtetasit e Perandorisë Osmane. Një pikë tjetër mjaft interesante ishte kufizimi i shkollave të huaja, që ishin hapur në Shqipëri për qëllime propagandistike. Me këtë, ai kishte parasysh të gjitha institucionet arsimore që përpiqeshin për helenizimin, bullgarizimin dhe serbizimin e kombit shqiptar.

Eqrem bej Vlora kërkonte që reformat të mos aplikoheshin vetëm në vilajetet që përfshinin rajonin e Maqedonisë, por edhe në Janinë e Shkodër. Në qoftë se kjo kundërshtohej nga shtetet fqinj, atëherë ai propozonte që të krijohej një njësi e re administrative e banuar vetëm nga shqiptarët. Kjo, sipas tij, nuk duhej konsideruar si një dëshirë e ekzagjeruar, nëse kihej parasysh plotësimi i kërkesës bullgare për formimin e vilajeteve maqedone. Këto dhe pikëpamje të tjera të pasqyruara në këtë memorandum ishin kërkesa legjitime për të përgatitur terrenin politik, që në momentin kur të largohej Perandoria Osmane shqiptarët të mos gjendeshin në befasi.

Në një memorandum tjetër që Syrja dhe Eqrem bej Vlora botuan në një gazetë vjeneze disa muaj më pas me titull “Qëllimet dhe e ardhmja e Shqipërisë”, kritikonin politikën austro-hungareze në Shqipëri. Kjo për shkak të pikëpamjeve që ishin përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut, se fatin e saj austriakët e kishin lënë në dorë të Italisë. Në fakt këto pretendime kishin një bazë faktike. Në kuadër të kultusprotektoratit, Austro-Hungaria interesohej më shumë për ngritjen dhe forcimin e mirëqenies kombëtare, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë Veriore. Për këtë arsye, ishte krijuar bindja se në të ardhmen Shqipëria e Jugut do t`i përkiste Italisë. Influenca austro-hungareze në jug ishte më e vogël se në veri. Prandaj, i vetmi mjet për ekuilibrimin e saj ishte rritja e veprimtarisë ekonomike; riorganizimi i transportit detar; themelimi i përfaqësive tregtare në Vlorë, Berat etj.

Të paktën kërkojini falje Lulzim Bashës

Nga Shpëtim Luku

Në politikë rrallë ndodh që dikush të marrë një vendim të drejtë kur ai është i vështirë, i papëlqyeshëm dhe me kosto personale. Lulëzim Basha e bëri këtë. Me vendimin për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ai mori mbi vete peshën e një akti që shumica nuk pati kurajën as ta mendonte. Madje i çuditi të gjithë.

Ky vendim nuk ishte vetëm një shkëputje nga një figurë e fuqishme dhe me histori në PD, por një përpjekje serioze për të çliruar partinë nga pengmarrja personale dhe familjare, që e ka shndërruar atë nga një forcë e madhe opozitare në një strukturë të ngërthyer nga interesat private dhe nostalgjia e një epoke të konsumuar.

Fakti që shumë prej bashkëpunëtorëve të tij zgjodhën t’i nënshtrohen Sali Berishës, jo për parim, por për interes, flet shumë më shumë për ta sesa për Bashën. Ishin këta që nuk qëndruan, nuk mbajtën barrën e një vendimi të drejtë dhe nuk panë përtej momentit. Ishin këta që sot nuk kanë më as moralin për të kritikuar shkatërrimin që i është bërë PD-së nga brenda.

Partia Demokratike ka ende një sfidë madhore përpara: të çlirohet nga pengmarrja dhe të kthehet në alternativë reale për shqiptarët. Por sot çështja shtrohet nëse është i mundur ky çlirim apo jo? Sepse Sali Berisha e ka deklaruar troç mos largimin, përveçse një rrethane. Por që të ndodhë, ky çlirim nuk mund të vijë pa e pranuar të vërtetën. Dhe e vërteta është se Lulëzim Basha pati të drejtë. Vendimi i tij ishte një shërbim që ai i bëri PD-së.

Lulëzim Basha nuk mund të rikthehet në krye të PD-së. Ndaj, në emër të së vërtetës, të së drejtës dhe mirënjohjes kërkojini falje Lulëzim Bashës. Që nëpërmjet “mosmirënjohjes” së tij ndaj Sali Berishës e çliroi PD-në njëherë prej tij.

Militantizmi nuk lë njëri pa sharë

Nga Fitim Zekthi

Aq rende eshte nje pjese e militantizuar e shoqerise sone sa nuk le njeri qe mendon ndryshe pa share. Kjo pjese e shoqerise arrin dhe shan dhe perdor fjalor mjeran edhe per njerez apo figura si kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen apo lidere te tjere europiane. Njerez qe nuk kane aftesine te bejne dicka virtuoze ne jete, njerez me formim intellectual dhe moral te diskutueshem thone qe ” von der Leyen eshte servile sorosiane apo nje politikane kot dhe e deshtuar”. Von der Leyen eshte nje politikane qe nuk ka asnje akuze per vjedhje e abuzime jo e jo por per asgje. Nje fjale fyese apo te keqe, nje sjellje fyese apo vulgare nuk e ka bere kurre. Ne gati 40 vite politike nuk ka share askend, nuk ka genjyer apo mashtruar asnjehere askend. Ajo ka shkelqyer ne London School of economics, ka shkelqyer ne Universitetin e Mjekesise se Hanoverit. Ka qene Ministre e Familjes dhe Punes, ka qene Ministre e Mbrojtjes ne qeverite Merkel. Ka qene zevendes kryeyare e CDU-se. Kur merrte pjese ne Nato si Ministre e Mbrojtjes, shtypi I madh nderkombetar thoshte se ajo “ishte nje prani yllesore”. Si Kryetare Komisioni eshte po ashtu po asnje kritike per asnje lloj abuzimi dhe menaxhon Komisionin ne nje situate shume delikate. Tani ne, nje pjese e jona, qe brohoret dhe vdes per politikane si tonet qe jane nder me vulgaret, me te korruptuarit, nder me sharesit, me zullumqaret e botes del shan Von der Leyen. Kur mori kuroren e Mbretit Charls-i ne Angli pas vdekjes se Elisabetes, nje ish punonjes i Komisionit te Kthimit te Pronave, njeri qe jeton me ate qe beti te zyra dikur dhe duke luajtur skedina nga qytet i vogel I Shqiperise tha “Charls-i eshte debil komplet, eshte nje rr…..”. Imagjino mbreti Charls eshte nje njeri me dije dhe kulture te thelle, njeri qe di Shekspirin permendesh, njeri ekumenik, njeri i perkushtuar ndaj dijes dhe te drejtes dhe del e quan debil ky.

Shtohen ankesat kundër “riorganizimit”, si ulen në detyrë ose hiqen prej pune punonjësit e administratës

Nëpunësit e administratës publike si në institucionet qendrore edhe në ato vendore apo të pavarura kanë paraqitur më shumë ankesa gjatë vitit që lamë pas.

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil raportoi se ishin të paktën 145 të tilla në total me rritje në raport me vitet paraardhëse dhe kjo deri diku i atribuohet edhe njohjes së hapësirave ligjore që kanë nëpunësit për tu ankuar.

Ankesat në 100 raste vinin nga nëpunësit dhe pjesa tjetër nga institucionet. Ndër 100 ankesat e nëpunësve, 48 për qind e rasteve vinin nga institucionet qendrore, 40 për qind nga ato vendore dhe 12 për qind nga ato të pavarura.

Në pjesën më te madhe të rasteve duket se shkak për ankesën janë bërë riorganizimet e institucioneve të cilët vijnë si efekt i ndryshimeve të organigramave dhe rishikimikt te pozicioneve.

“Vërehet se në numrin e përgjithshëm të rasteve të trajtuara që i përkasin administratës shtetërore, numrin më të lartë e zënë kërkesat e adresuara nga institucione të varësisë, në administratën shtetërore. Kjo lidhet me faktin se kjo kategori institucionesh kanë qenë në proces ndryshimi e riorganizimi të vazhdueshëm, si dhe kanë objekt më të kufizuar në veprimtarinë e tyre.

Këto shkaqe sjellin si pasojë një dinamikë më të madhe në veprimtarinë e nëpunësve duke ndikuar si në lëvizjen në pozicionet e punës, ashtu edhe në marrëdhënien me drejtuesit e tyre, të cilët janë në kontakt më të drejtpërdrejtë me t’a, në lidhje me realizimin e detyrave të përditshme” thuhet në raportin e Komisionerit.
Po kështu një tjetër aspekt që gjykohet se ndikon në numrin e ankesave sipas dokumentit është mungesa e pozicioneve të dedikuara për menaxhimin e burimeve njerëzore në disa institucione.

Për pasojë, administrimi i shërbimit civil kryhet shpesh nga specialistë, që kanë detyra të tjera sipas strukturës në zbatim, të cilëve u ngarkohet edhe detyra për menaxhimin e burimeve njerëzore.

Nga ana tjetër, njësitë e burimeve njerëzore në ministritë e linjës e kanë të vështirë të administrojnë shërbimin civil në këto institucione, në koherencë të plotë me momentin e kryerjes së veprimeve administrative që kanë të bëjnë me shërbimin civil” vëren raporti.

Komisioneri lidhur me ankesat ka bërë rekomandime për një pjesë të tyre, për të tjera pas hetimeve nuk kanë rezultuar shkelje ndërsa një pjesë tjetër i ka orientuar për zgjidhje në institucionet të tjera që zbatojnë kuadër tjetër ligjor lidhur me nëpunësin civil./ Monitor.al

Nga atentatet, trafiku i kokainës dhe ndikimi në drejtësi e media

Nga Sabina Nika/shteg.org

Më 15 maj 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur kërkesën për gjykim ndaj 11 personave të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në disa vepra penale të rënda, përfshirë “vrasje me paramendim”, “tentativë për vrasje”, “shpërthim me eksploziv” dhe “vjedhje me dhunë”. Kjo kërkesë është rezultat i hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 75/7 të vitit 2022, i njohur ndryshe si dosja “Plumbi i Artë”.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë bashkëpunuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, duke kryer një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në disa qytete të Shqipërisë. Mes të akuzuarve ndodhen emra të njohur për drejtësinë shqiptare, si Suel Çela (i njohur edhe si Marjus Lulaj), Talo Çela, Eljo Bitri, Festim Qoli dhe të tjerë.

Suel Çela akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj Lulzim Mashës në janar 2022 në Tiranë, mbajtje dhe prodhim të armëve pa leje dhe përgatitje për vrasjen e Kastriot Kiles në mars 2022 në Elbasan. Talo Çela akuzohet për disa ngjarje të përgjakshme, përfshirë vrasjen e Fatmira Dedajt në vitin 2013 në Durrës, tentativë për vrasjen e Arben Çetës dhe një sërë grabitjesh me armë në qytete të ndryshme. Eljo Bitri përballet me akuza për shpërthim me eksploziv, disa vrasje në Durrës dhe Elbasan, si dhe dhunë fizike. Ndërkohë, edhe emra të tjerë si Festim Qoli, Agron Mehja, Abedin Mama, Aleks Çela, Florenc Çapia, Ervis Martinaj, Alket Xhixha dhe Elvin Merlika përfshihen në dosje për vepra penale që variojnë nga vrasja, tentativa për vrasje, armëmbajtje pa leje, deri te sigurimi i kushteve për atentate të ndryshme.

SPAK njoftoi gjithashtu se hetimet për këtë çështje mbeten të hapura për të dokumentuar aktivitetin kriminal të bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij grupi, si dhe për raste të tjera kriminale që janë identifikuar së fundmi. Sipas institucionit, ky grup kriminal udhëhiqej nga Suel Çela, i cili akuzohet gjithashtu për organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe për përfshirje në atentate me qëllim eliminimin e rivalëve në luftën për kontrollin e territorit në Elbasan dhe zona të tjera të Shqipërisë së Mesme.

Nga vrasjet te kokaina dhe korrupsioni

Në bazë të komunikimeve të koduara SKY/ECC, të zbërthyera në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e drejtësisë në Francë, Belgjikë, Holandë dhe Ekuador, SPAK thotë se grupi i udhëhequr nga Çela kishte krijuar një rrjet të gjerë kriminal që vepronte në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë, vrasje dhe korrupsion. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masa sigurie për 21 persona, nga të cilët 18 janë lënë në arrest me burg, ndërsa tre të tjerë janë ndaluar me masa më të lehta.

Sipas SPAK, organizata e Çelës kishte si objektiv eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër kriminal rival në Elbasan, ndërkohë që aktiviteti i paligjshëm i saj financohej nga trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. SPAK dokumentoi pesë episode të veçanta kriminale të organizatës, përfshirë një atentat të dështuar ndaj Ardjan Çapjas me snajper në qershor 2020, dy atentate të tjera të parapërgatitura në 2020, dhe dy tentativa për trafikimin e rreth 1.4 ton kokainë nga Ekuadori në vitin 2021. Po ashtu, u evidentua dhe përfshirja në akte korruptive në sistemin e drejtësisë dhe në media.

Në lidhje me korrupsionin, SPAK akuzon ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Dedan Gjoni, se kanë ndihmuar organizatën duke ofruar informacione dhe lehtësira në shkëmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Ndërsa Fetahu ndodhet në masë arresti shtëpiak, Gjoni përballet me akuza të tjera edhe për bashkëpunim me një tjetër grup kriminal.

SPAK thekson se organizata kishte aftësinë të ndikonte në vendimmarrje gjyqësore në mënyrë që të lehtësohej pozita ligjore e anëtarëve të saj dhe, në të kundërt, të rëndohej ajo e kundërshtarëve. Një nga këta kundërshtarë ishte Ardjan Çapja, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të dyfishtë në vitin 2012 dhe që konsiderohej si figura më e fuqishme kriminale në Elbasan përpara përplasjes me grupin e Suel Çelës.

Gjithashtu, në njoftimin e SPAK përmendet edhe manipulimi i opinionit publik si pjesë e strategjisë së organizatës kriminale, duke paraqitur rivalët si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me politikën. Ky manipulim mendohet të ketë sjellë përfitime të dyfishta për grupin e Çelës.

Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për përfitime të paligjshme ndaj gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët dyshohet se janë paguar nga Suel Çela për të ndikuar në opinionin publik përmes raporteve mediatike. Ndaj të dyve është vendosur masa “detyrim për paraqitje”. Në një reagim publik, Hoxha mohoi akuzat dhe i cilësoi veprimet e autoriteteve si të pabazuara dhe në kundërshtim me të drejtën e gazetarit për të informuar.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu një rrjet të sofistikuar të trafikut të kokainës, ku lënda narkotike transportohej nga Amerika Latine drejt Europës, e fshehur në ngarkesa të ligjshme dhe e shpërndarë nëpërmjet porteve të mëdha si Antverp dhe Roterdam. Fitimet e përfituara përdoreshin për të financuar aktivitetin kriminal, për të blerë ndikim në polici, gjyqësor, media dhe për të legalizuar të ardhurat nëpërmjet bizneseve të regjistruara në Shqipëri.

Vendndodhja e Suel Çelës mbetet ende e panjohur për autoritetet. Ai ishte përfshirë më herët në një ngjarje të bujshme në vitin 2017, ku goditi me makinë të blinduar efektivë të policisë në Elbasan, por u shpall i pafajshëm nga gjykata.

Fituan kandidatët e krimit: Si e ka nën kontroll politikën mafia

Në Shqipëri, krimi nuk është më i lidhur me politikën, është vetë politika. Nga mbështetja e kandidatëve me precedentë penalë deri tek pastrami i parave të trafikut nëpërmjet tenderëve dhe rindërtimit, vendi ka hyrë në një fazë ku vota është monedhë e ndyrë dhe pushteti është thesari i mafies.
Në një miting elektoral në Elbasan, Sali Berisha hodhi një akuzë që u duk si gafë, por ishte një spondë me mesazh të qartë. Ai foli për Suel Çelën, një nga bosët e njohur të krimit në qytet, duke e akuzuar se “po zbaton porositë e Edi Ramës për të nxjerrë deputete një Mile, Mile, Sara Mile…”. Në realitet, Berisha nuk e tha emrin e plotë, por ishte e qartë se po i referohej një kandidateje socialiste që doli më e votuara në të gjithë vendin.

Por përse Berisha nuk e përmendi drejtpërdrejt? Sepse ndoshta nuk do ta përballonte dot as me provë. sepse nëse flet, duhet të hapë edhe dosjet e veta. Sepse lidhjet mes krimit dhe politikës nuk janë të njëanshme; janë një sistem i tërë që për vite e vite ka veshur petkun e “pluralizmit shqiptar”. Kjo është arsyeja pse PD nuk çon një dosje të plotë në SPAK për të hetuar përfshirjen e bandës së Suel Çelës në fushatën socialiste. Jo sepse nuk ka indicie, por sepse nuk ka duar të pastra.
Nga njëra anë, Berisha sulmon një bandë, por nga ana tjetër mbështetet nga rivalët e tyre. Madje, kandidatë të PD-së në Elbasan përflitet se mbështeten nga grupime të tjera kriminale, po aq të rrezikshme sa vetë Suel Çela. Dhe ndërkohë, në dosjet e aplikacionit SKY, që përmban biseda të koduara të botës së krimit, thuhet se vetë banda e Çelës ka ndihmuar Berishën për të rimarrë PD-në nga Lulzim Basha. Kështu, Shqipëria sot nuk ka më opozitë e mazhorancë, ka dy krahë të një trupi të vetëm: krimit të organizuar.

Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar. Mafiet në të gjithë botën kanë funksionuar kështu. Në Itali, Camorra, Cosa Nostra e Ndrangheta kanë blerë pushtet përmes ndihmës së politikanëve të korruptuar dhe përmes kontrollit të ekonomisë së rindërtimit. Pas tërmeteve, pas pandemive, në çdo krizë të madhe, mafia hyn në lojë me para cash dhe blen gjithçka. E njëjta skemë ka ndodhur në Shqipëri pas tërmetit të vitit 2019 dhe gjatë pandemisë. Tenderë pa garë, biznese të krijuara brenda natës, para të pista që pastrohen nëpërmjet kompanive që marrin kontrata me shtetin.
Njësoj si Camorra e Raffaele Cutolos në Napoli, e cila pas një tërmeti mori kontrollin mbi ndërtimin e banesave dhe me ato para bleu kokainë në Amerikën Latine, e rriti perandorinë. Edhe mafiet shqiptare sot janë me “ambasadorë” në Ekuador, Peru e Brazil, vende të kontrolluara tashmë nga kartelet e drogës, ku shqiptarët kanë marrë jo thjesht pjesë, por poste drejtimi në trafikun global.
Në Shqipëri, këto para të trafikut futen në zgjedhje, blejnë vota me 20 euro, madje edhe ato, jo të plota. Sepse pjesën tjetër e mbajnë sekserët. Dhe kur blerja bëhet pa ofertë të drejtë, atëherë edhe zgjedhja është e pavlefshme.

Krimi nuk kërkon më vetëm të fitojë tenderë; kërkon të emërojë drejtorë, të kontrollojë bashki, të mbajë poste në parlament. Deputetët që mbështet mafia, si në rastin “Çyrbja”, nuk janë përfaqësues populli, por ndërmjetës të bandave që garantojnë ndërhyrje në polici, në prokurori, në administratë. Sot, drejtori i një institucioni publik është më i rëndësishëm për një klan mafioz sesa një ministër.
E gjithë kjo është bërë në mënyrë aq të hapur dhe brutale, saqë nuk ka më as hipokrizi. Krimi shqiptar është sofistikuar, është trajnuar, është lidhur me rrjete ndërkombëtare, ka marrë mentorë nga jashtë dhe është bërë “konsulent” i partive politike. Dhe në krye të gjithë kësaj, është një kryeministër që e portretizon veten si “armik i bandave”, por që në realitet i ka mbajtur afër, i ka bërë ortake dhe ndoshta edhe bashkëthemelues të sistemit që sot e quan “Rilindje”.

Por nuk është Edi Rama që e shpiku këtë. Janë rrënjët e këtij sistemi që duhen parë. Janë vitet 1990, kur Sali Berisha krijoi bandat dhe paramilitarët për të mbajtur pushtetin, kur u krijuan lidhjet e para mes SHIK-ut dhe rrjeteve të krimit, kur për herë të parë, arma dhe kartoni i votës hynë në aleancë.

Tani, kjo mënyrë e të bërit politikë i është kthyer si bumerang edhe vetë Berishës. Por ajo që është më e rrezikshme, është se politikanët e rinj, të djathtë apo të majtë, do ta kenë shumë më të vështirë të çlirohen nga ky oktapod. Sepse nuk kanë më vetëm kundërshtarë politikë, por një sistem të tërë që është rritur dhe forcuar nën mbrojtjen e shtetit.

Lufta do të jetë e gjatë, dhe ndoshta pa fitimtar të qartë. Por është jetike që të paktën të ketë parti që e kanë luftën kundër krimit si kauzë dhe jo si dekor. Është jetike që të ketë gazetarë që nuk korruptohen dhe redaksi që nuk blihen. Sepse krimi nuk është më në periferi, është në qendër, në zyrë, në kuvend, në tenderë dhe në fletën e votimit.

OKB: Uria globale u përkeqësua në vitin 2024, duke prekur 295 milionë njerëz

Pasiguria globale ushqimore dhe kequshqyerja vazhduan të përkeqësohen në vitin 2024, me 295 milionë njerëz që vuajnë nga uria akute në 53 vende, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe partnerët e saj në një raport të publikuar të premten.

Shifra përfaqëson një rritje prej 13.7 milionësh krahasuar me vitin 2023, duke shënuar rritjen e gjashtë vjetore radhazi të pasigurisë akute ushqimore në rajonet më të brishta të botës. Gjetjet u botuan në Raportin Global të vitit 2025 mbi Krizat Ushqimore nga Rrjeti Global Kundër Krizave Ushqimore (GNAFC), një aleancë ndërkombëtare që përfshin FAO-n, Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP) dhe organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i përshkroi shifrat si “një tjetër akuzë të palëkundur ndaj një bote që është rrezikshëm jashtë kursit”. Në parathënien e raportit, ai paralajmëroi se “uria dhe kequshqyerja po përhapen më shpejt se aftësia jonë për t’iu përgjigjur, megjithatë, globalisht, një e treta e të gjithë ushqimit të prodhuar humbet ose shpërdorohet”. Ai shtoi se krizat afatgjata tani po përkeqësohen nga një krizë më e kohëve të fundit: një reduktim dramatik i fondeve humanitare që shpëtojnë jetë.

Ndërsa pasiguria akute ushqimore zakonisht rrjedh nga një kombinim faktorësh – siç janë varfëria, tronditjet ekonomike dhe moti ekstrem, raporti theksoi se konfliktet mbetën shkaktari kryesor në shumë nga rajonet më të goditura. Disa popullata u përballën me kushte përtej urisë akute. Uria u konfirmua në pjesë të Sudanit në vitin 2024, ndërsa nivele katastrofike të pasigurisë ushqimore u regjistruan në Rripin e Gazës, Sudanin e Jugut, Haiti dhe Mali. Në Rripin e Gazës, uria u shmang me vështirësi falë ndihmës humanitare të shtuar, por raporti paralajmëroi se rreziku mund të kthehej midis majit dhe shtatorit 2025 nëse operacioni ushtarak në shkallë të gjerë dhe bllokada vazhdojnë.

Raporti theksoi gjithashtu ndikimin e rëndë të zhvendosjes së detyruar. Nga 128 milionë njerëz të zhvendosur me forcë në vitin 2024, gati 95 milionë – duke përfshirë personat e zhvendosur brenda vendit, azilkërkuesit dhe refugjatët – jetonin në vende që tashmë përballeshin me kriza ushqimore.

Përveç kësaj, tronditjet ekonomike shkaktuan pasiguri ushqimore në 15 vende, duke prekur 59.4 milionë njerëz, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit i shtynë 18 vende në krizë, duke prekur më shumë se 96 milionë njerëz, veçanërisht në Azinë Jugore, Afrikën Jugore dhe Bririn e Afrikës.

Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu, paralajmëroi se pasiguria akute ushqimore po bëhet një realitet i vazhdueshëm, veçanërisht në zonat rurale. “Rruga përpara është e qartë: investimi në bujqësinë emergjente është kritik – jo vetëm si përgjigje, por si zgjidhja më efektive nga ana e kostos për të ofruar një ndikim të rëndësishëm dhe afatgjatë”, tha ai.

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Abas Tafa, mesazh mbështetësve: Faleminderit nga zemra, ne nuk do të heshtim

Nga Abas Tafa

Të dashur miqt e mi të Zall-Bastarit dhe të Qarkut Tiranë!

Nga zemra ju falënderoj të gjithëve ju që më besuat votën dhe mbështetjen tuaj si kandidat i Partisë Euroatlantike. Vota juaj nuk ishte vetëm për mua, por për një Shqipëri më të drejtë, më të lirë dhe të orientuar qartë drejt Perëndimit.

Ju bëj thirrje gjithë strukturave të Njësisë Administrative të Zall-Bastarit, gjithë atyre që deshën dhe mbështetën me shpirt e zemër Abas Tafa me 11 Maj 2025 cep me cep të Qarkut Tiranë se ju jam shumë mirnjohës gjith jetën time se Bazi për ju është i fituar me mbështetje me vota si asnjëher tjetër jemi super fuqi nuk na mposht njeri gjer sot sa her që jemi bashkë jemi si familje besa besë sado fuqia e shtetit me në krye dy bishat e Shqipërisë që kan 34 vjet vjedhin masakrojn Shqipërinë dhe në këto zgjedhje u bën bashkë dhe bën si deshën ne KZAZ Nr.31 tek 1 Maj siç kan bë në gjith Tiranën e në gjith Shqipërinë, i dim të gjitha me detaje një e më një kuti për kuti se një ditë do japin llogari per 11 Maj 2025 ! Ju them bashkëpuntorëve të mi, miqëve se mos mërziti se koha është në favorrin tonë !

Fatkeqësisht, shumica që vazhdon të sundojë sot, nuk përfaqëson aspiratat e qytetarëve të ndershëm, por interesat e një pakice të korruptuar që e ka kapur shtetin. Vazhdimi i kësaj qeverisjeje do të sjellë më shumë varfëri, më shumë largime nga vendi, dhe më shumë humbje të shpresës, Zoti dhe Drejtësia SPAK….SHBA shpresa e fundit për të ardhmen e Shqiptarëve!

Ne nuk do të heshtim. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë për ndryshim. Ftesa ime për ju është të qëndroni të bashkuar, të guximshëm dhe të palëkundur përballë padrejtësive. Shqipëria ka nevojë për njerëz si ju — të vetëdijshëm, të ndershëm dhe të vendosur për një të ardhme më të mirë.

Bashkë miqt e mi në ditë të mira dhe në ditë të këqija për çdo lloj problemi familjar apo personal mos hezitoni me telefononi se më keni në dispozicion të cdo lloj halli që të keni ditë natë në të 10 fshatrat e Zall-Bastarit jam pranë jush jam me hallet tuaja!

Me respekt dhe mirënjohje,
Abas Tafa
Kandidat për deputet – Qarku Tiranë!
Koalicioni EuroAtlantik!
Tel: 0672019414

Pesë vite nga shembja e Teatrit Kombëtar – Kujtesa që nuk shuhet

Pesë vite kanë kaluar nga mëngjesi i 17 majit 2020, kur nën hijen e pandemisë dhe të errësirës politike, Teatri Kombëtar u shemb me fadroma nga autoritetet. Ajo ngjarje, që për shumë qytetarë përfaqësonte një sulm të drejtpërdrejtë ndaj trashëgimisë kulturore dhe lirisë së shprehjes, mbetet ende një plagë e hapur në ndërgjegjen publike.

Një prej zërave më të fortë të qëndresës ndaj këtij akti, Mirela Karabina, aktiviste dhe pjesëmarrëse e pandërprerë në kauzën për mbrojtjen e Teatrit, ka publikuar një mesazh në këtë përvjetor. Në fjalët e saj, ajo përkujton jo vetëm ditën e shembjes, por edhe rëndësinë e vlerave që ndërtuan rezistencën qytetare: integritetin, koherencën, përkushtimin dhe vendosmërinë.

“Euroatlantik të bëjnë vlerat, qëndrueshmëria në kauza në shërbim qytetar, koherenca në qëndrime, integriteti, vendosmëria dhe përkushtimi”, shkruan Karabina, duke nënvizuar se rruga drejt një shoqërie të drejtë nuk ndërtohet me retorikë, por me veprim dhe sakrificë.

Ajo kujton se ishte fizikisht brenda Teatrit në atë mëngjes të 17 majit, kur makineritë e rënda ndërhynë për të rrënuar godinën historike. Për shumëkënd, ky ishte një akt i dhunshëm që shënoi përkeqësimin e marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarit, duke lënë pas jo vetëm rrënoja fizike, por edhe një ndjesi të thellë të padrejtësisë.

Në fund të deklaratës së saj, Karabina shkruan:

“Ne ishim aty, brenda në Teatër kur fadromat e zuzarëve në të gdhirë të 17 majit të 2020-ës në kohë pandemie, shembën teatrin.
Erion Veliaj është në burg sot, radha është e Edi Ramës.
Teatrin e shembën por të vërtetën dhe të drejtën, jo!
Shqipëria meriton më shumë

Postim i plotë i Mirela Karabinës:

5 vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar,
Euroarlantik të bëjnë vlerat, qëndrueshmëria në kauza në shërbim qytetar, koherenca në qëndrime, integriteti, vendosmëria dhe përkushtimi.

5 vjet nga shembja barbare e Teatrit Kombëtar.
Ne ishim aty, brenda në Teatër kur fadromat e zuzarëve në të gdhirë të 17 majit të 2020-ës në kohë pandemie, shembën teatrin.

Erion Veliaj është në burg sot, radha është e Edi Ramës.
Teatrin e shembën por të vërtetën dhe të drejtën, jo!

Shqipëria meriton më shumë

“Më 1917, prova e një austriaku rezultoi e suksesshme, mrekullia e filmit i kish mahnitur qytetarët-fshatarë të Tiranës…”/ Kur kryeqyteti gumëzhinte nga kinematë

Vërtetë Tirana e viteve ’20-të dhe ’30-të, nuk i ngjante në infrastrukturë metropoleve të tjera ballkanike simotra, por interesat e saj filloi t’i kishte shumë të mëdha. Këtë e tregon numri i madh i kinemave në qytet, që shpërhapi një kulturë të re në kryeqendrën e re të shqiptarëve. Por, çdo gjë e ka një fund. 100 vjet më vonë, Tiranës i janë tretur sallat e kinemasë, kurse ato të dikurshmet, po harrohen madje edhe në kujtime…!

“Tutkun, hapi sytë”; “Mos u shty”; “Do ketë të puthura”?; “Ik, ti mut, s’të lajnë në shtëpi”; “Qelbesh”; “Tate, 5 Fronga”; “Oh sa kam qarë dje…”; “Mama…”; Ofshama. Përlotje. Sy të zgurdulluara t’ngulura në bezen e bardhë. Befas, nga sipër, fluturon në ajri ndonjë pështymë. “Plehra, u botë dhe ju për kinemo”…?!

Mos kujtoni se është “Kinema Paradiso” me subjektin e Tornatores. Jo, jo, asfare. Është një situatë e zakonshme në një nga kinematë e dikurshme të Tiranës, sot qytetit tonë milionësh, që në vitet ’20-të dhe ’30-të ishte një qendër e vockël urbane, ku mezi po ngriheshin 2-3 hotelet e para, dhe ku të huajt ngatërroheshin dhe i zinin rrugën njëri-tjetrin, për një dhomë ku të shtriqeshin rehat. Ani, logjika e tregtarëve vendas kërkonte një fushë tjetër ndryshe për të fituar, krejt ndryshe prej atyre tradicionale. Fusha është zbuluar. Kulti i kinemasë ka kapur Evropin. Po ne?

Tregtarët, që kishin lënë takijet dhe taçat dhe pazarin me karvane, e tashmë vishnin këpucë llustrafini me çorapet deri afër gjurit, iu turrën bobinave të pelikulave, që i blinin andej-këndej në Ballkan deri matanë detit. Më 1917, prova që kish bërë një austriak, rezultoi e suksesshme. Mrekullia e filmit i kish mahnitur qytetarët-fshatarë të Tiranës, që binin ende erë përç. Vërtetë haletë i kishin në fund të oborrit, por mrekullinë e botës e kishin para syve. Ca shtrëngonin ushkurët, të tjerët përhumbeshin. Po para bezes së filmit ishin njësh fëmijë.

Vetë fëmijët hanin çoka, kur dikush dilte pak e zhveshur në ekranin e madh. Tek lulishtja “Orient”, në lagjen “Fortuzi” të vjetrit mund të mbajnë mend ende, sesi mblidheshin njerëzit gjithë ngut. Vetëm tre vjet më vonë, pak më tutje në Kafe “Central”, pronari Spasso Çepunjo, hapi një tjetër vend ku mund të këqyrshin filma dhe më 1926, mori jetë një tjetër kinema. “Iliria” e Dhimitër Voillës e filloi projektimin mu në kopshtin e Hotelit. Austriaku Rudolf Pentz, mendoi të modifikonte mjedisin e kafes së vet. Tek “Orient” shfaqeshin filma, që vinin nga metropoli austriak. Një garë e fshehtë valonte mes pronarëve, që emancipimin e lidhnin me sallat e tyre të kinemasë.

Tirana, kështu po e ndjente realisht lezetin e të qenit kryeqytet. Kjo ishte koha kur një nga arkitektët më të mirë të qytetit, Skënder Luarasi, i dhanë porosinë e parë. Ai ndërtoi “Nasionalin”, për vëllezërit Beshiri, që vite më vonë italianët do ta përshtasin pas djegies në Kinema “Rex”. Kinemaja do japë shpirt si godinë në ditët tona, me emrin legjendë: “17 Nëntori”. Kinemaja jo vetëm e plotësoi sqimën e porositësve, por u bë një pikë ngjitëse në qytet. Aty bëheshin parjet e çifteve dhe po aty përpunoheshin ndjenjat e para estetike të popullsisë vendase. Frekuentuesit më të rregullt mbeteshin të rinjtë dhe sidomos ata që ktheheshin nga jashtë.

Pronarët vendosën t’ua ushqenin interesat edhe me filmat e zgjedhur. Mes tyre, një figurë e njohur që është ndarë nga jeta para disa vitesh, historiani Kristo Frashëri, pretendon se Kinema “Gloria”, 500 metra tutje “Nasionalit”, ishte model emancipimi për vitet ’30-të dhe ’40-të. Personazhe të njohura të kohës ishin tani t’gjalla falë filmit për publikun shqiptar, që po dilte me vrull nga gjumi i thellë osman. Situata është pak groteske, se përkthimi bëhet me zë. Në pushime, kur ndërrohen bobina ka zakonisht tollovi, por pronarët fusin për herë të parë dhe shfaqje të tjera, derisa jo rrallë në vend të kinemasë jepet teatër.

Po teatër. Këtë e kupton më së miri, më 1934, Dhimitër Canco, një intelektual i këndshëm, që s’është vetëm pronar i zakonshëm i “Gloria”. Ai di të zgjedhë filma që e joshin rininë e kryeqytetit. Canco e ka blerë kinemanë kur quhej “Diana” dhe e mban tashmë “Glorien” e tij, deri më vitin 1947, kur bëhet shtetëzimi i kinemave, sipas ligjit të 16 prillit 1947. Te “Gloria” Kadri Roshi, aktori i njohur i pas-luftës, që i mbahet pak goja, do punojë si biletashitës. Këtu merr dashurinë për filmin, që e ndjek për çdo natë, kolegu i tij i mëvonshëm Naim Frashëri.

Ky i fundit, kur kthehet në shtëpi, hedh çdo përshtypje në letër. E ndërsa një pjesë shkon thjesht të shikojë filma, një pjesë tjetër e spektatorëve ndjekin teatrin dhe shfaqjet, që bëhen në këto vende. Tefta Tashko Koço “…më 8 qershor 1938, bashkë me Marie Krajën, japin koncert në kinema ‘Gloria’ në Tiranë, shoqëruar nga orkestra frymore e Shkodrës, udhëhequr nga Preng Jakova, ku bashkë me to këndoi edhe djaloshi nga Boboshtica e Korçës, Kristaq Koço, i porsaardhur nga Rumania…”, – shkruajnë kronikat e kohës.

Kronika, pa ndalim

Për fat, historia shkruhet tani prej të pasionuarve. Një i tillë, Spiro Vasil Mëhilli, do të shkruajë pak më parë në mënyrë skrupuloze në librin e tij “Tirana, 1920-1944” një kronologji të tërë për kinematë e qytetit. Pak shkëpusim edhe ne prej saj: “Kinema- teatër ‘Nasional’, u hap më 22 Qershor 1926. Pronarë ishin Xhuf Koliaka, familja Hobdari dhe Ferid Vokopola. Më 1930, ajo u bë pronë e Familjes Beshiri. Më 1939 u dogj dhe u ndërtua nga themelet. Më korrik 1940 mori emrin e ri: Kinema- Teatër ‘REX’”.

U shtetëzua më 1947. Kinema-teatër “IDEAL” më 1922-47, pronë e Ali Sheqerit. Kinema verore “Ideal” më 28 qershor 1934. Kinema “Popullore” më 23 gusht 1930. Kinema “Diana” më 1 gusht 1931 me pronarë Muharrem Qosjen, Gavril Laskun dhe F. Krajën. Kinema verore “Imperiale”, që u ndërtua më vitin 1939 në pronësi të familjes Qosja. Kinema-teatër “Rozafat”, që u ndërtua më vitin 1931 dhe shërbeu deri në shtetëzim në vitin 1947, kur pronar ishte Murat Kamani. E mori në përdorim Jusuf Beshiri. Kino- Lulishte “Skënderbeu”, që u themelua në vitin 1934, me pronar Ali Sheqerin.

Kinema “Haverik”, që kishte pronar Fadil Haverikun. Më vonë u quajt “Punëtori” dhe në vijim “Estrada e Shtetit”. Kinema “Dopo lavoro”; Kinema- Teatër “Savoia” 1940-1943. Deri më 1944, ishte “Kosova” me drejtor Koço Janku. Klubi “Dante Aligieri”. Kinema “Skënderbej”, me pronar Z. Shpuza; Kinema-teatër “Tomori” viti 1942 me drejtor Koço Janku; Kinema “Paris”, që funksionoi nga 1944-1947. Kinema verore “Donika”, që shërbeu nga vitet 1942-1947. Pronarë ishin Jani Opari, Xhuf Opari dhe italiania Vinçenza Bova. Kinema verore “Impero”, që u themelua më 26 prill 1943.

Jo vetëm kaq…!

Por të gjitha këto nuk do të shërbenin thjesht si vende ku projektoheshin filma, pasi që nga vitet 1926, ato “e kalojnë” atributin e tyre. Në to do të kemi shfaqjen e pjesëve të vogla disa minutëshe, për të kaluar në drama, komedi e tragjedi të autorëve vendas e të huaj. Në kronikën që kemi sërish prej z. Mëhilli, kemi të regjistruar shfaqjen e parë më 24 korrik të vitit 1927, kur në Kinema-Teatër “Nacional”, jepet shfaqja me titull “Qëndrim në dashuri”, të autorit Muhsin Serezi. Përveç tij, në sallat e ndryshme do kemi pjesë të Kristo Floqit (shkrimtar avokat), Foqion Postolit etj. Disa rrethe kanë pjesët e trupat e tyre.

Më 28 tetor të vitit 1930, grupi i teatrit të Romës “Quirino”, shfaqi “Berberin e Seviljes”, nën interpretimin e Diana Fiumana, Jole Rizzuto. Kurse më 26 dhjetor të vitit 1930, nën patronazhin e Princeshës Ruhije Zogu, grupi filodramatik “ORFE” i bandës mbretërore, shfaqi “Lulen e Kujtimit” të Foqion Postolit. Më 19 mars të vitit 1933, në kinema “Diana” jepet premiera e vodevilit “Pata”, përkthyer nga Cuk Simoni, vënë në skenë nga Henrik Lacaj.

Më 1933, jep koncert Lola Aleksi dhe Kristaq Antoniu. Dhimitër Canco shkon dhe me tej, kur krijoi grupin humoristik më 1934, me Mihal Popin, Matish Prendushi etj. Kemi një pjesë të Et’hem Haxhiademit, të regjistruar po ashtu në kronika…! Më 17 maj 1935, interpretoi Mihal Ciko i sapoardhur nga Italia. Më 15 nëntor 1942, jepet një Koncert simfonik nga Shoqata “Dante Aligieri” e, kështu me radhë. Tirana gëlon nga shfaqjet, si të jetë Tirana e shekullit XXI.

Italia ka plane të mëdha për koloninë e saj të re dhe më 30 shtator 1942, me porosi të Benito Musolinit, krijohet në Shqipëri, shoqëria “Tomorri- Film”. Në krye të saj, Franco Taglarini, që ka si këshilltar shqiptarin Mihallaq Mone, kanë ide të mëdha. Ky i fundit bën disa dokumentarë interesantë për kohën. “Takim në liqen”, “Ullishtat e Vlorës”, “Miniera e Selenicës”, “Gjaku në Karaburun”, “Martesa në Nartë”, kanë sukses, por edhe ngjallin shpresë. Shqiptarët tentojnë filmin e parë me metrazh të gjatë “Bija e Bajraktarit”. Skenarin e merr ta realizojë Medin Kamber Bego, por ai u tërhoq dhe e atë e përfundon Ernest Koliqi. Regjisor do ishte italiani Aldo Vergano.

S’ka më kohë për plane. Ka filluar Lufta e Madhe. Sekuencat e filmave, ndërpriten nga dokumentarët e sukseseve fashiste. Si për ironi, kohët e arta të kinemave të qytetit tonë, kanë përfunduar. Por diçka s’shkon. Mu te “Nacional”, komunistët gjejnë mundësinë që të bënin propagandën e tyre të parë, duke hedhur në mes të filmit trakte komuniste. Duket se i kanë bërë pagëzimin, sepse këtu bëhen disa nga gjyqet më të tmerrshme kundër kundërshtarëve të tyre. Zërat e prokurorëve komunistë të pasluftës, ende dhe sot janë në veshët e banorëve të vjetër. Kinemaja që kish pasur aq shumë shfaqje, humor, teatër dhe kuptohet filma, u kthye në Gjykatore.

E çfarë gjykatore? Jo shumë larg në kohë, zëri i një prokurori sokëllin. Është zëri i Bedri Spahiut. Para tij të drobitur qëndrojnë bashkëluftëtarë, intelektualë, por edhe kundërshtarë. Kinema “Tomori” (sot godina e Partisë Socialiste) akoma të drithëron me akuzat e rreshtuara ndaj admiralit Teme Sejko. Italianët që e përdornin për argëtimin e tyre dhe më pas edhe për tiranasit, nuk e dinin se çfarë mynxyre kishin lënë, pa ditur. Partizanët do argëtoheshin në vendin që do e quanin me emrin Kinema “Brigada”, më 1945, por që shërbeu edhe si kinema e qytetit, gjatë viteve 1947-1970.

Por fatin më të keq e pati Kinema “17 Nëntori”, që vazhdoi deri në mesin e viteve ’90-të. U kthye në Bingo dhe sot është e prishur. Të njëjtën fat pati “Gloria”, që shumica nga ne e arritën me emrin “Republika” dhe pastaj “Millenium 1”. Një sasi prej 400 mijë dollarësh amerikanë, miratuar nga ministri i Kulturës, u mor për rikonstruksionin e saj, por ajo u shkatërrua për t’ia lënë vendin ngrehinës, që ende s’ka mbaruar.

Të tjerat…!

Një rrugicë më tej është ende kinema “Dajti”, sot rikthyer në qendër për Bashkinë, por jo kinema. Ishte e shtata e ndërtuar në kohën e komunizmit. Dikur ishte kinemaja e kinezëve, pasi ata kishin mensën e tyre afër dhe apartamentet ku jetonin. Kinema “Ali Demi”, që është prishur dhe sot e kësaj dite është e rrafshuar, është simboli i fshirjes së kësaj kulture.

Mu përballë Lanës, gjendet kinema “Agimi”, ish-kinemaja e sovjetikëve, dikur argëtimi kryesor në lagjen e specialistëve sovjetikë. Por, ajo që do të bëhej vërtetë kinemaja e elitës do ishte Kinema “Partizani”. Sot të kap trishtimi që i zhdukën fasadën dhe sot e gjen të fshehur, pas një dere. Kinemaja e ndërtuar e fundit në vitin 1957, u dogj në vitin 1988. E kthyen njëherë restorant për një firme maqedonase, e më pas në “Bingo”, kurse tani s’ekziston më.

Në vitet 2002-2003, në vendin e kinemasë “17 Nëntori”, filloi ndërtimi i një qendre tregtare, që ia përvetësoi kujtesës së qytetit edhe një simbol. Përpjekja e përfolur për të rikrijuar fasadën e dikurshme të kinemasë, qëlloi nul. Qyteti im sot ka pak kinema, shumë më pak se para Luftës së Dytë Botërore, sepse askush nuk i do më ato.

Tirana e ka fshirë me përdhunë kujtesën e vet të kinemave. Ndaj të vjen të qeshësh kur dëgjon zgërdhirjet e zyrtarëve për trashëgiminë e qytetit. Ajo që të mbetet të thuash është vetëm: “Hapni sytë”, ju që i morët qytetit tonë, kujtesën e bukur, ëndrrat e dikurshme gjithçka. Parajsën tonë të pelikulës…! Mbase, dikush do ndëshkojë. Në ëndërr, në kujtesë! Mbase?! Memorie.al