21.5 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Interi publikon “provë” ndaj arbitrit

Juventus – Inter është një duel që nuk mbaron kurrë. Pas polemikave që ngjallën vendimet e gjyqtarit Nikola Ricoli, zikaltrit i kanë hedhur benzinë zjarrit me një video të publikuar sot në kanalin televiziv zyrtar (“Inter Channel”). Bëhet fjalë për një episod të minutës së 69-të që nuk u pa gjatë lojës, pasi regjia ishte duke dhënë përsëritjen e një pozicioni jashtë loje.
Kielini duhet ta rivërë topin në lojë, mirëpo mbrojtësi bardhezi gabon në pasimin ndaj Bufonit. Aty përfiton Ikardi që provon të niset i vetëm drejt portës, mirëpo arbitri e ndal dhe e përsërit aksionin.

Roma rimerr vendin e dytë

Roma fiton 4-0 takimin përmbyllës të Javës së 23, ndaj Fiorentinës dhe rikthehet në vendin e dytë të Serisë A. Pas disfatës me Sampdorian në Marassi si dhe fitores tepër të diskutueshme në kupë me Cesena-n e Serisë B “verdhekuqtë” bënë autokritikë, duke zhvilluar një ndeshje vërtet shumë të mirë. Merita shkon për kapitenin e ekipit Daniele De Rossi, që ofroi dy asist, duke thyer rezistencën e skuadrës vjollcë. Trajneri Paulo Sousa nuk kishte në dispozicion sulmuesin kroat Nikola Kaliniç, për shkak të një dëmtimi në gju, megjithatë ishte pikërisht ekipi toskan që pati mundësinë më të mirë për të kaluar i pari në epërsi, kur në 14′ Federico Chiesa pas një topi të marrë nga mbrojtësi Gonzalo Rodriguez doli i vetëm përballë portierit Szczesny, por sfera ndonëse kaloi mbi kokën e gardianit polak u largua nga Fazio. Rezultati u zhbllokua në 39′, kur kapiteni De Rossi shërbeu në mënyrë të shkëlqyer sulmuesin Edin Dzeko, që falenderoi mbrojtësin kolumbian Carlos Sanchez, duke mposhtur pa shumë problem portierin Tatarusanu. Fiorentina e filloi më mirë pjesën e dytë, sidoqoftë ishte përsëri Roma skuadra që gjeti rrjetën.
Në 58′ pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, nga krahu i djathtë, mbrojtësi argjentinas Fazio kërceu mbi të gjithë, duke shfrytëzuar më së miri me kokë krosimin e De Rossi-t. Që nga ky moment, ekipi vjollcë u shthur dhe në fushë pati vetëm një skuadër. Goli i tretë ishte njëkohësisht edhe goli më i bukur i takimit, pasi aksioni nisi që nga mbrojtja. Në vetëm pak sekonda topi përshkoi mesin e fushës dhe De Rossi hapi lojën në krahun e majtë për Strootman, holandezi ofroi një top të shkëlqyer për Nainggolan që në 75′ trefishoi shifrat. 7′ para fundit Edin Dzeko shfrytëzoi në maksimum një gabim të ish-mbrojtësit të Romës Davide Astori, për të kompletuar një fitore të madhe të “verdhekuqve”, me një rezultat që ndaj klubit vjollcë mungonte prej plot 17 vjetësh. Jo vetëm kaq, por falë dy golave të realizuar sulmuesi boshnjak u ngjit në krye të golashënuesve, me 17 gola, ndërsa ekipi i Romës në krahun tjetër tashmë e ngushton në vetëm 4 pikë diferencën me skuadrën e Juventusit.

Rikthehet Bale!

Lajme të mira për Realin e Madridit. Trajneri i Los Blancos, Zinedine Zidane, shumë shpejt mund të ketë sërish në dispozicion Gareth Bale, i cili  ka qëndruar jashtë  fushave të blerta për më shumë se 2 muaj, për  shkak të një dëmtimi në kaviljen e djathtë. Rikthimi i uellsianit pritet të ndodhë në muajin mars dhe me shumë gjasa, ai do të ketë mundësi të aktivizohet dhe në takimin e kthimit kundër Napolit, që do të luhet më 7 mars në San Paoli, për fazën e 1/8 të Champions League.
Bale u dëmtmua më 22 nëntor të vitit të kaluar, gjatë ndeshjes kundër Sporting Lisbonës. Dëmtimi ishte i rëndë dhe stafi mjekësor kishte parashikuar se, rikthimi i tij mund të ndodhte në prill. Një shqetësim i tillë duket se është lënë pas, sepse sulmuesi i krahut ka djegur afatet e rikuperimit. Zidane tashmë mund të marrë frymë lirisht, pasi rikthimi i uellsianit është shumë i rëndësishëm për reapartin e avacuar të klubit merenges.
Dëshira e drejtuesve të Real Madridit për të afruar në skuadër portierin e kombëtares spanjolle dhe Mançester Junajtidit nuk është një sekret. Në fillim të sezonit të kaluar “galaktikët” arritën marrëveshje me anglezët për transferimin e tij në Spanjë në këmbim të portierit Kejlor Navas, por vonesa me disa minuta në plotësimin e procedurave në ditën e fundit të merkatos nga ana e drejtuesve të Junajtidit e bllokoi transferimin.
Që pas asaj tentative të dështuar, madrilenët gjithnjë kanë qenë me mendje për të provuar sërish afrimin e De Geas, por paraqitjet e shkëlqyera të portierit të Kosta Rikës duket se i kanë stepur drejtuesit e Realit për të kaluar në veprim. Së fundmi mediat spanjolle raportojnë se ai që e ka mbyllur përfundimisht mundësinë e kalimit të De Geas në Spanjë në mbrojtje të portës madrilene është trajneri Zinedin Zidan.
Francezi nuk e ka në preferencat e tij De Gean dhe në vend të tij do të preferonte më shumë afrimin e një portieri tjetër mes disa alternativave. Dëshira kryesore nga Premier Liga mbetet belgu Tibot Kurtua për të cilin mund të futet në shkëmbim edhe sulmuesi Alvaro Morata. Ndërkohë dy mundësi të tjera më pak të mundshme janë edhe Hugo Loris i Totenhemit, ose Xhanluixhi Donaruma i Milanit.

Ish-ekipi i Berishës eliminon Tevezin nga Champions-i

Paratë jo gjithmonë të bëjnë fitues në futboll dhe kjo u vërtetua edhe sot. Shangai Shenhua, edhe pse kishte në skuadër lojtarin më të paguar në histori, Karlos Tevez, u eliminua nga Champions-i aziatik nga Brisbejn Roar, ekipi australian ku vite më parë ka luajtur sulmuesi kosovar Besart Berisha.
Miqtë bënë surprizën, duke triumfuar 2-0 me golat e shënuar në fillim dhe në fund të pjesës së parë. Përveç argjentinasit, në radhët e kinezëve aktivizohet edhe nigeriani Obafemi Martins, ish-sulmuesi i Interit.
Eliminimi i Shangait është i pari për një skuadër kineze nga play off-i i Champions-it aziatik që prej 14 vitesh.
Pas suksesit, Brisbejnit nuk i shpëtoi rasti për të thumbuar kundërshtarin dhe Tevezin në veçanti. “Karlos kush? Një paraqitje e klasit botëror konfirmon kualifikimin tonë në AFC Champions League”, ishte postimi i australianëve në rrjetet sociale.
Buxheti vjetor i klubit nga Brisbejni është rreth 1.7 milionë euro, aq sa Karlos Tevez fiton në më pak se tri javë te Shenhua.

Kevin Prince Boateng: Tani jam tjetër njeri

Iu desh të transferohej në një skuadër modeste për të kuptuar se lumturinë mund ta prekë edhe me të ardhura të vogla. Kevin Prince Boateng duket një tjetër njeri, pasi për shumë vite, emri i tij nuk lakohej vetëm në mediat sportive, por edhe në faqet e para të mediave rozë. Ganezi flet në një intervistë të gjatë për jetën e tij, duke e pranuar se ka rigjetur dimensionin e tij të vërtetë.
“Kur isha i ri fitoja shumë para. Te Tottenhami isha pak më shumë se 18 vjeç dhe kisha një pagë prej 5 milionë eurosh në vit. Kërkoja të blija lumturinë, makinat, femrat dhe botën. Bleva një Lamborgini dhe e përdora vetëm një javë. Kisha shumë miq, por nuk ishin të vërtetë, sepse më shtynin për të dalë dhe jo për të shkuar në stërvitje. Një ditë u zgjova dhe thashë: Mjaft, nuk dua të jem ky lloj njeriu”, u shpreh Boateng.
Më pas, Boateng u ndal te periudha e artë me fanellën e Milanit. “Pak pasi kisha mbërritur në Genoa agjenti më foli për Milanin dhe pranova menjëherë. Dita e parë ishte si një ëndërr për mua, sepse isha ulur pranë Pirlos dhe përdorja dollapin e Beckham. Ibra? Nuk është aspak arrogant, sepse në fushën e lojës dhe në stërvitje është një profesionist i vërtetë, madje në kohën e lirë është edhe një njeri shumë argëtues. Te Milani kishte shumë kampionë, por unë gjeta vendin tim”, tha ai.
Gjithsesi nuk ishte takimi me një klub të madh që e ndryshoi totalisht mesfushorin, por takimi me një njeri të madh. “Takimi me Mandelan ishte i pabesueshëm dhe nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Në të ardhmen mund të bëhem agjent lojtarësh, por mund të ndihmoj edhe të rinjtë”, përfundoi Boateng.

Hysaj pasardhës i Lahm?

Jo vetëm Barcelona, Real Madrid, Chelsea dhe Arsenal. Elseid Hysaj është edhe në orbitën e merkatos të Bayern Munchen, për të trashëguar rolin e mbrojtësit të djathtë nga Philip Lahm. Më 11 nëntor kapiteni i kampionëve të Gjermanisë do të festojë 34-vjetorin e lindjes, por këtë do ta bëjë larg fushave të lojës. Menjëherë pas ndeshjes së Kupës së Gjermanisë kundër Wolfsburg-ut, Lahm njoftoi se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli.
Ka mjaftuar kjo deklaratë që bavarezët të nisin punën për të gjetur pasardhësit e lojtarit polivalent, të rritur në akademinë e Bayernit, për të veshur fanellën e skuadrës me të cilën deri më tani ka luajtur 501 ndeshje, duke fituar 8 tituj kampionë të Bundesligës, 1 trofe të Champions dhe 1 Botëror për klube.
Elseid Hysaj është në listën e kandidatëve potencialë që do të zëvendësojnë Philip Lahm. Sipas francezes “footmercato”, me shqiptarin në garë janë edhe Serge Aurier i Paris Saint Germain, Hector Bellerin i Arsenalt apo edhe Daniel Carvajal i Realit të Madridit.
Bayern Munchen shfaqi interes për mbrojtësin shqiptar prej verës së kaluar, me drejtuesit e klubit gjerman që vlerësuan mundësinë e transferimit të 22-vjeçarit nga Napoli.
Hysaj cilësohet një lojtar që pëlqehet së tepërmi nga trajneri Ançeloti, megjithatë për të siguruar shërbimet e futbollistit kuqezi, përveç konkurrencës së fortë, në “Allianz Arena” duhet të bëjnë gati edhe çekun me vlerë 50 milionë euro, shifër e përcaktuar nga Napoli për prishjen e kontratës së mbrojtësit.

Tuchel: Asnjë problem me Gotze

“Midis meje dhe Mario Gotze nuk ka asnjë problem”. Është kjo deklarata e Thomas Tuchel në një intervistë të dhënë për mediat gjermane. Trajneri i Borussia Dortmund hodhi poshtë zërat për një krisje të raportit mes tij dhe sulmuesit 24-vjeçar. Tuchel tha se me Gotze ka një marrëdhënie normale duke theksuar se në sfidën me Leipzig nuk u aktivizua për shkak të një problemi fizik. Megjithatë 43-vjeçari është i bindur se gjermani do ta ndihmojë shumë skuadrën në të ardhmen.

Lahm zyrtarizon tërheqjen nga futbolli

Pas Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Ronaldinhos, të cilët i dhanë fund futbollit të luajtur, një tjetër kampion i madh pritet t’i japë lamtumirën këtij sporti në fund të këtij sezoni. Ai është kapiteni i Bajern-it dhe njëkohësisht njeriu që ngriti që qiellin e Rio de Janeiros, Kupën e fundit të Botës që fitoi Gjermania. Më 2014-tën, Philip Lahm, menjëherë pas Botërorit të fituar në Brazil u tërhoq nga kombëtarja e pancerave, ndërsa pas disa muajsh në verën e vitit 2017, ai do të varë përfundimisht këpucët në gozhdë. Lahm ka komunikuar zyrtarisht se në fund të këtij sezoni do të tërhiqet nga futbolli.
Një lajm i papritur dhe jo pak i dhembshëm ky për tifozët e Bajern-it të Mynihut dhe ata të kombëtares gjermane, të cilëve u kanë mbetur edhe vetëm pak muaj për të shijuar magjitë që dhuron Lahm në fushë. Në moshën 33-vjeçare pavarësisht se ka një kontratë që i skadon në vitin 2018 me skuadrën bavareze mbrojtësi i krahut të majtë, por që përshtatet në disa role, do t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Lahm-it si një ikonë e Bajern-it i është propozuar pozicioni i drejtorit sportiv te kampionët e Gjermanisë, por lojtari ka bërë me dije se nuk do të marrë atë rol, pasi nuk është momenti i duhur për të që të ketë një detyrë të tillë në klub. Kapiteni i Bajern-it ka arritur kuotën e 500 paraqitjeve në karrierë dhe tashmë do të ketë si objektiv kryesor të fitojë një tjetër Champions League me Bajern-in. Me një trajner si Ancelotti në drejtim asgjë nuk është e pamundur, sidomos për një lojtar si Philipp Lahm që gjithmonë jep shpirtin në fushën e lojës.

“Shpërthen” Simeone

Diego Simeone nuk e ka përtypur aspak mirë barazimin 1-1 që regjistroi Atletico e Madridit në “Camp Nou” ndaj Barcelonës, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, rezultat ky që e eliminoi skuadrën kryeqytetase nga Kupa e Mbretit, pasi Barcelona kishte fituar me shifrat 2-1 në “Vicente Calderon” një javë më parë. Në fund të ndeshjes El Cholo nuk është përmbajtur dot duke sulmuar drejtpërdrejtë gjyqtarët e sfidës, por edhe skuadrën blaugrana në konferencën për shtyp. Atletico në fakt u penalizua shumë nga gjyqtari Manzano dhe asistentët e tij në mbrëmjen e të martës, pasi kishte shumë episode për të cilat Simeone ankohet me të drejtë.
“Gjyqtarët mund të gabojnë, por gabimet e tyre do të mbahen mend, tashmë e kuptoj se përse kemi më shumë shanse në Champions League për të fituar se në La Liga dhe në Kupën e Mbretit”, theksoi trajneri argjentinas. Deklarata të forta këto të Simeones, të cilit nuk i ka pëlqyer aspak mënyra se si arbtiri Manzano ka gjykuar sfidën e zhvilluar në “Camp Nou”. Irritimi i 46-vjeçarit ka të bëjë me një episod të minutës së 59-të, kur Griezmann iu anulua një gol për një pozicion jashtë loje inekzistent.
Nëse ai gol do të jepej i rregullt me lojën që po zhvillonte Atletico edhe mund të ishte kualifikuar sepse Barça ishte në fushë me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Sergi Robertos, ndërkohë që rezultati ishte 1-0 në favor të katalanasve. 10 minuta më pas forcat në fushë u barazuan pas kartonit tjetër të kuq që mori Ferreira Carrasco, ndërkohë që nuk duhet harruar fakti që Gameiro shpërdoroi një 11-metërsh në minutën e 80-të duke goditur shumë keq. Episod ky që mund të ndryshonte fatet e takimit. Në fund Barça mbeti me 9 lojtarë pas daljes me të kuq të Luis Suarez, por Los Colchoneros nuk shfrytëzuan rastet që kishin duke mos arritur ta çonin ndeshjen në shtesë.
U mendua se do të ishte e lehtë sigurimi i biletës për finalen e Kupës së Mbretit për Barcelonën pas fitores së ndeshjes së parë në transfertë ndaj Atletico-s, por nuk rezultoi kështu. Edhe një herë tjetër, ekipi i drejtuar nga Simeone tregoi se kurrë nuk dorëzohet. Ndeshja e kthimit Barcelona-Atletico i pati të gjitha, spektakël, gola dhe sigurisht tension i shoqëruar me 3 kartonë të kuq. Në fund, ndeshja u mbyll në barazim 1-1 dhe ishte Barça skuadra që siguroi finalen. Suarez shënoi dy minuta para fundit të pjesës së parë, duke e shfrytëzuar maksimalisht topin e kthyer nga portieri pas goditjes së Messi-t.
Pjesa e dytë foli për Atleticon, të cilët patën mundësi të shënonin nga 11-metërshi me Gameiro-n në minutën e 80, por francezi gaboi. Vetëm 3 minuta më pas, Gameiro gjen golin e barazimit. Në minutat e mbetura, Atletico e rriti ndjeshëm presionin, por goli i dytë nuk erdhi dhe ishte Barça që siguroi finalen. Katalanasit e mbyllën këtë takim me 9 lojtarë pas daljes me të kuqe të Sergi Roberto-s e Suarez në fundin e ndeshjes, ndërsa Carrasco u ndëshkua me të kuq për Atleticon.

Bajerni dhe Hamburgu në çerekfinalet e Kupës

Zërave që flasin për një largim të mundshëm të tij nga Bajerni në verë, Douglas Costa u përgjigjet me gol. Sulmuesi brazilian ishte heroi i bavarezëve në sfidën ndaj Wolfsburgut, me skuadrën e Ancelottit, që në “Alianz Arena” mposhti 1-0 ujqërit duke siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë. Ishte një sukses i vështirë ai i Bajern-it që erdhi falë një goli të Douglas Costës në minutën e 18-të. Goditja e ish-lojtarit të Shakthar Donetsk nga distanca u devijua edhe nga Luiz Gustavo duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Wolfsburgut, Casteels. Shumë raste deri në fund, por asnjë gol me Bajernin që avancoi në raundin e 8-të skuadrave më të mira të Kupës së Gjermanisë.
Në çerekfinalet e këtij kompeticioni u kualifikua edhe Hamburgu me Mërgim Mavrajn që fitoi duelin ndaj ish-skuadrës së tij. Në “Volkspark Stadion”, Hamburgu mposhti me rezultatin 2-0 Kolnin. Ishte një ndeshje shumë pozitive për Mavrajn që u aktivizua gjatë gjithë 90 minutëshit duke mos gabuar asgjë në mbrojtje. Jung dhe Wood ishin autorët e golave për ekipin e Marcus Gisdol. Në çerekfinale u kualifikuan edhe Borussia Moenchengladbach dhe Arminia Bielefeld që mposhtën respektivisht në transfertë, Greuther Furth dhe Walldorf.