17.5 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Leverkusen, Calhanoglu heq dorë nga paga

I pezulluar për 4 muaj nga FIFA, mesfushori Hakan Calhanoglu bëri të ditur se ka hequr dorë nga paga mujore me Bayer Leverkusen. 23-vjeçari u dënua nga institucioni më i lartë i futbollit botëror për shkak të shkeljes së kontratës me Trabzonspor në vitin 2011. Calhanoglu deklaroi se Bayer nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje dhe për këtë arsye nuk ka përse të paguajë. Lojtari i Leverkusenit shtoi më tej se nuk mund të dëmtojë klubin për çështje që nuk i takojnë dhe për këtë nuk do të marrë pagën për 4 muaj.

Mavraj, lideri i ri i Hamburgut

I kanë mjaftuar vetëm 4 ndeshje për të fituar zemrat e tifozëve të tij të rinj. Pasi shkëlqeu me Kolnin në fazën e parë të kampionatit, duke u përfshirë nga faqja zyrtare e Bundesligës në 11-shen më të mirë të pjesës së parë të sezonit, Mërgim Mavraj menjëherë ka marrë në dorë çelësat e mbrojtjes së Hamburgut. Në 2 ndeshjet e para të këtij viti, skuadra nga Veriu i Gjermanisë pësoi 2 humbje, ndaj Wolfsburgut dhe Ingolstadt-it, por jo për faj të Mavrajt, i cili në 2 takimet e fundit është shfaqur si një lider i vërtetë në prapavijën e Hamburgut, duke i dhënë qetësinë e nevojshme ekipit.
Trajneri Marcus Gisdol tashmë e ka të pamundur të privohet nga shërbimet e kuqeziut, i cili ishte një nga më të mirët në fushë për Hamburgun në suksesin që arriti ndaj Kolnit me shifrat 2-0 në raundin e 1/8-ave të Kupës së Gjermanisë. Fitorja ndaj Leverkusenit në kampionat u pasua nga një tjetër sukses shumë i rëndësishëm, me Hamburgun që nuk pësoi gol për të dytën ndeshje radhazi. Mavraj ia doli të triumfonte ndaj ish-skuadrës së tij dhe tashmë dëshira e mbrojtësit është të vazhdojë me këto ritme në mënyrë që të jetë në 100% të formës edhe për sfidën e muajit mars ndaj Italisë në Palermo.
Mediat gjermane e vlerësuan maksimalisht paraqitjen e shtatlartit shqiptar, i cili nga ndeshja në ndeshje po tregon se është një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Paraqitjet e tij në fushë për pjesën e parë të sezonit i shijuan tifozët e Koln-it, ndërsa tashmë është radha e atyre të Hamburgut për t’iu gëzuar klasit të Mërgim Mavrajt.

Vettingu, kush janë ekspertët ndërkombëtarë

Një ditë e ngjeshur ajo e djeshmja për ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të mbërritur nga Brukseli.
E kanë nisur ditën me një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, sipas burimeve të “Ora News” në Vilën 30 për të vijuar më pas me një takim informal me një grup gazetarësh dhe më pas me ambasadorin amerikan, Donald Lu.
Takimet kishin në fokus informimin e rolit të ONM në reformën në drejtësi
“Ora News” publikon emrat e 5 përfaqësuesve të misionit të ONM:
1- Genoveva Ruiz Calavera
2- Theo Jacobs, prokuror nga Belgjika
3- Martin Kessen, gjyqtar nga Gjermania
4- Ferdinando Buatier de Mongeot, gjyqtar nga Italia
5- Peter Ainsworth, Këshilli Antikorrupsion i Departamentit të Shtetit
Takimi
Më herët drejtuesja e misionit, Genoveva Ruiz Calavera, pati një takim me gazetarët.
Misioni do të qëndrojnë në Shqipëri derisa Parlamenti të zgjedhë se kush do të jenë 27 personat që do të bëjnë procesin e vettingut.
Puna e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nis pas 15 shkurtit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë do të shqyrtojnë listat e Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesin Kuvendit deri më 1 mars emrat që ata përjashtojnë nga kjo listë.

OSHEE 370 milionë euro borxh ndaj KESH

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

“Rezultatet e reformave do të vijnë. Mjafton t’u jap një shembull shumë të thjeshtë për ta mbyllur. Për herë të parë në historinë e vet, në muajin prill OSHEE–ja ka dalë me fitim (duartrokitje). Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që për herë të parë në historinë e vet OSHEE–ja nuk ka nevojë të kërkojë para nga taksat për të mbuluar gropën që hapet nga vjedhjet”.
Kjo deklaratë është bërë nga kryeministri Edi Rama më 4 maj të vitit 2015 në fushatë elektorale. Para një grupi simpatizantësh ai dha sihariqin se ky ishte rezultati pozitiv i një prej reformave më të debatueshme në vend.
Por a janë këto që thotë kryeministri bilancet reale të OSHEE?
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një anë të errët e tyre. OSHEE mund të ketë dalë me fitim siç thotë kryeministri, por ajo i ka KESH–it plot 370 milionë euro borxhe. Dhe ky borxh është i përllogaritur deri më datën 20 shtator 2016.
Nga një inspektim i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se OSHEE dhe OST janë larg realizimit të objektivave për të krijuar një sistem të qëndrueshëm energjetik me aftësi likuiduese.
KLSH thotë se OSHEE i detyrohet KESH-it 50.9 miliardë lekë ose 370 milionë euro.
Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 mld lekë (370 mln euro).
Detyrimi OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 mld lekë.
Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 mld lekë.
Në total, detyrimi total i KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, është 80.6 miliardë lekë.
Qeveria Rama ka kohë që kërkon t’u tregojë shqiptarëve se reforma e saj në energjetikë ishte e suksesshme. Dhe në krye të sukseseve rendit OSHEE, një ndërmarrje që është akuzuar vazhdimisht nga opozita për vjedhje dhe abuzime me tenderat.
Për të reformuar sistemin energjetik, pak muaj pasi erdhi në pushtet, qeveria Rama mori 150 milionë euro borxh nga Banka Botërore.

13 milionë euro sekuestrime për kompanitë e naftës

Sektori i tregtimit të naftës po rezulton ndër më problematikët së fundmi në drejtim të kthimit të kredive. Vetëm në janar, janë dy kredi të mëdha, me vlerë totale 13 milionë euro, duke i detyruar bankat t’i drejtohen gjykatës dhe përmbarimit për të ekzekutuar pasuritë e lëna peng.
Së fundmi, një bankë e nivelit të dytë i ka kërkuar shoqërisë së tregtimit me pakicë A.S. Petroleum sh.p.k. të paguajë detyrimin e kredisë prej 279,452,593.81 lekësh apo rreth 2 milionë euro. Kredia është marrë në janar të vitit 2015. Për këtë titull ekzekutiv është lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, vendimi i Urdhrit të Ekzekutimit që në prill të vitit 2016.
Ndërkohë që ka kaluar afati për ekzekutimin në mënyrë vullnetare të titullit ekzekutiv, tashmë përmbarimi po vijon me sekuestron mbi pasuritë e paluajtshme që pala kredimarrëse ka lënë si garanci në hipotekë në momentin e marrjes së kredisë, ku përfshihen disa toka dhe ndërtesa në Borakë në Durrës. Pasi nuk është arritur të caktohet me mirëkuptim një çmim për këto prona, përmbaruesi ka vendosur për caktimin e një eksperti të pasurive të paluajtshme.
Krahas bankës, kompania ka detyrime dhe ndaj të tretëve, si për shembull, kompanisë Fit-Mek-Oil, me këtë të fundit që i është drejtuar gjithashtu përmbarimit për titullin ekzekutiv faturë tatimore.
Për vitin 2015, kompania A.S. Petroleum kishte të ardhura prej rreth 400 mijë eurosh dhe fitim para taksave prej 35 mijë eurosh, sipas bilancit të dorëzuar në QKB.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve që kompanitë e naftës nuk kthejnë kreditë në banka. Banka Kombëtare Tregtare ka kërkuar në janar 2017 sekuestron e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë Bolunmez Petrol, pasi kjo e fundit nuk i ka kthyer kredinë, ndërkohë që banka ka vënë në ruajtje pronat e hipotekuara, teksa kompania ka ndalur punën dhe i ka braktisur këto prona. Kompania nuk ka kthyer 11 milionë euro kredi dhe kjo e ka detyruar BKT-në që të çojë çështjen në përmbarim dhe të kërkojë ekzekutimin e pronave të shumta që janë vënë në hipotekë. Nga raporti rezulton se të gjitha pronat janë braktisur. Pronat e vëna në hipotekë janë pesë depozita karburanti në Shëngjin, një depozitë uji, një depozitë dekantimi, tubacione nafte, si dhe truall e ndërtesa, të gjitha në Shëngjin.
Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.
Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni mëse një dekadë më parë, por që duket se është kthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjella apo shitblerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies. Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta.
Ky informalitet dhe luhatshmëri e madhe në tregun e naftës tashmë po reflektohet dhe në sistemin bankar, ku shumë kredimarrës po rezultojnë problematikë.

KLSH zbulon kaosin në menaxhimin e parqeve kombëtare

Pas një inspektimi për eficencën në të cilën administrohen zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një kaos total në administrimin dhe mbrojtjen e tyre. KLSH vëren se këto zona janë shfrytëzuar pa kriter për aktivitete minerale dhe ndërtim HEC-esh në kundërshtim me ligjet në fuqi. “Ndërtimi i HEC-eve në kundërshtim me legjislacionin dhe Konventën për Ruajtjen e Jetës së Egër europiane dhe Habitateve Natyrore (Konventa e Bernës), por edhe ligjet shqiptare për mbrojtjen e specieve të Listës së Kuqe”, sqaron KLSH në raportin përmbledhës pas inspektimit. KLSH vëren se nuk ka standarde dhe kritere mbi përcaktimin e sipërfaqes së parkut natyror në hektarë që duhet të mbulojë një punonjës i ADZM si roje mjedisore, punonjës i menaxhimit dhe punonjës i monitorimit në vartësi të llojit të parkut natyror kombëtar, faunës dhe florës në përbërje të saj, terrenit, shtrirjes së tij, etj.
Gjetjet e KLSH tregojnë se stafi që menaxhon këto zona ka mangësi në formimin profesional dhe detyrat e tyre nuk janë të mirëpërcaktuara. Gjithashtu janë të pakta botimet njohëse e prezantuese të peizazheve apo për parqet kombëtare, të faunës e florës së rrallë, shoqërimet e rralla, bimët endemike, nuk njihen sa duhen monumentet e natyrës, pyjet e kullotat, etj., mungojnë si fletëpalosje, albume, guida turistike, monografi, libra të vegjël etj.
Administrata e menaxhimit të parqeve kombëtare e ZM, nuk mund të bëjë një numërim real dhe të plotë të vizitorëve dhe mundësia e vendosjes së tarifave dhe krijimit të të ardhurave nga vizitorët që vizitojnë parqet kombëtare është e vështirë dhe deri më tani nuk ka gjetur zgjidhje. Subjektet private që ushtrojnë dhe kanë ushtruar aktivitet në parqet natyrore kombëtare nuk derdhin të ardhura në administratat zonale apo në qendër, megjithëse janë përdoruesit dhe përfituesit më të mëdhenj të kësaj pasurie natyrore të trashëguar.
Për parqet natyrore kombëtare nuk janë kryer studime për vendosjen e standardeve mbi realizimin financiarisht të mirëfunksionimit të sistemit të menaxhimit të parqeve natyrore kombëtare në tërësi dhe sipas llojit të tyre. Për parqet natyrore kombëtare nuk janë kryer studime mbi koston reale në total (vlera në para) për mirëmenaxhimin e sistemit të tyre dhe nuk janë kryer studime dhe vendosur tregues mbi matjen e arritjes së objektivave të sistemit të menaxhimit të tyre në mbrojtje të biodiversitetit, habitateve, popullatave të specieve të florës e faunës së egër dhe ekosistemeve natyrore si trashëgimi natyrore që i përket brezave. Ende nuk ka një përcaktim të saktë të kufijve kadastralë dhe të pronësisë shtetërore të parqeve natyrore kombëtare.

Si e rrit dhe e ul qeveria inflacionin?

Inflacioni në janar arriti nivelin më të lartë të kohëve të fundit me rreth 2.8% nga 1.5% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky nivel kaq i lartë i dedikohet kryesisht rritjes së çmimeve që erdhi për shkak të motit tepër të ftohtë që bëri gjatë muajit janar, ku vendi u përfshi i gjithi nga reshjet e dëborës. Ndikim pati edhe rritja e çmimit të gazit për shkak të vendosjes së akcizës 8 lekë për litër.
Instituti i Statistikave bëri të ditur se rritja vjetore e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me + 2,33 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +1,17 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar secili me nga + 0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar secili me nga +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar secili me nga + 0,01 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,8%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Argëtim e kulturë” me 3,1%, “Transport” me 2,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9%, etj. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 24,8%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 8,8%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 6,6%, “qumësht, djath e vezë” me 4,9%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 1,8%, pasuar nga nëngrupi “mish” me 0,5%.
Ndryshimi mujor i indeksit është + 1,5%. Krahasuar me muajin dhjetor 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,7 %. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me -1,0%.

Problem për sipërmarrjen tarifat e fshehura

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Arben Shkodra thotë se problemi për sipërmarrjen nuk është taksa prej 15%, por taksat e fshehura që ndonjëherë e kalojnë këtë shifër. I ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në “RTV Ora News”, Shkodra tha se shteti duhet ta diskutojë këtë çështje. I pyetur se, a duhet rritur paga minimale, Shkodra tha: “Si përfaqësues i biznesit, natyrshëm që një punëmarrës i lumtur dhe i qetë prodhon më shumë se një punëmarrës që është i palumtur. Të rritet, por në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar. Nga ana tjetër duhet të ketë edhe lehtësira për sa i përket biznesit. Nuk kemi probleme me taksat, kemi probleme me procedurat. Nëse ka një problem të madh sot, nuk mund të quajmë taksën 15%. Problemi më i madh janë taksat dhe tarifat e fshehura në procedurat. Procedurat e shtetit ndaj sipërmarrjes. Ke procedura doganore, fitosanitare, tek AKU-ja, ke tarifa dhe taksa nga më të ndryshme. Në fund të ditës diskutojmë taksën 15%, por nga ana tjetër kemi tarifa të padukshme. Nuk spekuloj me shifra”. “Në fund, ato mblidhen në fund të bilancit. Ato procedura nganjëherë janë 1 euro, por nganjëherë shumë euro. Dikur u tentua të kishim një inventar të matur të procedurave të shtetit ndaj sipërmarrjes. Mendoj që duhet t’i rihyjmë kësaj teme”, tha Shkodra.

Pse Departamenti i Shtetit duhet të ndërhyjë urgjent në Shqipëri?

“Huffington Post”

Sekretari i ri amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, është një person shumë i suksesshëm. Si administrator i ExxonMobil, ai drejtonte një nga kompanitë më të mëdha të naftës e gazit në botë, me të ardhura vjetore rreth 270 miliardë dollarë ose pothuajse sa e gjithë ekonomia e Pakistanit. Duke punuar e jetuar në vende të tilla si Jemeni e Rusia – dhe në shumë të tjera midis – ai është ndoshta një nga operatorët gjeopolitikë më të arrirë që kanë qenë ndonjëherë në këtë post.
E megjithatë, një gjë është e sigurt: Tillerson ka një mal të lartë përpara. Përballë mënyrës së tij të zbatimit të politikës së jashtme të SHBA qëndron myku burokratik i krijuar gjatë viteve të Obamës dhe tashmë i ngjitur pas saj, e referuar si Dega e Katërt e Qeverisë.
Mos u gaboni, ka disa shërbyes karriere civilë që punojnë për të mirën e vendit pavarësisht se cila parti politike zë Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, shumë zyrtarë janë politizuar dhe shumë prej tyre e anojnë mbështetjen e tyre nga demokratët. Sipas një kërkimi të kryer të The Hill rreth 95 për qind e kontributeve politike nga ana e punonjësve federalë shkoi për Hillary Clinton gjatë garës presidenciale. Disa zyrtarë karriere madje kanë premtuar t’i “rezistojnë” administratës së re.
Fatkeqësisht, aktivizmi politik i DASH shkon përtej Foggy Bottom (lagjja e Washingtonit ku gjendet DASH-syri.net) dhe shtrihet në rrjetin global amerikan të ambasadave dhe misioneve pranë organizmave ndërkombëtare.

Një shembull i qartë i kësaj është në Ballkan

Në muajt e fundit, ambasada e SHBA në Shqipëri është akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Disa nga akuzat bëhen për marrëveshje të fshehta të ambasadës me grupe të majta si Fondacioni për Shoqëri të Hapur.
Fondacioni për Shoqëri të Hapur është një rrjet organizatash joqeveritare i George Sorosit, i cili promovon nëpër botë ideologjinë “përparimtare” të miliarderit, që është shpesh jomiqësore me interesat amerikane. Axhenda “përparimtare” e Fondacionit për Shoqëri të Hapur është shpesh e shurdhër karshi ndjesive lokale – religjioze e kulturore – veçanërisht në vende si Ballkani.
Ndonëse një aleat i rëndësishëm i NATO-s në Ballkan, Shqipëria përballet me shumë sfida. Reforma kontradiktore e sistemit të drejtësisë kaloi kohët e fundit në Parlament. Nuk kishte konsensus kombëtar, pasi Partia Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha bojkotoi votimin, pasi vërejtjet e saj për legjislacionin u injoruan.
Për vite me radhë, projektet e USAID-it të përqendruar te Reforma në Drejtësi janë financuar pjesërisht nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Përzierja e George Sorosit në Shqipëri nuk është gjë e re. Kryeministri Edi Rama, socialist, ishte i ftuar në dasmën e Sorosit. Kur Hillary Clinton drejtonte DASH, Soros komunikonte direkt me të dhe stafin e saj për të promovuar axhendën e tij në Shqipëri.
Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, kohët e fundit dhe shumë publikisht akuzoi prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla për pengim të Reformës në Drejtësi. Kjo shkaktoi zemërim në Shqipëri. Zoti Llalla i shkroi Presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për t’u ankuar për sjelljen vullgare të ambasadorit. Llalla madje pretendon në letër se ambasadori Lu e ka kërcënuar.
Letra thotë:
“Në komunikim zyrtar dhe jozyrtar, ambasadori Lu i ka bërë të qartë prokurorit Llalla se, nëse ai nuk do të përkrahë publikisht ndryshimet në ligj, do të ketë pasoja personale dhe institucionale”.
Çfarë rrëmuje diplomatike!
Kjo vjen pas anulimit të vizave amerikane kohët e fundit për 70 prokurorë e gjyqtarë të lidhur me opozitën (askujt nga PS nuk iu anulua viza). Të dy incidentet mund të interpretohen si ndërhyrje partizane nga ambasada e SHBA, si një përpjekje për vetting për anëtarët e sistemit të drejtësisë. Kjo e ka bërë edhe më keq polarizimin politik në Shqipëri.
Përzierja në punët e brendshme të aleatëve të Amerikës është jo vetëm gjë e keqe për SHBA, por në kundërshtim me shpirtin dhe dokumentin e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Neni 41 i Konventës deklaron se diplomatët kanë “detyrimin të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit ku janë akredituar”.
Aktivizmi politik brenda korridoreve të Foggy Bottom është mjaftueshëm i keq, kur shtrihet deri në ambasadat amerikane bëhet i dëmshëm për drejtimin e mirë të marrëdhënieve të SHBA me jashtë. Puna e diplomatëve duhet të jetë të mbrojë interesat kombëtare të SHBA dhe jo interesat e ngushta politike të një partie të vetme apo të një organizate joqeveritare.
Ndryshimi i mentalitetit brenda DASH do të jetë një proces i avashtë si kthimi i një cisterne të madhe nafte në Ngushticën e Bosforit. Teksa Tillerson fillon të pastrojë DASH, është e vlefshme të shihet nëse disa ambasadorë karriere janë jashtë linjës së qëndrimit të administratës së re për politikën e jashtme. Ka plot individë të aftë e me përvojë, në gjendje të përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, që mund të plotësojnë këto vende. Kjo është praktikë e zakonshme për postet e rëndësishme diplomatike në Londër, Berlin e Moskë, ndër të tjera. Kjo praktikë duhet të merret në konsideratë edhe për aleatët më të vegjël, përfshirë Ballkanin.
Një nga prioritetet e administratës Trump ka qenë dëshira për të rindërtuar marrëdhëniet që janë ndrydhur për shkak të politikës së tetë viteve të mëparshëm. SHBA ka nevojë për miq e aleatë. SHBA ka nevojë edhe të mbrojë interesat e saj kombëtare. Ndaj është jetësore që të ketë ambasadorë që e pranojnë këtë dhe nuk notojnë në ujërat shpesh të turbullta të politikave të brendshme e partizane.

*Autori është drejtor i Qendrës për Politikën e Huaj në Heritage Foundation.

Shqiptarët të katërtët në Europë për pirjen e duhanit

Që shqiptarët janë një popull duhanpirës dhe nuk heqin dorë nga vesi, edhe pse ai po bëhet gjithnjë më i shtrenjtë, këtë e konfirmojnë tashmë edhe statistikat krahasuese në nivel europian. Sipas një vëzhgimi të Project Sun, të kryer nga firma audituese KPMG, Shqipëria renditet në vendin e katërt në Europë përsa i përket shitjeve të cigareve për frymë për moshën mbi 15 vjeç.
Me rreth 2000 fije cigare në vit të shitura për frymë, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Maqedoninë, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2016.
Më duhanpirës sesa shqiptarët e maqedonasit në Europë janë vetëm bullgarët, me rreth 2300 fije në vit, që renditen të parët dhe fqinjët grekë me rreth 2200 fije.
Në përgjithësi të gjithë vendet e Ballkanit gjenden në zonën e kuqe, si Mali i Zi, Serbia, Sllovenia. Në Europë, ata që pinë më pak duhan janë suedezët, me rreth 700 fije cigare për frymë në vit, të ndjekur nga norvegjezët, anglezët e holandezët.
Në Shqipëri, çmimi mesatar i një pakete cigare me 20 fije është 1.8 euro, ndërsa në Maqedoni është shumë më e lirë, 1.09 euro, në Serbi 1.63 euro. Në raport me vendet e tjera, gjithsesi një paketë cigare në Shqipëri është më e lirë. Në Greqi është 3.71 euro, në Itali 4.66 euro, ndërsa në Gjermani 5.34 euro.
Në Britani, një ndër vendet ku konsumohet më pak duhan, një paketë kushton më shumë se 10 euro. Edhe në Norvegji për një paketë duhet gati 11 euro. Në Suedi, vendi ku konsumohet më pak, çmimi i paketës nuk është aq i shtrenjtë sa në dy vendet e tjera, por luhatet në 5-6 euro.
Më e lirë cigarja është në vendet baltike, ku për shembull, në Ukrainë kushton 0.58 euro, në Rusi 0.83 euro, në Moldavi 0.66 euro.
Të dhënat globale tregojnë se në përgjithësi shtetet europiane kanë nivelin më të lartë të duhanpirjes në botë. Nga shtetet e kontinenteve të tjera, në listë është Kina, Libani, Koreja e Jugut, me rreth 2 mijë fije për frymë në vit. Dy shtetet që pinë më pak cigare në botë janë Uganda, Ishujt Solomon, Guniea, me më pak se 50 fije për frymë në vit.
Në Shqipëri, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 40% e shqiptarëve janë duhanpirës. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe ndalimi i pirjes së duhanit në ambientet e brendshme të lokaleve ka ndikuar në reduktimin e konsumit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për 11-mujorin 2016, importet e cigareve ishin gati 2700 tonë nga gati 4 mijë tonë për të njëjtën periudhë të 2010-s. Gjithsesi, rritja e çmimeve të cigareve të gatshme vlerësohet se ka nxitur dhe konsumin e duhanit të dredhur.