18.5 C
Tirana
E diel, 18 Maj, 2025

Katastrofë e vërtetë

Që Leicester City do ta kishte shumë të vështirë për të përsëritur suksesin e pabesueshëm të një sezoni më parë, ky ishte një bast shumë i mirë, por që skuadra kampione vetëm disa muaj pas ngritjes në qiell të titullit do të luftonte për mbijetesën, shumë pak mund të rrezikonin për ta parashikuar. Gjithsesi, me baste të çmendura Leiçesteri i ka mësuar tashmë tifozët e tij, disa prej të cilëve u bënë milionerë pas suksesit të pamenduar në Premier League. Avujt e alkoolit duket se janë larguar nga “King Power Stadium” dhe tashmë të gjithë kanë nisur të bëjnë llogaritë me zonën e ftohtë, aq sa edhe Claudio Ranieri mund t’i japë lamtumirën skuadrës me të cilën shkruajti emrin në histori dhe në një prej rrugëve të qytetit. Në vitrinat e dyqaneve rrallë shikon parulla inkurajuese për skuadrën, por muralet vazhdojnë të mbeten si një kujtim i largët i asaj çfarë ndodhi gjatë sezonit të kaluar.
Pas 9 muajsh, ëndrrat e lavdisë janë shuar, ndërsa ndeshja e fundit me Manchester United shërbeu si një gur i rëndë për të zhytur edhe më shumë anijen e Ranierit drejt ujërave të paqarta dhe të ftohta. Nga skuadra e vitit të shkuar nuk ka asnjë gjurmë, ndërsa shumë prej lojtarëve janë rikthyer normalë me Mahrez dhe Vardy në krye të listës. Mediat e quajnë të papranueshme paraqitjen e Leicester City, ndërsa disa të tjera e konsiderojnë Vardy-n një meteor që shkëlqeu në qiellin e futbollit anglez vetëm për disa muaj, sepse ai nuk e gjen rrugën e rrjetës që prej 24 takimesh. Në krahun tjetër edhe trajneri italian po e ndien të ftohtin e madh, sepse Leicester City është e vetmja skuadër mes 88 ekipeve të 4 kategorive të para në Angli, që nuk ka arritur ende të gjejë rrugën e rrjetës në vitin 2017 në kampionat. Në këtë mënyrë, bookmeakersat e kanë ngjitur Ranierin në krye të listës së trajnerëve që rrezikon i pari shkarkimin nga detyra. Kohë të vështira për njeriun simbol të skuadrës, që në futboll bëri arritjen e pabesueshme, por brenda një sezoni mund të shkatërrojë me duart e veta atë mrekulli.
Manchester United gjen buzëqeshjen. “Djajtë e Kuq” arrijnë një sukses shumë të rëndësishëm në fushën e kampionëve të Leicester City me rezultatin 3-0. Në “King Power Stadium” nuk kishte histori, sepse skuadra e Jose Mourinhos dominoi në çdo aspekt “Dhelprat”. Armeni Henrikh Mkhitarian i dhuroi avantazhin Manchesterit 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, duke shtruar rrugën e suksesit për “Djajtë e Kuq”. Ky fraksion nuk u mbyll këtu, pasi kishte kohë për një tjetër gol që erdhi nga këmbët e Zlatan Ibrahimoviç. Suedezi shfrytëzoi maksimalisht asistin e ekuadorianit Antonio Valencia për ta mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me avantazhin e dyfishtë të miqve. Nuk ndryshoi tabloja as në pjesën e dytë, ku Manchester United nuk e lëshoi kontrollin e lojës. Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës ishte radha e spanjollit Juan Manuel Mata, i cili hipotekoi fitoren e Manchester United në transfertën e Leicester me rezultatin 3-0. Një sukses që e afron skuadrën e Mourinhos me vetëm 1 pikë nga Liverpooli i vendit të pestë. Tashmë “Djajtë e Kuq” ngjiten në kuotën e 45 pikëve, ndërsa Leicester City rrezikon seriozisht qëndrimin në Premier League, pasi mbetet në vendin e 16 me 21 pikë.  Në sfidën tjetër, Manchester City kaloi 2-1 Swansean.

Reali kërcënon me krijimin e “Superligës Europiane”

Shtyrja e ndeshjes me Celta Vigon për shkak të motit të keq që dëmtoi stadiumin “Balaidos” ende nuk është kapërdirë nga drejuesit e Realit të Madridit, të cilët kanë theksuar në të përditshmen “Marca” se ka munguar vullneti që ndeshja të luhej sipas programit. Gishti i akuzës drejtohet nga Liga e Futbollit, Federata dhe Celta Vigo, me galizianët që përfituan nga rasti, duke e ditur që ndeshja mund të luhet madje në muajin maj, për shkak të kalendarit të ngjeshur të Los Blancos.
Të shtunën, skuadra e Zidane mund të parakalohet nga Barcelona, edhe pse do të ketë tri ndeshje më shumë për të luajtur, dhe ky fakt mund të ndikojë negativisht në anën psiologjike te futbollistët e Realit në garën. Një presion i evitueshëm sipas drejtuesve të Realit, sigurisht nëse nuk do të hidheshim poshtë të gjitha alternativat e propozuara për të luajtur sipas programit në Vigo.
Sipas mediave sportive në Spanjë, situata mund të precipitojë deri në atë pikë sa klubi kryeqytetas të largohet përfundimisht nga La Liga. Sipas “AS”, Florentino Perez po kërcënon me krijimin e një superligë europiane, një projekt që po studiohet prej vitesh. Presidenti i Los Blancos është gati të tërhiqet nga kampionati spanjoll sigurisht, nëse do të ketë mbështetjen e klubeve të rëndësishme në Europë si Bayerni i Mynihut, Juventusi, Barcelona, Chelsea, Milani dhe Manchester City.

Douglas Costa kërkon largimin nga Bayern

Douglas Costa befason Bayern Munich, pasi deklaron se nuk është i lumtur në “Allianz Arena” dhe mendon largimin në fund të këtij sezoni. Sulmuesi, i cili në vitin 2015 u transferua nga Shakhtar Donetsk te klubi bavarezët, duket se joshet nga ideja për të luajtur në Premier League. 26-vjeçari pohon se kur të përfundojë sezoni do të bisedojë me drejtuesit dhe do të analizojë gjithçka me ta për të ardhmen. Braziliani deri në këto momente ka realizuar 11 gola me Bayern në të gjitha kompeticionet.

Çani: Jap maksimumin për Pisa-n

Rivaliteti me Rey Manaj duket se e ka motivuar Edgar Çanin, që në barazimin 1-1 përballë Entella-s u aktivizua si zëvendësues i shokut kuqezi dhe realizoi golin e parë sezonal në Serinë B. Genaro Gattuso i beson dy shqiptarëve të sulmit te Pisa dhe sulmuesit nuk po e zhgënjejnë, duke e ndihmuar ekipin të ringrihet dhe t’i largohet zonës së rënies nga kategoria.
“Ishte një aksion i bukur dhe Masuçi u tregua i zoti që i hapi rrugë topit, ndërsa unë tentova menjëherë goditjen. Isha me fat, edhe sepse topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë. Mendoj se ata që hyjnë në fushë nga minuta e parë, apo edhe si zëvendësues duhet të japë maksimumin. Këtë e kërkon trajneri në të gjitha rolet. Ne që u aktivizuam nga stoli tentuam të rrisnim ritmin e lojës dhe pjesërisht ia dolëm”.
Pas golit të parë në 22 ndeshje të kampionatit, Çani u shpreh i kënaqur me atë që tregoi skuadra, edhe sepse Pisa arriti të evitonte humbjen, pavarësisht inferioritetit numerik.
“Personalisht jam shumë i kënaqur, mbi të gjitha edhe sepse për paraqitjen e bërë e meritonim të paktën një barazim. Luajtëm mirë në pjesën e parë, ndërsa penalltia e Entella-s na zhgënjeu. Gjithsesi u treguam të zotët që shënuam, pavarësisht se luanim me një lojtar më pak”.

Basha, “truri” i Barit në Serinë B

Bari gjen më në fund Migjen Bashën në formën më të mirë për të vënë rregull në lojën e skuadrës puljeze. Në sfidën me Vicenzën, e fituar 2-1 nga Bari, lojtari kuqezi luajti ndeshjen e tij të 10-të në formacionin titullar, duke qenë një nga pikat më të forta në mesfushë, sidomos në organizimin e lojës. Pas gjashtë muajsh te kjo skuadër, 30-vjeçari konsiderohet si lojtar kyç në formacionin e trajnerit Aniello Salzano, duke hedhur pas krahëve atë fillim të vështirë në stolin e rezervave. Basha është aktivizuar në total në 13 ndeshje, madje ka shënuar edhe një gol në fitoren 2-0 me Carpin, dhe çështë më e rëndësishmje ka fituar atë formë fizike që gjithmonë e ka penalizuar për të përballuar një 90-ësh të plotë.
Bari aktualisht renditet në vendin e 9-të në klasifikimin e përgjithshëm të Serisë B, një pozicion poshtë zonës play-off. Falë eksperiencës së shqiptarit që ndërthuret me grintën e futbollistëve të rinj të mbërritur në merkaton e janarit, barezët do të synojnë të bëjnë mrekullinë, për të siguruar një vend në Serinë A sezonin e ardhshëm. Forma e mirë e Bashës është një lajm i mirë edhe për kombëtaren shqiptare, që në 24 mars do të luajë në Palermo eliminatoren me Italine për Botërorin “Rusi 2018”. Eksperienca e Bashës në futbollin italian dhe sigurisht forma e mirë sportive mund ta bindin trajnerin Gianni De Biasi për t’i rezervuar qoftë një pjesë lojë në sfidën me të kaltrit.

Milani në krizë, humbja e tretë radhazi

Te Milani tashmë mund të flitet për krizë. Kuqezinjtë e Vincenzo Montellës, pësuan humbjen e 3 radhazi në kampionat dhe 4 rresht pasi u mposhtën me rezultatin 0-1 nga Sampdoria brenda në “San Siro”. Objektivi për t’u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm tanimë duket një mirazh i largët për Milanin që rrezikon të mbetet jashtë edhe nga Europa League. Problemet në mbrojtje u ndjenë jo pak te 18 herë kampionët e Italisë me Montellën që në mungesë të alternativave kishte aktivizuar në krahët e mbrojtjes Romagnolin dhe Kuckën. Në pjesën e parë, rastin më të mirë, Milani e krijoi në minutën e 36-të, por Viviano i parapriu Pasalic-it pas një topi të hedhur në zonë nga Suso. Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, por kuqezinjtë ishin të pafat në të 48-tën kur goditja e Deulofeut u ndal nga shtylla. Në të 59-tën, tentativa e Pasalic përfundoi për fare pak jashtë kuadratit. Atë që s’e bëri dot Milani e realizoi Sampdoria 11 minuta më pas. Palleta pengoi brenda zone Quagliarellan, me gjyqtarin Guida që akordoi 11-metërsh për skuadrën doriane. Nga pika e bardhë, kolumbiani Luis Muriel nuk gaboi duke mposhtur Donaruman dhe duke i dhënë epërsinë ekipit të Giampaolos. Milani e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi Sosa u ndëshkua me karton të kuq, në të 90-tën. Shumë përpjekje të kuqezinjve, por goli nuk erdhi me Sampdorian që mori një 3 pikësh me shumë vlera brenda në “San Siro”.
Lazio shkatërroi me rezultat tenistik Pescaran. 6-2 trimfoi skuadra e Simone Inzaghit në “Adriatico” ku Marco Parolo shënoi plot 4 herë. Ishte mesfushori lazial që zhbllokoi sfidën që në minutën e 10, ndërsa 4 minuta më vonë dyfishoi rezultatin. Pjesa e parë mori një tjetër rrjedhë me kryeqytetasit në black out pasi skuadra abruceze barazoi me golat e Benalit dhe Brugman, ndërsa Caprari humbi një 11 metërsh. Gjithsesi Lazio e gjeti sërish avantazhin me Parolon në minutën e 49.
Tre golat e tjerë u sigluan nga senegalezi Keita, sulmuesi italian Ciro Immobile dhe sërish Parolo. Sukses shumë të rëndësishëm për zonën europiane regjistroi edhe Atalanta që kaloi pa shumë vështirësi 2-0 Cagliarin. Alejandro Gomez në minutën e 4 zhbllokoi sfidën, ndërsa 10 minuta më pas vulosi fitoren me një supergol.
Etrit Berisha dhuroi një tjetër paraqitje pozitive duke u konfirmuar një nga lojtarët më në formë të skuadrës bergamaske. Ndërkohë, në Toskanë, Empoli dhe Torino u ndalën në barazim 1-1. Të parët kaluan në avantazh miqtë nga Torino në minutën e 11 me autor Andrea Belottin.
Manuel Pucciarelli barazoi shifrat në limitin e pjesës së parë. Torino ishte shumë pranë fitores, por në të 55-ën, Iago Falque shpërdoroi një 11-metërsh, duke e larguar edhe më shumë skuadrën e Mihajloviç nga objektivi Europë.

Juve thyen Interin

Derbi i 168 i Italisë vishet bardhezi. Juventusi tregon qartë se as këtë sezon nuk synon të heqë dorë nga titulli duke dhënë një sinjal të qartë se trofeu i më të mirit në Itali është një çështje pothuajse e mbyllur. “Zonja e Vjetër” dominoi Interin në një 90 minutësh spektakolar të luajtur në “Juventus Stadium”, ku konfirmoi se ky stadium mbetet kështjella ku askush nuk ka arritur të marrë pikë në 28 ndeshjet e fundit. Kolumbiani Guadrado ishte njeriu që finalizoi me një të djathtë të paarritshme për të ndalur edhe ecurinë pozitive të skuadrës së Piolit që zbriti në Torino pas 7 fitoreve rresht në kampionat.
Menjëherë me gazin në maksimum, të dyja skuadrat e nisën ndeshjen me objektivin për të gjetur sa më parë rrugën e rrjetës dhe sinjalin e parë e dha skuadra e Allegrit që në minutën e tretë me një goditje me roveshatë të Dybala-së që u ndal nga Handanoviç. Sërish Juventus 8 minuta më pas, por këtë herë ishte transversa që ndali goditjen e argjentinasit. Interi u zgjua në të 22-ën me kombinimin Icardi-Joao Mario, por finalizimi i portugezit kaloi ngjitur me shtyllën. Inter sërish në të 37-ën me protagonist Perisiç, goditja e të cilit u prit nga Buffon.
Asnjë sekondë frymëmarrje sepse Manzukiç humbi nga sytë e Murillos, por ishte i paqartë në finalizimin me kokë. Ritëm frenetik për një pjesë të parë spektakolare sepse Interi tregoi mentalitet sulmues me Perisiç që vuri sërish në provë Buffon. Dy minutat e fundit rezultuan fatale për zikaltërit që humbën përqendrimin dhe lejuan Juventusin që të rrezikonte fillimisht me Pjaniç nga goditja e dënimit. Boshnjaku u ndal nga Handanoviç dhe tranversa, por jo super Cuadrado që pak sekonda më pas e stampon topin në rrjetë.
Derbi i Italisë jo më kot e mban mbi shpatulla këtë gradë sepse në kuadratin e blertë lufta sportive u bë edhe më e ashpër në pjesën e dytë. Juventus me armatën e rëndë bardhezi mësyu në mesfushën e Interit. Minuta e 54 rezervoi sërish drithërima me një pasim të saktë të Higuain për Dybala, por Handanoviç veshi kostumin e heroit. Sërish Juventus dhe sërish Dybala me një vertikalizim për Higuain, por Handanoviç nuk kishte aspak ndërmend të ngrinte flamurin e bardhë. Kaq mjaftoi në “Juventus Stadium” për suksesin e 18 në kampionat të skuadrës së Allegrit që këtë sezon kërkon rekordin e titullit të gjashtë rresht, ndërsa Interi bie dhe humbet njëkohësisht vendin e katërt, duke u ridimensionuar pas një jave të vështirë që nisi me atë humbje në çerekfinalen e Kupës së Italisë.

Aguero drejt largimit nga Manchester City

Sergio Aguero i pakënaqur te Man.City. Sulmuesi argjentinas prej disa javësh nuk shihet më si titullar në formacionin e trajnerit Pep Guardiola. Situatë kjo që ka shkaktuar pakënaqësi te bomberi amerikanojugor. Nisur nga kjo situatë, në drejtim të 28-vjeçarit kanë ardhur dhe ofertat e para. Interi është skuadra që kërkon të ketë në dispozicion shërbimet e sulmuesit dhe gjatë merkatos së verës drejtuesit e klubit zikaltër do të nisin bisedimet me menaxherin e lojtarit. Në një intervistë, vetë Aguero deklaroi se momentalisht është i fokusuar te skuadra e tij por, për sezonin e ardhshëm, ai nuk jep garanci nëse do të jetë pjesë e Citizens.
“Mungojnë edhe tre muaj nga fundit i sezonit. Momentalisht fokusi im është të jap kontributin tim për ekipin, më pas do të shoh se çfarë do të vendos për të ardhmen time. Personalisht dua të vazhdoj të luftoj për një vend titullari”.
Në ndjekje të “El Kun” nuk është vënë vetëm Interi, pasi në garë janë edhe Chelsea me Realin e Madridit dhe ky nuk është një mister, pasi blutë e Londrës dhe Los Blancos kanë tentuar disa herë ta afrojnë argjentinasin.

Shënon Çani, i jep pikë Pisës

Edgar Çani realizon golin e tij të parë me Pisën në këtë sezon të Serisë B. Sulmuesi shqiptar ishte përcaktues në barazimin që regjistroi skuadra e Gennaro Gatussos përballë Virtus Entellës në stadiumin “Arena Garibaldi”. Çani edhe pse hyri në fushë nga stoli duke zëvendësuar bomberin tjetër të kombëtares kuqezi që luan te Pisa pikërisht Rey Manajn, ishte thjesht fantastik për aq kohë sa qëndroi në fushë. Në minutën e 78-të kur Pisa ishte me një lojtar më pak në fushë pas daljes me karton të kuq të Vernës, skena ishte e gjitha për Edgar Çanin. 27-vjeçari shqiptar, i asistuar nga Peralta goditi bukur nga limitet e zonës, tentativa e Çanit pasi u devijua dhe nga një mbrojtës kundërshtar duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Entellës, Paroni.
Pak minuta më vonë ish-lojtari i Leeds United, për pak sa nuk i dha fitoren Pisës, por goditja e Çanit me kokë u devijua në këndore nga portieri i skuadrës mike, me Paronin që bëri një superpritje. Entella kishte kaluar në avantazh në minutën e 73-të me Caputon që mposhti Samir Ujkanin nga pika e bardhë e penalltisë. Por falë golit të parë të Edgar Çanit që së fundmi është grumbulluar edhe në kombëtaren shqiptare, Pisa mori një pikë shumë të vlefshme në garën për mbijetesë në Serinë B.

Hyka: SHBA, mundësi e mirë

Nga Norvegjia në Gjermani, për të vazhduar me Greqinë dhe Zvicrën. Në mes dy rikthime në kampionatin shqiptar, ndërsa tani Jahmir Hyka bëhet gati për aventurën e re në Major League Soccer amerikane. Pavarësisht pengut që nuk ka arritur të luajë në Serinë A italiane, mesfushori kuqezi shfaqet entuziast për aventurën e re.
“Kisha mundësi të luaja në Serinë A në vitin 2008 kur u transferova te Mainz. Më kërkonte Atalanta, por fatkeqësisht kalimi nuk u konkretizua. Edhe pse kam ëndërruar gjithmonë të luaja në Itali, jam i kënaqur për mënyrën si ka ecur karriera ime. Tashmë jam gati për të luajtur në Shtetet e Bashkuara. Pranova ofertën e San Jose, me ofertën financiare që është e mirë, por duhet të them se ishte një paketë e mirë në tërësi”, u shpreh Hyka.
Objektivi i 28-vjeçarit është ta ndihmojë klubin kalifornian të ringrihet pas disa viteve nën nivelet e pretenduara, ku synimi fillestar është faza play off. “San Jose ka disa vite që nuk arrin të kualifikohet në play off. Me ndihmen time, por edhe me afrimet e tjera cilësore ambicia e klubit është të ngjitet sa më lart”, tha ai.
Jahmir Hyka pritet të debutojë në Major League Soccer më 5 mars, në përballjen me kanadezët e Montreal Impact, ndërsa ka marrë edhe bekimin e trajnerit të kombëtares, De Biasi për transferimin në Amerikë. “Kampionati amerikan është cilësor, nuk do të ndikojë në prezencën me kombëtaren. Disa ditë më parë kam biseduar edhe me trajnerin De Biasi rreth kësaj lëvizjeje dhe më tha se pavarësisht largësisë do të jem pjesë e grupit nëse luaj rregullisht. Trajneri më konfirmoi se unë mbetem pjesë e projektit të kombëtares”, tha Hyka.
Hyka u largua nga Lucerna pas afro 6 vjetëve, një qytet dhe skuadër që e cilëson shtëpinë e dytë. Mesfushori mbetet tejet i lidhur me Tiranën dhe ngjyrat bardheblu, e pavarësisht ecurisë negative të skuadrës së Josës nuk beson se 24 herë herë kampionët do të rrezikojnë rënien nga kategoria. Ndërkohë, gara për titull ndërmjet tri pretendentëve, sipas Hykës është më e hapur se asnjëherë.
“Në garën për titullin janë Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi dhe gjithçka është e hapur deri në fund. Besoj se në fund në garën për titull do të luftojnë Skënderbeu dhe Kukësi, por shpresoj të triumfojë Kukësi, pasi Skënderbeu ka vite që fiton. Tirana rrezikon rënien nga kategoria? Titulli është larg, por skuadra ka mundësi të sigurojë një vend në Europë. Nuk e besoj që Tirana do të jetë një nga ekipet në luftën për të evituar rënien nga kategoria”, përfundoi Hyka.