Rohrabaher është një prej njerëzve më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve. “Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës”
Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher i ka cilësuar armiqësore deklaratat dhe qendrimet e Kryeministrit Rama ndaj Presidentit të SHBA, Donald Trump. Në një intervistë për “Vizion Plus”, për sa i takon deklaratës së Ramës për Trump gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Rohrabacher shprehet se tashmë, kryeministri shqiptar duhet të pranojë faktin që Trump është President dhe dhe të heqë dorë nga deklaratat armiqësore ndaj tij. “Trump ka fituar. Ai është President. Tani është koha që të bëhen marrëveshje dhe të mundohemi të shohim se cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë apo përmbushim me këtë njeri si President. Jo të përgjigjemi në mënyrë armiqësore, duke thënë se ne nuk na pëlqen ai apo ai nuk na pëlqen ne. Por të gjejmë diçka që ne mund ta bëjmë dhe që Trump do që ta bëjë dhe le të punojmë të gjithë për këtë. Rohrabaher është një prej njerëzve më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve. Si një ish-ndihmës i Presidentit Regan, Rohrabacher i pëlqen që t’u jepet një shkundje politikave të brendshme dhe të jashtme. Ai e pret me entuziazëm kryerjen e një politike të tillë edhe nga Presidenti i ri Trump. “Vizion Plus” ishte në Kongresin amerikan, në zyrën e zotit Rohrabacher pak ditë pasi ai i dërgoi një letër Presidentit të Serbisë Nikoliç, në të cilën kërkonte që të shqyrtohej mundësia e shkëmbimit të territoreve në Veri të Kosovës, si zgjidhja më e mirë. Rohrabacher shkon edhe më tej: Le të ndryshojnë edhe kufijtë e Maqedonisë. “E urrej ta them këtë, sepse kjo do të bëjë që të gjithë të tërbohen me mua, por pse jo dreqi ta hajë… Qëndrimi im është që Maqedonia nuk është një shtet. Më vjen keq, por nuk është një shtet. Ata janë kaq të ndarë, sa kurrë nuk do të jenë në gjendje që të shkojnë mirë së bashku. Prandaj, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të bëhet pjesë e Bullgarisë apo çfarëdo vendi tjetër me të cilët ata pretendojnë se kanë lidhje. Ideja që do ta mbajmë Maqedoninë gjallë sepse dikush, 30 vjet më parë vendosi që ky është konfigurimi që duhet të dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, nuk çon në një arsyetim që kjo ide të mbahet ende”, shprehet Rohrabaher. Por a do ta mbështesë administrata e Trump këtë ide? “Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës. Ne do të kemi seanca dëgjimore në muajt në vijim. Një nga çështjet që do të diskutojmë është ndryshimi i kufijve në mënyrë që ata të kenë kuptim dhe të sjellin paqe në Ballkan”, shprehet ai. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve komenton edhe çështjen e pagesës për mbledhje fondesh për Partinë Demokrate në SHBA në vitin 2012. “Disa njerëz po përpiqeshin të bënin disa gjëra që nuk ishin etike. Jam i lumtur që isha në gjendje që të paktën të tregoja. Nuk ka rëndësi se kush e bën këtë dhe cilës palë politike të Shqipërisë i përket. E rëndësishme është që këtu në SHBA nuk mund të kemi këtu njerëz që vijnë dhe luajnë ato lloj lojërash. Dhe ta bëjnë këtë të duket sikur janë amerikanë mbështetës të një partie politike apo një tjetre. Kjo thjesht nuk funksionon këtu”, thekson Dana Rohrabacher. Nga ana tjetër, ligjvënësi amerikan nuk ndjen rrezik rus në Ballkan, por mundësi zhvillimi për të gjithë, nëse mbyllen plagët e konflikteve të vjetra. Ndërsa shqiptarët, Rohrabacher e sheh si një urë lidhëse mes SHBA-së dhe botës myslimane.
Përgjigjet armiqësore ndaj Trump të papranueshme
Bylykbashi: Roshi automatikisht i shkarkuar, po e mban Rama në zyrë
Të shtunën në drekë “Shuplaka” publikoi informacionin e rëndësishëm se Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, i penalizuar nga Ligji i Dekriminalizimit, jo vetëm që nuk e kishte lënë detyrën, por shkonte përditë në zyrën e tij. Një lajm që nxiti reagimin e Partisë Demokratike, Bashës dhe Bylykbashit. Por sot, pas sqarimit të dinamikës së ngjarjeve nga Prokuroria, te KQZ-ja, pastaj te kryeministri Edi Rama, “Shuplaka” publikon një intervistë të detajuar me kreun e Komisionit të Dekriminalizimit, deputetin demokrat Bylykbashi, i cili shpjegon me imtësi versionin mbi shkeljet “tinëzare” siç ai i quan, të Kushtetutës dhe Ligjit të Dekriminalizimit nga kryeministri Edi Rama. Rama e ka shkarkuar Roshin për shkelje në detyrë, kur në fakt, sipas Bylykbashit duhej thjesht të njoftonte Presidentin Bujar Nishani dhe presidenti të caktonte datën e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Kavajës. “Rama ka përdorur një artificë, me qëllim, për të fituar kohë, duke e shkarkuar”, shpjegon Bylykbashi.
-Zoti Bylykbashi, cili është konkluzioni juaj për shkarkimin e kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi? E keni quajtur veprim “tinëzar” të Edi Ramës…
Duhet theksuar se, me porosi të Ramës, mazhoranca e majtë ka vënë si bazë ligjore për shkarkimin e Roshit nenin 115 të Kushtetutës, i cili është neni që rregullon shkarkimin e kryetarëve apo shpërndarjen e Këshillit Bashkiak për shkelje të rëndë të ligjit. Pra, kur një kryetar bashkie bën një shkelje të rëndë që mund të jetë dhe e karakterit penal, por nuk është gjykuar ende penalisht, kryeministri ka të drejtë ta shkarkojë. Kjo është praktikë e konsoliduar. Dhe gjatë kësaj periudhe, brenda një afati prej 15 ditësh kryetari i shkarkuar ka të drejtën të ankohet në Gjykatë Kushtetuese, e cila konfirmon shkarkimin, ose e rrëzon, pra pranon ankimin e kryetarit të shkarkuar. Rasti më i fundit është Shukri Xhelili. Gjykata Kushtetuese konfirmoi shkarkimin, prandaj pati zgjedhje. Po kështu në raste të tjera, 2 ose 3 raste janë bërë në kohën e PD-së. Kjo dispozitë parashikon shkelje të rëndë të ligjit gjatë ushtrimit të funksionit. Rasti i Elvis Rroshit është dispozitë krejt tjetër. Ai ka kryer një krim dhe ka marrë dënimin penal. Pra, për mendimin tim, me porosi të Ramës anëtarët e KQZ-së e kanë futur qëllimisht në hullinë kushtetuese totalisht të gabuar. Sepse duke e referuar te 115-ta, kryeministri ka marrë një vendim për shkarkimin dhe tani i ka hapur rrugën e ankimit në Gjykatë Kushtetuese me logjikën që deri sa të vendosë Gjykata Kushtetuese për të pranuar shkarkimin apo jo, i shkarkuari mbetet në detyrë. Kjo është arsyeja pse Roshi rri sot në detyrë, kjo është vepër e qëllimshme e Ramës. Ndërkohë, kur u bë paketa e dekriminalizimit, përpara ligjit, u miratuan nenet e ndryshimit kushtetues për t’i dhënë bazën kushtetuese ligjit dhe pati një seri amendamentesh kushtetuese dhe në mes tyre është neni 179/1. Ai është nen tranzitor, i shtuar, i cili trajton në mënyrë specifike shkarkimin e zyrtarëve që janë në funksione në momentin, kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, pra edhe për Roshin. Nëse këta zyrtarë konstatohen në kushtet e ndalimit, sipas ligjit, humbasin mandatin. Pra, Elvis Roshi e ka humbur sipas nenit 179/1. Mbi bazën e kësaj është Kushtetuta që autorizon veçse konstatimin e faktit: Është i dënuar apo nuk është i dënuar. Nëse është i dënuar humbet mandatin! Dhe këtë e vendos Kushtetuta. Nuk është vendim KQZ-je. KQZ-ja vetëm konstaton faktin e ndodhur, dënimin dhe detyrimin kushtetues, shkarkimin. Pra nuk ka më rol kryeministri në këtë histori. Vendimi i Këshillit të Ministrave është nul dhe antikushtetues.
-Por Rama e ka shkarkuar Roshin, në fakt çfarë duhet të bënte brenda kornizave ligjore?
Pas vendimit të KQZ-së, pak më pas është një vendim i Këshillit të Ministrave që vendosi shkarkimin. Duhet të ishte vetëm kaq: Pra KQZ-ja mori vendim, e shkarkoi. Pikë! KQZ-ja njofton kryeministrin dhe kryeministri nuk duhet të bënte asnjë gjë tjetër, përveç se të njoftonte Presidentin për vakancën në Bashkinë e Kavajës.
-Pra, nuk duhet të merrte një vendim shkarkimi për Roshin?
Fare! Zero! E ka shkarkuar Kushtetuta atë. D.m.th vendimi sipas nenit 115 është diskrecion i kryeministrit për të gjykuar nëse kryetari ka bërë një shkelje të rëndë apo jo. Dhe thotë “Ka bërë shkelje” dhe vendimin e kryeministrit e censuron Gjykata: “Ke të drejtë, nuk ke të drejtë!”. Sepse kryetari i Bashkisë është i zgjedhur. Kurse në rastin konkret, ky është një i zgjedhur që humbet mandatin për shkak të Kushtetutës, sepse është dënuar për krim më parë.
-Ligjërisht, Roshi është në të drejtën e tij duke vazhduar të jetë në krye të detyrës?!
Jo, ligjërisht Roshi është i shkarkuar! Roshi është në shkelje të Kushtetutës në detyrë, shfrytëzon vendimin antikushtetues të kryeministrit për t’u ankuar në Gjykatë dhe të presë deri sa të marrë vendim Gjykata. Si rregull, Gjykata duhet të refuzojë kërkesën. Pra, jo ta rrëzojë, por ta refuzojë ta marrë në shqyrtim. Rama ka përdorur mazhorancën e KQZ-së që ta keqdrejtojë procesin dhe të zgjasë qëndrimin e Roshit në detyrë. Rama të përdorë bazë kushtetuese nenin 115, t’i japë mundësi Roshit të ankohet dhe derisa të merret vendimi ky të qëndrojë në detyrë, mundësisht deri në zgjedhjet parlamentare, sepse i duhet për të mbledhur vota. Ai vazhdon rri në detyrë dhe ju keni dhe prova të tjera për këtë. Kurse rruga e tij duhej të ishte shumë e shkurtër: KQZ konstatoi që është në kushtet e dekriminalizimit, sipas 179/1 Roshi humbet mandatin! Pikë! Sot Presidenti duhet të kishte thirrur zgjedhjet, duhet të kishte caktuar datën e zgjedhjeve! Nuk po them që ka përgjegjësi Presidenti, e gjithë kjo histori është e kryeministrit. Ai ka zgjedhur rrugën për ta çuar në Gjykatë, për t’i dhënë kohë. Ky do ta mbajë në detyrë nëpërmjet kësaj artifice antikushtetuese.
-Ju keni qenë në dijeni të kësaj që ka ndodhur? Partia Demokratike, Komisioni i Dekriminalizimit?
Komisioni i Dekriminalizimit e ka mbyllur punën.
-Kur jeni njohur me këtë që ka ndodhur se ky është një fakt i rëndë dhe hedh krejtësisht poshtë gjithë përpjekjet për Ligjin e Dekriminalizimit…
Ne presim Kryeministrin që të njoftojë Presidentin. Ndërkohë që ai ka bërë të kundërtën. Ka dhënë këtë vendim dhe i hapi rrugën Roshit për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta marrë në shqyrtim ankimin për vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkim. Po arsyeja pse unë përdora termin “tinëzar” ishte pikërisht kjo: mbajtja në detyrë e Roshit. Kjo del e qartë tani, kur dhe një ministër i referohet atij si kryetar dhe ju keni zbuluar fakte të reja që ai ka ushtruar detyrën, atëherë do të thotë që këtu jemi përpara një veprimi të qëllimshëm, 115-ta është përdorur pikërisht që ky të ankohet dhe të qëndrojë në detyrë e të vazhdojë punën. Nuk mund të bëjë përjashtim Roshi, se nga 179/1 nuk mund të bëjë përjashtim as ministri, as deputeti, as Presidenti, as kryeministri, edhe as të zgjedhurit vendorë. Kushdo që është në detyrë dhe konstatohet në shkelje të ligjit të dekriminalizimit ikën! Pra, nuk bën diferencë: deputeti na u zëvendësoka, kryetari i Bashkisë rrika në detyrë?
-Çfarë mendoni se mund të ndodhë tani e tutje me Roshin?!
Unë parashikoj që kryeministri do ushtrojë presion te Gjykata Kushtetuese dhe këtë e kam thënë publikisht. Në bindjen time ai e bën. E thotë Manjani që “ushtron” presion, e kemi thënë ne përpara që ky ushtron presion te Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët. Dhe unë prezumoj që ai do vazhdojë këtë histori ta mbajë sa më gjatë.
Kush është efekti? Ligji i Dekriminalizimit i largon të dënuarit që janë sot në detyra në mënyrë që të krijojë frikën, pra frenimin për kandidatët e tjerë kriminelë që mos kandidojnë në 2017-ën. Nëse kjo vritet, pra nëse efekti frenues mbytet, ata do kandidojnë përsëri.
-Çfarë do bëni ju si opozitë tani e tutje për çështjen?
Ne do vazhdojmë presionin maksimal. Çështja është në axhendat më të larta të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve. D.m.th dekriminalizimi është kusht tani! Po nuk është më një kusht politik, nuk është më një marrëveshje e firmosur më 24 dhjetor 2014 po sot ka dhe një ligj për t’u zbatuar me detyrim për këta dhe vë në “offside” total kryeministrin me këtë veprim që bën, për më tepër që del dhe e tregon në sy të të gjithëve që ky jo vetëm është kryetar bashkie, por është edhe drejtues fushate.
Po kështu në Lezhë, e hoqi nga Parlamenti deputetin, e çoi drejtues partie në Lezhë. Pra është një qëllim i strukturuar i Ramës që të vrasë efektet e dekriminalizimit. Ne jo vetëm kërkojmë, jo vetëm do insistojmë, kjo është një kauzë politike tani, pra rihap një kauzë politike që në 18 shkurt e merr përgjigjen në shesh.
Valmora Gogo-SHUPLAKA
Mustafa: Qeveria po mban premtimin për zhvillim ekonomik
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se qeveria është duke e mbajtur premtimin për zhvillim ekonomik. Duke folur për aprovimin e Ligjit për Trepçën, Investimet Strategjike, si dhe Ligjin për Veteranët, kreu i ekzekutivit, përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se së shpejti do të fillojnë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej një miliard euro. “Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Do të gjejmë edhe investitorë për Brezovicën. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe Axhendën e Reformave Evropiane. Të gjithë, me përgjegjësi, po e bëjnë punën e tyre”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa. “Qeveria po e mban premtimin për zhvillim ekonomik. Dy vite të këtij mandati i shënuam me rritje të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike, me ulje të papunësisë së përgjithshme, me fuqizim të sektorit privat të ekonomisë. Aprovuam Ligjin për Trepçën, Ligjin për Investime Strategjike, e kaluam fazën e parë të reformave fiskale dhe po e përmbyllim shumë shpejtë fazën e dytë të këtyre reformave. Siguruam ndryshimet e Ligjit për Veteranët dhe plotësuam kërkesat për vazhdim në programin e FMN-së. Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Do të gjejmë edhe investitor për Brezovicën. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe Axhendën e Reformave Evropiane. Të gjithë, me përgjegjësi, po e bëjnë punën e tyre. E gjithë kjo siguron një rritje të fuqishme ekonomike sidomos në vitet në vijim. Duhet t’u gëzohemi sukseseve tona, por të synojmë edhe më shumë”.
Rumania nuk i ndal protestat
Pas gjashtë ditë protestash të mëdha publike, qeveria social demokrate e Rumanisë shfuqizoi dje një dekret të debatueshëm të kabinetit që synonte të mbronte shumë politikanë nga ndjekja penale për korrupsion.
Vendimi i qeverisë së kryeministrit Sorin Grindeanu erdhi ndërkohë që dhjetëra mijëra demonstrues u grumbulluan në Sheshin Fitorja të Bukureshtit për një natë të gjashtë protestash, që shihen gjerësisht si tubimet më të mëdha antiqeveritare që nga rënia e diktatorit komunist Nikolae Çaushesku në vitin 1989.
“Njerëzit janë të lodhur nga kjo klasë politike, e cila gjatë 27 vjetëve ka treguar se ka qenë jo e besueshme. Sepse ka aq shumë njerëz që duan të ikin nga vendi për një jetë më të mirë për veten dhe familjet tona. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu dhe jam njëri nga miliona rumunët që punojnë jashtë”, thotë një protestues me emrin Olimpu.
Dekreti, i miratuar në një sesion të kabinetit natën e së martës, përjashtonte zyrtarët nga akuzat për korrupsion, nëse fitimet me mjete të pandershme vlerësoheshin në më pak se 48 mijë dollarë.
Qeveria tha se kjo masë ishte e nevojshme për të ulur mbipopullimin e burgjeve në Rumani, një nga vendet më të korruptuara të Europës.
Por kritikët thonë se kjo do të kishte dëmtuar rëndë përpjekjet e qeverisë së sapoformuar të vendit.
Nisma e filluar në vitin 2014 nga Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit ka çuar në dënimin e rreth 2 mijë njerëzve për shpërdorim pushteti, duke përfshirë gjyqtarë, politikanë, prokurorë dhe zyrtarë të tjerë publikë.
Protestat vazhdojnë
Edhe pas tёrheqjes sё dekretit pёr korrupsionin nё Rumani vazhduan protestat edhe nё fundjavё.
Pavarёsisht kthimit tё dekretit tё diskutueshёm pёr zbujen e dёnimeve pёr korrupsion sёrish qindra mijёra vetё demonstruan kundёr qeverisё rumune. Rreth 250.000 demonstrues u mblodhёn nё Bukuresht para selisё sё qeverisё. Ata deklaruan, se do ta ndjekin me vёmendje qëndrimin e mёtejshёm tё qeverisё. Nё mbarё vendin bёhet fjalё pёr rreth njё gjysmё milioni protestues. Qeveria vendosi ta anulojё dekretin e miratuar me procedurё tё pёrshpejtuar, i cili menjёherё u publikua nё Fletoren Zyrtare. Qeveria socialiste me kёtё vendim iu pёrgjigj premtimit tё kryeministrit Sorin Grindeanu, i cili tё shtunёn (04.02) u lut tё kthehet dekreti. Edhe pёrpara miratimit tё dekretit nё mbarё vendin u zhvilluan protesta masive dhe pati mjaft kritika nga bota e jashtme. Dekreti parashikonte zbutje dёnimesh pёr korrupsion dhe abuzim me postin. Ndёshkim parashikohej sipas dekretit vetёm nё rast se shuma e dёmit vlerësohej në më pak se 48 mijë dollarë. Ky dekret do tё favorizonte kryetarin e Partisё Social Demokrate nё pushtet, i cili ndёrkohё ndodhet nё gjyq pёr abuzim nё detyrё me njё dёm prej rreth 100.000 lei.
Presidenti Klaus Johannis e pati kritikuar dekretin duke u indinjuar pas miratimit të tij. Ai e quajti një “ditë zie” dhe deklaroi, se “deri në ditën e tij të fundit në detyrë” do të luftojë për rivendosjen e shtetit ligjor në Rumani. Presidenti madje është kërcënuar disa herë me shkarkimin nga posti prej krerëve të Partisë populiste Social Demokrate dhe aleatëve të saj liberalë në koalicion. Kritika të ashpra pati edhe nga organizma relevantë duke përfshirë edhe sindikatat, që tradicionalisht janë të afërta me qeverinë e majtë nacionaliste.
Kosovë, shembet muri në veri të Mitrovicës
Muri në veri të Mitrovicës u shemb pas një marrëveshjeje të qeverisë me komunën në veri të Kosovës. Bashkimi Evropian tha se, shqiptarët dhe serbët mund të arrijnë edhe marrëveshje të tjera kur ka vullnet politik.
Komuna e veriut të Mitrovicës e administruar nga serbët, të dielën (05.02) shembi tërësisht murin e ngritur në dhjetor të vitit të shkruar në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Rrënimi i murit u bë vetëm një ditë pasi qeveria e Kosovës dhe komuna veriore e Mitrovicës arritën marrëveshje, që muri të rrënohet dhe në atë pjesë të bëhet një shëtitore për këmbësorët. Rrënimin e murit e përcolli nga afër shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila tha se, “kjo gjë tregon se të dy palët mund të arrijnë marrëveshje edhe për ҁështje të tjera kur ka dëshirë politike”.
“Jam duke parë dhe pritur gjithashtu për fillimin e diskutimit për asociacionin e komunave me shumicë serbe, me të njëjtin përkushtim që patëm për largimin e këtij muri”, tha Apostolova, duke shtuar se, “Ura mbi lumin Ibrit do të jetë ura më e bukur në Kosovë”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në një konferencë për mediat, se rrënimi i murit është bërë në marrëveshje me komunën e veriut, marrëveshje kjo që e ndihmoi edhe faktori ndërkombëtar.
“Krejt ajo çka kemi bërë është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike. Nuk kemi pasur asnjë garë për të matur forcat, nuk kemi manifestuar populizëm e as folklorizëm. Mendoj se kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuar metodat dhe mënyrat më të mira demokratike. Komuna ka vepruar sipas marrëveshjes”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiç tha se, “të martën e kësaj jave do të fillojë ndërtimi i një strukture të re betoni, që do të shërbejë për zonën e këmbësorëve në rrugën Mbreti Petar që gjendet afër urës kryesore mbi lumin Ibër”.
Në natën e tre shkurtit qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve lokalë të veriut të Mitrovicës, arritën marrëveshje për murin në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër që ndan qytetin në dy pjesë. Takimi që u mbajt në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe ambasadori amerikan, zgjati deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë (04.02).
Pas takimit nëpërmjet një komunikate për mediat të lëshuar nga qeveria e Kosovës u tha se, “gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e zyrës së Bashkimit Evropian, si dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, janë pajtuar që të zgjidhet çështja, që lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”.
Kjo zgjidhje sipas qeverisë, do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një mjedis të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës.
“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, u tha në komunikatën e qeverisë.
Ndërtimi i murit të lartë dy metra nga serbët lokalë në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër i ngriti tensionet ndërmjet Prishtinës zyrtare, serbëve të veriut dhe Beogradit. Serbët e veriut thanë se, muri ishte pjesë e ndërtimit të një shëtitoreje, ndërsa, qeveria në Prishtinë e cilësoi ilegal dhe që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët.
Bashkimi Evropian e ka marrë përsipër revitalizimin e urës mbi lumin Ibër, një projekt ky që do të kushtojë 1.2 milion euro. Tash për tash akoma nuk dihet se kur do të përfundojë ky projekt, ndonëse, një bit më parë u paralajmërua, se nga fundi i janarit të vitit 2017 ura do të lirohet për qarkullimin e lirë të qytetarëve në të dyja anët.
Beograd, hapet procesi gjyqësor për masakrën e Srebrenicës
Një gjykatë në Serbi hapi të hënën një proces gjyqësor kundër tetë ish-policëve serbë të Bosnjës nën akuzat për përfshirje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.
Të tetë ishin arrestuar në Serbi në vitin 2015 që shënonte edhe rastin e parë të arrestimit të personave të dyshuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e mbi 8 mijë burrave e djemve myslimanë në Srebrenicë. Më pas ata u lanë të mbrohen në gjendje të lirë.
Zonë e mbrojtur atëbotë nga Kombet e Bashkuara. Srebrenica u shndërrua në vendin e mizorive më të egra pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
Të tetë akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e qindra myslimanëve në fshatin Kravica, afër Srebrenicës, derisa ata po përpiqeshin të shpëtonin nga masakra.
Rreth një mijë e 300 veta ishin mbyllur në një depo në Kravicë dhe ishin vrarë me granata dore dhe automatikë.
Procesi në gjykatën serbe për krime lufte në Beograd, shihet si provë për vullnetin e Serbisë për t’u përballur me të kaluarën dhe mizoritë e kryera gjatë luftërave që çuan në shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë ndërmjet viteve 1991-1999.
Serbia duhet të dënojë kriminelët e luftës për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më 2008, ajo arrestoi ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ndërsa tre vjet më pas edhe komandantin ushtarak Ratko Mlladiç, për t’i dorëzuar në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë.
Të dy ata qëndruan në arrati për më shumë se një dekadë.
Në vitin 2007 një gjykatë serbe dënoi katër pjesëtarë të njësitit paraushtarak Skorpionët, të cilët kishin regjistruar një video ku shiheshin duke vrarë gjashtë të rinj boshnjakë në kohën e masakrës së Srebrenicës.
Atëbotë gjykata tha se nuk kishte prova për të lidhur të dyja ngjarjet.
Pence në mbrojtje të urdhrit ekzekutiv
Nënpresidenti Mike Pence mbrojti kritikat e presidentit Donald Trump ndaj një gjykatësi federal që bllokoi urdhrin ekzekutiv që ndalonte udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
Në një intervistë në emisionin “NBC”, zoti Pence tha se, presidenti Trump u shpreh në një mënyrë “të veçantë” që amerikanët e pëlqejnë dhe e kuptojnë se ç’është në mendjen e tij.
“Veprimi i gjykatësit në këtë rast për të marrë një vendim për politikën e jashtme amerikane dhe sigurinë kombëtare, e ka indinjuar presidentin”, tha zoti Pence.
Pasi gjykatësi federal bllokoi përkohësisht urdhrin ekzekutiv të zotit Trump, presidenti paralajmëroi se vendimi do të bënte të mundur hyrjen e “shumë personave të këqij dhe të rrezikshëm në vendin tonë”.
“Në ç’pikë ka arritur vendi ynë kur një gjykatës mund të pezullojë një ndalim udhëtimi të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe gjithkush edhe me synime të këqija mund të hyjë Shtetet e Bashkuara?”, tha presidenti në Twitter.
Ai e quajti qesharak vendimin e gjykatësit James Robart, një jurist 69-vjeçar në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit i njohur për pikëpamjet e tij konservatore ligjore, i emëruar nga ish-presidenti George W. Bush.
Por një Gjykatë e Apelit e Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë kërkesën e administratës së presidentit Trump që të rivendoset menjëherë në fuqi urdhri ekzekutiv, i cili ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të vizitorëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
Gjykata e Qarkut të 9-të e Apelit në San Francisko i kërkoi administratës dhe shtetit të Uashingtonit të dielën në mëngjes të paraqesin më shumë argumente deri të hënën pasdite.
Departamenti amerikan i Drejtësisë e bëri apelin vonë të shtunën në përgjigje të vendimit të një gjykatësi federal, i cili bllokoi urdhrin ekzekutiv.
Apeli i Departamentit të Drejtësisë tha se, urdhri i gjyqtarit “gjykon vlerësimet e presidentit për sigurinë kombëtare” dhe dëmton publikun sepse “pengon zbatimin” e urdhrit ekzekutiv.
Në përgjigje të vendimit të së premtes, Agjencia federale amerikane për Mbrojtjen e Kufirit vendosi të lejojë udhëtarët me viza të vlefshme që të hyjnë në vend.
Departamenti amerikan i Shtetit më pas konfirmoi rregullin e fundit në lidhje me vizat dhe premtoi se do të japë informacion të mëtejshëm sa më shpejt të jetë e mundur.
Disa kompani ajrore të mëdha, duke përfshirë Air France, British Airways dhe Emirates filluan të lejojnë pasagjerët nga shtatë vendet e ndaluara me urdhër ekzekutiv që t’i hipin avionëve të destinuar për në Shtetet e Bashkuara.
Për shkak të pasigurisë rreth mundësisë se mund të shfuqizohet vendimi për bllokimin e urdhrit ekzekutiv ditët e ardhshme, ata që mundin të udhëtojnë menjëherë shpejtuan për të siguruar vendin në fluturimet e ardhshme.
Urdhri ekzekutiv i presidentit Trump ka shkaktuar kaos brenda agjencive qeveritare dhe gjykatat, dhe ka shkaktuar protesta në qytete të shumta amerikane, por edhe jashtë vendit.
Mogherini: Ka zhvillime inkurajuese në Mitrovicë
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka vlerësuar se janë parë zhvillime inkurajuese në Mitrovicë.
“Do ta shfrytëzoj rastin sot që t’i njoftoj ministrat për punën që ne e kemi bërë gjatë disa javëve të fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku kemi parë zhvillime inkurajuese në Mitrovicë”, tha Federica Mogherini, para fillimit të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Kjo ishte referencë për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Më tutje, ajo është shprehur edhe lidhur me raportet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, me ç’rast ka theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë “të mos e njohë” aneksimin ilegal të Krimesë nga ana e Rusisë dhe është angazhuar për implementimin e plotë të marrëveshjes së Minskut.
25 vjet nga Marrёveshja e Maastricht-it

Para 25 vjetёsh (07.02.2017) u nёnshkrua Marrёveshja e Maastricht-it e BE-sё. Kjo marrёveshje pёrmban edhe norma tё rrepta pёr anёtarёsimin nё euro, tё njohura si kriteret e konvergjencёs.
Dy kriteret mё tё rёndёsishme tё Marrёveshjes sё Maastricht-it kanё tё bёjnё me disiplinёn buxhetore. Borxhet e reja tё njё vendi nuk duhet tё tejkalojnё kuotёn e 3% tё rendimentit ekonomik dhe borxhet e pёrgjithshme nuk duhet tё jenё mё shumё se 60% e produktit bruto nё vend. Pёr kёto kritere ka insistuar nё radhё tё parё Gjermania, ndonёse ideja me 3% fillimisht ёshtё hedhur nga njё francez i ri.
Guy Abeille ishte njё nёpunёs i thjeshtё nё Ministrinё e Financave nё Paris, kur nё vitin 1982 ai mori njё mandat, qё tё konceptojё pёr presidentin rregulla tё thjeshta pёr kufizimin e deficiteve buxhetore. Asokohe borxhet shtetёrore kёrcёnonin tё dilnin jashtё kontrollit pёr shkak tё eksperimentit socialist tё presidentit tё zgjedhur njё vit mё parё Francois Mitterand.
Nё atё periudhё borxhet e reja nё Francё pёrbёnin pikёrisht 2,6% tё rendimentit ekonomik. Guy Abeille mendoi: Njё pёr qind kufiri maksimal pёr deficite buxhetore do tё ishte jo realist, edhe dy pёr qind do ta kishin vendosur qeverinё nёn presion. Kёsisoj ai vendosi tre pёr qind. Kaq thjesht dhe arbitrarisht lindi kjo formulё magjike, qё mё vonё u pranua si njё ndёr kriteret mё tё rёndёsishme nё bisedimet pёr Marrёveshjen e Maastricht-it pёr Unionin Monetar.
Edhe kuota e 60% pёr borxhin e pёrgjithshёm ka natyrё arbitrare, thotё Oliver Sievering nga shkolla e lartё pёr administratёn publike dhe financat nё Ludwigsburg. Kjo pёr arsyen, se nё vitet 1990 borxhi pёr shumё vende pёrbёnte rreth 60% tё produktit bruto nё vend. Kёto dy shifra hynё nё historinё ekonomike. “Nёse ekonomia rritet nominalisht me 5%, atёherё borxhet e reja lejohen tё rriten me 3%. Tre tё pestat janё 60 pёr qind”.
Shpejt u bё e qartё, qё rritja vjetore me pesё pёr qind ishte utopi. Po ashtu, si edhe kuota e 60% pёr vendet si Belgjika, Italia dhe Greqia. Por atёherё u mjaftuan duke argumentuar, se situata e borxheve nё pёrgjithёsi do tё zhvillohej nё drejtim pozitiv dhe vёmendja u pёrqendrua tek kriteri i 3%. Pёrveç Greqisё tё gjithё kandidatёt pёr nё zonёn e euros nё vitin 1998 kishin njё deficit buxhetor nёn 3%.
Disa vende pёrdorёn truke, duke pёrfshirё edhe Gjermaninё. Qeveria federale ia shiti aksionet e Telekomit gjerman dhe tё Postёs gjermane bankёs shtetёrore KfW, pёr tё reduktuar borxhet. Italia madje pёr njё kohё tё shkurtёr aplikoi njё taksё pёr Europёn, pёr t’ua kthyer qytetarёve atё pas aplikimit tё euros.
Dy kriteret e Maastricht-it duhet tё respektohen edhe pas anëtarёsimit nё klubin e euros, nё mёnyrё qё monedha e pёrbashkёt tё qëndrojё mbi njё bazё solide. Pёr kёtё insistoi qeveria gjermane. Por pikёrisht Gjermania nё vitin 2002 e tejkaloi bashkё me Francёn kufirin e deficitit. Bashkё tё dy vendet mё tё fuqishme tё euros ia dolёn qё tё pengojnё ndёshkimin me miliarda dhe qё t’i zbusin rregullat e rrepta.
Oliver Sievering: “Kjo ishte shumё e dёmshme pёr disiplinёn tregtare nё tё gjithё zonёn e euros, sepse shumё vende tё tjera thoshin, qё nёse Gjermania dhe Franca nuk u pёrmbahen shumё kritereve, atёherё pёrse duhet t’u pёrmbahemi ne?”.
Nё pikёn kulmore tё krizёs financiare pothuajse tё gjitha vendet e shkelёn kriterin. Tani ndonёse shumica e vendeve tё euros sёrish e kanё nёn kontroll deficitin buxhetor, sa ka tё bёjё me borxhet e pёrgjithshme, nё vitin 2015 nuk e arritёn kuotёn e 60% tri shtete baltike, si dhe Çekia, Sllovakia dhe Luksemburgu. Gjermania edhe pse nё vitin 2016 pati ulje tё boxheve, me rreth 70% kuotё borxhi kundrejt produktit bruto nё vend ende vazhdon tё jetё mbi normёn e lejueshme.
Ndonёse kriteret e Maastricht-it janё shkelur me qindra herё, asnjёherё nuk ёshtё marrё masё, vё në dukje Sievering: “Askush nuk do t’i vendosё tjetrit njё gjobё, sepse e di mirё, qё nё pak vjet mund ndodhet vetë nё njё situatё tё ngjashme dhe do tё gёzohej qё ta privilegjonin”, thotё Sievering. Me fjalё tё tjera: mёkatarё tё mundshёm gjykojnё pёr mёkatarёt aktualё.
Edhe pse letra ёshtё e durueshme dhe mekanizmat e ndёshkimit nuk funksionojnё si duhet, ekonomisti i konsideron rregullat tё pashmangshme. Vetёm duke i mbikëqyrur dhe duke folur pёr to, ndikon efekti disiplinues.
Benfica ruan kreun
Skuadra e Benfikës iu kthye fitores në kampionatin portugez pas humbjes së një jave më parë në fushën e Setubalit. Shqiponjat shkatërruan 3-0 në Estadio da Luz Nacionalin me dygolëshin e Jonas në pjesën e parë dhe finalizimin e Mitroglu 10 minuta para se të përfundonte ndeshja. Diferenca me Porton e vendit të dytë mbetet vetëm një pikë edhe pas javës së 20 të.
Në minutën e 26-të një krosim i saktë i Zivkoviç u finalizua me gol nga Jonas, që kërceu bukur me kokë në qendër të zonës. sulmuesi brazilian tregoi klasin e tij me një të majtë të saktë nga jashtë zonës në minutën e 35-të, për golin e 2-0. Shifrat 3-0 i vulosi Mitroglu me një goditje të fortë thuasje nga pika e bardhë e penalltisë, pa i dhënë asnjë shans.