18.5 C
Tirana
E diel, 18 Maj, 2025

Axhenda e Ivanka Trump

Ivanka Trump, e cila ka mbajtur një profil të ulët që pasi është transferuar me familjen e saj në Washington, ka filluar të zhvillojë axhendën e saj të fuqizimit të gruas që ka promovuar edhe gjatë fushatës vitin e kaluar. Të enjten në mbrëmje, vajza e madhe e presidentit Donald Trump organizoi një darkë me një grup drejtuesish ekzekutivë në shtëpinë e saj në Kalorama. Qëllimi i eventit, sipas dy burimeve të brendshme, ishte që Ivanka të mblidhte ide se si mund të fuqizohet gruaja në tregun e punës dhe të luftojë për çështjet që kanë të bëjnë me lejen e shtatzënisë.
Eventi ishte hapi i parë i Ivanka Trump për të influencuar politikën e administratës së babait të saj. Vajza e profilit të lartë të presidentit u tërhoq nga pozicioni i saj ekzekutiv në organizatën Trump dhe është shkëputur nga linja e saj e famshme e modës muajin e kaluar, për të shërbyer si një sistem mbështetjeje të jashtme për babain dhe bashkëshortin e saj, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner. Por eventi i ditës së enjte shënon edhe hapin e parë të hyrjes së Ivankës në politikë pas transferimit në kryeqytet.
Pjesëmarrësit kryesorë të eventit të rëndësishëm të Ivankës ishin drejtues ekzekutivë të kompanive më të mëdha amerikane si Doug McMillon i Wallmart; Mary Barra i General Motors; Mark Weinberger i Ernst & Young; Alex Gorsky i Johnson & Johnson EO; bankieri dhe investitori Adebayo Ogunlesi; Jamie Dimon kreu i JPMorgan e shumë të ftuar të tjerë nga fusha e politikës.
Ky në fakt nuk është eventi i parë diplomatik i Ivankës apo përdorimi i rrjetit unik të figurave të fuqishme të biznesit për mbështetur administratën e babait të saj, por duke mbetur e shkëputur plotësisht nga urdhrat ekzekutivë të shumëdebatuar të Trumpit, si ndalimi i emigracionit, për të cilin ajo nuk ka zgjedhur të bëjë asnjë koment.
Liderët e biznesit të mbledhur nga Ivanka këtë javë nuk janë lojtarë të rinj në botën e Trumpit. Barra, McMillon, Weinberger dhe Ogunlesi kanë shërbyer të gjithë si këshilltarë të ekipit tranzitor të presidentit, si anëtarë të këshillit të biznesit. Gorsky ka bërë një takim në Shtëpinë e Bardhë me Trump dhe liderë të tjerë biznesi dhe doli nga takimi duke lavdëruar administratën e re. Të tjerë si, Weinberger dhe Dimon janë takuar me presidentin Trump ditën e premte.
Por ata janë gjithashtu edhe liderë biznesi që po përshtaten në të njëjtën kohë me rregullat e reja të punës me presidentin e ri, i cili ndonjëherë ndjek politika të diskutueshme apo kritikon hapur kompanitë më të mëdha amerikane në Twitter. Megjithatë, liderët e biznesit janë gjithnjë të gatshëm të bashkëpunojnë me vajzën e preferuar të presidentit. Muajin e kaluar Trump kritikoi ashpër General Motors pasi i kishte përmirësuar makinat Chevrolet Cruze nga fabrika e Meksikës. Barra në kundërpërgjigje ka deklaruar se kompania nuk ka ndërmend ta transferojë produksionin e makinave nga Meksika në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, për Ivankën eventi nuk ishte fusha e diskutimit të taksave kufitare apo për të influencuar politikat që janë pjesë e premtimeve të Trumpit. Ajo e shfrytëzoi këtë rast për të promovuar vetë pozicionin e saj, duke folur për fuqizimin e gruas në fuqinë punëtore. Ajo dhe bashkëshorti Kushner përpiqen të shërbejnë si ura lidhëse me sektorin privat, nga ku kanë dalë të dy. Roli si urë lidhëse me komunitetin e biznesit është hapi më i natyrshëm për Ivankën si grua ambicioze në karrierë, e cila deri një vit më parë synonte të krijonte markën e saj ndërkombëtare.
Ivanka ishte veçanërisht e interesuar të ftonte në pjesëmarrje lidershipin e General Motors, pasi kompania kishte deklaruar javën e kaluar se do të niste një program të ri trajnimi të paguar për të inkurajuar gratë inxhiniere që të ktheheshin në punë pasi ishin shkëputuar prej dy ose më shumë viteve. Gjatë një interviste, Weinberger tha se ekipi i Ivankës e kishte tërhequr për të vazhduar diskutimin. “Ata duan të bisedojnë me njerëz që e njohin mirë rëndësinë e gruas në tregun e punës dhe për të diskutuar pengesat me të cilat përballen ato”, tha Weinberger. “Ata duan të diskutojnë se çfarë mund të bëhet përmes qeverisë dhe përmes biznesit”.
Ai e quajti Ivankën një zë i jashtëzakonshëm i fushatës. Ajo prezantoi ide të mira për shpenzimet e kujdesit të fëmijëve dhe mënyra për të lehtësuar jetën e gruas në punë. “Nuk besoj se është vetëm Ivanka ajo që e shtyn këtë iniciativë. Ajo natyrisht tërheq të gjithë vëmendjen, por ekziston një staf i mirëfilltë që merren me këtë çështje”.
“Gjinia nuk është më një faktor që përcakton pabarazinë e pagave në këtë vend. Ky faktor tashmë është mëmësia”, tha Ivanka, nëna e tri fëmijëve, gjatë fjalimit të saj. “Familjet amerikane kanë nevojë për lehtësimin e kësaj barre. Politikat që mundësojnë zhvillimin e karrierës për gratë me fëmijë nuk duhet të jenë risi në këtë vend. Ato duhet të jenë norma”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Një marrëdhënie e nevojshme

Bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe Rusisë në sektorin e gazit nuk është një mundësi, por një nevojë e imponuar nga gjeografia dhe nga gjeopolitika. Kjo është ajo që thekson Konstantin Simonov, drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit rus për Sigurinë Energjetike, duke kujtuar se importet e gazit rus në Bashkimin Europian janë rritur derisa kanë arritur nivele rekord, pavarësisht sanksioneve ekonomike të vendosura Moskës nga Perëndimi.

– Rusia dhe Bashkimi Europian duket se kanë arritur një marrëveshje për mbylljen e procedurës kundër Gazpromit. Kolosi rus i gazit duhet të impenjohet që të mos e shfrytëzojë pozicionin e tij dominues dhe të sigurojë në shkëmbim mundësinë që t’i zgjerojë aktivitetet e veta në brendësi të Bashkimit Europian. Sipas jush, cilat do të jenë efektet industriale dhe cilat ato gjeopolitike?
Praktikisht flitet shpesh për kompromis. Unë do të thoja se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në atë çka po ndodh, përveç momentit historik në të cilin e gjitha kjo po ndodh. Sepse duket që situata politike është jashtëzakonisht dramatike dhe ishte e parashikueshme që Komisioni Europian mund ta merrte një vendim dukshëm në mirëkuptim me Rusinë. Situata ekonomike dhe ajo politike praktikisht e kanë imponuar këtë hap që është logjik dhe racional. Nga ana tjetër, të dhënat aktuale demonstrojnë se akuzat kundrejt Gazpromit rezultojnë jashtëzakonisht të kontestueshme. Në periudhën e fundit kemi vërejtur çmime jashtëzakonisht të ulëta, që nuk shiheshin prej vitesh në tregun europian. Por kjo ka ndodhur jo pse Europa ka reformuar tregun energjetik sipas parimeve të veta. Përkundrazi, çmimet kanë rënë falë kontratave për gazin dhe naftën. Në fillim të vitit, çmimet e naftës nuk qenë edhe aq të ulëta. Më pas, pas 9 muajsh, midis shtatorit dhe tetorit, kanë rënë shumë. Ky ka qenë momenti i parë. Momenti i dytë ka qenë në muajin tetor, kur çmimet në bazë europiane rezultonin shumë më të lartë se ato të propozuara nga Gazpromi, në mënyrë orientuese rreth 50 dollarëve. Edhe pse zyrtarisht nuk janë kontabilizuar tërësisht nga Komisioni Europian, këto shifra përfaqësojnë realitetin. Në radhë të tretë, Europa nuk ka alternativa ndaj gazit. Terminalet për gazin e lëngëzuar (GNL) janë në 2/3 e tyre bosh dhe e gjitha kjo në një kontekst në të cilin Gazpromi ka shënuar rekordin historik ditor të furnizimeve jashtë vendit. Vetëm në muajin tetor, në të gjithë Bashkimin Europian janë dorëzuar 15 miliardë metra kub gaz. Klientët europianë kanë blerë shumë më tepër sesa vëllimet e parashikuara në kontratën me Gazpromin. Janë kushte absolutisht të paprecedent dhe me një situatë të kësaj natyre për Komisionin Europian që të vazhdojë të ndjekë rrugën e alternativës së gazit rus do të ishte çmenduri. E dhëna mbi importin rezulton absolutisht e paprecedent. Veç kësaj, besoj se në Europë po rritet ndjesia se Ukraina mund të hyjë në sezonin dimëror me një sasi shumë të reduktuar gazi. Nga pikëpamja ekonomike, vështirësia konsiston në faktin që ta kundërshtosh Gazpromin në periudhën dimërore është jashtëzakonisht e vështirë. Dhe është e rëndësishme të mos humbet kontakti me realitetin. Ajo që ka rëndësi është që këtë vit në Europë janë marrë vendime vërtet të papritura. Nëse ju kujtohet, në qershor Gjykata e Arbitrazhit ka nxjerrë një vendim në favor të Gazpromit në çështjen me Lituaninë. Autoritetet e Vilniusit kishin akuzuar Gazpromin më 2012 pse i kish dhënë gaz me çmime të ngritura, duke përdorur pozicionin e tij dominues në treg. (Sipas Lituanisë, shifra e kontestuar ishte e barabartë me 1.6 miliardë dollarë, të akumuluara midis viteve 2004 e 2012, shënimi i redaksisë). Siç u pranua edhe nga disa eksponentë lituanë, rezultati i procesit të arbitrazhit ka qenë një shok i vërtetë, por nuk kishte perspektiva suksesi dhe duhet kuptuar nëse lituanët kanë arritur të sigurojnë diçka falë kësaj çështjeje: ndoshta premtimin për një akses më të shpejtë në projektin e nyjes europiane. Gjithsesi, bëhet fjalë për një sukses me entitet minimal. Kështu, nga pikëpamja ekonomike, nuk ka tendenca pozitive. Nga pikëpamja politike, natyrisht që nuk mund të ndryshohet gjithçka menjëherë, por e rëndësishme është që është vendosur precedenti. Deri në kushtet aktuale, në Bruksel ka qenë e mundur të merren vendime dukshëm në favor të Gazpromit. Është pozitive të pranohet se mund të arrihen këto lloj kompromisesh.

– Projekti për dyfishimin e Nord Stream ka shkaktuar polemika të zjarrta, sidomos nga ana e Shteteve të Bashkuara, Polonisë, republikave balltike, por edhe në Itali. Dyfishimi do ta lidhte akoma më fort Berlinin dhe Moskën, por do të rriste peshën specifike të Gjermanisë në Europë, sidomos për sa u përket vendeve ish-komuniste. Është kështu? Besoni se për qeverinë ruse ky është një zhvillim i dëshirueshëm?
Historia e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Gjermanisë për sa u përket furnizimeve me gaz ka nisur më shumë se 40 vite më parë. Furnizimet e para me gaz në Gjermani janë bërë në vitin 1973 dhe vendi përfaqëson tregun kryesor në dalje për gazin rus. Gazpromi nuk është vetëm një partner në shitje. Posedon edhe kompaninë Wingas (një joint venture midis Gazpromit dhe Wintershall), që është bashkëpronare e infrastrukturave të gazsjellësit Opal të pranishme në territorin e Gjermanisë. Opal vazhdon në Republikën Çeke nëpërmjet territorit gjerman. Ky raport special është motivi për të cilin biznesi gjerman dhe Gazpromi kanë pika kontakti. Veç kësaj, kompanitë gjermane, një rast shumë i rrallë, po punojnë aktivisht në tregun rus duke nxjerrë gaz në Rusi. Vetë projekti Nord Stream është implementuar si një aset swap dhe është ndërtuar në mënyrë të përbashkët. Në fakt, lidhja është forcuar nga fakti që gjermanët janë të pranishëm në Rusi në upstream dhe që Gazpromi është i pranishëm në Gjermani në downstream. Kështu, në planin e marrëdhënieve reciproke niveli është rritur jashtëzakonisht dhe kjo mundëson që të shikohet me qetësi në konjukturën e veçantë politike. Sepse të gjithë, si për shembull kancelarja gjermane Angela Merkel, mbi të cilën kanë një peshë të madhe Shtetet e Bashkuara, duhet të mbajnë parasysh aspektet ekonomike. Por kjo nuk i ndalon rregullat e tregut dhe koncepti bazë është që në planin tregtar Gazpromi ka ndjekur bashkëpunimet ekzistuese. Më duhet që të nënvizoj faktin se pikërisht gazi nuk është vënë nën sanksionet antiruse. Ekzistojnë sanksione, por jo për Gazpromin, aktivitetet e të cilit janë të gjitha në përputhje me legjislacionin europian. Veç kësaj, në Gjermani këtë vit do të mbahen zgjedhjet politike dhe në Rusi sigurisht që nuk do të jemi naivë. Konjuktura nuk është pozitive për Merkelin dhe ka mundësi që do të ketë ndryshime në strukturën e pushtetit. Ndoshta Gjermania do të jetë më e matur për sa u përket sanksioneve. Në këtë kontekst është domethënëse që në Itali projekti Nord Stream 2 ka ngjallur preokupime nga ana e disa eksponentëve politikë, megjithëse gazsjellësi është konceptuar pikërisht për të furnizuar tregun italian. Për Brukselin, kjo infrastrukturë do t’i mundësonte Italisë që të bashkohej me Balltikun, duke furnizuar me gaz Italinë Veriore duke shmangur Ukrainën. Sipas nesh, nuk bëhet fjalë për një projekt të anashkalimit të “pjesës së rrezikshme” që përshkon Ukrainën, duke qenë se klientët europianë nuk duan t’u nënshtrohen këtyre rreziqeve. Është ky mësimi i “krizës së gazit” të vitit 2009 (kriza nisi më 7 janar 2009, kur Rusia ndërpret furnizimet me gaz të destinuara për Europën nëpërmjet Ukrainës. Moska akuzoi Kievin se kishte shkelur detyrimet e tranzitit, duke i mbajtur në mënyrë të paligjshme furnizimet në kalim të destinuara për klientët europianë. Pas një serie negociatash dhe traktativash trilaterale – Bashkim Europian, Rusi dhe Ukrainë – u arrit në një marrëveshje, shënimi i redaksisë). Unë e kuptoj motivin për të cilin Italia ka dyshime ndaj projektit duke qenë se, po të realizohet, Italia do ta marrë gazin nëpërmjet Gjermanisë dhe Austrisë. Presidenti i kompanisë austriake OMV, Rainer Seele, ka qenë në krye të gjermanes Wintershall dhe është gjerman, gjë që tregon integrimin e fortë midis kompanive gazifere gjermane dhe austriake. Problemi ka një valencë politike, pasi për Romën projekti sjell një varësi nga kompanitë që do të menaxhojnë tranzitin e Gjermanisë dhe Austrisë. Në qoftë se përfaqësuesit politikë italianë frikësohen se mos Gjermania dhe Austria mund ta forcojnë peshën e tyre, atëherë do të kishte qenë e nevojshme të mbështetej në kohën e tij realizimi i South Stream. Falë kësaj infrastrukture, Italia do ta merrte gazin nëpërmjet Greqisë, një rrugë më e sigurtë. Por në atë kohë Italia nuk e mbështeti dhe bile u shkëput. Kështu që Rusia nuk kishte rrugë tjetër përveç dyfishimit të Nord Stream.

– Sipas jush, dyfishimi i Nord Stream përfaqëson gozhdën e fundit në arkivolin e projektit të vjetër South Stream?
Situata është e tillë që South Stream, në versionin e tij të parë dhe më pas Turkish Stream janë konceptuar me 4 rrugë. Me dëshirën e Turqisë, duke parë kundërshtimin e Bashkimit Europian, të dy rrugët jugore janë transferuar në Nord Stream. Më parë në Itali parashikohej që gazi do ta arrinte jugun e saj nëpërmjet Bullgarisë dhe Greqisë. Për këtë arsye mbetet në këmbë çështja e dy rrugëve të ardhura nga Europa Jugore. Një prej të dyve sigurisht do të shkojë drejt Turqisë, në Stamboll, pa dyshim. Rruga e dytë mbetet një çështje e hapur, pasi Turqia do të donte të krijonte një nyje në kufi me Greqinë dhe të bëhej furnizuesi i gazit rus drejt Europës. Megjithatë, nga pikëpamja gjeopolitike nuk duket se ka pranim në nivel europian për faktin se kjo është zgjidhja më e mirë. Për këtë motiv, Europa i propozon tani Rusisë që të realizojë një nyje në kufirin bullgaro–grek. Po analizojmë edhe skenarin e një ndërtimi eventual të një rruge jugore nëpërmjet Bullgarisë, por duam garanci për faktin që Sofja të mos e bllokojë projektin edhe kësaj radhe, siç ka ndodhur në rastin e South Stream. Fakti është që tani nuk mund ta shtyjmë vendimin: kemi një datë të saktë, që është 1 janari i 2020, kur do të përfundojë kontrata e tranzitit të gazit aktualisht në fuqi me Ukrainën. Duhet kuptuar brenda kësaj date sesi të furnizohet gazi, pa e tranzituar domosdoshmërisht nëpërmjet territorit ukrainas.

– Pas grushtit të shtetit të dështuar në Turqi, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës janë përmirësuar ndjeshëm: mendoni se bëhet fjalë për një efekt të qëndrueshëm apo gjërat mund të ndryshojnë sërish në një të ardhme të afërt? Dhe në këtë rast, a mund të kenë efekt negativ për projektin e gazsjellësit Turkish Stream?
Për sa i përket të parës të dy rrugëve të Turkish Stream, besoj se nuk do të ndryshojë asgjë. Vepra do të realizohet edhe sikur situata politike do të duhej të merrte sërish kthesa negative. Për sa i përket rrugës së dytë, varet nga pozicioni i Bashkimit Europian nëse do ta pranojë Turqinë si “kontrollor” të gazit të drejtuar drejt vendeve europiane. Për sa i përket marrëveshjes së nënshkruar gjatë vizitës së Putinit në Stamboll, ajo ka të bëjë vetëm me një prej dy rrugëve jugore. Për të dytën nuk kemi marrë kurrfarë zotimi me palën turke dhe është ende një çështje juridike e hapur.

– Të gjitha hipotezat e një gazsjellësi transkaspikas janë ndeshur deri më tani me statusin juridik të atij deti që i mundëson Rusisë të pengojë realizimin e një infrastrukture transporti. A besoni se kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen?
Siç e dini, Deti Kaspik dallohet nga detet e tjera sepse është në fakt një liqen në të cilin shfaqen 5 vende: Azerbajxhan, Iran, Kazakistan, Rusi dhe Turkmenistan. Pozicioni i Rusisë ka qenë gjithmonë një: çështja u takon ekskluzivisht këtyre 5 vendeve. Problemi juridik i Kaspikut është i pazgjidhur tashmë prej 25 vitesh. Një kompromis nuk është gjetur akoma. Nuk është vetëm një problem i Rusisë; për shembull, edhe Turkmenistani e Azerbajxhani kanë kontraste midis tyre. Veç kësaj, në periudhën e fundit është forcuar shumë pozicioni i Iranit, që ka një ide të vetën sesi të ndahet Kaspiku. Nuk besoj se ky problem do të zgjidhet me shpejtësi, nga momenti që asnjë prej vendeve të rajonit të Kaspikut nuk është i interesuar për një stabilizim. Rusisë nuk i shërben një det i hapur: vetë projekti i gazsjellësit transkaspikas është një variant alternativ i furnizimit me gaz për Europën dhe Rusinë, është e qartë, nuk i leverdis ndërtimi i infrastrukturave alternative për ta sjellë gazin në Europë. Për Iranin është njëlloj, duke parë që Teherani shpreson t’ia shesë Europës gazin e tij. Kurse Azerbajxhani ka nënshkruar tashmë kontratat për furnizimet nga vendburimi i Shah Deniz. As Turkmenistani nuk ka interesa të veçanta, sidomos pse gazi turkmen është i drejtuar kryesisht në Kinë. Bëhet fjalë për sasira të mëdha. Kina nuk ka interes që Turkmenistani të vazhdojë të shesë në Europë dhe vendi nuk mund t’i kundërvihet pozicionit të Pekinit, duke pasur parasysh edhe një situatë ekonomike kombëtare jo të thjeshtë.

– Cila është situata aktuale e furnizimeve me gaz nga Rusia për Kinën? Po nga Azia Qendrore për Kinën?
Marrëdhëniet midis Kinës dhe Azisë Qendrore janë të shkëlqyera. Kina është një blerëse e madhe e gazit qendraziatik. Është një situatë që luan kundër interesave të Rusisë në traktativat me Pekinin. Me Kinën kemi nënshkruar në maj të 2014 një marrëveshje për ndërtimin e ”Sila Sibiri”, i njohur edhe si ”Power of Siberia”: gazsjellësit Jakuti–Khabarovsk–Vladivostok, në fazë ndërtimi në zonën lindore të Siberisë, për ta transportuar gazin e prodhuar nga Jakuti drejt Kinës dhe vendeve të Lindjes së Largme. Ekzistojnë një seri vështirësish teknike, për shembull në ndarjen e metanit nga heliumi, por në fakt projekti vazhdon. Nga pikëpamja e infrastrukturave parashikohet që të ndahet GNL-ja nga metani dhe të ndërtohet një impiant i madh për trajtimin e gazit në rajonin rus të Amurit. Kontrata parashikon që furnizimet të nisin në periudhën midis viteve 2016 e 2021. Duhen 4 vite për ta përfunduar projektin dhe nuk ka motiv që t’i dorëzohesh panikut. Në Jakuti infrastrukturat janë operative qysh prej pothuajse një viti. Njëkohësisht kemi në fazë projektimi ndërtimin e një rruge të dytë, e ashtuquajtura ”Zapad” (Perëndim), nëpërmjet Maleve Altai, vargmali i ashpër i Azisë që shtrihet midis Kinës, Mongolisë, Rusisë dhe Kazakistanit. Në këtë rast dalin probleme, pas në Kinën Perëndimore vjen tashmë gazi i Azisë Qendrore dhe Pekini mund të luajë egër në negociatat për çmimet. Për këtë motiv negociatat vazhdojnë, por janë jashtëzakonisht të komplikuara. Gazpromi nuk ka shtyrë kushedi se çfarë, por edhe Kina ka avancuar linjën e saj në pritje të një çmimi të favorshëm. Aq më shumë që për tranzitin e këtyre furnizimeve do të ishte e nevojshme të afrohej me kufirin lindor të Kinës dhe del problemi se kush do t’i paguajë kostot e transportit. Në Kinën Perëndimore për këtë gaz nuk ekziston nevoja si në Europë. Prandaj Rusia, nëpërmjet ”Sila Sibiri”, do të donte ta rriste vëllimin e furnizimeve me gaz të destinuara për Kinën, duke u bazuar mbi sigurinë se Pekini do të kërkojë një rritje. Kjo është e parashikueshme jo vetëm nëpërmjet ecurisë së ekonomisë kineze, por edhe për çështjen mjedisore. Kina ka nënshkruar marrëveshjen e Parisit COP21 për një reduktim konstant të emisoneve të dioksidit të karbonit. Kjo nënkupton se do të reduktojë shfrytëzimin e disa resurseve, si qymyri, në favor të gazit. Dhe ne mbështetemi mbi faktin që do të kërkojë më shumë. Por Kina është një negociator i vështirë, mund të mbështetet tashmë mbi gazin nga Turkmenistani dhe e përdor si element presioni ndaj Rusisë.
(Nga Agenzia Nova)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Sytë e kthyer nga Gjermania

Stefan Fröhlich

Pasi presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar të shikojë fillimisht interesat e brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe të mbajë një pozicion të tërhequr në lidershipin global dhe me Mbretërinë e Bashkuar në mes të një divorci të ndërlikuar nga Bashkimi Europian, Gjermania është vendi që po shihet si pushteti qendror ekonomik dhe politik i Europës. Kur gjatë fjalimit të famshëm të presidentit gjerman, Joachim Gauck, në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2014 ai tha “Le të mos mbyllim njërin sy”, ai po sinjalizonte se vendi i tij nuk duhej t’i shmangej kërcënimeve, por duhet të qëndronte në këmbë.
Që atëherë Gjermania ka shfaqur angazhimin e saj për të garantuar vetë sigurinë e vendit dhe të kontinentit, ka rënë dakord që të rrisë gradualisht shpenzimet ushtarake për të arritur vlerën e kërkuar nga NATO prej 2 për qind të GDP-së dhe për të krijuar një sistem sigurie të besueshëm europian. Gjermania mori vendimin e njëanshëm në fillim të vitit 2015 për të dërguar Bundeswehr në mision stërvitor në veri të Irakut dhe për t’u bashkuar me fushatën ushtarake kundër Shtetit Islamik, pasi Franca i bëri thirrje klauzolës së Traktatit të Lisbonës për mbrojtje të përbashkët pas sulmeve terroriste në Paris gjatë nëntorit të vitit 2015.
Berlini ka vazhduar të menaxhojë krizën e periferisë jugore të Europës, në Siri dhe Irak, duke u kthyer në një partner të besueshëm për Washingtonin në një kohë kur Shtetet e Bashkuara ishin veçanërisht të dobët nën drejtimin e ish-presidentit Barack Obama. Tani, europianët e shqetësuar për fatin e rendit liberal dhe marrëdhënies transatlantike shpresojnë që Gjermania të ngjitet në rolin e lidershipit dhe të marrë vendin e Shteteve të Bashkuara, por kjo ngjason më shumë me një ëndërr se sa me realitetin.
Gjermania është e shqetësuar edhe për krizat e shumta brenda vendit, si dhe në fqinjësinë e saj dhe nuk mund ta zëvendësojë Amerikën si hegjemoni liberale botërore për vetë arsyen e thjeshtë sepse nuk është e tillë. Në vitin 2015, Berlini kishte një buxhet mbrojtjeje të barabartë me një të 20-ën e atij të Shteteve të Bashkuara, sipas Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, nuk është një superfuqi bërthamore dhe ka ambicie relativisht më të vogla për të ofruar të mirën e përbashkët në arenën globale krahasuar me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Gjermania nuk është një nga ato vende që vetëkënaqet dhe ka shumë gjëra që mund të bëjë për të garantuar që Europa të qëndrojë e bashkuar, veçanërisht për çështjen e mbrojtjes. Për herë të parë që pas bashkimit, Gjermania është zotuar të rrisë shpenzimet ushtarake, një rritje prej 8 për qind që nga viti 2016 dhe është duke vënë në lëvizje mekanizmat për të garantuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Europian për çështjen e mbrojtjes. Në fakt, edhe pse Gjermania ka pak gjasa të zërë vendin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen europiane, së bashku me partnerët e saj mund të përfitojnë shumë nga paralajmërimet e presidentit Trump, i cili i shtyn të kapërcejnë ngërçin europian të mbrojtjes.

Qasje e dyfishtë
Në një konferencë për shtyp të përbashkët javën e kaluar, kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti amerikan, Donald Trump thanë se do ta mbështesnin NATO-n 100 për qind. Megjithatë, nëse fjalët që presidenti Trump ka thënë gjatë fushatës reflektohen në politikat e tij si president, mbështetja e Shteteve të Bashkuara për aleancën transatlantike mund të tkurret dhe të kërkohet një afrim me Rusinë. Nga njëra anë kjo mund t’i japë Rusisë mundësinë për t’u imponuar më shumë në Europën Lindore dhe do t’i jepte fund shpresës së Ukrainës për anëtarësi në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Por nga ana tjetër, Rusia duket se nuk ka asnjë interes dhe qëllim për të provokuar asnjë anëtar të NATO-s apo t’i bëjë thirrje nenit 5, klauzola e mbrojtjes kolektive, duke qenë se kriza e Ukrainës shërbeu si shtysë për të rritur bashkëpunimin ndërmjet organizatës në vitin 2014. Moska nuk i ka mjetet ushtarake dhe ekonomike për të luftuar kundër NATO-s, gjë që do të thotë se Gjermania duhet të shqetësohet më shumë për përdorimin e mjeteve të luftës hibride të Moskës në rajon.
Kundërpërgjigjja më efektive e Berlinit në këtë skenar është që të vazhdojë strategjinë e qasjes së dyfishtë, duke u shfaqur herë i egër dhe herë mirëkuptues me Moskën. Berlini ka shfaqur vullnet dhe zotësi të mirë për të bindur partnerët europianë që të vazhdojnë të mbajnë sanksionet kundër Rusisë, madje edhe për t’i shtuar ato, pas ndërhyrjes së Moskës në Siri, edhe në rast se Shtetet e Bashkuara do të vendosin t’i heqin sanksionet e tyre.
Nga ana tjetër, Gjermania duket mëse e predispozuar për momentin që të zgjerojë më tej integrimin europian në Lindje dhe të pranojë kështu sferën e influencës së Rusisë në Azinë Qendrore, Kaukaz dhe mbi të gjitha në Ukrainë. Edhe NATO mund të përpiqet të akomodojë një pjesë të interesave ruse duke hequr dorë nga zgjerimi dhe ndoshta nga ndërtimi i sistemit të sigurisë në Rumani dhe Poloni, që është planifikuar për vitin 2018. Ka shumë politikanë gjermanë të gatshëm për t’i mbështetur këto hapa. Ata besojnë se mbrojtja raketore europiane lidhet ngushtë me bisedimet e ardhshme ushtarake me Rusinë, të cilat janë frenuar gjatë viteve të fundit për shkak se të dy palët ndjekin programet e modernizimit të fuqisë bërthamore.
Këto marrëveshje i përçojnë Moskës mesazhin e qartë se tërheqja nuk do të bëhet në shenjë dobësie, në rast se Rusia do të vendosë të rrisë tensionet në Europën Lindore dhe të testojë kufijtë e administratës së re amerikane. Kështu, europianët, me në krye Berlinin dhe Parisin, do të duhet të ndërtojnë dhe rinovojnë planet ekzistuese për një forcë ushtarake të përhershme dhe më eficente të Bashkimit Europian, si dhe të zhvillojnë një plan për të ardhmen e vendeve baltike dhe të Europës Lindore.
Këtu duhet të përfshihen të paktën angazhimet serioze për të kontribuar 2 për qind të GDP-së së çdo shteti anëtar të Bashkimit Europian në NATO, ashtu siç ka kërkuar edhe presidenti Trump. Duhet të përfshihet plani i mbështetjes së Komisionit Europian nga ana e Berlinit për të shpërbërë të gjitha strukturat dhe njësitë e tepërta të mbrojtjes europiane. Pothuajse 80 për qind e prokurimeve të mbrojtjes zhvillohet kryesisht në bazë kombëtare, gjë që çon drejt dublikimit të kostos për kapacitetet ushtarake (një shpenzim prej 27 deri në 107 miliardë dollarë në vit, sipas Komisionit Europian). Duhet të përfshihen edhe investimet strategjike në drone, rifurnizimit në ajër, komunikimit satelitor dhe sigurisë kibernetike, gjëra që deri tani janë ofruar falas nga Washingtoni për çdo operacion ushtarak europian, madje edhe në Libi, mision ku Franca dhe Mbretëria e Bashkuar morën në dorë lidershipin brenda NATO-s.
Berlini ka qenë gjithashtu një propozues kryesor për zhvillimin e planifikimit civil dhe ushtarak për menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e selive ushtarake të Bashkimit Europian për t’u përgatitur për kërcënime të ndryshme dhe nga ku mund të zhvillohen dhe koordinohen operacionet civile dhe ushtarake. Së fundi, përpjekjet e vazhdueshme të Berlinit për të kontribuar në mbrojtjen e NATO-s në vendet baltike dhe Poloni – një hap më tepër se simbolik duke qenë se ushtarët gjermanë ndodhen në vijën e parë të konfliktit të armatosur – deri tani është përballuar me skepticizëm, por kohët e fundit duket se po mirëpritet në Europë, duke parë nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë për çështjet e mbrojtjes.

Partneritete më të forta
Por Gjermania nuk mund të ecë dot përpara pa partneritetin e Francës në Bashkimin Europian. Së bashku, këto dy shtete duhet të marrin në dorë drejtimin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Europë, për ta bërë atë më operacionale. Berlini mund të marrë në konsideratë propozimet e Parisit për të hequr shpenzimet ushtarake nga llogaritja e deficitit buxhetor, gjë që do ta lejonte Francën që të rrisë shpenzimet ushtarake pa shkelur Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së për kufizimet e deficitit, si dhe të krijojë një fond të mbrojtjes europiane që do t’i lejonte partnerët të kanalizojnë investimet.
Edhe pse rritja e kapacitetit të mbrojtjes bërthamore të Europës duket si diçka e paarritshme, është e mundur që Franca ta marrë në konsideratë më seriozisht mundësinë pasi Mbretëria e Bashkuar të largohet nga Bashkimi Europian. Armët bërthamore franceze dhe britanike kanë qenë pjesa thelbësore e strategjisë së mbrojtjes bërthamore të Europës së pas Deklaratës së Otavës në vitin 1974 të NATO-s, në të cilën dy fuqitë bërthamore shprehën vullnetin për të kontribuar në forcimin dhe mbrojtjen e përbashkët të aleancës. Që kur Gjermania ka vendosur të mos të zhvillojë dhe kërkojë armë bërthamore nën Traktatin e Mospërhapjes dhe Traktatin Dy Plus Katër, ka gjasa të jetë e gatshme të paguajë për të përfituar nga mbrojtja franceze dhe do të përpiqet të mbajë Mbretërinë e Bashkuar të përfshirë në planet europiane të mbrojtjes bërthamore.
Forcimi i gjithë këtyre elementëve i shërben dy qëllimeve të gjermanëve dhe francezëve: të bindin Washingtonin që të mos reduktojë mbështetjen në NATO duke rritur shpenzimet e tyre ushtarake për mbrojtjen kolektive dhe të projektojnë pushtetin në rajon, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të mbajnë një pozicion më të tërhequr në Lindjen e Mesme. Në fakt, argumenti kryesor i Gjermanisë për të ruajtur strukturat e përbashkëta të Bashkimit Europian është që Europa të luajë një rol më të rëndësishëm në stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe kontinentit të Afrikës – misione ekstremisht të rëndësishme për të luftuar terrorizmin dhe krizën e refugjatëve në rajon.
Duke qenë se Gjermania është sot më e gatshme të marrë në dorë lidershipin ushtarak dhe nëse merr mbështetjen e duhur të partnerëve europianë, ka shumë mundësi që klima aktuale politike t’i bashkojë më shumë vendet europiane, veçanërisht Francën dhe Gjermaninë, madje edhe me Mbretërinë e Bashkuar pas largimit. Europa nuk do të shpërbëhet përpara pasigurive të së ardhmes dhe Gjermania është gatshme të ngrihet për ta garantuar këtë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

A duhet t’i bëhen lëshime Britanisë?

Hans-Werner Sinn
Kryeministrja britanike e ka konfirmuar. Mbretëria e Bashkuar, pa asnjë dyshim, do të largohet përfundimisht nga Bashkimi Europian dhe do të nisë të negociojë marrëveshje të reja tregtie. Pyetja tani është, çfarë lloj marrëveshjesh do të jetë i gatshëm të pranojë Bashkimi Europian?
Siç ka qartësuar edhe May, Britania nuk kërkon një marrëveshje të stilit të Zvicrës apo Norvegjisë, pasi kjo do të kërkonte që vendi të dorëzonte gjithsesi një pjesë të kontrollit për sa i përket politikës së emigracionit. Nënshtrimi ndaj juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që liderët britanikë e kanë akuzuar vazhdimisht për dhënie të gjykimeve të veshura me interes, nuk është absolutisht një mundësi.
Por Bashkimi Europian nuk është aspak i gatshëm të lejojë Britaninë e Madhe të heqë dorë vetëm nga gjërat që nuk i pëlqejnë, të paktën jo pa paguar një çmim të mirë për këtë. Liderët europianë këmbëngulin se Britania e Madhe nuk mund të përfitojë nga tregtia e lirë dhe tregu i përbashkët pa lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Kjo kokëfortësi ngrihet nga frika se, nëse Britanisë i ofrohet një marrëveshje kaq joshëse, edhe vendet e tjera europiane mund të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë.
Por dëshira për të ndëshkuar Britaninë, jo vetëm parandalimi i vendeve të tjera për të kërkuar largimin gjithashtu, është një tjetër faktor kontribues. Kjo qasje është tërësisht e gabuar. Edhe pse është pa dyshim fatkeqësi që Britania e Madhe po largohet nga Bashkimi Europian, e vërteta është se tregtia e lirë me BE-në nuk ka pse të shoqërohet domosdoshmërisht nga lëvizja e lirë e njerëzve siç tregojnë teoritë e pastra të tregtisë efektet ekonomike dhe përfitimet që burojnë nga tregtia e lirë, zëvendësohen, nuk përmirësohen, nga lëvizja e lirë e fuqisë punëtore.
Nëse emigracioni nuk është i mundur, strukturat e ndryshme të pagave ka më shumë gjasa të ngrihen ndërmjet vendeve – duke dhënë struktura të ndryshme çmimesh për to. Këto diferenca rrisin përfitimet nga tregtia e madhe, shfrytëzimi i tyre është i gjithë kuptimi i tregtisë së lirë. Nëse Bashkimi Europian refuzon të ruajë regjimin e tregtisë së lirë me Britaninë e Madhe, qytetarët europianë do të vuajnë nga kjo po aq sa ata britanikë.
Argumenti se edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian mund të kërkojnë të ndjekin shembullin e Britanisë është i dyshimtë. Ekzistojnë dy lloje komunitetesh politike. Njëri plotëson kriteret e optimalitetit Pareto: pasi komuniteti i merr vendimet unanimisht – ose të paktën duke aderuar në rregullat për të mbrojtur minoritetet – dhe implementon masa për të ofruar avantazhe për disa ose për të gjithë anëtarët dhe duke mos sjellë disavantazhe për asnjë. Kjo qasje do të thotë se vendet nuk janë duke luftuar për një copë më të madhe torte në kurriz të të tjerëve. Në fakt, ata punojnë së bashku vullnetarisht për të garantuar që torta të rritet gjithmonë e më shumë dhe të gjithë të marrim pjesën që i takon.
Lloji tjetër i komunitetit karakterizohet, fillimisht nga rishpërndarja e burimeve ndërmjet vendeve dhe së dyti, nga mazhoranca e vendimmarrjes. Këtu ka humbës dhe fitues, pasi mazhoranca mund të imponojë preferencat e saj, edhe nëse përfitimet që marrin anëtarët eklipsohen nga humbjet që i shkaktohen minoriteteve. Rezultati është që torta bëhet gjithmonë e më e vogël dhe disa vende përfundojnë të bëhen të pakënaqur.
Lloji i dytë është pa dyshim më i paqëndrueshëm, për shkak se humbësit kanë tendencën të largohen. E vetmja mënyrë për t’i mbajtur është ta bësh largimin të duket sa më pak joshës – le të themi duke i ndëshkuar ata. Duke kërkuar që ta bëjë Britaninë e Madhe shembull për vendet e tjera, Bashkimi Europian është duke dërguar mesazhin se në këtë union, disa vende janë të destinuara të humbin.
Për të shmangur një rezultat të tillë, Bashkimi Europian duhet të transformojë veten nga bashkimi rishpërndarës, të drejtuar nga mazhoranca, tek bashkimi optimal dhe vullnetar të drejtuar nga unanimiteti. Hapi i parë për ta arritur këtë është të krijohet një plan për të instaluar një ministër Financash të përbashkët për Bashkimin Europian që të drejtojë autoritetin me pushtet autonom taksimi. Hapi tjetër është t’i ofrojë Britanisë së Madhe një marrëveshje të tregtisë së lirë që do të sjellë përftime për të dy palët.
Nëse Bashkimi Europian nuk arrin të ndryshojë qasjen ndaj Brexit, rrezikon të kthehet në një komunitet jo konsensual, ku vetëm disa anëtarë janë të lumtur dhe të tjerët duan të largohen. Edhe pse ndëshkimet dhe masat e tjera imponuese mund t’i mbajnë vendet anëtare nën kontroll për pak kohë, kjo qasje mund ta bëjë Bashkimin Europian të dobët përballë destabilizimit.
Europa, me pak fjalë, mund të përfundojë duke vuajtur të njëjtin fat të Bashkimit Sovjetik. Asnjë marrëdhënie e frytshme nuk mund të lindë në një komunitet ku vendet anëtare ndihen të futur të grackë. Bashkimi Europian nuk është ndryshe. Sado kundërproduktive të duket kjo, e vetmja mënyrë për ta mbajtur Bashkimin Europian të bashkuar është ta lësh Britaninë të largohet me kushte sa më të kënaqshme.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Ajeti titullar në transfertë me Empolin

Vjen momenti i Arlind Ajetit te Torino. Mbrojtësi shqiptar do të luajë titullar në transfertë me Empolin për shkak të mungesave që ka Mihajloviç në qendrën e mbrojtjes. Bëhet fjalë për debutimin e tij në Serinë A, pasi më parë është aktivizuar vetëm në një takim në Kupën e Italisë. 23-vjeçari u shfaq përkrah trajnerit serb në konferencën për shtyp, ku theksoi se dëshiron të ketë më shumë hapësira në formacion.
“Normalisht prisja që të luaja më shumë, por nuk i dihet kurrë në futboll, çdo futbollist dëshiron të luajë më shumë. U dëmtova gjatë grumbullimit para se të niste sezoni dhe natyrisht e kisha më të vështirë të kthehesha pas këtij dëmtimi. Tani besoj se po stërvitem mirë, të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Ajeti.
Megjithatë në asnjë moment futbollisti i Kombëtares shqiptare nuk i vë në diskutim vendimet e trajnerit. “Për aktivizimin tim vendos trajneri, detyra ime është të jap 100% në stërvitje dhe të pranoj vendimet e misterit. Jam përpjekur të bëj atë që më kanë kërkuar, e ndoshta duhet të përpiqem më shumë”, tha Ajeti.
Ndërsa Sinisa Mihajloviç nuk ngurroi të tregonte në cilat aspekte duhet të përmirësohet Ajeti, duke qenë se nuk i mungon grinta dhe karakteri.
“Ajeti është ndryshe nga mbrojtësit e tjerë, është një mbrojtës klasik në mbulimin një për një, thjesht duhet të mësojë ta luajë sa më shpejt topin dhe të marrë përsipër rrezikun në ndryshimin e lojës. Përsa i përket grintës dhe karakterit është Ok, por ka qenë i penalizuar nga dy dëmtime që ka pësuar. Të gjithë kanë mundësi për të luajtur dhe shpresoj që dëshira e madhe që ka për të qenë në fushë ta ndihmojë që të japë maksimumin”, përfundoi trajneri i Torinos.

Largon presionin

Interi i shkaktoi humbjen e parë Juventusit në këtë sezon të Serisë A, madje ishte një fitore me përmbysje e zikaltërve, që zhvlerësuan golin e Lihsteiner. Këtë të diel, do të luhet akti i dytë sezonal i derbit të Italisë, por Massimiliano Alegri nuk dëshiron t’i karikojë më shumë se ç’duhet të besuarit e tij, ndryshe nga Pioli, i cili një ditë më parë “thumboi” bardhezinjtë, duke u shprehur se nëse në karrierën e tij nuk e kishte mundur kurrë Juventusin, kjo ka ndodhur, sepse nuk kishte qenë trajner i Interit.
“Nuk luajmë për hakmarrje. Ajo e fazës së parë ishte një ndeshje e çuditshme, ku ne i paguam shtrenjtë gabimet tona. E dimë forcën e Interit, por është një takim që vlen vetëm tri pikë, sikurse ndaj Crotones. Pritet një derbi i bukur, ndaj një skuadre me shumë potencial që sezonin e ardhshëm do të jetë pretendent për të fituar titullin”, u shpreh Alegri.
Përplasja me Dybalan për trajnerin bardhezi është çështja e mbyllur, madje Alegri sheh te argjentinasi cilësitë e një futbollisti të aftë për të fituar “Topin e Artë”. “Kur një trajner vendos të zëvendësojë një lojtar, ka arsyet e tij. Dybala po luan sezonin e tij të dytë te Juventusi. Në vitin e parë nuk i kërkuam asgjë, por tani është nën vëzhgim çdo të dielë. Po ecën në rrugën e një lojtari të madh dhe mund të fitojë Topin e Artë”, tha ai.
Alegri sqaroi se, Barzagli është në dyshim për shkak të gjendjes gripale, ndërsa Marchisio është i gatshëm për lojë. Ndërsa për Pjanic, trajneri lugurian u shpreh se është një lojtar i mrekullueshëm. Përsa i përket të ardhmes së tij, 49-vjeçari theksoi se ka edhe një vit e gjysmë kontratë dhe do të bisedojë me drejtuesit në fund të sezonit rinovimin e mundshëm, pasi të jenë pjekur kishtet për ta hedhur këtë hap.
Ndërkohë, Andi Zeqiri, talenti shqiptar, i cili në të njëjtën kohë ka edhe pasaportën zvicerane (shtet ku ka lindur), po e “reklamon” veten me gola në Torino, por edhe në arenën europiane. Sulmuesi që u transferua verën e kaluar te Juventusi pas aventurës te Lozana, po bën gjëra mahnitëse, falë të cilave ka fituar menjëherë besimin e trajnerit Fabio Groso. Dje, në sfidën që bardhezinjtë luajtën kundër Kremonezes, e vlefshme për kampionatin U-19, shqiptari Zeqiri mori për dore “Zonjën e Vjetër” dhe e drejtoi atë te fitorja.
Edhe pse bardhezinjve u mungonin dy lojtarët e tyre më të mirë, Klemenza dhe Kin, pa harruar të huazuarin Kastanos te Peskara, ekipit të Grosos i mjaftuan cilësitë fantastike të Zeqirit për të arritur një fitore të lehtë dhe për të marrë vendin e parë në renditje për Grupin B. 17-vjeçari ishte më i rrezikshmi në pjesën e parë, kur në minutën e 24-t goditi traversën me të majtën.
45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0, por në fraksionin e dytë të lojës, Juventusi nuk mund të gabonte më, dhe pasi Mosti kaloi në avantazh të tijtë nga pika e penalltisë, Zeqiri shënoi dy herë radhazi, duke mbyllur llogaritë me fitoren. Në të 60-ën ai u tregua më i shpejtë se portieri kundërshtar në dalje dhe dërgoi në rrjetë asistin me thembër të Mostit. Ndërsa dopieta personale për shqiptarozviceranin erdhi vetëm 5 minuta më vonë, duke përfituar nga një pakujdesi e portierit. Kaq mjaftoi që Juventusi të triumfonte, ndërsa Andi Zeqiri të fitonte vëmendjen e trajnerit dhe drejtuesve torinezë, të cilët me shumë mundësi do ta blejnë përfundimisht kartonin e tij.

Londra vishet blu, Chelsi arratiset në +12

Antonio Conte prek me njërën dorë trofeun e Premier League. Chelsea fitoi 3-1 derbin e Londrës përballë Arsenalit dhe shkëputet nga një tjetër rival për titullin, me “topçinjtë” që tashmë kanë 12 pikë diferencë. Me Wenger që ndodhej në tribunë i skualifikuar, Arsenali dha sinjalin e parë të rrezikshëm me Walcott, megjithatë blutë reaguan menjëherë dhe gjetën golin e avantazhit në të 13-ën me Marcos Alonso që shënoi pasi më parë Diego Costa goditi traversën.
Arsenali u zgjua në minutat e fundit dhe tentoi me Gabriel dhe Ozil, por Courtouis evitoi rrezikun me dy pritje të shkëlqyera. Në startin e pjesës së dytë, Eden Hazard realizoi një gol të pabesueshëm. Belgu u shkëput nga mesi i fushës, duke kaluar çdo kundërshtar që i doli përpara dhe mposhti Cech. Një gol fantastik që i magjepsi të gjithë në “Stamford Bridge”, ndërsa Courtouis vazhdoi të neutralizonte çdo tentativë të kundërshtarëve Goditja e “knoc out” për Arsenalin u regjistrua në të 85-ën.
Fabregas përfitoi nga gabimi i Cheh dhe ndëshkoi ish-skuadrën e tij, por nuk festoi për respekt të viteve të kaluara me “topçinjtë”. Goli i nderit nga Arsenali u realizua nga Oliver Giroud në kohën shtesë, por skuadra e Wenger e sheh veten thuajse jashtë garës për titullin. Conte është gjithmonë e më tepër mbret i Premier League-s, sepse në harkun e katër muajve ndërtoi një skuadër të pandalshme nga rivalët, me blutë që thuajse e kanë mbyllur garën për titull prej muajit shkurt.

Shkëlqeu kundër West Ham, Guardiola: Ky futbollist është si shalqi

Manchester City ka mposhtur lehtësisht West Ham 0-4 në takimin e vlefshëm për javën e 23 të “Premier Ligës”. Në ndeshjen e luajtur ditën e djeshme ka spikatur blerja më e re e City-t, Gabriel Jesus, i cili la në stol Sergio Aguerron, sulmuesin më në zë të “qytetarëve”.
Braziliani 19-vjeçar pavarësisht golit të shënuar arriti të jepte edhe asisit. Në përfundim të takimit, Pep Guardiola dha një intervistë për “BBC Sport”, duke rezervuar fjalët të mira për djaloshin e talentuar. Ajo ç’ka ra bëri më shumë përshtypje në deklaratën e tij ishte se spanjolli e krahasoi Jesus me një shalqi. “Ai (Gabriel) është si shalqi. Duhet t’a hapësh dhe pastaj e sheh se a është i mirë apo jo”. Nga krahasimi i Guardiolës u la të kuptohet se Jesus, të paktën në ndeshjen kundër West Ham ka rezultuar një shalqi i pjekur.

Habit trajneri i Selta Vigos, ndaj Realit me rezervat

Selta Vigo arriti të eliminojë Realin e Madridit në Kupën e Mbretit, duke dhuruar një nga befasitë e këtij edicioni. Por në ndeshjen e së dielës, sërish kundër skuadrës së Zidanit, tekniku Eduardo Berico ka marrë një vendim të çuditshëm, për të futur rezervat.
“E di që ne duhet të kërkojmë maksimumin në çdo takim, por mua nuk më intereson ajo kundër Realit në kampionat. Është më e rëndësishme ndeshja tjetër për Kupën e Mbretit ndaj Alaveshit, mesjavën e ardhshme. Për këtë arsye do të bëj rrotacion me titullarët, duke futur ata që nuk kanë pasur shumë hapësira deri tani, pasi kryesorët më nevojiten në formë të mirë fizike të mërkurën”, deklaroi Berixo. Selta do të presë në shtëpi Realin të dielën në mbrëmje, por ka njoftime se ndeshja është shtyrë për shkak të motit të keq.

Pioli: S’e kam mundur kurrë Juven

Eliminimi nga Lazio në Kupën e Italisë nuk ka lënë asnjë pasojë në kampin zikaltër. Të paktën kështu pretendon trajneri i Interit, Stefano Pioli, në prag të derbit numër 168 të Italisë kundër Juventusit. “Shuplaka” e marrë nga bardhekaltërit, sipas 51-vjeçarit, do të shërbejë si motiv për të shumëfishuar energjitë në 16 javët e mbetura të Serisë A.
“Morëm një mësim të mirë nga Lazio dhe tani e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të jemi një skuadër e bashkuar, të luajmë me intensitet, ritëm dhe shpejtësi. Pavarësisht eliminimit kemi treguar se dimë të luajmë me zemër. Kjo është ajo që na duhet të dielën”, u shpreh Pioli.
Në 10 javët e fundit të Serisë A, as Juventusi nuk e ka patur ecurinë e Interit, por Piolit i duhet të thyejë një tabu të karrierës së tij. “Nëse nuk e kam mundur kurrë në karrierën time Juventusin, kjo ka ndodhur, sepse nuk kam qenë trajner i Interit më parë. Juvja është e fortë dhe këtë e thonë statistikat, mentaliteti, lojtarët dhe trajneri i tyre. Ata janë më të fortët e Italisë, por ne mund t’i vëmë në vështirësi”, tha ai.
Sfida e “Juventus Stadium”, sipas Piolit vlen më shumë se tri pikë, por nuk është vendimtare. “Vlen më shumë se tri pikë, sepse jo më kot quhet derbi i Italisë. Çdo fitore na jep besim, ndërsa humbja na largon nga objektivat. Nuk besoj se është sfidë vendimtare si për ne ashtu edhe për Juventusin”, përfundoi Pioli.