20.4 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Diplomatët e huaj: Zgjedhjet do të vidhen

Diplomatët e huaj në Shqipëri konfirmojnë shqetësimin e opozitës se zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në qershor janë në rrezik duke paralajmëruar të njëjtin shqetësim se : Zgjedhjet do të vidhen. Ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu që gjatë një takimi dha alarmin për vjedhjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Ambasadori tha se njerëz të fuqishëm po përgatiten të vjedhin zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe gjithçka tjetër në këtë vend. “Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi syshqiponja, politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin këto zgjedhje, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit. Këta persona janë veçanërisht të frikësuar nga vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve dhe ata që mbrojnë demokracinë e drejtpërdrejtë. Ju flisni shqip. Ju kuptoni kontekstin politik. Dhe keni mësuar marifetet e partive politike”, tha Lu. Nga ana tjetër alarmi se, paratë e drogës do të përdoren në zgjedhje është dhënë shumë më herët dhe nga Presidenti i Republikës, kur foli për tonelata farë kanabisi të futur në vend, një informacion i marrë ky nga shërbimet partnere dhe vendase. E jo vetëm kaq. Edhe aleatët e mazhorancës e kanë ngritur si shqetësim, faktin e personave të inkriminuar, kur ministri i Mjedisit tha se në Policinë e Shtetit janë infiltruar njerëz me të kaluar kriminale, të cilët do të përdoren për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, një skenar i Kryeministrit, i cili e sheh përditë se po humbet më shumë elektorat për shkak të politikave të mbrashta, korrupsionit dhe vjedhjes që e shoqëroi përgjatë këtyre viteve në qeverisje. I rrethuar nga të tijtë në këtë inkursion kriminal, ai po mundohet me të gjitha format të bëjë të paditurin, por pa e kuptuar se prekja e zgjedhjeve është një aventurë, e cila mund t’i kushtojë shumë më shtrenjtë se thjesht humbja e pushtetit. Ai tashmë është nën vëzhgim nga e gjithë bota demokratike e ngritur mbi parimet e shenjtërisë së votës dhe lirisë së zgjedhjes, vlera për të cilat Rama ka treguar se nuk i respekton, por sado të mundohet këtë herë është ndryshe. Ndërkohë po dje, ambasadori i OSBE Bernd Borchardt deklaroi se OSBE nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Ekziston një opinion i përgjithshëm se OSBE-ja dhe ndërkombëtarët janë këtu për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo. Ne jemi këtu për të ndihmuar, për të këshilluar, për t’iu dhënë praktikat ndërkombëtare më të mira, por ne nuk mund të ndikojmë në mënyrë thelbësore dhe as të legjitimojmë sjellje apo rezultate. OSBE/ODIHR-i do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë do të jenë dëshmitarë të zgjedhjeve dhe punës së KQZ-së, komisionerëve, partive dhe votuesve” është shprehur Borschardt.

Olsi Rama me makinën e kokainës

Me fakte të dokumentuara, ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament hyrjet dhe daljet e vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama me makinën e kreut të bandës së kokainës, Gentian Gjonajt. Berisha tha se makina me të cilën lëviz Olsi Rama është e përshtatur për transportin e kokainës dhe se kryeministri Rama ka personalisht komunikim konstant me këtë bandë.
“Me një ndjenjë dhembjeje të thellë, keqardhje maksimale më duhet të them se të gjitha klasifikimet politike të korifenjve të mendimit politik, kjo klikë në pushtet nuk është një oligarki, nuk është një kleptokraci, por kjo mirëfilltas është një banditokraci. Samuel Huntington në vlerësimin e formave të ndryshme të regjimeve të degraduara përshkruan si formën më tragjike atë që ai e quan banditokraci.
S’do ta thoja kurrë, s’do të bëja kurrë një cilësim të tillë për vendin tim, por më e madhe është fatkeqësia po ta fshehësh se ta denoncosh një realitet të tillë.
Këta që shihni mbrapa (iu referohet ministrave të kabinetit qeveritar) dhe ca të tjerë këtu nëpër sallë, nuk janë gjë tjetër vetëm organizata kriminale e kësaj banditokracie. Këta janë kreu i asaj organizate kriminale që udhëheq banditokracinë. Është fjalë e rëndë kjo, e rëndë sa toka. Kjo do argumente.
Unë akuzoj si kreun e banditokracisë, kryebanditin Edi Rama që s’ka guxim të paraqitet më në këtë sallë, që ikën e ja mbath sepse këtu është gracka ku shpirti i tij kapet për fyti dhe i përplaset surratit të gjitha ato që ka bërë dhe bën.
Edi Rama ka një vëlla, vëllai i tij quhet Olsi Rama, qytetar shqiptar dhe amerikan. Kur denoncova në këtë Parlament se u kthye për afera dhe trafiqe, absolutisht asnjë prej jush nuk ma merr mendja se e besoi. Por e vërteta është që unë informacionin e kisha nga një anëtar i penduar i grupit të tij në Boston dhe që është në Shqipëri.
Vijmë më tej tek Olsi Rama. Këtu kam me data, me fotografi, me çdo gjë, daljet jashtë vendit të Olsi Ramës, por me çfarë thoni ju? Me makinën e kreut të grupit të kokainës. Me të njëjtën targë, me të njëjtin prodhim, së bashku me një ndrikull që punon në Federatën shqiptare të Futbollit, një Jona, një Jona Dervishi.
Kjo makinë është gjetur nga Prokuroria e Shtetit si një makinë e përshtatur me vende të fshehura për transportin e kokainës. Kjo fuoristradë është gjetur për transportin e kokainës.
Kush të dojë i ka këtu të gjitha hyrjet dhe daljet e vëllait të kryeministrit, Osli Ramës dhe ndrikullës Dervishi dhe të makinës së drogës, të Genti Gjonaj.
Ka një komunikim konstant me këtë bandë nga vetë kryeministri. Kreu i qeverisë është dhe kreu i banditokracisë, është kryebanditi, sepse kësaj radhe, jo unë, por një ministër për hir të së vërtetës i përgjegjshëm e akuzon se falsifikon mbledhjet e qeverisë. E akuzon se ka mbledhur qeverinë duke i patur shumicën e ministrave jashtë shtetit. Vetëm një bandit mund t’i lejojë vetes të thyejë Kushtetutën, që përcakton se si funksionon qeveria, të thyejë ligjin organik të Këshillit të Ministrave. Për banditin nuk ka ligj, për banditin nuk ka Kushtetutë. Edi Rama është kreu i bandave. A ka kryeministër në Europë sot të lidhur kaq fort me krimin, që e ka të mbushur celularin me sms të Balilit, sms të Dritan Dajtit dhe Lul Berishës? Madje dhe duke u kryer punë atyre dhe duke iu zotuar se: ‘S’ta kam bërë unë këtë apo atë pengesë’.
Këto janë absolutisht të vërteta dhe mos kini merak se do të vijë shpejt dita dhe do të dalin një nga një në dritën e diellit e vërteta. Por ju as nuk skuqeni dhe as zverdheni. Ju më shëmbëlleni mua si qenie të mjeruara, të decelebruara”, u shpreh Berisha.

Ku i mori Gregor Rama paratë e “BMV”-së ultralux?

Berisha i kërkoi dje Ramës në Parlament të bëjë transparencën mbi paratë për mjetet luksoze e super të shtrenjta që përdor djali i tij Gregor Rama, ndërsa solli në vëmendje automjetin e tipit të fundit “BMW”, i cili kushton 160 mijë euro, por që është i paregjistruar.
“Vendi është banditistan. Sapo doli puna e Eskobarit, puna e parë që bënë për t’i dhënë imunitet është se i organizuan konferencën e shtypit, në vend që ta arrestonin i organizuan konferencën që të akuzonte Sali Berishën dhe të vishte imunitetin politik. Pastaj u thanë diplomatëve këtu dhe në botë se ai fshihet edhe në pronat e kryetarit të Parlamentit.
Pastaj, kur ministri i Drejtësisë kërkoi arrestimin e tij, i hëngri kokën atij për të shpëtuar Balilin.
Kjo është një organizatë kriminale dhe Shqipëria është një banditistan përderisa të ketë këtë organizatë në krye. Po marrim pak trafikantin tjetër. Ministri i ngarkuar për politikat e rendit, sigurisë dhe luftës kundër krimit është shtyllë kryesore e krimit në vend. E akuzojnë dy ministra të tjerë të koalicionit, e kemi akuzuar dhe ne me qindra herë këtu, e kanë akuzuar edhe mediat. Dhe në vend se të skuqet, del dhe bën rrugaçin këtu për të treguar se i biri i kujt është, i dy kontrabandistëve me moral kontrabandisti, nuk kishte se si të rritej ky përveçse ky që është.
Pra, ky ministër është i vetmi kriminel me pushtet të lartë që ka skaf. Ekzistojnë dokumente, ku me noter ja u dha Habilajve skafin. Ekzistojnë dokumente që me veturën e tij e përdorin Habilajt për të kaluar kufirin 28 herë, për të transportuar drogën natyrisht. Ekzistojnë denoncime se Habilajt janë bashkëpunëtorët më të ngushtë në trafik me Eskobarin. A ju kujtohen ju bombat që u vunë para e mbrapa këtij dhe familjarëve të këtij (Tahirit)? Kush u arrestua, kush është brenda? Cili është autori që vuri për të asgjësuar një mender njeri? Katër dinamite në Tiranë u vunë. I vuri banda e Sajmir Tahirit dhe kjo është e faktuar. Sot s’ka njeri të arrestuar, sot s’ka njeri të akuzuar, vetëm për njërin u arrestuan tetë Gjutaj dhe Brukaj, edhe njerëz që s’kishin qenë kurrë në Shqipëri. Ky është një njeri i pafytyrë që del këtu si një rrugaç ordiner sillet e bërtet pasi ka marrë një dozë dhe kris e ikën pastaj.
Pra, a është kjo banditokraci? A është bandit një ministër që shkojnë e filmojnë në hotele dhe zhduk gjurmët?! A është bandit një ministër që mban skaf trafiku?! A është bandit një ministër, që pasi vrasin tjetrin në Shëngjergj, pasi Prokuroria thotë që është vrasje, Besnik Pudja është vrarë, merr në kundërshtim me çdo gjë dhe prish provat?! A është bandit një njeri që djeg Laboratorin e Kriminalistikës për hatër të Serezit?! A është bandit një njeri që dërgon drejtor të Portit të Vlorës ushtarin e Shullazit, se ja kërkojnë Habilajt?! A është bandit ky, a është banditokraci kjo?
Një ministër tjetër, që si një bandit falsifikon shifra e fakte në funksion të bandës?! A është bandit ai që shet dhe mbush xhepat me paratë e të sëmurëve me kancer?! Ky soj është më i lig se çdo bandit.
Ai që nuk zbaton ligjin, ai që nuk zbaton vendimet e gjykatës çfarë është? A mundet një deputet të mos zbatojë ligjet dhe vendimet e gjykatës? E bën vetëm një bandit këtë. Po ata që i nënshtrohen atij çfarë janë? Janë mjeranë!
Të na thotë Edi Rama pak se ku i mori i biri, që s’ka firmosur kurrë në bordero, as në taksa, paratë e ‘BMV’-së ultralux?”, shprehet Berisha.

Këshilli i Sigurimit për Balilin, Nishani refuzon Nikon

Edi Ramës i mungon guximi për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Presidenti i Republikës dhe për këtë ka vendosur të përdorë dhe një herë Niko Peleshin, veglën e tij që e nxjerr për ta shpëtuar nga situatat e sikletshme. Por Presidenti i Shqipërisë ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e kryeministrit Edi Rama që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të zëvendësohet nga Niko Peleshi, takim ku do të diskutohet për mosarrestimin e Klement Balilit. Institucioni i Presidentit i ka kthyer përgjigje kërkesës së Kryeministrisë, duke thënë se prania e Kryeministrit është e rëndësishme në këtë mbledhje për arsye këshillimi dhe diskutimesh. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë është paralajmëruar për ditën e sotme, në orën 12:00. Ky takim është thirrur pas një kërkese të bërë me shkrim nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta drejtuar presidentit Bujar Nishani. Kryeministri Rama me aktin e tij provon dhe një herë se është mungesa e vullnetit politik për të arrestuar Klement Balilin dhe këtë mungesë vullneti kërkon ta fshehë pas shpinës së butë të Peleshit për të cilin kjo peshë është shumë e rëndë. Nga ana tjetër, Rama i druhet një përballjeje të drejtpërdrejtë me Ilir Metën, aleatin e tij, për këtë çështje, pasi ishte ky i fundit që kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Balilin. Meta ja bëri të ditur me anë të Vasilit se arrestimin e tij e kanë kërkuar SHBA-të… Duket se nga çështja Balili, Peleshi e ka vështirë ta shpëtojë. Presidenca pranoi kërkesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen “Balili”. Ajo thotë se ekziston shqetësimi i partnerëve amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrave të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas. “Si dhe rrezikut që ekziston tashmë nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo edhe bazave të tyre, që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit”, tha Ols Lafe, drejtor i Kabinetit të Presidentit. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”. Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me:
– Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.
– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.
– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit. Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit.

Paloka: Pse refuzon Rama të japë informacion për Balilin?

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka folur dje për refuzimin e Kryeministrit për të marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Rama refuzon të marrë pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me temë: ‘Pse nuk arrestohet Klement Balili’? Çfarë di Edi Rama për Klement Balilin që refuzon të japë informacion? Pse ka frikë Edi Rama të ballafaqohet? A po e mban peng Klement Balili, Edi Ramën? Klement Balili është dëshmi e kontrollit të krimit mbi qeverinë, është dëshmi e bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Krimi e solli në pushtet, me krimin po e mban pushtetin dhe përmes krimit shpreson ta rimarrë atë. Ne nuk mund ta lëmë vendin peng të krimit, peng të Ramës, balilëve, habilëve, tahirëve, Lul Berishës, Shullazit, ndokëve, roshëve, bushëve, etj. Ja përse më 18 qershor, ne duhet të bashkohemi për të ndalur këtë të keqe e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët me vullnet të lirë të vendosin për të ardhmen e tyre”, tha Paloka.

Aferat Rama-Sula, mungojnë deri në 100 mijë tonë naftë

Megavjedhjet e Ramës dhe ortakut të tij Besnik Sula në industrinë e naftës kanë qenë dje pjesë e denoncimeve të ish-kryeministrit Berisha në Parlament. Berisha reagoi edhe në lidhje me shkarkimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani ndërsa tha se akuzat e tij janë tronditëse. “Mund të duket bizarre, por unë kam një propozim: t’i japim fjalën në këtë Parlament ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai foli në konferencë shtypi, por akuzat e tij janë tronditëse dhe përmbysëse. Nuk mund të jetë Parlamenti indiferent dhe i pandjeshëm ndaj zërit të tij. Unë e kuptoj se organizata kriminale që kam këtu pas meje është e tmerruar dhe nuk e bën këtë, por ne si deputetë duhet t’i vemë në provë a kanë durim ta shohin drejt në sy Ylli Manjanin apo jo. A kanë guxim? Deri tani i keni marrë akuzat nga opozita, tani që i keni marrë nga qeveria çfarë do i thoni vetes?
Lidhur me naftën më kërkoi zotëria të them dy fjalë. A e di çfarë më thotë një mesazh që e kam këtu? Më njofton se inspektorë të Tatimeve, grupi i akcizës më saktë u paraqit për të kontrolluar ndërmarrjen e banditëve Rama-Sula, sepse janë mbi 60 mijë tonë që mungojnë dhe tani mund të jenë bërë dhe 80-100 mijë. Çfarë ndodhi? Pasi filluan dhe po gjenin një katastrofë, se ju e dini që ai paguan me rroga deputetët këtu të PS që folën për naftën, por dhe ata që s’folën, i paguan, por nuk paguan sigurimet shoqërore, kanë 18 muaj që 1200 punëtorë të Ballshit nuk u është paguar 1 qindarkë. Dhe çfarë bëri kushërira e mamasë, ndikull Belinda? E pezulloi kontrollin, shkoi e u tha ose do e nxirrni siç duhet ose ikni. A do më nga nafta? Se meqë më the fol.
Po çfarë kërkon ti më tepër kur banda e qeverisë gjobit me Kontroll Shteti 432 milionë euro në CEZ? Çfarë kërkon ti kur Rama me CEZ dhe ministrin e tij famëzi ndan 630 e ca milionë euro? Çfarë kërkon ti kur në katër vjet nuk ka investuar një qindarkë përveç investimeve që trashëguat nga qeveria e mëparshme? Çfarë do ti më shumë për energjinë kur përzutë Bankers, e cila rriti nxjerrjen e naftës nga 300 mijë tonë në 1 mln e 200 mijë tonë? Çfarë do ti më shumë për energjinë kur larguat me dhjetëra kompani që do të ndërtonin HEC në katër anët e vendit? Apo kur bosi yt iu kërkon 10 mln euro? Do pra më për Belulin?! Vjedhje dhe vetëm vjedhje. Çfarë do ti më shumë për energjinë kur vetëm investime të huaja në Shqipëri me të cilat rreh gjoksin kjo qeveri janë Fani dhe Devolli me TAP-in, që të gjitha kontrata të firmosura nga qeveria e mëparshme? Çfarë do ti më shumë për energjinë kur linja e prokuruar e transmetimit Tiranë-Prishtinë e tenderuar nga qeveria e mëparshme falë miqësisë së Ramës me Vuçiçin i është vënë kyçi dhe nuk funksionon. Dhe bëni gjoja ligje. Pse letra të vdekura doni të bëni? Ato nuk kanë vlerë.
Para se të largohem, unë do të dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e pashembullt të trafikantit të drogës, që ka mbjellë fshatin me Olsi Ramën me parcela droge, që ka qenë anëtar i grupit të tij në Boston, dhe largimin e tre prej kompozitorëve aktualisht më të shquar të vendit, që kanë përbërë gjeninë krijuese më cilësore. Por një piktor dështak ka vetëm urrejtje për artistët e vërtetë. Duke mos njohur në jetën e tij sukses, por vetëm dështim, do t’i godasë ata njëri pas tjetrit. Çfarë kishit ju me Shpëtim Saraçin, i lindur në TV për formimin e tij dhe muzikën shqiptare, apo me Edmond Zhulalin dhe Alfred Kaçinarin? Po keni fytyrë të dilni para shqiptarëve me këtë akt që bëni? Dhe përdorni pretekste absurde. Ky është një akt i dënueshëm, i një njeriu të cilin e kam denoncuar po këtu në Parlament, mesazhet që vinin për plantacionet e drogës me Olsi Ramën, dhe mediat njoftuan se forcat e rendit në Kolonjë shkuan në destinacion tjetër dhe jo në plantacionet Rama-Gëllçi. Dhe ky njeri, ky antivlerë e vërtetë merr guximin të largojë tre gjeni të muzikës dhe kompozimit të Shqipërisë”, tha Berisha.

Blushi: Shteti nuk funksionon, Rama nuk garanton stabilitet

Deputeti i PS, Ben Blushi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar mes opozites dhe maxhorances ne lidhje me ikjen masive te shqiptareve nga vendi. /r/n/r/nLawmaker, Ben Blushi, speaks during a parliamentary session.

Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s, Ben Blushi tha në fjalën e tij në Kuvend se ajo çka po ndodh me koalicionin qeverisës tregon se Rama është i paaftë për të garantuar stabilitet politik. Ai tha se shteti ka rënë, ndërsa Shqipëria është zhytur në kaos. “Ngjarjet e fundit me kolicionin qeveritar treguan një gjë që unë e kam thënë dhe e besoj prej kohësh që kryeministri që kemi është i paaftë për të garantuar një stabilitetet politik, administrativ dhe kushtetues në Republikën tonë. Shqipëria e zhytur në kaos, kaosi është i vetmi rregull dhe mungesa e rregullit është i vetmi rregull. Shteti nuk funksionion më”, tha Blushi. Po dje, Blushi ka sulmuar fort Ilir Metën, duke e konsideruar si rival në krim së bashku me Ramën. Meta, tha ai, preokupohet vetëm për të na treguar sa i paaftë është Rama. “Mbasi shkatërroi PS, Rama po shkatërron LSI-në me ndihmën e Ilir Metës. LSI është viktima e fundit e një njeriu që di vetëm të shkatërrojë”, tha ai. Blushi ka përmendur edhe paradoksin e fundit që shqiptarët po vërejnë me LSI-në. Kur dalin krerët e saj që akuzojnë qeverinë dhe pastaj shfaqet Meta për të ulur gjakrat. “Ai flet me gojën e Vasilit se policia është bashkëpunëtore në krim, pastaj me të Tavos se bashkitë po përgatiten të vjedhin zgjedhjet, pastaj nxjerr Luanin të thotë se mund të shkarkonim edhe kryeministrin”. Në këtë kontekst Blushi i ka bërë një pyetje ironike: “O Ilir, kur do të flasësh me gojën tënde”, ka pyetur ai duke e konsideruar Metën si një llogaritar që mendon se kush do të bëjë 71 vota dhe sillet si tregtar, por jo si një politikan me moral.

Beteja me bandën në çdo pëllëmbë të territorit

“Të zëmë sheshin, të betuar që s’do të largohemi pa shpëtuar vendin nga këta banditë e t’u tregojmë vendin që këta meritojnë”. Me këto fjalë, ish-Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve dje të ngrihen në protestë, ndërsa tha se revolta popullore në sheshe është zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund banditokracisë që po qeveris vendin. Berisha tha se vendi sot është i kërcënuar më shumë se kurrë ndonjëherë më parë në historinë e tij. Ish-Kryeministri theksoi se kur ekzekutivi është organizatë kriminale, fuqia e krimit është e pakufishme, pushteti i krimit është i pakufishëm dhe penetron në çdo skaj të territorit, në çdo institucion, në çdo qelizë të jetës së vendit.
“Beteja me banditokracinë është betejë e hapur dhe do të bëhet pëllëmbë për pëllëmbë, do të bëhet hap pas hapi, do të bëhet në çdo etapë. Vendi sot është më i kërcënuar se kurrë në tërë historinë e tij. Të gjitha këto të vijë t’i thotë këtu ai. Nga na del i biri me ‘BMV’ 260 mijë euro?
Çfarë mund të bëjë tjetër një banditokraci?! Sa janë të vdekurit në burgje? Ku mund të ndodhë përveçse në një banditokraci që rrugaçë me uniformë, vënë në ndjekje prokurorë dhe mbajnë fjalë për reformë? Një hordhi horrash që s’i ka toka. Flasin për reformë në një kohë kur u venë prokurorëve kriminelë me uniformë mbrapa. Në cilin shtet ndodh kjo? Në cilin regjim ndodh kjo? Kjo ndodh vetëm në banditokraci.
E them unë këtë? Jo e tha ministri i Drejtësisë, i cili pikërisht pse i tha këto u largua, iku. Cili vend në botë ka arritur që, në një kohë të shkurtër, në një hark kohor dyvjeçar të shndërrohet në Kolumbi, të shndërrohet në Kanabistan, të shndërrohet në prodhuesin kryesor të kanabisit në Europë dhe mafia e tij të cilësohet e treta më e rrezikshmja në botë?
Kjo ndodh vetëm në një rrethanë; kur këta që janë pas meje janë thjesht një organizatë kriminale. Kur ekzekutivi është organizatë kriminale, fuqia e krimit është e pakufishme, pushteti i krimit është i pakufishëm, ai penetron në çdo skaj të territorit, në çdo institucion, në çdo qelizë të jetës së vendit. Ndaj dhe kjo është Banditistan!
Ku ndodh që nga ndërtesa e kryebanditit të organizohen programe për të vjedhur të dhënat e komunikimit të qytetarëve. Pse ndodh kjo? Sepse kryebanditi ka gjetur një kushërirë të verbër që i lejon vetes akte kriminale. Në cilin vend ndodh që drejtoresha e Tatimeve, kushërira e kryeministrit të sillet ndaj biznesit duke u çuar shkresa dhe letra terroriste? Kjo është politika e gjobëvënies për llogari të kushëririt. Pra, sot vendi është shndërruar në Banditistan. Çfarëdo që të bëjmë ne këtu, zgjidhje nuk ka sepse ky Parlament është i damkosur. Është në meritën e madhe të kësaj opozite që ju çori maskën dhe sot ju jeni mazhoranca më e pabesuar në Europë, institucioni më i pabesuar. Por prapë nuk është zgjidhja kjo.
Zgjidhja është sheshi! Qytetarë dhe qytetare, lufta me bandat është lufta më e vështirë, por ju garantoj për një gjë. Bandat vërtet i kanë të gjitha, kanë para, kanë eksploziv, kanë armë, por s’kanë një gjë që keni ju; ata s’kanë guximin që keni ju, ata janë të parët që ja mbathin si minj. Ndaj të zëmë sheshin, të betuar që s’do të largohemi pa shpëtuar vendin nga këta banditë që votën tuaj e shndërruan në pushtet bandash, në mbështetje të krimit, e shndërruan në krim, e shndërruan në izolim. Ndaj dhe të mblidhemi. Këtë betejë do ta fitojnë ato gra dhe burra, djem dhe vajza që do të betohen për të mos iu ndarë protestës deri në rrëzimin e këtyre. Kurrë ndonjëherë në histori, një protestë e zgjatur nuk ka dështuar dhe të jeni të sigurtë që do i shihni këta si do ja mbathin si minj, s’do të gjejnë vrimë ku të futen. Do i shihni se si do të kërkojnë azil politik në vendet përreth. Ndaj dhe thirrja ime më miqësore për çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet partiake, që bie dakord se kemi të bëjmë me një bandë; të bashkohemi me guximin tonë t’u tregojmë vendin që këta meritojnë”, u shpreh Berisha.

Basha: 18 shkurti dita të ngrihemi bashkë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh dje me anë të një deklarate se, fakti që e majta po përgatitet të vjedhë zgjedhjet po thuhet sot me zë të lartë dhe nga diplomatët e huaj në vendin tonë. Basha tha se këtë mesazh e mbështesin dhe institucionet ligjzbatuese të vendit, shërbimet e huaja dhe vendase. Duke i ftuar qytetarët dhe një herë në protestën e 18 qershorit, Basha vuri në dukje se në një shoqëri ku mbizotëron krimi dhe droga, nuk prodhohet mirëqenie po vetëm krim dhe prapambetje. “Mbi gjithë zhurmën e propagandës në Shqipëri sot ka një mesazh që dëgjohet qartë: Politikanët e korruptuar dhe krimi duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme. Këtë mesazh po e thonë me zë të lartë qytetarët e thjeshtë dhe diplomatët e huaj, institucionet e drejtësisë dhe shërbimet sekrete të huaja dhe vendase, politikanët e huaj dhe vetë ministrat e qeverisë. Tonelatat e farës së hashashit që kanë hyrë muajt e fundit në Shqipëri janë pjesë e planit për të blerë dhe vjedhur vota, për të ruajtur pushtetin e tanishëm politik duke prishur zgjedhjet. Një shoqëri e rrethuar nga krimi dhe droga nuk prodhon punë, mirëqenie, shëndetësi dhe arsim. Një shoqëri e pushtuar nga droga prodhon krim dhe prapambetje. Ne mund ta ndalojmë këtë të keqe duke u ngritur së bashku. 18 shkurti është dita që populli të thotë fjalën e tij. 18 shkurti është dita për të nisur aksionin e kthimit të pushtetit tek qytetaret. 18 shkurti është dita të ngrihemi bashkë”, tha Basha.
Kreu i PD  lajmëroi të mërkurën me anë të një postimi në rrjetet sociale, nisjen e protestave më datë 18 shkurt në Tiranë. Sipas asaj çka shkruan, Basha protesta do të zhvillohet kundër padrejtësive dhe varfërisë, sistemit shëndetësor dhe të gjitha vuajtjeve që solli Rama bashkë me qeverinë në këto katër vite. Basha thotë se, vetëm me kurajo dhe vendosmëri pushteti i grabitur në këto vite do të rikthehet sërish tek njerëzit. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shprehet Basha në postimin e tij.

Rama u përgjua duke kërkuar miliona euro

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje në Parlament se ekzistojnë regjistrime ku Rama shfaqet duke kërkuar miliona euro ryshfet. Berisha deklaroi se Rama është në krye të bandave që sot kërcënojnë vendin, ndërsa denoncoi presionet dhe shantazhet e Ramës ndaj gjyqtarëve, lidhjet e tij me emrat më famëkeq të krimit të organizuar si Emiljano Shullazi etj.
“Edi Rama ka komunikim direkt me banditët. Janë të regjistruara. Edi Rama është bandit. I vetmi politikan sot në Shqipëri që është akuzuar publikisht nga biznesmenë se u ka kërkuar 600 mijë apo 1 milion. Mirëpo tani del tjetra; tani është në shirit, është i regjistruar duke kërkuar shumë milionë. Shifrën do ta merrni vesh. Është i regjistruar në shirit.
(ndërhyrje në sallë për termin shirit)…. Kjo nuk ju mbron ju. Nuk është mbrojtje kjo që thoni se s’ka shirit. Ka mjete të tjera sot shumë herë më të sofistikuara, por unë e thashë se jeni gjysma analfabetë këtu dhe me diploma falso, ndaj përdora fjalën shirit që ta kuptoni. Ju keni ministrat pa shkollë pa lëreni më ju.
Edi Rama është banditi, mercenar politik, i cili, tipike si një bandit, ka krijuar sot problemet më të mëdha me fqinjët tanë, me vëllezërit tanë. Si i ka krijuar? Me sjelljen e tij si bandit.
Merrni analizoni dy gjëra. Ka një paralelizëm si kurrë ndonjëherë midis vizitave të Tiranës në Beograd, më të shpeshta se në vitet ‘46–‘47, si vizita të nivelit më të lartë.
Merrni ju marrëdhëniet me udhëheqjen e Kosovës dhe Kosovën, janë sot të nivelit të Enver Hoxhës, pra më të këqia se asnjëherë. Të tilla janë marrëdhëniet me fqinjët e Jugut, të tilla janë marrëdhëniet me Maqedoninë. Pse janë? Sepse ai s’ka parime, Rama është bandit dhe banditi ka vetëm interesa bande.
Si mercenar politik ndërmori sulmin më të shpërfytyruar kundër atij që sot është presidenti i SHBA. Unë ja u them këtu se ajo është e regjistruar shumë mirë në memorien e asaj shumice dhe atij vendi. Dhe Shqipëria, sa kohë të mbajë një kryeministër si Edi Rama, dënon veten e vet në raport, në marrëdhënien më jetike të kombit, të vendit, të Kosovës për të sotmen dhe të ardhmen e tij.
Edi Rama është kreu i bandave. E kam denoncuar këtu kur i thoshte gjykatëses së Kukësit: ‘Ti je rrugaç’ se i thoshte ‘unë të pres këmbët!’. A keni dëgjuar ndonjëherë ju t’i thuhet gjykatëses 30 vjet në profesion: ‘Unë t’i pres këmbët?!’. Pse? Se duhet të mbante në burg me çdo kusht një fukara që nuk kishte paguar faturën e energjisë!
Të njëjtin kërcënim i bëri gjykatësit të Krujës, fatmirësisht këtë denoncim këtij banditi, këtij shefi të banditistanit ja bëri direkt ministri i Drejtësisë, i cili pagoi çmimin pikërisht për mospajtimin.
Edi Rama është bandit sepse rezulton, nga ato që thotë ministri, se ka shkelur çdo rregull në përdorimin e pasurive publike të vendit, ka shpërfillur çdo oponencë të Ministrisë së Drejtësisë.
E keni vënë re se Ministria e Drejtësisë është kthyer në varrmihësen e ministrave? Vasil, ku je?! Atje do të përfundosh dhe ti!
Oponencat ministrit të Drejtësisë ja njeh ligji, ministri i Drejtësisë jeton në një kolektiv që nga mëngjesi në darkë merren me ligje dhe atje e kanë të vështirë të devijojnë. Por, pikërisht për këto oponenca priteshin kokat e ministrave. Njësoj si i pari dhe i dyti, edhe i treti shumë shpejt të njëjtën gjë do të pësojë. Ministria e Drejtësisë është shndërruar në një varrmihëse të ministrave sepse kreu i bandave s’mund ta pranojë ligjin.
Edi Rama është kreu i bandave, lidhjet e tij me Emiljano Shullazin shkuan deri në atë shkallë sa ja rrëmbeu edhe Saje qorrit mikun e vet, ja përvetësoi për vete. Edi Rama është kreu i bandave. Ai e dini ju që këto kërcënimet, firmosjet në hipoteka me revole tek koka i kam denoncuar unë këtu në Parlament. Po kur i kisha marrë vesh unë, Rama i kishte marrë vesh dhjetë herë para meje.
A e shihni gjyqin e atij shqiptarit të ndershëm që po tund Shqipërinë me dëshminë e tij, Ylvi Beqes? Tani mësojeni nga unë: në atë aferë është i përfshirë direkt Edi Rama, po këtë herë nuk është i përfshirë me Shullazin, por është përfshirë me Dabullët, me ata të Hakmarrjes për Drejtësi si përfaqësues legal i tyre!
Ku je ti Arta që ndërsen gazetën tënde (Java) kundër kryetarit të partisë? E paraqet kryetarin e partisë si prostitutë vetëm se të kundërvihet për presidente. Turp!
Nuk mund të bëhesh presidente se djemtë i ke anëtarë kryesorë të ‘Hakmarrjes për drejtësi’, po, po e di edhe ti Gramoz. Dhe sot hapet gazeta duke e quajtur prostitutë. Arta ke bërë gabim shumë të madh që ke përdorur atë term, ke bërë gabim fatal… kjo është fakt se si përdoret media si hanxhar”, tha Berisha gjatë fjalës së tij në Parlament.