Fushata e kërcënimeve ndaj kandidatëve për Rektorë të Universiteteve ka prekur edhe kandidatë të tjerë për Rektorë në Universitete.
Kandidati për Rektor në Universitetin e Mjekësisë, Petrit Bara, ka deklaruar se rastet e presionit janë regjistruar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet në Universitetin e Mjekësisë.
Megjithëse nuk dha shumë detaje, në një prononcim mediatik, Bara iu referua përjashtimit sipas tij të padrejtë të një kandidateje në universitetin ku ai vetë kërkon mandatin e rektorit.
“Dekania e Fakultetit të Infermierisë që garon, dy që janë, njëra ankohet për tjetrën dhe Apeli e heq dhe e çon për gjykim në Gjykatën Administrative.
Nuk është rast si ky i kërcënimeve, por një kërcënim është kur të heq nga gara padrejtësisht”, shprehet ai. Petrit Bara ka vlerësuar vendimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, për të vijuar garën pas raportimeve se është kërcënuar për t’u tërhequr.
Me urdhër të Ramës, Emiljano Shullazi ka kërcënuar pak ditë më parë Akademikun Mynyr Koni, duke i kërkuar atij tërheqjen nga gara për postin e Rektorit të Universitetit të Ramës, pasi në të kundërt do t’i rrëmbente atij djalin. Përballë Konit, kandidon Klodeta Dibra, këshilltare e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak, e mbështetur fuqimisht nga Rama. Ditët e fundit, kur gara për zgjedhjet në Universitet po bëhet edhe më e fortë, mbështetja e kandidates së Ramës sa vjen dhe bie. Këtë të enjte, Profesor Mynyr Koni ka marrë një kërcënim nga Emiljano Shullazi, i cili në zbatim të porosive të Ramës, i ka kërkuar akademikut të nderuar të tërhiqet urgjent nga gara përndryshe banda e tij do t’i rrëmbente djalin.
Kandidati për rektor në Universitetin e Mjekësisë, Bara tha se rastet e presionit nuk kanë munguar gjatë fushatës as në Fakultetin e Mjekësisë, ku sipas tij një kandidate është përjashtuar me të padrejtë. Bara komentoi raportimet për kërcënimin e kolegut të tij në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni.
“U shqetësova për kolegun Koni dhe përsëri e uroj dhe m’u bë qejfi që kthehet në garë”. Megjithë problematikat, Bara shpreson që zgjedhjet në universitete të jenë shembull për të ardhmen.
“Qëllimi jonë i rektorëve dhe i imi personalisht është që të japim një shembull unikal për bërjen e zgjedhjeve edhe në rektoratin tjetër. Jo të kërcënohemi nga këto”, shprehet ai.
Bara tha se, në qendër të platformës së tij për drejtimin e Universitetit të Mjekësisë është studenti dhe rritja e cilësisë, duke i qëndruar parimit të meritës. Vëmendje të veçantë premton për studentët e ekselencës dhe përmirësim të specializimeve në fushën e Mjekësisë.
Kandidati për Rektor, Petrit Bara: Ka pasur edhe raste të tjera presioni
Veliaj vijon mburrjen me punët e Lulzim Bashës
Erion Veliaj u shfaq dje duke inspektuar punimet në Lumin e Tiranës, projekt ky i ideuar nga Lulzim Basha. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo reagoi dje pas show-t mediatik të Veliajt, ndërsa tha “Vazhdon mburrja me punët e Lulzim Bashës! Meqenëse bilanci i Veliajt është vetëm beton, taksa të larta, rritje të çmimit të autobusëve, mungesë shërbimi, Erioni ka zgjedhur të mburret me punët e Lulzim Bashës. Këtë gjë bëri sot dhe me Lumin e Tiranës, duke e shitur si projekt të tij, kur në të vërtetë i vetmi kontribut i Veliajt dhe shefit të tij është bllokimi i punës tek lumi për rikualifikimin urban”. Bozdo bëri të ditur se punimet për rehabilitimin e Lumit të Tiranës, i njohur si bombë ekologjike dhe shkak i përmbytjeve të mëdha, nisën në janar të vitit 2014. Ai tha se projekti i iniciuar nga Lulzim Basha parashikonte shndërrimin e lumit dhe hapësirës përreth në një oaz për banorët e Bashkisë së Tiranës dhe të Komunës së Paskuqanit. Gjithashtu Bozdo tha se deri në janar të 2011-ës ky lumë ishte përdorur si vend depozitim mbetjesh dhe në të derdheshin ujërat e zeza. Ai ishte shkaktar i përmbytjeve të mëdha që preknin çdo vit afro 1000 familje të zonës. “Projekti i Bashkisë së Tiranës, i hartuar së bashku me Bulevardin e Ri nga studioja ‘Grimshaw’ parashikonte zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e hapësirave të gjelbra në të dy anët e tij. Përmes argjinaturave do të mbroheshin zonat urbane nga rreziku i përmbytjeve, sikundër në të dy anët e lumit do të ndërtoheshin kolektorë për mbledhjen e ujërave të zeza, me qëllim që ato të mos derdhen më në lumë. Falë kësaj ndërhyrjeje, kryeqytetit i shtohen 1 milion metra katrorë gjelbërim. Nga janari deri në nëntor të vitit 2014 kontraktori arriti të zhvendosë 600 mijë tonë mbetje nga shtrati i lumit, në një gjatësi prej 7 km. Këto punime pamundësuan përmbytje që banorët përjetonin pas çdo reshje shiu. Projekti u bllokua më pas nga Edi Rama duke ndërprerë vijimin e punimeve për gjelbërimin dhe krijimin e parqeve në të dyja anët e lumit, si dhe hapësirat pedonale dhe rikrijuese për banorët, jo vetëm të kësaj zone, por të gjithë Tiranës, çka do të rrisë shumëfish edhe vlerën e pronës”, tha Bozdo. Ai tha se kryebashkiaku Basha kishte nisur negociatat me fondin e Abu Dabit që pjesë e financimit të bëhen edhe 1.5 km të tjera të gjatësisë së lumit, të shtrihej në zonë urbane duke e çuar në 8.5 km gjithë gjatësinë ku do të ndërhyhej nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e tij. Por Bozdo bëri të ditur se të gjitha këto u ndërprenë dje me urdhrin politik të Edi Ramës, ndërsa Veliaj sot zgjedh të mburret me punët e tjetërkujt. “Për të qarë dhe për të qeshur”, ironizoi Bozdo shfaqjen e djeshme të Veliajt.
Rama, zëdhënës i kontratave të PD me TAP
Partia Demokratike përshëndeti dje nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP, ndërsa ironizoi deklaratat e Ramës dhe praninë e tij në inaugurimin e tij, teksa e cilësoi atë si “zëdhënës të kontratave të PD me TAP”. “I fundmi i investimeve serioze në vendin tonë i firmosur në fillim të vitit 2013 është një kujtesë për seriozitetin dhe angazhimin e qeverisë së Partisë Demokratike në shërbim të ekonomisë dhe punësimit. Por sot edhe një herë, u pa se sa qesharak bëhet Kryeministri, i cili jo vetëm nuk përmend asgjë për punën e mëparshme, por i kapur rëndë nga sindroma e vitit zero flet sikur projekti lindi ditën që ai erdhi në pushtet. Ekonomia shqiptare ende vazhdon të mbahet në patericat e investimeve të qeverisë së shkuar, sepse vetë Edi Rama ka të tjera prioritete: pasurimin e tij dhe oligarkëve të tij përmes tenderave dhe koncesioneve korruptive me paratë e taksave të rritura të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e PD. PD citon se ekonomia sot reflekton plotësisht dështimin e zotimeve që ky Kryeministër bëri 3 vjet më parë, ndërsa Edi Rama ka mbi supe damkën e rënies së investimeve të huaja me 57 mln euro më pak (5.7%) në raport me vitin zgjedhor 2013. Sot, vijon deklarata, fatkeqësisht Shqipëria nuk është më një vend atraktiv për investimet e huaja ashtu siç e kanë konfirmuar edhe investitorët gjermanë apo amerikanë. Asnjë investitor strategjik nuk ka ardhur e nuk do të vijë në qeverisjen e Edi Ramës. Shumë prej tyre janë larguar dhe të tjerë janë bërë gati të ikin. “Sepse Shqipëria vuan nga korrupsioni i përhapur gërryes siç thotë Departamenti amerikan i Shtetit dhe është vendi me taksat më të larta në rajon siç thotë raporti i Freedom House. Sot në Shqipëri për herë të parë në 6 vitet e fundit, konsumi ka rënë në vlera negative. Shqipëria ka nivelin më të ulët të besimit ndër biznese e konsumatorë në 15 vitet e fundit, siç thotë Banka e Shqipërisë. Shqipëria e fundit në rajon sa i takon transformimit, siç edhe Indeksi gjerman i Transformimit (Bertelsmann Stiftung) raporton, është produkt i tre vjetëve keqqeverisje të Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e PD. Thellimi i varfërisë, papunësia që shtohet çdo ditë, taksat e larta, faturat e kripura, gjobat me dorë të rëndë, rënia e fuqisë blerëse, rënia e investimeve, konsumit dhe mirëqenies, ky është realiteti që prodhuan tre vjet mashtrime, dështime, kërbaç dhe korrupsion. “Kjo nuk është Shqipëria që ne duam. Prandaj ne jemi zotuar, se do ta nxjerrim vendin nga kriza Rama. Përmes uljes së taksave, tarifave dhe faturave do t’i kthejmë shqiptarëve dhe 1 miliard euro çdo vit. Bashkë do të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për të gjithë e do ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv në rajon për investitorët. Duke i rikthyer besimin bizneseve të huaja dhe atyre vendase për të investuar, për të krijuar vende pune e siguruar mirëqenie”, thuhet në deklaratën e PD.
Klodeta Dibra, kandidatja e Shullazit për rektore
Kandidatja e favorizuar nga Rama për Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibra, për fitoren e së cilës u angazhua edhe Emiljano Shullazi duke kërcënuar kandidatin përballë saj, akademikun Mynyr Koni ka dalë publikisht në mbështetje të Shullazit, duke i cilësuar si shpifje, trillime dhe inskenime. Në momentin kur të gjitha strukturat janë angazhuar në hetimin e ngjarjes së rëndë, në një intervistë për gazetën “Panorama”, Dibra reagon dhe ndaj akuzave të ish¬-Kryeministrit Berisha për kërcënim të kandidatit tjetër për rektor të Universitetit të Tiranës, Koni, nga Emiljano Shullazi duke i cilësuar këto akuza si të stisura.
“Në deklarimin para gazetarëve të ish-¬Kryeministrit unë nuk shoh ndonjë akuzë për mbarëvajtjen e procesit, por një insinuatë lidhur me kërcënimin e rivalit tim (apo të dikujt tjetër) në këtë garë dhe madje edhe tërheqjen nga gara. Por shpejt u mësua se nuk kishte një dorëheqje! Unë vazhdoj të këmbëngul, sikundër është bërë publike, që zgjedhjet në universitetet publike nuk janë dhe nuk mund të jenë një arenë ku përplaset politika e ditës. Ato janë përgjegjësi e vetë stafeve akademike, studentëve dhe profesoratit, të cilët kanë treguar, deri sot qytetari dhe kulturë. Ngjarja e pretenduar as që ka ndonjë lidhje me mua, por mesa duket, është stisur nga falanga që e çuan universitetin në këtë gjendje ku është sot. Por koha e tyre mbaroi”, shprehet Dibra.
Madje, ajo nuk mjafton me kaq ndërsa shton se duke “shpikur” kërcënimet, kandidati përballë saj, akademiku i nderuar Koni kërkon të viktimizohet.
“Ashtu sikundër nuk besoj se do të ketë kohë nga nesër e tutje edhe për të tjerë, që dëshirojnë të vetëviktimizohen ose lejojnë viktimizimin e tyre, sepse nuk kanë çfarë tjetër të ofrojnë për universitetin dhe të ardhmen e tij! Sepse kanë qenë pjesë e atyre falangave që përmenda më sipër dhe iu ka mbetur thjesht të inskenojnë palavdinë e tyre, duke mos ditur të bëjnë gjë tjetër! Unë vijoj të tregoj me përgjegjshmërinë time se jam në këtë garë për ta fituar atë. Emrin tim dhe këtë përgjegjshmëri nuk e implikon dot askush, aq më tepër politika”, thotë në intervistën e saj.
Por ndërsa Dibra i cilëson si trillime kërcënimet e Shullazit ndaj dy figurave të njohura akademike, ka qenë vetë Rektorati i Universitetit të Tiranës, i cili ka pranuar vërtetësinë e këtyre kërcënimeve, si dhe faktin se strukturat përkatëse shtetërore janë vënë menjëherë në dijeni të ngjarjes.
Klodeta Dibra është rivalja e akademikut Koni për postin e Rektoratit të Tiranës, i cili është kërcënuar me jetë nga krahu i djathtë i Ramës e Tahirit, Emiljano Shullazi.
Klodeta Dibra jep mësim tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ka 18 vite punë në këtë institucion, por krahas kësaj ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Partisë Socialiste, dhe duket se ka qenë e preferuara e Ramës pasi ka qenë e para në listën e Partisë Socialiste për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli” më 7 maj 2015 Klodeta Dibra është shprehur se “Edi Rama ma plotësoi dëshirën për të qenë në Këshillin Bashkiak”.
Reagimi zyrtar i Rektoratit
Rektorati i Universitetit të Tiranës ka reaguar ashpër dje për rastin e kërcënimit të dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, njëherësh kandidat për rektor në UT, Mynyr Koni si dhe rektorit aktual Dhori Kule.
Në një njoftim zyrtar të Rektoratit konfirmohet se, kërcënimi kishte si qëllim tërheqjen nga gara të kandidatit Koni pak ditë para zgjedhjeve. Rektorati bën me dije se është konfirmuar mbi kërcënimet ditën e enjte dhe të premte të javës që kaloi, ndërsa e cilëson këtë ngjarje si të paprecedent e të pakonceptueshëm brenda institucioneve akademike.
“Rektorati i UT u informua për ngjarjet e rënda të zhvilluara, përkatësisht ditën e enjte dhe të premte, ku janë kërcënuar dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe kandidati për rektor, Prof. Dr. Mynyr Koni dhe rektori i UT, Prof. Dr. Dhori Kule. Këto kërcënime kanë patur për qëllim tërheqjen nga gara, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të kandidatit Mynyr Koni. Ky është një rast i paprecedent dhe i pakonceptueshëm që të ndodhë brenda institucioneve akademike”, thuhet në reagimin e rektoratit.
Rektorati vlerëson të gjitha strukturat përkatëse kanë qenë të informuara në lidhje me kërcënimet në fjalë. “Strukturat shtetërore janë informuar për ngjarjen e rëndë nga rektori dhe dekani i FSHN dhe ato menjëherë kanë marrë masat e duhura, duke vlerësuar seriozisht këtë situatë të paprecedent në zgjedhjet universitare. Nisur nga mbështetja e organeve shtetërore dhe aktorëve të tjerë, kandidati për rektor vendosi që ta vazhdojë garën për rektor të UT. Gjejmë rastin të falënderojmë strukturat shtetërore dhe të gjithë aktorët e tjerë për mbështetjen në këtë fazë delikate të historisë së UT”, vijon deklarata.
Ndër të tjera në deklaratë shprehet angazhimi maksimal për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa bëhet thirrje për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, drejtues të fakulteteve të ndryshme të UT, dënojmë aktin e paprecedent dhe mbështesim kolegët tanë në përmbushjen e detyrimeve të tyre institucionale, si dhe garantojmë angazhimin tonë maksimal për një proces të rregullt zgjedhor në UT, për cilindo kandidat në garë. Gjithashtu, ne gjykojmë që procesi deri tani është zhvilluar normalisht dhe të gjitha strukturat kanë plotësuar detyrimet e tyre në bazë të rregullores për zgjedhjet. I bëjmë thirrje gjithë profesoratit dhe studentëve të UT të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje dhe të tregojnë që UT, si deri tani, është një institucion publik që karakterizohet nga integriteti dhe vendosmëria për ta çuar arsimin tonë drejt standardeve më të përparuara ndërkombëtare”, thuhet në fund të deklaratës së Rektoratit.
Arben Shahini
Basha: Qeveria shqiptare të angazhohet me vepra ndaj shqiptarëve të Preshevës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje dje qeverisë shqiptare të angazhohet me vepra dhe jo me fjalë, me programe të financuara dhe jo me spektakle në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Basha tha se ky do të jetë pozicioni i i tij si lider i opozitës sot dhe prioriteti i tij si Kryeministër nesër. Ai tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë interes madhor kombëtar, detyrim kushtetues dhe politik i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Deklaratat, Basha i bëri pas një takimi me kryetarin e Komunës së Preshevës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa në selinë e PD.
“Kam kënaqësinë dhe privilegjin të pres dhe të bisedoj në mënyrë konstante me z. Mustafa, me kryetarin e Komunës së Preshevës dhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës. Tema jonë edhe sot ka qenë gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por po kështu kam shfrytëzuar rastin ta pyes për zhvillimet në Komunën e Preshevës, të cilën ai e ka drejtuar gjatë këtyre viteve. Përkundër vështirësive të mëdha dhe pengesave tashmë të njohura z. Mustafa ka ndërtuar një shembull të jashtëzakonshëm të menaxhimit të kapaciteteve njerëzore dhe burimeve të Komunës së Preshevës. Mora vesh me kënaqësi të madhe për investimin që po kryhet për zonën e lirë ekonomike, subvencionimin e fermerëve, përpjekjet titanike që po bëhen për t’iu ofruar një shërbim shëndetësor më të mirë në veçanti atë të maternitetit të Preshevës. Patriotizmi nuk shprehet vetëm me fjalë, madje kur shprehet vetëm me fjalë të çon në drejtimin e gabuar, veprat janë ato që flasin”, tha Basha për mediat. Ai vlerësoi se përkushtimi i z. Mustafa në këtë drejtim për ta bërë më të mirë jetën e qytetarëve të Preshevës përmes investimeve në infrastrukturën publike, përmes lehtësimit të një klime biznesi që të krijojë më shumë vende pune në veçanti për rininë e Preshevës dhe në përgjithësi për popullsinë e Preshevës është një shembull për t’u marrë nga të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor anembanë trevave shqiptare.
“Unë e çmoj shumë këtë vepër të z. Mustafa, sikundër e çmoj lidershipin e tij politik. Nga ana tjetër e kam garantuar për mbështetjen time të plotë dhe të Partisë Demokratike për realizimin e objektivave strategjike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme që Partia Demokratike do t’i japë sot dhe në të ardhmen programeve të ndryshme të mbështetjes, siç janë ato për studentët shqiptarë në Universitetin e Tiranës, por edhe në objektiva të tjera strategjikë për përmirësimin jo vetëm të cilësisë së jetës, por edhe të pozitave dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në këtë kuadër tek z. Mustafa kemi patur, kemi dhe do të kemi një partner të besuar e të vyer të kauzës së drejtë të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, u shpreh kreu i PD, Basha.
– Si e shihni raportin e qeverisë shqiptare për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, dihet se kishim një vizitë të Kryeministrit Edi Rama, por deri më tani nuk ka lëvizur asgjë për realizimin e të drejtave?
Basha: Qeveria e Shqipërisë duhet të angazhohet me vepra dhe jo me fjalë, me programe të financuara dhe jo me spektakle. Ky është pozicioni im si lider i opozitës sot dhe ky do të jetë prioriteti im si Kryeministër nesër.
– Çfarë është bashkëpunimi i Partisë Demokratike Shqiptare me Partinë Demokratike të Shqipërisë?
Basha: Është një bashkëpunim për interesat dhe objektivat afatshkurtra dhe afatgjata strategjike të shqiptarëve të Preshevës si një interes madhor kombëtar, si një detyrim kushtetues dhe politik i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
– Z. Mustafa, çfarë keni biseduar në takimin e sotëm dhe çfarë do të thotë ky takimi juaj me z. Basha sot në Tiranë?
Mustafa: Fillimisht do të doja të falënderoja kryetarin e partisë më të madhe opozitare të Republikës së Shqipërisë z. Basha me të cilin prej kohësh kemi kontakte shumë dashamirëse, sepse në vazhdimësi ndjekin të gjitha situatat që preokupon shqiptarët në Luginën e Preshevës, por ne nga Presheva gjithmonë mbajmë sytë nga Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare.
Në këtë drejtim kemi këmbyer shumë mendime sot në lidhje me kapërcimin e gjitha situatave që prekin shqiptarët që prej përdorimit të lirë të simbolit kombëtar dhe identifikimin e shqiptarëve autoktonë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Po kështu për tekstet mësimore, për arsimin më të mirë shqip duke falënderuar gjithmonë Shqipërinë sepse për një kohë PDSH ishte udhëheqëse dhe bartëse e disa mandateve qeveritare në Republikën e Shqipërisë kur hapën dyert për gjithë studentët shqiptarë që vinin nga Lugina e Preshevës. Në këtë drejtim jemi mirënjohës të paskajshëm sepse rinia jonë po shkollohet, po emancipohet dhe po ndërtohet edhe shkencërisht, por edhe me dije në Tiranë dhe në Republikën e Shqipërisë.
Prandaj jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur me kuadrot që kthehen nga universitetet e Republikës së Shqipërisë në Preshevë sepse janë kontribues të shkencës dhe dijes, madje dhe profesionistë shumë të mirë në të gjitha fushat, sidomos në shkencat e mjekësisë për të cilën kemi më së shumti nevojë në Komunën e Preshevës dhe Luginën e Preshevës.
Padyshim se kemi njoftuar edhe për probleme të tjera që takohen shqiptarët në sferën e papunësisë, duke u zotuar gjithmonë që do të vazhdojmë me ngritjen e kapaciteteve për një zhvillim industrial në Luginën e Preshevës në mënyrë që të kemi të rinjtë tanë aq të shkolluar. Një mundësi që t’u ofrojmë vendet e reja të punës gjithmonë me investitorë potencialë që mund të vijnë nga Europa Perëndimore. Për këtë sigurisht që kryetari Basha duke patur mundësinë e frekuentimit nëpër vendet e Europës Perëndimore do të lobojë për Luginën e Preshevës, do të lobojë për Komunën e Preshevës në mënyrë që të jetë një shpërndarje e përgjegjësive proporcionale si për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe për Luginën e Preshevës sepse është obligim kushtetues i Republikës së Shqipërisë.
Prandaj takimet tona gjithmonë do të mbeten në vazhdimësi të lidhura ndërmjet Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë në Republikën e Shqipërisë, duke këmbyer edhe përvoja të mira, por edhe duke ndihmuar njëra-tjetrën në masë aq sa mundemi.
Për këtë rast Shqipëria është në pozicion më të mirë të mundshëm për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe këtë drejtim falënderojmë kryetarin Basha që ka këtë gatishmërinë dhe përgjegjësi kushtetuese për shqiptarët jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë.
100 milionë euro nga buxheti do shkojnë si subvencione drejtpërdrejt tek fermerët
Në programin qeverisës Partia Demokratike ka përcaktuar bujqësinë si prioritet dhe një ndër levat kryesore për të nxjerrë vendin nga kriza. Për këtë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u tha fermerëve të Xarrës dhe Konispolit se 150 milionë euro nga buxheti do të shkojnë për bujqësinë. 100 milionë prej të cilave do të shkojnë për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët.
Fermer: E gjithë kjo fushë vaditet me pikatore. Dhe unë naftën e blej 1800-1700 lekë litri. Të paktën nafta të subvencionohet, të marrë pesë lekë bujku.
Basha: Leva për ta nxjerrë ekonominë shqiptare nga kriza për ne është bujqësia. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur dhe pse nesër në qeverisje 150 milionë euro në vit do t’i shpenzojmë për bujqësinë, në dy kolona. Kolona e parë infrastrukturë bujqësore. Kolona e dytë subvencione të drejtpërdrejta për fermerin. 50 milionë euro në vit do të dedikohen për të përfunduar infrastrukturën ndihmëse bujqësore dhe 100 milionë euro të tjera do të rezervohen vetëm për subvencionim të drejtpërdrejtë fermerit. Siç jepet pensioni, siç jepet ndihma ekonomike, kështu do të jepet edhe subvencioni për fermerin.
Papunësia është një nga shqetësimet më të mëdha të banorëve të Ksamilit, një nga zonat turistike më të bukura të vendit. Banorët theksuan në takimin me Bashën se janë të detyruar të marrin para borxh dhe për t’u ushqyer.
Banorë: Kanë mbet të rinjtë papunë, vijnë vërdallë, venë burgjeve.
Banorë: Kam hy borxh 2 milionë lekë për copën e bukës.
Banore: Kisha për të marrë ilaçet, nuk i mora. Ishte 30 mijë lekë një kuti ilaçe, i lashë pa marrë.
Basha: Hapi i parë do të jetë ulja e taksave. Çfarë është ulja e taksave? Ulja e taksave është 1 miliard euro në ekonomi, mesatarisht 2 milionë lekë të vjetra për çdo familje, çdo vit. Me paratë e tjera të taksave do të hapim punë publike, po punë publike tamam dhe jo gënjeshtra, jo mashtrime. Ujësjellës, kanalizime, rrugë, shkolla, spitale, vaditje, subvencione për fermerët, subvencione për peshkimin, subvencione për industri që hapin vende pune për të rinjtë.
Situata është po kaq e keqe në Delvinë. Heqja e kempit dhe ndihmës ekonomike në mënyrë abuzive ka lënë në mëshirë të fatit shumë familje. Ndonëse prej 13 vitesh merrte pagesën e invaliditetit, një kryefamiljar i tha liderit të opozitës se, prej disa muajsh ia kishin ndërprerë pa të drejtë. Megjithë ankesat e shumta askush nuk i kishte dëgjuar dhe as nuk kishin marrë përgjigje. Fëmijët e tij të mitur, rrëfeu kryefamiljari, flinin shpeshherë pa ngrënë pasi e vetmja e ardhur ishte ajo pagesë.
Banor: 13 vjet invalid, na erdhi një vlonjate vjet këtu në komision na i hoqi fare. Ja, më kërkojnë të hanë fëmija, unë shpirtin nuk ia jap dot fëmijëve se s’kam ç’të bëj. Herë flemë pa bukë në darkë, herë me bukë.
Banore: Këtu ka papunësi shumë të madhe. Ujë këtu s’ke, bukë këtu s’ke, ushqime s’ke, asnjë gjë s’ke. Ja shiko si i ke tërë delvinjotët, ja si janë!
Basha: Kjo sprovë trevjeçare le të shërbejë që të mblidhemi e të bashkohemi të gjithë njësoj si para 25 vitesh. Kjo është një ftesë e hapur edhe për ata të tjerët që ndoshta nuk kanë votuar më parë për Partinë Demokratike, por që duhet të shohin sot jo thjesht flamurin e Partisë Demokratike, por propozimin e Partisë Demokratike, vizionin e Partisë Demokratike, vendosmërinë dhe pastërtinë e Partisë Demokratike për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe për t’u dhënë shqiptarëve punë dhe punësim.
Nuk largohet asnjë lojtar nga Juventusi
Asnjë nga lojtarët e Juventusit nuk është në merkato. Këto janë fjalët e drejtorit të Përgjithshëm të bardhezinjve, Beppe Marotta. Ai foli gjithashtu rreth të ardhmes së Paul Poga, i cili sipas drejtuesit bardhezi nuk do të largohet nga Juventusi, pasi është një element shumë i rëndësishëm për kampionët e Italisë.
“Pogba është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe do të vazhdojë të qëndrojë në Torino edhe për disa vite. Ai është rritur tek Juventus, ku është shndërruar në një kampion. Sigurisht, që ne marrim parasysh edhe dëshirën e lojtarit, nëse dëshiron të qëndrojë apo jo. Për momentin asnjë nga futbollistët e Juventusit nuk është në merkato”, u shpreh Morata.
Beppe Marotta foli dhe për të ardhmen e trajnerit të “Zonjës së Vjetër”, Massimiliano Alegri. Sipas drejtorit të Përgjithshëm, dëshira e Alegrit për të fituar përputhet më së miri me filozofinë e klubit dhe la të hapur mundësinë e qëndrimin e teknikut në krye të stolit bardhezi. “Dëshira e Alegrit për të fituar është e njëjtë me atë të presidentit të Juventusit, Agneli. Nisur nga rezultatet është e logjikshme që ai të vazhdojë ta drejtojë skuadrën. Alegri është një lider në dhomat e zhveshjes dhe jam i sigurt që nën drejtim e tij, Juventusi do të bëjë hapa të mëdha jo vetëm në kampionatin italian, por gjithashtu dhe në aktivitetet europiane”, tha ai.
Dëmtimi i Claudio Marchisio-s në sfidën e shtëpisë me Palermon e spostoi në plan të dytë jehonën e suksesit 4-0 ndaj siçilianëve. Mesfushori bardhezi ka këputur ligamentin e gjurit të majtë e për rrjedhojë do të mungojë për një periudhë të gjatë, që do të thotë se do të humbasë edhe Kampionatin Europian “Francë 2016”. Pas ekzaminimeve të mëtejshme do të vendoset edhe për ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa koha e riaftësimit do të zgjasë nga 5 deri 6 muaj. Një goditje e rëndë kjo për Juventusin, por më shumë për Kombëtaren italiane, që humb kështu një nga elementët më të rëndësishëm të formacionit titullar. Conte tashmë duhet të ndryshojë planet fillestare për europianin, pasi i duhet të zgjedhë zëvendësuesin e duhur të Marchisio-s, e ndoshta edhe të ndryshojë modulin e lojës.
Trajneri i të kaltërve duhet të llogarisë edhe problemet e Verrattit me pupalgjinë, me mesfushorin e Paris Saint-Germain që praktikisht nuk luan prej një muaji e gjysmë. Situata është e komplikuar, pasi mesfusha e Italisë ka nevojë për ridimensionim. Me Verrattin që nuk jep garanci, Conte duhet të gjejë të tjera zgjidhje. Pirlo nuk garanton formën e duhur atletike, por edhe Daniele De Rossi ka pësuar rënie gjatë sezoneve të fundit. Alternativa më e mundshme e Marchisio-s mbetet Marco Parolo, por edhe për mesfushorin lazial kërkohet një zëvendësues. Soriano, Bonaventura, Benassi apo Sturaro? Të gjithë janë teorikisht zgjidhje të mundshme si në modulin 3-4-3 ashtu edhe në 4-4-2.
Interi shpreson!
Inter, ashtu siç e kishin imagjinuar, dëshiruar, paraqitet papritur në një natë pranvere për të shembur ëndrrat për lavdi të Napolit. Tani mes zikaltërve është rindezur shpresa për t’u kualifikuar vitin që vjen në Ligën e Kampioneve. Por, nga ana tjetër, në shtëpinë zikaltër kanë edhe shumë brenga, duke kujtuar gabimet e shumta gjatë rrugës. Tani ata kanë në dispozicion 15 pikë për të grumbulluar, ndërkohë që ndodhen vetëm 4 pikë larg rivales më të arritshme, Roma.
Fakti që Interi e bën garën, duke iu referuar ekipit të Spaletit nuk është pozitiv, pasi përtej barazimit në Bergamo, “ujkonja” nuk duket se është një ekip në rënie. Tjetër histori do të kishim nëse rivalja për t’u mundur do të ishte Napoli që tani është në krizë të plotë. Por, distanca prej 9 pikësh e bën ekipin e Sarrit që ta bëjë gjumin e qetë.
Në javën e 33-të u dallua qartë se ky ekip, nëse do të kishte gjetur më parë ekuilibrat dhe formën e tanishme, do të kishte arritur pa shumë probleme rikthimin në Ligën e Kampioneve. Qendërsulmuesin gjakftohtë gjithmonë e ka pasur (edhe pse në një periudhë të caktuar edhe ai ishte vënë në diskutim), ndërsa në vjeshtë gjeti edhe mbrojtjen hermetike që në janar humbi rrugën.
Mungonte pjesa tjetër, duke u nisur që nga moduli. Ky i tanishmi (4-2-3-1) me Kondogbian dhe Medelin në mesfushë duket se është i duhuri. Francezi ndihet mirë në mes të fushës, ndërkohë që Medel është gjithmonë i nevojshëm, kur flitet për të rikuperuar topin. Vlera e shtuar e ekipit janë edhe tre lojtarët pas sulmuesit. Perisiç është mesfushor krahu i pastër, burimi i shumë harkimeve. Brozoviç është tipi i lojtarit që luan kudo (është e habitshme si nuk ka luajtur gjithmonë titullar). Ndërsa Jovetiç është luksi që vetëm ekipet e mëdha mund t’ia lejojnë vetes. Nëse do të kërkojë që të bashkëpunojë me Ikardin, do të ishte super.
Tani gjithçka është më e qartë. Tashmë nuk ka më mbrojtje me tre lojtarë apo rrotacion pa fund. Nuk ka më lojtarë që dështonin ndeshje pas ndeshje apo apele për të ndërhyrë në merkato. Rezultatet e ndeshjeve të para i jepnin më shumë se ç’duhej një ekipi që nuk luante mirë. Prej asaj skuadre duhej ndërtuar një formacion solid që duhet të godiste me kundërsulme. Por u zgjodhën të tjera rrugë. Tani trajneri ka gjetur besimin e duhur për të përballuar edicionin e radhës. Por duhet parë edhe e sotmja. Nëse ky ishte treni i fundit, atëherë duhet parë se ku do të ndalojë, pasi Interi tashmë ka hipur në të. Kalendari u jep një dorë zikaltërve, të cilët do të ndeshen me Xhenoan (në Xhenova), Udinezen (në Milano), Lacion (në Romë), Empolin (në Milano) dhe Sasuolon (në Rexho Emilia). Të gjitha këto janë formacione që mund të mposhten prej Interit.
Dortmund rigjen buzëqeshjen pas eliminimit nga E. League
Borussia Dortmund rigjen buzëqeshjen pas eliminimit tragjik në “Anfield Road”. Skuadra e drejtuar nga Tomas Tuchel kaloi pastër 3-0 Hamburgun në ndeshjen e javës së 30, duke e çuar sërish në -7 diferencën me Bayernin kryesues. Në “Signal Iduna Park”, vendasit nuk e vunë asnjëherë në dyshim fitoren, pasi e gjetën golin në minutën e 38 me Pulisic, ndërsa një minut nga fundi i pjesës së parë, Adrian Ramos dyfishoi shifrat. Hamburgu u tregua i pafuqishëm për të reaguar, duke mos e ngacmuar pothuajse asnjëherë portën e skuadrës së Dortmundit që golin e tretë e gjeti sërish me sulmuesin kolumbian në minutën e 86.
Kur duhen edhe 4 javë nga fundi i sezonit, Borussia vazhdon të qëndrojë metametikisht në garën për titullin edhe pse diferenca prej 7 pikësh nuk e lejon skuadrën e Tuchel të ëndërrojë, ndërsa në krahun tjetër, Hamburgu mbetet në mesin e artë të klasifikimit. Në ndeshjen tjetër të së dielës, Mainzi bëri të pabesueshmen, duke u mundur 3-2 edhe pse kryesonte 2-0. Vendasit u kapën në befasi nga Kolni, ku Mërgim Mavraj u aktivizua titullar. Golat për vendasit u realizuan në pjesën e parë nga Corboba dhe në të dytën nga Balogun, por ekipi mik shënoi tre gola brenda pak minutave ku Rise, Jojic dhe Modeste arritën të rrëmbenin një fitore edhe pse ndeshja dukej e mbyllur. Me këtë humbje, Mainz mbetet në vendin e 6 me 45 pikë, ndërsa Koln mbetet në pozicionin e 12.
Di Francesco: Rinovoj me Sassuolon
Eusebio Di Francesco do të vazhdojë të drejtojë Sassuolon edhe në sezonin e ardhshëm. Trajneri, pas humbjes me Fiorentinën, zbuloi se synimi i tij është rinovimi i kontratës me klubin aktual, duke larguar zërat e merkatos, që e lidhin të ardhmen e 46-vjeçarit larg klubit zi-jeshil. Di Francesco deklaroi se ka ende 1 vit kontratë me Sassuolon dhe se në fund të kësaj jave do të takohet me drejtuesit e klubit për të nënshkruar rinovimin e marrëveshjes.