Plot 29 persona janë arrestuar nga policia spanjolle në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut të heroinës dhe kokainës nga Ballkani, Turqia dhe Holanda. Nga të arrestuarit, 22 prej tyre janë prangosur në Galicia dhe pjesa tjetër në Madrid, kryeqyteti i vendit. Organizata vepronte në mënyrë ndërkombëtare.
Të arrestuarit janë shqiptarë, turq dhe spanjollë. Operacioni u kodua “Galeaza”, dhe ka çuar në sekuestrimin e 16 kg heroinë të pastër dhe me cilësi të lartë si dhe materiale të tjera për falsifikimin, trajtimin dhe paketimin e drogës.
Shumica e lëndës narkotike u sekuestrua në një automjet që po udhëtonte nga Madridi, ku kishte marrë drogën në drejtim të Galicias. Ndërkohë, 8 kg drogë është sekuestruar në muajin gusht të vitit të shkuar, pjesë e po të njëjtës organizatë.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se në qytetin Pontevedra ishte ngritur një laborator për përpunimin e drogës ku janë sekuestruar gjithashtu edhe 35 mijë euro para të gatshme, një pistoletë, si dhe 11 automjete të pajisura me hapësira të posaçme për transferimin e drogës. Gjithashtu, janë sekuestruar pajisje elektronike.
Hetimet nisën pas informacione të mbërritura tek Roja Civile, siç quhet policia në Spanjë, ku thuhet se ekzistonte një organizatë që funksiononte në Pontevedra që furnizonte me heroinë rajonin e Galicias. Më pas, nisën vëzhgimet për të identifikuar anëtarët e saj.
Heroina është siguruar nga tri organizata turke-shqiptare të vendosura në Madrid dhe Orense, përgjegjëse për futjen në Spanjë të heroinës nga Ballkani, Turqia dhe Holanda gjithashtu. Midis të arrestuarve është edhe një mjek kirurg, i cili kishte fshehur drogën në shtëpinë e tij në Madrid.
Organizata turko-shqiptare-spanjolle kapet me 16 kg heroinë, 29 në pranga
Aksident në Lezhë, furgoni përplas për vdekje këmbësorin
Një i moshuar humbi jetën, pasi u përplas nga një furgon në superstradën Lezhë-Laç. Aksidenti u regjistrua rreth mesnatës dhe viktima është Lek Bela, 74 vjeç, nga fshati Pllanë i Lezhës. 74-vjeçari ishte duke lëvizur në anë të supestradës, kur u godit nga një furgon mallrash që drejtohej nga Ardit Dani, 32 vjeç, banues në Tiranë.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të moshuarit. Nga të dhënat e para të policisë është bërë e ditur se shkak për aksidentin ka qenë errësirë në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara që po lëvizte drejtuesi i furgonit, i cili e ka patur të pamundur të manovrojë që të shmangte përplasjen.
Drejtuesi i mjetit, që shkaktoi aksidentin është arrestuar. Ky është aksidenti i dytë i kësaj natyre që ndodh në superstradën Lezhë-Laç, pasi dhe tre ditë më parë një automjet përplasi për vdekje një këmbësor, ndërsa autori i aksidentit ende nuk është identifikuar dhe ndaluar nga policia.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrugën e “Kombit”. Një kamion ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Skuraj, ku forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje. Drejtuesi i kamionit është nxjerrë nga mjeti dhe është dërguar në spital në gjendje të rënd shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.
Ish-drejtori i Tatimeve shpallet i pafajshëm
Gjykata e Faktit në Tiranë, shpalli sot pushimin e gjykimit për ish-drejtorin e Tatimeve Tiranë, Androkli Kokthi, pasi sipas saj faktet e paraqitura në akuzën kundër tij nuk qëndronin. Ai akuzohej për shpërdorim detyre në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, pasi në muajin korrik 2014 kishte lidhur një Akt-Marrëveshje për likuidimin me këste të detyrimeve të prapambetura me shoqërinë Fullpet. Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet heqje lirie, por Gjykata e shpalli akuzën të pa mbështetur në ligj.
Androkli Kokthi u arrestua në 18 shkurt 2016, përsëri për shpërdorim detyre për disa mallra të konfiskuara, që më pas i ishin kthyer subjektit. Kjo akuzë nuk arriti të vërtetohej. Kokthi njihej në mjediset fiskale për arrogancën e tij, por nga ana tjetër edhe për përvojën profesionale. Ai u lakua në media për konfliktet dhe mosdakortësinë e tij të vazhdueshme me ish-drejtoreshën e Tatimeve, Briseida Shehaj.
Mediu takon Tillerson: Situata në Shqipëri e papranueshme
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zhvilluar mëngjesin e djeshëm një takim dhe bisedë me sekretarin e ri të Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson. Njoftimin për takimin e ka bërë vetë Mediu në rrjetin social në Facekook. “Të dashur miq. Sot pata kënaqësinë gjatë Mëngjesit të Lutjeve, të kisha një bisedë me sekretarin e ri të Shtetit, Rex Tillerson. Mbasi e urova për detyrën e re vura në dukje se gjithë shqiptarët pa dallim janë pro amerikanë dhe mirënjohës për atë çka bërë Amerika, për njohjen e shtetit shqiptar, pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Po ashtu ngrita shqetësimin për situatat në Ballkan, rishfaqjen e konflikteve me bazë etnike të qëllimshme. Situata në Shqipëri vura në dukje është bërë e papranueshme për shkak të krimit të organizuar, trafiqeve dhe pamundësisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shkruan Mediu në Facebook.
Rex Tillerson konfirmohet Sekretar i Shtetit
Senati amerikan konfirmoi ish-shefin ekzekutiv të kompanisë Exxon Mobil, Rex Tillerson në postin e sekretarit të Shtetit. Senati e votoi zotin Tillerson në krye të Departamentit të Shtetit me 56 vota pro dhe 43 kundër. Të gjithë republikanët kanë votuar pro Tillersonit, ndërsa shumica e senatorëve demokratë kanë votuar kundër. Mbështetësit e Tillersonit në Senat u shprehën të bindur se ai do ta drejtojë me integritet Departamentin e Shtetit. Pas votimit nga Senati, zoti Tillerson shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ceremoninë e betimit në prani të presidentit Donald Trump. Presidenti u shpreh i bindur se zoti Tillerson do të japë gjithë potencialin e tij në politikën e jashtme të vendit dhe në dobi të përforcimit të sigurisë në botë. “Kemi trashëguar sfida në Lindjen e Mesme dhe kudo në botë, por besoj se mund të arrihet paqja e stabiliteti në këto kohë të vështira”, tha presidenti, kurse sekretari i ri i Shtetit premtoi se do të punojë në shërbim të interesave të popullit amerikan. Kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson u tha dje punonjësve të Departamentit të Shtetit se diplomatët duhet të lejohen të shprehin mendimet e tyre politike, por shtoi se, “nuk mund të lejojmë që bindjet tona personale të pengojnë aftësinë për të punuar si ekip”. Këtë javë rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit nënshkruan një MEMO ku shprehin kundërshtimin ndaj urdhrit të presidentit Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Zoti Tillerson u tha punonjësve se do të përqafojë “disa parime bazë” të llogaridhënies, ndershmërisë dhe respektit për të garantuar se Departamenti i Shtetit do të funksionojë “në mënyrën më produktive dhe më të efektshme të mundur”. Në postin e ri, zoti Tillerson do të përballet me një numër sfidash globale që i trashëgon nga administrata e kaluar, si lufta civile në Siri, rritja e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut, dhe shtimi i agresivitetit të Kinës dhe Rusisë.
Basha uron sekretarin e ri të Shtetit Rex Tillerson
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar zgjedhjen e sekretarit të ri të Shtetit Rex Tillerson, pas votimit në Senatin amerikan dhe emërimit të tij në detyrë. Basha e ka shoqëruar urimin e tij dhe me një foto të zotit Tillerson, në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Urime të përzemërta sekretarit të 69-të të Shtetit, Rex Tillerson! Suksese në sfidat që e presin, në një kohë kur bota ka shumë nevojë për vendosmërinë dhe udhëheqjen e SHBA”, shprehet Basha.
SHBA dhe Meksika mohojnë njoftimet për dërgim trupash
Shtetet e Bashkuara dhe Meksika i mohuan njoftimet se presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ai ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane në Meksikë.
“Associated Press” dhe një gazetar meksikan në Uashington kanë raportuar se zoti Trump i ka thënë presidentit meksikan, Enrique Pena Nieto gjatë një telefonate javën e kaluar se ai do të dërgonte forca amerikane për të luftuar elementët e krimit dhe drogës nëse Meksika nuk do të merrte më shumë masa për t’i kontrolluar ata.
Raportimi i “Associated Press” është bazuar në një transkript të pjesshëm të bisedës mes zotit Trump dhe zotit Nieto që i është dhënë me kusht anonimiteti nga një person, i cili kishte qasje në transkriptin zyrtar. “Associated Press” vuri në dukje se nuk ishte e mundur të përcaktohej toni i komenteve të presidentit Trump.
Gazeta “The Neë York Times” tha se një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë gazetës të mërkurën mbrëma se komentet e presidentit Trump ishin gjest i mirë dhe përfaqësonin një ofertë për të ndihmuar Meksikën në luftën kundër bandave të drogës dhe në kontrollimin e kufirit.
Zëdhënësi i Zyrës së Presidentit të Meksikës, Eduardo Sanchez tha se njoftimet se Trump ka sugjeruar dërgimin e trupave amerikane në Meksikë janë “absolutisht të pavërteta”. Zëdhënësi Sanchez tha se Trump dhe Pena Nieto kanë pranuar dallimet e tyre mbi tema të ndryshme, por kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë dialogun për të arritur marrëveshje në mes të dy vendeve.
Një nga veprimet e para të presidentit Trump pas marrjes së mandatit, ishte nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ai premtoi gjatë fushatës zgjedhore ndërtimin e murit për të cilin do të paguante Meksika.
Presidenti meksikan Pena Nieto e ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të paguante për murin dhe ai anuloi një vizitë të planifikuar në Shtetet e Bashkuara pasi presidenti Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e murit. Biseda e tyre në telefon kishte për qëllim të riparonte marrëdhëniet mes tyre.
Turnbull: Presidenti Trump do t’i përmbahet marrëveshjes
Pas njoftimeve për një bisedë telefonike të tensionuar mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Australisë, dje kryeministri australian Malcolm Turnbull tha se zoti Trump është zotuar t’i përmbahet marrëveshjes për të risistemuar një grup refugjatësh që u kapën ndërsa përpiqeshin të futeshin në Australi.
Marrëveshja u arrit gjatë administratës së Presidentit Barak Obama. Presidenti ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar pranimin e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara, por urdhri përfshin një klauzolë për përjashtime në rastet kur “me pranimin e personave të caktuar Shtetet e Bashkuara përmbushin detyrimet ndaj një marrëveshjeje ekzistuese ndërkombëtare”.
Gazeta “Ëashington Post” njoftoi se zoti Trump i kishte thënë kryeministrit australian se “kjo ishte marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë” dhe se Australia po përpiqej të eksportonte “sulmuesit e ardhshëm të Bostonit”, duke iu referuar sulmit terrorist gjatë Maratonës së Bostonit.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se një grup prej 1200 refugjatësh, pjesa më e madhe e tyre nga Afganistani, Iraku dhe Irani, do t’u nënshtroheshin një kontrolli të imtësishëm para se të pranoheshin në Shtetet e Bashkuara. Zoti Trump e kritikoi marrëveshjen edhe përmes një komenti në Tëitter, të postuar të mërkurën.
“A ju besohet? Administrata Obama pat rënë dakord të pranonte mijëra imigrantë të paligjshëm nga Australia. Përse? Do ta studioj këtë akord trashaman!”.
Pak pas këtij komenti, zoti Turnbull i tha radios “2BG” se, zoti Trump kishte rënë dakord ta zbatonte marrëveshjen.
“Ai u zotua të respektonte marrëveshjen e arritur nga paraardhësi i tij. Nuk diskutohet që ai thotë se nuk do ta kishte bërë vetë këtë marrëveshje, por është zotuar ta respektojë marrëveshjen që ka nënshkruar zoti Obama”, tha kryeministri australian, Malcolm Turnbull.
Ai shtoi se marrëveshja përfshin një “kontroll të imtësishëm të së kaluarës së refugjatëve nga sistemi amerikan i sigurisë”.
Zoti Turnbull nuk pranoi të jepte hollësi pas njoftimeve për ton armiqësor në bisedën me zotin Trump, duke thënë se administrata e tij nuk do të bënte komente publike.
“Amerika është aleatja jonë më e rëndësishme. Ne zhvillojmë diskutime të sinqerta me aleaten tonë”, tha zoti Turnbull.
Ndalim, pezullim apo kufizim?
Shumë polemika kanë plasur ditët e fundit, në përpjekje për të zbërthyer direktivën e administratës Trump për të pezulluar futjen e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara dhe nëse kjo direktivë përbën urdhër për ndalimin e hyrjes së një grupi të caktuar. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer i ka përdorur të dy termat, edhe ndalim edhe pezullim, për të përshkruar efektin e urdhrit, por të martën ai këmbënguli se nuk bëhet fjalë për ndalim dhe fajësoi median se e kishte përhapur këtë term.
“Nuk bëhet fjalë për ndalimin e hyrjes së myslimanëve. Nuk bëhet fjalë për ndalim udhëtimesh”, tha zëdhënësi Spicer në komentet për shtyp. “Bëhet fjalë për një sistem vetingu, për të garantuar sigurinë e Amerikës”.
Kur iu drejtua pyetja për të komentuar për një postim të Presidentit Trump në Tëitter të hënën, kur ai përdorte termin “ndalim”, zëdhënësi Spicer u përgjigj se presidenti po përdorte termin që kishte përdorur media dhe më pas përmendi numrin e myslimanëve që kanë aktualisht të drejtë të futen në SHBA.
“Nuk ka si të jetë ndalim nëse lejohen një milion vetë të futen. Nëse 325 mijë vetë nga një vend tjetër kanë të drejtën të vijnë, nuk ka si të flitet për ndalim. Bëhet fjalë për kontroll ekstrem të aplikantëve”, tha zoti Spicer.
Të mërkurën në mëngjes, përmes një komenti në Tëitter, zoti Trump iu drejtua medias me fjalët “quajeni çfarë të doni”.
Ukrainë, dy ushtarë të vrarë në pjesën lindore
Autoritetet e Ukrainës thonë se dy pjesëtarë të ushtrisë së saj janë vrarë në pjesën lindore të këtij vendi, derisa luftimet e ashpra ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, kanë hyrë në ditën e pestë.
Ushtria ukrainase tha dje se 10 ushtarë të tjerë janë plagosur, në 24 orët e fundit.
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për vrasjen e tetë ushtarëve të tyre gjatë pak ditëve të kaluara, që është numri më i madh i të vrarëve për disa javë.
Në kryeqytetin provincial Donjeck, që është nën kontroll të separatistëve, përfaqësues të tyre kanë thënë se dy civilë janë plagosur nga predhat mbrëmë vonë.
Të dy palët kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për rritjen e armiqësive, që janë të koncentruara rreth qytetit nën kontrollin e qeverisë, Avdijivka, ku nga hedhja e predhave, shumë banorë kanë mbetur pa rrymë, ujë dhe nxehje, në periudhën kur mbretëron dimër i madh.
Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, janë vrarë më se 9,750 njerëz.
Dështon takimi Kosovë-Serbi në Bruksel
Raundi i fundit i dialogut mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë dështoi në tërësi. Atmosfera përshkruhet si shumë e keqe. Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ku ishin përfaqësuesit më të lartë të vendeve, presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliç, si dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, nuk dolën fare para gazetarëve. Burimet e “Deutsche Welles” thonë se takimi ka dështuar në tërësi dhe nuk ka pasur asnjë rezultat. Në fakt, përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Evropian në dialog, Federica Mogherini dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hir të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.
Mogherini pohon se ka pasur takim
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Mogherini kumtoi se së bashku me presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë është mbajtur edhe një takim i nivelit më të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Takimi i sotëm ka qenë vazhdimësi e dialogut që kemi pasur më 24 janar. Unë jam e inkurajuar me angazhimin kontruktiv të të dy palëve. Ky takim dhe angazhimi i tyre do të kontribuojnë për uljen e tensioneve”, kumtoi Mogherini duke shtuar se puna do të vazhdojë në këtë drejtim.
“Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Progresi në normalizimin e raporteve është çelësi për paqe dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve drejt BE-së. Kjo është esenciale për Evropën dhe stabilitetin në rajon”, pohon Mogherini. Sipas saj, palët kanë konfirmuar se janë të përkushtuara të punojnë së bashku në dialog. Mogherini ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit, por sipas burimeve tona, takimi i përbashkët pothuajse nuk ka ndodhur fare.
Palët takohen vetëm sa për fotografim
Ishte e paraparë që pas takimeve bilaterale të delegacioneve me përfaqësuesen e lartë të BE, të mbahet edhe një darkë e përbashkët. Kjo darkë nuk është mbajtur. Megjithë premtimet në prag të takimit, se palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut konstruktiv, bisedimet kanë dështuar në tërësi. “Takimi ishte tmerrësisht i keq dhe pa asnjë rezultat”, thotë për “Deutsche Wellen” një burim diplomatik në Bruksel, në kushte anonimiteti.
Deklaratat në fillim të takimit ishin krejtësisht të kundërta për çështjen elementare: statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar në prag të takimit se palët kanë rënë dakord që të “ulen tensionet”. Në mëngjesin e ditës së mërkurë, ai ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, duket se palët nuk janë të gatshme të lëvizin nga qëndrimet për çështjen kryesore – statusin e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç tha në prag të takimit se pozicionet e delegacioneve janë krejtësisht të kundërta. “Ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, theksoi Nikoliç duke shtuar se, “Serbia nuk do të flasë me askënd për pavarësinë e Kosovës”. Pala serbe ishte e interesuar të fliste për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoliç tha madje se asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Beogradi. Në pyetjen e “DW” nëse kjo do të thotë se ky asociacion do të kërkojë pavarësi, pasi Kosova e konsideron veten si shtet të pavarur, Nikoliç u përgjigj: “Po, do të kërkojmë pavarësi nga Prishtina, nëse Prishtina mendon se mund të jetë e pavarur nga Beogradi”.
Palët nuk kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut dhe nuk kanë caktuar ndonjë datë se kur mund të takohen sërish.
Thaçi e Mustafa reagojnë kundër Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka ritheksuar përkushtimin e qeverisë së Kosovës për dialog, paqe dhe stabilitet, si dhe normalizim të relacioneve me shtetet fqinje.
Lidhur me qëndrimet e fundit të kryeministrit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili kishte deklaruar se Serbia është ajo që po përpiqet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kryeministri Mustafa tha se është fakt botërisht i njohur se, “Republika e Kosovës është shembulli më i mirë rajonal dhe më gjerë i përkushtimit maksimal për forma demokratike të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”.
Sidoqoftë, kryeministri Mustafa tha po ashtu se Kosova e mirëpret edhe përkushtimin deklarativ të Serbisë për paqe dhe stabilitet.
“Në procesin evropian të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ne kemi dëshmuar parimësinë tonë maksimale dhe përkushtimin e plotë për paqe, stabilitet dhe qasje në përputhje me vlerat evropiane”, është shprehur Mustafa.
“Këtë e di krejt bota demokratike dhe po vjen në shprehje çdo ditë e më shumë. Andaj, ne në koordinim me BE-në, me SHBA-të dhe vendet e tjera mike, do të vazhdojmë këtë qasje evropiane dhe konstruktive, e cila nuk ka për synim nxitjen e tensioneve, konflikteve, por normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, pa dëmtuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë”, tha kryeministri Isa Mustafa, për Radio Evropën e Lirë.
Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kishte deklaruar para një takimi që kishte thirrur në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës se do të japë kontributin maksimal për paqe në rajon.
“Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkaq nga Prishtina nuk presim asgjë”, ka porositur kryeministri serb Vuçiç, i cili kishte pranuar se “situata është e komplekse”.
Ndërkohë, kryeministri Mustafa, ka theksuar në vijim se “serbët e Kosovës janë plotësisht të sigurt dhe se ata i mbrojnë ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe se askush nuk ka asnjë arsye që të shqetësohet në këtë drejtim”.
Ndërkaq, lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel, kryeministri Mustafa nuk ka pranuar të komentojë duke theksuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e ka sqaruar këtë çështje përmes deklaratës për media.
Presidenti Thaçi garanton serbët e Kosovës
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për mediat, ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin për siç është thënë “fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjellë frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës”.
Siç thuhet në komunikatë, propaganda e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit, si dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
Ai e ka ftuar Serbinë, siç ka thënë, që të heqë dorë nga praktikat e tilla “të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Me këtë rast, dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në komunikatën për media të presidentit Thaçi.
Ai gjithashtu është shprehur se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.