17.5 C
Tirana
E shtunë, 24 Maj, 2025

Lojtarët pa kontratë, ja emrat që spikasin

Me mbylljen e merkatos së janarit, shumë skuadra mund të projektojnë goditjet për verën e ardhshme, kjo edhe për faktin se nga tani e tutje mund të firmosin me emra të rëndësishëm që janë në skadencë kontrate dhe mund të afrohen me paremetër zero. Nga Zlatan Ibrahimoviç te Yaya Toure e Fernando Torres, për të vijuar me Daniele De Rossin, Jesus Navas e Santi Cazorlan. Të gjithë këta lojtarë, por edhe shumë të tjerë janë të lirë të zgjedhin se ku do ta vazhdojnë karrierën, sepse u lejohet nga FIFA që në këto 6 muaj të zgjedhin klubet e tyre të ardhshme. Emri me më shumë peshë në këtë listë është ai i Zlatan Ibrahimoviç, por vështirë se sulmuesi suedez do të largohet nga Manchester United, pasi Ibra po bisedon me drejtuesit e Djajëve të Kuq dhe është shumë pranë rinovimit edhe për dy vite të tjera me klubin nga “Old Trafford”. Yaya Toure është një tjetër superlojtar që është në skadencë kontrate dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vijojë karrierën shtatlarti nga Bregu i Fildishtë.
Aktualisht është 35 vjeç, por Xabi Alonso, mbetet gjithmonë një emër sugjestionues dhe gjasat janë që ai të mos rinovojë më me Bayern-in kështu që është një opsion i mirë në merkato për çdo skuadër, ashtu si edhe Fernando Torres, i cili në qershor do t’i japë lamtumirën Atleticos së Madridit për ta vazhduar karrierën diku gjetkë. Daniele De Rossi, mesfushori i kombëtares italiane me shumë gjasa do të largohet nga Roma, pasi klubi verdhekuq nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës dhe që nga ky moment klubet e Major League Soccer mund të lëvizin për të. Jesus Navas është një tjetër lojtar që mund tu hyjë në punë shumë klubeve, ashtu si dy lojtarë të tjerë të Manchester City-it, si Pablo Zabaleta dhe Gael Clichy, që gjithashtu janë në skadencë kontrate. Afellay, Cerci dhe dyshja e Schalke 04, Choupo Moting dhe Huntelaar, bëjnë gjithashtu pjesë në këtë listë dhe duke qenë se mund të afrohen me kosto zero, shumë klube kanë nisur të shfaqin interes për ta.
Marko Reus nuk do të largohet nga Borussia Dortmund. Ai që e konfirmon lajmin është Drejtori Sportiv i klubit gjerman, Michael Zorc, duke shuar zërat që e shihnin futbollistin në Premier League angleze tek skuadra e Arsenalit. Sipas medias gjermane, “topçinjtë” e Londrës e kishin vënë në shënjestër Reus me të cilin synonin të zëvendësonin Alexis Sanchez, duke parë ngurrimin e kilianit për të rinovuar dhe për këtë arsye ishin gati të shpenzonin 60 milionë euro për të. Por Zorc e bëri të qartë se asgjë nga sa është publikuar së fundmi në lidhje me të ardhmen e Reus nuk është e vërtetë. “Nuk do të humbas kohë me përgënjeshtrimin e lajmeve të pabaza”, tha Zorc për të përditshmen “Bild”. “Nuk di asgjë në lidhje me një largim të mundshëm të Reus”.
Marko Reus u bë pjesë e Borussia Dortmund në verën e vitit 2012, kur u transferua nga Monchengladbach. Që nga ai moment, ai ka qenë një futbollist i rëndësishëm për verdhezinjtë dhe një idhull për tifozët në “Signal Iduna Park”. Kontrata aktuale e Reus me Borussia Dortmund skadon në verën e vitit 2019.

Rekord transferimesh

Pas rekordeve të fitimeve në vitin e 12 radhazi mbi sponsorizimet dhe të drejtat televizive, Bundesliga arrin një tjetër finish të pashënuar më parë. Ekipet gjermane të futbollit tejkaluan rekordin e shpenzimeve në merkaton dimërore, duke shkuar mbi 100 milionë euro blerje, një pjesë të mirë të të cilëve ishin për baste ende të pafituar si të rinjtë, Leon Bailey dhe Alexander Isak.
Asnjëherë në Bundesligë nuk janë shpenzuar kaq shumë gjatë një merkato dimërore, duke vendosur një rekord të ri në fund të periudhës së transfertave deri më 31 janar. Rekordi i mëparshëm i transfertave dimërore në kampionatin e Gjermanisë ishte mbi 65 milionë euro, vendosur në sezonin 2014-2015 nga 18 klube të elitës. Këtë të martë, disa orë pas mbylljes së merkatos, u konfirmua shifra e 100 milionë eurove, sipas agjencisë sportive SID.
Disa nga transfertat kryesore janë: xhamajkani Leon Bailey 12 milionë, nga Genk te Leverkusen, suedezi Alexander Isak 10 milionë nga AIK te Dortmund dhe francezi Upamecano 10 milionë nga Salzbourg në Lajpcig. Volfsburg është skuadra që ka shpenzuar më shumë me 33 milionë euro për të shpëtuar sezonin katastrofik. Si për ironi, Bajerni kampion në fuqi nuk ka bërë asnjë përforcim këtë muaj.
Klubet e futbollit zakonisht ndërhyjnë në merkaton e janarit për të plotësuar më mirë skuadrën dhe jo për të bërë blerje me një kosto të lartë. Por në Francë duket se ka ndodhur e kundërta, me Paris Saint Germain, Marseille e Lion që u shfaqën shumë aktive. Në total skuadrat e Ligue 1 shpenzuan në merkaton e janarit 164.5 milionë euro, shifër që nuk është parë ndonjëherë në vendin transalpin në këtë periudhë.
Padyshim, skuadra kampione në këtë pikë është Paris Saint Germain. Skuadra pariziene gjatë këtyre ditëve u përforcua me Julian Draxler, duke paguar për të 40 milionë euro dhe me portugezin Guedes për të cilin e pagoi Benfica-s plot 30 milionë euro.
Olimpique i Marseille nuk qëndroi aspak duarkryq nën drejtimin e pronarit të ri, amerikanit Mccourt skuadra e Rudy Garcias i shtoi radhët e saj me Patrice Evra, i marrë me parametra zero nga Juventus, Dimitry Payet për të cilin u shpenzuan 30 mln euro dhe Sanson për të cilin derdhi në arkat e Monpellier 9 milionë euro. Lioni, që kaloi 20% të kapitalit të tij te biznesmenët kinezë u kundërpërgjigjën me Memphis Depay, pasi i pagoi Manchester United 18 milionë euro.

Rene bllokon Lenjanin vetëm për 700 mijë euro

Një sezon i zhvilluar te rivalët historikë i ka kushtuar shumë Ermir Lenjanit. Mesfushori i Kombëtares mbeti “peng” i politikave të Renesë. “Panorama Sport”, nga burime të besueshme, ka mësuar se çmimi për kartonin e Lenjanit nga drejtuesit e Renesë ka qenë jo më pak se 700 mijë euro, duke i përjashtuar disa pista gjatë merkatos. Rene duket se ka rënë pre e presionit të tifozëve për të bllokuar shqiptarin.
Nga ajo që ka mësuar “Panorama Sport”, çmimi që Rene ka vendosur për kartonin e tij është gati sa gjysma e shumës prej 1.5 milionë eurosh që ky klub i ka pagur St. Gallenit në janarin e vitit 2015. Ermir Lenjani ka kontratë me Renenë deri në fund të këtij sezoni dhe me këtë logjikë vlera e kartonit të tij është thuajse pranë zeros. Jo për nga vlera e futbollistit, por për vetë mbarimin e kontratës.
Ish-klubi i tij para se të transferohej në Francë, zviceranët e St. Gallenit, ka bërë përpjekje të mëdha deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për të kthyer mbrojtësin shqiptar në ekip, por oferta e tyre është refuzuar nga Rene. Mesa duket, St. Gallen nuk ka pranuar të paguajë një shifër të ekzagjëruar për një futbollist që ndodhet në fundin e kontratës.

“Sadiku është shumë i fortë, po ndjen nevojën që ta ledhatojnë”

Transferimi i Armando Sadikut te Lugano ka hequr thuajse çdo lloj dyshimi te rivalët e kësaj skuadre për mbijetesën e saj në elitën e futbollit zviceran. Sipas Xhiorxhio Kontinit, trajnerit të rivalëve kryesorë, Vaduzit, me sulmuesin shqiptar në përbërje, plotësohet një grup i fortë, i cili nuk do të ketë probleme të mbijetojë në Superligën zvicerane.
Kontini e ka drejtuar Sadikun një vit më parë pikërisht te Vaduzi dhe ai pa nga afër se si sulmuesi shqiptar arriti të linte gjurmë në mbijetesën e kësaj skuadre te vogël. Tashmë, ai është i Luganos dhe për trajnerin, nuk ka dyshime që do të përsëritë të njëjtën formë edhe atje.
“Një vit më parë erdhi Sadiku që na dha një ndihmë të madhe. U rritëm me kalimin e javëve dhe fituam të drejtën për të qëndruar këtu. Tani, për Luganon, ai është një goditje e madhe, me të mund të bësh hapin cilësor. A bën diferencën? Ai duhet ta ndjejë veten i ledhatuar dhe i rëndësishëm. Dhe jam i sigurt se mister Tramexani, që e njeh, do ta vendosë në kushtet e duhura për t’u shprehur në maksimum”, tha Kontini për mediat zvicerane.

Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë

Mërgim Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë në Bundesligën gjermane. Ky sezon ka qenë me të vërtetë fantastik për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili pasi shkëlqeu me fanellën e Kolnit në 16 ndeshjet e para të kampionatit, në muajin janar bëri një hap të madh përpara në karrierë, duke u transferuar te Hamburgu, klubi i vetëm që nuk është rrëzuar asnjëherë nga kategoria në të gjithë historinë e futbollit gjerman. Tashmë, Mavraj është përfshirë në 11-shen më të mirë të fazës së parë nga sajti zyrtar i Bundesligës, duke u rreshtuar në prapavijë përkrah emrave të tillë si David Alaba, Sokratis Papasthopulos dhe Philip Lahm. 30-vjeçari shqiptar fitoi konkurencën për një vend në qendër të mbrojtjes me emra shumë të rëndësishëm si dyshja e Bayern-it dhe kombëtares gjermane, Mats Hummels dhe Jerome Boateng, lojtarin e Leipzigut, Willi Orban si dhe talentin e Realit të Madridit, Jesus Vallejo që luan si huazuar te Eintracht-i i Frankfurtit.
Përsa i përket qëndërmbrojtësave që kanë bërë më mirë në pjesën e parë të kampionatit gjerman, Mavraj ishte lojtari i dytë më i preferuar nga tifozët duke grumbulluar 26% të votave, vetëm 1% më pak se greku i Dortmundit, Sokratis që ishte më i votuari. Me 30 mijë e 452 vota në total, ish-lojtari i Kolnit la pas me rreth 500 vota, Mats Hummels-in. Në 11-shen më të mirë të fazës së parë në Bundesligë, në portë është vendosur Manuel Neuer, në mbrojtje Alaba, Sokratis, Mavraj dhe Lahm. Mesfusha përbëhet nga dy talentet e Borussias së Dortmundit, Pulisic dhe Dembele si dhe Thiago Alcantara i Bayernit, ndërsa në sulm Aubameyang-Lewandowski dhe Modeste e kanë merituar plotësisht falë golave që kanë realizuar të jenë pjesë e kësaj 11-sheje.

Hysaj në listën e merkatos tek Barça

E përditshmja spanjolle, “Mundo Deportivo”, përfshin emrin e Elseid Hysajt mes lojtarëve që po monitorohen nga drejtuesit e Barcelonës për të ardhmen e kësaj skuadre. Gazeta, e cila ka lidhje të ngushta me klubin katalanas, ka përpiluar listën e të gjithë alternativave të mundshme që po shqyrton Barcelona, e cila mendon të përforcojë krahun e djathtë të prapavijës, i cilësuar si pika më e dobët në edicionin e fundit, që pas largimit të Dani Alvesh.
“Barça nis operacionin ‘anësor’” titullohet artikulli i cili rendit të gjitha alternativat që po shqyrtojnë katalanasit, duke filluar nga emra si Kimish e Belerin, për të vazhduar me alternativa më pak të njohura për publikun spanjoll, por që me siguri mund t’i bëjnë punë kësaj skuadre. Duke u ndalur në kampionate të ndryshme, tek ai italian, “Mundo Deportivo” identifikon vetëm dy futbollistë, të cilët shfaqin interes për Luis Enriken.
I pari, është 19-vjeçari Pol Lirola, i kaluar nga Juventusi te Sasuolo, por i prenotuar nga bardhezinjtë për të ardhmen. Ndërsa i dyti, është pikërisht Hysaj. “Ai është shumë i mirë në mbrojtje dhe në sulm, por me pak aftësi teknike për Barcelonën”, shkruan e përditshmja spanjolle. Pas interesimit gjithnjë e në rritje të skuadrave angleze, monitorimi nga Barcelona do të rritë edhe më shumë vlerësimin për Hysajn, i cili që tani shihet si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në qarkullim në Europë.

Dita e fundit e merkatos me surpriza

Ndoshta 31 janari nuk do të kalojë në histori si më e nxehta e merkatos, por në 24 orët e fundit të sesionit dimëror në kategorinë Superiore nuk kanë munguar goditjet e madje edhe surprizat. Duke nisur që nga Skënderbeu. Kampionët i vënë kapak një merkatoje të rëndësishme në objektivin për të rikuperuar terren për titullin, duke siguruar një sulmues që të paktën për nga CV premton shumë. Bëhet fjalë për Marvin Ogunjimi, nigerian me pasaportë belge që ka regjistruar edhe 7 prezenca me kombëtaren e Belgjikës, ndërsa në nivel klubesh ka luajtur në këtë vend me skuadra si Genk, Sandart Liege, e madje dhe me Majorkën në Spanjë. Eksperienca e tij e fundit ka qenë me koranojugorët e Suwon Fc me një shtatlartësi prej 186 cm 29-vjeçari Ogunjimi përshkruhet si një qendërsulmues i aftë, por që mund të luajë edhe në krah, çka mundëson që të luajë njëkohësisht me bomberin Hamdi Salihi. Mbetet te Skënderbeu ndërkohë edhe afrimi tjetër i merkatos nigeriani Carles që ishte me skuadrën në Antalia për të cilin u fol edhe për një huazim të mundshëm te Korabi.
Te kryesuesit e Kukësit, kanë zyrtarizuar një tjetër sulmues nigerian, por të paralajmëruar që më parë me Kufre Ebong që vihet nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka për pjesën e mbetur të sezonit.
Edhe te Partizani dita e fundit ka shërbyer për të zyrtarizuar një futbollist të vënë që prej disa javësh në dispozicion të Starovës, bëhet fjalë për Kristi Markun me mbrojtësin 21-vjeçar që ka firmosur kontratë për pjesën e mbetur të sezonit me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës. Një goditje të madhe në orët e fundit të merkatos ka bërë edhe Teuta që ka përfituar në formë huazimi nga Skënderbeu Eko Barine, një tjetër sulmues nigerian 19-vjeçar për të cilin profilizohet një e ardhme e madhe dhe që pritet t’i bëjë shumë punë bregdetarëve në luftën për mbijetesë.
Nuk kanë munguar goditja e orës së fundit edhe te Luftëtari, skuadër që edhe pse ruan profil të ulët para mediave në fushë po shfaq potencial për të bërë ndoshta diçka më shumë se mbijetesa. Gjirokastritët kanë siguruar mbrojtësin e djathtë Marios Topi, 21-vjeçar që vjen nga radhët e Levadiakos në Greqi dhe që vetëm pak ditë më parë ka luajtur kundër Panathinaikos. Flamurtari ndërkohë sipas informacionit të përcjellë nga Federata shqiptare e Futbollit pret të federojë dy futbollistë që nuk janë përmendur më parë, Lynekker Nakamuta dhe qendërmbrojtësin 29-vjecar brazilian Mauricio Aparecido Maciel Leal.
Mungojnë risitë e ditës së fundit nga Tirana me merkaton e bllokuar, Vllaznia e Korabi, ndërkohë që për sa i përket merkatos në dalje, biznesi i vërtetë ka qenë ai i Skënderbeut që dërgoi Agim Zekën te Lille për 300 mijë euro plus 20 për qind të të drejtës së rishitjes së futbollistit.

Pioli: Do ringrihemi

9 fitore radhazi, kaq zgjati ecuria pozitive e Interit, që të martën në mbrëmje pësoi një humbje deri diku shokuese nga Lazio në “San Siro” me shifrat 2-1. Zikaltërit e Stefano Piolit i dhanë lamtumirën Kupës së Italisë në fazën çerekfinale, duke mbyllur një tjetër sezon pa trofe sepse të mendosh se ky Interi mund të luftojë për titullin kampion për momentin ngjason me diçka absurde edhe pse shumë gjëra mund të varen nga dueli i të dielës ndaj Juventusit në Torino. Pas eliminimit në Europa League, Interi doli jashtë nga një tjetër kompeticion, por pavarësisht gjithçkaje Stefano Pioli është i bindur se skuadra e tij do të reagojë duke filluar që nga dueli ndaj bardhezinjve.
“Një ndeshje mund të humbet, ka nga ato sfida ku mund të bësh edhe disa gabime më shumë se normalisht, por skuadrat e mëdha dinë të ringrihen dhe ajo që duhet të bëjmë tani është të minimizojmë gabimet. Do të provojmë ta bëjmë sepse unë jam i bindur se drejtoj një skuadër të madhe. Tashmë do të punojmë më fort sepse e njohim forcën e kundërshtarit që do të kemi përballë në ndeshjen e radhës”, deklaroi Stefano Pioli. Në sfidën ndaj Lazios trajneri 51-vjeçar i zikaltërve mbeti më shumë i zhgënjyer për mënyrën sesi skuadra e tij i pësoi golat. “E nisëm ndeshjen mirë, madje shumë më mirë se ndaj Lazios në kampionat, pastaj bëmë një gabim të cilin e paguam shtrenjtë. Nëse do të ishim 11 me 11 gjatë gjithë ndeshjes besoj se do të kishim mundësi për të rikuperuar”, theksoi në fund Pioli.
Ndalet në 9 ecuria e fitoreve radhazi për Interin në të gjitha kompeticionet. Zikaltërit u eliminuan nga Kupa e Italisë pasi u mposhtën 2-1 nga Lazio në “San Siro” pas një ndeshjeje spektakolare. Shprehja e 10-ta e vërteta ishte zhgënjyese për Interin që edhe pse bëri gjithçka për të përmbysur disavantazhin prej dy golash të skuadrës bardhekaltër nuk ja doli dot, duke u eliminuar nga çerekfinalet e Kupës së Italisë.
Një përballje e fortë u luajt në Kupën e Italisë me Lacion që shkaktoi surprizë në fitoren 1-2 në “San Siro” kundër Interit. Zikaltërit u ndalën në momentin më të bukur sprintin e tyre pozitiv, pasi me këtë disfatë largohen nga turneu duke i dhënë mundësi romanëve të kalojnë në gjysmëfinale. Felipe Anderson në fraksionin e parë i dha avantazhin Lacios, ndërsa në të dytin, Miranda përkeqësoi situatën e vendasve me kartonin e kuq që mori dhe penalltinën e shkaktuar.
Nga pika e bardhë, Lukas Bilja thelloi supremacinë e miqve. U deshën minutat e fundit që Inter të reagonte me Brozoviç, por koha në “San Siro” nuk premtonte asgjë dhe Lacio ruajti me fanatizëm fitoren kualifikuese. Interi e niste me disa ndryshime në formacionin titullar, me trajnerin Stefano Pioli që ulte në stol kapitenin Icardi për t’i bërë vend Palacios, ndërkohë që në fushë ishin që nga minuta e parë edhe Kondogbia e Banega. Në të 16-tën fati nuk ishte me Interin, pasi tentativa e Kondogbias, nga distanca u ndal nga shtylla.

Sokol Cikalleshi: Kisha shumë oferta, por zgjodha Akhisar

Kur të gjithë mendonin se do të qëndronte te Istanbul Basaksehir të paktën deri në përfundim të këtij sezoni, në ditën e fundit të merkatos së dimrit, Sokol Cikalleshi vendosi të ndryshonte skuadër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit turk, por tashmë do të mbajë veshur fanellën e Akhisar Belediye, ekip tek i cili do të luajë për 6 muajt e ardhshëm në formë huazimi nga Istanbul Basaksehir. Në një lidhje telefonike për mediat, 26-vjeçari kavajas shpjegoi se përse zgjodhi të kalonte te Akhisar edhe pse në drejtim të tij kishte shumë oferta, nga kampionate të ndryshme.
Mungesa e hapësirave në muajt e fundit dhe dëshira e madhe për të luajtur, bëri që Cikalleshi të merrte vendimin e papritur për t’u larguar nga Istanbul Basakehir, por edhe pse tashmë do të mbrojë ngjyrat e një tjetër ekipi në kampionatin turk, Cikalleshi vazhdon ta ndiejë veten pjesë e skuadrës nga Stambolli dhe shpreson që Basaksehir të fitojë titullin kampion.
Kombëtarja shqiptare ishte një tjetër faktor shumë i rëndësishëm në zgjedhjen e sulmuesit, sepse Cikalleshi është i bindur se duke luajtur rregullisht te Akhisar, do të ketë më shumë hapësira edhe te përfaqësuesja kuqezi.

Kina dhe Anglia, superfuqi në merkaton e dimrit

Me mbylljen e merkatos dimërore tashmë mund të bëhen edhe llogaritë përfundimtare të shpenzimeve që skuadrat kanë bërë në dritaren e mesit të sezonit ku padyshim surpriza është Kina që ka arritur të parakalojë edhe disa nga tregjet më të rëndësishme europiane, por jo Premier League. Shpenzimet marramendëse nga Lindja e Largët arrijnë kufirin e 219 milionë eurove, ndërsa në Angli vazhdojnë të shpenzojnë shumë të mëdha sepse Premier League rikthehet në krye me plot 232 milionë. Gjithsesi, nëse do të bëhet një krahasim me merkaton dimërore të vitit 2016, kinezët janë treguar disi më dorështrënguar pasi një vit më parë derdhën 345 milionë, duke zbritur në vendin e dytë Anglinë.
Por nëse Kina tashmë është një realitet, surpriza e vërtetë vjen nga Ligue 1 që ka shpërthyer në blerje të shtrenjta me 151 milionë euro të shpenzuara, e ndjekur nga Bundesliga me 99 milionë, ndërsa Serie A mbyll klasifikimin me 96 milionë. Në dhjetëshen e parë të lojtarëve më të shtrenjtë, kryeson Ocsar me 60 milionë, i ndjekur nga Draxler 40 milionë dhe Gabriel Jesus, i cili u zhvendos te Manchester City për 32 milionë euro. Por nëse e ka bërë Kina transferimin më të kripur, është Ligue 1 që kryeson me Paris Saint Germain në klasifikimin e klubeve që kanë shpenzuar më shumë. Parisienët nxorën nga arka e tyre 70 milionë të ndjekur nga Shanghai SIPG me 3 milionë më pak dhe Tianjin Quanjian me 48.5 milionë euro. Ka nga ata që shpenzojnë, por ka edhe nga ata që arkëtojnë. Kështu, Chelsea ka përfituar nga merkatoja e dimrit plot 66.9 milionë euro të ardhura, por nuk mbetet pas as Benfica që shitjet e shtrenjta i ka kthyer në një traditë dhe Wolfsburgu që arkëtoi jo pak nga largimi i Draxler.