19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Rikthehet Morati!

Zërat për rikthimin e Masimo Moratit në krye të Interit po bëhen gjithnjë më të besueshëm. Pavarësisht faktit se ish-presidenti zikaltër ka thënë se nuk i intereson të marrë drejtimin e skuadrës, “Il Giornale” shkruan se Morati është duke kërkuar ortakë për të blerë afro 30% të aksioneve nga Erik Tohir.
Aktualisht, Morati zotëron 25% të aksioneve dhe në rast se do të ndihmohet nga miqtë e tij në Kuvajt, mund t’i çojë në 55% aksionet e tij në shoqërinë zikaltër. Kjo do të thotë se, Morati mund të marrë shumicën e aksioneve dhe atëherë do të ishte sërish president i skuadrës zikaltër.
Këto ndryshime do të bëheshin në kupolën drejtuese, por sigurisht që do të ndiheshin edhe në ekip. Roberto Mançini vazhdon të jetë alternativa e parë edhe për Moratin, por, në rast se trajneri vendos të largohet atëherë Masimo ka ndërmend t’ia besojë skuadrën e tij Simeones. Vetë argjentinasi e tha disa ditë më parë se, një ditë e sheh veten si trajner të zikaltërve.
Ndryshime do të kishte edhe në sulm, ku Mauro Ikardi duket se do të largohet dhe vendin e tij mund ta zërë suedezi Ibrahimoviç. Ai ka kaluar vite të arta me fanellën e Interit dhe sigurisht që mund të pranonte të jetonte edhe për disa vite të tjera në Milano.
Në mesfushë, Masimo Morati pëlqen Banegën dhe gjatë gjithë kësaj kohe e ka sponsorizuar transferimin e argjentinasit në Milano. Në rast të një largimi të mundshëm të portierit Samir Handanoviç, Morati dhe drejtuesit zikaltër janë duke mbajtur nën vëzhgim situatën për Matia Perin, po dëmtimi i tij duket se i ka trembur interistët.
Ndërkohë, Interi nuk do ta shesë Rey Manajn. Goli i mrekullueshëm i realizuar ndaj skuadrës së Juventusit në finalen e kthimit të Kupës së Italisë për të rinjtë, tregoi edhe një herë potencialin që ka djaloshi shqiptar për t’u bërë protagonist edhe në skuadrën e parë. 19-vjeçari i ka bindur të gjithë tek Interi, pasi po zhvillon një sezon në ngjitje edhe pse hapësirat në skuadrën e parë kanë qenë të pakta. Roberto Mançini e vlerëson shumë ndaj dhe vendosi menjëherë ta stërviste përkrah emrave të mëdhenj zikaltër që të fitonte sa më shumë eksperiencë. Rritja e tij progresive dhe goli i fundit i shënuar ndaj bashkëmoshatarëve të tij juventinë bëjnë që e ardhmja e tij të jetë në Milano, pasi konsiderohet pasardhësi i Mauro Icardit.
Askush nuk guxon ta përmendë si opsion shitjen e tij, por nuk përjashtohet mundësia që të jepet në formë huazimi ndoshta jashtë Italisë që të ketë më shumë minuta në këmbë. Këtë e kanë kuptuar edhe përfaqësuesit e Manchester City-t, që kanë dërguar një scout për ta vëzhguar nga afër lojtarin. Duke parë vendosmërinë e Interit për të mos e lëshuar talentin shqiptar, Citizens nuk harxhuan kohë për të formuluar një ofertë konkrete. Për Manajn janë interesuar klube të tjera të mëdha të Europës, por djaloshi kuqezi ka ende shumë rrugë për të bërë dhe Interi nuk dëshiron të nxitohet me një talent që të ardhmen e ka të sigurtë në “Apiano Gentile”.

Forma fizike ndikoi në rendimentin e ulët të Mesit

Një nga arsyet kryesore të rendimentit blutë e Lionel Mesit në dy ndeshjet e fundit, lidhet me një problem muskular, të cilin po e vuan prej një muaji. Klubi “blaugrana” kurrë nuk doli me një njoftim zyrtar për gjendjen fizike të Mesit, por është fakt që sulmuesi kanë ndier shqetësime që para grumbullimit të tij me Argjentinën për elimintoret e Kupës së Botës.
Mesi i ka besuar mjekut të tij në Itali, i cili ka rekomanduar një dietë të veçantë për të humbur peshë dhe fituar forcë. Ditët e fundit dhimbjet iu larguan, por problemet vazhdojnë ta shqetësojnë argjentinasin.
Sipas raportimeve të fundit të mediave spanjolle, kjo është arsyeja që në ndeshjet e fundit 5 herë fituesi i Topit të Artë nuk u shfaq i zakonshmi, por me rendiment shumë më të ulët. Në 5 takimet e fundit, Mesi nuk ka mundur ta gjejë rrugën e rrjetës, një ecuri kjo që nuk i ndodhte që nga viti 2010.
Pavarësisht këtyre probleme, Mesi nuk ka dashur të humbasë asnjë takim dhe as Enrique nuk i ka kërkuar që të bëjë pushim. Kalendari ishte shumë i vështirë si në kampionat ashtu edhe në Champions, por Leo këmbënguli që të luante edhe pse nuk ndihej mirë fizikisht.

“Benzema prishte harmoninë e Francës”

Harmonia në përfaqësuesen e Francës, e dalluar qartë në ndeshjet e fundit miqësore, e kanë bindur presidentit e federatës franceze të futbollit Noel Le Graet, për të mos e grumbulluar sulmuesin e Realit të Madridit, Karim Benzema në finalet e Europianit. Pak a shumë ky ishte shpjegimi i dhënë nga kreu u qeverisë së futbollit francez për të përditshmen sportive “L’Equipe”.
“Ajo që ishte vendimtare në marrjen e këtij vendimi, ka të bëjë me sjelljen e skuadrës gjatë grumbullimeve. E ndjejmë që ka harmoni në grup, ndërsa në fushë lojtarët janë paraqitur shumë mirë. Vlerësuam që me rikthimin e Benzemasa rrezikonim pikërisht këtë që kishim ndërtuar”.
Edhe pse vendimi ishte marrë disa ditë më parë, Le Graet shpjegoi se, zyrtarizimi erdhi pasi Dechamp foli me vetë futbollistin, ndërsa ai veta ia kishte shpjeguar situatën presidentit të Francës, Francois Hollande. Ai shtoi më tej se, në këtë vendim nuk kanë ndikuar ndërhyrjet e politikanëve për rastin në fjalë dhe as mendimi i shumicës së francezëve që nuk e aprovonin grumbullimin e Benzemasë.

Sipas “Le Garet” përfaqësuesja e Francës ka shumë të rinj të talentuar, sidomos në fazën sulmuese, duke marrë si shembull Antoine Griezman të Atletikos së Madridit, që me dygolëshin e tij ndaj Barcelonës u dha kuakifikimin Los Colchoneros në gjysmëfinale të Championsit.

Frozinone, dëmtohet Ajeti

Mbrojtësi kuqezi Arlind Ajeti do të mungojë në sfidën e së dielës me skuadrën e tij të Frozinones. Mediat italiane shkruajnë se, Ajeti është dëmtuar në kofshë dhe nuk do të jetë i gatshëm me ekipin. Sipas portalit të njohur italian “Il Tempo”, mbrojtësi nuk mund të luajë të dielën ndaj Veronës edhe për shkak të pezullimit që ka me një ndeshje. Ai u penalizua në takimin e fundit ndaj Interit (0-1). Në këtë takim, Ajeti u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 50′ të pjesës së dytë.
Ndërkaq, në ndeshjen e ardhshme, Frozinone do të luajë në transfertë më Veronen, ekip i cili ndodhet në vendin e fundit me 22 pikë. Ndërsa skuadra e Ajetit ndodhet në vendin e parafundit me 27 pikë dhe pretendon daljen nga zona e rrezikut. Emrat e tjerë që do t’i mungojnë Frozinones të dielën janë: Dionisi, Pavloviç, Bardi dhe Paganini.

Raporti i DASH: Policia ka rikthyer torturat

Në Shqipëri është janë rikthyer torturat dhe dhuna nga policia. Departamenti amerikan i Shtetit shpreh shqetësimin serioz mbi keqtrajtimet masive të policisë ndaj qytetarëve që mbahen në qelitë e paraburgimit, të cilët në shumë raste arrestohen edhe gabimisht. Problemet më të mëdha në Shqipëri janë korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, por veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe të shërbimit shëndetësor, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave.
Ky është vlerësimi që jep raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut, i bërë publik të mërkurën.
Pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria, sipas raportit. “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale”, nënvizon raporti. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por Prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.
Si probleme të tjera shqetësuese për Shqipërinë përmenden dhuna e ushtruar nga policia dhe keqtrajtimi i të dyshuarve gjatë periudhës kur ata mbahen të ndaluar dhe merren në pyetje; po ashtu evidentohen rastet e mbajtjes për një kohë të gjatë të të pandehurve në qendrat e ndalimit, pa u ngritur akuzat, si dhe kushtet jo normale nëpër burgje.
Një tjetër problem i Shqipërisë përsa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, përmendet përparimi i vogël që është bërë për kthimin e pronës së shtetëzuar gjatë periudhës komuniste.
Në raport po ashtu përmendet keqtrajtimi i fëmijëve, martesat në moshë jo madhore, fëmijët që jetojnë nëpër rrugë, në veçanti ata të komunitetit rom.
Në raport përmendet fakti që Shqipëria vazhdon të jetë burim dhe destinacion i trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe për punë të detyruar.
Diskriminimi dhe keqtrajtimi i komuniteteve të romëve dhe egjiptianëve të Ballkanit, diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, ishin disa probleme të tjera të evidentuara në kapitullin për Shqipërinë.
Për çështjen e lirisë së shtypit, në raport thuhet se Kushtetuta e vendit siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit dhe se qeveria në përgjithësi i mbështet këto të drejta, por ka patur njoftime se qeveria, qarqet e biznesit dhe grupet kriminale janë përpjekur të ndikojnë tek shtypi në mënyra të papërshtatshme.

Korrupsioni në gjyqësor

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton faktin se korrupsioni është në nivele të larta në sistemin e drejtësisë. Aty përmendet rasti i Gjin Gjonit, për të cilin u pushuan hetimet. Sipas të dhënave, në të shumtën e rasteve gjyqtarët nuk dënojnë njëri-tjetrin për veprat korruptive. “Gjatë vitit, gjykatësit e dy çështjeve refuzuan zgjatjen e kohës së hetimit, mbyllën çështjen e një gjykatësi të Apelit dhe të një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të akuzuar në vitin 2014 për fshehje pasurie, deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe korrupsion. Teksa autoritetet po hetonin akuzat, i akuzuari po hartonte vlerësime performance për dy gjyqtarë të çështjes. Prokuroria kishte kërkuar më shumë kohë për të marrë prova nga vende të huaja”, theksohet më tej.

Korrupsioni në arsim, shëndetësi dhe polici

“Korrupsioni është një problem në polici, në institucione arsimi, përfshi dhe universitetet publike. Përveç gjyqtarëve dhe zyrtarëve publikë shumë studentë janë ankuar se pedagogët u kanë kërkuar para për kalimin e kurseve”, është theksuar në raport. Nga ana tjetër, një theks i veçantë është vënë te korrupsioni në shëndetësi. “Problemi më i rëndësishëm i të drejtave të njeriut është korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë dhe shëndetësisë, si dhe dhuna në familje e diskriminimi i grave”, theksohet ndër të tjera.

Kapja e mediave

Përveç korrupsionit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar si një tjetër problem shqetësues kapjen e mediave nga politika. “Kushtetuta lejon lirinë e fjalës dhe të shtypit, teksa në përgjithësi respektohen këto të drejta. Mirëpo ka pasur raportime se qeveria, bizneset dhe grupe të caktuara kriminale kanë ndikuar mbi median. Në përgjithësi mediat kanë qenë aktive dhe kanë shprehur pikëpamjet e tyre, edhe pse ka pasur përpjekje për të ushtruar presion ekonomik dhe politik, madje duke përdorur grupe kriminale kundër gazetarëve, të cilët tentuan të hetojnë aktivitetet e tyre. Presoni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar median e shkruar në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH. Aty përmenden dhe abuzime të shumta me të drejtat e njeriut, ku një theks i veçantë është vënë te keqtrajtimi i policisë në paraburgime.

Respektimi i lirive civile

Qeveria, bizneset apo bandat kriminale kanë tentuar të ndikojnë mbi media në mënyra të papërshtatshme. Disa media të pavarura kanë qenë aktive dhe kanë përcjellë këndvështrime të ndryshme, edhe pse ka pasur përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi to, përfshirë këtu kërcënime dhe dhunë nga ana e grupeve kriminale. Gjatë vitit janë regjistruar incidente me dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve. Presioni politik ,rreziku i dhunës dhe ngacmimeve, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar median e shkruar të pavarur dhe gazetarët detyrohen të vetë-censurohen. Disa portaleve online kanë dhënë këndvështrime më të pavarura.

Respektimi i integritetit të personit

Mbi sistemin e drejtësisë ushtrohet presion politik. Mos ndëshkueshmëria, korrupsioni dhe moszbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë mbeten probleme mjaft serioze në sistemin e drejtësisë. Qeveria nuk ka marrë parasysh kërkesat e ish të burgosurve politikë për kompensim. Mijëra kërkesa për kthimin apo kompensimin e pronës private të marrë gjatë regjimit komunist nuk janë zgjidhur ende. Qeveria prishi disa shtëpi pa një proces të rregullt ligjor, si pjesë e një fushate për rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, pavarësisht ankesave dhe kërkesave për transparencë të qytetarëve. Deri në shtator, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka regjistruar 50 ankesa të abuzimit policor dhe korrupsionit në institucionet e rendit, ndërsa Avokati i Popullit ka marrë 150 ankesa nga të paraburgosurit për keqtrajtime dhe dhunë fizike. Të burgosurit dhe të arrestuarit janë keqtrajtuar shpesh si nga punonjësit e burgut dhe nga të burgosurit e tjerë. Kushtet në rajonet e policisë dhe në paraburgim janë krejtësisht të papërshtatshme, veçanërisht mungojnë kushtet bazike të higjienës dhe burgjet janë të mbipopulluar.

Diskriminimi, abuzimet shoqërore dhe trafikimi i personave

Policia nuk ka trajnimin apo kapacitetin për t’u marrë në mënyrë efektive me rastet e dhunës në familje. Abuzimi dhe dhuna ndaj fëmijëve dhe grave është e përhapur, edhe pse viktimat rrallë e denoncojnë atë. Ka pasur raste të fëmijëve nën 18 vjeç që janë shfrytëzuar për prostitucion. Fëmijët që lypin në rrugë, kryesisht ato të komunitetit rom, janë më të rrezikuar nga trafikimi. Zyrtarë publikë shpesh kanë bërë deklarata homofobike, pavarësisht mbështetjes formale të qeverisë dhe ligjit për të drejtat e komunitetit LGBT. Gjatë vitit ka pasur vrasje për hakmarrje mes bandave kriminale dhe gjakmarrje.

Duma: Raporti i DASH dëshmoi oligarkinë e korrupsionit në pushtet

Partia Demokratike e cilësoi dje raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si dëshmi e oligarkisë së korrupsionit në pushtet. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma theksoi se korrupsioni është përhapur në çdo degë të qeverisjes.
“Korrupsioni. Korrupsioni i shtrirë kudo, në çdo degë të qeverisjes. Ky është problemi më i madh i Shqipërisë. Ky është konkluzioni i Departamentit Amerikan të Shtetit. Raporti vjetor i DASH e vë korrupsionin në krye të listës. Korrupsioni i 340 milionë eurove të shëndetësisë të ndara nga Edi Rama e Ilir Beqja me miq e klientë, ndërkohë që njerëzit po vdesin spitaleve se nuk kanë para të blejnë ilaçet. Korrupsioni i 400 milionë dollarëve që u vodhën në dogana e tatime në një vit, ndërkohë që bizneset po mbyllen se nuk paguajnë dot taksat e rritura” u shpreh Duma në reagimin e saj.
Ajo theksoi se korrupsioni i 970 milionë eurove dëme të konstatuara nga KLSH përmes tenderave të paligjshëm, me fitues të përcaktuar, ndërkohë që investitorët po ikin, po braktisin vendin. Korrupsioni që ka formën e luksit qeveritar, të vilave e sarajeve, të syzeve 60 mijë euro të Gregut, ndërkohë që 46.2 për qind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5 dollarë në ditë, ndërkohë që 100 mijë shqiptarë kanë ikur të dëshpëruar në eksod masiv. Duma theksoi se korrupsioni i aferës Rama-CEZ, ku iu morën shqiptarëve 500 milionë euro, u ndanë në një pazar të pisët, ndërkohë që shumica e shqiptarëve nuk paguan dot faturën e rritur të dritave.
“Korrupsioni i Koços që ka dorë në çdo tender, në çdo fond, në çdo licencë, në çdo pasuri. Ky pra është korrupsioni që shqiptarët ndeshin çdo ditë në jetën e tyre, që e provojnë çdo ditë në lëkurën e tyre. Tashmë dhe një alarm ndërkombëtar, i vendosur në krye të problemeve të Shqipërisë nga Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kjo është oligarkia e korrupsionit, e paralajmëruar herët edhe nga sekretari Kerri, oligarki që ka zgjedhur të ndjekë luksin, pasurinë, e të varfërojë e shtypë popullin” tha ndër të tjera Duma.

FIAA: Klimë e rënduar ndaj investitorëve të huaj

Nuk kanë të sosur ankesat e shoqatave të investitorëve të huaj për klimën e biznesit në Shqipëri. Pas Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës Gjermane, ka reaguar dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend. FIAA e ka vënë theksin në reformën tek gjyqësori, sipas deklaratës së mëposhtme: “Reforma e shumë kërkuar në gjyqësorin shqiptar dhe realizimi i saj është në vëmendjen më të lartë të Komunitetit të Biznesit të Huaj në Shqipëri. Investitorët ekzistues dhe ata potencialë ndjehen optimistë se të gjithë politikanët shqiptarë e kuptojnë rëndësinë e kësaj reforme. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se, çdo ditë, vonesa e realizimit te reformës i kushton Shqipërisë  investime të reja, vende të reja pune, rritjen e eksporteve si dhe fillimin e negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne duhet të pranojmë se reformat kyçe politike dhe administrative të nevojshme në Shqipëri janë duke përparuar, por ende nuk kanë arritur një fazë në të cilën negociatat e pranimit në BE të mund të fillojnë. Është e qartë nga BE se nëse vendi dëshiron të nisë negociatat për anëtarësimin në BE, së pari duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kryesore prioritare, të tilla si funksionimi i ligjit, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe të drejtat themelore, të cilat janë të gjitha elementë kyç për rritjen e investimeve të huaja në vend. Qëndrueshmëria e Investimeve të Huaja në Shqipëri është komponent kryesor në rritjen ekonomike të suksesshme dhe të qëndrueshme dhe gjithashtu një rrugë drejt përmirësimit social te vendit. Ne besojmë se çdo qytetar i ketij vendi është i vetëdijshëm mbi përfitimet e investimeve të reja në vend, të cilat do të avancojnë në transferimin e teknologjisë, rritjen e punësimit, rritjen e konkurrencës së biznesit dhe të tregtisë ndërkombëtare. Të gjitha këto përfitime do të kontribojnë në rritje më të lartë ekonomike, e cila është instrumenti kryesor për zbutjen e varfërisë në Shqipëri. Si biznese të huaja që operojmë në këtë vend, ne do të vazhdojmë të theksojmë se roli dhe cilësia e institucioneve shqiptare, ka një rëndësi të madhe për mbarëvajtjen e biznesit. Kontrolli i korrupsionit dhe formalizimi i ekonomisë, funksionimi më i mirë i ligjit duke përfshirë respektimin e rregullave të arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe stabiliteti politik, janë treguesit e një qeverisje të mirë dhe cilësie institucionale të këtij vendi. Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqë investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit. Realizimi i reformave në sistemin gjyqësor shqiptar do të ndikojë në masë të madhe kushtet ekonomike në vitet që do të vijnë si dhe do të ndikojë konsiderueshëm në vendimet e sotme për investime”.

Paralajmërimi i investitorëve

Të dielën Monitor paralajmëroi se “Diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar te investimeve, që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, janë duke i orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore”.  Të martën, në një anketim të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) rezultoi se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për të investuar, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe ne vendin e fundit ( 20-tin), ndaj pyetjes “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni?”.

Bankat fshinë 220 milionë USD hua me probleme në 2015-ën

Ulja e kredive të këqija nuk ka ardhur nga përmirësimi i situatës ekonomike dhe aftësisë paguese të bizneseve apo individëve, por është rezultat i fshirjes së tyre nga bilancet e bankave private. Vitin e kaluar bankat shqiptare fshinë rreth 26.6 miliardë lekë ose mbi 220 milionë dollarë kredi me probleme nga bilancet e tyre. Të dhënat zbulohen nga një raport i posaçëm i Bankës Botërore, i cili i referohet shifrave të Bankës së Shqipërisë.
Kreditë e këqija në Shqipëri arritën pikun 1.15 miliardë euro, çka do të thotë se shuma e fshirë vitin e kaluar është sa 20 për qind e totalit të huave me probleme. Vetëm si pasojë e këtij veprimi, shifra kombëtare e kredive të këqija është ulur me 4.6 pikë përqindje. Së bashku me efektin e ristrukturimeve me 35 borxhlinjtë e këqinj më të mëdhenj, që po ndërmjetëson Banka e Shqipërisë, këto janë dy arsyet se pse treguesi i kredive të këqija u ul nga 24 për qind në 18.2 për qind.

Fshirjet

Fshirja nga bilanci nuk do të thotë se këto kredi falen. Përkundrazi, ata që i kanë marrë këto kredi vazhdojnë të kenë detyrimin për ti shlyer, ashtu si më parë. Por, pasi nxirren nga bilancet e bankave, këto kredi nuk raportohen më në shifrën kombëtare të kredive të këqija. Kjo është hera e parë që bankat shqiptare fshijnë kredi të këqija. Më parë, ato e kanë patur të pamundur ta bëjnë këtë për shkak të pengesave ligjore, por edhe konfliktit me tatimet, të cilat huatë me probleme nuk i njihnin si shpenzime të zbritshme për efekt të pagimit të taksave. Nën konsulencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, vitin e kaluar qeveria shqiptare se bashku me Bankën e Shqipërisë ndërmorën një sërë masash ligjore për të incentivuar uljen e kredive të këqija. Por vitin e kaluar, trajtimi fiskal i kredive me probleme u ndryshua dhe paralelisht Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore, e cila i detyron bankat private që të fshijnë nga bilanci çdo kredi të keqe që nuk shlyhet prej më shumë se tre vjetësh. Huatë me probleme arritën kulmin në shtator të vitit 2014 kur cekën nivelin 24.9 për qind. Por vitin e kaluar për shkak të fshirjeve masive dhe ristrukturimeve të disa kredive të mëdha të ndërmjetësuara nga Banka e Shqipërisë treguesi i kredive të këqija zbriti deri në 18.2 për qind. Por në dy muajt e parë të vitit ai u rrit sërish në 18.9 për qind.

Investimet, në 3 muajt e parë u kryen vetëm 12%

Mosrealizimi i investimeve publike gjate viteve te fundit ka dhënë dhe efeket e veta negative në ekonominë e vendit. Kështu mosrealizimi është ndjerë në disa sektorë, ku kanë munguar shumë shërbime për qytetarët. Referuar të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, në tre muajt e parë të vitit ka një realizim të ulët të investimeve publike, nga 8.7 miliardë lekë që ishte planifikimi, janë realizuar 7.1 miliardë lekë, ose 12 % e planit vjetor. Po sipas këtyre statistikave, mosrealizimin me të madh, prej 1 miliardë lekësh e kanë investimet me financim të huaj, ndërsa 500 milionë lekë nga investimet me financim të brëndshëm. Nga specialistë të investimeve ky mosrealizim është argumentuar me faktin se këto investime kanë shumë procedura administrative, të cilat kryhen gjatë periudhës së parë të vitit. Për vitin 2016 investimet publike janë planifikuar në masën 5.0% e PBB ose 75.5 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 10.05 miliardë lekë, si dhe mbështetjen buxhetore për sektorin e energjisë prej 5 miliardë lekë. Qeveria bëri tre here ndryshime në buxhetin e vitit të kaluar, si rezultat i mosrealizimit të të ardhurave, por edhe shpenzimeve në nivelin e duhur. Ajo rialokoi një pjesë të fondeve që kishte programuar për investime publike, për të korrigjuar ecurinë e ngadaltë të tyre. Për këtë arsye po të vëresh disbursimet e thesarit në vitet e fundit, vihet re se janë përdorur fonde garancie për investime të ndryshme ose siç njihen ndryshe letërkreditë. Përdorimi i tyre si shkak i mosrealizimit të investimeve, u kritikua nga opozita duke i quajtur këto instrumenta financiar si realizim fiktiv i investimeve.

Kosovë, rimbursimet me kuponët, qytetarëve u shtohen kostot e shërbimeve

Për të fituar 10 euro rimbursim nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në rastin e dorëzimit të kuponëve fiskalë qytetarët e vendit duhet t’i shpenzojnë 2,5 euro, apo 25 për qind të mjeteve që ata marrin. Qytetarët e vendit po “plaçkiten” edhe në rastin e rimbursimit të kuponëve fiskalë. Ata obligohen që të paguajnë shërbime bankare, si dhe postare në mbledhjen e kuponëve nga të cilët marrin një shumë simbolike. Që me fillimin e rimbursimit të mjeteve nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) qytetarët detyrohen që të paguajnë provizion bankar me një shumë nga 2 euro.
Por, që nga ky muaj qytetarëve iu shtohet edhe një kosto tjetër prej 0,50 euro pasi që tani aplikimi dorëzimi i plikove me kuponë fiskalë do të bëhet online në cilëndo pikë të Postës së Kosovës. Për shumën prej 10 eurosh që e fitojnë nga rimbursimi i kuponëve fiskalë ata obligohen që të paguajnë shërbimet e postës si dhe ato bankare. Por, këto shërbime po shihen si ofendim ndaj qytetarëve nga kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai ka thënë për “Zërin” se këto kushtëzime janë diskriminim, mashtrim dhe ofendim i qytetarëve.
“Është diskriminim, është mashtrim, është keqtrajtim dhe është ofendim i inteligjencës së qytetarit konsumator. Ne si organizatë ‘Konsumatori’ kemi qenë jashtëzakonisht të zellshëm në kërkesat për disa lehtësime fiskale. Kemi hyrë në vitin e pestë që organizata ‘Konsumatori’ i ofrohet Ministrisë dhe institucioneve gjegjëse që në partneritet të trefishojmë buxhetin dhe të mos kemi arnime të tilla të cilat po na kushtojnë kohë dhe shqetësime, nervozë”, ka thënë ai.