21.5 C
Tirana
E diel, 25 Maj, 2025

Papa për çështjen e refugjatëve

Ipeshkvët nga Ballkani konsultohen me Papën në Vatikan për problemin e refugjatëve. Ipeshkvë nga vendet e Ballkanit kanë biseduar në Vatikan  me Papa Françeskun për gjendjen e migrantëve në vendet e tyre. Veçanërisht në Maqedoni dhe në Serbi gjendja është problematike, njoftojnë përfaqësuesit e Konferencës Ndërkombëtare të Ipeshkëve të Kirilit dhe Metodit të shenjtë, njoftoi radio Vatikani.
Kisha vazhdon të jetë e pranishme në ndihmën për refugjatët, tha Ladislav Nemet, peshkopi serb i Zrenjanit. Mbi bazën e marrëveshjes BE-Turqi numri i migrantëve ka rënë. Nga mijëra në ditë që lëviznin më parë, ndërkohë bëhet fjalë për qindra.
Ipeshkvët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia ishin në një të ashtuquajtur Ad-limina-vizitë tek Papa, për t’i raportuar atij lidhur me gjendjen në vendet e tyre. Ata informuan Françeskun edhe për direktivat e miratuara lidhur me qëndrimin ndaj abuzimeve seksuale të përfaqësuesve të kishës.
Tema të tjera ishin marrëdhëniet mes Papatit dhe kishës serbo-ortodokse, si dhe dialogu ndërreligjoz mes katolikëve dhe myslimanëve në Kosovë. Në Mal të Zi dhe në Maqedoni për Kishën Katolike është e vështirë të mbajë marrëdhënie zyrtare me kishën ortodokse, tha ipeshkvi Nemet. “Edhe për arsyen, se atje po krijohen kisha të reja ortodokse me mbështetje të madhe nga shteti”.
Kisha ka shumë punë për të bërë në procesin e pajtimit mes kroatëve dhe serbëve, si dhe mes shqiptarëve dhe serbëve. “Ka shumë probleme dhe ne mund të japim një kontribut pozitiv”, tha Nemet.
Ipeshkvët i propozuan kreut të Kishës Katolike, që ta ndajë konferencën ndërkombëtare ipeshkvnore nga konferencat ipeshkvnore në nivel kombëtar. Sfida më e madhe, sipas ipeshkvit Nemet, është “të ruhet fryma e bashkëpunimit mes katër vendeve”. 90 për qind e katolikëve në konferencën ipeshkvnore të Ballkanit jetojnë në Serbi.

Trump nuk fal, shkarkon Prokuroren e Përgjithshme

WASHINGTON, DC - JUNE 28: Deputy Attorney General Sally Q. Yates speaks during a press conference at the Department of Justice on June 28, 2016 in Washington, DC. Volkswagen has agreed to nearly $15 billion in a settlement over emissions cheating on its diesel vehicles. (Photo by Pete Marovich/Getty Images)

Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme në detyrë Sally Yates, për arsye se refuzoi zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për emigracionin dhe refugjatët.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se zonja Yates “ka refuzuar të zbatojë një urdhër të ligjshëm që synon të mbrojë qytetarët e Shteteve të Bashkuara”.
Të hënën pasdite, zonja Yates u tha juristëve të Departamentit të Drejtësisë të mos nxjerrin argumente ligjore në mbrojtje të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump. Yates “ka tradhtuar Departamentin e Drejtësisë”, tha Shtëpia e Bardhë.
Ajo njoftoi gjithashtu se Dana Boente, prokuror i Distriktit Lindor të Virxhinias është emëruar Prokuror i Përgjithshëm në detyrë.
Zoti Boente e bëri betimin të hënën mbrëma në orën 21:00 sipas orës së Uashingtonit.
Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump çoi në një përplasje mes Shtëpisë së Bardhë dhe zonjës Yates, e cila ishte emëruar nga ish-Presidenti Barack Obama dhe duhet të shërbente si Prokurore e Përgjithshme deri në konfirmimin e zotit Jeff Sessions, i emëruar në këtë post nga zoti Trump.

Trump mbron urdhrin ekzekutiv
Presidenti Donald Trump ka vazhduar t’i dalë në mbrojtje urdhrit ekzekutiv për të ndaluar futjen e refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende kryesisht myslimane, ndërkohë që grupe për të drejtat e njeriut janë betuar të vazhdojnë padi ligjore dhe kur në qytete të ndryshme mijëra vetë po zhvillojnë protesta. Demokratët po përgatiten të propozojnë projektligje për ta bllokuar zbatimin e urdhrit.
Në një seri komentesh në Twitter të hënën, zoti Trump tha se sekretari i Sigurisë Kombëtare, John Kelly i kishte thënë se “çdo gjë po ecën mirë, vetëm me probleme të vogla”.
Pentagoni po harton një listë me emrat e irakianëve, të cilët kanë mbështetur personelin amerikan dhe të koalicionit për t’i përjashtuar ata nga vendimi i Presidentit Trump.
Zyrtarët thanë të hënën se lista do të përfshijë ata që kanë demonstruar ndjeshëm angazhimin e tyre në mbështetje të forcave amerikane. Ajo do të përfshijë kategori të tilla si përkthyesit, shoferët dhe forcat irakiane që mund të jenë duke u stërvitur në SHBA.

Reagon ish-presidenti Obama
Një zëdhënës i ish-presidentit Barack Obama thotë se zoti Obama “në thelb nuk pajtohet” me diskriminimin që vë në shënjestër njerëzit bazuar në fenë e tyre.
Deklarata nuk e përmend në mënyrë konkrete urdhrin e Presidentit Donald Trump, ndonëse aludon për të.
Shtëpia e Bardhë tha se urdhri në fjalë nuk është ndalim për myslimanët, sepse dhjetëra shtete me shumicë myslimane nuk përfshihen në të.
Zëdhënësi i zotit Obama, Kevin Lewis, thotë se Obama është i inkurajuar nga përmasat e angazhimit që po shihen kudo në vend. Ai i referohej protestave kundër urdhrit të zotit Trump mbi emigracionin dhe refugjatët.
Ndërkohë, një numër në rritje ligjvënësish republikanë kanë shprehur shqetësime në lidhje me urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump.
Urdhri, i cili u nënshkrua të premten, përfshin një ndalim 120 ditësh të pranimit të refugjatëve dhe një ndalin 90 ditësh për persona nga Iraku, Irani, Siria, Somalia, Sudani, Libia dhe Jemeni.

Urdhri ekzekutiv dhe aeroportet
Zbatimi i tij është shoqëruar me konfuzion në aeroportet amerikane, ku në disa raste njerëz me statusin e banorët të përhershëm në SHBA janë ndaluar për t’u marrë në pyetje para se t’u lejohej futja në vend.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare nxori të dielën një deklaratë ku përpiqet të sqarojë urdhrin, duke thënë se e konsideron “futjen e personave me statusin e banorit të përhershëm si çështje të sigurisë kombëtare”.
Në një deklaratë të veçantë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se qeveria ruan të drejtën të anulojë viza në raste të caktuara, nëse është e nevojshme, në të mirë të sigurisë kombëtare.
Këto sqarime pasuan një urdhër nga një gjykatë federale në Nju Jork për të pezulluar përkohësisht deportimin e personave që kishin mbërritur në aeroporte amerikane me viza të vlefshme ose të cilëve u ishte miratuar statusi i refugjatit.

BE kërkon bashkëpunim me SHBA-në për reformat në Ukrainë

Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për më shumë bashkëpunim midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, për t’i çuar përpara reformat në Ukrainë.
Sipas një dokumenti që ka parë Radio Evropa e Lirë, “Ukraina ka potencial për t’u bërë rast pozitiv për rajonin”, porse “do të duhet angazhim afatgjatë politik dhe mbështetje ndërkombëtare”.
Plani vjen në kohën e shqetësimeve në rritje në Evropë se administrata e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, do të rrisë bashkëpunimin me Rusinë, duke reduktuar mbështetjen për Ukrainën dhe duke lënë BE-në me më pak ndikim.
Dokumenti, i cili do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së më 6 shkurt, është hartuar nga Britania, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia.
Në dokument thuhet se “BE-ja dhe SHBA-ja kanë interes të përbashkët për mbështetjen e reformave të Ukrainës”.
Qeveritë perëndimore dhe analistët thonë se reformat gjithpërfshirëse në Ukrainë do të zvogëlojnë ndikimin e Rusisë, e cila ka aneksuar Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe mbështet konfliktin separatist në lindje të Ukrainës.

Turqia i kërkon Trumpit rishqyrtimin e urdhrit

Urdhri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ndalimin e hyrjes së refugjatëve në SHBA, është “fyes”, tha zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus.
Është ky reagimi i parë i Ankarasë për urdhrin e diskutueshëm.
Kurtulmus i bëri thirrje Trumpit të rishqyrtojë vendimin, i cili, siç tha, është motivuar nga islamofobia, raporton “AFP”.
“Është e pamundur të pranohet kjo. Politika duhet të rishqyrtohet”, tha Kurtulmus, i cili është edhe zëdhënës kryesor i qeverisë turke.
Të premten, Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që u ndalon hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.
Urdhri, tash për tash, vlen për 90 ditë.
Trump e ka mbrojtur këtë masë, duke thënë se ajo do ta bëjë SHBA-në të sigurt nga “terroristët radikalë islamikë”.
Kurtulmus tha se është “jashtëzakonisht fyese që një vendim i tillë është marrë në një vend si SHBA-ja, që njihet si komb me fe dhe grupe të ndryshme etnike”.
Turqia strehon 2.7 milionë refugjatë sirianë, që kanë ikur nga lufta gati gjashtëvjeçare në vendin e tyre.

Aty ku reflektohet për botën

Bota po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, gjithnjë e më komplekse dhe e komplikuar. Më shumë dije, më shumë fakte duhet të analizohen gjithnjë e më shpejt, duhet të kategorizohen sipas peshës që kanë për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Kjo është hapësira e industrisë së shërbimit intelektual – e njohur edhe si think-tanks. Tregu është i mbushur plot me institute të tilla.
Një renditje e ofruar nga njëri prej universiteteve më të vjetër të SHBA-së, Universiteti i Pensilvanisë ndihmon për të hedhur një vështrim në morinë e këtyre instituteve. Edhe këtë vit universiteti publikoi raportin “Global Go To Think Tank Report” për të cilin kanë punuar rreth 2500 ekspertë. Organizatori, James McGann thotë në parathënien e raportit se institute të tilla të studimeve politike përballen me “sfida ekzistenciale”. Ai kritikon faktin që si në rastin e Brexit, ashtu edhe të zgjedhjes së Donald Trump think-tanks- këto institute kanë dështuar. Sipas tij lëvizjet sociale kanë marrë hov të ri për shkak të teknologjive të reja.

Superfuqia think-tank – SHBA
Me 1835 institute të tilla të analizës politike, SHBA zë vendin e parë në botë për kapitalin intelektual që zotëron, dhe me këtë edhe të ashtuquajturin “Soft power”. Më pas renditet Kina me 325 institute, Gjermania zë vendin e pestë me 195 institute. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore së bashku kanë 385 institute të tilla.
Instituti më i rëndësishëm konsiderohet ai i “Brookings Institution” në SHBA. Në vend të dytë renditet instituti britanik “Chatham Haus”, ndërsa institutet gjermane zënë vendet 16, 17 dhe 18. Në këtë renditje shihen fondacione si Konrad Adenauar, i afërt me CDU, fondacioni Friedrich Ebert, i afërt me SPD dhe Fondacioni për Shkencën dhe Politikën, i cili këshillon edhe qeverinë gjermane për çështjet e politikës së jashtme. Frank Priess nga fondacioni Konrad Adenauer e mirëpret renditjen ndër më të mirët të këtij fondacioni. “Për këtë raport pyeten ekspertët në të gjithë botën, si janë të lidhura institutet me njëri-tjetrin, si punohet së bashku. Kështu për një organizatë që ka aktivitet në të gjithë botën ekziston një mundësi më e madhe që të futet në renditje”, analizon Priess.

Afërsia me proceset politike
Madje lista e institutive më të mira me lidhje me partitë politike udhëhiqet nga fondacionet gjermane. Krahas fondacionit Konrad Adenauer dhe atij Friedrich Ebert, në renditje është futur edhe fondacioni i afërt me liberalët, Friedrich-Naumann. Priess shikon në këtë afërsi me partitë politike edhe një nga anët pozitive të këtyre fondacioneve. “Sepse përmes partive si partnere këto fondacione mund ta japin ekspertizën e tyre drejt e në proceset politike”.
Ndërsa Konferenca e Sigurisë në Mynih zë vendin e parë si “konferenca simbolike e mirë think-tank e ekspertizës politike”. Për shkak të prezantimit dinjitoz në këtë renditje, duket se nuk ka vend për t’u shqetësuar për ekspertizën politike në Gjermani. Por institutet gjermane kanë edhe një pikë të dobët: Në 35 institutet e renditura në kategorinë “Politika Globale e Shëndetësisë” nuk gjen asnjë institut gjerman, po ashtu edhe në renditjen për “Politikën Arsimore”, institutet gjermane mungojnë.

Doja Kavanin dhe Nasrinë tek Interi

Gjatë një ndërhyrjeje që bëri në emisionin francez “Telefoot”, Roberto Mançini dha opinionin e vet mbi një sërë çështjesh delikate. 53-vjeçari tregoi emrat e dy lojtarëve që nuk kishte mundur të afronte tek Interi pas rikthimit në Milano, si dhe u mundua t’u shpjegonte francezëve si mund ta kuptonin më mirë Mario Balotelin. Të gjitha këto me në sfond zërat që gjithmonë e më shumë flasin për një transferim të tij të mundshëm në Paris, ku shumë ekspertë futbolli e shikojnë si pasuesin e Unai Emerisë.
Mançini foli edhe për Balotelin. “E kam ndjekur me kujdes atë çfarë bëri në ndeshjen mes Nisës dhe Bastias. Mendoj se disa futbollistë ndikohen shumë prej tifozëve, të cilët herë-herë edhe i nervozojnë ata. Në këtë pikë, Mario duhet që të bëjë kujdes e mos bjerë pre e provokimeve. Është 25 vjeç dhe ka shumë cilësi. Ai ka luajtur 7 ndeshjet e fundit të sezonit, kur fituam titullin me Interin, edhe pse ishte vetëm 17-vjeçar, prandaj jam shumë i dhënë pas tij”.
“Nëse më pyesni se kush kanë qenë lojtarët më të fortë që kam stërvitur, unë ju përmend emra si Aguero, Jaja Ture dhe sigurisht Ibrahimoviç. Ky i fundit është një lojtar i madh, i cili bën diferencën edhe sot. PSG-ja humbi shumë me largimin e tij. Mendoj se në Paris u mungon shumë një si Ibra, edhe pse kanë një lojtar si Kavani, i cili shënon shumë gola. Kam shumë simpati për uruguaianin dhe desha ta afroja edhe tek Interi, por kushtonte shumë. E njëjta gjë vlen edhe për Nasrinë”.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me drejtuesit e atij klubi, por në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë. Parisi është një qytet i bukur, ndërsa PSG-ja ka një trajner të madh”.
Italiani ka folur edhe për konfliktin me Murinjon. “Nëse Zhoze Murinjo do të më ftonte për darkë, unë do të refuzoja. Nuk kam përse të jem hipokrit e të them të kundërtën”.
Në një intervistë të publikuar dje nga portali serb “Mondo”, Stevan Jovetiç, tregon edhe një herë se ende nuk di arsyen përse Roberto Mançini “e përjashtoi” nga planet e tij. “Tek Interi nisi gjithçka mirë, shënova gola decizivë në fillim të aventurës, por në një moment e pashë veten jashtë planeve të trajnerit. Nuk e di përse Mançini nisi që të më zëvendësonte në çdo ndeshje sapo fillonte pjesa e dytë”, tha Jo-Jo.

Cikalleshi te Akhisar

Ndryshim planesh në ditën e fundit të merkatos për Sokol Cikalleshin. Bomberi i kombëtares, i cili ka vuajtur mungesën e aktivizimit në këto muajt e fundit me Istanbul Basaksehir shkon në huazim për pjesën e mbetur të sezonit te Akhisar Belediye, një lëvizje që është kushtëzuar nga strategjia e klubit nga Stambolli. Istanbul Basaksehir që kërkon këtë sezon titullin kampion zyrtarizoi në ditën e fundit të merkatos afrimin në skuadër të Emmanuel Adabeyor, sulmuesit togolez që ka luajtur më parë me skuadra prestigjioze si Arsenal, Tottenham, Real Madrid e Manchester City. Afrimi i 32-vjeçarit për 18 muajt e ardhshëm te Basaksehir do të reduktonte akoma më tepër shanset e Cikalleshit për t’u aktivizuar ndaj zgjedhja më e mirë për të gjitha palët është konsideruar huazimi i tij te Akhisar Belediye.
Adebajor qëndroi pa skuadër në 6 muajt e fundit pas përfundimit në verë të aventurës me Kristal Palasin. Ai mori pjesë në Kupën e Afrikës me përfaqësuesen e Togos, por kjo aventurë u mbyll që në fazën e grupeve, pasi Togo u rendit i fundit në Grupin C.
Gjatë pjesës së parë të sezonit, Çikalleshi kishte patur shumë pak hapësirë aktivizimi te Bashakshehiri, teksa përveç disa ndeshjeve në Kupën e Turqisë, shumicën e atyre të kampionatit i kishte ndjekur nga tribuna për shkak të rivalitetit të madh në sulm. Gjithsesi, ai ishte shprehur se ishte duke pritur shansin e tij për të treguar vlerat, por afrimi i Adebajorit i konfirmoi Çikalleshit që shansi për të nuk kishte për të ardhur kurrë.
Këtë sezon sulmuesi i Kombëtares ka luajtur vetëm në 11 ndeshje me Istanbuk Basaksehir, gjatë të cilave ka shënuar edhe 3 gola dhe tani shpreson të gjejë një vend fiks te Akhisar, skuadër e cila ndodhet në vendin e 12 të klasifikimit në Superligën turke, 4 pikë sipër zonës së rënies nga Kategoria dhe që ka vuajtur në fazën e parë në aspektin sulmues, duke patur rendimentin më të dobët në kampionat me vetëm 11 gola të shënuar. Aspekt për të cilin thirret në mision pikërisht Cikalleshi, i cili nga ana e tij do të gjejë shanset e aktivizimit dhe mundësinë për të konfirmuar aftësitë si një bomber klasi.
Me lëvizjen e re, Cikalleshi shpreson të gjejë formën e duhur dhe të rikthehet tek Bashakshehir i gatshëm për të luftuar për një vend në formacion. Gjithashtu kjo shihet si një dritare edhe për t’u rikthyer në kombëtare, pasi në grumbullimin e fundit sulmuesi nuk ka qenë pjesë e kuqezinjvë.
Ndërkohë, sulmuesin e talentuar kosovar Enis Bunjaki është huazuar për 6 muaj tek skuadra holandeze Tvente. Futbollisti 19-vjeçar, i cili ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Gjermanisë, është rritur në akademinë e Eintraht Frankfurtit, por e kishte të vështirë të gjente hapësira në skuadrën e parë.

Bauza: Icardi, i vëzhguari special

Trajneri i Kombëtares Argjentinase, Edgardo Bauza është duke përgatitur një udhëtim nëpër Europë, me qëllim për të vëzhguar nga afër disa nga futbollistët që ai do të grumbullojë për albicelstet. Mes një numri të madh lojtarësh, më speciali që do të ketë dhe vëmendjen më të madhe do të jetë sulmuesi i Interit, Mauro Icardi. 23-vjeçari në vitet e fundit, ka bërë disa paraqitje pozitive, të shoqëruara edhe me një numër të konsiderueshëm golash por, duket se për dikë në radhët e kombëtares këto fakte nuk vlejnë. Në fakt për mungesën e grumbullimit të tij te Argjentina thuhej se ka ndikuar edhe Lionel Mesi, i cili është edhe kapiteni i skuadrës por, kjo gjë hidhet poshtë nga tekniku Bauza.
“Ka shumë njerëz të cilët flasin pa ditur asgjë. I kam pyetur të gjithë futbollistët e kombëtares, nëse kanë ndonjë problem me Icardin dhe të gjithë më janë përgjigjur, që nuk kanë. Madje, edhe nëse ka pasur mosmarrëveshje i kanë zgjidhur me njëri-tjetrin në qetësi. I kam thënë edhe Javier Zanettit, që Icardin e kam në vëzhgim. Gjithashtu dua të shtoj, Mesi nuk ka ndikuar aspak në  mosgrumbullimin e sulmuesit”, u shpreh Bauza.
Sulmuesi i zikaltërve përballet me një mision të vështirë, për të siguruar një vend te Argjentina, ku reparti i avancuar ka rivalitet të madh, mjafton të përmenden emrat e Gonzalo Higuain, Sergio Aguero dhe Paolo Dybala.

Legjenda e Lacios: E ardhmja e klubit është Strakosha

Marko Balota është një nga emrat legjendarë të klubit të Lacios dhe futbollit italian. Ish-portieri i cili mban rekordin si futbollisti më i vjetër që ka luajtur si në Serinë A, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve, ku ka zbritur në fushë në moshën 43 vjeç e 168 ditë, pikërisht me fanellën e Lacios, sheh se tashmë porta e këtij klubi ka të ardhmen e siguruar.
“Kur unë isha ende pjesë e Lacios, klubi mund të blinte Handanoviç, por pastaj marrëveshja nuk u realizua. Marketi më duket se u kthye në nivelet më të mira pas shumë problemeve fizike. Strakosha është i ri, por po tregon se është në lartësinë e duhur, ndaj e ardhmja e Lacios në këtë aspekt më duket në duar të sigurta”, tha Balota, i cili ishte protagonist në vitin 2000, kur Lacio fitoi për herë të fundit titullin kampion.
Gjatë karrierës së tij si portier, Balota ka veshur edhe fanellën e Modenës, pikërisht kur ajo drejtohej nga Xhani De Biazi, duke ndihmuar këtë skuadër të ngjitej në Serinë A dhe në sezonin historik 2002-2003 të mbijetesës në elitën e futbollit italian.

Agim Zeka zyrtarisht te Lille

Mbyllet me sukses goditja e madhe e merkatos së Skënderbeut, këtë herë në dalje. Agim Zeka është një futbollist i Lillë, transferim nga i cili kampionët e Shqipërisë arkëtojnë 300 mijë euro, ndërkohë që Skënderbeu ka edhe 20% të të drejtave të rishitjes së Zekës në rast se 18-vjeçari transferohet nga francezët në një skuadër tjetër. Vetë futbollisti ka nënshkruar një kontratë afatgjatë prej 4 vitesh e gjysmë, deri në verën e 2021 me klubin francez siç shihet edhe në foton ku ndodhet bashkë me shefin ekzekutiv të Lille, Mark Inglo dhe menaxherin Shkumbin Qormemeti.
Një biznes fantastik ky për Skënderbeun që vijon në rrugën e transferimeve bombastike si ajo e Olyainkës apo Bernard Berishës, që në fakt kanë të njëjtin autor, menaxherin Shkumbin Qormemeti në bashkëpunim me drejtorin sportiv të klubit korçar Haris Fakic. Ishte në fakt boshnjaku, ai që bëri skautin për Agim Zekën duke e marrë nga Kategoria e Dytë e futbollit Kosovar, para një viti dhe brenda 12 muajsh është arritur që prishtinaliu, i konfirmuar si një talent në radhët e Skënderbeut, të shitet për një shumë të konsiderueshme prej 300 mijë eurosh.
Agim Zeka është vëzhguar në Francë nga ish-drejtori sportiv i Monaco, Luis Campos, i cili aktualisht mban këtë post te Lille, dhe pasi evidentoi vlerat e mesfushorit vendosi se 18-vjeçari është e ardhmja e Lillë. Drejtori sportiv Fakic, i cili bën një punë të shkëlqyer me zbulimin e talenteve të futbollit në trojet shqiptare dhe menaxheri Qormemeti mjeshtër i operacionecve të mëdha, kompletojnë kështu një tjetër transferim me shumë leverdi për Skënderbeun, ndërkohë që projekti i tyre në Korçë vazhdon me lojtarë të tjerë si Liridon Latifi, Gavazaj, Nimagën apo dhe lojtarë të zyrtarizuar së fundmi nga Skënderbeu, si Nazmi Gripshi e sulmuesi iranian Reza Karim.
Nga ana e tij, Agim Zeka i kontaktuar nga Supersport u shpreh i kënaqur me këtë transferim, duke falënderuar veç menaxherit Qormemeti e Fakic edhe presidentin e Skënderbeut, Takaj  duke i uruar titullin e 7-të kampion radhazi, ndërsa në aspektin personal shtoi se ky transferim është një motiv më shumë për të gjetur një vend titullari te Lillë dhe që një ditë të bëhet pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë.