11.5 C
Tirana
E hënë, 26 Maj, 2025

Vrasja e Ministrit

Frrok ÇUPI

Ky ishte dëmi më i vogël që ndodhi sot.
Në historinë tonë të re kombëtare janë shënuar disa si kjo, kjo është vrasja e katërt “në gjueti”.
E para ishte në “Gjahun e Malësorëve” që me sa duket ishin malësorë të Skraparit (edhe pse ka emra Gjergj e Gjon),  përderisa ngjarja zhvillohet në malin e Tomorit. Konstandin Kristoforidhi e shkroi tregimin në vitin 1844 por që mundi ta shikojë dritën e botimit pas gjysmë shekulli. Sipas studiuesve, ka dy arsye pse nuk u botua deri atëherë: E para, se Kristoforidhi ishte i frikësuar ndaj skraparllinjve dhe prandaj ua transplantoi emrat, nga bektashinj në emra katolikë të Veriut (dhe kjo u quajt përrallë e pasinqertë). Dhe e dyta se në tregim nuk ka konflikt, domethënë nuk ka vrasje, vetëm tentativë.
Vrasja e dytë shënohet në një teatër amatoresk me gjuetinë e kryeministrit komunist, i cili vriste derra dhe poshtëronte njerëz.
Në vrasjen e  tretë, që ishte prej vërteti, u vra kryeministri. Dhe, e katërta, tani, kur u “vra” ministri i Drejtësisë; nga e njëjta parti që vrau Mehmet Shehun. Partia Socialiste (ish komuniste) sot vrau “gjahun” e shokut, dmth., të aleatit. Tërë jetën, në kulisat bllokmene, kështu ka ndodhur.
Po të mos ishte “vrarë” Ministri i Drejtësisë që në mëngjes, mbrëmja mund të kishte ardhur shumë e rëndë.
Çfarë do të kishte ndodhur deri në mbrëmje?
1.
Në tentativën për të vrarë Klement Balilin, që është mision i të dy palëve, ka shumë frikë. Klement Balili, një viktimë e veprave shtetërore, mban me vete shumë fakte, shumë prova, shumë sekrete. Këtu në Shqipëri, siç thonë në të folmen gegnishte “asht ba nami” me krimin dhe me drogën këto pak vitet e fundit. Klementi iu ka shërbyer, dhe më në fund “e prenë në besë”. Sipas ligjeve në mafie, Balili është i destinuar për një fat shumë të keq. Me siguri ai e di këtë, por nuk ka ku të dorëzohet. Gruaja e tij tha po kështu, publikisht: “Ku të dorëzohet burri, te politika?…”. Me siguri kjo provë është shënuar në analet e studiuesve kriminalë botëror.
Të dy palët, pa dyshim, e dinë vendndodhjen e të kërkuarit Klement Balili- i shpallur nga shteti fqinj si “Escobar i Ballkanit”. Po të mos ishte kështu, Ilir Meta nuk do t’i kërkonte presidentit të Republikës që të mblidhte Këshillin e Lartë të Sigurisë “për të kapur” Balilin… Por sepse qeveria e socialistëve mund ta përdorë Balilin që të flasë çfarë di për Metën. Për t’i mbyllur gojën, sillet në qeli, ku flet me “prokurorët”, jo me Ramën… Po të mos ishte “vrarë” ministri i drejtësisë (i LSI) sot në mëngjes, do të kishte shanse që të zbatohej  skema e Metës që me dorën e presidentit të kontrolloheshin dëshmitë e Balilit. Prandaj kryeministri vrapoi që në mëngjes në zyrën e kryetarit Meta për të kërkuar kokën e ministrit Manjani.  Kryeministri ka menduar se fitoi, por në fakt ka thelluar greminën e tij.
3.
LSI e Ilir Metës bëri një hap të favorshëm për integritetin e saj. Shumë kush tha  “humbi Meta”, sepse rivali i “vrau” një ministër. Me siguri Ilir Meta ka qeshur dhe ka heshtur pse skema funksionoi në dobi të tij.  Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, Manjani, nga dora e kryeministrit, është provë në dorë të aleatit numër Dy qeverisës. Që sonte, me siguri, Ilir Meta ka tentuar të kontaktojë me aleatët e mëdhenj Perëndimor, ku hyn edhe Amerika; dhe t’u provojë se kryeministri po shkarkon ministrat që e kanë denoncuar për lidhjet e Policisë me krimin, për “urdhrat fiktiv të kryeministrit në vjedhjen e fondeve”, për ndërhyrjen në Drejtësi, etj. Ylli Manjani ishte më aktivi në denoncimin e mbjelljes së vendit me drogë nën kujdesin e policisë, për aferat e rënda korruptive, për ‘moçalin’ e qeverisë.
4.
Gjithë ngjarja e “Gjahut të… qeveritarëve”, (jo e Kristoforidhit) ka një lidhje me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara. “Vrasja” e ministrit ishte më e vogla që ndodhi sot, dhe që shpëtoi ngjarje të tjera tronditëse. Sot mund të ishte kapur Klement Balili, ose jo kapur i gjallë… Sot mund të ishte rrëzuar qeveria…. Sot aleati numër Dy kishte shansin ta dërgonte vendin në qeveri teknike ku garantoheshin zgjedhje më të ndershme. Por u zgjodh gjëja më e thjeshtë: Manjani.
Në qeveri ka shumë nervozizëm dhe nxitim- siç e shikoni me ditën e  sotme. Njëri nga aleatët- LSI po nxiton për t’i dhënë besim administratës së re të Presidentit Trump në Amerikë. Por nis një hap…, dhe kthehet, nuk ka siguri. Nis të rrëzojë qeverinë e Ramës, por pendohet… Kjo dëshmon se akoma nuk ka kontakte me administratën amerikane… Por ndërkohë aleatin Rama e kërcënon, sepse e di që kryeministri nuk mund të bëjë as edhe një thirrje telefonike në Amerikë. Europa “e tij” Merel është në punën e saj. Erdogan i Turqisë nuk po arrin ta zbatojë “neo-otomanizimin e tokave shqiptare”  sipas planit Soros- Rama- Thaçi. Aleati Meta është shumë më përpara në taktikat gjeopolitike dhe diplomatike; por krejt i pasigurt, edhe pse tha (pastaj tërhoqi) se ka porosi “nga Amerika”…
Megjithatë vetë nuhasin se ka ardhur fundi i kësaj lloj qeverisjeje. Era e ndryshimit, në Amerikë dhe në Europën Perëndimore, i merr me vete.
Këtej vjen nervozizmi dhe nxitimi që i çon në “vrasje” si të Kristoforidhit: “Kaf kuf, ham, bam!…”.

Ylli Manjani dhe Rilindja rumpalle alla Qosje!

Enver Bytyçi

Dita e parë e javës u hap me një lajm përmbyllës në fund të një odiseje akuzash e kundërakuzash në kampin e Rilindjes: Shkarkohet ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Akuza: Ka folur pa lejen e Endri Fugës, dmth të Padishahut, Sulltan Aladin Edi Rama! Ylli Manjanin e zëvendëson Petrit Vasili. Kështu një mjek do ta shërojë drejtësinë e sëmurë, sepse juristi Manjani nuk ishte “i aftë” ta bënte këtë!!! Megjithatë u vu në krye të dikasterit të Drejtësisë një kritik tjetër i spikatur i qeverisë Rama! Dhe nuk u shkarkua ai që tronditi në themel aleancën rilindase, ministri i Mjedisit, Lefter Koka! Ilir Meta priti në zyrë mëngjesin e sotëm kreun e ekzekutivit, zotin Rama dhe pranoi ultimatumin e tij: “Ose shkarkohet Ylli Manjani, ose largohuni nga koalicioni”! Vënia para kësaj alternative e vështirësoi pozicionin e kreut të LSI-së, ndërkohë që ai dha sinjalet e një tërheqjeje që të shtunën, kur kërkoi të ulen tensionet retorike e të “bëhet më shumë punë”.
Vetë i kishte nxitur vartësit e tij në qeveri të ngrinin tonet dhe ta telendisnin qeverisjen e zotit Rama dhe po vetë u tërhoq, përkohësisht ose jo, megjithatë me “bisht nën shalë”. Ilir Meta në mënyrë të pazakontë u vu nën çizmen e Edi Ramës, madje për një ministër, të cilin e dërgoi aty pikërisht për kundërpeshë me aleatin e tij. U duk se debati i nisur para dy javësh do të përfundonte me një divorc të PS-së dhe LSI-së dhe vendi do të shkonte kështu në 45 ditë në zgjedhje të reja, ndoshta me një qeveri ekspertësh ose teknike.
Në fakt, epilogu i betejës kalorsiake midis dy kokave të qeverisjes përfundoi me prerjen e njërës prej tyre, “të kokës më të vogël”. Shumë njerëz kanë shtruar sot pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi në këtë spektakël politik unikal në llojin e vet. Nga pikëpamja politike fitoi kryeministri Rama. Ai provokoi dhe e vuri nën gjunjë aleatin “e fuqishëm” në koalicion. Ju deshën vetëm 45 minuta të qëndronte në ring, jo më shumë. Pas 45 minutash ngriti flamurin e fitores.
Humbi kreu i LSI-së, zoti Meta, qoftë dhe përkohësisht! Ndërsa çmimin më të madh nga të tilla lojëra politike duket se do ta paguajnë shqiptarët. Bazuar në deklaratën e ministrit të shkarkuar, zotit Manjani, shqiptarët do të paguajnë dhomat luksoze të hotelit të Balilit, ku ministrat e Ramës bëjnë orgji me paratë e shqiptarëve!
Qytetarët e këtij vendi do të paguajnë, gjithnjë sipas zotit Manjani, korrupsionin që bëhet në tavolinën ovale të zbukuruar me flamurin kuq e zi e në sfond portretin e Ismail Qemalit të qeverisë shqiptare, ku votohen vendime korruptive, ku favorizohen bizneset e miqve të kryeministrit e kështu me radhë. Ndërsa fatura e korrupsionit nën tavolinë është shumëfish më e lartë.
Ne do të paguajmë kufizimin pa limit të demokracisë, transparencës dhe fjalës së lirë, sepse gardiani i tyre do të vazhdojë të jetë kryeministri Rama dhe shefi i tij i kabinetit, Endri Fuga, i ngarkuar gjithashtu të vëzhgojë shpërndarjen e parave për NGO-të që i bëjnë fresk qeverisë në fushatë zgjedhore! Ne do të paguajmë në votime investimin që qeveria ka bërë dhe bën për përhapjen e kultivimit dhe trafikut të drogave! Ne do të paguajmë kështu rilindjen e diktaturës, të diskriminimit, të dhunës, të luftës për mbijetesë, atë rilindje, të cilën Rexhep Qosja ia kumtoi zotit Rama, që kur ky i fundit ishte në opozitë, me qëllim që t’i nënshtronte, përdhunonte dhe poshtëronte shqiptarët! Po jo vetëm kaq. Zoti Manjani u tha shqiptarëve se qeveria Rama është një qeveri e kapur nga mafia dhe një qeveri mafioze është kostoja më e lartë e një kombi.
Ai u shkarkua nga detyra menjëherë, pasi kërkoi arrestimin e Balilit, që do të thotë se ministrat në këtë vend i emëron dhe shkarkon eskobari, kreu i mafies ballkanike e shqiptare, jo kryeministri i vendit, që do të thotë se ekzekutivin shqiptar e drejton mafia dhe jo politika, aq më pak një elitë politike e orientuar nga interesat e vendit e të kombit!
Manjani tha se aleatët i kanë kërkuar zotit Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Por kryeministri në vend të shkarkojë Tahirin, i cili akuzohet për mbrojtjen e trafikantëve të drogës dhe kriminelëve që marrin peng shtetin, shkarkon kritikët e panënshtruar nga mëkëmbësi i tij, Fuga! Kush tjetër, veç shqiptarëve, do ta paguajë gjithashtu këtë kosto të bashkëpunimit me krimin, trafikun, padrejtësinë, antiligjin, antishtetin?! Këto ishin mesazhet e paradites së sotme!
Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë në fakt ishte simbolikë, nuk është zgjidhja. Simbolika është e dukshme në dritë të diellit. Hashashi është aty edhe pa Ylli Manjanin. Po ashtu ministrat e Ramës në mos fjetshin tashmë në hotelin e Klement Balilit, do të flenë në hotelet e Balilajve të Vlorës ose të Shullazëve të Tiranës. Simbolika shkon edhe më tej: Pa lejen e kryeministrit nuk mund të marrin frymë jo vetëm ministrat, por askush në oborrin e tij, madje edhe ata që jetojnë në periferi të këtij oborri kryeministror! Kush guxon, përballet me “shpatën e mprehtë” të Zeusit shqiptar të shekullit të XXI.
Në konferencën për shtyp zoti Manjani foli përsëri dhe duket se tani do të jetë “i lirë” nga Rama që t’i shprehë shumë të vërteta të hidhura të qeverisjes së Rilindjes. Gjithnjë, nëse zoti Meta do ia japë lejen dhe lirinë e shprehjes. Por së paku, Rama nuk ka në dorë ta pengojë më atë. Ka në dorë vetëm të urdhërojë mediat, që ta ndalojnë përhapjen e fjalës së tij. Megjithatë dhe për kaq sa ka folur zoti Manjani ka krijuar identitetin e tij të veçantë, i ka dhënë një dimension të caktuar frymës së lirisë në këtë vend. Por nuk mjafton. Ose duhet shkarkuar gjithashtu ministri Koka, ose duhen deklasifikuar motivet, arsyeja dhe shkaku i shkarkimit të zotit Manjani. Sepse Lefter Koka tha ndoshta diçka më shumë sesa Ylli Manjani. Ndërkaq duhet të shohim në javët në vazhdim, nëse Petrit Vasili do të shfaqet si më parë “parimor e kritik”, apo do të struket nën tavolinën ovale të kabinetit me gojën mbyllur dhe dorën lart në miratim të aferave të reja të Rilindjes alla Qosja-Rama. Duhet të shohim edhe eksponentët e tjerë të LSI-së, nëse do të guxojnë pas këtij presioni e diversioni që bëri kryeministri të shprehen lirshëm me kritika për qeverisjen e Rilindjes. Shkarkimi i Ylli Manjanit ishte diversion politik e njëkohësisht test për Ilir Metën.
Në finish Rama provoi se është i aftë t’i imponohet aleatit të tij, ndoshta deri në atë masë sa t’ia diktojë kushtet për vazhdimin e koalicionit qeveritar të Rilindjes 2 pas 18 qershorit, nëse ky koalicion do të marrë votat e shqiptarëve. Modeli i Bashkisë së Durrësit është provuar si produktiv. Duket që zoti Rama do ta detyrojë zotin Meta që të bëjë të njëjtën gjë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkaq opozita duhet të jetë më e fokusuar për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare me aleatët e saj, të cilët i qëndruan asaj besnikë në këto vite shumë të vështira për të, për shkak të arrogancës së shfrenuar të Rilindjes së dështuar të bëjë shtet demokratik, human, liberal dhe funksional.
Opozita duhet të vijë në pushtet, jo pse koalicioni qeverisës grindet dhe pa përfituar nga konflikti në gjirin e mazhorancës. Opozita ka mundësi, aftësi, resurse, energji, eksperiencë, dije dhe kapacitete të krijojë frymë anti-Rilindje me qëllim që t’u japë shqiptarëve shpresën për një kthesë rrënjësore në zhvillimin e vendit.
Opozita e Manjanit, Kokës, madje dhe e Ben Blushit e disa të tjerëve që shfaqen si antiRamë me porosi të Ramës nuk e kthen shpresën te shqiptarët. Eshtë opozita reale, e dhunuar, e etiketuar deri në ekstrem me fjalët më fyese nga kreu i mazhorancës, ajo që i bashkon shqiptarët dhe bën të mundur ndryshimin. Mjafton t’i bindë qytetarët e këtij vendi se ky ndryshim nuk do të sjellë zhgënjim.

Basha: Rama peng i krimit, Meta peng i Ramës, zgjidhja, largimi i të dyve

Klanet kriminale me përfaqësues Sajmir Tahirin janë sot bashkëkryetarë të qeverisë.
Edi Rama as nuk denjoi t’ju japë sot shqiptarëve një shpjegim se pse e shkarkoi ministrin Manjani.
Kryeministri duhet të kishte një shpjegim për njerëzit. Çfarë dinë shqiptarët nga ai? Çfarë motivimi ju ka dhënë për shkarkimin e ministrit?
Por sigurisht shqiptarët e dinë se pse. Ministri Manjani u shkarkua sepse foli hapur për krimin që ka marrë peng qeverinë, për drogën, për Balilin, për urdhërimin me telefon të gjyqtarëve nga Rama, për tenderat dhe koncesionet korruptive.
Kjo është arsyeja. Manjani theu kodin e heshtjes. Manjani theu OMERTA-n që Rama i ka imponuar një qeverie të zhytur në krim, drogë dhe korrupsion.
Deklarata e Manjanit është një tjetër konfirmim i të vërtetave që opozita ka denoncuar këto 3 vite. Propaganda qeveritare nuk mund t’i mbulojë më këto të vërteta.
Lidhjet e qeverisë me krimin, drogën dhe rrezikun për zgjedhjet e lira i denoncoi edhe një tjetër ministër i kësaj qeverie, madje kumbari i koalicionit të 1 prillit, Lefter Koka.
Por sot Edi Rama nuk ka më nevojë për asnjë aleat politik, as për Ilir Metën. Sot Edi Rama nuk ka më nevojë për një qeveri politike. Ai ka ngritur dhe fuqizuar një aleancë interesash private dhe kriminale dhe pushtetin e tij e mban në këmbë me anë të krimit dhe parasë.
Arroganca me të cilën Rama shkarkoi ministrin Manjani dhe nënshtroi Ilir Metën është shprehje e sigurisë që jep pushteti i krimit dhe i parasë. Është edhe një sinjal i qartë për këdo që guxon të përmendë apo kritikojë lidhjet e krimit me qeverinë dhe korrupsionin e qeverisë.
Me shkarkimin e Manjanit u provua edhe një herë se Edi Rama është peng i krimit dhe Ilir Meta peng i tij. Pengjet e krimit dhe korrupsionit nuk mund të luftojnë as krimin, as korrupsionin. Zgjidhja është largimi i tyre.

Blushi: Pazar me shkarkimin e Manjanit për Presidentin

-A do të ketë zgjedhje të parakohshme?
Nuk besoj se ka zgjedhje të parakohshme. Është arritur një armëpushim fals dhe i paqëndrueshëm. Ky armëpushim nuk u arrit duke bërë kurban Manjanin, u arrit për të ndarë çfarë vjen tre muajt e ardhshëm. Nuk e di nëse Rilindja dhe LSI-ja do të mund të shkonin bashkë. Këto kanë qeverisur bashkë, janë korruptuar bashkë. Kanë cënuar interesat publike bashkë, i kanë dhënë koncesionet bashkë, kanë kaluar ligjin e mbetjeve bashkë, kanë kanabizuar Shqipërinë bashkë, kanë denatyruar administratën publike bashkë, dështuan të marrin hapjen e negociatave në dhjetor, kanë cënuar bashkarisht marrëdhëniet me fqinjët pavarësisht pse bëjnë sikur kanë pozicione të ndryshme.

-LSI thotë ka marrë fatura të pamerituara?
LSI për sa kohë pranon të rrijë në këtë qeveri e gjitha është e pabesueshme. Nuk jam për të bërë gjyqin e LSI, ajo që më intereson në aspektin e një rivali politik, përfaqësoj një parti të re si LIBRA, e cila ka interes në fakt elektoral që ato të dyja të jenë bashkë se marrin përgjegjësinë deri në fund. Si qytetar i Shqipërisë, jam totalisht i neveritur nga kjo mënyrë e të bërit politikë që ka 25 vjet dhe nuk ndalet. Këtë përfaqëson sot Edi Rama, Ilir Meta dhe të gjithë ata që kanë nga mbrapa.

-Mendoni se koalicioni nuk do rezistojë deri në zgjedhje?
Mund të rezistojë deri në zgjedhje çka nuk përbën asnjë problem për mua, përkundrazi më jep një kënaqësi elektorale, ata të dy duhen mundur bashkë, janë binomi që ka deformuar kaq shumë prej 15 vjetësh politikën shqiptare, ka ardhur dita të ikin bashkë dorë për dore. Ajo që më duket mua në distancë, është se më duket sikur kanë ndarë prapë një plaçkë në tavolinë, mbi kokën e Ylli Manjanit është zgjedhur Presidenti i ri i Shqipërisë. Nuk e di sa e vërtetë mund të dalë kjo, por kështu më duket.

-Ju duket apo keni informacione?
Nuk u hyj thashethemeve të pazarit të Rilindjes, ky është pazari i Rilindjes, nuk besoj se janë duke negociuar reformat, siç të shkojë vettingu përpara që është bllokuar, si të avancojë proçesi i integrimit europian që është bllokuar, si të ç’kanabizohet Shqipëria, si të bëhet reforma zgjedhore që është e bllokuar dhe për faj të Rilindjes dhe LSI, të dyja janë kundër numërimit elektronik, sepse kanë numërues në tavolinë dhe mund  t’u vjedhin vota të tjerëve. Pazari i vetëm është Presidenti i Republikës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë duke negociuar Presidentin e Republikës, Ylli Manjanin e bënë kurban për të forcuar aleancën e tyre deri atë ditë.

Kapen 1.3 tonë drogë në Itali, 24 orë pas emërimit të Qibinit

Emërimi i Besmir Qibinit, njeriut të Tahirit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës, ka dhënë efektet e para në trafikun e drogës drejt Italisë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit pas emërimit të Qibinit, policia italiane ka sekuetruar 1.3 ton drogë të nisur nga brigjet e Vlorës.
Pas sekuestrimit të 800 kg kanabis ditën e dielë, dje Guardia Di Finanza sekuestroi përsëri 500 kg drogë në ujërat e detit Adriatik, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy transportuesit nga Vlora. Sipas mediave italiane, operacioni nga deti dhe ajri u zhvillua në brigjet e Sao-s, në Leçe, ndërsa ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës.
Mediat italiane shkruajnë se të dy trafikantët në bord u përpoqën të iknin, duke hedhur jashtë varkës, (7 metër e gjatë dhe me motor të fuqishëm), drogën, por ata u arrestuan. Kontrabandistët, identiteti i të cilëve nuk dihet, të moshave 30 dhe 48 vjeç, të dy nga Vlora, akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Marijuana e nxjerr nga deti ishte paketuar në 28 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 506 kg.
Po ashtu, bëhet e ditur se nëse droga do të kishte dalë në treg për shitje, ajo kapte vlerën e 5 milionë eurove. Ky është operacioni i dytë i zhvilluar nga Guardia Di Finanza në të njëjtën zonë brenda 48 orëve. Guardia di Finanza kapi një skaf me 800 kg hashash dhe arrestoi një skafist shqiptar dhe dy italianë. Policia shqiptare nuk dha asnjë lajm dje për bashkëpunim me Guardia di Finanzan për sekuestrimin e drogës shqiptare ashtu siç ka bërë rëndom në rastet e tjera, por është përgënjeshtruar nga autoritetet italiane.

Mediat italiane: Trafiku i drogës shqiptare nuk ka të ndalur

Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. Një skaf me drogë që vinte nga Shqipëria u diktua të dielën në gjirin e San Cataldo-s. Operacioni, sipas tyre, është finalizuar nga reparti operativ aeronaval i Guardia di Finanza në Bari dhe Taranto, që po kryen funksionet e qendrës së koordinimit lokal të misionit Frontex.
Skafi u kap 20 milje larg bregut. Ai kishte një gjatësi prej 8 metrash dhe një motor të fuqishëm (225 kuaj fuqi). Skafistët  F.O. 47 vjeç dhe D.L di 58 vjeç të dy nga Brindisi dhe A.Q. 31 vjeç nga Vlora u arrestuan.
Nëse do të kishte përfunduar në treg, sasia e drogës do t’i kishte siguruar 7 milionë euro organizatës kriminale. Pas arrestimit, policia italiane ka kërkuar bashkëpunimin e policisë shqiptare për të kryer hetime të tjera mbi të arrestuarit dhe personat e tjerë me të cilët dyshohet se janë të lidhur.

Vetëm në Pulja, 5 ton hashash në dy javë

Vetëm në Pulja, Guardia di Finanza ka sekuestruar 5 ton hashash në këto ditë të para të vitit 2017, ndërsa në vitin 2016 numërohen 20 ton. Por pikërisht shpeshtësia e këtyre operacioneve tregon përmasat kriminale të zhvillimit të krimit midis bregdetit shqiptar dhe atij të Pulias Jugore, e cila sfidon kontrollet e pajisjeve në det, e cila gjithashtu ka funksione edhe për të gjurmuar trafikun e klandestinëve.
Elementi i dytë që gjen konfirmim të mëtejshëm në shërbimin e kryer dje nga burimet aerodetare të Guardia di Financas, është përfshirja e plotë në narkotrafik që përdor ngushticën e Otrantos të pjesës së Brindisit, të përdorur nga klanet shqiptare që dërgojnë në Itali marijuanën e punuar në malet e Vlorës, ku fshatra të tërë janë të përfshirë në kultivimin e cannabis indica dhe përpunimin e mëvonshëm për të marrë marijuanë dhe hashash.
Pra, ka një kriminalitet, që pas më shumë se 15 vjetësh që nga shkatërrimi i ekipeve kontrabandiste midis Brindizit dhe Monopolit me “Operacionin pranverë”, rishfaqet gjithnjë e më i shumtë në rrugët e vjetra të Durrësit dhe Vlorës të përdorur për kontrabandën e cigareve, dhe si është përmendur tashmë, edhe në rolin e partnerëve të mafias shqiptare.

Trafiku i drogës nga Shqipëria vijon edhe drejt Greqisë

Trafiku i narkotikëve në drejtim Greqisë u shtua gjatë janarit, ndërsa policia greke ka bllokuar disa qindra kilogramë marijuanë. Trafikantët grekë dhe shqiptarë kanë riaktivizuar lidhjet e vjetra dhe po ndjekin mënyra të ndryshme për të futur sasitë e narkotikëve në brendësi të territorit grek me automjete, “korrierë” nga kufiri tokësor, madje edhe me kafshë pune.
Të dielën në mbrëmje u bllokua në kufi me Greqinë, 45 kilogramë marijuanë që po transportohej drejt Greqisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një automjet ku ishte krijuar një zonë e posaçme për të fshehur marijuanën. Ndërkohë, një i ri është vënë në pranga nga policia e Korçës pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike për në Greqi. Aldo Neli, 29 vjeç, banues në Zallher-Tiranë është arrestuar sepse sipas policisë po dërgonte në Selanik një sasi prej 30 kilogramësh, kanabis sativa.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë nga shërbimet e Policisë Kufitare, (në dalje të Republikës së Shqipërisë) automjetit tip “Audi” A6 me targa AA960PN, të cilin ky i ri drejtonte, në një vend të modifikuar midis sediljes së prapme dhe bagazhit, u gjetën dhe sekuestruan 31 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë 30 kilogramë lëndë e dyshuar si narkotike kanabis sativa.
Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe marrja e deklarimeve rezulton se shtetasi i mësipërm kishte si destinacion qytetin e Selanikut/Greqi. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve”.

R.POLISI

Maskat terror në Tiranë, lidhin rojen dhe grabisin një fabrikë

Tre persona të maskuar dhe të armatosur lidhin rojen e një fabrike në Vorë dhe grabisin një shumë të konsiderueshme parash. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:20 të ditës së djeshme në rrugën dytësore Vorë – Tiranë, tek fabrika e sheqerit “Kraco”. Sipas burimeve, tre personat me maska dhe të armatosur, të paidentifikuar nga policia, kanë hyrë nga muri i pasëm i godinës. Pasi janë futur në ambientet e brendshme të fabrikës, kanë lidhur rojen dhe i kanë marrë celularët, ndërsa më pas kanë hapur me forcë kasafortën ku kanë marrë 1.4 milionë lekë.
Në largim e sipër, ata thyen edhe zyrat e një biznesi të portave automatike, duke shkulur video regjistruesin e kamerave të sigurisë. Roja e biznesit tregon se, personat me maska e kishin lidhur dhe pasi i kanë marrë çelësin e kasafortës kanë marrë të gjitha paratë që ndodheshin në të. Më pas maskat janë larguar me shpejtësi me një makinë që i priste disa metra larg magazinës ku ndodhi ngjarja.
“Kam parë tmerr me sy. Tre personat e maskuar më kërcënuan dhe më lidhën me litar. Njeri prej tyre më vuri pistoletën në kokë dhe më detyroi që t’i jepja çelësat. Ata më morën të dy telefonat celular që kasha që të mos njoftoja pronarin dhe policinë. Pasi më lidhën, ata u futën brenda në fabrikë dhe grabitën të gjitha paratë që ndodheshin në kasafortë”, tregoi roja. Ai tha se në mëngjes kishin ardhur punonjësit e fabrikës dhe njoftuan policinë.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka marrë deklarimin e rojes. Roja i ka thënë policisë se, personat ishin të maskuar dhe e kërcënuan e më pas e lidhën. Hetuesit kanë shoqëruar disa persona, por deri më tani ende nuk ka ndonjë të dhënë për autorët e mundshëm. Hetimet e para të policisë kanë hedhur dyshimet se, autorët mund të jenë liruar vetëm pak kohë më parë nga burgu, duke përfituar nga amnistia. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e grabitësve, ndërsa kamerat e sigurisë janë shkatërruar nga maskat për të mos lënë gjurmë në to.
Numri i grabitjeve është rritur frikshëm gjatë ditëve të para të këtij viti. Vetëm në dy javët e para të muajit janar janë kryer 5 grabitje në Tiranë, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët. Në mesin e muajit janar u grabit një bankë e nivelit të dytë në rrugën e “Dibrës” në Tiranë, duke thyer bankomatin e saj. Bankomati ndodhej vetëm disa metra larg komisariat të policisë ku punonjësit e rendit merrnin paratë. Kjo nuk është hera e parë, që e njëjta bankë bie pre e grabitjeve nga persona të maskuar e të armatosur. Një bankë e nivelit të dytë u grabit nga persona të armatosur para Vitit të Ri në Tiranë, ndërsa autorët nuk janë zbuluar ende.
Dy ditë para kësaj grabitje, maskat grabitën nën kërcënimin e armëve dy pika karburanti në Tiranë. Bëhet e ditur se 4 persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur nën kërcënimin e armëve dy karburante që ndodhen në autostradën Tiranë-Durrës. Të dy ngjarjet e rënda kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa policia i ka mbajtur të fshehta. Lajmi për grabitjen e dy pikave të karburantit u bë i ditur nga burime të policisë.
Po ashtu një dyqan celularësh u grabit në kryeqytet dhe në këtë rast, policia nuk arriti të zbulojë autorët. Grabitjet janë kthyer në një tmerr për biznesmenët, duke shkaktuar frikë dhe panik edhe tek qytetarët.

R.POLISI

Aksident i rëndë në Fier, dy të vdekur, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku dy persona kanë humbur jetën në një aksident rrugor, dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në aksin rrugor Hoxharë–Fier, pranë “Urës së Shënpjeterit” ku si rezultat i pakujdesisë së drejtuesit të mjetit dhe mungesës së sinjalistikës, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në një kanal me ujë mjeti tip “Benz” me targa AA 494 OB.
Në makinë udhëtonin tre persona, nga të cilët dy kanë humbur jetën, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare nga policia pohuan se Emiljano Goxhaj, rreth 30 vjeç dhe Silvana Alushaj kanë humbur jetën ndërsa është plagosur Azis Hilaj.
Ppolicia tha se, për pasojë është mbytur drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja në vendin e parë S.A, 40 vjeçe, si edhe ka marë dëmtime pasagjeri tjetër, shtetasi H.H, 35 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve. Paraprakisht dyshohet se, shkak i daljes së mjetit nga rruga ka qenë një pakujdesi e shoferit. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punohet për gjetjen e shkakut të aksidentit.

Makina përplas nënë e bijë, vdes 3-vjeçarja
Një 3-vjeçare humbi jetën mbrëmjen e të dielës, si pasojë e një aksidenti tragjik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Aksidenti ndodhi rreth orës 10:30, kur e mitura Xhulia Velija po ecte në këmbë bashkë me nënën e saj, Emine Velija, në kthesën e Ibës së Sipërme, kur një automjet doli nga rruga dhe i përplasi.
Në timonin e makinës, një “Peugeot” me targë AA 645 GO, ishte 25-vjeçari I. Shaipi, banues në fshatin Shalës të Cërrikut, i cili shoqërohej gjithashtu nga një fëmijë 7-vjeçar. Sipas policisë, shkak për daljen nga rruga është bërë humbja e kontrollit të mjetit, që dyshohet të ketë ardhur për shkak të shpejtësisë. Në njoftimin e saj zyrtar, Policia e Tiranës tha se e kishte ndaluar 25-vjeçarin dhe po hetonte rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Megjithatë, me një vëzhgim fare të lehtë në profilin social të Shaipit, duket se ai rrugën Tiranë–Elbasan e kishte kthyer në një vend ku bënte gara shpejtësie. Këtë e dëshmojnë videot e postuara nga vetë ai, ku udhëton me makinë me një shpejtësi deri në 260 kilometra në orë.
Në një prej videove, të postuara më 10 janar, Shaipi shkruan: “Për të gjithë ata që nuk ndihen të sigurtë me mua…”. E vogla ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa nëna e saj ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht edhe 7-vjeçari që udhëtonte me Shaipin në automjet nuk ka pësuar dëmtime.
Ndërkohë, një 53-vjeçar është gjetur i vdekur nga policia në rrugën Lezhë-Milot. Kufoma është identifikuar si N.Q. dhe dyshohet të jetë viktimë e një aksidenti me makinë, shoferi i së cilës është larguar me shpejtësi pas përplasjes. Policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të aksidentit.

Drejtori i dënuar ushtron terror mbi naftëtarët, deputetja e PS e mbron

Drejtori i dënuar me burg për vjedhje ushtron terror mbi naftëtarët e Kuçovës, ndërsa deputetja e PS vihet në mbrojtje të tij. Denoncimi është bërë nga një naftëtar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Në shtetin e banditokracisë! Naftëtari dixhital denoncon terrorin nga drejtori, Lunik Çuadari, ish-i burgosur për vjedhje, mbi naftëtarët e Kuçovës. Uljen e rrogave dhe ditëve të pushimit, heqjen e antidotit dhe të shpërblimeve. Deputeten Ermonela, e cila u thotë punëtorëve nuk kemi ç’t’i bëjmë se prishet koalicioni”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e naftëtarit nga Kuçova.
“Z.Berisha më fal që ju shqetësoj po jam një punojës i vjetër i nxjerrjes së naftës në qytetin e Kuçovës. Dua të ngre shqetësimin e 400 punëtorëve për drejtorin Lunik Cuadari. Na kanë ulur rrogën 28 mijë lekë të vjetra në muaj, na kanë ulur lejen e zakoshme nga 40 ditë në 28 ditë dhe kur punëtori merr lejen e zakonshme, punëtorit i ulen 100 mijë lekë të vjetra, na kanë hequr lekët e rrobave, na kanë hequr antidotën, na kanë hequr shërblime kemi 3 vjet nuk kemi marrë asnjë shpërblim. Përveç këtyre ai sjelljen me punëtorët e ka shumë të keqe, i ofendon, i heq nga vendi i punës. Ai edhe shkollë për të na drejtuar nuk ka. Ka qenë i dënuar në burg 1 vit e 6 muaj për vjedhje. Stafin e tij e ka me njerëz të paaftë dhe partiak. Ankohen punëtorët tek deputetja Ermonela dhe ajo që s’kemi ça i bëjmë se nuk duam të prishim koalicionin. Me respekt S. H., nga qyteti Kuçovës, punëtor 40-vjeçar. Ju lutem më ruani anonimitetin, sepse më heqin nga puna”, shkruan naftëtari.
Dy ditë më aprë ish-Kryeministri Berisha denoncoi një skandal në spitalin e Ersekës. Drejtoresha e Spitalit të Ersekës vazhdon të qëndrojë në detyrë ndonëse ka dy vjet që e ka mbushur moshën e pensionit. Një qytetar nga Erseka i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon se drejtoresha e spitalit mbahet në detyrë nga deputetja e PS, Arta Dade në kundërshtim me ligjin. “Për siçilistët ligji nuk ekziston! Qytetari dixhital denoncon diskriminimin partiak në zbatimin e ligjit, nëna e kriminelit Orest Malushi, ka kaluar prej dy vitesh moshën e pensionit, por mban vendin në thyerje të ligjit”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Erseka.
“Përshëndetje doktor! Jam një banor nga qyteti i Ersekës, dhe kam besim të plotë te ndershmëria juaj, prandaj po ju shkruaj. Doktor të lutem, ngrije zërin në parlament për ne kolonjarët e shkretë. Këtu në Spitalin e Ersekës, drejtoreshë Fatime Malushi, e ëma e kriminelit, vrasësit, Orest Malushi, ka dy vjet që ka dalë në pension, dhe vazhdon të ushtrojë detyrën pa i hyrë gjemb në këmbë. Deputetja e rrethit tonë, Arta Dade, pasi shkatërroi Përmetin, shkatërroi dhe rrethin tonë. Po e mban drejtoreshën e pensionuar bnë krye të spitalit. Populli i Ersekës, është kthyer në mëshirë të kryetarit të Partisë Socialiste, Ilirjan Hyseni. Fati jonë është në dorë të tij dhe të Partisë Socialiste. Të futin e të heqin nga puna sipas qejfit të tyre, duke e kthyer në biznes. Populli i Ersekës është në presionin e këtyre partiakëve”, shkruan qytetari.

A po strehohet Balili në Tepelenë nën kujdesin e Tërmet Peçit dhe një shefi të PS

Partia Demokratike reagoi sërish për mos arrestimin e Klement Balilit, të kërkuarit nga Interpoli për trafik ndërkombëtar droge. Nëpërmjert një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani deklaroi se, “Eskobari i Ballkanit”, është akoma i lirë dhe shtroi pyetjen, a po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe një shefi të PS-së?
“Pas presionit të hapur ndërkombetar për arrestimin e Klement Balilit dhe pasi u prishën për pazarin e ditës, PS dhe LSI kanë nisur sherrin dhe shfaqjen e radhës. Ndërkohë Klement Balili, i kërkuar nga gjysma e policive të Europës, nga DEA amerikane, i konsideruar nga CNN si “Eskobari i Ballkanit”, është akoma i lirë, duke kapur peshk nga jahti i tij e duke bredhur nga dasma në dasëm”, bëri të ditur Ristani.
Partia Demokratike e denoncoi emërimin e Klement Balilit në zyrat e shtetit, që në maj të vitit 2014. “Ne bëmë publike, prova, fakte, se si në vitin 2006, ky trafikant ishte kapur në një aksion të Forcave Speciale me helikopter, me 750 kilogramë drogë. Partia Demokratike kërkoi 36 herë në 2 vite e gjysëm largimin e Klement Balilit nga administrata shtetërore ku e emëruan Rama dhe Meta dhe vënien e tij para drejtësisë. E megjithatë, Rama dhe Meta, e mbajtën, e mbrojtën deri në fund, e mbrojtën edhe kur u shpall në kërkim nga Interpoli në maj të vitit 2016”, deklaroi ai.
Ristani tha se, Balili strehohet në Tepelenë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe një shefi të PS. “Sot, në vend që të lozin topa djegësi me Balilin, le t’i përgjigjen një pyetje të thjeshtë: A po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe një shefi të PS-së në Tepelenë, Dino Selemi, aktualisht edhe drejtor i Transportit të Gjirokastrës?”, përfundon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.
Balili u shpall në kërkim nga Interpoli që në 17 maj të vitit 2016 për trafik ndërkombëtar droge, por u la i lirë me urdhër të Ramës. Ndonëse ishte në kërkim, Balili jo vetëm që lëvizte lirshëm, por ai shoqërohej nga zyrtarë të lartë dhe oficerë policie, të cilët kishin për detyrë ta denonconin dhe ta arrestonin si një person të kërkuar për aktivitet kriminal.