Ministria justifikohet me faktin se shqiptarët shkojnë tek doktori vetëm për hall, por raporti e nxjerr blof: Shqiptarët shkojnë te doktori dy herë më shumë se suedezët. Ndër të fundit në Europë për parandalimin dhe shumëllojshmërinë dhe aksesin e shërbimeve…
Shqipëria renditet e 32-a nga 35 shtete europiane në Indeksin e Shëndetit Konsumator 2016 të matur nga Health Consumer Powerhouse, të publikuar më 30 janar.
Indeksi është një mënyrë për të matur se në çfarë mase, secili nga 35 vendet përmbush pritshmëritë e një shëndeti shëndetësor të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve.
Shqipëria është përfshirë në këtë indeks me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë, thuhet në raport.
Shqipëria, thekson raporti, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor.
Më keq se ne renditen Rumania, Mali i Zi dhe Bullgaria. Por, raporti thekson se Shqipëria shpëton nga vendi i fundit, kryesisht për shkak se ka një performancë të fortë në akses, ku organizatat e pacientëve gjithashtu më 2016-n konfirmuan versionin e ministrisë se kohët e pritjes janë një problem i vogël.
Shpjegimi i ministrisë për nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor lidhet me faktin se “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”. Por, sipas raportit, ky është një thjeshtim i situatës; shqiptarët vizitojnë doktorin e tyre kryesor mëse dy herë më shumë se suedezët (3.9 vizita në vit kundrejt 1.7).
Shqipëria ndan të njëjtin problem me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime shëndetësore janë të aksesueshme pa pagesë nën dorë.
Sipas raportit, Shqipëria paraqitet më keq në treguesin e parandalimit, me 65 pikë, produkteve farmaceutike me 35 pikë dhe sidomos llojit dhe aksesit në shërbime, ku është e fundit në Europë me vetëm 42 pikë. Në total, Shqipëria merr 526 pikë.
Shërbimin më të mirë shëndetësor në Europë e kanë Holanda (927 pikë), Zvicra (904), Norvegjia (865).
Në Europën Juglindore, Italia dhe Spanja ofrojnë shërbime shëndetësore, ku ekselenca mjekësore mund të gjendet në shumë vende.
Ndër të fundit në Europë në indeksin e shëndetit konsumator
Rikthehet debati për importin e mbetjeve
Ligji për importin e integruar të mbetjeve do të rikthehet në diskutimet e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Palët e interesit i janë përgjigjur letrës së Eduard Shalsit duke i qëndruar të njëjtave pika kundërshtuese ndërsa AKIP ka kërkuar të respektohet dekreti i Nishanit. Grupet e interesit, shoqatat dhe ambientalistët i kanë kthyer përgjigje kryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi në lidhje me kërkesën për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Edhe këtë herë Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj gjykojmë se amendimet Shalsi duhet të rrëzohen si të papranueshme dhe të miratohet dekreti i Presidentit. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Lidhur me ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, që është edhe një nga objektivat e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhen zbatuar forma më praktike, në kushtet e favorshme të krijuara nga ndarja e re administrative-territoriale, vendosja e administratorëve të pallateve dhe administrimi me bordin e banorëve dhe rolit që do të luajnë në komunitet bordet e zgjedhura të pallateve. Po ashtu sipas kësaj qendre, mbetet shqetësuese çështja e ngritjes së incerneratorëve. Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti i Kërkimeve Urbane mjafton që ligji të zbatohet me përpikmëri dhe kjo nuk krijon asnjë problem e asnjë rrezik për importin e mbetjeve.
TAP do kushtojë 4.5 miliardë euro
Projekti Trans Adriatic Pipeline do të kushtojë 4.5 miliardë euro. Shifrën e bën të ditur drejtori menaxhues i projektit Ian Bradshaw për “Anadolu Agency”.
Sipas tij, TAP është në pritje për të siguruar fonde nga institucione ndërkombëtare financiare. Shifra e fundit e përllogaritur nga TAP është 4.5 mld euro.
Ian Bradshaw tha për “Anadolu Agency” se kjo shifër erdhi si rezultat i shpenzimeve inxhinierike dhe modifikimeve që i janë bërë projektit që ka nisur të realizohet që nga viti 2009, përfshirë këtu edhe zgjerimin e rrugës nga 520 km në 878 km.
TAP pret të sigurojë fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, si dhe nga Agjencia e Garantimit të Kredive Agjencive për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve. Sigurimi i financimeve pritet të përfundojë më 2017-n.
Bradshaw deklaroi se TAP është një projekt me rëndësi strategjike për Europën për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.
Zyrtari i TAP tha se projekti është në përputhje të plotë me programin e zhvillimit të Shah Deniz II, nga e cila do të bëhet edhe furnizimi me gaz.
Ndërtimi i stacioneve të kompresorëve do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2017.
“Ky do të jetë një aktivitet i vazhdueshëm gjatë rreth dy viteve. Procesi në det të hapur do të zhvillohet në dimrin e 2018/2019”, tha ai.
Bradshaw vlerësoi punën e kryer në vitin 2016 si të suksesshme.
Ishin 15 milionë km udhëtime, 8 milionë orë pune që projekti të përfundonte.
Nga data 23 janar, puna ka vazhduar në Greqi me gërmimet për vendosjen e mbi 200 km tubacioneve. 120 km tuba në gjatësi janë lidhur, rreth 100 km tuba janë ngjitur.
“Tubat vazhdojnë të mbërrijnë në Kavala, Selanik dhe Aleksandropulos. Deri më tani, më shumë se 60% e 32,000 tubave të nevojshëm për të ndërtuar seksionin 550 km janë dorëzuar”, tha ai.
Në Shqipëri, rreth 55 km janë pastruar dhe bërë gati për të pritur vendosjen e tubave, 50 km tuba janë lidhur dhe 40 km janë ngjitur.
“Kjo do të thotë se mes Greqisë dhe Shqipërisë, TAP ka pastruar një të tretën e korridorit të tubacionit – mbi 260 km nga 765 km”, shtoi ai.
Bradshaw tha se edhe në Itali, në përputhje me lejen e dhënë nga Ministria e Ekonomisë më 20 maj 2015, TAP vazhdon të përparojë aktivitetet e tij, për t’u vendosur në San Foca.
Çelet gara për peshkimin në 56 liqene, laguna dhe rezervuarë
Ministria e Bujqësisë ka hapur garën për aktivitetin e akuakulturës në 56 liqene, rezervuarë dhe laguna në të gjithë vendin.
Gara, e cila zhvillohet duke marrë në konsideratë ligjin e ri të peshkimit, synon që të japë aktivitetin me tender kundrejt vlerës që do t’i nënshtrohen garës. Në këtë mënyrë synohet që peshkimi të bëhet në mënyrë të kontrolluar pa dëmtuar akuakulturën dhe gjithashtu sektori formalizohet në mënyrë të plotë.
Rezervarët që kanë dalë në tender për të zhvilluar mbjelljen dhe vjeljen e peshkut shtrihen në të gjithë vendin. Ndër ta është edhe laguna e Orikumit dhe Liqeni i Ulzës.
Operatorët që do të marrin pjesë në garë do të çmohem me 40 pikë për nivelin e investimit, me 40 pikë të tjera për teknologjinë e projektit dhe 20 pikë për nivelin e punësimit. Zarfat me ofertat do të hapen më 14 shkurt.
Dokumentacioni që subjektet konkurruese, duhet të paraqesin, është si më poshtë:
a) kërkesa për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në objektin ujor të shpallur për konkurrim;
b) regjistrimin në QKR për objektin e veprimtarisë së bashku me ekstraktin historik;
c) plan biznesi për zhvillimin e veprimtarisë;
d) projekti teknik, teknologjik;
e) të dhëna për nivelin e investimit;
f) të dhëna për nivelin i punësimit;
g) vetëdeklarim se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë;
h) vërtetim nga organet tatimore që subjekti në fjalë nuk ka detyrime tatimore;
i) vërtetim se subjekti ka aplikuar pranë strukturave mjedisore për t’u pajisur me leje mjedisore (vetëm për rastet e akuakulturës intensive);
j) deklaratë mbi konfliktin e interesit.
Gjithashtu dokumentacioni i veçantë që paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim për çdo kategori ujore është specialist i fushës nëpërmjet CV profesionale, ku tё tregohet kualifikimi dhe përvoja nё fushёn e peshkimit dhe akuakulturës, garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në plan-biznes etj.
Kërcënohen nga Rama, japin dorëheqjen anëtarët e KED

Armand MAHO
Fushata e egër për të kapur gjyqësorin është kthyer në gjueti shtrigash, ku sulmin e orkestron dhe e dirgjon direkt Edi Rama i ndihmuar dhe nga mediat që ai ka nën urdhra
Kërcënimet dhe shantazhet të kryera direkt nga Edi Rama, po çojnë në dorëheqjen e gjyqtarëve, që u përzgjodhën me short për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Pa kaluar as dy ditë nga hedhja e këtij shorti dha dorëheqjen nga detyra dhe gjykatësi veteran Vladimir Kristo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili kritikoi ashpër vettingun e servirur nga Rama, duke e cilësuar si minues të besimit që publiku ka tek gjykatat. Kristo është gjyqtari i dytë që jep dorëheqjen pas shortit të dy ditëve më parë për anëtar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ku rezultoi fitues. Më parë kishin dhënë dorëheqjen nga detyra një prokuror dhe katër gjyqtarë të tjerë, mes të cilëve Mirela Fana edhe kjo e përzgjedhur nga shorti i dy ditëve më parë. Në fakt nuk është rasti që pikërisht ditën që u hodh shorti, dha dorëheqjen dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Mosdakortësia e Ramës u vu re nga deklarata që dha atë ditë deputetja socialiste Vasilika Hysi, kur tha se gjykatat dhe prokuroria nuk kanë përpiluar lista të “ndershme”. Kërcënimeve të Ramës nuk i kanë shpëtuar dhe gjyqtarë e prokurorë të tjerë, që ai si ka shumë për zemër. Në Vlorë u dorëhoq dhe kryetari i Gjykatës së Apelit të këtij qarku Ilir Çeliku, i emëruar në këtë post në nëntor nga KLD. Në Tiranë u dorëhoq gjyqtari Ilir Pashaj, në Kukës Drita Velaj, ndërsa në Krujë prokurori Sulejman Tola. Duket se fushata e egër për të kapur gjyqësorin është kthyer në gjueti shtrigash, ku sulmin e orkestron dhe e dirgjon direkt Edi Rama i ndihmuar dhe nga mediat që ai ka nën urdhra. Pasi i vuri për muaj të tërë nën survejim nga policia e Tahirit dhe kur pa që s’mund t’i nënshtronte, Rama ka marrë vetë frenat e shantazhit direkt, duke i kërcënuar ata që ta japin me çdo kusht dorëheqjen nga pozicioni që kanë. Me një gjuhë të denjë për kumbarët e mafias, ai nuk lë rast pa i kujtuar trupës gjyqësore dhe prokurorëve Vettingun e tij të famshëm.
Kërcënimi i hapur
Por zellin e tij për të futur në dorë gjyqësorin me anë të shantazhit, Rama e shfaqi dhe dje, kur përshëndeti dorëheqjet e gjyqtarëve në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale. Ja se çfarë shkruan Rama: “Përshëndes largimet vullnetare të gjykatësve/prokurorëve që s’duan të kalojnë vetingun! Drejtësia e Re nuk kapet dot si e Vjetra që po bie!”. Të njëjtën gjë e përsëriti dhe në një takim të djeshëm kur tha se nuk është dakort me gjysmën e atyre që u përzgjodhën sipas ligjit, duke i paralajmëruar publikisht se do të shkarkohen në rast se nuk japing dorëheqjen “Kjo drejtësi e korruptuar, që të kujton atë shprehjen e vjetër “jep shpirt, po s’heq dorë”, siç u pa edhe nga shorti që u hodh aty, ku gjysma e tyre janë për të shkuar në shtëpi, sapo të fillojë ligji i Vetting-ut”. Cili kryeministër apo president në ndonjë vend të botës mund të përshëndesë dorëheqjen e gjyqtarëve të tij, përveç se në vendet ku sundon mafia dhe krimi i organizuar?
Akuzat e Manjanit
Në fakt loja sapo është hapur. Mjetin e shantazhit e paralajmëroi një ditë më parë në ditën e dorëheqjes dhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, kur akuzoi direkt kryeministrin për shantazh ndaj trupës gjyqësore. Manjani tha se është Rama ai që merr direkt në telefon gjyqtarët për të burgosur persona të ndryshëm. “Pse duhet t’i telefonohet gjyqtarit që të fusë njerëz në burg, pse duhet t’i bëjë këto qeveria? Cila qeveri demokratike i bën këto? Imagjinoni Angela Merkel-in të marrë në telefon një gjyqtar dhe t’i thotë më fut në burg një katundar. Ç’janë këto histori”. tha Manjani. Por ish- ministri nuk do ndalej me kaq. Ai konfirmoi dhe një herë shqetësimin e ngritur se trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë vënë nën vëzhgimin e policisë prej kohësh, që kur u përgatit skenari për të kapur drejtësinë. “Pa diskutim që ne duhet ta bëjmë Reformën në Drejtësi, pa diskutim që gjykata duhet t’i përgjigjet sfidave të sotme, pa diskutim që duhet bërë Vetingu, pa diskutim që gjykata duhet të pastrohet, pa diskutim që na duhet një gjykatë krejt tjetër, nga kjo që kemi deri më sot, sepse ato kanë mëkatet e veta, por mëkati i tyre kryesor është se nuk godasin qeverinë. Se para se të shohim vilat e gjyqtarëve, duhet të shohim vilat tona. Kush do na i shohë vilat tona, gjyqësori i kapur? Prokurori që nuk guxon, sepse shahet me libër shtëpie. E dini, që prokurorët gjurmohen nga trupa operacionale speciale të policisë pa urdhër”, do shprehej ish-ministri i Drejtësisë.
Pas shortit të KED, Rama kërkoi shkarkimin e Manjanit
Por pakënaqësia e Ramës u vu re që në deklaratat e asaj dite, ku deputetja socialiste Vasilika Hysi, një bashkëpunëtore e vjetër e fondacionit Soros në Shqipëri, u shpreh e pakënqaur me procedurën që u ndoq për përzgjedhjen e anëtarëve të KED. Hysi do të shprehej se listat e dërguara në Kuvend ishin përpiluar në mënyrë “të pandershme” nga trupa gjyqësore dhe Prokuroria. Në fakt, kjo deklaratë s’mund të përkthet ndryshe vetëm se listat që i janë dërguar Kuvendit, sipas Hysit nuk kanë marrë pëlqimin e Ramës. Kjo ka bërë që të shpërthejë një valë zemërimi i Ramës, i cili po atë natë i kërkoi Metës shkarkimin e Ylli Manjanit, me paranojën se ai është “puçisti” që i ka minuar Ramës dhe kapjen e sistemit të gjyqësorit, megjithëse Meta ishte vetë i pranishëm në shortin e hedhur. Duket qartë tashmë, se etja për të pasur pushtet të pakufishëm në të gjitha qelizat e shoqërisë po e bën kryeministrin të papërmbajtshëm. Njeriu, i cili nuk pranon asnjë kundërshti, dhe asnjë pushtet që është jashtë kontrollit të tij po hidhet në sulm për ta kapur drejtësinë in bllock. Eshtë pikërisht alarmi që opozita e ka dhënë prej kohësh, se Vettingu ashtu siç është i hartuar s’mund të jetë gjë tjetër vetëm se arma e Ramës për të shantazhuar në çdo qelizë sistemin gjyqësor, pasojat e të cilit janë parë këto ditë me dorëheqjet e gjyqtarëve, ndërsa kulmi do ishte shkarkimi i Manjanit.
Organizatat e Soros “detyruan” Xhafën të ripërsërisë garën për Avokatin e Popullit
Në ditët e fundit të vitit të shkuar Komisioni i Ligjeve vendosi që të rihapë edhe një herë garën për kandidimin e atyre që synojnë të marrin postin e rëndësishëm të Avokatit të Popullit. Por duket se ashtu si fillimisht në Reformën në Drejtësi, edhe në këtë “puç institucional” kanë dorë organizatat e Sorosit në Tiranë. Është zbuluar së fundmi një dokument, në të cilin tregohet se kanë qenë pikërisht këto klone të Sorosit që kanë ndërhyrë te kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, për të rihapur edhe një herë procesin e regjistrimit të kandidatëve pasi ai ishte mbyllur një herë, në kundërshtim të plotë me ligjin. Dhe në fakt ashtu u bë, siç donin sorosianët e Tiranës. Tashmë në lojë janë futur, edhe ata që kërkon kryeministri Rama me çdo kusht, që të bëhen Avokat i Popullit.
Në atë kohë ishte Partia Socialiste që këmbënguli në rihapjen e garës për aplikimet për Avokat të Popullit me pretendimin se të interesuarit nuk ishin njoftuar siç duhet. Në një mbledhje jashtë radhe, Komisioni i Ligjeve, që është dhe komisioni përgjegjës, vendos mes debatesh rihapjen e garës dhe shtrirjen e afatit për aplikimet me 20 ditë. Lëvizja Socialiste për Integrim përmes anëtarit të saj në Komisionin e Ligjeve, Petrit Vasili, kundërshtoi socialistët që argumentonin se kishte më shumë të interesuar se sa 3 personat që kishin aplikuar brenda afateve ligjore. Anëtarët e LSI në Komisionin e Ligjeve votuan kundër rihapjes së garës, që siç shihet u ka dhënë mundësinë të aplikojnë edhe shumë të interesuar të tjerë.
Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota, ndërsa PD tha se kandidati për Avokat të Popullit i takon asaj sipas një marrëveshjeje të bërë vite më parë kur PS ka qenë në opozitë. Përveç pretendimeve të Partisë Demokratike, se sipas një marrëveshjeje të bërë 5 vjet më parë Avokati i Popullit i takon opozitës, duket se ka një rivalitet të hapur edhe mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta mbështet hapur Igli Totozanin dhe Lefterie Luzin.
Por Edi Rama me futjen në lojë të Genci Gjonçajt dhe kunatës së ministrit Bled Çuçi, i ka lënë për të kuptuar aleatit të tij se Avokatin e Popullit e do për vete dhe vetëm për vete. Edhe ky luan me gur rezervë, sepse në listë është edhe një familjar i një prej ministrave të tij. Në fakt ajo që e bën Ramën të hapë këtë lloj lufte të re ndaj aleatit të tij janë kompetencat e reja kushtetuese, që merr ky institucion pas Reformës në Drejtësi. Kjo përplasje nuk bëhet për emra, por për të pasur njerëzit e tyre dhe kontroll në procesin e Vettingut.
Prandaj duket se Rama e ka ndarë mendjen, që ta shkelë marrëveshjen e kërkuar vetë 5 vite më parë kur ishte në opozitë që Avokati i Popullit të propozohet gjithmonë nga opozita. Dhe kjo u duk që kur këmbënguli në rihapjen e garës me pretendimin, se të interesuarit nuk ishin njoftuar siç duhet, duke shkelur hapur ligjin. Pavarësisht kundërshtimeve edhe votave kundër të aleatit të saj LSI-së, e cila e kishte nuhatur qëllimin e vërtetë të kryeministrit, me shumicë votash u vendos shtrirja e afatit për aplikimet me 20 ditë. Dhe kështu ndodhi, shtyrja u bë vetëm për një emër që në fakt siç del edhe nga dokumenti që po botojmë sot, ka dalë nga rrjeti i organizatave të Sorosit që veprojnë fuqishëm në Tiranë.
Rama, 1.5 miliardë euro koncesione para zgjedhjeve

Kryeministria Edi Rama dhe ministri i Ahmetaj lajmërojnë dhënien e koncesioneve masive në 5 muajt në vijim sipas formës me partneritet publik privat- me një vlerë investimi 1 miliard euro. Kryeministri e prezantoi skemën e investimeve në një takim të posaçëm me sipërmarrës dhe bankat. Koncesionet do të jepen vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare dhe ato janë një rast i paprecedent.
Para largimit nga qeveria Rama thotë se do të ushqejë mirë klientelën e tij me qëllim të sigurimit të përfitimeve personale për një kohë të gjatë. Edhe pasi të shporret nga pushteti.
Skema e investimit është e tillë: Projektet do të jenë në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe bankat në vend, duke shtuar kapital nëpërmjet investimeve private.
Rëndësia e këtij projekti lidhet me faktin se nuk do të shtojë borxhin, ka nënvizuar Rama.
Në bazë të prioriteteve të qeverisë, sipërmarrjet do të hartojnë projektet. Dy vitet e para, sipërmarrjet do të financojnë vetë projektin dhe pas vitit të tretë qeveria do të fillojë të shlyejë detyrimet.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se partneritetet publike private tani do të jepen me procedurë të përshpejtuar, brenda 130 ditëve, duke lehtësuar kështu procesin e dhënies me koncesion.
Kjo është parë si një mundësi strategjike, nga ana e Shoqatës së Bankave, për të pasur shërbime më të mira.
Rama, shtoi se projekti është i fuqishëm edhe se bankat janë shumë likuide dhe do të mundësojnë financimin e projekteve të mëdha dhe bindëse me garancitë përkatëse.
Programi do të koordinohet nga zv.kryeministri, Niko Peleshi dhe ne jemi të gatshëm të japim të gjithë informacionin. Legjislacioni aktual i ka të gjithë hapësirat për të garantuar programin, ndërsa për projektet që shkojnë përtej një volumi të caktuar, do t’i drejtohemi Parlamentit. Për projekte më të vogla, kjo nuk do të jetë e nevojshme. Kemi hartuar një udhërrëfyes me hapat që do të ndiqen, ka shtuar Kryeministri. Udhërrëfyesi ka dhe modelet e kontratave standarde, instrumentet dhe hallkat që duhen të ndiqen. Për një pjesë të madhe të këtyre prioriteteve ne do të na duhet projekti nga sipërmarrjet. Është një program ambicioz që kërkon koordinim të mirë, ka përfunduar Rama.
Nikolin Jaka, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, tha se mirëpresin këtë projekt, por ajo çfarë ngelet për të diskutuar me kujdes është se sa fleksibël dhe si do të jetë marrëdhënia e sipërmarrjes me sistemin bankar. Gjithsesi shpresojmë që sistemi bankar të jetë më fleksibël. Duhet të dimë se kush janë prioritetet e qeverisë që sipërmarrja të bëjë projektet bazuar mbi to, ka shtuar Jaka.
Rama, kemi të përgatitur listën e prioriteteve dhe do t’i vihet në dispozicion të gjitha bankave.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, tha se prioritet duhet të jetë dhe investimi në shërbimet e munguara në vend, në mënyrë që të kanalizohen investimet dhe burimet financiare të biznesit, të cilat në ekonominë tonë duhet thënë se janë të kufizuara. Vlerësojmë shumë të rëndësishme prioritetin e dhënë ndaj arsimit dhe shëndetësisë, por duhet dhënë prioritet dhe bujqësisë. Duhet përmirësuar infrastruktura në bujqësi, kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Konsideroj shumë të rëndësishme që PPP të futet dhe në shërbimet e munguara, siç është fusha e sigurisë ushqimore ku 60% e produkteve shqiptare janë të paeksportueshme për shkak se mungon ky shërbim.
Freedom House: Shqipëria më pak e lirë se më parë
Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë. Raporti për vitin 2017 i Freedom House e rendit Shqipërinë në vendin e 68 nga 195 vende të marra në analizë. Kjo renditje është më e ulët se e një viti më parë, ku ishim të 67-t.
Sa u përket të drejtave politike, Shqipëria merr 3 pikë (vlerësimi 1:7, ku 1 është më e lira dhe 7 më pak e lira). I njëjti vlerësim vlen edhe për të drejtat civile (3:7).
Ky është viti i 11 që organizata Freedom House boton këtë raport.
Edhe Kosova, në këtë raport, kategorizohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, ashtu siç ishte edhe vitin e kaluar.
Në vendet që raporti cilëson si të “lira” renditen vende të tilla si: Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Hungaria, Polonia, Serbia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Spanja, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga 195 shtete të marra në vlerësim, 87 (45%) janë klasifikuar si të “lira”, 59 (30%) si “pjesërisht të lira” (ku përfshihet edhe Shqipëria) dhe 49 (25%) si “jo të lira”. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut kanë renditjen më të keqe në botë për vitin 2016, të ndjekur nga afër nga Euroazia.
Një prej shkelësve më të mëdhenj në vitin 2016 ishte Rusia, vlerëson Freedom House.
“Rusia, në paraqitjen e jashtëzakonshme të arrogancës dhe armiqësisë, ka ndërhyrë në proceset politike në Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera, e ka përshkallëzuar mbështetjen e saj ushtarake për pushtetin diktatorial të Bashar al-Assadit në Siri dhe e ka forcuar okupimin e saj ilegal në territorin e Ukrainës”, thotë raporti.
Sa i përket Ballkanit, raporti “Liria në botë 2017” vlerëson se proceset korrekte zgjedhore dhe sundimi i ligjit janë përkeqësuar edhe më tutje, derisa Bashkimi Europian e ka neglizhuar rolin e vet në promovimin e demokracisë në mesin e shteteve që synojnë pranim.
Përfaqësues të organizatës Freedom House thonë se kanë “shqetësime, meqë duket se BE-ja dhe SHBA-të janë më tepër të fokusuara në çështjet e brendshme”. Në këtë aspekt, zëdhënësja e grupit Freedom House, Sarah Repucci, tha:
“Këtë vit, ne jemi veçanërisht të shqetësuar, pasi duket sikur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mund të jenë më tepër të shqetësuara për çështjet e brendshme sesa të shërbejnë si shembull për vendet e tjera ose për t’i ndihmuar demokracitë e tyre. Pra, është shqetësim veçanërisht për ato vende, që janë në krahun lindor të Rusisë dhe po ashtu, në Ballkan, ku ne mund të fillojmë të shohim më tepër lëvizje të kundërta”.
Në raport argumentohet se demokracitë madhore “janë të zhytura në ankth dhe pavendosmëri, pas zhvillimeve siç ishte votimi për dalje të Britanisë nga BE-ja” dhe “përfitimet nga partitë ksenofobike nacionaliste gjetkë në Europë, si dhe fitorja e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara”.
Kosova, kreditë e këqija u ulën në 5.1%
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) deklaroi se sektori bankar regjistroi rënie të kredive joperformuese dhe përmirësim të mbulimit të tyre me provigjone. “Pjesëmarrja e kredive joperformuese në gjithsej kreditë e sektorit u zvogëlua në 5.1 për qind si rezultat i rënies vjetore prej 18.7 për qind të vlerës së kredive joperformuese, si dhe përshpejtimit të rritjes së gjithsej kredive. Kjo ndihmoi edhe në rritjen e mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione, e cila u rrit në 122.1 për qind”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë. Sipas BQK-së, sektori vazhdon të ketë nivel të lartë të kapitalizmit, me treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit që qëndroi në 18.3 për qind në shtator 2016. “Treguesi i likuiditetit shënoi rënie në krahasim me vitin paraprak, si pasojë e zbatimit të normës negative të interesit në rezervat e mbajtura nga bankat komerciale në BQK mbi rezervën e detyrueshme, e që rrjedhimisht ndikoi në zvogëlimin e vlerës së parasë së gatshme dhe bilancit me BQK-në gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, sektori bankar vazhdon të shfaqë pozicion të kënaqshëm të likuiditetit”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.
Remitancat në Kosovë përdoren për mbijetesë
Mbi gjysmë miliard euro llogariten remitancat në Kosovë. Por, këto para, sipas ekspertëve, kryesisht janë destinuar për mbijetesën e familjeve dhe shumë pak për investime në biznes. Remitancat sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende nga të cilat dërgohen 35.1 për qind, përkatësisht 24 për qind të totalit. Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati, në një prononcim për Radion Europa e Lirë, thotë se dërgesat e emigrantëve kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe në mirëqenien e familjeve në Kosovë, vite me radhë. Megjithatë, tani sipas tij, është koha që t’iu ndërrohet orientimi këtyre mjeteve. “Remitancat janë një faktor i rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes sociale dhe të konsumit në Kosovë, por ne duhet të bëjmë përpjekje që remitancat të marrin një karakter tjetër, karakterin zhvillimor. Remitancat do të duhej të shërbenin më shumë për investime, sesa për një gjendje të mbijetesës ekonomike apo sociale”, thekson Kastrati. Që këto mjete të diasporës të orientohen në investime në sektorë të ndryshëm ekonomikë, autoritetet e vendit, thekson Kastrati, duhet të krijojnë një ambient të favorshëm biznesor. “Për këtë, qeveria e Kosovës duhet të ketë një rol të rëndësishëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit me diasporën ekonomikisht më të fuqishme dhe përmes krijimit të një ambienti më të favorshëm biznesor brenda Kosovës”, shton Kastrati. Gjatë vitit të kaluar, përfaqësues të bizneseve të Kosovës thanë se kanë zhvilluar takime me diasporën e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Europa e Lirë thotë se edhe diaspora është e interesuar që këtyre mjeteve t’iu ndërrohet orientimi, por se duhet të krijohen kushte për ata investitorë potencialë. “Gjithë ato mjete që ne i marrim nga diaspora pothuajse mbi 90 për qind shkojnë në konsum e ai konsum i dedikohet pothuajse më shumë se 50 për qind të importit të produkteve nga Serbia, dhe kapitali i diasporës po shkon në Serbi e ky është një shqetësim i madh i diasporës që ata e kishin ngritur në një Forum ekonomik në Austri”, ka bërë të ditur Shahini. Të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë, me 14 për qind. Emigrantët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës vite më parë patën shprehur interesim për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete. Nga ekspertë të fushës ishte vlerësuar që marrëdhënia me diasporën kosovare të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë të tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre, Kosova duhet të bëhet një vend ku sundon ligji, ku zhvillohet luftë e ashpër kundër korrupsionit dhe ku mbizotëron një mjedis i favorshëm për biznes.