“Pas njëzet e një vjetëve të jashtëzakonshëm, vendosa t’i jap lamtumirën futbollit. Ka ardhur koha të nis një kapitull të ri në jetën time…”. Kështu nisi njoftimi i befasishëm i publikuar nga Frank Lampard në “Facebook”, për t’i zyrtarizuar botës tërheqjen nga futbolli i luajtur. 2 shkurti 2017 do të mbahet mend në histori si data e lamtumirës së një prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit.
Një mesfushor modern, në gjendje të shënojë gola, të japë asist, me klas të jashtëzakonshëm dhe personalitet e profesionalizëm të pashoq. Ndoshta mesfushori më i mirë anglez në histori, së bashku me Gerrard dhe Beckham.
Thjesht një legjendë, ashtu siç u cilësua me të drejtë edhe nga faqja zyrtare e Premier League në “Twitter”. Lampard është një prej lojtarëve të paktë që kanë luajtur mbi njëmijë ndeshje në karrierë, prej të cilave plot 607 vetëm në Premier League, ku numëron edhe 177 gola të realizuar dhe 102 asist.
Ai është shënuesi më i mirë në historinë e Chelsea-t, pavarësisht se renditet i treti në klasifikimin special për ndeshje të luajtura me blutë e Londrës. Ndërkohë, me përfaqësuesen angleze, Frank Lampard ka koleksionuar 29 gola në 106 ndeshje.
Në karrierën e jashtëzakonshme, mesfushori ka fituar dy Superkupa të Anglisë, dy Kupa të Ligës, 4 Kupa të Anglisë, një trofe të Europa League, por mbi të gjitha tre tituj kampion në Premier League dhe një trofe të Champions në sezonin 2011-2012.
Lampard shprehu gjithashtu mirënjohje për Federatën angleze që i dha mundësinë për të marrë pjesë në kurset për trajnerë, për të nisur një aventurë të re pranë futbollit, këtë herë në stol.
Lampard lamtumirë futbollit
Egjipti në finalen e Kupës së Afrikës
Është Egjipti skuadra e parë finaliste e këtij edicioni të Kupës së Afrikës, kompeticion që po zhvillohet aktualisht në Gabon. Të besuarit e trajnerit Hector Cuper, mposhtën në gjysmëfinale pas goditjes së penalltive Burkina Fason, teksa koha e rregullt dhe 30 minutat e shtesës përfunduan në barazim 1-1. Salah me një supergol u duk sikur i dha kualifikimin, Faraonëve, por Bance u përgjigj për Burkina Fason. Shtesa nuk prodhoi asgjë dhe u nevojit goditja e penalltive për të përcaktuar skuadrën fituese.
Falë dy pritjeve të portierit 44-vjeçar El Hadary, i cili u shndërrua papritur në heroin e mbrëmjes, Egjipti u kualifikua në finalen e madhe të Kupës së Kombeve të Afrikës për vitin 2017, aty ku ekipi i Hector Cuper do të synojë të fitojë për herë të 8 në histori këtë kompeticion. Në Liberville, rastin e parë për gol e krijoi Burkina Faso, por El Hadary devijoi në këndore goditjen me të djathtën të Blatit. E nisi shumë më mirë ndeshjen skuadra e trajnerit portugez Paulo Duarte, me Bance që në të 16-tën iu afrua ndjeshëm golit. Rastin e parë Egjipti e krijoi një minutë më pas me Trezeguet, por topi për fare pak përfundoi jashtë.
Në fillim të pjesës El Hadary që s’e ka aspak problem moshën, ishte sërish protagonist duke evituar një gol të sigurtë të Bertrand Traore. Në të 66-tën u zhbllokua më në fund sfida me Salah që shpiku një gol të bukur për avantazhin e Faraonëve. Por nuk vonoi shumë dhe në të 73-tën, Bance bëri gjithçka mirë duke mposhtur El Hadary-in dhe duke barazuar shifrat. Në minutat e mbetura, Burkina Faso provoi ta fitonte ndeshjen, por Egjipti rezistoi dhe sfida shkoi në shtesë. Edhe në 2 pjesët nga 15 minuta rastet më të mira i krijoi skuadra e trajnerit Duarte, por nuk ja doli të gjente dot golin e avantazhit.
Gjithçka u vendos nga penalltitë aty ku Egjipti nisi gjithçka keq sepse Koffi ndali tentativën e parë El Said, por Burkina pasi realizoi 3 goditjet e para humbi 2 të fundit me El Hadary-in që priti goditjet e Kouakou dhe Traore, duke i dhënë kualifikimin Faraonëve sepse në krahun tjetër Salah me shokë realizuan të gjithë me radhë. Falë këtij suksesi Egjipti skuadra më e titulluar e Kupës së Afrikës e sheh veten në finalen e madhe aty ku do të provojë ta fitojë për herë të 8 këtë kompeticion.
Arrihet akordi
Antoine Griezman te Manchester United është pothuajse gjithçka e kryer. Sipas mediave franceze është arritur marrëveshja për kalimin e sulmuesit të Atleticos së Madridit te Djajtë e Kuq në verën e ardhshme. Ndaj Barcelonës në humbjen 1-2 të Los Colchoneros në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit, 25-vjeçari realizoi golin e vetëm për skuadrën e Diego Simeones, por edhe pse për momentin ndihet mirë në “Vicente Calderon”, në korrik të këtij viti Griezman do të nisë një aventurë të re. Sulmuesi i përfaqësuesve së gjelave është i intriguar nga kampionati anglez dhe dëshiron ta vazhdojë karrierën pikërisht në ishull.
Te United Griezman do të luajë përkrah shokut të tij në kombëtare mesfushorit Paul Pogba, i cili ka patur një rol kyç që 25-vjeçari të pranonte ofertën e klubit nga “Old Trafford”, ndërkohë me shumë gjasa ish-lojtari i Real Sociedadit do të formojë një dyshe ëndrrash në sulm me gjigantin suedez Zlatan Ibrahimoviç. Me Manchester United, Griezman do të firmosë një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë plot 18 milionë euro në sezon, aq sa merr aktualisht edhe Paul Pogba. Për lojtarin interesohen edhe shumë klube të tjera të mëdha, si Bayern Munich, Chelsea dhe Interi, por Griezman ka zgjedhur skuadrën e Jose Mourinhos.
Ndërkohë për t’ia shkëputur Atleticos së Madridit sulmuesin francez drejtuesit e United do të paguajnë klauzolën e largimit të lojtarit nga Los Colchoneros që kap shifrën e plot 100 milionë eurove. Me Atleticon Griezman ka një kontratë deri në vitin 2021, por sipas të gjitha gjasave ky është sezoni i tij i fundit me Los Colchoneros.
Mançester Junajtid hodhi një tjetër hap të gabuar në misionin për një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. “Djajtë e Kuq” nuk shkuan dot përtej barazimit pa gola në shtëpi përballë Hall Sitit të vendit të parafundit. Ky rezultat e lë ekipin e Mourinhos në vendin e gjashtë me 42 pikë.
Në takimin tjetër të mbrëmjes, beteja e mesit të tabelës mes Stok Sitit dhe Evertonit u mbyll në barazim 1-1. Piter Krauç kaloi vendasit përpara pas shtatë minutash lojë, por autogoli i mbrojtësit Rajan Shaukros baraspeshoi rezultatin në pjesën e parë (39’). Pas këtij barazimi, Evertoni renditet i shtati me 37 pikë kurse Stok Siti dy shkallë më poshtë në kuotën 29.
Ndërkohë, Mançester Siti nuk gabon dhe në javën e 23-të të Premier Ligës fiton 4-0 në fushën e Uest Hemit. Skuadra e Pep Guardiolës iu rikthye lojës së bukur dhe rezultatit pozitiv pas zhgënjimeve në ndeshjet e fundit.
Miqtë nga Mançesteri mbyllën llogaritë që në pjesën e parë falë golave të De Brujnit (17’), David Silvës (21’) dhe Gabriel Zhezusit (39’). Për sulmuesin brazilian ky është finalizimi i parë me “Qytetarët”. “Pokerin” e vulosi Jaja Ture me një penallti në të 67-n. Kjo fitore e ngjit Sitin në pozitën e pestë me 46 pikë, aq sa ka edhe Liverpuli që renditet i katërti. Kurse Uest Hemi mbetet i 11-ti në kuotën 28.
Higuain: Juve njësoj si Reali, mentalitet fitues
“Juventusi është si Reali i Madridit, janë skuadra që të mësojnë të fitosh”. E thotë Gonzalo Higuain dhe ka arsye për t’i besuar, argjentinasi ka folur për mediat spanjolle duke krahasuar skuadrën e tij të parë dhe të fundit në Europë, Realin dhe Juven. Ka një diferencë të madhe sipas El Pipitas mes “Santiago Bernabeut” dhe “Juventus Stadium”. “Në Itali publiku nuk është aq kërkues sa te Reali. Nuk është në kulturën e tifozëve juventinë të vërshëllejnë lojtarët e tyre”, tha ai.
Për të thënë të vërtetën Higuain ka shkuar te Juventusi në një moment kur tifozët bardhezinj nuk është se kanë ndonjë gjë të madhe për t’u ankuar. Me Juven sipas tij, ishte dashuri me shikim të parë. “Fakti që një skuadër më kërkoi dhe pagoi një klauzolë kaq të lartë për të më marrë, më bën shumë krenar për atë që ndodhi”, tha Higuain.
Për sa i përket lojtarëve të klasit, Higuain i bën elozhe shokut të tij të skuadrës Dybala, për të cilin thotë se është një fenomen dhe i duhet vetëm të ruajë qetësinë, por nuk mungon komenti edhe për dy yjet e La Ligas.
“Nuk kam thënë kurrë që Messi dhe Ronaldo nuk do të shënonin aq shumë në Itali, kam thënë vetëm se kjo do të ishte një sfidë e bukur”. Asnjë dyshim ndërkohë për sa i përket lojtarit që është pika e referimit për Higuain. “Shikoj vazhdimisht videot e Ronaldo Nazaroi, fenomenit për të mësuar, për mua ka qenë më i miri i gjithë historisë”, përfundoi Higuain.
UEFA jep 333 mijë euro për 4 klube shqiptare
UEFA shpërndan rreth 333 mijë euro për klubet shqiptare. Përfitimet janë pjesë e fondit të solidaritetit me vlerë 150 milionë euro që Konfederata Europiane i ka shpërndarë klubeve të 54 vendeve pjesëmarrëse në kualifikueset e Kampionatit Europian “Francë 2016” dhe në fazën finale të turneut. Partizani është skuadra që arkëton më tepër, rreth 129 mijë euro. Të ardhurat janë përfituar nga grumbullimet e portierit Alban Hoxha me kombëtaren. Skënderbeu pozicionohet e dyta përsa i takon të ardhurave me afro 120 mijë euro, të përfituara nga prezenca në skuadrën kuqezi e portierit Orges Shehi.
Shifra e përfituar nga Partizani dhe Skënderbeu përbën pjesën më të madhe të përfitimeve, sepse dy portierët përveçse kanë qenë pjesë e ekipit të De Biasit në kualifikuese ishin edhe të vetmit lojtarë të kampionatit shqiptar, që morën pjesë edhe në finalet e Euro 2016. Tirana përfitoi diçka më tepër se 46 mijë euro nga UEFA, prej grumbullimeve të ish-kapitenit Ervin Bulku, ish-mbrojtësit Debatik Curri, ish-portierit Stivi Frashëri dhe kapitenit aktual Erando Karabeci.
Skuadra e katërt shqiptare që siguroi fonde nga Kampionati Europian është Flamurtari. Vlonjatët përfituan rreth 38 mijë euro nga ish-sulmuesi Nikoloz Gelashvili, që gjatë aktivizimit me kuqezinjtë ishte i angazhuar me përfaqësuesen e Gjeorgjisë në kualifikuese. Në total UEFA shpërndau 150 milionë euro, me shifrën që u rrit me 50 milionë euro në krahasim me Euro 2012. 100 milionë euro u përfituan nga klubet që kishin lojtarë në fazën finale të turneut, ndërsa 50 milionë euro mes skuadrave, lojtarët e të cilëve ishin grumbulluar gjatë kualifikueseve. Nga programi i pagesave të solidaritetit përfituan një numër rekord prej 641 klubesh europiane.
Klubet angleze janë ato që kanë përfituar më tepër, duke ndarë plot 38,3 milionë euro të ardhura nga UEFA. Në vendin e dytë pozicionohet Gjermania me rreth 18,5 milionë euro, e ndjekur nga Italia me afro 16 milionë. Vetëm në vendin e katërt Spanja me 10,4 milionë euro përfitime për klubet, që ndiqet nga Franca me 7,2 milionë euro.
Hysaj mes Realit dhe Barcelonës
Elseid Hysaj shuan 23 qirinj. Mbrojtësi shqiptar festoi për herë të dytë ditëlindjen te Napoli, me një dedikim special të klubit të Serisë A në faqet zyrtare në rrjetet sociale. Urimet për lojtarin që është një titullar i padiskutueshëm i kombëtares së drejtuar nga Gianni de Biasi dhe absolutisht një prej yjeve kuqezi, nuk munguan as nga Federata shqiptare e Futbollit.
23-vjetori i Hysaj ishte një ditë speciale, jo vetëm për festën, por edhe për momentin që po përjeton djaloshi i lindur në Shkodër. Protagonist i padiskutueshëm në dy sezonet e fundit të Napoli dhe një prej elementëve më të rëndësishëm të trajnerit Sarri, ai është konfirmuar si një lojtar i nivelit botëror dhe interesimi nga klubet më të mëdha europiane nuk mungon. Pas Chelsea-t dhe Arsenal-it në Premier League, që cilësohen si skuadrat angleze më të favorizuara, në garën për Elseid Hysajn janë edhe dy gjigantët e La Liga-s spanjolle.
Vetëm pak orë më parë Barcelona riktheu interesin për lojtarin shqiptar, sepse prej largimit të Dani Alves klubi katalan po vuan që të gjejë garanci në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kuqeziu ka nxitur edhe një duel me rivalët e përjetshëm të “blaugranave”, pasi Hysaj figuron edhe në listën e dëshirave të Realit të Madridit.
Megjithatë, për momentin mbrojtësi është i përqendruar te Napoli, edhe sepse pak muaj më parë rinovoi me italianët deri në vitin 2021, ndërsa gjatë verës klubet e interesuara duhet të paguajnë klauzolën me vlerë 50 milionë euro për prishjen e kontratës.
Kongresi Amerikan kërkon shkarkimin e ambasadorit të SHBA në Shkup
Gjashtë kongresistë republikanë tashmë kanë nënshkruar një letër, të cilën ia kanë dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, duke i kërkuar shkarkimin e ambasadorit të SHBA-së në Shkup, për shkak të bashkëpunimit me Fondacionin e George Sorosit. Kongresisti udhëheqës republikan amerikan, Kristofer Smit (Christopher Smith), paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje Sekretarit të sapoemëruar të shtetit, Reks Tilerson, që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli, njofton MIA. Në krye të grupit nga gjashtë kongresistë republikanë, Smit që nga mesi i janarit ka kërkuar shpjegim nga ambasadori Bejli për akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të Fondacionit të Xhorxh Sorosit në Maqedoni. Pasi Bejli nuk i është përgjigjur letrës së kongresistëve, Smit, i cili është anëtar i Komisionit kongresist për punë të jashtme dhe kryeson me Komitetin e Helsinkut për bashkëpunim me OSBE-në, deklaroi se nevojitet hetim i thellë i aktiviteteve të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe shkarkim të ambasadorit.
“Ambasadori amerikan nuk guxon të ketë rol në formimin e qeverisë dhe të marrë anë gjatë formimit të koalicionit. Ai nuk është vend i SHBA-së as i përfaqësuesve amerikanë në Shkup. Ne, si grup i kongresmenëve, parashtruam pyetje konkrete në këtë letër se, nëse ka pasur ose jo bashkëpunim ambasada me partitë majtiste në zgjedhje. Ne nuk guxojmë të kemi rol në këtë. Duhet të jemi për zgjedhje të lira dhe korrekte dhe qasje ndaj mediave, por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mbajmë anë. Ky ambasador ka mbajtur anë dhe duhet të shkarkohet menjëherë. Unë jam në Kongres 37 vite dhe jam anëtari më i vjetër i Komisionit për bashkëpunim me OSBE-në dhe me Komisionin për të drejtat e njeriut. Nuk ka ndodhur që ambasadori ynë në Shkup të mbajë anë në këto zgjedhje ose në cilado qoftë zgjedhje të tjera në të kaluarën ose në të ardhmen. Kjo nuk është punë e tij. Dëshirojmë të zbulojmë gjithçka dhe për këtë arsye kërkojmë nga inspektori i përgjithshëm të dorëzojë raport. Në qoftë se e kanë shkelur ligjin, do të përgjigjen”, deklaroi kongresmeni Smit për Radio Televizionin e Maqedonisë. Smit posaçërisht reagoi ndaj informatave se Ambasada amerikane është financier serioz i aktiviteteve të organizatave joqeveritare të lidhura me fondacionin e Sorosit dhe thotë se në qoftë se SHBA-ja ndan financa për aktivitete të këtilla, kjo duhet të bëhet në mënyrë neutrale dhe pa mbajtur anë politike. Letrën të cilën kongresmenët e kanë dërguar deri te ambasadori Bejli më 17 janar, krahas Smitit, është nënshkruar nga kongresmeni i njohur nga Teksasi Lui Gomert, Robert Aderholt, i cili është mbështetës afatgjatë i Maqedonisë në Kongres, Rendi Haltgrin, Robert Pintenger dhe Xhed Fortenberi. Të gjithë nënshkruesit janë republikanë të afërt me administratën e presidentit Donald Tramp dhe në letër parashtrohen një sërë pyetjesh për aktivitetet e Ambasadës në Shkup, për mbështetjen e saj ndaj partisë LSD, dhe për financimin e aktiviteteve të Sorosit. Letra e kongresmenëve vjen pasi senatori Majk Li, gjithashtu nga Partia Republikane në pushtet, publikisht i bëri thirrje ambasadorit Bejli përmes rrjeteve sociale, që të japë shpjegim për financimin e projekteve të fondacionit të Xhorxh Soros në Maqedoni. “E vlerësojmë shumë bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Maqedonisë në 25 vitet e fundit nga pavarësia e saj. Ky bashkëpunim mundësoi që SHBA-ja të kontribuojë ndaj zhvillimit politik dhe ekonomik të Maqedonisë, derisa Maqedonia ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe ka kontribuuar ndaj prioriteteve tona të jashtme politike. Konsiderojmë se do të ishte me të vërtetë konstruktive për marrëdhëniet tona të ndërsjella, nëse në Maqedoni zhvillohet ndjenja se SHBA-ja përzihet në çështjet e saja të brendshme politike, në mediat dhe shoqërinë civile, në mënyrën në të cilën një opsion politik ndihmohet kundrejt tjetrës. Shpresojmë se do të marrim informacione të sakta nga ju më së voni dy javë pas dërgimit të kësaj letre. Gjithashtu shpresojmë se do të jeni në dispozicion të takoheni me ne gjatë vizitës tuaj të ardhshme në Uashington”, shkruan në letrën e kongresistëve deri te ambasadori Bejli.
Pasi që kongresistët nuk morën përgjigje, ata paralajmëruan fillim të hetimit dhe bëjnë thirrje në shkarkimin e ambasadorit Bejli. “Porosia jonë është se, nëse qeveria amerikane ka marrë një anë politike, ajo ka bërë gabim të madh dhe ata të cilët e kanë bërë këtë duhet të kërkojnë falje dhe të ndalojnë menjëherë”, thotë Smith në deklaratën për RTVM. Në letrën e dërguar deri te ambasadori Bejli, thuhet se deri te Kongresi kanë arritur paralajmërime serioze për partizim të punës së Ambasadës amerikane në Shkup. Në pyetjet e drejtpërdrejta të drejtuara deri te ambasadori Bejli, kongresistët e pyesin për përzierjen e ambasadës në ngjarjet politike në Maqedoni.
Kongresistët e pyesin ambasadorin Bejli, nëse është e vërtetë se ambasada amerikane e ka zgjedhur Fondacionin “Shoqëri e hapur Maqedoni”, më mirë të njohur si Fondacioni i Xhorxh Soros, të zbatojë projekte të mëdha të financuara nga ana e organizatës amerikane për zhvillim USAID. Në lidhje me mbështetjen amerikane për mediat në Maqedoni, shtrohet pyetja nëse paratë shtetërore amerikane i janë dhënë Fondacionit të Soros-it që përmes tij të financohen mediat e orientuara majtiste. Kongresistët kërkojnë nga Bejli t’i informojë sa nga mediat që i ka financuar Ambasada ose misioni i USAID-it janë majtiste, e sa djathtiste të orientuara dhe pyesin edhe nëse ambasada amerikane ka ndikuar që të miratohen ligje me të cilat është kufizuar bashkëpunimi i shprehjes së mediave dhe gazetarëve, që ndodhi në periudhën parazgjedhore.
Në mënyrë shtesë, sa i përket financimit të organizatave joqeveritare, kongresistët pyesin “Sa nga organizatat joqeveritare, të cilat marrin mjete amerikane, duke përfshirë edhe përmes FHSHC, janë përcaktuar politikisht gjatë zgjedhjeve ose gjatë formimit të qeverisë së ardhshme të Maqedonisë? Dhe cilën anë e kanë zgjedhur këto organizata?”./MIA/
Shkatërrimi i RTSH, Gëllçi largon në mënyrë arbitrare 3 kompozitorët e shquar
Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllci ka shkarkuar në mënyrë të paprecedent tre nga figurat më të shquara të artit shqiptar, tre kompozitorët e shquar Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari. Kreu i Departamentit të Kulturës në PD, Arben Skënderi, përmes një deklarate për shtyp dënoi dje aktin arbitrar të drejtorit të Ramës, ndërsa tha se shkarkimi i tri figurave të shquara të RTSH është në kundërshtim flagrant me ligjin.
“Në valën e shkatërrimit të Radio Televizionit Shqiptar, tre kompozitorët e shquar Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari, të cilët kanë bërë histori në krijimtarinë tonë, pa asnjë lajmërim, në kundërshtim të hapur me ligjin, si dhe në shkelje flagrante të integritetit të tyre profesional, pushohen nga puna pa asnjë mundësi reagimi apo alternativë për të vazhduar kontributin e tyre artistik. Drejtori i Përgjithshem i Radio Televizionit Shqiptar, Gëllci, shkatërron kështu gjithçka që është ndërtuar me aq mund, duke shkrirë totalisht redaksinë e muzikës, e vetmja strukturë tejet e nevojshme për institucionin që mund të përballonte denjësisht kërkesat e produksioneve, si dhe e vetmja strukturë artistike që ende vazhdonte të mbikëqyrte kualitetin e krijimtarisë”, u shpreh Skënderi.
Duke denoncuar këtë akt arbitrar, Skënderi u bëri thirrje qytetarëve se kjo është një arsye më shumë për t’iu bashkuar protestës së 18 shkurtit. “Denoncojmë fort veprimet e kësaj natyre, të cilat pa asnjë konsultim, dëmtojnë rëndë punën e institucionit, si dhe dinjitetin e tri kompozitorëve të shquar, të cilët janë pjesë e historisë së këtij institucioni kombëtar e publik. Kjo është një padrejtësi me të cilën komuniteti i artistëve dhe opinioni publik nuk mund të pajtohen. Kjo është një arsye më shumë për të rezistuar përballë klikës që ka zaptuar çdo pushtet dhe një motiv për këdo që mbron vlerat, të bashkohet me protestën e madhe të 18 shkurtit”, u shpreh kreu i Departamentit të Kulturës në PD.
Investimi 1-miliardësh, aventurë korruptive
Partia Demokratike e cilësoi projektin e qeverisë për të kontraktuar 1 miliard euro investime publike nga privatët një skemë të madhe korrupsioni. Një skemë, “ku qeveria do të zgjedhë të preferuarit e vet ashtu siç ka zgjedhur deri dje 14-15 kompani, që u ka dhënë çdo tender dhe çdo koncesion, dhe do të vendosë që t’u japë para taksapaguesve shqiptarë, të cilat do t’i angazhojë dhe do të na i lërë barrë edhe neve nesër që do të jemi në qeveri”, deklaron deputetja Jorida Tabaku. Tabaku tha se përmes këtyre koncesioneve qeveria synon të mbulojë dështimin me investimet publike dhe politikën e saj fiskale. “Qeveria në fakt, këto katër vite ka pasur një bilanc shumë negativ përsa i përket investimeve publike. Të gjitha këto që po premton, e gjithë lista e projekteve që ka premtuar që do të jepen me koncesion, si shkolla, rrugë, etj., janë të gjitha të supozuara që do të ishin ndërtuar këto katër vite. Ndërkohë, kjo nuk ka ndodhur dhe paratë janë shpenzuar për diçka tjetër”, nënvizon Tabaku. Por sipas Tabakut, kjo është një aventurë e rrezikshme për financat e shtetit. “Ky është një borxh i fshehur që presupozon që të gjithë bllokun e investimeve për 15 vitet e ardhshme qeveria do ta bllokojë me këto investime që po jep me koncesion”, shton Tabaku. Qeveria ka lajmëruar se në tre vitet e ardhshme do të kontraktojë 1 miliard euro investime publike nga biznesi privat, të cilat do të shlyhen me këste nga buxheti për 15 vjet.
Sërish në protestë, naftëtarët e Fierit tek Prefektura: Të sqarohet pse nuk paguhemi!
Dhjetëra punonjës të uzinës së përpunimit të naftës në Fier kanë protestuar para Prefekturës së Qarkut, duke kërkuar ndërhyrje nga qeveria për të zgjidhur problemin e pagave të prapambetura. Naftëtarët thonë se nuk u janë paguar prej me shumë se një vit, as kontributet shoqërore. Punonjës të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier i zhvendosën protestat për mosmarrjen e pagave të prapambetura dhe mospagesën e kontributeve shoqërore, para Prefekturës. Naftëtarët thonë se rinisën protestat, pasi mbaroi pa asgjë konkrete afati 10-ditor i lënë nga drejtues të kompanisë për pagat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore. Naftëtarët e Fierit, kanë bërë disa protesta prej fillimit të vitit, me pretendimin se nuk janë paguar nga kompania që ka marrë në dorë uzinën, pas falimentimit të ARMO-s.