22.5 C
Tirana
E premte, 6 Qershor, 2025

Berisha me senatorët italianë për kanabizimin

Ish-Kryeministri Berisha njohu dje senatorët italianë, Paolo Romani dhe Mario Mauro me situatën e rëndë që ka përfshirë vendin ku trafiku i narkotikëve dhe krimi i organizuar po bashkëqeverisin shqiptarët. “Me keqardhje theksova se fatkeqësisht, gjatë këtyre katër viteve nuk ka ardhur në vendin tonë as dhe një investitor, kompani e huaj e re serioze. Një pjesë e atyre që ishin u larguan dhe të vetmet investime të huaja me të cilat kjo qeveri mburret janë investime të kontraktuara dhe nisura në kohën e mandatit të PD. Ky kryeministër, një analfabet në ekonomi, dramën e tij të brendshme dhe lidhjet me krimin i reflekton dhe në ambientin përreth. Me senatorët Romani dhe Mauro ndava dhe shqetësimin për problemin e madh të kriminalitetit në rritje, lidhjet me krimin dhe trafikantët të Edi Rames, të ministrit të Brendshëm Tahiri dhe qeveritarëve të tjerë që e kanë shndërruar qeverinë shqiptare në një organizatë të vërtetë kriminale dhe regjimin në një banditokraci të vërtet”, shkruan Berisha në një reagim në Facebook pas takimit me senatorët. Ish-Kryeministri denoncoi gjatë takimit se Rama dhe Tahiri vendosin emërime në Policinë e Shtetit me qëllim kontrollin e trafikut të drogës. “Sot Edi Rama me lidhjet e tij me krimin, faktikisht drejton këtë organizatë dhe ndërtoi këtë regjim. Ai është i regjistruar tek kërkon miliona euro ryshfete dhe duke komunikuar me trafikantët dhe kriminelët më të rrezikshëm duke u përpjekur t’i mbrojë ata. Vëllai i tij është i lidhur ngushtë me trafikun e kokainës. Nga ana tjetër, edhe lidhjet e ministrit të Brendshëm, Tahiri me kriminelët janë të njohura. Së fundmi ai ka dërguar si drejtor të Policisë Kufitare në Vlorë njeriun më të afërt të njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm që sot ndodhet prapa hekurave, Shullazit. Sigurisht, emërimi i tij në këtë detyrë ka vetëm një qëllim; për të kontrolluar trafikun e drogës”, shprehet Berisha. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri ka theksuar se kanabizimi i vendit është një tjetër problem madhor, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe vendet fqinje. “Kanabizimi i vendit është një politikë shtetërore jo zyrtare. Sigurisht të gjitha këto veçse i largojnë investimet dhe investitorët e huaj. Një tjetër problem është dhe kapja dhe vënia nën kontroll e mediave nga ana e qeverisë. Mediat më të mëdha të vendit janë tërësisht nën kontrollin e Ramës, të cilat censurojnë dhe nuk pasqyrojnë aktivitetet dhe qëndrimin e opozitës. Të gjitha këto e kanë kthyer vendin në një banditistan, por shpreha bindjen se opozita së bashku me qytetarët do t’i tregojë këtyre banditokratëve vendin që meritojnë”, thekson ish-Kryeministri. Berisha tha se senatorët italianë kishin shprehur mbështetje për programin politik të PD. “Si përfaqësues i forcës politike më të madhe të së djathtës italiane, Forza Italia, senatori Romani më përcolli përshëndetjet e mikut tim dhe të shqiptarëve, ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi. Senatorët Romani dhe Mauro vinin entuziastë nga takimi i zhvilluar më herët me kryetarin e PD Basha dhe sipërmarrës italianë e vendas. Theksova se investitorët e huaj janë vitalë për Shqipërinë. Gjatë qeverisjes tonë punuam shumë për të inkurajuar investitorët e huaj, si dhe ndërmorëm një sërë masash për të lehtësuar procedurat dhe barrën fiskale”, tha Berisha.

Hetimi, trafikantët e drogës emërojnë shefat e policisë

Prokuroria për Krime të Rënda lëshoi urdhër-arresti para dy ditësh për dy zyrtarë të lartë policie dhe për disa persona të tjerë, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Dy ditë pas arrestimit të dy zyrtarëve të policisë për trafik droge, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë detaje për implikimin e Haki Hasanbegajt, shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe Gani Abazit, shef i Specialistëve të zonave në Komisariatin e Policisë së Tepelenës me Elton Çiçon, njërin nga njerëzit më të afërt të drejtorit aktual të Policisë Kufitare të Vlorës, Besmir Qibini. Sipas hetimeve të Prokurorisë, emërimet e këtyre zyrtarëve të policisë në poste kyçe janë bërë pas ndërhyrjes së trafikantëve të drogës.
Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se, ka zhvilluar hetim prej disa muajsh për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ende deri më tani, e mbjellë në fshatra të ndryshëm të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 ton kanabis në Tepelenë.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda janë evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, shtetasit Haki Hasanbegaj, me detyrë Shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Vlorë, Gani Abazi, me detyrë Shef i Specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Musa Bedinaj, kultivues, organizator.
Po ashtu janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si kultivues organizatorë, identiteti i të cilëve nuk mund të publikohet, pasi nuk është realizuar arrestimi i tyre. Ndaj këtyre personave, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Nga të dyshuarit, deri më tani është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të Policisë, Hasanbegaj dhe Abazi, të cilët u prangosën nga ana e oficerëve të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, si edhe i një prej kultivuesve organizatorëve, Musa Bedinaj. Të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë operacionit policor.
Në kuadër të këtij hetimi, i cili ka nisur nga referimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, në tetor 2016 u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, ndërkohë që u shpall në kërkim një tjetër zyrtar policor.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasanbegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisariatit të Tepelenës për në detyrën e Shefit të Rendit në Drejtorinë e Vlorës, trafikantët kanë shprehur shqetësimin për zëvendësimin e tij.

Komisarët e policisë, garantë të drogës së Çiços

Nga hetimi rezulton se, Hasanbegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiço, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasanbegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë. Çiço kishte lidhje të ngushta me Besmir Qibinin, drejtor i Policisë Kufitare në Vlorë ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës. Çiço rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasanbegajt në momentin që ky po largohej për në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Po ashtu, Çiço rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasanbegajn në drejtimin e Komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton, se në rastin konkret ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e faktit kriminal, të kultivimit të bimëve narkotike, fakt, i cili parashikohet si vepër penale në Kodin Penal. Njëkohësisht rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë një formë të veçantë bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale që për nga forma, struktura dhe qëllimi ka formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas përkufizimit të parashikuar në dispozitat e ligjit material dhe procedurial penal. Po ashtu rezulton se, secila nga grupet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë krijuar lidhje të mëparshme nga punonjës të policive vendore, me qëllim mbrojtjen dhe shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mos dhënies së informacionit për parcelat e mbjella me bimë narkotike, kundrejt përfitimeve të parregullta.

Lidhjet e Qibinit me Elton Çiçon

Vrasja e Elton Çiços, një njeri me lidhje të forta të narkotrafikut në zonën e Tepelenës, në majin e vitit të shkuar nxorri në pah dhe lidhjet që kishte ai me drejtuesit e lartë të policisë. Në momentin e vrasjes, Çiço ishte në shoqërinë e shefit të Antidrogës në Policinë e Tiranës, Alban Trimi. Alban Trimi menjëherë pas vrasjes u kujdes të fshihte pistoletën e viktimës që mbante në çantë, por edhe celularin e tij. Pistoleta më pas rezultoi se ishte e Besmir Qibinit, nëndrejtorit të Doganave, i cili prej një jave është emëruar drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës, qyteti ku aktiviteti i narkotrafikut drejt Italisë është më i madhi. Duket se emërimi i Qibinit në krye të Policisë Kufitare të Vlorës u bë për të vijuar trafikun e drogës drejt Italisë për shkak të lidhjeve që ky i fundit ka me bandat e këtij trafiku fitimprurës.
Besmir Qibini njihet për lidhjet e tij të ngushta me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në mbrëmjen kur ndodhi vrasja e Elton Çiços, ai nuk ishte prezent, por kamerat e lokalit të vëzhguara në një periudhë një mujore nga Prokuroria kanë fiksuar në tavolinë në shoqërinë e Çiços, dhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Ermal Muça, i cili u mor personalisht me këtë çështje. Madje mes tij dhe Alban Trimit, ish-shefi i Antidrogës ka pasur dhe një debat atë natë. Në mbrëmjen e të nesërmes, Ermal Muça do dilte në TV ku do të shprehej se nuk ish gjetur asnjë armë në vendngjarje, ndërsa vetë Qibini u mundua të errësonte sa më shumë ngjarjen. Urdhri i dhënë nga Saimir Tahiri ishte i qartë: Qibini duhej të shpëtohej me çdo kusht. Jo më kot, Tahiri e hoqi nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe e dërgoi menjëherë në Dogana, ku në postin e nëndrejtorit ai mbulonte Antikontrabandën. Në sektorin e Antikontrabandës, ai u kujdes që të përzgjidhte njerëzit që i duheshin me qëllim që të shmangej ndonjë “gabim aksidental”, për dërgesat që shefi çonte drejt Italisë.

Trafiku i drogës drejt Italisë

Lidhjet e Qibinit me bandën e Çiços kanë bërë që trafiku i drogës drejt Italisë të zhvillohej lirisht nga bregdeti i Vlorës. Me anë të Qibinit u arrit që droga të kalonte drejt Italisë pa asnjë problem. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ngarkesat që kalojnë nëpërmjet kufirit. Dërgimi i ngarkesave me skaf, duket se është dhe mënyra që punët të mbarohen dhe më shpejt. Në Vlorë, veprojnë dhe kushërinjtë e ministrit, me mbiemër Habilaj, të akuzuar shpesh për prodhimin dhe trafikimin e hashashit në këtë qytet. Drejtoria e Kufirit Vlorë është ajo që mbulon dhe ujërat e brigjeve të Jugut nga Dhërmiu deri në Sarandë, ku Klement Balili, i cilësuar si “Eskobar i Ballkanit” kryente aktivitetin e tij prej kohësh i pashqetësuar. Nga statistikat ndërkombëtare të shërbimeve inteligjente, bëhet e ditur se nga lufta e policisë arrijnë të sekuestrohet vetëm 2% e sasisë së drogës që kultivohet. Deri më tani janë sekuestruar diku tek 180 tonë. Pra, me mijëra ton të tjerë kanë kaluar nga Shqipëria drejt Evropës, duke e kthyer vendin tonë në Kolumbinë e kontinentit të vjetër. Dhe porta kryesore furnizuese mbetet Vlora, ku Qibini do të jetë ai që do të drejtojë operacionet.

Prokuroria nis hetimet për grupin kriminal të Çiços

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për grupin e strukturuar kriminal për ngjarjet, ku janë përfshirë vrasjet mes grupit kriminal të Jani Aliajt dhe Elton Çiços. Bëhet e ditur se Policia e Shtetit ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ngjarjet kriminale ku janë përfshirë këto dy grupe, me dyshimin se funksionojnë si grupe të strukturuara kriminale me qëllim kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Burimet saktësojnë, se materiali voluminoz i sjellë nga Prokuroria dhe Shërbimi Sekret shqiptar, ka renditur sagën e konflikteve mes këtyre dy grupeve. Aty janë evidentuar 4 vrasje me armë, 5 atentatet po me armë të mbetura në tentativë me pasojë plagosjen e personave të ndryshëm, vendosjen e eksplozivëve në dy raste, ku për pasojë është gjymtuar një person dhe grabitjen me dhunë të familjarëve të Elton Çiços në Tepelenë.
Sipas këtij materiali, këto dy grupe funksionojnë si organizatë kriminale me qëllim vrasjen e kundërshtarëve, kultivim të lëndëve narkotike dhe më pas trafikimin e tyre. Ky material, thuhet se është përpiluar pas informacioneve operative të agjentëve të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, duke evidentuar edhe dyshime për persona apo individë të caktuar në Policinë e Shtetit, që kanë ndihmuar këto grupe kriminale. Mësohet se hetimi është përqendruar te vrasjet dhe atentatet me armë e eksploziv që këto dy grupe kanë pasur mes tyre në Tiranë apo qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në sitën e hetimit, burimet thonë se janë edhe vrasja e Elton Çiços, e cila po hetohet nga ana tjetër edhe nga Prokuroria e Tiranës, ku ka shpallur në kërkim për këtë ekzekutim Jani Aliaj dhe Renato Milloshin. Pjesë e hetimit të dosjes, mësohet se është edhe ngjarja e cila dyshohet se ka ringjallur hasmërinë mes tyre, është ajo e grabitjes dhe dhunimit të prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. Burimet thonë se për llogari të kësaj dosje po hetohen edhe dy atentatet e dështuara ndaj Jani Aliajt në Gjirokastër dhe Tiranë.
Atentati i vrasjes së Robert Ramës në Durrës, vendosja e eksplozivit ndaj Ervis Imerit dhe vëllait të tij, i cili është gjymtuar. Atentati dhe më pas vrasja e Nelgert Patës në Fier dhe atentati i mbetur në tentative ndaj Andi Mustafarajt pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot” këtu në kryeqytet. Të gjithë këto ngjarje, po hetohen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

R.POLISI

Dëshmitari i Ramës për OSHEE, rrahu motrën në varrimin e babait

Dëshmitari që Rama po e përdor si “varkë shpëtimi” për të shpëtuar nga afera korruptive e CEZ, Romeo Karaj  rezulton të jetë një njeri i dhunshëm dhe me simptoma skizofrenie. Denoncimi këtë herë ka ardhur nga motra e tij Eglantina Shtylla, e cila ka kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj vëllait të saj. Vendimi është botuar i plotë dhe është marrë në shtator të vitit të shkuar, rreth gjashtë muaj, pasi kishte filluar punën Komisioni Hetimor, dhe dëshmitar është marrë pikërisht personi në fjalë. Në fakt, Romeo Karaj nuk e ka për herë të parë shfaqjen e shenjave të skizofrenisë, pasi ka tentuar dhe një herë vetëvrasjen në mesin e viteve ‘90-të, një fakt që ja vuri në dukje dhe deputetja e PD-së, Liljana Elmazi gjatë seancave të Komisionit ku i kujtoi tentativën për vetvrasje të bërë disa vite më parë!

Vendimi

Sipas vendimit të Gjykatës e cila jep dhe kronologjinë e ngjarjes, ngjarja ka ndodhur për një konflikt pronësie, vëlla e motër, por ajo çka e bën të veçantë këtë ngjarje, është se Romeo Karaj aktin ekstrem ndaj motrës së tij e ka marrë pikërisht në ditën e vdekjes së babait. “Në datën 20.08.2016, ndërron jetë babai i palëve dhe paditësja shkon për ngushëllim për babain dhe aty fillon debat me bashkëshorten e vëllait, znj.Majlinda dhe i kërkon të largohet nga shtëpia, pasi ishte shtëpia e saj. Debati ka vazhduar edhe me bashkëshortin e paditëses dhe të paditurit Romeo Karaj i ka kërkuar bashkëshortit të paditëses të largohet nga shtëpia. Më tej, konflikti ka gjeneruar me dhunë fizike, goditje dhe shkelma. Më pas është lajmëruar policia, e cila ka bërë shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë. Gjatë gjykimit përfaqësuesja e palës paditëse deklaron se, paditësja ka hematoma, të cilat i vërteton me vërtetimin e marrë nga Spitali Universitar i Traumës Nr.20644 regj., datë 23.09.2016”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Sipas relacionit shoqërues dhe pyetjeve të dëshmitarëve, gjykohet se zonjës Shtylla i rrezikohet seriozisht jeta nga ai që është pikërisht i vëllai i saj, dhe për këtë arsye ka dhënë urdhër që Karaj t’i qëndrojë 100 metra larg motrës së tij “Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditëses Eglantina Shtylla. Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërdrejtë apo tërthorazi me paditësen Eglantina Shtylla. Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos i afrohet paditëses në një distancë prej 100 (njëqind) metra”, është vendimi përfundimtar i Gjykatës.

Kamikazi Ramës

Ky pra është dëshmitari, i cili po ndihmon qeverinë në zbardhjen e aferës së CEZ. Madje ka marrë dhe titullin “dëshmitar i mbrojtur”, në kohën kur Gjykata merr në mbrojtje të afërmit e tij, për shkak se mund t’u rrezikojë jetën. Edi Rama mund të jetë i vetmi kryeministër në botë, që si mbrojtës së tij ka zgjedhur një njeri i cili ka nevojë emergjente të mjekëve të specializuar për të ekzaminuar shëndetin e tij mendor. Nuk është aspak etike dhe humane që individëve të tillë t’u shtohet dhe presioni për çështje të tilla. Romeo Karaj, ka dhënë shenja të dukshme psikopatie dhe nga qëndrimet e tij kontradiktore në Komisionin Hetimor. Por gjithsesi, Romeo Karaj nuk mund ta ndihmojë dot Edi Ramën nga llogaridhënia se çfarë ka bërë me më shumë se 520 milionë euro të parave të taksapaguesve nga shitja e CEZ. Nga kjo llogaridhënie nuk mund ta shpëtojë as Taulanti i Librazhdit, që ka vënë bast mandatin e tij të deputetit në rezultatet e këtij komisioni, dhe duket se stresi i dështimit të tij është agravuar goxha kohët e fundit. Në rast se Taulanti me Romeon kërkojnë në një përpjekje të dëshpëruar të shpëtojnë shefin e tyre, janë dëshmitë e avokatëve, raportet e KLSH dhe hetimet e organeve të drejtësisë, që nuk do e shpëtojnë dot.

A.M

Basha: Dalja e Ahmetajt me Roshit, një skandal politik

Një skandal politik dhe shkatërrim të procesit të dekriminalizimit, e cilësoi kreu i PD, Basha daljen e Arben Ahmetajt në krah të Elvis Roshit ndërsa prezantoi kandidaturën e tij për deputet në Kavajë. “Elvis Roshi i dënuar në Itali dhe Zvicër për përdhunim dhe trafik droge, me mandat të hequr si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, mbetet i plotfuqishmi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste të Kavajës dhe de fakto në krye të bashkisë së qytetit. Dalja e tij krah për krah me Arben Ahmetajn si drejtues i fushatës zgjedhore në Kavajë është skandal politik dhe shkatërrim i procesit të dekriminalizmit. Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. Nuk ndahet dot nga trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë. Më #18Shkurt#NgrihemiBashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë”, shprehet Basha në reagimin e tij.

Pse Rama gënjen me motivacionin për shkarkimin e Roshit?

Ka një arsye që rama ka gënjyer me motivacionin për shkarkimin e Roshit. Ajo ëhstë e thjeshtë , që gjykata ta rrëzojë. Vendimi i Ramës ka qenë në mbrojtje të tutorit të Kavajës.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka akuzuar kryeministrin Rama se po bllokon dekriminalizimin, për të lejuar kriminelët që të veprojnë, pasi siç thotë ai i duhen për vota. Në një postim në llogarinë e tij në FB, Bylykbashi thotë se në 2015 Rama u detyrua nga BE dhe SHBA që të miratonte ligjin e dekriminalizimit.
Duke përmendur rastin e Elvis Rroshit, ai thotë se shkarkimi nga Rama sipas nenit 115 ka për qëllim t’i shtyjë Rroshit kohën në detyrë deri sa të marrë vendim Gjykatata Kushtetuese.
“Ramën e detyruan BE dhe SHBA që të firmoste në dhjetor 2015 marrëveshjen për dekriminalizimin.
Pasi kandidoi Rroshin në 2015, BE dhe SHBA e detyruan të miratonte ligjin e dekriminalizimit.
Rezistoi që ta hiqte Rroshin nga kryebashkiak se i duhej. I mbushi mendjen që të hiqte dorë nga dorëheqja se i duhej për zullumet në Kavajë.
Ligji ia fluturoi nga Bashkia. Por Rama firmosi vendim antikushtetues sikur gjoja e shkarkoi për shkelje të ligjit. Eshtë tinzar deri në frymën e fundit! Rroshi e ka humbur mandatin për shkak të nenit 179/1 të Kushtetutës që thotë se kush ka qenë i dënuar për krim humbet mandatin menjëherë.
Shkarkimi prej Ramës sipas nenit 115, sikur Rroshi paska kryer shkelje të rëndë të ligjit, ka për qëllim që t’i shtyjë Rroshit kohën në detyrë deri sa të marrë vendim Gjykata  Kushtetuese. Ai është dënuar për përdhunim, Rama e quan shkelje të ligjit! Eshtë krim ore, pyet profesionistët afër teje se ta shpjegojnë turpin idiotesk që po bën.
Mos u çuditni, Rama do t’i marrë në telefon dhe do t’i kërcënojë gjyqtarët kushtetues me veting që t’ia nxjerrim qelibar! A nuk e tha ish-ministri i Drejtësisë që ai kërcënon gjyqtarët? A nuk kemi dy vjet që e themi ne këtë gjë?
Ja pse i duhet në Kavajë. Njësoj si në Lezhë, Krujë etj! U thotë kriminelëve: kandidoni se nuk ka problem, ju mbroj unë. Nëse nuk kandidoni ju bëj drejtues fushate, por mos e vrisni mendjen për dekriminalizimin sa të jem unë kryeministër!”, thotë Bylykbashi në një psotim në facebook.

Rama nga Kosova në Stamboll për një drekë me Erdoganin

Edi Rama të jep përshtypjen e një turisti më shumë se të një kryeministri që ka marrë përsipër të drejtojë vendin. Dje teksa pritej të vinte në Tiranë, pas vizitës në Kosovë, në një postim në Facebook, ai na lajmëroi se kish ndaluar pak në Stamboll për të ngrënë një drekë me sivllaun e tij turk, Erdogan. Në ndryshim me herët e tjera, këtë herë Erdogan nuk u pa të bënte shoferin për nder të mikut të tij nga Tirana. Në fakt Edi Rama, duket sikur është njeriu më i ngeshëm i këtij vendi, dhe jo kryeministri që duhet të zgjidhte hallet e qytetarëve të tij. Në momentin që do mblidhej Këshilli i Sigurimit iku në Kosovë, në kulmin e debatit që ka nisur për Reformën në Drejtësi, ai niset drejt Stambollit. Por kjo s’është hera e parë për Ramën. Në janarin e vjetshëm teksa vendi përmbytej, ai hidhte valle në dasmat e Floridës. Por çne kjo vizitë e paparalajmëruar e Ramës në Stamboll, kur ska kaluar shumë që kur lideri global ishte atje. Me sa duket, mungesa e gjatë e një vizite, dhe izolimi nga liderët kryesorë të Evropës kanë bërë që ai dhe një herë t’i zerë derën Erdoganit të Turqisë. Humbja e miqve anembanë Evropës, çdo ditë e më shumë po sjell një izolim të tij nga komuniteti ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ai shihet dhe si njeriu që sulmoi publikisht në televizionet më të mëdha botërore, kandidatin republikan të asaj kohe Donald Trump, sot President i SHBA-ve. Një vizitë e Ramës nuk është gjë tjetër vetëm se një pozicionim i padëshiruar për këdo lider të Evropës. Por, vëllezërit për ditë të vështira janë dhe dje, ju gjend sivllau Erdogan, por janë rrekje të kota, sepse Presidenti i Turqisë s’mund ta ndihmojë më për asgjë.

Ndalimi i drejtuesve të policisë dhe lidhjet e Ramës e Tahirit me drogën

Ndalimi i dy drejtuesve të lartë të policisë në Vlorë dhe në Tepelenë, me urdhër të Prokurorisë, si të lidhur me kultivimin e trafikimin e drogës, është dëshmia më e fortë e kriminalizimit të shtetit, e vënies së shefave të policisë së Saimir Tahirit dhe Edi Ramës në krye të biznesit të hashashit. Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj ka deklarur dje se ndalimi së fundmi i këtyre dy drejtuesve, konfirmon të vërtetat e denoncuara nga Partia Demokratike prej 3 vitesh, për përfshirjen e njerëzve të Tahirit në trafikun e drogës, për haraçin që ata marrin nga ky biznes kriminal, deri në 40 për qind për një rrënjë.
Ai tha se nuk është rastësi që këta drejtues janë pikërisht në Vlorë dhe në Tepelenë, pikërisht në zemrën e territorit të kultivimit dhe trafikimit të drogës, pikërisht në zonën ku gjenden më besnikët e Saimir Tahirit.
“Dhe të dhënat që dolën sot në media, flasin për lidhje të këtyre zyrtarëve me grupe të strukturuara kriminale, të cilët i ndihmonin duke dekonspiruar aksionet e policisë.
Çdo qytetar dhe ne, e dimë mirë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ne inkurajojmë Prokurorinë të thellojë hetimet, pasi drejtues të lartë janë të përfshirë në këtë biznes kriminal dhe zinxhiri të çon tek Tahiri dhe Edi Rama.
Ky inkriminim i shtetit, ky kanabizim i vendit, janë një motiv për çdo qytetar, për çdo shqiptar për të kërkuar drejtësi, për t’u bashkuar në protestën e madhe të 18 shkurtit. Droga është krim që helmon shoqërinë, dhunon votën, ndalon të ardhmen e vendit. Ndaj duhet të bashkohemi, ta ndalim këtë të keqe.
Më 18 shkurt, kundër drogës, kundër krimit, kundër shefave të Tahirit dhe Ramës që punojnë me trafikantët, për t’i dhënë vendit, rend, siguri dhe punë të ndershme”, tha Alibeaj.

Afron 18 shkurti; Ushtarë të krimit ikni!

Çfarë do të ndodhë më 18 shkurt. Është një ditë simbolike e qëndresës historike të studentëve dhe popullit të Tiranës me diktaturën. Më 18 shkurt të 1991 studentët hynë në grevën e urisë në ambientet e Qytetit “Studenti”, duke kërkuar heqjen e emrin të diktatorit Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Kërkesat e studentëve u kundërshtuan nga Ramiz Alia dhe kjo nxiti një revoltë të madhe popullore të Tiranës.
Mijërat e qytetarëve bashkoheshin për çdo ditë në Qytetin “Studenti” në mbështetje të grevistëve të urisë dhe kërkesave të tyre. Kjo mbështetje kulmoi më 20 shkurt, kur mijërat e qytetarëve të Tiranës së bashku me studentët u nisën drejt Sheshit “Skënderbej”. Ndonëse përplasjet me policinë ishin edhe me armë askush nuk mundi t’i ndalë qytetarët që të rrëzonin monumentin që simbolizonte diktaturën gjysëm shekullore në Shqipëri, atë të diktatorit.
Sot 26 vite pas asaj dite të rëndësishme historike, shqiptarët i duhet të bëjnë të njëjtën betejë me këlyshët e etërve. Liritë themelore të individëve janë sot të asimiluara. Një bandë kriminale në pushtet ka zhdukur votën e lirë dhe në një vend ku nuk ekziston vota e lirë, atëhere pluralizmi politik është vetëm fasadë.
18 shkurti do të jetë dita e një beteje qytetare për të rikthyer vendin në shinat e demokracisë. Do të jetë e fortë dhe e shumanshme. Protesta që ka ngritur në këmbë prej ditësh pjesën më të madhe të shqiptarëve do të jetë edhe protesta më e madhe në këto 26 vite.
Cili do të jetë skenari i protestës. Kur fjalën e marrin qytetarët, atëhere qeveria do të struket. Banda do të rrëzohet. Vendi nuk do të mbetet më peng i krimit. Të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të garantuara 26 vite më parë nuk mund të lejohen të nëpërkëmben nga një kastë qeveritarësh të lidhur me krimin e organizuar dhe që e kanë shndërruar buxhetin e shtetit në arkën e kursimeve të xhepit të tyre. Beteja do të zgjasë dhe nuk do të ndalet deri në garantimin e zgjedhjeve të lira. Kryetari i opozitës Basha e ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kërkesat që lejojnë qytetarët të votojnë të lirë.
Qeveria do të refuzojë, por kjo vetëm do të rrisë koston e largimit të saj. Rama është sot një kufomë politike, i izoluar nga të gjitha anët. Mesazhet e marra nga opozita janë ato të një mbështetje të plotë për lëvizjen që do të garantojë votën e lirë në Shqipëri. Kryetari i PD, Basha ka ndërgjegjësuar politikën amerikane dhe europiane për rrezikun që i kanoset sot vendit për t’u shndërruar në një juntë kriminale që kontrollon liritë qytetare.
Mbështetja ka qenë e plotë. “Mesazhet do të vijnë në kohën e duhur”, u shpreh Basha pas takimeve të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara gjatë ceremonisë së inaugurimit të Presidentit Trump.
Skenari rumun nuk është asgjë përpara skenarit politik të 18 shkurtit. Nëse në Rumani qytetarët janë ngritur për të kundërshtuar qeverisjen socialiste për shkak të lehtësimit të ligjeve të korrupisonit, në Shqipëri beteja është për një çështje shumë herë më themelore; shqiptarëve duhet t’u garantohet vota e lirë. Është momenti që bota e krimit të kuptojë se koha e tyre ka mbaruar. Ushtarë të krimit, ikni, sa nuk është vonë.
Revolta popullore nuk do të kursejë askënd nga mercenarët e Ramës, vrasësit, kriminelët apo trafikantët e drogës dhe të prostitutave. Fundi i botës së krimit do të jetë më i tmerrshmi që ata mund të kenë menduar. Të harrojnë se do të kenë një palo burrë në Kryeministri se mund t’i mbrojë, sepse ai do ja mbathi i pari. Kushdo nga ushtarët e krimit të Ramës që sot mendon se do të ketë të ardhme, bën mirë të shikojë ku kanë përfunduar Zan Çaushët e Frrokët.

Arben SHAHINI

Piloti i drogës: Agjentin e Interpolit në Shqipëri e mbaja me darka

Në një intervistë për gazetën e madhe italiane “Corriere Della Sera” dhënë për gazetarin Andrea Galli, piloti italian Guido Guidi që u kap duke testuar pistën e trafikantëve shqiptarë të drogës në Ishëm, përveç të tjera rrëfen edhe “qejfin” që ka bërë gjatë qëndrimit të tij në hotelin e pushimit të Ministrisë së Brendshme. Ai tregon se ishte i lirë të lëvizte dhe u paguante drekat dhe darkat punonjësve të policisë, përfshi edhe agjentin e Interpolit, të cilin ja kishin lënë për ta mbikëqyrur.
“Pasi më ndaluan, më sistemuan deri pak ditë më parë në një ndërtesë në Durrës. Kishte rreth 700 vende. Aty shkojnë familjarët e policisë gjatë pushimeve (Kavaleshenca në Durrës)…
Dy persona: bashkë me mua ishte edhe një agjent i Interpolit, nëse e kam kuptuar mirë. Unë isha i lirë. U mërzita shumë, por edhe jam rinuar. Në Shqipëri, rroga minimale është 200 euro. Unë marr një pension prej 700 eurosh, që është i ulët në Itali, por atje u ndjeva edhe njëherë zotëri.
E ofroja unë zakonisht darkën. Dilja shpesh në qytet, paguaja darkat nëpër restorante. Vetmia është një gjë e keqe”, rrëfen Guido për mënyrën se si ka kaluar “pushimet” 5-mujore në bregdetin e Durrësit, duke shëtitur dhe ngrënë darka me oficerët e policisë shqiptare.
Ai ka deklaruar në intervistën e tij për gazetën “Corriere Della Sera” se, misioni në Ishëm ishte që të provoja një pistë, ku do të ngarkohesha me kanabis. “Nëse raporti im do të kishte kënaqur porositësit, do të fitoja 5 mijë euro. Në kohë të mira kur transportoja sheikët arabë unë fitoja 4 mijë euro….”, është shprehur Guidi.

Shpërthim në minierën e Bulqizës, 10 të plagosur, 3 të bllokuar në galeri

Të paktën 10 punonjës u plagosën dje në mesditë pas një shpërthimi që ndodhi në brendësi të galerisë, në nivelin16, në minierën e Bulqizës, në Veri të Shqipërisë. Të plagosurit janë shtetas kinezë, të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm të minierës së Bulqizës. Burime vendore thonë se, tre prej të plagosurve janë dërguar në Spitalin lokal të Bulqizës. Ndërkohë, dyshohet se në galeri gjenden të bllokuar edhe tre punonjës të tjerë, gjendja e të cilëve ende nuk dihet.
Shkak i këtij aksidenti të rëndë mendohet se është bërë shpërthimi i papritur i gazit metan në brendësi të nivelit 16.
Policia ndodhet në vendngjarje ku po kryen hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Gjithashtu, është njoftuar se strukturat e repartit të inspektim-shpëtimit në miniera janë nisur drejt Bulqizës, në ndihmë të minatorëve si dhe për të verifikuar gjendjen e sigurisë në këtë minierë.
Lidhur me ngjarjen e Bulqizës, ku pati një shpërthim në minierë mësohet se 3 minatorët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën. Kompania ka dhënë edhe detajet për ngjarjen, duke sqaruar se “rreth orës 13:30, në minierën e kromit ka ndodhur një shpërthim gazi metan”.
Shpërthimi ka ndodhur në nivelin 21 të minierës, në seksionin e punimeve për pusin e ri, 1000 m në thellësi të saj. Aktualisht në këtë seksion punon kompania kineze ‘Xian Engineering’ e kontraktuar nga AlbChrome. Kompania AlbCrome tha se nga shpërthimi u plagosën 3 minatorë, por që fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën. Ndërkohë që nga pala shqiptare nuk ka asnjë dëm material dhe as në njerëz.
Vitet e fundit, në një numër minierash në Veri të Shqipërisë, kanë ndodhur aksidente me pasojë humbjen e jetës së minatorëve. Në më të shumtën e rasteve, aksidentet kanë ndodhur për shkak të kushteve të papërshatshme të punës në këto miniera, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin gjysmës së parë të shekullit të kaluar dhe periudhës së regjimit komunist.