30.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Qershor, 2025

Artistët me NIPT, detajet se si duhet të veprojnë

Shqipëria është ndër të paktat vende ku artistët nuk tatohen për fitimet që realizojnë, edhe pse ligji ua njeh këtë detyrim. Për këto shuma në mijëra euro, që shpesh sigurohen edhe nga një natë e vetme (kryesisht këngëtarët) nuk paguhet asnjë taksë.
Administrata tatimore duket se po angazhohet që t’i japë fund evazionit fiskal në këtë industri.
Si hap të parë, ajo ka nisur me njoftimin kundrejt këtyre individëve apo subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e artit që të bëjnë vetëdeklarimet dhe të paguhen detyrimet përkatëse sipas ligjit.
Sipas tatimeve, nëse detyrimet nuk përmbushen, atëherë strukturat hetimore do të nisin kontrollet dhe verifikimet për të përmbushur detyrimet.
“Bazuar në nenin 6, të Ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, duhet të bëhet i identifikueshëm duke u regjistruar e duke u pajisur me numrin unik të identifikimit (NIPT) apo të deklarojë të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në nenet 8, 13 dhe 16 të Ligjit, nr. 8438, datë 28.12.1998 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ i ndryshuar, si dhe nenit 10 të Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 ‘Për taksat vendore’, i ndryshuar dhe të kryejë shlyerjen e detyrimit mbi të ardhurat, sigurimin e punonjësve etj.”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas saj, të gjithë operatorët ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesione të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese, janë objekt i këtij ligji.
“Administrata tatimore ka konstatuar së fundmi se një pjesë e mirë e këtij sektori, që janë subjekt i Ligjit nr. 35/2016 ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to’ i është përgjigjur thirrjes së saj në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre në funksion të zhvillimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe është e gatshme të këshillojë në çdo kohë, të gjitha entet apo individët, të cilët dëshirojnë të formalizohen dhe të kontribuojnë në procesin e luftës ndaj evazionit fiskal”, thotë administrata tatimore.
Për fiskun, ekonomia e artit apo ajo e industrisë krijuese nuk mund të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga veprimtaritë e tjera ekonomike, ndaj dhe formalizimi i tyre do të jetë pjesë e punës së përditshme.

2 milionë lekë në vit, ja çfarë duhet të bëni…
Tatimet sqarojnë se artistët, aktivitetet e tyre që kryejnë qoftë brenda apo jashtë vendit, duhet t’i kenë të evidentuara dhe të justifikuara, qoftë përmes kontratave të rregullta apo edhe faturave. Në dëshirën e tyre, sqarojnë tatimet, mbetet funksionimi si ent ekonomik, çka nënkupton detyrimin për t’u pajisur me NIPT.
Por, nëse të ardhurat që këta individë realizojnë në një vit janë më të larta se 2 milionë lekë atëherë ata do të detyrohen që të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave.
“Individët, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme prej 2 milionë lekësh dhe më shumë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore. Deklarues të të ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë. Këta individë dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave në rrugë elektronike, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason, për të cilën bëhet deklarimi. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Tatimi që individët (përfshirë artistët, këngëtarët, etj.) llogarisin dhe paguajnë është 15%. Për individët që realizojnë këtë shumë të ardhurash, legjislacioni nuk njeh shpenzime të zbritshëm (Ligji Nr. 8438, datë 28.12.1998 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, i ndryshuar”.

Axhenda e Vlahutinit dhe enturazhi i Ramës

“New Europa”

Një burim i brendshëm i Bashkimit Europian ka zbuluar realitetet më të thella dhe më të errëta të qeverisjes dhe administrimit të BE-së. Komisioni Europian ka blerë kohët e fundit një vilë me vlerë 1,65 milionë euro në zonën Rolling Hills në periferi të Tiranës, Shqipëri.
Në këtë vilë jeton kreu i delegacionit të Bashkimit Europian atje, ambasadorja Romana Vlahutin, e cila, sipas raportimeve të agjencisë online të lajmeve “Exit”, mori në dorë negociatat e blerjes së vilës nga firma ligjore që i zhvillonte ato më parë. Fakti më interesant është që raporti thekson se Bashkimi Europian ka shpenzuar një vlerë prej 4,700 eurosh për metër katrorë, ndërkohë që çmimet e reklamuara për vilat e Rolling Hills variojnë nga 1 mijë deri në 2 mijë euro për metër katrorë.

Dyfishi i çmimit

Fakti akoma më befasues se vetë vila e re 1,65 milionë euro, 345 metra katrorë, e Shërbimit të Jashtëm të Veprimit Europian (që mbikëqyr punën e delegacionit), është projekti intensiv i kërkimit që është zhvilluar për ta blerë atë. Një kërkim i thjeshtë në rrjet për “vila në shitje në Rolling Hills, Shqipëri” të shfaq menjëherë disa vila të bukura 3-katëshe në zonën Rolling Hills për një çmim pak më shumë se 850 mijë euro. Ndoshta 600 metra katrorë janë dukur të tepërta për ambasadoren. Pavarësisht kritikave për çmimin më të lartë, çmimi më i ulët për shërbimin e pastrimit të një shtëpie më të vogël dhe norma e lartë e zhvlerësimit për një vilë më madhe, kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar çmimin më të lartë të blerjes.

Transparenca

Në përgjigje të pyetjeve të “New Europe”, zëdhënësja e çështjeve të jashtme të Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç, tha se vendimi për të zgjedhur rezidencën e kreut të Delegacionit në Shqipëri ishte “përfundimi i një analize të thellë, përfshirë edhe sondazhet e tregut dhe një vlerësim nga ekspertë të pavarur”. Në përgjigje për dorëzimin e dokumenteve përkatëse, Koçijançiç tha se dokumentet janë bërë publike. Duke qenë se sondazhi i tregut dhe analizat e pavarura nuk mund të gjendjen kudo, “New Europe” dorëzoi kërkesën zyrtare për të pasur akses në këto dokumente dhe që ato të bëheshin publike në interes të transparencës.
Një nga argumentet që duket se është dhënë në favor të blerjes me çmim të lartë është afërsia me delegacionin. Duke qenë se rezidenca ndodhet jashtë Tiranës dhe mjaft larg nga zyrat e BE-së, pothuajse 8 km larg, ky nuk është një argument bindës. Argumenti i balancës ndërmjet çmimit dhe cilësisë është po ashtu pak i besueshëm duke pasur parasysh që Rolling Hills është një qendër rezidenciale relativisht e re dhe se asnjë vilë tjetër deri më tani nuk është shitur aq shtrenjtë.
Megjithatë, Bashkimi Europian vlerëson se “pavarësisht të gjithave, presim kursime neto të konsiderueshme vjetore krahasuar me marrëveshjen e mëparshme të qirasë”.
Marrëveshja e mëparshme e qirasë për rezidencën ishte 8 mijë dollarë në muaj. Mesatarisht, çmimet mujore të qirave për metër katrorë është rreth 13 euro (ose 4,485 euro në muaj për rezidencën prej 345 metra katrorësh). Kjo do të thotë se çmimi i qirasë në Shqipëri është rritur mbi 23 euro për metër katrorë. Gjithsesi, 8 mijë dollarë në muaj janë më shumë para nga sa Komisioni Europian paguan për ndërtesat e zyrave në Bruksel dhe duhet theksuar fakti që Tirana nuk është si Brukseli.

Kush i kryen negociatat?

Sipas një dokumenti të EEAS është kreu i delegacionit personi përgjegjës për negociatat dhe kontratat. Në fakt siç mund të shihet nga kontrata e blerjes së vilës në Rolling Hills, ambasadorja është pala nënshkruese. Megjithatë, kur e pyetën nëse kreu i delegacionit i kishte marrë në dorë negociatat nga kompania ligjore, zëdhënësja e BE-së pretendoi se negociatat, të cilat kanë filluar përpara emërimit të kreut aktual të delegacionit, janë kryer nga kreu i administrimit të delegacionit dhe janë kontrolluar dhe finalizuar nga EEAS.

Marrëdhënia e Shqipërisë me korrupsionin dhe delegimin

Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme në Shqipëri, ku korrupsioni është një realitet i jetës së përditshme. Indeksi vjetor i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 e renditi Shqipërinë në vendin 86, me një pikë më shumë se Mongolia dhe Zambia. Më tej, sipas Raportit të Vlerësimit të Korrupsionit në Shqipëri për vitin 2016, “një në dy persona të rritur në Shqipëri pranojnë se i është kërkuar në mënyrë direkte ose tërthortë ryshfet nga një zyrtar publik (49,6%). Kjo tregon rritje të presionit të korrupsionit nga zyrtarët publikë kundër qytetarëve krahasuar me vitin 2014 me 5 për qind”.
Këto fakte identifikohen edhe në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2016 për Shqipërinë ku shkruhet: “Korrupsioni vazhdon të jetë mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz. Nevojiten më shumë përpjekje për të mposhtur korrupsionin në nivelet e larta. Administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo eficent. Korrupsioni prevalon në këtë sektor. Policia ndodhet nën presionin e korrupsionit dhe presionit politik dhe mungon hetimi i thellë për çështjet e krimit të organizuar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon të jetë e domosdoshme për të parandaluar infiltrimin e krimit në sistemet politike, ligjore dhe ekonomike”.
Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë ka gjithashtu një histori sjelljeje problematike. Sipas EU Observer në vitin 2007, dy italianë, një zyrtar i KE-së dhe një tjetër asistent i PE-së, janë arrestuar për korrupsion pasi dyshoheshin për marrje ryshfeti nga kompanitë imobilare dhe ato të sigurimeve në këmbim të kontratave të qirasë, pajisjes dhe sigurisë për ndërtesat e komisionit në Nju Dehli dhe Tiranë.

Axhenda e Vlahutinit dhe enturazhi i Ramës

Hulumtimi i mëtejshëm rreth ambasadores Vlahutin tregon se, Vlahutini bëri deklarata publike që bien ndesh me pozicionin zyrtar të Komisionit Europian në lidhje me përparimin e bërë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë- ndërkohë që qëndrimi i Komisionit ishte shumë më i qartë për hapat që i kërkohet të ndërmarrë Shqipëria.
Një burim në Tiranë i tha «New Europe»-s se, “Vlahutini nuk bën shumë përpjekje për të fshehur mbështetjen e saj për Edi Ramën (Kryeministrin e Shqipërisë). Ndoshta dikush duhet të shikojë se çfarë interesash ka enturazhi i Ramës në Rolling Hills”.

Brukseli pezulloi turpin e Bashkimit Europian në Shqipëri

Në fund të nëntorit të kaluar, Shefi i EURALIUS në Tiranë, Rainer Deville u largua me urgjencë nga Shqipëria. Ai është thirrur nga shefat e tij gjermanë në Bruksel.
Një burim i rezervuar diplomatik tha për Hashtag.al se të dhënat paraprake flasin për një shkarkim të zotit Deville nga detyra që mban. Në këtë moment ne jemi informuar në rrugë informale për pezullimin e tij, por gjasat janë që zoti Deville të jetë shkarkuar nga detyra”, tha burimi.
Deville i mbaronte zyrtarisht mandatin e tij si Shef i misionit EURALIUS në gusht të vitit 2017. Misioni EURALIUS është një entitet i Bashkimit Evropian, i cili ndihmon Shqipërinë në jurisprudencë, për reformat ligjore dhe kushtetuese.
Rainer Deville dhe misioni që ai drejtonte ka pasur rol të dorës së parë në procesin e Reformës në Drejtësi.
Deville u bë objekt debatesh, kur u citua në media, duke thënë se Reforma në Drejtësi do të sillte si rezultat largimin e 400 prokurorëve dhe 400 gjyqtarëve. I gjendur ngushtë nga buja e deklaratës së tij, më vonë ai tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar.
Deville cilësohej si një burokrat i BE-së që ka mbështetur synimet e kryeministrit Rama për Reformën në Drejtësi.
Në fillim të dhjetorit të kaluar, Gjykata Kushtetuese dërgoi për të dytën herë në Venecia një version të përkthyer me korrektime të ligjit për Vetingun.
Versioni i parë i ligjit për Vetingun, u gjet me gabime në përkthim, versioni i parë ishte marrë nga publikimet zyrtare të misionit EURALIUS.
Pezullimi i gjermanit Deville erdhi në të njëjtën kohë, kur kreu i grupit parlamentar gjerman të CDU-së shigjetoi ashpër qeverinë Rama.

BERZH: Krimi dhe kostot e energjisë pengesë për bizneset

Konkurrenca e pandershme dhe kostot e larta për energjinë elektrike janë dy pengesat kryesore për sipërmarrësit shqiptarë për të zhvilluar biznesin e tyre. Ky përfundim u nxor pas një anketimi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në anketim, që kishte për qëllim të nxirrte në pah vështirësitë e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, u morën në pyetje 1 800 sipërmarrës nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje-Hercegovina.
Të gjitha pengesat me të cilat përballen bizneset në vendet e Ballkanit Perëndimor përkthehen në kosto të larta.
Studimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim “Studimi i Mjedisit për Biznesin dhe Performanca e Sipërmarrjes, (BEEPS) që ka marrë në vrojtim 1,800 pronarë biznesesh dhe menaxherë bën të ditur se katër janë çështjet që kanë ndikim më të fortë: krimi, çështjet energjetike, infrastruktura e dobët dhe korrupsioni.
Nga vrojtimet rezulton se mesatarisht firmat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin 13.2% të shitjeve të tyre vjetore për shkak të këtyre katër pengesave. Kjo është një shifër e lartë kundrejt 9.8% që llogaritet në 11 vendet e BE-së.
Nga shifra 13.2% e kostove, 5.9% vjen si pasojë e krimit, 5.8% për shkak të problemeve energjetike, 0.7% për shkak të infrastrukturës dhe 0.7% për shkak të korrupsionit direkt.
Shqipëria paraqitet e treta në grafikun e BEEPS pas Kosovës dhe Maqedonisë që i ka më të theksuara këto probleme. Për Shqipërinë krimi dhe problemet energjetike kanë ndikuar në rritjen e 4 kostove të biznesit.
Këto katër çështje përfaqësojnë një të katërtën e pengesave që janë paraqitur në studim. Pa dyshim çështja të tilla si “taksat e fshehura” apo edhe burimet e prodhimit për shkak të mjedisit jo të duhur të biznesit, ndikojnë gjithashtu në shtimin e kostove. Vrojtimi thekson se janë çështje që merren në konsideratë kur vjen puna te konkurrueshmëria dhe mjedisi i taksave.
E nëse këtyre iu shtojmë edhe kostot e burokracisë, përfshi edhe kohën e harxhuar për t’u njohur me rregullat që vendos qeveria situata bëhet edhe më dramatike.
Studimi tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë më shumë se një ditë në javë për t’u marrë vesh me rregullat e qeverisë.
Lajmi i mirë është se Shqipëria renditet më mirë kundrejt vendeve të tjera të rajonit sa i përket kohës së shpenzuar për t’u dakordësuar me ndryshimet që bën qeveria.
Tjetër vështirësi në Shqipëri, bizneset kanë hasur dhe në aksesin ndaj financave (12,9 për qind) dhe keqadministrimi i taksave dhe procedurat e komplikuara e të fryra tatimore (11,6 për qind). Sipërmarrësit shprehen se bankat shpeshherë i kanë refuzuar dhënien e kredive apo se kanë marrë kredi me interesa të larta. Po ashtu, sipërmarrësit, kryesisht ata të vegjël e të mesëm, duke qenë se nuk kanë mjaftueshëm staf të dedikuar për procedurat tatimore, hasin vështirësi të shumta në plotësimin e tyre.
Në rajon, treguesit të vlerësuar si penguesit kryesorë në të bërit biznes janë konkurrenca e pandershme, destabiliteti politik, aksesi i dobët në financa, nivelet e larta të taksave dhe korrupsioni.

Maqedonia bum investimesh të huaja, tani edhe nga Shqipëria

Mark Babani, i cili prej 21 vjetësh operon në industrinë e përpunimit agroushqimor, është gjendur përballë vështirësive, pasi plotësimi i kuotave vjetore të eksportimit të peshkut të konservuar, nuk i mundëson të punojë me kapacitet të plotë dhe as të zgjerohet më tej.
Fabrika e tij, “Mare Adriatica” numëron rreth 400 punëtorë dhe në planet e tij të afërta ishte ndërtimi i një fabrike të dytë në vend me të njëjtin numër punëtorësh. Prej kushteve të krijuara në vend me kuotat, zoti Babani e ka të vështirë që të operojë në vend me fabrikën që ka. Tashmë ai po shqyrton ofertat që po i jepen nga rajoni.
Për “Monitor”, zoti Babani deklaroi se ka marrë oferta tunduese nga Maqedonia dhe aktualisht është në bisedime për të ngritur atje kompaninë e dytë.
Çfarë ka ofruar vendi fqinj?
Së pari, i kanë siguruar kuotat e mjaftueshme për të eksportuar në Europë pa taksa doganore. Së dyti, i kanë ofruar falas ndërtesën ku ai mund të kryejë investimet kapitale për të ngritur fabrikën e dytë dhe së fundmi deri në 200 mijë euro subvencione për 100 të punësuar në fabrikë.
“Duke mos parë asnjë zgjidhje të situatës në Shqipëri, nuk shikoj asnjë mundësi tjetër përveç shpërnguljes në rajon”, tha Mark Babani. Fillimisht ai synonte Malin e Zi, për shkak të afërsisë, por pas lehtësive që i janë ofruar po shqyrton dhe Maqedoninë.

Problemi me kuotat

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë pa taksa drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, vjet, kuotat e eksportit u përmbushën që në gusht, ndërsa këtë vit parashikohet kuotat të përmbushen që në korrik. Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës, duke rritur ndjeshëm kostot. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane çdo kategori produkti do të taksohet.
Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Sipas zotit Babani, mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për të zgjeruar kuotat, në një kohë kur vendet e Magrebit mund të eksportojnë drejt Europës pa taksa.

Kompanitë e huaja që zgjodhën Maqedoninë

Johnson Controls DOOEL, një ndër më të mëdhatë në botë për prodhimin e pjesëve të automjeteve ka pasur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por është tërhequr për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kostove më të larta. Në Maqedoni ajo ka hapur dy fabrika me mbi 3 mijë të punësuar dhe në vitin 2015 realizoi një xhiro vjetore prej 1.2 miliardë euro, sipas të dhënave rajonale të publikuara nga See News, duke pasur një xhiro katër herë më të lartë se kompania më e madhe shqiptare.
Vetëm eksportet e katalizatorëve në Maqedoni, që prodhohen nga Johnson Control janë rreth 1.2 miliardë euro, ndërsa në Shqipëri, eksportet në total janë rreth 1.8 miliardë euro.
Lear Corporation, një tjetër kompani amerikane, në fund të vitit të kaluar hapi fabrikën e saj të parë në Zonën Industriale të Tetovës në Maqedoni dhe të dytën në vend, pas asaj të Gostivarit që ka 300 të punësuar. Prodhuesi amerikan i tekstileve në industrinë e automobilave ka investuar 15 milionë euro në këtë fabrikë dhe fillimisht ka punësuar 520 persona, ndërsa synon të punësojë deri në 3,000 persona. Lear Corporation është sërish një nga kompanitë që ka shfaqur interes për të hyrë edhe në tregun shqiptar, por më pas vendosi të hyjë në Maqedoni, ndonëse Shqipëria ka pozicion më të favorshëm gjeografik. Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore në Shqipëri, por edhe tërheqja e zonave të lira industriale në Maqedoni duken arsyet kryesore që e bindën Lear Corporation të investonte në shtetin fqinjë.
Edhe kompania amerikane e prodhimit të airbegave për makinat, CapCon, pasi dështoi në Shqipëri për të gjetur krahun e kualifikuar të punës, zgjodhi Maqedoninë. Në vitin 2015 kompania ka investuar 18 milionë euro dhe ka hapur 400 vende të reja pune atje.

Rilindja dhe minimumi jetik

RAMA DHE MINISTRAT NE BULEVARD - Kryeministri, Edi Rama, i shoqeruar nga kabineti i tij qeveritar, duke ecur ne bulevardin, "Deshmoret e Kombit", per te shkuar ne godinen e Kryeministrise, pasi kane bere betimin tek Presidenti, Bujar Nishani.

Ilir Kaduku

Për të gjithë të rinjtë 60-vjeçare, gjyshja është figurë shumë e dashur. Për ironi të fatit për gjyshen time figura më e dashur është e amfibit Blendi Klosi. Çdo natë ajo ngulet me padurim pranë Come Gëllçit (pronarit të RTV shqiptar) dhe pret me ngazëllim të shohë me lot në syçka, të dashurin e saj të zemrës, konsomolasin Klosi. Shpeshhere debatojmë për këtë dashuri të vonuar të saj. Më në fund gjyshja ime e nxori dufin e saj: “Ju kam të dyve xhan, se të dy jeni me diabet. Në ndryshim nga t’i që dëndesh gjithë ditën me pasta, ai i shkreti po sakrifikohet për mëmëdheun”. Gjyshja më ka stisur që ta shoh dhe unë këtë korife të Gubernës shqiptare me shumë dashuri si një bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës timin. Kam edhe shumë arsye ta adhuroj me shpirt këtë figurë biblike. Arsyeja më e fortë është origjina e tij. Si një pinjoll i familjes “bamirëse” Klosi, ai pasqyron më së miri eposin e Mallakastrës trime, djepit që ka përkundur qytetarët e “nderit”, kryekriminelët Mehmet Shehu dhe Feçor Shehu. Duke e pasur “të madh” fatin që t’a njoh dhe t’a dashuroj emocionalisht kolosin Klosi, në mënyrë instiktive më vjen në kujtesë personazhi i Jaroslav Hashekut, Shvejku i famshëm. Shvejku i Hashekut është në memorien e njerëzimit për inoçensën e famshme “ç’më duhet mua, se ç’bëj unë”. Si kronikan dhe biograf  personal i Klosit (Shvejkut të Shqipërisë), konstatoj se “beniamini” im Klosi gjithmonë pa dashur është ndodhur në vendin dhe kohën e “gabuar”. Meqënëse me rilindasit më lidh një “miqësi” e vjetër dhe e pathyeshme, kam marrë përgjegjësinë që të jem biografi dhe kronikani i tyre deri në frymën e fundit. Kronika e “inoçensës” së Shvejkut tim kalon mes luftërash dhe peripecish që kane vlera historike për popullin “largpamës” shqiptar. Si bashkëluftëtar, bashkëfajtor dhe si bashkëvuajtës i  Shvejkut tim, kronologjikisht do të mundohem të lëçis jetën e këtij heroi “të heshtur” të Shqipërisë komuniste dhe postkomuniste. Paraprakisht kërkoj kompromis për një pikë: heroin Klosi t’a konvertoj “me qetësi dhe dashuri” në Shvejk. Më lejoni që të vazhdoj në mënyrë telegrafike konceptin e minimumit jetik.
Minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë socialkulturore. Minimumi jetik është indikatori social kryesor, i cili përdoret për vlerësimin e varfërisë dhe cilësisë së jetës, si dhe për llogaritjen e pagave minimale, pensioneve minimale dhe pagesave sociale bazë. Niveli i minimumit jetik në vend njihet si shuma e parave që duhet të zotërojë çdo person për të përballuar nevojat bazë të mbijetesës së tij si qenie njerëzore. Mënyra tradicionale për matjen e varfërisë bazohet në të ardhurat që realizohen nëpërmjet: pagës minimale, pensionit social, ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë, pagesës së aftësisë së kufizuar, shërbimet shoqërore të njeriut, shportës ushqimore, standardit të jetesës. Mënyra tradicionale për matjen e varfërisë bazohet në të ardhurat. Një familje konsiderohet e varfër, kur të ardhurat e saj bien nën një nivel minimal të nevojshëm për të plotësuar nevojat bazë të anëtarëve të saj. Në literaturën e shkruar dhe në atë elektronike, ky nivel zakonisht quhet minimumi jetik ose kufiri i varfërisë. Aktualisht në vendin tonë, mungojnë të dhëna zyrtare lidhur me treguesin e minimumit jetik. Shqipëria është i vetmi ndër vendet ish-socialiste të Evropës Lindore, pa një tregues zyrtar të minimumit jetik të përcaktuar, që do të thotë se në vendin tonë mungon aktualisht niveli bazë i matjes së varfërisë. Treguesi i minimumit jetik përdoret për demagogji edhe në anualet e Ministrisë të Rinisë e të Mirëqenies Sociale, por evidente është se nuk është bërë asgjë për të bërë krahasimin e minimumit jetik zyrtar për një të punësuar me pagën minimale dhe me madhësinë e pensioneve, të ndihmave sociale, të pagesës së papunësisë etj. Pavarësisht kufizimeve të veta metodike, duke përfshirë edhe ato që lidhen me saktësinë e burimeve të informacionit, minimumi jetik është përllogaritur për herë të parë në Shqipëri në vitet e fundit të regjimit komunist (1989), në vlerën 450 lekë për familje në muaj. Me ndryshimin e sistemit, studimi i parë për përcaktimin e minimumit jetik u ndërmor në vitin 1991 nga Ministria e Ekonomisë dhe Instituti i Studimeve të Ekonomisë në të cilin rezultoi 870 lekë për familje. Përpjekja e fundit institucionale e kryer për llogaritjen e minimumit jetik është ajo e vitit 2001 të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku minimumi jetik u përllogarit 7,975 lekë në muaj për frymë. Që prej atëherë të vetmet vlerësime institucionale janë ato të INSTAT për kufirin e varfërisë për frymë, i cili u përcaktua në vlerën 4,891 lekë (2002); 5,272 lekë (2005); 5,722 lekë (2008) dhe 6,047 (2012). Piramida e Varfërisë është një ilustrim i thjeshtë i gamës së gjerë të koncepteve të përfshira në diskutimin e varfërisë. Niveli bazë i nisjes është aftësia për të marrë ushqim, strehim dhe akses në shërbimet bazë. Kjo piramidë mund të pasurohet me dimensione të tjera, që zgjerojnë bazën të tilla si autonomia dhe pjesëmarrja në jetën qytetare dhe sociale. Në këtë kuadër, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (UDHR) në Nenin 25 të saj citon se, “çdokush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij dhe familjes së tij”. Në përgjithësi, minimumi jetik në botë përcaktohet, duke u mbështetur në nivelin e të ardhurave kombëtare, i cili garanton që konsumi të përfshijë kërkesat minimale të qenieve njerëzore: fizike dhe sociale. Në këtë mënyrë minimumi jetik përdoret më pas si referencë për përcaktimin e pagës minimale, pensionit minimal dhe pagesave të tjera sociale. Sipas Bankës Botërore, konsiderohen individë të varfër ata të cilët jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë. Bota ku jetojmë është në zhvillim. Evropa Lindore dhe Ballkani Perëndimor kanë pësuar transformime të rëndësishme përgjatë 26 viteve të fundit. Vlen të theksohet se, procesi i tranzicionit për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë veçanërisht i pabarabartë. Kjo pabarazi është shfaqur edhe në mirëqenien e vendeve të ndryshme, por edhe të së njëjtës popullatë në një shtet. Në kontekstin e tranzicionit mundësitë dhe kërcënimet e politikëbërësve në rajon kanë qenë të shumta: mundësitë janë lidhur ngushtësisht me prirjen për veprim të shpejtë për të përmirësuar jetesën e njerëzve, por gjithashtu një kërcënim, duke qenë se shpejtësia në veprim mund të sjellë një proces të dhimbshëm reformimi.
Në vijimësi të analizës për çështje të minimumit jetik mund të bëjmë një krahasim të shumave të përcaktuara si vlera të minimumit të mbijetesës në vendet fqinjë të Ballkanit Perëndimor përgjatë tre viteve të fundit. Maqedonia, ka pasur një rritje të nivelit të minimumit jetik si në rastin e individit dhe në atë të njësisë familjare. Ndërkohë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia shfaqet me vlerën më të lartë të minimumit jetik, me një luhatshmëri të vogël në vitin 2014, ardhur si pasojë e kushteve ekonomike. Fatkeqësisht të dhënat e Eurostat nuk sigurojnë informacion për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, ndaj dhe nuk mund të bëjmë një krahasim mes tyre. Megjithatë, kjo masë e varfërisë nuk u llogarit dhe nuk u miratua asnjëherë zyrtarisht. A mund të konsiderohet minimumi jetik prej 16,000 lekësh i mjaftueshëm për t’i siguruar një jetë me dinjitet individëve? Përgjigjja do të ishte pa hezitim jo. Për t’i siguruar individëve një standard jetese të arsyeshëm duhet të ngrihemi mbi konceptin e minimumit jetik. Standard jetese i arsyeshëm është ai standard, i cili plotëson nevojat fizike, psikologjike dhe sociale të një personi. Një standard jetese i arsyeshëm nuk do të thotë që një person duhet të jetojë në një nivel luksi, por as nuk nënkupton se një person duhet të jetojë vetëm në nivelin e mbijetesës. Personi që zotëron paratë duhet të jetë në gjendje që të marrë pjesë në jetën e komunitetit, njësoj si qytetarët e tjerë. Duhet të jetë e mundur për personin që të ha ushqime të shëndetshme…, të ketë rroba për mot dhe situata të ndryshme, të mbajë shtëpinë të rregullt dhe të pastër, të ketë mobilje dhe pajisje në shtëpi për pushim dhe argëtim, të jetë në gjendje që t’i kushtojë kohë aktiviteteve të lira, dhe të lexojë libra, gazeta dhe të shohë televizor. Minimumit jetik duhet të rregullohet patjetër me normën e inflacionit në vend. Kështu, kur norma e inflacionit rritet, bie vlera e parasë dhe si pasojë çmimet bëhen më të shtrenjta. Inflacioni, sasinë e mallrave që mund të blihen me një shumë të caktuar parash. Për këtë arsye, minimumi jetik duhet të rregullohet patjetër me normën e inflacionit në vend. Kështu kur norma e inflacionit rritet, bie vlera e parasë dhe si pasojë çmimet bëhen më të shtrenjta. Për këtë arsye, minimumi jetik duhet të rritet mjaftueshëm aq sa për të kompensuar këtë rënie të fuqisë blerëse të konsumatorëve. Duhet të rritet mjaftueshëm aq sa për të kompensuar këtë rënie të fuqisë blerëse të konsumatorëve. Eshtë fjala për diabolikën e përdorur në funksionimin e mekanizmave bankare, si: GDP, inflacion, norma interesi, marrëveshja REPO, Bono Thesari, borxh publik, për “luftën” heroike të lekut ndaj dollarit dhe euros, etj. Eshtë në “nderin” e rilindasve t’i përgjigjen me sinqeritet pyetjes “së artë”: A është Shqipëria një ekonomi që po vuan apo një vend në zhvillim? I kërkoj ndjesë politikbërësve për ndonjë lajthitje timen, por në shumicën e rasteve do i referohem të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, si: BB, BERZH, FMN, USAID, PNUD, etj.
Varfëria, kafshatë që s’kapërdihet. Instiktivisht lind pyetja sofokliane: Sa të varfër ka sot Shqipëria? Kush quhet i varfër sipas të dhënave zyrtare? Çfarë ndikimi pritet të sjellë rritja e pagës minimale dhe rritja e pagave dhe pensioneve? A është ende Shqipëria vendi më i varfër i Europës? Sot varfëria është ulur cep më cep, por mund ta thotë kush se sa është numri i të varfërve në Shqipëri? Zyrtarisht jo, sepse ne nuk kemi përcaktuar nivelin e minimumit jetik. Sa është ky nivel në vendin tonë? Askush nuk e thotë dhe askush nuk e di. Rilindasit nuk e kanë dashur dhe nuk e kanë njohur këtë tregues. Sot të paktën 400 mijë shqiptarë jetojnë me më pak se 400 lekë të vjetra në ditë, shifër e pranuar përmes ndihmës ekonomike që u jepet rreth 80 mijë familjeve. A është ky minimumi jetik? 400 lekë të vjetra në ditë? Sigurisht që jo, sepse kjo shumë nuk përmbush asgjë nga kërkesat, sado minimale fizike e jo më sociale.
Sot 30% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë. A është ky minimumi jetik? Sigurisht që jo. Se 1.9 dollarë nuk mjaftojnë për t’u ushqyer me kaloritë jetike e aq më pak mjaftojnë për një strehë mbi kokë e për pak rroba sa për t’u mbrojtur nga ngricat.
Por sa është minimumi jetik në Shqipëri? Nuk ekziston ky tregues tek ne, injorohet, prej dekadash lihet në terr. Nuk nxirret prej aty, se është pasqyra ku qeveritë dhe shtetarët nuk duan ta shohin veten. Nuk i bëhet vonë askujt për ta nxjerrë nga terri këtë shifër, se qeveritë nuk kanë patur as ndjeshmërinë minimale për të bërë detyrën ndaj qytetarëve, për t’i trajtuar si njerëz, për të cilët dinjiteti i jetës është e drejtë themelore. Nuk i intereson ta bëjnë të njohur minimumin jetik pushtetarëve të pashpirt, që arrijnë t’i marrin njerëzve me dhunë lekët e bukës, të ndihmës ekonomike, për të paguar dritat, këtyre pushtetarëve që e shohin varfërinë si cen, si mish i huaj dhe jo si produkt i pashmangshëm i një bote të ndërtuar keq. Nuk i duhet minimumi jetik qeveritarëve të paaftë për të kuptuar se pa mundësinë e një mbijetese, askush nuk mund të ketë kurajon për t’u integruar në një realitet, një realitet që mund të pranohet vetëm po nuk qe aq i zi, sa ç’është i zi për njerëzit që as ushqehen, as vishen e as të strehohen përtej mbijetesës. Jetojnë në varfëri, madje varfëri ekstreme. Sot varfëria është ulur cep më cep, por mund ta thotë kush se sa është numri i të varfërve në Shqipëri? Zyrtarisht jo, sepse ne nuk kemi përcaktuar nivelin e minimumit jetik. Minimumi jetik, që siç e thotë dhe termi, është ai nivel të ardhurash që garanton përmbushjen e kërkesave minimale fizike dhe sociale të qytetarëve tanë.
Sa është ky nivel në vendin tonë? Askush nuk e thotë dhe askush nuk e di. Sot të paktën 400 mijë shqiptarë jetojnë me më pak se 400 lekë të vjetra në ditë, shifër e pranuar përmes ndihmës ekonomike që u jepet rreth 80 mijë familjeve. A është ky minimumi jetik? 400 lekë të vjetra në ditë? Sigurisht që jo, kjo shumë nuk përmbush asgjë nga kërkesat, sado minimale fizike, e jo më sociale. Shqipëria është i vetmi ndër vendet e Europës pa një tregues zyrtar të minimumit jetik. Ne as e njohim e as duam ta njohim. Nëse u referohemi shifrave, rreth 79 mijë familje shqiptare, janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, që përfitojnë një vlerë deri 8 mijë lekë në muaj.
Ekonomia shqiptare noton në informalitet të plotë. Aksionet demagogjike të ditëve të para rilindase që dhanë shpresë rezultuan një dështim i plotë. Të verbërit, paraplegjikët, të papunët kanë muaj që s’paguhen, varka e tyre siç duket po mbytet ngadalë në sytë e të gjithëve që rrinë e vështrojnë thjeshtë ‘fenomenin’..A ka ky vend një minimum jetik të garantuar me ligj? Kush është përgjegjës për shumë njerëz që edhe mund të vdesin urie? Realiteti aktual po humbet ”sensin njerëzor” dhe është shndërruar në grupe tifozësh politikë dhe ”kimikë” ditët e fund Kombi shqiptar nuk ka më kohë për të humbur. Edhe me “nostalgjikët” e parajsës së humbur, tanimë e kanë kuptuar se koha e tyre ka mbaruar. Ka ardhur koha që “kongresmenët e kuq”, t’a ngulin mirë në mendje, se nuk janë gjë tjetër veçse “një jashtëqitje” e komunizmit, e regjimit më antishqiptar dhe më kriminal të historisë të popullit shqiptar.. Çdo makiazh, çdo aleancë hibride me fitimtarët, çdo “kameleonizim” i radhës për të cilat rilindasit janë mjeshtra, është fare i pashpresë në përballjen me faktet që do t’i servirë realiteti shqiptar në të ardhmen. Ora e historisë po afron, është ora e vërtetë e shqiptarëve.
Rikthimi i demokratëve në pushtet është një emergjencë kombëtare, duke mbartur me vete dhe shpresën e mbarë shqiptarëve për një ndryshim të thellë, për një Shqipëri më të mirë. Invadorët rilindas, protagonistë të një pushtimi korruptiv total po tentojnë të sundojnë “qetësisht” duke lënë pas një shtet me një trashëgimi mjaft të hidhur politike dhe një faturë ekonomike të kalkuluar në mënyrën më diabolike në dëm të shqiptarëve. Ja kush është skaneri i Ramës dhe e ortakëve të tij të “Rilindjes” gjatë 1240 ditëve të qametit koncesionar:
– një shtet të renditur në parajsën europiane të prostitucionit, trafikut të drogës, të armëve dhe krimit të organizuar,
– një shtet antikombëtar i konvertuar në një makinë shtetërore për denigrimin politik dhe ekonomik të kombit të vet,
– një shtet që përdor dhunën politike, ekonomike, policore dhe sociale ndaj fisnikërisë të shoqërisë shqiptare,
– një shtet të “droguar” ku indeksi i zbatimit të ligjit është tronditës dhe absurd,
– një shtet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Shteti shqiptar është i vetmi shtet ndër vendet në tranzicion me fenomenin kanceroz “state chapture”. Fatura e “taksës” së ryshfetit kryeministror arrin masën 1.6 miliard euro,
–  një shtet me informalitetin më të madh në Europë,
–  një shtet me absorbimin më të vogël të të ardhurave fiskale në raport me PBB,
– një shtet që ka diskriminuar totalisht inisiativën kombëtare në privatizimet strategjike,
– një shtet ku i “zoti i shtëpisë” ditën e përmbytjes biblike, e kalon duke parë ndeshjet e NBA-së në USA,
– një shtet ku qeveria ikën si klandestine ditëve të revoltave popullore,
– një shtet policor (Shqipëria ka numrin më të madh të policëve për frymë të popullsisë në Europë),
– një shtet që shpall si parësore të zhvillimit ekonomik, konçesionet,
– një shtet që ushtron genocid politik ndaj kundërshtarëve të regjimit të tij,
– një shtet shpikës dhe zbatues të teorisë “së tokës së djegur”, “përdhunues” konstant i pasurisë kombëtare të shqiptarëve, popullit më të varfër të Europës,
–  një shtet me një politikë antikombëtare të “portave të shqyera” bankare,
– një shtet që ka varfëruar në mënyrë origjinale popullin e vet (5% e popullsisë zotëron 95% të pasurisë kombëtare),
– një shtet që e ka shndërruar sistemin bankar dhe financiar në “lavatriçen” më të madhe të pastrimit të parave në rajon,
–  një shtet që “plaçkit” Thesarin e Shtetit ditën për diell,
– një shtet, që “plaçkit” identitetin ekonomik të qytetarit,
– një shtet që “plaçkit” identitetin fizik të qytetarit (200 000 kërkesa për “green card” vetëm pranë Ambasadës amerikane),
– një shtet që i katandisi shqiptarët në borxhlinj të bankave të botës me anë të borxhit  publik,
– një shtet që premton 300 000 mijë vende të reja pune dhe zyrtarisht ka bërë gati gomonet për punësim matanë detit.
Ky është testamenti politik dhe ekonomik i qeverisjes së “Rilindjes” tënde, o i madhi dhe i gjati Edi Rama. Përpara se të fillosh të “nanurisish” për 1240 ditët Tuaja të “qametit”, merr mundimin dhe jep llogari për “hyneret” e tua dhe të koncesionarëve tuaj. Besoj se e ke lexuar mikun tonë të përbashkët, të pavdekshmin Dante Aleghieri. Ti dhe skota yte, e dini mjaft mirë se jeni në shkallën e nëntë të ferrit. Si “mik” të ngushtë që të kam, e shoh të udhës të këshilloj që mbaro një herë punë me ferrin dhe pastaj mund të të vij rradha për purgatorin e famshëm. “Mballoma” e Gandhit të Ballkanit dhe e Sekretarit të Parë të Partisë-Shtet që dëshiron të veshësh ti është tepër e hollë për të mbuluar bëmat e “Rilindjes” tënde. Ne mund të jemi të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga ata që na e vodhën lirinë dhe nga hienat e demokracisë në vendit tonë, por të sigurojmë ty dhe gjithë lukuninë tënde se shqiptarët do të gjejnë shpejt rrugën për të rifituar lavdinë dhe dinjitetin që u është grabitur.
I nderuar i Pari i Gubernës shqiptare,
I nderuar shoku Kryerilindas !
I nderuar shoku Sekretar i Parë i Partisë-Shtet,
Të më ndjejnë “Rilindasit”, pushtetarët më antishqiptarë dhe më kriminalë të historisë tragjike të kombit tonë. Besoj se e kuptojnë “me qetësi dhe dashuri” që koha e tyre ka mbaruar. Ora e historisë po afron, është ora e vërtetë e shqiptarëve. Uroj që të jeni i “plotfuqishëm” në misionin historik që Ju kanë ngarkuar 1 000 000 shuplakat. Ftoj bashkëkombasit e mi kudo që janë, të shporrim sa më parë këtë “Rivdekje”, këtë fatkeqësi kombëtare. Të bashkohemi si kurrë ndonjëherë për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Zoti e bekoftë Shqipërine dhe shqiptarët!

Berisha me senatorët italianë për kanabizimin

Ish-Kryeministri Berisha njohu dje senatorët italianë, Paolo Romani dhe Mario Mauro me situatën e rëndë që ka përfshirë vendin ku trafiku i narkotikëve dhe krimi i organizuar po bashkëqeverisin shqiptarët. “Me keqardhje theksova se fatkeqësisht, gjatë këtyre katër viteve nuk ka ardhur në vendin tonë as dhe një investitor, kompani e huaj e re serioze. Një pjesë e atyre që ishin u larguan dhe të vetmet investime të huaja me të cilat kjo qeveri mburret janë investime të kontraktuara dhe nisura në kohën e mandatit të PD. Ky kryeministër, një analfabet në ekonomi, dramën e tij të brendshme dhe lidhjet me krimin i reflekton dhe në ambientin përreth. Me senatorët Romani dhe Mauro ndava dhe shqetësimin për problemin e madh të kriminalitetit në rritje, lidhjet me krimin dhe trafikantët të Edi Rames, të ministrit të Brendshëm Tahiri dhe qeveritarëve të tjerë që e kanë shndërruar qeverinë shqiptare në një organizatë të vërtetë kriminale dhe regjimin në një banditokraci të vërtet”, shkruan Berisha në një reagim në Facebook pas takimit me senatorët. Ish-Kryeministri denoncoi gjatë takimit se Rama dhe Tahiri vendosin emërime në Policinë e Shtetit me qëllim kontrollin e trafikut të drogës. “Sot Edi Rama me lidhjet e tij me krimin, faktikisht drejton këtë organizatë dhe ndërtoi këtë regjim. Ai është i regjistruar tek kërkon miliona euro ryshfete dhe duke komunikuar me trafikantët dhe kriminelët më të rrezikshëm duke u përpjekur t’i mbrojë ata. Vëllai i tij është i lidhur ngushtë me trafikun e kokainës. Nga ana tjetër, edhe lidhjet e ministrit të Brendshëm, Tahiri me kriminelët janë të njohura. Së fundmi ai ka dërguar si drejtor të Policisë Kufitare në Vlorë njeriun më të afërt të njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm që sot ndodhet prapa hekurave, Shullazit. Sigurisht, emërimi i tij në këtë detyrë ka vetëm një qëllim; për të kontrolluar trafikun e drogës”, shprehet Berisha. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri ka theksuar se kanabizimi i vendit është një tjetër problem madhor, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe vendet fqinje. “Kanabizimi i vendit është një politikë shtetërore jo zyrtare. Sigurisht të gjitha këto veçse i largojnë investimet dhe investitorët e huaj. Një tjetër problem është dhe kapja dhe vënia nën kontroll e mediave nga ana e qeverisë. Mediat më të mëdha të vendit janë tërësisht nën kontrollin e Ramës, të cilat censurojnë dhe nuk pasqyrojnë aktivitetet dhe qëndrimin e opozitës. Të gjitha këto e kanë kthyer vendin në një banditistan, por shpreha bindjen se opozita së bashku me qytetarët do t’i tregojë këtyre banditokratëve vendin që meritojnë”, thekson ish-Kryeministri. Berisha tha se senatorët italianë kishin shprehur mbështetje për programin politik të PD. “Si përfaqësues i forcës politike më të madhe të së djathtës italiane, Forza Italia, senatori Romani më përcolli përshëndetjet e mikut tim dhe të shqiptarëve, ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi. Senatorët Romani dhe Mauro vinin entuziastë nga takimi i zhvilluar më herët me kryetarin e PD Basha dhe sipërmarrës italianë e vendas. Theksova se investitorët e huaj janë vitalë për Shqipërinë. Gjatë qeverisjes tonë punuam shumë për të inkurajuar investitorët e huaj, si dhe ndërmorëm një sërë masash për të lehtësuar procedurat dhe barrën fiskale”, tha Berisha.

Hetimi, trafikantët e drogës emërojnë shefat e policisë

Prokuroria për Krime të Rënda lëshoi urdhër-arresti para dy ditësh për dy zyrtarë të lartë policie dhe për disa persona të tjerë, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Dy ditë pas arrestimit të dy zyrtarëve të policisë për trafik droge, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë detaje për implikimin e Haki Hasanbegajt, shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe Gani Abazit, shef i Specialistëve të zonave në Komisariatin e Policisë së Tepelenës me Elton Çiçon, njërin nga njerëzit më të afërt të drejtorit aktual të Policisë Kufitare të Vlorës, Besmir Qibini. Sipas hetimeve të Prokurorisë, emërimet e këtyre zyrtarëve të policisë në poste kyçe janë bërë pas ndërhyrjes së trafikantëve të drogës.
Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se, ka zhvilluar hetim prej disa muajsh për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ende deri më tani, e mbjellë në fshatra të ndryshëm të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 ton kanabis në Tepelenë.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda janë evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, shtetasit Haki Hasanbegaj, me detyrë Shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Vlorë, Gani Abazi, me detyrë Shef i Specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Musa Bedinaj, kultivues, organizator.
Po ashtu janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si kultivues organizatorë, identiteti i të cilëve nuk mund të publikohet, pasi nuk është realizuar arrestimi i tyre. Ndaj këtyre personave, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Nga të dyshuarit, deri më tani është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të Policisë, Hasanbegaj dhe Abazi, të cilët u prangosën nga ana e oficerëve të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, si edhe i një prej kultivuesve organizatorëve, Musa Bedinaj. Të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë operacionit policor.
Në kuadër të këtij hetimi, i cili ka nisur nga referimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, në tetor 2016 u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, ndërkohë që u shpall në kërkim një tjetër zyrtar policor.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasanbegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisariatit të Tepelenës për në detyrën e Shefit të Rendit në Drejtorinë e Vlorës, trafikantët kanë shprehur shqetësimin për zëvendësimin e tij.

Komisarët e policisë, garantë të drogës së Çiços

Nga hetimi rezulton se, Hasanbegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiço, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasanbegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë. Çiço kishte lidhje të ngushta me Besmir Qibinin, drejtor i Policisë Kufitare në Vlorë ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës. Çiço rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasanbegajt në momentin që ky po largohej për në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Po ashtu, Çiço rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasanbegajn në drejtimin e Komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton, se në rastin konkret ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e faktit kriminal, të kultivimit të bimëve narkotike, fakt, i cili parashikohet si vepër penale në Kodin Penal. Njëkohësisht rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë një formë të veçantë bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale që për nga forma, struktura dhe qëllimi ka formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas përkufizimit të parashikuar në dispozitat e ligjit material dhe procedurial penal. Po ashtu rezulton se, secila nga grupet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë krijuar lidhje të mëparshme nga punonjës të policive vendore, me qëllim mbrojtjen dhe shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mos dhënies së informacionit për parcelat e mbjella me bimë narkotike, kundrejt përfitimeve të parregullta.

Lidhjet e Qibinit me Elton Çiçon

Vrasja e Elton Çiços, një njeri me lidhje të forta të narkotrafikut në zonën e Tepelenës, në majin e vitit të shkuar nxorri në pah dhe lidhjet që kishte ai me drejtuesit e lartë të policisë. Në momentin e vrasjes, Çiço ishte në shoqërinë e shefit të Antidrogës në Policinë e Tiranës, Alban Trimi. Alban Trimi menjëherë pas vrasjes u kujdes të fshihte pistoletën e viktimës që mbante në çantë, por edhe celularin e tij. Pistoleta më pas rezultoi se ishte e Besmir Qibinit, nëndrejtorit të Doganave, i cili prej një jave është emëruar drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës, qyteti ku aktiviteti i narkotrafikut drejt Italisë është më i madhi. Duket se emërimi i Qibinit në krye të Policisë Kufitare të Vlorës u bë për të vijuar trafikun e drogës drejt Italisë për shkak të lidhjeve që ky i fundit ka me bandat e këtij trafiku fitimprurës.
Besmir Qibini njihet për lidhjet e tij të ngushta me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në mbrëmjen kur ndodhi vrasja e Elton Çiços, ai nuk ishte prezent, por kamerat e lokalit të vëzhguara në një periudhë një mujore nga Prokuroria kanë fiksuar në tavolinë në shoqërinë e Çiços, dhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Ermal Muça, i cili u mor personalisht me këtë çështje. Madje mes tij dhe Alban Trimit, ish-shefi i Antidrogës ka pasur dhe një debat atë natë. Në mbrëmjen e të nesërmes, Ermal Muça do dilte në TV ku do të shprehej se nuk ish gjetur asnjë armë në vendngjarje, ndërsa vetë Qibini u mundua të errësonte sa më shumë ngjarjen. Urdhri i dhënë nga Saimir Tahiri ishte i qartë: Qibini duhej të shpëtohej me çdo kusht. Jo më kot, Tahiri e hoqi nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe e dërgoi menjëherë në Dogana, ku në postin e nëndrejtorit ai mbulonte Antikontrabandën. Në sektorin e Antikontrabandës, ai u kujdes që të përzgjidhte njerëzit që i duheshin me qëllim që të shmangej ndonjë “gabim aksidental”, për dërgesat që shefi çonte drejt Italisë.

Trafiku i drogës drejt Italisë

Lidhjet e Qibinit me bandën e Çiços kanë bërë që trafiku i drogës drejt Italisë të zhvillohej lirisht nga bregdeti i Vlorës. Me anë të Qibinit u arrit që droga të kalonte drejt Italisë pa asnjë problem. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ngarkesat që kalojnë nëpërmjet kufirit. Dërgimi i ngarkesave me skaf, duket se është dhe mënyra që punët të mbarohen dhe më shpejt. Në Vlorë, veprojnë dhe kushërinjtë e ministrit, me mbiemër Habilaj, të akuzuar shpesh për prodhimin dhe trafikimin e hashashit në këtë qytet. Drejtoria e Kufirit Vlorë është ajo që mbulon dhe ujërat e brigjeve të Jugut nga Dhërmiu deri në Sarandë, ku Klement Balili, i cilësuar si “Eskobar i Ballkanit” kryente aktivitetin e tij prej kohësh i pashqetësuar. Nga statistikat ndërkombëtare të shërbimeve inteligjente, bëhet e ditur se nga lufta e policisë arrijnë të sekuestrohet vetëm 2% e sasisë së drogës që kultivohet. Deri më tani janë sekuestruar diku tek 180 tonë. Pra, me mijëra ton të tjerë kanë kaluar nga Shqipëria drejt Evropës, duke e kthyer vendin tonë në Kolumbinë e kontinentit të vjetër. Dhe porta kryesore furnizuese mbetet Vlora, ku Qibini do të jetë ai që do të drejtojë operacionet.

Prokuroria nis hetimet për grupin kriminal të Çiços

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për grupin e strukturuar kriminal për ngjarjet, ku janë përfshirë vrasjet mes grupit kriminal të Jani Aliajt dhe Elton Çiços. Bëhet e ditur se Policia e Shtetit ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ngjarjet kriminale ku janë përfshirë këto dy grupe, me dyshimin se funksionojnë si grupe të strukturuara kriminale me qëllim kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Burimet saktësojnë, se materiali voluminoz i sjellë nga Prokuroria dhe Shërbimi Sekret shqiptar, ka renditur sagën e konflikteve mes këtyre dy grupeve. Aty janë evidentuar 4 vrasje me armë, 5 atentatet po me armë të mbetura në tentativë me pasojë plagosjen e personave të ndryshëm, vendosjen e eksplozivëve në dy raste, ku për pasojë është gjymtuar një person dhe grabitjen me dhunë të familjarëve të Elton Çiços në Tepelenë.
Sipas këtij materiali, këto dy grupe funksionojnë si organizatë kriminale me qëllim vrasjen e kundërshtarëve, kultivim të lëndëve narkotike dhe më pas trafikimin e tyre. Ky material, thuhet se është përpiluar pas informacioneve operative të agjentëve të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, duke evidentuar edhe dyshime për persona apo individë të caktuar në Policinë e Shtetit, që kanë ndihmuar këto grupe kriminale. Mësohet se hetimi është përqendruar te vrasjet dhe atentatet me armë e eksploziv që këto dy grupe kanë pasur mes tyre në Tiranë apo qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në sitën e hetimit, burimet thonë se janë edhe vrasja e Elton Çiços, e cila po hetohet nga ana tjetër edhe nga Prokuroria e Tiranës, ku ka shpallur në kërkim për këtë ekzekutim Jani Aliaj dhe Renato Milloshin. Pjesë e hetimit të dosjes, mësohet se është edhe ngjarja e cila dyshohet se ka ringjallur hasmërinë mes tyre, është ajo e grabitjes dhe dhunimit të prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. Burimet thonë se për llogari të kësaj dosje po hetohen edhe dy atentatet e dështuara ndaj Jani Aliajt në Gjirokastër dhe Tiranë.
Atentati i vrasjes së Robert Ramës në Durrës, vendosja e eksplozivit ndaj Ervis Imerit dhe vëllait të tij, i cili është gjymtuar. Atentati dhe më pas vrasja e Nelgert Patës në Fier dhe atentati i mbetur në tentative ndaj Andi Mustafarajt pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot” këtu në kryeqytet. Të gjithë këto ngjarje, po hetohen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

R.POLISI

Dëshmitari i Ramës për OSHEE, rrahu motrën në varrimin e babait

Dëshmitari që Rama po e përdor si “varkë shpëtimi” për të shpëtuar nga afera korruptive e CEZ, Romeo Karaj  rezulton të jetë një njeri i dhunshëm dhe me simptoma skizofrenie. Denoncimi këtë herë ka ardhur nga motra e tij Eglantina Shtylla, e cila ka kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj vëllait të saj. Vendimi është botuar i plotë dhe është marrë në shtator të vitit të shkuar, rreth gjashtë muaj, pasi kishte filluar punën Komisioni Hetimor, dhe dëshmitar është marrë pikërisht personi në fjalë. Në fakt, Romeo Karaj nuk e ka për herë të parë shfaqjen e shenjave të skizofrenisë, pasi ka tentuar dhe një herë vetëvrasjen në mesin e viteve ‘90-të, një fakt që ja vuri në dukje dhe deputetja e PD-së, Liljana Elmazi gjatë seancave të Komisionit ku i kujtoi tentativën për vetvrasje të bërë disa vite më parë!

Vendimi

Sipas vendimit të Gjykatës e cila jep dhe kronologjinë e ngjarjes, ngjarja ka ndodhur për një konflikt pronësie, vëlla e motër, por ajo çka e bën të veçantë këtë ngjarje, është se Romeo Karaj aktin ekstrem ndaj motrës së tij e ka marrë pikërisht në ditën e vdekjes së babait. “Në datën 20.08.2016, ndërron jetë babai i palëve dhe paditësja shkon për ngushëllim për babain dhe aty fillon debat me bashkëshorten e vëllait, znj.Majlinda dhe i kërkon të largohet nga shtëpia, pasi ishte shtëpia e saj. Debati ka vazhduar edhe me bashkëshortin e paditëses dhe të paditurit Romeo Karaj i ka kërkuar bashkëshortit të paditëses të largohet nga shtëpia. Më tej, konflikti ka gjeneruar me dhunë fizike, goditje dhe shkelma. Më pas është lajmëruar policia, e cila ka bërë shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë. Gjatë gjykimit përfaqësuesja e palës paditëse deklaron se, paditësja ka hematoma, të cilat i vërteton me vërtetimin e marrë nga Spitali Universitar i Traumës Nr.20644 regj., datë 23.09.2016”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Sipas relacionit shoqërues dhe pyetjeve të dëshmitarëve, gjykohet se zonjës Shtylla i rrezikohet seriozisht jeta nga ai që është pikërisht i vëllai i saj, dhe për këtë arsye ka dhënë urdhër që Karaj t’i qëndrojë 100 metra larg motrës së tij “Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditëses Eglantina Shtylla. Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërdrejtë apo tërthorazi me paditësen Eglantina Shtylla. Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos i afrohet paditëses në një distancë prej 100 (njëqind) metra”, është vendimi përfundimtar i Gjykatës.

Kamikazi Ramës

Ky pra është dëshmitari, i cili po ndihmon qeverinë në zbardhjen e aferës së CEZ. Madje ka marrë dhe titullin “dëshmitar i mbrojtur”, në kohën kur Gjykata merr në mbrojtje të afërmit e tij, për shkak se mund t’u rrezikojë jetën. Edi Rama mund të jetë i vetmi kryeministër në botë, që si mbrojtës së tij ka zgjedhur një njeri i cili ka nevojë emergjente të mjekëve të specializuar për të ekzaminuar shëndetin e tij mendor. Nuk është aspak etike dhe humane që individëve të tillë t’u shtohet dhe presioni për çështje të tilla. Romeo Karaj, ka dhënë shenja të dukshme psikopatie dhe nga qëndrimet e tij kontradiktore në Komisionin Hetimor. Por gjithsesi, Romeo Karaj nuk mund ta ndihmojë dot Edi Ramën nga llogaridhënia se çfarë ka bërë me më shumë se 520 milionë euro të parave të taksapaguesve nga shitja e CEZ. Nga kjo llogaridhënie nuk mund ta shpëtojë as Taulanti i Librazhdit, që ka vënë bast mandatin e tij të deputetit në rezultatet e këtij komisioni, dhe duket se stresi i dështimit të tij është agravuar goxha kohët e fundit. Në rast se Taulanti me Romeon kërkojnë në një përpjekje të dëshpëruar të shpëtojnë shefin e tyre, janë dëshmitë e avokatëve, raportet e KLSH dhe hetimet e organeve të drejtësisë, që nuk do e shpëtojnë dot.

A.M