26.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Italia e Greqia kapin 2 ton drogë të Tahirit

2 ton drogë e nisur nga Shqipëria është sekuestruar mëngjesin e djeshëm nga autoritetet italiane dhe greke. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf, kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane. Sipas mediave të vendeve fqinje, operacioni i madh antidrogë është zhvilluar nga policia italiane dhe greke në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Mediat greke bënë të ditur se, forcat e policisë greke dhe italiane kanë ndjekur për disa orë në det skafin e ngarkuar me drogë. Sikurse bëjnë me dije mediat greke, 3 personat që ndodheshin në skaf hodhën në det pakot me kanabis sativa për të lehtësuar peshën në mënyrë që të mund t’i shpëtonin kapjes nga autoritetet.
Një helikopter po patrullonte nga ajri ndjekjen në det, që më pas vazhdoi në ujërat territoriale shqiptare. Skafistët u drejtuan drejt bregdetit shkëmbor shqiptar, ku dhe mundën t’i shpëtonin rojeve bregdetare italiane dhe greke.
Autoritetet greke dhe ato italiane mblodhën 122 pako të mbushura me kanabis sativa, që ishin hedhur në det. Nga peshimi rezultoi se bëhet fjalë për një ngarkesë prej 2 ton drogë. Sa i përket autorëve, ata mundën të arratiseshin dhe janë fshehur në Shqipëri. Identiteti i tyre është i panjohur. Droga do të transportohej në Itali, por pasi u zbuluan nga Guarda di Finanza, manovruan për t’u shmangur dhe iu afruan bregdetit grek.

5 ton drogë drejt Italisë pas emërimit të Qibinit

Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë është rritur frikshëm pas emërimit të Besmir Qibinit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës. Sipas statistikave, në një javë që njeriu i Tahirit u vu në krye të Policisë Kufitare të Vlorës drejt Italisë dhe Greqisë janë futur plot 5 tonë drogë nga brigjet shqiptare.
Një skaf me 800 kg drogë që vinte nga Shqipëria u diktua të dielën e kaluar në gjirin e San Cataldo-s. Operacioni, sipas tyre, është finalizuar nga reparti operativ aeronaval i Guardia di Finanza në Bari dhe Taranto, që po kryen funksionet e qendrës së koordinimit lokal të misionit Frontex.
Skafi u kap 20 milje larg bregut. Ai kishte një gjatësi prej 8 metrash dhe një motor të fuqishëm (225 kuaj fuqi). Nëse do të kishte përfunduar në treg, sasia e drogës do t’i kishte siguruar 7 milionë euro organizatës kriminale.
Pas sekuestrimit të 800 kg kanabis, të hënën e kaluar Guardia Di Finanza sekuestroi përsëri 500 kg drogë në ujërat e detit Adriatik, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy transportuesit nga Vlora. Sipas mediave italiane, operacioni nga deti dhe ajri u zhvillua në brigjet e Sao-s, në Leçe, ndërsa ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës.
Mediat italiane shkruajnë se të dy trafikantët në bord u përpoqën të iknin, duke hedhur jashtë varkës, (7 metër e gjatë dhe me motor të fuqishëm), drogën, por ata u arrestuan. Kontrabandistët, identiteti i të cilëve nuk dihet, të moshave 30 dhe 48 vjeç, të dy nga Vlora, akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Marijuana e nxjerrë nga deti ishte paketuar në 28 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 506 kg.
Po ashtu, bëhet e ditur se nëse droga do të kishte dalë në treg për shitje, ajo kapte vlerën e 5 milionë eurove. Ky është operacioni i dytë i zhvilluar nga Guardia Di Finanza në të njëjtën zonë brenda 48 orëve.
Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. Vetëm në Pulja, Guardia di Finanza ka sekuestruar 5 ton hashash në këto ditë të para të vitit 2017, ndërsa në vitin 2016 numërohen 20 ton.

R.POLISI

Haradinaj do rikthehet në Kosovë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë, ndërsa iu ka thënë se së shpejti do të jenë bashkë. Shumë protesta janë organizuar kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë pas një urdhërarresti të Serbisë.
“Mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë dhe e pandërprerë për asnjë moment për mua, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që është krejt e përputhshme me të drejtën e drejtësinë individuale e kolektive, për të gjithë popujt e lirë!
E kam parë tash e një muaj karvanin e popullit tim që nuk sosej kurrë, e që marshonte në Prishtinë e në Tiranë, në Shkup e në Gjakovë, në Prizren e Malishevë, në Istog e në Podujevë, në Obiliq e Rahovec, në Vushtrri e në Deçan, në Kamenicë e në Lipjan, Ferizaj…e kështu me radhë gjithandej e deri sot me protestën e madhe në Pejë!
Po ashtu mijëra bashkëkombas që kanë protestuar me aq qytetari, që nga Amerika, Australia e deri te shtetet evropiane, Francë, Angli, Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Itali… Kur një popull është në këmbë, ai e di që është në të drejtën e tij, siç jemi të gjithë ne edhe këtë herë! Shpejt do të jemi bashkë, sepse kemi shumë punë për të bërë! Krenar me ju! Ramush Haradinaj”, shkruan Haradinaj në reagimin ën facebook.

Reagimi i Trump: Vendimi do hidhet poshtë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka postuar një mesazh të ashpër në Tëitter pasi një gjykatës në Seattle e ka bllokuar përkohësisht implementimin e urdhërit të tij ekzekutiv që ndalonte të gjithë refugjatët dhe vizitorët nga shtatë shtete me popullatë kryesisht myslimane, për të hyrë në SHBA.
Trump, më 4 shkurt, iu ka referuar gjykatësit, James Robart, si “i ashtuquajturi gjykatës” ndërsa vendimin e tij e ka quajtur si “qesharak”.
Vendimi do të hidhet poshtë, ka shkruar Trump.
Presidenti ka shkruar gjithashtu se “disa vende të Lindjes së Mesme pajtohen me ndalimin” e tij. “Ata e dijnë se nëse njerëz të caktuar lejohen brenda, atëherë kjo nënkupton vdekje dhe shkatërrim”, ka thënë ai. Gjyaktësi federal, James Robart, që në atë pozitë ishte emëruar nga ish presidenti George Ë. Bush, ka vendosur mbrëmjen e 3 shkurtit se urdhëri ekzekutiv nuk mund të zbatohet.

Antidemokraci origjinale në Rumani

Peter Janku

Ata u mblodhën së bashku njësoj si hajdutët natën: pa njoftuar as kolegët e kabinetit në ditën me diell për qëllimet e tyre, kësisoj të martën në mbrëmje (31.01) ministri i Drejtësisë, Florin Iordache vendosi në rendin e ditë të një mbledhjeje të pazakontë të kabinetit në një orë të vonë dekretet me procedurë të përshpejtuar. E më pas ai me këmbëngulje dhe i pamëshirshëm argumentoi, atë që theksojnë pa u lodhur mbështetësit e qeverisë, që ata të lirohen prej “burgjeve të tejmbushura”. Brenda natës dekretet u publikuan në Fletoren Zyrtare, për të hyrë kështu menjëherë ligjërisht në fuqi.

Gjoja burgje të tejmbushura
Qeveria nuk i mori parasysh deklarimet e ekspertëve, që pas një verifikimi e kanë theksuar vazhdimisht, se burgjet në Rumani nuk janë të mbingarkuara ose të paktën më pak të ngarkuara krahasuar me ato holandeze e italiane. Iordache në një konferencë shtypi të organizuar me nxitim nuk lëshoi pe ndaj asnjë rezerve të shprehur mbi bazë argumentesh. Ai vazhdimisht theksoi, se vetëm qeveria dhe Parlamenti kanë “të drejtë, që të lëshojnë ligje e dekrete”.
Se çfarë synohet vërtet përmes dekreteve, kjo merret me mend nga nxitimi, si dhe mosrespektimi me arrogancë i të gjitha rregullave dhe normave demokratike dhe të shoqërisë civile: synohej, që të dalin me duar të pastra dhe të mund të qeverisin sërish ata që janë dënuar ndërkohë për mashtrim elektoral, si dhe për shkelje të tjera si kryetari i Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, e duzina të tjerë anëtarët të partisë të akuzuar për korrupsion e abuzim.
E kjo pavarësisht manifestimeve masive kundër, pavarësisht refuzimit të dekreteve nga opozita dhe shoqëria civile, pavarësisht kërkesës së presidentit për pezullimin e tyre, pavarësisht mosaprovimit prej drejtësisë dhe drejtueses së Autoritetit të Antikorrupsionit, DNA, së cilës i tremben të gjithë politikanët.

Presidenti i indinjuar
Presidenti Klaus Johannis, i cili një herë ia doli që qeveria t’i heqë dekretet nga rendi i ditës, reagoi i indinjuar. Presidenti i kërcënuar disa herë me shkarkimin nga posti prej krerëve të Partisë populiste Social Demokrate dhe aleatëve të saj liberalë në koalicion, e kritikoi aksionin me nxitim në terrin e natës që u pasua me aksione proteste. Johannis e quajti një “ditë zie” dhe deklaroi, se “deri në ditën e tij të fundit në detyrë” do të luftojë për rivendosjen e shtetit ligjor në Rumani. Kritika të ashpra erdhën edhe nga organizma relevantë duke përfshirë edhe sindikatat, që tradicionalisht janë të afërta me qeverinë e majtë nacionaliste.
Ndërsa nga qendra e europianëve të preokupuar me Trump-in dhe populistët e djathtë në Europën Qendrore nuk pati asnjë reagim. Të nesërmen e vendimit përmes një mesazhi në Twitter u prononcua europarlamentarja ekologjiste Rebecca Harms duke iu adresuar presidentit të Komisionit të BE-së Tusk, se Rumania ka nevojë për ndihmën e BE-së. Diku nga mesdita (01.02) Jean-Claude Juncker dhe ambasada gjermane në Bukuresht shprehën shqetësimin e tyre. Megjithatë në sfondin e efikasitetit të mediave të propagandës ultranacionaliste dhe armiqësore ndaj demokracisë ndërhyrje të tilla kalojnë pa u vënë re.

Rumania nuk duhet lënë vetëm
A është i kërcënuar tani ekzistencialisht shteti ligjor në Rumani? Këtu në fillim të viteve nëntëdhjetë u aplikua një sistem postkomunist autoritar i “demokracisë origjinale”. Por edhe në vende të tjera nga Ankaraja deri në Budapest, nga Varshava deri në Uashington tashmë parimet e padiskutueshme po cenohen prej populizmit të shfrenuar. Apo ndoshta ka marrë fund shteti ligjor rumun? Nuk përjashtohet as njëra dhe as tjetra. Masat e rigjallërimit janë urgjentisht të nevojshme. Europa kurrsesi nuk duhet ta lerë vetëm Rumaninë. Ta ndjekësh me vëmendje dhe të veprosh me efikasitet, kjo do të ishte rruga e vetme e arsyeshme.

Rumania në revoltën më të madhe nga 1989

Ndërsa mijëra rumunë dolën nëpër rrugë në protesta për të pestën ditë radhazi, udhëheqësit e qeverisë së koalicionit të Rumanisë, lanë të kuptohej se mund të hiqnin dorë nga dekreti për të dekriminalizuar disa raste të abuzimeve me detyrën nga zyrtarët.
Komentet mesa duket kanë si synim të parandalojnë protesta të mëdha që janë paralajmëruar për sot në mbrëmje, që parashikohet të jenë më masivet në vend që kur ra komunizmi në vitin 1989.
Presioni ndaj qeverisë nga brenda dhe jashtë vendit për të shfuqizuar dekretin që dobëson luftën ndaj korrupsionit në vend, ka qenë i jashtëzakonshëm.
Më shumë se 250 mijë rumunë po protestojnë në çdo qytet të Rumanisë kundër qeverisë dhe nismave ligjore të saj, që nxisin dhe justifikojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
Protestat, ndër më të mëdhat që nga rënia e komunizmit, nisën menjëherë në të gjithë vendin, sapo qeveria miratoi në mënyrë urgjente, një ligj që dënon korrupsionin vetëm në ato raste ku dëmi financiar i shkaktuar është më i lartë se 47 mijë dollarë.
Ndryshimet ligjore kanë disa javë që diskutohen në Parlamentin rumun, por qeveria e re, e formuar pas zgjedhjeve të dhjetorit, vendosi miratimin e tyre papritmas të martën në mbrëmje vonë.
Nga këto ndryshime do të përfitojë Liviu Dragnea, lideri i Partisë Social Demokrate (PSD), në pushtet aktualisht. Ai është dhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, dhoma më e ulët e Parlamentit rumun.
Liviu Dragnea është akuzuar për abuzim të pushtetit dhe korrupsion për një shumë prej rreth 26 mijë euro. Ai është dënuar me kusht në prill të vitit të kaluar me dy vjet dënim me kusht, por kjo nuk e largoi nga politika.
SHBA-të, Gjermania, Kanadaja, Finlanda, Holanda dhe Franca kanë deklaruar se qeveria e Rumanisë po minon “progresin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit gjatë dhjetë viteve të fundit”.
Pavarësisht protestave që do të vazhdojnë dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve, qeveria rumune refuzon të anulojë ligjin.
Të enjten, Kryeministri Sorin Grindeanu në një konferencë për shtyp së bashku me liderin e PSD-së Dragnea, deklaroi:
“Ne morëm një vendim dhe do të vazhdojmë me të. Partia më siguroi se kemi mbështetjen e tyre për të vazhduar  me planin tonë”.
Kjo është qeveria e tretë e formuar në Rumani brenda dy viteve të fundit.
Presidenti rumun Klaus Iohannis, roli i të cilit është kryesisht ceremonial, por që është një ndër figurat më të respektuara nga qytetarët, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të rrëzojë ligjin. Ai ishte një nga liderët që bëri thirrje dhe mbështeti protestat kur e quajti ditën e votimit të ligjit një “ditë zie për sundimin e ligjit”.

“Reuters”: Një emërim i ri konfirmon që Papa po ndërhyn tek “Kalorësit e Maltës”

Papa Françesku e ka emëruar një kryepeshkop si të deleguarin e tij të ri për “Kalorësit e Maltës” duke i dhënë atij “të gjithë fuqinë e nevojshme” për të ndihmuar urdhrin fetar që të reformojë Kushtetutën dhe të zgjedhë një lider të ri.
Në një letër që “Reuters” raporton se është publikuar të shtunën, Françesku e ka emëruar numrin dy të Sekretariatit të Shtetit, kryepeshkopin Angelo Becciu, si të deleguarin special.
Mandati i Becciu e konfirmon lidhjen e vështirë që Kardinali amerikan, Raymond Burke e ka pasur me Papën.
Burke deri më tash ka qenë ura e vetme lidhëse në mes të Papës dhe urdhrit antik aristokratik që për gjenerata të tëra për pjesëtarë ka pasur fisnikët e katolikëve të Evropës.
Burke ka qenë arsyeja kryesore për krizën brenda këtij urdhri gjatë tri muajve të fundit, duke rezultuar me dorëheqjen e mjeshtrit të madh, Mathew Festing, pasi ky i fundit u përfshi në një debat publik kundër Papës rreth një skandali me kondomë.
Me përkrahjen e Burke, Festing e kishte pezulluar kancelarin e lartë të urdhrit, Albert von Boeselager. Pasi e ka marrë vesh këtë vendim, Françesku i ka marrë nën kontroll “Kalorësit e Maltës”, duke ia kërkuar dorëheqjen Festingut dhe duke i rikthyer në detyrë Boeselagerit.
Ndërhyrja e Papës ka alarmuar pjesëtarët e urdhrit “Kalorësit e Maltës”, të cilët janë krenarë për statusin sovran të urdhrit të tyre.
Në letrën e të shtunës, Papa ka thënë se Becciu do të punojë për së afërmi me Boeselagerin, i cili teknikisht tash është në krye të urdhrit “Kalorësit e Maltës”.

Si po përgatitet Rusia për presidencën Trump

Pavel Koshkin, Russia Direct

Presidenca e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara ka qenë një burim i pashtershëm debati për komunitetin rus të ekspertëve, i cili vazhdon të theksojë paparashikueshmërinë e fenomenit Trump. Vetëm dy javë më parë, kur Shtetet e Bashkuara përgatiteshin për inaugurimin e famshëm të presidentit të zgjedhur, Moska ishte duke mbajtur shënime. Mediat ruse janë duke i kushtuar presidencës së Trumpit të njëjtën vëmendje që i kushtuan aneksimit të Krimesë apo përshkallëzimit të konfliktit ushtarak në Ukrainën Lindore.
Gjatë javës që parapriu inaugurimin, ekspertët rusë kishin kryer një sërë diskutimesh dhe kishin nxjerrë raporte për presidencën e Trumpit dhe impaktin që ai do të kishte në marrëdhëniet ruso-amerikane. Në të njëjtën kohë, populli rus duket se ka shpresa të mëdha tek e ardhmja që do të sjellë lideri i ri amerikan, por deri në ç’pikë mund të themi se këto pritshmëri të mëdha janë të justifikuara dhe realiste?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, një sërë ekspertësh rusë të politikës së jashtme dhe të brendshme kanë radhitur avantazhet dhe disavantazhet që do të sjellë ky ndryshim i madh në lidershipin amerikan. Një event diskutimi është mbajtur më 18 janar në Klubin e Diskutimeve Valdai dhe një tjetër më 20 janar në qendrën mediatike të Moskës. Të gjithë ekspertët duket se janë dakord që presidenca e Trumpit ngre shumë pikëpyetje dhe krijon si sfida, ashtu edhe mundësi të panumërta. Administrata Trump duket me pak fjalë si një eksperiment i madh me rezultate të pasigurta dhe me implikime që do të shtrihen në të gjithë botën.

Të kuptosh fenomenin Trump
Edhe pse katër vitet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara priten të jenë tërësisht të paparashikueshme, zgjedhja e Donald Trumpit si president mbart një logjikë të pastër dhe është rezultati i një sërë faktorësh që duhet të analizohen së bashku. Rritja e jashtëzakonshme e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara, diferencat e theksuara politike brenda establishmentit amerikan, zhgënjimi masiv i popullsisë me elitën e vendit, dështimi i demokratëve për të tërhequr 3 milionë vota më tepër, nënvlerësimi i fenomenit Trump dhe mbivlerësimi i popullaritetit të Partisë Demokratike – të gjithë janë faktorë që ndikuan në fitoren e jashtëzakonshme të biznesmenit amerikan.
Sipas ekspertëve, presidenca e Trumpit është në fakt një simptomë e krizës politike që duhet të zgjidhet sa më shpejt, duke pasur parasysh shtrirjen e jashtëzakonshme të influencës që kanë Shtetet e Bashkuara nëpër botë. Robert Legvold, profesor i Universitetit Columbia, e ka përshkruar “intensifikimin e polarizimit” të politikës amerikane si sfidën më të madhe të shekullit 19.
Ky polarizim shoqërohet gjithashtu edhe nga mosfunksionimi i thellë i qeverisë së mëparshme dhe krizës institucionale. Donald Trump është rezultati i dështimit të plotë të presidencës së Barack Obamës, sipas Maxim Suchkov, një ekspert në Këshillin rus të Çështjeve Ndërkombëtare (RIAC).

Trump dhe fusha e eksperimentit
Sot, pushteti dhe influenca janë duke u spostuar drejt liderëve që i përkasin sektorëve të ushtrisë dhe industrisë. Fitorja e Donald Trumpit është një shenjë e qartë i këtij trendi, sipas Andrei Bezrukov, një profesor i Institutit Shtetëror të Rusisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Universiteti MGIMO), i cili prezantoi edhe raportin e titulluar “Donald Trump: Profili profesional i presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara” gjatë eventit të diskutimeve në Valdai.
Në fakt, gjatë fushatës së tij parazgjedhore, atëherë presidenti i ardhshëm amerikan i përfaqësonte të dy këto elita – ushtrinë dhe industrinë – përmes sloganit të tij “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”. Në të kundërt, kandidatja demokrate Hillary Clinton kishte zgjedhur të përfaqësonte katër elita të tjera – Wall Street-in, mediat, akademinë dhe establishmentin amerikan.
Drejtuesi i Qendrës Carnegie në Moskë, Ditri Trenin i përshkruan anëtarët e ekipit të Trumpit si negociatorë “seriozë” të gatshëm për të ndjekur pa pushim qëllimet e tyre dhe për të arritur kompromise të kënaqshme, të drejtuar nga kategoritë e thjeshta të interesave kombëtare dhe ato të biznesit. Ai theksoi gjithashtu se ekipi i Donald Trumpit përfshin përfaqësi të qendrave këshillimore dhe të akademisë, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë në presidencat e paraardhësve të Trumpit.
Të gjitha këto tregojnë se Trump është duke u sjellë si një antikonformist klasik. Ai shkatërroi konsensusin në Washington dhe sfidoi hapur nocionet klasike të sjelljes korrekt politike, e cila ekzistonte më parë në jetën politike amerikane dhe solli në axhendën e tij problemet e vërteta, ato që shumë politikanë të tjerë kishin frikë t’i ngrinin. Ai solli në vëmendjen e të gjithëve shumë pyetje të sikletshme që diplomatët ishin përpjekur t’i shmangnin përmes heshtjes dhe i kamuflonin në axhendat e tyre sekondare. Specifikisht, presidenti Trump ngriti problemin e identitetit amerikan dhe theksoi një rol të ri që Amerika duhet të luajë brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare.
Fenomeni Trump buroi nga vetë fakti se debatet publike mbi çështjet më të sikletshme dhe temat tabu ishin mbajtur prej kohësh të fshehura nga axhenda e qeverisë amerikane apo ishin shtypur nga nocioni i “sjelljes korrekte politike”, thotë Ivan Safranchuk, një profesor i Universitetit MGIMO gjatë diskutimeve në Valdai.
Ka shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara që kanë të njëjtin mentalitetit të presidentit Trump. Safranchuk thotë se këta persona e kanë mbështetur Trumpin për shkak se ishin mësuar me standarde të larta të jetesës amerikane. Të ndodhur përballë sfidave të rënda ekonomike, ata filluan të ndiheshin gjithmonë e më të pasigurt për të ardhmen e tyre. Pasiguria ndihej kudo me rritjen e papunësisë, rënien e të ardhurave për pjesën më të madhe të popullsisë, sfidat e kujdesit shëndetësor dhe mundësitë e zvogëluara për të pasur një edukim të lartë dhe për të qenë konkurrues në tregun e punës.
“Trump riformatoi dialogun politik të Shteteve të Bashkuara”, thotë Bezrukov. Në fakt, e ktheu të gjithë këtë kritikë të ashpër ndaj elitës politike në favorin e tij, duke arritur një fitore të jashtëzakonshme të zgjedhjeve presidenciale. Çdo politikan tjetër do të kishte pasur tepër të vështirë, për të mos të pamundur, të transformonte këtë sjellje skandaloze politike në një triumf. Donald Trump fitoi, pjesërisht falë faktit se ai është “një fenomen i kulturës pop”, sipas Andrei Sushentsov, drejtuesi i Grupit Këshillimor të Politikës së Jashtme dhe autor i raportit të Valdait.
“Fitorja e Donald Trumpit është një rast unik”, tha ai, duke shtuar se më në fund Amerika ka një president që nuk i detyrohet asgjë lobistëve, establishmentit apo grupeve të ndryshme financiare për fitoren e tij të jashtëzakonshme. Kjo i jep lirinë aq të nevojshme për të vepruar gjatë mandatit të tij, duke e kthyer kështu presidencën në një “fushë eksperimenti”.
Legvold argumenton se Shtetet e Bashkuara dhe bota do të kenë mundësi ta kuptojnë natyrën e administratës së Trumpit pas disa muajsh. Deri tani, përveç çështjes së shumëdebatuar të urdhrit ekzekutiv kundër emigrantëve, të gjithë janë të fokusuar për t’ju përgjigjur disa pyetjeve thelbësore: Sa kapital politik do të shpenzojë ekipi i Trumpit në politikën e brendshme? Si do të ndryshojë politika e jashtme – a do të tërhiqet Trump nga dominanca globale e Shteteve të Bashkuara apo do të përpiqet të ruajë lidershipin global? Këto janë pyetjet që janë duke munduar komunitetin e ekspertëve në Shtetet e Bashkuara, thotë Legvold.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në mjedisin aktual gjeopolitik, në mes të lëvizjeve agresive dhe imponuese të Rusisë në fushën e politikës së jashtme në Ukrainë, Kinë dhe rajonin e Azisë dhe Paqësorit. Deri tani, deklaratat dhe zotimet e Trumpit e kanë lënë Ukrainën të shqetësuar, Kinën të frustruar dhe Rusinë të trazuar, por të mbushur me shpresë, vazhdon Legvold. Pyetja më e rëndësishme është: A ka gjetur ekipi i Trumpit strategjinë e duhur për t’u pajtuar me aktorët e tjerë globalë, përfshirë këtu edhe Rusinë?

Marrëdhënia ruso-amerikane
Sushentsov dhe Bezrukov argumentojnë në raportin e tyre se administrata e Trumpit mund të shërbejë si katalizator dhe të zgjidhë shumë probleme ndërkombëtare dhe të brendshme, duke pasur parasysh të shkuarën e karrierës së Trumpit dhe reputacionit të tij si negociator brilant. Ata mendojnë se presidenti amerikan do të shtyhet nga interesat pragmatike, jo nga ideologjia, gjë që krijon mundësi për Rusinë që të gjejë një rrugë të përbashkët me Washingtonin. Megjithatë, duhet parë nëse Trump arrin ta përkthejë përvojën e tij eficente të biznesit në një presidencë të suksesshme dhe marrëdhënie të mira me Kremlinin, thotë Sushentsov.
Në fakt, gjatë konferencës së tij për shtyp, Trump ka pranuar se do të përpiqet të shkojë mirë me presidentin rus, Vladimir Putin. Megjithatë, nëse dy liderët nuk arrijnë të vendosin një bazë të qëndrueshme mirëkuptimi ndërmjet tyre, Trump ka sinjalizuar se do të tregohet akoma më i ashpër se Clinton, nëse ajo do të kishte qenë presidente.
Shumica e ekspertëve rusë, përfshirë edhe Trenin dhe kolegun e tij Alexei Arbatov, kreu i Qendrës së Programit të Mospërhapjes Bërthamore, besojnë se administrata e Trumpit do të negociojë me Rusinë nga një pozicion si lider i superfuqisë së vetme botërore, nga një pozicion force. “Ndërkohë që demokratët dëshironin të kënaqnin botën duke kontribuar në zgjidhjen e problemeve globale, republikanët duan të kënaqin Amerikën, duke e shfrytëzuar botën si aset”, thotë Arbatov, duke thënë se një qasje e tillë mund të shkaktojë tensione me Rusinë.
“Rusisë do t’i duhet të përgjigjet nga një pozicion më i dobët dhe të mos humbë, sepse është më e dobët ekonomikisht dhe politikisht se Shtetet e Bashkuara”, shton Trenin. Megjithatë, shenja e mirë është që administrata e Trumpit të paktën ka një koncept ndërmend për mënyrën se si Amerika duhet të trajtojë rolin e Rusisë në botën moderne. Nëse ky koncept i shkon për shtat edhe Kremlinit, Trump mund t’i normalizojë lehtësisht marrëdhëniet me Rusinë, thotë Sushentsov.
Në të kundërt, askush nuk guxon të parashikojë pasojat. Edhe nëse Putini dhe Trumpi mund të kenë këndvështrime të ngjashme, kjo nuk do të thotë se kimia personale ndërmjet tyre do të përkthehet në marrëdhënie më të mira, paralajmëron Sushentsov. Nëse përqendrohemi në marrëdhëniet personale ndërmjet dy liderëve, mund të rrezikojmë të tregohemi politikisht naivë. Është tepër e rëndësishme që të ekzistojë mirëkuptimi jo vetëm ndërmjet dy liderëve, por edhe ndërmjet grupeve të tjera, strukturave dhe agjencive.
Në të kundërt, marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të shkojnë më tej si një miqësi e perceptuar ndërmjet Putinit dhe Trumpit. Diçka e tillë është e rrezikshme, duke qenë se miqësitë ndërmjet liderëve mund të ndryshojnë brenda natës si pasojë e eventeve të ndryshme globale që mund të zhvillohen. Sushentsov argumenton se Kremlini nuk duhet të befasohet nëse Trump ndryshon tonin e tij favorizues kundrejt Putinit dhe ndjek një retorikë më të egër, duke sinjalizuar se nevojiten gjëra të dhëna në këmbim të përmirësimit të marrëdhënieve. Në mes të kësaj situate të paparashikueshme, Moska dhe Washingtoni duhet të lehtësojnë tensionet ndërmjet tyre dhe të mos lejojnë që politika të frenojë bashkëpunimin e tyre të mundshëm në Arktik dhe fusha të tjera.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Uashingtoni kundër Berlinit

Kur më 1682 anglezi William Penn, pronar i provincës me emrin Pennsylvania, shkoi në Vestfali dhe në Palatinat, nuk e imagjinonte se me këtë rast do të takonte kërthizën e Amerikës. Në kërkim emigrantësh për të populluar territorin e tij dhe të bashkëfetarëve për t’u shpëtuar persekutimeve, trashëgimtari kuejkër arriti që t’i bindte banorët ta kalonin Atlantikun. Anabaptistëve, menonitëve dhe pietistëve iu premtua tokë për ta punuar, liri fetare absolute dhe një panoramë që të sillte ndërmend peizazhet e Aifelit. Apeli u mirëprit nga Abraham op den Graeff dhe nga 12 banorë të tjerë të Krefeldit në Vestfali, që më 6 tetor 1683 në bordin e anijes “Concord” zbarkuan në Pennsylvania. Qe fillimi i eksodit më imponues drejt Botës së Re. 13 fillestarët themeluan qytetin Germantown, sot zemra e Philadelphia dhe 5 vite më pas frymëzuan lëvizjen kundër skllavërisë. Mbi të gjitha inauguruan një rrugë që gjatë shekujve do të çonte në kontinentin veriamerikan mbi 7 milionë bashkëkombas, të çdo feje dhe besimi. Renanë, vestfalianë, saksonë, bavarezë, pomeranë, turingas, zviceranë, habsurgas, gjermanë të Vollgës, që pothuajse për inerci kanë plazmuar kulturën amerikane dhe futur kombin gjerman në fatin e Shteteve të Bashkuara. Prandaj Gjermania ka qenë për një kohë të gjatë fuqia e vetme njëherazi në gjendje të dominojë Eurazinë dhe të copëtojë Amerikën nga brenda. Më e rrezikshme se Japonia dhe Bashkimi Sovjetik, pasi e pajisur me një kolonë të pestë (potenciale) të ngulitur mirë përtej oqeanit. Për t’i anuluar pretendimet hegjemoniste dhe për t’i penguar lidhjen me Rusinë, në shekullin XX Shtetet e Bashkuara kanë luftuar dy konflikte botërore dhe e kanë vendosur Bonin në qendër të strategjisë së tyre për pjesën tjetër të Luftës së Ftohtë. Duke sanksionuar forcën asimiluese të Deutschamerikaner dhe duke i shndërruar në një fakt fushatat e Europës në luftëra civile “gjermane”. As përfundimi i erës bipolare nuk e ka zhdukur marrëdhënien konfliktuale dhe kontradiktore midis dy vendeve.
Eksportuesi i dytë botëror dhe që tenton fiziologjikisht nga Lindja, Gjermania është për Shtetet e Bashkuara njëherazi një partner historik dhe një kundërshtar strategjik. Me Uashingtonin akoma sot të impenjuar që ta prishë lidhjen midis Berlinit e Moskës dhe ta shtrëngojë Republikën Federale në frontin perëndimor. Në kuadër të një manovre të lidhur me ruajtjen e supremacisë amerikane.
Gjermanët përbëjnë etninë më të përhapur të Amerikës. Sot 55 milionë qytetarë amerikanë gëzojnë një prejardhje të drejtpërdrejtë teutone dhe rreth 100 milionë kanë të paktën një të afërm të ardhur nga Gjermania. Shumë më tepër se anglezët, irlandezët apo meksikanët. Nën shabllonin anglishtfolës që ngatërron vëzhguesit e huaj, përtej oqeani pulson një shpirt thellësisht gjerman. Me kalimin e kohës, miliona Deutschamerikaner e kanë anglishtizuar mbiemrin e tyre për t’ju shmangur paragjykimeve dhe për t’u integruar në shoqërinë e adoptimit, por po t’i përmbahesh censusit të 2010 përfaqësojnë grupin e parë ose të dytë demografik në 32 nga 50 shtete: nga California në Texas; nga Illinois në Pennsylvania; nga Florida në Alaska. Ekziston një rrip gjerman që, pa zgjidhje vijueshmërie, e përshkon të gjithë kontinentin duke u shtrirë nga Delaware në Oregon.
Kështu që nuk habit aspak fakti që janë gjermanë simbolet dhe artefica të kulturës dhe industrisë amerikane, duke filluar nga kuzhina. I famshmi hamburger u prezantua për herë të parë në Ohio nga saksonët Frank dhe Robert Menches; hot dog u tregtua në New York nga frankfurtasi Charles Feltman (për këtë arsye i quajtur edhe “frank”); pretzel u shit për herë të parë në Philadelphia nga emigrantë zviceranë; Pepsi-Cola u lançua në nivel kombëtar nga “gjermanët” Charles Guth e Walter Mack. Në mënyrë të ngjashme janë të shenjës teutonike disa prej markave më të famshme të Amerikës (dhe të botës). Midis tyre: Levi Strauss e themeluar nga bavarezi Löb Strauss; Apple e siriano–gjermanit Steve Jobs (mbiemri i vërtetë: Jandali–Schieble); IBM-ja e renanit Herman Hollerith; DELL e krijuar nga Michael Dell (në gjendje civile: Thal-Langfan); Chrysler e Walter Greisler, autokton nga Palatinati; kompania e hotelerisë Waldorf Astoria e renanit Jacob Astor; salsa Heinz e John Heinz të ardhur nga Kallstadt; Boeing u themelua nga William Boeing, me origjinë nga Hagen-Hohenlimburg i Vestfalisë; Kraft e menonitit James Kraft; Rockfeller e familjes Rockenfeller, edhe ajo me prejardhje nga Palatinati. Qenë (hebrenj) gjermanë ata që krijuan industrinë e kinemasë amerikane, duke zgjedhur dritën e Hollywood si vendndodhjen e filmave të tyre dhe duke e transformuar në nënshtresën e soft power amerikan. Në mënyrë të veçantë, Karl Lammle themeloi Universal; Marcus Löw themeloi Metro-Goldwyn-Mayer; Joe Brandt dhe Harry Cohn themeluan Columbia Pictures. Emigrantë të tjerë gjermanë kanë shënuar evenimentet epokale të historisë amerikane. Peter Minuit, vestafalian nga Wesel, ua mori ishullin e Manhattan indianëve lanape për 60 fiorina; baroni prusian Friedrich Wilhelm von Steuben, më parë në shërbim të shtëpisë Hohenzollern, qe strateg dhe mik personal i George Washington gjatë revolucionit antibritanik dhe atij i dedikohet parada vjetore e gjermano–amerikanëve; turingasit John e Washington Röbling projektuan dhe ndërtuan urën e famshme të Brooklyn; George Custer, gjeneral nga Palatinati, mbiemri fillestar i të cilit ishte Küster, qe një prej heronjve të Gettysburg; shtetasit nga Dukati Brunswick, Henry Hammel dhe Andrew Denker, deri më 1900 qenë pronarët e vetëm të qytetit Beverly Hills, shembulli maksimal i salltanetit amerikan; prusiani George Herman “Babe” Ruth konsiderohet kampioni më i madh në historinë e bejsbollit amerikan, loja kombëtare e superfuqisë. Në shekullin XX janë zgjedhur presidentë Deutschamerikaner të ndryshëm: nga kuejkëri vurtembergas Herbert Hoover (Hüber-Burkhart në formën fillestare) tek saarasi Dwight “Ike” Eisenhower (Eisenhauer); nga po aq kuejkëri Richard Milhous Nixon (Melhausen Nixon) tek Bushi baba dhe bir (kryesisht anglezë dhe gjermanë nga Palatinati). Deri tek Obama që posedon origjinë gjermane nga ana e nënës, që janë nga Besigheim-i në Baden-Württemberg. Veç kësaj, në dekadat e fundit janë emëruar sekretarë Shteti sidomos qytetarë me origjinë gjermanike, pothuajse sikur t’u takonte vetëm atyre të përfaqësonin Shtetet e Bashkuara në botë. Në pasLuftën e Dytë, në renditje kronologjike: Christian Herter; David Rusk (Clotfelter Rusk); bavarezi Heinz (Henry) Kissinger; George P. Shultz (Schultz); Lawrence Eagleburger; Warren Lemen Christopher; Madeleine Albright (Korbel); John Kerry (Kohn).
Tashmë krejtësisht të asimiluar, “gjermanët” përbëjnë palcën e shoqërisë amerikane. Theksi i Midwest, territor pothuajse ekskluziv i kolonizuar gjermanik, konsiderohet standard dhe përditë amerikanët përdorin shprehje të ndryshuara nga gjuha gjermane, si mox nix (macht nichts, “nuk bën asgjë”). Zgjedhjet presidenciale, rit popullor në të cilin Amerika pyet vetveten, hapen më shumë gjermanë në Iowa (pothuajse 40 për qind e qytetarëve me origjinë nga Gjermania, kundrejt 13 për qind të irlandezëve, grupi i dytë epokal) për t’u vendosur më pas zakonisht në Ohio, shtetin ku rreth 300 mijë njerëz flasin ende renanishten e menonitëve. Siç duket logjike që në këtë fazë Donald Trump, mbiemri i vërtetë i të cilit Drumpf vjen nga Paltanitai, është mbrojtësi i old stock ndaj çdo infektimi halogjen.
Megjithatë, në fillim të nëntëqindës gjendja e Deutschamerikaner ishte shumë e ndryshme. Të ardhur nga Europa në shekullin e mëparshëm, ata regjistroheshin sidomos në shoqata etnike (Vereine) dhe i refuzonin zakonet amerikane. Akoma më 1917 të rinjtë e Indianapolis e këndonin himnin kombëtar në gjermanisht dhe në kishat luterane mesha mbahej ekskluzivisht në gjuhën e Kant. Kështu që kur më 1914 shpërtheu konflikti i parë botëror, me Gjermaninë wilhelmiane që sulmonte hegjemoninë anglosaksone, Shtetet e Bashkuara u gjetën papritmas të kalonin një rrezik ekzistencial të natyrës bashkëkohore endogjene dhe ekzogjene. Nga njëra anë rreziku që Rajhu mund të dominonte masën euraziatike dhe oqeanet dhe nga ana tjetër mundësia që Deutschamerikaner të rreshtoheshin në krah të atdheut të tyre, duke e copëtuar indin social amerikan dhe duke minuar projektimin ushtarak të Uashingtonit. Kishte shpërthyer çështja gjermane, që qysh atëherë do ta vendoste fatalisht historinë amerikane. Duke parë izolacionizmin e opinionit publik, dobësia e forcave të armatosura dhe ndryshimi i gjermano–amerikanëve, në agimin e Luftës së Madhe administrata Wilson u detyrua që të zgjedhë neutralitetin. Nga ana tjetër më 1914 nënsekretari i Shtetit gjerman, Arthur Zimmermann kishte paralajmëruar James Gerard, ambasadorin në Berlin, se 500000 rezervistë me origjinë gjermanike qenë gati ta linin Botën e Re për të luftuar në radhët e Rajhut. Më 27 janar 1916, mijëra gjermanë u derdhën në rrugët e Chicagos për të festuar ditëlindjen e Kajzerit, deri kur paaftësia e franko–britanikëve për ta fituar luftën, sulmet e nëndetëseve gjermane kundër anijeve amerikane dhe dalja nga skena e Rusisë cariste, nuk e bindën Wilson lidhur me nevojën e Amerikës për t’u ndeshur me “armikun” e jashtëm dhe të brendshëm. Me objektivin e prishjes në favorin e vet të impasit etnik, Shtëpia e Bardhë e transformoi konfliktin në një luftë civile “gjermane” të pjesshme, duke dërguar në llogoret europiane mijëra gjermano–amerikanë dhe duke ua besuar operacionet komandantëve me origjinë të pastër teutone.
Nëpërmjet represionit dhe sakrificës së luftës, Deutschamerikaner iu imponua asmilimit. Duke filluar nga 6 prilli 1917, dita në të cilën Kongresi i shpalli luftë perandorive të Boshtit, banorët e lindur në Gjermani u detyruan që t’u njoftojnë çdo spostim të tyre forcave të policisë dhe mbi 2000 u mbyllën në kampet e përqendrimit e Fort Douglas në Utah dhe Fort Oglethorpe në Georgia. Për t’iu shpëtuar dyshimeve dhe linçimeve, shumë qytetarë e anglizuan mbiemrin e tyre: Schmidt, Braun, Müller, Rauh apo Schneider (rrobaqepës në gjermanisht) u bënë respektivisht Smith, Brown, Miller, Row dhe Taylor (rrobaqepës në anglisht). Fjala von u zhduk nga regjistrat e gjendjeve civile. Ndërkaq arritën në Europë rreth 2 milionë e 500 mijë ushtarë amerikanë (doughboys), prej të cilëve rreth 1 milion me origjinë gjermane dhe 177 mijë të lindur në Rajh. Në udhëheqje të tyre u vendos shkencërisht Gjenerali John “Black Jack” Pershing, nga një familje vestfaliane e zbarkuar si Persching. Pikërisht ardhja e përforcimeve nga përtej oqeani e pengoi Perandorinë wilhelmiane të absorbonte forcat dhe brenda pak muajve e detyroi të dorëzohej. Megjithëse fitimtare, në përfundim të luftës së madhe Amerika u kthye në izolacionizëm. Nuk e imagjinonte se dyfishtësia (e perceptuar) e popullsisë gjermane do të shfaqej qartë akoma. Midis viteve 1929 dhe 1933, qe Presidenti Herbert Hoover dhe masat e adoptuara gjatë konfliktit të mëparshëm, ato që përcaktuan asimilimin e pjesshëm të emigrantëve, por ardhja e nazizmit dhe militarizmi i tij e kërcënuan sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Në vitet ‘30, rreth 200000 Deutschamerikaner u regjistruan në German American Bund (Amerikadeutscher Volksbund), organizatën vendore aderuese në Partinë Naziste e drejtuar nga Fritz Julius Kuhn. Në momentin e ekspansionit maksimal, Bund mund të mbështetej mbi kampe stërvitjeje të shumta të shpërndarë nëpër Shtetet e Bashkuara: në New Jersey (Camp Nordland dhe Camp Bergwald); në shtetin e New York-ut (Camp Siegfried dhe Camp Highland); në Wisconsin (Camp Hindenburg); në Pennsylvania (Camp Deutschhorst). Biles më 20 shkurt 1939 rreth 50000 njujorkezë morën pjesë në paradën e Bund në afërsitë e Madison Square Garden. Për arsye të qarta të natyrës etnike, edhe në fillim të Luftës së Dytë Uashingtoni zgjodhi mosndërhyrjen. Për të marrë më pas pjesë në luftime pas sulmit ndaj Pearl Harbor dhe shpalljes së luftës gjermane më 11 dhjetor 1941. Fuqi me shtrirje globale, Shtetet e Bashkuara ju përgjigjën tentativës japoneze për të dominuar Paqësorin dhe pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik që mund t’i garantonte Hitlerit dominimin e Eurazisë. Siç ndodhi më 1917, administrata federale e shtypi diversitetin e gjermanëve dhe i transformoi armiqësitë në një konflikt “pangjerman”.
Më 1942, 11507 qytetarë amerikanë me prejardhje teutonike u internuan në kampet e përqendrimit të Crystal City, Kenedy e Seagoville në Texas; Camp Blanding në Florida, Stringtown në Oklahoma; Fort Lincoln në North Dakota; Camp Forrest në Tennessee. Në fjalët e Roosevelt të referuara ministrit të Drejtësisë, Francis Biddle thuhet: “Nuk e vras mendjen për italo–amerikanët. Janë këngëtarë operash. Kurse gjermanët janë të rrezikshëm”. 3 milionë gjermano–amerikanë u dërguan në front për të luftuar nazistët, në një lloj lufte civile gjermane. Disa raste janë të mahnitshme. Werner Göring, i lindur në Salt Lake City dhe djali i vëllait të Hermann Göring, qe pilot i Aviacionit amerikan në bazën angleze Molesworth. Sipas bashkëpilotit Jack Rencher, Göring nuk i mbajti lotët në momentin e bombardimit të Kölnit, qyteti i lindjes së gjyshes së tij. Patrick Hitler, nipi i Führer i emigruar në Shtetet e Bashkuara, u rekrutua në Marinën amerikane falë një autorizimi special të Shtëpisë së Bardhë dhe i plagosur gjatë operacioneve ushtarake, siguroi një Purple Heart. Në të njëjtën mënyrë në krye të fushatës aleate u vendosën sidomos amerikanë me origjinë gjermane. Gjenerali Dwight Eisenhower u emërua Komandant Suprem i Forcave Aleate; Gjenerali “sakson” Carl “Tooey” Spaatz qe Komandant i Forcave Ajrore; Chester W. Nimitz, admiral teksan nga një familje me prejardhje nga Bremeni, qe Komandant i Forcave Detare; Gjenerali Henry “Hap” Arnold qe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore amerikane.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore iu dha fund përfundimisht rrezikut endogjen Deutschamerikaner. Heronj të luftës, tashmë të arritur në gjeneratën e 4-ët ose të 5-të, gjermanët e Amerikës i zhveshën përgjithmonë kostumet e alienëve për të mishëruar zakonet e përtej oqeanit. Megjithatë, Gjermania mbeti prioritet i strategjisë amerikane. Në llogaritjet e Uashingtonit, dominimi i mundshëm i Moskës mbi Europën Perëndimore dhe lidhja midis industrisë së Republikës Federale dhe hidrokarbureve siberiane do t’i mundësonin Bashkimit Sovjetik që ta mundte Amerikën. Ishte i nevojshëm të mbrohej kufiri midis dy Gjermanive dhe njëkohësisht të stimulohej ekonomia vendore për të favorizuar riarmatimin e Bonit dhe të kontinentit. Nga nevoja të tilla specifike gjeopolitike lindën Plani Marshall dhe proteksionizmi me të cilat amerikanët shpërndanë në mënyrë të racionuar eksportin e prodhimeve të tyre.
Në vitet e pasLuftës së Dytë, Uashingtoni hodhi themelet e shtetit të ri gjerman, duke i bërë funksionale me interesat e tij. Në vitin 1955 u krijuan Forcat e Armatosura Federale (Bundeswehr), ndihmëse të atyre amerikane dhe një vit më vonë lindi shërbimi i inteligjencës (Bundesnachrichtendienst, me akronimin BND), të cilit ju imponua që t’i përgjigjej drejtpërsëdrejti CIA-s. Për të mbrojtur Bonin, Pentagoni ndërtoi 251 instalime ushtarake në territorin gjerman dhe deri gjatë viteve më dramatike të luftës në Vietnam refuzoi që të transferojë mjete dhe njerëz nga Europa në Indokinë. Kështu, për ta mbajtur Republikën Federale në bllokun perëndimor, në vitin 1970 Kissinger e pranoi me gjysmë zemre Ostpolitikën e ndjekur nga Egon Bahr, sekretar i Shtetit, megjithëse frikësohej se një qasje e tillë përfaqësonte teutonin që rrëshqiste drejt Lindjes dhe mund të rezultonte në finlandizimin e Gjermanisë. Dimensioni stratregjik i dhënë nga amerikanët dosjes gjermane gjeti kështu konfirmim në rënien e Murit të Berlinit, ngjarja që i dha fund epokës bipolare. Shtetet e Bashkuara nuk e kishin braktisur kurrë synimin për ta “rifituar” Gjermaninë Lindore dhe në vitin 1989 administrata Bush u rreshtua menjëherë në favor të ribashkimit. Britania e Madhe dhe Franca qenë kundër – sidomos Thatcher i frikësohej faktit se mos një Gjermani e bashkuar do ta prishte ekuilibrin kontinental dhe shikonte me dyshim pikërisht ndaj influencës së Deutschamerinaker në politikën e jashtme amerikane – por Uashingtoni imponoi aneksimin e RDGJ-së, pasi kështu do të dominonte të gjithë kontinentin duke u projektuar në ish-hapësirën sovjetike. Në bindjen se kontrolli mbi aparatet gjermane do ta shtynte Gjermaninë e ribashkuar të konformohej me lëvizjet e superfuqisë, duke hequr dorë nga një qasje realisht e pavarur. Për më tepër, me Moskën në pragun e shembjes, binomi ruso–teutonik dukej jo i praktikueshëm. Në realitet, gjatë viteve nëntëdhjetë, industria e madhe gjermane nisi ta influencojë masivisht strategjinë e Republikës Federale, duke i përcaktuar një ngadalësim të pandalshëm të atlantizmit të saj. Në dehjen e plotë prej fundi historie, administratat e ndryshme amerikane nuk e vranë mendjen. As kundërshtimi i qeverisë Schröder ndaj luftës irakene të 2003 nuk shkaktoi tension. Në një përplasje të re ndërgjermanike, Donald Rumsfeld, shefi i Pentagonit dhe pinjoll i një familjeje nga Saksonia e Poshtme, e damkosi Republikën Federale si “Europë e vjetër”, por shteti i thellë gjerman mori pjesë aktivisht në pushtimin e Irakut dhe kjo e bindi Uashingtonin për besnikërinë e aleatit. Specifikisht, Deutsche Marine mbrojti rrugën e përdorur nga anijet amerikane për të arritur Gjirin Persik; BND-ja i dha CIA-s deklaratat e burimit iraken Curveball lidhur me praninë (e supozuar) të armëve të shkatërrimit në masë dhe dy agjentë të tij në Bagdad i vunë në shërbim të Gjeneralit amerikan, Tommy Franks.
Qe më shumë nga fundi i viteve 2000 që Shtetet e Bashkuara nisën ta konsiderojnë Gjermaninë një kundërshtare strategjike. Në përputhje me shpërthimin e krizës financiare të 2008, daljen nga binarët pasuese të projektit komunitar, invadimin rus të Gjeorgjisë dhe realizimin e gazsjellësit Nord Stream. I pajisur me stabilitet ekonomik, atëherë Berlini e refuzonte hapur qasjen anglosaksone ndaj kapitalizmit, duke refuzuar që të pranonte kërkesat amerikane për një politikë fiskale ekspansive. Moskokëçarëse për efektet negative që një recesion i zgjatur europian do të kishte ndaj Shteteve të Bashkuara. Jo vetëm. Qeveria Merkel tregohej tejet e ftohtë ndaj marrëveshjes për tregtinë e lirë të konceptuar nga Obama për ta lidhur mirëqenien amerikane me atë të Kontinentit të Vjetër (TTIP) dhe mbante një neutralitet rigoroz në aspektin ndërkombëtar, duke abstenuar nga ndërhyrja në Libi. Ndërsa vënia në funksionim e gazsjellësit Vyborg-Greifswald i sinjalizonte simbiozën e gjetur me Federatën ruse dhe efektin tashmë të papërmbajtshëm të manifakutës kombëtare. Gjermania kish pastruar nga pluhuri Mittellage-n, pozicion i ndërmjetëm midis Lindjes dhe Perëndimit, që kishte karakterizuar politikën e jashtme të shekullin të mëparshëm. Shumë për Uashingtonin, që duke qenë përgjegjës për sigurinë e kontinentit, e reklamon Berlinin në kampin perëndimor, mundësisht të ndarë nga Moska. Në fillim të viteve 2010, administrata amerikane përpiqet fort ta dobësojë aleatin teuton. Kthesa ndodh me krizën ukrainase, e përgatitur nga balltikasit dhe gjermanët për ta tërhequr nga Perëndimi. Në këtë rast, përveçse penetron fqinjin e jashtëm rus, Obama demaskon iniciativën akrobatike me të cilën Merkel synonte ta zgjeronte influencën e saj mbi vend dhe të ruante raporte të mira me Kremlinin. Në mars të 2014 aksioni amerikan eliminon Vitalij Klitschko, kandidat i ndërtuar në laborator nga Fondacioni Adenauer për të qeverisur Ukrainën. Dhe kur Kancelarja arrin një kompromis me Presidentin ukrainas, Viktor Janukovych, e dërguara Victoria Nuland shqipton shprehjen e lezetshme “Fuck the EU!”, domethënë “Fuck Germany!”. E befasuar nga vendosmëria amerikane, në javët në vazhdim qeveria gjermane është e detyruar që të miratojë sanksione efektive në dëm të Rusisë dhe të refuzojë programet e bashkëpunimit ushtarak të dakorduara me Kremlinin. E goditur para syve të botës dhe e nxitur nga industrialistët, Merkel provon të tregojë muskujt. Në muajin korrik një agjent i BND-së dhe një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes arrestohen me akuzën e kundërspiunazhit në favor të Shteteve të Bashkuara, ndërsa shefi i stacionit të CIA-s në Berlin ftohet që të largohet nga vendi.
Është nadiri i marrëdhënieve bilaterale. Për herë të parë nga Lufta e Dytë Botërore, qeveria gjermane rivendikon sovranitetin e plotë. Sërish, administrata Obama reagon në formë të kamufluar. Fillimisht shmanget nga menaxhimi i fluksit të refugjatëve që nga Lindja e Mesme në flakë arrijnë Europën, pastaj e sulmon pikërisht industrinë e madhe gjermane dhe kompleksin teuton të superioritetit kulturor. Në shtator të 2015 agjencia amerikane për Mbrojtjen Mjedisore (EPA) njofton se Volkswagen ka shkelur rregullin në fushën e emetimeve falë një softueri të trukuar të instaluar në rreth 600 mijë makina të komercializuara përtej oqeanit. Përveç se është një prej industrive më të rëndësishme të vendit në termat e të ardhurave dhe të punësimit, Volkswagen është thellësisht e lidhur me nënkancelarin dhe liderin e socialdemokratëve Sigmar Gabriel, që ka qenë këshilltar administrativ i kompanisë dhe President i Saksonisë së Poshtme, landit në të cilin ka selinë kompania automobilistike. Edhe kësaj radhe janë sidomos dy gjermano–amerikanë në krye të ofensivës amerikane. Bëhet fjalë për gjykatësin e shtetit Michigan, Gerald Rosen dhe kryeprokurorin e shtetit të New York, Eric Schneiderman, që drejtojnë praktikisht aksionin ligjor në dëm të kompanisë. Në synimet e amerikanëve ajo çka ka ndodhur duhet të rrëzojë perfeksionin e presupozuar të rregullave gjermane dhe t’i sugjerojë Berlinit që të mbështesë TTIP-në. Shumë e dobësuar nga kriza e emigrantëve, kohët e fundit Merkel duket se e ka zbutur pozicionin e saj – në mes të janarit befasisht i ka quajtur shumë të larta standardet sociale të marrëveshjes për tregtinë e lirë – por ndeshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë është ende e gjitha për t’u luajtur.
Të përfunduara vitet e pasLuftës së Ftohtë, në këtë fazë superfuqia pretendon nga partneri gjerman një zgjedhje anësie të saktë dhe një kontribut më të madh në ruajtjen e rendit ndërkombëtar. Anëtar i NATO-s dhe interlokutor strategjik i Rusisë, Berlini duhet të përqafojë përfundimisht West-bindung, besnikërinë ndaj Perëndimit. Jo më fuqi mbi dy botë, që përfiton nga ombrella ushtarake amerikane, por ortak i përgjegjshëm i pax amerikana. Republika Federale thirret që të tregohet më shumë aktive në teatrot luftarake dhe të reduktojë suficitin tregtar për të shmangur shpërbërjen e Europës, gadishull i përfshirë në sferën e influencës amerikane. Sikur të mos ishte që klasa drejtuese gjermane të duket deri diku ngurruese për t’u vendosur qëndrueshëm në kampin perëndimor. (Super)fuqi tregtare, destinatare e hidrokarbureve ruse dhe nyje e Rrugës së re të Mëndafshit kinez, Gjermania shikon nga Lindja dhe preferon që t’u shmanget impenjimeve ushtarake. Kështu, në regjim të plotë sanksionues, Gabriel nënshkruan me Kremlinin lindjen e gazsjellësit të ri Nord Stream 2. Dhe Presidenti i Bavarisë e lideri i CSU-së, Horst Seehofer, fluturon drejt Putinit që të diskutojë për emigrantë dhe perspektiva ekonomike, pikërisht në ditët ku Merkel deklarohet e tmerruar nga bombardimet ruse në Siri. Për më tepër, qeveria aktuale nuk ka ndërmend aspak që të zgjidhë asimetritë makroekonomike që po përcaktojnë shembjen e arkitekturës komunitare, me turpin e rëndë të Shteteve të Bashkuara që sigurojnë mbrojtjen e kontinentit dhe i kërkojnë unitet.
Derivon një gjendje konfliktualiteti endemik midis Uashingtonit dhe Berlinit, e destinuar të qëndrojë konstante vitet e ardhshme. Sidomos sepse është e lidhur me presionin jetëgjatë të superfuqisë në dëm të Rusisë. Amerikanët do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë dedikimin e aparateve për të influencuar qasjen e qeverisë teutone dhe të shtypin rezistencën e sektorit ekonomik. Ndërsa gjermanët, që nuk synojnë ta mohojnë sistemin e zhvillimit të tyre, do të kërkojnë të fitojnë hapësirë manovre të mëtejshme, ndoshta duke xhiruar sanksionet antiruse dhe duke ju hapur më shumë Azisë. Deri kur të arrijë një pikë këputjeje. Kur, i sfilitur nga presioni amerikan dhe nga ashpërsimi i krizës europiane, Berlini mund të jetë i shtrënguar ta rimendojë rolin e tij në kontinent dhe në skakierën ndërkombëtare. Në kapitullin e radhës e luftës civile “gjermane”. Me Deutschamerikaner edhe një herë akoma të rreshtuar kundër stërgjyshërve të tyre në Gjermani.
(Nga Limes)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Axhenda e Ivanka Trump

Ivanka Trump, e cila ka mbajtur një profil të ulët që pasi është transferuar me familjen e saj në Washington, ka filluar të zhvillojë axhendën e saj të fuqizimit të gruas që ka promovuar edhe gjatë fushatës vitin e kaluar. Të enjten në mbrëmje, vajza e madhe e presidentit Donald Trump organizoi një darkë me një grup drejtuesish ekzekutivë në shtëpinë e saj në Kalorama. Qëllimi i eventit, sipas dy burimeve të brendshme, ishte që Ivanka të mblidhte ide se si mund të fuqizohet gruaja në tregun e punës dhe të luftojë për çështjet që kanë të bëjnë me lejen e shtatzënisë.
Eventi ishte hapi i parë i Ivanka Trump për të influencuar politikën e administratës së babait të saj. Vajza e profilit të lartë të presidentit u tërhoq nga pozicioni i saj ekzekutiv në organizatën Trump dhe është shkëputur nga linja e saj e famshme e modës muajin e kaluar, për të shërbyer si një sistem mbështetjeje të jashtme për babain dhe bashkëshortin e saj, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner. Por eventi i ditës së enjte shënon edhe hapin e parë të hyrjes së Ivankës në politikë pas transferimit në kryeqytet.
Pjesëmarrësit kryesorë të eventit të rëndësishëm të Ivankës ishin drejtues ekzekutivë të kompanive më të mëdha amerikane si Doug McMillon i Wallmart; Mary Barra i General Motors; Mark Weinberger i Ernst & Young; Alex Gorsky i Johnson & Johnson EO; bankieri dhe investitori Adebayo Ogunlesi; Jamie Dimon kreu i JPMorgan e shumë të ftuar të tjerë nga fusha e politikës.
Ky në fakt nuk është eventi i parë diplomatik i Ivankës apo përdorimi i rrjetit unik të figurave të fuqishme të biznesit për mbështetur administratën e babait të saj, por duke mbetur e shkëputur plotësisht nga urdhrat ekzekutivë të shumëdebatuar të Trumpit, si ndalimi i emigracionit, për të cilin ajo nuk ka zgjedhur të bëjë asnjë koment.
Liderët e biznesit të mbledhur nga Ivanka këtë javë nuk janë lojtarë të rinj në botën e Trumpit. Barra, McMillon, Weinberger dhe Ogunlesi kanë shërbyer të gjithë si këshilltarë të ekipit tranzitor të presidentit, si anëtarë të këshillit të biznesit. Gorsky ka bërë një takim në Shtëpinë e Bardhë me Trump dhe liderë të tjerë biznesi dhe doli nga takimi duke lavdëruar administratën e re. Të tjerë si, Weinberger dhe Dimon janë takuar me presidentin Trump ditën e premte.
Por ata janë gjithashtu edhe liderë biznesi që po përshtaten në të njëjtën kohë me rregullat e reja të punës me presidentin e ri, i cili ndonjëherë ndjek politika të diskutueshme apo kritikon hapur kompanitë më të mëdha amerikane në Twitter. Megjithatë, liderët e biznesit janë gjithnjë të gatshëm të bashkëpunojnë me vajzën e preferuar të presidentit. Muajin e kaluar Trump kritikoi ashpër General Motors pasi i kishte përmirësuar makinat Chevrolet Cruze nga fabrika e Meksikës. Barra në kundërpërgjigje ka deklaruar se kompania nuk ka ndërmend ta transferojë produksionin e makinave nga Meksika në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, për Ivankën eventi nuk ishte fusha e diskutimit të taksave kufitare apo për të influencuar politikat që janë pjesë e premtimeve të Trumpit. Ajo e shfrytëzoi këtë rast për të promovuar vetë pozicionin e saj, duke folur për fuqizimin e gruas në fuqinë punëtore. Ajo dhe bashkëshorti Kushner përpiqen të shërbejnë si ura lidhëse me sektorin privat, nga ku kanë dalë të dy. Roli si urë lidhëse me komunitetin e biznesit është hapi më i natyrshëm për Ivankën si grua ambicioze në karrierë, e cila deri një vit më parë synonte të krijonte markën e saj ndërkombëtare.
Ivanka ishte veçanërisht e interesuar të ftonte në pjesëmarrje lidershipin e General Motors, pasi kompania kishte deklaruar javën e kaluar se do të niste një program të ri trajnimi të paguar për të inkurajuar gratë inxhiniere që të ktheheshin në punë pasi ishin shkëputuar prej dy ose më shumë viteve. Gjatë një interviste, Weinberger tha se ekipi i Ivankës e kishte tërhequr për të vazhduar diskutimin. “Ata duan të bisedojnë me njerëz që e njohin mirë rëndësinë e gruas në tregun e punës dhe për të diskutuar pengesat me të cilat përballen ato”, tha Weinberger. “Ata duan të diskutojnë se çfarë mund të bëhet përmes qeverisë dhe përmes biznesit”.
Ai e quajti Ivankën një zë i jashtëzakonshëm i fushatës. Ajo prezantoi ide të mira për shpenzimet e kujdesit të fëmijëve dhe mënyra për të lehtësuar jetën e gruas në punë. “Nuk besoj se është vetëm Ivanka ajo që e shtyn këtë iniciativë. Ajo natyrisht tërheq të gjithë vëmendjen, por ekziston një staf i mirëfilltë që merren me këtë çështje”.
“Gjinia nuk është më një faktor që përcakton pabarazinë e pagave në këtë vend. Ky faktor tashmë është mëmësia”, tha Ivanka, nëna e tri fëmijëve, gjatë fjalimit të saj. “Familjet amerikane kanë nevojë për lehtësimin e kësaj barre. Politikat që mundësojnë zhvillimin e karrierës për gratë me fëmijë nuk duhet të jenë risi në këtë vend. Ato duhet të jenë norma”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Një marrëdhënie e nevojshme

Bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe Rusisë në sektorin e gazit nuk është një mundësi, por një nevojë e imponuar nga gjeografia dhe nga gjeopolitika. Kjo është ajo që thekson Konstantin Simonov, drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit rus për Sigurinë Energjetike, duke kujtuar se importet e gazit rus në Bashkimin Europian janë rritur derisa kanë arritur nivele rekord, pavarësisht sanksioneve ekonomike të vendosura Moskës nga Perëndimi.

– Rusia dhe Bashkimi Europian duket se kanë arritur një marrëveshje për mbylljen e procedurës kundër Gazpromit. Kolosi rus i gazit duhet të impenjohet që të mos e shfrytëzojë pozicionin e tij dominues dhe të sigurojë në shkëmbim mundësinë që t’i zgjerojë aktivitetet e veta në brendësi të Bashkimit Europian. Sipas jush, cilat do të jenë efektet industriale dhe cilat ato gjeopolitike?
Praktikisht flitet shpesh për kompromis. Unë do të thoja se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në atë çka po ndodh, përveç momentit historik në të cilin e gjitha kjo po ndodh. Sepse duket që situata politike është jashtëzakonisht dramatike dhe ishte e parashikueshme që Komisioni Europian mund ta merrte një vendim dukshëm në mirëkuptim me Rusinë. Situata ekonomike dhe ajo politike praktikisht e kanë imponuar këtë hap që është logjik dhe racional. Nga ana tjetër, të dhënat aktuale demonstrojnë se akuzat kundrejt Gazpromit rezultojnë jashtëzakonisht të kontestueshme. Në periudhën e fundit kemi vërejtur çmime jashtëzakonisht të ulëta, që nuk shiheshin prej vitesh në tregun europian. Por kjo ka ndodhur jo pse Europa ka reformuar tregun energjetik sipas parimeve të veta. Përkundrazi, çmimet kanë rënë falë kontratave për gazin dhe naftën. Në fillim të vitit, çmimet e naftës nuk qenë edhe aq të ulëta. Më pas, pas 9 muajsh, midis shtatorit dhe tetorit, kanë rënë shumë. Ky ka qenë momenti i parë. Momenti i dytë ka qenë në muajin tetor, kur çmimet në bazë europiane rezultonin shumë më të lartë se ato të propozuara nga Gazpromi, në mënyrë orientuese rreth 50 dollarëve. Edhe pse zyrtarisht nuk janë kontabilizuar tërësisht nga Komisioni Europian, këto shifra përfaqësojnë realitetin. Në radhë të tretë, Europa nuk ka alternativa ndaj gazit. Terminalet për gazin e lëngëzuar (GNL) janë në 2/3 e tyre bosh dhe e gjitha kjo në një kontekst në të cilin Gazpromi ka shënuar rekordin historik ditor të furnizimeve jashtë vendit. Vetëm në muajin tetor, në të gjithë Bashkimin Europian janë dorëzuar 15 miliardë metra kub gaz. Klientët europianë kanë blerë shumë më tepër sesa vëllimet e parashikuara në kontratën me Gazpromin. Janë kushte absolutisht të paprecedent dhe me një situatë të kësaj natyre për Komisionin Europian që të vazhdojë të ndjekë rrugën e alternativës së gazit rus do të ishte çmenduri. E dhëna mbi importin rezulton absolutisht e paprecedent. Veç kësaj, besoj se në Europë po rritet ndjesia se Ukraina mund të hyjë në sezonin dimëror me një sasi shumë të reduktuar gazi. Nga pikëpamja ekonomike, vështirësia konsiston në faktin që ta kundërshtosh Gazpromin në periudhën dimërore është jashtëzakonisht e vështirë. Dhe është e rëndësishme të mos humbet kontakti me realitetin. Ajo që ka rëndësi është që këtë vit në Europë janë marrë vendime vërtet të papritura. Nëse ju kujtohet, në qershor Gjykata e Arbitrazhit ka nxjerrë një vendim në favor të Gazpromit në çështjen me Lituaninë. Autoritetet e Vilniusit kishin akuzuar Gazpromin më 2012 pse i kish dhënë gaz me çmime të ngritura, duke përdorur pozicionin e tij dominues në treg. (Sipas Lituanisë, shifra e kontestuar ishte e barabartë me 1.6 miliardë dollarë, të akumuluara midis viteve 2004 e 2012, shënimi i redaksisë). Siç u pranua edhe nga disa eksponentë lituanë, rezultati i procesit të arbitrazhit ka qenë një shok i vërtetë, por nuk kishte perspektiva suksesi dhe duhet kuptuar nëse lituanët kanë arritur të sigurojnë diçka falë kësaj çështjeje: ndoshta premtimin për një akses më të shpejtë në projektin e nyjes europiane. Gjithsesi, bëhet fjalë për një sukses me entitet minimal. Kështu, nga pikëpamja ekonomike, nuk ka tendenca pozitive. Nga pikëpamja politike, natyrisht që nuk mund të ndryshohet gjithçka menjëherë, por e rëndësishme është që është vendosur precedenti. Deri në kushtet aktuale, në Bruksel ka qenë e mundur të merren vendime dukshëm në favor të Gazpromit. Është pozitive të pranohet se mund të arrihen këto lloj kompromisesh.

– Projekti për dyfishimin e Nord Stream ka shkaktuar polemika të zjarrta, sidomos nga ana e Shteteve të Bashkuara, Polonisë, republikave balltike, por edhe në Itali. Dyfishimi do ta lidhte akoma më fort Berlinin dhe Moskën, por do të rriste peshën specifike të Gjermanisë në Europë, sidomos për sa u përket vendeve ish-komuniste. Është kështu? Besoni se për qeverinë ruse ky është një zhvillim i dëshirueshëm?
Historia e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Gjermanisë për sa u përket furnizimeve me gaz ka nisur më shumë se 40 vite më parë. Furnizimet e para me gaz në Gjermani janë bërë në vitin 1973 dhe vendi përfaqëson tregun kryesor në dalje për gazin rus. Gazpromi nuk është vetëm një partner në shitje. Posedon edhe kompaninë Wingas (një joint venture midis Gazpromit dhe Wintershall), që është bashkëpronare e infrastrukturave të gazsjellësit Opal të pranishme në territorin e Gjermanisë. Opal vazhdon në Republikën Çeke nëpërmjet territorit gjerman. Ky raport special është motivi për të cilin biznesi gjerman dhe Gazpromi kanë pika kontakti. Veç kësaj, kompanitë gjermane, një rast shumë i rrallë, po punojnë aktivisht në tregun rus duke nxjerrë gaz në Rusi. Vetë projekti Nord Stream është implementuar si një aset swap dhe është ndërtuar në mënyrë të përbashkët. Në fakt, lidhja është forcuar nga fakti që gjermanët janë të pranishëm në Rusi në upstream dhe që Gazpromi është i pranishëm në Gjermani në downstream. Kështu, në planin e marrëdhënieve reciproke niveli është rritur jashtëzakonisht dhe kjo mundëson që të shikohet me qetësi në konjukturën e veçantë politike. Sepse të gjithë, si për shembull kancelarja gjermane Angela Merkel, mbi të cilën kanë një peshë të madhe Shtetet e Bashkuara, duhet të mbajnë parasysh aspektet ekonomike. Por kjo nuk i ndalon rregullat e tregut dhe koncepti bazë është që në planin tregtar Gazpromi ka ndjekur bashkëpunimet ekzistuese. Më duhet që të nënvizoj faktin se pikërisht gazi nuk është vënë nën sanksionet antiruse. Ekzistojnë sanksione, por jo për Gazpromin, aktivitetet e të cilit janë të gjitha në përputhje me legjislacionin europian. Veç kësaj, në Gjermani këtë vit do të mbahen zgjedhjet politike dhe në Rusi sigurisht që nuk do të jemi naivë. Konjuktura nuk është pozitive për Merkelin dhe ka mundësi që do të ketë ndryshime në strukturën e pushtetit. Ndoshta Gjermania do të jetë më e matur për sa u përket sanksioneve. Në këtë kontekst është domethënëse që në Itali projekti Nord Stream 2 ka ngjallur preokupime nga ana e disa eksponentëve politikë, megjithëse gazsjellësi është konceptuar pikërisht për të furnizuar tregun italian. Për Brukselin, kjo infrastrukturë do t’i mundësonte Italisë që të bashkohej me Balltikun, duke furnizuar me gaz Italinë Veriore duke shmangur Ukrainën. Sipas nesh, nuk bëhet fjalë për një projekt të anashkalimit të “pjesës së rrezikshme” që përshkon Ukrainën, duke qenë se klientët europianë nuk duan t’u nënshtrohen këtyre rreziqeve. Është ky mësimi i “krizës së gazit” të vitit 2009 (kriza nisi më 7 janar 2009, kur Rusia ndërpret furnizimet me gaz të destinuara për Europën nëpërmjet Ukrainës. Moska akuzoi Kievin se kishte shkelur detyrimet e tranzitit, duke i mbajtur në mënyrë të paligjshme furnizimet në kalim të destinuara për klientët europianë. Pas një serie negociatash dhe traktativash trilaterale – Bashkim Europian, Rusi dhe Ukrainë – u arrit në një marrëveshje, shënimi i redaksisë). Unë e kuptoj motivin për të cilin Italia ka dyshime ndaj projektit duke qenë se, po të realizohet, Italia do ta marrë gazin nëpërmjet Gjermanisë dhe Austrisë. Presidenti i kompanisë austriake OMV, Rainer Seele, ka qenë në krye të gjermanes Wintershall dhe është gjerman, gjë që tregon integrimin e fortë midis kompanive gazifere gjermane dhe austriake. Problemi ka një valencë politike, pasi për Romën projekti sjell një varësi nga kompanitë që do të menaxhojnë tranzitin e Gjermanisë dhe Austrisë. Në qoftë se përfaqësuesit politikë italianë frikësohen se mos Gjermania dhe Austria mund ta forcojnë peshën e tyre, atëherë do të kishte qenë e nevojshme të mbështetej në kohën e tij realizimi i South Stream. Falë kësaj infrastrukture, Italia do ta merrte gazin nëpërmjet Greqisë, një rrugë më e sigurtë. Por në atë kohë Italia nuk e mbështeti dhe bile u shkëput. Kështu që Rusia nuk kishte rrugë tjetër përveç dyfishimit të Nord Stream.

– Sipas jush, dyfishimi i Nord Stream përfaqëson gozhdën e fundit në arkivolin e projektit të vjetër South Stream?
Situata është e tillë që South Stream, në versionin e tij të parë dhe më pas Turkish Stream janë konceptuar me 4 rrugë. Me dëshirën e Turqisë, duke parë kundërshtimin e Bashkimit Europian, të dy rrugët jugore janë transferuar në Nord Stream. Më parë në Itali parashikohej që gazi do ta arrinte jugun e saj nëpërmjet Bullgarisë dhe Greqisë. Për këtë arsye mbetet në këmbë çështja e dy rrugëve të ardhura nga Europa Jugore. Një prej të dyve sigurisht do të shkojë drejt Turqisë, në Stamboll, pa dyshim. Rruga e dytë mbetet një çështje e hapur, pasi Turqia do të donte të krijonte një nyje në kufi me Greqinë dhe të bëhej furnizuesi i gazit rus drejt Europës. Megjithatë, nga pikëpamja gjeopolitike nuk duket se ka pranim në nivel europian për faktin se kjo është zgjidhja më e mirë. Për këtë motiv, Europa i propozon tani Rusisë që të realizojë një nyje në kufirin bullgaro–grek. Po analizojmë edhe skenarin e një ndërtimi eventual të një rruge jugore nëpërmjet Bullgarisë, por duam garanci për faktin që Sofja të mos e bllokojë projektin edhe kësaj radhe, siç ka ndodhur në rastin e South Stream. Fakti është që tani nuk mund ta shtyjmë vendimin: kemi një datë të saktë, që është 1 janari i 2020, kur do të përfundojë kontrata e tranzitit të gazit aktualisht në fuqi me Ukrainën. Duhet kuptuar brenda kësaj date sesi të furnizohet gazi, pa e tranzituar domosdoshmërisht nëpërmjet territorit ukrainas.

– Pas grushtit të shtetit të dështuar në Turqi, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës janë përmirësuar ndjeshëm: mendoni se bëhet fjalë për një efekt të qëndrueshëm apo gjërat mund të ndryshojnë sërish në një të ardhme të afërt? Dhe në këtë rast, a mund të kenë efekt negativ për projektin e gazsjellësit Turkish Stream?
Për sa i përket të parës të dy rrugëve të Turkish Stream, besoj se nuk do të ndryshojë asgjë. Vepra do të realizohet edhe sikur situata politike do të duhej të merrte sërish kthesa negative. Për sa i përket rrugës së dytë, varet nga pozicioni i Bashkimit Europian nëse do ta pranojë Turqinë si “kontrollor” të gazit të drejtuar drejt vendeve europiane. Për sa i përket marrëveshjes së nënshkruar gjatë vizitës së Putinit në Stamboll, ajo ka të bëjë vetëm me një prej dy rrugëve jugore. Për të dytën nuk kemi marrë kurrfarë zotimi me palën turke dhe është ende një çështje juridike e hapur.

– Të gjitha hipotezat e një gazsjellësi transkaspikas janë ndeshur deri më tani me statusin juridik të atij deti që i mundëson Rusisë të pengojë realizimin e një infrastrukture transporti. A besoni se kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen?
Siç e dini, Deti Kaspik dallohet nga detet e tjera sepse është në fakt një liqen në të cilin shfaqen 5 vende: Azerbajxhan, Iran, Kazakistan, Rusi dhe Turkmenistan. Pozicioni i Rusisë ka qenë gjithmonë një: çështja u takon ekskluzivisht këtyre 5 vendeve. Problemi juridik i Kaspikut është i pazgjidhur tashmë prej 25 vitesh. Një kompromis nuk është gjetur akoma. Nuk është vetëm një problem i Rusisë; për shembull, edhe Turkmenistani e Azerbajxhani kanë kontraste midis tyre. Veç kësaj, në periudhën e fundit është forcuar shumë pozicioni i Iranit, që ka një ide të vetën sesi të ndahet Kaspiku. Nuk besoj se ky problem do të zgjidhet me shpejtësi, nga momenti që asnjë prej vendeve të rajonit të Kaspikut nuk është i interesuar për një stabilizim. Rusisë nuk i shërben një det i hapur: vetë projekti i gazsjellësit transkaspikas është një variant alternativ i furnizimit me gaz për Europën dhe Rusinë, është e qartë, nuk i leverdis ndërtimi i infrastrukturave alternative për ta sjellë gazin në Europë. Për Iranin është njëlloj, duke parë që Teherani shpreson t’ia shesë Europës gazin e tij. Kurse Azerbajxhani ka nënshkruar tashmë kontratat për furnizimet nga vendburimi i Shah Deniz. As Turkmenistani nuk ka interesa të veçanta, sidomos pse gazi turkmen është i drejtuar kryesisht në Kinë. Bëhet fjalë për sasira të mëdha. Kina nuk ka interes që Turkmenistani të vazhdojë të shesë në Europë dhe vendi nuk mund t’i kundërvihet pozicionit të Pekinit, duke pasur parasysh edhe një situatë ekonomike kombëtare jo të thjeshtë.

– Cila është situata aktuale e furnizimeve me gaz nga Rusia për Kinën? Po nga Azia Qendrore për Kinën?
Marrëdhëniet midis Kinës dhe Azisë Qendrore janë të shkëlqyera. Kina është një blerëse e madhe e gazit qendraziatik. Është një situatë që luan kundër interesave të Rusisë në traktativat me Pekinin. Me Kinën kemi nënshkruar në maj të 2014 një marrëveshje për ndërtimin e ”Sila Sibiri”, i njohur edhe si ”Power of Siberia”: gazsjellësit Jakuti–Khabarovsk–Vladivostok, në fazë ndërtimi në zonën lindore të Siberisë, për ta transportuar gazin e prodhuar nga Jakuti drejt Kinës dhe vendeve të Lindjes së Largme. Ekzistojnë një seri vështirësish teknike, për shembull në ndarjen e metanit nga heliumi, por në fakt projekti vazhdon. Nga pikëpamja e infrastrukturave parashikohet që të ndahet GNL-ja nga metani dhe të ndërtohet një impiant i madh për trajtimin e gazit në rajonin rus të Amurit. Kontrata parashikon që furnizimet të nisin në periudhën midis viteve 2016 e 2021. Duhen 4 vite për ta përfunduar projektin dhe nuk ka motiv që t’i dorëzohesh panikut. Në Jakuti infrastrukturat janë operative qysh prej pothuajse një viti. Njëkohësisht kemi në fazë projektimi ndërtimin e një rruge të dytë, e ashtuquajtura ”Zapad” (Perëndim), nëpërmjet Maleve Altai, vargmali i ashpër i Azisë që shtrihet midis Kinës, Mongolisë, Rusisë dhe Kazakistanit. Në këtë rast dalin probleme, pas në Kinën Perëndimore vjen tashmë gazi i Azisë Qendrore dhe Pekini mund të luajë egër në negociatat për çmimet. Për këtë motiv negociatat vazhdojnë, por janë jashtëzakonisht të komplikuara. Gazpromi nuk ka shtyrë kushedi se çfarë, por edhe Kina ka avancuar linjën e saj në pritje të një çmimi të favorshëm. Aq më shumë që për tranzitin e këtyre furnizimeve do të ishte e nevojshme të afrohej me kufirin lindor të Kinës dhe del problemi se kush do t’i paguajë kostot e transportit. Në Kinën Perëndimore për këtë gaz nuk ekziston nevoja si në Europë. Prandaj Rusia, nëpërmjet ”Sila Sibiri”, do të donte ta rriste vëllimin e furnizimeve me gaz të destinuara për Kinën, duke u bazuar mbi sigurinë se Pekini do të kërkojë një rritje. Kjo është e parashikueshme jo vetëm nëpërmjet ecurisë së ekonomisë kineze, por edhe për çështjen mjedisore. Kina ka nënshkruar marrëveshjen e Parisit COP21 për një reduktim konstant të emisoneve të dioksidit të karbonit. Kjo nënkupton se do të reduktojë shfrytëzimin e disa resurseve, si qymyri, në favor të gazit. Dhe ne mbështetemi mbi faktin që do të kërkojë më shumë. Por Kina është një negociator i vështirë, mund të mbështetet tashmë mbi gazin nga Turkmenistani dhe e përdor si element presioni ndaj Rusisë.
(Nga Agenzia Nova)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA