31.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Veliaj teatër në urban, qytetarët përballen me kushtet skandaloze

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë shfaqjen e radhës, duke u vetëfilmuar në një autobus urban për t’u mbushur mendjen qytetarëve se gjendja e shërbimit urban është përmirësuar. Por janë qytetarët ata që përballen për çdo ditë me kushtet skandaloze. Dje, zyra e shtypit e Bashkisë ku punojnë mbi 50 vetë ka shpërndarë nëpër televizione një kronikë, ku shihet kryebashkiaku që bën xhiro me autobus urban. Ai i jep kameramanit të paguar nga vetë ai edhe një “intervistë” ku thotë se gjendja e shërbimit urban është rregulluar.
Transporti urban në kryeqytet përballet çdo ditë me probleme të shumta. Një ndër problemet kryesore është shpejtësia tepër e ulët e autobusëve urbanë. Për ata që nxitojnë të shkojnë në punë, ky udhëtim është një tmerr, pasi në distanca prej 800-900 metrash urbani e bën rreth 45 minuta. Po ashtu, tjetër problem është numri i lartë i personave që udhëtojnë në një autobus urban, duke bërë që personat të udhëtojnë “nën frymën” e njëri-tjetrit si dhe duke krijuar shpesh situata kaotike për shkak të vonesave. Tepër shqetësuese për qytetarët është edhe fakti që lëvizjet e autobusit urban në qytete janë shoqëruar nga vjedhje të shpeshta të urbanëve në Tiranë.
Të udhëtosh me linjat urbane, për kryeqytetasit është një stres më vetë për shkak të mbipopullimit të urbanëve. Njerëzit aty shtypen dhe ngjeshen fort pas njëri-tjetrit aq sa shpesh edhe dyert e urbanit mbyllen me vështirësi. Por problemi i qytetarëve që përdorin linjat urbane nuk mbaron me kaq. Ata duhet të rrinë nën frymën e njëri-tjetrit, duke krijuar një ajër të rëndë dhe tepër të ndotur. Në stinën e dimrit, ky është një rast i shpeshtë ku në ambjente të tilla përcillen virozat gripale nga një person mbartës tek të tjerë, me të cilët ndan një udhëtim të shkurtër brenda për brenda Tiranës.
Për këtë skandal qesharak të Veliajt ka reaguar edhe “Nisma Thurje”. “Totalisht qesharak. Hypën në autobuz me fotografin personal që meqë e paguan nga taksat tona, dhe i thotë: “Ma bëj një kështu, pa mendje. Më kap kështu serioz, që të dukem si lider serioz”. Është sa për të qeshur aq edhe për t’u irrituar. Sepse, ndërsa njerëzit vuajnë çdo ditë, orët e gjata të pritjes, vonesat ekstreme në stacion, shtypjen e përditshme në autobuz, ujin që në ditë shiu lag njëlloj si jashtë dhe brenda, lali Eri përpiqet t’iu mbushë mendjen njerëzve që e vuajnë vetë çdo ditë, që ja u rregullua çdo gjë. Dhe këtë mendon ta bëjë me një foto “pa mendje”.  E kuptoni se çfarë ofendimi i bën inteligjencës së gjithësecilit? Tallje brutale. Tallje spektakolare. Deri kur do t’i kemi në shpinë këta? Edhe sa do të durojmë talljet e tyre?”, shkruan “Nisma Thurje”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës me votat e të majtëve nën një propozimin hileqar të Erion Veliaj e rriti çmimin e biletës në 400 lekë të vjetra, me premtimin se kushtet e shërbimit do të përmirësoheshin, por situata është e njëjtë për të mos thënë edhe më keq se më parë. Qytetarët e Tiranës të detyruar të përballen çdo ditë me autobusët e ngadaltë e të tejmbushur dhe pa kondicioner. Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës për transportin urban qytetas, vendosur në 30 dhjetor të vitit 2016. Sipas KLSH-së, rritja e çmimit të biletës me 33% është e paargumentuar. Konstatimi për rritjen e paargumentuar të çmimit dhe rekomandimi për pezullimin e vendimit janë publikuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas inspektimit të punës në Bashkinë e Tiranës. “Kur i kërkuam DTTRR përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB Nr.66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht e as një formulë paraprake”, shkruan KLSH në raport. KLSH i kërkoi Bashkisë së Tiranës marrjen e masave të menjëhershme të përcaktimit të çmimit të biletës në bazë të një formule të saktë ekonomike, e deri në përmbushjen e këtij detyrimi, pezullimin e vendimit të rritjes së çmimit të biletës për transportin publik.

R.POLISI

Robert Ndrenika në korridorin e spitalit i braktisur nga shteti

Aktori i madh Robert Ndrenika nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, madje për këtë arsye vetë Teatri i kërkoi ndjesë qytetarëve për shtyrjen e shfaqjes “Mendohu Xhakomino”. Kjo foto e aktorit të madh, në ambientet e spitalit të trondit, për më tepër nga indiferenca e shtetit karshi një artisti të madh .
Aktori qëndron i ulur në një karrige, me duar të kryqëzuara në një nga korridoret e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duke pritur që të mjekohet, ndërsa më shumë se çdo gjë tjetër tregon mjerim edhe pse aktorë të të tilla përmasave në botë janë gjithmonë të vlerësuar e të përkrahur maksimalisht nga shteti.
Pak kohë më parë, ai festoi 75-vjetorin e lindjes, ndërsa tashmë sëmundja nga e cila vuan prej kohësh e ka bërë të lërë skenën dhe të endet korridoreve të spitalit.
Regjisori i shfaqjes, Milto Kutali që po zhvillon provat për premierën “Mendohu Xhakomino” të Pirandelos në shtëpi me aktorin për shfaqjen e datës 8 shkurt pohon se realisht aktori kaloi një gjendje gripale shumë të rënduar javën e kaluar, gjë që në rastin e një aktori krijon edhe probleme me zërin.
Kutali është shprehur se, “Ndrenika ka kërkuar vetë që të bëjë provat në shtëpi dhe gjendja e tij po përmirësohet. Gjithashtu edhe burime nga Drejtoria e Teatrit të Metropolit pohojnë se, “Aktori Robert Ndrenika është shumë mirë me shëndet dhe nesër do të jetë në Teatrin e Metropolit për të zhvilluar provat për premierën “Mendohu Xhakomino.

Shqipëria në këmbë më 18 shkurt

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalli mbrëmjen e djeshme 18 shkurtin si ditën e nisjes së protestave popullore. Protesta do të zhvillohet për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira si dhe kundër krimit, drogës, varfërisë e shtypjes qeveritare  që solli Rama bashkë me qeverinë në këto katër vite. Përmes një postimi në facebook, Basha thotë se, vetëm me kurajo dhe vendosmëri pushteti i grabitur në këto vite do të rikthehet sërish tek njerëzit. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shprehet Basha në postimin e tij. Po dje, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, Basha denoncoi skenarin e Ramës për të mbajtur pushtetin me paratë e krimit dhe drogës ndërsa tha se do të shmanget nga reagimi popullor. “Që tani e kanë ndarë hesapin e zgjedhjeve. I dëgjoni se si i numërojnë votat, i japin dhe i heqin mandate njëri-tjetrit dhe nuk kanë nevojë për votën e njerëzve. Nuk i llogarisin njerëzit. Pazare, parcela ku klonohen parti klienteliste që ndajnë si plaçkë pasuritë e shqiptarëve. Ky është qëllimi. Nuk ka më politikë, por luftë për plaçkë. Prandaj zgjedhjet u prishin punë. Nuk duan zgjedhje.  Kanë marrë peng Shqipërinë. Tani duan të marrin peng edhe zgjedhjet që ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është. Ta mbajnë pushtetin, të mbajnë krimin në pushtet dhe të shtojnë miliardat e tyre. Ky është skenari, kjo është e vërteta. Ne e dimë dhe çdo shqiptar e di. Pyesni çdo shqiptar jashtë kësaj salle dhe ndërtese, në këtë qytet dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Të gjithë do të thonë që kjo qeveri nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse do që të mbajnë gjendjen kështu siç është.  Ky skenar mund, duhet dhe do të shmanget vetëm nga njerëzit, nga reagimi i tyre. Vetëm nga qytetarët e bashkuar dhe reagimi i tyre. Ndaj jemi mbledhur sot (dje) këtu dhe do të mblidhemi në forume të tjera të kësaj partie sepse detyra jonë si demokratë është që të bëjmë gjithçka për të zgjuar, mobilizuar dhe mbështetur reagimin e qytetarëve. Për të qenë zëri i tyre dhe mbështetësja e tyre në çdo formë reagimi demokratik për të reaguar për zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Basha. Ai theksoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk janë një çështje e interesave të PD-së, por zgjedhjet e lira janë çështje jetike për njerëzit, të vendit, të shoqërisë, së kombit.  “Sa më parë t’i presim rrugën të keqes aq më pak kosto do të kemi, aq më pak do të dëmtohen jetët dhe e ardhmja e vendit. Sot është momenti që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga krimi në politikë, nga qeverisja e inkriminuar dhe nga vjedhja e zgjedhjeve. Rruga që e nxjerr vendin nga kjo gjendje që kjo qeveri kërkon ta ruajë me çdo kusht, është rruga e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është zgjidhja. Nuk ka tjetër. Demokratët dhe opozita janë të bashkuar e të vendosur për këtë qëllim. Sot dua të ftoj edhe partitë e çdo krahu politik, intelektualët, ftoj shqiptarët pa dallime politike që të bashkohemi për të çliruar me çdo kusht shansin më të madh që demokracia u jep qytetarëve të lirë: votën e lirë. Kjo është beteja. Opozita dhe Partia Demokratike do të jetë në ballë të saj” u shpreh kreu i PD.

Basha:Të mbrojmë lirinë e votës

Mbrojtja e lirisë së votës ishte kryefjala e kreut të PD, Basha në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë ku u diskutua mbi aksionin opozitar për daljen e vendit nga kriza. “Pas mbledhjes së fundit të Kryesisë, ku ju informova për turin e takimeve në Uashington, në Bruksel dhe në Berlin që do të ndërmerrja, dhe pasi vendosëm përsa i përket organizimit të fushatës elektorale, mbledhja e sotme (djeshme) ka për qëllim, diskutim dhe vendimmarrje në raport me dy çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, garantimin e votës së lirë, si misioni themelor i Partisë Demokratike, si një interes jetik, shoqëror dhe kombëtar. Sot jemi dëshmitarë të bllokimit total të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Investimet e huaja janë bllokuar. Ekonomia është në gjendje të mjeruar. Askund nuk ka punë. Shqiptarët po vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi, gjendja e Shqipërisë është pa shpresë për të ardhmen. Dalja nga kjo gjendje është e qartë, mesazhet i kam marrë në Uashington, në Bruksel dhe në Berlin, nga përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane dhe europiane. Mesazhet janë konfirmuar nga Rezoluta unanime e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, nga raporti i Këshillit të Europës dhe dje nga rezoluta e kaluar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian dhe dalja e Shqipërisë nga kjo gjendje është e qartë: Kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kalon përmes luftës kundër krimit të organizuar, kalon përmes largimit të kriminelëve nga politika, kalon përmes parandalimit dhe kultivimit të drogës dhe trafiqeve të drogës, kalon përmes luftës së korrupsionit qeveritar dhe pa dyshim përmes Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese. Kjo është dalja e Shqipërisë nga kriza ku ndodhet. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë potencuar si kusht i patejkalueshëm për integrimin e vendit dhe padyshim për të gjitha pasojat pozitive që kjo ka për ekonominë, për shoqërinë, për punësimin, për të ardhurat, por duket se rilindja e 1 Prillit ka vetëm një qëllim: të ruajë gjendjen aktuale. Të ruajë me çdo kush status quo-në, ta mbajë Shqipërinë kështu siç është, me këtë politikë, të pandryshuar, sepse kjo gjendje ju siguron atyre pasurimin dhe pushtetin” tha Basha. Ai theksoi se pakica në pushtet është pasuruar në mënyrë marramendëse. Ka siguruar miliarda përmes drogës dhe trafiqeve, përmes krimit dhe përmes koncesioneve dhe korrupsionit qeveritar. I ka siguruar vetes luks të pakufizuar, pushtet të pakufizuar. Dëgjoni dëshmitë e ish-ministrit të Drejtësisë Manjani për të kuptuar përmasat e krimit, korrupsionit dhe degjenerimit qeveritar. Që të ruajnë dhe të shtojnë pasurinë që kanë vënë, duhet që droga të vazhdojë të mbillet dhe të mbillet edhe më shumë këtë vit, duhet që Balili me shokë të vazhdojnë të punojnë të lirë dhe të paprekshëm që të vazhdojnë trafiqet miliona euroshe, duhet që klientët e tyre të vazhdojnë të marrin tendera dhe koncesione prej miliarda lekë të taksapaguesve shqiptarë” u shpreh kreu i PD.

Opozita zotëron emrat e rrjetit kriminal të Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve

Edi Rama, me ministrin e tij të drogës, Saimir Tahirin dhe me një kupolë drejtuesish të korruptuar në krye të Policisë së Shtetit, kanë krijuar qark më qark në të gjithë vendin një rrjet kriminal të përbërë nga kriminelë të regjur, nga eksponentë të njohur të krimit të organizuar, nga ish-të dënuar për krime të rënda, nga narkotrafikantë të skeduar ndërkombëtarisht dhe nga banditë të hurit e të litarit që kanë marrë detyrë të blejnë vota, të dhunojnë zgjedhësit dhe zgjedhjet për llogari të Edi Ramës dhe klikës së tij. Kreu i PD, tha dje se opozita e zotëron emër për emër organizmin e këtij rrjeti, ndërkombëtarët janë në dijeni gjithashtu. “Qytetarët, në çdo qytet dhe në çdo fshat, njohin me emër e mbiemër bandën e zonës. Duke dashur të fshihet pas gjethes së fikut, Edi Rama i ka shpërndarë këto skuadrone sa rreth vetes së tij, sa i ka depozituar në xhepat e disa partive aleate, të disa formacioneve, të cilat i bën gati t’i lançojë në këto zgjedhje. Fshehja nga kjo qeveri e Eskobarit të Ballkanit të kërkuar ndërkombëtarisht prej më shumë se një viti, ka për qëllim që bashkë me fshehjen e ortakërive, që Eskobari i Ballkanit ka me ministrat e kësaj qeverie t’u japë një mesazh narkotrafikantëve dhe banditëve të angazhuar në pushtimin e zgjedhjeve se Edi Rama me Saimir Tahirin do t’i mbrojnë deri në fund. Droga prodhon para për të blerë vota, por prodhon edhe kushtëzimin e votës për qindra mijëra njerëz të thjeshtë në  vështirësi për bukën e gojës, për bukën e fëmijëve, të cilëve qeveria nuk u dha asnjë mundësi për të jetuar me dinjitet, ndaj i thërret si skllevër për t’u punësuar në të zezë dhe do t’u kërkohet me kërbaç të japin votën, përndryshe nuk paguhen.  Miliardat e koncesioneve dhe tenderave korruptivë që u janë dhënë klientëve të një rrethi të ngushtë, jo vetëm për t’i ndarë së bashku për jetën luksioze, por edhe për t’i hedhur në zgjedhje, për të kapur zgjedhjet. Mbi mjerimin që mbollën këto katër vjet amembanë vendit po bëhen gati të lëshojnë lukuninë e krimit dhe lumin e parave të pista. E vetmja gjë që i garanton, që të vazhdojë droga, të vazhdojë vjedhja, të vazhdojë pasurimi dhe pushteti i tyre, është mbajtja e pushtetit politik me çdo kusht. E vetmja mënyrë për ta mbajtur pushtetin është kapja, është shkatërrimi i zgjedhjeve. Sepse zgjedhjet e lira janë fundi i kriminelëve në politikë, janë fundi i koncesioneve miliardëshe, janë fundi i këtyre politikanëve të panginjur dhe arrogantë të lidhur me krimin. Prandaj me qëllim që të marrin peng zgjedhjet, që të asgjësojnë zgjedhjet, janë bërë gati që të përdorin stokun e stërmadh të parave të zeza të trafiqeve të drogës dhe krimit të koncesioneve të korrupsionit qeveritar dhe nga ana tjetër janë bërë gati të përdorin kriminelët për të kërcënuar votën e lirë, për të manipuluar votuesit, administratën zgjedhore, si edhe të përdorin median e kapur për të fshehur manipulimin. Ky është skenari i qartë në sytë e çdo shqiptari. Blerja e votës dhe mbështetja për vjedhjen e votës dhe kërcënimi i njerëzve të lirë. Ky është skenari që do të shkatërrojë të ardhmen e Shqipërisë. Të ardhmen e familjeve, fëmijëve, rinisë, të ardhmen e vendit. Këtë skenar tashmë e kanë denoncuar para medias edhe vetë anëtarët e qeverisë si ish-ministri i Drejtësisë dhe ministri aktual i Ambientit” tha Basha.

Analiza e UKT/ Reagon Xhelal Mziu: Ja shpifjet e radhës së kolegut mashtrues Erion Veliaj

Eshtë e qartë se nuk mund ta njohesh realitetin kur je 3 ditë jashtë e 1 ditë në punë. Kjo i ka ndodhur Veliajt i cili, edhe pse prej dy vitesh është në krye të Bashkisë së Tiranës, nuk njeh ende kufijtë territorialë, edhe pse ndarja është bërë me ishuj, kujtojme qytetaret e Zall Herrit duhet te kalojne neper Kamez per te shkuar ne qendren e Njesise Administrative Tirane, ndarje politike!
Drejtoria e UKT ku sot ka bere analizen kolegu mashtrues i Tiranes eshte ne teritorin e Kamzes (qe brenda pranveres do merret nga Bashkia Kamez), por tubacioni qe kalon nga impianti i Bovilles drejt Tiranes menaxhohet nga UKT-ja e tij, pra nese ka abuzim apo vjedhje faj eshte i turistit me luksoz ne Shqiperi, kreut te Bashkise Tiranes. Sepse eshte nen menaxhimin e tij.
Ku e gjen kurajon kolegu mashtrues qe cdo dite merr nen mbrojtjen politike te qeverise:
-Territore padrejtesisht nga Kamza,
– Pyje nga Kamza.
– Qe merr funksione te deleguara nga qeveria qe duhet ti merrte Kamza por jane marre padrejtesisht nga Tirana si:
– Repartin e zjarrfikseve te Kamzes.
-Makinerite e financimin e Kullimit dhe Vaditjes qe i takonte Kamzes.
– Konviktin e shkolles mesme qe i takonte Kamzes.
– Fondin e Mirmbajtjes se rrugeve qe i takonte Kamzes
-Administrimin e pyjeve qe i takonte Kamzes.
Fakt eshte se Kamza ka aplikuar per 4 vite mbi 120 projekte tek qeveria, te refuzuara te gjitha, ndersa Bashkia e Tiranes ka marre 33,5 here me shume leke per fryme per banoret e Tiranes. A nuk jane njesoj banore, me te drejta te njejta si ne Kamez si ne Tirane?
Kjo eshte e verteta.
Veliaj ka kapur mediat dhe çdo mashtrim i tij behet lajm.
Po realiteti qe prekin e njohin qytetaret nuk ndryshohet me propagande te rreme.
Realiteti ndryshon duke u sherbyer njerezve, pavaresisht ku banojne, dhe per ke votojne.

Policia kujtohet për shpërblimin, 5 milionë lekë për arrestimin e Balilit

Policia e Shtetit është kujtuar më në fund për të vënë në dispozicion 5 milionë lekë shpërblim për cilindo që jep informacion për vendodhjen e Klement Balilit. Shpërblimi do t’u jepet personave që kanë informacione e të dhëna të sakta, që mund të çojnë në arrestimin e të kërkuarit për trafik ndërkombëtar droge. Policia garanton ruajtjen e anonimatit dhe ka vënë në dispozicion një numër telefoni. (064109188).
Balili u shpall në kërkim nga Interpoli që në 17 maj të vitit 2016 për trafik ndërkombëtar droge, por u la i lirë me urdhër të Ramës. Ndonëse ishte në kërkim, Balili jo vetëm që lëvizte lirshëm, por ai shoqërohej nga zyrtarë të lartë dhe oficerë policie, të cilët kishin për detyrë ta denonconin dhe ta arrestonin si një person të kërkuar për aktivitet kriminal.
Ndonëse ishte në kërkim, Balili jo vetëm që lëvizte lirshëm, por ai shoqërohej nga zyrtarë të lartë dhe oficerë policie, të cilët kishin për detyrë ta denonconin dhe ta arrestonin si një person të kërkuar për aktivitet kriminal. Në shtator të vitit të kaluar, Balili u fotografua duke festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë. Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që më parë e mbante vetë Klement Balili, përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke, si kreu i një bande që trafikonte drogë në vendet e BE. Gjatë gjithë kohës, ai ka qenë i ulur në tavolinën e dasmës bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi, që mban edhe postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka thirrur për të premten Këshillin e Lartë të Sigurisë me kërkesë të kreut të Parlamentit, Ilir Meta, për të diskutuar mbi përgjegjësinë e institucioneve në mosarrestimin e trafikantit të shumëkërkuar.

Shullazi bën lojën e Dritan Dajtit, shtyn gjyqin për herë të tretë

Emiliano Shullazi, Gilmando Dani dhe personat e tjerë të pandehur që po gjykohen për gjobvënie dhe kërcënime kanë arritur të dështojnë edhe një tjetër seancë gjyqësore. Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij kanë protestuar për avokatin e caktuar nga Gjykata. Në seancën e ditës së martë dha dorëheqjen avokati i Danit, në këto kushte Gjykata caktoi avoktat kryesisht. Ai nuk e ka pranuar avokatin, duke i kërkuar Gjykatës t’i caktonte si avokat Eno Bushin. Gjykata rrëzoi kërkesën e tij. Në këto kushte të pandehurit dhe avokatët e tyre u larguan nga seanca në shenjë demonstrative. Kjo është hera e tretë që seanca gjyqësore për dëgjimin e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja dështon.
Dëshmitari duhet të dëshmonte me video në mënyrë që Gjykata ta njohë si provë dëshminë e tij që do t’i bashkangjitet dosjes hetimore. Sipas Ylvi Beqajt nën kërcënimin e armës, Emiliano Shullazi dhe banda e tij i ka marrë pronësinë për një pjesë të ish-hotel “Vollgës” në Durrës dhe 550 mijë euro. Praktika që po ndjek Shullazi është e njëjtë me atë të Dritan Dajtit që shtyu pafundësisht gjyqin për të përfituar nga tejkalimi i afateve hetimore.
Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar gjatë ditës së enjte në ora 13:00. Gjatë kësaj seance, pritet që biznesmeni i mbrojtur Ylvi Beqja të dëshmoi për kërcënimet dhe gjobat që banda e Shullazit ia ka vendosur.
Në muajin tetor Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin. Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale, për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

Kush janë vrasësit dhe grabitësit e bankave që shoqërojnë Tahirin

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një oficeri policie, i cili shkruan se shoqëruesit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë vrasës, plaçkitës, trafikantë dhe anëtarë bandash. “Qeveria organizatë e mirëfilltë kriminale! Njihuni me shoqëruesit vrasës, plaçkitës, anëtarë të bandave, persona në kërkim të palo ministrit Saje Qorri!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Berisha ka publikuar edhe emrat e badigardëve të Tahirit dhe krimet që kanë bërë në Shqipëri dhe disa vende të Europës, si Itali, Spanjë e Gjermani. “Oficeri i SHKB dixhital informon: Shoqëruesi i parë i Saje qorrit ka ndërruar emrin nga Agustin Fran Deda në Paul Deda. Ai ka plagosur në një pub në Tiranë një oficer të Gardës. Ai ka qenë person në kërkim, ka bërë trafik kokaine në Spanjë. Shoqëruesi tjetër, Hekuran Marku ka probleme me drejtësinë italiane. Bujar Trimi shofer, i arrestuar në Mynih për grabitje banke me bandën e Yzberishit, është krahu i djathtë. Agim Sinani, shofer vrasës, anëtar i bandës së Selitës, i dënuar për vrasje. Bledar Bodlli, punon në SHKB, ka qenë i dënuar, pa shkollë.
I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi lidhjet kriminale të Saje qorrit, shoqëruesve dhe njerëzve të tij!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të SHKB-së.
“28.01.2017, 11:56:47: Shoqëruesi i parë i Sajmir Tahirit e ka pasur emrin Agustin Fran Deda tani e ka kthyer në Paul Deda, e ka kthyer emrin për arsye se më 2003-2004 ka plagosur në një pub në Tiranë një oficer të Gardës dhe ka qenë person në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje, i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Tiranë. Në vendin e ngjarjes ka lënë një këpucë nga vrapi. Ky ka qenë i lidhur me një shtetase spanjolle në momentin e ngjarjes dhe ka punuar në Spanjë, Barcelonë dhe Londër me kokainë dhe prostitucion.
28.01.2017, 11:57:18: Shoqëruesi tjetër i Sajmir Tahirit, Hekuran Marku, i cili ka jetuar rreth 15 vjet në Venecia, Itali. Ka bërë një lokal tek rruga e “Barrikadave” pranë shkollës “Sami Frashëri”, ka probleme me drejtësinë italiane në lidhje me bankat për marrjen e një kredie mbi 100 mijë euro me emër tjetër në Itali.
28.01.2017, 11:58:00: Bujar Trimi, miku i familjes së Sajmir Tahirit është shofer pranë parkut të Ministrisë së Rendit, është kapur nga policia gjermane për grabitje banke me grupin e Yzberishtit në Mynih, i kanë bërë atentat tek “Pallati me shigjeta” para disa viteve dhe është krahu i djathtë i kartelës së grupit të Selitës që është me burgim të përjetshëm për disa vrasje.
28.01.2017, 11:58:41: Agim Sinani ka qenë shofer pranë Parkut të Ministrisë së Rendit, e hoqën pasi i doli vërtetimi i penalitetit i dënuar pasi ka qenë në burg për vrasje dhe pjesëtar i bandës së Selitës. Dhe Tahiri e çoi me punë tek Task Forca në KESH tek miku i ngushtë i Tahirit, tek Vahit Sina nga Tepelena drejtor në KESH.
28.01.2017, 11:59:14: Bledar Bodlli nga Yzberishti dhe ky mik i Tahirit ka qenë i dënuar dhe është lidhje e Tahirit dhe e Krenar Cenollarit, ish-kryetari i Minibashkisë Kombinat, pa shkollë dhe i emëruar nga Tahiri në SHKB tek Arben Skëndaj, drejtori i SHKB, ish-sigurims”, përfundon mesazhi i oficerit të policisë.

Badigardi i Tahirit i akuzuar për vrasjen e Pudjas

Badigardi tjetër i Tahirit, Elvis Rexha është akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e Besnik Pudjas në magazinën e hashashit në Shëngjergj të Tiranës më 7 tetor të vitit të kaluar. Ish-Kryeministri Berisha publikoi pak ditë pas ngjarjes një mesazh të mbërritur në adresë të tij nga një oficer policie, i cili hidhte dyshime serioze, se vrasja është kryer ose është porositur nga Elvis Rexha, që është badigardi i ministrit Saimir Tahiri. Berisha shkruante se, të gjitha manipulimet, fshehjet dhe zhdukjet e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit dhe e raportoi si vetëvrasje.
“Oficeri dixhital hedh dyshime tejet serioze në informacionin e tij se, badigardi dhe kryesekseri i Saje qorrit, Elvis Rexha mund të jetë dhe ekzekutori ose porositësi i vrasjes së Besnik Pudjas. Elvis Rexha është kryesori i parcelave të kanabisit në Malësinë e Shëngjergjit! Të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, me porosi të Saje qorrit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi implikimin direkt të Saje qorrit, sekserit të tij, Elvis Rexha dhe drejtorit Ervin Hoda, në këtë krim të shëmtuar dhe përpjekjen për të paraqitur ekzekutimin mafioz të Besnik Pudjas si vetëvrasje!”, shkruante Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Përshëndetje doktor. Jam një oficer i Policisë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Ju bëj me dije se, Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badigardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj, që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”, shkruante oficeri i policisë.
Policia njoftoi në atë kohë se, Besnik Pudja ishte vetëvrarë, por Prokuroria ka rrëzuar Policinë e Tiranës pas hetimeve të kryera ka rezultuar se 36-vjeçari Pudja është vrarë nga persona të tjerë për motive që mund të kenë lidhje me drogën. Ekspertiza ka vërtetuar se në duart e viktimës nuk ka patur gjurmë baruti apo faktorë të tjerë plotësues. Prokuroria e Tiranës ia ka kthyer dosjen Policisë së Tiranës për të kryer hetime të mëtejshme për të zbuluar autorët e vrasjes.

R.POLISI

Vdes i sëmuri, 40 minuta i shtrirë në rrugë, nuk iu dha asnjë ndihmë

Një i sëmurë ka qendruar për afro 40 minuta i shtrirë në rrugë dhe askush nuk i ka dhënë ndihmën e duhur për ta transportuar në spital. Siç shihet edhe në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, i sëmurë qendron i shtrirë në trotuar dhe mjekët e ambulancës vijnë vërdallë për shkaqe ende të panjohura dhe nuk e transportuan në spital. Më pas 58-vjeçari Leonard Tasho, ndërroi jetë në një rrugë të Tiranës. Dëshmitarët thanë se, në fillim ai kishte shenja jete, por për shkak të vonesës së ambulancës, ndërroi jetë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në unazë, pranë kryqëzimit tek “Farmacia nr.10” ose ndryshe 200 metra larg nga QSUT-ja. Policia përmes zëdhënësit tha se, “sapo është marrë njoftimi ka shkuar patrulla që ndodhej më pranë vendngjarjes”. Siç shihet në video, aty ka mbërritur një polic i Rrugores. Disa minuta më vonë, ka mbërritur edhe ambulanca e Urgjencës së Tiranës. Denoncuesi tha se, ambulanca ka vonuar 30 minuta. Për këtë, presim të marrin edhe një reagim nga Drejtoria e Urgjencave, që u tregua e gatshme të na mundësonte oraret e lëvizjes së ambulancës sipas GPS. Jo vetëm kaq. Janë dashur edhe 30 minuta të tjera që të mbërrinte ambulanca e morgut. Policia thotë se ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë. Pra, pritet ambulanca. Ambulanca e Urgjencës pret të mbërrijë Urgjenca e Morgut, kështu i sëmuri që ndërroi jetë qendron mbi 1 orë në rrugë.
Mësohet se 58-vjeçari vuante nga zemra dhe dyshohet se një atak i ka marrë jetën. Ky rast është denoncuar nga qytetarët që kanë parë skenën. Kjo nuk është hera e parë që ambulanca denoncohet për vonesa. Kjo, gjithashtu nuk është hera e parë që mungesa e koordinimit e ka bërë jo funksional sistemin e ndihmës së shpejtë në vendin tonë.
Ajo ç’ka vihet re në të tilla raste, është se institucionet thjesht kërkojnë të shfajësohen duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës. Asnjë masë nuk merret, për pasojë qytetarët humbin jetën edhe kur ndodhen vetëm 200 metra larg spitalit.

Prokuroria: Nën hetim motra e Lul Berishës, pastroi miliona dollarë

Prej një viti, Luljeta Berisha, motra e ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, është duke u hetuar për akuzën e pastrimit të parave. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, Luljeta Berisha, dyshohet të ketë pastruar miliona dollarë.
Fakti më interesant që kanë zbuluar deri më tani prokurorët në kuadër të këtij hetimi, është fakti se Luljeta Berisha, rezulton të ketë marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash, nga biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit, prej muajsh mban statusin e të penduarit të drejtësisë, pasi ka pranuar të dëshmojë kundër Emiliano Shullazit dhe miqve të tij, të cilët i akuzon se i zhvatën shuma të mëdha parash nën presion fizik e psikologjik.
Ylvi Beqja, është thirrur nga Prokuroria e Durrësit, për t’u pyetur lidhur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ende nuk janë marrë deklarimet e tij, për shkak të statusit që gëzon, statusin e dëshmitarit të mbrojtur, në çështjen e gjobëvënieve nga Shullazi dhe banda e tij që po hetohet nga Krimet e Rënda.
Ndërkohë, për të vërtetuar dyshimet e ngritura se personi nën hetim Luljeta Berisha e ka kryer veprën penale të pastrimit të parave, Prokuroria e Durrësit, ka nisur në drejtim të disa shteteve letër porosi, duke kërkuar informacion lidhur me llogaritë apo pronat që ajo dhe të afërm të saj zotërojnë. Nga verifikimet e para rezulton se Luljeta Berisha, nuk e justifikon me burime të ligjshme pasurinë që zotëron, për shkak se për periudha të gjata ka qenë e papunë dhe pa asnjë të ardhur financiare. Ky hetim i ri i hapur ndaj motrës së Lulzim Berishës, duket se do të verë sërish në qendër të vëmendjes familjen e tyre.
Pak javë më parë, emri i ish-kreut të bandës së Durrësit u lakua mjaft pas lirimit me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës. Për lirimin e tij, është akuzuar dhe dërguar prapa hekurave, drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj, ndërsa kërkohet juristi Teodor Labi. Çështja hetohet nga Prokuroria e Tiranës, pasi nën hetim janë vënë dhe gjykatësit që dyshohen se favorizuan Lulzim Berishën për të përfituar lirinë me kusht.

Zyrtarët amerikanë: Jo “ndalim” por “pezullim”

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare u doli në mbrojtje masave për zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që kufizon emigracionin, duke thënë se “nuk mund të luajmë me jetën e amerikanëve”.
“Nuk është fjala për një ndalim udhëtimesh, por për një pezullim të përkohshëm që na lejon të shqyrtojmë rastet e refugjatëve ekzistues dhe sistemin e verifikimit të vizave”, tha sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, John Kelly.
Ai tha se urdhri i ri ka për qëllim mbajtjen e terroristëve jashtë vendit, por theksoi se nuk është fjala për ndalim të myslimanëve.
Zyrtarët thonë se megjithë urdhrin, në SHBA do të pranohen 872 refugjatë për shkaqe humanitare.

Shkarkimi i Prokurores së Përgjithshme në detyrë dhe reagimet
Disa orë pasi Presidenti Donald Trump shkarkoi Prokuroren e Përgjithshme në detyrë, Sally Yates, e cila refuzoi të mbështesë urdhrin e tij kufizues ndaj emigracionit, zëvendësuesi i saj urdhëroi stafin e Departamentit të Drejtësisë “të mbrojnë urdhrat e ligjshme të presidentit tonë”.
Presidenti Trump caktoi zotin Dana Boente në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, derisa Senati të konfirmojë të emëruarin për këtë post, senatorin Jeff Sessions. Komisioni i Senatit për Gjyqësorin voton sot dhe pritet që brenda kësaj jave të bëhet konfirmimi nëpërmjet votimit në seancë plenare.
Dje, zonja Yates, e cila ishte emëruar nga Presidenti Barack Obama, kishte komunikuar me shkrim me punonjësit e Departamentit të Drejtësisë, të cilëve u tha se nuk ishte e bindur për ligjshmërinë e mbrojtjes së urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump.
Zonja Yates shprehej se: “Përgjegjësia ime është të sigurohem që pozicioni i Departamentit të Drejtësisë të jetë jo vetëm i mbrojtshëm ligjërisht, por edhe se është i bazuar tek pikëpamja jonë se çfarë përfaqëson ligji, pasi kemi marrë në konsideratë të gjitha faktet. Gjithashtu, unë kam përgjegjësinë të sigurohem që të gjitha pozicionet që ne mbajmë në gjykata të jenë në përputhje me detyrimin solemn të institucionit për drejtësi”.
Shtëpia e Bardhë kritikoi menjëherë zonjën Yates në një deklaratë, ku njoftohej gjithashtu edhe shkarkimi i saj, dhe ku thuhej se ajo “tradhtoi Departamentin e Drejtësisë duke refuzuar të zbatonte një urdhër të ligjshëm që synon mbrojtjen e shtetasve të SHBA-së”.
Deklarata e zyrës së sekretarit të shtypit qartëson se urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump ishte miratuar “për nga forma dhe ligjshmëria” nga Zyra e Këshilltarit Ligjor, të Departamentit të Drejtësisë.
Zonja Yates shprehej në udhëzimin e saj se opinioni i kësaj zyre nuk merr parasysh mendimet e shprehura nga zyrtarë të tjerë të administratës, puna e të cilëve mund të lidhet me tematikën e urdhrit ekzekutiv dhe nuk gjykon nëse politika në fjalë është “e duhur apo e drejtë”.

Urdhri ekzekutiv, burim debatesh
Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar javës së kaluar, pezullon për 120 ditë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të të gjithë refugjatëve, si dhe përjashton pa afat refugjatët sirianë. Urdhri gjithashtu bllokon për 3 muaj hyrjen në SHBA, të personave nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Sudani, Jemeni dhe Somalia.
Shtëpia e Bardhë e mbrojti sërish urdhrin duke thënë se “kontrolli më i rreptë për individët që vijnë nga shtatë vende të rrezikshme, nuk është masë ekstreme”.
Zoti Trump propozoi rreth një vit më parë një ndalim hyrjeje në SHBA për të gjithë myslimanët, deklaratë të cilën e ndryshoi duke u shprehur për “kontroll ekstrem” të personave nga vende të lidhura me terrorizmin.
Vendimi i Presidentit për shkarkimin e zonjës Yates u kundërshtua nga shumë anëtarë demokratë të Kongresit, ndër ta edhe kreu i demokratëve Steny Hoyer, i cili e quajti vendimin “alarmues”.
Zoti Hoyer u shpreh se: “Populli amerikan duhet të vrasë mendjen nëse Presidenti Trump thjesht synon të shkarkojë këdo që e kundërshton dhe shpresoj që kolegët e mi republikanë të ngrenë zërin për këtë çështje”.
Senatori Chuck Schumer, i cili e quajti kufizimin ndaj emigrantëve si “antiamerikan”, shkruajti në Twitter se “prokurori i Përgjithshëm betohet për besnikëri ndaj ligjit dhe Kushtetutës, dhe jo ndaj Shtëpisë së Bardhë. Është drithërues fakti që kjo administratë nuk e kupton këtë gjë”.
Një nga rivalët e zotit Trump gjatë garës në Partinë Republikane, senatori Ted Cruz, mbrojti me forcë vendimin për shkarkimin e zonjës Yates, duke e përshkruar veprimin e saj si gjestin e fundit të Departamentit të Drejtësisë të zotit Obama.
Zoti Cruz tha se: “Presidenti Trump me shumë të drejtë shkarkoi një prokurore të Përgjithshme në detyrë, e cila refuzoi të kryejë detyrën e saj kushtetuese në mbrojtje të ligjit”.
Senatori Dick Durbin, anëtar i komisionit që voton për emërimin e zotit Sessions, tha se nëse reagimi i zotit Trump ndaj zonjës Yates përfaqëson mënyrën se si ai përballet me jodakordësinë, ky “është një drejtim i rrezikshëm për Amerikën”.
Zoti Sessions ka qenë vetë anëtar i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin në vitin 2015, kur zonja Yates iu nënshtrua procesit të konfirmimit për postin e zëvendësprokurores së Përgjithshme në administratën Obama.
Gjatës asaj seance dëgjimore, ai pati pyetur zonjën Yates: “Nëse pikëpamjet që dëshiron të zbatojë Presidenti janë të paligjshme, a duhet të thonë ‘jo’ kryeprokurori dhe zëvendëskryeprokurori?”.
Zonja Yates i ishte përgjigjur: “Senator, unë besoj se kryeprokurori dhe zëvendëskryeprokurori kanë detyrimin të ndjekin ligjin dhe Kushtetutën, dhe t’i japin këshilla të pavarura ligjore Presidentit”.

Shqetësime të ish-zyrtarëve
Kundërshtitë ndaj urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump po vijnë edhe nga ish-zyrtarë, si një grup prej mbi 130 personash që kanë shërbyer nën presidentët Obama dhe George W. Bush. Ata i drejtuan një letër dje krerëve të Departamentit të Drejtësisë, Departmentit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë, ku shprehin “shqetësim të thellë” për urdhrin, për të cilin thonë se “do të shkaktojë dëm afatgjatë për sigurinë tonë kombëtare”.
Letra thotë se partnerët kundërterrorizmit në Evropë po distancohen nga SHBA-ja, duke zhbërë kështu vite përpjekjesh afrimi.
Ish-zyrtarët gjithashtu thonë se: “Për shkak se urdhri diskriminon udhëtarët dhe emigrantët myslimanë, i ka dërguar tashmë mesazhin e gabuar komunitetit mysliman në SHBA dhe në mbarë botën – se qeveria amerikane po i lufton për shkak të besimit të tyre”.
Ish-zyrtarët mirëpritën sqarimin se rezidentëve të ligjshëm nuk do t’u ndalohet hyrja në SHBA, por bëjnë thirrje që të punohet “për të lejuar edhe segmente të tjera njerëzish që të hyjnë në vend”.
Ndër firmëtarët e letrës janë ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-sekretarja e Sigurisë, Janet Napolitano, ish-këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice dhe ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden.

Persona të deportueshëm?
Sipas agjencive të lajmeve “Associated Press” dhe “Vox”, një ndër projekturdhrat që Presidenti Trump po shqyrton, do të urdhëronte Departamentin e Sigurisë të klasifikonte si persona të deportueshëm emigrantët e ligjshëm që përfitojnë nga fonde publike bazuar mbi nevoja financiare. Drafti gjithashtu kërkon të bëjë përgjegjës për rimbursim personat që kanë sponsorizuar emigrantët që në vijim kanë përfituar nga fonde publike.
Agjencitë i kanë drejtuar pyetje Shtëpisë së Bardhë për këtë draft, por nuk kanë marrë përgjigje.
Ditën e djeshme, Presidenti Trump emëroi zotin Thomas Homan, drejtor në detyrë të Agjencisë së Emigracionit dhe Mbrojtjes së Kufijve, në vend Dan Ragsdale, që do të rimarrë detyrën e zëvendësdrejtorit.