30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

A do të zbuten marrëdhëniet SHBA-Rusi

Rusët përgjithësisht e kanë përshëndetur ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, me shpresën se kjo do të hapë një epokë të re në përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Gjykuar nga reagimet e kësaj jave, biseda e parë telefonike mes presidentëve Trump dhe Putin të shtunën nuk i ka pakësuar aspak këto pritshmëri.
Në programin e përjavshëm “Vjesti Njedjeli”, prezantuesi Dmitry Kisjeljev e quajti bisedën 45-minutëshe “thirrjen telefonike më të shumëpritur në botë”.
“Donald Trump po përmbush premtimet e tij elektorale duke lënë pas trashëgiminë e pavlerë të Obamës”, tha Kisjeljev gjatë emisionit të tij.
Zyrtarët e Kremlinit janë treguar më të kujdesshëm në komentet e tyre.
Të hënën, zëdhënësi i presidencës Dmitry Peskov e quajti bisedën “konstruktive” dhe tha se dy burrat shfaqën një dëshirë për të zgjidhur “çështjet komplekse përmes dialogut”.
Peskov tha se një bashkëpunim i tillë nuk ishte i mundur në administratën Obama, me të cilën Kremlini pati mosmarrëveshje të ashpra lidhur me aneksimin e Krimesë, mbështetjen ushtarake për udhëheqësin sirian Bashar al-Asad dhe akuzat për ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Në të vërtetë, pas bisedës telefonike, në deklaratat si nga Kremlini edhe nga Shtëpia e Bardhë u theksua dëshira për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Zbutje e sanksioneve?
Kremlini tha se udhëheqësit shprehën interesim për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik, si dhe në çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin izraelito-palestinez, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut. Nuk pati shenja se dy presidentët diskutuan mbi akuzat se Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet amerikane.
Ata nuk biseduan mesa duket as mbi sanksionet perëndimore rreth veprimeve të Rusisë në Ukrainë, edhe pse toni i bisedës ngjalli hamendje se sanksionet mund të zbuten shpejt.
Aleatë kryesorë evropianë – në përputhje me politikat e ish-administratës Obama – kanë propozuar heqjen pjesërisht të sanksioneve, vetëm nëse Moska plotëson detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Paqes të Minskut, që synojnë dhënien fund të luftimeve në lindje të Ukrainës mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro rusë.
Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mund të heqë sanksionet në këmbim të një pakësimi në arsenalin bërthamor të Rusisë apo të një angazhimi për të luftuar Shtetin Islamik.

Azerbajxhan, vriten katër terroristë të dyshuar

Forcat e sigurisë së Azerbajxhanit i kanë vrarë katër pjesëtarë të dyshuar të një grupi terrorist, ka njoftuar shërbimi shtetëror i sigurisë i këtij vendi.
Ky shërbim tha se ata ishin vrarë nga të shtënat gjatë operacionit special të djeshëm, që ishte ndërmarrë pasi të dyshuarit kishin hapur zjarr kundër forcave të policisë.
Sipas shërbimit të sigurisë shtetëtore, të dyshuarit ishin të ndërlidhur me një grup të paspecifikuar religjioz ekstremist të jashtëm, i cili kishte planifikuar një varg të sulmeve terroriste në territorin e Azerbajxhanit.
Në njoftim nuk është thënë saktësisht se ku ishte kryer ky operacion.

Të majtët e BE-së e shpallin Amerikën armike

Negociatori kryesor i Brexit për Bashkimin Europian, Guy Verhofstadt tha për “Reuters” se, Donald Trump është pjesë e një përpjekjeje trepalëshe për të dëmtuar Bashkimin Europian. Dy kërcënimet e tjera burojnë nga islami i radikalizuar dhe nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili sipas Verhofstadt është duke luftuar edhe kundër zhvillimit të projektit të Bashkimit Europian.
“Për momentin kemi një front të tretë që po dëmton Bashkimin Europian dhe ky është Donald Trump”, tha Verhofstadt gjatë një fjalimi në “Chatham House”. “Trump ka folur publikisht se e favorizon idenë se vende të tjera europiane mund të shkëputen nga Bashkimi Europian dhe ka thënë se shpreson për shpërbërjen e Bashkimit Europian”.
Verhofstadt ka shërbyer për nëntë vite si kryeministër i Belgjikës dhe në Parlamentin Europian që në vitin 2009. Ai ka thënë se Bashkimi Europian ka probleme të rënda, duke iu referuar atyre si “polikriza”, megjithatë është shprehur se zgjidhja e këtyre problemeve është bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet shteteve.
“Shpërbërja e Bashkimit Europian do të ishte katastrofike, jo vetëm për Europën, por edhe për aleatët tanë nëpër botë, mendoj unë”. Komentet e tij reflektojnë se sa të çorientuar janë vërtet politikanët e Bashkimit Europian, pasi nuk pranojnë kurrë asnjë faj për çdo politikë të tyre që mund të kenë natyrë diktatoriale dhe janë përpjekur që në fillim ta federalizojnë Europën duke e mohuar gjatë gjithë kohës se ky ishte qëllimi i tyre.
Verhofstadt ka thënë për “Reuters” se, përveç presidentit amerikan Donald Trump, dy kërcënimet e tjera ishin islami i radikalizuar, ndaj të cilit vendosën vetë të hapnin dyert e kufijtë dhe ta prisnin me krahë hapur, si dhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili në fakt para pak kohësh ka thënë se Europa duhet të qëndrojë e bashkuar. Putini madje ka paralajmëruar se Bashkimi Europian nuk ka për të qenë një aktor global nëse nuk qëndron i bashkuar.
Verhofstadt pretendon në fakt se të tre palët janë duke punuar kundër progresit të projektit të Bashkimit Europian. Bashkimi Europian është i destinuar të shkatërrohet në rast se politikanët nuk vendosin të adresojnë politikat e tyre antidemokratike që janë duke i mbyllur dyert e progresit. Ishin Shtetet e Bashkuara që inkurajuan formimin e euros, por jo dorëzimin e plotë të sovranitetit të të gjithë vendeve anëtare në Bruksel.
Ky është problemi i vërtetë. Bashkimi Europian vazhdon me kokëfortësi të fajësojë këdo tjetër përveç vetes për dështimet e tij. Kjo do të thotë se janë të paaftë për të parandaluar kolapsin e plotë duke qenë se këmbëngulin ta mohojnë problemin. Ata kanë implementuar me qëllim një sistem në të cilin populli europian nuk mund të votojë të ndryshojë asnjë politikan duke qenë se ata nuk dalin në zgjedhje.
Mario Draghi ka qenë në krye të Bankës Qendrore Europiane që në vitin 2008 dhe ka dështuar për tetë vite me radhë. Megjithatë, asnjë europian nuk ka mundësi ta shporrë atë përmes kutisë së votimit. Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshim në një vend është që të dalë nga Bashkimi Europian. Verhofstadt nuk ia mbush dot mendjen vetes të dalë përpara pasqyrës. Të gjithë paralajmëruan se kjo do të ishte e ardhmja e Bashkimit Europian që në vitin 1996, pasi po krijohej me dëshirën për ta federalizuar Europën, edhe pse politikanët e mohonin këtë qëllim.
Të gjithë paralajmëruan për ngritjen dhe rënien e euros që në vitin 2001. Paralajmëruan euro do të dështonte dhe ofruan modelin hamiltonian si përgjigje për të shpëtuar Europën. Komiteti i themelimit të euros mori pjesë në Konferencën Ekonomike Botërore në Londër, por këshillat e ekspertëve janë futur në një vesh dhe kanë dalë nga tjetri.
Është më e lehtë të fajësosh të tjerët se sa të pranosh gabimet e tua. Ndërkohë, politikanët europianë janë tërësisht të çorientuar dhe mendojnë se mund të fitojnë një betejë tregtie kundër Shteteve të Bashkuara për shkak të ekonomisë së fortë europiane. Mesa duket politikanët europianë vazhdojnë të jetojnë në një botë fantastike, aspak të lidhur me realitetin.

Krisja e parë mes Europës dhe Trumpit

Reagimet nga Europa pas urdhrit presidencial për ndalimin e udhëtimit të udhëtarëve nga 7 vende myslimane janë kritike. Por jo të gjitha vendet anëtare shprehen kundër Donald Trump. Rreth 300 vetë demonstruan kundër Donald Trump pranë bursës së Brukselit. Ndërsa tri kilometra më tutje e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, nuk u përmbajt shumë nga ana diplomatike. Për presidentin, Donald Trump ajo kishte këtë këshillë: “Kush ngre rreth vetes mure, gjendet një ditë vetë në burg”. Pas takimit me ministrin e Jashtëm norvegjez, Börge Brende ajo u shpreh lidhur me ndalimin e hyrjes në SHBA për udhëtarët nga 7 vende kryesisht me popullsi myslimane se “kjo nuk është rruga europiane”. Më tej ajo shtoi se, “BE beson në një sistem normash dhe rregullash ndërkombëtare. Historia e Europës ka treguar se izolimi dhe distancimi janë përgjigje të gabuara. “Ne festojmë kur rrëzohen muret dhe ngrihen ura”, tha ajo.

Juncker: Mes kthimit pas dhe së ardhmes
Më parë zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Shinas ishte shprehur se, KE është në kontakt me kolegët dhe partnerët në Uashington, për të sqaruar, nëse dhe se si preken nga ky dekret i ri qytetarët europianë. Ende nuk dihet, se si do të veprohet në aeroportet amerikane me qytetarë europianë, të cilët kanë dy pasaporta dhe njëra prej tyre është e 7 vendeve që ndodhen në listën e Trumpit. Në faqen e Facebook-ut të ambasadës amerikane në Berlin u publikua një shënim, në të cilin thuhet, se edhe personat me nënshtetësi të dyfishtë do të preken nga ndalimi i përkohshëm i hyrjes në SHBA. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se kjo mund të prekë mijëra qytetarë gjermanë.
Zëdhënësi, Margaritis Schinas, i cili flet në emër të presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker nuk donte ta komentonte politikisht dekretin. Ai iu referua një artikulli që Juncker publikoi në fundjavë në gazetën gjermane “Die Welt” ku ai shkruan se tani “kemi zgjedhjen mes izolimit, pabarazisë, egoizmave kombëtarë dhe hapjes ndaj botës, drejtësisë sociale dhe unitetit, kemi zgjedhjen mes kthimit pas dhe të ardhmes, mes mendjengushtësisë dhe Europës”.
Ndërkohë nga KE nuk ka plane për ndalimin e vizitës së presidentit amerikan në Bruksel përmes një peticioni, ndërkohë që në Britaninë e Madhe në një peticion online janë mbledhur qindra mijëra firma për të penguar vizitën e presidentit amerikan. Kryeministrja britanike, Theresa May megjithatë është shprehur, se vizita do të zhvillohet, Trump është i ftuar dhe se ai ka premtuar ardhjen në Londër.

“Lidhja speciale” SHBA-Britani e Madhe dhe reagimet nga Lindja
Qeveria britanike thekson me dëshirë “lidhjen e veçantë” me SHBA. Sipas ministrit të Jashtëm, Boris Johnson ai ia ka dalë mbanë, që të bëhet një përjashtim për qytetarët britanikë, të cilët zotërojnë një pasaportë nga shtatë vendet e përjashtuara nga hyrja në SHBA, si Siria, Iraku, Irani, Somalia, Jemeni, Libia dhe Sudani. Dy ministra të Jashtëm europianë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault dhe ai gjerman Sigmar Gabriel shprehën shqetësimin për “urdhrin ekzekutiv”. “Tani kemi nevojë për qartësi, unitet dhe në rast nevoje edhe fuqinë për të mbrojtur vlerat tona, vizionin tonë për botën dhe interesat franceze, gjermane dhe europiane”, thanë Ayrault dhe Gabriel në Paris.
Por reagimet e BE-së nuk janë të unifikuara. Presidenti çek, Milos Zeman lëshoi një deklaratë, ku ai thotë, se presidenti Trump mbron vendin e tij. “Ai është i shqetësuar për sigurinë e qytetarëve të tij. Pikërisht këtë nuk e bëjnë elitat në BE”. Edhe ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski nuk donte ta kritikonte ndalimin e udhëtimit, duke theksuar se çdo shtet lejohet t’i vendosë vetë rregullat për imigrimin. Polonia aktualisht refuzon pranimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve, sipas një vendimi të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve nga Greqia dhe Italia.

Trump emëron juristin Neil Gorsuch për Gjykatën e Lartë

Presidenti Donald Trump emëroi të martën mbrëma gjyqtarin e Kolorados Neil Gorsuch si kandidatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Gorsuch, 49 vjeç, i lindur në Kolorado, u emërua në vitin 2006 në Qarkun e 10 të Gjykatës së Apeleve nga ish-Presidenti George W. Bush.
Gjykata e Lartë e SHBA me nëntë anëtarë ka një vend bosh që nga vdekja vitin e kaluar të anëtarit të saj Antonin Scalia, një gjyqtar i njohur konservator që shërbente aty prej 30 vjetësh.
Vitin e kaluar, ish-Presidenti Barack Obama emëroi gjyqtarin e apeleve Merrick Garland për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën e Lartë. Por Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën, duke thënë se donte që emërimi të vinte nga presidenti i ardhshëm.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të martën se i emëruari i Presidentit Trump do t’i linte të kënaqur votuesit.
“Mund t’ju siguroj se ky person do t’i bëjë shumë, shumë krenarë ata votues, si dhe çdo amerikan”, tha Spicer.
Ai shtoi se presidenti e ka marrë shumë seriozisht procesin e përzgjedhjes. “Ai e di se kjo do të ndikojë mbi gjykatat dhe mbi jurisprudencën e vendit tonë për brezat që do të vijnë”, tha ai.
Disa demokratë reaguan menjëherë pas njoftimit të bërë nga Presidenti Trump. Në komentet për rrjetin “CNN”, kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti emërimin e gjyqtarit Gorsuch “tepër armiqësor” dhe “larg rrymës kryesore”.
Gjykata e Lartë është e ndarë mes katër konservatorëve dhe katër liberalëve, prandaj përzgjedhja e bërë nga zoti Trump mund të rivendosë mbizotërimin e konservatorëve.
Nëse konfirmohet nga Senati, Gorsuch do të ketë rast të ndikojë në Gjykatën e Lartë për çështje të tilla të debatueshme si aborti, të drejtat fetare, të drejtat e personave ndërgjinorë, dënimi me vdekje dhe kontrolli i armëve të zjarrit.

Gjykatësi Gorsuch
Gorsuch është diplomuar nga Universiteti i Columbia-s, më pas ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Harvard-it dhe studimet i ka vazhduar më tej në Universitetin e Oxfordit. I diplomuar për drejtësi ai ka shërbyer si ndihmës i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Byron White dhe Anthony Kennedy.
Gorsuch ka pasion sportet në natyrë, gjuetinë, peshkimin dhe skitë, që janë të përhapura në shtetin e tij të Kolorados.
Ai është admirues i ish-gjykatësit Scalia, të cilin gjatë një fjalimi vitin e kaluar e ka cilësuar si “kalorës të drejtësisë”.
Sipas shkrimeve të portalit “SCOTUSblog”, që analizon Gjykatën e Lartë përmes shkrimeve të avokatëve, profesorëve të drejtësisë dhe studentëve të drejtësisë, ekziston një ngjashmëri e madhe mes gjykatësve Gorsuch dhe Scalia.
“Vlerësimi më i madh që i bëhet shkrimeve ligjore të gjykatësit Gorsuch është krahasimi me ato të gjykatësit Scalia: opinionet ligjore të gjykatësit Gorsuch janë të qarta dhe të këndshme për t’u lexuar; ato janë të drejtpërdrejta dhe shpjegojnë qartë mendimin dhe arsyen e vendimeve të tij”, shkruhet në portalin “SCOTUSblog”.
“Ashtu si Scalia, Gorsuch duket se ka angazhime juridike dhe gjyqësore që dallojnë nga preferencat e tij personale dhe që e motivojnë procesin e tij vendimmarrës”, shkruhet në një prej analizave.

Pasues i natyrshëm
Gjykatësi Gorsuch duket se është pasuesi më i natyrshëm i gjykatësit Scalia, përsa i përket stilit juridik dhe qasjes ndaj problemeve.
Profesori i drejtësisë Justin Marceau, shkruan se gjykatësi Gorsuch është “konservator për çështjet sociale, i cili favorizon pushtetin lokal ndaj atij federal”, sipas një shkrimi në gazetën “The Denver Post” në dhjetor 2016.
Gjykatësi Gorsuch nuk ka marrë ndonjë vendim për abortin, por në vitin 2013 ai u bë pjesë e një opinioni, i cili theksonte se kompanitë private mund ta kundërshtojnë mbi baza fetare klauzolën e shërbimit shëndetësor të presidentit Obama, i cili i detyron punëdhënësit të ofrojnë mbulim për ilaçet kontraceptive për gratë.
Ai po ashtu ka shkruar një ese ligjore: “E ardhmja e vdekjes me asistencë, një opinion ligjor dhe etik”, duke u shprehur kundër legalizimit të saj.
Konservatorët shpresojnë se Gjykata e Lartë do të mbështesë kufizimet ndaj abortit të miratuara nga disa shtete ku dominojnë republikanët.
E ëma e zotit Gorsuch, Anne Gorsuch Burford, u emërua nga ish-presidenti Ronald Reagan si gruaja e parë në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.
Ai jeton në afërsi të qytetit Boulder, në shtetin Colorado, me gruan Louise dhe dy vajzat.
Që nga vdekja e gjyqtarit Scalia, Gjykata e Lartë u është shmangur disa çështjeve të debatueshme të këtij lloji.

Lojtarët pa kontratë, ja emrat që spikasin

Me mbylljen e merkatos së janarit, shumë skuadra mund të projektojnë goditjet për verën e ardhshme, kjo edhe për faktin se nga tani e tutje mund të firmosin me emra të rëndësishëm që janë në skadencë kontrate dhe mund të afrohen me paremetër zero. Nga Zlatan Ibrahimoviç te Yaya Toure e Fernando Torres, për të vijuar me Daniele De Rossin, Jesus Navas e Santi Cazorlan. Të gjithë këta lojtarë, por edhe shumë të tjerë janë të lirë të zgjedhin se ku do ta vazhdojnë karrierën, sepse u lejohet nga FIFA që në këto 6 muaj të zgjedhin klubet e tyre të ardhshme. Emri me më shumë peshë në këtë listë është ai i Zlatan Ibrahimoviç, por vështirë se sulmuesi suedez do të largohet nga Manchester United, pasi Ibra po bisedon me drejtuesit e Djajëve të Kuq dhe është shumë pranë rinovimit edhe për dy vite të tjera me klubin nga “Old Trafford”. Yaya Toure është një tjetër superlojtar që është në skadencë kontrate dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vijojë karrierën shtatlarti nga Bregu i Fildishtë.
Aktualisht është 35 vjeç, por Xabi Alonso, mbetet gjithmonë një emër sugjestionues dhe gjasat janë që ai të mos rinovojë më me Bayern-in kështu që është një opsion i mirë në merkato për çdo skuadër, ashtu si edhe Fernando Torres, i cili në qershor do t’i japë lamtumirën Atleticos së Madridit për ta vazhduar karrierën diku gjetkë. Daniele De Rossi, mesfushori i kombëtares italiane me shumë gjasa do të largohet nga Roma, pasi klubi verdhekuq nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës dhe që nga ky moment klubet e Major League Soccer mund të lëvizin për të. Jesus Navas është një tjetër lojtar që mund tu hyjë në punë shumë klubeve, ashtu si dy lojtarë të tjerë të Manchester City-it, si Pablo Zabaleta dhe Gael Clichy, që gjithashtu janë në skadencë kontrate. Afellay, Cerci dhe dyshja e Schalke 04, Choupo Moting dhe Huntelaar, bëjnë gjithashtu pjesë në këtë listë dhe duke qenë se mund të afrohen me kosto zero, shumë klube kanë nisur të shfaqin interes për ta.
Marko Reus nuk do të largohet nga Borussia Dortmund. Ai që e konfirmon lajmin është Drejtori Sportiv i klubit gjerman, Michael Zorc, duke shuar zërat që e shihnin futbollistin në Premier League angleze tek skuadra e Arsenalit. Sipas medias gjermane, “topçinjtë” e Londrës e kishin vënë në shënjestër Reus me të cilin synonin të zëvendësonin Alexis Sanchez, duke parë ngurrimin e kilianit për të rinovuar dhe për këtë arsye ishin gati të shpenzonin 60 milionë euro për të. Por Zorc e bëri të qartë se asgjë nga sa është publikuar së fundmi në lidhje me të ardhmen e Reus nuk është e vërtetë. “Nuk do të humbas kohë me përgënjeshtrimin e lajmeve të pabaza”, tha Zorc për të përditshmen “Bild”. “Nuk di asgjë në lidhje me një largim të mundshëm të Reus”.
Marko Reus u bë pjesë e Borussia Dortmund në verën e vitit 2012, kur u transferua nga Monchengladbach. Që nga ai moment, ai ka qenë një futbollist i rëndësishëm për verdhezinjtë dhe një idhull për tifozët në “Signal Iduna Park”. Kontrata aktuale e Reus me Borussia Dortmund skadon në verën e vitit 2019.

Rekord transferimesh

Pas rekordeve të fitimeve në vitin e 12 radhazi mbi sponsorizimet dhe të drejtat televizive, Bundesliga arrin një tjetër finish të pashënuar më parë. Ekipet gjermane të futbollit tejkaluan rekordin e shpenzimeve në merkaton dimërore, duke shkuar mbi 100 milionë euro blerje, një pjesë të mirë të të cilëve ishin për baste ende të pafituar si të rinjtë, Leon Bailey dhe Alexander Isak.
Asnjëherë në Bundesligë nuk janë shpenzuar kaq shumë gjatë një merkato dimërore, duke vendosur një rekord të ri në fund të periudhës së transfertave deri më 31 janar. Rekordi i mëparshëm i transfertave dimërore në kampionatin e Gjermanisë ishte mbi 65 milionë euro, vendosur në sezonin 2014-2015 nga 18 klube të elitës. Këtë të martë, disa orë pas mbylljes së merkatos, u konfirmua shifra e 100 milionë eurove, sipas agjencisë sportive SID.
Disa nga transfertat kryesore janë: xhamajkani Leon Bailey 12 milionë, nga Genk te Leverkusen, suedezi Alexander Isak 10 milionë nga AIK te Dortmund dhe francezi Upamecano 10 milionë nga Salzbourg në Lajpcig. Volfsburg është skuadra që ka shpenzuar më shumë me 33 milionë euro për të shpëtuar sezonin katastrofik. Si për ironi, Bajerni kampion në fuqi nuk ka bërë asnjë përforcim këtë muaj.
Klubet e futbollit zakonisht ndërhyjnë në merkaton e janarit për të plotësuar më mirë skuadrën dhe jo për të bërë blerje me një kosto të lartë. Por në Francë duket se ka ndodhur e kundërta, me Paris Saint Germain, Marseille e Lion që u shfaqën shumë aktive. Në total skuadrat e Ligue 1 shpenzuan në merkaton e janarit 164.5 milionë euro, shifër që nuk është parë ndonjëherë në vendin transalpin në këtë periudhë.
Padyshim, skuadra kampione në këtë pikë është Paris Saint Germain. Skuadra pariziene gjatë këtyre ditëve u përforcua me Julian Draxler, duke paguar për të 40 milionë euro dhe me portugezin Guedes për të cilin e pagoi Benfica-s plot 30 milionë euro.
Olimpique i Marseille nuk qëndroi aspak duarkryq nën drejtimin e pronarit të ri, amerikanit Mccourt skuadra e Rudy Garcias i shtoi radhët e saj me Patrice Evra, i marrë me parametra zero nga Juventus, Dimitry Payet për të cilin u shpenzuan 30 mln euro dhe Sanson për të cilin derdhi në arkat e Monpellier 9 milionë euro. Lioni, që kaloi 20% të kapitalit të tij te biznesmenët kinezë u kundërpërgjigjën me Memphis Depay, pasi i pagoi Manchester United 18 milionë euro.

Rene bllokon Lenjanin vetëm për 700 mijë euro

Një sezon i zhvilluar te rivalët historikë i ka kushtuar shumë Ermir Lenjanit. Mesfushori i Kombëtares mbeti “peng” i politikave të Renesë. “Panorama Sport”, nga burime të besueshme, ka mësuar se çmimi për kartonin e Lenjanit nga drejtuesit e Renesë ka qenë jo më pak se 700 mijë euro, duke i përjashtuar disa pista gjatë merkatos. Rene duket se ka rënë pre e presionit të tifozëve për të bllokuar shqiptarin.
Nga ajo që ka mësuar “Panorama Sport”, çmimi që Rene ka vendosur për kartonin e tij është gati sa gjysma e shumës prej 1.5 milionë eurosh që ky klub i ka pagur St. Gallenit në janarin e vitit 2015. Ermir Lenjani ka kontratë me Renenë deri në fund të këtij sezoni dhe me këtë logjikë vlera e kartonit të tij është thuajse pranë zeros. Jo për nga vlera e futbollistit, por për vetë mbarimin e kontratës.
Ish-klubi i tij para se të transferohej në Francë, zviceranët e St. Gallenit, ka bërë përpjekje të mëdha deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për të kthyer mbrojtësin shqiptar në ekip, por oferta e tyre është refuzuar nga Rene. Mesa duket, St. Gallen nuk ka pranuar të paguajë një shifër të ekzagjëruar për një futbollist që ndodhet në fundin e kontratës.

“Sadiku është shumë i fortë, po ndjen nevojën që ta ledhatojnë”

Transferimi i Armando Sadikut te Lugano ka hequr thuajse çdo lloj dyshimi te rivalët e kësaj skuadre për mbijetesën e saj në elitën e futbollit zviceran. Sipas Xhiorxhio Kontinit, trajnerit të rivalëve kryesorë, Vaduzit, me sulmuesin shqiptar në përbërje, plotësohet një grup i fortë, i cili nuk do të ketë probleme të mbijetojë në Superligën zvicerane.
Kontini e ka drejtuar Sadikun një vit më parë pikërisht te Vaduzi dhe ai pa nga afër se si sulmuesi shqiptar arriti të linte gjurmë në mbijetesën e kësaj skuadre te vogël. Tashmë, ai është i Luganos dhe për trajnerin, nuk ka dyshime që do të përsëritë të njëjtën formë edhe atje.
“Një vit më parë erdhi Sadiku që na dha një ndihmë të madhe. U rritëm me kalimin e javëve dhe fituam të drejtën për të qëndruar këtu. Tani, për Luganon, ai është një goditje e madhe, me të mund të bësh hapin cilësor. A bën diferencën? Ai duhet ta ndjejë veten i ledhatuar dhe i rëndësishëm. Dhe jam i sigurt se mister Tramexani, që e njeh, do ta vendosë në kushtet e duhura për t’u shprehur në maksimum”, tha Kontini për mediat zvicerane.

Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë

Mërgim Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë në Bundesligën gjermane. Ky sezon ka qenë me të vërtetë fantastik për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili pasi shkëlqeu me fanellën e Kolnit në 16 ndeshjet e para të kampionatit, në muajin janar bëri një hap të madh përpara në karrierë, duke u transferuar te Hamburgu, klubi i vetëm që nuk është rrëzuar asnjëherë nga kategoria në të gjithë historinë e futbollit gjerman. Tashmë, Mavraj është përfshirë në 11-shen më të mirë të fazës së parë nga sajti zyrtar i Bundesligës, duke u rreshtuar në prapavijë përkrah emrave të tillë si David Alaba, Sokratis Papasthopulos dhe Philip Lahm. 30-vjeçari shqiptar fitoi konkurencën për një vend në qendër të mbrojtjes me emra shumë të rëndësishëm si dyshja e Bayern-it dhe kombëtares gjermane, Mats Hummels dhe Jerome Boateng, lojtarin e Leipzigut, Willi Orban si dhe talentin e Realit të Madridit, Jesus Vallejo që luan si huazuar te Eintracht-i i Frankfurtit.
Përsa i përket qëndërmbrojtësave që kanë bërë më mirë në pjesën e parë të kampionatit gjerman, Mavraj ishte lojtari i dytë më i preferuar nga tifozët duke grumbulluar 26% të votave, vetëm 1% më pak se greku i Dortmundit, Sokratis që ishte më i votuari. Me 30 mijë e 452 vota në total, ish-lojtari i Kolnit la pas me rreth 500 vota, Mats Hummels-in. Në 11-shen më të mirë të fazës së parë në Bundesligë, në portë është vendosur Manuel Neuer, në mbrojtje Alaba, Sokratis, Mavraj dhe Lahm. Mesfusha përbëhet nga dy talentet e Borussias së Dortmundit, Pulisic dhe Dembele si dhe Thiago Alcantara i Bayernit, ndërsa në sulm Aubameyang-Lewandowski dhe Modeste e kanë merituar plotësisht falë golave që kanë realizuar të jenë pjesë e kësaj 11-sheje.