29.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Hysaj në listën e merkatos tek Barça

E përditshmja spanjolle, “Mundo Deportivo”, përfshin emrin e Elseid Hysajt mes lojtarëve që po monitorohen nga drejtuesit e Barcelonës për të ardhmen e kësaj skuadre. Gazeta, e cila ka lidhje të ngushta me klubin katalanas, ka përpiluar listën e të gjithë alternativave të mundshme që po shqyrton Barcelona, e cila mendon të përforcojë krahun e djathtë të prapavijës, i cilësuar si pika më e dobët në edicionin e fundit, që pas largimit të Dani Alvesh.
“Barça nis operacionin ‘anësor’” titullohet artikulli i cili rendit të gjitha alternativat që po shqyrtojnë katalanasit, duke filluar nga emra si Kimish e Belerin, për të vazhduar me alternativa më pak të njohura për publikun spanjoll, por që me siguri mund t’i bëjnë punë kësaj skuadre. Duke u ndalur në kampionate të ndryshme, tek ai italian, “Mundo Deportivo” identifikon vetëm dy futbollistë, të cilët shfaqin interes për Luis Enriken.
I pari, është 19-vjeçari Pol Lirola, i kaluar nga Juventusi te Sasuolo, por i prenotuar nga bardhezinjtë për të ardhmen. Ndërsa i dyti, është pikërisht Hysaj. “Ai është shumë i mirë në mbrojtje dhe në sulm, por me pak aftësi teknike për Barcelonën”, shkruan e përditshmja spanjolle. Pas interesimit gjithnjë e në rritje të skuadrave angleze, monitorimi nga Barcelona do të rritë edhe më shumë vlerësimin për Hysajn, i cili që tani shihet si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në qarkullim në Europë.

Dita e fundit e merkatos me surpriza

Ndoshta 31 janari nuk do të kalojë në histori si më e nxehta e merkatos, por në 24 orët e fundit të sesionit dimëror në kategorinë Superiore nuk kanë munguar goditjet e madje edhe surprizat. Duke nisur që nga Skënderbeu. Kampionët i vënë kapak një merkatoje të rëndësishme në objektivin për të rikuperuar terren për titullin, duke siguruar një sulmues që të paktën për nga CV premton shumë. Bëhet fjalë për Marvin Ogunjimi, nigerian me pasaportë belge që ka regjistruar edhe 7 prezenca me kombëtaren e Belgjikës, ndërsa në nivel klubesh ka luajtur në këtë vend me skuadra si Genk, Sandart Liege, e madje dhe me Majorkën në Spanjë. Eksperienca e tij e fundit ka qenë me koranojugorët e Suwon Fc me një shtatlartësi prej 186 cm 29-vjeçari Ogunjimi përshkruhet si një qendërsulmues i aftë, por që mund të luajë edhe në krah, çka mundëson që të luajë njëkohësisht me bomberin Hamdi Salihi. Mbetet te Skënderbeu ndërkohë edhe afrimi tjetër i merkatos nigeriani Carles që ishte me skuadrën në Antalia për të cilin u fol edhe për një huazim të mundshëm te Korabi.
Te kryesuesit e Kukësit, kanë zyrtarizuar një tjetër sulmues nigerian, por të paralajmëruar që më parë me Kufre Ebong që vihet nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka për pjesën e mbetur të sezonit.
Edhe te Partizani dita e fundit ka shërbyer për të zyrtarizuar një futbollist të vënë që prej disa javësh në dispozicion të Starovës, bëhet fjalë për Kristi Markun me mbrojtësin 21-vjeçar që ka firmosur kontratë për pjesën e mbetur të sezonit me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës. Një goditje të madhe në orët e fundit të merkatos ka bërë edhe Teuta që ka përfituar në formë huazimi nga Skënderbeu Eko Barine, një tjetër sulmues nigerian 19-vjeçar për të cilin profilizohet një e ardhme e madhe dhe që pritet t’i bëjë shumë punë bregdetarëve në luftën për mbijetesë.
Nuk kanë munguar goditja e orës së fundit edhe te Luftëtari, skuadër që edhe pse ruan profil të ulët para mediave në fushë po shfaq potencial për të bërë ndoshta diçka më shumë se mbijetesa. Gjirokastritët kanë siguruar mbrojtësin e djathtë Marios Topi, 21-vjeçar që vjen nga radhët e Levadiakos në Greqi dhe që vetëm pak ditë më parë ka luajtur kundër Panathinaikos. Flamurtari ndërkohë sipas informacionit të përcjellë nga Federata shqiptare e Futbollit pret të federojë dy futbollistë që nuk janë përmendur më parë, Lynekker Nakamuta dhe qendërmbrojtësin 29-vjecar brazilian Mauricio Aparecido Maciel Leal.
Mungojnë risitë e ditës së fundit nga Tirana me merkaton e bllokuar, Vllaznia e Korabi, ndërkohë që për sa i përket merkatos në dalje, biznesi i vërtetë ka qenë ai i Skënderbeut që dërgoi Agim Zekën te Lille për 300 mijë euro plus 20 për qind të të drejtës së rishitjes së futbollistit.

Pioli: Do ringrihemi

9 fitore radhazi, kaq zgjati ecuria pozitive e Interit, që të martën në mbrëmje pësoi një humbje deri diku shokuese nga Lazio në “San Siro” me shifrat 2-1. Zikaltërit e Stefano Piolit i dhanë lamtumirën Kupës së Italisë në fazën çerekfinale, duke mbyllur një tjetër sezon pa trofe sepse të mendosh se ky Interi mund të luftojë për titullin kampion për momentin ngjason me diçka absurde edhe pse shumë gjëra mund të varen nga dueli i të dielës ndaj Juventusit në Torino. Pas eliminimit në Europa League, Interi doli jashtë nga një tjetër kompeticion, por pavarësisht gjithçkaje Stefano Pioli është i bindur se skuadra e tij do të reagojë duke filluar që nga dueli ndaj bardhezinjve.
“Një ndeshje mund të humbet, ka nga ato sfida ku mund të bësh edhe disa gabime më shumë se normalisht, por skuadrat e mëdha dinë të ringrihen dhe ajo që duhet të bëjmë tani është të minimizojmë gabimet. Do të provojmë ta bëjmë sepse unë jam i bindur se drejtoj një skuadër të madhe. Tashmë do të punojmë më fort sepse e njohim forcën e kundërshtarit që do të kemi përballë në ndeshjen e radhës”, deklaroi Stefano Pioli. Në sfidën ndaj Lazios trajneri 51-vjeçar i zikaltërve mbeti më shumë i zhgënjyer për mënyrën sesi skuadra e tij i pësoi golat. “E nisëm ndeshjen mirë, madje shumë më mirë se ndaj Lazios në kampionat, pastaj bëmë një gabim të cilin e paguam shtrenjtë. Nëse do të ishim 11 me 11 gjatë gjithë ndeshjes besoj se do të kishim mundësi për të rikuperuar”, theksoi në fund Pioli.
Ndalet në 9 ecuria e fitoreve radhazi për Interin në të gjitha kompeticionet. Zikaltërit u eliminuan nga Kupa e Italisë pasi u mposhtën 2-1 nga Lazio në “San Siro” pas një ndeshjeje spektakolare. Shprehja e 10-ta e vërteta ishte zhgënjyese për Interin që edhe pse bëri gjithçka për të përmbysur disavantazhin prej dy golash të skuadrës bardhekaltër nuk ja doli dot, duke u eliminuar nga çerekfinalet e Kupës së Italisë.
Një përballje e fortë u luajt në Kupën e Italisë me Lacion që shkaktoi surprizë në fitoren 1-2 në “San Siro” kundër Interit. Zikaltërit u ndalën në momentin më të bukur sprintin e tyre pozitiv, pasi me këtë disfatë largohen nga turneu duke i dhënë mundësi romanëve të kalojnë në gjysmëfinale. Felipe Anderson në fraksionin e parë i dha avantazhin Lacios, ndërsa në të dytin, Miranda përkeqësoi situatën e vendasve me kartonin e kuq që mori dhe penalltinën e shkaktuar.
Nga pika e bardhë, Lukas Bilja thelloi supremacinë e miqve. U deshën minutat e fundit që Inter të reagonte me Brozoviç, por koha në “San Siro” nuk premtonte asgjë dhe Lacio ruajti me fanatizëm fitoren kualifikuese. Interi e niste me disa ndryshime në formacionin titullar, me trajnerin Stefano Pioli që ulte në stol kapitenin Icardi për t’i bërë vend Palacios, ndërkohë që në fushë ishin që nga minuta e parë edhe Kondogbia e Banega. Në të 16-tën fati nuk ishte me Interin, pasi tentativa e Kondogbias, nga distanca u ndal nga shtylla.

Sokol Cikalleshi: Kisha shumë oferta, por zgjodha Akhisar

Kur të gjithë mendonin se do të qëndronte te Istanbul Basaksehir të paktën deri në përfundim të këtij sezoni, në ditën e fundit të merkatos së dimrit, Sokol Cikalleshi vendosi të ndryshonte skuadër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit turk, por tashmë do të mbajë veshur fanellën e Akhisar Belediye, ekip tek i cili do të luajë për 6 muajt e ardhshëm në formë huazimi nga Istanbul Basaksehir. Në një lidhje telefonike për mediat, 26-vjeçari kavajas shpjegoi se përse zgjodhi të kalonte te Akhisar edhe pse në drejtim të tij kishte shumë oferta, nga kampionate të ndryshme.
Mungesa e hapësirave në muajt e fundit dhe dëshira e madhe për të luajtur, bëri që Cikalleshi të merrte vendimin e papritur për t’u larguar nga Istanbul Basakehir, por edhe pse tashmë do të mbrojë ngjyrat e një tjetër ekipi në kampionatin turk, Cikalleshi vazhdon ta ndiejë veten pjesë e skuadrës nga Stambolli dhe shpreson që Basaksehir të fitojë titullin kampion.
Kombëtarja shqiptare ishte një tjetër faktor shumë i rëndësishëm në zgjedhjen e sulmuesit, sepse Cikalleshi është i bindur se duke luajtur rregullisht te Akhisar, do të ketë më shumë hapësira edhe te përfaqësuesja kuqezi.

Kina dhe Anglia, superfuqi në merkaton e dimrit

Me mbylljen e merkatos dimërore tashmë mund të bëhen edhe llogaritë përfundimtare të shpenzimeve që skuadrat kanë bërë në dritaren e mesit të sezonit ku padyshim surpriza është Kina që ka arritur të parakalojë edhe disa nga tregjet më të rëndësishme europiane, por jo Premier League. Shpenzimet marramendëse nga Lindja e Largët arrijnë kufirin e 219 milionë eurove, ndërsa në Angli vazhdojnë të shpenzojnë shumë të mëdha sepse Premier League rikthehet në krye me plot 232 milionë. Gjithsesi, nëse do të bëhet një krahasim me merkaton dimërore të vitit 2016, kinezët janë treguar disi më dorështrënguar pasi një vit më parë derdhën 345 milionë, duke zbritur në vendin e dytë Anglinë.
Por nëse Kina tashmë është një realitet, surpriza e vërtetë vjen nga Ligue 1 që ka shpërthyer në blerje të shtrenjta me 151 milionë euro të shpenzuara, e ndjekur nga Bundesliga me 99 milionë, ndërsa Serie A mbyll klasifikimin me 96 milionë. Në dhjetëshen e parë të lojtarëve më të shtrenjtë, kryeson Ocsar me 60 milionë, i ndjekur nga Draxler 40 milionë dhe Gabriel Jesus, i cili u zhvendos te Manchester City për 32 milionë euro. Por nëse e ka bërë Kina transferimin më të kripur, është Ligue 1 që kryeson me Paris Saint Germain në klasifikimin e klubeve që kanë shpenzuar më shumë. Parisienët nxorën nga arka e tyre 70 milionë të ndjekur nga Shanghai SIPG me 3 milionë më pak dhe Tianjin Quanjian me 48.5 milionë euro. Ka nga ata që shpenzojnë, por ka edhe nga ata që arkëtojnë. Kështu, Chelsea ka përfituar nga merkatoja e dimrit plot 66.9 milionë euro të ardhura, por nuk mbetet pas as Benfica që shitjet e shtrenjta i ka kthyer në një traditë dhe Wolfsburgu që arkëtoi jo pak nga largimi i Draxler.

Goditjet e orëve të fundit në Europë

Nga Manolo Gabbiaddini, për të vazhduar me Jese Rodriguez apo edhe Salvatore Sirugun. Dita e fundit e merkatos në Europë u mbyll me disa goditje të rëndësishme dhe me perspektivë për të ardhmen. Kalimi i Manolo Gabbiaddinit nga Napoli te Southampton bëri jo pak bujë, kjo edhe për faktin se klubi i Shenjtorëve shpenzoi 17,5 milionë euro, plus 3 të tjera në formë bonusesh për të firmosur me 25-vjeçarin italian. Gabbiadini firmosi për 4 vite e gjysmë me Southamptonin, ndërsa u shfaq shumë i lumtur për kalimin e tij në Premier League.
Një tjetër transferim me peshë ishte ai i Jese Rodriguez, i cili la Paris Saint Germain-in për t’u rikthyer në La Liga te skuadra e vendlindjes së tij, Las Palmasi. 23-vjeçari u huazua, nga kampionët e Francës, te skuadra nga Ishujt Kanarie deri në përfundim të këtij sezoni, ndërkohë që në verë me shumë gjasa, Jese nuk do të blihet nga Paris Saint Germain-i dhe pritet të rikthehet te Reali i Madridit që zotëron kartonin e tij. Salvatore Sirugu ndërkohë la Sevillan duke u huazuar për pjesën e mbetur të këtij sezoni te skuadra e Osasunas.
Watfordi arkëtoi një shumë të majme parash nga shitja e sulmuesit nigerian Odion Ighalo te skuadra kineze e Changchun Yatai për 24 milionë euro. Crystal Palace përveç Sakho nga Liverpooli bleu për 8 milionë euro nga Olympiakosi, mesfushorin serb Luka Milivojeviç. Në Francë, skuadra e Lille ishte një nga më aktivet duke bërë plot 5 goditje në orët e fundit, teksa spikasin transferimet e El Ghazit nga Ajaxi Ricardo Kishnas nga Lazio.

Basha: Rama detyroi BE të vendosë zgjedhjet si kusht

“Zgjedhjet e lira janë kusht kryesor për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Rezoluta e djeshme e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian e ka theksuar edhe një herë zyrtarisht këtë gjë. Ky kusht vërteton edhe një herë se plani i Edi Ramës për të manipuluar, vjedhur dhe shkatërruar zgjedhjet është rrënues për të ardhmen e vendit dhe për stabilitetin e Shqipërisë. Katër vjet qeverisje nga Edi Rama e ka detyruar Evropën t’i vendosë Shqipërisë një kusht elementar demokratik: zgjedhjet e lira”, thuhet në reagimin e kreut të PD, Basha në lidhje me rezolutën e PE.

Flekenshtajn: Po u prekën zgjedhjet, harrojini negociatat

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn, paralajmëron se nëse në zgjedhjet e qershorit do të ketë parregullsi, rrezikohet mos-hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në një intervistë ekskluzive për ABC NEWS, ai thotë se kusht për negociatat janë zgjedhjet dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Komisioni i punëve të jashtme votoi pro draftrezolutës tuaj. Ju jeni për hapje të negociatave të anëtarësimit sapo të fillojë të zbatohet reforma në drejtësi veçanërisht ligji i Vetingut. Por raportuesi në hije zoti Kyutchyuk tha, që zgjedhjet do të jenë një test i vërtetë për negociatat.
-Ç’rol luajnë ato përfundimisht?
Në terma realiste, negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi. Sigurisht, nëse zgjedhjet do jenë një katrahurë, asnjë nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë. Kjo është e qartë. Duhet të insistojmë për këtë. Unë mendoj, se ka shanse që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, jo me shitblerje të votave, por duke respektuar vullnetin e votuesve.
-Ju u shprehët mbi reformën në administratë që ritmi i progresit nuk ishte ai që prisnit. Pse?
Ne ishim dakord, që janë bërë hapat e para të reformës dhe kjo është për t’u përshëndetur. Por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë dhe besoj që kjo është e qartë edhe për qeverinë shqiptare. Hapat që janë ndërmarrë deri tani nuk shënojnë fundin e procesit. Lufta kundër korrupsionit është një pjesë e rëndësishme edhe në këtë kuadër. Janë bërë hapa të rëndësishëm dhe presim që të bëhen të tjerë në të ardhmen. Le të flasim hapur, një reformë të drejtësisë si atë të aprovuar në Shqipëri, vendet e tjera e bëjnë gjatë proçesit të negociatave të anëtarësimit, kështu që Shqipëria është goxha e avancuar në këtë drejtim, por s’ka përfunduar ende procesin.
-A jeni dakort me zotin Kukan për luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogës në Shqipëri? Amendamenti i tij ishte i rreptë.
Është e qartë se lufta kundër krimit të organizuar së bashku me luftën kundër korrupsionit janë dy kritere për të cilat qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri të lartë dhe jo zoti Juncker apo raportuesi për Shqipërinë këtu. Çdo qeveri shqiptare do të gjykohet mbi mënyrën se si sfidon luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Mediu në SHBA: Ballkani i shqetësuar nga provokimet ruse dhe trafiku i drogës

Në Komitetin e Sigurisë u zhvillua Forumi i Dytë për Terrorizmin dhe Sigurinë Kibernetike me inisiative të Senatorit Jim Inhofe dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në këtë takim morën pjesë Senatori Mike Rounds, Senatori Mike Perdue, Kongresmeni JOHN Ratcliffe, Kongresmeni Robert Aderholt si dhe James Carafano, një nga njerëzit kryesorë për sigurinë në ekipin e tranzicionit të Presidentit Trump.
Pjesë e këtij forumi ishin përfaqësues nga pothuaj gjithë vendet e Ballkanit, anëtarë të Bundenstagut, Parlamentit Evropian dhe Austrisë. Në këtë takim të drejtuar nga Senatori Inhofe dhe z.Mediu, në emër të Shqipërisë foli ish-kryeministri Majko, ndërkohë që një tjetër i ftuar nga Shqipëria ishte edhe deputeti Astrit Veliaj. Mediu parashtroi në fillim të takimit situatën e vështirë në Ballkan, provokimet dhe tensionet etnike, ndërhyrjen ruse, pretendimin e saj për të ndërtuar një aleancë ushtarake në Ballkan për t’ju kundërvënë zgjerimit të NATO-s.
Situata në vendet e Ballkanit është shqetësuese përveç problemit të “foreign fighters” dhe kthimit të tyre, situata e krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikut të drogës e bën problemin më prezent dhe shqetësues. Mediu theksoi po ashtu se, situata në Shqipëri dhe mungesa e vullnetit të qeverisë po vendos në rrezik serioz zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë vendimtare për Shqipërinë. Të gjithë folësit theksuan nevojën e bashkëpunimit rajonal dhe luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe njohjen dhe marjen e masave kundër “Cyber threat”. Senatorët dhe kongresmenët, si dhe zoti Carafano shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin konkret dhe angazhimin e administratës Trump në këtë marrëdhënie.‎

Rama në zyrën e Metës, presion për të votuar ligjin e plehrave

Ndryshe nga sa u tha nëpër media, takimi i sotëm 45 minutësh i kryeministrit Rama me kreun e Kuvendit Ilir Meta, nuk ka qenë edhe aq i fokusuar për çështjen “Manjani”. Për të dy, kjo histori tashmë konsiderohet e mbyllur. Çështja e madhe që ju ka ngelur zvarrë dhe ku duket se nuk po dakortësohen është ajo, për ligjin e importit të mbetjeve. Rama po përdor çdo mënyrë edhe të jashtëligjshme, që ta shtyjë sa më shumë hedhjen në votim deri sa të bindë Ilir Metën për votat. Por ky i fundit vazhdon të “mendohet”, edhe pse afatet ligjore janë shkelur me të dyja këmbët. Burime zyrtare nga Kuvendi kanë pranuar, se ndryshimet në ligjin për importin e mbetjeve nuk do të votohet në seancën e së enjtes në Kuvend, ndryshe nga sa ishte parashikuar. Sipas tyre, kjo po ndodh jo për faj të tyre, por të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese me kryetar lobuesin kryesor të këtij ligji të rrëzuar nga presidenti, Eduart Shalsi. Sipas rregullores së Kuvendit, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, drejtuar nga deputeti socialist Eduart Shalsi, duhet të kishte diskutuar dhe votuar ligjin ditën e djeshme ose të sotme, e më pas ta kalonte atë për votim në Kuvend. Por për arsye ende të panjohura, ky komision nuk është mbledhur dy ditët e fundit. Për rrjedhojë, diskutimi dhe votimi i ligjit të importit të plehrave nuk është përfshirë në rendin e ditës së seancës parlamentare që do zhvillohet nesër. Ligji, i shumëdiskutuar dhe kundërshtuar, për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani. Ky i fundit e riktheu ligjin në Parlament që më 14 tetor të vitit 2016, por që atëherë ai është bllokuar në komisionin e drejtuar nga Shalsi dhe në mënyrë të kundra ligjshme, nuk po çohet në seancë plenare për votim. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) më datë 11 janar i ka shprehur shqetësimin kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për “shmangien” që Komisioni parlamentar për Mjedisin po i bën dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të plehrave. AKIP, me anë të një letre, shprehet se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin po shkel procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit. Sipas ligjit, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit, duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve. Por Shalsi vazhdon të refuzojë të kryejë detyrën e tij, duke e futur punën e Kuvendit për këtë çështje në një proces të jashtëligjshëm.

SYRI.net