24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

“Gjobvënia”, biznesmeni dëshmon kundër Shullazit, tensione në sallë

Seanca gjyqësore kundër Emiliano Shullazit dhe të arrestuarve të tjerë si pjesëtarë të bandës së tij ka nisur me tensione ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shtyrjes së seancës së parë, dje është paraqitur në sallën e gjyqit dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqaj, por pikërisht dëshmia e tij është bërë objekt tensioni. Përsëri ishin avokatët mbrojtës, të cilët u bënë shkak që togat e zeza të ndërpresin seancën gjyqësore, e cila do të vazhdojë gjatë të mërkurës po me të njëjtin trup gjykues.
Seanca gjyqësore filloi me rrëzimin e kërkesës së avokatëve për përjashtimin e trupës gjykuese dhe vazhdoi me parashtrimin e kërkesave paraprake të avokatëve. Avokatët këmbëngulën që seanca për ballafaqimin dhe pyetjen e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të mos bëhet, me arsyetimin se kanë ankimuar vendimin e sigurimit të provës në Gjykatën e Apelit. Kërkesë e cila u rrëzua nga Gjykata dhe u vendos vazhdimi i seancës gjyqësore, duke ftuar dëshmitarin e mbrojtur të flasë për akuzat ndaj Emiliano Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë. Në këtë kohë, avokatët Alban Qafa dhe Nexhdet Kambo që mbrojnë interesat ligjore të të dyshuarit Gilmando Dani u larguan nga salla.
Ata dhanë dorëheqje, me pretendimin se dëshmia e Ylvi Beqajt si bashkëpunëtor i drejtësisë është i paligjshëm. Avokatët thanë se Beqja, nuk është bashkë i pandehur në këtë proces gjyqësor, por një person nën hetim nga Prokuroria për një procedim tjetër penal dhe nuk mund të dëshmojë si bashkë i pandehur. Këtë argument e kundërshtuan prokurorët, ndërsa Gjykata për të mos vazhduar zvarritjen e procesit gjyqësor i caktoi të dyshuarit Gilmando Dani një avokat nga shteti, i cili pritet të njihet me dosjen dhe të paraqitet në ora 15:00 të pasditës së mërkurë, kur është parashikuar vazhdimin i procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Ylvi Beqja ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, të cilin e njohën të dyshuarit dhe ishte i gatshëm të dëshmonte për kërcënimet, shantazhet dhe gjobat që ai pretendon se i ka paguar për llogari të bandës së drejtuar nga Emiliano Shullazi.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.
Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

R.POLISI

Dritëro Agolli në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrohet në spital

Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Agolli e ka refuzuar shtrimin në spital pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, por me insistimin e mjekëve dhe familjarëve të tij, shkrimtari i madh është bindur të shtrohet në Sanatorium për të marrë një përkujdesje më të specializuar nga mjekët.
Prej kohësh, ai ka shfaqur një shëndet të dobët, ç’ka e ka detyruar të marrë oksigjen me hundë në rrugë artificiale. Në një prononcim për “BalkanWeb” bashkëshortja e tij, Sadije Agolli ka pohuar se “Dritëroi tani është mirë dhe nën kujdesin e mjekëve, asgjë për t’u shqetësuar”, është shprehur ajo.
Shkrimtari festoi 85¬-vjetorin e tij të lindjes në tetor të vitit të shkuar, me ç’rast u mbajtën një sërë aktivitetesh nga institucionet shqiptare dhe u botuan tri drama të panjohura e një libër me poezitë e tij të fundit, titulluar “Prit edhe pak”, poezi që kanë qenë në dorëshkrim dhe botoheshin për herë të parë dhe shumë prej tyre qenë poezi dashurie.
Po me rastin e 85-¬vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, Akademia e Shkencave i dha lexuesit në Shqipëri tri dramat e tij: “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua”. Dramat “Fytyra e dytë” dhe “Baladë për një grua” janë krejt të panjohura për lexuesin deri më sot, kurse drama “Mosha e bardhë” është botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitet 1970¬-1980.

Kreu i KLSH-së takon drejtues të lartë të GAO-s në Uashington

Kreu i Kontrollit të Lartë Shtetëror (KLSH), Bujar Leskaj është takuar në Uashington me drejtues të lartë të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO), përkatësisht me James-Christian Blockwood, drejtor i Planifikimit Strategjik dhe i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Janet St. Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim. Në fokus të takimit ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional mes vendeve.
Leskaj dhe dy përfaqësuesit e lartë të GAO-s diskutuan fushat e bashkëpunimit me Qendrën e Ekselencës në trajnime afatgjata e afatshkurtra të audituesve shqiptarë, veçanërisht për Auditimin e Performancës dhe të IT, si edhe në sferën e Planifikimit Strategjik 2018-2022. Kryetari i KLSH shprehu vlerësimin e tij për ndihmën e deritanishme nga GAO dhe vullnetin e strategjinë e KLSH-së në këto vite për thellimin e bashkëpunimit. Ai i informoi drejtuesit e GAO-s për treguesit e institucionit shqiptar të auditimit në këto vitet e fundit, në fushën e kapaciteteve audituese dhe në thellimin e luftës kundër korrupsionit për përmirësimin e qeverisjes publike. Drejtuesit e GAO-s vlerësuan arritjet e KLSH-së, sidomos treguesit e mbulimit me auditime, gjetjet për mirëadministrimin e Buxhetit të Shtetit, kallëzimet penale, indeksin e dobishmërisë në auditim, etj.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia që kanë çështjet e etikës dhe integritet për Institucionet Supreme të Auditimit dhe në këtë kontekst. Leskaj citoi një pjesë të leksionit, “Etika dhe integriteti në auditim: një parakusht për mirëqeverisje”, të mbajtur nga Audituesi i Përgjithshëm i GAO, Dodaro në “Shoqërinë Amerikanë për Administratën Publike”, ku theksohet se “….etika dhe integriteti janë të lidhur pazgjidhshmërisht me auditimin në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes. Këto standarde kanë ndikime konkrete tek puna e GAO-s dhe audituesit tanë. Për t’u shprehur më thjesht, etika dhe integriteti janë parësore për GAO-n. Në fakt, integriteti është një nga tre parimet kryesore të GAO-s. Dy të tjerat janë llogaridhënia dhe besueshmëria….”.
Në përfundim, Leskaj shprehu vlerësimin e tij për Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA dhe veçanërisht për Audituesin e Përgjithshëm të saj,  Gene L. Dodaro që përgatitën strategjinë e zhvillimit të INTOSAI-t për periudhën 2017-2022, të cilën e lançuan në Kongresin e XXII të INTOSAI-t, në Abu Dhabi, me synimin për të rritur kontributin e SAI-ve në përforcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin financiar publik në të gjithë botën.

Mungesa e barrierave në akset rrugore merr jetë njerëzish

Një ditë pas aksidentit tragjik në Fier me dy të vdekur dhe një të plagosur, banorët e fshatit Shën Pjetër japin alarmin për mungesën e barrierave mbrojtëse në urën nga ku ra automjeti. Edhe pse u vendosën rreth 1 vit më parë, këto barriera u vodhën e dëmtuan brenda një kohe të shkurtër, duke rrezikuar jetë njerëzish.
Ura në segmentin Hoxharë e Re-Fier ku mbrëmjen e së hënës humbën jetën dy persona e u plagos një tjetër, prej kohësh cilësohet si ura e vdekjes për banorët e fshatit Shën Pjetër dhe të zonave përreth.
Edhe pse barrierat mbrojtëse janë vendosur disa kohë më parë, ato janë dëmtuar dhe vjedhur, duke e kthyer këtë urë në një pikë të rrezikshme për qarkullimin e banorëve, por edhe të turistëve të shumtë që frekuentojnë fshatrat bregdetarë të Fierit. Banorët rrëfejnë se ky aksident nuk është i pari.
Emiliano Goxhaj dhe Silvana Alushaj humbën jetën, pasi automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin doli jashtë rrugë dhe ra në kanalin poshtë urës. I plagosur ka mbetur edhe pasagjeri Hazis Hilaj, 35 vjeç. Gjithçka nisi si një shëtitje turistike e të treve dhe përfundoi në mënyrë tragjike.

Shembet galeria, plagoset rëndë minatori në Bulqizë

Një minator është plagosur rëndë në minierën e Martaneshit në rrethin e Bulqizës, teksa punonte për të nxjerrë krom. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur minatori, Avni Heti 45 vjeç ka hyrë si çdo ditë në galeritë e minierës. Në momentin që është plagosur rëndë, Heti punonte në 1 mijë metra thellësi nën tokë. Sipas të dhënave në Spitalin Rajonal të Bulqizës, minatori është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, duke qenë se gjendja e tij ishte tepër e rëndë.
Katër ditë më parë, një minator ka humbur jetën në Tropojë për shkak të shembjes së minierës së Lajthizës. Burimet bënë të ditur se ka gjetur vdekjen minatori me inicialet A.K, 40 vjeç, si dhe është plagosur një minator tjetër. Para disa kohësh një tjetër minator humbi jetën në minierën e Zogajt në Tropojë. 42-¬vjeçari R.A. ka qenë duke punuar kur një masiv gurësh ka rrëshkitur, duke e zënë minatorin poshtë. Kolegët e tij kanë punuar për 3¬4 orë për të nxjerrë trupin e pajetë.

67-vjeçari nga Elbasani i vë flakën vetes, rëndë në spital

Ka lyer trupin me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes ditën e djeshme në Elbasan. Të afërmit e kanë gjetur në flakë dhe janë përpjekur ta shpëtojnë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku 67-vjeçari Xhevit Tanushi i ka vënë flakën vetes, duke pësuar djegie të rëndë. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rëndë është nisur drejt Tiranës.
Sipas mjekëve të Elbasanit, djegia që ka pësuar trupi i tij është tejet e rëndë dhe një rast me gradë të tillë djegie nuk është paraqitur asnjëherë në repartin e Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore të Elbasanit.
Dyshohet se shkak për aktin ekstrem ka qenë gjendja e rënduar depresive e 67-vjeçarit. Sipas dëshmive të para, ai mjekohej rregullisht për depresion. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes së rëndë.

4 shqiptarë kapen në Itali me drogë me vlerë 1 milion euro

Katër shqiptarë janë kapur nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë të shtrirë në 4 qytete: Forli, Cesena, Rimini dhe Ravena. Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, atyre u janë sekuestruar 6 kg kokainë, 2 kg marijuanë, 200 gr hashash dhe 54 mijë euro. Një pjesë e drogës është gjetur në makinë, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në banesën ku rrinin shqiptarët.
Ata u kapën pas një hetimi të gjatë ku ka edhe prova filmike të shitjes së lëndëve narkotike. Të arrestuarit, të cilët nuk bënin asnjë punë, lëviznin lirshëm në zonën Romagna-s. Mësohet se vlera e përgjithshme e drogës shkonte në treg mbi 1 milion euro. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen publik për momentin nga policia italiane.

Shtypi me makinë nënën e dy fëmijëve, 6 vite burg për 21-vjeçarin

Gjykata e Tiranës ka dënuar të riun Andrea Memollari, i cili aksidentoi për vdekje Dhurata Priftin, kohë më parë në kryeqytet. Gjykata e ka dënuar me 9 vite burg 21-vjeçarin. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, i riu do të bëjë 6 vite burg.  Gjatë leximit të vendimit i pandehuri nuk ka qenë i pranishëm në sallë dhe është përfaqësuar vetëm nga avokati.
Prokuroria ka kërkuar 10 vite heqje lirie për Andrea Memollarin, i cili në korrik të vitit të shkuar përplasi për vdekje me makinë nënën e dy fëmijëve, Dhurata Prifti. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 korrik në rrugën “Asim Vokshi” në kryeqytet. Pasi e përplasi për vdekje 45-vjeçaren, Memollari i kaloi përsipër me makinë dhe u largua nga vendngjarja.
Ai kishte shkelur edhe herë të tjera rregullat e qarkullimit rrugor. Në vitin 2015, ai u dënua nga gjyqtari Martin Deda me 40 orë pune, në interes publik për korrupsion aktiv, pasi tentoi t’i jepte para policëve rrugorë, që e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë. I njëjti gjyqtar, në një rast të ngjashëm, për të njëjtën vepër penale, korrupsion aktiv ndaj punonjësit të Policisë Rrugore, ka dhënë dënim me burg 8 muaj.

Korrupsion nëpërmjet falsifikimit, në pranga 3 zyrtarë dhe një polic në Berat

Tre punonjës të Degës së Kontrollit Teknik të Automjeteve në Berat dhe një punonjës policie kanë rënë në pranga, pasi akuzohen për ‘korrupsion pasiv’, dhe ‘shpërdorim detyre’. Pas një muaj hetimesh, Sektori i Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SH.Ç.K.A), kanë mundësuar arrestimin e 3 punonjësve të kësaj pike gjatë punës në Urë-Vajgurore, ku edhe është Dega e Kontrollit Teknik të Automjeteve.
Bëhet e ditur se në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet A.D, 59 vjeç, H.Sh, 62 vjeç dhe D.K, 28 vjeç. Ata akuzohen për “Korrupsion Pasiv në Sektorin Privat” dhe “Falsifikim të vulave, stampave e formularëve”. Arrestimi i tre punonjësve erdhi menjëherë pas vendimit të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat, e cila kishte dhënë për ta masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të sipërpërmendura.
Burime zyrtare pohuan se i dyshuar për këtë aferë korruptive akuzohet se është përfshirë dhe Zaçe Kajo, 44 vjeç, me detyrë “punonjës policie” në Komisariatin e Policisë Skrapar, i cili akuzohet për “Shpërdorim Detyre”, “Përkrahje e Autorit të Krimit” dhe “Ushtrim i Ndikimit të Paligjshëm”. Edhe arrestimi i punonjësit të policisë Zaçe Kajo erdhi pas vendimit të marrë në po të njëjtën ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat, e cila kishte dhënë për të masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të sipërpërmendura.

Votim elektronik ose protesta popullore

Një aksion politik mbarëqytetar sepse në fund të fundit çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes pyetjen: A mund të ndërtojë jetën e tij, të fëmijëve të tij, të fëmijëve të saj, në një vend ku nuk garantohet vota? A ia vlen, të ngrihemi për të garantuar lirinë e votës, dinjitetin dhe lirinë individuale që vjen përmes lirisë së votës?
PD po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje nisjen e protestave popullore në mbarë vendin si mënyrën e vetme në betejën për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një kohë kur mazhoranca refuzon projektin për votimin elektronik. “Mbledhja e grupit parlamentar më dha rastin të informoj edhe parlamentarët tanë për rezultatet e vizitës time në Uashington, Bruksel dhe Berlin, me theks të veçantë për angazhimin e faktorit ndërkombëtar, partnerëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është e lidhur me problemin e madh të kriminalizimit të politikës, të krimit të organizuar, të drogës. Këto janë probleme që opozita i ka denoncuar prej tre vitesh. Këto janë probleme për të cilat opozita ka luftuar dhe ka arritur të ndryshojë ligjet, siç është ligji për dekriminalizimin. Por, që për fat të keq, nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës së vullnetit politik”, u shpreh kreu i PD Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar. Kreu i PD paralajmëroi se kapja dhe lidhjet e anëtarëve të qeverisë me krimin kërcënojnë zgjedhjet e ardhshme, të cilat rrezikojnë të vidhen e të prishen. “Vullneti politik mungon sepse Edi Rama dhe koalicioni i tij qeverisës e ka lidhur fatin e tij me krimin, me drogën. Kjo u pa qartësisht edhe nga lëvizjet e fundit politike brenda koalicionit, të cilat kanë asgjësuar ‘de facto’ një koalicion politik dhe kanë shpalosur para shqiptarëve një qeveri, e cila diktohet nga bandat e krimit të organizuar. Nuk ka, në këtë kuptim, asgjë të re nga zhvillimet e fundit politike brenda qeverisë. Por ka diçka të dobishme për çdo shqiptar dhe shqiptare, të djathtë apo të majtë, edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë: Dhe kjo është dëshmia jo e një, por e dy anëtarëve të kabinetit dhe anëtarëve të tjerë të mazhorancës, se lidhjet me krimin, me Balilin dhe balilajt, me habilajt dhe bandat e tjera të krimit të organizuar, Edi Rama i ka në funksion të kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, tha kreu i PD, ndërsa shtoi se kjo është arsyeja pse Rama nuk pranon votimin elektronik. “Ndonëse votimi elektronik nuk zgjidh çdo problem, por në masë të madhe skemën kriminale të përdorimit të bandave, të drogës, të policisë tutore të kanabisit, të policisë që sillet si bandë për zgjedhjet. Pa dyshim që votimi elektronik është një masë, e cila jep besim tek votuesit”, u shpreh Basha. I pyetur nga gazetarët në lidhje me aksionin politik të opozitës Basha tha se, PD do t’i prijë betejës për garantimin e zgjedhjeve të lira.

– Mbështetet kjo ide nga ndërkombëtarët z.Basha dhe nga ambasadori i OSBE-së?
Nuk ka fare rëndësi se çfarë mendojnë individët. Zgjidhjet që ne kemi shtruar në tavolinë janë plotësisht të mundshme dhe unë kam patur rastin ta diskutoj edhe sot me bashkëbiseduesit që kanë qenë të pranishëm në Partinë Demokratike. Por mesazhi që kam për shqiptarët sot dhe që ndava edhe me anëtarët e grupit, është se koha për zgjidhje institucionale po mbaron me shpejtësi. Nuk ka vullnet për zgjidhje institucionale. Qeveria po luan me kohën. Çdo ditë që kalon është një alibi për të shteruar opsionet e zgjidhjeve institucionale. Ndaj koha po vjen për një aksion mbarëqytetar, një aksion politik mbarëqytetar.

– E keni fjalën për protesta?
Sigurisht! Një aksion politik mbarëqytetar sepse në fund të fundit çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes pyetjen: A mund të ndërtojë jetën e tij, të fëmijëve të tij, të fëmijëve të saj, në një vend ku nuk garantohet vota? A ia vlen, të ngrihemi për të garantuar lirinë e votës, dinjitetin dhe lirinë individuale që vjen përmes lirisë së votës?
Unë besoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetjeje, sepse e kundërta do të thotë një Shqipëri pa të ardhshme. Ndaj Partia Demokratike po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale.
Ju jeni të gjithë dëshmitarë, publiku është dëshmitar që unë si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike prej tre vite e gjysmë, jam përpjekur dhe kam luftuar fort për zgjidhje institucionale. Dëshmitë tronditëse që vijnë nga vetë gjiri i qeverisë tregojnë që ky është një gjiriz dhe jo më kornizë institucionale. Ndaj u takon qytetarëve të marrin përsipër fatet e tyre, opozitën dhe Partinë Demokratike do t’i kenë në ballë të kësaj beteje.