24.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Tabaku: FMN konfirmoi shqetësimet e opozitës

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e cilësoi dje raportin e FMN si konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga opozita. “Raporti FMN për investimet e huaja rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim. Kemi më pak investime të huaja, jemi të parafundit në rajon, qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. U mungon vizioni sepse fuqitë i kanë harxhuar për tendera e koncesione. Ironikisht, sot kryeministri dhe ministri i Financave kanë shpallur nismën djallëzore të Rilindjes ‘Blej Shqipërinë përmes koncesionit’. Duan të shesin një vend, të cilin e kanë nxjerrë në koncesion, duan të shesin të ardhmen e qytetarëve pasi dështuan në çdo politikë ekonomike. Duan t’ia shesin bizneseve pranë tyre. Mbasi për 4 vite nuk ndërtuan asnjë shkollë të re, mbasi nuk hapën asnjë aks të ri rrugor, mbasi të ardhurat i ulen në nivele historike (vetëm vitin e fundit patën një mosrealizim prej 100 mln USD), filluan të riciklojnë premtimet e vjetra”, tha Tabaku. “Shifrat janë kokëforta, fatkeqësisht kjo mungesë vizioni, ky klientelizëm e kjo rritje kaotike taksash këto efekte ka. Kësaj mënyre qeverisje i duhet thënë jo! Taksa e sheshtë prej 9% e bën Shqipërinë përsëri konkurruese në rajon, kthen besimin e investitorëve e i jep frymë ekonomisë e biznesit! Shqipëria duhet të luftojë për çdo vend pune që krijohen në rajon! Shqipëria duhet të jetë përsëri konkurruese”, u shpreh deputetja e PD.

Pengesat politike në eurozonë

Pavarësisht një viti të karakterizuar nga kriza e emigrantëve, lëvizjet populiste, Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump, rimëkëmbja e vakët ekonomike e Eurozonës vazhdoi dhe gjatë 2016-s. Në tremujorin e tretë PBB-ja konfirmoi se ekonomia u rrit me 0.3%, krahasuar me një periudhë më parë, duke pasur rritjen prej 0.3% të tremujorit të dytë dhe rritjen prej 0.5% të tremujorit të tretë. Rritja e Eurozonës mbetet e qëndrueshme gjatë vitit, nxitur nga forcimi i ekonomisë së brendshme ndërkohë që sektorët e jashtëm nuk kanë shkëlqyer. Përmirësimet në tregun e punës, inflacioni i ulët dhe politikat monetare tepër lehtësuese kanë nxitur rritjen në vend, por megjithatë investimet duan kohë për të marrë veten. Të dhënat për tremujorin e fundit të vitit tregojnë se do të vijojë forcimi i ekonomisë së brendshme. Në nëntor, ndjeshmëria ekonomike u rrit, pavarësisht mjedisit me risk të shtuar. Për më tepër, norma e papunësisë ra në tetor. Treguesit ende nuk tregojnë ndonjë shenjë të prekjes prej shokut të ngjarjeve politike dhe analistët e Focus Economics vërejnë një rritje prej 0.4% në tremujorin e katërt.

Manjani i përgjigjet Lutaj: Të shohë gjendjen mendore të Ramës

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Ylli Manjani, reagoi pas akuzave të deputetit socialist Piro Lutaj gjatë Komisionit të Ligjeve. “Do presim vizitën mjekësore të ministrit të Drejtësisë”, tha Lutaj dje gjatë debatit për shkarkimin e Ylli Manjanit. Ndërsa në reagimin e tij ministri në detyrë shprehet se, ai duhet të kërkojë analizat e veta dhe të kryetarit të tij Edi Rama. “Përshëndetje, Po lexoj në një portal që, një deputet koti i Komisionit të Ligjeve kërkon analizat e mia mjekësore..! I sugjeroj deputetit rilindas të kërkojë analizat e Kryetarit të vet! Nëse nuk ja jep i sugjeroj ta kërkojë në memorien e shtypit shqiptar. Ja ka botuar Gazeta Tema kohë më parë”, shkruan Manjani. Duket se Rama ka urdhëruar një fushatë denigrimi ndaj ish-ministrit Manjani, i cili e akuzoi direkt për kapje të qeverisë nga trafikantët e drogës dhe nga krimi i organizuar. I pari që u hodh në sulm ishte dje deputeti Piro Lutaj, pas një debati me Eduard Halimin, deputetin e Partisë Demokratike. Por duket se Manjani e ka pasur të gatshëm përgjigjen për Lutajn, duke i kujtuar atij akuzat që i ka bërë këshilltari i tij meditiak Mero Baze në gazetën që drejton.

Si po vjedh Veliaj dhe kunati i tij përmes projektit të Pazarit të Ri

Ish-Kryeministri Berisha publikoi denoncimin e një qytetari, i cili tregon skemën se si Veliaj dhe njerëzit pranë tij po vjedhin përmes projektit për rikonstruksionin e Pazarit të Ri. “Në Banditistan pas çdo vjedhjeje qëndron një pushtetar! Qytetari dixhital denoncon: Ndëshkimin e tij antiligjor nga Veliaj që përdor projektin e rindërtimit të Pazarit të Ri për xhepat e tij, kunatit të Lal plehut dhe deputetit Qefalia! Shkatërrimin antiligjor të biznesit të tij dhe bizneseve të tjera nga Veliaj për të mbushur xhepat e tij, kunatit të Lal plehut dhe deputetit Qefalia! Në Banditistan pas çdo vjedhjeje qëndron një pushtetar! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë me përparësi hetimin dhe të vendosë para ligjit hajnat e shtetit!”, shprehet Berisha në postimin e tij. Ai ka postuar gjithashtu të plotë edhe denoncimin e qytetarit dixhital. “Zoti Berisha përshëndetje, jam një pronar biznesi në Pazarin e Ri, më saktë kam një Zgarë Korçare. E kam blerë këtë biznes para 6 muajsh 150000 euro me kredi. Sot na vijnë ushtarët e Erion Veliajt dhe na thonë se duhet ta mbyllim, pasi projekti i rikonstruksionit te Pazari i Ri e parashikon ta bëjë pastiçeri, siç ka qenë në kohën e Enverit. E kuptojmë që këta janë nostalgjikët e Enverit, por si t’ja bëjmë ne që kemi marrë kredi, si do t’i lajmë këto para? Kam 8 punëtorë që do të ngelen pa punë, po ashtu dhe dyqanet e tjera që do të mbyllen që i kap projekti. Ku do të shkojmë, si t’ja bëj unë? Vetëm të vras veten më ka ngel. I gjithë rikonstruksioni i Pazarit të Ri po bëhet vetëm për dy vetë, Erion Veliajn me kunatin e tij dhe Xhemal Qefalinë. Këta janë zotërit e ri të pazarit, pasi i kanë përvetësuar gati të gjithë bizneset në pazar. Ju lutem zoti Berisha ngrijeni si çështje, ju lutem me gjithë zemër. Faleminderit dhe ju uroj shëndet ju dhe familjes tuaj. Ju lutem në qoftë se e publikoni mos më nxirrni me emër se nga këta çfarë nuk pret”, thuhet në denoncimin e qytetarit.

Rama me këshilltarët e tij po vjedhin troje në Vuno

Vjedhja e trojeve në Vuno ka qenë një tjetër denoncim i qytetarëve i publikuar dje nga ish-Kryeministri Sali Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Grabitjen e tokave në Vuno nga famozi Xhillari, Rama, këshilltarët e Ramës. Shtoj këtu që Xhillari ishte fitues i 80% të lejeve të ndërtimit të Bashkisë së Tiranës”, shkruante Berisha në postimin e tij. “Përshëndetje zoti Sali Berisha, në fshatin Vuno, në zonën e bregdetit, Jalë, Kopani, Soleil & Sea Shpk, po përpiqet të legalizojë objektet, ato objekte nuk janë të asaj kompanie dhe toka nuk i përket asaj kompanie. Pas kësaj afere janë Rama dhe këshilltarët e Ramës dhe pronar i kompanisë është Alban Xhillari”, thuhej në denoncimin e qytetarit.

FMN: Shqipëria vendi me më pak investime të huaja

Fondi Monetar Ndërkombëtar përditësoi së fundmi ecurinë e stokut të investimeve të huaja hyrëse për 2015 në 117 ekonomi, në të cilat është edhe Shqipëria.
Sipas statistikave të Fondit, Shqipëria në fund të vitit 2015 e ka stokun e investimeve të huaja hyrëse në 4.2 miliardë dollarë. Kjo është vlera më e ulët në rajon, duke përjashtuar edhe Kosovën.
Sipas FMN, edhe Maqedonia e Mali i Zi, që janë ekonomi më të vogla se ajo e Shqipërisë, e kanë stokun e investimeve të huaja hyrëse më të lartë se Shqipëria, përkatësisht me 4.8 dhe 4.5 miliardë dollarë.
Siç shihet nga të dhënat, stoku i investimeve të huaja hyrëse në Shqipëri më 2015 shënoi një rënie të lehtë me 8 milionë euro.
Sipas Fondit, investitori më i madh në Shqipëri mbetet Greqia, me 30% të totalit të stokut të investimeve ose 1,27 miliardë dollarë. Holanda me 706 milionë dollarë ose 17% të totalit të stokut, në vend të tretë është Turqia me 397 milionë euro ose 9% të stokut, në vend të katërt është Austria, me 350 milionë dollarë ose 8% të totalit dhe në vend të pestë është Italia, me 222 milionë dollarë.
Një vit më herët, më 2014, struktura e investimeve ka qenë krejt tjetër. Pas Greqisë, në vend të dytë ishte Kanadaja, nëpërmjet Bankers Petroleum, e cila më 2016 u ble nga kinezët e Geo Jade Petroleum.

Ndër të fundit në Europë në indeksin e shëndetit konsumator

Ministria justifikohet me faktin se shqiptarët shkojnë tek doktori vetëm për hall, por raporti e nxjerr blof: Shqiptarët shkojnë te doktori dy herë më shumë se suedezët. Ndër të fundit në Europë për parandalimin dhe shumëllojshmërinë dhe aksesin e shërbimeve…
Shqipëria renditet e 32-a nga 35 shtete europiane në Indeksin e Shëndetit Konsumator 2016 të matur nga Health Consumer Powerhouse, të publikuar më 30 janar.
Indeksi është një mënyrë për të matur se në çfarë mase, secili nga 35 vendet përmbush pritshmëritë e një shëndeti shëndetësor të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve.
Shqipëria është përfshirë në këtë indeks me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë, thuhet në raport.
Shqipëria, thekson raporti, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor.
Më keq se ne renditen Rumania, Mali i Zi dhe Bullgaria. Por, raporti thekson se Shqipëria shpëton nga vendi i fundit, kryesisht për shkak se ka një performancë të fortë në akses, ku organizatat e pacientëve gjithashtu më 2016-n konfirmuan versionin e ministrisë se kohët e pritjes janë një problem i vogël.
Shpjegimi i ministrisë për nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor lidhet me faktin se “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”. Por, sipas raportit, ky është një thjeshtim i situatës; shqiptarët vizitojnë doktorin e tyre kryesor mëse dy herë më shumë se suedezët (3.9 vizita në vit kundrejt 1.7).
Shqipëria ndan të njëjtin problem me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime shëndetësore janë të aksesueshme pa pagesë nën dorë.
Sipas raportit, Shqipëria paraqitet më keq në treguesin e parandalimit, me 65 pikë, produkteve farmaceutike me 35 pikë dhe sidomos llojit dhe aksesit në shërbime, ku është e fundit në Europë me vetëm 42 pikë. Në total, Shqipëria merr 526 pikë.
Shërbimin më të mirë shëndetësor në Europë e kanë Holanda (927 pikë), Zvicra (904), Norvegjia (865).
Në Europën Juglindore, Italia dhe Spanja ofrojnë shërbime shëndetësore, ku ekselenca mjekësore mund të gjendet në shumë vende.

Rikthehet debati për importin e mbetjeve

Ligji për importin e integruar të mbetjeve do të rikthehet në diskutimet e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Palët e interesit i janë përgjigjur letrës së Eduard Shalsit duke i qëndruar të njëjtave pika kundërshtuese ndërsa AKIP ka kërkuar të respektohet dekreti i Nishanit. Grupet e interesit, shoqatat dhe ambientalistët i kanë kthyer përgjigje kryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi në lidhje me kërkesën për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Edhe këtë herë Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj gjykojmë se amendimet Shalsi duhet të rrëzohen si të papranueshme dhe të miratohet dekreti i Presidentit. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Lidhur me ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, që është edhe një nga objektivat e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhen zbatuar forma më praktike, në kushtet e favorshme të krijuara nga ndarja e re administrative-territoriale, vendosja e administratorëve të pallateve dhe administrimi me bordin e banorëve dhe rolit që do të luajnë në komunitet bordet e zgjedhura të pallateve. Po ashtu sipas kësaj qendre, mbetet shqetësuese çështja e ngritjes së incerneratorëve. Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti i Kërkimeve Urbane mjafton që ligji të zbatohet me përpikmëri dhe kjo nuk krijon asnjë problem e asnjë rrezik për importin e mbetjeve.

TAP do kushtojë 4.5 miliardë euro

Projekti Trans Adriatic Pipeline do të kushtojë 4.5 miliardë euro. Shifrën e bën të ditur drejtori menaxhues i projektit Ian Bradshaw për “Anadolu Agency”.
Sipas tij, TAP është në pritje për të siguruar fonde nga institucione ndërkombëtare financiare. Shifra e fundit e përllogaritur nga TAP është 4.5 mld euro.
Ian Bradshaw tha për “Anadolu Agency” se kjo shifër erdhi si rezultat i shpenzimeve inxhinierike dhe modifikimeve që i janë bërë projektit që ka nisur të realizohet që nga viti 2009, përfshirë këtu edhe zgjerimin e rrugës nga 520 km në 878 km.
TAP pret të sigurojë fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, si dhe nga Agjencia e Garantimit të Kredive Agjencive për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve. Sigurimi i financimeve pritet të përfundojë më 2017-n.
Bradshaw deklaroi se TAP është një projekt me rëndësi strategjike për Europën për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.
Zyrtari i TAP tha se projekti është në përputhje të plotë me programin e zhvillimit të Shah Deniz II, nga e cila do të bëhet edhe furnizimi me gaz.
Ndërtimi i stacioneve të kompresorëve do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2017.
“Ky do të jetë një aktivitet i vazhdueshëm gjatë rreth dy viteve. Procesi në det të hapur do të zhvillohet në dimrin e 2018/2019”, tha ai.
Bradshaw vlerësoi punën e kryer në vitin 2016 si të suksesshme.
Ishin 15 milionë km udhëtime, 8 milionë orë pune që projekti të përfundonte.
Nga data 23 janar, puna ka vazhduar në Greqi me gërmimet për vendosjen e mbi 200 km tubacioneve. 120 km tuba në gjatësi janë lidhur, rreth 100 km tuba janë ngjitur.
“Tubat vazhdojnë të mbërrijnë në Kavala, Selanik dhe Aleksandropulos. Deri më tani, më shumë se 60% e 32,000 tubave të nevojshëm për të ndërtuar seksionin 550 km janë dorëzuar”, tha ai.
Në Shqipëri, rreth 55 km janë pastruar dhe bërë gati për të pritur vendosjen e tubave, 50 km tuba janë lidhur dhe 40 km janë ngjitur.
“Kjo do të thotë se mes Greqisë dhe Shqipërisë, TAP ka pastruar një të tretën e korridorit të tubacionit – mbi 260 km nga 765 km”, shtoi ai.
Bradshaw tha se edhe në Itali, në përputhje me lejen e dhënë nga Ministria e Ekonomisë më 20 maj 2015, TAP vazhdon të përparojë aktivitetet e tij, për t’u vendosur në San Foca.

Çelet gara për peshkimin në 56 liqene, laguna dhe rezervuarë

Ministria e Bujqësisë ka hapur garën për aktivitetin e akuakulturës në 56 liqene, rezervuarë dhe laguna në të gjithë vendin.
Gara, e cila zhvillohet duke marrë në konsideratë ligjin e ri të peshkimit, synon që të japë aktivitetin me tender kundrejt vlerës që do t’i nënshtrohen garës. Në këtë mënyrë synohet që peshkimi të bëhet në mënyrë të kontrolluar pa dëmtuar akuakulturën dhe gjithashtu sektori formalizohet në mënyrë të plotë.
Rezervarët që kanë dalë në tender për të zhvilluar mbjelljen dhe vjeljen e peshkut shtrihen në të gjithë vendin. Ndër ta është edhe laguna e Orikumit dhe Liqeni i Ulzës.
Operatorët që do të marrin pjesë në garë do të çmohem me 40 pikë për nivelin e investimit, me 40 pikë të tjera për teknologjinë e projektit dhe 20 pikë për nivelin e punësimit. Zarfat me ofertat do të hapen më 14 shkurt.
Dokumentacioni që subjektet konkurruese, duhet të paraqesin, është si më poshtë:
a) kërkesa për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në objektin ujor të shpallur për konkurrim;
b) regjistrimin në QKR për objektin e veprimtarisë së bashku me ekstraktin historik;
c) plan biznesi për zhvillimin e veprimtarisë;
d) projekti teknik, teknologjik;
e) të dhëna për nivelin e investimit;
f) të dhëna për nivelin i punësimit;
g) vetëdeklarim se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë;
h) vërtetim nga organet tatimore që subjekti në fjalë nuk ka detyrime tatimore;
i) vërtetim se subjekti ka aplikuar pranë strukturave mjedisore për t’u pajisur me leje mjedisore (vetëm për rastet e akuakulturës intensive);
j) deklaratë mbi konfliktin e interesit.
Gjithashtu dokumentacioni i veçantë që paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim për çdo kategori ujore është specialist i fushës nëpërmjet CV profesionale, ku tё tregohet kualifikimi dhe përvoja nё fushёn e peshkimit dhe akuakulturës, garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në plan-biznes etj.