Lajme aspak pozitive nga infermieria e Milanit për Giacomo Bonaventurën dhe Mattia de Sciglion, të dy të dëmtuar në transfertën me Udinezen, që kuqezinjtë e humbën 2-1. Lojtarët në fjalë mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta, çka përbën një shqetësim shumë serioz për stafin teknik kuqezi. Mbrojtësi anësor pati një përdredhje të kaviljes pas përplasjes me De Paul, ndërsa mesfushori shqetësime në muskujt e kofshës. Të dy lojtarët u janë nënshtruar ekzeminimeve mjekësore, por më shumë në kampin kuqezi shqetëson gjendja e De Sciglios, i cili u shfaq në klinikë me paterica dhe me një protezë në këmbën e djathtë. Përgjigjet e analizave paraprake mund të mos mjaftojnë, sepse do të shihet nëse hematomat do të përthithen në kohë.
Një gjë është e sigurtë, De Sciglio dhe Bonaventura nuk do të jenë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen me Sampdorian që do të zhvillohet të dielën në orën 12:30, por ekziston mundësia që të mungojnë për një kohë më të gjatë.
Kuqezinjtë e Montella-s kanë humbur sërish, përballë Udinezës, me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Serisë A. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, me anë të Bonaventurës në minutën e 8’, milanezët nuk ditën të ruajnë avantazhin, duke i dhënë mundësi Udinezes të shënojë dy herë dhe të marrë 3-pikëshin. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për kuqezinjtë, të cilët e kanë nisur keq vitin 2016, pasi në 4 ndeshje kanë marrë vetëm 4 pikë.
Milani, dëmtohen De Sciglio dhe Bonaventura
Boca-River, miqësorja përfundon me 6 kartona të kuq
Duhej të ishte thjesht një miqësore parasezonale, por Boca Juniors-River Plate nuk është asnjëherë e tillë. Tre lojtarë, por edhe tre trajnerë u përjashtuan nga arbitri gjatë ndeshjes së parë të vitit 2017 mes dy rivalëve të përjetshëm të Argjentinës në një sfidë që përfundoi 2-0 për bardhekuqtë e River Plate. Një penallti e realizuar nga Sebastian Driussi dhe një gol i ekuadorianit Arturo Mina i dhanë fitoren skuadrës së “milionerëve”, por edhe ky superclasico nuk u mbyll pa incidente dhe tensione. Trajneri i Boca Juniors, Guillermo Barros Schelotto la pankinën në fundin e pjesës së parë ashtu si edhe kolegu i tij, Marcelo Gallardo. Ndërkohë, arbitri nxorri jashtë me karton të kuq edhe Driussin e Riverit dhe Dario Benedetto e Juan Insaurralde të Boca Juniors pas përleshjes mes lojtarëve të dy skuadrave në minutën e 80 të takimit. Fitorja 2-0 edhe pse në një miqësore është një lloj hakmarrje për Riverin pas asaj disfate 4-2 në shtëpi gjatë muajit dhjetor për ndeshjen e kampionatit, ku Carlos Tevez shënoi dy gola duke bërë edhe mbylljen ideale me ekipin e tij të zemrës, Boca Juniors. Riveri do të përballet me Lanusin javën e ardhshme për trofeun e Superkupës së Argjentinës përpara nisjes së fazës së dytë të kampionatit, ku Boca kryeson me 31 pikë, ndërsa Riveri numëron 9 më pak pas 14 javëve të para.
Pato zgjedh milionat, pritet zyrtarizimi në Kinë
Aleksandre Pato pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme si futbollisti i ri i Tianzhin Kuanzhin në kampionatin kinez të futbollit. Klubi kinez ka një akord parimor për transferimin e tij nga Vijareal, për një shifër prej 18 milionë eurosh. Klubi spanjoll pranoi me shpejtësi ofertën aziatike për ish-futbollistin e Milanit dhe kombëtares braziliane, i cili në moshën 27-vjeçare duket vetëm hija e lojtarit, i cili në vitet e para cilësohej si “Ronaldo i ardhshëm”.
Gjatë qëndrimit te Vijareal, të cilit iu bashkua në verë, Pato ka shënuar vetëm 6 gola në 24 ndeshje, një bilanc që nuk do të bëjë të ndjehet shumë mungesa e tij. Ai pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare në Kinë, ku do të përfitojë një rrogë bazë prej 6 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur bonuset.
257 mijë euro në javë për Sanchez
Alexis Sanchez mbetet një çështje e hapur tek Arsenali. Golashënuesi më i mirë i “topçinjve” në këtë sezon me 17 finalizime, vazhdon të shtyjë rinovimin e kontratës, edhe pse Arsen Wenger i ka ofruar rreth 190 mijë euro në javë. Mirëpo sipas “The Sun”, kiliani është i tunduar nga një ofertë shumë më e mirë, jashtë Premier Leagues. Bëhet fjalë për Atleticon e Madridit, që është gati ta paguajë 28-vjeçarin 257 mijë euro në javë, duke e vënë në qendër të projektit të Diego Simeones.
Sanchez ka kontratë deri në verë të 2018-ës me Arsenalin dhe nëse nuk rinovon kontratën deri në përfundim të sezonit, atëherë londinezët do të jenë të detyruar ta shesin për të mos e humbur me parametër zero. Sigurisht që Atletico, e cila mund të humbasë Antoine Griezmann, që kërkohet nga klube të mëdha në Europë, duhet të prezantohet me një ofertë joshëse, sepse për Sanchez pretendentët janë të shumtë.
Edhe nga Gjermania raportojnë për lojtarë që janë shndërruar në objektiva të “Los Colchoneros”. “Fussball Transfers” siguron se përfaqësues të Atleticos kanë nisur kontaktet me Thorgan Hazard, që është vëllai i yllit të Chelseat Eden Hazard. 23-vjeçari është pjesë e Borussias së Monechengladbahut, duke spikatur si një ndër mesfushorët më të mirë në Bundesligë. Për belgun klubi spanjoll duhet të mposhtë konkurrencën e Lecesterit, që gjithashtë është vënë në ndjekje të Hazard.
Monaco ndal PSG në “Parc De Prince”
Një penallti e Cavanit në minutën e 80-të nuk i mjaftoi PSG për të marrë fitoren në javën e 22-të të Ligue 1 ndaj Monacos, pasi skuadra monegaske me këtë gol në të 93-tën të Silvas ruajti jo vetëm diferencën me PSG në renditje, por dhe vendin e parë që gjithsesi e ndan me Nice.
Në “Parc De Prince” ndeshja nisi me një të ftuar të veçantë, brazilianin Ronaldinho që shkelmoi topin e parë nga qendra. Parisienët patën rastet më të mira në pjesën e parë me Cavanin, por Subasic bëri mjaft mirë detyrën. Ndërkohë që në pjesën e dytë Monaco u përpoq të reagonte me Falcaon, megjithatë pa patur shumë qartësi përpara portës. Në të 80-tën dhe momenti vendimtar kur PSG fitoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Cavani.
Fitorja dukej e sigurtë për PSG, por Monaco nuk u dorëzua dhe atëherë kur pakkush e priste arriti të gjejë dhe golin e barazimit me goditjen e fuqishme të Silvas, që lë në vendin e parë formacionin e Jardimit.
Dortmundi ndalet nga Mainzi
Borussia e Dortmundit u ndal në një barazim 1-1 në fushën e Mainzit duke mos e rikuperuar vendin e tretë që iu rrëmbye nga Eintrachti i Frankfurtit. Edhe pse kaluan në avantazh që në fillim të sfidës, verdhezinjtë pësuan një gol në pjesën e dytë duke humbur dy pikë të çmuara. Marco Reus përmbylli me sukses një kundërsulm të shpejtë të skuadrës së Thomas Thuchel që në minutën e tretë. Andre Schurrle humbi mundësinë për ta mbyllur ndeshjen në minutën e 61-të, ndërsa 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Danny Latza kërceu bukur në shtyllën e dytë duke mos i dhënë asnjë shans portierit Burki. Në kohën shtesë Dortmundi për pak mund të kishte pësuar edhe të dytin, por topi i goditur nga Paplo de Blazis përfundoi ngjitur me shtyllën.
Në takimin tjetër të së dielës Friburgu fitoi 2-1 me Herthen e Berlinit, me gola të Heberer dhe Petersen, ndërsa finalizimi i Schieber vetëm një minutë pas finalizimit të dytë të vendasve nuk i shërbeu për asgjë Herthes, që pësoi humbjen e dytë radhazi në Bundesligë.
Buzëqesh Zidane
Reali i Madridit ka arritur të mposhtë në shtëpi Real Sociedadin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20 të La Ligas. Të besuarit e Zinedin Zidan edhe pse me disa mungesa të rëndësishme nuk kanë gabuar në këtë takim duke shfrytëzuar më së miri hapin fals të Barcelonës dhe Seviljas më parë gjatë ditës së dielë.
Kovaçiç realizoi golin e parë në minutën e 38, ndërsa Kristiano Ronaldo shënoi golin e dytë në minutën e 51-të. Në minutën e 74-t, Sociedadi mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Martinezit. Alvaro Morata vulosi fitoren e madrilenëve me golin e realizuar në minutën e 82-të. Me këtë fitore, Reali udhëheq renditjen me 46 pikë, 4 më shumë se ndjekësit e Barcelonës dhe Seviljas, dhe gjithashtu me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sevilja është mposhtur në La Liga pas regjistrimit të 5 fitoreve radhazi. Andaluzianët janë thyer në transfertë përballë Espanjolit me rezultatin 3-1. Ndeshja e Seviljas nisi keq pasi që në minutën e 2-të mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Parehas që shkaktoi penallti. Hoze Antonio Rejes e shndërroi në gol penalltinë në minutën e 4-t, por Jovetiç barazoi shifrat në minutën e 20. Megjithatë Espanjoli e mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të Navaros në minutën e 2-të të kohës shtesë. Në pjesën e dytë ishte Moreno ai që vulosi fitoren e të zotëve të shtëpisë me golin e realizuar në minutën e 71-të.
Pas kësaj ndeshjeje, Sevilja mbetet në kuotën e 42 pikëve në 20 ndeshje duke zbritur në vendin e tretë për t’i lënë të dytin Barcelonës që gjithashtu bëri hap fals dje me barazimin 1-1 në transfertë ndaj Real Betisit. Të dy këto rezultate i shkojnë për shtat Realit të Madridit që në rast fitoreje në mbrëmje përballë Sociedadit do të shkëputet në krye me 4 pikë diferencë dhe gjithashtu do të ketë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Portieri Mark-Andre Ter Shtegen nuk dëshiron që të flasë për polemikat e golit fantazmë pas barazimit në Sevilje. “Nuk dua të flas për arbitrat. Ata janë njerëzorë si ne. Ndeshja përfundoi në barazim dhe është ashtu siç është. Ishte një ndeshje e vështirë. Betis luajti shumë mirë. Ata ushtruan tepër presion dhe na mbyllën shumë mirë. Në mbrojtje ne luajtëm mirë, por ishte e vështirë që të dilje prej saj. Mendoj në përgjithësi se ne bëmë një ndeshje të mirë.
Por tani duhet të shohim atë çfarë na mungonte. Përpara kemi ndeshje shumë të vështirë dhe duhet të përqendrohemi që të ecim përpara. Ishim mirë në fillim dhe krijuam raste, ashtu siç bëmë edhe në pjesën e fundit. Por gjatë ndeshjes humbëm kontrollin. Megjithatë, duhet t’i japim merita edhe Betisit”, deklaroi gjermani.
Napoli i Hysajt ndalet nga Palermo
Napoli ka hedhur një hap të gabuar mbrëmjen e djeshme në Serinë A teksa ka barazuar në shtëpi me rezultatin 1-1 përballë Palermos. Skuadra ku luan dhe futbollisti shqiptar Elseid Hysaj, i cili edhe dje u aktivizua për 90 minuta të plota, nuk arriti të shfrytëzonte hapin e gabuar të Romës në drekë për ta barazuar me pikë në vendin e dytë. Palermo kaloi e para në avantazh me anë të golit të Nestorovskit në minutën e 6, ndërsa napoletanët barazuan me anë të Mertensit në minutën e 66. Në minutën e 90, Palermo mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Goldaniga. Me këtë rezultat, Napoli mbetet në vendin e tretë me 45 pikë pas 22 javësh, ndërkohë që ndjen t’i afrohet ndjeshëm Interi, i cili në vendin e 4-t është vetëm 3 pikë pas.
Lucas Biglia i thotë “po” Lazios. Kapiteni bardhekaltër ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Claudio Lotito për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021. Argjentinasi që u bë protagonist edhe në një përplasje verbale me një tifoz në përfundim të ndeshjes kundër Chievos, nuk ka ndryshuar mendje, ai pranon ofertën e klubit kryeqytetas për të arkëtuar 2.8 milionë euro në sezon plus bonuset. Tashmë mungon vetëm forma, por sipas mediave italiane bëhet fjalë për një formalitet sepse mesfushori bardhekaltër ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Romë. Në këtë mënyrë, lojtari ka vendosur t’i përkushtohet klubit aktual, duke kthyer pas edhe disa oferta të rëndësishme si ajo e Manchester United disa muaj më parë. Vendimtar në këtë proces ka rezultuar drejtori sportiv, Igli Tare, i cili po punonte prej muajsh për të blinduar mesfushorin e kombëtares së Argjentinës pasi Biglia mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të projektit aktual.
De Biasi në Hamburg dhe Zyrih për kuqezinjtë
Javën e ardhshme trajneri i ekipit kombëtar të futbollit do të nisë një minitur të vogël për të ndjekur disa prej futbollistëve të ekipit kombëtar, për të parë nga afër ndeshjet e tyre, si dhe për të kontaktuar dhe folur rreth situatës më të fundit në klubet ku luajnë apo edhe formës fizike që kanë për momentin. Kështu, të premten e 3 janarit, mister De Biasi do të jetë në Hamburg për të ndjekur qendërmbrojtësin kuqezi Mërgim Mavraj në sfidën kundër Bajer Leverkusenit, teksa një ditë më vonë do të jetë në Zvicër, ku përballë njëri-tjetrit do të luajnë Taulant Xhaka dhe Armando Sadiku në takimin e planifikuar në kalendar të kampionatit zviceran mes Bazelit dhe Luganos. Trajneri vijon të mbajë në survejim të plotë të gjithë futbollistët që janë pjesë e skuadrës kombëtare dhe që aktivizohen në kampionatet e huaja.
“Presim shumë nga Armando Sadiku”
Transferimi i Armando Sadikut te Lugano në formë huazimi nga Zyrihu për pjesën e mbetur të sezonit është lidhur përgjithësisht me emërimin e Paolo Tramezzanit trajner i kësaj skuadre. Sigurisht që prania e ish-ndihmësit të De Biasit në stolin e klubit jugor të Zvicrës ishte një motiv më shumë për ta bindur sulmuesin shqiptar që ta pranonte këtë lëvizje, por presidenti i Luganos, Angelo Renzetti shpjegon arsyet pse këmbënguli për Sadikun janë më madhore.
“E afruam Sadikun sepse ishim të detyruar. Aguirre nuk dëshironte të qëndronte me ne, ndërsa Rosseti u dëmtua. Kishim nevojë për një sulmues cilësor. Sigurisht që ai është shumë i lidhur me Tramezzanin dhe ne presim shumë nga ai. Ka pësuar disa dëmtime gjatë kohëve të fundit, ndaj i duhet të arrijë formën fizike të të tjerëve”, u shpreh Renzetti.
Përsa i përket arritjes së marrëveshjes me Tramezzanin, Renzetti zbulon aq ka qenë pranë marrëveshjes me ish-ndihmëstrajnerin e Shqipërisë që pas përfundimit të Kampionatit Europian.
“Bisedimet po zgjateshin ndërsa ne duhet të ishim gati për startin e kampionatit. Kjo është arsyeja pse nuk e mora në verë Tramezzanin. M’u desh të hiqja dorë atëherë. Skuadra është e përqendruar dhe po e ndjek trajnerin. Është kthyer filozofia e punës. Jam i bindur se Tramezzani do të ketë një karrierë shumë të suksesshme. Ai ka karakteristikat që më pëlqejnë: është shumë punëtor dhe kurajoz”, tha ai. Prova e parë e Sadikut dhe Tramezzanit te Lugano do të jetë transferta me Baselin më 4 shkurt, për javën e 19-të të Superligës së Zvicrës.