Transferimi i Mërgim Mavrajt gjatë merkatos së janarit nga Kolni te Hamburgu, ndodhi vetëm për arsye financiare. 30-vjeçari do të përfitojë një pagë shumë më të mirë te klubi verior i Gjermanisë, por me objektiva të ndryshuara. Te Kolni luante për një vend në Kupat e Europës, ndërsa te Hamburgu parësore mbetet mbijetesa. Pikërisht falë eksperiencës që ka në elitën e futbollit gjerman drejtuesit e Hamburgut i besuan futbollistët shqiptar, i cili luajti titullar në dy ndeshjet e para të 2017-ës në Bundesligë, në transfertë me Wolfsburgun dhe Ingolstadin, por në të dyja rastet skuadra e shqiptarit doli e humbur, duke rrëshkitur në vendin e parafundit.
Problemi sipas Mavrajt, nuk është te këmbët, por në kokën e futbollistëve të Hamburgut. Humbjet kanë ardhur si rezultat i shpërqendrimit në momente të veçanta të lojës dhe mungesës së vetëbesimit, pasi skuadra ka cilësi. Por cila është zgjidhja sipas futbollistit shqiptar?
Të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë dhe të qëndrojnë të bashkuar, për ta kaluar këtë situatë të vështirë. Lojtarët e Hamburgut, këmbëngul më tej qendërmbrojtësi kanë provuar se mund të bëjnë shumë më mirë, thjesht duhet të punojnë më shumë dhe me qetësi për të gjetur vazhdimësinë në rezultate.
Mavraj flet për Hamburgun
Rruga drejt fundit për Soros sapo ka filluar
Me zgjedhjen e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara dhe votave pro Brexit në Britaninë e Madhe, një model ka filluar të shfaqet. Ky model është tregues se George Soros së bashku me fondacionin e tij po shkojnë drejt humnerës.
Gjithashtu flitet se Vladimir Putin ka lëshuar urdhër arresti për Soros edhe pse nuk ka fakte për ta vërtetuar diçka të tillë.
Soros është akuzuar se ka financuar për të rekrutuar ushtarë për ISIS brenda Amerikës.
George ka lidhje me grushtin e shtetit që përmbysi qeverinë e Ukrainës, duke bërë të mundur parandalimin e Putin që të kishte kontrollin e gazit natyror në Europë nëpërmjet Ukrainës.
Mjaft interesante është se pas grushtit të shtetit, djali i ish-zv/presidentit Joe Biden u bë aksioner në një kompani të gazit natyror në Ukrainën Lindore, shkruan “SYRI.net”.
Soros ka qenë gjithashtu i përfshirë direkt në tentativë për rrëzimin e Assadit në Siri. Ka shumë arsye për këtë. Siria është një linjë me Rusinë, armikun e Soros. Por, Assad gjithashtu paraqet një problem për interes të biznesit të Soros dhe Clintonëve, raporton “Syri.net”.
Linja e gazit natyror, i cili kishte për qëllim për të lidhur Katarin me Europën, duke udhëtuar nëpër Arabinë Saudite, Sirinë dhe Turqinë, është problem i madh. Ky gazsjellës ka aksioner kryesorë Soros, Bill dhe Hillary Clinton. Assad, mik i Rusisë dhe Putin, refuzoi që të kalonte përmes Sirisë.
George Soros ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në manipulimin e politikave perëndimore ndaj Rusisë dhe Kinës në përgjithësi.
Është e rëndësishme për të kuptuar se Soros ka marrëdhënie biznesi me Arabinë Saudite. Këto lidhje u zbuluan gjatë një hetimi më të thellë për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ku ai akuzohet se ka gisht.
Edhe për grushtin e shtetit në Turqi emri i Soros është përmendur pasi Erdogan filloi që të vendoste marrëdhënie të mira me Rusinë.
Pollo: Po krijohet monopol mediatik në favor të Ramës
Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias, Genc Pollo e konsideroi mbledhjen e fundit të AMA-s ditën e premte, ku dhënia e licencës së fundit u bë me votim të thjeshtë, se po dëmton pluralizmin e medias. Në një vend me drejtësi normale, tha Pollo, kjo gjë nuk do të ndodhte, por garantoi se Komisioni i Medias do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje.
“Përsëri për t’ia dhënë të njëjtës kompani që bëhet me katër licenca numerike, dy herë më shumë se Radio Televizioni Publik, me të cilat fare mirë mund të përjashtojë nga konkurrenca të gjithë të tjerët. Kuptohet që kjo nuk mund të merrej me shumicë të cilësuar siç e kërkon ligji dhe u mor me një shumicë të thjeshtë fatkeqësisht nga anëtarë të nominuar nga mazhoranca, çka përbën vepër penale. Normalisht po të kishim një gjyqësor funksional besoj se do të kishte përgjigje para drejtësisë për këtë që ndodhi”, tha Pollo.
“Lëshimi kompanisë Digitalb i licencës së katërt kombëtare numerike nga Gentian Sala dhe tre anëtarë të Këshillit të AMA-s (të gjithë të nominuar nga PS-LSI) është jo vetëm një skandal me pasoja të rënda për lirinë e medias e demokracinë, por edhe një vepër penale (shpërdorim detyre). Duke i dhënë vetëm një kompanie dyfishin e licencave që gëzon me ligj TVSH krijohet një monopol mediatik në televizione që fare lehtë mund të komandojë linjën editoriale të gjithë kanaleve TV, të cilat do të jenë të detyruara të mbarten tek Digitalb-i, në favor të vetes e në favor të padrinos politik Rama. Duke i dhënë një kompanie kaq licenca shkelet me dy këmbë neni 62 i ligjit të medias (siç ishte e siç është) që ndalon që një apo shumë licenca kombëtare t’i ketë një pronar i vetëm.
Duke e marrë vendimin me shumicë të thjeshtë G. Sala, P.Misha, G, Gjipali e Z.Bregu shkelën qartë ligjin e medias që parasheh shumicë të cilësuar për lëshimin e licencave. Ashtu sikur edhe Rama, me 71 vota në Kuvend, të ndryshonte Kushtetutën e të shpallej sulltan.
Në këtë fazë anulimin gjyqësor i këtij vendimi mbetet urgjencë. Po ashtu edhe ndjekja penale e banditëve me ofiq duhet të bëhet sa më shpejt.
Shtatë deputetë të Komisionit të Medias, të djathtë e të majtë, i shkruajtën prokurorit të Përgjithshëm para pak ditësh. Sot para faktit të kryer është koha për hapa të tjerë”, shprehet Pollo.
Ekspertët ndërkombëtarë ngritën alarmin për mënyrën se si janë dhënë licencat kombëtare dhe se si duhet të ndodhë ky proces në vendet evropiane. Duke sjellë përvojën e Spanjës, në një rast të ngjashëm me situatën në Shqipëri, eksperti Joan Barata tha se dhënia e licencave kombëtare duhet të bëhet përmes një procesi të hapur, të ndershëm dhe ligjor. Eksperti ndërkombëtar Joan Barata pasi njohu shqetësimet e operatorëve lokalë dhe rajonalë si dhe veprimtarinë e AMA tha se dhënia e licencave duhet jetë i hapur, i ndershëm dhe transparent.
“Proceset që jepen licencat nga Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të jenë të hapura dhe transparente në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Referuar shembujve të ngjashëm në Spanjë, mendoj se AMA duhet të ushtrojë veprimtarinë e saj përmes një procesi të hapur, transparent dhe të ndershëm. Ata që kanë bërë aplikime më të mira për licencat kombëtare, duhet ta marrin atë, kjo duhet të ndodhë për mediat lokale dhe mediat rajonale”, tha Joan Barata.
Ndërsa eksperti i Këshillit të Europës, Claas Neukirch tha se, AMA po i jepet asistencë ndërkombëtare për mënyrën, për strategjinë që duhet të ndjekë gjatë procesit të dixhitalizimit.
Mediat lokale dhe rajonale ngritën edhe një herë shqetësimin para ekspertëve të huaj se tregu është monopolizuar dhe se po shkojnë drej falimentimit pasi nuk ka besueshmëri edhe në kontratën e tyre me TVSH për të transmetuar në njërën nga frekuencat kundrejt pagesës lënë nga televizioni publik.
Regjistrim i ri i popullsisë, a do të abuzohet?
Nga sot në vend do të nisë procesi i regjistrimit të adresave. Regjistruesit do të shfaqen derë më derë për të bërë regjistrimin dhe verifikimin në vend.
Gjatë prezantimit, kryeministri Edi Rama tha se, “Sipas të dhënave të regjistrave të gjendjes civile në Shqipëri ka 4.4 mln banorë, por e vërteta është që jo vetëm që ne nuk jemi familjarizuar me këtë shifër, por flasim për Shqipërinë 3 mln duke u vetëzvogëluar, por edhe kur vjen puna për ta lidhur këtë shifër me vendbanimin e secilit është e pamundur.
Tek adresat ndahen shtetet nga vendet pa shtet. Shtetet funksionale nga vendet ku shteti nuk funksionin. Si mund të funksionojë një shtet që nuk ka një regjistër adresash dhe Shqipëria sot është një vend ku flukset migratore nga vendi ynë jashtë dhe flukset e brendshme janë të barasvlefshme në peshë. Pra, aq sa shqiptarë kanë lëvizur jashtë Shqipërisë aq shqiptarë kanë lëvizur brenda territorit. E gjithë kjo lëvizje e kuptueshme dhe normale si një lëvizje që solli rënia e regjimit nuk u materializua asnjëherë në një regjistër kombëtar adresash”.
Ndërsa ministri Gjiknuri, gjatë takimit për prezantimin e projektit për modelin e ri të adresave u shpreh se, projekti do të ndihmojë në rritjen e eficencës së OSHEE, dhe sipas tij çdo qytetari do t’i jepet përgjigje në kohë për ankesat e tyre.
Artistët me NIPT më vete në dasma e koncerte
Shqipëria është ndër të paktët vende ku artistët nuk tatohen për fitimet që realizojnë edhe pse ligji ua njeh këtë detyrim. Shuma marramendëse që artikulohen nga vetë ata e që arrijnë në mijëra euro qoftë edhe në një natë të vetme (kryesisht këngëtarët) e për të cilat nuk paguhet asnjë taksë.
Administrata tatimore duket se më në fund po angazhohet që t’i japë fund evazionit fiskal në këtë industri.
Si hap të parë ajo ka nisur me njoftimin kundrejt këtyre individëve apo subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e artit që të bëjnë vetëdeklarimet dhe të paguhen detyrimet përkatëse sipas ligjit.
Sipas tatimeve nëse detyrimet nuk përmbushen atëherë do të jenë strukturat hetimore ato që do të nisin kontrollet dhe verifikimet për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve.
Në njoftimin e saj administrata tatimore sqaron se:
“Në vijim të përpjekjeve të administratës tatimore për të formalizuar biznesin dhe shmangur evazionin fiskal, duke mundësuar që çdo veprimtari ekonomike, e cila sipas nenit 6 të Ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, duhet të bëhet i identifikueshëm duke u regjistruar e pajisur me numrin unik të identifikimit (NIPT) apo të deklarojë të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në nenet 8, 13 dhe 16 të Ligjit, nr. 8438, datë 28.12.1998 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ i ndryshuar, si dhe nenit 10 të Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 ‘Për taksat vendore’, i ndryshuar dhe të kryejë shlyerjen e detyrimit mbi të ardhurat, sigurimin e punonjësve etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesioneve të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese, të cilët janë objekt i këtij ligji, që të paraqiten pranë organeve tatimore për formalizimin e aktivitetit të tyre dhe shlyerjen e detyrimeve të mësipërme.
Administrata tatimore ka konstatuar së fundmi se një pjesë e mirë e këtij sektori, që janë subjekt i Ligjit nr. 35/2016 ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to’ i është përgjigjur thirrjes së saj në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre në funksion të zhvillimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe është e gatshme të këshillojë në çdo kohë, të gjitha entet apo individët, të cilët dëshirojnë të formalizohen dhe të kontribuojnë në procesin e luftës ndaj evazionit fiskal.
Përpjekja për të ndaluar njëherë e mirë evazionin fiskal e ndërmarrë në vijimësi nga organet tatimore shtrihet në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, përfshi edhe ekonominë e artit dhe atë të industrisë krijuese. Muzika, artet pamore, publiciteti, krijimet audio vizive komerciale si pjesë themelore e ekonomisë së artit dhe objekt i konsumit të përditshëm të qytetarëve, kanë qenë dhe do të mbeten në fokusin e administratës tatimore paralelisht me çdo veprimtari tjetër ekonomike”, bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Pa votimin elektronik, zgjedhjet të papranueshme
Nga Kastriot Islami
Nga të gjithë raportet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke filluar me zgjedhjet e 2013 dhe vijuar me zgjedhjet e pjesshme në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015, në zgjedhjet në Dibër dhe Kolonjë, pra në të gjithë zgjedhjet kur Rama ka qenë në pushtet janë evidentuar problemet e mëposhtme: i) Blerja e votës me paratë e korrupsionit, krimit, kanabisit të ofruara nga politikanë të korruptuar, biznesmenë me pasuri të dyshimtë të vendosur në marrëdhënie klienteliste me Ramën, manjatë të biznes-medias, individë me rekorde kriminale, rrjeti policor i kultivimit të kanabisit; ii) Kërcënimi i votuesve nga individët me rekorde të tmerrshme kriminale dhe bandat lokale të drejtuara prej tyre e të mbrojtura nga rrjeti policor; iii) Përdorimi i favoreve administrative të tilla si ofertë vende pune të përkohshme dhe dhënie e pamerituar e asistencës sociale në shkëmbim të votës; iv) Votimet e shumëfishta e familjare; v) Intimidimi i komisionerëve dhe deri në disa raste blerja e tyre; vi) Zhvatja e votave të partive të vogla gjatë numërimit; vii) Përdorimi i ID të falsifikuara duke votuar në emër të të vdekurve apo emigrantëve; viii) Financimi i fshehtë i fushatës në shuma marramendëse nga paratë e korrupsionit, krimit apo kanabisit; ix) Vendosja e medias nën kontroll pothuajse të plotë… e tjerë, e tjerë. Dukuria e re e testuar në zgjedhjet e pjesshme në Dibër; dhe manipulimi më i rrezikshëm është përdorimi i “kultivimit masiv të kanabisit” në drejtimin e rrjetit të policisë të drejtuar nga Sajmir Tahiri dhe të ideuara e monitoruar nga Edi Rama, në funksion të manipulimit në përmasa të mëdha të zgjedhjeve i) me joshje të votuesve ose ii) me kërcënimin e tyre, madje duke tentuar të arrihet një fitore nga Rilindja në përmasa deri 71 mandate duke eliminuar edhe LSI.
Paketa e propozuar nga opozita për zgjedhje të lira e të ndershme
Për shkak të evidentimit të të gjithë këtyre problemeve në të gjithë zgjedhjet kur Rama ka qenë kryeministër dhe të arrogancës së tij për të shpërfillur çdo kërkesë të opozitës, situata politike duket shumë e tensionuar, besimi politik është në nivelin më të ulët krahasuar me shumë vite më parë dhe qytetarët shprehen të pashpresë për zgjedhje të lira e të ndershme, madje duke gjetur zgjidhjen në shumë raste te emigrimi që ka arritur shifra historike. Në këto kushte opozita fillimisht bëri me dije një strategji të plotë të reformës zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por pas pengesave dhe zvarritjeve prej mëse 15 muajsh të Ramës, opozita ka propozuar një paketë minimale ndryshimesh në Kodin Zgjedhor për të mundësuar ngritjen e besimit politik në një nivel të pranueshëm dhe përcjellë mesazhe qytetarëve të pashpresë se zgjedhjet mund të jenë të lira e të ndershme. Kjo paketë mund të miratohet dhe zbatohet vetëm nëse mazhoranca ka vullnet politik dhe nëse ky vullnet do të ekzistonte do të kishte një shans që zgjedhjet të ishin minimalisht të pranueshme nga të gjithë aktorët. Në krye të kësaj pakete minimale është identifikimi biometrik/votimi e numërimi elektronik që zgjidh një seri problemesh, por mbi të gjitha do të ishte elementi bazë për të ndërtuar/ngritur besimin politik për zgjedhje të lira e të ndershme… Nëse kjo paketë nuk miratohet, gjasat më të mëdha janë që procesi dhe rezultati zgjedhor, pra Parlamenti të konsiderohen ilegjitimë nga qytetarët dhe aktorët politikë opozitarë. Dihet se çfarë do të ndodhte në këtë rast…
Standardi i zgjedhjeve më i rëndësishëm se data e zgjedhjeve
Zgjedhjet janë përcaktuar nga Presidenti për t’u zhvilluar më 18 qershor 2017; në këtë kuptim formal koha është një parametër i rëndësishëm dhe në një vështrim formal e panegociueshme… Por këtë radhë, për shumë arsye, gjykoj se këtë radhë cilësia e zgjedhjeve që lidhet me ndërtimin e besimit të qytetarët dhe te aktorët opozitarë, që do të përcaktohej ndër të tjera nga konsensusi mazhorancë-opozitë (siç ka ndodhur gjithnjë para të gjithë zgjedhjeve rezultati i të cilave është minimalisht pranuar nga aktorët kryesorë politikë (2005, 2013…) për të miratuar së bashku paketën minimale të ndryshimeve është shumë më i rëndësishëm se “koha apo afati i përcaktuar i zgjedhjeve”; pra koha do të ishte një element që do të vendosej pas standardit apo cilësisë së zgjedhjeve, pra në plan të dytë… Kjo nuk do të thotë aspak që opozita kërkon domosdoshmërisht shtyrje të zgjedhjeve sepse ajo beson se brenda 90-100 ditëve mund të miratohet e gjithë paketa dhe madje të implementohet edhe elementi më i diskutueshëm, pra një sistem elektronik i votimit. Dhe kjo do të ndodhte vetëm nëse do të kishte vullnet nga Rama për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Miratimi i reformës kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm
Duhet patur parasysh se si votimi elektronik ashtu edhe miratimi i paketës përbëjnë vetëm kushte të nevojshme, por jo të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme… sepse realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të varej fuqimisht edhe nga vullneti politik i Ramës për të i) larguar realisht të gjithë individët me rekorde kriminale; ii) mosfutjen në listën e deputetëve të biznesmenëve me pasuri të dyshimta të vendosur me leje ndërtimi, tendera publikë apo dhënie klienteliste koncesionesh; dhe iii) mbi të gjitha nga ndërprerja e përdorimit të kanabisit në funksion të zgjedhjeve dhe përdorimit të rrjetit policor në bashkëpunim me individët me rekorde kriminale dhe kultivimin e kanabisit. Mbi të gjitha do të insistoja në çështjen e përdorimit të kanabisit për manipulimin e zgjedhjeve sepse ky element do të nxirrte jashtë loje të gjithë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshi dhe votimin elektronik…
Më të varfër se Kosova, krahasohemi me Afrikën
Amerikanët shpenzojnë vetëm 6.4% të të ardhurave të tyre për ushqim, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Agrikulturën. Në përgjithësi, sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më e vogël është përqindja e të ardhurave që shpenzon për ushqim, siç tregon dhe harta e publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.
Vendet që shpenzojnë më pak
Janë vetëm dhjetë vende në botë që shpenzojnë më pak se 10% të të ardhurave të tyre për ushqim, katër prej të cilave janë në Europë; Mbretëria e Bashkuar është e treta me 8.2% të të ardhurave mujore, e ndjekur nga Zvicra me 8.7%, Irlanda shpenzon vetëm 9.6% dhe Austria 9.9%.
Katër vendet e tjera ndodhen në pjesën tjetër të botës. Amerikanët shpenzojnë të paktën 6.4%, Singapori është i dyti në listë për sa i përket shpenzimeve më të ulëta për ushqim krahasuar me të ardhurat në total, 6.7%. Kanadezët shpenzojnë rreth 9.1% të të ardhurave në ushqim, ndërsa australianët shpenzojnë 9.8%.
Vendet që shpenzojnë më shumë në botë
Nigeria shpenzon më shumë se gjysmën e të ardhurave për ushqim dhe janë nëntë vende të tjera që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim.
Katër prej të cilave janë në Afrikë, Nigeria 56.4%, Kenia 46.7%, Kameruni 45.6%, dhe Algjeria 42,5%. Katër të tjera janë në Azi, Kazakistani 43%, Filipinet 41.9%, Pakistani 40.9% dhe Azerbajxhani 40.1%. Guatemala është i vetmi vend në Amerikën e Jugut që ndodhet në listën dhe familjet shpenzojnë rreth 40.6% të të ardhurave për ushqime.
Shifrat nuk tregojnë se ushqimi është më i shtrenjtë në Nigeri se sa në SHBA. Në fakt, është e kundërta. Një amerikan mesatarisht shpenzon rreth 2,392 dollarë në vit për ushqim, një nigerian mesatarisht shpenzon gjysmën, 1,132 dollarë. Një banor i Kenias shpenzon 543 dollarë në vit për ushqim.
Megjithatë, mund të ketë diferenca të mëdha brenda vetë shtetit.
Në 25 vitet e kaluara, rreth 20% e familjeve në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë nga 28.8% në 42.6% në ushqim, krahasuar me normën 6.5-9.2% të shpenzuar nga familjet e pasura.
Shqipëria, më keq në rajon, krahasohet vetëm me Afrikën
Në raportin e Forumit Ekonomik Global mungojnë të dhënat për Shqipërinë dhe rajonin, por të dhënat përkatëse nga anketat e buxhetit të familjeve japin një panoramë se sa përqind të buxhetit shpenzojnë për ushqime familjet e rajonit.
Sipas INSTAT, në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës. Sipas Anketës së Fundit të Buxhetit të Familjeve, familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.
Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria e ka këtë peshë dukshëm më të lartë.
Sipas Zyrës Statistikore Shtetërore të Maqedonisë, familjet maqedonase shpenzojnë mesatarisht 33.7% të buxhetit për ushqime.
Në Mal të Zi, sipas Monstat, kjo peshë është 34.6%; në Bosnje-Hercegovinë është rreth 34%.
Familjet serbe, sipas zyrës kombëtare të statistikave shpenzojnë 37.7% të buxhetit për ushqime.
Më e lartë është kjo peshë për Kosovën, në 43%, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave.
Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të Eurostat, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.
Teksa vendi vijon të jetë një importues i madh neto i ushqimeve, në supermarketet shqiptare ndodh rëndom të gjesh produkte që janë edhe më të shtrenjta se supermarketet në Itali për shembull, ndërsa të ardhurat e familjeve shqiptare janë disa herë më të ulëta se ato italiane.
Thellohet konflikti mes Autoritetit të Konkurrencës e AMF për sigurimet
AMF kërkoi revokimin e pjesshëm të një vendimi të nëntorit të konkurrencës që i kërkonte Komisionit të Ekonomisë të ndërhynte në treg për zbatimin e sistemit Bonus Malus tek sigurimet, pasi AMF nuk po vepronte prej katër vitesh. Konkurrenca jo vetëm nuk pranoi, por i bën thirrje Komisionit të detyrojë AMF që të nxjerrë aktet e nevojshme ligjore…
Autoriteti i Konkurrencës nuk ka pranuar kërkesën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për revokimin e pjesshëm të vendimit të nëntorit të konkurrencës “Për masat dhe detyrime për ndërmarrjet e sigurimit dhe disa rekomandime për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare mbi rivendosjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta”.
AMF kërkoi revokimin e pikës II të vendimit, që i drejtohej Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i rekomandon atij (Komisionit) të detyrojë AMF për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (MTPL), nëpërmjet nxjerrjes së akteve nënligjore për zbatimin e plotë të sistemit Bonus/Malus për sigurimin e detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta, duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve dhe dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë për palët e siguruara që do të rriste ndjeshëm konkurrencën mes shoqërive të sigurimeve.
Në nëntor, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të detyrojë AMF për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, (MTPL), ku ndër më kryesoret ishte zbatimi i sistemit Bonus Malus (duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve).
Konkurrenca iu drejtua Kuvendit, pasi kishte konstatuar se pavarësisht vendimeve dhe udhëzimeve që Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë për rritjen e konkurrencës dhe rregullimin e tregut përgjatë viteve, nuk ka gjetur vullnetin për bashkëpunim të rregullatorit AMF, për vënien e tregut përkatës në kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Për shembull, për sistemin Bonus Malus, megjithëse kanë kaluar më shumë se 4 vite, nga dhënia e këtij vendimi (Vendimin nr. 247, datë 09.10.2012 “Për disa rekomandime ndaj AMF në tregun e sigurimeve të detyrueshme motorike ndaj palëve të treta”), situata në tregun përkatës është e njëjtë dhe sistemi Bonus/Malus nuk është bërë efektiv ende.
Kur do të fillojë zbatimi i Bonus Malus
Në shkresën nr. 2853/2 prot. të datës 23.12.2016 që AMF i drejton AK, ajo pranon që “[…] sistemi Bonus/Malus teknikisht do të fillojë të zbatohet menjëherë, pas hyrjes në fuqi të amendimeve të ligjit, por efektet e sistemit, do të vërehen, një vit pas hyrjes në fuqi të tij”.
Vënia në funksionim e këtij sistemi dhe rëndësia e tij në tregun përkatës, rezulton edhe nga vetë Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, datë 15.12.2016, “Për vlerësimin e veprimtarisë së AMF për vitin 2015”, ku ai (Kuvendi) i ka kërkuar AMF të angazhohet midis të tjerave, edhe në këtë drejtim:
– Të verifikohet algoritmi i serverit dhe sistemi i IT, në lidhje me sistemin e shitjes së gjithë tregut, në përdorim të brokerit, i cili tregton TPL, kartonin jeshil dhe kufitaren, për të siguruar konkurrencë të lirë dhe pa pengesa për shkak të këtij algoritmi;
Dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë për palët e siguruara;
Në lidhje me rekomandimin e dytë germa (b) e pikës II të Vendimit Nr. 443, datë për dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë, Autoriteti i Konkurrencës argumenton, se AMF-ja pavarësisht nga sa sanksionohet në nenin 11 të Ligjit Nr. 10076, datë 12.02.2009 “Mbi sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” dhe respektimi i këtij rregulli i është rekomanduar në të njëjtën kohë edhe AMF me vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 325, datë 30.07.2014 “Për disa rekomandime ndaj AMF për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta”, në projektligjin e propozuar, prej saj, ajo (AMF) e ka parashikuar dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë vetëm për dëme në vlerë modeste deri në 100.000 lekë.
Autoriteti i Konkurrencës, argumenton se nga procesi hetimor, që ai ka realizuar në këtë treg, ka rezultuar se kanë qenë vetë shoqëritë e sigurimeve, të cilat kanë marrë përsipër angazhimin për sigurimin e drejtpërdrejtë për pagesën e dëmeve të kryhet nga ana e shoqërive ku është siguruar mjeti motorik, konform rregullimit të parashikuar shprehimisht në nenin 11 të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Ky angazhim i ndërmarrjeve është marrë parasysh nga ana e Komisionit të Konkurrencës, edhe në Vendimin Nr. 324, datë 30.07.2014 “Për marrjen e masave dhe detyrimeve nga ana e shoqërive të sigurimit për rikthimin e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta” në të cilin trajtimi i drejtpërdrejtë i dëmit është rekomanduar për të gjitha dëmet pavarësisht nga vlerat e dëmeve.
Konkurrenca, jo vetëm nuk pranon kërkesën e AMF, por ngul këmbë për zbatimin e rekomandimeve të saj.
Në vendimin e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka risjellë në vëmendje të rekomandimeve për Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që të detyrojë AMF, për vitin 2017 të nxjerrë aktet e mëposhtme nënligjore, në lidhje me:
Zbatimin e plotë të sistemit Bonus/Malus për sigurimin e detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve, për të siguruar konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, ashtu siç e kërkon rezoluta e Kuvendit, datë 15.12.2016 “Për veprimtarinë e AMF për vitin 2015”.
Dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë për palët e siguruara, për të gjitha dëmet, në funksion të përmbushjes së kërkesave të nenit 11 të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Mbi sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si një zgjidhje që do të rriste ndjeshëm konkurrencën mes shoqërive të sigurimeve.
Lunacek: Dialogu, në fund, do të thotë njohje e Kosovës
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e këtij institucioni për Kosovën, Ulrike Lunacek, tha se shumica në Serbi është e vetëdijshme se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. “Persepktiva e Serbisë dhe e Kosovës për mua është e qartë: pajtimi në rajon dhe integrimi në BE”, tha Lunacek për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. “Normalizim do të thotë se çdo gjë, për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet, pa përjashtim. Këtë duhet ta bëjnë të dyja palët dhe jo të presin njëra-tjetrën”. “Shumica e njerëzve në Serbi e di se Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë. Edhe Qeveria e Serbisë e di – edhe pse anëtarët e saj përpiqen ta injorojnë këtë fakt – se Bashkimi Evropian, pas Qipros, nuk do të pranojë edhe një vend, kufijtë e të cilit nuk janë të definuar qartë”, tha Lunacek. Ajo po ashtu tha se është optimiste se dialogu do t’i mundësojë Serbisë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe se kjo, në fund, do të thotë pranim. Ndërkohë të mërkurën, më 1 shkurt, në Bruksel do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë në nivelin më të lartë, thonë medie serbe duke u thirrur në burime nga Qeveria e Serbisë. Sipas këtyre burimeve, transmeton Koha.net, delegacionin e Serbisë do ta udhëheqë kryeministri Vuçiç e kryetari Tomislav Nikoliç, ndërsa atë të Kosovës kryetari Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa. Takimi i fundit në nivelin më të lartë ndërmjet dy vendeve është mbajtur në javën e shkuar. Dje ishte njoftuar se në Bruksel do të takohen kryeministra Mustafa e Vuçiç. Në fundjavë kryetari Thaçi bisedoi me kryeministrin Vuçiç për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka treguar se çfarë do të bisedohet në takimin e radhësh në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë, që pritet të zhvillohet me një shkurt. Tahiri ka thënë se pos temave siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, këtë herë do të diskutohet thellësisht edhe për përmbylljen e dialogut që do pasonte me njohje të Kosovës nga Serbia. “Fokusi për fazën përmbyllëse të dialogut do jetë një temë e rëndësishme në takimin e radhës në nivelin e lartë politikë, për të përmbyllur këtë proces me njohjen reciproke mes dy shteteve”, ka thënë Tahiri për Klan Kosovën. “Në këtë kontekst, vlerësoj edhe angazhimet e Qeverisë amerikane, ku administrate e re e shtetit rikonfirmoi përkrahjen për Kosovën, sidomos deklarata e sekretarit të mbrojtjes amerikane Mattis ishte shumë e qartë për Kosovën dhe për dialogun e Brukselit”. Tahiri ka thënë, po ashtu se pret “që ky takim të kontribuoj për zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se palët të zotohen për zbatimin efektiv dhe pa vonesë të marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, sidomos marrëveshja për energjinë, drejtësinë dhe asociacionin”.
Në pamundësi të formimit të ushtrisë, Kosova do fuqizojë FSK-në
Në pamundësi që të krijojë Forcat e Armatosura, Kosova po synon të fuqizojë me kompetenca shtesë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) e cila ishte formuar si tranzicion mes një force të emergjencave kah një forcë ushtarake apo e armatosur. Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës aktualisht është bërë i pamundur për shkak të nevojës për ndryshimin e Kushtteutës. Ky ndryshim, nuk mund të bëhet pa mbësjhtetjen dhe votat e deputetëve serb, të cilët janë deklaruar se nuk e shohin si moment të përshtatshëm diskutimin për ushtrinë e Kosovës në këtë fazë. Andaj, si rrugë alternative për fuqizimin e strukturave mbrojtëse, deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, konsiderojnë se FSK-ja duhet të ketë kompetenca shtesë. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi tha se FSK-ja me ndryshimin e Ligjit për të, mund të arrijë disa ndryshime në mandatin që ka dhe të marr detyra të reja. Ai thotë se me ndryshimin e ligjit do të vijë mundësia substanciale e ngritjes së kapaciteteve tjera të FSK-së. “Me ndryshimin e Ligjit për FSK-në, pa e ndryshuar Kushtetutën, jepet mundësia që me ligj, me shumicën e thjesht të votave të deputeteve, të bëhen plotësim-ndryshimet për kompetenca shtesë për FSK-në”, tha Ibishi. Aktualisht, procesi i themelimit të Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.