Vendimi
Kreu i qeverisë ka firmosur përfundimisht shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Manjani duke injoruar direkt Metën, i cili e kishte vendosur në atë post vetëm pak muaj më parë. Rama ka shkuar edhe më larg duke marrë atributet e drejtuesit të LSI, pasi po ai ka propozuar për postin e ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasilin.
Zyrtare, Rama shkarkon Manjanin si Ministër Drejtësie, injoron Metën
Rama është mbrojtësi i Balilit
Sali BERISHA
Të dashur miq, mediat informojnë se kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka mbledhur me urgjencë grupin e tij parlamentar me kërkesën më të çuditshme që njeriu mund të dëgjojë në historinë e një mazhorance parlamentare. Ai iu ka kërkuar me urgjencë deputetëve të LSI, pjesë e mazhorancës qeverisëse, të kenë kujdes me makinat se policia do ju vendosë drogë, ndërkohë që me ligj policia nuk kontrollon makinën e deputetit. Kështu që duhet pranuar se, ose Petrit Vasili vuan nga mani e tmerrshme e persekutimit, shenja që ai nuk i ka shfaqur kurrë, ose Edi Rama do me çdo kusht të lidhë Ilir Metën dhe LSI me drogën.
Ky vendim in ekstremis i Edi Ramës është paraprirë nga përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për t’i faturuar Ilir Metës, Eskobarin e Ballkanit. Muaj më parë sapo doli emri i Eskobarit, Rama jo vetëm përhapi fotot e inaugurimit të Santa Quaranta ku ishte i pranishëm Ilir Meta, por ai informoi Trupin Diplomatik dhe mediat se Klement Balili, sipas të dhënave të sigurta të policisë mbrohet nga Ilir Meta madje edhe fshihet prej tij, çka vështirësinë e bën pothuaj të pamundur arrestimin e tij. Por shpejt, ky variant i mbijetesës së Balilit të fshehur nga Meta, ju kthye Ramës në bumerang. Kjo sepse në rast se Meta pengonte arrestimin e Balilit do të thotë që Rama për hir të qeverisjes nuk arrestonte Balilin, kështu që aleanca ishte e tëra në kurriz të Balilit. Përveç kësaj, Meta vet nuk kishte asnjë fuqi ekzekutive mbi policinë as ta pengonte dhe as ta urdhëronte, kështu që ishte e qartë se Balili mbrohej direkt nga Edi Rama për të akuzuar Metën ose për të ndarë me të vet dhe familjarët e tij milionat e eurove të krimit. Shtoj këtu se, për të larë duart me arrestimin e Balilit, muajin e fundit, Rama me Fugën e tij hapi llafin se ai ia ka besuar FBI-së arrestimin e Eskobarit, duke menduar se u çlirua nga akuzat që rëndonin mbi të për mos arrestimin e tij.
Lëvizja e fundit e Metës për t’i kërkuar Presidentit të Republikës mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sado që kishte edhe qëllime personale, ishte plotësisht e justifikuar, pasi Eskobari i Ballkanit, i bërë problem ndërkombëtar, jo që nuk po arrestohej, por përkundrazi po përdorej për alibira dhe qëllime politike dhe lëshonte një hije të zezë mbi vendin tonë. Me këtë rast përshëndes vendimin e presidentit për të thirrur për herë të dytë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të Europës. Dhe natyrisht, thirrja herën e dytë për qëndrimin e qeverisë ndaj Klement Balilit, i shpallur nga agjensitë ndërkombëtare të luftës kundër drogës si Eskobari jo i Shqipërisë, por i Ballkanit është plotësisht e domosdoshme.
Në këto kushte, në një akt hakmarrje të verbër, kreu i qeverisë/ i drejtësisë/ i policisë, Edi Rama ka urdhëruar në një akt ekstrem policinë për vendosje droge në makinat e deputetëve të LSI, anëtarë të mazhorancës së qelbësirave! Të gjitha këto dëshmojnë kurthe, intriga, sulme, banale, vulgare, ndërqeveritare të mazhorancës së aleancës së qelbësirave, por dëshmojnë para së gjithash se mbi çfarë amoraliteti ekstrem qendron qeverisja e këtij vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar i BE!
Po ndahen dhe shqyhen mes vedit!
Oerd BYLYKBASHI
Si i thone llafit, “plasi në Kuçovë”! Po na dalin këta të LSI tani dhe gjoja po u tregojnë munxet aleatëve socialistë! I akuzojnë për korrupsion, për trafiqet e drogës, për blerjen dhe vjedhjen e votave, për abuzim me policinë, për shkatërrimin urban nëpërmjet betonit, për mjekësine e shpartalluar e të vjedhur, për varfërinë, të pastrehët dhe papunësinë, e ku di çfarë tjetër!
Ndërkohe Rama u thotë: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Ja si shqyhen tani!
Po kush i mbajti këta hajdutë në pushtet? Po ku ishin deri para një jave, një muaji, gjashtë muajsh, një viti, para dy vjetësh a më herët akoma kur këto akuza i ngriti me prova PD dhe këta ose heshtën ose votuan së bashku dhe më pas ndanë paratë dhe pushtetin, përzunë bashkarisht njerëz nga administrata etj? Kur mbreti është i keq, edhe ai qe e mban në karrige është po aq.
Madje LSI kanë filluar sulmin kundër PS edhe në Durrës! Dako i korruptuar, po mbulon me beton qytetin, se sheshi para Bashkisë ishte skandal, se policia është pjesë e trafiqeve të drogës në majat e saj, se krimi ka kapur Dakon dhe qytetin etj!
Po kur i thonim ne gjatë gjithë këtyre viteve pse nuk dolën të na mbështetnim nëse na qenkan kaq parimorë? Kur prishen pazaret dhe fillon shahesh, nuk ka vlerë asgjë sepse të gjithë e kuptojnë se është qaravitje për pazaret e prishura. Po ashtu nuk ka asgjë parimore të presësh prillin për të bërë parimorin! Të thuash të vërtetën nuk të bën automatikisht të jesh i vërtetë!
Po sikur të ishte kaq, hajde de. Nese ajo Vela e betonit e Dakos që kushton 6 milion USD e që do mbulojë murin antik dhe do i zërë frymen Torres Veneciane, kur me ato para zgjidheshin halle të përditshme të durrsakeve, kur fondet e buxhetit shkojnë vetëm për betonizim të qendrës së Durrësit por asgjë për hallexhinjte qe vdesin ne te ftohte, per te pastrehet, per banoret e ishkomunave qe permbyten por kanalet nuk u pastrohen, kur asgjë nuk investohet për plehrat që digjen në qiell të hapur dhe që helmojnë ajrin e durrsakëve, etj, pse LSI miratoi buxhetin e Dakos? Sa vlejnë këto akuza një javë pasi mbyllen pazaret se si do ndahen paratë e buxhetit të durrsakëve?
Këta të kësaj mazhorance mos i dinë durrsaket apo shqiptarët në përgjithësi se janë dele apo si është puna? Na paskan hallin se kush do dali i pari, PS apo LSI se nuk duan t’ia dinë për PD. Të presin. Cdo vepër korrupsioni që kanë bërë e ka të gjatë afatin e parashkrimit të ndjekjes penale! Edhe po t’ia mbathin ne Bahamas apo ishujt Kayman, prangat në Rinas i presin!
E kam thënë herë tjetër: me bukë në trajse do u ngjitemi nga pas dhe të shohin si do t’u shkoje halli! Edhe krimineleve qe i mbështesin, edhe atyre maskarenjve drejtorë që kanë vënë si rreshterë për të blerë vota dhe karta identiteti! Edhe oficereve të policisë që i mbeshtesin në trafiqet e drogës!
Per kauzën tonë morëm mbështetje të plotë në EPP në Bruksel dhe në Bundestag dhe CDU ne Berlin.
Koha e palaçollëqeve ka marrë fund! Të presin se do ta shohin shpejt!
A do të arrestojë FBI, Ramën? Kërkohet dëshmia e Dritan Priftit
Burime për Syri.net bëjnë me dije se Dritan Prifti, ish-zyrtari i lartë i LSI-së dhe ministër në qeverinë Berisha-Meta është thirrur për të dëshmuar nga FBI.
Dëshmia ka të bëjë pikërisht me hetimin dhe procesin që po zhvillohet ndaj shqiptaro-amerikanit Bilal Shehu. Këto burime bëjnë me dije se qytetari grek që ka paguar, duke shkelur ligjin amerikan për foton në fjalë, pretendon se ndërmjetësi mes Bilal Shehut, tij dhe Ramës është pikërisht Dritan Prifti. Burimi thotë se dëshmia do të merret ose në Itali ose në SHBA.
Kohë më parë disa media greke, por edhe amerikane raportuan pikërisht për ndërmjetësimin që ish-ministri Prifti kishte bërë në USA me lidhjet e tij. Ky mendohet të jetë një zhvillim mjaft delikat për kryeministrin Rama, pasi Dritan Prifti sigurisht që deponimin do ta bëjë korrekt.
Nuk bëhet fjalë për institucionet shqiptare, por për ato amerikane. Më konkretisht për FBI. Në ditët në vazhdim do të tentojmë të kemi një intervistë me vetë zotin Prifti…
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar detajet e plotat të hetimit që ka të bëjë fondet e paligjshme që janë injektuar në fushatën e elektorale të Obamës gjatë vitit 2012.
Rasti i shqiptaro-amerikanit që ka marrë para nga Edi Rama dhe i ka injektuar ato në fushatën e Obamës, vetëm e vetëm që ish- lideri i opozitës të bënte një foto me Presidentin e SHBA-ve është tashmë zyrtarisht një hetim zyrtar i FBI-së.
Sipas deklaratës së publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, rezulton se Bilal Shehu e ka treguar burimin e parave të paligjshme që ka injektuar në fushatën e Obamës dhe qëllimin pse është bërë kontributi 80 mijë dollarë:
“në përpjekje për të siguruar një hyrje një event për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj, të cilit i ishte ndaluar hyrja, por që iu mundësua atij një foto me Presidentin”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Lexoni të plotë deklaratën zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë
Linku i faqjes zyrtare (https://www.justice.gov/opa/pr/new-jersey-man-pleads-guilty-helping-disguise-foreign-contributions-during-2012-presidential)
Një njeri në Nju Xhersi u shpall fajtor pasi ka ndihmuar në mbledhjen e kontributeve të huaja përgjatë fushatës presidenciale të vitit 2012.
Një burrë në Paramus Nju Xhersi u shpall fajtor gjatë ditës, pasi ka ndihmuar në injektojë 80 mijë dollarë kontribute prej një burimi të huaj në fushatën e mbledhjes së fondeve për Presidentin e SHBA-ve gjatë zgjedhjeve të vitit 2012 bën me dije Asistenti Ligjor i Prokurorit të Përgjithshëm Leslie R. Caldwell nga Departamenti i Divizionit Kriminal dhe Prokurori Amerikan Paul J. Fishman i Ditsriktit të Nju Xhersit.
Bilal Shehu 48 vjeç u deklarua fajtor përpara Gjykatësit Madeline Cox Arleo e Distriktit të Nju Xhersit sipas një informacioni që akuzon atë se me vetëdije dhe nismë personale ka derdhur kontribute të huaja që kanë të bëjnë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 të pëmbledhuar në 25 mijë dollarë ose me shumë në një vit kalendarik. Vendimi do të jepet në 5 tetor, 2016.
Në bazë të deklarimeve të tij, Shehu një qytetar amerikan që jeton në Nju Xhersi pranoi se në shtator të vitit 2012, ai kishte marrë përafërsisht 80 mijë dollarë nga një burim i huaj dhe i kishte derdhur ato në një komitet mbledhje fondesh dhe në këmbim kishte arritur të siguronte autorizimin e komitetit të fushatës së presidentit në përpjekje për të fshehur origjinën e vërtetë të parave dhe e gjitha kjo me qëllim që një shtetas i huaj të mund të ishte i pranishëm në një takim elektoral që do të zhvillohej në San Fransisko në 8 tetor 2012.
Ligjet federale e ndalojnë kategorikisht që shtetas të huaj të derdhin kontribute në fushatat elektorale të kandidatëve federalë.
Më herët gjatë shtatorit, Shehu kishte marrë në llogarinë e tij bankare një shumë pre 80 mijë dollarësh që vinin nga një llogari bankare e huaj.
Foto Rama-Obama e paguar 80 mijë dollarë, aferë për të cilën shqiptaro-amerikani Bilal Shehu do të përfundojë në burg
do t’i derdhte ato para në fushatën elektorale, siç vetë ai e pranoi.
Shehu pranon se më herët gjatë tetorit 2012 kishte fluturuar në San Fransisko në përpjekje për të siguruar një hyrje një event për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj, të cilit i ishte ndaluar hyrja, por që iu mundësua atij një foto me Presidentin.
Askush prej komitetit të mbledhjes së fondeve është akuzuar për shkelje sa i takon funksionimit të komitetit të mbledhjes së fondeve dhe ata janë angazhuar për të bashkëpunuar maksimalisht në hetimin që ka të bëjë me të akuzuarin.
FBI-ja e ka hetuar këtë rast. Prokurorët Charles Walsh dhe Peter Halpern i Divizionit të Krimeve dhe Seksionit të Integritetit Publik si dhe Asistenti i Prokurorit Mark J. McCarren i Distriktit të Nju Xhersit janë ata që po hetojnë çështjen.
Balili pret që të kapë drejtësinë Rama dhe pastaj të dorëzohet
Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” po pret që Rama të kapë drejtësinë dhe pastaj të dorëzohet. Këtë sinjal e dha dje bashkëshortja e tij, e cila u shpreh për mediat se, Balili do vijojë të qëndrojë i fshehur dhe do të dorëzohet vetëm kur të vendost vettingu. “Do të dorëzohet, kur të vendoset vettingu, sepse drejtësia jonë është e korruptuar, ai nuk ka sesi të dorëzohet”, u shpreh bashkëshortja e Balilit.
Duket qartë se bashkëshortja e Balilit ka folur me gjuhën e Ramës. Balili u shpall në kërkim nga Interpoli që në 17 maj të vitit 2016 për trafik ndërkombëtar droge, por u la i lirë me urdhër të Ramës. “Eskobari i Ballkanit” shëtiste i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush. Balili ishte shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane, si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në vendet e BE.
Ai ishte emëruar nga Rama drejtor i Transportit Rrugor Sarandë për dy vjet e gjysëm, deri kur në fillim të muajit maj u kap në Greqi ngarkesa e tij prej 700 kg kanabis dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Duke pasur këtë funksion të lartë shtetëror, Balili e kishte më të lehtë për të zhvilluar trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore, pa patur asnjë problem nga policia shqiptare.
Balili shoqërohej me zyrtarë të lartë
Ndonëse ishte në kërkim, Balili jo vetëm që lëvizte lirshëm, por ai shoqërohej nga zyrtarë të lartë dhe oficerë policie, të cilët kishin për detyrë ta denonconin dhe ta arrestonin si një person të kërkuar për aktivitet kriminal. Në shtator të vitit të kaluar, Balili u fotografua duke festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë. Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që më parë e mbante vetë Klement Balili, përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke, si kreu i një bande që trafikonte drogë në vendet e BE. Gjatë gjithë kohës, ai ka qenë i ulur në tavolinën e dasmës bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi, që mban edhe postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër.
Në muajin tetor u publikua në media edhe një foto ku, “Eskobari i Ballkanit” shfaqej në strofkullën e tij me nipërit e tij, një prej të cilëve mbahej si peng për të siguruar transportin e drogës. Ish-kryeministri Berisha publikoi në rrjetin social Facebook bashkë me fotografinë edhe mesazhin e një qytetari, i cili e informonte se si Balili vazhdonte trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore nga shtëpia e tij në Sarandë, ndonëse ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Denis Balili zakonisht rri peng tek blerësit e drogës, deri në momentin kur transporti ka përfunduar”, shkruante qytetari nga Saranda. Pas publikimit të fotos dhe lajmit për vijimin e trafikut të drogës nga Klement Balili nuk pati asnjë reagim nga policia dhe as nga Ministria e Brendshme, ndërkohë Balili vazhdon i qetë trafikun e drogës.
Këto fakte vërtetojnë më së miri se Klement Balili, ashtu siç raportohej nga agjencitë ndërkombëtare të antidrogës, ka pasur mbështetje nga Rama dhe Tahiri, si gjatë aktivitetit të tij të dyshuar kriminal, ashtu edhe në mosveprimet për ndalimin e tij.
Pse nuk ka shpërblim nga policia për kapjen e Balilit?
Policia u vu në lëvizje për gjetjen e Balilit pas deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili u shpreh se policia ka dështuar në arrestimin e Klement Balilit. Edhe pas kësaj deklarate nuk pati seriozitet nga policia për arrestimin e shumë të kërkuarit. Policia nuk vuri në dispozicion asnjë shpërblim për cilindo person që do të informonte për vendndodhjen e Balilit, në një kohë që një gjë të tillë e ka bërë për persona që kërkoheshin për vjedhje dhe precedentë të tjerë të rëndomtë. Prej një kohe të gjatë, policia nuk ndërmori asnjë aksion për kapjen e Balilit, por e la në heshtje këtë çështje.
Klement Balili akuzohet për disa vepra penale, mes tyre “Trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, “Krijim e pjesëmarrje në grup kriminal”, “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”. Ai është cilësuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. Gjatë hetimeve të kryera nga DEA u zbulua se, rrjeti i trafikut të drejtuar nga Balili shtrihej në Greqi, Belgjikë, Bullgari, Spanjë, Holandë, Britani, Austri dhe Norvegji. Droga dërgohej me skafe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas prej andej shpërndahej në Europë me kamionë. Pak kohë më parë, autoritetet greke dorëzuan në Prokurorinë shqiptare një dosje voluminoze prej 10 mijë faqesh, për çështjen “Balili”.
Policia ndërhyri dje pas reagimit të Presidentit
Policia e Shtetit bëri të ditur dje se ka ndërmarrë një operacion kërkimi për arrestimin e Klement Balilit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet nga drejtësia greke si kreu i një organizate të fuqishme të narkotrafikut që vepronte në disa vende të Europës.
Operacioni i policisë për arrestimin e Balilit u ndërmor pas deklaratës së Presidentit Nishani se ai do të mblidhte Këshillin Kombëtar të Sigurisë për çështjen ‘Balili’. Thirrja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe mos arrestimi i Balilit prej rreth 8 muajash, pasi ai ishte shpallur në kërkim nga Interpoli, kanë vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, e cila ka dalë në terren për kapjen e tij.
Policia bëri të ditur se ka kontrolluar 10 banesa, mes tyre dhe atë të Klement Balilit dhe tre hotele, ndërsa ka shoqëruar 11 persona, mes tyre edhe djalin e Klement Balilit. Në një njoftim zyrtar, Policia informon se ka pasur urdhër të lëshuar nga Prokuroria e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për kontrollin e banesave të familjarëve të Balilit.
Ndërkohë, pas 10 orësh qëndrimi në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës janë lënë të lirë djali i Klement Balilit, sëbashku me 10 personat e tjerë që u shoqëruan nga policia. Jeton Balili së bashku me të afërm të tij, u shoqëruan pas kontrollit të policisë në banesat dhe objektet në pronësi të Klement Balilit dhe familjarëve të tij.
R.POLISI
Nepotizmi i Bushit në Bashkinë e Krujës
Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka urdhëruar pushimin nga puna për motive politike të 4 punonjësve në Stacionin e Mbrojtjes Kundër Zjarrit (PMNZSH) duke emëruar militantë dhe persona me precedentë penalë në kundërshtim me ligjin. Megjithëse në këtë institucion janë zbuluar shkelje të rënda nga Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik dhe është kërkuar që të merren masa nga kreu i Bashkisë, Bushi jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për përmirësimin e gjendjes, por e ka mbushur këtë institucion me militantë të PS dhe të paaftë. Bëhet e ditur se në këtë insitucion janë emëruar pesë punonjës me lidhje familjare vetëm pse janë militantë të PS dhe njerëz të afërt të Bushit.
Bushi për të realiziaur qëllimet e tij nepotike ka emëruar Komandant Stacioni të PMNZSH Altin Shullazin, në kundërshtim me ligjin. Sipas burimeve nga ky institucion, Shullazi jo vetëm që është mbi 35 vjeç, ndërsa ligji e parashikon moshën poshtë 35 vjeç, por nuk ka as diplomë të shkollës së mesme. Me kërkesën e punonjësve është ushtruar kontroll nga Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik, e cila me Shkresën Nr.7629/4 Prot 17.08.2016, parashikon se, “Nga verifikimi i dosjeve personale të punonjësve, kryer nga Drejtoria e PMNZSH-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë rezultuar parregullsi mbi pranimet në strukturat e PMNZSH-së për të cilat ka dhënë rekomandimet përkatëse për marrjen e masave.
Referuar Ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, neni 7, pika 3 Drejtoria ose sektori i shërbimit të MZSH-së është në varësi të kryetarit të Bashkisë.
Për sa më lart, lutemi zbatimin e rekomandimeve përkatëse për marrjen e masave në lidhje me mangësitë e konstatuara nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria e PMZSH-së dhe që rezultojnë ende të pazbatuara”. Ndërkohë është vënë në dijeni edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Shullazi sapo është emëruar si komandat i Stacionit të PMNZSH ka pushuar nga puna katwr punonjës ndonëse ata ishin punësuar brenda kritereve. Bëhet e ditur se pushimi i tyre nga puna është bërë për motive politike
Është liruar nga detyra Fadil Llani, themelues i PMNZSH Krujë. Motivacioni i largimit nga detyra performancë e dobët (masë disiplinore). Ka ezauruar rrugën gjyqësore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur në favor të tij.
Ardian Karaj, lirim nga detyra me motivacionin e mospërmbushjes së kritereve ligjore (mbi 35 vjeç). Ka ezauruar rrugën gjyqësore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur në favor të tij.
Gëzim Pani, lirim nga detyra me motivacionin e mospërmbushjes së kritereve ligjore (mbi 35 vjeç). Ka ezauruar rrugën gjyqësore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur në favor të tij.
Sapo mori detyrën e komandantit të Stacionit të PMNZSH, Shullazi e mbushi këtë institucion me njerëz të fisit të tij dhe njerëz të një familjeje.
Eduard Tupi, militant i Partisë Socialiste, vëllai i Aliut. Ali Tupi, militant i Partisë Socialistë dhe vëlla i Eduardit, emëruar në kundërshtim me Ligjin (38 vjeç) dhe pa gjimnaz.
Ardian Hyka, dhëndër i Eduardit dhe Aliut, emëruar në kundërshtim me Ligjin (49 vjeç). Bujar Citozi, daja. Fatbardh Daci, baxhanak, emëruar në kundërshtim me Ligjin (50 vjeç).
Po ashtu është punësuar edhe Roland Mallkuci, i cili ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata për shkaktim të aksidentit në punë. Rikthyer në detyrë.
760 kg drogë e nisur me motoskaf nga Vlora sekuestrohen në Leçe
Një motoskaf me 760 kilogram marijuanë, dy persona nga Brindizi dhe një qytetar me kombësi shqiptare janë kapur në brigjet e San Cataldos nga forcat e Guardia di Financas. Në burg kanë përfunduar Oliviero Ferraro, 47 vjeç dhe Lazzaro di Lauro, 58 vjeç, së bashku me Admir Quacaj, 31 vjeç nga Vlora. Policia shqiptare bëri të ditur mbrëmjen e të premtes se ka bashkëpunuar me Guarda di Finanza për zhvillimin e operacionit për kapjen e skafit me drogë të nisur nga Vlora, por Guarda di Finanza nuk e përmend në asnjë rresht bashkëpunimin me policinë shqiptare.
Operacioni është kryer gjatë mbasdites së të premtes. Që të tre, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Leçes, i cili është kompetent për këtë territor, u arrestuan për posedim dhe trafikim ndërkombëtar droge dhe u dërguan në burg në pritje të seancës gjyqësore përpara trupit gjykues në prani të mbrojtësve Daniela d’Amuri e Giovanni Brigante.
Mediat italiane shkruajnë se, operacioni u krye nga Njësitë e Departamentit të Operacioneve Aerodetare të Policisë Financiare të Barit dhe Grupit Aerodetar të Guardia di Financës së Tarantos, e cila kryen shërbimet e qendrës së koordinimit lokal FRONTEX për operacionin “Triton”, i dërguar drejt motoskafit të dyshuar për ta kontrolluar atë, sapo ai është zbuluar.
Të kapur në flagrancë në mes të ditës, ekuipazhi i skafit vendosi që të arratiset dhe për të fituar shpejtësi më të madhe hoqi qafe pjesë të ngarkesës, duke e hedhur në det. Gjithçka e padobishme, pasi pas një ndjekjeje të shkurtër dhe intensive të kryer nga ajri dhe me Njësitë Detare të Financës e gjitha përfundoi me lënien e motoskafit rreth 20 milje në brigjet e San Cataldo.
Mjeti lundrues i përdorur për transportin e drogës, 8 metra i gjatë, me një motor të fuqishëm jashtë bordit me 225 kuaj fuqi, u shoqërua deri në Marinën e Seksionit të Operacioneve të Policisë Financiare të Otrantos dhe u sekuestrua. Menjëherë kanë nisur hetime më të thelluara në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe Grupin e Kufirit Detar të Guardia di Financës të vendosur në Durrës, për të gjetur grupin kriminal të përfshirë në trafikim.
I kalon 5 tonelatat e marijuanës në sasi totale nga Guardia di Finanza në Pulia në këto javët e para të 2017, duke i shtuar edhe 20 tonë të konfiskuara në vitin 2016. Por pikërisht shpeshtësia e këtyre operacioneve tregon përmasat kriminale të zhvillimit të krimit midis bregdetit shqiptar dhe atij të Pulias Jugore, e cila sfidon kontrollet e pajisjeve në det, e cila gjithashtu ka funksione edhe për të gjurmuar trafikun e klandestinëve.
Elementi i dytë që gjen konfirmim të mëtejshëm në shërbimin e kryer dje nga burimet aerodetare të Guardia di Financas, është përfshirja e plotë në narkotrafik që përdor ngushticën e Otrantos të pjesës së Brindisit, të përdorur nga klanet shqiptare që dërgojnë në Itali marijuanën e punuar në malet e Vlorës, ku fshatra të tërë janë të përfshirë në kultivimin e cannabis indica dhe përpunimin e mëvonshëm për të marrë marijuanë dhe hashash.
Pra, ka një kriminalitet, që pas më shumë se 15 vjetësh që nga shkatërrimi i ekipeve kontrabandiste midis Brindizit dhe Monopolit me “Operacionin pranverë”, rishfaqet gjithnjë e më i shumtë në rrugët e vjetra të Durrësit dhe Vlorës të përdorur për kontrabandën e cigareve, dhe – si është përmendur tashmë – edhe në rolin e partnerëve të mafias shqiptare. Në këtë kufi është hetuar prej kohësh, por sot kjo shtrirje e detit tërheq vëmendjen edhe për praninë në Kosovë dhe Shqipëri të enklavave fondamentaliste të lidhura me shkollat kuranore dhe xhamitë të lindura me financime të përbashkëta nga Turqia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Gjirit.
“Corriere Della Sera”: E vërteta e menaxherit të drogës, Guido Guidi
“E vërteta e menaxherit nga Milano. Kështu sillte drogën e trafikanteve”. Ky është titulli i “Corriere Della Sera” për pilotin italian Guido Guidi i cili dy ditë më parë u largua nga Tirana. Prej shtatorit ai ishte i ndaluar nga policia shqiptare pasi avioni me të cilin udhëtonte u rrëzua në Ishëm të Durrësit.
Fillimisht qëndronte i heshtur deri në mohim të akuzave, duke filluar nga 200 kilogramë marijuanë në avionin e tij të turizmit i cili për pak sa nuk u përplas ndërsa ulej në Ishëm pranë Durrësit. Por tashmë menaxheri Guido Andrea Guidi, 68 vjeç nuk hesht më. Rrëfim pas rrëfimi, duke vënë në alarm grupet shqiptare të trafikantëve, duke detyruar hetuesit shqiptarë ti merrnin pasaportën, duke e vendosur në mbrojtje për 24 orë në vend sekret për të evituar hakmarrjen apo dhe vrasjen e tij.
Guidi rrezikon shumë, dhe pse në të kaluarën ka pasur të tjera probleme me ligjin, si atëherë kur bëri marrëveshje për një incident ajror që shkaktoi vdekjen e dy pilotëve të kompanisë së tij të vogël ajrore. Më pas, ai do të lidhej me trafikantët e Ballkanit për të rregulluar problemet e tij ekonomike. Kontrata, nëse mund të quhet e tillë, parashikonte transportimin e drogës nga Shqipëria në Lombardi, dhe me destinacion final Milanon. Udhëtimet paguheshin nga 20 deri në 25 mijë euro. Ai duhej të fluturonte në lartësi të ulët për të evituar radarët, dhe do të ulej në dhjetëra aeroporte turizmi, por dhe në pista private të improvizuara në fshatra. E pikërisht këtu ai merrte ngarkesën me marijuanë nga trafikantët.
Çdo gjë ishte e lehtë, dhe kushti i vetëm ishte që të mos kapej. Incidenti në muajin shtator ndodhi në një zonë të izoluar, por që tregonte shumë për trafikantët se cilët mund të ishin ata, dhe Guidi sapo i kishte prishur maskimin. Agjentët e policisë prisnin mbërritjen e bashkëpunëtorëve të Guidit, ndërsa ky i fundit merrej në pyetje. E më pas ishte sistemuar në një hotel. Ndoshta menaxheri milanez ishte përpjekur të arratisej, por nuk kishte gjetur mbështetje, pasi bashkëpunëtorët e tij e kishin braktisur. E më pas shpresonte se do e kishin liruar dhe çështja kundër tij do të pushohej, por gjërat u përkeqësuan shumë shpejt dhe për shkak të gjetjes së një axhende në xhepat e tij, ku ishin shkruar emra të njohur dhe personazhe me influencë në jetën publike shqiptare.
Nga hoteli, Guidi mbahej i fshehur në kazermat e ushtrisë, por pozicioni i tij mbetej shumë delikat. Në momentin që Guidi gjen sigurinë tek hetuesit nis të flasë, duke dhënë informacione të vlefshme. Por përpara se të rikthehej në Itali do të kalonte dhe pak kohë, pasi hetuesit shqiptarë nuk kishin ndërmend ta lironin. Më pare, duhej të përfundonte hetimi, një nga shumë të tilla. Orët e fundit agjentë policie dhe karabinierë në Pulia, konfirmojnë mbërritjen sidomos në Salento të gomoneve të ngarkuara me drogë, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe detit të trazuar.
Skafistët nuk dinë të pushojnë, pasi kërkesat janë të shumta dhe ofertat e mira. Sipas të dhënave më të fundit të Gurdia di Finanza, të ardhurat që vijnë nga trafikimi i marijuanës përbëjnë ¼ e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë. Ka pasur kriminelë që u pasuruan me transportimin e emigrantëve në vitet e dëshpëruara të luftës civile në Shqipëri, e që tashmë kanë blerë shtëpi dhe hotele në Vlorë. Por pavarësisht jetës luksoze nuk i kanë rezistuar pasionit për krimin, duke u rikthyer në aktivitet, por kësaj here duke transportuar marijuanë. Një nga më aktivët, ka një epitet që i është dhënë për meritat e tij në këtë fushë: e quajnë “Çakalli”.
Shëndetësia falas e Ramës, Shqipëria pa insulina
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar mungesën e insulinës në farmacitë e vendit, por edhe nëse ka ajo shitet me mik. Denoncimi publik është pas mesazhit të dërguar nga një qytetar në adresë të ish-Kryeministrit. “Në farmacitë e Tiranës mungon insulina ose shitet me mik. Ndërkohëk në regjistrat e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore rezultojnë të shitura insulina sa për të gjithë Ballkanin! Beqja ndan me firmat paratë e rimbursimit të dhjetëra mijëra insulinave që nuk kanë ardhur dhe nuk janë shitur kurrë në Shqipëri. Ja çfarë shkruan qytetari dixhital”, shkruan Berisha në Facebook.
“Z.Berisha, mirëmëngjes, doja që të bënit një problem të këtyre ditëve të fundit publik. Ka mungesë insulinash nëpër farmaci. Ime më ka dy ditë pa insulinë. Po shiten ato pak sikur me qenë mall jashtëligjor. Ky është problem imediat nuk mund të rrijë një diabetik pa insulinë. Ju faleminderit”, shkruan qytetari.