19.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Ulja e temperaturave sjell reshje dëbore në veri të vendit

Rikthehen reshjet e borës në aksin Bogë-Theth në Shkodër.

Aktualisht nga moti i përkeqësuar në 24 orët e fundit ka një shtresë të hollë bore dhe për momentin rruga është e kalueshme për automjetet.

Aktualisht rruga e Thethit vijon që të jetë pa mirëmbajtje për shkak të anikimimit që kanë bërë firmat ndaj njëra-tjetrës.

Në orët në vazhdim në rast se bora ngrihet duke u kthyer në akull mund të sjellë vështirësi për automjetet që lëvizin në atë aks.

Përveç borës, në disa pjesë rruga e Thethit ka edhe rënie gurësh.

Pëllumbat e lirisë

Nga Azgan Haklaj

Një komb- një shtet!

Me dt 16-të maj të vitit 1999-të ranë në fushën e nderit dy personalitete të shquara të Kosovës dhe të Kombit Shqiptar, dy veprimtarë të shquar të çeshtjes kombëtare, që luftuan njëri me penë për bashkimin e trojeve etnike dhe tjetri me pushkë për shembien e kufijëve ndërshqiptarë, vendosur padrejtësisht mes tyre, Ukshin Hoti dhe Abaz Thaçi (Komandant Bjeshka).
Jetëshkrimi i Ukshin Hotit deshmon një veprimtari të dendur politike, patriotikike, kombëtare, akademike, diplomatike.
Për tre dekada denoncoj dhunën barbare të makinës shtetërore të sllavëve mbi popullin e Kosovës, mbrojti vlerat demokratike, formësoj mendimin politik, frymëzoi luftën për liri, kryengritjet për çlirimin kombëtar, bashkimin e trojeve etnike dhe krijimin e shtetit komb të shqiptarëve.
Profesori i filozofisë dhe i Drejtës Ndërkombëtare, disidenti, veprimtari i shquar i çeshtjes kombëtare, autori i veprave “Lufta e ftohtë”, “Bisedë mes hekurave të burgut”,”Filozofia politike e çeshtjes shqiptare,”ishte i pari që shkroi për demokracinë autentike.
Qysh në vitet 70-të Ukshin Hoti ka kundërshtuar fort regjimin jugosllav në Kosovë.
Në protestat e studentëve të vitit 1981 mbështeti kerkesat e tyre për shpalljen e Kosovës Republikë.
Për këtë përkrahje u arrestua dhe u denua 9 vite burg, të cilin e zbriti gjykata supreme në 3.5 vite në vitin 1984.
Patrioti i pathyeshëm i Kombit Shqiptar, filloi kështu kalvarin e gjatë ku u farkëtua për qëndresën epike, në burgjet e Prishtinës, Zagrebit, Lubjanës, Gjilanit.
Kështu nisi saga e profesorit, filozofit, që kishte më të shtrenjtë se gjithçka lirinë e Kosovës, iluministit që endërronte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet.
Për më shumë se tre dekada deviza e tij ishte “Një Komb – një Shtet”.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1985 vazhdoj papushim veprimtarë e tij kombëtare.
Në vitin 1992, në fshatin Brestovec, në Rahovec organizoj një homazh për viktimat e vrara nga policia serbe 2 vite më parë, ku pati përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe trupave policore kriminale të Jugosllavisë, e ku u plagosën shumë qytetarë.
Në vitin 1993 iu bashkua Partisë së Unitetit Kombëtar, UNKB-së, e cila kishte në program bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Kur pa se dhuna dhe represioni sllavë ndaj shqiptarëve po rritej Ukshin Hoti në një homazh për deshmorët e renë në demostrata, në vitin 1994 doli haptasi me idenë e krijimit të forcave të armatosura të Republikës së Kosovës.
Përsëri u arrestua dhe u denua me 55 ditë burg.
Po në ketë vit u denua 5 vjet burg të cilat i kaloi në burgjet e Nishit dhe Dubravës.
Parlamenti Europian kërkoi lirimin e tij në vitin 1998-të, por autoritetet jugosllave refuzuan kategorikisht.
Kësaj kërkese barbarët sllavë iu përgjigjen duke bombarduar fshatin e tij të lindjes Krushë e madhe, në vitin 1999-të.
Pas bombardimit forcat serbe hyjnë në shtepinë e tij, e bastisën dhe shkatërruan gjithçka.
Vellai i tij Ragipi u gjend i vdekur, rreth dy muaj me vonë, në një fshat tjetër, aty afër.
Edhe babai i tij u plagos në krah gjatë granatimeve serbe, në një fshat ku ishte strehuar.
Me 16-të maj të vitit 1999-të, kur i kishte ardhur dita e lirisë, autoritetet e burgut e nxorën në oborr gjoja per ta liruar, por gardianet e këtij burgu e rrëmbyen dhe e zhdukën pa gjurmë, në ditën e tij të lirisë dhe në agun e lirisë së Kosovës, që kishte sakrifikuar dhe endërruar tri dekada.
Keshtu u shua Volteri shqiptar në burgun e Dubravës ku tre ditë më vonë u masakruan qindra të burgosur nga makineria vrasëse e Millosheviçit.
Në të njëjtën ditë, me 16-të maj të vitit 1999-të ra në betejat e Koshares, Komandant “Bjeshka”, Abaz Thaçi.
Ai ra për të mbetur në pavdeksi, simbol i lirisë dhe shkuljes së piramidave e heqjes së kufijëve ndërshqiptarë.
Ra në Mekën dhe Jeruzalemin shqiptar, në rrasat e të cilës u nënshkra, me gjakun e deshmorëve, liria dardane.
I kam trajtuar hollësisht në një cikël shkrimesh kushtuar UÇK-së, betejave të saj në Koshare aktet heroike, luftën spartane, qëndresën homerike të dragojëve të lirisë që sakrifikuan jetën për çlirimin e Kosovës.
Cfardo që të them nuk mund ta përshkruaj më bukur veprën e Komandant “Bjeshkës”, Abaz Thaçit se vargjet e këngës interpretuar nga bilbili i Kosovës, Shkurte Fejza.
“Më mori në krah’ zogu i lirisë
Bashkë me frymën e pranverës
S’po di këngën si ta nis’
Si t’ja hap kujtimit derën”, apo vargjet lapidare të këngës së interpretuar me mjeshtëri nga kollosi Ilir Shaqiri :
“Si lahutë me këng’ kreshnike
Pushka maleve ushtonte
N’qiell t’Kosovës heroike
Si një pllumb shpirti flutronte
Jam Drenica zemrën sa bjeshka
Për Kosovë s’më dhimbet jeta
Abaz Thaçi emrin ma thonë
Jam vet’ balli me shqiponjë”.
O ju shqipe kah’ flutroni
Në Drenic’ kur të shkoni
Thujni nënës mos maj zi
Theva kufirin Shqipri- Shqipri”
Abaz Thaçi është dalluar në beteja si një ushtarak me profesionalizëm të lartë e heroizëm të rrallë.
Në çdo përvjetor të Luftës së Koshares, Qabes’ së lirisë dardane, simotër e betejave të termopileve dhe qerbelasë, në cdo përvjetor të çlirimit të Kosovës e pavarësisë së saj kujtohet dhe vepra sublime e Abaz Thaçit.
Kujtohet me pietet Ukshin Hoti që shkriu gjithçka të shtrenjtë për Atdheun.
Ai e dha lirinë e tij, jetën e vet dhe familjen.
Lavdi dallëndysheve të lirisë.
Lavdi deshmorëve të Kombit, shpirtërat e të cilëve fluturojnë si pëllumba mbi qiellin e Kosovës.
Lavdi.

Barcelona u shpall kampion dhe i hoqi tre trofe këtë sezon, Real Madrid i befason me veprimin e fundit

Barcelona u shpall kampione në Spanjë, pasi fitoi derbin me Espanjol. Rezultati 2 me 0 u dha matematikisht titullin, kur kanë mbetur dhe 2 javë për t’u luajtur pasi numërojnë 7 pikë më tepër.

 

Real Madrid ka vendosur të urojë klubin katalanas në rrjetet sociale. Një traditë që vazhdon mes klubesh, pavarësisht rivalitetit ndër vite.

Barça e dominoi Realin në të katërt përballjet e këtij edicioni. Të gjitha fitore duke i hequr Superkupën, Kupën e Mbretit dhe së fundmi titullin kampion.

28 herë e kanë fituar katalanasit titullin kampion në Spanjë. “Galaktikët” qëndrojnë të parët me 36 tituj.

Screenshot 2025-05-16 083357

 

I kërkuan të qëndronte në Vjenë, por pse refuzoi Mentor Xhemali! Si “gënjeu” këngëtari në ‘57: Në Shqipëri kam vilë, e makinë, jam i pasur!

Mentor Xhemali është një nga kolosët që themeluan TKOBAP. Ai lindi më 12 maj të vitit 1924. Një nga ikonat e muzikës operistike shqiptare. Mentor Xhemali, Artist i Popullit, do të mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal. Ai mbetet një nga basët më të mëdhenj, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare.

 

Ndër interpretimet e tij mbresëlënëse në opera veçohen rolet në operat: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, “Berberi i Seviljes’, “Aleko”, “Eugjen Onjegin”, e shumë role të tjera të spikatura. Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë atdheut ka qenë e shumtë dhe mbresëlënëse si në: ish-Jugosllavi, ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari, Austri, Finlandë, Kubë, Turqi, Kinë, etj. Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet kënga madhore “Për ty Atdhe”.

JETA E RE

Lindi në familje të varfër si njeri i dashur me shpirt të pasur. Në moshë fare të vogël, për arsye ekonomike detyrohet të punësohet në portet e Sarandës dhe më vonë në portin e Durrësit. Në familje ishin gjashtë vëllezër dhe kishin një motër, ai ishte më i madhi. I ati punonte kasap. Pas aktivizimit me grupet ilegale ai u detyrua të dalë maleve partizan. Aty u vendos me në çetën “Kote Hoxha”, derisa përfundoi në Brigadën VI që shkoi me luftime deri në Jugosllavi. Duket sikur ai është bërë të vrasë armiqtë me këngë, jo me plumba, dhe që aty në luftë nis rrugëtimi i tij i shtruar me nota pentagrami betejash. Pas luftës zëri i tij bie në sy të profesionistëve dhe të pushtetit, që në periudhën 1952-1955 dërgohet nga pushteti i atëhershëm komunist që të studiojë për kanto-bass në konservatorin “Çajkovski” në Moskë.

Pikërisht viti 1952 hap një faqe krejt të re në jetën e tij. Për 4-vjet atij i akordohet bursa për në konservatorin P.I. Çajkovski në Gudsielnikov të Moskës, për të kryer studimet e larta në degën e kantos. Mik dhe admirues i tij ishte dhe basi bullgar me famë botërore Nikolla Georev. . Më vonë për fat të keq zëri i tij brilant zuri vendin si korist dhe jo solist në korin e operës në Tiranë. Derisa talenti i tij mori vendin që i takonte, atë të solistit të parë si këngëtar klasik në Teatrin e Operës dhe Baletit, një bas bariton shpërthyes dhe emocionues, një zë i ngrohtë, i dashur për të gjithë. Mentori i muzikës ecën bashkë me vitet, dhe ne kujtojmë madhështinë e tij nëpër skena, dhe interpretimet e tij mbresëlënëse, ku në opera do veçonim: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, rolin e Don Basilios aq të dashur për të, tek “Berberi i Seviljes’, rolin e ciganit tek “Aleko”, rolin e Gremenit tek “Eugjen Onjegin”, e shumë të tjera role të spikatura.

Pjesëmarrja e tij në koncerte jashtë Atdheut ka qenë mjaft e madhe. Duke filluar me ish-Jugosllavinë më 1947, ish-Bashkimin Sovjetik 1949, 1950, Poloni 1955, Gjermani, Çeki, Hungari, Bullgari dhe sërisht në Bashkimin Sovjetik 1959, Austri 1960, Finlandë 1963, R.P. të Kinës 1963, Kubë 1965, Turqi, 1967 Kinë 1967 1972. Në Austri, Finlandë dhe Poloni nderoi vendin me çmime dinjitoze. Ashtu si Naimi, që i këndoi atdheut me vargje, edhe Mentori i këndoi atdheut me zë.

NGA MOSKA NË ATDHE

Pas kthimit në atdhe ai punon si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Më pas me një profesionalizëm të pakrahasueshëm dhe si një habi në botën e muzikës për zërin e rrallë që kishte ai ngrihet si këngëtar në role të ndryshme. Deri në vitet 1975 ai ngre një famë të shpejtë sa vlerësohet me titullin e lartë të Kuvendit të asaj kohe si “Artist i Popullit”. Do të mbeten të paharruar këngët “Për ty atdhe”, romanca “O ju male” e Çesk Zadesë, aria e Don Bazilios nga opera “Berberi i Seviljes” e XH. Rosinit etj. Mentori i muzikës ecën bashkë me madhështinë e tij nëpër skena kombëtare dhe ndërkombëtare, në interpretimet mbresëlënëse. Nga opera mund të veçonim: “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Jolanda’, rolin e Don Basilios (i dashuruar pas tij), tek “Berberi i Seviljes’, rolin e ciganit tek “Aleko”, rolin e Gremenit tek “Eugjen Onjegin”, e shumë të tjera role të spikatura.

Ai do mbetet një nga figurat më të shquara të artit vokal, një nga baset më të mëdhenj, një emër i nderuar i artit dhe muzikës shqiptare. Sa herë do përmendet emri i tij do kujtohet himni i vërtetë shqiptar, kënga madhore “Për ty Atdhe”. Jeta dhe karriera e tij kaluan në epoka të vështira si për gjithë kombin shqiptar. Ai mbeti mes këtyre viteve të vështira ashtu siç e meritonte, artist i madh i këtyre epokave, duke u nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

KËRKESA NË VJENË

Sipas kujtimeve të Maksi Xhemalit, djalit të madh të këngëtarit, Në vitin 1955 zhvillohet në Varshavë festivali botëror i rinisë, ku në atë kohë mori pjesë edhe kori i operës. Në debutimin që bëri Mentori, i la polakët me gojë hapur, dhe aty Mentori fitoi medaljen e bronzit. Në vitin 1957 festivali u zhvillua në Moskë, ku ai fitoi medaljen e argjendtë, dhe në festivalin e rinisë në Vjenë, ai fitoi medaljen e arit. Aty në Vjenë, Mentori iu propozua që të rrinte në teatrin e Vjenës, nga imprezari i Teatrit të Vjenës, ku i ofruan shuma të mëdha, makina, vila, dhe nga kjo ngjarje e ndodhur në praninë e trupës shqiptare, e cila po e shikonte dhe ishte në ankth për përgjigjen që do të jepte Mentori. Trupën në Vjenë e drejtonte Todi Lubonja.

Mentori u mendua, dhe i tha zotërisë, se unë kam vilë, kam makinë dhe jam i pasur në Shqipëri. Sa iku përfaqësuesi i Teatrit të Vjenës, të gjithë u sulën drejt Mentorit, duke e përqafuar me dashuri shokun e tyre. Kjo ngjarje bëri bujë në Shqipëri, në atë kohë. Në vitin 1961 bë festivalin botëror të rinisë në Helsinki, ai fitoi përsëri medaljen e argjendtë, së bashku me baritonin Ramiz Kovaçi, dhe tenorin Gaqo Çako, edhe këtë dy këngëtarë që kanë bërë epokë në Shqipëri. Në vitin 1962 Mentori, së bashku me sopranon Marie Kraja, morën pjesë në një turne në Çekosllovakinë e atëhershme. Në këtë turne, u caktua një student që ishte në konservatorin e Pragës, e që quhej Ramazan Kaponja, studionte për klarinetë, e që ishte daja i Fatos Qerimit.

Ai u caktua si përkthyes, për të shoqëruar dy artistët. Më vonë ai kaloi klarinetë e parë në orkestrën e T.O.B. Në vitin 1964, Mentori së bashku me tenorin Gaqo Çakon, u nisën për një turne në Republikën e Kubës. Manush Myftiu anëtar i Byrosë Politike, porositi që Mentorit t’i blinin një stof të trashë, që ne i thoshim “gubë”, e t’i qepnin një pallto të mirë. Mirëpo kur arritën në Havana, atje ishte ngrohtë, e nuk ishte nevoja për t’u veshur. Ata shoqëroheshin nga pianistja e talentuar, Lola Gjoka. Në koncertin e parë, u pritën në një sallë të vogël, se menduan se ishin këngëtarë të zakonshëm, por kur dëgjuan interpretimet e tyre, u mahnitën, dhe vendosën të bënin një koncert të madh, të shoqëruar nga televizioni Havanës.

NDËRHYRJA PËR BANESË

Artisti i madh që kishte prekur skenat botërore jetonte me familjen në apartament afër shkollës së kuqe. I biri i tij ka rrëzuar para pak vitesh se “Në Pallatin e Kazazit, ku ne jetonim, kishim një dhomë e një kuzhinë, dhe kur Mentori mbushi 40-vjeç, bëri një ceremoni të vogël në shtëpi, por aty erdhëm shumë personalitete, dhe dhoma u mbush plot, nuk kishte më vend për të tjerët, dhe u detyruan të rrinë në këmbë. Midis të ftuarve, ishte dhe gruaja e kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Fiqirete Shehu. Ajo kur shkoi në shtëpi, i tha Mehmetit, se Mentori kishte një banesë me një dhomë e kuzhinë, dhe që ne nuk kishim vend ku të rrinim. Ai dha urdhër, që Mentorit t’i jepet banesë 3+1, duke porositur edhe Komitetin e Partisë për Tiranën.

Mbas një farë kohe, na erdhi Sekretari i Partisë, dhe takoi mamanë time, sepse Mentori ishte në Kubë për turne. Mamaja më mori, dhe mua dhe shkuam bashkë me sekretarin e Partisë, për të parë banesën. Ajo ishte tek Kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, pikërisht lart mapos, që ishte në katin e dytë. Atje kishte jetuar shkrimtari Ismail Kadare, i cili ishte strehuar tek pallati përballë Teatrit të Operës, tek hyrja ku futen artistët. Ne e pamë shtëpinë, dhe unë bëra një gabim të madh, vetëm se mamaja tha që qenka dhomë, paradhomë, unë dhe mamaja nuk pranuam, duke bërë një gabim të pafalshëm. Na çuan në banesën në rrugën e Durrësit, që ishte një vilë dykatëshe, e vjetër, mbrapa ish Pallatit të Oficerëve, e që kishte një oborr të vogël. E pranuam këtë shtëpi, në të cilën jetuam afro 50 vite, derisa në vitin 1992, ajo i kaloi pronarit që e kishte pasur, duke bërë që ne të ishim familje e pastrehë”.

Kur erdhi për një vizitë në Shqipëri Tito Skipa, një tenor i famshëm italian, i cili ishte kryetar jurie në festivalet botërore, dhe ishte pikërisht ai, që kishte firmosur për medaljen e artë që Mentori mori në Festivalin Botëror në Vjenë. Ai kërkoi që të bënte një vizitë në shtëpinë e Mentorit. Menjëherë reaguan organet e shtetit, duke i dhuruar Mentorit një dhomë gjumi, dhe një piano, të cilën e kam akoma, dhe e ruaj si një relike të Mentorit. Tek ajo piano, kompozitori i madh Pjetër Gaci, i tregoi Mentorit melodinë e këngës, ‘Për Ty Atdhe’. Mentor Xhemali ishte këngëtari i himneve.”

/Gazeta Panorama

Marco Rubio: Anëtarët e NATO-s do të bien dakord në Samitin e qershorit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes!

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi ditwn e djeshme se të gjitha vendet anëtare të NATO-s do të bien dakord deri në samitin e aleancës së mbrojtjes në qershor për qëllimin e rritjes së shpenzimeve të tyre të mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre gjatë dekadës së ardhshme.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një dalje në emisionin “Hannity” të Sean Hannity në rrjetin Fox News.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, uli fondet e mbrojtjes së NATO-s gjatë pjesës së dytë të mandatit të tij të parë 2017-2021 në Shtëpinë e Bardhë dhe shpesh ankohet se SHBA-të kontribuojnë më shumë sesa u takon.

“Të gjithë do të kenë rënë dakord për qëllimin e arritjes së 5%”

“Mund t’ju them se po shkojmë drejt një samiti pas gjashtë javësh ku pothuajse çdo anëtar i NATO-s do të jetë në ose mbi 2%, por më e rëndësishmja, shumë prej tyre do të jenë mbi 4% dhe të gjithë do të kenë rënë dakord për qëllimin e arritjes së 5% gjatë dekadës së ardhshme”, vuri në dukje Rubio.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Vandevoll tha këtë javë se Berlini mbështet kërkesën e Trump që anëtarët e aleancës së mbrojtjes të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre.

Gjermania njoftoi në janar se kishte përmbushur objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së së saj për mbrojtje deri në vitin 2024. Samiti i NATO-s i vitit 2025 do të mbahet në Holandë më 24 dhe 25 qershor.

Detaje nga ngjarja tragjike në Tiranë/ 38-vjeçarja u vetëvra me pistoletë rreth orës 4 të mëngjesit, u gjet pa jetë

Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë tek zona e Liqenit të Thatë ku një 38-vjeçare u vetëvra me armë zjarri.

E reja i ka dhënë fund jetës rreth orës 04:15 në ë brenda automjetit tip “Volvo”.

Erelina Xh. në momentin që u gjet pa jetë ishte e ulur në sendiljen e pasagjerit.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të zbuluar rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.

Rreth orës 04:15 në rrugën “Peti”, shtetasja E. Xh., rreth 38 vjeçe, dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri, brenda në automjet.

Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lulzim Basha dhe zgjedhjet e 11 Majit

Nga Namir Lapardhaja

Rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit nuk ishte ai i pritshëm për Koalicionin Euroatlantik dhe për drejtuesin politik të këtij grupimi, Lulzim Basha. Ndonëse u zhvillua një fushatë model, një program ambicioz, një ekip kandidatësh nga më të mirët që kishin partitë politike, sërish rezultati ishte zhgënjyes. Përveçse pikëpyetjeve që ngrenë rezultatet zgjedhore në Shqipëri dhe dilemave të vazhdueshme se çfarë kërkojnë në të vërtetë shqiptarët, në një analizë të hollësishme, ai është rezultat i disa zhvillimeve që nuk janë të lidhura ngushtësisht me ofertën, por ekzistojnë përtej asaj.

Së pari, prej vitesh Lulzim Basha është politikani më i atakuar në Shqipëri. Në një agression të vazhdueshëm ndaj tiij janë zbrazur të gjithë bateritë e sharjeve, të urrejtes, të linçimit, talljes dhe përbuzjes. Ka qenë një orkestër e organizuar nga një politikë që e sheh atë si ‘tradhëtar’ të sistemit, për shkak të mbështetjes së drejtësisë, nga një media e kapur nga politika, nga një oligarki që është në funksion të mbajtjes në këmbë të një sistemi që prodhon korrupsion dhe pandershmëri, duke vijuar deri te emisionet humoristike të fundjavave, të cilat, edhe pse në dukje nuk duken sikur prodhojnë politikë, në raport me figurën e Lulzim Bashës, kanë pasur një koherencë në përbaltje.

Së dyti, ashtu sikurse për partitë e tjera të vogla, edhe për Koalicionin Euroatlantik një disavantazh i madh ka qenë sistemi elektoral, i cili favorizon partitë e mëdha dhe nuk u jep mundësi partive të vogla. Ndonëse Basha, edhe pse nga të vetmit, e kishte kauzë dhe pjesë të programit dhe kërkesave të tij, Shqipërinë një zonë zgjedhore, gjë që do të barazonte votën e shqiptarëve në të gjithë Shqipërinë, Ramës dhe Berishës nuk i interesonte një gjë e tillë, si rezultat i mbajtjes së një sistemi të mbyllur dhe pa shumë mundësi për alternativat e tjera, ashtu siç edhe rezultoi në zgjedhjet e 11 Majit.

Së treti, fatkeqësisht, në Shqipëri politika vijon të jetë e mbërthyer nga një polarizim ekstrem i debatit dhe gjithçka që lind e re ose nuk dëgjohet ose do të anatemohet dhe sigurisht që në krye të këtij anatemimi ka qenë Basha dhe grupimi i tij politik. Është ky polarizim që manipulon njerëzit dhe krijon idenë se përtej dy grupimeve të mëdha, të gjitha ofertat e tjera nuk prodhojnë asgjë. Kjo skemë manipulative gatuhet nga bodrumet propagandistike të pushtetit dhe përhapet në media nëpërmjet njerëzve të paguar, që ditën shfaqen si analistë të pavarur, ndërsa natën firmosin në borderotë e korrupsionit qeveritar të sotëm apo nga ish-korrupsoni i djeshëm.

Së katërti, siç u faktua në disa raste në ditën e zgjedhjeve, fatkeqësisht shqiptarët nuk votojnë të lirë, duke nxjerr në pah jo vetëm varfërinë dhe pamundësinë e madhe, por edhe një qeverisje që, pavarësisht se mburret se ka bërë shumë, sërish i vë të gjitha mekanizmat shtetëror në funksion të mbajtjes së pushtetit, duke filluar nga përdorimi i administratës dhe duke vijuar me rrugë dhe mënyra të dyshimta. Sigurisht që kjo trysni dhe ky realitet, nuk mund të favorizonte në asnjë moment Bashën dhe alternativën e tij, të cilët ishin në krah të kundërt me këtë qasje dhe nuk ‘ofronin’ asnjë mundësi për t’i bërë presion apo dhunë njerëzve në këtë drejtim.

Sigurisht thënë të gjitha këto, nuk kam për qëllim ta shoh problemin vetëm tek elementë ‘të jashtëm’, por e vërteta është se fushata e Lulzim Bashës dhe e kandidatëve të Koalicionit Euroatlantik ka qenë një ndër më të mirat, më qytetaret, me një program të qartë, me në qendër njerëzit, hallet e tyre dhe me një alternativë që mbështeste SPAK dhe drejtësinë pa asnjë rezervë dhe kompromis, si asnjë parti apo grupacion tjetër. Ajo ishte një fushatë modeste nga aspekti ekonomik, pa harxhime dhe pa shpenzime të mëdha, në dallim nga milionat e hedhura nga pjesa tjetër e politikës, që më shumë se sa alternativë, duket se e kanë blerë ‘mbështetjen’ e popullit. Jam i bindur që Basha dhe bashkëpunëtorët e tij do të dijnë ta lexojnë drejt këtë rezultat dhe do të marrin të gjitha vendimet e duhura që ky grupimin në të ardhmen jo vetëm të forcohet, por edhe të zmadhohet në mbështetje dhe përkrahje. Është një alternativë që përbëhet nga njerëz që mund t’i japin vendit.

Risqet e ekonomisë europiane dhe ndikimi në Shqipëri

Ekonomia europiane po përballet me risqet të njëpasnjëshme, të cilat rrezikojnë ta fusin sërish në krizë. Pasi kaloi efektet e pandemisë dhe rritjes së tejskajshme të çmimeve, rreziku vjen tashmë nga lufta tregtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Risqet e ekonomisë europiane dhe ndikimi në Shqipëri

Presidenti amerikan Trump ka vendosur të taksojë me 20% shumicën e mallrave europiane që dërgohen në Shtetet e Bashkuara, si dhe të vendose një tarifë të veçantë 25% për automjetet dhe produktet industriale. E menjëhershme kundërpërgjigja e Bashkimit Europian për taksimin me një paketë në vlerën e 26 miliardë eurove ndaj mallrave amerikanë, si çeliku, alumini, tekstile e produktet bujqësore.

Kjo luftë tarifash, për momentin e ngrirë, pritet të ndikojë ekonominë europiane, duke ngadalësuar aktivitetin prodhues dhe tregtar të saj.

Risqet e ekonomisë europiane dhe ndikimi në Shqipëri

Për këtë vit, rritja ekonomike e Bashkimit Europian pritet të jetë 1.5%, ndjeshëm më e lartë se ajo e viteve të fundit. Por ky parashikim është bërë më përpara se të niste lufta tregtare e Trump, çka do të thotë se duhen pritur efektet e tarifave dypalëshe, kur të hyjnë në fuqi.

Një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë europiane do të kishte efektet të pashmangshme në ekonominë tonë.

Risqet e ekonomisë europiane dhe ndikimi në Shqipëri

Kjo për shkak të nivelit të lartë të importeve nga BE-ja, çka pritet të shoqërohet me rritje të çmimeve të produkteve; efektet do të ndihen tek remitancat, pasi të parët që preken nga një krizë janë emigrantët; një krizë e mundshme do të ketë ndikim edhe tek investitorët, të cilët kur ka kriza dhe paqartësi stepen në vendimmarrjet e tyre; gjithashtu nuk përjashtohet ndikimi te turizmi pasi turistët do të tregohen më të kujdesshëm me lëvizjet dhe shpenzimet. Për shkak të faktorëve të mësipërm, pasojat do të ndihen edhe në tregun e këmbimit, ku pritet një pakësim i sasisë së euros në qarkullim.

Situata ekonomike e Bashkimit Europian me rrezikun e recensionit të mundshëm do të diskutohet edhe në samitin e Tiranës./A2CNN

1 trilion dollarë për mbrojtjen ‘Made in Europe’!

Evropa mund të mbijetojë pa mbështetjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por do t’i duhen të paktën 25 vjet dhe deri në 1 trilion dollarë për të zëvendësuar praninë amerikane në kontinent, kjo sipas një raporti të ri nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Studimi, i publikuar të enjten, paralajmëron se në rast të një tërheqjeje hipotetike të SHBA-ve nga Evropa, vendet anëtare të NATO-s në kontinent do të përballeshin me kërcënimin rus dhe me “zgjedhje të ashpra” për të mbushur boshllëqet kolosale në mbrojtje.

Sipas raportit, zëvendësimi “kokë më kokë” i pajisjeve dhe personelit amerikan do të kushtonte rreth 1 trilion dollarë për një periudhë 25-vjeçare. Vetëm shpenzimet për blerje të pajisjeve ushtarake variojnë nga 226 deri në 344 miliardë dollarë, në varësi të cilësisë së armatimeve, ndërsa pjesa tjetër përfshin kosto për mirëmbajtje, personel dhe logjistikë.

Artikujt më të shtrenjtë që duhen blerë janë 400 avionë luftarakë taktikë, 20 shkatërrues detarë dhe 24 sisteme raketore tokë-ajër me rreze të gjatë.

Në rast të një lufte të gjerë për të përballuar një sulm rus, zëvendësimi i 128 mijë trupave amerikane do t’i kushtonte Evropës mbi 12 miliardë dollarë – pa përfshirë boshllëqet e tjera kritike si komandimi, kontrolli, koordinimi, zbulimi dhe armët bërthamore.

-Evropa pa komandant amerikan në NATO? Mision (gati) i pamundur

Evropianët do të duhej gjithashtu të zëvendësonin postin e Komandantit Suprem të Aleatëve për Evropën (SACEUR) – një pozicion kyç që historikisht mbahet nga një amerikan – si dhe të rrisin kapacitetin e koordinimit diplomatik.

Por sipas IISS, edhe nëse do të ekzistonte vullnet i pakufizuar politik dhe fonde të mjaftueshme, industria ushtarake evropiane nuk do të kishte kapacitetin për të përmbushur menjëherë kërkesat. Mungesat në zinxhirët e furnizimit, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kufizimet financiare do ta frenonin ndjeshëm këtë proces.

Ëndrra “blej evropian” e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duket se do të mbetet për momentin një slogani pa bazë. Investimet në sektorin detar dhe atë ajror janë minimale, dhe për disa kategori – si artileria me raketa apo avionët luftarakë të padukshëm për radarët – blerja vendore nuk është as opsion.

Megjithatë, një dritë në fund të tunelit

Pavarësisht varësisë së vazhdueshme nga furnitorët amerikanë, ka disa shenja progresi. Analiza e tenderëve të bëra mes shkurtit 2022 dhe shtatorit 2024 tregon se 52% e vlerës së kontratave shkoi për kompani evropiane, kundrejt 34% për ato amerikane – një sinjal që tregu po fillon të lëvizë drejt furnitorëve vendas.

Pushtimi rus i Ukrainës më 2022 ka detyruar shumë shtete të NATO-s të rrisin buxhetet ushtarake për të arritur objektivin e 2% të PBB-së për mbrojtje.

Një tjetër faktor surprizë është rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili me qëndrimet e tij të ashpra ndaj NATO-s dhe kërcënimet për të tërhequr SHBA-në nga mbrojtja e Evropës, i ka dhënë shtysë nismës për një “mbrojtje vërtet evropiane”, të promovuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Por paratë janë të pakta dhe njerëzit të lodhur

Problemi kryesor mbetet buxheti: qeveritë evropiane, të ngarkuara me borxhe dhe kriza të brendshme, e kanë të vështirë të justifikojnë rritje drastike në shpenzimet për armatim. Në vende si Spanja dhe Italia, ku presioni publik për shërbime sociale është i lartë, investimet shtesë në mbrojtje mund të përballen me kundërshtime të ashpra./Përshtatur nga “Politico”

Armando Broja “në ajër”, anglezët e nisin nga e para kërkimin e sulmuesit për të ardhmen

Aventura e Armando Brojës te Evertoni duket se ka marrë fund dhe pas dy javëve që mbeten në Premier Ligë, sulmuesi i kombëtares shqiptare do të kthehet përsëri te Çelsi, por për të bërë gati valixhet edhe atje.

Për këtë janë të bindur në Angli, ku media të ndryshme bëjnë të ditur se Evertoni nuk ka në plan ushtrimin e të drejtës së blerjes së kartonit të tij për 30 milionë paund, siç ishte parashikuar në klauzolën e huazimit nga Çelsi në fillimin e sezonit.

Edhe BBC e ka vendosur Brojën në listën e atyre për të cilët Çelsi po kërkon një sistemim sa më parë, në një artikull që i kushtohet strategjisë së klubit londinez për merkaton e verës. Blutë kanë nevojë për të ardhura që të mos shkelin rregulloret financiare të Premier Ligës pas shpenzimeve të çmendura të viteve të kaluara dhe Broja është në listën e atyre që po u propozohen klubeve të ndryshme, me objektivin për t’i gjetur një destinacion përfundimtar në verë.