Kukësi i ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit, me një risi që ngjall jo pak interes për tifozët e kryesuesve aktualë të Superiores. Në seancën stërvitore të zhvilluar në Antalia, pjesë e ekipit verilindor ka qenë dhe një ish-futbollist që në të kaluarën ka patur kontratë me Milanin, si Favour Anieka. 22-vjeçari që luan në pozicionin e mesfushorit të avancuar i është bashkuar Kukësit në stërvitje dhe do të jetë në provë te kjo skuadër përpara se të vendoset nëse ai është i vlefshëm për të qenë dhe në të ardhmen pjesë e ekipit. Aniekan, në fakt është pa ekip që në periudhën e verës, dhe gjatë gjithë periudhës që ka qëndruar te Milani ka qenë i huazuar vazhdimisht në ekipe të dorës së dytë.
Vaduzi kërkoi Sadikun, por ndërhyri Lugano
Vaduzi thërret në ndihmë Armando Sadikun për të shmangur sërish nga rënia një kategori më poshtë. Skuadra nga Lihtenstejni ka kërkuar me ngul të huazojë sulmuesin shqiptar, sikurse bëri edhe një vit më parë, por ka hasur në një pengesë të pakapërcyeshme, Luganon. Sipas mediave zvicerane, Sadiku ka qenë gati për një eksperiencë të dytë në formë huazimi te Vaduzi, por me emërimin e Paolo Tramezzanit trajner i Luganos, klubi jugor ka intensifikuar bisedimet për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit, i cili kërkon një kampionat më të fortë. Zyrihu, i cili kryeson Challege League me 12 pikë më shumë se Xamax, e ka thuajse formalitet ngjitjen në Superligë, kështu që nuk do të bëhej pengesë për huazimin e Sadikut, por dalja në skenë e Luganos i ka prishur planet e Vaduzit.
Drejtori Sportiv i skuadrës nga Lihtenstejni, Bernt Haas, shpjegoi se kishte bërë gjithçka në ditët e fundit të dhjetorit për ta bindur sulmuesin e kombëtares kuqezi që t’i bashkohej skuadrës së tij, por shpresat e tij janë venitur me ndërhyrjen e Luganos. Drejtuesi i Vaduzit e pranoi se Sadiku do t’i bashkohet ish-zëvendëstrajnerit të Shqipërisë. Gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar, Sadiku u aktivizua në 16 ndeshje me Vaduzin, duke shënuar shtatë gola shumë të rëndësishëm për qëndrimin në Superligën e Zvicrës. Për ironi të fatit, në Chellenge Leage ra Zyrihu që zotëronte kartonin e futbollistit.
Arlind Ajeti drejt Pescaras
Pavarësisht dëshirës së mbrojtësit të kombëtares, Arlind Ajeti për ta vazhduar karrierën te Torino, mediat italiane zbulojnë një detaj që lidhet me të ardhmen e 23-vjeçarit. Sipas “Calciomercato.com”, klubi “Granata” po punon intensivisht në merkato dhe një nga repartet që mbetet kantier i hapur është edhe mbrojtja. Mbrojtësi tunizian i Valencias, Abdennour është në bisedime me presidentin Cairo, ndërsa Torino ka zyrtarizuar edhe mbrojtësin Carlao, i cili mbërrin në Itali pas eksperiencës me skuadrën qipriote të APOEL Nicosia.
Një tjetër lojtar në planet e Mihajloviç është edhe mbrojtësi i Pescaras, Fornasier dhe është pikërisht Ajeti që mund ta zgjidhë transferimin e tij. Nga ajo që theksojnë mediat, Ajeti është propozuar për një këmbim me 23-vjeçarin italian. Pescara nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën që ka për të afruar shqiptarin dhe bisedimet mund të avancojnë gjatë ditëve të ardhshme, por vendimtare do të jetë edhe dëshira e Ajetit që dëshiron të konsumojë të gjitha mundësitë te Torino për një vend titullari. Ajeti u transferua gjatë muajve të verës te skuadra “Granata” me parametra zero pas një sezoni të suksesshëm në radhët e Frosinones.
Investitorët e huaj-qeverisë: Destabilitet politik
Nga Ola XAMA
U duk si një nismë personale e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, iniciativa për të shtyrë me dy vite të tjera ligjin e lojërave të fatit. Në Kuvend u depozitua një kërkesë nga 6 deputetë të mazhorancës, të cilët shpreheshin se ligji i ri për këtë sektor, i cili mori një vit e gjysmë punë, nuk ishte gati për të funksionuar në Shqipëri. Dakord dhe në një mendje me argumentet e deputetëve ishte edhe Ministria e Financave, që ishte nismëtare tre vjet më parë e aksionit “Fundi i marrëzisë” dhe, po ashtu, edhe deputetët të cilët më pas miratuan ligjin.
Deputetët mbështetën kërkesën e tyre në pamundësinë për të gjetur një zbatim konkret të ligjit, për shkak se respektimi i distancës së pikave të basteve nga njëra-tjetra do të sillte mbylljen e një pjese të tyre, ndërsa kontratat e qirasë me subjektet e tjera sillnin rrezik për këto biznese, pasi ishin bërë për një periudhë më të gjatë kohe. “Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien e konflikteve gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore”, thuhet në relacionin e kërkesës së deputetëve.
Por më shumë se pamundësinë e zgjidhjes së kontratave të bizneseve, këmbëngulja për të shtyrë ligjin, vinte me argumentin se nuk ishin bërë ende aktet nënligjore. Situata mund të duket disi e çuditshme, ku shtyrja në vend që të kërkohet nga institucioni që nuk ka bërë gati aktet nënligjore, kërkohet nga vetë deputetët. Përpara shtyrjes, Kuvendi duhet të monitoronte ecurinë e zbatimit të ligjit dhe të kërkonte përgatitjen e udhëzimeve që do ta bënin atë të zbatueshëm. Konsensusi ishte edhe nga ana e Ministrisë së Financave. Në një letër drejtuar Komisionit të Ekonomisë, ky institucion shprehej se shtyrja e ligjit të lojërave të fatit shërbente në dy pikëpamje: nuk kishte terren për t’u zbatuar, pasi nuk ishin gati udhëzimet dhe mungesa e të ardhurave nga kjo kategori krijonte probleme për buxhetin e shtetit. Të gjithë ranë dakord për të zhbërë një nismë që vetë e nisën tre vjet më parë, dhe që punuan një vit e gjysmë për ta përfunduar…
Aktet nënligjore që mungojnë
Sa i pazbatueshëm është sot ligji për lojërat e fatit. Janë gjithsej 22 akte, të cilat nuk janë publikuar, por që ministri i Financave, Arben Ahmetaj, premtoi se do t’i sjellë në Kuvend brenda 31 janarit 2017. Ai tha se nuk ishin aktet, të cilat pengonin zbatimin e ligjit, por më shumë se ato, ka qenë infrastruktura e dobët e turizmit dhe mungesa e ndërtimit të resorteve turistike sipas sistemit me yje, që ka penguar këtë ligj. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit ka bërë ndarjen e klasifikimit të hoteleve sipas pikëve dhe yjeve, por ende nuk janë krijuar agjencitë që do të bëjnë akreditimin e tyre.
Në evidentimet që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë, një pjesë e mirë e ligjit të ri të lojërave të fatit nuk është zbatuar. Edhe pse për vendime të Këshillit të Ministrave dhe udhëzime të ministrit të Financave, afati që lihej për hartimin, ishte tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, (duke nënkuptuar hyrjen në fuqi në janar të këtij viti), aktet nuk janë bërë. Qeveria ka nisur shkeljen e ligjit pa filluar mirë zbatimi i tij.
Një tjetër rast është edhe ngritja e një sistemi privat për monitorimin e lojërave të fatit. Kjo platformë do t’i shërbente më mirë zbatimit të ligjit, por Ministria e Financave ka përfunduar hartimin e dokumentacionit për hapjen e tenderit, pa bërë ende funksional ligjin. Ky sistem do të operojë tashmë me ligjin e vjetër. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se kjo do t’i shërbente luftës kundër informalitetit në këtë sektor.
Tatimfitimi, nuk ka për bastet, ka për depozituesit!
Një amendament në seancën e fundit të miratimit të ligjit të ri për lojërat e fatit në dhjetor të vitit 2015, i depozituar nga dy deputetë të mazhorancës, Esmeralda Shkjau dhe Robert Bitri, kërkoi përjashtimin nga tatimi për fitimet të atyre që luajnë në kategorinë e basteve. Ligji i ri për lojërat e fatit nuk do të mbante më tatim në burim për ata që luajnë. Lajmi kaloi në heshtje në atë kohë. Kjo solli një precedent të madh për një vend, i cili taton depozitat (interesin që fitohet nga ata që kursejnë para në banka) punën, çmimet, dhuratat dhe kategori të tjera që janë jashtë fushës së kumarit, duke përjashtuar lojërat me baste, të cilat u luftuan që në ditët e para të qeverisë “Rama”. Fryma e ligjit të lojërave të fatit ishte shtrenjtimi i licencave dhe taksave për këtë sektor, në mënyrë që cikli i zhvillimit të aktivitetit të tyre të vinte në tkurrje, duke i hequr kështu “një plagë të madhe sociale”, siç është shprehur edhe vetë kreu i qeverisë gjatë prezantimit të kësaj nisme.
Spiro Brumbulli, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave dhe drejtor i kabinetit në Ministrinë e Financave gjatë kohës që është hartuar ky ligj, thotë se ky rregullim iu bë ligjit për shkak se nuk mund të llogariteshin dot shpenzimet e lojtarit. “Ne pamë disa modele edhe në disa kazino në vende të botës, taksa e tatimit mbi fitimin të mbahet, por të llogariten shpenzimet e lojtarit. Në momentin që lojtari ka hyrë në kazino, atij i llogariten shpenzimet që ka bërë në lojë gjatë ditës, dhe kur del tatimi mbahet i saktë. Por këtë nuk e arrin dot ta llogaritësh për pikat e basteve. Një lojtar që mund të ketë luajtur 1 milion lekë një ditë dhe i ka humbur, të nesërmen fiton 400 mijë, nuk ke pse ia taton, por nuk ke edhe një historik të tij që të të tregojë shpenzimet, në mënyrë që t’ia zbresësh”, thotë për ‘Monitor’, Spiro Brumbulli.
Ai nuk është dakord as me pjesën se nuk duhet që të tatohet interesi i depozitave. “Ato janë një fitim i pastër që qytetarët marrin duke lënë para dhe duke i kursyer. Nuk kanë risk për lënien e parave, sepse një pjesë e mirë deri në kufirin 2.5 milionë lekë të reja janë të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe nuk kanë shpenzime. Nuk tatohet e gjithë vlera e kursimit, por diferenca që merr individi nga interesi”, sqaron Brumbulli.
Por ekspertët e ekonomisë ndahen në këtë pikë. Një pjesë e tyre nuk janë dakord me përjashtimin e tatimit mbi fitimin të lojtarit të basteve. Duke sjellë si shembull tatimin e aksioneve në bursë, në momentin që një kompani humb një pjesë të aksioneve, tatimi nuk i njeh si shpenzim të zbritshëm vlerën e aksioneve të humbura. Edhe pse me insistimin e kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, që lojtarët e basteve të mos përjashtoheshin nga tatimi, gjatë diskutimeve për shtyrjen e ligjit javën e kaluar, ligji i ri për lojërat e fatit nuk ndryshoi asnjë pjesë të tatimit në burim. Ai sërish mbeti 0 për ata që luajnë në këtë fushë.
Të ardhurat në vite nga kompanitë e lojërave të fatit
Informaliteti në fushën e lojërave të fatit është i dukshëm. Pavarësisht kësaj, nuk mund të thuhet se ky sektor ka qenë më mirë në deklarimin e të ardhurave përpara aksionit “Fundi i marrëzisë”. Xhiro totale e këtij sektori që është deklaruar në tatime ishte në vlerën 67 milionë dollarë në 2012-ën, dhe po aq edhe në 2013-ën, duke përfshirë edhe deklarimet që bëri hapja e kompanisë së licencuar “Lotaria Kombëtare”. Vitin pasues, deklarimet e kompanive të licencuara në kategorinë e kazinove elektronike u rritën menjëherë, duke kapur vlerën e 100 milionë eurove.
Sipas xhiros që kanë të raportuar, kompanitë më të mëdha në fushën e lojërave të fatit janë APEX me 25 milionë euro të ardhura, e ndjekur nga Astra me 21 milionë euro dhe e treta rezulton Adriatic Game (shiko tabelën).
Kontradiktat e shifrave
6 deputetët, të cilët bënë kërkesë për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit, e mbështetën kërkesën e tyre në argumentin se buxhetit të shtetit do t’i mungojnë të ardhurat në vlerën e 125 milionë dollarëve. “Këto të ardhura për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte si dhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”, thuhet në relacionin shoqërues të kërkesës së tyre.
Por në një memo të siguruar nga ‘Monitor’, disa kompani që duan të investojnë në këtë kategori në Shqipëri dhe prisnin hyrjen në fuqi të ligjit për të investuar në resorte e kazino, shprehen se situata që thonë deputetët e mazhorancës është absurde, pasi xhiro e këtyre kompanive është 98 milionë euro ose 110 milionë dollarë. “Asnjë e dhënë ligjore nuk ka mbështetur shifrën e taksave të mbledhura nga shteti në lidhje me këto subjekte. Siç paraqitet në listën e nxjerrë nga QKR, bilance të deklaruara (të ardhurat totale të të gjitha subjekteve së bashku kazino, kazino elektronike, baste sportive dhe Lotaria), duket qartë që të ardhurat totale të këtyre shoqërive mezi kapin vlerën e 98 milionë euro. Kur xhiro e tyre është 98 milionë euro, si mund të humbasë shteti 125 milionë euro taksa prej këtyre subjekteve? Mos vallë kemi në Shqipëri taksa 130% më të larta se të ardhurat?” thuhet në memon e nisur Ministrisë së Financave.
Ata japin kundërshti edhe për çështjen e vonesave në publikimin e akteve nënligjore. “Aktet nënligjore nuk kanë fuqi ligjore dhe vepruese për të tejkaluar dispozitat e ligjit dhe si të tilla nuk e pengojnë aplikimin e tij. Ka shumë ligje në fuqi aplikimi, të cilët nuk kanë ende aktet nënligjore dhe nuk përbën problem në zbatimin e ligjit. Aktet vetëm sqarojnë procedurat e aplikimit të tarifave përkatëse dhe pagesave të tyre, sipas përcaktimeve të të ardhurave në lojërat e fatit. Është përgjegjësi e Ministrisë së Financave t’i nxjerrë brenda tre muajve dhe asnjë shpjegim nuk është dhënë për këtë përgjegjësi të munguar nga Ministria e Financave», shkruajnë kompanitë investitore në memo.
Një tjetër përplasje është edhe pjesa e numrit të të punësuarve në këtë kategori. “Në kërkesën tonë kemi konsideruar edhe numrin e të punësuarve në këtë sektor, i cili kalon atë të 1800 punonjësve, të cilët në datë 1 janar 2017 do ta shohin veten të papunë dhe si të tillë të regjistruar në regjistrat e papunësisë, duke sjellë në këtë rast rritjen e kostove të buxhetit të shtetit për ndihma sociale për familje në nevojë», thonë deputetët në relacion. Por kompanitë investitore që kërkojnë zbatimin e ligjit e argumentojnë ndryshe: “Ashtu sikurse në pikën 3, nuk ka asnjë bazë ligjore nga Ministria e Financave apo deputetët palë të interesuara ku vërtetohet punësimi i 1.800 personave nga lojërat e fatit. Mjafton të shikosh punësimin në pikat e basteve dhe kazinotë për të kuptuar që 1 banakier dhe një 1 shef salle për çdo pikë janë të punësuar direkt, me një rrogë minimale, kur ajo është e deklaruar”.
Shtyrja e ligjit pengon hyrjen e investimeve të mëdha
Ligji i ri për lojërat e fatit ka qenë një nga më të lobuarit në kohën që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe po vazhdon të mbetet i tillë. Shtyrja e hyrjes në fuqi të tij nuk pengon licencimin e ri për kazino në zona turistike. Historia e treguar nga kompania Amadeus Group (http://www.monitor.al/amadeus-group-projekti-150-milionë-euro-që-mbetet-në-letër-2/) tregon qartë që një projekt me miliona euro investime nuk mund të implementohet dot. Por përse nuk mund të merret licenca jashtë territorit të qyteteve dhe në zona turistike. ‘Monitor’ ka mësuar se në Këshillin e Ministrave është depozituar një projekt, i cili cakton vetëm një zonë turistike si të favorshme për të aplikuar kategorinë ‘resort casino’. Kjo do të thotë se nëse ligji hyn në fuqi, atëherë do të jepet vetëm një licencë e vetme, duke krijuar situatë monopol në fushën e kazinove. Ministria e Financave është kundër kësaj. Ajo ka kërkuar ndarjen në 3 deri në 4 zona turistike ku mund të jepen licenca për hotele resort casino. Se kush do t’i fitojë licencat e reja pas hyrjes në fuqi, kjo do të vendoset pas dy vitësh…
“Shqipëria nuk është serioze, ndryshon ligjet në pafundësi”
Letra e çuar nga investitorët e huaj Ministrisë së Financave:
Mungesa e vazhdueshmërisë së fakteve me ligjin krijon destabilitet social, ekonomik dhe politik. Asnjë Grup Ndërkombëtar serioz nuk mund të marrë në konsideratë Shqipërinë si një destinacion turistik për zhvillimin e lojërave të fatit dhe investimet përkatëse, përderisa paraqiten ndryshime ligjore ende pa u aplikuar ligji i votuar. Kjo situatë parashtron mundësinë e ndryshimeve të ligjit në pafundësi, në çdo moment, sipas dëshirave të deputetëve apo palëve të interesuara për të lënë situatën identike me 15 vitet e shkuara.
Ligji i ri jepte mundësinë për shoqëritë serioze të krijojnë investime në Shqipëri, duke i përdorur këto investime të rëndësishme për të tërhequr një klientelë ndërkombëtare, duke krijuar të ardhura për shoqërinë investuese, punësime të niveleve të larta, taksa për shtetin dhe devizë të huaj në arkat e shtetit si dhe një imazh totalisht europian të Shqipërisë.
Me prezencën e shoqërive të listuara nga AMLF, të cilat deklarojnë të ardhura në bazë vullnetare me ligjin e vjetër, që nuk kanë investuar asgjë për vendin, nuk kanë tërhequr asnjë turist të huaj dhe vetëm kanë përdorur ato pak fonde të familjeve shqiptare, duke i kthyer “të varur” në lojërat e fatit, asnjë shoqëri ndërkombëtare nuk mund të pranojë të punojë dhe të investojë në një treg informal, të çrregulluar dhe nën standarde (deloyal). Shoqëritë e lojërave të fatit janë të gjitha nën atributet e shoqërisë NOVOMATIC, e cila furnizon me pajisje (makineritë), duke pasur tregun më të gjerë për Europën. Me mbylljen e këtyre pikave nëpër qytete, kjo shoqëri humbet një biznes indirekt, duke marrë të ardhura direkte nëpërmjet akordeve për furnizimin me këto pajisje.
Nuk kuptohet përse kjo shoqëri ndërkombëtare (me qendër në SHBA dhe për Europën në Austri) nuk investon në hotele, aktivitete në industrinë e turizmit, të punësojë dhe të sjellë turistët nga e gjithë bota në Shqipëri, ashtu sikurse ligji e ka detyruar të bëjë në vende të tjera (Maqedoni, Bullgari, Mali i Zi, Kroaci etj., për të mos shkuar më larg)?
Projektligji që kërkon shtyrjen e afatit, nuk bën gjë tjetër veç legjitimon vazhdimin e informalitetit, thellimin e problemeve sociale me të rinj shqiptarë që shohin lojërat si mundësi pasurimi, dhe përfundimisht largon çdo lloj investimi serioz në fushën e turizmit, duke e listuar Shqipërinë në republikat bananiere, ku çdokush mund të ndryshojë ligjin në çdo kohë sipas interesave vetiake.
50 ambasadorët e Obamës që ikin para inaugurimit
Ekipi i Donald Trump po u kërkon ambasadorëve të emëruar politikisht që të lënë vendet e tyre nëpër ambasadat amerikane përpara Ditës së Inaugurimit që është më 20 janar. Këtë lajm e ka publikuar “New York Times”.
Urdhri mund të lërë SHBA pa përfaqësues të konfirmuar të Senatit për muaj në vende kyç si Gjermania dhe Britania, nënvizon “NYT”. Gjithashtu ky urdhër shënon një ndarje me precedent në të kaluarën kur administrata u jepte zgjatje mandati në bazë të çështjeve të veçanta.
Një zyrtar që bën pjesë në grupin për tranzicionin në administratën Trump i tha “NYT” se nuk ekziston asnjë keqdashje në këtë urdhër, por kjo po ndodh që të jetë e sigurtë që të emëruarit e Presidentit Obama të largohen nga qeverisja sipas planit.
Sipas gazetës “New York Times”, shumë ambasadorë mendohet se do ta apelojnë vendimin me Rex Tillerson, i emëruari i Trump si sekretar Shteti.
Departamenti i Shtetit ka informuar sikur është raportuar se të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht do të marrin njoftime për dorëheqje që hyn në fuqi më 20 janar. Këto njoftime janë dërguar një ditë pas zgjedhjeve dhe gjithashtu në këto njoftime ka instruksione për të gjithë ata që kërkojnë zgjatje kohe do të duhet të marrin një kërkesë formale.
Shumë ambasadorë, të cilët kanë familjet, u është dhënë kohë që të gjejnë vendbanime në SHBA ose në vendet ku kanë shërbyer.
Trump tashmë ka zëvendësuar dy ambasadorë, David Friedman, një jurist falimentimi dhe këshilltar në fushatë është caktuar ambasador i SHBA në Izrael, ndërkohë që Guvernatori i Iowa, Terry Branstad është caktuar ambasador në Kinë.
Për të lexuar më mirë planet e Trumpit, gjëja e parë që duhet bërë është të shihen emërimet e tij. Ndërmjet zgjedhjeve të Trumpit për sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe politikën e jashtme, shfaqet menjëherë një model i qartë veprimi: të gjithë janë specialistë të çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Rusisë.
Analistwt politikw thonw se Trump është, çuditërisht, duke unifikuar sistemin e politikës së jashtme të republikanëve. Këtë bën fitorja. Për këtë të japin shtysa edhe situatat e vështira kudo nëpër botë që kërkojnë lidership. Trashëgimia e politikës së jashtme të cunguar të presidentit aktual Barack Obama identifikohet me shprehjen e famshme: “Duke drejtuar nga pas”. Më saktë pas vijës së kuqe të vendosur në Krime, Aleppo dhe në Detin e Kinës së Jugut. Duken qartë edhe sfidat e mëdha me të cilat do të duhet të përballet presidenti i ri dhe patriotët që ai ka zgjedhur në ekipin e tij, janë të gatshëm për të shërbyer.
Situata duket premtuese. Pjesa më e madhe e ekipit të ardhshëm të Trumpit kanë tre ose katër herë më shumë eksperiencë në sigurinë kombëtare pa e marrë akoma detyrën, krahasuar me zëvendëskëshilltarin e sigurisë kombëtare të Obamës, Ben Rhodes që po e lë. Ndërmjet tyre, strategu kryesor mund të rezultojë të jetë “luftëtari” në krye të Pentagonit.
Pak njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë kaluar aq shumë kohë duke studiuar historinë dhe gjeostrategjinë sa Mattis dhe ata që mund të kenë studiuar, padyshim nuk kanë eksperiencën e tij në fushën e betejës. Me një përzgjedhje të vetme, Trump “fitoi” periudhën e tranzicionit të qeverisë. Njëlloj si Mattis, Kelly sjell një dozë të madhe eksperience në Departamentin e Sigurisë së atdheut. Mbi këta dy luftëtarë me përvojë rëndon pesha e sigurisë së Amerikës. Janë rikthyer të rritur në pushtet dhe kanë rënë dakord të mbështesin presidentin e ri.
Roli i dyshes Rama-Vuçiç për arrestimin e Haradinajt
Nga Kastriot Islami
Haradinaj s’duhet të ishte ndaluar…S’duhet ky incident të kishte ndodhur veçanërisht në Francë, e cila e ka mbështetur e mbështet fuqimisht pavarësinë e Kosovës dhe e ka shumë të qartë situatën në Kosovë… Nga ana tjetër, Prishtina e Tirana duhet të kishin reaguar më shpejt dhe më fuqimisht…! Askush nuk ka asnjë dyshim se Haradinaj duhet liruar sa më parë dhe me siguri do të lirohet në ditët në vijim! Dhe as që mund të dënohet apo mendohet të ekstradohet në Beograd. Aq më pak për një akuzë, e cila tashmë është marrë në shqyrtim në Hagë! Nëse kjo do të ndodhte loja do të ishte shumë e rëndë dhe provokimi mund të shkaktonte reagime të paparashikueshme…! Nga ana tjetër, pas disa ditësh mund të na mbushin mendjen se këtë çështje e zgjidhi çifti Rama-Vuçiç…?!Mos u habisni kur pas disa ditësh do të përpiqen të nxjerrin lajmin se Haradinaj po kthehet i lirë në Kosovë për shkak të “presionit patriotik” të Ramës ndaj Vuçiç apo për shkak të marrëdhënieve speciale Rama-Vuçiç…Askush s’duhet të bëhet naiv të besojë një mashtrim të tillë kaq të trashë?! Kjo është veçse pjesa e rradhës e një shfaqje teatrale ..!Pas një loje të rrezikshme..
****
Ajo që ka ndodhur me Haradinajn në Francë duket një lojë interesash të brendshme ku janë implikuar edhe aktorë të jashtëm… Një provokim për “negociatat pajtuese” mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve…Një mundësi për t’i dhënë peshën e pamerituar dyshes Rama-Vuçiç…?!
****
Përgjegjësia kryesore për këtë incident shkon natyrisht në Serbi dhe te drejtuesit e lartë serbë, të cilët ruajnë ende relike të tilla të rëndomta…Nga ana tjetër, Franca që ka mbështetur në pararojë dhe mbështet fuqimisht pavarësinë e Kosovës si dhe ka ndjekur me shumë kujdes të gjithë zhvillimet në Kosove, përfshi edhe ato me Gjykatën e Hagës, s’mund të mbetet jashtë përgjegjësisë, për më tepër që siç thuhet, Haradinaj ka shkelur edhe herë të tjera tokën franceze pa pasur asnjë problem… Reagimi i vonuar dhe i ngadaltë i Tiranës, veçanërisht jep të dyshosh se edhe Tirana është e implikuar rëndshëm në këtë “lojë”…Për rrjedhojë kjo do ta bënte edhe përgjegjëse. Dhe sa më shumë Tirana reagon apo ngre më lart tonin me kalimin e kohës, aq me shumë rritet dyshimi për implikimin e saj, madje dyshimi për të mbuluar diellin me shoshë për të fshehur implikimin kthehet në bindje….
****
Haradinaj do të kthehet më siguri në Kosovësë shpejti dhe pa asnjë problem, sepse ishte i pari dhe i vetmi lider në Ballkan që la detyrën e Kryeministrit dhe shkoi me këmbët e tij në Hagë… Dhe as që mund të mendohet apo bëhet fjalë për ekstradim… Nëse kjo do të ndodhte apo kthimi do të vonohej, ky do të kthejë në një provokim të rrezikshëm, aq më tepër që duket se ndodhemi brenda një shfaqje teatrale. Këtë e dinë mirë edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, edhe në Beograd edhe në Paris…! Por kjo mund të ndricohet edhe mirë në Uashington…! Por mbi të gjitha kjo do të rezultonte një shfaqje e turpshme cirku nëse Rama do të përpiqej të nxirrte përfitime si lider global nga kjo lojë, duke e paraqitur lirimin si një angazhim të tij. Si një “ndërhyrje patriotike”, ndoshta edhe me retorikë nacionaliste tek “miku” i tij i ngushtë Vuçiç, për të krijuar perceptimin se në rajon vetëm Rama mund ta kontrollojë Vuçiç dhe vetëm Rama-Vuçiç mund të jenë faktorë të pajtimit të madh…Mos e hani sapunin për djathë…!
Vrasja e 23-vjeçarit, vrasje shtetërore
Kryetari i PD, Basha ngushëlloi dje familjen e 22-vjeçarit, Estref Halili, nga Kolonja e Lushnjës që u arrestua dhe u çua në vetëvrasje, mbi dyshime për një cigare hashash. Basha tha se kjo është një tjetër vrasje shtetërore që kryehet ndaj njerëzve të pamundur.
“Ishim për ngushëllim në familjen e Estref Halilit. Një familje e këputur, ku dy prindërit kanë rritur fëmijët e tyre me shumë sakrifica, duke mbledhur lulet e malit. Një familje që nuk ka asnjë lidhje me kultivimin e narkotikës. Estrefi është arrestuar, ndërkohë që pastronte makinën e vëllait të vet, gjoja për posedim të një cigareje të dyshuar me marijuanë, që nuk është provuar akoma dhe në kushtet e depresionit të thellë, ka vrarë veten në burgun e Rrogozhinës. Një djalë 22-vjeçar i rritur me sakrificë nga prindërit e tij, i cili arrestohet për një krim të dyshuar, që në fakt konsumohet çdo ditë nga Kryeministri, konsumatori më i njohur i kokainës në vend. E njëjta polici, e cila nuk guxon të ngrejë dorën për Klement Balilin, për trafikantët, i njëjti shtet që liron kriminelë të njohur si Lul Berisha, i merr jetën një 22-vjeçari. Kjo është një vrasje shtetërore. Politikisht, përgjegjësi i kësaj vrasjeje shtetërore është Edi Rama. Unë shpreh ngushëllimet më të thella për këtë humbje tragjike të jetës së këtij 22-vjeçari, të Estrefit, jo vetëm familjes, por gjithë komunitetit këtu në Kolonjë të Lushnjës dhe kudo në Lushnjë, dhe u jap fjalën familjarëve të Estrefit, të rinjve lushnjarë se kjo padrejtësi e madhe do të marrë fund. Se shteti që dhunon njerëzit dhe mbron trafikantët dhe politikanët e lidhur me trafikantët, do të marrë fund. Se Partia Demokratike dhe unë, me ndihmën e gjithë qytetarëve tanë do të ndërtojmë një shtet që është në krah të qytetarëve dhe në krah të të rinjve. Një shtet që nuk i shpall luftë të rinjve të pamundur e të papunë të rritur me shumë sakrifica si Estrefi, por që i ndihmon ata të kapërcejnë vështirësitë e jetës, e të ndërtojnë një jetë të sigurtë, një të ardhme të sigurtë për veten dhe fëmijët e tyre. Dhe po kështu, një shtet të ashpër deri në fund për trafikantët, kriminelët e vërtetë dhe për politikanët e papërgjegjshëm mbi të cilët rëndon sot edhe vdekja e Estref Halilit”.
Paloka: Destabilizim nëse preken zgjedhjet
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka tha se Partia Demokratike po përgatitet për fitore të zgjedhjeve të 18 qershorit, por ai paralajmëroi destabilizimin e vendit, nëse procesi nuk do të jetë i lirë e i ndershëm. “Nëse megjithë përpjekjet tona po marrim rastin ekstrem Rama dhe kjo mazhorancë prapë do të zhvillojnë zgjedhje ashtu siç i kane zhvilluar ne këto 3 vite? zgjedhje te dhunuara, zgjedhje te blera, pra jo te standardeve normale, nuk po kërkojmë standardet me te larta evropiane, por standarde normale per te quajtur zgjedhje te lira e te ndershme? sigurisht qe kjo do te kete pasoja. Absolutisht do te ketë pasoja dhe nuk mund te flitet per stabilitet ne ketë vend.”- paralajmëroi Paloka.
Kur kanë mbetur më pak se pesë muaj nga zgjedhjet e 18 Qershorit, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka lajmeruar se nuk ka asnjë mundësi për koalicion parazgjedhor me LSI-¬në. “Sot Partia Demokratike është ne opozite, LSI është ne qeveri dhe nuk mund te diskutohet absolutisht per nje koalicion midis nje partie qe drejton opozitën dhe nje partie qe është ne qeveri. Nuk behet fjale absolutisht per koalicione parazgjedhore me asnjë parti qe qeveris, qe është pjese e te keqes.”-është shprehur Paloka për abcneës.
Nëse socialistët do të kenë vullnet për votim biometrik e numërim elektronik , shtyrja e datës së zgjedhjeve do të ishtë opsion i pranueshëm nga PD derisa teknologjia të jetë gati. Krahas zgjedhjeve parlamentare këtë vit janë dhe ato presidenciale. Partia Demokratike nuk e sheh mazhorancën të gatshme të negociojë për një president konsensual. Në këtë frymë sipas Palokës nuk po përfshin opozitën as në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndryshe nga standardi që u përdor kur demokratët ishin në qeveri dhe socialistët në opozitë, ndërsa avokat i popullit u zgjodh kandidatura socialiste, Igli Totozani.
Kush janë dy deputetët e rinj?
Komisioni Qendror Zgjedhor votoi dje se për dy deputetët e rinj që do të zëvendësojnë ish-deputetët e PDIU e LSI, Tahiri e Selami. Mandatin e Dashamir Tahirit e mori Edmond Zejno, ndërsa të Shkëlqim Selamit e mori Flamur Çelaj. Të dy deputetët e rinj u votuan unanimisht nga 7 anëtarët e KQZ-së.
Më 29 dhjetor, KQZ i hoqi mandatin Dashamir Tahirit e Shkëlqim Selamit, si dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshit. Ato akuzohen se kanë fshehur të shkuarën e tyre kriminale në formularin e vetëdeklarimit, siç e parashikon ligji i dekriminalizimit.
Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë: Ish-deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri rezulton i dënuar në Itali për veprën e falsifikim të parave dhe përdorimi i dokumenteve të falsifikuara.
Ish-deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami rezulton se ka qenë i dënuar me burg nga Gjykata e Brindizit, në Itali.
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale të përdhunimit në grup, për trafik droge dhe pastrim parash. Ndërkohë, Prokuroria po vazhdon verifikimet edhe për zyrtarë të tjerë në kuadër të Ligjit “Për dekriminalizimin”.
Të sëmurët bllokohen nga bora në -10 gradë
Dhjetëra të sëmurë dhe qytetarë kanë mbetur të bllokuar brenda makinave të tyre në aksin Peshkopi-Tiranë për shkak të reshjeve të shumta të borës që kanë arritur deri në 1 metër. Qytetarët u bëjnë thirrje për ndihmë autoriteteve shtetërore, pasi kanë mbetur në mes të rrugës për shkak të bllokimit. Ata thonë se po qëndrojnë brenda automjeteve, por temperaturat janë shumë të ulëta, duke kapur shifrën e -10 gradë celsius.
Sipas burimeve, dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara tek “Ura e Topojanit” në Maqellarë prej mëngjesit të djeshëm. Të mbetur në mes të rrugës dhe të ftohtit, drejtuesit e mjeteve apelojnë për ndihmë. “Po na mbarohet karburanti”, thonë ata. Autoritet bënë të ditur se janë bllokuar 6 automjete me pasagjerë, por sipas banorëve të zonës, nuk bëhet fjalë për 6 makina, por ata thonë se janë dhjetëra makina të bllokuara.
Borëpastrueset kanë qenë për pastrimin e rrugës nga dëborë, por era e fortë e shpërndan atë, duke mbuluar sërish rrugën. Aksi rrugor Peshkopi-Tiranë është i bllokuar në të dy kahet, e si pasojë në Maqellarë, automjetet qëndrojnë në rrugë prej disa orësh. Segmenti rrugor është bllokuar tek Ura e Topojanit. Mësohet se në rrugë janë bllokuar edhe persona të sëmurë.
Një ambulancë ka mbetur e bllokuar në zonën e Maqellarës për shkak se reshjet e dendura të borës e bëjnë të pakalueshme rrugën nacionale drejt Tiranës. Bëhet e ditur se, ambulanca po transporton një të sëmurë nga Spitali i Peshkopisë drejt Tiranës.
Ndërkohë temperaturat në këtë zonë arrijnë në -10 gradë celsius, dhe era e fortë po pengon zhbllokimin e rrugës. Në rrugën nacionale dëbora arrin në mbi 1 metër. Moti i keq, me reshje të dendura dëbore dhe ngrica ka “paralizuar” zonat malore në vend.
Situata në Qarkun e Dibrës është problematike për shkak të reshjeve të shumta të borës dhe ngricave. Në qytet trashësia kalon 35 cm, në zona të thella mbi 80 cm. Ka patur vështirësi në qarkullim dhe herë-herë segmente të caktuara kanë qenë të bllokuara. Sipas policisë, në aksin rrugor Maqellarë-Bulqizë në vendin e quajtur “Maranicë”, një borë-pastruese, duke pastruar rrugën, ka rrëshqitur dhe ka rënë në një kanal, duke bërë kështu bllokimin e këtij aksi rrugor. Pas ndërhyrjes me ndihmën e fadromave dhe të një borëpastrueseje tjetër, u bë e mundur që pas disa orë pune, të zhbllokohej ky aks rrugor. Lëvizja në këtë aks tashmë vijon me zinxhirë.
Në vendin e bllokimit do të qëndrojnë punonjësit e policisë si dhe borë-pastruesja, pasi si pasojë e erës së fortë grumbullohet dëborë, duke bërë bllokimin e këtij segmenti.
Gjatë kohës që ishte i bllokuar aksi rrugor, një autoambulancë nga Njësia Administrative Maqellarë, po transportonte një grua shtatzënë që ishte për lindje drejt Tiranës, por për shkak të rrugës së bllokuar në vendin e quajtur “Maranicë”, autoambulanca është kthyer prapa dhe me ndihmën e policisë ka kaluar nëpërmjet vendkalimit kufitar Bllatë-Dibër e Madhe-Qafë Thanë – Tiranë.
Po gjatë orëve të pasdites, Shërbimet e Policisë i kanë ardhur në ndihmë një tjetër familjeje, ku një grua shtatzënë për lindje, e kanë transportuar drejt Spitalit të Peshkopisë me automjetin e Policisë Kufitare Bllatë, pa asnjë problem.
Si pasojë e kushteve të motit në Qarkun e Dibrës deri në këto momente kemi këtë situatë:
Në Dibër, Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Luzni si pasojë e rreshjeve të dëborës të rëna gjatë natës dhe erërave të fuqishme, akset rrugore që lidhin këto njësi vazhdojnë të jenë të bllokuara. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e rrugëve. Në Njësitë Administrative Kala e Dodës, Sllovë, Arras, Muhurr, Tomin, rrugët janë të hapura dhe kalohet vetëm me zinxhirë.
Në Bulqizë, Njësitë Administrative Trebisht, Ostren, Tërnovë, për shkak të reshjeve të dëborës dhe erërave të fuqishme, vazhdojnë të jenë të bllokuara. Po punohet për zhbllokimin e tyre. Në Njësitë Administrative Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Fushë-Bulqizë, Martanesh, rrugët janë të hapura dhe kalohet vetëm me zinxhirë.
Në Mat, Njësia Administrative Xibër, për shkak të reshjeve të dëborës, është e bllokuar dhe po punohet për hapjen e saj. Akset e tjera janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndërsa aksi kryesor nacional Peshkopi-Bulqizë-Mat është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Shërbimet e Policisë janë të gjitha në gatishmëri, ku po monitorojnë lëvizjen e automjeteve, duke ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe familjeve që kanë nevojë për ndihmë.
Gjysma e vendit e izoluar dhe pa drita, PD thirrje Ramës të zgjohet
Partia Demokratike paraqiti dje para mediave një raport të detajuar për të gjitha zonat e izoluara, pa ujë, pa drita dhe shërbim shëndetësor, mbështetur në raportimet e strukturave të saj në zonat më të goditura nga moti i keq. Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, akuzoi qeverinë Rama se po bën propagandë dhe jo punë. “Strukturat e Partisë Demokratike kanë sjellë informacion për njësitë dhe zonat më të goditura nga moti i keq. Edhe pse pritej një mot i tillë, qeveria është e papërgatitur dhe mungon ndërhyrja e saj. Eshtë tronditëse ajo që u pranua edhe dje në Shtabin Qendror të Emergjencave, nga drejtori Premçi, se ka mungesë kripe për të zhbllokuar rrugët e zëna nga dëbora dhe akulli”, u shpreh Spaho.
Spaho tha se, kjo tregon papërgjegjshmëri dhe abuzim ekstrem. “Më kontretisht, informojmë si vijon për qytetet dhe fshatrat më të goditura; Puka është një ndër bashkitë më të goditura. Rruga nacionale është pothuaj e pakalueshme për shkak të ndërhyrjes me vonesë. Sot asnjë makinë nuk ka lëvizur drejt Shkodrës për shkak të pasigurisë. Të gjitha njësitë administrative si Rrapë, Qelëz, Luf-Qerret dhe Gjegjan janë të bllokuara totalisht dhe prej 48 orësh janë pa energji elektrike. Njësia e Gjegjanit vuan edhe mungesën totale të ujit të pijshëm. Shtabi i Emergjencës nuk është mbledhur akoma”, deklaroi Spaho.
Has
Të dhënat tona tregojnë se prej dje, i gjithë rrethi është izoluar, të gjitha rrugët janë të bllokuara, dhe nga dje nuk ka drita, as ujë të pishëm. Nuk ka asnjë ndërhyrje qeveritare për ndihma, apo për të hapur rrugët. Banorët e rrethit të Hasit e kanë të pamundur të marrin ndihmë shëndetësore. Trashësia e dëborës shkon nga 50 centimetra, deri në 1 metër në shumë zona.
Malësi e Madhe
E bllokuar, në veçanti Njësia Administrative e Kelmendit. Fshatrat e Vermoshit dhe Vuklës janë të izoluara. Rruga nacionale që lidh qytetin kalohet me vështirësi dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për pastrimin e saj. Prej 3 ditësh në zonat administrative të Shkrelit, Kelmend, Kastrat nuk ka drita dhe rrugët nuk janë pastruar, dhe sot janë tërësisht të izoluara. Aktualisht, gjysma e bashkisë ka mungesë të energjisë elektrike.
Kukës
Mbi 24 orë i gjithë territori i Kukësit është pa energji elektrike. E bllokuar Njësa Administrative e Bushtricës, në Kalis, Grykë -Caje Ujmisht dhe nuk ka ndërhyrje në rrugen nacionale Kukës- Dibër. E bllokuar rruga Kukës-Fushë-Arrëz, e për pasojë janë të izoluara fshatrat e Njësisë Malzi. Të bllokuara janë edhe njësitë; Shishtavec, Topojan, Zapod. Të kalueshme me vështirësi janë rruga e “Kombit”, rruga Kukës-Bicaj, dhe fshatrat e kësaj njësie janë të izoluara dhe pa drita. Spitali Rajonal i Kukësit është pa drita.
Dibër
Të bllokuara nga dëbora janë të 7 njësitë administrative. Ka mungesa të pastrueseve të dëborës dhe nuk ka kripë për rrugët. Nga dje, nuk ka drita në zonat Lurë, Kala e Dodës, Fushëcimë, Selishtë. Mungesë totale të furnizimit me ujë në 18 fshatra. Problematike mbetet furnizimi me ilaçe dhe ushqime për zonat e bllokuara nga dëbora.
Mirditë
Kaçinari, Selita, Fani dhe Oroshi janë pa drita, prej ditës së djeshme dhe me rrugë të brendshme të bllokuara. Asnjë ndërhyrje qeveritare deri tani në këto zona.
Bulqizë
Të bllokuara nga dëbora akset e njësive administrative që lidhen me qytetin e Bulqizës. Konkretisht; Trebishtë -5 fshatra; Ostren -12 fshatra; Krastë -5 fshatra; Zerçan -5 fshatra; Shupenzë -4 fshatra. Ka mungesë të borëpastrueseve dhe të furnizimit me kripë. Janë pa drita zonat e Ostrenit, Zerçanit, Trebishtës.
Tropojë
Eshtë e bllokuar Njësia Bytyç, ku 2 mijë banorë janë të izoluar dhe prej dy ditësh pa drita. Njësia Bujan, 3 fshatra të bllokuara dhe pa drita. Në Fierzë, disa fshatra të izoluar dhe pa energji elektrike. Në Tropojë fshat, 7 fshatra të bllokuara dhe pa drita. Njësia Margegaj është pa energji elektrike. Zona e Gashit është në errësirë prej 2 ditësh. Në Lekbibaj janë izoluar 6 fshatra dhe janë pa drita. Dëbora në Tropojë shkon nga 50 në 100 centimetra.
Shkodër
Janë bllokuar segmentet: Qafë Thore-Theth, duke izoluar tërësisht Njësinë Shalë. Eshtë bllokuar segmenti Kir-Mali Shoshit-Ndreaj. Në Njësinë “Rrethina”, gjysma e zonës është pa drita, nga dje. Në 5 fshatra të “Bërdicës” nuk ka energji elektrike nga dita e djeshme. Në Dajç nuk ka drita prej dy ditësh. Në Shosh dhe në Shalë disa fshatra janë pa drita.
Korçë
Të bllokuara rrugët: Korçë-Lekas, Korçë-Dardhë, Korçë-Vithkuq. Me probleme të mëdha rruga Korçë-Liqenas. Të bllokuara dhe pa energji elektrike pjesa më e madhe e fshatrave të Njësisë Administrative Vithkuq, Lekas, Vokopojë.
Lezhë
Eshtë izoluar zona e Kashnjetit, dhe pothuajse të gjitha fshatrat e rrethit janë pa drita.
Mat
Pa drita zonat e Xibrit dhe Gurrës, prej ditës së djeshme. Rruga Klos-Dibër nuk është hapur ende për mjetet.
Kurbin
Pa drita prej 24 orësh, gjysma e qytetit dhe të gjithë fshatrat. Ndërkohë janë krejt të izoluara fshatrat Vinjollë, Gorrnec, Livadhëz, Daul, Selitë, Shemri, Vilëz.
Krujë
Në Njësinë Çudhi; të bllokura fshatrat Shkretë, Mafsheq, Çudhi Kamp, Bruz-Mal, Rranzë. Pa energji elektrike fshatrat; Rranzë Bruz-Zallë Bruz-Mal.
Librazhd
Njësia Sterblevë e izoluar.
“Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit të zgjohet, të lërë propagandën. Njerëzve nuk i vihet në ndihmë me llafe, por me prani në terren, me hapje rrugësh, me furnizime me ushqime, ujë e medikamente, dhe energji elektrike. Partia Demokratike po monitoron në vijimësi situatën dhe do të komunikojë me publikun çdo rast që do të shërbejë për t’iu gjendur pranë qytetarëve”, deklaroi Spaho.
R.POLISI