8.5 C
Tirana
E premte, 9 Maj, 2025

Kryeministër, u ktheve nga pushimet? “Kazanët” po vlojnë!

Silvi BARDHI

Një lajm i keq po shënohet në të gjitha mediat, gazetat, portalet, rrjetet sociale, për të rinjtë shqiptarë. Më shumë se 25 mijë vajza, djem, të sapodiplomuar ose në proces studimi, rrezikojnë të mbeten pa punë. Kjo për shkak të ndryshimeve ligjore të shtetit fqinj, Italisë, të cilat prekin rreth 850 biznese të qendrave telefonike, Call-Center në Shqipëri. Prej 5 muajsh Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian diskutoi ndryshimet ligjore dhe më 24 nëntor të këtij viti, ajo miratoi amendimet, ndërsa Senati Italian pritet shumë shpejt t’i votojë, që do të thotë se ligji do të ketë zbatueshmëri të plotë. Ky ligj do të ketë një ndikim të fortë në Shqipëri, pikërisht në vitet e saj më të errëta të papunësisë dhe varfërisë. Qeveria shqiptare, ndonëse ka dijeni për këtë lajm, i cili godet dhe rrënon mijëra të rinj dhe të reja shqiptare, nuk reagon për të negociuar me autoritetet italiane për të gjetur një zgjidhje të mundshme.
Çfarë propozohet në ndryshimet e këtij ligji?
Kompanitë Call-Center, të cilat operojnë jashtë kufirit të shtetit italian, duhet të deklarojnë origjinën nga vjen telefonata, në të kundërt gjobitet me 150 mijë euro. Duhet të deklarohet emri dhe mbiemri i telefonuesit nga ai telefonon.
Po përse është kaq shqetësuese situata për këto kompani?
Drejtuesit e tyre thonë se, në momentin që klienti kupton se telefonata bëhet nga Shqipëria dhe telefonuesi është shqiptar, atëherë është shumë e vështirë të lidhet një kontratë. Presidentët e bizneseve telefonike shprehen se në këto kushte, kur nuk shihet asnjë reagim, asnjë shpresë dhe asnjë zgjidhje për shpëtimin e biznesit të tyre nga ana e qeverisë shqiptare, ata do të shkojnë automatikisht drejt falimentimit, duke nxjerrë në rrugë më shumë se 25 mijë të rinj dhe të reja. Shumë shpesh, profesioni i tyre është krahasuar me një punë të rëndomtë në shfaqet televizive qeveritare. Në të shumtën e rasteve këta të rinj janë krahasuar me argatë dhe pa të ardhme për jetën e tyre.
Nëse për Partinë Socialiste dhe jolegalizimin e saj, puna në Call-Center është skllavërim, biseda me një S. D., një nëne e një fëmije 5 vjeç, dëshmon të kundërtën.
Ajo më rrëfehet se puna në Call-Center nga një domosdoshmëri i është kthyer në profesion. 32-vjeçarja nga Tirana, e martuar, prej më shumë se 10 vitesh punon në këtë sektor.
“Kur isha ende studente, thotë S. D., e konsideroja si një punë provizore pa e ditur se ajo do të kthehej në një profesion për mua. Për momentin më dukej puna më e përshtatshme dhe në këtë mënyrë mund të mbaja veten, duke mos i peshuar më ekonomikisht familjes sime me të ardhura më se modeste. Kam përfunduar arsimin e lartë dhe sigurisht pas diplomimit si të gjithë të rinjtë me ëndrra të mëdha, kam kërkuar punë si në shtet ashtu edhe në privat. M’i kanë mbyllur dyert në fytyrë ose mbas shpine vetëm me justifikimin se unë isha pa eksperiencë. Kam marrë edhe përgjigje “të këndshme”, pasi i pyesja se ku do e merrja eksperiencën nëse askush nuk më hapte dyert. Përgjigja e tyre ishte: Ke shumë të drejtë, por përse duhet të eksperimentojmë me ty. Gjithsesi unë tashmë e kam krijuar të ardhmen mbi punën në Call-Center”, thotë S. D., e cila thotë se pa pagën e saj, ekonomia e tyre familjare do të ishte rrënim dhe me pasoja shumë më të mëdha.
S. D., thotë se pasi është dorëzuar të kërkojë tjetër punë, e sheh veten të profesionalizuar në këtë sektor, në të cilin ka investuar rreth një dekadë të jetës së saj.
S. D., më tregon një histori të një gruaje rreth të 50-ve, e cila kishte humbur vendin e saj të punës si juriste. Ishte detyruar të kërkonte punë në Call-Center, pasi e shihte si të vetmen mundësi të ardhurash. Pasi u punësua, ajo fitoi një tjetër përshtypje për të rinjtë që punojnë në biznesin telefonik.
“Sa herë që dikush do më flasë keq për Call- Center-at apo të më thonë që është punë koti, kam për t’i kundërshtuar me shpirt dhe për t’i treguar se çfarë lodhje ka këtu brenda dhe sa përkushtim tregojnë për të mbajtur vendin e punës”, ishte shprehur juristja në fjalë.
S. D., thotë se ndryshimet ligjore, të cilat prekin privatësinë e telefonuesit, do të rrezikonin automatikisht biznesin në Shqipëri duke e çuar në falimentim. Shumë të rinj, të cilët punojnë me gjysmë orari, kanë mundësi të vijojnë studimet dhe të sigurojnë edhe të ardhura, pa u rënduar familjeve dhe krijuar kushte më të mira për jetën e tyre.
“Ky lajm është një minë që mund të shpërthejë nga momenti në moment dhe nuk është se kemi një informacion të mirëfilltë mbi të, përveç lajmeve që qarkullojnë, thotë S. D. Sinqerisht nuk pres asgjë të mirë, por si gjithmonë ne shqiptarët jemi mësuar të presim për të parë se çfarë do të ndodhë, duke qenë se jemi të pafuqishëm ta parandalojmë”, përfundon e pashpresë ajo.

Schalke nuk ndalet, mposht Darmstadt

10 fitore dhe 2 barazime për Schalke 04 në 12 ndeshjet e fundit mes kampionatit, Europa Leagues dhe Kupës së Gjermanisë. Vijon momenti i shkëlqyer i formës për Blutë Mbretërorë që pas startit shumë të dobët të sezonit, duket se janë rikthyer në rrugën e duhur. Në Bundesligë, Schalke regjistroi fitoren e 3-të radhazi dhe të 5-ën në total, pasi mposhti në Veltins Arena, 3-1 me përmbysje Darmstadt-in. Të besuarit e Markus Weinzirl thelluan krizën e miqve, duke u ngjitur në kuotën e 17 pikëve në kampionat. Schalke e pa veten shumë shpejt në disavantazh, sepse Darmstadt-i shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë, duke kaluar në epërsi me Heller që në minutën e 6-të.
Megjithatë në të 26-ën mbrojtësi boshnjak Kolasinaç i shërbyer nga Choupo Moting goditi saktë me kokë, duke vendosur sërish barazpeshën. 2 minuta më pas, sulmuesi kamerunas i vendasve Erix Maxim Choupo Moting shpërdoroi një 11-metërsh, duke mos arritur t’i japë dot epërsinë Schalkes. Gjithsesi golin e avantazhit për skuadrën e drejtuar nga Markus Weinzirl, Choupo Moting arriti të realizonte në minutën e 60-të, duke ngritur peshë të pranishmit në shkallët e stadiumit. Për t’i vënë  vulën fitores dhe 3 pikëve të radhës për Schalken në Bundesligë mendoi, Schopf që në të 90-ën realizoi edhe golin e 3-1.
Në ndeshjen që mbylli javën e 12-të të Bundesligës, Hertha e Berlinit mposhti 2-1 Mainz-in në kryeqytet, duke u ngjitur në kuotën e 24 pikëve në vendin e 3-t të klasifikimit me pikë të barabarta me Eintracht-in e Frankfurtit. Ishte një fitore me përmbysje ajo e skuadrës së drejtuar nga trajneri hungarez Pal Dardai. Seydel në të 25-ën kaloi Mainzin në avantazh, por Ibesiviç ishte protagonisti kryesor i sfidës për Herthën. Sulmuesi boshnjak realizoi dy herë, duke kthyer rezultatin në favor të vendasve ndërsa në minutën e 74-t u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u larguar përpara kohe nga fusha dhe duke barazuar forcat. Më herët ishin miqtë që kishin mbetur me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq në minutën e 62-të të Gbamin.

Reflektim nga Samiti i Diaspores

Naim HASANI

Në fillim të muajit shtator 2016 mora një e-mail në lidhje me atë që më vonë do të bëhej një ndër eventet më të përfolura që do të zhvillohej në Shqipëri më në fund për diasporën. Për mua ishte një gjë sensacionale që një qeveri në Shqipëri organizonte për të parën herë një samit për tërë mërgatën shqiptare jashtë atdheut.
Me shumë kënaqësi e pranova ftesën dhe si të gjithë të tjerët bëra të gjitha përgatitjet e duhura për të marrë pjesë dhe salltanetet nuk kishin të sosur. Shumë e-mail dhe programe pompoze nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, që të bënte të mendoje a po shkonim në Shqipëri apo USA, sepse fushata elektorale ishte në kulmin e saj.
Mezi prisja që të takoja përfaqësuesit e vërtetë të diasporës shqiptare, nga gjithë bota e sidomos Vatrën Shqiptare të Amerikës së largët, që janë shpirti dhe zemra e mërgatës shqiptare me rol të padiskutueshëm e të pamohueshëm në historinë moderne të kombit shqiptar.
Prisja…… e çfarë nuk prisja nga vendi amë nga qeveria e vendit tonë.
Sapo mbërrita në Tiranë bashkë me miqtë e mi, e gjetëm kryeqytetin të zbukuruar si radhë herë. Pas takimit me miqtë e mi drejtues të degës së Partisë Socialiste në Britani, për të cilët kam respekt të plotë dhe me të cilët ndamë gëzimin e pjesëmarrjes në samitin e parë të diasporës, në natën e parë të samitit, me pritjen që na u rezervua në Pallatin e Brigadave nga Kryeministri i Shqipërisë, realiteti shqiptar që vetëm bashkim nuk mund të prodhojë, u bë prezent dhe i dha diasporës mësimin më të shëmtuar që mund të jepte shteti shqiptar.
Perceptimi dhe organizimi i pritjes dhe për fat të keq i të gjithë samitit, për mendimin tim nuk ishte asgjë tjetër veçse një prelud i fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe udhëheqësit legjendar, “babait të kombit”, lartmadhërisë së tij Zotit Kryeministër i Shqipërisë.
Samiti i Diasporës duhej të ishte një simbol i unitetit kombëtar dhe i përfaqësimit të inteligjencës shqiptare nëpër botë dhe ishte turp e vetëm turp, që ne të gjitha pritjet dhe aktivitetet e organizuara mungonte simboli i unitetit të kombit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani dhe lideri i opozitës zoti Lulzim Basha si dhe përfaqësues të opozitës shqiptare.
Ndarja dhe përçarja ishte evidente dhe pa dashur të fyej asnjë pjesëmarrës, ngjyrimi socialist ishte i dukshëm dhe nga samiti diaspora, për mua ky eveniment që mund të përcillte mesazhin e shpresës dhe të bashkimit e të ngjallte shpresën e diasporës shqiptare në botë, fatkeqësisht ishte asgjë më shumë se një Kongres i Partisë në pushtet.
Nuk kishte asgjë të bënte me diasporën, e cila u dërgua nëpër vendet e tyre në mbyllje të samitit, me thënien e Kryeministrit se ne duhet të flemë të qetë tani e tutje, se ai do të mendonte për ne dhe hallet tona.
Por në të vërtetë përse u bë gjithë kjo jehonë dhe ky samit kishte pushtuar mediat shqiptare të qeverisë dhe nuk pati shqiptar në Shqipëri që nuk e dinte se ne kishim ardhur nga diaspora për samitin.
Ku janë hallet më të mëdha të shqiptarëve? Në diasporë? Në Shqipëri? A kishte nevojë Shqipëria për një eveniment të tillë, apo thjesht për t’i bërë jehonë Kryeministrit dhe pushtetit të sotëm, për të prezantuar një realitet virtual të dirigjuar aq mirë, sa gati më ngjante me organizimin e kongreseve të partisë së dikurshme ku zëri ndryshe dhe papajtues me partinë nuk ekzistonte fare.
Një miku im gazetar shumë i talentuar i njerës nga gazetat më të mëdha në UK, zoti Petrit Kuçana, si i ftuar nga diaspora donte t’i bënte një pyetje të vetme Kryeministrit, (ndoshta edhe për ta falënderuar për salltanetin që na ishte bërë, ku çdo gjë e kishim të përballuar me forcat tona, përveç ftesës për të marrë pjesë), edhe pse insistoi të fliste dhe ju dha mikrofoni pas shumë mundimesh, sapo filloi të flasë regjia ja fiku atë të shkretë mikrofon, ndoshta nga frika se mos na dilte ndonjë demokrat dhe na e “lëndonte” Kryeministrin shpirtërisht. Ndjej keqardhje për këtë xhest të pakedhem ndaj kolegut dhe mikut tim zotit Kuqana. Një veprim i ngjashëm u përsërit edhe me zotin Lutfi Vata të cilit nuk ju dha mundësia të fliste edhe pse disa herë e kërkoi mikrofonin.
Pushteti e kishte organizuar samitin e mërgatës jo për të mërguarit për show elektoral, ku vetëm diaspora nuk kishte asnjë lloj roli veçse për të duartrokitur e brohoritur Rroftë Vasali. Më vjen keq, por ky samit si filloi ashtu edhe përfundoi “Nonsense”.
A kishte nevojë Shqipëria dhe shqiptarët për një samit të tillë de facto Socialist? Shumë qytetarë të thjeshtë shqiptarë, socialistë e demokratë, kur bisedoja për samitin e diasporës, vetvetui ngrinin pyetjen përse keni ardhe juve këtu? Siç duket qeveria i ka zgjidhur të gjitha hallet e shqiptarëve në Shqipëri dhe jemi të gjithë të lumtur dhe ju thanë juve të diasporës të vini se mos merrni pak shembull nga lumturia jonë kanabisianë?
Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një rizgjim total të ndërgjegjes sonë kombëtare, pa dallim bindjeve politike, një unitet të plotë pozitë-opozitë, të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë dhe të kemi një strategji të plotë kombëtare për diasporën, të vetdijshëm për fatet e kombit dhe situatën mjerane që po kalon sot Shqipëria, ku çdo sekond rinia shqiptare mendon se si të largohet nga vendi dhe të mos kthejë më sytë nga toka nënë që e rriti.
Mirëqenia dhe atdhedashuria janë të lidhura ngushtë me të ardhmen e shqiptarëve dhe klithmat e rilindjes të tre viteve më parë, që tashmë janë fshirë nga kujtesa e pushtetit të sotëm, kane sjellë një zhgënjim total të rinisë dhe popullatës që jeton në Shqipëri, që si 25 vite më parë, e shikon shpresën e vetme tek largimi nga trojet e veta drejt Perëndimit.
Nëse Kryeministri e do vërtetë vendin, duhet të kthejë sytë dhe të shikojë se në fund të mandatit mund të mos ketë më elektorat t’i shkojë mbrapa dhe se Rimindja e tij po e bën të gjithë popullin shqiptar “diasporë”!
Më vjen keq që isha pjesë e një fasade të orkestruar në mënyrë perfekte nga pushteti i sotëm që injoroi diasporën e vërtetë. Gjatë këtyre ditëve më vinte shpesh në mend ajo thënia e rëndomtë, që e kanë provuar në kurriz shqiptarët “sa gjëra bëhen në emrin tënd o popull”!
Diaspora është ajo që i paraprin ndryshimit dhe ajo që nuk ja ka nevojën pushtetit në Shqipëri, prandaj unë nxjerr vetëm një konkluzion nga kjo eksperiencë tre ditore në samit. “Lum neve çfare na thanë. Mjerë neve çfarë pamë”!
E gjithsesi ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që takuam shumë shokë e miq që nuk i kishim parë ndër vite dhe pas kaq kohësh Tirana na bëri bashkë dhe nxorëm mallin me shoqërinë e vjetër.

Avokat në Mbretërinë e Bashkuar

Dy dokumente të tjera nga praktika e pranimit në Partinë Fashiste

Studiuesi Kastriot Dervishi ka paraqitur dy dokumente të reja të anëtarësimit të Nexhmije Hoxhës në Partinë Fashiste. Në një reagim pas publikimit të dokumentit të parë, Zonja e Zezë reagoi duke thënë se mund t’i ishte dashur ai dokument për shkak të punësimit si mësuese, por ajo shprehej se asnjëherë nuk kishte vënë firmën për t’u anëtarësuar në Partinë Fashiste. Dokumentet hedhin poshtë mashtrimet e monstrës Nexhmije. Ajo ka nënshkruar tek noteri për të qenë pjesë e Partisë Fashiste.
“Bashkëlidhur nga e njëjta praktikë dokumentare që lidhej me pranimin në Partinë Fashiste të zonjushës Nexhmije Xhuglini në nëntor 1941, dy dokumente: njëri që lidhet me vërtetimin e fotografisë dhe nënshkrimit përpara noterit dhe tjetri i Prefekturës së Tiranës që vërteton se zonjusha kishte ‘sjellje të mira politike dhe morale’. Në ditët e tjera një dokument tjetër vërtetues pse ishin fashistë të gjithë personat që punonin në administratë në atë kohë”, shprehet Kastriot Dervishi.

Alarm para “El Clasico”

Barazimi ndaj Real Sociedad nuk është lajmi më i keq për Barcelonën në javën para ndeshjes së ndezur kundër rivalëve të përjetshëm të Real Madrid. Katalanasit tashmë po përballen me një seri problemesh me dëmtimet, ku bie në sy ai i Lionel Mesit dhe duken në alarm të plotë. Argjentinasi shënoi golin e vetëm për ekipin e tij në “Anoeta”, por mungoi në stërvitjen e djeshme, i lënë pushim nga stafi teknik. Mediat spanjolle raportojnë se, Mesi ka ndjerë shqetësime dhe për çështje sigurie është vendosur që ai të qëndrojë pushim, pasi Luis Enrike nuk dëshiron të humbë yllin e tij para duelit më të rëndësishëm të fazës së parë të sezonit, në të cilin një humbje mund të rezultonte vendimtare për titullin kampion.
Ndërkaq, Zherard Pike dhe Zhordi Alba, të cilët kishin probleme fizike pas goditjeve që morën në duelin e djeshëm ndaj Real Sociedad, parashikohet të jenë të gatshëm në fundjavë. Por të dy, ashtu si edhe Mesi, nuk pritet të jenë në fushën e lojës për sfidën e Kupës së Mbretit që Barcelona luan në mesjavë ndaj Herkules.
Ekipi i Enriques barazoi 1-1 pas një ndeshje ku vuajti shumë për të marrë atë pikë, me Sociediadin që madje pa t’i anullohej dhe një gol i rregullt në pjesën e dytë. Ashtu siç kishte ndodhur në këto vitet e fundit, Barca e pati shumë të vështirë të ishte padrone e fushës, me Sociedadin që madje kaloi përpara me Willian Jose në të 53-ën.
Në disavantazh dhe në gjendje të vështirë, Barca u mbështet te Mesi që barazoi me Mesin 6 minuta më pas. Gjithsesi vuajtjet e blaugranave nuk morën një zgjidhje, pasi deri në fund rezultati nuk ndryshoi pavarësisht se Sociedadit u anullua dhe një gol. Dy pikë të lëna që rëndojnë akoma më shumë pozitat e Barcës në javën e El Clasicos me Realin.
Atletico e Madridit rigjeti fitoren pas dy humbjeve radhazi në La Liga, duke fituar 0-3 në Pamplona ndaj Osasunës, pas një ndeshje jo dhe aq të thjeshtë për ekipin e Simeones, që është e vërtetë që zgjidhi ndeshjen në vetëm 2 minuta, por kaloi disa vështirësi përpara se të arrinte te goli. Ndaj Osasunës, ekipi i Simeones ishte shumë pranë disavantazhit që në fillimin e ndeshjes, por Oblak arriti të presë një 11-metërsh në minutën e 14-të. Ky moment zgjoi los colchoneros, që brenda pjesës së parë në minutat 36-të dhe 37-të arritën të gjenin dy herë rrugën e rrjetës, me Godin dhe Gameiron. Ndërkohë që në fundin e ndeshjes ishte Carrasco që shënoi dhe golin e 3-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar për madrilenët.
Deportivo Alavesh surprizoi Vijarealin brenda në Madrigal, duke u konfirmuar si “Ndëshkuesja” e të mëdhenjve teksa triumfoi 0-2. Alavesh e zgjidhi mjaft shpejt ndeshjen, teksa shënoi që në minutën e 8-të me anë të Ibain, ndërsa 9 minuta më pas ishte Camarasa që dyfishoi shifrat, duke i dhënë një sukses të rëndësishëm për mbijetesën miqve.

Kros: Mund ta mbyll karrierën tek Reali

Toni Kroos mund ta mbyllë karrierën te Reali i Madridit. Mesfushori gjerman, i cili pak javë më parë rinovoi zyrtarisht kontratën e tij me Los Blancos deri në vitin 2022, në një prononcim për mediat gjermane la të kuptohet se, kur të jetë 32 vjeç do t’i japë fund futbollit të luajtur. “Nuk jam nga ata lojtarë që mund të jem pjesë e futbollit deri në moshën 38 apo 39-vjeçare”, nënvizoi 26-vjeçari. Kjo deklaratë e Kroos mund të ngjasojë disi e çuditshme, por 32 vjeç, mesfushori i kombëtares së pançerave do ti mbushë në vitin 2022, periudhë e cila përkon edhe me fundin e kontratës së re që ai ka firmosur me Los Blancos.
Aktualisht, Kroos është i dëmtuar dhe mungesa e tij është një minus i madh për Realin e Madridit, që gjithsesi ka arritur t’i fitojë të gjitha takimet e fundit. Ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm që ka në dispozicion klubi merengues dhe jo më kot nga kontrata e re me Realin, Kroos do të përfitojë më shumë se 20 milionë euro në sezon. Në intervistën e tij, mesfushori gjerman theksoi se, fiziku i një futbollisti mund të lejojë të luash në nivelet më të larta deri në moshën 32-vjeçare dhe viti 2022 ndoshta është ai i duhuri që Kroos t’i japë fund karrierës. Megjithatë, Kroos u tregua gjithashtu realist, duke shtuar se nuk di se çfarë mund të ndodhë pas 6 vitesh.
Ndërkohë, Bastian Schweinsteiger pritet të rikthehet në Brazil, aty ku ngriti edhe trofeun e Kupës së Botës jo për të luajtur me Gjermaninë, por me ekipin e Santosit. Trajneri i këtyre të fundit, Dorival Junior, konfirmoi interesimin për mesfushorin gjerman, i cili ka përfunduar jashtë skuadre te Man. United. Ai shtoi se do të ishte një goditje e mirë për Santosin ardhja e Schweinsteiger teksa ky operacion mund t’i ngjajë atij të Botafogos që afroi Clarence Seedorf pas largimit nga Milani.

Ballkani Perëndimor me mirëqenien më të ulët në Europë

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguesit më të ulët për sa i përket mirëqenies. Shqipëria dhe vendet e rajonit renditen të fundit në Europë sipas studimeve nga The Boston Consulting Group (BCG).
BCG ka zhvilluar një nga mënyrat më të mira për të matur “mirëqenien e qëndrueshme” bazuar mbi 44 tregues të ndryshëm, të cilët janë grupuar në tri grupe të mëdha. Ky institut e mat mirëqenien duke u mbështetur mbi ekonominë, investimet dhe qëndrueshmërinë e një vendi.
Në renditjen europiane, në krye të klasifikimit janë vendet skandinave me 100 pikë, vendet e Beneluksit 95 pikë, Gjermania 93.6 pikë, si dhe Zvicra dhe Austria me përkatësisht 91.1 dhe 92.7 pikë.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet pas Serbisë me 50 pikë, ndërsa Maqedonia është në fund të klasifikimit me 42.9 pikë.
Në kontrast nga vendet e Europës Perëndimore, të cilat bëjnë pjesë në 10 vendet me treguesit më të mirë në botë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fund. Por, pse ka kaq shumë diferenca brenda një kontinenti?!
Norvegjezët janë të kënaqur me perspektivën e vendeve të punës, me cilësinë e shtëpive dhe ndihen të sigurtë në një vend ku krimi është i ulët. Ata e rendisin mjedisin si një prej faktorëve më domethënës të mirëqenies së tyre.
Gjermania, me 93.6 pikë, dominon vendet e bllokut qendror, të cilët gjithashtu kanë tregues të lartë në hartën e vendeve europiane. Popullsitë e vendeve fqinje si Austria, Zvicra, Luksemburgu, Belgjika dhe Holanda plotësojnë listën e vendeve europiane më të dëshirueshëm për të jetuar.
Në raport, gjithashtu, citohet se mirëqenia është kryesisht e lidhur me pasuritë e një vendi dhe me normat e rritjes së PBB-së. Në këto drejtime, Shqipëria ka tregues të mirë të konvertimit të pasurisë në mirëqenie, ndërsa Kroacia, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina po konvertojnë rritjen ekonomike në mirëqenie, sipas studimit të BCG.

Gashi dhe Colorado eliminohen nga Seattle

Shkëlzen Gashi nuk ja doli të fitonte dot titullin e Konferencës së Perëndimit në MLS, me Koloradon që u mposht 0-1 në shtëpi nga Seattle në sfidën e kthimit, duke u mundur 3-1 në total. Në Dick Sporting Good Park, Colorado e dominoi lojën, por pa arritur të gjente dot golin që do t’i jepte përmbysjen e sfidës së parë të humbur 2-1. Pas vetëm pesë minutash, Jones pati mundësinë për Coloradon për të kaluar në epërsi vendasit pas një harkimi të Gashit në zonë, por gaboi, ndërsa rasti më i mirë për Rapids u paraqit në minutën e 23-të, kur sërish vendasit nuk arritën të shfrytëzonin një aksion kundërsulmi. Një tjetër harkim i Gashit në minutën e 25-të për pak sa nuk u shndërrua në gol nga Jones në të 25-ën, ndërsa në të 56-ën ishte Morris që i dha epërsinë ekipit mik me golin e 0-1. Ky gol ishte mëse i mjaftueshëm për ekipin e Seattle, deri në fund që fituan jo vetëm titullin e Konferencës, por dhe mundësinë për të luajtur në finalen e MLS ndaj Torontos ose Montrealit më datë 10 dhjetor.

Çështja “Manaj”, e mbyllur

Normalizohet situata e Rey Manajt te Pescara. Sulmuesi shqiptar, pas pezullimit për sfidën me Romën për arsye disiplinore, ka nisur normalisht stërvitjen me skuadrën e parë nën urdhrat e trajnerit Massimo Oddo. Konfirmimi vjen nga kapiteni i Pescarës Ledian Memushajn, i cili sqaron nëpërmjet telefonit se gjithçka ka ndodhur i përket së shkuarës dhe se 19-vjeçari po përgatitet për ndeshjen e radhës.
“Situata është normalizuar që sot dhe gjithçka është si më parë. Manaj është i ri ka gabuar mund të gabojë sërish. Edhe unë kur kam qenë në moshën e tij kam patur raste që kam gabuar. Trajneri Massimo Oddo nuk i mban mëri, kështu që pezullimi ka qenë vetëm për ndeshjen me Romën. Unë e kam si një vëlla të vogël dhe gjithmonë i jap këshilla”, u shpreh Memushaj.
Ndaj verdhekuqve 29-vjeçari shënoi golin e parë në Serinë A, finalizim që fatkeqësisht nuk ishte mjaftueshëm për t’i dhënë pikë Pescarës. Memushaj ndihet i keqardhur që goli i tij nuk mori vlerën që meritonte.
“Ishte goli i parë në Serinë A dhe sigurisht që jam i gëzuar, por më vjen keq që goli im nuk u shoqërua me rezultatet pozitiv. E kisha humbur më parë një 11-metërsh ndaj Lazios pikërisht në portën ku i shënova Romës”, tha ai.
Pescara e nisi mirë sezonin, por humbjet radhazi e kanë komplikuar seriozisht situatën e saj në zonën e ftohtë të renditjes. Gjithsesi futbollisti i kombëtares shqiptare beson se ekipi i tij do të arrijë të mbijetojë.
“E kam të vështirë ta shpjegoj se çfarë po ndodh. Ndoshta edhe mungesat që kemi patur për arsye dëmtimi mund të kenë ndikuar. Megjithatë edhe skuadrat e tjera që renditen më lart se ne nuk janë të distancuara, kështu që kemi mundësi dhe besoj se do të arrijmë të qëndrojmë në Serinë A”, tha Memushaj.
Vendimin e Federatës Italiane të Futbollit për zhvillimin e ndeshjes së marsit mes Italisë dhe Shqipërisë në Palermo të Siçilisë, Memushaj e mendon të qëllimshëm, që të ketë sa më pak shqiptarë në stadium. “Po ta mendosh, ai stadium është i vetmi ku shqiptarët e kanë më të vështirë të jenë të pranishëm. Megjithatë, unë mendoj se mbështetja e tifozëve tanë nuk do të mungojë as në Palermo”, përfundoi Memushaj.

Genoa “frenon” Juventusin

Vetëm një mbiemër i madh mund t’i bëjë ballë Juventusit dhe kur emri që mban mbi shpinë është Simeone ke atë të duhurin. Giovanni Simeone, djali i El Cholos, ishte protagonisti i Genoas në fitoren 3-1 me Juventusin duke shënuar një dygolësh në “Marassi” kundër kampionëve në fuqi, që pësuan humbje e 3-të sezonale, këtë herë, atë më të thellën. Ekipi i Allegrit në ndryshim nga humbjet e mëparshme me Interin dhe Milanin nuk arriti të kishte asnjë lloj impakti në ndeshje, pasi Giovanni Simeone shënoi dy herë në minutat 3 dhe 13-të, për një epërsi të dyfishtë të ekipit të tij. Goli i 3-të ishte një dhuratë e vetë Juventusit me Alex Sandro, që gabimisht dërgoi topin në rrjetën e tij. Shifrat bardhezinjtë i shkurtuan vetëm në fund me një goditje dënimi shumë të bukur të Pjanicit.
Një humbje që për momentin nuk ndikon në klasikimin e bardhezinjve ndërsa ngjiti jo pak në renditje Genoan. Atalanta është skuadra e momentit. Ekipi ku luan Etrit Berisha, i cili këtë herë mungoi për shkak dëmtimi regjistroi fitoren e 6-të radhazi pasi mposhti në transfertë dhe Bolognën 2-0 falë golave të shënuar nga Masiello në pjesën e parë dhe Kurtic në të dytën. Një sukses që e mban Atalantën në zonën europiane. Cagliari mori një fitore qetësie ndaj Udineses në Sardenjë me golat e Farias dhe Saut teksa mundi 2-1 Udinesen, që nuk mundi të ruajë dot barazimin provizor të Fofanas.
Tomas Strakosha regjistron ndeshjen e pestë në Serie A dhe njëkohësisht suksesin e katërt sezonal për të me skuadrën e Lazios. Portieri i kombëtares shqiptare u rreshtua titullar për të dytën herë rresht pasi Marchetti nuk ia doli të rikuperohej për transfertën e Palermos, ku Lazio fitoi me rezultatin 1-0. 22-vjeçari shqiptar zhvilloi një ndeshje pozitive në “Renzo Barbera”, stadiumin që më 24 mars do ta vizitojë si portier i Shqipërisë për eliminatoren ndaj Italisë. Në minutën e 31, Milinkovic Savic kaloi kryeqytetasit në avantazh, ndërsa gjatë 45 minutave të para, gardiani kuqezi u detyrua të kryente vetëm një ndërhyrje kur në minutën e 34, Nestorovski rrezikoi portën bardhekaltër.
Në fraksionin e dytë, Lazio u tregua më e kujdesshme duke kontrolluar ndeshjen dhe duke ulur presionin, kjo e detyroi portierin shqiptar të aktivizohej shpeshherë në pasimet e shpeshta të bardhekaltërve për të qetësuar lojën. Ai u shfaq i sigurt dhe nuk e vuri për asnjë moment në rrezik suksesin e ekipit të Simone Inzaghit. Me këtë sukses, Lazio qëndron në zonën europiane me 28 pikë dhe shkon e qetë drejt derbit të Romës javën e ardhshme. Për Strakoshën, kjo ishte ndeshja e dytë brenda pak ditësh pas rikthimit në fushë kundër Genoas.