Europa po i bie këmbanave të alarmit
Lulzim BASHA
Lajmet e këtyre ditëve nuk janë lajme të mira. Realiteti ynë i drogës, i krimit, i korrupsionit tashmë, jo vetëm është kuptuar, por po theksohet nga e gjithë Evropa.
Mediat dhe politikanët e Evropës po flasin hapur dhe pa dorashka. Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë përditë në kurrizin e tyre, në shtëpitë dhe familjet e tyre, tashmë po vë në rrezik integrimin europian të vendit. E shohim, e prekim, janë fakte që i di unë, i dini ju, i dinë demokratët, i dinë opozitarët, i dinë të gjithë, i di e gjithë Shqipëria, të gjithë i kuptojnë. Ka vetëm një njeri në botë që nuk e sheh këtë realitet dhe i fshihet me vetëmohim. Ky person fatkeqësisht është kryeministri aktual i vendit. Në vend që të reflektojë për gjendjen ku është zhytur Shqipëria, në vend që të reflektojë për mesazhet e forta që nuk kanë nevojë për ndërmjetës, ai ka zgjedhur të fshehë realitetin dhe të vazhdojë avazin e tij të propagandës së shfrenuar, trushpëlarjes dhe keqinformimit të qytetarëve shqiptarë me regji qendrore.
Droga po mbyt Shqipërinë. Edi Rama thotë, fajin e ka opozita. Krimi ka shtënë në dorë shtetin, ekonominë, ky thotë fajin e ka opozita. Klientët e tij po plaçkisin çdo pasuri të vendit ku me të ashtuquajturat koncesione që në fakt janë monopole qeveritare, ku me tendera korruptivë, ku me grabitje ashiqare të njerëzve të lidhur me të dhe me pushtetin e tij, Shqipëria po zbrazet, njerëzit po ikin, ky thotë: fajin e ka opozita. Bota dhe Europa në veçanti po i bie këmbanave të alarmit, për drogën, për krimin, për korrupsionin, për gjendjen e vendit dhe përgjigjja e tij është: fajin e ka opozita. E di që nuk kanë mbetur shumë njerëz që shpresojnë se Edi Rama mund të ndryshojë, por nëse ka mbetur ndokush për fat të keq do të zhgënjehet.
Sot dhe tash tri vite në Shqipëri janë përjetuar dy botë, bota-realiteti, ku jetojnë shqiptarët dhe bota ku jeton Edi Rama. Kjo e fundit është bota e luksit, është bota e avionëve privatë, e çarterave, është bota e ekspozitave të kushtueshme në kryeqendrat e botës, është bota e qejfit, e udhëtimeve. Është bota e indiferencës totale ndaj realitetit ku jeton pjesa tjetër e shqiptarëve. Sepse, shqiptarët jetojnë në një botë të varfërisë që shtohet, të papunësisë që shtohet, të krimit, të drogës, të fëmijëve në shkolla në gjendje të mjerueshme, të fëmijëve pa shkollë, të shëndetësisë në ditën e vet më të zezë, të njerëzve të dëshpëruar e të shtyrë deri në aktet më tragjike si lajmi i tmerrshëm që morëm sot nga Fllaka e Durrësit dhe gjithë ky realitet ka përballë një njeri, Edi Ramën, i cili ka humbur vullnetin, dëshirën dhe mundësinë për ta parë këtë botë. Në zyrë e keni parë, i ka veshur muret me skicat e vizatimeve të tij, krenohet me skicat e vizatimeve të tij në vend që të kishte në zyrën e tij hallet e panumërta të shqiptarëve dhe skicat e projekteve për të zgjidhur këto probleme. Edhe kur i duhet të dalë nga zyra, çfarë bën? Merr me vete botën e tij të izoluar të luksit. E keni parë besoj sa herë që vjen me regji qendrore dhe bën të ashtuquajtura takime me qytetarët edhe në fshatrat më të thellë e më të varfëra të Shqipërisë, merr gjithmonë me vete karriget e rehatshme të Tiranës. Edhe sot në Peqin, nuk besoj se ishin karriget e Peqinit ato ku ishin ulur fermerët, jo, jo, janë karriget e luksit. Merr me vete botën e tij të luksit e transporton për pak minuta me regji qendrore dhe kur përballet me hallet e njerëzve siç u përball sot në Peqin, me atë zonjën që ishte studente ekselence dhe që e ka të pamundur të gjejë vend pune si infermiere, çfarë bën: i trajton hallet si gënjeshtra, si ankesa dembelësh, i trajton hallet si sajesa sharlatanësh apo i stigmatizon si njerëz që janë aty jo për hallet e tyre, por për hallet e opozitës. Apo i stigmatizon si njerëz, të cilët janë aty jo për hallin e tyre, por për hallin e opozitës. Sepse, në botën e tij, fajin gjithmonë e ka dikush tjetër. Fajin nuk e ka kurrë as qeverisja, as kryeministri. Një ditë fajin e ka populli, pothuajse çdo ditë në fakt, ditën tjetër fajin e kanë mediat, çdo ditë fajin e ka opozita sepse për të, opozita është armiku kryesor. Është armiku më i madh, siç e ka thënë, më i madh se krimi, droga apo korrupsioni.
Nga ana tjetër, kjo gjendje e vërtetë ekonomike, kjo gjendje e vërtetë shoqërore psikologjike, ky depresion, duhet të reflektohet në hartimin e një buxheti realist që ka në themel nevojat e njerëzve. Për këtë arsye, kërkoj nga ju, nga drejtuesit tuaj kudo ku ndodhen, të ndërmarrin një proces verifikimi, evidentimi, regjistrimi konkret të të papunëve, të të pastrehëve, familjeve pa të ardhura apo me të ardhura minimale, pra njerëzve në vështirësi ekonomike, të njerëzve të goditur nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, nga sëmundjet siç është dermatoza nodulare, që po bën kërdinë në zonat rurale, nga prishjet e paligjshme të objekteve për të mundësuar, jo këtë buxhet që ka sjellë ky, se ky do të jetë buxheti më jetëshkurtër në historinë e Shqipërisë, por që buxheti ynë t’i përgjigjet realisht këtyre nevojave, sepse buxheti ynë, buxheti im, buxheti i Partisë Demokratike, nuk do të shkojë për kolltuqe, për palma, për fasada, por do të shkojë në radhë të parë dhe mbi të gjitha, për njerëzit në nevojë që sot përbëjnë për fat të keq shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të lejojmë dhe nuk do të lejojmë qindra miliona euro për fasada, ndërkohë që familjet në nevojë ekonomike nuk marrin ndihmën ekonomike. Ata që e marrin, e lënë po atë ditë për faturat e energjisë, për faturat e ujit, për gjobat, për penalitetet, për kamatëvonesat. Me qeverinë tonë, qëllimi i parë dhe kryesor është që asnjë familje nuk do të mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita. Ç’më duhet mua si kryeministër 600 mijë lekë palma, kur ka njerëz që nuk kanë bukë të ushqejnë fëmijët në darkë? Çfarë kryeministri do të isha nëse do të pranoja shpenzimin e 140 milionë eurove në një vit për 11 klientët e mi, kur me këto para mund të kisha hapur 55 mijë vende pune. 55 mijë vende pune! Kjo krizë ekonomike dhe sociale që vendi po kalon, fakti që sot mijëra familje diskutojnë bukën e fëmijëve, pamundësia për të paguar çmimin e rritur në energjisë, e cila sipas EUROSTAT është më e larta në rajon, ky realitet nuk futet, nuk depërton dot, në zyrën me vizatime të Edi Ramës.
Sekretary Kerry uron shqiptarët për Pavarësinë

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shprehu urimet me rastin e 28 nëntorit, 104-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në mesazhin dërguar në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, zoti Kerry shkruan se Shqipëria është një forcë në rritje për sigurinë rajonale dhe globale.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në mesazh, çmojnë thellë ndihmesën e Shqipërisë për Koalicionin Global në Luftën Kundër ISIS-it, për Operacionin Mbështetja e Vendosur dhe për KFOR-in.
“Ne, – shkruan zoti Kerry, – vlerësojmë gjithashtu angazhimin tuaj të fortë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe nxitjen e paqes në të gjithë Ballkanin Perëndimor.”
Në vitet në vijim, thuhet në mesazh, Shtetet e Bashkuara presin vazhdimin e bashkëpunimit, sidomos në mbështetje të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Basha-Ramës: Hiq dorë nga droga dhe mos krijo armiq imagjinarë
Kryetari i PD, Basha i është përgjigjur statusit në rrjetet sociale të Ramës me dy këshilla për drogën dhe armiqtë e jashtëm: “Lëri përrallat me armiq imperialistë. Mijëra familje vuajnë për bukën e gojës, shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në Ballkan, vendi po zbrazet e të papunët shtohen çdo ditë, maturantëve ua dogje ëndrrat për arsim, studentët po lënë shkollën prej tarifave të rritura, fermerët nuk i ngop dot me përralla për kredi, shëndetësinë e çove në kolaps. Krimi, droga dhe korrupsioni i kanë zënë rrugën vendit. Këto janë hallet e shqiptarëve e jo armiqtë imagjinarë që zbulon nga dhoma e vizatimeve. Është ora e të vërtetës”, shkruan Basha.
Presidenti me shkrimtarë dhe botues: Gjuha shqipe po përçudnohet
Kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani mikpriti dje në institucionin e Presidentit shkrimtarë dhe botues, përkthyes, studiues e akademikë të librit në gjuhën shqipe, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, diaspora, si dhe nga trevat shqiptare e vende të ndryshme të botës kudo ku jetojnë e punojnë, pjesëmarrës në Panairin e Librit 2016.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shprehu të ftuarve kënaqësinë për këtë takim duke vlerësuar punën e të pranishmëve, si dhe të kolegëve të tyre, nismat dhe frytet e mendjes, penës dhe kapaciteteve intelektuale të tyre, veçanërisht për edukimin e brezit të ri dhe afrimit me leximin dhe nxënien, si një investim i madh për ruajtjen dhe pasurimin e fondit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar, duke u kërkuar që ta promovojmë më tej këtë kontribut të vyer.
“Botimet e çdo zhanri në përgjithësi, por libri i mirëfilltë letrar në veçanti janë investimi i madh për të mbajtur gjallë e pasuruar edhe më shumë njërën prej pasurive më të mëdha që kemi, atë që ka përcaktuar identitetin tonë si komb, atë që është shenja jonë dalluese në familjen e madhe të kombeve: gjuhën tonë të lashtë e amtare, gjuhën shqipe, ndër më të lashtat e më vitalet e njerëzimit. Njëri prej poetëve tanë më të vyer, At Gjergj Fishta, pati shkruar dikur postulatin e famshëm ‘Mallkuar qoftë ai bir shqiptar që në gjuhë të huaj flet pa qenë nevoja!’. Në ditët e sotme, kur bota globale nganjëherë sikur na merr përpara me ritmin e saj frenetik, duke na bërë që të mos kujdesemi edhe aq shumë për visarin tonë më të çmuar kombëtar – gjuhën shqipe, – vërej me shqetësim se gjuha që përdorim çdo ditë, gjuha që flasim e lexojmë e shkruajmë çdo ditë, gjuha që dëgjojmë përnatë në debate e diskutime, ka pësuar përçudnime dhe huazime të panevojshme”, tha në vijim të fjalës së tij Presidenti Nishani, duke i përgëzuar botuesit në emër të së sotmes dhe së ardhmes për faktin se veprat e tyre nuk janë prekur nga ky fenomen negativ i huazimeve të panevojshme.
“Bota e letrave shqipe është ajo pjesë e qenësishme e atyre fijeve të fuqishme që mbajnë të lidhur e të bashkuar kombin tonë, kulturën tonë, që ushqejnë fuqimisht dhe vazhdimisht konstelacionin shpirtëror të popullit shqiptar. Ky takim i thjeshtë e miqësor, por besoj shumë kuptimplotë me ju, përfaqësuesit e kulturës dhe letrave shqipe, është pikësëpari një moment falënderimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë, në emër të të cilëve kam përgjegjësinë dhe privilegjin t’jua adresoj”, theksoi kreu i shtetit.
Më pas, në mesazhin e tij të falënderimit, Presidenti i përgëzoi të pranishmit dhe kolegët e tyre se pavarësisht vështirësive të panumërta financiare dhe infrastrukturore, vijojnë të investojnë në këtë treg fatkeqësisht ende të pasigurt, duke treguar fisnikëri dhe duke i bërë një shërbim të vyer shoqërisë. Mesazhi vijoi me falënderimin kushtuar organizatorëve të panaireve të përvitshme të librit, të cilët kontribuojnë në edukimin e brezave me kulturën e të lexuarit, si dhe një falënderim i veçantë iu dedikua shkrimtarëve dhe botuesve shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë, për shërbimin dhe sakrificën e tyre emblematike ndaj ruajtjes së identitetit tonë kulturor në vendet ku ata jetojnë.
“Sot është një moment i vështirë për shoqërinë. Jetojmë në një kohë ku hierarkia e vlerave është vazhdimisht e kërcënuar, ku forma shpeshherë fiton gjithnjë e më shumë terren ndaj përmbajtjes, në një kohë kur varfëria tenton të mbështjellë në rrjetën e vet një numër gjithnjë e më të madh njerëzish, duke prekur sidomos më të rinjtë. Por ky vend dhe ky komb nuk mund të jenë pa shpresë dhe ju jeni një nga kolonat më të rëndësishme që ia keni dalë mbanë të depërtoni në thellësi të shpirtit, të rrisni shpresën dhe besimin shumë më tepër se çdo aktor tjetër i shoqërisë sonë moderne.
Unë jam i bindur që investimi në kulturë dhe dije është arma kryesore për zgjidhjen e këtyre problematikave dhe shteti shqiptar duhet ta mbështesë e ta udhëheqë këtë proces, duke u mbështetur në historitë tuaja të suksesit dhe të ruajtjes e promovimit të vlerave njerëzore dhe kulturore që përfaqësoni me dinjitet. Në këtë kontekst, ndihem i lumtur që sonte kemi mundësinë të njohim më nga afër njëri-tjetrin, të bisedojmë për gjendjen dhe problemet e botimeve në gjuhën shqipe, të shkëmbejmë mendime çfarë duhet të bëjmë e mund të bëjmë për të rritur në cilësi dhe në sasi gjithashtu gamën e botimeve, si mund t’i përballojmë më mirë sfidat e librit dhe dijes në kushtet e zhvillimeve të reja teknologjike dhe të përhapjes masive të internetit që ka transformuar thellë botën e komunikimit dhe aksesit të njerëzve në burimet e panumërta të informacionit, letërsisë, shkencës, arteve e tjerë.
Shpirti dhe identiteti i kombit shqiptar është formuar dhe ka mbijetuar në shtjellën mijëvjeçare. Në gjithë këtë shtjellë besoj se nuk do të gaboja po të pohoj se procesi ynë i demokratizimit dhe integrimit në familjen evropiane është njëkohësisht një proces i rizgjimit dhe konsolidimit të identitetit tonë kombëtar si një popull evropian dhe kjo pa diskutim është edhe meritë e njerëzve të letrave shqipe, është merita juaj. Është vërtet shumë e bukur e inkurajuese që konstatojmë këtë përkujdesje dhe shohim të përfshihen me kaq pasion e përkushtim të madh shkrimtarët, studiuesit, përkthyesit, botuesit që me rolin e tyre bëjnë lidhjen e veprave me lexuesin, me qytetarët”, nënvizoi më tej në fjalën e tij kreu i shtetit shqiptar.
Në mbyllje, Presidenti Nishani u shprehu të pranishmëve ndjesë për mungesën e vëmendjes dhe vlerësimit të duhur shtetëror ndaj vlerave të tyre nga ana e institucioneve përkatëse, duke e konsideruar si një anomali mungesën e politikave në këtë drejtim: “‘Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe’, thoshte dikur Shën Tereza jonë. Ju keni qenë në gjendje të bëni vepra të mëdha dhe patjetër me dashuri të madhe, sepse keni ditur nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë, të prezantoni vlerat tuaja individuale dhe intelektuale dhe keni ruajtur të praprekur fondin tonë të vyer të kulturës”.
Presidenti Nishani duke ju drejtuar të pranishmëve, por jo vetëm atyre, u bëri apel që të udhëheqin proceset civilizuese, kultivuese dhe emancipuese të shoqërisë sonë. “Dëshiroj që ju ta vazhdoni rrugëtimin e gjatë me më tepër prodhimtari, më me dinamizëm, me artikulim në përballjen e sfidave, për të ndihmuar sa më shumë që të jetë e mundur qytetarët shqiptarë, shoqërinë tonë, kulturën dhe maturimin e mbarë kombit shqiptar. Beteja mes optimizmit dhe pesimizmit ka nevojë për frymëzim dhe ju siguroj se ju do të keni keni në krah gjithë shoqërinë e emancipuar, të etur për të pasuruar dijet, në mënyrë që vlerat tuaja t’i ndani me të gjithë shoqërinë shqiptare!”, vuri në dukje kreu i shtetit.
Zbulohet një nga trafikantët edrogës të lidhur me talebanët
Zbulohet dhe arrestohet një nga trafikantët e lidhur me talebanët për trafikun e drogës. Mediat italiane raportuan dje se një shqiptar, ndër më të kërkuarit në Itali u arrestua në Korneuburg, në veri të Vjenës nga policia austriake, ndërsa ishte vetëm në një makinë. Ai konsiderohet si një nga trafikantët më të rrezikshëm të drogës dhe bashkëpunonte me talebanët për trafikun e saj, jo vetëm në Itali, por në disa vende europiane. Prej më shumë se 10 vjetësh, shqiptari Blenard Fejzullai, 40 vjeç, ka jetuar në arrati.
Organizata kriminale e tij u shkatërrua në vitet 2000-2001. Ai është dënuar nga drejtësia italiane me 12 vite burg për trafik ndërkombëtar të drogës, në bazë të një vendimi të lëshuar në vitin 2006.
Mediat italiane shkruajnë se, shumicën e viteve në arrati, shqiptari i ka kaluar në vendlindjen e tij në qytetin e Fierit, ndërsa ka kryer disa “vizita” në Itali dhe në Evropën Qendrore. Mediat italiane shkruajnë se gjatë kësaj periudhe, ai ka bërë një jetë të mirë për shkak të parave të fituara nga trafiku i heroinës. Ai ka ndryshuar vazhdimisht telefonat celularë, por edhe makinat.
Sipas mediave italiane, Fejzullai ka ndryshuar vazhdimisht edhe profilet e tij në rrjetet sociale. Në mars të këtij viti, organet e hetimit në Itali kanë zbuluar identitetin e Fejzullahut, duke kontrolluar lëvizjet e tij, derisa u arrestua më 22 nëntor 2016 nga policia austriake.
Hetimet kanë zbuluar trafikun në sasi të mëdha të heroinës nga Afganistani, i lidhur gjithashtu me talëbanët personalisht, duke marrë dhe ruajtur drogën në Shqipëri dhe në vende të tjera europiane përfshirë edhe Italinë. Jo vetëm heroina, por organizata kriminale ishte marrë edhe me shitjen e të ashtuquajturës kokainë rozë nga Bolivia e konsideruar me cilësi shumë të lartë dhe më e shtrenjta në tregun me pakicë. Hetimet kanë zbuluar se banda komunikonte me email, por nuk i dërgonin email-et, duke i lënë mesazhet “draft”, çka më pas hapeshin nga persona të tjerë të grupit, duke ditur fjalëkalimin.
Ish-Kryeministri Berisha deklaroi para pak kohësh në Kuvend se, rrjeti famëkeq terrorist ISIS ka lidhje me parcelat e drogës në Shqipëri. Berisha tha se, kanabizimi shumë shpejt mund të shihet si minerë ari nga militantët e Shtetit Islamik. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha paralajmëroi se, nëse nuk ndërhyhet nga NATO dhe BE vendi shumë shpejt mund të shihet si minerë ari nga militantët e Shtetit Islamik. “I bëj thirrje NATO-s me urgjencë të marrë në analizë drogën në Shqipëri. Ky vend në rast se nuk ndërhyhet në këtë situatë, ju garantoj se shumë shpejt do të jetë një financues i madh i terrorizmit ndërkombëtrar, i ISIS në radhë të parë”, deklaroi Berisha në Kuvend. Ish-Kryeministri Berisha tha se, aerodrome si ai i Ishmit po ndërtohen dhe në zona të tjera për trafik droge dhe armësh.
Berisha paralajmëroi: ISIS tek droga në Shqipëri
Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi në Kuvend më 22 shtator se, siguria kombëtare është në rrezik nga kanabizimi i vendit ndërsa i bëri thirrje NATO-s si dhe Bashkimit Evropian të ndërhyjnë në mënyrë urgjente, pasi rrjeti famëkeq terrorist ISIS ka lidhje me parcelat e drogës në Shqipëri. “Sot unë dua të jap alarmin, të shpreh shqetësimin tim më të madh për dramën në të cilën është zhytur Shqipëria. Sot, siguria kombëtare është më e kërcënuar se kurrë në historinë e këtij vendi nga kohërat e luftërave e deri tani. Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e dikurshme, jo të sotme të Europës. Kanabisi, arat e deputetëve, politikanëve dhe ministrave, kanë mbuluar vendin nga Pogoni deri në Vermosh. Asgjë nuk kërcënon më shumë sigurinë e këtij vendi sesa kanabisi. Pra, edhe një herë jap alarmin se kjo situatë është më kërcënuesja për sigurinë kombëtare dhe unë, i them shqiptarëve, i them Aleancës së Atlantikut të Veriut, Bashkimit Europian, se në Shqipëri ISIS do të ketë minierat e floririt në kanabisin e kriminelëve shqiptarë, e bandave shqiptare”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar se, Shqipëria po shndërrohet në një vend që po financon shtetin islamik. “I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar ta marrë këtë në mënyrën më serioze, të mos injorojë këtë fakt. Zotërinj, a e lexuat shtypin italian se çfarë shkruante? Shkruante se aeroporti i Ishmit ishte për transport armësh. Kambanat bien për të gjallët jo për të vdekurit, këto kambana bien për Shqipërinë. Keni kaluar nga mushkonjat nëpër aeroporte në mushkonja për trafiqe kriminale, qoftë kanabis, qoftë kokainë, qoftë armë. Edhe një herë u them se kurrë s’ka qenë më e kërcënuar siguria kombëtare e këtij vendi, se një vend anëtar i NATO-s s’mund të bëhet kurrë kërcënim për aleatët e vet me kanabisin. Kemi detyrime të mëdha ndaj shqiptarëve dhe aleatëve tanë, sepse në dhjetëra miliardë, dora e zezë e ISIS s’ka asnjë pengesë që të shtrihet. Dhe pastaj çfarë do të thoni ju aleatë të NATO-s, që financoni shtetin më të kobshëm të kohërave, aktet më terroriste, çfarë do të thoni ju që ngritët një sistem aeroportesh për të transportuar armë, para, drogë e çdo gjë? A nisi kjo me mushkonjat dhe përfundoi me aeroportin e Ishmit, aeroportin “Saje qorri”? A e dini ju që po ndërtohen aeroporte të tjera apo jo? Ja u them unë që po. Po ndërtohen aeroporte të tjera për trafiqe kriminale. Çfarë shteti jemi ne që eksportojmë vdekje për aleatët tanë. Dalin këtu në mënyrën më të neveritshme e shpifëse dhe flasin se paska patur dhe më parë. Po, kishte, por kishte një luftë dhe kjo luftë bëhej. Pyesni autoritetet italiane, pas moratoriumit të skafeve dhe luftës ndaj trafiqeve, Italia hoqi kontrollin e hapësirës ujore në Shqipëri. Por ju besoni gënjeshtrat tuaja, sepse ju nuk fluturoni me presh mbrapa, ju fluturoni me para mbrapa”, tha Berisha.
PD do të trokasë në çdo derë për hallet e njerëzve
Kryetari i PD Basha u kërkoi të gjithë drejtuesve të PD në rrethe që brenda datës 15 janar të evidentojnë të gjithë të papunët, të varfërit, të goditurit nga përmbytjet dhe nga paligjshmëria e qeverisë. Takimi kishte të bënte me fazën finale të procesit të hapjes, të bashkimit, të përgatitjes së PD dhe të opozitës për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe, barrën e kthimit të shpresës tek Shqipëria, tek shqiptarët, për një Shqipëri që i ofron shanse dhe mundësi të gjithëve.
“Bashkërisht edhe këto javë, këto muaj, kemi qenë pjesë e një faze konsultimi e bashkëbisedimi me njerëzit, me qytetarët, me anëtarët e PD. Ky konsultim ka qenë i vazhdueshëm, por tashmë në këtë fazë përfundimtare, do të na duhet që së bashku me ju, me drejtuesit e PD në rrethe dhe këtu në qendër të marrim vendimet e aksionit tonë politik, të marrim vendimet që presin shqiptarët për alternativën tonë, për programin tonë, për ekipin tonë, për përfaqësimin tonë para shqiptarëve. Jam i bindur se me këtë konsultim që i ka kaluar gjithmonë konturet e partisë tonë politike dhe që ka përfshirë gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe do t’i përfshijë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimit të vërtetë, ne do të konkludojmë me vendimet e duhura, si përsa i përket aksionit politik, ashtu edhe sa i përket alternativës, programit, ekipit tonë të ri”, tha Basha.
Kryetari i PD u tha drejtuesve të degëve se të gjitha të dhënat do të jenë në funksion të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të PD që do të adresojë skatësisht këto nevoja të popullsisë. “Ky popull e paguan energjinë më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Këto janë vijat tona të kuqe të papranueshme, jo vetëm sot si opozitë, por dhe nesër në qeveri. Propaganda me suksese imagjinare duhet dhe do të marrë fund me fundin e kësaj qeverie. Prandaj, kërkoj që brenda 15 janarit, degët tona, aktivistët tanë, anëtarët tanë, simpatizantët tanë, këshilltarët tanë bashkiakë, deputetët tanë, kryetarët tanë të bashkive, të evidentojnë me saktësi në çdo rreth të Shqipërisë gjendjen reale të papunësisë, jo thjesht si statistikë, por si njerëz me halle e brenga, pra si njerëz me emër dhe mbiemër, njerëz që janë në vështirësi ekonomike që nuk kanë asnjë të ardhur, të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, që u janë sëmurur bagëtitë, atyre që u janë prishur pa të drejtë banesat. Këto të dhëna do të vihen në funksion të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të Partisë Demokratike, që do të adresojë saktësisht këto nevoja. Alternativa jonë do të jetë një alternativë realiste siç i takon çdo vendi demokratik dhe jo përralla, as fjalë në hava, por plane të mbështetura tërësisht në nevojat e qytetarëve dhe në mundësitë që kemi për t’i përballuar prej ditës tonë të parë në qeverisje. Ky është misioni i një qeverie. Kemi të saktë problematikën ekonomike dhe sociale në çdo zonë të vendit. Nuk mund të lejojmë më dhe nuk do të lejojmë, që në kufijtë e mbijetesës, shqiptarëve t’u ofrohet përsëri gënjeshtra e 20 mijë lekëshit apo e thesit me miell në prag të zgjedhjeve”, tha Basha.
Kreu i opozitës ka qenë i qartë në objektin e PD në qeveri. Do të garantohet bukë, ujë dhe energji për të gjithë. “Do t’i garantojmë përmes këtij procesi transparent të vërtetë dhe konkret, që nesër qeveria jonë, qeveria ime do të mundësojë që çdo familje shqiptare të ketë bukë, ujë dhe drita. I kemi dhënë zgjidhje kësaj në platformën tonë. Kemi diskutuar bashkërisht me qytetarët, duke marrë përsipër në buxhetin e shtetit pagesën e plotë për familjet në nevojë ekonomike deri në 200 kilovat, edhe faturën e ujit për të gjithë familjet në nevojë, për të gjithë familjet e varfëra”, tha Basha.
Rama ka braktisur popullin
Kryetari i PD tha se, Rama tashmë është një skllav i egos së tij për pasurim, ndërsa ka braktisur popullin. “Tashmë Edi Rama e ka braktisur krejtësisht popullin e tij, vendin dhe të vërtetën. Ka braktisur të vërtetën. Tani, ai është një skllav i egos së tij, i etjes së tij për luks, për pushtet, për para dhe për famë personale në kurriz të popullit më të varfër të Europës dhe kjo e ka çuar tek një grusht klientësh dhe tek krimi. Ndaj ne do të bëjmë detyrën tonë të shenjtë. Jo thjesht atë që nuk po bën Edi Rama dhe qeveria e tij, por atë që është detyra jonë ekzistenciale, arsyeja përse ekzistojmë si parti politike, përse jemi mbledhur këtu në këtë sallë. Përse kemi marrë përsipër përgjegjësitë me të cilat na kanë investuar demokratët, ajo detyrë është: të mendojmë për njerëzit, t’u gjendemi gjithmonë pranë e në veçanti atyre që janë në nevojë. Braktisjen totale nga Edi Rama, të realitetit, të të vërtetave, ne duhet t’u përgjigjemi me solidaritet, me ndihmë për qytetarët dhe me një raport të pastër me të vërtetën e qytetarëve. E kemi bërë këto tri vite, mund, duhet dhe kam bindjen se do ta bëjmë edhe më mirë, të vërtetën e qytetarëve”, tha Basha.
400 mijë lopë drejt ngordhjes nuk jepen 1 milion USD vaksina
Kryetari i opozitës ka prekur në takim problemin që kanë fermerët me lopët e sëmura. Ai ka evidentuar se janë 400 mijë lopë të prekura nga dermatoza dhe po shkojnë drejt ngordhjes, sepse Rama nuk jep një fond 1 milion dollarësh për vaksinimin e tyre, sepse paratë janë për luksin e tij dhe të ministrave. “Është e papranueshme, e theksoj: është kriminale dhe do ta trajtojmë si kriminale në aspektin kriminal dhe në aspektin financiar që miliona dollarë, 100 milionë dollarë vetëm këtë vit, kanë shkuar për makina, për luks, për palma, ndërkohë që njerëzit janë pa bukë, pa ujë dhe në errësirë. Kjo në qeverisjen time, kjo në qeverisjen tuaj, do të marrë fund.
Në mënyrë konkrete i bëj sot thirrje qeverisë të kryejë menjëherë vaksinimin e plotë të të gjithë lopëve të prekura nga dermatoza nodulare. Janë 400 mijë lopë në gjithë vendin. Qeveria duhet të akordojë mjaftueshëm para për të blerë vaksinat për çdo lopë. Kushtojnë më pak se sa ryshfeti shtesë që i jep një nënkontraktori për të ndërtuar shtabin e ri të hajdutërisë të OSHEE-së. Kushtojnë më pak se 1 milion dollarë. Nuk i gjejnë 1 milion dollarë për bagëtitë e fermerëve, sepse ato para i përdorin për çartera. Ashtu si nuk gjen dot 8 milionë lekë për të riparuar aksin nacional në Bërzhitë për 1 vit, sepse 10 milionë lekë merr çarteri për në Hamburg. Po kështu, me këtë kërkesë dua të siguroj të gjithë fermerët se si kryeministri i vendit në krye të qeverisë së ardhshme do të ofrojmë ndihmë të plotë për vaksinimin e të gjitha bagëtive dhe do të kompensojmë me vlerë financiare të gjithë bagëtitë e humbura si rezultat i kësaj sëmundje dhe neglizhencës qeveritare. Puna që na pret është e jashtëzakonshme.
Ky është një udhëtim për të gjithë shqiptarët, drejt një Shqipërie që ofron mundësi për të gjithë ata. Larg një Shqipërie ku një pakicë ka në dorë politikën, ekonominë dhe gjithë resurset e vendit. Kjo do të jetë një betejë e vështirë, sepse sfidat janë të larta, por në anën tonë janë interesi publik, e mira e përbashkët dhe dëshira e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim.
Bashkë me ta le të bëhemi shpresa për këtë ndryshim, bashkë me ta le të bëhemi ky ndryshim tek i cili mund dhe do të besojnë gjithë shqiptarët. Dhe jo një ndryshim vetëm për një grusht pushtetarësh brenda partive politike. Dhe për këtë, na duhet një hapje e vërtetë, një bashkim i fuqishëm, një vendosmëri për të përfaqësuar në çdo nivel, jo thjesht e vetëm interesat tona si parti, por interesat e çdo shqiptari”, tha Basha.
Rama, një fundjavë luksi në Milano bashkë me Gjushin
Pas telasheve që i janë krijuar ditët e fundit me ndërkombëtarët, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe teksa sot përfundoi një takim me fermerët në Peqin, kryeministri Edi Rama është nisur në mbrëmje për fundjavë jashtë vendit.
“Lapsi.al” sjell foto ekskluzive nga avioni me të cilin udhëton kryeministri.
Destinacioni është Italia, konkretisht në Milano. Në këtë udhëtim, thonë burime të “Lapsi.al”, Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij Linda, si dhe Vangjush Dako me bashkëshorten. Udhëtime të tilla për fundjava jashtë vendit, kryeministrit i duken më komode sa herë ka me vete kryebashkiakun e Durrësit.
Nuk dihet ende nëse ai do të kthehet sërish në Shqipëri apo do të udhëtojë direkt për në Berlin, ku të hënën pritet të zhvillojë një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Në atë atë takim do mësohet qëndrimi përfundimtar i Gjermanisë për çështjen e hapjes së negociatave.
Një ditë më parë, deputeti gjerman Gunther Krichbaum tha në emër të grupit parlamentar të CDU-së se do të votojnë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, pasi nuk janë plotësuar kushtet.
Gjatë ditës së sotme kryeministri sulmoi kreun e opozitës, të cilin e akuzoi se “kap skutave deputetë të huaj për të sharë e për të bllokuar Shqipërinë”, ndërsa më herët u ballafaqua në Peqin me një vajzë, e cila ishte e papunë ndonëse kishte mbaruar me rezultate të mira Infermierinë.
Por kryeministri iu përgjigj se vajza si ajo që kishin mbaruar me mesatare të lartë dhe që janë pa punë, ka plot jo vetëm në Peqin, por në të gjithë vendin.
“Lapsi.al”
Përshkallëzohet protesta kundër plehrave në Fier
Banorët e Mbrostarit në Fier kanë nisur sërish protestën ditën e djeshme kundër ndërtimit të impiantit të mbetjeve në zonën e tyre. Paraditen e djeshme ata patën një takim me prefektin e Fierit, por siç u mësua nuk gjetën asnjë zgjidhje. Prefekti i Fierit ka pritur një përfaqësi të protestuesve, të cilëve u ka shpjeguar se vendimi i Këshillit Bashkiak për impiantin e përpunimit të mbetjeve është “Nul”, pasi ende nuk është zbardhur. Banorët kërkuan me këmbëngulje një vendim konkret në lidhje me këtë çështje, ndërsa i bënë thirrje Prokurorisë që të nisë sa më parë hetimin.
Prefekti Xhevit Bushaj u tha banorëve se, ende nuk është marrë në shqyrtim çështja e impiantit dhe pse nuk është dakord me vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Fierit me votat e të majtës. Banorët u shprehën të revoltuar nga përgjigjja e prefektit dhe dolën sërish në protestë, duke bllokuar rrugën nacionale Fier-Tiranë. “Prefekti na mashtroi. Pritëm tre ditë përgjigjen e tij, por ai nuk na dha asnjë zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestën derisa të anulohet vendimi i Bashkisë për impiantin e plehrave”, u shpreh një nga protestuesit që ishte në takimin me Prefektin.
Edhe ditën e djeshme në protestë ndodheshin edhe fëmijët, të cilët mbështesin prindërit e tyre në protestën kundër ndërtimit të impiantit të plehrave. Banorët e Mbrostarit u shprehën se do të vijojnë protestat, duke paralajmëruar përshkallëzime derisa të anulohet vendimi i impiantit.
Prej dy javësh, banorët e Mbrostarit janë hedhur në protesta, duke vendosur barrikada në rrugë për të bllokuar qarkullimin e mjeteve nga Fieri në Tiranë dhe anasjelltas. Ata janë përballur edhe me dhunën policore dhe arrestimet, por nuk janë tërhequr nga protesta, përkundrazi kanë paralajmëruar se do ta përshkallëzojnë atë. Banorët pohojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat nëse nuk tërhiqet projekti i fabrikës së plehrave. Megjithë presionin, terrorin policor dhe arrestimet në mes të natës, banorët thonë se do të jenë për çdo ditë në shesh derisa të anulohet vendimi. Burra, gra, fëmijë, të moshuar, kërkojnë të mos u rrezikohet jeta nga ndërtimi i fabrikës së plehrave!
Para pak ditësh, banorët e Mbrostarit protestuan edhe para Bashkisë së Fierit. Një përfaqësi protestuesish janë futur në zyrën e Subashit, por në një kohë kur ata prisnin të gjenin një gjuhë të përbashkët me kryetarin e Bashkisë së Fierit, janë revoltuar në zyrën e të zgjedhurit të tyre. Subashi u është përgjigjur me arrogancë interesit të banorëve për anulimin e vendimit për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë. Ai u ka komunikuar protestuesve se, projekti për ndërtimin e impiantit është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak dhe nuk anulohet.
Një muaj më parë, në protesta u përfshinë edhe banorët e Njësisë Administrative Portëz, duke detyruar Bashkinë të tërhiqet nga vendimi i parë për ndërtimin e impiantit në Portëz. Protesta e banorëve të Mbrostarit hyri në ditën e katërt.
Këshilli Bashkiak ka vendosur me votat e PS dhe të LSI ndërtimin e impiantit të mbetjeve në Mbrostar, por banorët e kundërshtojnë kategorikisht këtë, sepse sipas tyre tokat janë moçalore çka do të përcillte ndotjen nga impianti në të gjitha sipërfaqet bujqësore.
Protestat e banorëve të Fierit mbështeten edhe nga Dega e PD Fier. “Afati tre ditor, i lënë nga Prefekti i Fierit për t’i dhënë një përgjigje banorëve të Mbrostarit, tashmë ka përfunduar. Prefekti nuk jep zgjidhje! Banorët nuk do të heqin dorë nga protesta! Ata do të vazhdojnë bllokimin e rrugës deri në anulimin e vendimit. Ne jemi me ju, Fieri është kundër plehrave”, shkruhet në njoftimin e PD Fier.
Qeveria dhe Bashkia në vend që të dëgjojë zërin e banorëve për anulimin e fabrikës së vdekjes, siç e cilësojnë ata, ushtron presion ndaj protestuesve me arrestime dhe kërcënime. Zyrtarët mundohen ta politizojnë protestën, në një kohë që në këtë protestë janë përfshirë të gjithë banorët pa dallime partiake në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre.
Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk, Kraps dhe Portëz, ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit. Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e mazhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit.
R.POLISI
Shpërthim tritoli në banesën e oficerit të policisë në Rinas
Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm në shtëpinë e një polici që shërben në Rinas. Persona të panjohur për policinë kanë vendosur një sasi eksplozivi në katin e dytë të saj, rreth orës 2:25 minuta të mëngjesit. Shpërthimi i fortë që u dëgjua në të gjithë Fushë–Prezën shkaktoi vetëm dëme materiale në shtëpinë e efektivit të policisë, Arben Kajmaku.
Policia nisi hetimet për rastin, por ende nuk ka të dhëna mbi shkaqet apo autorët e mundshëm. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka ngritur dyshimin se lënda shpërthyese, duhej të ketë qenë rreth 100 gramë. Sipas rrëfimit të të afërmve, ajo dyshohet se mund të jetë hedhur nga jashtë rrethimit të banesës. Vetë Kajmaku ka pohuar se nuk ka konflikte apo probleme private, apo që lidhen me detyrën e tij.
Policia bëri të ditur se, rreth orës 02:25, ka ardhur një telefonatë tek numri i emergjencave 112, në Fushë-Prezë, është dëgjuar një shpërthim. Menjëherë janë dërguar Shërbimet e Policisë, të cilët kanë konstatuar se në katin e dytë të banesës së shtetasit A. K., me detyrë Punonjës Policie në Rinas, dyshohet se i kanë vendosur një sasi të vogël lëndë eksplozive. Nga shpërthimi i kësaj lënde të dyshuar eksplozive, ka patur vetëm dëme të lehta materiale.
Agjenti i krimeve të Komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit, i cili tha se ai dhe familja e tij ndjehen të shokuar për ngjarjen. 42-vjeçari tha se, ai nuk ka konflikte me asnjë person dhe nuk e di nëse sulmi i ka ardhur për shkak të detyrës. E paqartë mbetet mënyra që autorët kanë vendosur sasinë e vogël të lëndës eksplozive, duke qenë se banesa është e rrethuar. Ata mund ta kenë hedhur nga jashtë sasinë e tritolit, ndërsa, sipas burimeve nga grupi hetimor, nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar banesë. Hetimet janë fokusuar në pistën e sulmit për shkak të detyrës si agjent krimesh në Komisariatin e Rinasit.
Shpërthimet me tritol janë kthyer në të gjithë vendin. Para një jave, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Fushë-Krujës, duke krijuar frikë dhe panik tek banorët. Eksplozivi ka shpërthyer në qendër të qytetit, ku si pasojë u dëmtuan pesë mjete që ndodheshin të parkuara pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Në të njëjtën ditë u hodh në erë me eksploziv makina e nëndrejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, Gerti Aleksi. Makina që u hodh në erë me tritol ishte e bashkëshortes së nëndrejtorit, por ajo përdorej nga ai. Burime nga grupi hetimor thanë se, hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë përqendruar në dy drejtime, konflikte të krijuara nga pozicioni i tij i punës, apo për probleme personale të vetë Aleksit.