Jose Mourinhon këmbëngul për të transferuar Elseid Hysajn në “Old Trafford”. Sipas “ESPN”, trajneri portugez është gati t’i bëjë një ofertë konkrete klubit të Napolit, ndonëse do të jetë e vështirë që mbrojtësi shqiptar të shkëputet që në janar nga San Paolo. Gjithsesi me një propozim të qartë dhe të leverdisshëm për presidentin De Laurentiis, në verë Hysaj mund të bëhet pjesë e Premier League.
Te United janë të bindur se kanë në dispozicion kartën e duhur për ta arritur këtë marrëveshje. Bëhet fjalë për mbrojtësin italian Darmian, i cili nuk po përshtatet me skemat taktike të Mourinhos. Ish-futbollistin e Torinos, Napoli e pëlqente dy sezone më parë kështu që ekzistojnë premisat që drejtuesit e të dy klubeve të bien dakord për një shkëmbim të mundshëm, plus një sasi të konsiderueshme parash në arkat e skuadrës italiane.
Vetëm pak muaj më parë, Elseid Hysaj rinovoi kontratën me Napolin me një klauzolë largimi 50 milionë euro, e vlefshme vetëm për jashtë Italisë. Pikërisht, ky është detaji që mund të shfrytëzojë Mourinho për të vënë nën urdhrat e tij mbrojtësin e kombëtares shqiptare verën e ardhshme.
Mourinho jep Darmian plus para për Hysajn

Zyrtare, Itali-Shqipëri luhet në Palermo
Itali-Shqipëri do të luhet në Palermo. Ashtu siç ishte paralajmëruar pak javë më parë, sfida e 24 marsit të 2017 mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet në stadiumin “Renzo Barbera”, ku zhvillon ndeshjet e saj skuadra e Palermos. Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që të këtë sfidë, e pesta në radhë sa i përket eliminatoreve të Botërorit, Rusi 2018 ta luajë në Siçili. Për këtë vendim mendohet se ka ndikuar dhe miqësorja e 18 nëntorit të vitit 2014, ku në ndeshjen miqësore të luajtur në “Luigi Ferraris” të Gjenovës ishin të pranishëm më shumë tifozë kuqezi sesa italianë dhe Federata vendase kërkon të minimizojë në maksimum praninë e tifozerisë shqiptare në impiant, duke qenë se shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj janë të shumtë.
Kjo do të jetë ndeshja e 13 që Italia do të luajë në këtë impiant teksa ka një bilanc pozitiv me 11 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje me Kroacinë në nëntor të vitit 1994. E vetmja sfidë mes Shqipërisë dhe Italisë është miqësorja e 18 nëntorit të 2 viteve më parë, me Italinë që triumfoi 1-0 në atë sfidë falë golit të shënuar nga Stefano Okaka. Aktualisht, Italia është bashkë kryesuese e Grupit G bashkë me Spanjën me 10 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e katërta me 6 pikë në total.
Berisha dëmtohet në gju
Portieri i kombëtares shqiptare dhe Atalantës, Etrit Berisha, ka pësuar një dëmtim në gjurin e djathtë. Prej dy seancash stërvitore ai po bën përgatitje veçmas grupit dhe prezenca e tij në ndeshjen e fundjavës, ku Atalanta do të përballet me Bolonjën, është vënë në dyshim.
Sipas mediave italiane, ende nuk dihet ekzaktësisht se sa mund të qëndrojë jashtë fushave Berisha prej këtij dëmtimi, por duke qenë se nuk është diçka serioze, maksimumi që portieri mund të mungojë është vetëm 1 javë.
Edhe nëse humb ndeshjen ndaj Bolonjës, ai do të jetë gati për përballjen me Peskarën në Kupën e Italisë në mesjavë, ose për ndeshjen ndaj Juventusit në fundjavën e ardhshme në Serinë A. Mungesa e Berishës do t’i japë një shans për të treguar vlerat portierit Sportielo, i cili e humbi vendin e titullarit në momentin që bergamezët afruan në skuadër “gardianin” e kombëtares shqiptare.
Shkëlqen Manchester United
Manchester United mori tri pikë të rëndësishme ndaj Feyenoordit të Roterdamit, të cilin e mposhti thellë 4-0 në “Old Trafford” në raundin e pestë të ndeshjeve në Grupin A në Europa League, me gola të Rooney-t, Mata-s, Zlatan Ibrahimoviç dhe Lingard, duke fituar duartrokitjet e publikut vendas, ndërsa Fenerbahçe kaloi 2-0 ukrainasit e Zoria Luhansk. Stoch dhe Kjaeur gjetën rrjetën në pjesën e dytë, me skuadrën turke që mbetet në krye të klasifikimit me 10 pikë. “Djajve të Kuq” do t’u mjaftojë edhe barazimi ndaj Zoria Luhanks për të vijuar përtej fazës së grupeve.
Në Grupin B, Apoel Nikosia u kualifikua për në fazën tjetër edhe pse u mund 2-1 nga Astana. Ndonëse shënoi e para me Efrem skuadra qipriote pësoi dy gola në pjesën e dytë që mbajnë firmën e Anicic e Despotovic. Kualifikohet gjithashtu edhe Olimpiakso që barazoi 1-1 me Young Boys. Në Karaiskaqis për vendasit realizoi Fortounis në fillim të pjesës së parë, ndërsa për zviceranët barazoi rezultatin Hoarau.
Në Grupin D, konfirmohet në vendin e parë Anderlehti që fitoi 1-3 në fushën e Qabalas. Tielemas shënoi për miqtë në minutën e 11-të, ndërsa pak çaste më vonë barazoi Ricardinho me 11-metërsh. Autori i golit të Qabalas humbi një 11-metërsh në minutën e 74-ërt, ndërsa Eyyubov në limitet e kohës së rregullt u ndëshkua me karton të kuq, duke i dhënë mundësinë Anderlhetit që të shënonte dy gola me Brunon dheTeodorzyk. Barazimi 0-0 me Mainzin i siguroi kualifikimin Saint-Etienne, që ka grumbulluar 3 pikë më shumë se skuadra gjermane ndaj të cilës ka edhe avantazhin e golit në fushën kundërshtare.
Në Grupin D, Zeniti i Shën Petërsburgut njeh vetëm fitore, duke iu imponuar 2-0 Maccabi Tel Avivit. Kokorin dhe Kerzhakov shënuan në fund të çdo pjese për ekipin vendas. AZ Alkmaar ndërkohë fitoi në transfertë me Dundalk me gol të Weghorst. Vendi i dytë që të kualifikon për në fazën tjetër do të përcaktohet në sfidat e raundit të fundit.
Konfirmohet edhe matematikisht në vendin e parë të Grupit E Roma, që shkatërroi 4-1 Viktoria Plzen. Shkëlqeu në “Olimpico” Edin Dzeko me një tregolësh, ndërsa Perroti shtoi një tjetër finalizim për verdhekuqtë. Golin e Zeman i realizuar në pjesën e parë i vlejti vetëm për statistikë skuadrës çeke.
Skuadra rumune Astra befasoi në shtëpi Austrinë e Vjenës që e mposhti 1-2. Rotpuller zhblloi takimin në të 57-ën, para se Florea dhe Budescu të përmbysnin shifrat.
Në Grupin F kualifikohen Gent dhe Atletic Bilbao, të dyja në kuotën e 9 pikëve. Skuadra belge mposhti 1-0 Rapidin e Vjenës, ndërsa baskët 3-2 Sassuolon.
Shpërthen Pioli!

Stefano Piolit i kanë mjaftuar pak javë për të kuptuar se sa shumë punë ka për të bërë për të rregulluar diçka te Interi ku gjithçka duket e shkatërruar. Eliminimi i zikaltërve nga Liga e Europës tregoi pikërisht se trajneri do të duhet të vuajë shumë derisa të fillojnë të vijnë rezultatet bindëse dhe ai nuk e fshehu aspak mërzinë e tij ndaj lojtarëve pas disfatës me Hapoel Ber Sheva duke i kritikuar hapur.
“Nuk bëhet kështu, u treguam mendjemëdhenj, ndalëm së luajturi dhe kjo nuk është aspak e pranueshme. Kishim në këmbë topin e 3-0, nuk u konkretizua dhe ndalëm së luajturi, duhet të punojmë shumë. Nuk mund të luajmë dy ndeshje në një, me dy fytyra të ndryshme. Në pjesën e parë ecëm shumë mirë, në të dytën ndodhi e kundërta. Problem fizik? Jo. Në minutat e fundit, në 10 kundër 11 kishim edhe mundësi shënimi. Problemi është në kokë dhe aty duhet të përmirësohemi. E kaluara nuk ka vlerë dhe nuk jemi të kënaqur me punën tonë. Nuk luajtëm si Interi, u tërhoqëm shumë duke i dhënë mundësinë kundërshtarëve tanë të merrnin zemër. Ky nuk është Interi”, ishte shpërthimi i trajnerit pas ndeshjes.
Ditën e enjte, Interi theu një traditë të mirë të ndërtuar prej vitesh. Në dhjetë sezonet e fundit që kishin marrë pjesë në kompeticionet europiane (Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës), Interi kurrë nuk ishte eliminuar që në fazën e parë.
“Në minutat e para, Interi luajti mirë dhe u duk qartë se donim që të merrnim fitore. Për plot 50 minuta zhvilluam një lojë të mirë, por në vazhdim luajtëm pa personalitet. Fraksioni i dytë ishte për t’u harruar. Ajo që na ndodhi sot nuk është një fenomen që përsëritet rrallë. Për fatin tonë të keq jemi shumë të brishtë nga ana psikologjike”, tha Mauro Ikardi.
“Tani duhet që të harrojmë këtë humbje therëse dhe të vazhdojmë të punojmë, pasi vetëm kështu do të kemi shans që të rikthehemi në vendin që na takon”, përfundoi sulmuesi.
Klopp paralajmëron Gerrard: Jo çdo lojtar i mirë bëhet trajner
“Të jesh një lojtar i mirë, jo domosdoshmërisht mund të jesh edhe një trajner i mirë”. Jurgen Klopp i dërgon një sinjal të qartë kapitenit legjendar të Liverpoolit, Steven Gerrard, i cili vari këpucën në gozhdë pas një karriere të gjatë në radhët e “The Reds”. Sipas mediave ishullore, objektivi i tij tashmë është drejtimi i klubit ku u rrit dhe ai ka nisur menjëherë punën për të qenë gati kur t’i jepet mundësia e artë. Në krahun tjetër, edhe klubi ia ka bërë të qartë se dera për të do të jetë gjithmonë e hapur, por në këndvështrimin e trajnerit gjerman, gjërat nuk janë kaq të thjeshta.
“Fakti që ke qenë futbollist të ndihmon dhe unë e di shumë mirë sepse personalisht nuk kam qenë i tillë, por kjo nuk do të thotë se e kupton lojën më mirë se kushdo tjetër. Unë thjesht arrij ta imagjinoj se sa shumë ndryshojnë gjërat nga fusha në pankinë. Kështu funksionon kudo. Pas fitores së Botërorit 1990, shumë pak lojtarë të Gjermanisë arritën të bëheshin trajnerë. Shumë pak e provuan dhe mund të them se situata është e njëjtë për çdo futbollist të mirë”, u shpreh Klopp.
Gjithsesi, Liverpooli me shumë mundësi do të jetë ndalesa e radhës për Gerrard. Ish-kapiteni ka në tavolinë një ofertë për një rol drejtues në akademinë e klubit. Këtë e ka bërë të ditur drejtori Alex Inglethorpe, i cili pret një përgjigje. Gerrard i kaloi 18 muajt e fundit të karrierës në radhët e Los Angeles Galaxy dhe aktualisht po ndjek kursin e trajningut për licencën UEFA A, madje gjatë ditëve të fundit ka refuzuar edhe një ofertë nga klubi i MK Dons.
Ajax siguron vendin e parë
Ajaksi i Amsterdamit siguroi vendin e parë në Grupin G të Europa League pasi në raundin e pestë të ndeshjeve fitoi 2-0 me Panathinaikos me gola të Lasse Schone e Tete. Celta Vigo dhe Sdandart Liege ndanë nga një pikë, duke lënë gjithçka të hapur për vendin e dytë, pasi kanë grumbulluar nga 6 pikë. Aspas zhbllokoi takimin që në minutën e 8-të, por në të 81-ën Laifis befasoi vendasit që jo vetëm duhet të fitojnë në ndeshjen e fundit me Panathinaikos, por edhe të shpresojnë që Ajaksi të mos mposhtet nga Stadard Liege.
Në Grupin H Shaktar Donjeck nuk njeh kundërshtarë. Skuadra ukrainase shkatërroi 4-0 Konyasporin për fitoren e 5-të në po kaq ndeshje. Autogoli i Bardakci që në minutën e 11-të i hapi rrugë suksesit të Shaktarit, që në të 36-ën kaloi në avantazh të dyfishtë me Dentinhon. Në pjesën e dytë vendasit realizuan edhe dy gola të tjerë me Eduardon dhe Bernard.
Sfida tjetër e këtij grupi, Gent–Braga u mbyll në barazim 2-2, duke lënë gjithçka të hapur për vendin e dytë në ndeshjen e fundit. Stojiljkovic kaloi në avantazh Bragën që në minutën e 14-të, por barazoi Coulibaly në të 32-ën. Hasan riktheu në epërsi ekipin portugez vetëm katër minutën më pas, por edhe kundërpërgjigjja e belgëve ishte shumë e shpejtë me Milicevic në të 40-ën. Rezultati i pjesës së parë mbeti në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Dominim absolut i Schalkes në Grupin I me skuadrën gjermane që mposhti pastër 2-0 Nicen me gola të Konoplyankas dhe Aogos me 11-metërsh. Sfida mes Krasnodarit dhe Salzbugut përfundoi 1-1. Golit të Dabour për Salzburgun i realizuar në fund të pjesës së parë iu përgjith Smolov në të 85-ën. Gjithsesi falë avantazhit në ndeshjet direkte dhe diferencën prej tri pikësh rusët e kanë të sigurtë vendin e dytë.
Në Grupin J zhgënjeu Fiorentina, që u mposht 2-3 nga Paok në “Artemio Franchi”. Skakov dhe Campos shënuan dy herë në portën e skuadrës vjollcë që në pjesën e parë, ndërsa në Bernsardeschi shkurtoi diferencën në 1-2 para se skuadrat të shkonin në pushimin mes pjesëve. Babacar barazoi takimin në të 50-ën, por grekët e gjetën sërish rrjetën me Rodriguez në kohën shtesë, duke befasuar publikun italian.
Në sfidën tjetër të këtij grupi, Qarabagu ku luan Ansi Agolli u mposht 3-0 nga Liberec, ku për skuadrën çeke realizuan Vuch dhe dy herë Komlichenko. Raundi i fundit i ndeshjeve do të përcaktojë dy skuadrat që do të kualifikohen në këtë grup.
Zhgënjen sërish Interi në Grupin K, me skuadrën zikaltër që u mposht 3-2 me përmbysje nga Hapoel Beer Sheva. Golat e shënuar nga Icardi dhe Brozovic në pjesën e parë dhanë përshtypjen e një fitoreje të lehtë për zikaltërit, por vendasit përmbysën shifrat në fraksionin e dytë duke shënuar tri herë me Maranhao, Newakaeme me 11-metërsh dhe Sahar në kohën shtesë.
Sparta e Pragës me fitoren 1-0 ndaj Southampton me gol të Costas mbylli llogaritë e kualifikimit në kuotën e 12 pikëve.
Southampton dhe Beer Sheva luftojnë për vendin e dytë në raundin e fundit të ndeshjeve në grupe.
Ekuilibër i plotë në Grupin L, ku humbja 2-1 e Osmanlispor në fushën e Steauas së Bukureshtit shoqëruar edhe me barazimin 1-1 të Zyrihut me Villarrealin lënë në lojë disa skenarë, pasi kryeson skuadra turke me 7 pikë, ndërsa 3 ekipet e tjera kanë nga 6 pikë.
Në ndeshjen e luajtur në kryeqytetin rumun Ndie i Osmanlisporit shënoi golin që zhbllokoi sfidën, por në pjesën e dytë Momcilovic dhe Tamas përmbysën shifrat duke i dhënë fitoren Steauas.
Në ndeshjen e Zyrihut Bruno i dha avantazhin e përkohshëm Villarrealit, pasi në pjesën e dytë barazoi Rodriguez me penallti, Burim Kukeli luajti titullar në radhët e Zyriut, teksa në minutën e 79-të u zëvendësua nga Armando Sadiku.
Shqipëria me humbjet më të mëdha të energjisë në rajon
Në raportin e 2016-ës për energjinë e qëndrueshme në vendet e Europës Juglindore, Shqipëria dhe Kosova kanë humbjet më të mëdha të energjisë në rajon. Më 2015-tën një e treta e energjisë ose është vjedhur ose ka humbur gjatë transmetimit apo shpërndarjes. Megjithëse humbjet në transmetim dhe në shpërndarje kanë shënuar ulje në të gjithë vendet e rajonit, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, ku niveli i humbjeve në rrjet ka mbetur i njëjtë si në vitin 2010.
Ndërkohë që Kosova ka bërë progresin më të madh, ku nga viti 2010 më 2015-tën humbjet e energjisë janë reduktuar nga 43.58% në 33%, Shqipëria ka një përmirësim me vetëm 0.1 pikë përqindje.
Shqipëria, gjithashtu ka pasur nivelin më të ulët të çlirimit të dioksidit të karbonit për frymë. Raporti nënvizon se sfida për vendin do të jetë diversifikimi i varësisë nga energjia hidrike, por pa ndikuar në rritjen e dioksidit të kabonit në atmosferë dhe pa prishur ekuilibrat e biodiversitetit. Edhe për vitin 2015, Shqipëria bazohet 100% në burimet hidrike. Në raport citohet se çlirimet CO2 për frymë nga djegia e lëndëve djegëse kanë rënë ndërmjet 2010-2014 në të gjitha vendet përveç se në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Shqipëri.
Shqipëria dhe Kosova kanë diversitetin më të vogël të energjisë në rajon.
Kosova është vendi më i varur nga qymyri në rajon, 97% e energjisë elektrike më 2014 sigurohej nga qymyri. Maqedonia dhe Serbia renditen të dytat, me 69% dhe 64.8% të energjisë elektrike që i vjen nga qymyri. Në krahasim, BE-ja prodhon 26.3% të energjisë elektrike nga qymyri për vitin 2014.
Intensiteti i energjisë, sasia e energjisë që nevojitet për të prodhuar një njësi të PBB-së, ka pësuar rënie ndërmjet 2010-ës dhe 2014-ës në të gjitha vendet përveç Bosnje dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë.
Ndërmjet vitit 2010-2015 të gjitha vendet përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë, vendet e Ballkanit Perëndimor përmirësuan të dhënat e tyre në Indeksin e perceptimit të Korrupsionit në Transparencën Ndërkombëtare, por ky përmirësim mbetet shumë i vogël, sipas raportit të hartuar me mbështetjen e BE-së.
Tjetër koncesion për përpunimin e naftës
Një rafineri e re për përpunimin e naftës bruto do të ndërtohet në Balldren të Elbasanit. Qeveria i ka dhënë lejen koncesionare kompanisë “RBH Beline”, e cila tashmë është regjistruar edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Vendimi është botuar dje në Fletoren Zyrtare dhe vjen në një kohë kur interesi për të përpunuar naftën vendase është shtuar dukshëm. Për shkak të cilësisë së dobët dhe çmimit të ulët, nafta e prodhuar në vend po përballet me një kërkesë të ulët në tregun ndërkombëtar, ndaj kompanitë që nxjerrin naftën në Shqipëri për momentin kanë interes ta shesin në tregun e brendshëm.
Kompanitë të lidhura me sektorin tashmë e kanë rritur kërkesën për të hapur impiante të përpunimit të naftës në vend dhe Ministria e Energjetikës ka dhënë të paktën dy leje deri më tani. Por nga ana tjetër vihet në dyshim teknologjia dhe se si do të funksionojnë këto kompani, pasi naftës vendase që të kapë standardët e eurodiezielit i duhet një kartë teknologjike e avancuar, të cilën ende nuk kanë sjellë në Shqipëri asnjë nga impiantet e përpunimit.
Afati i vlefshmërisë së licencës së koncesionit 30 vjet me të drejtë përsëritjeje, pas miratimit të saj nga Këshilli i Ministrave, thuhet në vendimin e qeverisë.
Objekti ka përfunduar ndërtimin në bazë të lejes së ndërtimit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Afati i vënies në përdorim është 31.12.2016. Këshilli i Ministrave ka të drejtë revokimin e kësaj licence kur nga kontrollet e ushtruara nga organet dhe institucionet shtetërore, të ngarkuara me ligj, konstatohet dështimi i përmbushjes së kërkesave të licencës së koncesionit për rafineri, në zbatimin e parametrave teknikë, në afatin e realizimit të projektit dhe të normave mjedisore; Kapaciteti dhe kategoria e produkteve që do të prodhojë rafineria.
Kapaciteti i përpunimit të naftës bruto është 600 tonë/24 orë. Produktet që do të prodhojë rafineria janë të përshkruara në kartën teknologjike të lëshuar nga iSHTI-ja, bashkëlidhur licencës, e cila është pjesë e integruar e saj.
Shoqëria aksionere “RBH Beline”, pas miratimit të kësaj licence koncesioni duhet të paguajë tarifën e licencimit sipas legjislacionit në fuqi. Licenca e koncesionit është e vlefshme vetëm pas pagesës së tarifës së licencimit.
Shoqëria aksionere “RBH Beline” pas miratimit të kësaj licence koncesioni, në zbatim të kërkesave të nenit 9, të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, ka detyrim mbajtjen e rezervës së sigurisë, sipas kushteve shoqëria aksionere “RBH Beline” në rastin e ndryshimeve në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të rafinerisë, si dhe për markën e cilësinë e nënprodukteve të naftës të prodhuara nga rafineria, duhet të zbatojë përcaktimet e nenit 12, të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
Credins blen 54 troje të ARMO-s për 25 milionë USD
Banka Credins ka blerë për 3.1 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë 54 pasuri në formën e trojeve të shoqërisë së përpunimit të naftës, ARMO. Njoftimin e ka bërë Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve.
Ankandi është zhvilluar më datën 28 tetor dhe ofertues i vetëm në ankand ka qenë Banka Credins, thuhet në njoftimin e përmbaruesve.
Në total Banka Credins ka blerë 54 sipërfaqe trualli në zonën e Fierit dhe Vlorës ku dominojnë objektet e ARMO-s.
Në këto troje janë të vendosura edhe objekte që ishin në shërbim të gjigantit të përpunimit të naftës, i cili aktualisht është përfshirë në një valë sekuestrosh për shkak se ka akumuluar borxhet afërsisht 600 milionë euro ndaj shtetit, bankave dhe subjekteve private.
Marrëdhënia e ARMO-s me Bankën Credins ka një histori të komplikuar qysh kur kompania u privatizua nga Anika enterprises & Mercury energy gropua më 2013.
Por pas historisë voluminoze me borxhe dhe sekuestro, nga shtatori i këtij viti, Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) ka marrë në shfrytëzim ARMO-n, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Kompania nënshkroi dhe një marrëveshje me prodhuesin e naftës Bankers Petroleum, që do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC.
Që pas këtij lajmi, kreditorët kanë vërshuar të kërkojnë detyrimet e tyre përmes përmbarimit. Bankat kanë riaktivizuar urdhrat e sekuestros, ndërsa dhe prodhuesi shtetëror i naftës Albpetrol ka vënë në sekuestro rreth 25 objekte për një detyrim që arrin në rreth 50 milionë euro.
Rafineria ARMO është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.
Ajsbergu i borxheve që ndërmarrja e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj kreditorëve së fundmi duket është shndërruar në një mollë sherri se kush duhet të përfitojë i pari nga detyrimet, në rast të shitjes së plotë apo të pjesshme të kompanisë.
Mirëpo neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave. Kështu nëse do të ketë shitje të aseteve, të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit tatimor që sipas të dhënave nga tatimet aktualisht është 23 miliardë lekë.
Pas tatimeve, në radhë për shlyerje janë detyrimet ndaj Albpetrol-it, i cili është 100% në pronësi të shtetit. Kështu sipas ligjit, çdo e ardhur që sigurohet nga përmbaruesit privatë për llogari të bankës në fakt shkon për shlyerjen e detyrimeve të punonjësve dhe detyrimeve tatimore.
Edhe bankat e kanë filluar procesin për shitjen në ankand, por tani i gjithë procesi vihet në dyshim, për shkak të përparësisë së shtetit në radhë për të vjelë detyrimet.