34.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Fjalimi i parë i Merz si kancelar i Gjermanisë: Do të ndërtojmë ushtrinë më të fortë në Evropë!

“Rishikimi i politikave dhe prioritetet e reja, që synojnë ripërtëritjen e premtimit të prosperitetit për të gjithë përballë sfidave të mëdha”, ky ishte mesazhi kryesor i fjalimit të parë të Friedrich Merz si Kancelar në Bundestag , një javë pas marrjes së detyrës.

Ai premtoi gjithashtu se ushtria gjermane do të bëhet ushtria më e fortë në Evropë.

“Që tani e tutje, qeveria gjermane do të sigurojë të gjitha burimet financiare që i nevojiten Bundeswehr-it për t’u bërë ushtria më e fortë në Evropë”, theksoi ai, duke thënë se kjo është ajo që kërkojnë partnerët e Berlinit në BE dhe NATO.

Merz vuri theksin te ekonomia dhe politika e jashtme, duke premtuar “përmirësim të dukshëm” për qytetarët deri në verë, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për Ukrainën dhe Izraelin.

Në të njëjtën kohë, ai e vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Olaf Scholz, me fjalë vlerësimi.

Duke iu referuar recesionit të vazhdueshëm të ekonomisë gjermane, kancelari gjerman foli për një “krizë ekonomike të paparë” që prek vendin, duke vënë në dukje se “kurrë në të kaluarën nuk kemi përjetuar një mungesë kaq të zgjatur të rritjes ekonomike”.

Siç theksoi ai, efektet janë të dukshme në punësim, madje edhe në sektorë strategjikë, siç janë industria e automobilave, prodhimi i kimikateve dhe makinerive të mëdha.

Ai mbrojti vendimin për të hequr “frenin e borxhit” dhe për të miratuar “kredi të mëdha”, duke theksuar se këto do të drejtohen drejt investimeve në infrastrukturë, rrugë, hekurudha, arsim dhe kërkim.

“Qeveria federale po investon në krijimin e një shteti modern dhe një administrate dixhitale (…) Unë i përkas një brezi që përjetoi rritje të qëndrueshme (…) Megjithatë, shumë të rinj vënë në dyshim nëse premtimi i Ludwig Erhard për “prosperitet për të gjithë” është ende i vërtetë.”

“Qeveria duhet t’i largojë këto dyshime dhe kjo është arsyeja pse po investojmë”, tha ai, duke theksuar se rritja e konkurrueshmërisë është një përparësi kryesore, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian të zvogëlojë burokracinë.

Tregu i punës do të jetë një fushë qendrore për qeverinë e re, siç deklaroi kancelari, duke theksuar qëllimin për të promovuar punën vullnetare pas moshës 67 vjeç, përjashtimin e orëve shtesë nga taksat dhe fleksibilitet më të madh në llogaritjen e orëve të punës, bazuar në javë dhe jo në ditë.

Gratë në veri të Kosovës dëshmojnë për ngacmime seksuale, Policia iu bën thirrje të bashkëpunojnë

Raportimet e shpeshtuara për ngacmime seksuale ndaj grave në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë nxitur shqetësim të shtuar, ndërsa viktimat flasin për frikë, zemërim dhe mungesë të thellë besimi në institucionet që, sipas tyre, nuk reagojnë siç duhet.

Teksa Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të raportojnë rastet, nga komuniteti lokal serb dëgjohen propozime për formimin e “rojeve të lagjes”, si një alternativë, për shkak të mungesës së besimit në Policinë e Kosovës. Gjithashtu, kërkohet reagimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Policia ka njoftuar se më 13 maj, në Mitrovicën e Veriut, ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim të grave, ndaj të cilit është shqiptuar një gjobë dhe është vendosur ndalim prej 48 orësh për shkak të kërcënimeve.

Çfarë thonë viktimat?

“Është një përzierje emocionesh negative – ka frikë, ka zemërim”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) një bashkëbiseduese nga njëra prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përshkruar një situatë të pakëndshme që thotë se e ka përjetuar para dy javësh.

Ajo tregon se disa burra të panjohur, nga një veturë, i kishin hedhur komente seksiste të papërshtatshme. Sipas rrëfimit të saj, ajo ishte ndjekur nga një furgon me disa burra që i flisnin në gjuhën shqipe dhe e ftonin të hipte në veturë.

“Vazhdoja rrugën dhe, kur u largova mjaftueshëm, më shkoi ndër mend se do të duhej t’i fotografoja targat. As që më shkoi mendja në atë moment”, thotë ajo për REL-in. Ajo pretendon se ka pasur përvoja të ngjashme edhe më parë – i janë drejtuar edhe në serbisht, por, sipas theksit dhe shqiptimit, ka kuptuar se nuk ishte gjuha e tyre amtare.

Identiteti i saj i plotë i është i njohur redaksisë së REL-it, por ajo ka pranuar të flasë vetëm në kushte anonimiteti, sepse nuk dëshiron të përjetojë shqetësime shtesë.

Për të njëjtën arsye, kjo 25-vjeçare nuk i ka raportuar rastet e ngacmimit në Policinë e Kosovës, sepse, siç thotë, nuk ka besim në këtë institucion.

Policia e Kosovës, e cila është multietnike, përballet vetë me sfida në pjesën e vendit të banuar kryesisht nga serbët – veçanërisht në dy vjetët e fundit, prej kur Qeveria e Kosovës po përpiqet të vendosë kontroll të plotë mbi sigurinë, dhe të eliminojë mbetjet e një pushteti paralel – midis institucioneve të Kosovës dhe atyre të financuara nga Serbia.

Këto rrethana kanë krijuar një ambient në të cilin shumë gra përjetojnë ngacmime.

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it, e cila, po ashtu, insiston në anonimitet, thotë se çdo ditë përjeton “një formë shqetësimi” përmes komenteve të papërshtatshme apo gjesteve fyese.

“Më ngacmojnë edhe në serbisht, edhe në shqip, më ngacmojnë me gjeste, më dërgojnë puthje, më bëjnë shenjë që të futem në veturë”, rrëfen ajo, duke shtuar se më shumë u frikësua kur, në një rast, iu bë një gjest që imitonte formën e një arme zjarri.

“Unë nuk mund të bëj asgjë, nuk mund t’i tregoj as babait, sepse nuk e di si do të reagojë”, shton ajo.

As ajo nuk e ka informuar Policinë e Kosovës për këtë.

Çfarë thotë Policia?

Policia e Kosovës pohon se të gjitha rastet e raportuara të ngacmimit seksual trajtohen seriozisht, por shton se në disa raste nuk është e mundur të vërtetohen pretendimet e viktimave.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, bën thirrje që ngacmimet të raportohen, duke theksuar se pa kallëzim nuk mund të merren masa.

“Kemi pasur një rast kur dy djem me motor ngacmuan vajza, por nuk kishim denoncim. E mësuam nga mediat dhe i ndaluam, nuk kishim prova për ngacmim, por ua konfiskuam motorin, sepse nuk kishin paguar doganën”, thotë Elshani për REL-in.

Ai konsideron se Policia vepron edhe në mënyrë parandaluese, edhe kur nuk mund të vërtetojë ngacmimin seksual, duke i marrë në pyetje të dyshuarit për disa orë.

“E bëjmë punën tonë, hap pas hapi. Nuk i fshehim rastet. E trajtojmë këtë çështje shumë seriozisht, por duhet të raportohen”, shton Elshani.

Ai jep si shembull rastin e 13 majit, kur pas një kallëzimi të qytetarëve, u arrestua në Mitrovicën e Veriut një person për të cilin dëshmitarët thanë se kishte ngacmuar gra në rrugë.

Atij iu shqiptua gjobë për prishje të rendit publik, ndërsa prokurori caktoi ndalim prej 48 orësh për shkak të veprës penale “kanosje”.

Në lidhje me komentet e qytetarëve për mungesë besimi në Policinë e Kosovës, Elshani përsërit se të gjitha rastet duhet të raportohen në institucionet përkatëse.

Çfarë thonë statistikat?

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, deri më 10 mars 2025 janë raportuar 15 raste të dhunimit në gjithë territorin – krahasuar me 71 raste në vitin 2024 dhe 94 raste në vitin 2023.

Gjithashtu, deri më 10 mars janë shënuar 6 raste të sulmeve seksuale, ndërsa vitin e kaluar ishin 71, dhe në vitin 2023 gjithsej 67.

Policia nuk ka sqaruar se në cilat komuna janë regjistruar këto raste.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për këto vepra penale parashihet dënim me gjobë ose me burgim nga 1 deri në 10 vjet.

Aktivistet për të drejtat e grave nga komunitetet shqiptare dhe serbe, Luljeta Demolli dhe Ruzhica Simiq, thonë për REL-in se ka mungesë të reagimit adekuat nga institucionet përkatëse, dhe se fenomeni në rritje i ngacmimeve seksuale në veri të Kosovës duhet të merret seriozisht.

Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në Prishtinë, thekson se shumë gra nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë. Ajo pohon se një pjesë e tyre nuk raportojnë rastet për shkak të mungesës së besimit në institucione dhe stigmës shoqërore.

“Kushdo që bën një vepër të tillë duhet të ndëshkohet me dënim meritor. Po ashtu, duhet të shqyrtohen alternativa për të punuar më shumë me komunitetin që të denoncohen rastet në Polici”, tha Demolli.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual nënkupton çdo sjellje të padëshiruar verbale, joverbale apo fizike, që ka për qëllim ose për efekt cenimin e dinjitetit të një personi, duke shkaktuar frikë ose duke krijuar një ambient armiqësor, poshtërues ose fyes. Dënimi për këtë vepër parashikon gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

Simiq, nga organizata “E Drejta e Grave”, me seli në Mitrovicën e Veriut, thotë se, për shkak të mungesës së marrëveshjes midis institucioneve, është i domosdoshëm një dialog më i gjerë mes qytetarëve, shoqërisë civile, institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar për ta luftuar këtë fenomen.

“Dhuna verbale në shoqërinë tonë është thjesht realitet. Unë merrem prej kohësh me çështjen e dhunës ndaj grave, njoh raste të përdhunimeve, dhunës në familje, por në të vërtetë nuk kemi pasur [në veri të Kosovës] problem me ngacmimet seksuale në rrugë. Ky është një trend dhe fenomen i ri negativ, me të cilin jemi përballur vitin e kaluar”, thotë ajo.

Ajo thekson se komuniteti serb në veri nuk di si të “mbrohet”, sepse Policia nuk shfaq vullnet për ta luftuar këtë dukuri që “cenon dinjitetin e grave”.

“Kur shohin një grua apo vajzë të bukur, ndalen, i drejtohen në mënyrë agresive, bëjnë gjeste të turpshme. Është një formë degradimi. Dhe, kjo lë pasoja”, thotë Simiq.

“Ka raste edhe në jug”, shton ajo, “por në veri është më e ndjeshme, sepse viktimat janë gra të komunitetit serb”.

Thirrje për reagim nga EULEX-i

Për shkak të asaj që e quajtën mungesë reagimi adekuat nga institucionet e Kosovës, një grup organizatash joqeveritare serbe më 12 maj iu drejtua me një thirrje publike komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Ato kërkojnë të dinë nëse aktualisht po monitorohen dhe dokumentohen rastet e ngacmimit të grave dhe vajzave në veri të Kosovës, dhe cilët janë hapat konkretë që ndërmerren kur identifikohen dështime sistematike në punën e Policisë së Kosovës në mbrojtjen e qytetarëve nga komunitetet joshumicë.

“Frekuenca dhe vazhdimësia e rasteve të tilla tregojnë për një problem të thellë institucional – paaftësinë apo mungesën e vullnetit të Policisë së Kosovës për të ofruar mbrojtje për të gjithë qytetarët. Veçanërisht shqetësuese janë dëshmitë për tentime relativizimi të këtyre incidenteve dhe pretendimet për presion ndaj dëshmitarëve nga vetë pjesëtarët e Policisë”, thuhet në deklaratë, pa dhënë shembuj konkretë.

REL-i i është drejtuar EULEX-it me pyetje për këtë çështje, por, deri në publikimin e tekstit, nuk ka marrë përgjigje.

“Rojet e lagjes” si zgjidhje alternative?

Politikani lokal serb, Aleksandar Arsenijeviq, së voni propozoi që për shkak të rasteve të shumta të ngacmimeve ndaj grave, qytetarët të organizohen në “roje të lagjes”.

Sipas tij, këto grupe nuk duhet të zëvendësojnë Policinë, por të “monitorojnë, paralajmërojnë dhe raportojnë çdo tentim sulmi, ngacmimi apo sjelljeje të dyshimtë”.

Të hënën u mbajt një takim i tillë me qytetarë në Mitrovicën e Veriut, por ai ishte i mbyllur për publikun.

Në një deklaratë për REL-in, Arsenijeviq tha se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri “qëllimisht vonojnë” trajtimin e raportimeve për ngacmim, shpesh nuk shohin bazë për ndjekje penale dhe ka raste kur policët kanë qenë dëshmitarë të ngacmimeve, por nuk kanë reaguar.

“Nuk po them se të gjithë janë njësoj, por kjo – mosreagimi ndaj ngacmimeve – ka nisur të kthehet në një model sjelljeje, si një tolerim i përgjithshëm”, përfundoi ai./ REL

Brezi i ri mori shishen e rakisë dhe e piu për të harruar çfarë kanë kaluar në 34 vitet e fundit

Nga Markoled Pashuku

Moisiu, në përpjekje për të shpëtuar popullin e tij nga skllavëria, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer me faktin që populli ankohej, por nuk përparonte drejt tokës së premtuar, me sytë nga qielli, pyeti Zotin: “Kur do të bëhen njerëz këta?” Përgjigjja nga lart qe më shumë se therëse: “Derisa të vdesë dhe i fundit që ka lindur në skllavëri”.

Kjo është një copëz që rikujtoi këto ditë gazetari Lutfi Dervishi në rrjetet sociale, duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit. Pak orë më pas u publikuan shifrat zyrtare: 32,4%, pra 1 në 3 votues, rezultuan shqiptarë mbi 60 vjeç. Janë njerëz të rritur në epokën kur luftohej vetëm për bukën e gojës. Janë brezi më i vuajtur nga të gjallët e sotëm, njerëz të cilët brezi ynë i ri nuk i kupton dot, sepse ne shkojmë me pushime në Dubai duke marrë disa mijë euro borxh në Iute Credit dhe i paguajmë mbrapsht me dërgesat e vëllait në Angli, dajës në Greqi dhe hallës në Itali.

Prindërit tanë u rritën duke fshehur një derr në bodrum. Ngaqë 1 në 3 shqiptarë ishin spiunë, kur vinte kontrolli i partisë-shtet, prindërit tanë i jepnin derrit raki për të pirë, që derri të mos hungërinte dhe partia-shtet të mos ua merrte. Pra, atë të shkretën: bukën e gojës. Koha vendoste për prindërit. Nuk vendosnin prindërit për kohën.

Gjyshi im rriti 8 fëmijë. Një ditë, kur familja e madhe kishte 2-3 copa mish në sofër, babai im mori një dhe e kullufiti me shpejtësi rrufeje. E dinte se kishte shumë pak. Kushedi sa javë priste. “Të zëftë frymën!” – iu drejtua gjyshi. Nuk ishte mallkim për të birin. Nuk ka prind që mund ta bëjë këtë. Ishte mallkim për kohën, sepse në sofër ishin 2-3 copa mish për 8 fëmijë. Koha vendoste për gjyshin. Nuk vendoste gjyshi për kohën.

Kur isha i vogël, babai im më kërkonte të ruaja rubinetin gjatë kohës që kryenim filtrimin apo qarkullimin e verës në cisternat prej inoksi. “Ulu në karrige! Me një sy ruaj rubinetin, kurse me syrin tjetër lexo librin e shkollës për nesër!” Më dukej e çuditshme. Si mund të kryeja një punë duke mbajtur një libër në dorë?!

Shumë vite më vonë, pyeta nënën time: “Thuajse çdo fëmijë që njoh, punon. Madje, bën punë të vështira. Pse ju s’më kërkoni të bëj punë, kur ti ke 16 orë në ditë në vuajtje?” Përgjigjja e saj: “Jetën, siç e fillon, e mbaron. Ne e nisëm me vuajtje dhe po e mbyllim me vuajtje. Ndoshta ju keni fat tjetër”.

Ajo sot nuk jeton më, por unë, me vonesë, e kam kuptuar mesazhin e saj: “Libri nuk të bën më të mirë apo më të pasur, por të jep mundësinë që të vendosësh ti për kohën, jo koha për ty”.

Për 1 në 3 shqiptarë që votuan, vendosi koha. Kontributi i tyre më i madh është se i mohuan gjithçka vetes, që brezi i ri të bëjë të kundërtën: të vendosin ata për kohën.

Nuk e bëmë. Të rinjtë nuk votuan të rinjtë, edhe pse për herë të parë në histori kishin një buqetë alternativash të reja në fletën e votimit. Prindërve tanë nuk ua bën zemra ta thonë dhe kurrë nuk do ta thonë, por rezultati i 11 majit tregoi se brezi i ri nuk vendosi për kohën. Brezi i ri, pa vuajtur për bukën e gojës, pa u mbyllur në kafaz, kërkoi me vullnet të lirë skllavërinë dhe parazitizmin.

Më 11 maj, brezi i ri nuk u dha raki baballarëve +60 vjeç, që ata të flinin në ndonjë bodrum dhe të mos votonin. Ndodhi e kundërta. Ishte brezi i ri ai i cili mori shishen e rakisë dhe e piu për të harruar çfarë kanë kaluar në 34 vitet e fundit.

Prindërit tanë u rritën me sytë mbyllur. Ne u rritëm me sytë hapur, por kemi vendosur t’i mbyllim, sepse skllavëria nuk kërkon mund. Skllavëria kërkon thjesht një ngritje dore.

Një popull socialist apo një popull pa alternativë?

Nga Besnik Karaxha

Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri nuk prodhuan thjesht një fitues të ri – ato konfirmuan një realitet politik të hidhur: mungesën e alternativës. Fitorja e radhës e Edi Ramës nuk duhet parë si triumf i politikave të tij, por si pasojë e dështimit të opozitës për të ofruar një alternativë të besueshme.

Shqiptarët, përballë një maxhorance të mbushur me skandale – ministra dhe kryetarë bashkie të arrestuar, akuza për korrupsion dhe keqqeverisje – vendosën sërish të votojnë për Edi Ramën. Kjo zgjedhje, në pamje të parë paradoksale, mbart një mesazh të fortë: “Më mirë një hajdut që di të qeverisë, sesa një opozitë e plakur dhe pa ide.”

Ky fenomen nuk është i ri në politikën shqiptare. Kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996, kur Sali Berisha fitoi me shumicë absolute, në një klimë të ngjashme mosbesimi dhe polarizimi. Atëherë si sot, populli vendosi për më të keqen që e njihte, sesa për një alternativë që nuk e besonte.

Nëse historia na mëson diçka, është se liderët autoritarë ose të fuqishëm nuk rrëzohen nga kundërshtarët, por nga vetvetja. Rama nuk do të mundet me zgjedhje, për aq kohë sa opozita mbetet e përçarë, e lodhur dhe e konsumuar. Ai do të mundet vetëm atëherë kur gabimet e tij do të bëhen aq të rënda, saqë edhe më besnikët do ta braktisin.

Por kjo nuk mjafton. Opozita nuk duhet të presë që Rama të rrëzohet vetë. Ajo duhet të rifitojë besimin e qytetarëve, të reformohet, të pastrohet nga figurat e skaduara dhe të ofrojë energji të reja, ide të reja dhe një vizion të qartë për të ardhmen. Partitë që nuk vetëpastrohen, i pastron populli. Dhe kjo ndodh shpesh me mënyrën më të dhimbshme – me injorim total në kutinë e votimit.

Për ta përmbyllur: Shqipëria sot nuk është domosdoshmërisht një popull socialist, por një popull i lodhur, i zhgënjyer dhe pa alternativë të qartë. Dhe kjo është, mbi të gjitha, një krizë politike që kërkon më shumë se thjesht rotacion – kërkon transformim.

Emigrimi masiv/ Shqiptarët kombësia më e madhe në BE, në raport me popullsinë

Në fillim të vitit 2023, në Bashkimin Europian (BE) jetonin 27.4 milionë persona që nuk ishin qytetarë të Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat. Këta përbënin 6.1% të popullsisë së BE-së. Në vitin 2023, u regjistruan 25 shtetësi jo-BE – që secila përbënte të paktën 1,0 % të gjithë rezidentëve jo-BE në Bashkimin Europian; së bashku, këto grupe përfaqësonin 74,7 % të totalit.

Komunitetet më të mëdha që jetonin në BE pa pasur shtetësi të një vendi anëtar ishin shtetasit ukrainas (11,9 %), turq (7,7 %), marokenë (7,1 %) dhe sirianë (5,3 %). Ndërkohë, shtetasit kinezë (përfshirë Hong-Kongun) dhe rusët zinin përkatësisht 3,9 % dhe 3,3 % të numrit të përgjithshëm. Shqiptarët renditen në vendin e nëntë me rreth 2.3% të totalit të të huajve që jetojnë në BE, pas Indisë (3.2%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2.6%).

Shqipëria, e para në raport me popullsinë përkatëse

Në vendet e BE-së jetojnë rreth 3.2 milionë ukrainas, dhe 2.1 milionë turq, sipas të dhënave të Eurostat, duke u renditur të parët në numër.

Por emigrantët nga të dy këto shtete vijnë nga vende me popullsi të mëdha, ku Turqia ka 87 mln banorë dhe Ukraina 39 milionë banorë, duke bërë që emigrantët në raport me popullsitë e tyre përkatëse te jenë vetëm 2.4% dhe 8.4%..

Në BE, sipas Eurostat jetojnë rreth 630 mijë shqiptare (të dhënat nuk përfshijnë Greqinë). Kjo është e barabartë me 26% të popullsisë që jeton në Shqipëri, duke na renditur të parët në BE, në raport me popullsinë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor. Nëse shtohen dhe ata që jetojnë në Greqi, që janë të paktën 400 mijë persona, shifra e kalon 40%.

Në nivele të larta është dhe Kosova, që renditet e dyta për shtetasit që jetojnë në BE, në raport me popullsinë përkatëse, me 25.7%.
Ballkani Perëndimor vijon kryesimin, me Maqedoninë e Veriut me 19.6% dhe Bosnjë e Hercegovinën me 17.3%.

Lejet e qëndrimit, 73 mijë vetëm në 2023

Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.

Ikja në vendet e BE-së është një nga arsyet kryesore e rënies së ndjeshme të popullsisë. INSTAT gjeti në Censin e fundit se popullsia e vendit është reduktuar me 420 mijë persona në raport me Censin e mëparshëm të 2011. Në vend, sipas INSTAT tashmë jetojnë vetëm 2.4 milionë persona./ Monitor

“Kemi qeverinë që meritojmë”- Studentët shprehen mosbesues ndaj zgjedhjeve të 11 majit!

Rreth orës 12:40 të së martës, dy studentë dalin nga rrethimi i godinës së Fakultetit Juridik në Tiranë, pasi përfunduan një orë leksioni. Njëri prej tyre, një 20-vjeçar i veshur me xhinse dhe një bluzë të zezë, thotë se ka bindje të djathta dhe këto zgjedhje mbështeti Partinë Demokratike.

Edhe pse nuk vuri re asgjë të parregullt në qendrën e tij të votimit, studenti i Juridikut beson se fitorja dërrmuese e Partisë Socialiste erdhi si pasojë “e blerjes së votes”.

“Është diktaturë. E ka thënë vetë Edi Rama, që ‘kur të dua unë do e lë pushtetin’,” thotë ai. “Nuk ngrihet populli për ta rrëzuar, sepse populli është blerë me lekë,” shtoi studenti, ndërsa thekson se partitë e reja nuk u rritën, pasi dy partitë e mëdha tradicionale kanë më shumë influencë në Shqipëri.

Ide të ngjashme nuk janë të rralla mes dhjetra studentëve që BIRN takoi në Fakultetin e Drejtësisë, të Gjuhëve të Huaja, Fakultetin Ekonomik dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, pasi Partia Socialiste fitoi një mazhorancë të thellë prej 83 deputetësh në zgjedhjet e 11 majit.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit kishin të drejtë vote mbi 114 mijë votues për herë të parë, një pjesë e të cilëve studentë. Ndërsa i japin shpjegime të ndryshme rezultatit, shumica e studentëve ndajnë bindjen se partia në pushtet përdori administratën publike dhe mekanizma të tjerë të korrupsionit zgjedhor për të fituar zgjedhjet.

Të tjerë studentë vlerësojnë se qytetarët shqiptarë nuk patën mundësi zgjedhje tek kundërshtarët e partisë në pushtet, ndërsa ka edhe nga ata që kthejnë gishtin nga vetja me shprehjen e njohur se “çdo popull ka qeverinë që meriton”. Gjithsesi, studentët i ndanë mendimet e tyre me kërkesën që t’u ruhej anonimati.

Një studente e vitit të parë në Fakultetin e Drejtësisë mendon se pas tre mandatesh të Edi Ramës në pushtet, do të ishte mirë që të kishte pasur ndryshim.

“Kishte alternativa këtë herë se ishin partitë e reja. Megjithatë, mendoj se Partia Socialiste në pushtet, ka pasur administratën nën kontroll,” thotë ajo, ndërsa shton se ajo vetë nuk kishte pasur trysni.

Në Fakultetin Ekonomik, një pedagoge tha në kushtet e anonimatit se e sheh me dyshim rritjen e mazhorancës, edhe pas konsumimit të saj 12-vjeçar. Ajo vlerëson gjithashtu se votuesit tradicionalë në Shqipëri janë kryesisht militantë apo njerëz të lidhur me interesa të ngushta, ndërsa rinia ka pak akses në politikë për të përçuar ide të reja.

“Si intelektuale them që është pak e çuditshme, që një parti, kushdoqoftë ajo, që ka një kohë kaq të gjatë në pushtet dhe të ketë këtë rezultat. Kjo tregon se pushteti ka ndikim të madh, administrata….,” vlerëson pedagogia, e cila vetë nuk ka votuar në këto zgjedhje.

Ajo ka gjithashtu pak besim te partitë e reja.

“Për partitë e reja, pikërisht nuk e di çfarë partish të reja janë, apo janë filiza të partive të vjetra, që janë ndërtuar për të krijuar gjoja shumë pole. Kështu mendoj personalisht, se ndryshe nuk arrij ta justifikoj gjendjen në të cilën jemi ne, që është krejt ndryshe nga sa reklamohet,” shtoi ajo.

Të çuditshme e cilëson situatën edhe një studente e vitit të parë Master në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

“Eshtë shumë e çuditshme që fitoi partia në pushtet. Mendoj që pati vjedhje të votave,” thotë ajo. “Do ishte shumë mirë po të ishte bërë një ndryshim, por siç e kemi parë, pjesa më e madhe e shqiptarëve ankohen dhe prapë se prapë votojnë të njëjtën parti dhe është për të ardhur keq,” shtoi ajo.

Në shkallët e Universitetit Politeknik në Tiranë qëndronin grupe studentësh mesditën e të martës. Një prej tyre, 19 vjeç nga Rrogozhina, vëren se korrupsion ka pasur gjithmonë, pavarësisht partisë që ka qenë në pushtet. Ai fajëson gjithashtu opozitën si një parti nga e cila populli nuk pret shumë si një faktor për rezultatin.

“Përderisa e ka mbajtur 12 vjet pushtetin, do ketë dhe korrupsion. Në qytetin tim, në Rrogozhinë zgjedhjet kanë qenë të qeta,” thotë studenti. “Mendoj se populli ka dashur një frymë të re, por partia kundërshtare kryesore drejtohet nga një person, nga i cili populli nuk pret shumë,” shtoi ai.

Një tjetër student i cilëson të ngjashme të dy partitë e mëdha, por vlerëson se Partia Socialiste po fiton për shkak të punës që ka bërë.

“Të gjitha partitë e vjetra i kanë skandalet deri në fyt dhe fakti që kjo parti po ecën, ka të bëjë me përkushtimin, me punën që ka bërë. Mendoj se ka dhe faktorë të tjerë. Ndërsa partitë e reja, konsideroj se nuk bënë fushatat e duhura dhe nuk kanë hapësirë,” tha ai.

Një shok i tij, ngre dyshime mbi votën e diasporës për të cilën thotë se mund të jetë manipuluar. Sipas tij, është e pakuptueshme që emigrantët të votojnë Partinë Socialiste ndërsa janë larguar për shkak të pakënaqësive nga qeveria. Megjithatë, edhe ai vetë ka dilema për alternativat.

“Edhe unë, nëse dua ta largoj këtë në pushtet nuk di kujt t’ia jap. Partitë e reja nuk ishin në nivelin e duhur,” shprehet ai.

Një studente e vitit të tretë në Fakultetin e Ekonomisë thotë se shqiptarët duhet të kthejnë gishtin nga vetja, duke nënkuptuar se ata janë bashkëfajtorë në një sistem të korruptuar.

“Mendoj se çdo që fillon nga ne, nuk fillon vetëm nga shteti. Mendoj se shqiptarët kanë qeverinë që meritojnë dhe asgjë më tepër,” përfundon ajo. /Reporter.al/

“Aleatët e NATO-s duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtjen”, ambasada e SHBA: Synimi është investimi sa 5% e PBB-së

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke theksuar domosdoshmërinë që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen kombëtare, në mënyrë që Aleanca të jetë e përgatitur për të parandaluar dhe përballuar çdo kërcënim të mundshëm.

Në postimin e publikuar në Facebook, Ambasada Amerikane shkruan:
5 për qind – kaq duhet të shpenzojnë Aleatët e NATO-s që NATO të mund të parandalojë dhe mbrojë kundër çdo kërcënimi.

Sipas njoftimit, lajmi i mirë është se të gjitha vendet anëtare, me disa përjashtime, kanë rritur ndjeshëm buxhetet për mbrojtjen në tre deri pesë vitet e fundit. Megjithatë, ambasada thekson se kjo prirje pozitive duhet të vazhdojë, duke bërë thirrje për angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aleatët.

“Faikun e kam në “dollap”, financo varrimin në atdhe”- Letrat e Nolit për Enver Hoxhën, pse diktatori refuzoi kthimin e eshtrave të Konicës

Faik bej Konica ishte figurë qendrore e lëvizjes kombëtare, studiues i historisë dhe gjuhës shqipe, botues, publicist, gazetar, drejtues i “Vatrës” dhe diplomat shqiptar.

 

Ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkohshmja e tij “Albania” ka qenë ndër tribunat e publicistikës shqiptare për trembëdhjetë vjet. Vetë Konica është i njohur për erudicionin, publicistikën, stilin dhe ndikimin që pati në kulturën dhe politikën shqiptare. Është po ashtu autor i dy romaneve të shkruara në gjuhën frënge me nofkën Jean de Croia (sq. Gjoni i Krujës), “Le mariage de Leila suivi de Sotiri et Mitka” (Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka) botuar më 1911 në Paris. Ai po ashtu ka mësuar edhe gjuhën italiane. U lind në Konicë, në oxhakun e bejlerëve të njohur si Zenelbejllinjtë, i biri i Shahin beut dhe Zeliha hanëm Delvinës, i treti ndër katër djemtë, Mehmeti, Rustemi dhe Hilmiu?.

Muaji i lindjes figuron i dokumentuar në prill – ndryshim që mbase lidhet me ndryshimet në kalendarët e zbatuara në atë periudhë. Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privatë. Më 1883 vizitoi të motrën, Xheva hanëm që në atë kohë banonte në Shkodër. Ndoqi shkollën saveriane në dy vite shkollore 1883-1885 ku ndoqi lëndë në italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kthehet në vendlindje për ndoshta një vit dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të Gallatasarajit në Stamboll gjatë viteve 1886-1887. Filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux në Normandi; më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne në jug të Francës ku studioi deri më 1894, duke u përqendruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e kompozicionit në frëngjisht dhe në përkthimet latine.

Përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) më 16 nëntor 1895, ku u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik, që e ka përdorur edhe në një letërkëmbim “beg Faik – Dominik Koniza”. Në vitet 1895-1896, Konica filloi studimet pasuniversitare tek Collège de France në Paris, ku u përqendrua në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”.

SHPËRNGULJA

Në 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi të përkohshmen “Albania”, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze. Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kish njohur Sophie Annette Hugon, me të cilën, në 1897, pati një djalë të quajtur Henrik. Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studioi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”. Në 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909-1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e Diellit, botim javor i Shoqërisë “Besa-Besë”.

Konica punoi si kryeredaktor i Diellit deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910 dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Vatrës më 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit që atëherë ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. Vatra bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë.

Përreth një muaj rresht, nga 19 maj 1912 deri më 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa reshtur në mbarë Anglinë e re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA. ARKIVAT Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet kërkesa për punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romane, kryesisht frëngjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A.-së dëshironte të punonte, ai iu përgjigj: “Në 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasshme kudo”. Sipas studiuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy viteve në kuadrin e Vatrës. Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut dhe jo në arkivën e universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse.

Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitetin e Pekinit në Kinë. Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës” i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët morën vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë. Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishte quajtur “njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët” në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipniës së Mesme.

Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, Ushtimi i Krojës, që drejtohej nga Konica. Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga. Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austrohungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t’u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë. Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të “Vatrës” për t’u bërë kryetar i saj Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur. Më 1923 u takua në Boston me 20- vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t’i ofronte miqësinë e tij. Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij. Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan. Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Faik Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian.

Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar. ”Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, – thuhet në testamentin e Konicës. Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe.

Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë. Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë.

KËRKESA

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Në librin “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, shkrimtari Nasho Jorgaqi shkruan se Noli i drejtohet Enver Hoxhës me të cilin ka pasur një letërkëmbim të gjatë në vitet 1945-1946. “Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij me nderimet përkatëse si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”, – i shkruante Noli udhëheqësit komunist. Por Enver Hoxha nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje. Më tej lexojmë t’i ketë shkruar Sejfulla Malëshovës: “Bëj përpjekje për të ndjerin Faik se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”. Por duket se edhe Malëshova nuk i ktheu asnjë përgjigje. Noli do të ikte nga kjo botë me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij. Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe vetëm në maj 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri.

Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti– Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

VEPRA

Veprimtaria kulturore letrare e Faik Konicës në shërbim të atdheut përshkoi shtigje të shumta në Europë e Amerikë. Më 1895 në Paris nxjerr në dritë librin Shqipëria dhe turqit. Në Bruksel e më pas në Londër, boton revistën “Albania” dhe “Albania e Vogël”. Më 1909 i ftuar nga atdhetarët shqiptarë të Amerikës vendoset në SHBA. Në Boston drejton gazetën Dielli, krahas saj të përkohshmet “Trumbeta e Krujës”, “Ushtimi i Krujës”. Bota e Re etj. Këto gazeta e revista politiko-kulturore dhe letrare të Rilindjes sonë, bënin të ditur këdo me historinë e pasur e kulturën e popullit shqiptar dhe programin e lëvizjes kombëtare. Disa nga këto krijime janë: “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, “Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m’u duk”, përkthimi “Nën hijen e hurmave”, Ndryshe nga tërë krijimet e realizmit socialist, Konica me rrëfimet mjeshtërore, pa fyer asnjë me emër, pajis me dijeni të gjithanshme çdo lexues, mëson si duhet folur e shkruar shqip.

Shkruan me nderim për traditat e mira kombëtare, edukatën e moralin, thjeshtësinë në veshje e sjellje, për historinë e vërtetë, politikën, filozofinë dhe kryerjen e detyrave në përputhje me ligjet në fuqi. Pa zbukuruar asgjë, ai kritikon të metat e shoqërisë pa tepri me qellim të qartë prej atdhetari, përparimin mëtejshëm në vendin tonë. Me këshillat, “ruaju nga vetja e nga të tjerët” në një farë mënyre u drejtohet bashkatdhetarëve si prind e vëlla. Shumë nga krijimet e Konicës kanë ngjyresat e një proze poetike. Të tilla janë Malli i Atdheut, Ca kujtime mi At Gjeçovin, Anës Liqenit, Në liqen, Bora, Jeta e Skënderbeut, Abdul Frashëri, Naim Frashëri, Nga leximi i tyre zbulohet poeti i ndjeshëm i dashurisë për atdheun dhe heronjtë e kombit, për njeriun e natyrën.

Krahas veprimtarisë atdhetare e diplomatike, shkrimet e botuar deri më sot, gjuha e bukur shqipe me prirje drejt njësimit, mënyra fisnike e të folurit, janë shembull për të gjithë, edhe sot, qoftë për poetët, shkrimtarët e kritikët e letërsisë, qoftë për politikanët e gazetarët shqiptarë. Faik Konica me kritikën e përkryer, vlerësonte sipas meritave të gjithë pa përjashtim, poetët e shkrimtarët, Naimin, Fishtën, At Gjeçovin, Nolin, Asdrenin, Çajupin, madje për çështje politike edhe Ismail Qemalin, Ahmet Zogun etj. Ndërkohë ai mbeti deri në fund miku i tyre besnik.

/Gazeta Panorama

Emigrimi masiv/ Shqiptarët janë kombësia më e madhe në BE në raport me popullsinë

Në fillim të vitit 2023, në Bashkimin Europian (BE) jetonin 27.4 milionë persona që nuk ishin qytetarë të Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat. Këta përbënin 6.1% të popullsisë së BE-së.

 

Në vitin 2023, u regjistruan 25 shtetësi jo-BE – që secila përbënte të paktën 1,0 % të gjithë rezidentëve jo-BE në Bashkimin Europian; së bashku, këto grupe përfaqësonin 74,7 % të totalit.

Komunitetet më të mëdha që jetonin në BE pa pasur shtetësi të një vendi anëtar ishin shtetasit ukrainas (11,9 %), turq (7,7 %), marokenë (7,1 %) dhe sirianë (5,3 %). Ndërkohë, shtetasit kinezë (përfshirë Hong-Kongun) dhe rusët zinin përkatësisht 3,9 % dhe 3,3 % të numrit të përgjithshëm.

Shqiptarët renditen në vendin e nëntë me rreth 2.3% të totalit të të huajve që jetojnë në BE, pas Indisë (3.2%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2.6%).

Shqipëria, e para në raport me popullsinë përkatëse

Në vendet e BE-së jetojnë rreth 3.2 milionë ukrainas, dhe 2.1 milionë turq, sipas të dhënave të Eurostat, duke u renditur të parët në numër.

Por emigrantët nga të dy këto shtete vijnë nga vende me popullsi të mëdha, ku Turqia ka 87 mln banorë dhe Ukraina 39 milionë banorë, duke bërë që emigrantët në raport me popullsitë e tyre përkatëse te jenë vetëm 2.4% dhe 8.4%..

Në BE, sipas Eurostat jetojnë rreth 630 mijë shqiptare (të dhënat nuk përfshijnë Greqinë). Kjo është e barabartë me 26% të popullsisë që jeton në Shqipëri, duke na renditur të parët në BE, në raport me popullsinë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor. Nëse shtohen dhe ata që jetojnë në Greqi, që janë të paktën 400 mijë persona, shifra e kalon 40%.

Në nivele të larta është dhe Kosova, që renditet e dyta për shtetasit që jetojnë në BE, në raport me popullsinë përkatëse, me 25.7%.
Ballkani Perëndimor vijon kryesimin, me Maqedoninë e Veriut me 19.6% dhe Bosnjë e Hercegovinën me 17.3%.

Lejet e qëndrimit, 73 mijë vetëm në 2023

Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.

Ikja në vendet e BE-së është një nga arsyet kryesore e rënies së ndjeshme të popullsisë. INSTAT gjeti në Censin e fundit se popullsia e vendit është reduktuar me 420 mijë persona në raport me Censin e mëparshëm të 2011. Në vend, sipas INSTAT tashmë jetojnë vetëm 2.4 milionë persona. /Monitor

Screenshot_1 dd-1

Komplot për destabilizimin e Gjermanisë nga agjentë rusë, Bild: Planifikonin sulme me eksploziv

Tre agjentë rusë me shtetësi ukrainase kishin planifikuar sulme me bomba në Gjermani, me qëllim destabilizimin e vendit, por autoritetet gjermane i kanë arrestuar, sipas një raportimi të gazetës BILD.

 

Agjentët, që dyshohet se janë rekrutuar nga shërbimet sekrete të Putinit, kishin planifikuar akte sabotimi dhe sulme në territorin gjerman. Ata dyshohet se kishin ndër mend të dërgonin pako me eksploziv që më pas do të shpërthenin.

Shpërthimet e planifikuara thuhet se ishin menduar për të tronditur dhe destabilizuar opinionin publik gjerman. Sabotuesit rusë mendohet se donin të përdornin substancën kimike termite (që mund të arrijë temperatura deri në 2400 gradë Celsius).

Të dyshuarit thuhet se kishin dërguar tashmë dy pako prove me pajisje gjurmimi GPS, për të testuar nëse shpërthimet do të shkaktonin dëme të mëdha.

Prokurori i Përgjithshëm Federal ka marrë përsipër hetimin për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes. Autoritetet gjermane të sigurisë kanë frikë se në vend ndodhen qindra agjentë rusë të tillë, thekson gjithashtu BILD. Hetimet janë në vazhdim.